Nga SKËNDER BUҪPAPAJ/
Dafina, kjo bimë mesdhetare me gjethe gjithmonë të gjelbra e me erë të këndshme, për çka është dhe simbol i fitores, triumfit e lavdisë, por edhe, bash për shkak të ngjyrës tunduese dhe erës gjumëndjellëse, simbol i vetëshkujdesjes, vetëdehjes dhe vetëkënaqësisë, në fakt nuk ka si të mos jetë edhe shoqëruesja metaforike e atmosferës që përjeton dhe përcjell Tirana e këtyre ditëve të fundit të nëntorit 2012.Kryeqyteti i Shqipërisë dhe i shqiptarëve është kryeqendër e festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë, të shpallur në Vlorë më 28 Nëntor 1912, nga Plaku i Vlorës Ismail Qemali dhe të thirrurit e tij të asaj dite nga anë të ndryshme të vendit. Ishte e natyrshme që viti i 100të i shtetit tonë të qe vit i bilancit shekullor në të gjitha fushat, vit i rishikimit dhe i ripasurimit të historisë sonë në një dritë të re të munguar më herët për faje subjektive dhe objektive. Është e natyrshme që fundi i këtij viti të jetë edhe vit i konfirmimit dhe rikonfirmimit, kritik e vetëkritik të heriarkisë së ngjarjeve, personaliteteve, zhvillimeve të kombit.
Ruajtja e integritetit territorial të Shqipërisë së dalë nga 28 Nëntori 2012, pavarësia e Kosovës e shpallur zyrtarisht para katër-pesë vjetësh, integrimi i Shqipërisë në NATO dhe statusi i kandidatit për në BE janë disa nga arritjet, triumfet, fitoret që meritojnë të jenë pjesë e bilancit tonë shekullor. Lavdia e tyre relativizohet nga kthimet e shumta prapa gjatë kësaj historie dhe nga prirjet e fuqishme sot e kësaj dite për kthime prapa, madje për kthime fatale mbrapa. Edhe meritat tona të përgjithshme e ato të veçanta relativizohen, për shkak të rolit dhe pjesëmarrjes sonë – mbarë apo mbrapsht – në këto dukuri.
Kundërthëniet e përjetshme të ndërthurura me ato koniunkturore e karakterizojnë edhe jetën e kombit tonë numerikisht të vogël, ashtu si e karakterizojnë jo pak edhe jetën e kombeve të tjera numerikisht të mëdhenj apo shumë të mëdhenj. Tek i përmendim dafinat, triumfet, fitoret, lavditë është e pamundur të mos e kujtojmë Trojën atë natë kur mikpriste dhuratën e Odisesë, ndonëse Tiranës së sotme i mungojnë Priamët sikurse dhe Laookontët. Tirana e sotme karakterizohet nga sharlatanë që i rrëmbejnë për vete kurorat e dafinave dhe ua përplasin të tjerëve kurorat e gjembave. Kështu ndodh që e njëjta kokë që vetëstoliset me dafina, njëkohësisht përdhoset me gjemba nga pala tjetër.
Nëse kjo dukuri do të kufizohej në studiot, në konferencat, në botimet dhe publikimet, pa dyshim do të ishte normale dhe do të ishte e natyrshme si në çdo vend tjetër të hapur, me dëshirë apo pa dëshirë, ndaj botës. Në Shqipëri ndodh ajo që nuk ndodh as në kulturat më retrograde, nuk ndodh as në kontekstet më ballkanike, ku Shqipëria jonë përfaqëson tashmë, e vetme, kampionen. Vetëm në Shqipëri, edhe gati një çerek shekulli pas hapjes ndaj botës, ndodh që festimet bëhen me dy protokolle paralele, vetëm në Shqipëri ndodh që e njëjta figurë lartohet në qiell prej një pale, ndërsa fundoset në fund të baltës nga pala tjetër.
E keqja më e madhe e më e zezë është se kjo nuk bëhet për llogari të figurave historike as për llogarit të historisë kombëtare, as për llogari të 100 vjetorit të shtetit, por bëhet për llogari të sharlatanëve që janë sot në krye të Tiranës, të cilët e rrezatojnë sharlatanërinë e tyre anembanë vendit dhe anembanë shqiptarëve, tashmë jo të izoluar, por në praninë e syve të botës, në praninë e syve të hapur të botës. E keqja është se sulmohen apo mbrohen figurat e mëdha, absolutizohen anët e tyre negative nga sulmuesit dhe ato pozitive nga mbrojtësit, vetëm për të madhështuar të tjerët dhe për t’i ulur të tjerët. Kjo bëhet vetëm ngaqë duan të identifikojnë veten e tyre si Zogu i sotëm, si Enveri i sotëm, pse jo edhe si Skënderbeu i sotëm.
Rradaket e tyre boshe e të thata nuk mund të kuptojnë se figurat sa më të mëdha të jenë, aq më mbresëlënëse dhe aq më të pashpërfillshme bëhen të metat e tyre. Dhe harrojnë se figurat sado të mëdha, aq sa të pajisura me lartësi njerëzore janë edhe të pajisura me dobësi njerëzore. Harrojnë se edhe profetët kanë pasur lartësitë dhe dobësitë njerëzore, edhe gjenitë, edhe heronjtë nuk i kanë shpëtuar dhe nuk kanë për t’i shpëtuar dot këtij rregulli. Kush i ka lexuar librat e shenjtë, kush i ka lexuar thëniet e profetëve, kush e ka njohur jetën e përditshme të figurave më të larta të njerëzimit, të interpretuar e të dëshmuar prej vetë atyre, e pranon me gjakftohtësi se edhe figurat e larta shqiptare kanë pasur lartësitë dhe madhështitë, ultësitë dhe dobësitë.
Sharlatanët në krye të Tiranës nuk ua pranojnë këto gjoja të adhuruarve të tyre, gjoja shembelltyrave të tyre, gjoja udhërrëfyesve të tyre jo se druajnë errësimin e realitetit, por druajnë se mos vihet në diskutim edhe madhështia e lartësia e mbretëruesve të sotëm, druajnë se mos ultësitë dhe dobësitë i mbulojnë dhe i fundosin. Kjo vjen ngaqë janë të paemancipuar, janë mediokër, janë politikanucë, janë enverucë, janë diplomatucë, por nuk kanë lidhje as me Gjergj Kastriot Skënderbeun, as me Ismail Qemalin, as me Ahmet Zogun. Këta tre do të trupëroheshin nga ata që përpiqen sot të fitojnë votat duke i monopolizuar figurat e tyre.
Populli shqiptar i njeh krerët e Tiranës dhe, ngaqë, në gjendjen ku ndodhet, prapë është shumë herë më i lartë se sharlatanët që e drejtojnë, i pranon. Ngaqë këta i kanë mbetur në derë, i pranon ashtu si janë, me të metat e shumëta dhe ligësitë e shumëta. I pranon, sepse bën relativizime mes dëmit dhe dobisë së tyre, bën relativizime në kuadrin e një historie mbijetese, çka është edhe kjo e 100 viteteve të fundit.
As Pavarësia e Shqipërisë, aq më tepër në këtë 100 vjetor, nuk do t’iu shpëtojë kornizave krahinore dhe ideologjike, ashtu si nuk iu ka shpëtuar as Ҫlirimi i Shqipërisë. As Pavarësia nuk do t’iu shpëtojë gjembave të një pale, as Ҫlirimit nuk do t’iu shpëtojë gjembave të palës tjetër. Në vend që të forconte unitetin kombëtar, edhe Festa e Pavarësisë po e thellon anarshinë. Në fakt as njëra palë, as pala tjetër nuk e pranojnë e nuk e përfytyrojnë dot shqiponjën me dy krerë në fushën e kuqe, sepse në vend të saj përfytyrojnë drapërin dhe çekanin. Ngaqë sharlatanëria e sotme i ka rrënjët jo tek data të tjera, por thjesht e vetëm tek 8 nëntori 1941 i dushanianëve dhe miladinianëve. Janë pikërisht dushanianët dhe miladinianët, dikur në krye të të njëjtës parti dhe, prej gati një çerekshekulli, tashmë në krye të dy partive.