• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2014

PRESIDENTI OBAMA: Rusia po vë në provë unitetin Evropë-SHBA

March 26, 2014 by dgreca

Evropa dhe SHBA-ja po kalojnë me ”një moment prove” të unitetit të tyre përballë sfidës së bërë nga Rusia kundër rendit ndërkombëtar të themeluar mbi liritë dhe shtetin e së Drejtës, deklaroi pak më parë presidenti amerikan, Barack Obama gjatë një fjalimi të mbajtur sot, në Bruksel.
Në fjalim Obama e përcaktoi përballjen në zhvillim si ”një luftë mes idealeve të demokracisë dhe një vizioni të pushtetit më të hershëm dhe më tradicional, që nxjerr në pah forcat e errëta të së kaluarës.

Rusët do të kuptojnë se synimet nuk mund të arrihen përmes forcës

President amerikan, Barack Obama deklaroi sot se ”Rusia do të kuptonte se nuk do të arriheshin përmes forcës synimet e saj në Ukrainës”.
“Me kalimin e kohës, populli rus do të arrijë ta kuptojë se nuk mund të përmbushen objektivat e tyre përmes përdorimit të forcës brutale”, u shpreh kreu i Shtëpisë së Bardhë gjatë një fjalimi të mbajtur sot në Bruksel, që u transmetua drejtpërdrejt nga mediat botërore.

Filed Under: Rajon Tagged With: Bruksel, Evrope-ShBA, Obama

KANË THËNË PËR THEOFAN S. NOLI

March 26, 2014 by dgreca

Me rastin e përvjetorit të 49 vjetorit të ndarjes nga jeta të Fan Stilian Noli/

 Konica për Nolin/

   Me rastin e kremtimit të Ditës së Flamurit, u poqa me shokun e vjetër, peshkop Fan Nolin, të cilin nuk e kisha parë disa vjet. Fan Noli, (një njeriu që ka lojtur një rol aq të madh në lëvizjen tonë dhe është aq i njohur mund t’i përmnedet emri pa ndonjë titull si një fytyre historike, pa hyrë në ndonjë pakësim nderimi në këtë mungesë titulli), Fan Noli, thom, s’ka ndërruar shumë.

Heronjtë e Homerit shkëmbejin fjalë të ashpra, pastaj bashkoheshin si më parë. Sado që s’jemi si ata heronj, m’u kujtuan kur u poqa me një fytyrë me të cilën kam luftuar aq shumë kohë si shok, edhe pak kohë si kundërshtar. Me Fan Nolin merrem kurdoherë vesh më lehtë, se flasim një gjuhë: kuptohemi se njeriu që shkruajti muzikën e Don Giovanit bëri një punë më të madhe se njeriu që shpiku telefonin, ose kur themi se Partheoni edhe Tarxh Mahali janë monumente më të larta se Kulla e Eifelit, e cila është një mijë këmbë e lartë. Fan Noli është edhe i ri, prova më e mirë është se është i zoti të qeshë. Në bëfshi mundimin e këndoni një letër time të botuar në numër të Janarit të së përkohshmës “Judge” në Nju Jork, do të shihni se ç’kuptim të thellë i jep zotërisë për qeshje.

Fan Noli jo vetëm është i ditur në muzikë, po ka zotësinë e rrallë të stërvitë të tjerë në atë mjeshtëri të bukur, dhe t’i stërvitë në pak kohë. Ç’humbje për Shqipërinë që një njeriu të atillë nukë i jepet rasti të organizojë stërvitjen muzikale të popullit në shkolla të vendit! Ç’humbje që nukë i jepet rast të organizojë një universitet popullor në Shqipëri, ku njerëz të pjekur të venë një a dy orë ditën të stërviten!

Fan Noli është hequr nga politika edhe më shumë se sa jam hequr unë. Kuptohet se një njeri i mendjes ka nevojë për siguri dhe për dinjitet; po t’i jepeshin këto, do të ish një fitim për Shqipërinë.

…Atë Noli do të mbetet në histori të Shqipërisë si burri që harriu i pari, me hir të vullnetit dhe të hollësisë së tij, të këllasi zyrtarisht gjuhën shqip në meshë. Dita që meshoi për të parën herë është një ogur i bardhë në udhë të përparimit tonë. Dhe as e harrojmë, as mund të lëmë të tjerët ta harrojnë.

Leshzi, me sy të mprehtë, një fizionomi të qeshur, gati të presë një shaka dhe ta kthejë me uzurë, mendjehapur, njohës i gjuhëve romane dhe skandinave, Atë Noli nga kultura dhe nga karakteri i tij më kujton shpesh kishtarët e Përlindjes Italiane. 

Hasan Dosti për Nolin

           …Fan Noli ka qenë një fytyrë qendrore në historinë e vendit t’onë. Ky burrë simbolizon sinthezin e virtuteve të racës arbënore. Të shumta e të paçmuarshme janë veprat që ai i ka kushtuar Atdheut, në fushën e kulturës e të edukimit të popullit.

Po, përmbi të gjitha, qëndron ndërmarrja e themelimit të Kishës Autoqedale të Shqipërisë, e çkëputur nga Patriarkati i Fanarit, që ka qenë qendra arkane e mohimit të të drejtave të kombësisë s’onë.

Fan Noli i madh i ynë ka qenë patrioti që ka menduar, gjykuar e vendosur se autoqefalia e kishës kombëtare është akti plotësues i pamvarësisë dhe sovranitetit të Shtetit. Dhe kështu burri i madh kauzës së autoqefalisë i ka kushtuar nxehtësinë e patriotizmit, energjitë shpirtërore, inteligjencën e mrekullueshme dhe kulturën e gjerë theologjike e filosofike.

Me rastin e përkujtimit të këtij prelati të lartë, mendimi dhe emocioni ynë drejtohen edhe nga martirëzimi i tre prelatëve të tjerë të Kishës orthodokse shqiptare: e kam fjalën te Pappa Kristo Negovani, Papa Stathi Melani – poet, dhe Papa Llambri Ballamaçi. Megjithëse të edukuar në shkollën greke dhe të dorëzuar priftër prej peshkopësh grekë, këta u rrëmbyen nga mistika e racës dhe e gjakut shqiptar. Si bij të popullit ata i janë vënë me mish e shpirt çështjes së edukimit politik kombëtar. Kështu ata janë bërë objekt i mallkimeve dhe ndjekjeve të Fanarit dhe më së fundi u martirizuan prej andartëve grekë…

 Ernest Koliqi për Nolin

 …Stefan Stiljan Noli, nji ndër personalitetet ma të spikatuna qi shprehi nga gjini i vet kombi shqiptar, paraqitet posi nji fytyrë poliedrike, d. m. th. e shumanëshme, e cila gja lodhë menden e kujdo kur vjen momenti me dhanë nji gjykim synthetik mbi rrolin qi ai luejti në botën shqiptare. Kush jeton si i ndodhi atij ma se tetëdhdhetë vjet dhe në nji periudhë historike ndër ma të stuhishmet qi njofti njerzimi, lehtazi bahet objekt kritikash sepse nji jetë kaq e gjatë rrethohet, në fazat e ndryshme të saj, me drita e me hije të cilat ndoshta shkaktohen nga rrethanat, nëpër të cilat u përshkue, ma tepër se nga nji vullnet i prem e i paravendosun m’u sjellë si u suell.

Si të gjithë njerzit me nji vlerë të veçantë, edhe Fan Noli nderohet e përçmohet me ngulmim qi shpesh herë arrin në parosizëm ndër lëvduesa e prozhmuesa të tij. E verteta asht se veprimtarija e nji njeriu, qi gjatë tetëdhetë vjetve rresht gjallese në ket shekull u dha me mish e me shpirt mbas sendërtimit të nji ideali, i cili synthetizonte në vete qellime fetare e kombtare, shoqnore e kulturore, duhet vu në nji kandar të drejtë. Gabimet ase në datsh të thuesh fajet qi Fan Nioli ka mujtë me ba, nuk ia zbresin vlerën tri veprave të pashoqe qi ai kreu, pasojat e mira të të cilave edhe sot ndiehen në rrjedhë të historisë shqiptare e janë: themelimi me 1909 i fletores “Dielli”, preludium i themelimit të Shoqatës Panshqiptare Vatra në Boston, me 1912, në bashkëpunim me Faik Konicën, – pranimi shpëtues i shtetit shqiptar në Lidhjen e Kombeve, me 17 dhetuer 1920, e krijimi i Kishës Orthodokse Autoqefale Shqiptare. Edhe po të pranojmë për hypothezë se Fan Noli pat njolla, këto tri vepra të shkëlqyeshme krejt ia shlyejnë…

 Mitrush Kuteli për Nolin

 Kompleks dhe gjenial është personaliteti i Fan S. Nolit. I pajisur me një kulturë të gjerë, të mbledhur si për çudi, në rrethana kaqe kundërshtare, e në një jetë kaqe të turbulltë, njohës i kaqe gjuhrave, i kaqe dishiplinave të ndryshme, i kaqe klimateve shpirtërore. Me një sensibilitet artistik kaqe të zhvilluar, ay mban brenda tij edhe njatë dhuratë të madhe që u jep Filla – fjala është e tija – njerzve: dhuratën e krijesës. Gazetar, theollog, orator, dramaturg, historian, kritik, letrar, kompozitor e gjithmonë poet. Fan S. Noli ka sjellë në gjithë degat ku ka punuar një sulm të tijnë, një verb të panjojtur, madhor.

Edhe të gjitha këto dhurata, gjithë ky veprim i tija, prej dyzet e ca vjet, vetëm në shërbim të një ideali: ideali shqiptar. Një ideal, si t’i thuash, shoqëror – kombëtar; gjithëmonë shoqëror, gjithëmonë kombëtar.

Fragment nga letra e George Bernard Show drejtuar Nolit

    U gabuat në zanatin kur u dorëzuat klerik. Libri juaj “Bethoven and   the French Revolution” nuk është predikimi a hagjiografia e një kallogjeri, po është vepra e një kritiku e biografi të dorës së parë. E lexova që në krye gjer në fund me kënaqësinë më të madhe, duke qenë vetë mjeshtër si muzikant, kritik dhe artist-filozof professional. E dini ndoshta se njeiu kurrë nuk lexon librat, që i dhurohen me thasë, ashti siç m’i dërgojnë mua.

…Ju jam thellësisht mirënjohës

G. Bernard Show, më 11 nëntor 1947

Qerim Panariti për Nolin

   “…Noli ish një person kompleks dhe ekstraordinar i shumë-anëshmë nga çdo pikëpamje: i thellë dhe i gjerë nga mejtimet, enciklopedik nga dituria, “rebel” që nga vogjëlia dhe një gjigant intelektual.

Ndjenjën si “rebel” e manifestoj në gjimnazën Greke në Endrene në vitin e fundit akademik, kur autoritetet e gjimnazit pushuan nga puna një nga profesorët më të çkathtë. Noli kujtoj se profesoriit iu bë një padrejtësi dhe një-me-një organizoj një demonstratë të studentëve në favor të profesorit. Për shkak të këtij rebelimi, autoritetet e gjimnazit refuzuan t’i japin diplomën gjer në Shtator në vënt t’ia jepnin në Qërshor, sipas zakonit.

Më duket se nuk gabohem shumë po t’a karakterizonj Nolin si Prometheun e Rilindjes Shqiptare. Prometheu, pas mithollogjisë kllasike, pruri zjarrin në botë dhe munt të karakterizohet si shkencëtari i parë i botës kllasike. Për çpikjen e zjarrit, domethënë për sjelljen e dritës në botë, perënditë ziliqare dhe reaksionare, dërguan një kovaç i cili e mbërtheu Prometheun pas një shkëmbi të zi  dhe e la atje të torturohet gjer të vdesë.

Noli si mithollogu kllasik, i pruri dritë popullit Shqiptar që t’i stërvitë mëndjen, se me shkrimet eë tij mësuam se vijmë nga një racë e moçime, që i dha Evropës përdorimin e hekurit, një kontributë tepër importante për botën para-historike. Që t’a kuptojmë më mirë këtë çështje vlen të theksohet se Ilirianët, stërgjyshët tonë, filluan të përdorin hekurin në një kohë kur Athina dhe Roma s’ishin dëgjuar fare në historin’ e njerëzimit.

Peter R. Prifti për Nolin

   “… Më kujtohet Kuvendi i “Vatrës” më 1958. Siç dihet, Noli ish “Kryetar Nderi” i “Vatrës”, dhe si i tillë nuk merrte pjesë në punët e përditshme të organizatës. Megjithatë, vinte në kuvendet e “Vatrës”. E kish zakon të bënte një vizitë ceremoniale gjatë punimeve të kuvendit, për t’u përshëndetur me delegatët. Për 10 a 15 minuta punët e kuvendit ndaleshin. Rifillonin pasi shkonte Noli.

Kristo Thanasi ish atë vit kryetar i “Vatrës”. Unë rrija pranë tij. Sapo hyri Noli në sallën e kuvendit, Kristua mu afrua e më tha më zë të ulët, “Ai është fuqia prapa ‘Vatrës!”. Kristua deshi të më jepte të kuptoja se, ndonëse ai vetë ishte kryetar i “Vatrës”, baza e organizatës dhe burimi i vërtetë i fuqisë së saj ishte Fan Stilian Noli. Atë çast unë kuptova më mirë influencën e madhe të Nolit brenda “Vatrës”, si edhe midis Shqiptarëve kudo në Amerikë.(Dielli-Arkiv)

 

Filed Under: Histori Tagged With: Kane thene per Nolin, Konica, Mitrush Kuteli, Peter Prifti

Më 21 maj 2014 – bileta falas për ditën e hapjes së Muzeut 9/11

March 26, 2014 by dgreca

Një lule dhe një flamur amerikan qëndron në majë të emrave të viktimave në 9/11 Memorial/

Nga BEQIR SINA, New York/

MANHATTAN NYC -Muzeu Memoriali Kombëtar i 11 Shtatorit, në New York, do të hapet më 21 maj 2014 si institucioni kryesor ivendit në fjalë me eksplorimin e implikimeve të ngjarjeve të 9/11, dokumentimin dhe ndikimin e këtyre ngjarjeve të eksploruar me një rëndësi të vazhdueshëme. Në emër të shpirtërave të tyre, gjigandi i masmedias amerikane Conde Nast, ka deklaruar sot, se :” biletat për çdo vizitor janë falas(janë në dispozicion falas edhe për tu tërhequr edhe online) me 21 Maj në hapjen e Muzeut “Memoriali Kombëtar 11 Shtatorit” në Qendrën Botërore të Tregëtisë, në New York, njoftuan të mërkurën zyrtarët e kësaj kompanie.

Ata thanë se Condé Nast, është evntualisht edhe një nga sponsorët kryesorë të këtij muzeut , dhe është zotuar për të paguar për çdo biletë të qindra-mijëra njerëzve që pritet të marrin pjesë në hapjen e këtij muzeu . (Biletat janë ende në dispozicion për çdo vend të caktuar prej orës 09:00- të paradites deri në orën 7:00 të mbrëmjes pesë ditë të javës, sipas faqes së internetit të biletave . ” Ky është një kontribut i madh nga një partner i madh , ” tha Joe Daniels , presidenti i Muzeut Kombëtar të 11 Shtatorit” . ” Unë sinqerisht besoj se të tjerët do të jenë të frymëzuar në këtë mënyrë të veçantë nga bujaria – donacionet e Conde Nast, në mbështetjen e Muzeut Memoriali Kombëtar 9/11. ”      Para fillimit zyrtar të hapjes së muzeut për publik , zyrtarët e këtij muzeu dekalruan sot se :”do të hapën një muze nëntokësore për gjashtë ditë , nga data  15 deri në datën 20 maj , si një respekt për anëtarët e viktimave të familjeve , dhe banorët e pjesës së Ulët të Manhattanit, vendit ku më parë ndodheshin Dy Kullat Binjake ose si thirreshin ndryshe Qendra Botërore Tregttare . Kjo kohë është menduar për t’u vizituar edhe prej punëtorëve të rimëkëmbjes që ishin në vendin e ngjarjes 24 orë në ditë pas sulmit për të ringritur qendrën.  Zyrtarët e Muzeut “Memoriali Kombëtar 11 Shtatorit” në Qendrën Botërore të Tregëtisë, në New York, deklaruan gjithashtu se :” Pas 21 May dita kur biletat janë falas, bileta e muzeut do të kushtojnë 24 dollar, ndërsa do të jenë me ulje për , veteranët, studentët , të moshuarit deri në 50 përqind .

Organizatorët planifikojnë të ofrojnë pranim të lirë në netët e martë dhe e mërkurë nga ora  5 mbasdite deri në orën -8 mbasdite për të afërmit e viktimave të 9/11 por më parë se ata të shkojnë të vizitojnë muzen duhet të regjistrohen onile ose pranë zyrave të memorialit për pranim të lirë , thanë zyrtarët .

Muzeu do të përfshijë një ” In Memoriam “, e cila është e vedosur përr rreth dy ujvarave dhe është e rrethuar nga pllaka mermeri të zezë, me një lule dhe një flamur amerikan për çdo emër të 2,983 viktimave të dy sulmeve, që kan ndodhur në ish World Trade Center atë 9/11 dhe atë të bombës së 1993.

 

Në 11 shtator 2001,edhe kombi ynë – kombi shqiptarë, hyri edhe kësaj rradhe në historinë e heronjëve Amerikan, me tre emra, që do të mbeten simbol i kësaj ngjarje tragjike. Ata janë : Mon Gjonbalaj,Simon Dedvukaj dhe Rrok Camaj. Ata janë tre emra,të cilët do të kujtohen në mote, por në çdo 11 shtator,si dëshmi e gjallë,se ne kombi shqiptarë – jemi Shqiptarë në rradh të parë, por,jemi edhe Amerikan.

 

 

9/ 11 Memorial – Muzeumi Kombëtar,

 

Muzeumi Kombëtare 9/11 Memorial & Museum, është i vendosura në një vend me sipërfaqe 6-akra në kompleksin World Trade Center, është një respekt në përkujtimin dhe nderimin e 2983 viktimave burra, gra dhe fëmijë të vrarë në sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në Qendrën Botërore të Tregtisë. Duke përfshirë edhe disa nga materialet e gjetuara në aeroplanin që u rrëzua në Shanksville, Pennsylvania , dhe disa materiale nga Pentagoni, si dhe gjashtë vetë të vrarë në shpërthimin e Qendrës Botërore të Tregtisë në shkurt 1993 në New York.

9/ 11 Memorial – Muzeumi Kombëtar, është i projektuar nga arkitekti amerikan Michael Arad i kompanisë së Arkitektëve Handel në lidhje me arkitekturën e peizazhve të firmës Peter Walker dhe Partners. Muzeumi 9/11 është i dedikuar zyrtarisht për të përkujtuar përvjetorin e sulmeve më 11 shtator 2001. Arad dizajn dhe Walker u zgjodhën 6 vjetë më parë nga 5201 firma të cilat hynë në një konkurs të hapur ndërkombëtar, të iniciuara nga Korporata për Zhvillim (LMDC), në Manhattan për specifikimet e arkitektit Daniel Libeskind.

Dy pishina, secila rreth një acre me thellësi 30-këmbë krijojnë ujvarat artificiale më të më madha në ujëvarat në Amerikën e Veriut – Kaskadat e tyre janë të rrethuara me pllaka mermeri të zeza dhe çdo pllakë janë të skalitur me daltë emrat e 2.983 viktimave  . Ngjitur me kaskadën janë vendosur 76 pllakat prej bronzi bashkangjitur në muret parapeme që formojnë skajet e ujvarave përkujtimore, të rregulluar në bazë të “adjacencies kuptimplotë” – një algoritm i zhvilluar prej projekteve lokale që përfshin afërsinë në kohën e sulmeve , dhe është në pëlqim të plotë nga rreth 1.200 kërkesa nga anëtarët e familjeve të viktimave.

Plaza Memorial – Sheshi Muzeal përreth ujvarave ofron një park natyral meditues, me një korije prej më shumë se 400 pemë të llojit White Oak, secila e përzgjedhur brenda një rreze 500- feet dhe të sjell nga tre vendet e sulmeve të 11 shtatorit 2001. Një korije e vogël mjaft piktoreske, e njohur si Glade Memorial, përcakton një hapësirë për tubime dhe ceremoni të veçanta.

9 – 11 Memorial Muzeu Kombëtar është i projektuar nga Dykers Craig dhe Kjetil Thorsen e Snøhetta, është planifikuar të hapet për publikun më 21 Maj 2014. Muzeu është i vendosur  në një sipërfaqe mbi 110.000 metra katror të hapësirës, dhe do të ketë ekspozitë me historinë e 9/11 në ndërkohë që përmes ekraneve multimedia, arkivave, tregimet do të shfaqen skenat e ngjarjeve të 11 shtatorit 2001 dhe do të ketë një koleksion i objekteve monumentale dhe autentike të atyre ngjarjeve tragjike.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: 9/11, Bileta falas, me 21 maj 2014, ne diten e hapjes, se muzeut

LUFTA NË KOSOVË ISHTE NË MBROJTJE TË VLERAVE NJERËZORE

March 26, 2014 by dgreca

   Nga Frank Shkreli/

Të hënën që kaloi udhëheqsit e vendeve më të industrializuara perëndimore u takuan në Hague për për të biseduar mbi ankesimin e Krimesë nga Rusia dhe si rrjedhim për të vendosur sanksione të tjera ndaj Rusisë si ndëshkim për këtë agresion,  një shkelje kjo e të drejtës ndërkombëtare dhe sovranitetit territorial të Ukrainës.  Një prej ndëshkimeve që udhëheqsit perëndimorë vendosën ndaj Rusisë ishte që të pezullohej antarësia e sajë në G-8.  Arsyeja për këtë, thanë udhëheqsit perëndimorë është se kur Moska u pranua si anëtare grupit të vendeve më të industrializuara në botë,  ata ishin të mendimit se Rusia ndante të njëjtat vlera njerëzore dhe universale me grupin. Është e qartë tani, thanë ata se, me aneksimin e Krimesë, Rusia jo vetëm që nuk ndanë të njëjtat vlera njerzore me vendet perëndimore, por ajo i ka shkelur brutalisht ato të drejta.

I pyetur të martën gjatë një konferencë shtypi me gazetarët në Hague në lidhje me paralelizmat — që janë bërë nga propaganda ruse, përfshirë Presidentin rus Vladimir Putin dhe ambasadorin rus në Tiranë — midis ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë 15-vjetë më pare, dhe aneksimit të Krimesë nga Rusia kohët e fundit — Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama u përgjigj se, dy rastet janë krejtë të ndryshme nga njëra tjetra dhe se krahasimi i agresionit rus në Krime me rastin e Kosovës 15-vjetë më parë,  sipas tij, ”është një krahasim që nuk ka absolutisht asnjë kuptim”.

Lufta për çlirimin e Kosovës ishte një luftë për të ndaluar agresionin dhe gjenocidin serb kundër popullësisë shqiptare në Kosovë.  Ajo ishte një luftë në mbrojtje të vlerave njerëzore universal, të njohura ndërkombëtarisht dhe të pranuara me marrveshje të nënshkruara nga të gjitha vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara. Sulmet ajrore të NATO-s kundër Serbisë nuk u ndërmorën për të aneksuar ose për të grabitur territor.  Ishte një luftë në mbrojtje të vlerave njerëzore. Ishte një ndërmarrje fisnike për të ndaluar gjenocidin dhe spastrimin etnik të popullësisë shqiptare nga trojet e veta mijë vjeçare.

Kjo nuk ndodhi në Krime! Ka zero provë për ndonjë masë kundër rusëve etnikë atje, siç pretendon Putini. Asnjë provë nuk ka se rusët etnikë atje kërcënoheshin me barbarizmat me të cilat u përballën shqiptarët e Kosovës.  Të thuhet se kishte ngjashmëri midis Kosovës dhe Krimesë, është një propagandë përçmuese dhe poshtëruese, dhe është një fyerje ndaj mijëra viktimave shqiptare të masakruara nga forcat terrroriste serbe  të Millosheviqit, si dhe për familjet e tyre. Por, nëqoftse sipas tovarishq Putinit, ekzistojnë paralelizma midis Kosovës 15 vjetë më parë dhe Krimesë sot, atëherë pse nuk e njohe pavarësinë e shtetit të Kosovës?  Jo vetëm që nuk e njeh, por ti dhe diplomatët tu anë e mbanë botës dhe në të gjitha organizmat ndërkombëtare, vazhdoni ta kundërshtoni ekzistencën e shteti të ri të Kosovës, të njohur tanimë nga diplomacia e më shumë se 100-vendeve të botës.  Anton Çekov, një bashkombas i yti, ka pas thënë se “Hipokrizia është një gjëndje shpirtërore psikopatike revoltuese.”

Agresioni rus në Krime u bë me qëllim për të gëlltitur territor, pasi rusët etnikë në atë krahinë nuk i trazonte njeri, ndërsa sulmet ajrore të NATO-s në Kosovë u ndërmorën në emër të vlerave universale, në përgjigje të një gjenocidi të vërtetë dhe të spastrimit etnik të shqiptarve nga forcat terroriste serbe,  gjë që nuk ishte parë në Europë ç’prej Luftës së Dytë Botërore.

15-vjetë më parë – më 24 Mars, 1999 — Organizata e Atlantikut Verior, NATO filloi sulmet ajrore kundër forcave serbe dhe objektivave ushtarake të saj, në Kosovë dhe anë e mbanë Serbisë.  Duke njoftuar fillimin e operacioneve ushtarake të NATO-s, Presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton iu drejtua kombit amerikan me një fjalim nga Shtëpia e Bardhë duke shpjeguar arsyet e fillimit të bombardimeve, siç tha ai, “Kundër forcave  të Serbisë që janë përgjegjëse për brutalitetin në Kosovë.  Ne po veprojmë kështu për të mbrojtur mijëra njerëz të pafajshëm nga një ofensivë ushtarake në rritje e sipër”, ka thënë presidenti Klinton. “Po veprojmë për të parandaluar një luftë më të madhe dhe për të shuar një fuçi baruti mu në zemër të Europës, që dy herë më parë në këtë shekull, ka ndezur kontinentin me rezultate katastrofale. Duke vepruar tani, ne po mbrojmë vlerat dhe interesat tona dhe po çojmë përpara kauzën e paqës”, ka deklaruar Presidenti Clinton.

Edhe dy protagonistë të tjerë, përkrahës të sulmeve ajrore kundër brutalitetit të forcave policore dhe ushtarake serbe ndaj popullësisë civile shqiptare — ish-Komandanti Suprem i forcave të  aleancës së NATO-s, Gjenerali amerikan Wesley Clark dhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Javier Solana — në fjalimet dhe shkrimet e tyre, justifikonin sulmin ajror kundër Serbisë 15 vjetë më parë, si një akt në mbrojtje të vlerave njerëzore dhe të parimeve të lirisë dhe demokracisë.  Në rastin e Kosovës, Havier Solana ka thënë se, “Ato vlera duhet të mbrohen nga sulmet e një udhëheqësi brutal politik, politika e të cilit po mbjellë urrejtje anë e mbanë Europës.”  Me rastin e mbajtjes së konferencës së nivelit të lartë në Washington, me rastin e 50-vjetorit të themelimit të NATO-s në prill të vitit 1999, Havier Solana ka thënë se mbledhja e nivelit të lartë, nja dy javë pas fillimit të sulmeve të NATO-s kundër Serbisë,  kishte si përqendrim të bisedimeve “Sa gjëndjen në Kosovë aq edhe të ardhmen e sigurisë euro-atlantike në përgjithësi, pasi  në këtë takim do ritheksohet rishtas angazhimi ynë ndaj këtyre vlerave bazë njerëzore…dhe ndaj detyrimit tonë për t’i mbrojtur ato kur të kërcënohen.”

Ndërsa ish-Komandanti Suprem i forcave të NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Gjenerali Wesley Clark ka shkruar me atë rast se, “Të gjitha 19 vendet anëtare (aq kishte atëherë) të NATO-s — si dhe mbi 40 shtete partnere tona – e dinë se Republika Federale e Jugosllavisë përbën një sfidë ndaj vlerave të cilat aleanca e NATO-s i ka mbrojtur gjatë 50-viteve të kaluara: ndaj demokracisë, lirisë individuale dhe zbatimit të ligjit. Këto janë vlera të komunitetit ndërkombëtar, vlera të cilat ne do t’i mbrojmë edhe në 1000- vjeçarin e ardhëshëm.”  Vlerat e regjimit të Millosheviqit – të bazuara në urrejtje etnike dhe në një brutalitet sistematik kundër popullësisë shqiptare në Kosovë– ka thënë Gjenerali Clark – i përkasin një epoke të zezë mesjetare dhe si të tilla nuk kanë vend në botën e sotëme.

Deklaratave të Putinit dhe të zyrtarëve të tjerë rusë, se ekzistojnë paralelizma midis Krimesë dhe gjenocidit në Kosovë 15 vjetë më parë,  u janë kundërvenë   udhëheqsit dhe zyrtarët më të lartë amerikanë duke i hedhur poshtë ato krahasime, përfshirë presidentin Barak Obama, Sekretarin amerikan të Shtetit John Kerry, si edhe ish-zyrtarë amerikanë të cilët, në atë kohë kishin përgjegjësi për përpilimin e politikës amerikane karshi Kosovës, ndër të tjerë   ish Sekretarja e Shtetit Madeleine Albright, ish-zevëndës Sekretari i Shtetit Strobe Talbot, ish-ambasadori Chris Hill si dhe dyzina komentatorësh dhe analistësh amerikanë. Të gjithë e kanë hedhur poshtë krahasimin midis dy rasteve. Në Kosovë shkeleshin vlerat bazë njërzore, aty bëhej gjenocid kundër shqiptarëve autoktonë të atyre trevave.  Ky është ndryshimi me Krimenë!

Andaj, në bazë të këtyre vlerave njerëzore, në emër të të cilave u çlirua Kosova, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, së bashku me autoritetet e Republikës së Kosovës,  duhet që në këtë përvjetor të angazhohen dyfish dhe të bëjnë ç’mos që të përshpejtojnë përpjekjet serioze për antarësimin sa më shpejt të Republikës së Kosovës në NATO dhe në organizmat e tjera euro-atlantike, ashtuqë vlerat e përbashkëta universale – liria, demokracia dhe të drejtat e njeriut – shkelja brutale e të cilave 15 vjetë të shkuara bindën Përendimin të mbronte Kosovën — të avancohen dhe të çimentohen. Ashtuqë, edhe në Ballkanin Përendimor, më në fund, të krijohet një siguri euro-atlantike, e bazuar në këto vlera të përbashkëta njërzore, për hir të një paqeje stabile dhe afatgjatë në atë pjesë të Europës.

 

 

Filed Under: Editorial Tagged With: Frank shkreli, Lufta e Kosoves, ne mbrojtje, te vlerave njerezore

U MBLODH DEGA E VATRËS NË WASHINGTON

March 26, 2014 by dgreca

Dega e Washington DC u mblodh me datë 24 Mars 2014 në takimin e saj formal vjetor për të diskutuar punët e degës për vitin e shkuar dhe për synimet dhe objektivat që Dega e Vatrës Washington DC ka për vitin ka për 2014. Në një nga problemet që u diskutua gjatë kësaj mbledhje të rradhës të Degës së Vatrës DC ishte dhe vetëpërjashtimi i degës së South Weschesterit nga  strukturat e organizatës Federata Pan Shqiptare Vatra (Hearth).  Dega e Washington DC ndoqi me vëmendje këtë cështje dhe shprehet se është e nevojshme dhe e domosdoshme që asnjë nga degët e Federatës nuk mund të dalë mbi rregullat e përcaktuara  qartë nga Kanunorja.  Dega e Washingtonin shpreh keqardhjen për situatën që u krijua por megjithatë është e nevojshme tashmë të shikohet përpara në punët dhe objektivat që e presin Federatën PanShqiptare Vatra në ndihmë të Kombit Shqiptar.

Një nga pikat kryesore të agendës që u diskutua në mbledhjen e Deges së Washingtonin ishte drafti I rishikimit të kanunores që do jetë tema kryesore në Kuvendin e ardhshëm të Federatës Pan Shqiptare Vatra që pritet të zhvillohet në muajt e ardhshëm në New York.  Dega e Washingtonin e konsideroi të rëndësishëm rishikimin e  Kanunores dhe domosdoshmërinë e paraqitjes të mendimeve të saj si  dege që kanë lidhje me këtë cështje .  Dega arriti në konkluzionin se mendimet e propozimet e anëtarëve të degës  përsa I përket cështjes së rishikimit të kanunores janë të rëndësishme të zhvillohen në kohën e duhur dhe përpara se Kuvendi i Federates Pan Shqiptare Vatra (Hearth) të mblidhet .

Gazeta Dielli online dhe Dielli Facebook Page zunë vend në agenden e mbledhjes së degës Washington DC . Dega arriti në konkluzionin se forcimi dhe pasurimi si Dielli online dhe Dielli Facebook Page është I domosdoshëm dhe I nevojshëm për publicitetin e Federatës dhe informimin që Federata  I bën komuniteti shqiptar këtu në Amerikë.  Dega e Washington ka kontribuar dhe do vazhdojë të kontribuojë me artikuj dhe informacione për të dyja këto Web site dhe madje në të ardhmen anëtari I degës Dr. Indrit Reso do të kontribojë  me një rubrikë mjekësore në Dielli Online dhe që do botohet në gazetën Dielli.

Një nga objektivat kryesore që do zërë një vend të rëndishëm këtë vit në punën e Degës së Washington DC është përmbushja e detyrës së caktuar nga Kryesia e Federatës për paraqitjen e kërkesës dhe arrtjen për aprovim të granteve .  Grantet të cilat jepen nga buxheti amerikan organizateve jo qeveritare dhe jo fitimprupres janë të rëndësishme  për aktivitet e këtyre organizatave.  Grantet do të ndihmojnë Federatën Pan Shqiptare Vatra në  digitalizimin e biblotekës së Federatës që është një pasuri kombëtare dhe që duhet të vazhdojë ti kalojë brezave të ardhshëm. Dega e Washington DC planifikon që të ketë takime me specialistë në fushën e granteve për të plotësuar me sukses objektivin që I është caktuar nga kryesia.  Gjithashtu Dega e Washington DC do vazhdojë lidhjet e ngushta dhe bashkëpunim me Bilblotekën e Kongresit për ndihmën në këtë drejtim.

Dega e Washington DC planifikon “fundraiser events” që do kontribojnë nën drejtim të fondit për Vatra Scholarship Education Fund.  Në fund të muajit prill Dega e Washington DC planifikon një takim me komunitetin shqiptar në DC me rastin e 102 vjetorit te themelimit të Federatës Pan Shqiptare Vatra.

Megjithëse me aktivitete më pak në vitin 2013 Dega e Washington DC ka filluar vitin 2014 me aktivitete dhe me një program të ngjeshur.  Në fillimin të vitit Dega e Washington DC mori pjesë në takimet që pati Presidenti I Shqipërisë Bujar Nishani gjatë vizitës së tij në Kongresin Amerikan dhe në organizatën  botërore AJC që përfaqëson dhe mbron interesat e hebrenjve kudo në botë.  Dega e Washington DC do vazhdoje të kontribujë me aktivitet dhe punën e saj në përhapjen e ideve  Federatës Pan Shqiptare Vatra , ide që janë të domosdoshme dhe të nevojshme për fuqizimin e kombit shqiptar.(Nga takimi i degës së Vatrës në Washington me presidentin e Shqipërisë z. Bujar Nishani (Foto arkiv)

Dega e Federatës PanShqiptare Vatra, Washington DC

Filed Under: Komunitet Tagged With: Ne Washington, U MBLODH DEGA E VATRËS

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 97
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry
  • Universiteti Shtetëror i Tetovës si Paradigmë e Arsimit të Lartë Shqiptar
  • Kujtesë e misionit profesional dhe jetësor që na bashkon…
  • LAHUTA SHQIPTARE NË DËSHMITË E HISTORIANËVE, ALBANOLOGËVE DHE STUDIUESVE EUROPIANË
  • Justina Aliaj e kthen Nënën Terezë në qytetin e saj të fëmijërisë
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dega në SHBA nderoi gazetarë të shquar shqiptaro- amerikanë
  • “Sekretet” e Faik Konicës, roli si Kryetar i “Vatrës” dhe editor i “Diellit”
  • Libri “Dënesje në dru” i shkrimtarit Lazër Stani, prozë e kërkimeve absurde
  • Bashkëpunimi ruso-serb në veri të Vilajetit të Kosovës (1901)
  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT