• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FRYMA E DASHURISE NE MOZAIK

May 13, 2014 by dgreca

Nga Vjollca Tiku Pasku/
Një gamë emocionesh purpuritëse të përshkojnë shpirtin kur lexon ‘’Mozaik ndjenjash’shkruar nga Klubi i letrarëve “Mësonjtorja Dertliu”.Lëkura ajrore e imazheve bëhet flutur dhe të udhëheq në botën e dashurisë ku hapin portat e kontekstualizuara me origjinalitetin e secilit krijues.Libri hapet me poezitë e kolosëve të penës shqiptare, ku ofrojnë për të pirë nektar kënaqësie nga oazi i frymëzimit, dhe vazhdon me rrezet e zemrave të brishta rinore.Dashuri,kjo fjalë, ky art i ndjerë dhe i shkruar në qindra shekujt,shtrihet si një horizont që ngjyroset me një pikë të kuqe nga çdo zemër, tërheq gjithë vatrën e ngrohtë të diellit nga qielli i kaltër, gjithë kuqëlimin e yjeve në netët e ëndrrave.Kjo ëndërr, e përjetuar, e puthur, valëzohet si qielli në sytë njerëzorë dhe herë qesh e herë qan…
Dhe pyetja :ç’je ti ?
Rrjetë mbi botë ti qëndis me gishtërinjth te fildishtë,
Duarar vështrimthe qëndis magjifshehur,
të brishtë Kraharor, frikëzhveshur endesh larg,
në pakohesi Vajzë-zanë-perëndi gjurmë-diell,
valle c’je ti?! :ç’je ti ?
Një pyetje e vjetër në pakohësi që endet botës sonë, kozmosit e gjithë universit.Ç’je ti?..Gjurma e diellit kur puth tokën? ..apo zanat e malit mishëruar njeri?.. .Ç’je ti.. mos vallë zhveshja e ditës para diellit apo zhveshja e natës frikësuar para yjeve të saj. Një ndjenjë e ëmbël sa qielli dhe kripur sa oqeanet e tokës, e mbush botën tonë . Sa ngjyra të panjohura zbulojmë në të, sa efekte të fshehura, sa buzëqeshje të lumtura rendin pas saj:
Dashuri”
Perla ime e shndritshme…
Jeta dhe vdekja ime!
Është e habitshme sa energji më jep,
Ti, magnet i pamëshirshëm.
Sa do te pres për të puthur sytë që po zgjohen,
Krahët që shtriqen,
Flokët e shpupurisura me poezi spërkatur,
Thonjtë e holle e të lëmuar,
Gjinjtë e bardhe,
Kofshët përvëluese …
Lauresha ime, miremëngjes..
Origjinaliteti i një ëndrre mbështillet me imazhet dhe romantikën e amforës së shpirtit. .Një botë magjike e ngrohur me zjarrin e lumturisë dhe e rënkuar me ofshamat e kënaqesisë, ku gjithësekush përpiqet ta gjej…Pa këtë zjarr jeta është bosh, është një erë kërkimi, që ulurin në zbrazëti..në ftohtësinë e vetmisë.
Zemra ulëriu si e marrë
Të kërkoi në boshësi.
Oh, sa larg që ishe ti!
Larg ku shpirti e kërkon këtë dashuri, veshi i zemrës përgjon me përgjërim zhurmën e vogël të ndjenjës, por nuk e ndjen ..do ta zbulojë në sytë e verbër të diellit ,por nuk sheh dot.Psherëtima të pikëlluara treten motit të shpirtit.Eshtë tepër larg……. Por edhe atherë kur kjo ndjenjë është e gënjeshtërt,një iluzion, forca dhe llogjika ngrihen mbi muzgun e pikëllimit duke u shprehur;
E bindur në ndjenjën time tani;
Në dhembjen time trishtuar rri.
Grindem me naivitetin tim.
E bindur në ndjenjen time tani
E di, i humburi je ti… ..
Zhgënjimi në dashuri është si shuplaka e reve të zeza.Shpirti përbytet në vaj Tradhëtia një lug dhembjesh që bën në shpirt gropëza me pellgje lotësh, ku duhet kohë përt’i shëruar..deri sa të vijë paqja e një dite, dhe shpirti të shpaguhet njësoj…Vetëm atherë do të gjejë prehje.
Dikur, diku , ti do të përballesh,
Me tradhtinë e tradhtisë tënde.
Atëhere, me dhembje do te qesh une.
Në vajin dashuror të një kënge …
E megjithate kur ndjenja është e pastër dashuria është rjedha e lumenjve të emocioneve , është përqafimi i kaltërsisë së oqeanit, është drita që mban ndezuar botën e zemrës.Kjo ndjenjë e madhërishme nuk ka përkufizim, por ka me qindra titullime, përthith gjithë zemrat njerëzore.Mesazhet janë si zambakët e bardhë,që lëshojnë aromën zanore të një mësimi. Një vend të rëndësishëm zënë letrat e dashurisë. Duke u ndaluar tek tregimi “Unë isha fare e vogël” një mama snobiste ngul thikën e artë në trupin e vajzës së vet, që jeta të mos ketë dashuri , por vetëm mirëqënie materiale.Një mama egoiste ku mbytej në asfiksin e parasë.Poret e zemrës vajzërore u pastruan vetëm kur ajo me guxim thotë të vërtetën dhe ikën nga ambjenti i hipokrizisë së mamasë, dhe jeton me gjyshen për të akumuluar gjithë qetësinë e brendëshme shpirtërore..
Brenda botës ku jetojmë egziston vetëm një ndjenjë shpirtërore që pa bujë dhe pa elozhe ndërton një botë ku mbret,apo mbretëresh, skllav apo padron është vet shpirti jonë.Origjina e dashurisë është mbrujtur që me rrënjët e krijimit tonë,ndaj ndodh që ajo të shfaqet me shikimin e parë, duke fiksuar imazhin brenda kapakëve të syve, duke na bërë pelegrinë në yllin e parë të mëngjesit ,fragmentuar me copëza zërash, fjalësh , puthjesh.Kush i provon është në gjendjen magjike të shkaktuar nga ajo dhe sikur të vdesi , ka përjetuar gjithë lumturinë e kësaj jete.
Ca drurë pylli me furi,
I mblodhëm në të ftohtë,
një zjarr të madh dhe unë e ti,
të çmendur ndezëm sot.

Kur afshi dogji buzë e gushë,
u ngashëreve në dënesë.
tek urat shtyje përmbi prush,
“Tani-the- le te vdes!
Fryma e dashuruar shpërndahet në të gjithë ajrin duke përbërë ogzonin efrymarrjes. Fjalët “të dua” kanë tingullin e pafundësisë dhe krijojnë skena reale sikur të ishim pjesmarrës në të gjitha nuancat e ndjenjave që rjedhin nga dashuria.Efektet shpirtërore të kënaqësisë apo dhimbjes janë pasojë e emocioneve që përcjellin poezitë.Ky libër impresionon me larminë e syve dhe të ndjenjave eksluzive ku furnizon vizionin e gjuhës së artit. Nje falenderim i madh shkon edhe për sponsoren Merita Dertliu, që bëri të mundur daljen ne dritë të këtyre vibracioneve poetike, dhe na jep mundësine t’a kemi në shpirt gjithë frekuecën emocionale që lëshon libri..
Një falenderim i madh më rjedh nga zemra edhe për profesoren, poeten , shkrimtaren, redaktoren e disa librave Antoneta Priftaj që më dha kenaqesine jo vetem të leximit por edhe të shkruaj parathenien e librit” Mozaik ndjenjash”Elokuenca dhe finesa që përshkojnë vargjet ka padyshim edhe punesën e madhe të saj.Çdo poezi është përzgjedhur me kujdes. Kompozimi prej botëve të ndryshme shpirtërore shkruar nga zemrat rinore, luajnë tingujt e një universi të madh me epiqender dashurine. Dhe për të ndjerë melodinë e mrekullueshme të këtij universi mjafton të çelësh vetëm një dritare , atë, të një flete libri dhe e gjithë melodia do të tërheqi..I uroj nga zemra suksese të mëtejshme klubit të letrarëve “Mësonjëtorja Dertliu”dhe dritë vazhdimësie krijuesve të rinj.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: fryma e dashurise, mozaik ndjenjash, Vjollca Pasku

KU BANOJNË ENGJËJT

May 6, 2014 by dgreca

Nga Vjollca Tiku Pasku/
Në heshtje ndjej zhurmën karakteristike të dheut që bie sipër trupit tim, teksa kam ndjesinë e zhurmës së zogut brenda në vezë, që thyen koracën për të fluturuar i lire drejtë jetës së re. Kështu u ndjeva dhe unë, një qenie e lire që fluturon pa krahë në hapësirë, kur theva lëvozhgën e botës. Vuajtja dhe dëshpërimi dukeshin sikur i ndante honi i botëve. Në këtë gjendje si eksploratore e re, vëreja se shpirti im ishte si qiell dhe qielli si shpirt. Në tokë veshja e ajrit i referohej gjendjeve të natyrës, ndërsa këtu hapësira veshur me dritë, qesh me flatra gëzimi. Yjet vijnë përpara vështrimit tim. Planete të fildishta me valët e frymëzimit të ëndrrave. Brenda në to ishte guximi , forca , kuraja, për të ecur përpara. Ndërsa pigmenti i shpresës ishte i lidhur me një burim të lartë hyjnor. Sa më shumë këmbëngulte njeriu aq më shumë rritej ylli i tij. Disa njerëz i preknin në jetë, ndaj edhe këta njerëz quheshin yje. Por jo çdo yll toke ishte kuqëlim i qiellit…Koha është pa kalendar. Dje, sot, nesër, është një. Kujtesa ime është sikur çdo ngjarje e jetës ndodh tani. Çdo buzëqeshje,apo gëzim në jetë vishte çastet me jelekët e imazheve., ndërsa të gjitha dhimbjet ishin bërë hi dhe shndërruar në pluhur të artë hëne. Shikimi im kap Diellin e nxehtë nga fryma e të dashuruarve të tokës dhe hënën që shkëlqen argjendin e retinave të tyre. Ulem në harkun e horizontit dhe mbledh të gjitha vështrimet largpamëse njerëzore që depërtojnë si farat e mendimeve që dikur do bëhen projektet më të bukura në tokë. Një imazh engjëllor ma bën me shenjë të shoh në krahun e kundërt ku isha ulur. Ishte si të ishin dy skena, e mendimeve dhe e realizimeve. Pikat e djersës ishin si pika magjike në ritmikën e shpikjeve , ndërsa këmbëngulja ishte si një flurudhë deri në udhën e suksesit.`Megjithëse ndjesitë e mia ishte si të fluturoja mbi oqeanin e lotëve të gëzimit, në velat e petaleve të lule zemrës me erë lumturie, dashuria për tokën më tërheq tek planeti i vogël, ku mbizotëronin drita e bardhë , gjelbërimi dhe kaltërsia. Dita ruan pavdekësinë e emrit plot dritë,ndërsa nata fshin emrat që nuk e fitojnë këtë rezidencë parajsore… Këtu pranë ndodhet olimpi i engjëjve. Mbi të gjithë shquhej një engjëll që sa herë buzëqeshte me sy, drita e tij përhapej mbi tokë, quhet engjëll Agimi…Për ata vërtet nuk ka kufi hapësira e tyre tokë-qiell. Mendova se në ç’pjesë të tokës do gjendeshim. ” Shpejtësi engjëjsh”. -Oh, e qara e një foshnje të porsalindur ndezi një dritë jete. Sytë e engjëllit shtrojnë velin e dashurisë në shtrojën e krevatit. Nuk e dija se kur lind një foshnjë, së pari puthet nga një engjëll. Ndoshta është shpresë e tokës. Gjuha e engjëjve është qetësia shumëngjyrëshe, ku ndizeshin dhe rindizeshin mendimet e bukura. Engjëlli i pranverës luante muzikën e gëzimit. Çdo prekje çelte lule toke, dhe pranvera ndizte ngjyrat dhe nuancat e saj. Ndaj ku ka muzikë,ka gëzim, ka pranverë. Një engjëll tjetër ishte i bardhë, por pa dritë, sepse drita e tij shuhej vazhdimisht nga lotët e njerëzve. E qara e tij ishte si e qara e detit, ku një pikëz lot ngrinte një dallgë të madhe dhe përthithej po nga deti. Ai shkonte menjëherë pranë zemrave që vuanin dhe inkurajonte të tjerë të ndodheshin sa më pranë njeriut të rrëzuar. Ndaj në vuajtjet e mëdha askush nuk është vetëm, përherë ka një engjëll të padukshëm…i cili ndez qiririn e shpresës. Shpirti im ndihej i stolisur . Sapo kishin filluar të më dilnin krahët e engjëllit. Thua të bëhem engjëll?!… Nuk e di, është më e vështirë të jesh njeri apo… engjëll…? Shpesh ngremë sytë nga qielli dhe mendojmë se parajsa ndodhet atje… kur në të vërtetë engjëjt e parajsës janë gjithmonë këtu në tokë.

Filed Under: ESSE Tagged With: KU BANOJNË ENGJËJT, Vjollca Pasku

VDEKJA E PUSHTETARIT

May 3, 2014 by dgreca

Nga Vjollca PASKU/
Ai ishte shndërruar si një enë balte plasaritur pa vlerë, për tu hedhur në fundin e destinuar. Sot ai bënte udhëtimin final, me kostum e kollare të shtrenjtë, dhe qivurin luksoz të punuar enkas për një rast të tillë. Gjithmonë kishte fjetur në komoditetin më luksoz të kohës, tani ishte shtrirë brenda kontureve të ngushtë të arkivolit me dorezë floriri. Pigmenti i vdekjes i kishte përpirë të gjithë trupin me grerëzat e padukshme të dekompozimit. Nofullat e tij lidhur me fasho, qëndronin paska hapur, si një hon i mistershëm. Gjithë jetën e kishte shpenzuar duke qenë një nga idhujtarët e parasë. Për të ishte sakrilegj të ndihmonte apo të dhuronte. Vodhi , mashtroi, bëri qejf sa deshi. Ndihma, bamirësia, dhurimi ishin mëkat. Fitimi, ishte Zoti më i dashur i tij. Tani që dergjej i shtrirë nuk mund t’i bënte asnjë ofertë vdekjes. Ishte tërësisht nën pushtetin misterioz e të frikshëm. Impulset e frymëve që e kishin mallkuar, ishin ngritur deri në qiell. Ishte një pushtetar që kishte goditur me kamxhikun e padrejtësisë shumë jetë. Vet jetonte në një kullë të fildishtë përrallash, rrethuar me lule enigmatike, me shikim drejtë diellit. Këpucët kurrë nuk iu baltosën. Kishte përherë njerëz që ia pastronin. Tani ai përfundoi në botën e baltës. Dukej si një parazit, nga prania e të cilit, edhe toka, sikur kishte kruarje alergjike. Dëshpërimi fals i miqve të tij, përsëriste alfabetin e djallit. Në sytë e tyre rrëshqiste pyetja rrufe: “kush do i zinte vendin “. Hipokrizia e tyre ishte si lulet e rreme, që imitojnë ato natyrale në dukje, por veç prezencës me bojëra false, nuk kanë asgjë të përbashkët me to. Vendosur në një sallë të madhe dhe të ndriçuar mirë, grimcat e dritës së bardhë e anashkalonin, duke i lënë një mjegull errësire. Panteoni i lavdisë, u shkëmbye me panteonin e vdekjes. Era e kalbur përzihej me erën e livandos dhe gjurmëve të pluhurit, në kortezhin që filloi të lëvizte ngadalë drejtë varrezave. Ekzistenca e tij dhe emri u fshinë më shpejt se fundosja e trupit brenda dheut. Sikur të fliste, ai do të mblidhte kryqëzatën e errësirës nën tokë, të protestonte pretendimin, ashtu, i ngrirë me eshtra dhe gravatë se “se emri i duhej gdhendur në ar”. Kur në të vërtetë ishte një vjedhës i licensuar, një përdhunues i ligjit, zengjin i mashtrimit, pra thjesht një vampir i virtytshëm. Tani një kontakt me tokën dhe ata krimba të vegjël , që kurrë nuk i kishte vlerësuar në gjallje, do të bëheshin përbindëshat e kësaj mbretërie. Asgjësimi ishte i dhimbshëm. Po shpirti?… Askush nuk e dinte. Endej,nëpër errësirë… Ndoshta një fjalë e mirë e ndonjë fryme, bëhej dritë….Por askush nuk e tha..”Po ç’farë do t’u kushtonte xhanëm…?”-mendonte qenësia e tij. Shpirti i tij nuk mund të çante retë e errësirë, sepse shpirti shikon vetëm me sytë e dashurisë. “Dashuri, po kjo fjalë ishte e huaj për të”…Ai ishte skeptik kundrejt çdo ndjenje të thellë. Bukuria e kësaj ndjenje, edhe kur u prek për herë të parë, u arratis, nga kraharori i ngushtë ,dhe zemra e tij ra në apatinë e kënaqësisë trupore….Endej nëpër errësirë, kujtonte ditët e kaluara në tokë. Kujtesa ia shndërroi ditët, s’i gjethet e ferrës dhe mendimet si gjembat shpues. Më pas përvëlohej, ngaqë i mblidhte të gjitha bashkë dhe donte t’i digjte…Jetë e kaluar, duke emetuar mbeturinat e trupit nga tretja e shijeve të shtrenjta, të fituara padrejtësisht. Ç’dëshpërim,ç’pikëllim, ç’trishtim. Çelësin për të hapur derën e përjetësisë, nuk mund t’a gjente. Shpirti i verbër u vetëparalizua, të mos mendonte, të mos lëvizte, të ishte thjesht një grimcë errësire. Errësira, pse është e frikshme vallë…? Mos ka edhe ajo grimca të vdekura, të cilat marrin arratinë nga drita e jetës?… Kush e di!…Ndoshta!…

Filed Under: ESSE Tagged With: VDEKJA E PUSHTETARIT, Vjollca Pasku

TRI DËSHIRA

April 6, 2014 by dgreca

Esse nga Vjollca PASKU/

Në strehën e gjumit trupi kërkon shplodhjen e ditës, ndërsa shpirti rendjen e lirë nëpër ëndrra. Në darkë më ishte bërë zakon, që nga dritarja të shikoja yjet dhe hënën. Duke u kotur mes mendimesh të përgjumura, hëna rrëshqiti si pëllumb drite i bardhë dhe u mbyll në kapakët e syve të mi. Ndërgjegjja, ajo mbretëri e vogël e pafjetur asnjëherë, vepron, përgjigjet edhe në botën e gjumit. Gjithmonë më brente pyetja:  -A janë dëshirat e fshehura thellë në ëndrrat e natës?   U gjenda papriturnë dridhjet e dritës që lëshonte bishti i bardhë gjigant i hënës.Fluturoja, por kënaqësia dhe ankthi njëkohësisht më përshkojnë. Në majën më të lartë në malin Demavend në Bagdat, pikërisht në një rrudhë vertikale, brenda një kornize guri, reflektonte dritë floriri një llambë e cila më përngjante me llambën e Aladinit. E mora e gëzuar në dorë dhe e lëmova instinktivisht për të pritur të shfaqej ajo krijesë gjigante, e cila do të plotësonte tri dëshirat e mia. Në antitezë me përfytyrimin tim, një krijesë e vogël fluturake, por e fuqishme, më foli Brenda qenies time:  -Thuaj dëshirën e parë!

-Të ndjej gjënë më të bukur në botë…- thashë unë.

-Ndje rrahjet e zemrës dhe kupto gjuhën e saj!-më tha. Ndjeva zemrën time që u hap në gjithë universin. Isha e pranishme njëkohësisht në çdo yll, në çdo planet, në çdo hapësirë. Më pas gjithçka zvogëlohej. Vargjet e yjeve hynin në qenien time. Këtë ndjesi e sjell vetëm dashuria, e cila është kaq e madhe dhe e nxënë në kraharorin e vogël njerëzor. E ruajtur më së miri në shpirtrat e pastër, njehësori I ndjenjës nuk kishte përmasa. Tashmë isha një ndjenjë kozmike e një thesari shpirtëror. Lotët e shenjtë të zemrës dëshmuan mrekullinë e ndjerë…

-Dëshira e parë e jotja u konsumua, thuaj të dytën dëgjova- zërin e xhindit..

-Të prek gjënë më të mrekullueshme në këtë botë…

Vizioni i ndjenjës më dërgoi në festën e lindjes së një fëmije. Kur dora ime preku lëkurën e mëndafshtë të fëmijës së porsalindur, preka gjithë planetin tokë, të mbështjellë nga drita e agimit, preka lotët e shiut të parë të pranverës dhe përkëdhela buzëqeshjen e ylbertë në ngjyrën e virgjër të krijimit. E mblodha me çarçafin e kënaqësisë këtë krijesë, të mrekulluar nga djepi i tokës, përkundur me palmat e kaltra të qiellit.

-Dëshira e tretë e jotja? – u dëgjua përsëri zëri i xhindit.

– Të shoh vazhdimësinë e brezave të mi-u përgjigja.

Vizioni më dërgoi me shpejtësinë e dritës, në vazhdimësinë e erërave kohore. Të gjithë brezat e rrjedhur nga rrënjët e mia, jepnin maksimumin për të dhënë më të mirën e vetes së tyre. Termi “vazhdimësi” do të thoshte luftë për të dritësuar djerrinat e errësirës tokësore. U ndjeva krenare dhe e lumtur…

Xhindi më tha:- Të tre dëshirat e tua u plotësuan, por më e çuditshmja,është se të gjithë njerëzit më kanë kërkuar, pasuri, mbretëri, pushtet,lavdi…Ndërsa ti, vetëm të ndjesh, të prekësh, të shohësh,përse?…

-Sepse nuk dua të marrë diell me kredi, ta paguajë zemra bosh pa dashuri. Nuk dua katet e larta të lavdisë, ti shoh njerëzit të zvogëluar. Nuk dua të ardhme vazhdimësie, pa kaluar në pikat e nxehta të vuajtjes në hartën e tokës. Nëse do t’i kisha si me magji të gjitha,shpirti im do vdiste dhe jeta ime nuk do të vegjetonte…- u gjegja unë.

-Atëherë ti nuk ke nevojë për mua. – tha xhindi i xhindosur dhe zhduk si hija nga drita e bardhë.    U zgjova me këto tinguj fjalësh, duke pyetur vetveten…

Filed Under: ESSE Tagged With: TRI DËSHIRA, Vjollca Pasku

PËRSE U SHUA NJË YLL

January 12, 2014 by dgreca

Tregim nga Vjollca PASKU/

Diell i ftohtë. Dimri dukej sikur derdhte mbi tokë gjithë frymën e akullt, duke përgjuar si gardian se mos dielli lëshonte ndonjë rreze të ngrohtë. Pemët mbuloheshin nga një cipëz akulli, si shpirtrat e ftohtë që vëzhgojnë botën tokësore. Në orët e drekës akulli shkrihej dhe pikonte si pikëza loti. Ky i ftohtë nuk mbahej mend, në Tiranë. Mimoza, një grua e martuar rreth të tridhjetepesave, me flokë të gjatë, dhe sy, ku i dallohej qartë vështrimi i lumtur, mbasi mbaroi orët e mësimit, mori nga kopshti vajzën pesëvjeçare dhe u drejtua nga shkolla, të merrte djalin shtatëvjeçar me makinën e saj. Ajo kishte mbaruar artet e bukura dhe jepte pikturë në liceun Artistik të Tiranës. Pas drekës, të dy fëmijët i vendoste në regjimin e gjumit. Në këtë orë kthehej bashkëshorti nga puna. Të dy ishin njohur në fakultet, gjatë studimeve të larta, ajo në pikturë, ai në fakultetin e ekonomisë. U dashuruan dhe së bashku ndërtuan ëndrrat fluturuese. Flatruan në diell dhe në hënë, në të gjithë universin e njohjes së. Melodia e dashurisë ishte bërë monopol i dy shpirtrave të tyre, që pasi u zbulua, ishte ruajtur si thesar i fshehur, në sferën e dritës magjike që gjeneronte lumturi dhe paqe. Qielli iu fali atyre dhe cicërimat e dy zogjve. Pas drekimit, vendprehja e tyre ishte në krevatin me jorgan trëndafili në dhomën e gjumit. Ballkon-porta me xhamari të madhe, me perdet gjysmë të hapura enkas, në mënyrë që drita të lundronte në të gjithë dhomën, ndriçonte çdo grimcë ajri në atë dhomë. Por ndriçimin më të madh ua jepnin dy shpirtrat e dashuruar. Megjithëse kishin dhjetë vjet martuar, dashuria e tyre kishte ende ëmbëlsinë e mjaltit, të kulluar nga zemrat. Në katin e dymbëdhjetë të apartamentit,vetëm dielli e hëna mund të shihte pasionin e ëmbël në shtrëngimin e duarve dhe puthitjen e trupave të tyre. Buzëqeshja e Mimozës ishte një diell i vogël, që me rrezet vezulluese ngrohnin gjoksin e tij. Eltjoni e pa me vështrim ngazëllues të dëshirës, të jetë në qenësinë e brendisë saj. Në platformën e dashurisë çdo çast i kthyer në ar lindte një pigment puthje. Ai rrëshqet ngadalë dorën përmbi lëkurën e butë duke e përkëdhelur si një lule të brishtë. Flokët e saj kishin rënë si ujëvarë në supet e zhveshura. Dëshira për t’i shijuar botët në një prekje, të gjithë qiejve, të gjitha ngjyrave brenda pak çasteve, flakëroi sytë e ndezur të tij. Të dy filluan eksplorimin e njëri-tjetrit sikur të ishte hera e parë. Por papritur, një kërcitje e fortë trembi dy zemrat që kishin nisur fluturimin e tyre në qiellin e ëmbël të dashurisë. Gjaku u ngriu ndër damarë…Në xhamarinë e madhe, nga një pikëz në qendër, krisja u radhit në formë disqesh në të gjithë hapësirën, sikur të ishin bërë me një diamant prerës. Ajri u ngjyros me vorbulla gri, sikur hijet të gllabëronin dritën. Ftohtësia tkurri gjithë ngrohtësinë e ndezur. Fitilat e kënaqësisë u fikën s’i prej një qenie misterioze. Të dy ngrinë për një çast, u mpinë dhe nuk mund të flisnin… Fëmijët u zgjuan të lebetitur dhe britma e tyre i solli në vete. U veshën me të shpejtë, dhe Eltjoni shkoi në dhomën e fëmijëve t’i qetësonte… Edlira piu shpejtë një gotë ujë, t’i qetësoheshin rrahjet e trembura të zemrës. -Si ka mundësi të thyhet xhami në këtë mënyrë?- pyeti ajo të shoqin.- U tremba aq shumë sa m’u duk sikur m’u nda shpirti më dysh….jashtë ka diell, ndërsa këtu akoma ka errësirë… -Jo e dashur të duket ty, ngaqë na erdhi papritur ajo zhurmë e madhe ….por ndoshta xhamave u erdhi data e skadimit,- bëri shaka Eltjoni – nesër do sjell ustanë të zëvendësojmë xhamat… Mimoza nuk qetësohej dot. I dukej sikur nuk ngopej dot me ajër. Ajo masë e madhe e errët ajri ushtronte presion mbi atmosferën, dhe presion brenda shpirtit.. Hapi me kujdes një portë te xhamaria e krisur dhe la ajrin të hynte brenda. Një parandjenjë e keqe i mbërtheu shpirtin. U ngrit dhe iku nga dhoma të vazhdonte punët e pasdites. “Ndoshta është frika ime, s’e do ndodhë diçka e keqe që krijon errësirë dhe ftohtësi”, mendoi Edlira. U mundua gjithë pasditen, të vijonte punët e zakonshme, të ndihmonte djalin në përgatitjen e mësimeve, por parandjenja e keqe i kishte zaptuar gjithë shpirtin. Mëngjesi tjetër gdhiu me shi. Pikat e vogla këputeshin nga barku i qiellit, duke rënë të kulluara pa asnjë element papastërtie. Binin butë, shtruar sikur diçka i pëshpëritnin tokës, nën një ritëm monoton. Mimoza u ngrit pa qejf. Duhej të bënte gati fëmijët, dhe të shkonte në punë. Eltjoni duhet të shkonte në Vlorë për një shërbim pune. Të dy morën drejtime të ndryshme. Mimoza mori dy ombrellat e vogla të fëmijëve dhe të sajën, ndërsa Eltoni makinën. -Ki kujdes rrugës, – i tha ajo duke e puthur. -Mos ki merak, takohemi në drekë!- ia ktheu ai duke ecur me pezhonë gri ku dukej si një re qielli që po ecte në rrugën e tokës. Teksa po dëgjonte të rejat e ditës në kasetofonin e makinës, hunda iu ça për cigare. Ndaloi në një kinkaleri rrugës, mori paketën dhe vazhdoi rrugën, duke harruar vënien e rripit të sigurimit… Për një moment uli vështrimin për të marrë çakmakun, të ndizte cigaren. Në këtë kohë shikoi me hijen e syrit, një re të zezë në formën e një makine që po vinte me shpejtësi përballë tij. Kthen timonin t’i hapte rrugën, por nuk arriti…. Makina u dynd përmbi të, si merimanga e një bombe gjigante. Gjithë qielli dhe toka humbën për pak sekonda. Përplasja e furishme oshtiu, nga britmat e makinave dhe toka u ndez nga gjuhët e flakëve të zeza…Policia u lajmërua nga kalimtarët e rastit dhe ata brofën aty shpejt. U mbajt procesverbali i zakonshëm dhe nëpërmjet targave u gjet se kujt i përkisnin makinat. Trupat në dy makinat ishin djegur dhe zor s’e njiheshin… Mimoza ishte në orën e pestë, kur e lajmëruan, se kishte ndodhur një aksident me dëmtime të lehta në rrugën pranë qytetit të Kavajës. Ajo lajmëroi mamanë e saj të merrte fëmijët, dhe u nis me taksi në drejtim të Kavajës. Shpresonte të mos ishte i shoqi, por dikush tjetër, por edhe në rastin më të keq, dëmtimet mund të ishin të lehta. Shpirti i saj mbante peshën e qiellit të gurëzuar. “Pse?” e mbyste mendimi. Trupi i elektrizuar prej makthit, i dridhej lehtë. Kur arriti në vendngjarje, ndjeu se era e djegur mbyste ajrin përreth. Sfera magjike e dashurisë në sytë e saj, fiku dritën, si me krifën e kuajve të fatit të zi. Një gjysmë skelet i nxirë ishte në ndenjësen e shoferit, në atë grumbull metalesh të mbetura pas aksidentit. Forma e vagullt e vdekjes kishte lënë vulën e hirit. Dashuria ishte shndërruar në hi. Zëri, fjalët, ndjenjat, çdo gjë ishin shkrumbuar. S’mund të nxirrte britma të lirohej, por qante thellë, brenda shpirtit. Ajo fytyrë e ëmbël me dy sytë si shqiponjë, flokët e zinj të shkurtër, buza që pëshpëriste me nojma “ditto” ishin shuar. Nga sytë e Mimozës rrëshqitën lot të djegur. Shpresa e saj ishte bëre hi. Në përhumbjen e botës, atje ku shiu i pafuqishëm nuk mund ta shuante zjarrin e ndezur flakë, pa vetveten të digjej. Nuk kishte më asgjë në këtë botë, t’i kthente mbrapsht dashurinë. Tmerri, djegia, dhe parafytyrimi i skenës së përplasjes, i rrotulloheshin në kokë. Mallkonte flakën, zjarrin që përpinë njeriun e shtrenjte të zemrën së saj. “Duhej ta kisha kuptuar që dje pasdite, se po më vinte mortja, nuk duhet ta kisha lënë të shkonte me makinë’’… Bota iu rrotullua si fugë. Nuk dëgjonte asgjë. Në imazhin e syve të saj, ishte fiksuar vetëm tym i zi. Ndoshta mortja e zezë udhëtoi bashkë me të. Bota, qielli, toka, u mbyllën brenda bebëzave të syrit… Kur hapi sytë ishte në dhomën e gjumit, atje me xhamin e krisur. ”Oh sa kam fjetur, ç’farë makthi, por ora sa do jetë?…Toni duhet te jetë ngritur më herët.” Ajo donte me shpirt ta zhdukte realitetin, ndoshta gjithçka që kishte parë nuk ishte e vërtetë. Në pikturën e madhe të tek e cila kishte pikturuar një pemë të madhe mimoze me dy zemra të bashkuara, pa hijen e një fjongoje të zezë. Peneli i saj ndërmjet vetëdijes dhe pavetëdijes, ishte futur deri në rrënjën e errësirës, atje ku farëzat prisnin dritën të shpërthenin. Tani pema digjej nga zjarri dhe mimozat e verdha nxironin. Ato shkriheshin në fjollë boje dhe formonin tymin e fjongos. Reflekset e syve dizenjonin vetëm tmerre. Katet e ndjenjës zbrisnin shkallëve të zjarrit. “Pse, pse, duhej të ndodhte?”… Tingujt e vajtimit funebër i rrëshqisnin nëpërmjet syve të lagësht. E zhytur plotësisht në ferrin e depresionit, ajo nuk shikonte asnjë cep drite, përveç tymit. Dëgjonte zhurma, zëra, shpërthime… Dy motrat dhe vëllai i rrinin pranë, por ajo s’ishte në gjendje t’i dallonte. Kishte kaluar dy ditë në këtë gjendje depresive. Sytë ishin zbrazur dhe ishin zvarritur, fytyra po humbiste jetën. Zërat njerëzor i dukeshin pa kuptim, çastet orë të vdekura… Sa donte të ikte, atje në thellësinë pa jetë të nëntokës…”O Zot merrmë edhe mua, nuk mund të duroj dot këtë dhimbje”, ulërinte shpirti i saj. Zë nuk kishte, dhe as buzët nuk mund t’i lëvizte. Të afërmit që i rrinin pranë, kuptonin luftën e heshtur në brendësi të shpirtit të saj. Teksa qëndronte shtrirë, ndërmjet gjumit dhe zgjimit, befas gjithçka vezulloi grimca të bardha drite. Ajri u vesh me petkun më të bukur, dhe një engjëll i bardhë iu afrua pranë krevatit të saj. Zëri i tij lëvizte në zanoret e dritës, për një moment ajri u bë me gojë dhe mori formën e Etjonit, nën fluturat e bardha vezulluese. As ditën e dasmës me kostumin e bardhë, nuk ishte kaq i bukur sa në atë çast. Fytyra e tij ishte si një mëndafsh i butë dhe në sytë e tij ishte mbledhur gjithë dashuria e kësaj bote, përzier me dhembshurinë. Zëri i tij ishte si të valëzohej butësisht dhe shpërndante shërim e qetësi. Tingulli ishte i ngrohtë dhe përzinte vuajtjen. Bukuri, madhështi, shkëlqim kishte në qenien e tij. Ai gjithë jetën e tij ia kishte kushtuar familjes, profesionit dhe organizatës “Në ndihmë të të varfërve”.
-Ditto,- e dashur, – tha engjëlli.
– Oh, unë e dija që ishte një ëndërr e keqe, – i thotë ajo gjysmë e vetëdijshme.
– Ti e di që është e vërtetë,- shtoi ai.
-Mos më thuaj që jam në një ëndërr të sëmurë që do zgjasë gjithë jetën time. Zemrës time iu hoqën pjesët e saj. Dua të të kem pranë, të të shtrëngoj, dua të mbështet kokën time në kraharorin tënd… Zgjat duart në anën tënde të krevatit, por ai është bosh. Të thërras, por nuk përgjigjesh. Qielli, toka gjithçka m’u shuan… Dielli u hodh në erë, dhe jeta ime pushoi në momentin e shpërthimit. Vdekja ma vodhi dashurinë…
-Jo e dashur, të dukem pa jetë… a nuk ndjen se nga dy sytë e tu që rrjedhin, një lot është i imi, një rrahje e zemrës tënde është e imja, gjysma e dhimbjes tënde është imja. Unë do jem muri mbrojtës kundër erërave dhe stuhive të jetës. Sa herë do ndiesh të ftohtë, do këpus rrezet e diellit të ngrohesh, dhe sa herë do ndiesh të nxehtë, do marr freskun e hënës të freskohesh. Dielli shkëlqen i dashuruar me jetën njerëzore. Hëna ndrin, të mposhtë errësirën e natës, dita lind e bardhë me gjallëri të rrisë engjëjt e tokës, dhe t’i sprovojë me mësimet këtu, t’u rriten krahët për në qiell. Eja e dashur, çohu, në çdo agim do çeli drita dhe ndoshta në orët e saj do fishket një zambak, por kjo nuk do te thotë se jeta mbaroi me kaq. Të tjerë zambak do lindin…
-Atëherë përse ndodhin këto ngjarje të dëshpëruara?, thotë ajo.
– Nuk ka pyetje përse…. -A mund të pyes pse shuhet një yll?
-Nuk e di!, tha ajo.
-Sepse mbaron limfa e kuqe jetësore dhe hidrogjeni i shpirtit digjet e shndërrohet ne një yll të bardhë, diçka e ngjashme është edhe me jetën. -Domethënë jeta është një vazhdimësi? -tha ajo.
-Një vazhdimësi në lirinë e qiellit e dashur…
Ai u përul dhe e puthi me një puthje qiellore. E gjithë bardhësia u fashit dhe dhoma u kthjellua. Nga sytë e saj rrodhën lotë. Një lot i vezullonte. “Nuk di se si, por unë e ndjej praninë e tij” mendoi Mimoza. Dobësia dhe vuajtja mërguan ekspres nga qenia e saj. Qetësia dhe paqja iu rikthyen. Ajo ndje sikur i gjithë trupi iu përtëri. Fytyra i ndriçonte, sikur të kishte marrë shkëlqim engjëjsh. Brenda qenies së saj ndodhej engjëlli. U ngrit për të vazhduar jetën atje ku kishte mbetur. Zemra e Mimozës kishte brenda qiellin, ndaj ajo e shikonte diellin në formën e zemrës… U ngrit marramenthi dhe shkoi puthi fëmijët me mall të patreguar…

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: nje Yll, perse u shua, Vjollca Pasku

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Cikel poetik: Atdheu gjithmonë ka një strehëz…
  • ME RASTIN E 15-VJETORIT TË VIZITËS SË PRESIDENTIT GEORGE BUSH NË TIRANË – NË KUADËR TË 100-VJETORIT TË VENDOSJES SË MARRËDHËNIEVE AMERIKANO-SHQIPTARE*
  • Remarks by Ambassador Ferit Hoxha at the UN Security Council meeting on Ukraine
  • Martin Camaj nëpërmjet një letërkëmbimi
  • AT KARLO  SERREQI O.F.M.
  • Eight IRA Mistakes That Can Cost You a Fortune
  • Mbi veprën e Musine Kokalarit: “Dasmë… Sa u tunt jeta”
  • 6 MUAJ PA PATRIOTIN MEHMET MUJAJ
  • Dalip GRECA, -Ti shkrove për të gjithë…ike… dhe na le ne në borxh…
  • SHTETI PËRBALLË KRIZAVE; SHQIPËRIA NGA SHEMBJA E KOMUNIZMIT DERI TE LUFTA E KOSOVËS
  • NË VILËN E DIKTATORIT RUMUN DHE POEZIA IME PER POETIN UKRAINAS DMYTRO CHYSTIAK…
  • Celebrating 100-year anniversary of Albania – US diplomatic relations
  • “ROLI I MËRGATËS SHQIPTARE NË BOTË DHE NË MËNYRË TË VEÇANTË I MËRGATËS TONË KOMBËTARE NË SH.B.A”
  • SHQIPËRIA, LUFTA DHE KRIZA E ÇMIMEVE, SI DO NDRYSHOJNË EKUILIBRAT
  • NË BE ME STANDARDE TË PLOTËSUARA DHE JO ME RETORIKË SARKASTIKE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT