SPECIALE – Para 25 viteve u shua Anton Çetta, Ditë Zie e shpallur nga Presidenti Rugova/
-Në Kosovë Nëntori 2020 Muaji i Anton Çettës, Qeveria e Program aktivitetetesh, disa mbahen edhe në Shqipëri/
-Anton Çetta i lindur në 3 Janar 1920 në Gjakovë, i shkolluar edhe në Tiranë dhe Korçë, profesor letërsie, shkrimtar e mbledhës i shquar i folklorit, u shua në 3 Nëntor 1995 në Prishtinë, kur në nderimet e gjithë kombit u shpall Ditë zie në Kosovë nga Presidenti historik Ibrahim Rugova, i cili e ka derkoruar me “Medaljen e artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” në 10 Qershor 2003, në 125 vjetorin e ngjarjes historike/
-Nga raportimet e gazetës së rezistencës Bujku para 25 viteve – Presidenti Rugova: Profesor Anton Çetta do të mbetet njëri prej burrave më të mëdhenj të botës shqiptare…Ishte institucion i urtisë shqiptare…/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 3 Nëntor 2020/ Në Kosovë ky Nëntor 2020 është Muaji i Anton Çettës, i shpallur nga Qeveria në 100 vjetorin e lindjes dhe 25 vjetorin e shuarjes, që është sot, si dhe në 30 vjetorin e nisjes së aksionit të pajtimit mes shqiptarëve – pajtimit të gjaqeve, të cilit i printe.
Anton Çetta i lindur në 3 Janar 1920 në Gjakovë, i shkolluar edhe në Tiranë dhe Korçë, profesor letërsie, shkrimtar e mbledhës i shquar i folklorit, u shua në 3 Nëntor 1995 në Prishtinë, kur në nderimet e gjithë kombit u shpall Ditë zie në Kosovë nga Presidenti historik Ibrahim Rugova, i cili e ka derkoruar me “Medaljen e artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” në 10 Qershor 2003, në 125 vjetorin e ngjarjes historike. “Medalja e Paqes dhe Pajtimit Anton Çetta” është një nga dekoratat që ndante Presidenti Rugova që nga 24 Dhjetori 2003, kur nënshkroi Rregulloren për dekoratat që i jep institucioni i Presidentit të Kosovës.
Anton Çetta është dekoruar edhe nga Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu me “Medaljen e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm-Dr. Ibrahim Rugova” , në 30 Prill 2010 – 20 vjetorin e Kuvendit të Pajtimit të Verrat e Llukës. Para 30 viteve, në 1 Maj 1990, te Verrat e Llukës në rrethinën e Deçanit gjysëm milioni shqiptarë u tubuan në Kuvendin e Besëlidhjes shqiptare dhe të nisjes së aksionit të pajtimit të gjaqeve, i cili në rrethanat më të vështira të okupimit i ka bashkuar drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
“Profesor Anton Cetta do të mbetet njëri prej burrave më të mëdhenj të botës shqiptare. Vepra e tij e madhe ishte udhëheqja e aksionit të madh kombëtar e njërëzor – pajtimi i gjaqeve në fillim të viteve ’90-të…Profesori Anton kontribuoi në forcimin e rrugës për liri e pavarësi duke u zgjedhur deputet i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e para të lira. Kisha nderin të jem student i tij dhe ta kam mik”, shprehej Presidenti Rugova para 25 viteve në mbledhje komemorative.
Në muzeun “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova” në Prishtinë ruhet një fotografi krejt e veçantë, e Anton Çettës me Presidentin historik Ibrahim Rugova, e cila e vetme i ka shpëtuar djegies nga zjarri i vënë në atë shtëpi nga forcat serbe para 21 viteve – në pranverën 1999.
Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe Programin e aktiviteteve gjatë nëntorit në përkujtim dhe nderim të jetës dhe veprës së Anton Çettës, disa prej të cilave do mbahen edhe në Shqipëri:
Përurimi i veprave të Anton Çettës; Përurimi i Kullës se Fazli Buqollit në Raushiq, investim i Ministrisë se Kulturës, Rinisë dhe Sportit; Këndi i Anton Çettës – ekspozitë në Muzeun Kombëtar të Kosovës; Emisione Televizive- RTK, shfaqja e emisioneve dhe dokumentareve te vjetra dhe punimi i një dokumentari të ri; Simpozium shkencor në Prishtinë dhe Tiranë; Ekspozitë e fotografive ne Prishtinë dhe Tiranë – Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Muzeu Kombëtar i Kosovës dhe Muzeu Historik në Tiranë; Themelimi i Çmimit “Anton Çetta”.
Në 4 Maj 2017 Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, ka aprovuar kërkesën e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Pejës për përfshirjen e hapësirës Verrat e Llukës, në Fshatin Llukë të Epërme të Komunës së Deçanit, në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje.
Me atë rast u theksua se, me këtë akt institucionet e Kosovës shtet nga 17 Shkurti historik 2008 i shpalljes së Pavarësisë, tregojnë e vijojnë kujdesin e shtuar ndaj trashëgimisë kulturore të Kosovës, të cilën e marrin në mbrojtje, e promovojnë dhe ua përcjellin brezave si vlerë e shtetit të Kosovës.
Gazeta Bujku, e përditëshme e rezistencës, e lëvizjes për liri e pavarësi të Kosovës, me orientim e përcaktim të fuqishëm propërëndimor euroatlantik që nisi të dalë nga 18 Janari 1991, kryeredaktori i parë-themelusi i së cilës isha, e që sfidonte ndalimin e dhunshëm nga regjimi okupator serb të gazetës Rilindja – të vetmes të përditshme shqipe në Kosovë, në numrin e 6 Nëntorit 2005 – ditë e hënë, në ballinë e në dy faqe tjera të brendshme shkruante gjerësisht, duke nisur me mbititullin “Të premtën kah mesnata vdiq Profesor Anton Çetta” dhe me kryetitullin “Mbetëm pa një emër të shquar të kulturës shqiptare”.
“Kumti i rëndë dhe i dhembshëm se të premtën në mbrëmje, në Prishtinë, në moshën 75 vjeçare, vdiq intelektuali ynë i shquar Anton Çetta, jehoi pikëllueshëm ndër të gjitha mjediset shqiptare”, shkruante gazeta Bujku, e cila lart në ballinë kishte kryelajmin.
ME RASTIN E VDEKJES SË ANTON ÇETTËS
Sot ditë zie në Republikën e Kosovës
Presidenti i Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, me rastin e vdekjes së deputetit më të vjetër – Anton Çetta, të zgjedhur në zgjedhjet shumëpartiake dhe të lira për Parlamentin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 24 maj 1992, shpalli ditë zie 6 nëntorin e vitit 1995.
Në ballinë Gazeta Bujku shkruante edhe për ngushëllimet nga Shqipëria me titullin “Presidenti Berisha ngushëlloi Rugovën dhe Familjen Çetta”, ndërsa duke raportuar nga mbledhja komemorative në Prishtinë të plotë e të veçantë botonte:
FJALA E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA
Anton Çetta ishte institucion i urtisë shqiptare
Familje e Nderuar, Zonja dhe Zotërinj, përfaqësues të institucioneve shtetërore e kulturore të Kosovës, Miq të Anton Çettës, në emër të Republikës së Kosovës, dhe timin, më lejoni t’i them disa fjalë me rastin e vdekjes së Profesor Anton Çettës.
Profesor Anton Çetta, siç e quan populli i Kosovës, arriti për të gjallë të bëhet Institucion i urtisë shqiptare, duke zbuluar thesarin dhe shpirtin e tij dhe duke punuar për të.
Profesor Çetta është shembulli më i mirë se si pasuria intelektuale lidhet mirë me aksionin praktik në momente të vështira e të rënda për një popull. Gjatë 50 vjetëve veprimtarie, ai nuk u ndal kurrë dhe nuk u dorëzua kurrë.
Profesor Anton Çetta do të mbetet njëri prej burrave më të mëdhenj të botës shqiptare.
Sot Profesori s’ndërroi jetë, sepse Institucioni i personalitetit të tij i mendjes dhe aksionit, formulë e urtisë shqiptare, do të jetojë në brezat që vijnë dhe do të hyjë në analet shqiptare dhe ndërkombëtare.
Vepra e tij e madhe ishte udhëheqja e aksionit të madh kombëtar e njërëzor – pajtimi i gjaqeve në fillim të viteve ’90-të. Vetëm njeriu që e njeh mirë shpirtin e popullit dhe të këtyre trojeve, siç ishte Çetta, kishte mundësi të shëronte shoqërinë shqiptare, të paqetonte njerëzit, edhe në këto vite okupimi.
Profesori Anton kontribuoi në forcimin e rrugës për liri e pavarësi duke u zgjedhur deputet i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e para të lira.
Kisha nderin të jem student i tij dhe ta kam mik.
I falem kujtimit të tij.
I qoftë i lehtë dheu i Kosovës.