Promovimi i dy librave të shqiptaro-amerikanit Halit Nezaj, “Rrugëtimi i Përjetësimit të Ali Ibër Nezaj në Bronz” dhe “Udha e ëndrrës së thyer” u organizua nga Vatra dhe Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikan në restorantin EastWood Manor në një sallë të mbushur plot.
Ky promovim përkoi me shënimin e 102 vjetorit të Vatrës, përvjetor që u përcoll përgjatë veprimtarisë.
Takimin e ka moderuar mjeshtrisht shkrimtari Mhill Velaj, i cili interpretoi fragmente dhe vargje. Pjesmarërsit i ka përshëndetur fillimisht zv/kryetari i Vatrës Asllan Bushati. Folësja kryesore ishte Kryetarja e Shoqatës së Shkrimtarëve shqiptaro amerikan Raimonda Moisiu. Përshëndetën dhe përgëzuan autorin: Ambasadori Bekim Sejdiu, Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Neë Jork, Kryetari i Vatrës, dr. Gjon Bucaj, Presidenti i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikan Adnan Mehmeti.Një kumtesë rreth librave të z. Halit Nezaj e mbajti Mehmet Kadrija. Diskutuan rreth librave edhe editori i Diellit Dalip Greca, kryetari i degës së Vatrës në Hartford Iliam Peci, Prend Cetaj, Shaban Gashi e të tjerë.U duartrokit gjatë edhe aktori nga Kosova Halil Teta, që recitoi fragmente poetike.
Autori falenderoi pjesmarresit, organizatoret dhe diskutantet.
Në fund nga familja Nezaj u shtrua një kokejl i pasur me ushqime tradicionale dhe pije të shumëllojshme.
Archives for April 2014
Arratija e dhimbëshme në emër të lirisë
Përsiatje rreth monografisë “ Udha e ëndrrës së thyer” me autor, shqiptaro-amerikanin Halit Nezaj/
Shkruar nga Raimonda MOISIU*/
Në një mënyrë apo tjetër, realiteti i jetës nuk mbetet thjesht metafora që dëshmon kujtesën apo historinë, mërgimin dhe atdheun, jetesën e mbijetesën, për të prekur vlerën apo mungesën e tyre, atë e përcakton koha që ne jetojmë, përvojat jetësore, të cilat na bindin dhe inkurajojnë, për të arritur më të mirën e të mundshmen, -pra metamorfozën e përballjes me realitetin. Duke sjellë në kujtesë të kaluarën, ne qartësojmë të tashmen dhe i hapim udhë së ardhmes. Vetë jeta e njeriut, individët, eksperiencat dhe përvojat e jetës, motivet e ndryshme, ambiciet dhe sfidat, në kohë e pakohë, flasin shumë, dhe personazhet e tij kanë konceptin dhe botëkuptimin e tyre, se si mund të rrëfehet historia, përmes bashkërendimit të fakteve në muret socialë e historikë të ekzistencës njerëzore. Është filozofia dhe sfida e përballjes me realitetin, domethënien e tij, me zhgënjimet, vetminë, ankthin, shqetësimet, streset dhe mosmarrëveshjet, të izolimit shpirtëror e fizik, ndërgjegjes individuale e kolektive, kombëtare e historike, represive dhe shpërfillëse, tragjedia kombëtare dhe fati kolektiv i shqiptarëve, i të ikurve drejt së panjohurës, luftrat, genocide, varret e të parëve dhe varret e të humburve, kondradiktat, pasojat dhe mentalitetin e shoqërisë, në të cilën jetonin e jetojnë. Secili prej nesh, dëshiron të japë dicka nga koha e kujtesa, të banojë brenda “vorbullës” së saj, të jetë i barabartë mes të barabartëve – për të ngritur diskursin e mirëfilltë të shoqërisë, nga një tjetër realitet, jo i largët i shekulli të kaluar, të 20-të, në udhëtimin e dëshirave të ndaluara dhe ëndrrëve të thyera, për të jetuar jetën, në një shoqëri më të avancuar, të lirë e demokratike, ku të drejtat e njeriut vlerësohen më shumë se kudo, ku ato ngrihen nën kauzën dhe aureolën e vlerave të lirisë e jetës, të mbijetesës, përpjekjeve, kalvarit të dhimbjeve e sakrificave, që në emër të jetës e për jetën, pergatiten për sfidën e re, -atë të mërgimit nga toka e tyre drejt “atdheut imagjinar”. E ka quajtur librin e tij “ Udha e ëndrrës së thyer”, një rrëfim modest me krenarinë e shqipes, me zellin e tij të spikatur intelektual, qytetar dhe atdhetar, për të kultivuar e ruajtur kulturën, traditën, gjuhën, vlerat dhe identitetin kombëtar. Patriot, shqiptar i mrëfilltë në gen dhe ndërgjegje, modest, i pabujë, pavetmburrje dhe fisnikërinë e moshës, -autori Halit NEZAJ, -me punën e kontributin historik e krijues, duke ja lënë kohës, ka arritur të dëshmojë raportin mes kujtesës e historisë, filozofisë dhe eternitetit, vazhdimësisë së jetës dhe mbijetesës, -autenticitetin, që i përket ardhmërisë dhe brezave. Madhështia e një kombi dallohet nga përfaqësuesit më të shquar të saj dhe kjo madhështi arrihet nëpërmjet mendësisë, urtësisë, erudicionit të kockës intelektuale, kulturës, qytetërimit, mëncurisë, rrethanave historike, ruajtjes e promovimit të vlerave më të mira, shpalosjen e tyre në njërën formë apo tjetër, të bukur e emocionuese, në rrafshin e ndryshimeve të epokave për trashëgiminë ndër breza të kontributit social, patriot e atdhetar të tyre. Do ta kisha të vështirë apriori, për të dhënë figurën e një historiani, mësonjësi, udhërrëfyesi, patrioti , burri i vendit e kuvendit, atdhetarin, mikun, prindin, gjyshin, intelektualin, historianin nga Malësia e Gjakovës, tropojanin fisnik, Halit Nezaj, po të mos e kisha lexuar këtë libër monografik, kronologjinë e fakteve historike, tragjedive dhe dhimbjes njerëzore. Ky libër fokusohet në veprimet individuale, në të kaluarën e të tashmen dhe efektet e tyre kolektive, hedh dritë ndaj fakteve e të vërtetave historike, mite e legjenda, trima dhe luftëtarë, burrat e kombit të dalë nga fisi i dëgjuar Nezaj, jo vetëm në historinë e Tropojës, por që nga Malësia e Gjakovës, Rrafshi i Dukagjinit, Kosovës, -pra në krejt Dardaninë. Individët dhe personazhet historikë të tij kanë një perceptim të vecantë të identitetit e kujtesës, përjetimeve rrënqethëse të tragjedive, luftërave për liri e pavarësi, vështirësitë, sfidat gjatë rrjedhës së jetës, copëtimin e atdheut, instalimi i ideologjisë komuniste, arratia nga vendlindja, por me sytë nga toka mëmë, për t’i shpëtuar përndjekjes së egër ndaj nacionalistëve të vërtetë atdhetarë, persekutimi i të afërmëve të tyre, genocidi shekullor serb dhe zinxhirët e makinës vrasëse sllavo-komuniste. Teksa lexon librin, në përfytyrimin tonë vijnë emra trimash e luftëtarësh, që kanë bërë historinë, këngët për trimat ushtonin bashkë me vajin e dhimbshëm e krenar të nënave në kullat e djegura dhe elegjitë vajtuese nënzë nga zanat shamibardha, që qanin në heshtje dhe larg syve kureshtarë, fatin e burrave të tyre trima. Pinjolli i derës së Madhe të Nezajve, Halit Nezaj, në këtë libër negocion me lashtësinë dhe kujtesën, me epokat historike në analogji me emrat e të parëve të tij, varret e humbura dhe kullat e rrënuara, njerës të vrarë e të pushkatuar , të kallur të gjallë e vdekur burgjeve, por që lanë gjurmë, bënë historinë dhe lanë emrin e mirë të shqiptarit, jo vetëm për trashëgiminë ndër breza, por edhe për kujtesën e ndërgjegjen kombëtare.
Autori e fillon librin duke na dhënë historinë e derës së madhe të kullës së Nezajve të Epërm, burra trima dhe me emër në Malësinë e Gjakovës dhe Rrafshit të Dukagjinit, nga ku do të lindnin trima, heronj, mite e legjenda. Kjo familje me tradita patriotike e atdhetare shtohej nga viti në vit me trima e luftëtarë, që duke ecur në gjurmët e të parëve të tyre, i bënë ballë me dije e pushkë, hordhive serbo-sllave, rregjimit komunist të instaluar për 50 vjet-që përpiqeshin me të gjitha mënyrat e format më barbare e makabre psikollogjike e fizike, për ta zhdukur fisin nacionalist të Nezajve, dhe jo vetëm kaq- psikollogjiken e njerëzoren e kombit. Burrat e derës së Nezajve, së bashku me burrat trima e të urtë të Tropojës, Gjakovës dhe Kosovës, pritnin e përcillnin me dyert gjithmonë hapur trimat e luftëtarët shqiptarë, që vinin nga mali, fusha e bjeshkët. Aty në kullën e ndaluar të lashtë e historike të Halit Qerimit të Nezajve dhe birit të tij të vrarë nga rregjimi komunist, Shpend Haliti. Aty vinin e strehoheshin, mjekonin dhe shëronin plagët e betejave në male, luftëtarët, clodheshin dhe përsëri rroknin armët, për të mbrojtur trojet dardane. Me këtë frymë patriotike e atdhetare, u rrit e u edukua, pinjolli i derës së Madhe të Nezajve, autori Halit Nezaj, djaloshi vigan e energjik, i patrembur, i cili në krye të kolonës së pafund, u priu burrave dhe djemëve, që për shkak të persekutimit të egër komunist u detyruan të arratiseshin fillimisht në ish-Jugosllavi dhe më pas mërguan drejt SHBA-ës. Libri, që unë me plot gojë do e quaja një “Monografi” të fisit të Nezajve, është shkruar në kapituj, ku më një fjalor të pasur, tema e subjekte, e bëjnë jo vetëm tërheqës për lexuesin, por edhe informues, duke u përqëndruar dhe argumentuar me fakte dhe foto. Ajo që na mban në jetë dhe na bën shoqëri kur jemi të vetmuar, netëve pa gjumë, që na ushqen dhe na mundëson t’i zbrazim ndjenjat tona, të bashkëudhëtojmë nëpër histori, nëpër fatet e pafatet e popullit dhe dëshirat e ndaluara të vetë autorit, -është kujtesa dhe rrëfimi. Në kapitujt pasardhës mbresëlënës, autori Nezaj ka shtjelluar në forma të ndryshme akademike e modeste, duke e filluar librin me të dhëna të vecanta në aspektin historik, të traditës, mbi njerësit e urtë e të mencur, trima e luftëtarë, krenarë e të admirueshëm, të derës së madhe të Nezajve. Autori Halit Nezaj, mes psikikes, shpirtërores dhe njerëzores, përpos angazhimeve individuale në sinkron me angazhimet kolektive, ndërmjetëson në bazën thelbësore të rrëfimit, për zhvillimin e kompleksit shoqëror, atdhetar, kombëtar, qytetar, intelektual dhe krijues letrar e publicistik. Me mjeshtëri filozofike dhe vizatimin realist letrar të ngjarjve e personazheve, ai ngulit në mendjen e zemrat e brezave të ardhshëm, dashurinë për atdheun, u rrëfen kalvarin e dhimbjeve e sakrificave, të vuajtjeve dhe sfidave, historinë e popullit tonë nën zgjedhën sllavo-komuniste, që askush nuk e ka përjetuar më keq se populli shqiptar.
Në vitin 1968 autori i librit, intelektuali dhe qytetari, malësori fisnik Halit Nezaj mërgoi në SHBA-ës, ku gjeti mbështetjen e bashkëkombasve të tij. Ai integrohet shumë shpejt në punët e ditës, krijon familjen dhe sot, ai dhe bijtë e tij, drejtojnë bisneset e tyre në jetën e përditshme, pa harruar asnjëherë – identitetin e tyre shqiptar. Duke jetuar në Amerikë, për më shumë se katër dekada, autori Nezaj, na rrëfen me kujdes e sqimë aspekte të vecanta të jetës së vërtetë, vështirësive që hasen në mërgim, mësimin e gjuhës angleze, komunimkimin e përditëshëm, punësimin dhe të tjera, për të qënë qytetarë të kulturuar dhe të emancipuar, respektues të ligjeve e zakoneve të atdheut të tyre të dytë. Realitetin, që ai ka përjetuar dhe vazhdon ta përjetojë, Nezaj e vendos atë në disa kufij, që në zanafillën e mërgimit të tij drejt tokës së premtuar. Autori Nezaj na rrëfen se si ai dhe familja e tij, por edhe bashkëkombasit e tij, përvec angazhimeve në jetën e tyre të përditëshme nuk harrojnë kurrë origjinën, krenarinë e tyre e të qënit shqiptar, por sa herë e kërkon koha dhe historia, ngrejnë zërin në favor të cështjes shqiptare, sensibilizimit të cështjes së Kosovës, asaj të Camërisë dhe të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi, deri në instancat më të larta demokratike në qarqet amerikane dhe më tej. Autori Halit Nezaj nuk nguron t’i përmendë edhe me emra të gjithë ata bashkëkombas , vatranë dhe aktivistë të cështjes kombëtare, që përbëjnë atë që sot quhet -Diaspora shqiptare. Nezaj është përqëndruar edhe në përballjen e mërgimtarëve shqiptarë, me vështirësitë, me dështimin dhe suksesin, me jetesën brenda mundësive dhe aftësive, në dilemën mes dy botëve, -të botës nga vinte autori, nga një rregjim krejtësisht totalitar, të mohimit të vetvetes, sepse nuk mundje të shpalosje aftësitë në një realitet aq të ashpër, të mbyllur brenda kufijve, që shpesh herë i detyronte bashkëkombasit e tij, të arratiseshin e kalonin kufirin, disave u ecte, disa prej tyre edhe u kapën, u burgosën apo u vranë në telat e klonit, apo me plumba, disa vdiqën burgjeve, disa u zhdukën dhe mbetën pa varr. Tani që libri u shkrua, ai mundi të komunikojë me botën shqiptare, duke na thënë se ne pamvarësisht se jetojmë këtu në Amerikë, nuk e harrojmë vendin tonë, ai është me ne kudo e në cdo gjë shpirtërisht. Dhe në mbyllje, dëshiroj të them se autori Halit Nezaj, në këtë libër ka shkruar realitetin e fatit të individit në analogji me fatin kombëtar të mërgimtarëve, na ka dëshmuar realitetin historik jo si në fotografi, por në formë e përmbajtje, të dëshirave të ndaluara në udhën e ëndrrës së thyer dhe arratinë e dhimbëshme në emër të lirisë.
Raimonda MOISIU
Hartford CT USA
Prill 2014
ALI AHMETI: BDI, FITORE HISTORIKE, 19 DEPUTETË
Thaçi: PDSH ka fituar 8 – 9 deputetë/
“…BDI-ja në këto zgjedhje ka fituar mbi 150.000 vota të përpunuara. Oponenti ynë është nën 50 mijë. Ju them shqiptarëve që nga Shtabi qendror komunal dhe lokal këtë fitore, këta burra dhe gra që kanë punuar, ia dedikojnë kombit shqiptarë në Maqedoni. Këtë fitore ia dedikojnë çdo votuesi të BDI-së. Ia dedikojmë çdo shqiptari sepse koncepti jonë, puna jonë që kemi bërë deri tani u dedikohet të gjithë shqiptarëve, por sigurisht merita u takon votuesve të BDI-së. Iu takon diasporës, pa harruar që ka luajtur një rol të madh historik, në të gjitha ngjarjet në hapësirat shqiptare. Punën që kanë bërë shefat e shtabeve, shtabi qëndror, është punë e madhe, punë për tu përshëndetur dhe kam rastin që unë të shpall aktivitetin e tyre një nga fitoret më të mëdha në historinë e BDI-së. BDI në këto zgjedhje ka fituar mbi 150 mijë vota të përpunuara.
Oponenti ynë është nën 50 mijë vota. Këtë fitore jam i lutur nga shtabi qëndror dhe shtabet tjera që t’ju them shqiptarëve që këtë fitore këta burra, gra që kanë punuar të ia dedikojnë kombit shqiptar në Maqedoni, çdo votuesi të BDI-së, çdo shqiptari, sepse koncepti jonë, puna jonë, platforma jonë zgjedhore e tanishmja dhe ajo deri më tani, u dedikohen të gjithë shqiptarëve, por sigurisht që meritë për këto suksese të kaluara dhe që do të pasojnë, merita u takon votuesve të BDI-së, diasporës që ka luajtur një rol të madh historik në të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur në hapësirat shqiptare, edhe komuniteteve më të vogla, edhe turqve, boshnjakëve, romëve, vllehëve sa do pak që kjo ka qenë një ndihmë simbolike, përsëri i falënderohemi në këtë solidarizim”
Kjo është fitore e madhe për Maqedoninë, sepse BDI ka program, ka platformë, ka ofertë, që ky vend të dalë nga status quoja dhe të bëjë hapat e duhur në drejtim të pritjes së madhe që ky vend sa më parë të antëraësohet në NATO dhe BE, si alternativë e vetme sepse kështu sigurohet një ardhmëri e sigurt dhe e qëndrueshme për të gjitha gjeneratat. Paqa dhe stabiliteti në vend dhe në rajon, dhe ky vend nuk ka të ardhme tjetër më të mirë përveç se duke qenë brenda këtyre strukturave dhe mekanizmave të mëdha.
Anëtarësimi në NATO prodhon marrëdhënie të mira ndëretnike, me fqinjët, rrit besueshmërinë edhe tek faktorë që kanë të bëjnë me zhvillimin dhe përparimin,faktorin ekonomik, investimet. Ne jemi shumë të sigurtë se atë që e kemi paraqitur para elektoratit, e them me bindje se nuk do të zhgënjehet askush, atë që e kemi thënë edhe do e bëjmë, sepse i bëjmë mirë familjes sonë të madhe, me plot dinjitet që ka një emër e që është BDI. Mandatet e BDI-së lëvizin nga 19 deri 20 deputetë. Iu falënderohem votuesve prej toke e deri në qiell”, u shpreh në fund të fjalës së tij Z. Ali Ahmeti.
Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi në një konferencë me gazetarët ka theksuar se njeh pjesërisht zgjedhjet parlamentare, dhe se tha se nuk pranon sidomos rezultatin e BDI.
“BDI mos festoj kot se nuk kam ndërmend t’ua pranoj rezultatin. Rezultat i cili vazhdon ti ngjajë Koresë Veriore, pra rezultatin nuk ua pranoj. Ato janë vota të vjedhura”, theksoi Thaçi, duke komentuar se njeh pjesërisht rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme.
Ai tha se janë 57 mijë vota të vjedhura dhe të fituara sipas tij me dhunë nga ana e BDI-së dhe se për këtë ai ka numëruar votat e fituara dhe rezultatin e BDI dhe PDSH në disa vendbanime në rajonin e Tetovës dhe Shkupit.
Lideri i PDSH-së, sërish ka theksuar se PDSH do të vazhdojë bisedimet për hyrje në Qeveri dhe se sipas tij PDSH ka fituar 8 – 9 deputetë.
“Sipas gjitha gjashave PDSH do të ketë 8 deri 9 deputetë të mjaftueshëm për të vazhdu bisedimet. Është shumë interesant se bojkotuesit e zgjedhjeve presidenciale dhe se interesant është se në fshatrat shqiptare ivanov dhe pendarovski kanë marrë vota aq sa kandidati i PDSH-së në raundin e parë. Por megjithatë LSDM dhe Pendarovski shkojnë në histori”, deklaroi kryetari i PDSH-së.
Dy Papë Shenjtorë
Gjoni XXIII e Gjon Pali II janë Shenjtorë. Papa Françesku: nuk patën frikë të përkulen mbi plagët e Jezusit
Dy Papë Shenjtorë, dy Papë bashkëkremtues. Në këto gjashtë fjalë përmblidhet gjithë karakteri i jashtëzakonshëm i kësaj dite, historike për Kishën, festë feje e ditë shprese për njerëzimin. Që nga orët e para të mëngjesit, një turmë pa fund besimtarësh, të paktën 800 mijë vetë, u dynd në Sheshin e Shën Pjetrit, në Udhën e Pajtimit e në zonat rreth Kështjellës së Shën Engjëllit, për Meshën e shenjtërimit të Gjonit XXIII e Gjon Palit II, kryesuar nga Papa Françesku. Më se 800, bashkëkremtuesit, ndërmjet të cilëve, Papa i nderit Benedikti XVI, i përshëndetur me një duartrokitje të stuhishme në sa hynte në treme, e edhe ipeshkvijtë e Kishës Katolike të Shqipërisë, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore, Kryeipeshkvi i Shkodër-Pultit, imzot Anxhelo Masafra dhe Kryeipeshkvi i Tiranë-Durrësit, imzot Rrok Mirdita.
Nga autoritetet zyrtare, kujtojmë praninë e Presidentes së Kosovës, Zonjës Atifete Jahjaga dhe të Kryeministrit, zotit Hashim Thaqi. Shqipëria, veç ipeshkvijve, përfaqësohej nga shumë grupe të vogla emigrantësh e shtegtarësh, ardhur nga i gjithë vendi, për t’u shprehur dy papëve Shenjtorë mirënjohjen e thellë, për ndihmesën që dhanë, ndërmjet tjerash, në shembjen e perdes së hekurt.
Gjatë homelisë, në të Dielën titulluar nga Papa Vojtila e “Mëshirës Hyjnore”, ipeshkvi i Romës pohoi se dy shenjtorët nuk patën frikë të përkuleshin mbi plagët e Jezusit. Mbi ato plagë që janë shenja e përhershme e dashurisë së Zotit për ne.
Shenjtorë! Gjoni XXIII e Gjon Pali II janë shenjtorë. Dëshira e zjarrtë e disa breznive besimtarësh, që e prisnin këtë shpallje, u bë kumt koral gëzimi për Kishën e botën mbarë.
Kremtimi filloi pikërisht me Litanitë e Shenjtorëve, kënduar nga Kori i Kapelës Sikstine e menjëherë u ndje fort fryma e përqendrimit të thellë në lutje dhe ndjekja me heshtjen, që pushton katedralet katolike në kremtimet e mëdha. Qetësi surreale, në një turmë qindra mijëra vetësh. Për të ndjekur ritin sugjestiv, në latinisht, gjatë të cilit kardinali prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, Angelo Amato, i drejtoi tri herë rresht Papës peticionin për të shkruar në Albumin e Shenjtorëve Gjonin XXIII e Gjon Palin II. Pastaj, çasti i pritur me një emocion të papërshkrueshëm: formula e Kanonizimit:
“… Beatos Ioannem XXIII et Ioannem Paulum II Sanctos esse decernimus et definimus, ac Sanctorum Catalogo adscribimus…”.
“Deklarojmë dhe përkufizojmë Shenjtër të Lumët Gjoni XXIII dhe Gjon Pali II, i shkruajmë në Albumin e Shenjtërve dhe caktojmë që të nderohen me devocion ndër shenjtorë, në të gjithë Kishën. Në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit të Shenjtë”. Janë fjalët që, një ças pasi dolën nga goja e Papës Françesku, hynë në librin e historisë së njerëzimit. Pasuar nga një Amen shpërthimtar e edhe nga duartrokitjet e stuhishme të mijëra njerëzve, sytë e të cilëve nguleshin në fasadën e Bazilikës, mbi portretet e dy Papëve Shenjtorë, që duket sikur rinisën dialogun e tyre të gjallë e të gjatë, me botën.
Riti i kanonizimit pati edhe një çast tjetër prekës, atë të vendosjes së relikeve të shenjtorëve në elter. Relikuarin e Shën Gjon Palit II e mbarti Floribeth Mora Diaz, që u shërua mrekullisht nga Shenjti. Ndërsa atë të Gjonit XXIII, katër nipat, kryetari i bashkisë së Nënmalit dhe kryetari i Fondacionit kushtuar Papës Ronkali.
Pastaj u lexua Ungjilli, në latinisht e greqisht, për të pohuar se asnjë gjuhë nuk është e huaj për zemrën e Anxhelo Ronkalit dhe të Karol Vojtilës. Ungjilli, që përmbyll Tetëditshin e Pashkëve, tha Papa në krye të homelisë, përqendrohet te plagët e lumnueshme të Krishtit të Ngjallur. Janë ato plagë, që Toma deshi t’i shihte me sy, e deshi edhe t’i prekte, për të besuar.
Plagët e Jezusit, komentoi Françesku, janë shkandull për fenë, por edhe vërtetim i fesë. Prandaj, vijoi, në korpin e Krishtit të ngjallur, plagët nuk zhduken, mbeten, sepse janë shenjë e përhershme e dashurisë së Zotit për ne. Këto plagë, vijoi, janë të domosdoshme për të besuar në Zotin. Jo për të besuar se Zoti ekziston, por për të besuar se Zoti është dashuri, mëshirë, besnikëri:
“Shën Gjoni XXIII e Shën Gjon Pali II patën guximin t’i shikojnë plagët e Jezusit, t’i prekin duart e Tij të plagosura e kraharorin e Tij të shporuar. Nuk patën turp nga korpi i Krishtit, nuk u shkandulluan nga Ai, nga Kryqi i Tij; nuk patën frikë nga korpi i vëllait (cfr Is 58,7), sepse në çdo njeri të vuajtur panë Jezusin. Qenë dy burra të fortë, përplot me parresinë e Shpirtit Shenjt, që i dhanë botës dëshminë e mirësisë së Zotit e të mëshirës së Tij”.
Ishin meshtarë, ipeshkvij e papë të shekullit XX. I njohën nga afër tragjeditë, madje edhe i jetuan, tha Papa Françesku, por nuk u mposhtën, sepse:
“Më i fortë se ato, ishte Zoti; ishte më e fortë, feja në Jezu Krishtin Shpërblyes i njeriut e Zot i historisë; më e fortë se tragjeditë, ishte mëshira e Zotit, që duket në këto pesë plagë; më e fortë, afërsia amtare e Marisë”.
Në këta dy burra kundrues të plagëve të Krishtit e dëshmitarë të mëshirës së Tij, shtoi, banonte shpresa e gjallë, njëherësh me gëzimin e patregueshëm e të lum:
“Shpresa dhe gëzimi, të cilin Krishti i ngjallur ua jep dishepujve të tij, gëzim që askush nuk mund t’ua marrë. Shpresë e gëzim Pashkësh, përshkuar nëpër furrën e zhveshjes, të zbrazjes, të afërsisë me mëkatarët deri në fund, deri në neverinë e hidhërinë e atij kelku. Këto janë shpresa e gëzimi, që dy shenjtorët Papë morën si dhuratë nga Zoti i ngjallur e ia dhuruan, pastaj, me duar plot, Popullit të Zotit, duke fituar mirënjohjen e tij të përjetshme”.
Pikërisht kjo shpresë e ky gëzim, reflektoi Ati i Shenjtë, ndjehej fort në bashkësinë e parë të Jeruzalemit. Është bashkësi, ku jetohet thelbi i Ungjillit, domethënë, dashuria, mëshira, në thjeshtësi e vëllazëri. E kjo, pohoi, është edhe figura e Kishës që pati parasysh Koncili II i Vatikanit. Shën Gjoni XXIII e Shën Gjon Pali II, tha në vijim, bashkëpunuan me Shpirtin Shenjt për ta ripërtrirë e për ta rinuar Kishën, sipas fizionomisë së saj të zanafillës, fizionomi, që ia dhanë shenjtorët në shekuj:
“Nuk duhet të harrojmë se janë pikërisht shenjtorët, që e çojnë përpara Kishën dhe e bëjnë të rritet. Në thirrjen e Koncilit II të Vatikanit, Gjoni XXIII dëshmoi bindjen e ëmbël ndaj Shpirti Shenjt, e la të printe e qe për Kishën, bari e udhëheqës- i udhëhequr’. Ky ishte shërbimi i madh, që i bëri Kishës: ishte Papa i bindjes ndaj Shpirtit Shenjt”.
Në këtë shërbim ndaj popullit të Zotit, vijoi, Gjon Pali II ishte Papa i familjes:
“Kështu pati thënë ai vetë, një herë, se dëshironte të kujtohej si Papë i familjes. Më pëlqen ta nënvizoj, ndërsa po ecim në udhën drejt Sinodit mbi familjen e me familjen, një udhë që, sigurisht Ai, nga qielli, e shoqëron dhe e mbështet”.
Uroj, tha në përfundim Papa Françesku, që të dy këta Shenjtorë, Barinj të Popullit të Zotit, të ndërmjetësojnë për Kishën që, gjatë këtyre dy vjetëve të udhës sinodale, t’i bindet Shpirtit Shenjt në shërbimin baritor ndaj familjes e uroj edhe që:
“Të dy të na mësojnë të mos shkandullohemi nga plagët e Krishtit e të hyjmë në misterin e mëshirës hyjnore, që shpreson gjithnjë, fal gjithnjë, do gjithnjë”.
Sa është lënë ” pas dore” Siria nga fillimi i krizës në Ukrainë?
Numri i refugjatëve në Liban arrin shifrën prej mbi një milionë sirianë që përbënë një të pestën e numrit të përgjithshëm të këtij vendi.- Kushtet e strehimit janë jashtëzakonisht johumane, që as përafërsisht nuk i plotësojnë as kushtet higjienike e të mos flasim për ndonjë shtrat apo ushqim që është i pamjaftueshëm/
Nga XHAVIT ÇITAKU
Informacionet që arrijnë nga vendi i futur në luftë civile- Siria janë tronditëse dhe siç duket kjo gjendje nuk po ua tërheq vëmendjen në nivel të duhur perëndimit dhe shteteve tjera të fuqishme, të cilat këtë shtet e kanë lënë “pas dore” duke mos gjetur ndonjë zgjidhje bile të përkohshme nëse për asgjë tjetër, për hirë të atyre miliona njerëzve që tash e një kohë të gjatë jetojnë nën kërcënimin e armëve të kalibrave të ndryshëm e deri të ajo gjendje që ka raste kur vdesin edhe nga uria. Shkas për këtë sigurisht se është gjendja eksploduese në Ukrainë, e cila mund të këtë pasoja të rënda jo vetëm në rajon por edhe më gjerë. Ç’është e drejta, varësisht nga rëndësia dhe pesha që mund të këtë për paqen, sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar një rajon i krizës, perëndimi dhe SHBA-të është ajo forcë që vlerëson me këtë rast se përparësi duhet dhënë zgjidhjes së atij problemi dhe atë sa më shpejt që është e mundur në mënyrë që të pengohet përshkallëzimi i situatës. Këtë përparësi dhe fokus të interesimit tash për tash e ka Ukraina e ballafaquar me aneksimin e territorit të saj nga Rusia hegjemoniste, e cila ka pretendime territoriale edhe ndaj shteteve të tjera fqinje. Megjithatë, do theksuar se ka vend për një angazhim e aktivitet diplomatik, politik dhe humanitar edhe për Sirinë të kapluar nga flakët e luftës, për të cilën gjë tregojnë informacionet që arrijnë nga vendi i ngjarjes e sidomos brengos braktisja e vendit e një numri jashtëzakonisht të madh të sirianëve. Sipas të dhënave më të reja mbi një milionë refugjatë nga Siria kanë ikur dhe janë vendosur në Liban. Gjysma e tyre janë fëmijë. Ky numër kaq i madh i këtyre refugjatëve përbënë një të pestën e numrit të përgjithshëm që ka ky vend fqinjë i Sirisë. Gjendja e këtyre njerëzve me halle të mëdha është e mjerueshme sepse është e pamundur që të gjendet ndonjë strehim që do të mund të shtyhet një ditë në tjetrën. Në të vërtetë, në vendet ku ata janë të strehuar mbretëron një gjendje johumane. Ata janë të vendosur nëpër kthina e pjesë tjera të papërshtatshme që as përafërsisht nuk i plotësojnë as kushtet higjienike e të mos flitet për ndonjë shtrat apo ushqim të mjaftueshëm. Familjet me fëmijë të vegjël janë shumë të dëshpruara për shkak se përkundër përpjekjeve maksimale për të gjetur ndonjë banesë qoftë edhe njëdhomëshe, këtë nuk po e arrijnë dot, ngaqë kapacitet e Libanit janë shumë të kufizuara për t’u dalë ballë këtyre kërkesave enorme. Nga kjo gjendje alarmante në kampet e refugjatëve lexojmë edhe një lajm tjetër tmerrues që e kanë shënuar agjenci të ndryshme të lajmeve. Fjala është për një grua e cila tenton të bëj vetëvrasje duke ia futur vetës flakën në shenjë proteste për mos afrimin e ndihmës së nevojshme për burrin e saj shumë të sëmur. Po ashtu rrëfimi tjetër është edhe më tmerrues kur një familje shtatëanëtarëshe u mbyt në det në përpjekje për të ikur nga ajo gjendje katastrofale që mbretëron në Siri.
Libanezët po e bëjnë të pamundurën për t’iu dalë në ndihmë fqinjëve, por humbjet e mëdha në ekonomi në shumë prej një miliardë e 700 mijë dollarësh gjatë vitit të kaluar , që janë pasojë e kësaj situate lufte në Siri, është e pamundur që të ndihmohet më shumë kjo popullatë. Turistët nuk e vizitojnë më këtë shtet nga frika se mos po iu ndodh më e keqja, ndërsa investitorët e huaj as që shprehin ndonjë interesim për të ngrit farë objekti ekonomik në këtë vend.
Njerëzit në Siri vazhdojnë ta braktisin vendin dhe t’ ia mësyjnë shteteve në kontinente të ndryshme, ndërkaq, të dhënat më të reja të organizatave për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut bëjnë me dije se deri me tash mbi 150 mijë veta kanë humbur jetën, prej tyre mbi tetë mijë janë fëmijë. Lufta në këtë vend ka hyrë në vitin e saj të dytë të tragjedisë. Dhe gjatë kësaj kohe fëmijët sirianë nuk përjetuan diçka më të mirë pos këtij tmerri, ndaj edhe një gjeneratë e tërë do ta humb perspektivën nëse faktori ndërkombëtar nuk reagon fuqishëm. Është e palogjikshme që Libani të bart vetëm këtë barrë kaq të rëndë të kësaj katastrofe humanitare. Ndërgjegjja po peshon mbi “ kokën” e të gjithë atyre që mund të ndihmojnë këtë popull.
Dhe krejt në fund. Lexova edhe këtë: të shkruash për islamistët dhe terroristët, kjo shkon mirë, për shkakun se kjo në asnjë rrethanë nuk parashikon një luftë të përgjithshme botërore. Sigurisht se lufta civile në Siri nuk rrezikon paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar, por në këtë rast kemi të bëjmë, në rend të parë, me veprime e aktivitete humane që duhet të ndërmerren për të shpëtuar atë popullatë nga ai tmerr që nuk i dihet e as shihet fundi.
- « Previous Page
- 1
- …
- 4
- 5
- 6
- 7
- 8
- …
- 70
- Next Page »