Basha pas takimit me Nuland: Nuk tërhiqemi nga neni 88 i Komisionit të Venecias!/
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha nuk ndryshoi nga qëndrimi i deritanishëm për zgjidhjen e ngërçit për reformën në drejtësi, edhe pas takimit me zyrtaren e lartë amerikane Viktoria Nuland.
Basha ka insistuar që mazhoranca të pranojë rekomandimin 88 të Komisionit të Venecias, pasi është e domosdoshme që ndryshime të tilla kushtetuese duhet të bëhen vetëm përmes konsensusit.
“Një mikeshë e çmuar e shqiptarëve. Në këtë kuadër, biseda u përqëndrua tek çështja e reformës në drejtësi. PD ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për reformën në drejtësi. Sot ka mbetur një çështje që ndan palët. PD ka bërë të qartë qëndrimin e saj.
Zbatimin në mënyrë të plotë të rekomandimit 88 dhe ka bërë 3 propozime; I pari ai i vendeve të rezervuara, i dyti i listave alternative dhe propozimin tonë të tretë i bërë publik të premten. Jemi të bindur se kjo reformë do të mund të miratohet vetëm me konsensus politik mes palëve. Ndaj PD ka lëvizuar nga pozicionet e mëparshme, por ka mbetur e palëkundur nga rekomandimi 88. Jemi të hapur, ftojmë palën tjetër”.