• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shpirti nuk mund të ngrijë

December 19, 2013 by dgreca

Prozë poetike nga Vjollca Tiku Pasku/

Kur qëllon me kamshikun e ftohtë të padrejtësisë, fjalët vrasëse krijojnë akull masiv nga tufani i zemërimit.Një botë me ngjyrë acari.Stuhia pushton  ngrohtësinë e diellt.Bora e ftohtë e mendimeve bie si  zambak të prerë. Alfabeti i trishtimit rreshton vargjet e lotëve. Kripa e bardhë mbush poret e faqeve e ngrin duke vijëzuar dhimbjen.Figurat e pikëlluara në faqe, thekojnë pejsazhet e ngrira, si  me shkopin magjik të shtrigës.Stalaktitet e mprehta bien në shtamën e shpirtit duke e thyer në copa të vogla. Turnet e pagjumësisë ndërrojnë njëra- tjetrën.Brenga dhe dëshpërimi,dhuruesit e thëllimit asfiksojnë pemën e mushkërisë me mjegull të errët.Frymëmarrja vështirësohet në ritet e ajrimit.Sytë vështrojnë pejsazhin e zbrazët…Mola ngrirëse buzëqesh djallëzisht për fitoren…Zbrazëtira, drita e akullt është vrasëse.
Kambana e ringjalljes ekzorkizon të ftohtin dhe plasarit akullin.Shpirti nuk mund të ngrijë, nuk mund të muroset.Krahët e tij janë petale trëndafilash që nuk fishken kurrë.Fluturashkat e ëndrrave janë si  yjet, nuk shuhen në pafundësinë e qiellit.Lulja e mëngjesit  lajmëron agun e bardhë.Rrezja shplekset prej diellit të ngurosur dhe përthithet me dëshirë nga shpirti..Frymarrja lirohet.Ndjenjat e ngrohta terin shpirtin e lagur nga ftohtësia.Ngjyrat e shpresës shkrijnë copëzat e ngrira dhe dielli reflektohet në rrëkezat e ujta të cilat avullojnë duke ngritur tullumbace të ylberta në lartësi. Shpirti pastron brushinë e ftohtë nga kallëpi i vuajtes,dhe fluturon në vizionet e pranverës së qiellit.Mbulesa e sedeftë krijon  përbërje të flladit të gjelbërt me zëra bilbilash. .Jeta  fillon të kalojë kudhrën e sprovave,për të lartësuar shpirtin në drejtim të qiellit.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: nuk mund te ngrije, shpirti, Vjollca Pasku

RRËSHQITJE E ËMBËL NË FAQET E ROMANIT “VAJZA E KYÇUR”

November 4, 2013 by dgreca

Nga Vjollca PASKU/

 Udhëtoj duke rrëshqitur nëpër fletët e romanit “VAJZA E KYÇUR” të shkrimtarit Vullnet Mato. Retinat e syve të mi ndërrojnë ngjyrë sipas refleksit të ngjarjeve, me të gjitha nuancat e spektrit të dritave qiellore.Një adoleshent që rritet në varfëri të plotë për shkak të biografisë, ecën nëpër duhmat e stinëve, duke kërkuar pak dashuri në jetën e tij, pak njerëzi nga yjet e kuq përvëlues të sistemit monist. Një ëndërr e parë nga babai tij sikur fluturonte me kalë të bardhë hapësirave te Greqisë, u bë shkak i burgosjes së tij për vite me radhë. Kjo ëndërr e gjumit dogji të gjitha ëndrrat reale të familjes së tij që u dënua me mizerjen e varfërisë. Për të lehtësuar disi varfërinë, personazhi kryesor, Veno nga Saranda shkon në stabilimentin e sharrës në Hotolisht, ku punon si operator kinemaje dhe elektriçist njëkohësisht. Dy punë për një pagë të ftohtë. Diell ngjyrë vjollce ishte dhe për të gjithë të përndjekurit e tjerë politikë, zhytur në errësirën e vetmisë,përgjuar nga veshët spiunë. Pikërisht në kushte të tilla, një agim i papritur,grisi errësirën dhe zbardhi magjinë e orakullit të qiellit. Një kambanë me tonalitete dashurie, rrahu  tinguj emocionesh. Një shtat i brishtë, me një fytyrë lakore të butë, me buzëqeshjen e zambakut të bardhë lindur nga dy sytë liqenorë,ndezën fenerët e kuq të ndjenjave. Karta e dashurisë, vijëzuar në të gjitha fletërudhosjet e trurit të saj, kishte vetëm një emër Klea. Autori e përshkruan atë: e mprehtë, ironike, e përmbajtur, e rreptë, tunduese, gjithë kripë, gjithë sheqer, gjithë uthull, gjithë mjaltë teksa nëpër retë e qiellit të saj,cicëronin harabelat gëzueshëm. Në ditët e bardha të këtyre ndjenjave rinore, së pari në stabilimentin e sharrës së Hotolishtit, e më pas në atë të Stravajt, ku transferohet, harqet e degëve të pyllit formonin zemrën dhe era e gjetheve luante ritualin e dashurisë. Një mbështetje e dorës së tij, mbi dorën e saj të butë, ishte njësoj si zënia e një fluture. Një puthje e rrëmbyer, ishte një kristal çasti, që ndriti në rrjedhën pasionante të ajrit. Autori shprehet: “Sa herë mendoja për të, më dukej sikur në kokë më tingëllonin zile të argjenda dhe më drithëronin tela të ëmbël kitarash. Kjo ndjenjë e fortë lulëzonte pranverë.”Këtë dritë pranvere, u munduan ta shuajnë prindërit e vajzës me dy duhmat më të acarta të dimrit. E para feja dhe e dyta, qenia e tij i deklasuar. Por a mund të thahet pranvera e lindur mes dy shpirtrave, vetëm nga dy duhma të acarta dimri. Ligji i pranverës është lulëzimi. Tashmë fati ishte i shkruar. Edhe për Klean, vetëm një emër mbante esencën e dëlirësisë së dashurisë,”Veno” E gjithë kjo dashuri kalon nëpër linjën e provës mes dy të dashuruarve. Egërsia dhe keqtrajtimi që i bëjnë prindërit Kleas, nuk ndryshuan destinacionin e dashurisësë saj. Dhe ja një fragment nga një dialog fantastik, ku autori shpalos ndjesitë e holla mes dy te rinjve: “Pas pak, nga ahu aty pranë, ku midis gjetheve dukeshin dy çerdhe zogjsh familjarë, ra një zog sqepverdhë me krahët gjysmëlakuriq. Ai cicërinte vajtueshëm dhe unë shkova e mora në dorë. Klea kureshtare erdhi në çast dhe u ul përballë meje, me gjunjët bashkuar fort pas njëri-tjetrit. U përkul mbi zogun aq pranë, sa ndjeva frymëmarrjen e saj të vakët. Dhe të bashkuar në keqardhjen e përbashkët u ndeshëm në mënyrë të pavetëdijshme sy më sy. – Çudi, babai yt nuk i ka sytë në ngjyrë kaq të bukur !- mora zemër nga afrimi i saj. – Pse, për këtë je bërë merak ti ? – tha duke u tërhequr pak më prapa, pa iu larguar vështrimit tim. – E kam vrarë mendjen shpesh, se më kujton detin… – I ka mamaja. – tha ajo dhe rregulloi fustanin te gjunjët. – Asaj nuk ia kam vënë re. – Si ka mundësi, ti vë re çdo njeri… -Vë re atë që më pëlqen shumë… – Kuptohesh nga sytë edhe pa folur. – Ah, sa do doja që në këtë botë të më kuptoje vetëm ti!… Ajo shtrëngoi buzët me një trazim të dukshëm. – Edhe sikur të ishte ndonjë tjetër, këto fjalë do thoje ti…- Nuk ia kam thënë asnjërës deri tani dhe nuk kam për t’ia thënë sa të jemgjallë… – Mirë, mirë. Mjaft tani ! – tha për të ndërprerë trashjen e bisedës,duke e shoqëruar edhe me një lëvizje koke, që nuk kuptohej ishte pohim a mohim.- Mjaft është për ty, se për mua ka mbetur mangët e tëra… – i thashë zë ulur teksa kërkoja me ngulm një pohim të qartë. Por e mbylla gojën. Komandat e saj ishin supreme. Pas pak zbatha këpucët. Mora zogun e vura në xhepin e këmishës dhe u ngjita në pemë. Pasi e vendosa në fole, më shkrepi të bëj një lojë majmunësh. Lëshova duart nga dega ku isha varur dhe u hodha një degë më poshtë,duke shkaktuar në pemë një lëkundje të fortë. Ajo ngriti sytë e tromaksur. -Mami, moj ! – klithi padashur dhe kafshoi dorën. Po kur më pa që qesha, i erdhi turp për atë dhembshuri që tregoi padashur. Unë zbrita shpejt. U zgjata më pranë saj dhe i thashë gati duke mërmëritur: – Kaq desha të di, që ty të vjen gjynah për mua. – Gjynah më vjen edhe për atë zogun që vure atje lart, – tha ultas. – Unë jam më keq se ai. Pa fole!… – i pëshpërita sërish.” ………Pas dështimit të rastit të parë të rrëmbimit të vajzës, 25 tetori shënoi datën e paharruar të bashkimit të dy shpirtrave për të nisur udhën e përjetësisë tokësore të dashurisë. Ndërmjet qiellit dhe tokës ka vetëm një zjarr.Frymëmarrja, ajri, çastet, dihasin…Petalet e zemrës luajnë muzikën më të ëmbël të ndjenjave njerëzore. Nga ngjizja e tyre, u formua një dritëz. Parajsa e krijuar dhuron një krijesë jete, Mondën e vogël. Të gjitha zemrat e tronditura,u përulen para saj, si përpara një hyjneshe engjëllore. Ndoshta, sepse një grimcë ajri e Krijuesit të madh, ka brenda forcën e një krijese të vogël, por tepër të fuqishme, që të gjithë armiqësinë e mëparshme ta kthej në dashuri familjare. Zëri i saj ishte si belbëzimi i gonxhes së trëndafiltë. Kjo mrekulli ishte pikërisht prekja e lumturisë. Ditët galoponin nëpër erëra te ftohta diktature dhe here pas here, frika ndaj gjitarëve të kuq kthehej në makth.Ndryshku i amortizuar i luftës së klasave godet, dhe pret fatet e jetës njerëzore. Zonja Polikseni, apo mama Pola, si e thërrisnin ishte një intelektuale, që kishte mbaruar shkollën e lartë në Itali me rezultate të larta për mjekësi. Por në vend që të ishte një pedagoge e shkëlqyer, tani pastronte fjetoret e sharrëtarëve. Bashkëshorti i saj ishte arratisur në Itali. Ajo u internua fillimisht në Savër të Lushnjës bashkë me djalin e vetëm Bertin. Një tentative e bashkëshortit për t’i rimarrë fshehtas në bregdetin e Divjakës, i çon ata në Stravaj, ku  ruheshin nga milingona sigurimsash. Bertin e saj të mrekullueshëm, i cili priste të shkollohej, e vranë pabesisht në repartin ushtarak me pretekstin “se donte të arratisej” kur kishte dalë nga gardhi i rrëzuar për të shkuar në kinema fshehurazi me dy shokë ushtarë.Vajtimi i mama Polës është vajtimi i Ajkunës së regjimit komunist. Dhimbja ngre stuhi lotësh dhe shtrëngata rënkimesh,dallgëzojnë ajrin. Zemra e kryqëzuar pikon helmin e qiellit të kontaminuar nga sëmundja e murtajës së kuqe. Zemërimi shkumëzon vajin dhe nata përpëliste krifën e erës.Britmat binin të copëzuara në tokë, ku ravijëzoheshin plagët e shpirtit. Ajo i drejtohet Venos, i cili kishte shkuar fshehurazi mbi varr me një kurorë të madhe, për ta ngritur mama Polën që dergjej përmbys. “Nuk kam ku shkoj… Si t’a lë djalin vetëm…Si ta lë Bertin të ma nxjerrin ujqërit nga varri…E ka gjoksin copë e çikë nga plumbat…Gjoksin që mezi ja bëra burrë. Ah, si s’vdiqa unë e para… Gjynahu ka vdekur, i pushkatuar si Berti im. Jemi një brez për të ardhur keq. Si mund të vrasë ushtari shokun e vet?… Këtë s’e bëjnë as kafshët.” Kjo copë Shqipëri e kuqe e shtyn nënën fatkeqe me zell të madh të ushtrojë vetëvrasjen e saj. Dhimbja për të fshikulloi terrin, gjethet, pemët…asnjë organizëm nuk gjente prehje. Britmën vullkanike të çangave të dhimbjes e përpiu toka. Ajo fluturoi pa aguar në përjetësi për të fertilizuar vuajtjen në paqe. Kjo ngjarje tragjike shtoi urrejtjen jo vetëm te individëve që ishin të prekur në biografi, por edhe të njerëzve të thjeshtë që kuptonin padrejtësinë e luftës së klasave. Jeta vazhdon me transferimin e Venos në Librazhd, e më pas ushtar. Por edhe në atë repart pune, e ndjekin vuajtjet e panumërueshme e të stërmundimshme të punës së rëndë në turnet e natës së kanalit, vetëm për të damkosurit në biografi. Klea pret fëmijën e dytë, jeta vazhdon me lumturinë dhe shqetësimet e vazhdueshme nga squfuri në zbehje i rendit në fuqi, deri kur diktatura mori fund me përmbysjen e statujës së udhëheqësit. Një vend të rëndësishëm në këtë vepër, zë përshkrimi mjeshtëror i peizazhit të natyrës, e cila pikturohet me puhizën e gjelbërt të flladit pyjor. Petku i saj është i çelur dhe plotë dritë për dashurinë, i errët dhe i zymtë me pëlhurë vajtimi për kobin.Shifra e deshifrimit të saj konsiston, në varësi të gjendjeve shpirtërore të personazheve të krijuar me ekspresivitet. Gjuha e komunikimit është një instrument muzikor i dashurisë, si violina e zogjve të mëngjesit që luajnë në partiturën e kohës dhe të hapësirës, mrekullinë e dashurisë. Dialogu i dashurisë eshtë i ndërtuar me drithërimat e emocioneve që përcjell drejt përdrejt transparenca e kopshtit të dashurisë. Romani ecën në dy linja,atë dashurisë, dhe të përndjekjes së rëndë klasore, e cila shoqërohet me varfërinë e sistemit. Autori është jo vetëm një kronist i gjeneratës që përjetoi sistemin më të rëndë të kohës, por edhe transmetues i mesazhit social.“Kurrë mos u përsërittë ajo kohë!” Libri “Vajza e Kyçur” është një joshje historike, që i fton lexuesit në një romancë ëndrre, ekuivalente me botën evuajtjeve. Një pol i fuqishëm magnetik, i cili me emocionet që krijon, e përpin lexuesin deri faqen e fundit. Origjinaliteti i artit të papërsëritshëm në këtëvepër, mban vetëm një vulë, atë të mjeshtërisë Mato.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: romani, rreshqitje e embell, Vajza e kycur, Vjollca Pasku, Vullnet Mato

ALFABETI I NATËS

October 29, 2013 by dgreca

Nga Vjollca PASKU/

Errësira kalon nëpër sytë e mi.Jam në pyll duke ecur dhe për një çast përpëlit qerpikët.Pikëzat e yjeve rregullojnë  pesëkëndorin në kapelen memece të qiellit.Largësia që më ndan me ta është gjumi i ditës së bardhë.Duke ecur, një grimcë lagështie e epidermës së natës,më qëndron në buzë. Puthje  flagrante e errësirës,që pasohet me të tjera.Kodi i mistereve të territ, lind muskujt e buzëqeshjes të gjuhës së kozmozit.Hijet e pemëve bëhen njësh me errësirën. Në sytë e mëdhenj të bufit  si orë nate,zbulohet kërshëria e ndonjë prej aventurave të zogjve më të vegjël.Gjinkalla sintonizon zërin me karkalecin.Gjarpri si një lëkurë rrëkeje rrëshqet nëpër gjethe dhe vërshëllen moskokçarës.Këndojnë  kuaket e gjoleve për të ndezur bukurine e dashurisë.Brumbujt dhe milingonat lëvizin antenat për të marrë sinjale nga hëna.Një pëshpërim drethke më thotë;’tani do të ndodhë mrekullia’Zëra..të magjishme  u hapën në gjithësi.Polifoni e pangjashme me kordat toksore apo frymore të krijuara nga erërat njerëzore. Ngjizje e tonalitetit të zjarrit, qiellit e tokës, zgjatoheshin në një melodi hyjnore,fuqizuar nga gjithësia.Qelqi i artë i hënës u thye nga diagrami i harpës magjike me një amplitud të lartë sinusoidale. Drita e saj u derdh dhe u përpi nga ajri..Ah…shtoj-za-vallet…këndonin dhe vallëzonin duke formuar një kërthizë  toke,si flakë tempulli. Ajri tërhiqej prej vakumit të frymëmarrjes së tyre, dhe shpupuritej prej krahëve valltare virtuozitetin  mijëvjeçar e krijonte valëzime ajrore.Sytë e shtojzavalleve vështronin si vesa e qiellit.Flokët I kishin të gjatë, si zgjatimi vektorial i reve të bardha mbi  mal, veshur me pëlhurë argjendi, me shalle të gjelbërt natyror.Oh …Bukuri e flakës së virgjër.Bukuri e dritës së pashfaqur e agimit.Bukuri e oqeanit mbledhur në thembrën e horizontit para perëndimit..Jam si në ëndërr..Një copëz dritëhënëze e fshehur u fik në qënien time, duke më dhënë ekstazën e saj.Fluturimi në sytë e mi skanoi gjithë aerodromin e qiellit, gjithë akset e gjerësisë dhe gjatësisë së pyllit, gjithë himnin e natyrës së errët..Ndjeja lumturi…Copëzat e natës u shpërbënë si një duhmë buqete, dhe shtojzavallet ikën rrufe.Agimi menaxhoi grimcat e dritës. Sytë njerëzorë u hapën për të  realizuar ëndrrat e natës. Ajri rimoi frymëmarrjen e ditës.Nuk e di?A do të ishte më mirë të isha një qënie e lumtur e natës, apo një brengë e zhurmës së ditës?

 

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: alfabeti i nates, esse, Vjollca Pasku

ME KË MUND TE KËMBEHET QIELLI I FERRIT?

October 24, 2013 by dgreca

Shkruan: Vjollca Tiku Pasku/

Muzgu çeli vjollcën e zakonshme, në kufirin midis  dritës dhe errësirës.Eshtë ajo pjesë e ditë-natës që më pëlqen më shumë.Të gjitha bimët, lulet ,lëshojnë një erë karakteristike si një flash i tejdukshëm i gjelbërimit.Këto  çaste i kaloj në kopshtin e shtëpisë sime.Kisha mbjellë trëndafila nga të gjitha ngjyrat.Kur shkëndija e yllit të mbrëmjes  ndizte muzikën e bulkthit krijohej një platformë mikro-kosmosi e  vallëzimit lulor.Për çudi sot ato dukeshin të shqetësuara. Nuk kishin paqen dhe vezullimin e zakonshëm. Muzgu u vyshk dhe errësira i mbuloi, pa më dhënë kënaqësinë e zakonshme të gjallërisë që i karakterizonte para se të mbyllin petalet e gjumit. Ndeza dritën e verandës, dhe për çudi vura re, se në mes tyre qëndronte një trëndafil më i zi se errësira.Ishte krejtësisht i vetëm sepse të gjitha lulet ishin mënjanuar.U afrova si për ta pyetur’nga ke mbirë këtu trëndafil i zi’.Ai lëshoi një  aromë mbytëse. Gjithshka m’u rrotullua.Si  rekuem më lëvizën përpara syve degë me petale errësire dhe më rrëzuan …
Jam konturi i një sfere të vogël,e mbrojtur si me cipë hyjnore që i ka të gjitha ndijimet.Po bija poshtë me shpejtësinë e rënies së një komete. O Zot ku po shkoj.. vallë në labirinthet e ferrit.Tinguj të zvarritur,sikur dilnin nga një folder thellësie,.Ndaloj buzë grykes së humneres së zjarrtë që ndizej prej rrufeve të mallkimeve të  zemrave të djegura.Shpirtra në formën time ,pa frymën mbrojtëse zhyteshin thellë e më thellë.Shikimi im ishte aq i mprehtë sa në çdo shkallë të thellësisë mund të shikoja.Helmet mbytëse që çliroheshin prej dhimbjeve të shpirtrave dukej sikur kënaqte këtë ferr të zjarrtë.Impulset e organeve të errësirës dilnin në sipërfaqe dhe shfaqnin vegimet kur ishin në jetë. Ndjeshmeria ime u afrua në dy shpirtra.Njëri qëndronte pak më lart se tjetri.Ata kishin vrarë mizorisht një familje pa kursyer as jetën e një foshnje,për të vjedhur.Gjaku i derdhur kthehej në thika qorre  dhe  godiste qënien e shpërfytyruar  të tyre.Ata ndjenin gjithë dhimbjet që kishin ndjerë trupat e ngrohtë kur linin jetën.Era e zjarrtë ndërronte stacionet e vegimeve , dhe plagët e hapura thëthinin si magnet zjarret e ndezura. Shpirti përpëlitej në mjerimin e pafund.Në pafuqinë e ndryshimit të vendodhjes shpirtrat luteshin për një pauzë…Çastet ndaheshin në proporcion klithmash zjarri.
Një shpirt tjetër kishte vrarë një vajzë që e kishte përdhunuar dhe lënë shtatzanë..Qielli i zi i ferrit lindte embrione gjarpërinjsh që rrotulloheshin dhe mbështillnin shpirtin.Çdo shpirt digjej në zjarre pa dritë.Arsenalin e ferrit e kanë fronëzuar pasionet e çmendura në jetë duke rendur pas lakmisë,parasë,qefit, pushtetit, e lavdisë.
Afrova ndjeshmerinë time në një rreth tjetër shpirtrash.Copat e ekstazave të tradhëtisë bashkëshortore eksitoheshin dhe ktheheshin në skorpionsa helmues,lëshonin pickimin e helmuar  dhe ricikloheshin për tu kthyer në një llavë helmuese që mbinxehnin ferrin më shumë.Ulurima dihatjesh dëgjoheshin të cilat  ktheheshin në valë gjigande të dëshpërimit.
Në një rreth tjetër,shpirtra hajdutë lakmitarë të pasurive të botës,villnin babëzitë e jetës,në detin e qelbur të krijuar prej tyre.Ushunjzat torturuese pinin gjak shpirti.Llumrat e qelbura i zhysnin në ultësinë më të madhe dhe larvat krijonin audiencën e jetës së tyre.
Ndjeshmëria e tyre ishte zjarri dhe shpirti llava që rindizej… Pikjatë në mesin  e katranit rrëzoheshin shpirtrat e fjalës torturuese, me gjuhën rrumbullakosur si metastazat e kancerit.  Atëherë më lindi pyetja;kush i ka dënuar?
Përgjigja më erdhi; Ndërgjegja e tyre krijon gjithshka, edhe dënimin e shpirtit…
Pas një lutje u gjenda lart, por këtë radhë e mbrojtur nga drita e fortë. Era e lumtur më tëhiqte  drejtë dritës së furishme.Vala e kaltërsisë më lau me aromë lulesh.Shqiponja me krahë hëne lindi buzëqeshjen e mirëseardhjes. Meloditë e nuancave të oqeanit të paqtë ,të sikronizuara me bukurine e ngjyrave të larmishme të luleve , të reflekseve koralore të agimit, rrezatonte orkestrën e parajsës.Në këtë melodi çdo ajet është dritë dashurie.Çdo zemër drite,lindte thesare ku vishej qielli e shndërrohej në njëmijë ngjyra..Lulet, diamantë të butë petalesh vezullonin kudo ku afroje ndjeshmërinë.Shpirtërat si  engjëjt, me mantelin e bardhë prisnin vetëm borë gëzimi. Çdo fludhë e bardhë ishte medaljoni i lajmeve të mira nga qielli prodhues..Në tokë përjetuan vuajtje të ndryshme fizike-shpirtërore, dhe kurdoherë dolën më të kalitur.Të gjitha virtytet dhe ndjenjat e bukura lindnin nga  rrezet e diellit pa perëndim  e bëheshin gjerdane të shpirtrave.Lum ata që u formuan si njerëz me yjet e virtytit, qoftë edhe në varfërinë më të madhe. Ata kanë krahë engjëjsh dhe banojnë në universe dritash.Qënia ime u magjeps, nga  kjo gjithësi  e ëmbël,mikpritëse , paqeje ,rritje shpirtërore. Këtu niste embrioni i pafundësisë..

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Qielli i ferrit, Vjollca Pasku

LOTËT QË U SHNDËRRUAN NË MARGARITAR

October 15, 2013 by dgreca

Tregim nga Vjollca PASKU/

Mëngjesi i prillit është magjik.Shpirti pushtohet lehtësisht nga hareja epranverës.Çdo mëngjes e kisha bërë zakon të ngrihesha shpejt, të merrja makinën,të nxitoja drejt liqenit, për të vrapuar. Vrapi më lodhte pak, por ndihesha shumë e lehtë, për të filluar ditën me një energji të plotë.Mbi shpirtin tim,vibronin të gjitha fijet e gjelbërta dhe ngjyrat e luleve që çelnin aromën veshur me petkun më të bukur festiv. Më dukej sikur kisha lindur nga veza e lules,përkëdhelur nga dora e pranverës.Shpesh më quanin “zonja e luleve”.Kjo, jo vetëm për dashurinë time kundrejt tyre,por edhe se kisha një dyqan lulesh.Punën time e adhuroja,më krijonte ndjesinë e një Edeni të vogël.Bashkëshorti im kishte një serë që i kultivonte me merak të madh dhe m`i dërgonte herë pas here në dyqan.Në mes të dyqanit kisha vendosur një shatërvan të vogël, ku një sirenë e hidhte ujin në formë sferike..Në bishtin e saj vareshin degëza jeshile si fije bari..Dritëzat blu, jepnin pamjet e një liqeni të vogël. Sirena prishte rrjedhën vazhdimisht, me currilat e ujit përpjetë..Dashuria ime e parë ishin lulet e dyta deti…Ndonjëherë mendoja se deti kishte qënë një lule gjigante blu dhe ishte shkrirë, ndoshta sepse u dashurua me tokën..Rrënjët e saj puthnin të etura thellësinë e tokës dhe nga gëzimi dilnin në sipërfaqe duke u shndërruar në det.Deti më sillte ndërmend hallën time.Ajo ishte e dashuruar me detin që e vogël. Ishte bërë notare e zonja dhe shumë herë kishte zënë vend nderi në garat e notit. Origjina jonë ishte nga Vlora.Të gjithë u shpërngulëm në Tiranë duke filluar një punë apo një biznes, ndërsa ajo kishte qëndisur përfundimisht të kaltrën e detit në jetën esaj. Shpesh mendoja se edhe deti kishte afeksionin e tij kundrejt hallës, dhe një pjesë të bukurisë së përjetshme ia kishte dhuruar në intimitetin e tipareve. Sytë e saj të kaltër me një rreth të gjelbërt në fytyrën ovale,zeshkane ,linin pamjen tërheqëse për këdo.Ishte truplidhur, me pak muskuj krahu. Ushtronte banja dimërore, edhe kur deti zemërohej dhe rrihte krahët e tij plotë zhurmë..Më e çuditshme ishte se flokët i mbante përherë të gjatë, dhe megjithëse ishte afruar të tetëdhjetave nuk kishte asnjë thinjë.Kishte mbaruar Institutin e lartë të kulturës fizike, dhe ishte e kënaqur me atë profesion.Shumë njerëz fisnikë e kishin kërkuar, por ajo i kishte refuzuar të gjithë.Nuk u martua asnjëherë.Sa herë e kisha pyetur’përse’ më ishte përgjigjur’ kur të vijë ora do ta them vetëm ty moj bijë’Sa herë vrisja mendjen, dhe nuk arrija asnjë përfundim’. ‘Kush ishte misteri i saj?’Asnjëherë nuk kisha dëgjuar të ishte e dashuruar me ndonjë.Sytë e saj ishin vetëm për detin..Teksa mendoja për të ,në ekranin e vogël të celularit më erdhi mesazhi ‘Bijë erdhi ora të tregoj sekretin tim’ Kjo e papritur,më shqetësoi pa masë.Mora në telefon bashkëshortin tim, të kujdesej për dyqanin dhe nxitova me shpejtësi timonin drejtë Vlorës…Shtëpia e hallës ndodhej në plazhin e ri.Rruga automobilistike e ndante nga deti dhe një monopat i lartë me shkallë guri.Shkallët i kapërceva nga dy dhe u gjenda në shtëpinë që për shumë kohë ishte shtëpia e gëzimit për mua..Ndërsa tani…zemra po më ndahej më dysh ngashqetësimi. Dhoma ku qëndronte ishte e punuar në dru dhe xhamaria e madhe e kishte shikimin drejtë detit.Ajo ishte shtrirë në krevatin e saj dhe dukej sikur po flinte… -Halla si je?- fola e shqetësuar… -Sa mirë, erdhe bijë…Ndoshta erdhi koha të shkoj , por më parë doja të rrëfehesha vetëm ty,mos më ndërpre…Fytyra e saj shndrinte,nga një nur i bukur sikur kishte ardhur nga kremtimet hyjnore…Këtë përndritje e marrin vetëm shpirtrat e mirë pranë ndërrimit të jetës.Këto fjalë ma bënë shpirtin copë. Halla ishte si nënë për mua.Në vogëli më shumë qëndroja në shtëpinë e saj, se sa në timen. Ndaj më thërriste ‘bijë’-Hallë të thërrasë një doktor..i thashë shpejtë.. -Bija ime vdekjen nuk ka doktor ta shërojë, por ti dëgjomë, më pas do iki e qetë.. U afrova pranë saj dhe po e përkëdhelja si një fëmijë të vogël. Lotët më rrëshqisnin,si pikat e shiut.Ajo filloi rrëfimin e saj të mistershëm; -Që e vogël e doja detin.Ndjeja përkëdheljen e tij në të gjithë qenien time.Ndjeja një dëshirë të zjarrtë,sikur të ishte një afekt që e prodhonte kaltërsia.Një ditë vere dielli hapi ngrohtësinë në gjithë banderolat e ajrit.Hyra në det, si zakonisht për të përqafuar atë transparence me krahët e mi. Rrezet më verbuan sytë. .I mbylla fort. M`u duk sikur me mijëra kallëza gruri shpërndanë ngjyra ndriçuese nga hojëzat ylberore,.Manteli i kaltër i detit më mbështolli rreth e qark. Notoja dhe vallëzoja, si një dritëz në sipërfaqen e detit.Isha e lumtur …. Papritur filluan te krijoheshin rrathë simetrikë ,të vegjël te cilët hapeshin ndadalëdhe bëheshin të mëdhenj .Një bodrum nënujor po shfaqej para meje ,një fidanishte koralesh ku rrezja e diellit depërtonte lirisht në dritaret evogëlza si nje mozaik i punuar me kujdes.Një pluskim jete me flurim ujor ndihej në çdo anë. Algat jepnin dekorin e një skene të gjelbërt rrethuar nga guacka të bardha , të zeza, të verdhe, rozë, blu, vjollcë, duke valëzuar. E trembur dhe mrekulluar njëhkosisht ndiej një vibracion zanor .. -Eraaaaaaaaaaaa…Emri im u zgjat si jehona e zërit brenda një guacke me tonalitet më të ëmbla zanore që zgjateshin…nëpër valë .Nuancat e kësaj melodie më magjepsën shpirtin.Të gjitha shqisat e mia u kthyen nga zëri. Përpara meje qëndronte një njeri ujor.Fytyra etij kishte luspa të buta si thonj bebesh të porsalindur, ku mollëzat vezullonin si dy hënëza të vogla deti . Sytë të mëdhenj me blu të theksuar,flirtonin në pritje. Flokët e gjatë, valëzonin si të ujvarës.Shpatullat e gjera dhe kraharori i mbuluar po me luspa të holla zmadhoheshin nga mezi e poshtë me kristace të mëdha shumëngjyrëshe, në formën e peshkut dhe mbaronin me një pendë të madhe. – Era—më foli, në shkurtimin e emrit Ermira.. Buzëqeshja e tij ishte si e kristalit të kuq..Shikimi i tij i pastër depërtonte,thellësisht në sytë e mi.Ai mu afrua, pëshpëri lehtë-Mos ki frike-… Një tronditje e ëmbël më pushtoi.Qëndroja ulur në një karrige algash, dhe nuk lëvizja.Përreth tij kishte njerëz të tjerë ujorë të larguar paksa. – Unë të dua,bëhu mbretëresha ime dhe gjithë parajsa ujore do të jetë e jotja. -Por unë jam njeri.. -Me dëshirën tënde, unë të shndërroj në sirenë .Ai mori dorën time dhe e puthi me buzët e tij plotë dashuri.Vështrimi shkëlqyes dhe prekja, më linden një rrymë ndjenjash. Zemra më dukej sikur po më bëhej trëndafil blu,e po më tërhiqte drejt tij.Ai ma rrëmbeu s’di se si…Brenda meje të rrahurat më thoshin:”pranoje..Truri –”je e marrë..” -Pranomë e dashur, ti ke erën e detit.Besoi zemrës tënde..Ajo gjëmon, e ndjej edhe unë.Ngjyra e kësaj kaltërsie është e mirësisë.Ti e gjen këtu plotësimin e dashurisë tënde.Këtu ka paqe të vërtetë,edhe kur mbi det bën stuhi.. do jesh e lumtur.. -Të lutem,lermë të mendohem- i thashë unë, që nuk isha as nën ujë dhe as mbi ujë..Sa doja të shkoja , të mos mendoja asgjë….Ndihesha e trëmbur, e mahnitur, e mrekulluar prej asaj bote që mu shfaq. Ishte e pabesushme, ‘mos jam në ëndërr’ mendoja.Aiu afrua pranë meje,duke mbajtur dorën time në mes të pëllëmbëve të lagështa.E dinte se më këtë prekje me këtë kontakt, zemrën time do ta pushtonte tërësisht.E dehur nga kjo dashuri e njeriut ujor, po afrohesha të pranoja atë ndjesi të paprovuar kurrë në jetë…Por…më erdhi në mend familja ime, bota njerëzore, toka..Aty ku u mata t`i jepja vulën me buzët e mia u tërhoqa dhe i thashë.. -Lermë të mendohem… Sytë e tij plotë dritë ulën hijen e trishtimit.. -Fjala ime thuhet vetëm një herë dhe përgjigja jote vendos fatin tënd.Nëse ti nuk pranon, nuk do më shohësh asnjëherë. Ky është rregull i popullit tim, dhe unë i bindem.Sytë e mi lotuan arsyen që s`po e shkrija dot në furrnaltën e ndezur të zemrës.Sytë e tij lotonin tingëllimin e fjalëve që dëshironte të dëgjonte. -A nuk mund të thyhet rregulli juaj vetëm një herë.- i thashë unë. -Nuk mund të vënë rrezik popullin tim..-tha ai – Por… unë kurrë…nuk,-i thashë me fjalë të këputura.. -E di, lamtumirë dashuria ime…..tha ai – Unë nuk të them kurrë lamtumirë…i thashë unë. Prej syve blu përkëdhelës rrodhën lot.U afrova t`ia fshija me duart e mia, por ..Lotët e zemrës së tij rodhën e duart e mia u mbushën me margaritar.Çdo pik loti shndërrohej në margarita Ai u zhduk nga sytë e mi dhe unë u gjenda në breg.U ula në rërën e butë teksa vështroja margaritarët. Nuk më besohej ç’ndodhi. Margaritarët ishin e vetmja gjë që më lidhte me sekuencat e ngjarjes. Ato u bënë gjerdani im gjithë jetën, ku ruhej testamenti i dashurisë sime.Deti ishte totemi im.Shpresoja,të paktën dhe një herë të vetme ta shikoja atë që më rrëmbeu zemrën një jetë të tërë, atë që më burgosi pa qeli,me qiell e det blu, por asnjëherë nuk mu shfaq më. Kur halla e mbaroi rrëfimin m`u duk sikur u çlirua nga një peshë..Nuk dija ç`t`i thoja.. -Ndoshta kështu ishte shkruar halla ime – i thashë, Dëgjo, kam një amanet të fundit bijë..Trupin tim do e lëshoni në det pa perënduar dielli..Atje do jetë vendprehja ime..Nuk doja t`i kundërshtoja për asgjë…. -Do bëhet dëshira jote hallë– i thashë.. – Tani,merre gjerdanin me margaritar,kur të vijë ora jote lërja vajzës, e kështu brez pas brezi. Këtë histori do ta dijë vetëm ajo që i mban margaritarët…dhe mbylli sytë …duke filluar udhëtim e paqes së përjetshme. E tronditur nga një rrëfim i tillë, thirra njerëzit e mi dhe plotësova amanetin e hallës. Më dukej e pabesueshme, me plot mistere të tjera ky rrëfim…por…e rëndësishme është se ajo iku si një valë e butë që përhumbet në shkumën e bardhë.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Lotet qe u shnderruan, ne margaritar, Tregim, Vjollca Pasku

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Cikel poetik: Atdheu gjithmonë ka një strehëz…
  • ME RASTIN E 15-VJETORIT TË VIZITËS SË PRESIDENTIT GEORGE BUSH NË TIRANË – NË KUADËR TË 100-VJETORIT TË VENDOSJES SË MARRËDHËNIEVE AMERIKANO-SHQIPTARE*
  • Remarks by Ambassador Ferit Hoxha at the UN Security Council meeting on Ukraine
  • Martin Camaj nëpërmjet një letërkëmbimi
  • AT KARLO  SERREQI O.F.M.
  • Eight IRA Mistakes That Can Cost You a Fortune
  • Mbi veprën e Musine Kokalarit: “Dasmë… Sa u tunt jeta”
  • 6 MUAJ PA PATRIOTIN MEHMET MUJAJ
  • Dalip GRECA, -Ti shkrove për të gjithë…ike… dhe na le ne në borxh…
  • SHTETI PËRBALLË KRIZAVE; SHQIPËRIA NGA SHEMBJA E KOMUNIZMIT DERI TE LUFTA E KOSOVËS
  • NË VILËN E DIKTATORIT RUMUN DHE POEZIA IME PER POETIN UKRAINAS DMYTRO CHYSTIAK…
  • Celebrating 100-year anniversary of Albania – US diplomatic relations
  • “ROLI I MËRGATËS SHQIPTARE NË BOTË DHE NË MËNYRË TË VEÇANTË I MËRGATËS TONË KOMBËTARE NË SH.B.A”
  • SHQIPËRIA, LUFTA DHE KRIZA E ÇMIMEVE, SI DO NDRYSHOJNË EKUILIBRAT
  • NË BE ME STANDARDE TË PLOTËSUARA DHE JO ME RETORIKË SARKASTIKE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT