• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOMUNIZMI VRET ELITËN, KEQTRAJTON MESATARËT DHE NGRE LART INFERIORËT

August 1, 2015 by dgreca

(Vlerësime për veprën PIKA LOTI të Sami Repishtit, ribotohet i ripunuar me rastin e 90-vjetorit të autorit të veprës)/
Shkruan: Prof. Asc. Dr. Thanas L. Gjika/
Sami Repishti, Martin Camaj, Arshi Pipa dhe Ernest Koliqi përbëjnë elitën letrare të mërguar të disidencës shkodrane antikomuniste. Ky bir i Shkodrës tremijë vjeçare, ish-antifashist e ish-antikomunist, ish i burgosur dhe i internuar, mbas arratisjes nga Shqipëria, gjeti veten në SHBA ku ariti të bëhet pedagog i letërsisë me titullin Assistent Profesor. Ai është personalitet i kompletuar i pedagogut, studjuesit, shkrimtarit dhe politikanit shqiptaro-amerikan. Ai është një figurë shumëdimensionale e kulturës, letërsisë, shkencës dhe veprimtarisë atdhetare politike shqiprare dhe asaj amerikane. Kur të studjohet jeta dhe vepra e plotë e tij do të shihet se ai me shumë artikuj, esse e vepra letrare, për nga pëmbajtja disidente antikomuniste, pjekuria dhe humanizmi i lartë të kujtojnë Vaclav Havel-in (1936-2011) dhe Karl Popper-in (1902-1994).
Për fatin tonë të keq ky i përndjekur, ky personalitet i shquar, kur shkoi në atdhe mbas shkërmoqjes së diktaturës për të ndihmuar në ecurinë e proceseve, nuk u dëgjua sa dhe si duhej prej qeverisë “demokratike”, për dënimin e krimit komunist, për kthimin e pronës tek i zoti, për zhvillimin e lojës politike midis pozitës dhe opozitës si një lojë demokratike luajale pa e ndarë popullin në dy gjysma armiqësore, etj. Sami Repishti nuk u dëgjua sepse ai ishte pjesë e atyre forcave shoqërore që përbënin opozitën e vërtetë kundër komunizmit. Të tilla forca ishin paracaktuar prej planit të Ramiz Alisë të mos përfshiheshin në proceset e tranzicionit, e jo më t’i drejtonin ato. Shqipërinë pluraliste me ekonomi tregu duhej ta ndërtonin dhe trashëgonin bijtë dhe shërbëtorët besnikë të ish-kupolës komuniste, shumica e të cilëve po vijojnë ta sundojnë edhe sot…
Më vjen keq që dy veprat letrare PIKA LOTI (1997 dhe 2009) dhe NËN HIJEN E ROZAFËS (2004) të profesor Repishtit i lexova vetëm këto javët e fundit, pra me vonesë nga botimi i tyre. Këto dy vepra bëjnë pjesë në letërsinë realiste shqiptare, dhe më konkretisht ato përbëjnë themelet e letërsisë sonë të quajtur letërsia e burgut, e cila lexohet sot me ëndje dhe përfitim të madh, sepse aty zbulohet jeta plot vuajtje, qëndresa dhe bëmat e njerëzve të dënuar prej diktaturës komuniste shqiptare, një aspekt i jetës sonë, të cilin diktatura e kishte shtrembëruar keqas dhe mbajtur në fshehtësi. Letërsia realiste shqiptare e krijuar gjatë dhjetëvjeçarëve të parë të shek XX-të prej Andon Zako Çajupit, Zef Skiroit, Gjergj Fishtës, Ernest Koliqit, Faik Konicës, Migjenit, Mihal Gramenos, Nonda Bulkës, etj, etj, gjatë viteve të rënda të diktaturës komuniste (1944-1991) ra në fashë, por nuk u ndërpre. Ajo ra në fashë, sepse pushteti diktatorial stimuloi në ato vite letërsinë e quajtur “Letërsi e Realizmit Socialist”, veprat e së cilës hartoheshin sipas kërkesave të formuluara prej V. I. Leninit dhe regullave të sajuara prej teoricienit sovjetik A. Zhdanov. Kjo letërsi mori mbi vete detyrën për t’i shërbyer partive komuniste në pushtet për krijimin e rendit të ri, përmes sajimit të heroit pozitiv. Ky hero mishërohej me figurën e një komunisti, a njeriu të thjeshtë, ose të një sekretari partie. Kjo letërsi në Kinë krijoi një hero si Laj Feni, në Shqipëri krijoi heroin e Stavri Larës (romani Këneta i F. Gjatës) e plot të tjerë… Kjo lloj letërsie, e cila stimulohej aq shumë prej partisë shtet, solli vetëm dëme në art dhe në psikologjinë e shoqërisë së vendit ku u krijua. Për turpin e tyre, autorët e të tilla veprave nuk i kanë kërkuar falje popullit për dëmin që i shkaktuan, por vijojnë të mburren me to. Veprat e shkruara sipas parimeve të realizmit socialist sot nuk na tërheqin më, lexohen me vështirësi dhe me një ndjenjë neverie, sepse në to i thurren lavde politikës dhe moralit që i shërbente vetëm sundimit të partisë shtet.
Mbas vitit 1944 letërsinë realiste nuk e braktisën të gjithë krijuesit shqiptarë. Atë vijuan ta lëvronin vetëm disa shkrimtarë shqiptarë që ranë nëpër burgje e kampe pune dhe disa prej të arratisurve në botën e lirë. Për nder të letrave shqipe pati dhe shkrimtarë të guximshëm si Petro Marko, Mitrush Kuteli, etj, të cilët me gjithë pasojat politike për jetën e tyre dhe të familjarëve të vet, nuk e përfillën metodën e realizmit socialist, kurse Lazgush Poradeci, Ali Asllani etj e thyen penën dhe nuk krijuan më mbas vitit 1944. Nuk duhet të lemë pa përmendur këtu dhe ndihmesën e vlefshme që dha plejada e shkrimtarëve të rinj shqiptarë që u formua në Ish-Jugosllavi.
Letërsia jonë e viteve 1944-1991, përveç shkrimtarëve si Shefqet Musaraj, Aleks Çaçi, Fatmir Gjata, etj, të cilët shkruan vetëm vepra të realizmit socialist, pati dhe disa shkrimtarë si Sterio Spasse, Sabri Godo, etj, të cilët hartuan vepra që i përkisnin realizmit socialist kur trajtuan ngjarje nga koha aktuale e socializmit dhe vepra thjesht realiste kur trajtuan jetën shqiptare, ose atë të huaj, të një kohe të kaluar. Ky grup shkrimtarësh i solli letërsisë sonë edhe dëme edhe vlera, sipas rastit. Kurse vepra letrare e Ismail Kadaresë dhe ajo e Dritëro Agollit përbëjnë fenomene letrare të komplikuara, që kërkon studime të thelluara për të zbuluar se deri ku mbritën vlerat dhe dëmet e tyre.
Letërsia realiste shqiptare e viteve 1945-1991 dallohet prej letërsisë së realizmit socialist së pari për nga metoda krijuese, sepse ajo nuk i zbatoi regullat e ngurta të saj dhe së dyti për nga përmbajtja, sepse me përmbajtjen e vet ideore, ajo nuk u vu në shërbim të së keqes, por e denoncoi atë. Letërsia realiste nuk ngriti në art politikën e partisë shtet, por humanizmin, moralin e shëndoshë, dashurinë njerëzore, gjithëçka që i shërbente përparimit shoqëror. Ajo eci në atë rrugë që kishte ecur letërsia shqiptare dhe ajo botërore para vitit 1944, rrugë në të cilën letërsia ecën edhe sot, pavarësisht nga rrymat e drejtimet letrare ku mund të bëjë pjesë.
Krijimet poetike të Arshi Pipës (Libri i Burgut, 1959), potretet e Sami Repishtit (Pika Loti, hartuar në vitet 1960-1963), poezitë e shkruara nëpër burgje e kampe internimi prej poetëve të dënuar si Visar Zhiti, Lek Pervizi e shumë të tjerëve, përbëjnë themelet, nismat e letërsisë së burgut. Natyrisht në këto themele bëjnë pjesë edhe vepra të tjera që unë si emigrant nuk kam mundur t’i shtie në dorë, mbasi qeveritë shqiptare të mbas vitit 1992 nuk kanë treguar asnjë interes për shpërndarjen e veprave letrare e shkencore, që botohen prej autorëve me sakrifica në tirazhe të vogla.
* * *
Vëllimi Pika Loti (botimi i dytë, PEGI, 2009, 155 f.) është një përmbledhje tregimesh të jetuara, të ndërtuara si portrete letrare, të cilat autori i shkroi mbas arratisjes nga atdheu në vitet 1960-1963, por që i botoi vetëm më 1997, kur nuk druhej më se mos u shkaktonte pasoja familjarëve të vet dhe të personave që kishte përshkruar në to. Heronjtë e kësaj vepre janë bashkëvuajtës të autorit nëpër qelitë e hetusisë, ose në burgun e Shkodrës dhe në kampet e ndryshme të punës. Vëllimi hapet me shkrimin kushtuar nënës dhe mbyllet me shkrimin Elegji për vëllanë, i cili dallon prej shkrimeve të tjera sepse nuk është tregim a portret letrar, por skicë lirike, një elegji në prozë. Këtë vepër autori e shkroi më 1970, mbasi Sigurimi shqiptar përhapi lajmin e rremë sikur vëllai i autorit, Vehbiu, kishte vdekur. Mbasi u hartua skica, autori mësoi të vërtetën, vëllai i tij ishte gjallë. Tronditja dhe dëshpërimi i thellë që i shkaktoi autorit lajmi dashakeq i Sigurimit shqiptar, nxiti krijimin e kësaj vepre lirike tepër emocionuese e plot dhimbje.
Midis bashkëvuajtësve të ndryshëm që autori njohu gjatë viteve të kalvarit të vet, ai ka zgjedhur disa prototipa me të cilët përfaqësoi fatin e shtresave të ndryshme të shoqërisë shqiptare të viteve 1946-1956.
Rrëfimi me besnikëri e vërtetësi i jetës dhe vuajtjeve të këtyre heronjve përmes riprodhimit të ngjarjeve e bisedave të ndodhura konkretisht para syve të autorit, si dhe të shumë hollësirave të ndryshme, krijon një emocionalitet dhe besueshmëri shumë të lartë. Ky emocionalitet dhe kjo besueshmëri nuk mund të krijoheshin në një nivel të tillë, në rast se këto portrete do të ishin trajtuar thjesht si tregime letrare të mirëfillta. E themi këtë sepse në tregimet e mirëfillta letrare autorët për të tipizuar heronjtë e tyre përdorin material (ngjarje, biseda, mendime e hollësira përshkrimore) të krijuara prej imagjinatës së tyre dhe jo material të marrë konkretisht nga jeta ashtu si ka ndodhur. Tipizimi si dukuri letrare e forcon aspektin artistik të veprës, por dobëson besueshmërinë e ngjarjeve. Duke qenë se besueshmëria për problemet dhe ngjarjet që trajtohen në këtë vepër ka rëndësi të veçantë, mbasi aty bëhet fjalë për ngjarje dhe të përvuajtur konkretë, themi se krijimi i këtyre lloj tregimeve gërshetuar me tiapret e portretit letrar, ka qenë rruga më e mirë që ka ndjekur autori.
Pasqyrimi i jetës shqiptare mbështetur mbi kujtimet e së kaluarës së afërt, duke përzgjedhur ngjarje, biseda, mendime e hollësi të ndryshme thelbësore për të treguar deformimin e dhunshëm të moralit e të së drejtës, për shkatërrimet dhe plaçkitjet që po i bëheshin pasurisë private në dhjetëvjeçarët e parë të pas Luftës Antifashiste, ishte rruga që ndoqi ky autor në fillim të viteve 1960-të. Këtë rrugë, ose rrugë të ngjashme me të, ndoqën mbas vitit 1992 edhe shumë të dënuar të tjerë, midis të cilëve u shqua françeskani At Zef Pëllumbi, Visar Zhiti, etj.
Ideja themelore e veprës Pika Loti është zbulimi i faktit se komunizmi si ideologji dhe praktikë vret elitën, keqtrajton mesatarët dhe ngre në qiell inferiorët. Këtë ide, që autori e ka mishëruar artistikisht në këtë vepër letrare, e pati formuluar shprehimisht në një fjalim politik mbajtur më 1965 gjatë tubimit “All-American Conference” në Washington D.C., të cilin e citon në shënimin hyrës të veprës (f. 8).
Vrasja e elitës shqiptare (inteligjencës dhe borgjezisë si klasë politike dhe ekonomike) e krijuar gjatë brezave e dhjetëvjeçarëve me mund e sakrifica, shpaloset përmes disa portretesh:
Qemali është portreti që ka në qendër intelektualin e shquar shkodran Qemal Draçini, liceisti më i dalluar i Shkodrës dhe i gjithë studentëve shqiptarë të Universitetit të Firences ku ai studjoi dy vjet për drejtësi. Këtë intelektual autori e adhuronte për prirjet e tij për hapje horizontesh të reja. Ky djalosh bjond e shumë simpatik, në rininë e tij të parë u lidh me lëvizjen komuniste, por kur pa se ideali për krijimin e një bote të re ishte i mbrujtur me urrejtje dhe dënime deri në anëtarët e familjes dhe të vetë prindërve, u largua me neveri. Ai nuk mund ta urrente e ta bënte fajtore nënën e vet për ekzistencën e shoqërisë borgjeze. Me nota shumë të gjalla përshkruhet atmosfera e vitit 1945, kur Qemali vuri në skenë në teatrin e Shkodrës dramën Përtej horizontit, vepër e dramaturgut amerikan Eugjen O’ Neil. Kjo shfaqje me tingëllimin e saj aktual për gjendjen mbytëse të rinisë intelektuale të kërcënuar prej thatësirës së dogmatizmit marksist, e tronditi rininë shkodrane, po ashtu dhe organet e pushtetit të ri dhe të Sigurimit. Qemalit i shkaktoi burgimin dhe tortura çnjerëzore të padurueshme, prej të cilave ai mundi të shpëtonte me anë të vetëvrasjes plot dhimbje duke gëlltitur sasi të madhe pluhuri DDT që roja e burgut hodhi në qelinë e tij për ngordhjen e miljona morrave.
Nji shok e nji mësues: dy dëshmorë, i kushtohet luftëtarëve antifashistë vlonjatë Hamdi Gjoni dhe mësuesit Bego Gjonzeneli, të cilët u burgosën, u torturuan në hetuesi dhe u hodhën të kampet e punës për të vetmin “mëkat” se nuk u bashkuan me forcat partizane që u krijuan më vonë, por luftuan si nacionalistë kundër pushtuesve fashistë e nazistë. Inteligjenca e thellë e pedagogut të shkollës së mesme tregëtare të Vlorës, Bego Gjonzeneli, shpaloset përmes riprodhimit të bisedave të tij me të dënuarit. Dënimi i disa krerëve komunistë prej vetë PKSH-së, mbas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë e J. B. Titos, ngjalli tek të burgosurit disa shpresa për zbutje të diktaturës e përmirësim të gjendjes… Mirëpo profesori ua preu hovin hamendjeve naïve me arsyetimet e veta: Grindjet janë të një natyre inherente të sistemit komunist. Do të kemi dhe të tjera, të ngjashme me këtë. Komunistët vrasin njëri tjetrin, me qëllim që të përballojnë pa kundërshtime gjendjet e reja. Për diktaturat absolute, eleminimi i shokëve të luftës është një parim themelor. Por kjo nuk duhet kuptuar si një sinjal i fundit të tyre… Kemi hyrë në një suazë nga e cila është shumë e vështirë të dalim. Ata që thonë se e drejtojnë fatin e vendit tonë, nuk e kanë më këtë fat në duart e tyre. Një tjetër dhespot sundon sot mbi vendin tonë. Eshtë ariu sovjetik.
I ngjashëm me fatin e profesorit vlonjat Gjonzeneli është dhe fati i profesorit shkodran të filozofisë, Preng Kaçinari, i cili përshkruhet në shkrimin Nji vorr i harruem. Ky pedagog i filozofisë në gjimnazin At Gjergj Fishta të Shkodrës, inteligjent i rallë, diplomuar në Universitetin e qytetit Monpellie të Francës. Ky profesor, me sjelljen, zgjuarësinë dhe njohuritë e thella kishte fituar respektin e dashurinë e nxënësve dhe të qytetarëve shkodranë. Pas pushtimit fashist u bëri thirrje studentëve të vet dhe doli malit bashkë me ta, me të cilët luftoi dhe vetë autori kundër pushtuesit fashist. Mirëpo ai u përçmua, u la pa punë dhe u detyrua të vdiste nga uria, për të vetmin “faj” se nuk u bashkua me forcat komuniste dhe sepse kishte njohur nga afër në kohën e studimeve diktatorin e ardhshëm të Shqipërisë, xhelozia dhe paranoja e të cilit nuk lejonte të mbijetonin më të aftët se ai.
Gjatë takimit të fundit të heroit me autorin, ai i formuloi me pak rreshta thelbin e moralit, thelbin e asaj që kërkonte partia shtet prej mësuesve dhe edukatorëve: Falja ndërgjegjen djallit, asgjëso personalitetin tand, humbe dinjitetin si njeri, hidhi poshtë të gjitha parimet morale bazë, atëhere je i përshtatshëm për indoktrinimin që kërkohet n’ arsim.
Në një situatë të tillë mbytëse, ky intelektual i pastër, besnik i parimit sipas të cilit për kombet, ashtu si për njerëzit, nderi qindron ma lart se jeta, mbetur i papunë, pa mundësi jetese, i dha fund jetës me vdekje nga uria në vorrezat e Tiranës më 1956.
Edhe më tragjik është fati i avokatit shkodran Qazim Dani, që përshkruhet në Plaku i numërit 10, njeriu që ishte burgosur pa më të voglin shkak. Ky burgim e revoltoi të birin 16-vjeçar, Bardhoshin, i cili duke mos e duruar padrejtësinë, vendosi të arratisej bashkë me dy shokë të tjerë, të tre djem të vetëm. Këta djem të papërvojë i vranë rojet kufitare. Mbasi i lanë të qelbeshin në sheshin e qytetit disa ditë me radhë për të tmerruar rininë shkodrane, policia lejoi familjarët e miqtë e tyre t’i varrosnin. Nëna e Bardhoshit u çmend nga tronditja e ngjarjes makabre. Kur u lirua bashkëshorti, i plakur para kohe, ajo e priti ashpër duke thirrur: Ti ma ke vra djalin! Ti ma ke vra djalin!, në një kohë kur ky babë nuk e dinte fundin tragjik të të birit. Të dy, nënë e babë, të mbetur mos më keq, pa triskat e bukës, me tre vajza që mezi nxirrshin bukën e gojës me punë nga më të rëndat, të damkosur me epitetin ndjellakeq “armik i popullit”, e ndjenë veten të tepërt dhe u shkrinë njëri pas tjetrit duke u gdhirë të mbërdhirë nga të ftohtit në ballkonin e shtëpisë…
Në Bir i dejë i Shen Françeskut autori portretizon klerikun At Çiprian Nikaj, bashkëvuajtës me autorin në qelinë e hetuesisë së Shkodrës. Ky klerik i përkushtuar, bashkë me kolegët At Pal Dodaj, At Mati Prendushi dhe At Bernardin Palaj ishin arrestuar në mes të nëntorit 1946 me rastin e gjetjes në Kuvendin e Franceskanëve të disa pushkëve të ndryshkura që kishte lënë një reshter gjerman gjatë tërheqjes. Ato pushkë as ishin përdorur e as mund të përdoreshin, por kishin mbetur në Kuvend nga pakujdesia, duke e lënë dorëzimin e tyre në polici me sot për nesër. Spiunimin e kishte bërë një seminarist i ri, i rekrutuar prej Sigurimit. Torturimi i këtyre klerikëve, që mbaheshin nëpër qeli të ndryshme, bëhej me qëllim që ata të pranonin se armët ishin fshehur për të organizuar kryengritjen popullore kundër pushtetit, ashtu si u paratha nga propaganda komuniste shqiptare e ajo jugosllave. Për të mos u shtrembëruar e vërteta, At Çipriani i rrëfen autorit të vërtetën e pranisë së atyre armëve në Kuvend dhe ia lë si porosi ta dëshmojë këtë të vërtetë mbas daljes nga burgu. Ky amanet përbën dhe shkakun kryesor të hartimit të këtij portreti.
Thjeshtësia e klerikut të përkushtuar jepet përmes lutjes së tij të përsëritur drejtuar Zotit: Ati Ynë në Qiell! Më ndihmo të jem i dejë për hirin e dashuninë tande!
Kjo qenie modeste, që dukej tepër e tkurur gjatë lutjeve të veta, ishte shumë e fuqishme në fjalë e mendime. Me këshillat dhe ngushëllimet që i jepte autorit ky bashkëvuajtës para e mbas torturave, ma lehtësonte vuejtjen me frymën e shpresës e ma mbushte zemrën me shpirtin e qindresës, pohon autori duke përshkruar gjendjen e rëndë psikologjike në terrin e qelisë ku njeriu humbiste nocionin e kohës dhe shpesh herë edhe dëshirën për të jetuar…

Keqtrajtimi që u bëri diktatura njerëzve mesatarë jepet me ngjyra të gjalla në shkrimet Dukagjinasi i pafat, Djali i Lumës dhe Bajraktari. Heronjtë e këtyre veprave janë bij të malësive të Shqipërisë së Veriut, njerëz të ndershëm, atdhetarë antifashistë. Të tillë janë vëllezërit dukagjinas Mark e Kolë Prela, malësori i sinqertrë Mehmet Lumjani dhe bajraktari i një fshati të thellë, Sylë Bajraktari. Të gjithë këta heronj pa qenë aspak kundërshtarë të pushtetin dënohen prej tij. Mark e Kolë Prela e donin pushtetin e ri, por ata, si njerëz të ndershëm, edhe pse kishin luftuar si antifashistë përkrah forcave partizane, nuk kishin pranuar të zbatonin urdhërat vrastare të Brigadës së Mbrojtjes së Popullit (forcat e Sigurimit), që shkuan nëpër Malësi për të masakruar banorët e atjeshëm, me qëllimin e vetëm që të ngjallnin tmerr, frikë e nënshtrim absolut ndaj pushtetit të ri “popullor”.
Djaloshi i thjeshtë e i sinqertë, i ndershmi Mehmet nga Luma, nuk mund ta kuptonte se si mund të binte burri aq poshtë sa të shpifte kundër bashkëfshatarit të vet. Sigurimsi i fshatit kishte shpifur sikur Mehmeti nuk e donte pushtetin, sikur ishte “armik i popullit”, gjë që i shkaktoi burgimin dhe dënimin me punë të detyruar në baltrat e kënetës së Maliqit. Pyetja e tij retorike: Si mund të bjerrë burri kaq poshtë!, përdorur si refren gjatë shkrimit, zbulon padrejtësinë e shumë dënimeve dhe rënien poshtë jo të disa spiunëve, por të vetë pushteti komunist. Ky pushtet që erdhi në fuqi me bujë si krijues i botës së re dhe i njeriut të ri, shumë shpejt e zbuloi fytyrën e vërtetë diktatoriale antinjerëzore.
Për të justifikuar përdhunën e vet dhe për të krijuar idenë se bota e vjetër që ai përmbysi, ishte një botë reaksionare, ky pushtet përmes dënimeve të ndryshme i shpalli armiqësorë, reaksionarë dhe antipopullorë shumë fjalë, si dhe mbartësit e tyre. Me përdhunë fjalët ballist, bajraktar, xhandar, avokat-mbrojtës, padre, hoxhë, prift, etj u ngarkuan me një përmbajtje negative emocionale dhe u shpallën e u luftuan si amrmiq e tradhëtarë të gjithë ata që kishin qenë emëruar me të tillë emra. Midis këtyre të përndjekurve bëjnë pjesë mjaft prej të dënuarve që përmendëm më lart, si dhe Sylë Bajraktari, njeriu që nuk e kuptonte dot pse e quanin armik të popullit, gjakpirës të popullit, kur ai dhe të parët e tij si bajraktar ishte përpjekur të zbatonte Kanunin dhe ligjet e Maleve për të mbajtur regull në fshatin e vet.
Jeta personale plot mundime dhe njohja nga afër e vuajtjeve dhe e fundit tragjik të jetës së këtyre përfaqësuesve të popullit shqiptar e shtytën autorin të arrinte që në vitet 1959-1962 në një karakterizim shumë të pjekur të epokës së diktaturës qysh atëhere, karakterizim në të cilin shkrimtarët dhe studjuesit tanë të ditëve tona nuk kanë arritur ende. Për autorin ajo epokë ishte epoka që vrau arsimtarin e ndershëm, që zhduku klerikun e devotshëm, që kalbi në burgje intelektualët e formuar në Europë, që shtrydhi në tortura tregtarin, që mundoi me uri punëtorin e që varfëroi katundarin deriku nuk shkonte më. Epokë e cila përdhosi nxënësin, helmoi rininë, lartësoi idiotin, frymëzoi naivët. Ajo bëri kult urrejtjen, kurse karrierën ideal.
Bashkëvuajtja dhe njohja nga afër e jetës dhe e vdekjes së heronjve të tillë i dha shtysën autorit që të gjente rrugën e shpëtimit jo në durimin e vuajtjeve, e cila do ta shpinte së shpejti në një vdekje të parakohëshme gjatë një riburgimi, riinternimi, apo kampi pune, por në arratisjen nga atdheu. Jeta e autorit deri në arratisjen e tij trajtohet me hollësi në vëllimin autobiografik Nën Hijen e Rozafës (Onufri, 2004, 344 f.), ku janë vendosur në qendër jo bëmat dhe bisedat e bashkëvuajtësve, por jeta, vuajtjet, mendimet, meditimet e përgjithësimet e autorit dhe të familjarëve të tij.
Ndërkohë theksojmë se ngritja në pozita të larta e njerëzve inferiorë që i shërbenin me besnikëri të verbër pa asnjë vrarje ndërgjegjeje pushtetit në fuqi jepet duke treguar sesi njerëz injorantë, gati analfabetë, të marrë prej fshatrave u armatosën dhe u vunë në detyra komanduese nëpër burgje e kampe pune, ku keqtrajtonin mizorisht të dënuarit pa faj. Këtyre njervzve të pashpirt auroti nuk u kushton asnjë portret a shkrim të plotë, por vetëm i përshkruan shkarazi dhe në kontrast me bashkëvuajtësit e vet të dënuar pa faj. Përjashtim bën autori vetëm për Xhevahirin, si e quanin të burgosurit tetar Jonuzin nga Berati, të cilin e portretizon brenda portretit Bajraktari. Ky person dallonte prej policëve të tjerë, ai ishte zgjuar nga poshtërsitë e partisë shtet dhe përpiqej të lehtësonte me sa i mundej vuajtjet e të dënuarve, herë duke u treguar se cilët ishin të rekrutuarit midis të dënuarve, herë duke u treguar lajme nga jeta jashtë burgut…
Së fundi, nuk mund të lemë pa theksuar se në të gjitha shkrimet e përmbledhura në librin Pika loti ka një karakteristikë të përbashkët artistike. Në to bie në sy përdorimi i një lirizmi shumë të ndjeshëm, përshkrimi me shumë besnikëri dhe me hollësira të zgjedhura mirë për të karakterizuar heronjtë që portretizohen. Ndërhyrjet lirike të autorit, shfrimet e emocioneve, meditimet dhe formulimet e sakta për karakterizimin e epokës dhe të personave historikë, ua rrisin shkrimeve emocionalitetin, besueshmërinë, vërtetësinë, humanizmin dhe njëherazi dhe nivelin artistik.
Kjo vepër, si dhe veprat e tjera të Sami Repishtit, shquhet dhe për gjuhën e pasur e të përpunuar, për dialektin shkodran letrar shumë të afërt me gjuhën letrare të përbashkët shqipe. Kjo dukuri është e rallë midis atyre që shkruajnë në dialektin shkodran, mbasi shumica e tyre duke dashur të tregojnë pasurinë e këtij dialekti, theksojnë diferencat nga gjuha letrare dhe përdorin shumë nëndialektalizma të saj.
Si përfundim themi se përmbjedhja Pika loti bën pjesë denjësisht në themelet e letërsisë shqiptare së burgut, se ajo paraprin veprën madhore Rrno vetëm për me tregue të At Zef Pëllumbit dhe romanet e Visar Zhitit Rrugët e Ferrit dhe Ferri i Carë, kurse vepra autobiografike Nën hijen e Rozafës, është një simotër e tyre.

Filed Under: Analiza Tagged With: Komunizmi, Sami repishti, Thanas Gjika, vret Eliten

SFIDUESI I MADH I DIKTATURES DHE I TRANZICIONIT

June 7, 2015 by dgreca

(Ese për Lek Preng Pervizin editor i revistës KUQ E ZI)/
Nga Thanas GJIKA/
Lek Pervizi (bir i gjeneral Preng Pervizit), bashkë me Mërgim Korçën (bir i Dr. Xhevat Korçës), Uran Butkën (bir i mësusesit Safet Butka), Eugjen Merlikën (bir i ing. Petrit Mustafa Merlikës) e shumë veprimtarë demokratë të ditëve tona, janë bij të elitës intelektuale shqiptare që po formohej gjatë viteve të shtetit të pavarur shqiptar, pra dhe viteve të mbretërisë. Ata janë bij të atyre intelektualëve atdhetarë që nuk e donin ideologjinë komuniste, të cilët për këtë shkak u shpallën armiq të pushtetit prej Partisë Komuniste Shqiptare dhe bijtë e tyre u internuan, u burgosën ose u lanë në hije gjatë viteve të diktaturës. Mirëpo mbas vitit 1992 kur u shkërmoq diktatura e proletariatit, këta bij të denjë të prindërve të tyre me forca të përtërira ia filluan luftës për mëkëmbjen e demokracisë shqiptare.
Në vitin 1989 Mihail Gorbaçovi, sekretari i parë i Partisë Komuniste Bollshevike të Bashkimit Sovjetik, pranoi në takimin e Maltës para Xhorxh Bushit (Plakut), se sistemi socialist dështoi, si një sistem shoqëror i gabuar dhe joproduktiv. Në gjithë Europën Lindore u pranua kapitullimi i atij sistemi dhe shkërmoqja e diktaturës komuniste, e shtetit njëpartiak me ekonomi të përqendruar. Filloi instalimi pa dhunë i sistemit pluralist me ekonominë e tregut të lirë dhe legjislacion demokratik. Ky fenomen i ri solli dhe rilindjen e kulturës, të artit e të shkencës demokratike, të cilat kanë në themel të tyre zbulimin e së vërtetës, të së bukurës dhe të së dobishmes në jetën njerëzore. Mirëpo fitimtarët (shtetet e Perëndimit) pranuan që shkërmoqja e diktaturës dhe krijimi i sistemit të ri shoqëror të kryhej në rrugë paqësore. Kjo klauzolë solli si pasojë që në Europën Lindore, pra dhe në Shqipëri, ish partitë shtet nxitën futjen e shumë ish komunistëve e sigurimsave në partitë e reja për ta kryer procesin e pluralizmit dhe krijimin e ekonomisë së tregut të lirë, ashtu si u leverdiste atyre. U punua fshehurazi që pasuritë dhe pushteti politik në këto vende të trashëgohej prej bijve të komunistëve dhe shërbëtorëve të tyre besnikë.
Ky fenomen ndodhi dhe në Shqipëri, ku në këtë proces ndihmuan edhe shumë artistë e veprimtarë shoqërorë, të cilët gjatë viteve të diktaturës kishin kontribuar në krijimin e artit, kulturës dhe të shkencës së politizuar. Ata u përpoqën të ecnin në rrugën e re, por formimi i tyre i vjetër politik, kulturor e artistik, si dhe privilegjet që kishin gëzuar gjate sundimit te partisë shtet, i pengonin që t’i shihnin dhe analizonin me sy kritik dukuritë e jetës së kaluar dhe të jetës aktuale. Të tilla dobësi të formimit bashkë me disa dobësi të karakterit të tyre, ndikuan që ky grup veprimtarësh dhe artistësh të mos e kryente procesin e katarsës, procesin e shpëlarjes nga gabimet dhe krimet e kryera gjatë sundimit të diktaturës komuniste. Në veprat e veprimtarëve të këtij grupi bie në sy përpjekja për të justifikuar bëmat e kohës së diktaturës duke kritikuar vetëm ndonjë dobësi të sistemit diktatorial si luftën e tepruar të klasave, varfërimin e skajshëm të shoqërisë e ndonje tjeter, por pa treguar se ai sistem ishte i gabuar që në fillimet e veta, mbasi u stis me vrasje, burgime, internime pa gjyq, me shkelje flagrante të të drejtave të njeriut. Dhe më djallëzisht vepruan disa prej tyre duke u përpjekur të zmadhonin ndonjë kritikë që u ishte bërë gjatë regjimit komunist dhe ta paraqisnin veten si të përndjekur, madje dhe si të pakënaqur e disidentë. Kështu politika shqiptare e sotme, për turp i la mënjanë disidentët e vërtetë e të përvojturit dhe i zëvendësoi ata me bijtë e ish komunistëve e ish sigurimsave.
Për fatin e mirë të popullit tonë, krahas këtij grupi veprimtarësh, artistësh e studiuesish, për rilindjen dhe mëkëmbjen e politikës, kulturës, artit dhe shkencës së re demokratike, ka punuar dhe një grup tjetër i përbërë prej ish të përndjekurve e të dënuarve politikë, me të cilët u bashkuan dhe disa intelektualë të ndershëm të cilët ishin lënë në hije gjatë kohës së diktaturës. Edhe pse përbërësit e këtij grupi nuk kishin pasur mundësi shkollimi e kualifikimi si pjesëtarët e grupit të lartpëmendur, ndihmesa e tyre në ecurinë e proceseve ka qenë dhe është thelbësore, ndonëse propaganda e sotme, e dominuar prej grupit të ish të përkëdhelurve të diktaturës, nuk e vlerëson dhe përpiqet ta mënjanojë e nënvlerësojë atë.

***
Midis veprimtarëve të grupit të dytë ndrit jeta dhe vepra e Lek Pervizit, djali më i vogël i tre djemve të gjeneral Preng Pervizit. Me jetën dhe veprimtarinë e shumanshme ky veprimtar i shquar i demokracisë shqiptare ka hyrë që për së gjalli midis shqiptarëve të pavdekshëm. Brezat e sotëm dhe të ardhshëm të shoqërisë sonë do t’i vlerësojnë gjithnjë e më shumë të tillë veprimtarë që shquhen për karakterin e fortë dhe ndihmesën e shumanshme në fushën e kulturës, gazetarisë, historisë, artit dhe të mendimit politik e shoqëror.
Babai i Lekës, Preng Pervizi, ishte një nga kuadrot e lartë të ushtrisë shqiptare, që kishte kryer studimet në Austri e Itali dhe ishte inkuadruar në forcat e armatosura shqiptare që në vitin 1918.
Lek Pervizi u lind më 26 qershor 1929 në Skurraj të Kurbinit, u shkollua bashkë me vëllezërit në Itali. Vëllai i madh, Valentini, studioi në Romë në vitet 1929-1941 ku përfundoi shkollën e lartë ushtarake të kavalerisë. Vëllai i dytë, Genci, studioi po në Romë në vitet 1929-1943, ku përfundoi studimet e larta për aviator. Leka ndoqi në Romë studime në kolegjin Santa Maria gjatë viteve 1938-1943, ku ndoqi edhe një kurs pikture. Nuk e mbaroi dot atë shkollë, mbasi ndryshimet e mëdha që solli kapitullimi i Italisë fashiste, bëri të pamundur vijimin e shkollimit të tij. Shkollimi i tij nuk u përfundua as në Shqipëri, sepse mbas vendosjes së diktaturës komuniste nisi terrori ndaj familjes së tij.
Për shkak bindjesh dhe miqësish, babai i Lekës që në rininë e tij u lidh me Ahmet Zogun dhe u bë një nga përkrahësit e tij të fuqishëm deri në prillin e vitit 1939, si dhe më pas gjatë pushtimit italian e gjerman. Edhe pse ishte prombretit, Preng Pervizi bashkë me Muharrem Bajraktarin e ushtarake te tjere nuk u bashkuan me asnjë parti politike, pra as me Partinë e Legalitetit, por i qëndruan besnik mendimit se ushtria shqiptare duhej të ishte e depolitizuar si forcë që mbronte atdheun nga rreziqet e jashtëm. Gjeneral Pervizi në gusht të vitit 1944 kundërshtoi mendimin e komandës gjermane për të shpallur diktaturën ushtarake në Shqipëri, kundërshtim që solli grindjen e tij me komandën gjermane dhe djegien e shtëpive (kullave) të tij në Laç e Skurraj të cilat pak më vonë u ridogjën prej forcave partizane, ndonëse në shtator të vitit 1944 Prenga, bashkë me disa ushtarakë, përkrahës të tij, doli maleve për të kundërshtuar pushtimin gjerman. Përpjekjet e Preng Pervizit dhe shokëve të tij për të bashkuar forcat antikomuniste dështuan për shkak se misioni ushtarak anglez, që përfaqësonte Aleatët e Mëdhenj, u pajtua me mendimin që fati i Shqipërisë të trajtohej bashkë me fatin e Jugosllavisë, mendim që e dëmtoi të ardhmen e vendit tonë.
Preng Pervizi në janar të vitit 1945 u shpall prej qeverisë komuniste armik i popullit dhe u dënua me vdekje. Nuk u morën parsysh asgjë nga veprimtaria e tij 26-vjeçare në shërbim të atdheut.
Nuk u mbajt parasysh e nuk u përmend kurrë fakti se Preng Pervizi ishte një ndër komandantët e forcave të shtetit shqiptar që luftuan për dëbimin e serbëve nga Shqipӫria në vitet 1920-1921.
Nuk u mbajt parasysh e as u përmend kurrë kontributi i tij në shtypjen e kryengritjes së Mirditës të nxitur prej agjenturës jugosllave më 1921 dhe as dështimi i grushtit të shtetit të 8 marsit 1922, ku Preng Pervizi në krye të forcave qeveritare i shpartalloi forcat rebele dhe e shpëtoi vendin nga kriza.
Nuk u mbajt përasysh as fakti se Preng Pervizi kishte qenë komandant i forcave shtetërore që shtypën kryengritjen antikombëtare të zonës Shalӫ-Shosh (Dukagjin) në nëntor- dhjetor 1926, nxitur nga agjentura jugosllave.
Nuk u mbajt parasysh e nuk u përmend kurrë guximi i tij për kundërshtimin e mendimit të Benito Musolinit më 1936 (shfaqur në Luftën e Abisinisë e në Manovrat e Mëdha të ushtrisë italiane, ku Prenga ishte dërguar si vëzhgues i palës shqiptare. Benito Musolini në fund të lojrave i tha Prengës: Shqipëria është një vend trim por e vogël, por ne do ta bejmë të madhe. Ushtria italiane e ka Shqipërinë një kafshatë goje. Prenga, duke e kuptuar nëntekstin e këtyre fjalëve, iu përgjigj: Ne na mjafton Shqipëria dhe kështu si është. Shqipëria nuk është Abisini, ajo është kockë e fortë, që ngec në fyt. Kjo përgjigje i dha të kuptonte Musolinit, se Preng Pervizi nuk do ta pranonte pushtimin, por do të organizonte rezistencën e armatosur. Prenga e vuri në dijeni mbretin Zog i I për rrezikun që i kanosej vendit, por ai nuk mori asnjë masë mbrojtëse, sepse kishte besim të verbër ndaj Italisë. Agjentura italiane në Shqipëri e bindi mbretin, që ta transferonte Preng Pervizin nga qendra si komandant të qarkut operativ Tiranë-Durrës në komandant të qarkut operativ Korçë-Kolonjë, për ta pasur sa më larg ditën e sulmit, që u realizua më 7 prill 1939.
Nuk u mbajt parasysh e nuk u përmend kurrë fakti se Preng Pervizi më 9 prill 1939, donte të fillonte rezistencën kundër pushtuesit italian dhe i propozoi mbretit në Zëmblak të Korçës që të lëshonte kushtrimin për luftë popullore ndër male. Ahmet Zogu nuk e pranoi këtë mednim me pretekstin se dëmtohej populli. Prenka u detyrua ta përcillte mbretin në Follorinë të Greqisë, ku I kërkoi përsëri që të kthehej në Korcë e të shpallte luftën kundër pushtuesve italianë pastaj të largohej nga atdheu e të kujdesej për mbretëreshën lehonë e djalin disaditësh. Por mbreti u arsyetua duke thënë se asnjë fuqi europiane nuk e kundërshtoi pushtimin italian dhe se Shqipëria nuk mund ta fitonte lirinë duke luftuar e vetme. Kryeministri anglez, Ҫamberlen, ishte shprehur: Anglia nuk ka asnjë interes në Shqipëri.
Nuk u mbajt parasysh e as u përmend fakti se gjatë luftës Italo-Greke në tetor 1940 Preng Pervizi, komandanti i regjimentit të përbërë nga dy batalione shqiptare, dha urdhërin e tërheqjes së forcave shqiptare nga luftimet, duke i kundërshtuar gjeneralët italianë se ushtria shqiptare nuk behej mish për top. Për këtë urdhër gjeneral Pervizin italianët e mbajtӫn në gjendje izolimi në alet e Pukës deri në kapitullimin e Italisë. Por këtë meritë Enver Hoxha ia veshi Spiro Moisiut, vartësit të Preng Pervizit, pasi Spirua u bashkua me forcat partizane më 1942.
Nuk u mbajt parasysh e as u kujtua ndonjëherë fakti se gjeneral Pervizi në gusht të vitit 1944 u grind me komandën gjermane dhe në shtator 1944 bashkë me shumë kolegë ushtarakë doli maleve si antigjerman, veprin që shkaktoi bombardimin e kullave të tij në Laç e Skurraj.
Duke mos u marrë parasysh të tilla merita të gjeneral Preng Pervizit, në dhjetor të vitit 1944 u arrestua djali i tij i madh, Valentini, i cili jetoi nëpër burgje, kampe pune dhe fshatra internimi deri në shkurt 1991, plot 47 vjet. Në vitin 1945 u internuan në Berat bashkëshortja dhe nëna e Prengës dhe që aty tre vjet më vonë i dëbuan në kampin më të keq, në atë të Tepelenës, ku më 1950 vdiq nëna plakë 90-vjecare.
Preng Pervizi mbasi jetoi në male deri në shtator të vitit 1946, u arratis në Greqi me synimin që të nxiste qeveritë perëndimore për të ndihmuar qëndresën antikomuniste në Shqipëri.
Në vitin 1947 u arrestua djali i dytë, Genci, i cili jetoi nëpër burgje, kampe pune e internimi deri në vitin 1989.
Kurse djali i vogël, Leka në fillim u la i lirë në Tiranë, ku u mbajt nën vëzhgim deri në maj 1950 kur e arrestuan dhe e mbyllën në kalanë e Portopalermos, pastaj në kampin e Tepelenës, në atë të Shtyllasit e më tej në Kuç të Vlorës deri më 1958. Organet e Sigurimit shqiptar dëshironin që gjeneral Pervizi të hynte në Shqipëri për të marrë ndonjë nga djemtë e tij. Por ai nuk synonte të shpëtonte vetëm një ose të tre djemtë e tij. Ai synonte të shpëtonte gjithë Shqipërinë nga zgjedha komuniste, prandaj vijoi veprimtarinë e tij në Greqi derisa u largua më 1965 në Itali e pastaj në Belgjikë, ku vdiq më 1977.
Në kampin e Tepelenës jeta e Lekës ishte tepër e vështirë për shkak të kushteve shumë të këqia dhe të punës shumë të rëndë, por edhe atje ai përjetoi momente gëzimi e ngushëllimi kur organet përkatëse shpunë aty Valentinin dhe nënën. Vuajtja së bashku ishte më e lehtë. Ai kamp u mbyll më 1954, për shkak të kushteve të këqia, nën presionin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Mbas kësaj, Lekën e transferuan në kampin Plug të Lushnjës, ku ai u martua me bashkëvuajtësen Gjuliana Malaj, e cila kishte filluar jetën e internimit që foshnjë në kampin e Tepelenës, ku i kishin ngjitur emrin Beba, mbasi ishte një nga fëmijët që i shpëtuan vdekjes masive të atjeshme.
Arrestimet, burgimet dhe internimet e familjes Pervizi u shoqëruan dhe me grabitjen e pronave e të tokave si dhe me djegien e shtëpive në Laç e Skuraj dhe me konfiskimn e shtëpisë vilë në Tiranë. Kjo familje e madhe duke përfshirë dhe kushërinjtë pati 23 vetë të vrarë e të vdekur nëpër burgje e internime. Sasia e përgjithëshme e viteve të burgimit dhe internimit arrin në 750 vjet. Kurse vetëm trungu i ngushtë familjar vuajti 456 vjet burgime, internime e dëbime. Na gëzon fakti se kjo familje i rezistoi me trimëri shtypjes dhe diskriminimit të padrejtë. Themi shtypje dhe diskriminim i padrejtë, sepse asnjëri prej këtyre vuajtësve nuk kishte kryer ndonjë gabim a krim ligjor. Familja Pervizi, si shumë familje të tjera të elitës shqiptare nacionaliste, që u burgosën e u internuan për dhjetëvjeçarë, e sfidoi me sukses të plotë diktaturën komuniste. Sfidë e cila meriton vepra të ndryshme arti. Vepra të tilla kanë filluar të hartohen e do të vijojnë të hartohen derisa masat e gjera të popullit tonë të çlirohen nga tymnaja e popagandës komuniste dhe ta urrejnë diktaturën komuniste ashtu si populli italian e ai gjerman e urryen diktaturën fashiste e naziste dhe shkuan përpara.
Djali i madh, Valentini (1920-1999), i përballoi i vetëm vuajtjet e burgjeve dhe internimeve. Ai nuk pati fëmijë nga martesa me gruan italiane Gorizia Manini, të cilën regjimi komunist pas arrestimit të tij e largoi nga Shqipëria. Si në legjendat e moçme Valentini i qendroi besnik gruas së tij dhe nuk u rimartua. Mbrekullisht edhe bukuroshja italiane e dashuruar fort pas oficerit kryelartë shqiptar, e priti burrin e saj derisa më 1991, u ribashkuan në Bolonjë, ku kaluan së bashku vitet e pleqërisë.
Djali i dytë, Genci (1923-1989) nuk e jetoi shkërmoqjen e diktaturës, mbasi më prill 1989 vdiq para kohe. Por ai vdiq i kënaqur sepse me bashkëshorten Albina e shtuan familjen Pervizi duke lindur gjashtë fëmijë: Evën më 1960, Edin më 1962, Davidin më 1965, Dionizin më 1969 dhe Damianin më 1976.
Edhe djali i tretë, Leka doli prej ferrit me familjen e tij të përtërirë. Ashtu si familja e babait të vet, që kishte gruan dhe tre djem, edhe Leka me Gjulianën ishin shtuar me tre djem: Leonardin më 1966, Dorianin më 1967 dhe Aurelin më 1975.
Duke mos pasur mjete e mundësi jetese, pasardhësit e Preng Pervizit, ndonëse fituan lirinë, nuk mund të jetonin në atdhe. Regjimi komunist që ua kishte marrë gjithë pronat e tundshme e të patundshme, nuk ua ktheu ato. Në të tillë gjendje ekonomike këta sfidues të diktaturës u detyruan të merrnin rrugën e shpërnguljes më 1990-1991. Valentini, si thamë shkoi në Itali, familja e Gencit në ShBA, kurse familja e Lekës në Bruksel të Belgjikës, ku gjeneral Pervizi bashkë me shokun e tij Muharrem Bajraktari kishin kaluar vitet e pleqërisë si emigrantë politikë.
Regjimi komunist nuk i donte nëpër këmbë vuajtësit e panënshtrueshëm si ishin pasardhësit e Preng Pervizit, Gjon Markagjonit, Mustafa Merlikës, Abaz Kupit, Abaz Ermenjit, Muharrem Bajraktarit, Fiqri Dines, Hysni Demës, etj, etj. Të tillë sfidues të diktaturës duheshin larguar dhe u larguan me mënyra të ndryshme prej Shqipërisë para se të fillonte loja politike e pluralizmit, sepse ata përbënin opozitën e vërtetë politike antikomuniste dhe e rrezikonin seriozisht të ardhmen e bijve të kupolës komuniste dhe të shërbëtorëve të tyre. Sipas premtimit të Ramiz Alisë ish komunistët e besnikët e tyre do të trashëgonin pasuritë dhe pushtetin në Shqipëri. Dhe vërtet, po të shikosh klasën e sotme politike dhe përbërjen e shtresave të pasura del qartë se shumica e tyre janë pasardhës të komunistëve dhe sigurimsave të kohës së diktaturës, të cilët nuk i urrejnë aspak prindërit e tyre për poshtersitë e kryera, por mburren me ta dhe i justifikojnë me shprehjet ashtu ishte koha, ashtu ishin ligjet…
Mund të justifikohen ligjet çnjerëzore të diktaturës komuniste me shprehjen ashtu ishte koha, ashtu ishin ligjet, por asnjë normë morale nuk i ka justifikuar dhe nuk i justifikon shkeljen e atyre ligjeve. Kush mund t’i justifikojë vrasjet prapa shpine të partizanëve trima si Memo Meto, Raqi Qirinxhi, Mynyr Xhindi, etj. Asnjë kohë e asnjë ligj nuk i justifikon arrestimet pa gjyq, torturat çnjerëzore nëpër qelitë e hetusive dhe vrasjet pa vendim gjyqi të shumë nacionalistëve, intelektualëve, klerikëve, madje e të mjaft komunistëve, të cilët nuk vepruan kundër ligjeve në fuqi, por vetëm guxuan të mendonin ndryshe nga vija e partisë shtet. Të tillë njerëz, të cilët përbëjnë një pasuri të madhe morale, politike e shoqërore për Shqipërinë, u pushkatuan e u varrosën në gropa kolektive dhe ende kanë mbetur pa varre personale ku t’i qajnë e përkujtojnë familjarët e miqtë e tyre.
Të mos i dënosh të tilla krime, ose t’i lësh në harresë, do të thotë të kryesh krime të rinj, t’i lësh të qelbëzohen plagët e vjetra dhe të krijosh plagë të reja.
Historianëve nuk u kërkohet që të mohojnë Luftën Antifashiste, por u këkohet që kur shkruajnë për atë luftë, të mos zbukurojnë kot bëmat e brigadave partizane dhe të mos hedhin baltë mbi bëmat e forcave të tjera antifashiste. Vetëm njerëz të droguar prej propagandës komuniste dhe propagandës së huaj antishqiptare nuk pranuan e nuk pranojnë faktin se përfaqësuesit e PKSH-së, të Ballit Kombëtar dhe të Legalitetit u ulën në Mukje si forca të barabarta antifashiste dhe së bashku hartuan më 2-3 gusht 1943 marrëveshjen e përbashkët. Marrëveshja e Mukjes, për vlerat e saj kombëtare ka qenë e ngjashme me marrëveshjen e Lidhjes së Prizrenit të vitit 1878, por u hodh poshtë prej përfaqësuesve të Partisë Komuniste Jugosllave, sepse aty kërkohej të ruhej bashkimi i Kosovës me Shqipërinë.
Historianëve u kërkohet të zbulojnë shkaqet pse dhe si diktatura e proletariatit u transformua në një diktaturë më të keqe se diktatura fashiste e ajo naziste, ku diktatori ynë vetë vendoste e vetë vuloste për gjithçka, dënonte pa gjyq ose me gjyqe të stisur cilindo që i dukej se i rrezikonte pushtetin. Të zbulohet pse gjithë kuadrot e ulët e të lartë aprovonin dënimin e kolegëve të tyre me të cilët kishin luftuar e bashkëpunuar me vite dhe e dinin mirë se ata nuk ishin agjentë e poliagjentë, si i shpallte diktatori…

Gazetar që lufton për të vërtetën dhe rilindjen e moralit të shëndoshë.
Lek Pervizi, sot 86 vjeçar, është një prej figurave më të rëndësishme të proceseve demokrtatike që po përjeton shoqëria shqiptare që nga viti 1991. Duke jetuar në liri dhe në kushtet e një asistence ekonomike belge në Bruksel, ky i përvuajtur i regjimit komunist shqiptar, nisi të rigjenerohej fizikisht e mendërisht. Aftësitë mendore dhe talenti i tij i ndrydhur e i shtypur shpërthyen me një forcë të pabesueshme në disa fusha.
Në tetor të vitit 1993 në Bruksel, atje ku Faik Konica më 1897 filloi botimin e revistës Albania, Lek Pervizi filloi publikimin e revistës Kuq e Zi, si një organ shtypi me karakter kulturor e politik. Në fillim, para se të përvetësonte kompjuterin ai i daktilografonte dhe i shumfishonte me kseroks materialet e revistës. Mos harrojmë se kur e filloi këtë punë, Leka ishte gati 65 vjeçar, moshë kur është e vështirë të mësosh daktilografimin dhe shfrytëzimin e kompjuterit, Por zjarri që e digjte nga brenda për të bërë të njohur vuajtjet e burgjeve dhe internimeve e ndihmuan që të mposhtte cdo vështirësi teknike e fizike, ta pasuronte revistën me materiale të shumta të shkruara prej tij dhe kolegëve. Sot kjo revistë euro-shqiptare ka arritur në numërin 100, që do të thotë se themeluesi e botuesi i saj ka hartuar e publikuar 100 kryeartikuj dhe qindra artikuj e shkrime me karakter të ndryshëm.
Për të siguruar shumllojshmërinë e shkrimeve dhe një nivel sa më të lartë për revistën, Leka që në fillim krijoi bordin e revistës dhe rrethin e bashkëpunëtorëve. Midis bashkëpunëtorëve po përmendim të mirënjohurit prof. Injac Zamputi, Kardinal Mikel Koliqi, prof. Gulielm Deda, prof. Arshi Pipa, Mark Dema, At Zef Pllumi, shkrimtarin Visar Zhiti, Myrteza Bajraktari, Nush Radovani, Nikoll Mazreku, studiuesen Nermin Vlora me të shoqin Renzo Falaski, studiuesin H. J. Lanksch, Niko Kirka, prof. Robert Elsie, Mërgim Korca, Gjosho Vasia, Nikoll Tuci, Filika Gruda, Ariana Rufa, Riza Hoxha, poeten Julia Gjika, etj.
Detyrat kryesore të kësaj reviste u parashtruan në kryeartikullin Tribunë shqiptarizmi, të numërit të parë, ku autori shpalosi programin e këtij organi. Aty u theksua se revizta del për të dëshmuar të vërtetën për jetën plot vuajtje të të përndjekurve nga dhuna komuniste, për të shpalosur mendimet e tyre atdhetare politiko-shoqërore dhe kulturore, si dhe bëmat e tyre në fusha të ndryshme të jetës e të artit. Kjo revistë mori përsipër dhe vijon ta kryejë me sukses ringjalljen e vlerave morale e shirtërore të popullit shqiptar, që u cunguan e u vranë gjatë regjimit diktatorial, si besën, mikpritjen, trimërinë, besimin tek Zoti, etj. Po ashtu në shkrime të ndryshme të saj bëhet rivlerësimi i shumë ngjarjeve e figurave historike që u lanë mënjanë e u nëpërkëmbën prej propagandës komuniste. Kjo bëhet me synimin që jeta, kultura e shkenca historike shqiptare të përjetojnë një rilindje, një proces pastrimi nga skorjet, nga mashtrimet dhe shtrembërimet e shkencës së politizuar. Me një fjalë revista Kuq e Zi ka ndihmuar e ndihmon dukshëm në procesin e rishkrimit të historisë sonë kombëtare, në njohjen dhe vlerësimin e jetës dhe të veprës së shkrimtarëve dhe artistëve të dënuar, të cilët krijuan vepra të artit realist në kushtet mizore të burgjeve dhe kampeve të internimit.
Në plan mbarëkombëtar revista pasqyron dhe nxit procesin e bashkimit kombëtar në rrugë paqësore, proces i natyrshëm i nacionalizmit të shëndoshë. Ky program kombëtar ka gjetur shprehjen e vet në citatin që publikohet në faqen e parë të çdo numëri:
Shqiptarëve s’ka ç’u duhen ideologjitë e huaja duke pasur një të vetmen të tyren, Shqiptarizmin, idealin kombëtar.

Studiues dhe përkthyes veprash shkencore.
Gjatë shkollimit në Itali, Leka studjoi disa vjet latinisht dhe italishten mesjetare. Ky formim bashkë me pasionin e tij atdhetar e ndihmojnë që të merret dhe me studime historike që trajtojnӫ origjinën e shqiptarve dhe vjetersinë e gjuhës shqipe. Ai ka hulumtuar në biblioteka e arkiva të ndryshme. I njohur është përkushtimi i tij ndaj historive të shkruara për Gjergj Kastriotin Skenderbeun. Përmes këtyre studimeve ai nxori në pah figurën e Dhimitӫr Frangut si i pari shqiptar që shkroi për jetën e bëmat e heroit tonë kombëtar më 1480, shumë vjet para Barletit. Leka e përktheu nga origjinali (italishtja mesjetare) dhe e botoi shqip në Tiranë duke e pajisur me shumë shënime sqaruese këtë histori me titullin Dhimitër Frangu Veprat e Lavdishme të Skënderbeut. Këtë botim ai e realizoi në kuadrin e 600-vjetorit të lindjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Libri pati jehonë dhe u pasqyrua në gjithë shtypin shqiptar si një kontribut për njohjën e jetës dhe luftrave të Gjergj Kastriotit.
Kërkimet e mëtejshme në bibliotekën e Bolonjës (Itali) e ndihmuan Lekën të gjente dhe një histori tjetër për heroin tonë kombëtar të botuar prej historianit italian Paolo Jovio. Leka vuri re se vepra e Dh. Frangut dhe ajo e P. Jovios kishin të njëjtën përmbajtje pavarësisht se kishin tituj të ndryshëm. Këtë vepër të dytë Leka e botoi shqip më 2011 në New York me titullin Skënderbeu dhe Sulltanët e Turqisë, duke e pajisur me shënime për të mbrojtur hipotezën e vet se vepra e P. Jovios ishte ribotim i veprës së Dh. Frangut me titull tjetër, dhe se Jovio origjinalin latinisht të Dh. Frangut e përktheu italisht dhe e adaptoi si të vetin.
Dashuria për historinë e lashtë të popullit tonë e shtyu Lekën të merrej dhe me përkthimin e pajisjen me shënime të veprës Pellazgӫt e pasardhӫsit e tyre të studiuesit francez Eduard Schneider, të cilën e botoi në Tiranë më 2008. Ky studjues përmes gjuhës shqipe trajton origjinën e shqiptarve si popull pasardhës i Pellazgëve.
Leka e ndjen për detyrë edhe nxjerrjen në dritë të vlerave të familjes së vet, vlera të mbuluara me shpifje dhe të dënuara me hedhje në harresë. Për këtë arsye ai mblodhi e botoi shkrimet e babait të vet dhe ç’është shkruar për të në shtypin shqiptar. Frut i kësaj pune është përmbledhja Gjeneral Preng Pervizi në shtypin shqiptar, Bruksel 2009. Për ta shpënë më tej njohjen dhe vlerësimin e jetës e të veprimtarisë së babait të tij ai rishkroi dhe biografinë e Preng Pervizit, hartuar e botuar së pari më 2002 prej Nënkolonel Dr. Pjetër Hidri dhe përkthyer e botuar frëngjisht në Belgjikë më 2008.
Kërkimet e mëtejshme për hisorinë e familjes e shpunë Lekën edhe tek vepra tjetër biografike Gjin Pjetër Pervizi, luftëtar i shquar i Rilindjes Kombëtare ku ai sqaron jetën e gjyshit të tij, i cili ishte lënë në harresë për shkak të të birit, Preng Pervizit. Këtë vepër Leka e hartoi dhe e botoi në Tiranë më 2012, në vitin jubilar të 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë dhe një mik i tij e ribotoi në New York, po atë vit. Ky Botues ka botuar edhe libra të tjerë të Lek Pervizit në prozë e poezi.

Piktor realist dhe poet i traditës rapsodike.
Gjatë viteve të shkollimit në Romë, djaloshi Lek ndjente një forcë të brendshme që e shtynte të merrej dhe me vizatime. Për këtë arsye ai ndoqi me pasion një kurs vizatimi e pikture, që drejtohej prej një artisti austriak.
Përgatitja që fitoi atje i dha mundësi që më vonë të fitonte konkursin për t’u regjistruar në Liceun Artistik Jordan Misja. Këtë shkollë ai e ndoqi në vitet1948-1950. Mësuesit e vizatimit dalluan talentin e tij të spikatur dhe i dhanë të drejtën që të kalonte drejtpërdrejt në maturë. Mirëpo ata që ishin ngarkuar për të gjurmuar jetën e tij ndërhynë dhe në maj të vitit 1950 e arrestuan dhe pasi e bashkuan me vellain Valentin e mbyllën nӫ Kalanë plot lagështirë e errësirë të Portopalermos. Pastaj e flakën nga kampi në kamp derisa më 1958 e dërguan në kampin Plug të Lushnjës, ku jetoi 32 vjet të tjera.
Janë duart e arta të Lekës ato që zëvendësuan fotografitë e munguara gjatë viteve të internimit për të dëshmuar pamjet e kampit të Tepelenës, të Kucit e të Lushnjës. Disa prej këtyre vizatimeve u zhdukën gjatë kontrolleve që kryeheshin nëpër kampe, por ato që shpëtuan u vlerësuan për vlerat e tyre dokumentare prej Fondacionit gjerman Konrad Adenauer (Konrad Adenaur Stiftung), i cili formoi stenda muzeale në Tepelenë për të dëshmuar persekutimin e egër komunist në ceremoninë e përkujtimit të kampeve komuniste dhe botoi albumin Në Rrathët e Ferrit me vizatimet e Lekës.
Kryevepra e Lek Pervizit si piktor është tabloja kompozicionale me ngjyra Beteja e Fushkuqes me tematikë nga luftrat antiosmane të shqiptarëve nën drejtimin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Kjo betejë ndodhi më 2 shtator 1457 dhe Marin Barleti e përmend me emrin Beteja e Albulenës dhe u zhvillua poshtë Fushës së Milotit, gjatë bregut të lumit Mat deri në det.
Talenti i lindur i Lek Pervizit është shumëdimensional. Krahas pikturës ai është shquar edhe në fushën e krijimtarisë poetike.
Formimi i tij në fushën e letërsisë i ka rrënjët që në fëmijërinë e hershme, kur ai dëgjonte pranë vatrës rapsodët popullorë që recitonin këngë Kreshnikësh dhe pastaj kur filloi të lexonte në shqip e italisht poema madhore të klasikëve tanë e italianë. Leka meriton të quhet Lexues i madh, sepse gjatë jetës, pavarësisht nga kushtet e vështira ai ka lexuar një sasi të madhe veprash italisht, frëngjisht e shqip. Kur e pyet për formimin e tij letrar e kulturor, Leka përmend me shumë mallëngjim vitet e vuajtjeve në kampin e Kuçit të Vlorës, ku ai jetoi bashkë me intelektualë shqiptarë të nivelit akademik, si Kardinal Mikel Koliqi, Dr Ali Erebara (ish kolonel, që zotëronte 12 gjuhë), Dr. Mykerrem Janina, Prof. Guljelm Deda, Prof. Ali Cungu, Dr. Mitat Araniti, Dr. Abedin Hoxha, Dr. Izedin Beshiri, Prof. Mihal Sherko, Dr. Nedim Kokona, Dr. Ibrahim Sokoli, Juristët Baldasar e Zef Benusi, Prof. Dr. Lazer Radi, Dr. Sandëe Saraçi dhe intelektualë të njohur si Sami Hysi, Kadri Borshi, Sabri Quku, Dilaver Tartari, Jakov Milaj, Faik Selenica, Mark Temali, Spiridon Kacaroci, Pandeli Nase, Remzi Çela, Fiqiri Llagami, Dr. Loro Muzhani, Dr. Karlo Çoba, oficerët madhorë Len Deda, Luigj Berisha, Ded Jakova, Isa Kokalari, Valentin Pervizi, ish ministrat Dr. Zef Shiroka e Dr. Vasil Avrami, etj.
– Në Kuç të Vlorës kam kryer akademinë e vërtetë, thotë Leka, dhe të përmend emrat e bashkëvuajtësve, të cilët në kushtet e fjetores mizerabël mbanin biseda shkencore dhe lexonin krijimet e përkthimet e tyre të një niveli të lakmueshëm.
Të kësaj kohë kanë shpëtuar disa vizatime-portrete, të përfshirë në albumin që përmendëm.
Gjatë viteve të jetës në kampet, Tepelenë, Portopalermo, Kuç, e Plug, Leka krijoi shumë poezi ku pasqyroi jetën e vet e të bashkëvuajtësve. Kur ndodhi që gjatë një kontrolli u detyrua t’i digjte mjaft krijime të hershme, ai gjeti një rrugë të re arkivimi të krijimtarisë së tij poetike: Mbasi i krijonte poezitë i mësonte përmendësh, i përsëriste shpesh dhe ia mësonte dhe gruas. Kështu që letra ku ishte shkruar poezia u bë e pavlefshme. Po t’ia gjenin letrat me të tillë krijime, ai do të kishte shkuar në pushkatim. Gjatë jetës së lirë në Bruksel ai dhe bashkëshortja filluan t’i rikujtonin poezitë, t’i shkruanin e botonin në faqet e revistës Kuq e Zi. Kështu shpëtuan shumë krijime poetike nga koha e kampëve . Të tilla poezi ai i ribotoi në vëllimet Ankimi i Zanave,GJERGJ FISHTA, Lezhë 2000, Gjurmë të Humbura, ARBERIA, Tiranë, 2002. Lahutari shqiptar dhe Lahutari Këndon (kangë rapsodike) LULU, New York , 2010-2011.
Lek Pervizi e pasuroi krijimtarinë poetike dhe me vepra të reja të cilat i përmbodhi në vëllimin Pétale de Rose, (Petale Trëndafili) shqip-frëngjisht, botues L’HARMATTA, Paris, 2010 dhe Milano, shqip-italisht, 2011. Ribotuar nga LULU, New York 2011. Psherëtimë e Erës, LULU, NewYork, 2011. dhe Tingëllime të vona dhe Labirinte, Bruksel, 2014. Shumë prej këtyre krijimeve ai i ka përkthyer e botuar dhe në italisht e frëngjisht. Po ashtu ai ka hartuar dhe një mori tregimesh e shkrimesh të ndryshme në prozë të cilat i ka botuar në revistën e tij dhe në vëllime më vete shqip, frëngjisht e italisht. Libri me tregime frëngjisht Dans les Cercles de l’Enfer, botues L’HARMETTAN, Paris, 2014. Botimi shqip Në Vorbullën e Skëterrës, Bruksel 2014.
Libri poetik Tingëllime të Vona, pëmban mbi 112 tingëllime klasike të rimuar  (1008 vargje) kushtuar pjestarëve të familjës, në formë biografike, gjyshes, nënës, gruas, prindërve dhe vëllezërve.
Me të drejtë Leka meriton të quhet Piktor dhe poet i kampeve të vdekjes.

Autor memuaresh.
Detyra për të nxjerrë në dritë të vërtetat lidhur me ndihmesën atdhetare të anëtarëve të familjes Pervizi e shtyu Lekën të shkruante dhe kujtimet e veta, të atit të tij dhe të vëllezërve. Këto kujtime ruhen tani për tani në dorëshkrim në disa vëllime dhe presin rastin të botohen me titujt:
Odiseja e Pafajësisë, vëllim i cili i kushtohet jetës së vëllait Valentin.
Trilogjija e njӫ Jete (Lumturia – Ferri – Parajsa), kushtuar jetës së familjes së ngushtë të Lekës.
Lek Pervizi, ky vuajtës dhe sfidues i madh i diktaturës, ky veprimtar shumëdimensional i tranzicionit ka meritur prej kohe titullin NDER I KOMBIT, por deri më sot ai është vlerësuar vetëm duke i vënë emrin e tij shkollës 9-vjeçare të fshatit Pug. Natryrisht vlerësimi i tij i vërtetë do të bëhet mbasi të studjohet e vlerësohet jeta dhe krijimtaria e tij e shumanshme, si dhe koleksioni i pasur i revistës Kuq e Zi.

Filed Under: Featured Tagged With: Kuq e zi, Preng Previzi, Thanas Gjika

LAMTUMIRE TOMSON NISHANI, DOKTORI I LULEVE TONA!

February 14, 2015 by dgreca

Do të ishte mirë që Parku i Madh i Tiranës të quhet Parku Tomson Nishani/
Nga Thanas L. Gjika/
Më 13 shkurt 2015, në moshën 82 vjecare, në Firence të Italisë, pushoi së rrahuri zemra e agronomit Tomson Nishani. Ky punëtor i palodhur i Parkut të Madh të Tiranës, autor i më se 15 librave për rritjen e mirëmbajtjen e luleve shtëpiake, njihej prej nesh me epitetin diktor i luleve. Të tillë e njohën atë mijëra lexues të veprave të tij, si dhe intelektualët e kryeqytetit, që patën kryer punën fizike tek Parku i Madh. Tomsoni, si përgjegjës i Parkut, na caktonte e mbikqyrte punën, duke u përpjekur të na lehtësonte lodhjen e të na ndihmonte për të shtuar njohuritë rreth rritjes e mirëmbajtjes së luleve në shtëpitë tona. Mbas ngjarjeve të rënda të pranverës 97, Tomsoni bashkë me zonjën e tij Edith u detyrua të largohej prej Tirane dhe u vendos ne Firence pranë familjes së vajzës së tij, e cila ishte shpërngulur atje disa vjet më parë.
Edhe në emigracion agronomi ynë nuk e ndërpreu punën për mbarëvajtjen e Parkut të Madh të Tiranës. Ai e lidhi këtë park me një nga parqet më të bukur të Firences dhe kohë pas kohe shpuri në Tiranë specialistë italianë, të cilët mbollën në faqet e Malit Dajt mjaft drurë e shkure dekorative.
Tomsoni ishte djali i vogël i atdhetarit gjinokastrit Besim Nishani, por duke qenë se në formimin e tij ndikoi shumë xhaxhai i tij, Dr. Omer Nishanit, presidenti i parë i Shqipërisë së pasluftës së Dytë Botërore, ai ndjehej si bir në shpirt i Omer Nishanit, njeriut me kulturë gjermane. Prej tij Tomsoni mësoi gjermanishten dhe jetë me rregulla strikte. Dita e punës për Tomsonin fillonte cdo ditë me gjashtë të mëngjezit dhe mbaronte më gjashtë të mbrëmjes.
Qeveritë shqiptare nuk treguan asnjë përkujdesje për këtë punëtor të madh sa qe gjallë, prandaj sugjerojmë që Parku i Madh i Tiranës të quhet Parku Tomson Nishani.
I pavdekshëm qoftë kujtimi i tij.

Filed Under: Kronike Tagged With: DOKTORI, I LULEVE TONA, LAMTUMIRE TOMSON NISHANI, Thanas Gjika

Toponime dhe gojëdhëna shqiptare që lidhen me emrin e Shën Palit

May 12, 2014 by dgreca

Prof. Asc. Dr. Thanas L. Gjika/
Mbasi nxorrëm këto të dhëna për vizitën e Palit e të grupit të tij nëpër territore ilire, bëhet e kuptueshme pse në popullin shqiptar, ekzistojnë shumë emra vendesh dhe gojëdhëna që lidhen me emrin e Shën Palit. Populli shqiptar, pasardhës i popullsisë ilire, gjatë historisë së tij ka kaluar periudha shumë të vështira lidhur me ruajtjen e besimit të krishterë. Që në shekujt e parë mb. Kr., ilirët, të parët e shqiptarëve, ashtu si grekët, maqedonët e romakvt, e përqafuan Krishterimin si fe të re që predikonte barazinë e njerëzve përpara Zotit dhe dashurinë njerëzore pa dallim shtresash, krahinash e kombësish. Mirëpo dihet se besimtarët e krishterë derisa Kostandini i Madh e shpalli Krishterimin fe zyrtare, u ndoqën dhe u përbuzën prej nëpunësve dhe ushtarakëve romakë. Gjatë kësaj kohe prej dy shekuj e gjysmë edhe ilirët e krishterë u përbuzën dhe u përndoqën. Ndërsa në shekujt XVI-XIX pushtuesit otomanë ushtruan mbi pasardhësit e ilirëve, mbi shqiptarët, një presion të vazhdueshëm për t’ua ndërruar besimin e krishterë në mysliman. Së fundi regjimi komunist për disa dekada gjatë gjysmës së dytë të shek. XX, ushtroi presion që ky popull të braktiste çdo besim për t’u bërë ateist. Me gjithë këto furtuna, populli shqiptar e ka rruajtur respektin për apostullin Pal, predikuesin e parë të Krishterimit dhe themeluesin e kishave të para të krishtere në territore të tij. Shprehje e këtij respekti janë ruajtja e mjaft mikro e makrotoponimeve si dhe gojëdhënave që lidhen me emrin e Shën Palit. Këto toponime e gojëdhëna kanë një shtrirje gjeografike të tillë që përputhet pikërisht me rrugën e mundshme të kalimit të apostullit në anën perëndimore të Provincës së Maqedonisë deri në Ilirik dhe pastaj prej atjer në brigjet e detit Adriatik deri në Nikopojë të Epirit.
Disa prej këtyre toponimeve ruhen ende sot edhe në zona e fshatra ku popullsia gjatë sundimit osman nën presionin e vijueshëm të sunduesit u kthye në myslimane.
Në Bende të Tiranës. Me rëndësi të veçantë në fushën e toponomastikës paliane është prefektura e Tiranës, kryeqyteti i Shqipërisë së sotme. Në anën lindore të Tiranës, prapa Malit Dajt ekziston një zonë fshatare që quhet zona e Shën Palit (banorët vendës e shqiptojnë Shupal). Kjo zonë kodrinore malore përbëhet prej katërmbëdhjetë fshatrash, që quhen Dajt, Zall Dajt, Selitë, Mojsit, Shëngjin, Bastar, Zall Bastar (ky fshat është sot qendër e komunës), Murrizë, Vilës, Mëner, Zall Mëner, Bulçesh, Besh dhe Shën Pal, i cili ka qenë qendra kryesore e gjithë zonës, prandaj ajo është quajtur dhe quhet zona e Shën Palit (Shupalit). Banorët e kësaj zone janë konvertuar në myslimanë gjatë shekujve të pushtimit osman. Prej banorëve të fshatit Shën Pal janë populluar gjatë shekujve fshatrat Dajt, Zall Dajt (ky më parë quhej Zalli i Shën Palit) dhe lagja Kodër Shën Pal, që shtrihet mbi fshatin Shën Pal. Në rast se ky fshat i lashtë do të ndodhej në një zonë fushore, ai do të ishte rritur e bërë një qytet i madh, por popullsia e tij dhe e mbarë zonës gjatë shekujve është shpërngulur në zonat fushore përtej malit të Dajtit, në fushën e madhe të Tiranës e të Durrsit.
Banorët e Shën Palit të Tiranës dhe të mbarë zonave rrotull, kishin shërbyer si ushtarë në ushtrinë e Aleksandrit të Madh të Maqedonisë, si pjesëtarë të falangës ilire. Në shekujt e mëvonshëm banorët e atyre zonave ushtronin kurbetin sezonal si bujq. Ata shquheshin për kthimin e tokave bujqësore me bel. Jo larg kësaj zone banonin fiset ilire të pirustëve (në Mirditë), të njohur për nxjerrjen dhe përpunimin e hekurit. Kuptohet se belat e kazmat që përdornin bujqit e atyre zonave përreth ishin prodhime të mira të pirustëve. Gjatë muajve të ngrohtë të vitit ata shkonin e punonin për të kthyer tokat në shumë fusha pjellore të Maqedonisë deri te gjiri i Thesalonikut. Pas pushtimit osman këta banorë filluan të shkonin për të punuar edhe në rrethet e Stambollit. Duke qenë se këtë zanat fshatarët e këtyre zonave e kryenin vit për vit në mënyrë të vazhdueshme nga brezi në brez, burrat kurbetllinj u detyruan të mësonin greqishten e më vonë edhe turqishten, si gjuhë komunikimi, natyrisht me një fjalor jo të pasur. Por këto gjuhë nuk u bënë gjuhë shtëpie, sepse gratë nuk patën nevojë t’i mësonin ato. Kurbeti sezonal i këtyre banorëve u ndërpre kur u ndanë kufijtë më 1912-1913. Deri aty nga vitet 1955-1960 në këto zona kodrinore malore mund të takoje burra që ende mund të komunikonin greqisht dhe turqisht.
Brenda fshatit Shën Pal (Shupal) askushç nuk mban mend që të ketë pasur kishë me emrin Shën Pal. Atje ka mbeturina të kishës Shën e Premte, kurse gërmadha të kishave të tjera janë zhdukur. Fshatarët, ndonëse myslimanë, kanë pasur zakon që të përdornin një gur, ose më shumë se një gur, nga ish kishat e krishtere . Në lindje të fshatit ka një kodër ku nuk ka shtëpi të ndërtuara mbi të ose rrotull saj. Ajo quhet Kodra e Kishës. Gërmadhat e kishës, ose mbeturina të saj, sot nuk duken askund, por ky emër tregon se aty ka ekzistuar një kishë që i ka dhënë emrin kodrës. Ky emër vendi nënkupton se në atë kodër, në Mesjetën e hershme, ka ekzistuar një kishë me emrin e Shën Palit, e cila duhet të ketë qenë kuvend a manastir, si qendër e peshkopatës së rëndësishme të Bendes, të cilën e përmend historiani italian D. Farlati. Me kalimin e kohës emrin e kishës, mendojmë se e mori kodra, e cila u quajt kodra e kishës së Shën Palit. Meqenëse kjo kodër ndodhej karshi fshatit Shën Pal dhe brenda zonës me emrin Shën Pal, fshatarët e shkurtuan emrin e saj dhe e quajtën thjesht kodra e kishës, sepse ata e nënkuptonin emrin e Shën Palit, sepse ajo ishte e vetmja kishë me atë emër. Në rast se kisha do të kishte pasur emër të një shenjti tjetër, atëhere emri i saj do të shkurtohej duke ruajtur emrin e shenjtit dhe duke hequr fjalën kodra. Kështu ka raste kur mbi një kodër ka pasur ose ka një kishë me emrin Shën Mëri, ose Shën Pjetër, etj, banorët nuk thonë, po shkojmë te kodra e kishë së Shën Mërisë / Shën Pjetrit, por thonë shkurt, po shkojmë te Shën Mëria, ose te Shën Pjetri, duke shkurtuar fjalën kodra.
Fakti që kisha u ndërtua jashtë fshatit Shën Pal, tregon se ajo u ndërtua për respekt të shenjtorit, në një kohë kur emrin e tij e kishte marrë me kohë fshati dhe zona. E themi këtë mbasi dihet se kishat u lejuan të ndëroheshin në shek IV mb. Kr., kur Kostandini i Madh (Flavius Valerius Constantinus) e shpalli fenë e Krishtere, fe zyrtare. Kurse fshati dhe zona e kishin marrë emrin Shën Pal qysh në shek I-II për respekt ndaj apostullit Pal, i cili gjatë udhëtimit të tretë duke shkuar drejt kufirit të Ilirikut (gr. mehri tu Illiriku), kuptohet se kishte ndalur disa ditë aty dhe kishte predikuar, ndoshta kishte pagëzuar dhe ndonjë familje.
Fqinjë me zonën e Shën Palit të Tiranës është zona e Shën Gjergjit, e cila ka 10 fshatra me fshat kryesor fshatin Shën Gjergj. Edhe kjo zonë sot i ka banorët myslimanë të kthyer gjatë shekujve të sundimit osman. Brenda fshatit Shën Gjergj, para disa shekujsh ka ekzistuar kisha e Shën Gjergjit. Gjatë shekujve emri i kësaj kishe i dha emrin fshatit dhe më vonë gjithë zonës. Emri i fshatit dhe i zonës Shën Gjergj ka ardhur nga zgjerimi i përdorimit të emrit të kishës, një rrugë e ndryshme kjo nga ajo e krijimit të emrit të fshatit dhe të zonës Shën Pal, ku si thamë kisha u ndërtua jashtë fshatit dhe mbasi ai e kishte marrë emrin e shenjtit.
Rruajtja dhe përdorimi i këtyre emrave të krishterë për fshatrat dhe zonat përtej malit të Dajtit edhe mbas disa shekujve nga kthimi i banorëve në myslimanë, si dhe karakteri i përshpirtshëm i banorëve, mendojmë se dëshmon për përqafimin e fesë së krishtere me devocion prej të parëve të tyre. Shati i arkeologut një ditë do të zbulojë tek kodra e kishës themelet e vjetra të kuvendit (manastirit), i cili ka qenë qendra peshkopale e Bendes, prej së cilës varreshin kishat e krahinës malore të Tiranës, Martaneshit, Krujës etj .
Në Mirditë, krahinë me banorë të besimit të krishter katolik, ekziston fshati Shën Pal, ku ka ekzistuar deri më 1967 një kishë e lashtë me qelë, pra një manastir. Ky manastir i lashtë kishte pranë godinën e qelës, varrezat e fshatit dhe një shesh të madh të rrethuar me rrepe të mëdhenj shekullorë. Sheshi quhej Sheshi i kuvendit, sepse aty mblidheshin burrat në raste kuvendesh, ose festash .
Në qytetin e Pukës, pranë Zadrimës, para pushtimit osman, ka pasur gjithashtu një Abaci me emrin e Shën Palit.
Në Zadrimë, në fshatin Kabash ka qenë një kishë e lashtë me emrin Kuvendi i Shën Palit. Në kuptimin gjeografik e etnografik Kabashi i ka përkitur zonës së Zadrimës së Sipërme. Përpara këtij manastiri të lashtë ka qenë deri nga mesi i shek. XX një gur i madh, i quajtur Guri i Shën Palit. Fshatarët e Kabashit tregonin një gojëdhënë sipas së cilës ndërtuesit e manastirit e grumbulluan materialin e ndërtimit shumë më poshtë se vendi ku ndodhej Guri i Shën Palit. Të nesërmen në mëngjes fshatarët e gjetën materialin e ndërtimit pranë Gurit të Shenjtit. Kjo lëvizje e materialit të ndërtimit ndodhi dy herë, gjë që i detyroi fshatarët ta ndërtonin kishën pikërisht pranë Gurit të Shën Palit.
Po në Zadrimë, në fshatin Gomsiqe, ekziston një shkëmb i çarë, që quhet Guri i premë i Shën Palit, ose Qafa e Gurit të Shën Palit, ose Qafa e Gurit. Për të ende tregohet legjenda se kur kaloi aty Shën Pali u detyrua ta çante shkëmbin e madh me shpatë për të hapur rrugën që të lidhte Zadrimën me Mirditën .
Në fushën e Zadrimës, që shtrihet në anën e majtë të rrjedhës së lumit Drin i bashkuar, para ardhjes së pushtuesve osmanë kishte një sërë qytazash ku ishin ndërtuar prej kohëve të lashta disa kisha e manastire me emrin e Shën Palit. Në qytetin Sarda (sot Shurdhahu), kryeqendra e princërve Dukagjini, ka pasur shumë kisha, midis tyre njëra ishte me emrin e Shën Palit dhe tjetra me emrin e Shën Pjetrit. Për shumë shekuj Sarda ishte qendër peshkopale. D. Farlati pati gjetur emrat e 17 peshkopë që drejtuan peshkopatën e Sardës në vitet 1190-1491. Natyrisht kjo peshkopatë ishte shumë më e vjetër se shek XI dhe vijoi të ekzistonte edhe disa kohë pas pushtimit osman. Para vitit 1479 historiani Marin Becikemi, alias Marin Barleti , si kemi thënë më lart, kishte parë monumente prej mermeri në shtëpi të princit Pal Dukagjini, ku, dukeshin disa gjurmë, nga të cilat kuptohet, në një mënyrë të mjaftueshme, se po këtu apostulli Pal u ka predikuar njerëzve besimin e Krishtit. Sarda (Shurdhahu), pas ndërtimit të hidrocentralit të Vaut të Dejës në vitet 1971-1973, u kthye në një ishull brenda liqenit që u krijua në shtratin e lumit Drin. Sarda që nga kohët antike ka qenë një qytet i lashtë me dy mure rrethuese. Muri që rrethonte akropolin, Sardën e Sipërme ishte 370 metra, kurse tjetri që rrethonte qytetin ishte 690 metra. Paria, ku bënin pjesë familja e princëve Dukagjini dhe pasanikët e tjerë, jetonte në pjesën e sipërme, ku ishte dhe kisha e Shën Palit. Në qytetin poshtë ishte kisha e Shën Pjetrit dhe një varg kishash të tjera.
Në qytetin e Durrsit ekziston ende një gojëdhënë sipas së cilës Shën Palit, gjatë qëndrimit aty, banorët i vodhën sandalet, por legjenda nuk tregon sesi reagoi shenjtori .
Në vëllimin e shtatë të veprës Ilyrici Sacri historiani italian D. Farlati, në hyrjen për kishën e qytetit të Durrsit (ai e quan italisht Durazzo), përmend një gojëdhënë për largimin e apostullit me anije prej Durrësit. Sipas kësaj gojëdhëne ditën që Pali hipi në anije filloi një furtunë e madhe dhe apostulli zbriti në tokë ku bëri lutjet e tij të gjata. Të nesërmen, kur furtuna kishte pushuar, ai hipi sërisht në anije dhe u largua prej Durrësit. Studiuesit duke mos e ditur se Shën Pali gjatë udhëtimit të tij të katërt u ndodh dy herë në Durrës prej ku u largua me anije herën e parë për në Nikopojë dhe herën e dytë për në Brindis të Italisë, e kanë konsideruar këtë gojëdhënë të gabuar. Ata kanë sugjeruar sikur kjo legjendë i përket nisjes së Palit prej ishullit të Maltës, kur ai u nis për në Romë në mars të vitit 60 mb. Kr. Mirëpo popullsia e Maltës ka ruajtur në kujtesën e vet vetëm vajtjen e Palit në ishull, kur anija, si tregon Luka (Vep 27:41-28:1), u shkatërrua para se të mbërrinte në tokë. Gjiri ku u shkatërrua anija u quajt dhe vijon të quhet prej banorëve të Maltës Gjiri i Shën Palit. Për largimin prej Maltës në mars të vitit 60, Luka nuk bën fjalë për kohë të keqe (Vep. 28:10-11). Kështu që gojëdhëna për largimin nga Durrsi duhet lidhur me largimin e Shën Palit nga ky qytet gjatë udhëtimit të katër, si do ta shohim në kap VI.
Gojëdhënat për njerëz të shquar krijohen dhe jetojnë jo rastësisht. Ato zakonisht krijohen kur kanë ekzistuar lidhje konkrete midis personit dhe vendit a popullit që e ka krijuar. Po të mos ketë lidhje të tilla, gojëdhënat nuk krijohen dhe në rast se krijohen ato nuk jetojnë gjatë. Për këtë arsye themi se është e besueshme gojëdhëna që ka mbledhur D. Farlati për largimin e Palit me anije prej Durrësit. Etnologjia si shkencë dëshmon se popujt krijojnë dhe ruanjnë gojëdhëna që lidhen me historinë dhe jetën e tyre dhe jo të popujve të tjerë.
Kepi i Palit. Në veri të qytetit Durrës (Dyrrah) shtrihet një kep 13 km i gjatë, i cili quhet Kepi i Palit. Në gjuhën e popullit shqiptar ky kep quhet Bishti i Pallës, një deformim i emrit Bishti i Pavllës / Kepi i Pavllës. Emrin e këtij kepi në kohën antike nuk e kemi gjetur të regjistruar. Në dy harta veneciane të shek XVII ky kep është shënuar me emrin Capo di Paolo (shq. Kepi i Palit) . Natyrisht, para pushtimit romak e deri në shek I mb. Kr. ky kep ka pasur një emër tjetër. Emërimi i tij me emrin Kepi i Palit për mendimin tonë ka lidhje me vizitën e Shën Palit në portin e vogël që ishte në gjirin e këtij kepi. Ky port kryente lidhjet detare me portet e tjera; në veri me Lisin, Shkodrën, Ulqinin, etj e në jugë me Apolloninë, Aulonën (Vlorën), Orikumin, etj. Lidhjet me përtej detit, me Brindassiumin, i kryente porti i madh i Dyrrahut. Në portin e vogël të Kepit të Palit arkeologët shqiptarë kanë gjetur mbeturina të një faltoreje pagane parakristiane , por etnologu M. Tirta përmend se në qytezën e atij porti ka pasur dhe një kishë të krishtere me emrin e Shën Palit .
Në Katjel të Përrenjasit mbasi zbret rrugën e Qafës së Thanës që vjen nga Ohri dhe Pogradeci, në të majtë të rrugës ka pasur deri në vitet 1960-1970 gërmadha dhe pirgje me gurë, të cilat fshatarët nuk i trazonin sepse i konsideronin të shenjta. Ato ishin mbeturina të kishës së lashtë të Shën Palit. Fshatarët e Katjelit ishin kthyer në myslimanë gjatë pushtimit osman, pot e respektonin atë vend dhe rrëënojat si të shenjta .
Në Përmet, Shqipëri e jugut, në fillim të shek XX një prift katolik italian kishte dëgjuar një gojëdhënë sipas së cilës Shën Pali (Pavli) kishte predikuar dhe atje. Anash këtij qyteti është një shkëmb i madh, mbi 25 metra i lartë, që quhet Guri i Qytetit, ose Guri i Petras. Mbi këtë shkëmb ekzistonte deri para vitit 1967 një faltore e vogël, njëdhomshe, ku populli shkonte në një ditë të caktuar të vitit për pelegrinazh, për të kujtuar Shën Palin (Pavlin) .
Nga historia e kishës dihet se Shën Pali dhe Shën Pjetri përkujtoheshin së bashku në 29 qershor dhe shpesh krijoheshin kisha me emrin e të dy shenjtorëve. Kështu ka pasur dhe ka disa kisha të me emrin e përbashkët Shën Pjetër e Shën Pal, si në veri dhe në jugë të Shqipërisë. Mirëpo kishat e mëdha ose të vogla që kanë pasur vetëm emrin e Shën Palit, të nxisin për të menduar se ato janë krijuar shumë herët si pasojë e ekzistencës së një respekti të vecantë për këtë shenjtor, respekt të cilin ai e kishte fituar me punën e tij në teren dhe jo pvrmes leximit të veprave të tij, ose përmes respektit që përpiqeshin të ngjallnin te besimtarët priftërinjtë e ndryshëm.
Fakti që faltorja e vogël mbi Gurin e Qytetit në Përmet ka pasur vetëm emrin e Shën Palit dhe jo emrin Shën Pjetër e Shën Pal, si dhe fakti që banorët shkonin atje për të falur vetëm Shën Palin dhe jo të dy shenjtorët bashkë, tregon se kjo kishëzë ka qenë krijuar në një vend ku ruhej kujtimi se apostulli Pal kishte ndalur e kishte predikuar, ndoshta kishte bërë dhe ndonjë mbrekulli. Ky mendim vlen dhe për disa kisha të tjera që kanë emrin vetëm të Shën Palit.
Në fshatin Backë të Skraparit, jo larg Përmetit, ekziston një burim që quhet Kroi Pal. Për këtë burim ka një gojëdhënë sipas së cilës aty ka pushuar e ka pirë ujë Shën Pali para se të shkonte në fshat . Fshati Backë është një vendbanim i lashtë që nga shek IV-II p. Kr . Banorët e sotëm janë kthyen në myslimanë të ritit bektashi rreth shek XVIII-XIX. Aty ka një teqe madhështore. Baballarët e kësaj teqeje edhe pse i shërbenin besimit mysliman nuk u bënë vegla të pushtuesit osman. Gjatë Rilindjes Kombëtare Shqiptare teqeja e Backës, bashkë me teqenë e Frashërit të Përmetit dhe atë të Melcanit të Korcës, etj, luajtën një rol të ndjeshëm atdhetar. Aty mësohej gjuha shqipe, strehoheshin cetat e armatosura që luftonin për liri, etj.
Forma e emrit Kroi Pal tregon se ky emër është i kohës së lashtë para se të fillonte ndikimi i kishës Orthodokse të Kostandinopojës kur emri Pal filloi të përdorej në formën Pavllo, nën ndikimin e gjuhës greke që shërbente si gjuha e kishës.
Lumi Pavlla. Në pjesën më jugore të Shqipërisë më poshtë se Butrinti (Buthrotum) afër kufirit me Greqinë kalon Lumi Pavlla / Lumi i Pavllës. Ky lumë ka dy degë, dega më e gjatë buron në Shqipëri dhe quhet përroi i Kroqit, ose përroi Ksanthos, dega tjetër quhet Shamata dhe buron brenda kufirit të shtetit grek. Ky lumë është i shkurtër, gjithsej 33 milje (50 km). Në kohën antike parakristiane, ky lumë përmendet prej poetit romak Virgjil Maroni (Virgili Maronis) në poemën Eneida me emrin Ksanthos . Ndërrimi i emrit të këtij lumi nga Ksanthos në Pal / Pavlla ka ndodhur gjatë Mesjetës së Hershme.
Sot brenda territorit të shtetit grek ndodhet fshati Povlla . Ky fshat sot ndodhet në disa lugina të thepisura, pranë fshatit Samatakis (shq. Shamata) ku buron përroi kryesor Samatas (shq. Shamata). Në fshatin Povlla rridhnin përrenjtë e vegjël Steras (shq. Shterra) dhe Drimon (shq. Dushk / Dushkajë), që derdhen në përroin kryesor Samatas. Në shek I-IX mb. Kr. ky fshat bashkë me kishën që kishte merin e Shën Palit duhet të ketë qenë diku në zonën fushore afër vendit ku lumi Pavlla ndëpret rrugën që kalon nga Butrinti në Nikopojë (Nikopolis) . Në anën e majtë të rrjedhës së lumit Pavlla, pranë kryqëzimit të rrugës me lumin gjendet një fshat shqiptar relativisht i ri me emrin Ciflig. Aty rrotull janë gjetur mbeturina arkeologjike. Ne mendojmë se diku aty duhet të ketë qenë fillimisht kisha e Shën Palit / Shën Pavlit, si dhe fshati që kishte po atë emër. Gjatë shekujve të parë të pushtimit osman, shek XV-XVII, ky fshat mendojmë se është djegur e shkatërruar. Banorët mund të jenë larguar, disa duke ikur larg e disa duke u vendosur në thellësi të luginës te përrenjtë Shterra e Shamata, ku riformuan fshatin Pavlla / Povlla. E sugjerojmë këtë shpërngulje të fshatit Pavlla / Povlla, nga fusha në grykat e thepisura, sepse emri i tij ka qenë i lidhur burimisht me emrin e Shën Palit / Shën Pavlit dhe me emrin e lumit Pavlla. Mirëpo ndodhja e tij sot larg lumit Pavlla, tregon se ky fshat, që e ka marrë emrin prej kishës së Shën Palit / Pavlit, nuk mund të ketë qenë që në kohën e hershme aq larg prej rrjedhës së lumit që ka emrin e të njëjtit shenjtor. Kisha, fshati dhe lumi, emrat e të cilëve lidheshin me emrin e Shën Palit, pa tjetër në origjinë duhet të kenë qenë shumë afër njëri tjetrit. Po të kishte qenë fshati Povlla që në antikitet në atë vend ku ndodhet sot, atëhere përroi Shamata (gr. Samatas) duhej të ishte quajtur përroi Pavlla, si vazhdim i lumit Pavlla.
Përsa i përket ndërrimit të emrit të lumit nga Ksanthos në Pal / Pavlla, për mendimin tonë, mund të shpjegohet me ndalesën e Shën Palit gjatë kalimit nga Butrinti në Nikopojë aty ku kryqëzohet lumi me rrugën, ku ka ekzistuar një fshat ose qytezë. Pas disa ditë predikimesh apostulli ka pagëzuar njërëz te lumi Ksanthos. Me kalimin e viteve, duke u shtuar të krishterët, vendi ku u kryen pagëzimet e para prej Shën Palit, filloi të quhej vendi i Shën Palit, lumi i Shën Palit. Kështu mund të ketë ndërruar emri i lumit nga lumi Ksanthos në lumi i Shën Palit / lumi i Palit..
Aty nga shek IV-V, mbasi u lejua ndërtimi i kishave, për respekt të këtij shenjtori, atje u ndërtua një kishë me emrin e Shën Palit. Më vonë prej kësaj kishe e mori emrin vetë fshati, emri i hershëm i të cilit duhet të ketë qenë ndryshe. Pra së pari e ndërroi emrin lumi nga Ksanthos në Lumi Pal / Shën Pal, pastaj e ndërroi emrin edhe fshati prej kishës së Shën Palit që u ndërtua aty. Mbas ndarjes së kishës në shek XI, kisha orthodokse e Kostandinopojës, që kishte greqishten për gjuhë kishe, ndikoi që emri Shën Pal të kthehej në Shën Pavllo (gr. Ajos Pavllos), kurse emri i lumit të merrte formën lumi Pavlla / Pavllo. Banorët e fshatit, të cilët në origjinë ishin epirotë ilirë, dalngadal u greqizuan nën ndikimin e gjuhës së kishës. Themi se banorët e parë të fshatit Povlla / Pavlla kanë qenë ilirë, të cilët gjatë kohës së Perandorisë Bizantine u greqizuan nën ndikimin e gjuhës së kishës, sepse shumë autorë të vjetër grekë i kanë quajtur barbarë, pra jogrekë, fiset epirote të kaonëve, thesprotëve, mollosëve etj. Po ashtu emrat e përrenjve Shamata (gr. Samatas) e Shterra (gr. Setras) dhe emri i fshatit Samatakis janë ilire / shqiptare, sepse kanë kuptim në gjuhën shqipe, por jo në gjuhën greke.
Gjatë kërkimeve që bënim për lumin Pavlla, hidrologu Niko Pano na tha se kishte dëgjuar se emri i këtij lumi lidhet me emrin e ushtarakut romak Pal Emili (Paulus Aemilus), i cili pushtoi Ilirinë, Epirin, dhe Maqedoninë. Ky mendim është i papranueshëm, sepse një popull mund të ndryshojë emrin e një lumi a të një vendi, për respekt të një personaliti të shquar, i cili ka bërë vepra me vlerë për atë popull. I tillë ishte Shën Pali dhe jo Pal Emili. Ky ushtarak romak gjatë luftrave iliro-romake, maqedono-romake dhe epiroto-romake vrau me mijra njerëz, dogji me dhjetra e qindra fshatra e qytete, skllavëroi me qindra mijra banorë të atyre vendeve. Vetëm në Epir, si shkriuajnë autorët e asaj kohe, ai shkatërroi 70 vendbanime me kala dhe morii 150.000 skllevër të cilët i shpuri në Romë. Për pushtuesit vrastarë popujt kanë urrejtje dhe jo respekt, prandaj ata nuk mund t’i ndërrojnë emrat e fshatrave, qyteteve, lumenjve, ose gadishujve dhe t’i emërojnë me emrat e tyre. Emri i Palit / Shën Palit (Pavllos), që haset sot si emër fshatrash, kepi, ose lumi, shpreh respektin e popullit ilir / shqiptar për apostullin e parë të fesë së krishtere dhe për asnjë tjetër person që ka pasur të njëjtin emër.
Vlen të përmendim këtu dhe faktin se krahas emrave të vendeve dhe legjendave që lidhen me emrin e Shën Palit, në zonat katolike të Shqipërisë Veriore (Mirditë, Kurbin, Zadrimë, Lezhë) respekti për Shën Palin është më i fortë se respekti për Shën Pjetrin. Klerikët katolikë nën ndikimin e kishës së Romës janë përpjekur të ngjallin respekt më të madh për Shën Pjetrin, por nuk kanë mundur ta ndryshojnë këtë traditë të lashtë popullore. Në Krubin, statistikat e emrave tregojnë se midis 6-7 meshkujve, njëri e ka pjesë përbërëse të emrit ose mbiemrit emrin Pal .

Në fshatrat ilire barbare Shën Pali ka pasur me vete përkthyes.
Shën Palit kur është nisur për të shkuar prej Thesalonikut e Bereas drejt Ilirikut, patjetër ka pasur nevojë të kishte të paktën një përkthyes, mbasi fshatarët ilirë të atyre zonave nuk e kuptonin greqishten, gjuhën e predikimeve të tij. Të punë mendojmë se e ka kryer shoqëruesi Sopater, djali i Pirros (Pyrrhus). Ky djalosh bashkë me të atin, si kemi thënë më parë, ishin njohur me Palin në qytetin e tyre, në Berea, gjatë udhëtimit të dytë misionar. Emrat e tyre nuk janë emra grekë, por ilirë. Qyteti Berea dhe gjithë karahina e tretë e Provincës së Maqedonisë kishte shumë banorë ilirë, si shkruan historiani romak Tit Livi: “Krahina e tretë [e Maqedonisë] ka qytetet e shkëlqyera: Edesën e Beroean (Berean) e Palen edhe fisin luftarak të vetijve, dhe shumë e shumë banorë galë e ilirë, bujq të shkathët” .
Sopatri, ndoshta bashkë me të atin e kanë kryer funksionin e përkthyesit në ato zona barbare. Ata e kanë shoqëruar Palin gjatë udhëtimit të tretë mbas largimit nga Thesaloniku e Berea, kur Pali me grupin shkoi në zona barbare drejt veri-perëndimit deri në Ilirik. Shoqërimi i tyre gjatë kësaj pjese të udhëtimit të tretë, bëhet i kuptueshëm prej Lukës, i cili përmend se gjatë largimit të Palit prej Kenkreas së Korintit deri në Azi e shoqëroi Sopateri i Pirros (Vep 20:4). Për ne kjo shprehje dëshmon qartë se të paktën Sopatri ka qenë shoqërues i Palit gjatë gjithë rrugës nga Thesaloniku në Bende të Tiranës, në Zadrimën e Sipërme, në Lis, Dyrrah, Nikopojë, Korint, Kenkrea e pastaj deri në Azi. Babai i tij Pirrua, në rast se ishte në grupin e shoqëruesve nga Thesaloniku deri në Ilirik, në Lis, në Dyrrah, Nikopojë e Kenkrea, këtu duhet të jetë ndarë prej grupit dhe ka shkuar në shtëpi të vet në Berea. Luka nuk e përmend Pirron si shoqërues në rrugën nga Kenkrea në Azi. Me interes është fakti se Luka, kur e përmend Sopartin, jep vetëm sqarimin se ai është biri i Pirros dhe se është nga Berea, por nuk jep sqarim për kombësinë e tij, si jep për Aristarkun, të cilin e quan maqedonas.

Filed Under: Kulture Tagged With: e Shën Palit, gojëdhëna shqiptare, me emrin, që lidhen, Thanas Gjika, Toponime dhe

PROF. THANAS GJIKA: SHENDET E TE SHKUARA Z. AGIM KARAGJOZI!

November 17, 2013 by dgreca

Në Foto: Thanas Gjika me z. Agim Karagjozi, gjatë vizitës në shtëpinë e z. Karagjozi, Floral Park, NY/

Z. Agim Karagjozi më bëri borxhlli gjatë vitit jubilar të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Kur une i kerkova sponsorizim per botimin e studimit monografik “Mihal Grameno jeta dhe vepra“, ai m’u përgjigj pa hezitim dhe më dërgoi ndihmën e tij bujare. Mbasi e botova librin ia dërgova një kopje me falenderime. Z. Karagjozi e lexoi dhe me pergezoi ne telefon. E ndjeva veten të detyruar që unë të mos mjaftohesha vetëm me falenderime telefonike, por të gjeja rastin dhe t’i bëja një vizitë respekti. Keshtu në maj-qershor të ketij viti, kur shkova ne New Yourk, i bëra një vizitë në shtëpi . I urti Agim më priti në dhomën e ndënjies, ku ai kalonte shumë orë të ditës.

Duke biseduar për Mihal Gramenon dhe Ç erçiz Topullin, më tha se i kishte pasur modele frymëzimi gjatë jetës së tij. Pastaj vijoi të më tregonte për jetën e tij të fëmijërisë e më vonë për punën kushtuar mbarëvajtejes së Shoqerise Vatra. Kur e degjoja që fliste me entusiazem vetëm e vetëm për atdheun me një pamje prej rilindasi, mendova se Vatra kishte fat qe kishte pasur e ka në drejtim te saj këtë atdhetar modest e të përkushtuar. Mbasi e dëgjova disa momente, guxova dhe i thashë se duhej të shkruante kujtimet e jetës së tij, por ai m’u pergjigj me thjeshtësinë e tij karakteristike: Unë nuk jam ndonjë personalitet i spikatur historik, jeta ime është e dokumentuar në veprimtarinë e Vatrës, kujt t’i interesoje kjo veprimtari ka për të mësuar dhe për jetën e veprimtarinë time.

Disa minuta pas qirasjeve qe na bëri zonja e tij, u largova per te mos e lodhur më gjatë këtë rilindës të ditëve tona. Sipas zakonit shqiptar, z. Agim u ngrit e më përcolli tek porta e shtëpisë. Me këtë rast, iu luta nipit tim, studentit Gjergj Bimbli, i cili me shpuri per vizite me makinen e tij, të më bënte këtë foto, e cila për mua ka vlera e emocione të vecanta. U ndamë me urimin që të shihemi e të takoheshim sërisht.

Z. Agim, ju uroj me gjithë zemër që të bëheni mirë dhe të takohemi përsëri, sepse një takim me ju, një bisedë me ju, ma forcon vendosmërinë për të punuar për të mirën e atdheut dhe të popullit tonë.(Thanas Gjika)

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: agim karagjozi, mesazh, Thanas Gjika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Eposi i Kreshnikëve” dhe një përkujtim për Prof. Arshi Pipën e Prof. Stavro Skendin
  • “Columbia University Albanian Society,” organizon ekspozitën muzeale “Fëmijët e së Nesërmes”
  • VATRA VIZITOI “ZËRIN E AMERIKËS”
  • Mary Camaj: Celebrating Albanian Heritage through Dance and Advocacy
  • KRESHNIKË, LEGJENDA DHE MUZIKË…
  • TRAZIRA GJEOPOLITIKE ME TRYSNI BËRTHAMORE
  • VATRA U TAKUA ME KRYETARIN E PARLAMENTIT TË KOSOVËS
  • Natyra dhe ne
  • TE VATRA SONTE NE ORA 6.30 PM, PROF.DR. ZYMER NEZIRI MBAN LIGJËRATË RRETH EPOSIT TE KRESHNIKEVE
  • “Diplomacia ndërkombëtare dhe çështja e Kosovës 1997-1999”
  • Bektashizmi në Shqipëri dhe roli i tij në përhapjen e shkollave shqipe
  • Kryetari Glauk Konjufca në Samitin për Demokraci: Kosova ka shënuar progres të jashtëzakonshëm
  • Artisti shqiptar, Alfred Mirashi – Miloti, vendos në Piazza Mercato, Napoli, skulpturën monumentale “Çelësi i së sotmes”
  • VATRA FTON TË GJITHË SHQIPTARËT E AMERIKËS NË PROMOVIMIN E LIBRIT: “FËMIJËT SHQIPTARË NË KOSOVË-VIKTIMA TË GJENOCIDIT SHTETËROR TË SERBISË”
  • Për herë të parë në Amerikë, ribotohet “Albumi” i Fan Nolit

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT