-Kuvendi i Kosovës sot mbajti seancë të veçantë në 20 vjetorin e masakrës mizore mbi të burgosurit shqiptarë në Burgun e Dubravës: Serbia të përgjigjet për gjenocidin e kryer në Kosovë/
-Tre të mbijetuar të masakrës, deputetë të Kuvendit të Kosovës – Nait Hasani, Liburn Aliu dhe Rasim Selmanaj/
-Vrasja në Dubravë e 160 të burgosurve dhe plagosja e mbi 300 të tjerëve tregon natyrën gjenocidale të shtetit të Serbisë, që kreu mbi 400 masakra, vrau mbi 13 mijë civilë vetëm në vitet 1998-1999 në Kosovë/
PRISHTINË, 21 Maj 2019-Gazeta DIELLI/ Në Kosovë, Dubravë, para 20 viteve, ndodhi masakra mizore mbi të burgosurit shqiptarë, e kryer nga forcat serbe për disa ditë me radhë.
Vrasja në Dubravë e 160 të burgosurve dhe plagosja e mbi 300 të tjerëve tregon natyrën gjenocidale të shtetit të Serbisë, që kreu mbi 400 masakra, vrau mbi 13 mijë civilë vetëm në vitet 1998-1999 në Kosovë.
Masakra në Dubravë, ku ishin rreth 1000 të burgosur, ka ndodhur nga 19 deri në 24 maj 1999.
Përkujtimi i 20 vjetorit të Masakrës në Burgun e Dubravës ishte sot në axhendën e një seance të veçantë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të nisur me një minutë heshtje në kujtim të viktimave.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se ka ardhur koha që përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës të ndalojnë së vajtuari për qindra masakrat që kanë ndodhur në Kosovë, por të kërkojnë drejtësi, dhe kriminelët serbë të mijëra vrasjeve e gjenocidit në Kosovë të dalin para drejtësisë.
“Është në nderin e institucioneve të Kosovës, që ta drejtojnë gishtin andej nga duhet, e ajo është Serbia, te kriminelët, të cilët i kanë kryer këto veprime, dhe të marrim masa e veprime institucionale, të cilat nuk na bëjnë ne një shoqëri vajtuese. Por, na bëjnë ne një shtet, i cili është veprues, i cili kërkon drejtësi dhe e vendos drejtësinë në vend deri në fund”, ka thënë Veseli.
Fillimisht kanë folur tre të mbijetuar të masakrës, deputetë të Kuvendit të Kosovës – Nait Hasani, Liburn Aliu dhe Rasim Selmanaj.
Deputeti i PDK-së, i mbijetuari i kësaj masakre, Nait Hasani, ka thënë se Masakra e Burgut të Dubravës në Istog, ka qenë e tmerrshme, e planifikuar dhe e përgatitur mirë, që nga udhëheqja qëndrore e Serbisë, e deri te gardianët e këtij burgu.
Hasani ndër të tjera ka folur edhe për kallximin penal, të cilin Shoqata e të Burgosurve e ka bërë në vitit 2007, por që sipas tij, asnjë veprim nuk është bërë tash e 12 vjet. “Prandaj, unë them se nuk është trajtuar nga drejtësia prej asaj kohe deri më sot”, ka thënë Hasani.
Deputeti i VV-së, Liburn Aliu, i cili gjithashtu i ka mbijetuar kësaj masakre, ka thënë se në këtë ngjarje ka qenë e përfshirë edhe struktura qeveritare, dhe jo vetëm ajo militare. Ai ka thënë se kjo masakër, është më e dokumentuara. “Masakrës së Dubravës nuk i mungojnë dokumentimet, e as dëshmitë. Edhe përkundër kësaj, ende nuk ka drejtësi për këtë krim, sikurse për krimet tjera të kryera nga Serbia”, është shprehur Aliu.
I mbijetuari tjetër i kësaj masakre, deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj, ka rrëfyer para deputetëve se si kishte ndodhur kjo masakër. Duke qenë prezent në këtë masakër, ai tregoi se torturat në atë vend ishin të paimagjinueshme për mendjen e njeriut.
Selmanaj, madje theksoi se edhe prokuroria serbe më 15 tetor 2010, e kishte pranuar se masakra në këtë burg është kryer me urdhër të qeverisë serbe. “Vetëm rasti Dubrava mjafton që Serbia të përgjigjet për gjenocidin e kryer në Kosovë”, ka thënë deputeti Selmanaj.
Në emër të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, për Masakrën e Burgut të Dubravës, ka folur deputetja Mirjeta Kalludra. Ajo, Masakrën e Dubravës e cilësoi si vepër kriminale, të organizuar dhe orkestruar direkt nga shteti serb. “Në mënyrë të organizuar i kanë sjellë të burgosurit shqiptarë me qëllimin e vetëm që të kryhet në formën më mizore krimi. Ndërsa, të mbijetuarit të përjetojnë tmerrin e papërshkrueshëm”, ka thënë Kalludra. Po ashtu, ajo ka thënë se institucionet e Kosovës kanë për obligim që të angazhohen dhe të punojnë që drejtësia të vihet në vend.
Për Masakrën e Burgut të Dubravës, në emër të Grupit Parlamentar të Nisma Socialdemokrate, ka folur Bilall Sherifi, i cili ka thënë se ndonëse kjo temë po trajtohet me vonesë, asnjëherë nuk është vonë ndjekja e kriminelëve. “Tani është koha më e mirë se sa mund të ketë qenë dje apo mund të jetë nesër”, ka thënë Sherifi. Ai ka kërkuar të ndërmerrën veprime konkrete në këtë drejtim. “Së pari, të bëhet përfshirja e masakrave të Kosovës në librat e historisë. Si dhe sa më shpejt të kalojë ligji, kodi penal, që mundëson ndjekjen penale në mungesë, të ngritën aktakuza formale dhe të fillojë procesi kundër atyre që kanë kryer krime”, ka thënë Sherifi.
Në emër të Grupit 6+, ka folur deputetja Duda Bale, e cila ka thënë se Masakra e Burgut të Dubravës ishte e tmerrshme. Ajo ka kërkuar që kriminelët e kësaj masakre të dalin para gjyqit.
Edhe deputeti Milaim Zeka, ka folur për këtë masakër. Sipas Zekës, shteti i Kosovës qe 20 vjet nuk ka bërë pothuajse asgjë, as për të burgosurit politik, as për masakrat. “Kemi mundur të ndërtojmë me qindra mijëra dokumentarë, për ta tronditur botën me të vërtetën se çka ka bërë policia dhe ushtria serbe në Kosovë”, ka thënë Zeka, duke bërë thirrje që mos të keqpërdorën paratë publike, por të përgatitën dokumentarë për t’i treguar botës për krimet që ka kryer Serbia në Kosovë./b.j/