• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MIHAL GRAMENO JETA DHE VEPRA

June 20, 2013 by dgreca

Vlerësim për monografinë MIHAL GRAMENO JETA DHE VEPRA të studjuesit Thanas L. Gjika./

Nga Prof. Dr. Klara KODRA/

Në vitin jubilar të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarsisë, studjuesi i mirënjohur Prof. Ass. Dr. Thanas L. Gjika, i dha lexuesit shqiptar studimin monografik Mihal Grameno – jeta dhe vepra 1871-1931(505 f.), botuar prej shtëpisë botuese DDS shtypshkronja MILENIUM I RI, Durrës, me redaktor gjuhësor Halim Malokun. Në fund vepra ka aparatin shkencor, një përmbledhje në anglisht, një album fotografik të pasur dhe vlerësimet e studjuesve prof. Jorgo Bulo dhe prof. Agim Vinca.

Mihal Gramenoja, Heroi i Popullit, është një ndër shkrimtarët dhe gazetarët e përkushtuar e të talentuar të letërsisë dhe gazetarisë shqiptare, ai është një ndër figurat e kulluara të atdhetarizmit shqiptar, i cili gjithë energjitë e veta ia kushtoi luftës për liri e demokraci të popullit tonë. Kjo vepër, me parashtrimin e biografisë së plotë të kësaj figure aq të përkushtuar ndaj atdheut e ceshtjes kombëtare, ka vlera aktuale, mbasi sot po mungojnë gjithnjë e më shumë atdhetarë të tillë. Jeta dhe vepra e tij janë studjuar e vlerësuar edhe para studjuesit Gjika, por po e themi që në fillim se ky studim e shpie këtë objekt studimi drejt shterrimit. Tiparet e një studjuesi e hulumtuesi të palodhur e të kualifikuar si z. Gjika shpalosen këtu përmes morisë së fakteve, argumentimeve, analizave, deduksioneve dhe konkluzioneve të drejta. Ky studjues ka botuar në vitet 70-të e 80-të të shek. XX-të një mori artikujsh shkencorë në revistënStudime Filologjike dhe monografinë MIHAL GRAMENO PUBLICIST DEMOKRAT me të cilën mbrojti gradën Kandidat i Shkencave Filologjike.

Jeta në emigracion (SHBA) që nga mesi i vitit 1996, nuk e pengoi këtë studjues të merret edhe me hartim artikujsh dhe studimesh shkencore. Janë mirëpritur prej lexuesve shqiptarë dhe te huaj kërkimet dhe interpretimet e tij të reja në fushën e biografisë së autorëve të Dhiatës së Re, përmbledhur në veprënKUR DHE KU U SHKRUA DHIATA E RE (v. 2007, 505 f.). Artikujt e botuar në vëllimin EVOLUIMI YNE KERKON NJOHJEN DHE DENIMIN E FAJIT (v. 2011, 308 f.) ngjallën interes të madh. Tani së fundi ai na dha studimin e plotë për jetën dhe veprën e MIHAL GRAMENOS, që është thellim dhe zgjerim i punës së tij të kryer në vitet kur punonte në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, lënë dorëshkrim i daktilografuar (310 f.) në arkivin e këtij Instituti.

Dëshira për t’ia dhënë lexuesit sa më të plotë e sa më shkencore jetën e atdhetarit Grameno dhe vlerat e veprës së tij letrare e gazetareske, e shtyu studjuesin Gjika që krahas punës së vështirë për të mbijetuar në emigracion, të realizonte dhe ripunimin shkencor të monografisë së hartuar në kohën e monizmit ku binin në sy interpretime të politizuara. Duke shfrytëzuar mundësitë e reja që solli instalimi i sistemit demokratik me ndryshimet rënjësore në strukturat politike, sociale e kulturale të vëndit, si dhe të vetë studjuesit, ky e thelloi dhe zgjeroi më tej shkallën e njohjes mbi Mihal Gramenon me dokumenta, shkrime e studime të reja, dhe e ndriçoi figurën e atdhetarit dhe të shkrimtarit e të gazetarit nën një këndvështrim të ri, më objektiv dhe jashtë kufizimeve apo paragjykimeve ideore të imponuara nga regjimi totalitar.

Vepra bie në sy për stilin dinamik, gjuhën e rrjedhshme, të pastër e të pasur, për analizat objektive, për frymën kritike, larg lavdërimeve e himnizimeve pa baza. Jetëshkrimi i familjes Grameno harmonizohet me një kompetencë të plotë brenda kontekstit historik e social-ekonomik qysh prej stërgjyshit të heroit, Papa Nastos, i cili u larguan prej fshatit Plasë dhe u vendos në qytetin e Korçës rreth vitit 1830.

Jeta e familjes Grameno ndërtohet e thurrur me jetën e vetë qytetit të Korçës si dhe të kolonisë shqiptare të Bukureshtit ku Mihali emigroi 15-vjeçar. Pikërisht në ambjentet atdhetare të një familjeje mikroborgjeze korçare dhe pastaj në ambjentet e emigracionit shqiptar të Bukureshtit, u rrit e u formua djaloshi Mihal, atdhetari, shkrimtari e gazetari i ardhshëm, i cili nisi veprimtarine e tij atdhetare se pari me kundërshtimet kundër grekomanizmit që në bangat e shkollës greke në Korçë, e më tej si anëtar në shoqatat atdhetare Drita e Shpresa të Bukureshtit. Kur mbushi të tridhjetat ai filloi të botonte krijimet e para poetike, të cilat i vijoi më tej si me poezi, komedi e tragjedi në vargje, me novela në prozë, me hymne luftarake, artikuj gazetash etj, të cilat ishin të frymëzuara kryekëput nga lufta e popullit shqiptar për ringjalljen kombëtare. Është kjo krijimtari letrare dhe publicistike tepër e angazhuar me rrjedhat historike të kohës që e vendosi Mihal Gramenon mes figurave më të shquara të kolonisë shqiptare të Bukureshtit e të mbarë letërsisë e të gazetarisë shqiptare të viteve 1900-1924.

Studimi ndahet në katër kapituj të mëdhenj: kapitulli i parë i kushtohet jetës dhe veprimtarisë atdhetare të heroit; kapitulli i dytë i kushtohet veprës së shumanshme letrare në prozë, dramaturgji dhe poezi të këtij autori; kapitulli i tretë i kushtohet krijimtarisë publicistike, që është arritja më e madhe e këtij krijuesi; kurse kapitulli i katër trajton vendin dhe rolin e Gramenos në historinë e letërsisë dhe të publicistikës shqiptare. Përmes analizave shkencore krijimtarisë së këtij autori i është dhënë me kompetencë vendi që meriton, brenda konteksit të letërsisë shqiptare të periudhës së Rilindjes e mbas saj në vitet 1900-1924. Shumë i goditur është vlerësimi i Gramenos si një nga shkrimtarët e rëndësishëm të letresise shqiptare te cerekut të parë të shek. XX-të me arsyetimin: Po t’i kishin munguar vepra e shumllojshme letrare e publicistike dhe jeta plot aktivitet e Mihal Gramenos, letërsia jonë dhe historia jonë kombëtare do të ndjeheshin më të varfra. Letërsia do të ndjehej më e varfër, sepse asaj do t’i mungonin tragjedia e parë historike Vdekja e Pirros, një nga komeditë e para Mallkim’ i gjuhës shqipe, novelat e para Oxhaku, Varr’ i pagëzimit dhe E Puthura, himnet kryengritëse Për Mëmëdhenë, Uratë për liri, Lamtumirë, etj, kënga dashurore Muaj’ i Majit, do t’i mungonin skicat realiste me të cilat ai u bëri autopsinë e përbërjes shoqërore të qeverive të para shqiptare, do të mungonte vepra memuaristike Kryengritja Shqiptare me bëmat e çetës së Çerçiz Topullit. Gazetaria shqiptare do të ndjehej më e varfër sepse do t’i mungonte sasia e madhe e artikujve, fejtoneve, pamfleteve dhe portreteve të pashoqe, me të cilat u vlerësuan drejt ngjarjet, klasat dhe veprimtarë të viteve 1908-1924. Historia jonë kombëtare dhe ajo demokratike do të ndjeheshin më të varfra, sepse do t’u mungonte poeti luftëtar i maleve, veprimtari ilegal i lëvizjes së armatosur dhe agjitatori demokrat. Shoqërisë shqiptare do t’i mungonte shëmbulli i njeriut të ndershëm, të ekuilibruar, i cili kritikoi me fakte dhe nuk feu e nuk shau askënd, njeriu që i priti me gjakftohtësi kritikat dhe u përgjigj me argumenta (f.434).

Mihal Gramenoja është shëmbulli më i spikatur i poetit luftëtar shqiptar që shkëlqen midis grupit të rilindësve tanë si L. Gurakuqi, H. Mosi, R. Siliqi etj, të cilët ndoqën shembullin e poetëve ballkanas Kristo Botev i bullgarëve, Mihal Eminesku i rumunëve, etj, të cilët luftuan me pushkë e penë për lirinë e atdheut të tyre nga zgjedha osmane.

Për gati 15 muaj (maj 1907- 25 korrik 1908) luftëtarët e çetës kombëtare të drejtuar prej Çerçiz Topullit dhe Mihal Gramenos shkelën dhjetra e dhjetra fshatra, ku krahas agjitacionit për zgjimin kombëtar u ndesheshën edhe me armë kundra forcave policore e ushtarake osmane, si në Mashkullorë, Libofshë e në Vodicë të Kolonjës. Keto fakte tërheqëse Gramenoja i riprodhoi me detaje në portrete të ndryshme e sidomos në veprën Kryngritja Shqiptare, të cilën mundi ta botonte më 1927 në Vlorë.

Lufta e popullit shqiptar në vitet 1907-1912 zë vendin përkatës në veprën e Th. Gjikës, ku burimet për trajtimin e saj nuk kufizohen vetëm në memorialistikën e kohës por edhe në burime arkivore e studime monografike, të cilat venë në dukje efektet e shqetësimet e autoriteteve osmane, si dhe ato të huaja, duke theksuar se lëvizja e popullit shqiptar për liri e pavarsi zhvillohej jashtë diktateve e interesave të të huajve.

Në historinë tonë kombëtare, vitet 1908-1912, ashtu si vitet 1878-1881, janë ndër vitet më intensive në luftën për zgjimin kombëtar dhe në luftën për pavarësi të popullit tonë. Për herë të parë brënda në atdhe në mënyrë legale u krijuan shoqata e klube atdhetare, filluan të botoheshin gazeta në gjuhën amtare, u çelën e riçelën shkolla shqipe dhe mbi të gjitha u bë frymëzuese psikologjia e luftës për liri. Numëri i veprimtarëve të çështjes kombëtare në qytete e fashatra të ndryshme u qindrafishua.

Studjuesi sqaron përmes një materiali të bollshëm se kjo luftë u zhvillua si në planin legal dhe atë ilegal, ku Mihal Gramenoja luante një rol parësor si kryetar i Komitetit të Fshehtë të Stambollit për zonën e Korcës, fakt që sqarohet për herë të parë. Jepet e plotë lëvizja kulturale-arsimore dhe ajo e armatosur në zonën e Korçës ku u zhvillua një luftë shumë e ashpër kundër pushtuesit, si dhe shovenizmit të huaj dhe klerit të lartë grek, i cili prej vitesh i ishte kundërvënë lëvizjez kombëtare shqiptare.

Duke lënë mënjanë premtimet e pavlera të xhonturqve për barazi e përparim mes popujve të Perandorisë, atdhetarët më të shquar shqiptarë iu përveshën punës për organizimin e luftës së armatosur. Zbulohen e dokumentohen kontaktet e drejtpërdrejta të Gramenos me anëtarët e Komitetit të Fshehtë që vepronte në Stamboll, ku ai takohet e diskuton shpesh herë në vitet 1910-1912 me I. Qemalin, L. Gurakuqin, D. Himën, Hil Mosin, Baki Gjionokastrën, Hasan Prishtinën e shumë të tjerë.

Madhështia e figurës të Grameons në dobi të çështjes kombëtere është lidhur pazgjithshmërisht dhe me veprimtarinë e tij publicistike. Ai drejtoi personalisht gazetat Lidhja Orthodhokse(1909-1910) dhe Koha (1911-1926), të cilat me punën dhe talentin e tij kanë zënë një vend nderi në historinë e gazetarisë shqiptare të Rilindjes dhe të Pavarsisë. Vlerat e shquara të kësaj veprimtarie letrare e publiçistike Gjika i sjell para lexuesit përmes analizash shkencore që shquhen për objektivitet shkencor në zbulimin e vlerave ideo-artistike. Kjo vepër dëshmon qartë se shkolla historike dhe ajo sociologjike kur shfrytëzohen me profesionalizëm japin rezultate të sakta dhe të qëndrueshme.

Studjuesi nuk iu ndahet për asnjë momet rrugëve të ndjekura prej Gramenos në skakierën e mpleksur shqiptrae të shkaktuar nga armiqtë e shumtë që iu vërsulën trojeve arbërore edhe pas shpalljes të Pavarsisë së Shqipërisë më 1912.

E gjejmë Gramenon të lëvizë në trekëndëshin Korçë-Vlorë-Durrës, të hidhet në Shkodër e Pogradec, të kapërxejë Adriatikun e të veprojë në Itali e më pas të shkojë përtej Oqeanit Atllantik për tu vendosur në Jamestown NY të ShBA, ku vijoi botimin e gazetës së tij Koha (1915-1919) e të kthehet në atdhe më 1920. Qartë dhe me argumente jepet jeta dhe karakteri i këtij veprimtari, i cili për asnjë moment nuk u përkul nga vështirësitë ekonomike, nga rreziqet për jetën dhe as nga joshjet e majme për t’u shërbyer të huajve. Jane sqaruar me fakte të panumurta se si edhe në situatat më të turbullta që kalonte vëndi, Gramenoja nuk e humbi orientimin, duke ruajtur gjithmonë identitetin dhe personalitein e tij si mëmëdhetar.

Vepra në tërësinë e saj trasmeton jo vetëm vlera të mëdha njohëse dhe edukative, por është një dokumet i pakundërshtueshëm i përpjekjeve titanike të popullit tonë për çlirim nga zgjedha osmane, për liri e përparim shoqëror, ku Gramenoja gjithë jetën u reshtua në ballë të këtyre përpjekjeve.

Puna këmbëngulse e studiuesit Thanas Gjika me veprën monografikeMihal Grameo jeta dhe vepra ka dhënë frutet e dëshiruara jo vetëm për intelektualin e shkolluar shqiptar të të gjitha niveleve, por edhe për njerëzit e thjeshtë atdhedashës.

Veprës ia shtojnë vlerën përmbledhja konkluzive në anglisht, treguesi i emrave të personave dhe vendeve me të cilët e lidhi jeta heroin, fotografitë ilustruese dhe bibliografia e pasur.

Kjo vepër e re monografike me arritjet e saj të shumanshme shkencore dhe me realizimin tipografik me nivel të lartë, bashkë me veprën KUR DHE KU U SHKRUA DHIATA E RE, përbëjnë jo vetëm dy studimet më të mira të studjuesit Gjika, por dhe dy vepra me vlera të mëdha për shkencat tona albanologjike. Këto vepra tregojnë se ky intelektual e priti jubileun e 100-vjetorit të pavarësisë duke sjellë rezultate të reja me vlera kombëtare dhe botërore.

Arritjet e kësaj vepre të kompletuar shkencore kanë për të ndikuar në studimet e ardhshme historiko-letrare shqiptare dhe ballkanike për të sjellë vlerësime të reja për një varg dukurish dhe autorësh e veprimtarësh politikë të Rilindjes shqiptare e mbas saj.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Jeta dhe vepra, Klara Kodra, Mihal Grameno, Thanas Gjika

KOMUNIZMI VRET ELITËN, KEQTRAJTON MESATARËT DHE NGRE LART INFERIORËT

March 21, 2013 by dgreca

(Vlerësime për veprën PIKA LOTI të S. Repishtit)/

Nga Prof. Ass. Dr. Thanas L. GJIKA/

 Sami Repishti bashkë me Martin Camajn dhe Arshi Pipën bën pjesë në treshen e desidentëve të mëdhenj shkodranë. Ky bir i Shkodrës tremijë vjeçare, ish-antifashist e ish-antikomunist, ish i burgosur dhe i internuar, mbas arratisjes nga Shqipëria, gjeti veten në SHBA ku ariti të bëhet pedagog i letërsisë me titullin Assistent Profesor. Ai është personalitet i kompletuar i pedagogut, studjuesit, shkrimtarit dhe politikanit shqiptaro-amerikan. Ai është një figurë shumëdimensionale e kulturës, letërsisë, shkencës dhe veprimtarisë atdhetare politike shqiprare dhe asaj amerikane. Kur të studjohet jeta dhe vepra e plotë e tij do të shihet se ai me shumë artikuj, esse e vepra letrare, për nga pëmbajtja desidente antikomuniste, pjekuria dhe humanizmi i lartë të kujtojnë Vaclav Havel-in (1936-2011) dhe Karl Popper-in (1902-1994).

          Për fatin tonë të keq ky i përndjekur, ky personalitet i shquar, kur shkoi në atdhe mbas shkërmoqjes së diktaturës për të ndihmuar në ecurinë e proceseve, nuk u dëgjua sa dhe si duhej prej qeverisë “demokratike”, për dënimin e krimit komunist, për kthimin e pronës tek i zoti, për zhvillimin e lojës politike midis pozitës dhe opozitës si një lojë demokratike luajale pa e ndarë popullin në dy gjysma armiqësore, etj. Sami Repishti nuk u dëgjua sepse ai ishte pjesë e atyre forcave shoqërore që përbënin opozitën e vërtetë kundër komunizmit. Të tilla forca ishin paracaktuar prej planit të Ramiz Alisë të mos përfshiheshin në proceset e tranzicionit, e jo më t’i drejtonin ato. Shqipërinë pluraliste me ekonomi tregu duhej ta ndërtonin dhe trashëgonin bijtë dhe shërbëtorët besnikë të ish-kupolës komuniste, shumica e të cilëve po vijojnë ta sundojnë edhe sot…

Më vjen keq që dy veprat letrare PIKA LOTI (1997 dhe 2009) dhe NËN HIJEN E ROZAFËS (2004) të z. Repishti i lexova vetëm këto javët e fundit, pra me vonesë nga botimi i tyre. Këto dy vepra bëjnë pjesë në letërsinë realiste shqiptare, dhe më konkretisht ato përbëjnë themelet e letërsisë sonë të quajtur letërsia e burgut, e cila lexohet sot me ëndje dhe përfitim të madh, sepse aty zbulohet jeta plot vuajtje, qëndresa dhe bëmat e njerëzve të dënuar prej diktaturës komuniste shqiptare, një aspekt i jetës sonë, të cilin diktatura e kishte shtrembëruar keqas dhe mbajtur në fshehtësi.

Letërsia realiste shqiptare e krijuar në dhjetëvjeçarët e parë të shek XX-të prej Andon Z. Çajupit, Zef Skiroit, Gjergj Fishtës, Ernest Koliqit, Faik Konicës, Migjenit, Nonda Bulkës, etj, etj, gjatë viteve të rënda të diktaturës komuniste (1944-1991) ra në fashë, por nuk u ndërpre. Ajo ra në fashë, sepse pushteti diktatorial stimuloi në ato vite letërsinë e quajtur “Letërsi e Realizmit Socialist”, veprat e së cilës hartoheshin sipas kërkesave të formuluara prej V. I. Leninit dhe regullave të sajuara prej teoricienit sovjetik A. Zhdanov. Kjo letërsi mori mbi vete detyrën për t’i shërbyer partive komuniste në pushtet për krijimin e rendit të ri, përmes sajimit të heroit pozitiv. Ky hero mishërohej me figurën e një komunisti, a njeriu të thjeshtë, ose të një sekretari partie. Kjo letërsi në Kinë krijoi një hero si Laj Feni, në Shqipëri krijoi heroin e Stavri Larës (romani Këneta e F. Gjatës) e plot të tjerë… Kjo lloj letërsie, e cila stimulohej aq shumë prej partisë shtet, solli vetëm dëme në art dhe në psikologjinë e shoqërisë së vendit ku u krijua. Për turpin e tyre, autorët e të tilla veprave nuk i kanë kërkuar falje popullit për dëmin që i shkaktuan, por vijojnë të mburren me to. Veprat e shkruara sipas parimeve të realizmit socialist sot nuk na tërheqin më, lexohen me vështirësi dhe me një ndjenjë neverie, sepse në to i thurren lavde politikës dhe moralit që i shërbente vetëm sundimit të partisë shtet.

Mbas vitit 1944 letërsinë realiste nuk e braktisën të gjithë krijuesit shqiptarë. Atë vijuan ta lëvronin vetëm disa shkrimtarë shqiptarë që ranë nëpër burgje e kampe pune dhe disa prej të arratisurve në botën e lirë. Për nder të letrave shqipe pati dhe shkrimtarë të guximshëm si Petro Marko, Mitrush Kuteli, etj, të cilët me gjithë pasojat politike për jetën e tyre dhe të familjarëve të vet, nuk e përfillën metodën e realizmit socialist, kurse Lazgush Poradeci, Ali Asllani etj e thyen penën dhe nuk krijuan më mbas vitit 1944. Nuk duhet të lemë pa përmendur këtu dhe ndihmesën e vlefshme që dha plejada e shkrimtarëve të rinj shqiptarë që u formua në Ish-Jugosllavi.

Letërsia jonë e viteve 1944-1991, përveç shkrimtarëve si Shefqet Musaraj, Aleks Çaçi, Fatmir Gjata, etj, të cilët shkruan vetëm vepra të realizmit socialist, pati dhe disa shkrimtarë si Sterio Spasse, Sabri Godo, etj, të cilët hartuan vepra që i përkisnin realizmit socialist kur trajtuan ngjarje nga koha aktuale e socializmit dhe vepra thjesht realiste kur trajtuan jetën shqiptare, ose atë të huaj, të një kohe të kaluar. Ky grup shkrimtarësh i solli letërsisë sonë edhe dëme edhe vlera, sipas rastit. Kurse vepra letrare e Ismail Kadaresë dhe ajo e Dritëro Agollit përbëjnë fenomene letrare të komplikuara, që kërkon studime të thelluara për të zbuluar se deri ku mbritën vlerat dhe dëmet e tyre.

Letërsia realiste shqiptare e viteve 1945-1991 dallohet prej letërsisë së realizmit socialist së pari për nga metoda krijuese, sepse ajo nuk i zbatoi regullat e ngurta të saj dhe së dyti për nga përmbajtja, sepse me përmbajtjen e vet ideore, ajo nuk u vu në shërbim të së keqes, por e denoncoi atë. Letërsia realiste nuk ngriti në art politikën e partisë shtet, por humanizmin, moralin e shëndoshë, dashurinë njerëzore, gjithëçka që i shërbente përparimit shoqëror. Ajo eci në atë rrugë që kishte ecur letërsia shqiptare dhe ajo botërore para vitit 1944, rrugë në të cilën letërsia ecën edhe sot, pavarësisht nga rrymat e drejtimet letrare ku mund të bëjë pjesë.

Krijimet poetike të Arshi Pipës (Libri i Burgut, 1959), potretet e Sami Repishtit (Pika Loti, hartuar në vitet 1960-1963), poezitë e Lek Pervizit dhe të disa rapsodëve popullorë të mbledhura në vëllimin Lahutari Shqiptar, krijuar nëpër burgjet e kampet e internimit në vitet 1944-1991, përbëjnë themelet, nismat e letërsisë së burgut. Natyrisht në këto themele bëjnë pjesë edhe vepra të tjera që unë si emigrant nuk kam mundur t’i shtie në dorë, mbasi qeveritë shqiptare të mbas vitit 1992 nuk kanë treguar asnjë interes për shpërndarjen e veprave letrare e shkencore, që botohen prej autorëve me sakrifica në tirazhe të vogla.

          * * *

Vëllimi Pika Loti (botimi i dytë, PEGI, 2009, 155 f.) është një përmbledhje tregimesh të jetuara, të ndërtuara si portrete letrare, të cilat autori i shkroi mbas arratisjes nga atdheu në vitet 1960-1963, por që i botoi vetëm më 1997, sepse ndruhej mos u shkaktonte pasoja familjarëve të vet dhe të personave që kishte përshkruar në to. Heronjtë e kësaj vepre janë bashkëvuajtës të autorit nëpër qelitë e hetusisë, ose në burgun e Shkodrës dhe në kampet e ndryshme të punës. Vëllimi hapet me shkrimin kushtuar nënës dhe mbyllet me shkrimin Elegji për vëllanë, i cili dallon prej shkrimeve të tjera sepse nuk është tregim a portret letrar, por skicë lirike, një elegji në prozë. Këtë vepër autori e shkroi më 1970, mbasi Sigurimi shqiptar përhapi lajmin e rremë sikur vëllai i autorit, Vehbiu, kishte vdekur. Mbasi u hartua skica, autori mësoi të vërtetën, vëllai i tij ishte gjallë. Tronditja dhe dëshpërimi i thellë që i shkaktoi autorit lajmi dashakeq i Sigurimit shqiptar, nxiti krijimin e kësaj vepre lirike tepër emocionuese e plot dhimbje.

          Midis bashkëvuajtësve të ndryshëm që autori njohu gjatë viteve të kalvarit të vet, ai ka zgjedhur disa prototipa me të cilët përfaqësoi fatin e shtresave të ndryshme të shoqërisë shqiptare të viteve 1946-1956.

Rrëfimi me besnikëri e vërtetësi i jetës dhe vuajtjeve të këtyre heronjve përmes riprodhimit të ngjarjeve e bisedave të ndodhura konkretisht para syve të autorit, si dhe të shumë hollësirave të ndryshme, krijon një emocionalitet dhe besueshmëri shumë të lartë. Ky emocionalitet dhe kjo besueshmëri nuk mund të krijoheshin në një nivel të tillë, në rast se këto portrete do të ishin trajtuar thjesht si tregime letrare të mirëfillta. E themi këtë sepse në tregimet e mirëfillta letrare autorët për të tipizuar heronjtë e tyre përdorin material (ngjarje, biseda, mendime e hollësira përshkrimore) të krijuara prej imagjinatës së tyre dhe jo material të marrë konkretisht nga jeta ashtu si ka ndodhur. Tipizimi si dukuri letrare e forcon aspektin artistik të veprës, por dobëson besueshmërinë e ngjarjeve. Duke qenë se besueshmëria për problemet dhe ngjarjet që trajtohen në këtë vepër ka rëndësi të veçantë, mbasi aty bëhet fjalë për ngjarje dhe të përvuajtur konkretë, themi se krijimi i këtyre lloj tregimeve gërshetuar me tiapret e portretit letrar, ka qenë rruga më e mirë që ka ndjekur autori.

Pasqyrimi i jetës shqiptare mbështetur mbi kujtimet e së kaluarës së afërt, duke përzgjedhur ngjarje, biseda, mendime e hollësi të ndryshme thelbësore për të treguar deformimin e dhunshëm të moralit e të së drejtës, për shkatërrimet dhe plaçkitjet që po i bëheshin pasurisë private në dhjetëvjeçarët e parë të pas Luftës Antifashiste, ishte rruga që ndoqi ky autor në fillim të viteve 1960-të. Këtë rrugë, ose rrugë të ngjashme me të, ndoqën mbas vitit 1992 edhe shumë të dënuar të tjerë, midis të cilëve u shqua françeskani At Zef Pëllumbi, Visar Zhiti, etj.

Ideja themelore e veprës Pika Loti është zbulimi i faktit se komunizmi si ideologji dhe praktikë vret elitën, keqtrajton mesatarët dhe ngre në qiell inferiorët. Këtë ide,që autori e ka mishëruar artistikisht në këtë vepër letrare, ai e formuloi dhe shprehimisht në një fjalim politik mbajtur më 1965 gjatë tubimit “All-American Conference” në Washington D.C., të cilin e citon në shënimin hyrës të veprës (f. 8).

Vrasja e elitës shqiptare (inteligjencës dhe borgjezisë si klasë politike dhe ekonomike) e krijuar gjatë brezave e dhjetëvjeçarëve me mund e sakrifica, shpaloset përmes disa portretesh:

Qemali është portreti që ka në qendër intelektualin e shquar shkodran Qemal Draçini, liceisti më i dalluar i Shkodrës dhe i gjithë studentëve shqiptarë të Universitetit të Firences ku ai studjoi dy vjet për drejtësi. Këtë intelektual autori e adhuronte për prirjet e tij për hapje horizontesh të reja. Ky djalosh bjond e shumë simpatik, në rininë e tij të parë u lidh me lëvizjen komuniste, por kur pa se ideali për krijimin e një bote të re ishte i mbrujtur me urrejtje dhe dënime deri në anëtarët e familjes dhe të vetë prindërve, u largua me neveri. Ai nuk mund ta urrente e ta bënte fajtore nënën e vet për ekzistencën e shoqërisë borgjeze. Me nota shumë të gjalla përshkruhet atmosfera e vitit 1945, kur Qemali vuri në skenë në teatrin e Shkodrës dramën Përtej horizontit, vepër e dramaturgut amerikan Eugjen O’ Neil. Kjo shfaqje me tingëllimin e saj aktual për gjendjen mbytëse të rinisë intelektuale të kërcënuar prej thatësirës së dogmatizmit marksist, e tronditi rininë shkodrane, po ashtu dhe organet e pushtetit të ri dhe të Sigurimit. Qemalit i shkaktoi burgimin dhe tortura çnjerëzore të padurueshme, prej të cilave ai mundi të shpëtonte me anë të vetëvrasjes plot dhimbje duke gëlltitur sasi të madhe pluhuri DDT që roja e burgut hodhi në qelinë e tij për ngordhjen e miljona morrave.

Nji shok e nji mësues: dy dëshmorë, i kushtohet luftëtarëve antifashistë vlonjatë Hamdi Gjoni dhe mësuesit Bego Gjonzeneli, të cilët u burgosën, u torturuan në hetuesi dhe u hodhën të kampet e punës për të vetmin “mëkat” se nuk u bashkuan me forcat partizane që u krijuan më vonë, por luftuan si nacionalistë kundër pushtuesve fashistë e nazistë. Inteligjenca e thellë e pedagogut të shkollës së mesme tregëtare të Vlorës, Bego Gjonzeneli, shpaloset përmes riprodhimit të bisedave të tij me të dënuarit. Dënimi i disa krerëve komunistë prej vetë PKSH-së, mbas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë e J. B. Titos, ngjalli tek të burgosurit disa shpresa për zbutje të diktaturës e përmirësim të gjendjes… Mirëpo profesori ua preu hovin hamendjeve naïve me arsyetimet e veta: Grindjet janë të një natyre inherente të sistemit komunist. Do të kemi dhe të tjera, të ngjashme me këtë. Komunistët vrasin njëri tjetrin, me qëllim që të përballojnë pa kundërshtime gjendjet e reja. Për diktaturat absolute, eleminimi i shokëve të luftës është një parim themelor. Por kjo nuk duhet kuptuar si një sinjal i fundit të tyre… Kemi hyrë në një suazë nga e cila është shumë e vështirë të dalim. Ata që thonë se e drejtojnë fatin e vendit tonë, nuk e kanë më këtë fat në duart e tyre. Një tjetër dhespot sundon sot mbi vendin tonë. Eshtë ariu sovjetik.  I ngjashëm me fatin e profesorit vlonjat Gjonzeneli është dhe fati i profesorit shkodran të filozofisë, Preng Kaçinari, që përshkruhet në shkrimin Nji vorr i harruem. Ky pedagog i filozofisë në gjimnazin At Gjergj Fishta të Shkodrës, inteligjent i rallë, diplomuar në Universitetin e qytetit Monpellie të Francës. Ky profesor, me sjelljen, zgjuarësinë dhe njohuritë e thella kishte fituar respektin e dashurinë e nxënësve dhe të qytetarëve shkodranë. Pas pushtimit fashist u bëri thirrje studentëve të vet dhe doli malit bashkë me ta, me të cilët luftoi dhe vetë autori kundër pushtuesit fashist. Mirëpo ai u përçmua, u la pa punë dhe u detyrua të vdiste nga uria, për të vetmin “faj” se nuk u bashkua me forcat komuniste dhe sepse kishte njohur nga afër në kohën e studimeve diktatorin e ardhshëm të Shqipërisë, xhelozia dhe paranoja e të cilit nuk lejonte të mbijetonin më të aftët se ai.

Gjatë takimit të fundit të heroit me autorin, ai i formuloi me pak rreshta thelbin e moralit, thelbin e asaj që kërkonte partia shtet prej mësuesve dhe edukatorëve: Falja ndërgjegjen djallit, asgjëso personalitetin tand, humbe dinjitetin si njeri, hidhi poshtë të gjitha parimet morale bazë, atëhere je i përshtatshëm për indoktrinimin që kërkohet n’ arsim.

Në një situatë të tillë mbytëse, ky intelektual i pastër, besnik i parimit sipas të cilit për kombet, ashtu si për njerëzit, nderi qindron ma lart se jeta, mbetur i papunë, pa mundësi jetese, i dha fund jetës me vdekje nga uria në vorrezat e Tiranës më 1956.

Edhe më tragjik është fati i avokatit shkodran Qazim Dani, që përshkruhet në Plaku i numërit 10, njeriu që ishte burgosur pa më të voglin shkak. Ky burgim e revoltoi të birin 16-vjeçar, Bardhoshin, i cili duke mos e duruar padrejtësinë, vendosi të arratisej bashkë me dy shokë të tjerë, të tre djem të vetëm. Këta djem të papërvojë i vranë rojet kufitare. Mbasi i lanë të qelbeshin në sheshin e qytetit disa ditë me radhë për të tmerruar rininë shkodrane, policia lejoi familjarët e miqtë e tyre t’i varrosnin. Nëna e Bardhoshit u çmend nga tronditja e ngjarjes makabre. Kur u lirua bashkëshorti, i plakur para kohe, ajo e priti ashpër duke thirrur: Ti ma ke vra djalin! Ti ma ke vra djalin!, në një kohë kur ky babë nuk e dinte fundin tragjik të të birit. Të dy, nënë e babë, të mbetur mos më keq, pa triskat e bukës, me tre vajza që mezi nxirrshin bukën e gojës me punë nga më të rëndat, të damkosur me epitetin ndjellakeq “armik i popullit”, e ndjenë veten të tepërt dhe u shkrinë njëri pas tjetrit duke u gdhirë të mbërdhirë nga të ftohtit në ballkonin e shtëpisë…

Në Bir i dejë i Shen Françeskut portretizohet bashkëvuajtsi i torturave në qelinë e hetuesisë, kleriku At Çiprian Nikaj. Ky klerik i përkushtuar, bashkë me kolegët At Pal Dodaj, At Mati Prendushi dhe At Bernardin Palaj ishin arrestuar në mes të nëntorit 1946 me rastin e gjetjes në Kuvendin e Franceskanëve të disa pushkëve të ndryshkura që kishte lënë një reshter gjerman gjatë tërheqjes. Ato pushkë as ishin përdorur e as mund të përdoreshin, por kishin mbetur në Kuvend nga pakujdesia, duke e lënë dorëzimin e tyre në polici me sot për nesër. Spiunimin e kishte bërë një seminarist i ri, i rekrutuar prej Sigurimit. Torturimi i këtyre klerikëve, që mbaheshin nëpër qeli të ndryshme, bëhej me qëllim që ata të pranonin se armët ishin fshehur për të organizuar kryengritjen popullore kundër pushtetit, ashtu si u tha nga propaganda komuniste shqiptare e ajo jugosllave. Për të mos u shtrembëruar e vërteta, At Çipriani i rrëfen autorit të vërtetën e pranisë së atyre armëve në Kuvend dhe ia lë si porosi ta dëshmojë këtë të vërtetë mbas daljes nga burgu. Ky amanet përbën dhe shkakun kryesor të hartimit të këtij portreti.

Thjeshtësia e klerikut të përkushtuar jepet përmes lutjes së tij të përsëritur drejtuar Zotit: Ati Ynë në Qiell! Më ndihmo të jem i dejë për hirin e dashuninë tande!

Kjo qenie modeste, që dukej tepër e tkurur gjatë lutjeve të veta, ishte shumë e fuqishme në fjalë e mendime. Me këshillat dhe ngushëllimet që i jepte autorit ky bashkëvuajtës para e mbas torturave, ma lehtësonte vuejtjen me frymën e shpresës e ma mbushte zemrën me shpirtin e qindresës, pohon autori duke përshkruar gjendjen e rëndë psikologjike në terrin e qelisë ku njeriu humbiste nocionin e kohës dhe shpesh herë edhe dëshirën për të jetuar…

Keqtrajtimi që u bëri diktatura njerëzve mesatarë jepet po ashtu me ngjyra të gjalla në shkrimet Dukagjinasi i pafat, Djali i Lumës dhe Bajraktari. Heronjtë e këtyre veprave janë bij të malësive të Shqipërisë së Veriut, njerëz të ndershëm, atdhetarë antifashistë. Të tillë janë vëllezërit dukagjinas Mark e Kolë Prela, malësori i sinqertrë Mehmet Lumjani dhe bajraktari i një fshati të thellë, Sylë Bajraktari. Të gjithë këta heronj pa qenë aspak kundërshtarë të pushtetin dënohen prej tij. Mark e Kolë Prela e donin pushtetin e ri, por ata, si njerëz të ndershëm, edhe pse kishin luftuar si antifashistë përkrah forcave partizane, nuk kishin pranuar të zbatonin urdhërat vrastare të Brigadës së Mbrojtjes së Popullit (forcat e Sigurimit), që shkuan nëpër Malësi për të masakruar banorët e atjeshëm, me qëllimin e vetëm që të ngjallnin tmerr, frikë e nënshtrim absolut ndaj pushtetit të ri “popullor”.

Djaloshi i thjeshtë e i sinqertë, i ndershmi Mehmet nga Luma, nuk mund ta kuptonte se si mund të binte burri aq poshtë sa të shpifte kundër bashkëfshatarit të vet. Sigurimsi i fshatit kishte shpifur sikur Mehmeti nuk e donte pushtetin, sikur ishte “armik i popullit”, gjë që i shkaktoi burgimin dhe dënimin me punë të detyruar në baltrat e kënetës së Maliqit. Pyetja e tij retorike: Si mund të bjerrë burri kaq poshtë!, përdorur si refren gjatë shkrimit, zbulon padrejtësinë e shumë dënimeve dhe rënien poshtë jo të disa spiunëve, por të vetë pushteti komunist. Ky pushtet që erdhi në fuqi me bujë si krijues i botës së re dhe i njeriut të ri, shumë shpejt e zbuloi fytyrën e vërtetë diktatoriale antinjerëzore.

Për të justifikuar përdhunën e vet dhe për të krijuar idenë se bota e vjetër që ai përmbysi, ishte një botë reaksionare, ky pushtet përmes dënimeve të ndryshme i shpalli armiqësorë, reaksionarë dhe antipopullorë shumë fjalë, si dhe mbartësit e tyre. Me përdhunë fjalët ballist, bajraktar, xhandar, avokat-mbrojtës, prift, etj u ngarkuan me një përmbajtje negative emocionale dhe u shpallën e u luftuan si amrmiq e tradhëtarë të gjithë ballistët, bajraktarët, xhandarët, avokat-mbrojtësit, priftërinjtë, etj. Midis këtyre të përndjekurve bëjnë pjesë mjaft të dënuarve që përmendëm më lart, si dhe Sylë Bajraktari, njeriu që nuk e kuptonte dot pse e quanin armik të popullit, gjakpirës të popullit, kur ai dhe të parët e tij si bajraktar ishte përpjekur të zbatonte Kanunin dhe ligjet e Maleve për të mbajtur regull në fshatin e vet.

Jeta personale plot mundime dhe njohja nga afër e vuajtjeve dhe e fundit tragjik të jetës së këtyre përfaqësuesve të elitës intelktuale shqiptare e shtytën autorin të arrinte që në vitet 1959-1962 në një karakterizim shumë të pjekur të epokës së diktaturës qysh atëhere, karakterizim në të cilin shkrimtarët dhe studjuesit tanë të ditëve tona nuk kanë arritur ende.

Për autorin ajo epokë ishte epoka që vrau arsimtarin e ndershëm, që zhduku klerikun e devotshëm, që kalbi në burgje intelektualët e formuar në Europë, që shtrydhi në tortura tregtarin, që mundoi me uri punëtorin e që varfëroi katundarin deriku nuk shkonte më. Epokë e cila përdhosi nxënësin, helmoi rininë, lartësoi idiotin, frymëzoi naivët. Ajo bëri kult urrejtjen, kurse karrierën ideal.

Bashkëvuajtja dhe njohja nga afër e jetës dhe e vdekjes së heronjve të tillë i dha shtysën autorit që të gjente rrugën e shpëtimit jo në durimin e vuajtjeve, e cila do ta shpinte së shpejti në një vdekje të parakohëshme gjatë një riburgimi, riinternimi, apo kampi pune, por në arratisjen nga atdheu. Jeta e autorit deri në arratisjen e tij trajtohet me hollësi në vëllimin autobiografik Nën Hijen e Rozafës (Onufri, 2004, 344 f.), ku janë vendosur në qendër jo bëmat dhe bisedat e bashkëvuajtësve, por jeta, vuajtjet, mendimet, meditimet e përgjithësimet e autorit dhe të familjarëve të tij. Ndërkohë theksojmë se ngritja në pozita të larta e njerëzve inferiorë që i shërbenin me besnikëri të verbër pa asnjë vrarje ndërgjegjeje pushtetit në fuqi jepet duke treguar sesi njerëz injorantë, gati analfabetë, të marrë prej fshatrave u armatosën dhe u vunë në detyra komanduese nëpër burgje e kampe pune, ku keqtrajtonin mizorisht të dënuarit pa faj. Këtyre njervzve të pashpirt auroti nuk u kushton asnjë portret a shkrim të plotë, por vetëm i përshkruan shkarazi dhe në kontrast me bashkëvuajtësit e vet, njerëzve të dënuar pa faj. Përjashtim bën autori vetëm për Xhevahirin, si e quanin të burgosurit tetar Jonuzin nga Berati, të cilin e portretizon brenda portretit Bajraktari. Ky person dallonte prej policëve të tjerë, ai ishte zgjuar nga poshtërsitë e partisë shtet dhe përpiqej të lehtësonte me sa i mundej vuajtjet e të dënuarve, herë duke u treguar se cilët ishin të rekrutuarit midis të dënuarve, herë duke u treguar lajme nga jeta jashtë burgut…

Së fundi, nuk mund të lemë pa theksuar se në të gjitha shkrimet e përmbledhura në librin Pika loti  ka një karakteristikë të përbashkët artistike. Në to bie në sy përdorimi i një lirizmi shumë të ndjeshëm, përshkrimi me shumë besnikëri dhe me hollësira të zgjedhura mirë për të karakterizuar heronjtë që portretizohen. Ndërhyrjet lirike të autorit, shfrimet e emocioneve, meditimet dhe formulimet e sakta për karakterizimin e epokës, ua rrisin shkrimeve emocionalitetin, besueshmërinë e vërtetësinë dhe sidomos nivelin artistik.

Kjo vepër, si dhe veprat e tjera të tij, shquhen dhe për gjuhën e pasur e të përpunuar, për dialektin shkodran letrar shumë të afërt me gjuhën letrare të përbashkët shqipe. Kjo dukuri është e rallë midis atyre që shkruajnë në dialektin shkodran, mbasi shumica e tyre duke dashur të tregojnë pasurinë e këtij dialekti, theksojnë diferencat nga gjuha letrare dhe përdorin shumë nëndialektalizma të saj.

Si përfundim themi se vepra Pika loti bën pjesë denjësisht në themelet e letërsisë shqiptare së burgut, se ajo paraprin veprën madhore Rrno vetëm për me tregue të At Zef Pëllumbit dhe romanet e Visar Zhitit, kurse vepra autobiografike Nën hijen e Rozafës, është një simotër e tyre.

Filed Under: Kulture Tagged With: Eami Repishta, Komunizmi, Pika loti, Thanas Gjika

FITORJA ESHTE GJYSMAKE SEPSE DIKTATURA NUK U PERMBYS

January 3, 2013 by dgreca

Mendime për veprën e P. Kullës JO GJITHE TE VDEKURIT PREHEN NE PAQE/

Nga Prof. Asc. Dr. Thanas L. GJIKA/

Pëllumb Kulla, është një nga shkrimtarët tanë, që u dallua në vitet e diktaturës për nivel të lartë artistik, kurse mbas shkërmoqjes së diktaturës, po ecën jo në vijë orizontale ose zbritëse, por në vijë ngjitëse. Ashtu si Visar Zhiti, Fatos Kongoli, Roland Gjoza e pak të tjerë, Kulla po ecën drejt niveleve të reja gjithnjë e më të larta si krijues letrar dhe si studiues në fushën e historisë dhe të analizave politiko-shoqërore. Ai po shquhet mbi të gjithë këta për kurajon e tij civile lidhur me kritikën që i bën së sotmes, politikanëve rozë e blu.

Për vijën e tij ngjitëse dhe kurajon civile flasin vëllimi me skica humoristike Rrëfenja nga Amerika (2003), romani satirik Vdekja e Enver Hoxhës (2008), studimi i gjatë Teatri, kjo lojë magjepsëse (vëll.I-III më 2007 dhe vëll. IV më 2011), monografia shkencore Skënder Sallaku, ose si qeshnim në diktaturë (2002),. një mori e madhe artikujsh dhe vepra e re Jo gjithë të vdekurit prehen në paqe (2012).

Kjo vepër është një studim historik mpleksur me analiza kritike të proceseve politiko-shoqërore nëpër të cilat kaloi shoqëria shqiptare në vitet 1943-2011. Aty janë dhënë me mjeshtëri portrete atdhetarësh e njerëzish të ndershëm të familjes Kulla, të cilët shteti diktatorial i pushkatoi, i vari, i vdiq në tortura e sipër, i dënoi me qindra vjet burgime e internime, ose i detyroi të merrnin rrugën e arratisjes e tani së fundi dhe rrugën e shpërnguljes. Të shumta janë portretet e bijve të kësaj familjeje të përshkruar me realizëm, që të ngjallin respekt e dashuri për bëmat e qëndresën e tyre. Jonuz Kulla plaku, Ajdini, Xheviti, Fehmia, Hodoja, Vedati si dhe disa të rinj, që po shkëlqejnë pas atdhesimit të ri këtu në Amerikën e largët si Gëzimi, Erbori, Enxhi, etj. Vepra mbyllet me riprodhimin e disa dokumenteve, për të mbështetur të vërtetat historike që ajo trajton. Tiparet e saj dalluese janë argumentimi logjik e faktik i ngjarjeve, konkluzionet e drejta, si dhe ndërtimi me një gjuhë sa shkencore po aq dhe artistike.

Duke qenë talent humoristik i lindur, Kulla u muar gjatë në teatrin e Fierit, për aq sa i lejohej, me trajtimin e temave aktuale, me goditjen e veseve, e zakoneve të këqia, e anëve të pamoralshme të shoqërisë. Rrahja në mënyrë të vijueshme e problemeve aktuale, e ka ndihmuar atë që në thelb të karakterit të tij krijues, të ketë mosarratisjen nga aktualiteti, pra luftën për t’i shërbyer së sotmes, kohës kur ai jeton e shkruan. Mesazhet e veprave të tij na ndihmojnë drejtpërsëdrejti për t’u kthjelluar lidhur me kuptimin e dukurive të sotme dhe për të gjetur një zgjidhje më të mirë për nesër.

Si shumica e krijuesve dhe studiuesve të shquar edhe ai është qytetar me ndërgjegje të lartë që ka si parim themelor: Indiferenca është antihumanizëm, është krim, parim ky i cili i bën këta njerëz armiq me qeveritarët, sepse ata përpiqen t’i thonë popullit të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, kurse qeveritarët shpesh herë gënjejnë dhe duan vetëm duartrokitje e lavdërime. Qeveritarët dhe politikanët nuk kuptojnë se kritikat konstruktive sado të hidhura të jenë, ato janë shumë më të vlefshme se lajkat e duartrokitjet e servilëve. T’u mbash mëri e të mos i vlerësosh të paktën me një pension të vecantë, krijues dhe studiues si P. Kulla, do të thotë të mos jesh politikan i ekuilibruar, të jesh zemërak e qefmbetës.

Ahmet Zogu, kur i vlerësoi kritikët e kundërshtarët e vet, Faik Konicën e Fan Nolin, duke u propozuar poste të larta si ambasador të parit dhe kryepeshkop të kishës Orthodokse Shqiptare të dytit, u tregua diplomat e politikan i një niveli më të lartë se qeveritarët dhe politikanët tanë të sotëm, të cilët nuk i honepsin kritikat e P. Kullës dhe të kritikëve të tjerë objektivë, të cilët përpiqen t’i lënë mënjanë, pa i vlerësuar. Për të kuptuar këtë lënie në hije dhe mos vlerësim të intelektualëve të shquar si P. Kulla, S. Repishti, L. Pervizi, E. Merlika, M. Korca, Gj. Gjolekaj, Ilir Dardani, I. Karanxha, A. Cefa, K. Trabohini, etj, etj, që punojnë në diasporë pa u servilosur qeveritarëve e as opozitarëve, mjafton të përmendim se asnjë prej tyre nuk merr pension special nga shteti shqiptar, asnjë prej tyre nuk u ftua në manifestimet e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë dhe as që u përmend në ndonjë nga listat e 100 personave eksellece që shpallën qytetet shqiptare gjatë këtyre manifestimeve.

Për të kuptuar cilësinë e verës së një buti mjafton të pijmë disa gllënjka prej saj, kështu edhe Pëllumb Kulla për të na treguar karakterin pervers të diktaturës shqiptare, dëmet e mëdha që ajo i krijoi popullit tonë në plan moral, ekonomik e politik, ai i jep ato duke treguar shkatërimin e familjes së madhe atdhetare të Kulljave, vëllezërve dhe pasardhësve të Jonuz Kullës, të cilët i kishin shërbyer çështjes kombëtare si mbrojtës me armë në Kongresin e Manastirit, si luftëtarë të çetave kryengritëse kundës zgjedhës osmane, si bashkëpunëtorë të Themistokli Gërmenjit për krijimin e Republikës Shqiptare së Korçës, etj. Shkaku i kësaj rokopuje ishte fakti se intelektuali i shquar Ajdin Kulla, djali i vogël i Jonuzit, kishte qenë shok klase në Normalen e Elbasanit me Nevzat Haznedarin nga Tërova. Ajdini, si nxënës i shkëlqyer kishte ngjallur zilinë e Nevzatit, nxënësit mediokër, njeriut që veshi këmishën e zezë të fashizmit në vitet 1940-1942, kurse më vonë u lidh me forcat komuniste dhe për të fituar besimin e PKSH e të udhëheqësit të saj, bëri gjithfarë vrasjesh e krimesh me një zell të papërmbajtur. Mbas luftës ai u emërua prokuror e më vonë arriti gradën e gjeneralit në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Kur ishte në pension ai vijoi të aktivizohej prej Ministrisë së P. B. për të torturuar e pushkatuar ish shokët e te luftës, viktimat e radhës, si Beqir Ballukun me shokë…

Ashtu si e pësuan prej Enver Hoxhës gjithë ata që dinin dobësitë e tij, po ashtu me dënime kapitale e pësuan edhe ata që dinin dobësitë e Nevzat Haznedarit, apo të besnikëve të tjerë të Enverit. Hakmarrës që nuk i kishte parë historia jonë e as ajo botërore, polli sistemi diktatorial komunist. Edhe pse nëna e vet i tha Nevzatit: Ki mëshirë dhe ndihmoi Kullat, se bukën e tyre e kemi akoma nëpër dhëmbët tona, ai dënoi e pushkatoi me dorën e tij shumë prej Kullave, midis të parëve, Ajdinin, yllin e karvanit të Kullave, sepse ai dinte dobësitë e tij. E arrestoi, e gjykoi dhe i dha dënimin me vdekje sepse kishte qenë ballist… koshient i Shqipërisë etnike. (Vlen të nënvizojmë këtu gjestin fisnik të Presidentit Topi, që në prag të lënies së detyrës së tij shtetërore dekoroi Ajdin Jonuz Kullën, me titullin e lartë “Nder i Kombit” duke përmbushur kërkesa të shumta për vlerësimin e këtij martiri të rrallë, i vizatuar në libër me dashuri e përpikmëri).

Për të justifikuar dënimet, njerëzit e krimit komunist krijonin një karakteristikë me pak fjalë për të ngjallur urrejtjen e popullit ndaj familjeve që duheshin persekutuar pambarimisht, në breza. Për Kullat u gjet formula: Ka strehuar Mbretin Zog gjatë largimit për në Greqi kur u sulmua Shqipëria prej Italisë Fashiste. Kjo karakteristikë i ndoqi Kullat brez pas brezi deri në fundosjen e diktaturës, madje edhe vetë autorin e librit…

Për t’i bërë më bindëse dhe më emocionuese ngjarjet dhe faktet, autori riprodhon të gjalla disa nga kujtimet e Kullave, si kujtimet e Sami Kullës, i cili ka qenë dhe nismëtari i kësaj vepre, grindjet e Vedatit me nëpunësin e emigracionit amerikan në Conecticut, etj, madje ai riprodhon dhe pjesë të tëra nga biseda imagjinare e Koço Devoles me Enver Hoxhën që gatitën Pëllumbi me Koçon dhe që e shfaqën me aq sukses këtu në Amerikë, etj. Në shërbim të këtij qëllimi është dhe shfrytëzimi i antitezës midis karakterit të lartë moral e atdhetar të bijve e bijave të Kullave dhe kundërshtarëve të tyre si Haznedari, që nuk rreshti së përndjekuri dhe dënuari Kullat; si dhe sekretarët e partisë në Zëmblak që nuk rreshtën së dërguari letra në qendër për t’i kujtuar partisë se Kullat ishin reaksionarë dhe tradhëtarë, etj.

E veçanta e Pëllumb Kullës, si thamë, është se ai nuk mjaftohet me vënien në dukje të krimeve gjatë kohës së diktaturës, ai shpalos me po aq vërtetësi e mëri edhe padrejtësitë e kohës së sotme, kohës mbas theqafjes së diktaturës, kur pritej përkrahja, rigjenerimi i familjeve të përndjekura, kthimi i dinjitetit të tyre, por forcat politike që erdhën në pushtet mbas 1991-it bënë pak në këtë drejtim…

Riprodhimi në kopertinë të librit i pamjes ballore të shtëpisë së Kullave në Zëmblak, ndërtuar madhështore më 1920, dhe e lënë pa asnjë përmirësim prej pushtetit lokal që e shtetëzoi gjatë diktaturës dhe që e mban edhe sot si një gjysmëgërmadhë, e krahasuar me shtëpitë e reja që kanë ndërtuar Kullajt e shpërngulur në Waterbury CT pranë parkut të këtij qyteti, shërben si një figurë pamore për të dëshmuar se diktatura shkatërroi, por edhe pasdiktatura nuk ndertoi atë që duhej.

Pronarët e vjetër të tokave dhe pasurive të tjera që i pati shtetëzuar diktatura, sot kanë marrë shumë pak, ato pasuri sot i kanë ndarë dhe po i gëzojnë komunistët e bijtë e nomenklaturës komuniste. Duke e vënë gishtin pikërisht në kjo plaga e fundit, autori mbërrin në përfundimet e veta të drejta: fitorja mbi diktaturën ishte një fitore e dhuruar, një fitore që nuk erdhi si pasojë e përmbysjes nga forcat e brendshme, shkërmoqjen e saj na e sollën rrethanat ndërkombëtare dhe forcat e jashtme. Në Shqipërinë e sotme nuk gjejnë dot hapësirë jetike forcat politike që vijnë nga radhët e të përndjekurve, ata që përbënin dhe përbëjnë forcat e vërteta opozitare të regjimit komunist. Ata janë degdisur me maryfete të ndryshme në diasporën e re, ose mbahen brenda vendit, por larg prej lojës politike. Në lojën politike pozitë – opozitë bëjnë pjesë vetëm ish komunistë, ish sigurimsa dhe bijtë e tyre, të cilët po e mashtrojnë popullin duke e shpallur veten të përndjekur, të shpronësuar, etj, etj. Me pak fjalë, Shqipërinë e sotme po e gëzojnë po komunistët me pasardhësit e tyre, ashtu si paratha Ramiz Alia, formuluesi i Katovicës shqiptare, para se të fillonin proceset e shpërbërjes së diktaturës.

Mesazhet e thella të veprës të nxitin të mendosh se gjatë Luftës Antifashiste paskej qenë më e lartë të ishe radhitur si antifashist në krahun e nacionalistëve të ndershëm, sepse gjatë asaj lufte dhe sidomos gjatë dhjetëvjeçarëve të sundimit komunist, ish partizanët dhe komunistët e ndershëm u transformuan prej një grushti drejtuesish kriminelë në vegla qorre, në njerëz pa moral që ndiqnin, spiunonin, torturonin e vrisnin njerëz të pafajshëm, shqiptarë, që e donin atdheun po aq sa ata, në mos më shumë. E quajtura luftë e klasave ishte vetëm një parodi kriminale gjatë së cilës besnikët e partisë, të armatosur me pushtet, polici, Sigurim, gjyqe, burgje, kampe internimi, hartim biografish, etj, etj, luftonin për të mbajtur nën zap brez pas brezi njerëzit e paarmatosur, njerëzit që kishin ndonjë lidhje me kundërshtarët e dikurshëm të PKSH-së. E në këtë të quajtur luftë, besnikët e partisë varfëroheshin gjithnjë e më shumë nga tiparet e humanizmit, kurse të dënuarit i forconin këto tipare, për të cilat ka pasur dhe ka aq shumë nevojë shoqëria njerëzore.

Lidhur me të sotmen vepra të nxit të ndërgjegjësohesh, ashtu si është ndërgjegjësuar Pëllumb Kulla, ky ish simpatizant e përkrahës i zjarrtë i djeshëm PD-së dhe sot një kritik objektiv i saj. Qeveritarët e PD-së duhet të kuptojnë se sot nuk është më si në kohën e shpërthimeve romantike, koha e mbështetjes dhe e përkrahjes së tyre me tifozllëk të tepruar e viteve 1991-1997. Sot mbas 20 vjetësh nga shkërmoqja e diktaturës, populli kërkon që qeveritarët dhe politikanët demokratë të veprojnë si forcë e djathtë europiane dhe jo më si e djathtë e dalë prej partisë komuniste, ata duhet të përpiqen seriozisht për t’u shkëputur prej mendësisë së tyre të kaluar dhe të luftojnë për t’ua kthyer pronat pronarëve të vërtetë, kurse vetes dhe qytetarëve t’u japin dinjitetin e merituar, sidomos njerëzve të artit e të shkencës që punojnë në fusha të vështira, ku janë bërë aq shumë shtrembërime nga kalemxhinjtë e diktaturës dhe forcat armiqësore të jashtme.

Qeveritarët dhe politikanët e sotëm të PD-së, duhet të luftojnë seriozisht për t’ua kthyer realisht, jo vetëm në letër, pronat pronarëve të vërtetë, t’ i gjallërojnë dhe afrojnë këta si forcë politike, tu japin qytetarëve, sidomos artistëve e studiuesve, dinjitetin e merituar. Përndryshe ajo gjysma e popullit që i ka votuar, në vend që të shtohet mund të pakësohet…

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Jo te gjithe te vdekurit, pellumb Kulla, prehen ne Paqe, Thanas Gjika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10

Artikujt e fundit

  • NË VEND TË NJË KARTOLINE, SOT NË DITËLINDJEN E TIJ
  • ASOCIACIONI I PROPOZUAR E SHNDËRRON KOSOVËN NË FUÇI BARUTI 
  • GJASHTË KUSHTET E KRYEMINISTRIT KURTI JANË TË ARSYESHME
  • VACE ZELA ( 7 prill 1939 – 6 SHKURT 2014)
  • NJË BIBLIOTEKË PËR QYTETIN E ALFABETIT SHQIP
  • Hapja e shkollave të para shqipe në vitet 1941 – 1944, ngjarje e rëndësishme, kyçe në historinë e Kosovës
  • Ekspozita “Gjergj Kastrioti Skënderbeu-kalorësi i lirisë së shqiptarëve”
  • TECHNOLOGY REVIEW (1981) / ÇFARË ËSHTË NJË FOTOGRAFI? — PËRGJIGJJA E FOTOGRAFIT SHQIPTAR ME FAMË BOTËRORE GJON MILI DHE NJË KOMENT PËR LIBRIN E TIJ “FOTOGRAFI DHE KUJTIME”
  • Rreth rëndësisë së përkthimit në gjuhën angleze të librit “Koja në rrjedhën e kohëve” të autorit Fran Gjeloshaj
  • Kryeministri Kurti priti në takim ambasadorët e akredituar në Kosovë
  • THE SIX CONDITIONS OF PRIME MINISTER KURTI ARE REASONABLE
  • Momenti që drejtësia në Shqipëri që të tregojë se sa është e pavarur
  • MISIONI I VATRAVE SHQIPTARE NË SHBA. NË VEND TË NJË URIMI…
  • Pentagoni godet dhe rrëzon balonën ‘spiune’ kineze. Po tani ?
  • Tërmeti në Turqi, Vatra shpreh solidaritet dhe lutet për viktimat e të plagosurit

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT