• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2013

Kafshëri e ministrit bullgar- shqyen para gazetarëve flamurin e Kosovës

July 11, 2013 by dgreca

Kafshëri e ministrit bullgar- shqyen para gazetarëve flamurin e Kosovës/

SOFJE- Një gjest kafshërie ka bërë ministri Bullgar, që nuk e ka komanduar instiktin, por mu përpara gazetarëve ka bërë një veprim të ulët, duke e shqyer Flamurin që Kosovës ia ka imponuar Europa.

Ministri Pavel Cernev ka shqyer para gazetarëve flamurin e Kosovë, gjë që ka irrituar të pranishmit në konferencë.

Ministri ka rrëmbyer nga duart e një gazetari flamurin e Kosovës dhe më pas e ka shqyer atë para tyre.

Sakaq, pritet që ndaj ministrit të ketë një masë disiplinore pasi flamuri është simbol i një kombi, pavaresisht se flamuri I Kombit tone është ai kuq e zi, por Evropa i ka imponuar Kosoves-shtet nje flamur me shume yje, por qe ministri nevrastenik bullgar, nuk qenka dakort!.

Filed Under: Kronike Tagged With: Ministri bullgar, Pavel Cernev, shqyen flamurin e Kosoves

Njeriu lind si pasojë e një ideali!

July 11, 2013 by dgreca

Faik KRASNIQI/

Njeriu lind si pasojë e një ideali.
Ideali i një nëne për t’i dhënë jetë një jetë, që është burimi i njerëzimit.
Njeriu rron me idelale dhe jeton në funksion të idealeve.
Dhe jep edhe jetën për një ideal sepse jeta është e tillë, të arrish dhe t’i japësh jetë idealeve.Që të jenë pjesë integrante e personit tënd, e t’i mbrosh edhe kur afër teje gjithçka rrëzohet.
Mbi atë që shkruajta më sipër është e vështirë të shprehesh.
Sa më shumë kalon koha, aq më shumë shtohen diferencat midis shqiptarëve që jetojnë jashtë dhe atyre që jetojnë në hapësirat mbarëshqiptare.
Në hapësirat mbarëshqiptare jeta e njeriut është e drejtuar eskluzivisht në kërkim të mbijetuarit.
Ata që jetojnë jashtë kanë mundësi të kultivojnë pasionet e tyre, të ndërrojnë jetën e tyre në funksion të dëshirave dhe ideve të ndryshme.
Po këtë mundësi ta jep mirëqenia, ta jep qetësia financiare. Po kur pasioni dhe kërkimi janë në funksion të kafshatës për fëmijët, atëherë gjërat ndryshojnë.
Gjykimi i atij që ngel mbrapa për rrethana të ndryshme, është një gjykim ndaj qenies që nuk ka pasur të njëjtin fat si ty.
Mentaliteti i hapur, kultura dhe edukata po bëhen pjesë jetësore e shumicës së emigrantëve që jetojnë jashtë kufijve të hapësirave mbarëshqiptare.
Po kush jeton në hapësirat mbarëshqiptare dhe donë bukë për fëmijët, nuk ka kohë të shfletojë një libër e të shkojë në teatër. Ky është një shembull banal.
Ne që jetuam në perëndim nuk jemi më të mirë ose më të mençur, thjesht patëm fatin të ndërrojmë jetën tonë. Kjo do të thotë që edhe në hapësirat mbarëshqiptare njerëzit kanë potencial për të ndërruar dhe të nxjerrin nga vetja e tyre ato vlera që bëjnë njeriun të quhet i tillë.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: faik Krasniqi, njeriu lind, si pasoje e nje ideali

C`po ndodhë në Kosovë ?!

July 11, 2013 by dgreca

Nga Gani Qarri Zyrih/ Zvicer/

Qenka tejet trishtuese kur njeriu sheh në këtë gjendje popullin e vet. Një popull të tërë që nga skamja dhe mjerimi i padurueshëm,ka mësy të ikë dhe një orë e më parë ta lë atdheun e tij, nën mallkimin që i sollën ata që nuk do duhej. Ndoshta u bë mjaft për këta njerëz të cilët padrejtësisht, që sa kohë ushqehen me dezinformata zbukuruese,kurse gjërat nuk shkuan asnjëherë në rrugën e duhur dhe drejtimin në të cilin shqiptarët besonin.

Atyre tanimë,nga zhgënjimet e njëpasnjëshme,mjerisht u është bërë i pamundur qëndrimi në atdhe. Vrojtimi indiferent ndaj korrupsionit, nepotizmit keqpërdorimit të demokracisë,pasurimit marramendës të pushtetarëve dhe varfërisë trishtuese të popullsisë kanë filluar ta kërcënojnë jetën e tyre dhe sigurinë tonë kombëtare, e cila i detyron njerëzit e dëshpëruar në ikje të pakthim.

Se kjo gjendje do të shkoj kaq larg dhe deri në këtë ditë sa të kërcënoi me zbrazjen e vendit dhe ç`shqiptarizimin e atdheut,këtë nuk e ka pritur askush. Mirëpo të vazhdoj edhe më tej,që ky vend i sjellur në këtë skamje marramendëse dhe varfëri të skajshme deri në vdekje klinike, të udhëhiqet nga pushtetar milioner dhe deputetë të katapultuar AKSIDENTALISHT në Kuvend me vota të vjedhura,kurse shqiptarët –në shenjë proteste– ta lëshojnë tërësisht të heshtur – vendlindjen e tyre, fatkeqësi më të madhe për këtë popull nuk mund të ketë.

Jo vetëm pushtetarët por as opozitarët, nëse ka të tillë në Kuvendin e Kosovës,që sa vite shihet se nuk janë aty për të shpreh zërin e votuesve të zhgënjyer, por për votimin pa kundërshtime të të gjitha planprogrameve të qeverisë, ashtu siç ajo i do dhe paraqet para tyre.

“Përfaqësues” të tillë keqpërdorin në mënyrë mjeshtërore sinqeritetin dhe durimin e këtij populli, duke punuar me hile në emër të tij, dhe pa asnjë përkushtim për interesin e vendit dhe aspiratave të atyre që ranë për lirinë e Kosovës.

Sjellja e tillë është edhe çështje e identitetit kombëtar, dinjitetit personal dhe edukimit njerëzor jo vetëm të deputetëve por edhe votuesve të heshtur që nuk bëzajnë para asnjë padrejtësie ndaj tyre dhe vendit ku jetojnë, madje as para përpjekjeve të fundit antikombëtare, për amnistimin në “paket” të të gjitha krimeve, kriminelëve dhe të inkriminuarve, në çfarëdo vepër penale.

Më kotë shqiptarët shpresuan gjatë gjithë kohës se gjërat do të ndryshonin për të mirë. Fatkeqësisht as pas 14 vitesh çlirimi,nuk ka kthim nga e mbara. Përkundrazi,vendi po mbytet nga korrupsioni, skamja ,varfëria dhe pasiguria totale,ndaj edhe njerëzit kanë marrë arratinë duke ikur me “cuc e me mic” me krejt çka kanë dhe si munden, nga varfëria tmerruese që pushtetarët dhe të gjitha partitë politike bashkë-ditën ti sillnin atdheut, e cila po thellohet përditë e më keq.

Asnjë vend në botë nuk mund të ecë përpara,nëse pushtetarët e tij nuk njohin zanat më të mirë sesa gjatë gjithë kohës së qëndrimit në pushtet të mbjellin korrupsion dhe prodhojn varfëri e skamje, i cili po ia zë frymën këtij vendi dhe dëmton me të madhe imazhin e Kosovës, gjë që shihet se fare nuk është breng e tyre, siç nuk bregosen për dhjetra autobusët e mbushur me shqiptarë hallexhinj, që brenda dite largohen nga Kosova.

Qytetarët e Kosovës kanë kaluar nëpër periudha të vështira të dhunës dhe diskriminimit, plagët e të cilëve janë ende të hapura,duke shpresuar se me çlirimin e vendit,të paktën do tu mundësohej mbijetesa në atdheun e vet. Por ata nuk mund ta fshehin më zhgënjimin e tyre ndaj sot janë më të dëshpëruar se kurrë më parë me pushtetarët dhe opozitarët, pothuajse në masë të njëjtë

Frustrimi më i madh vije nga qëndrimet e së ashtuquajturës “Opozitë” nga flirtimi politik dhe praktik i kastës së konsumuar që moti të udhëheqësve të LDK-s, të cilët pas dështimeve të një pas njëshme në zgjedhje dhe politikë,nuk hezituan të tradhtonin edhe votuesit e tyre duke hyrë në martesë të fshehtë me pozitën,nga veprimet e të cilëve, me të drejtë elektorati ndihet thellësisht i zhgënjyer dhe tradhtuar rëndë.

Ndaj, është momenti më i artë për ta, dhe koha e fundit për politikanët e inkriminuar,që të pensionohen sa më parë dhe ti thonë lamtumirë politikës në këtë vend, një herë e përgjithmonë.

Kurse,grupit të prirë nga Sabri Hamiti,Isa Mustafa, Ismet Beqiri e Lutfi Haziri, nuk u ka mbet më fije “yndyre”,për tu zbavitur edhe më tej me politikë.

Ata, u pa qartë për disa vite,se nuk janë në gjendje ta mbajnë dhe ushtrojnë fer e si duhet këtë detyrë,ndaj dhe mbeten përfundimisht të paaftë për zanatin e politikbërjes. Ky grup fatkeq,jo vetëm se dështuan disa herë në punën e tyre por edhe janë konsumuar aq shumë sa që askush, bile as optimistët më të pandreqshëm, nuk mund të shpresojnë më se me këta në krye, do të ketë opozitë të njëmendët apo parti me perspektiv ndonjëherë.

Zotërinj, ju jeni prapambetja vet, moszhvillimi dhe humbja e përditshme, fatkeqësia e pështirë e këtij vendi. Sa më gjatë që ta shtyni avazin e nisur,aq më keq jo vetëm për partinë (nëse mund të quhet e tillë edhe nën udhëheqjen tuaj)por edhe për shtetin dhe gjithë shqiptarët, sepse ju jeni bërë shkas edhe i të mos pasurit Opozitë të mirfillt që disa vite në Kosovë.

Nën udhëheqjen tuaj, nga opozitë fiktive u kthyet në bashkëshorte të dëgjueshme dhe besnike të partisë në pushtet,duke bërë aminin për çdo gjë. Madje,ndoshta duke qenë edhe vet të zhytur thellë në korrupsion e vepra tjera penale, ju asnjë herë nuk e ngritët zërin kundër çfarëdo keqpërdorimi në Kosovë.

Për fat të keq,dikush nga grupi juaj përmendet si bashkëpunëtor i UDB-së,tjetri si “I zoti” i një shoferi që kishte për “hobi” transportin e lëndëve narkotike nëpër Serbi,tjetri për inkriminim në vrasje brenda partisë së vet, kurse një tjetër kohët e fundit ka nisë të shkruaj edhe letra të përbashkëta “dashurie” me buzhalinjët,drejtuar EULEX-it.

Zotërinj,kështu nuk zhvillohet politika as udhëhiqet partia. Është e pakuptueshme se ku e gjeni ju gjithë këtë luks flirtimi derisa bashkë me pozitën, e keni sjellë një popull në zgrip të jetës dhe detyruar të lë vendin e të ikë natën nga sytë këmbët. Gjendja që pozitë dhe opozitë krijuan ,duke detyruar pjesë të tëra të një populli në shpërngulje,është diversion kombëtar,shkatërrim i identitetit të një populli dhe pjesë e strategjisë së antishqiptarizmit në këto troje.

Ndaj, për hir të Kosovës dhe njerëzve të këtij vendi, ikni sa më shpejt ,ikni më se mjaft,shkoni në shtëpi dhe hani pensionet dhe pasurinë e grumbulluar në mënyrat që vetëm ju i dini,të cilat uroj ti hani ashtu siç i keni fituar. Por përfundimisht ikni. Ikni sepse është koha dhe ky popull nuk mund t`ua falë përgjithmonë çdo mëkat që keni bërë në kurriz të tij dhe vendit që i takoni. Pra zotërinj- fajtorë, cilët-do qofshit,më mirë shkoni dhe me ikjen tuaj-krijoni mundësi, që shqiptarët përfundimisht ta shohin dhe kuptojnë se ç`po ndodhë në të vërtetë me atdheun e tyre,sa s`është bërë vonë për të gjithë.

Gani Qarri Cyrih, 11 Korrik 2013

 

Filed Under: Komente Tagged With: c'po ndodh, Gani Qarri, ne Kosove

I FTUAR NE SOFREN POETIKE TE DIELLIT, VULLNET MATO

July 11, 2013 by dgreca

ME PASIONIN TIM, MOS QOFTË ASKUSH!/

Fëmijëria ime s’pati babanë pranë,/

për dhjetë vjet./

Qielli më dërgonte shi./

Toka më dhuronte lot./

Mes shtatë sqepave të zogjve,/

gojëhapur ditë e net,/

buka e nënës nuk arriti/

të më ushqente dot…/

Fillova të vizatoj njerëz,/

për të nxjerrë ndonjë kaush.

Me pasionin tim për t’u rritur shpejt,

mos qoftë askush!..

Mora malet,

derisa më pranoi një ahishte në pyje,

nga ku gjethet vjeshtore

çonin fjalët e mia të mallit.

Aty u vëllazërova me çdo dru

që më bënte hije,

pasi lash pranë detit vëllezërit

dhe psherëtimat e zallit.

Letrat e nënës i bënte era gjethe

brigjeve me gëmush.

Me pasionin tim në punë të rënda,

mos qoftë askush!..

Djalërinë ma burrëroi

një Elenë e Trojës korçare,

në luftën për shkakun e dy feve

tona të ndryshme.

Ashtu, si Paridi, bir mbreti,

pasi e rrëmbeva për fare,

durova, si bir deti, dallgë

presionesh të stuhishme.

Elenën e desha si lisi,

pjergullën e vet me rrush.

Me pasionin tim në dashuri,

mos qoftë askush!…

Shfletova stivat e dispensave

nga të gjithë shekujt letrar.

Dhe u fala viteve,

gjumin bashkë me flokët e dendur.

Pas dy diplomave,

sfilita trurin për t’u njohur shkrimtar.

Derisa u ula në karrige druri,

mes njerëzve të mençur.

Librat e mi kishin dallgë Joni,

gjethe ahu dhe dushk.

Me pasionin tim në krijimtari,

mos qoftë askush!…

Gjurmët e mia nisën zanafillën

nga mali jugor në Finiq,

dhe shkuan deri te pllangat e akujve

në Alpet verior.

Nuk besoj të ketë ngrënë njeri

në jetë aq shumë fiq,

sa kam jetuar ngjarje

dhe kam njohur tipa njerëzor.

Fjalët e zemrës më kanë mbetur

në çdo mal dhe fushë.

Me pasionin tim përkushtuar miqve,

mos qoftë askush.

Fytyra që më qëndisi nëna me merak,

si të parin e djemve,

kam arsye të shpresoj se do mbetet

në vegime internetike.

Kur të vjelin njerëzit frutat qiellore

në degët e këtyre pemëve,

besoj do gjejnë dhe imazhin tim

në bërthamat elektronike.

Tani rend rrafshinave të kompjuterit,

derisa të vdes plakush.

Me pasionin tim në fraza dhe metafora,

mos qoftë askush!…

 

GRUA MË E LIGA, MË E MIRA NGA TË GJITHA

 

Grua, ti je më e liga dhe më e mira nga të gjitha,

sepse kur gabimin e kam pasur unë e të drejtën ti,

fajin shpesh e kemi ndarë përgjysmë nga dëshira,

të puthemi, sikur s’ka ndodhur asgjë me ne të dy.

Britmat i kemi mbytur mes dhëmbëve të njëri-tjetrit

të dukemi në lagje sikur po bëjmë pëshpëritje lutjesh.

Shtratin kemi pasur si varkën e vetme në mes të detit,

ku dallgët e jetës i kemi përzier me furtuna puthjesh

Me ke vështruar shtrembër pa folur një javë bashkë,

kur ke pikasur ndonjë buzagaz me bukuroshe të ëmbla.

Të kam përgjuar dy javë, kur dikush të vinte përqark,

dhe prapë i kemi fshirë si gjethe vjeshte nga mendja.

Kur nuk ke dashur kurrsesi të shtosh fëmijë të tjerë,

kam përdorur padrejtësisht përdhunën në dashuri.

Por ka ndodhur, pas lindjes së ngjizur me aq sherr,

beben e kemi mëkëmbur bashkë me shumë përkëdheli.

Me ke mallkuar si burrë pa kujdes në të shpenzuar

dhe më ke lavdëruar më shumë nga sa vlej si njeri.

Të kam sharë kot, për ngjasim negativ të trashëguar,

dhe të kam ngritur lart për kujdesin tënd me fëmijë.

Jemi nxituar dikur të kërkojmë deri në gjykatë divorcin,

por i kemi grisur lutjet, thjesht si gazeta për ambalazh.
Natën më ke kërkuar buzët dhe të kam kërkuar gjoksin,

sikur pas kurorëzimit të ri, jemi martuar rishtas bashkë.

Grua, më e liga, më e mira nga gjithë gratë në botë,

tek unë ti ke shpirtin, tek ti unë kam ekzistencën e plotë…

 

FATKEQËSIA E VESHËVE PA KAPAK

 

Veshët ndjehen organi

më fatkeq i trupit të njeriut

dhe shpesh mallkojnë

qenien e tyre thuajse pa fat,

që s’janë njësoj si goja,

si sytë e mbrojtur vetiu,

krijuar nga zanafilla

për t’u mbyllur me kapak.

Megjithëse, veshët

kanë shansin e parë organik,

të kapin fjalët më të ëmbla

kushtuar dashurisë,

t’ia çojnë sinjalet trurit,

që urdhëron receptorët erotik,

të magjepsen ndjenjat

me emocionet e lumturisë.

Kur ai, ose ajo thotë:

O shpirti im, sa fort të dua!

veshët bëhen si fije peri,

në përgjim të pëshpërimës

ta shpien te zemra

me gjëmim të shumëfishuar,

siç bëjnë veshët e maleve

me jehonën e oshtimës.

Sidomos kur dashuria

rënkon me ofshama kënaqësie,

veshët dehen në ekstazën

e frymëmarrjes së rëndë,

njësoj sikur thithin me ëndje

notat e një melodie,

me valë drithëruese

nga më e këndshmja këngë…

Pastaj, teksa buçasin

dy zanoret e para të foshnjës,

kur pas nëntë muajve natë,

agon nga barku i nënës,

veshët tendosen si dy krahët

e zgjatur të shqiponjës,

që presin një top drite

rënë nga vezullimi i hënës.

Por fatkeqësinë e vërtetë

të qenies së tyre pa kapak,

veshët e ndjejnë, kur

gojëfëlliquri lëshon breshëri,

fjalorin e tij vulgar

me banalitet shëmtarak,

dhe ata nuk mbyllen dot

automatikisht kurrsesi.

Ashtu siç janë të detyruar

të lejojnë dialogun e sherrit,

të depërtojë përmes tyre,

nga fillimi, në çastin e fundit,

kur njëri ikën i dëshpëruar,

tjetri stepet prej tmerrit,

apo nga krisma përmbyllëse

e gjakderdhjes së plumbit…

Në këto raste, sytë ulin qepenat

të mbyllet pamja përqark.

Goja kyç dyert të mos dalin

fjalët e rrezikshme kuturu.

Ah, sikur të kishin

dhe veshët të tillë kapakë,

të shmangte njeriu i gjorë

hyrjen e provokimit fatal në tru!…

 

BASHKË NË ÇDO ORBITË

 

Nëse disa ditë s’të vjen

mesazh në celular,

dije se jam kthyer

në këngë bilbili.

Hap dritaren të dëgjosh

në pemët vërdallë,

zërin tim të blertë

me fëshfërima pylli!

Nëse disa ditë nuk lexon,

emrin tim të shkruar,

diku mbi vargje,

apo në rreshtat e krijimit,

shiko mes dy malesh,

ku dielli ka ndriçuar

shkronjën e parë “V”

me rrezet e agimit.

Nëse disa ditë nuk shfaqem

te muri në internet,

dije se jam kthyer

në valë elektronike.

Hap monitorin e shpirtit

të më kesh aty ku je vet,

të përqafohemi sërish,

si nëpër netët magjike.

Pra, dije se nuk shkëputem

dot nga tërheqja jote

nga vlaga fuqidhënëse

që më japin buzët e tua.

Edhe sikur të na ndajnë

nga vërtitja e kësaj bote,

në dy hapësira planetësh,

unë prapë ty do të dua.

Oh, qofsha në gravitet

të përjetshëm me ty,

që të desha me të tëra

grimcat e shpirtit njerëzor!

Dhe paçim në tërheqjen

magnetike atë megafuqi,

që mban të pashkëputur

orbitat e dy trupave qiellor!…

 

PUTHJET NËPËR ËNDRRA

 

Kur adoleshencës

po i shkoja në skaj,

bota më thërriste

horizonteve tutje.

Vajzat më dukeshin

mrekullia e saj,

dhe netëve me to

ëndërroja puthje.

Gjatë asaj kohe

putha vajza dhe nuse,

nga më të bukurat

që kishte bota filmike.

Në perde kinemaje

putha artistet ruse:

Zvjetllanën, Ljudmillën,

Tatjanën magjike.

Putha Luçien, Nailen,

Pagarushën, Anitën,

me zërat drithmëtar

të zogëzave të pyllit.

Putha aktore Tinkën,

Violetën, Margaritën,

që më luanin brenda

skenës së shpirtit.

Po kur putha të parën

bukuroshe në realitet,

m’u duk se kish te buzët

gjysma hëne në vezullim.

Shkrepi një vetëtimë,

sikur putheshin retë

dhe u dehëm sqep më sqep

si dy fajkonj në fluturim…

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: i ftuar, Me pasionin tim, mos qofte askush, ne sofren e Diellit, Vullnet Mato

GJENERALI PA USHTRI

July 10, 2013 by dgreca

Nga Leonora Aliu / Express/

U zotuan disa herë se në vitin 2013 FSK do të bëhet ushtri. Por Forca e Sigurisë së Kosovës, pavarësisht përmbushje së kapaciteteve operacionale, do ta ketë statusin e njëjtë edhe për një kohë të padefinuar. Duket se kërkesat e zyrtarëve janë bërë vetëm për konsum të brendshëm, përderisa ato nuk u janë drejtuar fare NATO’s.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO’s, Anders Fogh Rassmusen tha se as që ka dëgjuar ndonjëherë se zyrtarët e Prishtinës kanë kërkuar shndërrimin e FSK’së në ushtri.

I heshtur ndaj kësaj deklarate është shfaqur Ministri i FSK’së, Agim Çeku, i cili e ka gradën e Gjeneralit, e dikur edhe thoshte se “një shtet pa ushtri nuk është shtet” dhe zotohej se Kosova do të bëhej shtet i plotë.

Një shpjegim rreth dështimit të avancimit të FSK’së në ushtri e dhanë për Express zyrtarë të Ministrisë së tij.

Zëdhënësii MFSK’së, Ibrahim Shala tha se deri më tani zyrtarisht nuk është kërkuarnjë avancim i tillë për shkak të mospërfundimit të procesit të rishikimit të sigurisë që po bëhet nga grupi punues i Këshillit Kombëtar për Siguri e që vepron në kuadër të ekzekutivit.

“Ende është në proces rishikimi. Varet prej dinamikës qysh punon ai grup punues i Komisionit, që nuk është Komision i FSK’së por i shtetit është grup punues i shtetit që udhëhiqet prej Këshillit Kombëtar të Sigurisë”, tha Shala për Express të mërkurën.

Kritikat më të mëdha për ngecjen në këtë proces Kryetari i Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e FSK’së, Ahmet Isufi ia adresoi Qeverisë së Hashim Thaçit.

“Qeveria e Kosovës e ka neglizhuar procesin e avancimit te Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës madje edhe deklarata e zotit Rassmusen është shpjeguesi më i mirë se kjo Qeveri është duke stagnuar në të gjitha segmentet”, tha ai.

“Ka pasur rastin që me rastin e rishikimit të strukturës së FSK’së dhe sigurisë në vend të pozicionohet duke pasur parasysh edhe kalimin e mandatit të FSK’së të paraparë me dokumentin e Presidentit Ahtisari e që është pesë vite, që ta shndërrojë në ushtri dhe pjesë të NATO’s”, shtoi Isufi.

Ai bëri të ditur për Express se Komisioni i tij i ka rekomanduar Ministrisë së Çekut që pas vlerësimit të NATO’s, FSK’ja të vihet në pozicionin e ri, atë të avancimit.

Por sipas tij, Qeveria nuk i ka kryer veprimet e duhura. “Arsyetimet e Qeverisë për ngecjen e këtij procesi si pasojë e rishikimit të sigurisë kombëtare dhe dialogut me Serbinë në një farë mënyre janë pengesë për vetveten nga ana e Qeverisë, nuk është dashtë të bëhen ato arsyetime”, tha ai.

Rrishikimi i sigurisë në vend sipas tij pritet të përfundojë në fund të këtij viti. Derisa Çeku ka paralajmëruar se deri në janar të vitit të ardhshëm do të merret vendimi se si do të funksionojë sektori i sigurisë më tutje.

Në anën tjetër, gazeta amerikane “Washington Post” kishte shkruar ditë më parë se Kosova në fund të dialogut me Serbinë synon të bashkohet me NATO’n.

Për këtë arsye, sipas gazetës amerikane, Kryeministri Thaçi ishte së fundi në Washington

“Ai ishte duke shpresuar se administrata e Obamas do të bënte presion që Aleanca të marrë hapa paraprak për të pranuar vendin e tij”, kishte shkruar Washington Post.

Forca e Sigurisë së Kosovës ka 2,500 pjesëtarë aktivë dhe 800 rezervë.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Agim Ceku, Gjenerali pa ushtri

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • 56
  • …
  • 78
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT