Kandidati republikan për Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump, është zotuar se do ta “burgos” rivalen e tij demokrate, Hillary Clinton, nëse ai zgjidhet president i SHBA-ve. Nga ana tjetër, Clinton ka thënë se karakteri i rivalit të saj e bën atë të mos jetë i përshtatshëm për Shtëpinë e Bardhë./
Debati i ashpër mes Clintonit dhe Trumpit/
Në Saint Louis të Misurit është zhivilluar debati i dytë presidencial ndërmjet Hillary Clinton dhe Doland Trump.Kandidatja demorakte për presidente Hillary Clinton dhe rivali i saj republikan, Donald Trump zhvilluan një debat të ashpër, teksa Trump është zotuar se do ta “burgos” kundërshtaren e tij demokrate, nëse zgjidhet president i Shteteve të Bashkuara, përderisa Clinton ka thënë se karakteri i rivalit të saj e bën atë të mos jetë i përshtatshëm për Shtëpinë e Bardhë.
Në debatin e dytë presidencial, Trump është pyetur për një video incizim të publikuar ditët e fundit, ku ai bën komente të turpshme për gratë, ndërkaq Clinton është pyetur për trajtimin e materialeve të ndjeshme dhe për pretendimet se Rusia po tenton të ndërhyjë në zgjedhjet e 8 nëntorit në SHBA.
Duke u përgjigjur për videon e vitit 2005, Trump ka thënë se nuk është “krenar” me gjërat që ka thënë në këtë video, por ka shtuar se ish-presidenti amerikan Bill Clinton – që është bashkëshorti i kundërkandidates së tij – ka bërë gjëra “shumë më të këqija” se ai në këtë drejtim.
“Ishte bisedë spontane. Nuk jam krenar për këtë gjë. I kërkoj falje familjes sime dhe popullit amerikan. Sigurisht se nuk jam krenar për një gjë të tillë. Por ju e dini se në botë ne kemi IS-in që pren koka njerëzish, që i mbyllin njerëzit nëpër kafaze, kemi luftëra të tmerrshme gjithandej. Kjo që po ndodhë është si në mesjetë, ne nuk kemi parë më parë diçka të ngjashme. A mund të imagjinoni njerëzit që janë duke bërë shumë më mirë kundër nesh me IS-in dhe ata e shikojnë shtetin tonë dhe e shohin se çfarë po ndodhë. Po, jam i turpëruar për këtë gjë”, ka thënë Trump.
Por, Clinton ka thënë gjatë debatit se ky xhirim jep më shumë të dhëna që dëshmojnë se Trump nuk është i përshtatshëm për të qenë president i SHBA-së.
“Si të gjithë, edhe unë kam kaluar këto 48 orë duke menduar për atë që dëgjova dhe pash. E dini, me kandidatët e mëparshëm republikan për president, nuk jam pajtuar për politikën, politikat e tyre, parimet, por kurrë nuk kam vënë në dyshim përshtatshmërinë e tyre për të qenë president.”
“Donald Trump është ndryshe. Unë në qershor kam thënë se ai nuk është i përshtatshëm që të bëhet president. Dhe shumë republikanë dhe të pavarur kanë thënë të njëjtën gjë. Atë që e dëgjuam dhe e pamë të premten ishte Donaldi duke folur për gratë, se si ai mendon për gratë dhe çfarë ju bën atyre. Ai thotë se kjo video nuk pasqyron atë që ai është. Por, unë mendoj se të gjithë ata që e kanë dëgjuar e dinë se ky xhirim prezenton atë që ai është”, ka thënë kandidatja demokrate.
Publikimi i videos, më 7 tetor, erdhi pasi sondazhi i kryer nga Reuters-Ipsos tregonte se Clinton është në epërsi ndaj Trump me 5 pikë.
Debati i ashpër mes Trump dhe Clinton vazhdoi edhe në çështje të tjera, përfshirë edhe përdorimin e email-it privat nga Clinton në kohën kur ishte Sekretare e Shtetit.
Clinton ka thënë se është mirë “që dikush me temperamentin e Donald Trumpit nuk është përgjegjës sundimin e ligjit”, dhe Trump u kundërpërgjigj “sepse ti do ishte në burg”.
Clinton, gjithashtu, ka akuzuar Rusinë për krizën në Ukrainë, konfilktin në Siri dhe për orkestrimin e sulmeve kibernetike kundër organizatave të SHBA-së dhe individëve për të ndihmuar që Trump të zgjidhet president.
“Asnjëherë në historinë e shtetit tonë nuk kemi pasur një situatë të tillë, ku një fuqi e huaj, po punon aq shumë që të ndikojë në rezultatet e zgjedhjeve tona dhe më besoni, ata nuk po e bëjnë këtë që unë të zgjidhem presidente. Ata janë duke tentuar që të ndikojnë në zgjedhje për Donlad Trump”, ka thënë Clinton.
Por, Trump, i cili më herët ka lavdëruar presidentin rus, Vladimir Putin dhe ka thënë se do të përmirësojë marrëdhëniet me Moskën, ka thënë se komentet e Clinton janë “qesharake”.
Dy kandidatët kanë folur edhe për çështjen e Sirisë. Demokratja Clinton e ka cilësuar situatën atje si “katastrofale”, duke thënë se çdo ditë që kalon “ne shohim rezutltatet e regjimit sirian dhe partnerëve të tyre në terren, iranianëve, dhe atyre në ajër, rusëve, duke bombarduar, veçanërish në Alepo”.
Ndërkaq, Trump, i cili ka thënë se nuk i pëlqen presidenti sirian Bashar al-Assad, ka thënë se ai dhe Rusia janë duke luftuar IS-in.
“Tash për tash, Siria është duke e luftuar IS-in. Por, Siria më nuk është Siri. Siria është Rusia dhe Irani, të cilët ajo (Clinton), sekretari John Kerry dhe Barack Obama i kanë bërë shtet shumë të fortë dhe të pasur. Shumë shpejt, besoj se ne do të arrijmë deri tek IS-i”, ka thënë Trump. (REL)
Përgatiti: Mimoza Sadiku