• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SPROVË PËR TË SHPJEGUAR ORIGJINËN E EMRIT “TIRANA”

September 25, 2013 by dgreca

Nga Prof. Asoc. Dr. Thanas L. GJIKA/

Shpjegimet që janë dhënë deri sot për origjinën e emrit Tirana, duke e lidhur me emrin e qytetit Teheran, ose me fjalën Tiran-i, janë të papranueshme nga studjuesit shqiptarë dhe të huaj. Për mendimin tonë edhe mendimi se kjo fjalë mund të jetë me origjinë latine, nuk është i qëndrueshëm.

Duke vlerësuar rëndësinë e problemit, edhe pse nuk jam specialist i kësaj fushe studimore, guxova të hartoj këtë sprovë. Nuk mendoj se me këtë sprovë mund të arrihet shpjegimi përfundimtar, por po guxoj ta hap diskutimin rreth këtij problemi, duke meduar se mund të ndihmoj në procesin e ecjes drejt zgjidhjes. Guximin e mora i nisur nga shtysa që na jepte gjatë leksioneve vetë profesori ynë i paharrueshëm Eqrem Cabej, autori i Fjalorit Etimologjik më të mirë të gjuhës shqipe.

Për shpjegimin e origjinës së emrit Tirana mendoj se duhet të kemi parasysh disa të rrethana gjeografike, historike, toponomastike dhe fonetike.

1. Me merin Tirana është quajtur prej kohësh dhe vijon të quhet jo vetëm qyteti, por edhe fusha, që përshkohen prej lumit Lana, pra emri i këtij lumi duhet të ketë qenë në zanafillën e fjalës përkatse.

2. Kronologjikisht, së pari me këtë emër duhet të jetë emëruar fusha, dhe më pas qendra e banimit, e cila u krijua në atë fushë, pikërisht anës lumit Lana, aty ku ndodhet edhe sot qyteti.

3. Lumi Lana para viteve 50-të të shekullit të XX-të, kur u sistemua në shtratin e drejtë prej betoni, kalonte nëpër fushë dhe nëpër qytet si një lumë me shumë dredha.

4. Nga ana fonetike prania në fjalën Tirana e bashkëtingëllores “r” e butë në mes dy zanoresh, tregon se në kohën kur vepronte fenomeni i rotacizmit (kthimi i “r”-së në “n”) bashkëtingëllorja “r” duhet të ketë qenë një “rr” (“r” e fortë), ose një “r” e butë e shoqëruar me një bashkëtingëllore tjetër. Po të kishte qenë një “r” e butë midis dy zanoresh në fillim të erës sonë, sot do të kishim dy forma për këtë fjalë. Në gegërisht do të kishim formën Tinana dhe në toskërisht formën Tirana, ashtu si kemi dy forma për emrin Vlona / Vlora.

Duke mbajtur parasysh këto tëdhëna gjeografike, historike, toponomastike dhe fonetike, po fillojmë sugjerimet tona.

Fusha ku dridhej e përdridhej lumi Lana në fillim të erës mendoj se është quajtur “fusha ku tirret Lana”. Me kalimin e kohës, mbas përdorimesh të shpeshta kjo shprehje mund të jetë rrudhur e të ketë formuar kompozitën “Tirrlana”, si emër vendi për të emëruar fushën ku kalonte lumi Lana. Më vonë kjo fjalë është thjeshtuar edhe më në formën “Tirrana” duke asimiluar bashkëtingelloren “l”. Më pas është zhvilluar zbutje e “rr”-së së fortë në “r” të butë.

Skema e ndryshimeve të fjalës mund të paraqitet kështu: Fusha ku tirret Lana > Fusha e Tirrlanës > Fusha Tirrana (e Tirranës) > Fusha (fshati) Tirana.

Formën e sotme Tirana e hasim që në shekullin e XVI, të përmendur prej Marin Barletit në veprën Historia e jetës dhe e bëmave të Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Filed Under: Featured Tagged With: emri Tirana, Thanas Gjika

SQARIM PER EMRIN SHQIPTAR

September 18, 2013 by dgreca

Prof. Asoc. Dr. THANAS L. GJIKA/

Ne shkencat albanologjike per sqarimin e emrit SHQIPTAR ka mbizoteruar shpjegimi qe kane dhene prof. Eqerm Cabej, Osman Myderizi, Shaban Demiraj dhe tani se fundi Kristo Frasheri. Sipas tyre emri SHQIPTAR u krijua nga fundi i shekullit te XVII-te dhe dokumentohet per te paren here ne fillim te shek XVIII ne vepren Kuvendi i Arberit me 1703, ku shkruhet: “JEMI MBLEDHUR ARBER DHE SHQIPETARE”. Me fjalen ARBER quheshin, si dhe me pare, banoret e krishtere te Arberise, kurse me fjalen SHQIPETARE quhen per te paren here, me sa dihet deri me sot, arberoret e konvertuar ne myslimane. Nga fundi i shek XVIII ose nga fillimi i shek XIX, kur arberoret qe kishin ruajtur besimin e krishtere perbenin pakicen e popullsise se Arberise, dhe jetonin jo ne nje territor kompakt, por te shperndare disa fshatra, disa fise, ose disa lagje (mehalle) ketu e disa atje ne mes te arberoreve myslimane, te cilet e quanin veten SHQIPETARE, pranuan ta quanin veten edhe ata SHQIPETARE. Keshtu gjate shek. XVIII-XIX u perhap fjala SHQIPETAR / SHQIPTAR per te emeruar gjithe banoret e Arberise, myslimane dhe te krishtere bashke. Kurse vendi ku ata banonin u quajt SHQIPERI. Keshtu humben fjalet Arber, ARBERISHT dhe ARBERI, te cilat u zevendesuan me fjalet SHQIPTAR, SHQIP, SHQIPERI.

Persa i perket fjaleformimit te fjales SHQIPETAR / SHQIPTAR studjuesit e lartpermendur shpjegojne se ajo u krijua per te nenkuptuar banoret qe flisnin shqip, qe flisnin gjuhen e vendit, gjuhen e kuptueshme per te gjithe vendalinjte. Kete fjale e krijuan SHQIPTARET myslimane per te treguar se ata vertet e nderrruan fene dhe nuk mund te quheshin me ARBER per shkak te besimit te ri, por ishin po ata banore te vendit qe flisnin po ate gjuhe, gjuhen e perbashket qe e kuptonin te gjithe vendasit. Pra fjala SHQIPETAR / SHQIPTAR u krijua per te nenkuptuar te gjithe perdoruesit e gjuhes SHQIPE. Gjate shek XVIII-XIX prej rrenjes SHQIP (GJUHA SHQIPE) u krijua emri SHQIPTAR, per te nenkupotuar banorin qe fliste gjuhen SHQIPE; dhe fjala SHQIPERI per te nenkuptuar emrin e vendit ku flitej gjuha SHQIPE.

Mirepo, z. Aristotel Mici, pa njohur keto shpjegime, pa pyetur asnje historian a historian te gjuhes shqipe, shkroi e botoi me vrap ne kuadrin e 100-vjetorit te pavaresise nje permbledhje me disa esse, ku vendin qendror e ze esseja MBI EMRIN SHQIPTAR. Ne kete esse ai shpjegon sipas mendimit te vet origjinen e fjales SHQIPETAR / SHQIPTAR sikur ajo eshte krijuar per te emeruar banoret e vendit tone me qe ata mbanin shqiponjen si simbol ne gjokset e tyre dhe ne flamur. Pra sipas tij SHQIPTAR do te thote, jo perdorues i gjuhes SHQIPE, por mbajtes i shqiponjes. Mirepo dihet se kjo fjale u krijua ne fund te shek. XVII-te kur flamuri dhe shqiponja si simbole te te pareve tane ishte shdukur prej pushtuesve osmane.

Ne rast se z. Mici do te kishte kerkuar nje opinion prej studjuesve te Tiranes per ta botuar si parathenie te vepres, ose si vleresim ne kapakun e prame te vepres se tij, do te kishte marre pergjigjen e duhur dhe nuk do ta kishte botuar vepren me kete shpjegim vulgar te sajuar prej hamendjes se tij.

Filed Under: Kulture Tagged With: Aristotel Mici, emri shqipyar, sqarim, Thanas Gjika

TRE MESIME NGA JETA E 90-VJEÇARIT SEJFI PROTOPAPA

September 15, 2013 by dgreca

Nga Prof. Asoc. Dr. Thanas L. Gjika (USA)/

Këto javët e fundit në Gazeta Shqiptare në Tiranë u botuan një varg intervistash të gazetarit F. Veliu me atdhetarin shqiptaro-amerikan Sejfi Protopapa. Duke qenë se e kam njohur prej 17 vjetësh këtu në SHBA si atdhetar dhe bashkëpunëtor të të paharrueshmit Antoni Athanas, si një veprimtar aktiv të autoqefalisë së Kishës Orthodokse Shqiptare, disa muaj më parë ia mblodha disa kujtime për t’i festuar me një grup intelektualësh 90-vjetorin në Worcester MA. Nga kujtimet e z. Protopapa dhe nga intervistat e tij të botuara tani së fundi kam nxjerrë tre mësime shumë të vlefshme për të gjithë ne shqiptarët:

1. Nga e keqja duhet të ndahemi menjëherë dhe përfundimisht.

Sejfi Estref Protopapa u largua prej atdheut në nëntor të vitit 1944 si një nga kuadrot e Ballit Kombëtar, si një nga personat e padëshirueshëm të Partisë Komuniste Shqiptare sepse ai kishte bërë publike Direktivën Sekrete të Enver Hoxhës të datës 10 shtator 1943, ku ky porosiste organizatat e partisë të qarqeve të Shqipërisë që të fillonin luftën kundër organizatës së Ballit Kombëtrar për ta quajtur atë shkaktar të mosbashkimit dhe të vllavrasjes…

Unë me kushërirën time Diturinë, tregon Sejfiu, pasi mbaruam studimet në Itali në qershor të vitit 1943 u kthyem në Berat me dëshirën e madhe që të merrnim pjesë me armë në luftën Antifashiste.

Babai im ishte mplakur, nuk merrej me politikë, qëndronte neutral; kurse xhaxhai, ndonëse nuk ishte anëtar i Ballit Kombëtar, ishte simpatizant i kësaj organizate, sepse ai vleresonte udhëheqësit e Ballit për shkollimin dhe atdhetarinë e njohur të tyre.

Të ndodhur para presionit të të rinjve komunistë, unë dhe Dituria, pranuam të bashkoheshim me ta, për të treguar se nuk ishim profashistë, por atdhetarë antifashistë, që donim të luftonim pushtuesin. Dituria u bashkua me forcat e armatosura dhe doli malit partizane, kurse unë, si çalaman që isha, nuk më dërguan në mal, por më mbajtën në qytet për të punuar si sekretar e shaptilografist në Prefekturë, ku ishin vendosur veprimtarë të PKSH-së. Midis të rinjve me të cilët unë fillova të bashkëpunoja për të shaptilografuar trakte dhe materiale të PKSH-së ishin Kristaq dhe Margarita Tutulani, të cilët i njihja dhe i simpatizoja si njerëz të zgjuar dhe patriotë. Margaritën, e cila ishte dhe mjaft e bukur, e kisha pasur bashkënxënëse në shkollën qytetse. Kristaqi herë më diktonte shkrime të veta, herë trakte të ardhur nga qendra. Bashkëpunimi me ta vazhdoi gati një muaj, mbasi forcat e karabinierisë italiane ( forca të mbretit Viktor Emanueli), në korrik 1943 kryen një aksion spastrimi duke arrestuar e vrarë 30 të rinj antifashistë beratas, shumica komunistë, midis të cilëve Margaritën dhe Kristaqin.

Unë u temba, nuk shkova disa ditë në Prefekturë dhe prisja të më arrestonin. Por pas disa ditësh më njoftuan të shkoja përsëri në Prefekturë. Nuk isha anëtar i PKSH-së, madje as kandidat i saj, punoja thjesht si sekretar, daktilografist dhe shaptilografist për shumfishimin e materialeve që vinin nga qendra.

Aty nga data 12-13 shtator 1943 postjeri, solli dhe la një zarf në zyrën ku isha unë. Me që ai nuk tha se ishte material sekret dhe me që shefi im nuk ndodhej aty, unë, duke menduar se materiali duhej kopjuar e shumëfishuar për ta shpërndarë sa më parë, e hapa zarfin dhe e lexova materialin. Ishte një direktivë sekrete firmosur nga Shpati. Midis të tjerash më kanë mbetur në mendje këto fjalë:

…ne duhet të punojmë në drejtimin që vijon: Ta demaskojmë dhe ta diskreditojmë Ballin në popull, ta paraqisim në popull Ballin si përçarës dhe shkaktar të vllavrasjes. Të bëjmë që populli… të revoltohet dhe kështu gjithë përgjegjësia historike e mosbashkimit të popullit shqiptar dhe e përpjekjes me armë të bjerë përmbi Ballin Kombëtar. ( Këtë fragment e kemi verifikuar me materialin Nga direktiva sekrete e Enver Hoxhës dërguar më 10 shtator 1943 gjithë komiteteve qarkore të PKSH, botuar në veprën Shqipëria në Luftë, autor Muharrem Dezhgiu, Tiranë, GLOBUS R. 2001, f. 334. Shënimi ynë, Th. L. Gj.)

Leximi i këtij materiali më tronditi, vijon z. Protopapa. Deri në atë ditë ekzistonte një atmosferë mirëkuptimi dhe bashkëpunimi midis Partisë Komuniste dhe Ballit Kombëtar, vendimet që u morrën në Mukje më 2 gusht 1943 për luftë të përbashkët për çlirimin e atdheut dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira pas luftës për të vendosur populli me votën e tij regjimin që do të dëshironte; kishin mbushur me shpresa optimiste gjithë popullin, sidomos ne veprimtarët antifashistë. Kurse pa pritur Shpati (Enver Hoxha) po porosiste që të punohej për diskreditimin e Ballit Kombëtar si përçarës dhe shkaktar të vllavrasjes, në një kohë kur një luftë vllavrasëse nuk ekzistonte. Më vetëtiu në kokë se PKSH-ja po synonte që ta krijonte luftën vllavrasëse dhe fajin t’ia hidhte Ballit Kombëtar, për ta mënjanuar si rival pushteti.

I tronditur futa materialin ne zarf dhe me të në xhep shkova në shtëpi. Babai pasi e lexoi më tha: Shko tek Veliu. Ky më tha t’ia shpija Abas Ermenjit, kryetarit të Ballit Kombëtar për qarkun e Beratit. Shkova në Bashki, ku ishin vendosur e punonin veprimtarët e Ballit, ia dorëzovas zarfin z. Ermenji. Ky më falenderoi dhe udhëzoi që të kopjohej dhe të botohej sa më parë në gazetën FLAMURI, organ i Ballit. Pas kësaj unë nuk shkova më në Prefekturë, madje u largova nga Berati, shkova disa ditë në fshatin Protopapë për t’u takuar me kushërinjtë e atjeshëm. Në Protopapë më dërgonte babai gjatë pushimeve verore kur isha nxënës në shkollën qytetse. Mendova të delja malit si ballist, por kushërinjtë e mij atje ishin lidhur me lëvizjen partizane. Pasi u shpjegova atyre shkaqet pse nuk doja të punoja më për Partinë Komuniste, u ktheva në Berat. Mendoja të mos lidhesha me asnjë forcë politike, të shikoja punën time si neutral. Mirëpo një mesditë, kur kisha marrë babain tim në skarë të biçikletës për ta kthyer nga kafeneja në shtëpi për të drekuar, jo larg Prefekturës, më preu rrugën Ceno Vermishi. Më ndali duke vënë dorën në timon e duke shtrënguar një pushkë që mbante në krahun tjetër, më tha me një ton aspak miqësor: „Sejfi pse nuk ke dalë nga Prefektura, ajde, ajde se na duhesh!“

Babai im, duke kuptuar kërcënimin, i tha me inat: „More djalë duke hedhur një pushkë krahut mendon se je bërë burrë dhe mund të na presësh rrugën. Na lër rehat se po shkojmë të hamë drekë, Sejfiun takoje më vonë“.

Unë nuk shkova në Prefekturë, por shkova në Bashki ku takova z. Ermenji dhe i tregova kërcënimin që më bëri Ceno Vermishi. Ai e kuptoi se komunistët donin të më eleminonin fizikisht, si njeriun që kisha bërë publik direktivën sekrete të Enver Hoxhës. Më dha dy trima të armatosur të më mbronin në çdo situatë, vëllain e tij të vogël Zeno Ermenjin dhe një trim nga Moglica e Korçës, Selim Moglicën. Mbas disa ditëve vendosa të largohem nga Berati.

Abaz Ermenji më besoi një çetë të madhe, një batalion, me 150 ballistë të armatosur për të vepruar në zonën e Roskovecit. Qëllimi ynë ishte ruajtja e rendit dhe e qetësisë, nuk organizuam asnjë ndeshje të armatosur kundër partizanëve, por as kundër gjermanëve. Këta ishin vendosur në Kuçovë dhe në Ura Vajgurore. Qëllimi i tyre ishte shfrytëzimi i vajgurit dhe rruajtja e rrugëve. Gjithsej në Shqipëri gjermanët sollën dy divizione me djem fare të rinj dhe me burra të moshuar. Luftime të vërteta kundër tyre nuk zhvilluan as forcat partizane, as ne ballistët…

Nga kjo dëshmi e z. Protopapa dhe nga materialet e botuara këto vitet për Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri, del e qartë se mbas hedhjes poshtë të vendimeve të Mukjes dhe shpalljes së Ballit Kombëtar si organizatë armiqësore prej udhëheqjes së PKSH-së, Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare mori edhe tipare të një lufte civili, vllavrasëse.

Kur formacionet balliste panë se pushka partizane u drejtua kundër tyre, ato u çorjentuan. Pati edhe formacione balliste që ranë në po atë gabim, dhe filluan të kryenin veprime luftarake kundër forcave partizane, madje disa prej tyre bashkepunuan me forcat gjermane. Pra duhet pranuar se Lufta mori tipare të një lufte civile, luftë për të siguruar pushtetin para se të arrihej çlirimi i atdheut, por për këtë dukuri nuk duhet të bëhet fajtor vetëm Balli Kombëtar, si është bërë deri më sot, mbasi shkaktari i parë i saj ka qenë direktiva sekrete e Enver Hoxhës, të cilën e bëri menjëherë publike djaloshi i zgjuar e guximtar, Sejfi Protopapa.

Ky veprim i këtij 20-vjeçari, i cili diti ta vlerësonte si duhej direktivën sekrete të Enver Hoxhës si akt antikombëtar, që nxiste kthimin e Luftës Antifashiste në një luftë vllavrasëse, në një luftë për pushtet, ka brenda mësimin e madh: prej së keqes duhet të ndahemi pa hezitim dhe në mënyrë përfundimtare.

Mirëpo shumica e historianëve tanë, ende edhe sot, nuk e pranojnë faktin se në fund të fundit Balli Kombëtar gaboi mbasi në atë gabim e shtyu pushka partizane, se përgjegjësia për deformimin e luftës mbas shtatorit 1943 së pari bie mbi udhëheqjen e PKSH-së sepse ajo e hodhi e para hapin e gabuar. Fatkeqësish këtë faj të PKSH-së historianët dhe opinionistët prokomunistë e kanë mohuar dhe vijojnë ta mohojnë ende. Ata vijojnë ta quajnë Ballin organizatë tradhëtare, vllavrasëse dhe ballistët dhe nacionalistët e rënë dëshmorë në luftimet kundër forcave italiane fashiste dhe atyre gjermane, nuk kanë pranuar t’i varrosin në Vorrezat e Dëshmorëve.

2. Autorët e veprave të realizmit socialist duhet t’i dënojnë krimet e tyre artistike.

Për publikimin e direktivës sektete, Sejfi Protopapa u anatemua prej Partisë Komuniste Shqiptare, u fut në listat e armiqve të popullit, kurse prej artit të realizmit socialist u kthye në një figurë negative përmes tipit të ballistit me emrin Sali Protopapa krijuar prej shkrimtarit Dritëro Agolli në romanin Komisari Memo, i cili u bë dhe film me titullin I teti në bronx.

Në vitin 1992, gjatë vizitës së parë që bëri z. Sejfi Protopapa në Shqipëri, i shkoi në shtëpi shkrimtarit Dritëro Agolli për të parë nëse ai, pas shkërmoqjes së diktaturës kishte evoluar, në se kishte kuptuar dëmet që i kishte shkaktuar politizimi i skajshëm veprave të tij.

Gjatë bisedës z. Protopapa i tha shkrimtarit se ai si ballist nuk kishte vrarë asnjë shqiptar dhe se nuk kishte bashkëpunuar me pushtuesit gjermanë, se i vetmi „faj“ i tij që nuk mund t’ia falte PKSH / PPSH-ja ishte denoncimi dhe publikimi i direktivës sekrete të Enver Hoxhës të 10 shtatorit 1943. Mirëpo shkrimtari nuk i kërkoi të falur për deformimet që kishte sajuar, por duke qeshur i tha se zgjedhja e emrit te personazhit ishte rastësore. Më tej ish ballisti i tha shkrimtarit se mbas shfaqjes së filmit dhe botimit të romanit, familjarët e tij në Shqipëri filluan të shikoheshin më egër se më parë, dhe ata, për të shpëtuar nga pasojat e luftës së klasave ndërruan mbiemrin. Përsëri shkrimtari nuk shprehu asnjë keqardhje.

Kjo bisedë tregoi qartë se Dritëro Agolli, një nga shkrimtarët më të talentuar të letërsisë së kohës së diktaturës nuk kishte bërë asnjë hap drejt pendesës, asnjë hap evoluimi, për të dënuar politizimin e skajshëm të veprave të veta të hartuara në përputhje me normat e metodës së realizmit socialist.

Fatkeqësish sot Dritëro Agollin, kalemxhinjtë prokomunistë e quajnë Patriark të letrave shqipe, dhe ky nuk revoltohet, nuk e konsideron fyerje, por e merr mburje një epitet të tillë, një epitet që nuk u është dhënë as Gjon Buzukut, Pjetër Bogdanit, Jeronim De Radës, Naim Frahërit, Gjergj Fishtës, etj. Dritëroi pra e ka për mburje të quhet si mjeshtri, kryeustai i letërsisë shqiptare të realizmit socialist, duke mos dashur të kuptojë se shumica e veprave të tij dhe e kolegëve të tjerë përbëjnë krimin artistik të kohës së diktaturës.

Nga takimi midis z-injve Protopapa dhe Agolli, duhet të nxjerrim mësimin e dytë: Shumica e krijuesve të kohës së diktaturës, që jetojnë ende, nuk kanë punuar me përkushtim për rinovimin e tyre, për depolitizimin e tyre, për t’u çliruar prej mendësisë komuniste, kësaj njolle gjaku në trutë e tyre…

2. Autoqefalia e Kishës Orthodokse Shqiptare është vepër kombetare qe duhet mbrojtur edhe prej shqiptarëve myslimanë.

Menjeherë mbas shkërmoqjes së diktaturës komuniste, Sejfi Protopapa u angazhua në luftën për mbrojtjen e Autoqefalisë së Kishës Orthodokse Shqiptare. Ai u bashkua me z. Antoni Athanas, Very Rev’ Arthur Liolin, etj dhe shkoi në Shqipëri për të mbrojtur Autoqefalinë e Kishës Orthodokse Shqiptare. Ai ka shkruar artikuj të ndryshëm për këtë problem dhe investoi për të shugurar priftërinj orthodksë shqiptarë në Rumani, Maqedoni dhe këtu në Amerike, priftërinj që punojnë në rrugë të pavarur prej Hirësisë së tij Janullatos. Z. Protopapa në këtë drejtim punon në përputhje me rrugën e ideuar prej Sami Frashërit, i cili kur e ngriti i pari problemin e Autoqefalisë së Kishës Orthodokse Shqiptare si vepër me rëndësi kombëtare, tha se atë duhej ta kryenin së bashku shqiptarët e krishterë në bashkëpunim me shqiptarët myslimanë…

Filed Under: Kulture Tagged With: Sejfi Protopapa, Thanas Gjika

JOSIF PANI-PUBLICIST ATDHETAR I KOLONISE SHQIPTARE AMERIKES

July 16, 2013 by dgreca

Nga Prof. Thanas Gjika/

Midis bijve të shquar, që i ka dhënë Dardha e Korçës historisë sonë kombëtare, është edhe Josif G. Pani, i cili tërë jetën punoi për mbarëvajtjen e shoqërive patriotike në ShBA, si “Besa-Besën”, “Mbleta” e “Vatra” dhe për propagandimin e ideve patriotike me anë të gazetave “Kombi”, “Dielli”, “Koha” si dhe duke botuar gazetat e veta “Sazani”, në Worcester, MA, me 1917-1918 dhe “Drejtësia”, në Watertown, MA, me 1920. Ky punëtor i thjeshtë, që e la fshatin për te marrë rrugën e vështirë të kurbetit, vetëm pasi kishte mbaruar shkollën fillore në gjuhën greke, na bën me turp ne mërgimtarëve të sotëm, që kemi mbaruar gjimnaze e fakultete të larta, por që po aktivizohemi me shumë ngadalësi në lëvizjen patriotike të këtushme, me shumë kursim po i japim dollarët për të ndihmuar vëllezërit tanë të Kosovës martire, apo për të paguar kuotat e shoqërive, që kanë krijuar me aq mund mërgimtarët e mëparshëm, apo ndihmat për të mbajtur e për t’i shtuar institucionet fetare, që na nevoiten për edukimin tonë dhe të fëmijëve tanë…

Josif Pani lindi në fshatin malor të Dardhës, ku banorët mezi nxirnin bukën me bagëtitë e pakta që mbanin dhe me zanatet e druvarit e të qymyrxhiut, me 1868. Dardharët para se të mbushnin moshën për të shkuar asqer në ushtrinë osmane niseshin për kurbet në Greqinë e afërt, ku mërgimi bëhej me mushka e kuaj, që i merrnin për të punuar si druvarë e qymyrxhinj. Mirëpo Greqia nuk ishte në atë kohë një vend ku mund të bëjë para dhe, për më tepër, duhej të duroje përrallat e dhaskenjve e të priftrinjve, të cilët me një pasion të veçantë, të çanin kokën duke të thënë se të gjithë shqiptarët ortodoksë janë grekë, që e kanë harruar gjuhën greke dhe tani flasin shqip, shqipja duhet braktisur si gjuhë e pazhvilluar dhe duhet folur e shkruar vetëm greqisht, se kjo gjuhë është gjuha e kulturës, gjuha e kishës, gjuhë e tregëtisë, etj., etj.

Josifi e provoi kurbetin e Greqisë, ku vente e vinte; por mbasi u bë me fëmijë, e kishte të vështirë të mbante familjen me punët e krahut në Greqi, prandaj me 1904 u nis për në kurbetin e ri, në ShBA, ku vërtetë puna ishte e rëndë nëpër fabrika e punishte, por edhe paga ishte më e mirë dhe mund të fitoje mbas disa vjetësh ca para për të blerë një shtëpi, ca tokë e disa bagëti. Shumica e shqiptarëve kishin filluar të mërgonin në këtë kohë në New England, sidomos në Boston e rrethinat e tij. Këtu erdhi edhe Josifi, ku u lidh me bashkëfshatarë dhe me drenovarë, katundallinj, trebickallinj, treskallinj, panaritas, të ardhur para tij. Dardharët ranë në sy të parët për përpjekjet e tyre për t’u organizuar në Boston e për të botuar gazetë shqipe në mërgim. Me 15 qershor 1906, bashkëfshatarët e tij, Sotir Peci, si editor, dhe Gjergj Konda Gjonleka si manager, në bashkëpunim me Eftim Nacin nxorën të parën gazetë shqipe në Amerikë, gazetën “Kombi”. Josifi ia filloi punës për të popullarizuar idetë e gazetës, filloi t’u lexonte shokëve të konakut ku jetonte çdo numër të “Kombit”, t’u mësonte atyre shkrim e këndim me faqet e kësaj gazete, të jepte ndihmat e tij për botimin e mëtejshëm të saj e të mblidhte ndihma tek të tjerët. Duke dashur të shprehte dufin që i zjente nga brenda, për t’i parë shqiptarët të bashkuar e Shqipërinë të lirë, filloi të provojë veten duke shkruar artikujt e parë me temë nga lufta kundër propagandës grekomadhe e për sqarimin e detyrës që kishin shqiptarët si bij të një nëne të bashkoheshin e të luftonin të gjithë tok kundër armiqve të çështjes kombëtare.

Punën e bashkëpunëtorit në shtypin shqiptar të kolonisë, ai do ta vazhdonte edhe në faqet e gazetës më të rëndësishme “Dielli”, në vitet e para të botimit të saj dhe në faqet e gazetës “Koha”, që nxori atdhetari Mihal Grameno, në Jamestown, NJ, me 1915-1919.

Josifi, i shtytur nga zjarri i atdhedashurisë, më 1 janar 1917, botoi broshurën “Adriatiku dhe Lufta Evropiane”, ku sqaronte se Lufta e Parë Botërore u shkaktua nga lakmia e qeverisë serbe për të dalë në detin Adriatik. Përsa i përkiste Shqipërisë, kyçit të Adriatikut, Josifi si edhe Kristo Dako e të tjerë mendonin se nuk mund t’u jepej, mbas luftës, as Italis as Greqisë e as Serbisë, po do të bëhej shtet më vete, siç u njoh me 1912. Jepte, pra, kurajo në ato kohë të vështira, kur pushtimi i vendit nga ushtritë e vendeve ndërluftuese kishte krijuar një hamulli dhe dëshprim të përgjithshëm për fatet e nesërme të Shqipërisë së shumëvuajtur, të cilën le që e krijuan me gjysmën e territoreve e të popullsisë së saj, por tani po kërcënonin edhe ekzistencën e saj. Për t’i bërë me të njohura idetë e tij kundër lakmive të shteteve fqinje, ai botoi në Worcester, MA, gazetën e tij “Sazani”, nga tetori 1917 deri në fund të marsit 1918, në shqip e anglisht, gazetë e përdyjavshme, me ndihmën edhe të miqve të tij Ilo Pano si manager, Zisi Stavre, si sekretar, Kosta Pano, si arkëtar dhe të birin, Vasilin, që kish riardhur në kurbet, si radhitës dhe reporter.

Josif Pani së bashku me Mihal Gramenon dhe Jorgji Sevon, në vitet 1917-1920, u quajtën në shtypin e atyne viteve si “bolshevikë” sepse përqafuan disa ide socialdemokrate, që vlonin aso kohe në shtypin amerikan dhe në atë evropian. Duam të sqarojmë këtu se të përqafoje në atë kohë ide të tilla mbi barazinë njerëzore, mënjanimin e shfrytëzimit të njeriut nga njeriu, zbatimin e një reforme agrare me shpërblim e të tjera, ishte diçka përparimtare dhe nuk kishte të bëjë aspak me socializmin si ideologji e partive komuniste te mëvonshme dhe me diktaturën e proletariatit si formë shteti që u aplikua më vonë në Evropen Lindore.

Disa ide të shprehura nga Josifi lidhur me synimet grabitqare të fqinjve tanë janë aktuale edhe sot. “Serbët i njohim që janë, i dijmë që i kemi armiq të mërzitshëm, të liq e shekullorë”, shkruante ai, me 1915, kur ushtria serbe u vërsul mbi Shqipërinë e Veriut, para se të pushtohej Serbia nga ushtritë austro-hungareze, dhe vijonte: “Programi i tyre është të na shuajnë fare nga faqe e dheut.” Po kështu me vlera për sot është edhe këshilla që u jepte ai lexuesve të vet: “Sot nuk është koha të merremi me gjëra personale, kur armiqtë shekullorë po na përgatisin varrë, sot është koha të përqafohemi, muhamedanë e të krishtërë si vëllezër që jemi prej një babe e një nëne, në duam lirinë e atdheut, në duam Shqipëri për shqipëtarët.”

Me 1922, mbasi kishte dhënë ndihma të shumta në dollarë për më se 18 vjet për çështjen kombëtare, mbasi kishte luftuar për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare tek mërgimtarët me fjalime e artikuj gazetash, Josif Pani u kthye në atdhe për të shpënë ato pak dollarë që kish kursyer në fshatin e lindjes, ku ndërtoi shtëpinë, shtoi arat e bagëtinë, martoi vajzat dhe vijoi punën për zbukurimin e Dardhës, për ta bëre këtë fshat një pikë turistike për mbarë Korçën. Kështu i mbylli vitet e fundit xha Josifi, duke punuar falas me bashkëfshatarët për ndreqjen e rrugëve, kopshteve, kishave të fshatit, etj. Endrra e tij për ta bërë Dardhën një fshat të punësuar në Amerikë ishte bërë realitet: me paratë që dërgonin djemtë nga kurbeti ishin ndërtuar shtëpi me gurë të skalitur, ishin shtruar rrugët e fshatit me kalldrëme, ishin ndërtuar çezma me ujë të bollshëm në çdo rrugë; kishat organizonin piknikë ditët e shënuara, kur mblidheshin dardharët e korçarët me ato këngët e bukura e mishrat e pjekura; grupe të rinjsh këndonin serenata në mbrëmjet e beharit. Ndryshimi ishte shumë i madh nga jeta që la Josifi kur shkoi në kurbet.

Josif Pani vdiq me 14 maj 1934, i nderuar nga gjithë populli i zonës së Devollit të Sipërm dhe i Korçës, sepse të gjithë e dinin se xha Josifi jo vetëm kishte qenë një punëtor i ndershëm dhe ndihmëtar i madh i “Vatrës” dhe i “Diellit”, por kishte qenë edhe një mik e bashkëpunëtor i afërt i gjigantëve të Amerikës, i Sotir Pecit, Fan Nolit, Faik Konicës, Kristo Dakos e të tjerëve, që ndihmuan aqë shumë për çështjen shqiptare. Varrimi i tij u kthye në një manifestim popullor, sepse populli di të nderojë jo vetëm burrat e mëdhenj që bëjnë histori, por dhe të gjithë ata që punojnë me gjithë zemër e pa inrteres për të mirën e atdheut… I tillë ishte edhe xha Josifi, të tillë e edukoi djalin e vetëm, i cili, si e dimë e mbajti “Vatrën” me shpenzimet e veta për më se 16 vjet.
*    *    *

Në mbyllje të këtij artikulli përkujtimor, dua të falënderoj z. Sotir Pani, nip i të ndjerit Josif, për punën e madhe që ka bërë në Tiranë, Korçë e Dardhë për të ruajtur koleksionet e gazetave, për të mbledhur artikujt e gjyshit e të babait të tij, fotografi e relike të tjera me vlera muzeale, të cilat na i ka vënë në dispozicion sa herë që na janë dashur për të shkruar për këta patriotë dhe për të tjerë, vepra e të cilëve është e lidhur me jetën e Josifit e të Vasil Panit.

Në Shqipëri, jo vetëm intelektualët si Skënder Luarasi, që mblodhi shkrimet e të atit, por edhe shumë bij e bija patriotësh, që nuk kishin formin filologjik e historik, i futeshin punës dhe i mblidhnin shkrimet e prindërve e të gjyshërve të tyre, për t’i pasur si materiale me vlerë për historinë e familjeve të tyre dhe të të gjithë shoqërisë. Më kujtohet ingj. Skender Dako, i cili me vite të tëra punoi për të kopjuar shkrimet e babait dhe të nënës së tij, Kristo e Sevasti Dako dhe të tezes, Parashqevi Qiriazi, punë me të cilën i nxori ata nga harresa, ku donte t’i hidhte diktatura komuniste. Kështu punonin edhe shumë të tjerë; por këtu në ShBA, ku njerëzit janë të dhënë shumë pas fitimit, shohim se ruajtja e dokumantave familjare nuk vlerësohet sa e si duhet dhe, me vdekjen e pleqve, fëmijët i hedhin si gjëra pa vlerë koleksionet e gazetave, artikuj e fotografi të ndryshme, të cilat e kanë vendin shumë shpejt në një muze të emigracionit shqiptar në Amerikë. Me këtë rast, dua të falënderoj disa miq që kam njohur, si zonjat Sara Panariti, Dhimitra Peters, Viktoria Peters, Ofeli Shaban. Mary Quen, Marika Naum, Lillian e Dollores Steven, Georgia Drenova dhe zotërinjtë Vangjo Naum, Bobi Steffo, Gaqo Mborja, Sejfi Protopapa, etj., që i ruajnë materialet me vlera historike. Një gjë të tillë duhet ta bëjnë të gjithë, sepse pothuaj çdo familje ka gjëra me vlera për muzeun e ardhshëm(Dielli-arkiv)

Caption:Josif Pani, ish kryetar i Besa-Besen me Faik Konicen, 1909

Filed Under: Histori Tagged With: atdhetar, Josif Pani, Josif Pani Publicist, publicist, shqiptaret e Amerieks, Thanas Gjika

SHQIPTAREVE UA KA FAJIN MENDESIA KOMUNISTE DHE JO SALI BERISHA

July 8, 2013 by dgreca

Shkruan: Prof. As. Dr. Thanas L. GJIKA/

 Në takimin e Maltës (1989) udhëheqësi sovjetik, Mikail Gorbçovi, i shpalli George Bushit (Plakut) se sistemi komunist, sistemi politik njëpartiak me ekonomi të centralizuar shtetërore, kapitulloi dhe se vendet e Europës Lindore do të ndërtonin sistemin pluralist me ekonomi private të tregut të lirë. Mirëpo, para se të mbyllej marrëveshja, Gorbaçovi shtoi se SHBA-të duhej t’i linin partitë komuniste të Europës Lindore që t’i kryenin vetë këto ndryshime, në mënyrë që në këto vende të mos vinin në fuqi kundërshtarët politikë të partive komuniste, sepse atëhere ish klasat e përmbysura do të kalonin në revansh dhe pas marrjes së pushtetit do të bënin gjakderdhje të ngjashme me atë që bënë dikur komunistët. George Bushi (Plaku) tha se SHBA-të ishin të interesuara që ndryshimet e reja të bëheshin pa gjakderdhje. Atëhere Gorbaçovi me stafin e tij përpunoi atë planin djallëzor që e shpalli në Katovicë të Polonisë. Sipas ketij plani udhëhejet e partive komuniste duhej të organizonin kalimin paqësor në sistemin shumëpartiak dhe në ekonominë e tregut të lirë duke krijuar parti të ndryshme politike, në krye të të cilave duhej të viheshin njerëz që të dukeshin si kundërshtarë politikë, por në fakt të ishin shërbëtorë të bindur të partive komuniste. Liria e veprimit të këtyre drejtuesve partiakë do të ishte e kufizuar, në mënyrë që ish komunistët dhe besnikët e tyre të pasuroheshin dhe të gëzonin në forma të reja pushtetin dhe pasuritë e vendit. Ish klasat e përmbysura do të nxiteshin që të largoheshin prej vendit, nuk do të lejoheshin që të merrnin pjesë të drejtpëtdrejtë në lojën politike dhe për marrjen e pronave duhej të sorollateshin me vendime të njëpasnjëshme, për të marrë një pjesë shumë të vogël të tyre…

Në një klimë të tillë tepër të minuar ka punuar Partia Demokratike e Shqipërisë, herë duke qenë në pushtet e herë jo. Gjatë këtyre 22 vjetëve të kalimit të Shqipërisë nga një vend njëpartiak me ekonomi të centralizuar në një vend pluralist me ekonomi private të tregut të lirë shohim se skemat e Katovicës në Shqipëri janë shkelur e kapërcyer me mjaft guxim. Dhe këtu nuk ka si të mos i njihen meritat z. Sali Berisha, drejtuesit të PD-së gjatë këtyre viteve. Pikërisht daljen nga kontrolli nuk ia fali ish kupola komuniste Sali Berishës, prandaj nuk la e nuk lë shpifje e sharje pa thënë kundër tij. Por drejtuesi i PD-së duhet përgëzuar se luftën për përmbysjen e komunizmit e ndërmori me shumë zell. Në këtë luftë atë e ndihmuan disa të dhëna personale si zgjuarësia, mprehtësia dhe guximi i madh. Mund të them pa frikë se ky burrë shteti luajti rolin kryesor për ta shpëtuar vendin tonë nga gjendja e komës ku e kishte katandisur diktatura komuniste dhe për ta ngritur në këmbë që të ecte normalisht. Por nuk duhet harruar se në këtë luftë titanike atë e penguan rrethanat kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe disa mendësi të ngulura në ndërgjegjen e tij, gjatë jetës nën diktaturë si komunist që kishte qenë, dhe gjatë fëmijërisë që kishte kaluar në zonat e varfra malore patriarkale. Të tilla dobësi ai shpesh herë nuk i kapërceu me sukses, sidomos në replikat e shpejtuara, kur nuk kishte mundësi reflektimi e meditimi.

Në rrugën e tij të ndryshimeve të mëdha, zotin Sali Berisha e luftuan jo vetëm ish komunistët dhe ish anëtarët fanatikë të PPSH-së, por, për turpin e tyre, dhe shumica e intelektualëve, krijuesve dhe studjuesve shqiptarë. Këta, në vend që të distancoheshin prej së kaluarës së tyre, kur kishin qenë shërbëtorë besnikë të diktaturës e diktatorit, u ngujuan në pozicionet prokomuniste dhe mbrojtën veprat e tyre të gabuara, në vend që t’i mohonin ose ripunonin ato.

Akademia e Shkencave u kthye në një bastion të mendësisë komuniste, mendësi të cilën e shpalosi hapur me hartimin dhe botimin e Fjalorit të Ri Enciklopedik dhe të Historisë së Popullit Shqiptar IV, 2008, Toena. Këtë akademi nuk e shkatërroi Sali Berisha, atë e shkatërruan akademikët e mykur me z. Luan Omari në krye, i cili e konsideronte atë si çifligun e vet.

Studjuesit e aftë, qofshin akademikë ose jo; dhe shkrimtarët e talentuar që përqafuan mendësinë demokratike, kudo ku punuan brenda ose jashtë atdheut gjatë këtyre 22 vjetëve, kanë hartuar vepra për t’u pasur zili prej kolegëve të tyre që kanë mbetur skllevër të mendësisë komuniste. Vetëm gjatë viteve 2005-2013 Shqipëria bëri ndryshime të tilla kulturore, artistike, shkencore, etj sa që Shqipërisë komuniste do t’i duheshin 100 vjet dhe ndoshta ajo nuk mund t’i realizonte me atë cilësi e vlerë.

Të shash e të hedhësh baltë mbi bëmat e z. Sali Berisha, do të thotë të hedhësh baltë dhe mbi realitetin e ri shqiptar që u krijua me aq mund e sakrifica këto 22 vjet.

Uroj që z. Edi Rama t’i mbetet besnik asaj thënies së tij të vitit 1991: Nuk po flas në këto refleksione për të hedhur baltë mbi Enver Hoxhën, por po perpiqem të heq baltën që ai ka hedhur mbi ne.

Tani, si kryeministër i Shqipërisë, z. Edi Rama ka rastin dhe mundësinë që ta shpjerë përpara punën e z. Sali Berisha për ta çliruar shoqërinë shqiptare nga mendësia komuniste, nga ajo balta që ka mbushur kokat e shumë shqiptarëve dhe na pengon të ecim përpara. Kjo luftë nuk mund të japë rezultate në rast se do të vijohet që pala tjetër të shahet e akuzohet pa fakte, në rast se do të mohohet puna e bërë prej saj në të mirë të popullit dhe atdheut. Kjo luftë nuk mund të ketë rezultate pozitive në rast se brenda PS-së nuk do të ketë liri, si kanë partitë eurosocialiste. Nuk ecet para pa kuptuar se një parti që nuk i siguron lirinë anëtarëve të vet, nuk mund t’i japë dot lirinë e nevojshme popullit.

Z. Edi Rama ka për detyrë të emancipojë anëtarët e Partisë Socialiste e sidomos bijtë e ish kupolës komuniste derisa të kuptojnë se sjelljet dhe bëmat e tyre dhe të prindërve të tyre në shërbim të diktaturës dhe diktatorit kanë qenë të dëmshme dhe duhen dënuar. Të gjithë anëtarët e PS-së duhet të ndriçohen nga thënia e Bashkim Shehut: Babai im, Mehmet Shehu, duke i shërbyer diktatorit me besnikëri u bë një kriminel dhe kriminelët nuk duhet t’i nderojë populli.

Vetëm një emancipim i tillë, një distancim i tillë nga e kaluara komuniste, do të na ndihmojë të ecim drejt qytetërimit për të zënë vendin e merituar midis popujve europianë…

 

Filed Under: Analiza Tagged With: jo Sali berisha, mendesia komuniste, shqiptareve ua ka fajin, Thanas Gjika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Eposi i Kreshnikëve” dhe një përkujtim për Prof. Arshi Pipën e Prof. Stavro Skendin
  • “Columbia University Albanian Society,” organizon ekspozitën muzeale “Fëmijët e së Nesërmes”
  • VATRA VIZITOI “ZËRIN E AMERIKËS”
  • Mary Camaj: Celebrating Albanian Heritage through Dance and Advocacy
  • KRESHNIKË, LEGJENDA DHE MUZIKË…
  • TRAZIRA GJEOPOLITIKE ME TRYSNI BËRTHAMORE
  • VATRA U TAKUA ME KRYETARIN E PARLAMENTIT TË KOSOVËS
  • Natyra dhe ne
  • TE VATRA SONTE NE ORA 6.30 PM, PROF.DR. ZYMER NEZIRI MBAN LIGJËRATË RRETH EPOSIT TE KRESHNIKEVE
  • “Diplomacia ndërkombëtare dhe çështja e Kosovës 1997-1999”
  • Bektashizmi në Shqipëri dhe roli i tij në përhapjen e shkollave shqipe
  • Kryetari Glauk Konjufca në Samitin për Demokraci: Kosova ka shënuar progres të jashtëzakonshëm
  • Artisti shqiptar, Alfred Mirashi – Miloti, vendos në Piazza Mercato, Napoli, skulpturën monumentale “Çelësi i së sotmes”
  • VATRA FTON TË GJITHË SHQIPTARËT E AMERIKËS NË PROMOVIMIN E LIBRIT: “FËMIJËT SHQIPTARË NË KOSOVË-VIKTIMA TË GJENOCIDIT SHTETËROR TË SERBISË”
  • Për herë të parë në Amerikë, ribotohet “Albumi” i Fan Nolit

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT