Archives for September 2015
Ambasadori Hugh Grant:Mbreti Zog dhe shqiptarët më 6 Prill kërkuan mbështetje tek Amerika
NGA RAFAEL FLOQI/
Marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-së e kanë pikënisjen më 28 korrik të vitit 1922, kur ende shteti shqiptar sapo kishte rikonfirmuar pavarësinë.
Vendimi për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka ardhur natyrshëm pas vetos që presidenti amerikan Woodrow Wilson vuri në Konferencën e Paqes në Paris duke i rikthyer pavarësinë Shqipërisë.
Presidenti pasardhës i Wilson-it, Warren Harding, emëroi si ambasador të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Ulysses Grant Smith, i cili e nisi misionin diplomatik më 4 Dhjetor 1922.
Deri në vitin 1939 Shqipëria ishte thjesht një komb i preferuar për SHBA-në aq sa dhjetëra amerikanë vërshuan në vendin tonë jo vetëm si diplomatë, por edhe si biznesmenë, themelues shkollash e deri në investitorë ekspeditash për të zbuluar pasuritë e nëntokës sonë.
Kjo do të vazhdonte deri në vitin 1939 kur Shqipëria e humbi pavarësinë e saj pas pushtimit të vendit nga Italia dhe largimit të Zogut nga vendi. Ambasadori amerikan në atë kohë në Tiranë, Hugh Grant, i ofroi tre pasaporta amerikane Zogut: një për vete, një për mbretëreshën Geraldinë dhe një për Lekën e sapolindur, të cilat u refuzuan nga ai.
Hugh Gladney Grant (1888-1972) në kujtimet e tij te botuar gjysme shekulli me parë rrëfen takimin e tij me Zogun pikërisht në prag të pushtimit italian. Eshte interesante qe ambasadoret amerikanë, te cilet nuk pertojnë të thonë realitetin sidomos ne kujtime, shkruajnë me superlativa për Ahmet Zogun. Në një paragraf të shkruar nga Hugh Gladney Grant, paragraf i cili, tek e fundit përbën thelbin e kujtimeve të tij në lidhje me këtë temë shkuhet: “Besoj se historia në gjykimin e saj të fundit, të paanshëm dhe të drejtë, do ta permendë Zogun e parë, Mbretin e Shqiptarëve, si një nga udheheqësit me të famshëm politikë dhe ushtarakë, si një prijës patriot dhe trim, me një inteligjencë dhe zgjuarësi të jashtezakonshme, me te cilat mundi të përballojë dhe të zgjidhë problemet e koklavitura të mbajtjes gjallë të popullit liridashës dhe patriot shqiptar.
Vërtet këtu ka edhe mjaft subjektivizëm dhe një këndvështrim personal, por ky këndveshtrim përbën edhe qëndrimin shtetëror të Shteteve të Bashkuara. Më 7 prill në ndryshim nga qendrimi anglez që në thelb thoshte se pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste mund të ishte një shkak për të cilin bota do të hynte në luftë. E vetmja fuqi botërore që bëri një dënim të plotë kundër pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste ishin Shtetet e Bashkuara, por kjo natyrisht në qerthullin e politikës paqësore të SHBA të kohës.
Me aprovimin e Presidentit Rusvelt sekretari amerikan i shtetit Kordel Hull bëri një deklaratë zyrtare ku dënohej pushtimi fashist i Shqipërisë. Në të duke pasur parasysh rrethanat e kohës dhe qendrimin amerikan për të ruajtur paqen ( ngjarjet e Perl Harbour nuk ishin ndodhur ende), thuhej:
“Pushtimi i dhunshëm dhe me forcë i Shqiperise është padyshim një kërcënim shtesë për paqen në botë.Do të ishte dritëshkurtësi të mos e venin në dukje këtë zhvillim të mëtejshëm. Çdo kërcënim i paqes i shqetëson seriozisht të gjithë kombet dhe dhunon vullnetin e popujve që qeveritë e tyre të mos i çojnë popujt e vet drejt Luftës, por drejt udhës së paqes. Është mëse e nevojshme të shtojmë se si efekt i paevitueshem i këtij incidenti, marrë së bashku edhe me incidente të tjera të ngjashme, është shkatërrimi i më tejshëm i mirëbesimit dhe stabilitetit ekonomik të çdo vendi në botë, duke prekur edhe mirëqënien tonë.” *1
Dhe në raportin e mëposhëm vetë ambasadori Grant thotë që të rinjtë që erdhën deri në mjediset e oborrit të ambasadës kërkonin mbështetjen e SHBA kundër pushtimit Italian. Shembulli i presidentit Willson ndihma që ai pat dhënë pavarësisë së Shqipërisë vazhdonte të ishte i gjallë. Ambasadori amerikan natën e 7 Prillit, duke iu druajtur përleshjeve në rrugë kishte mbledhur të gjithë amerikanët në Legatën Amerikane . Pas bashkimit të Shqipërisë me kurorën e Viktor Emanuelit, Ambasada amerikane në Tiranë u mbyll zyrtarisht në 16 shtator 1939, ndërsa diplomati Grant u largua më 27 Shtator.
Më poshtë po japim raportin e ambasadorit Grant lidhur me takimin me Zogun në 6 prill 1939, ku shprehet qartë situate psikologjike e Mbretit Zog , para veprimit të largimit të tij që është parë si një dobësi e tij apo “tradhti kombëtare” .
***
Sot në mesditë,zhvillova një audiencë me mbretin Zog, ku Mbreti bëri deklaratën e mëposhtme e cila në thelb thotë*2 : “Disa ditë më parë ministri italian në Shqipëri më prezantoi mua disa kërkesa të caktuara të cilat, sipas gjykimit tim, synojnë vendosjen e një protektorati mbi Shqipërinë, gjë të cilën unë e refuzova kategorikisht ta merrja në shqyrtim. Propozimi ishte i tillë që drejtpërdrejt ose tërthorazi do të dëmtonte integritetin dhe pavarësinë e vendit tim. Sereqi, Ministri i ri Pergjithshëm në Itali, më pas pati një bisedë me Musolinin dhe Cianon, me të cilët kishte ‘Nënshkruar më 2 janar 1937, *3
Ku ai paraqiti pikpamjet e mia. Dje pasdite ministri italian bisedoi për dy orë me mua dhe më paraqiti më pas disa kërkesa, të cilat të marra së bashku ishin më shumë sesa një protektorat mbi Shqipërinë.
Ministri italian tha se donte një përgjigje për qeverinë e tij nga unë sot brenda orës 12-të. Unë refuzova t’i mirrja në konsideratë kërkesat e tij ,të cilat do të rezultonin, sipas mendimit tim, në një protektorat. Ministri italian pohoi se kërkesat nuk do të përbënin një protektorat .
Kërkesave të paraqitura nga Ministri italian më drejtoheshin mua në emër të Mbretit e kërkonin që ne t’u siguronin,: (1) kontrollin e të gjitha porteve, rrugëve të komunikacionit dhe aeroporteve në rast se pavarësia e Shqipërisë do të ishte në rrezik, (2) vendosjen e një organizatori italian në çdo ministri shqiptare, i cili do të kishte rangun e ofiqarit nën ministrin shqiptar; (3) që italianët në Shqipëri të kishin të drejta të barabarta civile dhe politike me shqiptarët; (4) si dhe ngritjen e nivelit të legatës italiane në Tiranë dhe të legatës shqiptare në Romë në rangun e ambasadave.
Në lidhje me kërkesën e parë,. tha mbreti, ai e kishte informuar ministrin Italian, që pranonte që kjo të bëhej vetëm sipas marrëveshjes të mëparshme, ku thuhej se vetëm në rast se do të lejohej zbarkimin e trupave italiane në Shqipëri, vetëm nëse ai do të kërkonte dhe do të binte dakord. Mbreti tha se ai e kishte refuzuar kërkesën e dytë dhe se ai nuk do të binte dakord për organizatore italianë pasi kjo nuk i dukej e nevojshme meqë këshilltarë të të tillë ekzistonin në disa ministri edhe në kohën e tashme. Për pikën e tretë Mbreti tha se binte dakord vetëm me dhënien e të drejtave civile e italianëve, pasi po të bëhej plotësimi i kërkesave të tjera , kjo do të thoshte se italianët edhe mund të zgjidheshin në Parlamentin Shqiptar dhe mund të zotëronin toka në Shqipëri.
Mbreti tha se ishte dakord me kërkesën e katërt.
Mbreti deklaroi më tej se ai kërkoi që ministri italian ta takonte ministrin përsëri në mëngjes dhe do t’i paraqiste kërkesën për nënshkrimin e një dokumenti që përmbante kërkesat italiane. Mbreti tregoi më tej se për shkak të insistimin të disa prej ministrave të tij do të duhej që do ta rishqyrtonte vendimin dhe kërkoi nga ministri italian që ta mbante çështjen pezull deri në orën 6-të të asaj mbrëmjeje, në mënyrë që t’i jepte kohë kabinetit shqiptar dhe një delegacioni që e përfaqësonte atë të kishte një mundësi për ta shqyrtuar çështjen.
Ai tha se Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm ishin caktuar për t’i dhënë përgjigje qeverisë dhe ministrit italian. Mbreti tregoi se në funksion të kërkesave për ministrit të tij, ai e kishte lënë Kabinetin dhe Parlamentin të bënte zgjedhjen e tyre. Në përgjigje të pyetjes sime kategorike. nëse Qeveria do t’i rezistonte me forcë zbarkimit të trupave italiane në rast se qeveria shqiptare vendoste t’i refuzonte këto kërkesa, Mbreti u përgjigj se ai kishte urdhëruar mobilizim e përgjithshëm dhe evakuimin e popullsisë civile nga Durrësi. Madhëria e tij tha se Shqipëria nuk kishte shumë ushtarë vetëm 373 dhe se ai kishte qenë në gjendje të dërgojnë vetëm dy batalione në portin e Vlorës. Njësitë e tjera tha ai ishin vendosur në pozicione strategjike.
Ai tha se pjesa tjetër e [me mosveprim të dukshëm] ishin civilë të cilëve u ishin shpërndarë armë. Mbreti tregoi se nuk do të ishte e mundur për ushtrinë e tij t’i rezistonte shumë gjatë ushtrisë së fuqishme e të pajisur mirë italiane. Ai tha se rezistenca shqiptare do të jetë një protestë kundër agresionit italian dhe një demonstrim për botën, se shqiptarët nuk do të vdesin pa bërë luftë.
E pyeta Mbretin nëse ai kishte marrë ndonjë inkurajim a mbështetje nga anëtarët e Antantës Ballkanke *4 apo nga Anglia dhe Franca. Ai u përgjigj se ministri i tij në Beograd e kishte informuar atë se Qeveria jugosllave besonte se Italia ishte vetëm duke bërë blof dhe nuk bëhej fjalë për ta pushtuar Shqipërinë. E pyeta Mbretin, nëse ai kishte ndonjë mesazh të cilin Madheria e Tij i do të kërkonte dhe do të binte dakord t’ia transmetoja Qeverisë sime. Mbreti u përgjigj se ai do të ishte i kënaqur, nëse unë do t’i përcillja Presidentit Roosevelt, urimet e tij të përzemërta dhe miqësore dhe theksoi se në gjykimin e tij demokracitë e mëdha duhet të vendosin të përforcuar pika si në Shqipëri ku ato me sukses do të mund të përballonin agresionin e fuqive totalitare
Sjellja e përgjithshme e mbretit ishte e qetë, por gjatë bisedës që zgjati për gati një orë ai manifestoi emocione të forta, sidomos kur deklaroi se agresioni italian nuk do të përmbushej në Shqipëri, ashtu siç kishte ndodhur në Çekosllovaki. “Ai tha se ai në asnjë rrethanë nuk do të binte dakord të nënshkruante dorëzimin e vendit të vet, siç kishte bërë Presidenti i Republikës Çekosllovake. Ai iu referua kësaj dhe faktit se italianët nisën ofensivën e tyre në momentin kur Mbretëresha ishte duke lindur një fëmijë me një hidhërim që shquhej në zërin e tij. Në këtë moment të veçantë ai vështronte nga dritarja dhe unë munda të shoh qartë lotët që përbushnin sytë e tij. Në këto momente ai mezi po kontrollonte veten. Ai të jepte përshtypjen e një njeriu që ndjente një zhgënjim të hidhur, për faktin se ai kishte qenë tradhtuar në mënyrë vulgare.
Në orën 4: 30 të pasdites 50 avionë italianë të grupuar në skuadrone nga 10-të fluturuan në një lartësi të madhe mbi Tiranë duke ardhur nga jugperëndimi dhe duke u zhdukur në drejtim të bregut perëndimor të Adriatikut. Ndërsa aeroplanët po fluturonin lart,një demonstratë e jashtëzakonshme po zhvillohej nga një turmë prej disa mijëra shqiptarësh qe organizuar në sheshin kryesor të Tiranës. Qindra të rinj shqiptarë po bënin thirrje për të armë për të mbrojtur vendin e tyre. Një delegacion nga turma tentoi të takohej pasdite vonë dhe në orën 08:00 me Mbretin. Përafërsisht 2,000 rinjt shqiptarë dhe djem që mbanin flamuj shqiptarë thërisnin: “Rroftë Shqipëria, rroftë liria jonë, rrofshin Shtetet e Bashkuara dhe presidenti Roosevelt kur ata hynë në kompleksin legatës dhe parakaluan nëpër territorin përreth.
Kabineti i veçantë dhe parlamenti në takimin në fillim të kësaj mbrëmje votoi për t’i refuzuar kërkesat italiane dhe për të rezistuar me forcë zbarkimin e trupave italiane, por tregoi se ata do të ishin të gatshëm për të diskutuar me Qeverinë Italiane “Traktatin Italo-Shqiptar të Aleancës” për të sqaruar cështjet, per të cilat tani janë në mosmarrëveshje në me detyrimet ushtarake. Në lidhje me këtë u sugjerua, joformalisht që Ministri italian t’i transmetonte Qeverisë së tij, sugjerimin qe gjenerali Parianti, Sekretari italian i luftës i cili disa vite më parë kishte shërbyer si shef i Departamentit Ushtarak të Gjykatës Mbretërore, të vinte në Shqipëri, në mënyrë që të diskutonin pikat e kësaj çështjeje. Ministri italian, për këtë jam i informuar në mënyrë të besueshme, nuk i ka dhënë shumë inkurajim e sugjerimin, por besohet se ai do t’ia transmetojë kërkesën qeverisë së vet.
Duket se qeveria shqiptare jo vetëm kërkon kohë për një zgjidhje të vështirë me të cilat është duke u ballafaquar, duke kerkuar kohë por është duke luajtur për herë të pare me kërkesën e sigurimit të asistencës nga jashtë si për të siguruar gjithashtu një mundësi për largimin e sigurt të Mbretëreshës që lindi dje në mëngjes një fëmijë.
*****
1 Albania in the Twentieth Century, A History: Volume I: Albania and King Zog,.
By Owen Pearson
2 – See Foreign Relations, 1939 vol H
3 , League of Nations Treaty Series, vol. clxxvti, p. 241 ; for agreement signed April 16, 1938, reaffirming the 1937 agreement, see League of Nations Treaty Series, vol. cxcv, p. 77. 1Ronald Hugh Campbell, British Minister in Yugoslavia. * Earl of Perth, British Ambassador In Italy. • British Secretary of State for Foreign Affairs. “Prince Regent of Yugoslavia. a not printed. a Revue de Droit International, 1937, vol. 19, p 372
4 – See Foreign Relations, 1938, to I. i, pp. 657 .
32 POEZI TE UNGARETIT NE SOFREN E DIELLIT
XHUZEPE UNGARETI-( Giuseppe Ungaretti ) 1888 – 1970/
Giuseppe Ungaretti (1888 – 1970) ishte një poet dhe shkrimtar italian dhe është referuar si themeluesi i Hermeticizmit, një lëvizje letrare përhapur që nga të njëzetat dhe që ndikoi dukshëm në poezinë e mëvonshme italiane.Ndër koleksionet më të mëdha të poezisë së Ungaretti kujtohet Porti i varrosur ose Alegria e mbytjeve apo toka e premtuar./
NE PERKTHIMIN E FASLLI HALITIT/
- O NATE /
1919/
Nga ankthi i madh i agimit
Zbulim drurësh.
Zgjime të dhimbshme.
Gjethe, motra, gjethe,
Ju dëgjoj të ankoheni.
Vjeshta,
Embëlsi në shuarje.
O rini,
Sapo kaloi çasti i ndarjes.
Qiej të lartë të rinisë,
Hov i lirë.
Dhe jam i shkretë tashmë.
I humbur në këtë melankoli harkore.
Por nata tret largësitë.
Heshtja oqeanike,
Fole yjesh iluzorë,
O natë.
- NJE PELLUBESHE/
1925/
Nga rrebeshe të tjera, dëgjoj një pëllumbeshë.
nga TË FUNDIT
Milano 1914- 1915
- PERJETESI
Midis një luleje të këputur dhe një tjetre të dhuruar,
e pashprehshmja asgjë.
- PER TE VDEKURIT E REZISTENCES
Këtu
Jetojnë përgjithmonë
Sytë që u mbyllën për dritën
Me qëllim që të gjithë
T’i hapnin
Përgjithmonë
Në dritë
- VETETIMA E BUZES
Mijëra njerëz para meje,
Të ngarkuar edhe më shumë me vite,
Për vdekje i plagosi
Shkreptima e një buze.
Por ky s’është shkak
Që të zbus vuajtjen.
Po më pe me mëshirë
Dhe më fole, përhapet një muzikë,
Dhe unë harroj se plaga djeg.
- DHURATE
Fli tani, moj zemër e shqetësuar,
Hë pra, fli, fli tani.
Fli pra,
Dimri të ka pushtuar, të kërcënon,
Të bërtet: “Do të të vras.
Gjumë s’do të kesh ti më”.
Goja ime zemrës sate i ofron paqe, më thua :
Hë, pra fli, fli e qetë,
Hë, pra dëgjo,
Dashurinë tënde
Që të mundësh vdekjen, zemër e shqetësuar.
- ESHTE ORA E URITUR
Është ora e uritur, ora jote o i marrë.
Shkule zemrën
Erë kripë bie gjaku i saj
Dhe bie era athtësirë,
Është ëmbëlsak, duke qenë gjak.
Shumë vaje
e bëjnë gjithnjë më të shijshme zemrën tënde.
Frut i shumë vajeve zemra jote,
Shqyeje, haje, ngopu.
- YLLI
Yll, i vetmi ylli im,
Në varfërinë e natës,
Vetëm për mua ndrit.
Në vetminë time shkëlqen ;
Po për mua,
Yll që s’do të pushosh së ndrituri kurrë,
Një kohë tepër e shkurtër të është dhënë,
Më jep një dritë
Që veç dëshpërimin
Mpreh, e thellon tek unë.
- UNIVERS
Një arkivol freskie
i bëra
vetes
me detin.
- NATA E BUKUR
Cila këngë lindi sonte
që qëndisi yjet
me jehonën e kristaltë
të zemrës
Cila festë buronte nga zemra
në dasëm
Kam qenë një moçal
erësire
Tani kafshoj errësirën
si fëmia
sisën
Tani jam i dehur
me gjithësi.
- TRENDAFILA NE FLAKE
Mbi oqeanin
me zilka gjëmuese
papritmas
pluskon një tjetër mëngjs
- KUJTIM NGA AFRIKA
Dielli pushton qytetin
Nuk shihet më fare asgjë
As edhe varret s’rezistojnë më shumë më.
- NATE MAJI
Qielli u vë në kokë minareve.
Kurora
Kandilash.
- MBISHKRIM PER NJE TE RENE
TE REVOLUCIONIT
1925/
Kam ëndërruar, besuar, dashuruar shumë atje
Sa s’jam më këtu poshtë.
Por dora e bukur, e gatshme,
Më mbështet hapin e pambrojtur,
Ndërsa duke u shkurajuar
Më peshon krahun që pati vullnet
Sa për mijëra
Eshtë dora atëdashëse e atdheut
E fortë, në angth, e frymëzuar,
Duke u mbështetur në gjoksin tim,
E pavdekshme në vetvete zemra ime e re.
- MENGJES
Santa Maria La Longa 26 janar 1917
Kristalizohem
pafundësisht
- TË FLË
Santa Maria La Longa 26 janar 1917
Do doja të imitoja
këtë vend
i shtrirë
në shtresën e tij
prej bore
NJË TJETËE NATË
Vallone 20 prill 1917
Në këtë terr
me duart
akull
dalloj
fytyrën time
Shoh veten
të braktisur në infinit
LARG
Rreth 15 shkurt 1917
Larg, larg
më morën për dore
si një të verbër
- USHTARET
Pylli i Kurtonës, korrik 1918
Jemi
si gjethet
vjeshtës
mbi pemë.
- FUND
1925
Në veten e në të vërtetën beson ai që dëshpërohet ?
MALLKIMI
Mariano 19 qershor 1916
I mbyllur mes gjëra mortore
( Edhe qielli i yjëzuar do të mbarojë )
Pse Zot lakmues ?
- NA ISHTE NJEHERE
Kuata njëqin e dyzetë e një, 1 gusht 1916
Pylli Kapuçio
ka një tatëpjetë
me blerim të kadifejtë
si një kolltuk
të butë
Përgjumem atje
vetëm
në një kafe të lashtë
me një dritë të mekur
si kjo
e kësaj hëne.
PERENDIMI
Rreth 20 maj 1916
Ngjyra këmëz e qiellit
zgjon oaze
në dashurinë endacake
PESHA
Mariano, 29 qershor 1916
Ai fshatar
i beson vetë medaljes
së Shen Antonit
dhe ikën ngadalë
Mirë vetëm dhe të mirë-lakuriq
pa vegim
mbaj shpirtin tim.
QETESI
Mariano, 27 qershor 1916
Njoh një qytet
që çdo ditë mbushet me diell
dhe gjithçka grabitet po atë çast
Shkova një mbrëmje atje.
Në zemër zgjaste kënga
e gjinkallave
Nga anija
e lyer me të bardhë
pashë
qytetin tim të eklipsohej
duke lënë pak
një përqafim yjesh
të varur në ajrin
e turbullt
- FAZA
Mariano, 25 qershor 1916
Ec e ec
gjeta
pusin e dashurisë
Pushova
në syrin
e njëmijë e një netëve
Në kopshtet e braktisura
si një pëllumbeshë
ajo dilte në breg
Midis ajrit
të pasditës
që të bënte të të binte të fikt
këputa
portokajtë e jaseminë
PORTI I VARROSUR
Mariano,29 qershor 1916
Atje arrinte poeti
dhe pastaj kthehet me dritë me këngët e tij
dhe i davarit
Prej kësaj poezie
më mbetet
ajo asgjë
e sekretit të pashtershëm
- PELEGRINAZH
Lugina e Pemës së Izoluar, 16 gusht 1916
Në përgjim
në këtë rrugë të qelbur
me gërmadha
orë e orë
këputar
skeletin tim
të vjetëruar prej baltës,
si një shollë
ose si një farë
gjembaçi.
Ungaret,
njeri i penës
të mjafton një iluzion
të të bëjë të guximshëm
Një reflektor
përtej
vë një det
në mjegull
- SHKEPUTJE
Lovizza 24 shtator 1916
Ja një njeri
uniformë.
Ja një shpirt
Shkretirë,
një pasqyrë e patundshme.
Më rastis shpesh të zgjohem
dhe të bashkohem
dhe të zotëroj
e mira e rrallë që më lind
kaq ngadalë më lind
dhe kur zgjati kaq
pa u ndierë u shua.
AGONIA
Të vdesësh si laureshat e etura
në një mirazh
Ose si shkurta
në shkurret e para
me të kaluar detin
sepse për fluturim nuk kanë më dëshirë
Dhe jo të jetosh me ankime
Si një gardalinë e verbuar në kafaz
- NA ISHTE NJEHERE
Quota njëqind e dyzet e një 1 gusht 1916
Pylli Kapuçio
ka një rrëpirë
me blerim të kadifejtë
si një kolltuk
të butë
përgjumem
vetëm
në një kafe të moçme
me një dritë të mekur
si drita
e kësaj hëne.
- ITALIA
Lovizza 1 tetor 1916
Jam një poet
një britmë e përbashkët,
jam një grimcë ëndrrash,
Jam një frut
me kundërshti të pafundme shartimesh,
pjekur në serrë,
Por populli yt është sjellë
nga e njenjta tokë
që më sjell
Italia
Dhe në këtë uniformë
të ushtarit tënd
çlodhem
si të ishte djepi
i babait tim.
Përktheu: Faslli Haliti
Mediat e huaja përcollën simpoziumin për Nënë Terezën në Shkup
Më 12 shtator 2015 Komuna e Çairit, nën kujdesin e Kryetarit Izet Mexhiti, organizoi simpoziumin shkencor me temë “Shkupi Nderon Bijën e Saj Nënë Terezën”. Ky aktivitet u zhvillua në Shkup në Holiday Inn për të kremtuar 65 vjetorin e themelimit të urdhërit të Misionarëve të Bamirësisë, që Nënë Tereza themeloi në Kalkuta të Indisë më 10 shtator 1950.
Në simpozium morrën pjesë studiues të Nënë Terezës nga Mbretëria e Bashkuar, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Republikën e Maqedonisë, intelektualë, politikanë, personalitete të komuniteteve fetare, dhe përfaqësues të mediave. Në këtë akivitet u mbajtën kumtesa nga Profesor Gëzim Alpion dhe Dr Dom Lush Gjergji. Sociolog në Universitetin e Birmighamit në Angli, Alpion është cilësuar nga kritika botërore si eksperti më autoritar për Nënë Terezën në gjuhën angleze. Dom Gjergji është Vikar Gjeneral i Ipeshkvisë së Kosovës me seli në Prishtinë, aktivist i palodhur për faljen e gjaqeve, dhe biografi më i shquar i murgeshës shqiptare ne Ballkan.
Në fjalën e tij Alpion ndër të tjera theksoi se “rebelimi” i Nënë Terezës në vitin 1947 dëshmoi vizionin e kësaj vajze shqiptare për rolin e aktivitetit misionar në Indinë e pavarur.
Në kumtesën e tij Dom Gjergji u ndal në të veçantën dhe të përbashkëtën e murgeshës shqiptare kur ajo njihej si Gonxhe Bojaxhiu, Motra Terezë dhe Nënë Tereza.
Në fund Alpion dhe Gjergji iu përgjigjen pyetjeve të pjesëmarrësve në lidhje me tematikën e kumtesave të tyre, për aspekte të ndryshme të aktivitetit fetar dhe bamirës të Nënë Terezës si dhe të situatës në të cilën gjendet komuniteti katolik shqiptar në Shkup.
Simpoziumin e përshëndeti në emër to Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Hirësia e tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Simpoziumi tërhoqi vëmendjen e disa mediave në Indi, Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në shkrimin me titull “Shkupi nderon bijën e tij Nënë Terezën”, botuar tre ditë para aktivitetit në New Delhi, C. M. Paul nxjerr në pah disa nga arritjet e murgeshës shqiptare gjatë aktivitetit të saj 69 vjeçar.
Në shkrimin e datës 16 shtator, të titulluar “Akademiku britanik shpjegon përse Nënë Tereza paraqitet si një fetare e lajthitur”, botuar në “Matters India”, theksi vihet veçanërisht në kritikën që Alpion i bëri në fjalën e tij në simpozium injorimit qe studiuesit i bëjnë fëmijërisë dhe adoleshencës së Nënë Terezës.
Ndërsa ish-gazetarja e BBC-së Rashmee R. Lall, e cila tani shkruan për disa gazeta ndërkombëtare si “The Guardian” dhe “The Economist”, në shkrimin e saj me titull “Feja dhe politika: Shkupi feston ditën e shënuar të Nënë Terezës”, thekson se sivjet 12 shtatori është i rëndësishëm pasi atë dite mësuam kush është udhëheqësi i ri i Partisë Laburiste Britanike, dhe se për herë të pare Shkupi kremton një përvjetor të rëndësishëm që ka të bëj me Nënë Terezën.
Gazetarja britanike thekson se politika dhe feja janë të ndërlidhura pasi u japin njerëzve shpresë dhe mundësojnë ndryshim. Në këtë kontekst, nënvizon ajo, është mirë të kujtojmë fjalët e Mahatma Gandhi-t se “kush thotë se feja nuk ka të bëj fare me politikën nuk e ka idenë se çfarë është feja”.
Gazetarja Lall e gjen me interes komentin e Alpion se aktiviteti përkujtimor i Shkupit e vendos në kontekstin e duhur murgeshën trup vogël shqiptare pasi rrënjët kristiane të vendlindjes së saj datojnë që nga koha e apostujve.
Në shkrimet e tyre gazetarët i referohen edhe lobimit që Alpion po bën prej disa vitesh për shenjtërimin e Nënë Terezës dhe ndërtimin e Rrugës sëArbërit, që do të shkurtoj distancën ndërmjet Tiranës dhe Shkupit, vendlindjes së misionares shqiptare. Alpion vizitoi disa vende në Maqedoni dhe Kosovë që patën influencë tek Nënë Tereza gjatë 18 viteve të para të jetes së saj. Ai vizitoi në Shkup varrin e babait të Nënë Terezës, Nikollë Bojaxhiu, vdekja e parakohshme dhe në rrethana misterioze e të cilit pati efekt të madh tek ajo. Në Kosove Alpion vizitoi kishën e Letnicës që Nënë Tereza e vizitonte çdo vit para se të bëhej murgeshë në vitin 1928 dhe ku në moshën 12 vjeçare vendosi të bëhej misionare. Ndërsa në kishën e Stubllës, Alpion vizitoi varrin e Dom Zef Ramaj, pagëzuesit të Nënë Terezës, i cili u vra nga serbët në Shkup më 25 dhjetor 1914.
Gjatë vizitës në Maqedoni Profesor Alpion pati takime me një numër politikanësh shqiptar. Alpion u prit edhe nga Ali Ahmeti, Kryetari i Bashkimit Demokratike për Integrim, me të cilin ndër të tjera u diskutua gjendja e arsimit të lartë në Maqedoni, çështja e ndërtimit të Rrugës së Arbërit në territorin e Maqedonisë, shqetësimi për të ardhmen e Lumit Radika, si dhe mundësitë për investime në Dibër të Madhe.
Traditë
Nga Astrit Lulushi/
Ndonjëherë vendi i fsheh sekretet e veta nga një udhëtar, duke i treguar atij asgjë, përveç livadheve, pyjeve dhe pjesën e jashtme të shtëpive; kjo fillimisht, sepse pastaj papritmas i hedh një çelës për të hyrë ku të dojë dhe të shohë çfarë të mundet.
Njerëzit duhet ta mbajnë mend lavdinë e të parëve, pasi dalin nga dënimi prej shumë kohësh kur tradita i mohohej; lavdia nuk duhet të merret si e dhënë, por si arritje e brendshme e një vendi.
Tradita nuk është pronë materiale, prandaj nuk mund të mbijetojë vetëm a pa njeriun. Kishat u pakësuan apo u zhdukën jo nën forcën e shpatave osmane, por sepse shqiptarët nuk kishin a nuk ishin mendimtarë a filozofë mjaftueshëm për të qenë të interesuar në doktrinën fetare, dhe as mjaft të dashuruar për t’u magjepsur me të gjatë shekujve të pushtimit apo edhe në periudhën e izolimit komunist.
Perënditë e kishin dënuar Sizifin për të ngjitur një gur të rëndë në majë të malit, nga ku guri rrokullisej përsëri poshtë shtyrë nga pesha e vet. Nuk ka dënim më të tmerrshëm se sa puna e kotë dhe pashpresë.
Nëse i besohet Homerit, Sizifi ishte më i urti mes njerëzve. Por tallja me Perënditë, urrejtja ndaj vdekjes dhe pasioni për jetën i dhanë atij dënimin e papërshkrueshëm të punës për realizimin e asgjëje. Sizifi u ndëshkua nga Perënditë për pasionet e tij. Ky është çmimi që paguhet për pasionet e kësaj toke. Asgjë nuk dihet lidhur me Sizifin në ferr. Mitet janë bërë për imagjinatën.
Njeriu sot punon çdo ditë të jetës, në të njëjtën detyrë, si Sizifi, dhe ky fat nuk është më pak absurd. Por është tragjik vetëm kur bëhet i vetëdijshëm.
Sizifi, i pafuqishëm dhe rebel, e njeh shkallën e gjendjes së tij të mjeruar: këtë mendon ai gjatë zbritjes nga mali, për t’u ngjitur përsëri bashkë me gurin që e shtynte me përbuzje për të mposhtur mjerimin.
- « Previous Page
- 1
- …
- 52
- 53
- 54
- 55
- 56
- …
- 91
- Next Page »