• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2015

AT GJERGJ FISHTA …

December 29, 2015 by dgreca

AT GJERGJ FISHTA O.F.M. ASHT MENDJA,ZEMRA E SHPIRTI I POPULLIT SHQIPTAR/
Nga libri me Autor:Daniel GAZULLI-Fritz RADOVANI/
***
Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, botue në Tiranë në vitin 1985 nga Akademia e Shkencave e RPSSH, në faqe 270–271, shkruhet: “Fishta Gjergj (1871 – 1940). Shkrimtar dhe publicist reaksionar, përfaqësues kryesor i letërsisë klerikale-katolike. Që në fund të shek. XIX mori pjesë gjallërisht në jetën politike dhe kulturore për të forcuar në të ndikimin e klerit katolik. Në vitin 1913 e deri me 1938, me ndonjë ndërprerje të shkurtër, drejtoi revistën “Hylli i Dritës”, një nga tribunat më aktive të reaksionit klerikal. Në shkrimet e tij publicistike luftoi me tërbim kundër ideve përparimtare. Me 7 prill 1939 përshëndeti pushtimin e vendit nga forcat fashiste italiane. Krijimtaria letrare e tij është shumë e gjerë dhe e larmishme; shkroi vjersha, poema dhe drama etj. Vepra e tij kryesore është poema Lahuta e Malëcisë (botuar e plotë më 1937) një panoramë poetike e ngjarjeve kryesore historike të viteve 1878 – 1912, të pasqyruara nga pozita e klerit katolik; në të Gj.F. himnizoi prapambetjen e jetës së malësisë, patriarkalizmin, padijen, lartësoi mercenarizmin etj. Më 1923 shkroi pamfletin me vargje Gomari i Babatasit që drejtohej kundër laicizmit të shkollës, dhe, në përgjithësi, kundër përparimit shoqëror e kulturor të vendit. Një pjesë e mirë e krijimtarisë së tij letrare përshkohet nga fryma e besimtarisë fetare. (V.B.)”
Siglat V.B. në redaksinë e letërsisë përfaqsojnë “prof.” Vehbi Balën, nga Shkodra.
Sikur ky Fjalor Enciklopedik të ishte botue para vitit 1912 nga mejtepet e Stambollit, me siguri autorët do t’ishin tregue pak ma të kujdesshëm në shprehjet e tyne të pakontrollueme anadollake, se sa “profesori ynë shkodran”. Ai të pakten të kishte parasyshë dekoratën e dhanun nga Mbretnia Turke në vitin 1912, apo aprovimin që qeveria e Stambollit i dha në 1902 për futjen e Gjuhës Shqipe ndër shkolla me kërkesën e At Fishtës. Me siguri Vehbi Bala ka harrue se asht tue shkrue për atë At Fishtë, që në vitin 1913, kur vuni Flamurin Kombëtar të Kastriotit në kompanjelin e Kishës së Fretënve në Gjuhadol, ka pas lidhë vargun e kandilave me drita prej atij kompanjeli me minaren e Xhamisë në Fushë të Çelës, në shenjë vëllaznimi e miqësie të katolikëve me muslimanët shkodranë, pse të gjithë ishim e jemi Shqiptarë. Përgjegjen At Fishta ia jep vetë në poezinë “Shqipnia e lirë”:

Por, po ndodhi se vjen dita,
Që me faj Shqipninë e darni,
Që e Lirisë u erret drita
Edhe n’ t’ huej Atdheun e mëvarni,
A për pare a marri t’ tjera,
Si ndër kohë, që shkuen, atëhera,
Ju marroftë i Madhi Zot!

At Gjergj Fishta vdiq në prag të vitit ri 1941. Me formimin e Partisë Komuniste Shqiptare nga emisarët jugosllavë të Titos, vetkuptohet se jeta, shkolla, kultura, shoqnia apo politika do të kalonin nën ndikimin sllav, që ma vonë mori edhe formën qeveritare e shtetnore të Jugosllavisë, e njohun nga vendimet e Jaltës në Shkurt të 1945, kur Stalini u takue me Rusveltin e Çërçillin.
Ja parashikimi i At Fishtës që në 1914, në

“Një gjamë dëshpërimi!…”

Veç sot pse Europa, sot që asht gjith’ uzdaja
Se Shqiptaria e lirë del zojë n’ vetveti,
Pse sot Europa, – do Mbretni t’ Mëdhaja –
Duen me e ngushtue kah toka edhe kah deti,
E n’ vende tona duen që shkjau të shklasë
E fisi shqiptarit n’ dhe t’ humbasë?…

Atëherë kur Shteti Shqiptar dhe Qeveria Provizore e Tiranës u zgjodhën dhe vazhduen me u drejtue nga komunistët shqiptarë, sherbëtorë besnikë të Titos dhe të Stalinit, çfarë mund të pritej përveç një pushtimi të ri, që po zëvendsonte atë fashist e nazist? E të mendosh se Shqipnia, mbas pushtimit fashist të vitit 1939, kur kryeministër ishte Mustafa Kruja, e minister E. Koliqi, arrijtën me hapë 120 shkolla shqipe jashta tokës Nanë, në territoret e pushtueme nga Serbia, në Ulqin, Tivar, Hot, Grudë e Kosovë, e kudo kishte në organet shtetnore vetëm Shqiptarë. Pushtuesit nazistë njohën të drejtën e vendosjes së Flamurit Kombëtar Shqiptar pa shenjat e fashizmit apo të nazizmit.
Ndërsa, me 29 Nandor 1944, po në kompanjelin e Fretënve, aty ku At Fishta vendosi Flamurin Kombëtar në 1913, partizanët komunista të Enver Hoxhës vendosën Flamurin e zhigatun me yllin e kuq jugosllav, porosi e “shokut” Tito, në shenjë poshtnimi të Mbasardhësve të Gjergj Kastriotit, Dedë Gjo’ Lulit, Ismail Qemalit, At Fishtës, Gurakuqit, dhe të gjithë Atyne Atdhetarëve Shqiptarë, që luftuen Trimnisht e vdiqën Burrnisht për Shqipninë Europiane, por kurrë të poshtnueme prej sllavëve.
Me të drejtë At Fishta shkruen:

Këtu, këtu Shqiptarë!.. A ndiet?.. Ku ju kam…Ku jeni?
Mo’ leni burra!.. M’ armë!.. Mbaroi Kosova!…
Janina humbi!.. e ndoshta Tepeleni…
Shkoi Manastiri! Dibra dhe Gjakova!…
Vendet ma t’ mira ne na i mori shkjau,
E, çka asht ma zi, ne vëlla me vëlla na ndau.

E zani i Tij sot… ndër Rrëmaji ushton: “Surgite mortui!”

“ÇOHUNI, TË VDEKUN!”

Ah! N’ kambë, bre burra! N’ kambë! Çka jeni fshehë
Ndër furka t’ grave, si do rrole t’ këqia?…
Sot armët duen rrokë; taganat sot duen mprehë;
Asht turp, për Zotin! Shurdhë me humbë Shqipnia.
Mo’ leni, burra, bre! Kushtrim! Kushtrim!
A gjallë me nder; a vdekë grue e trim!

E n’ kjoftë se lypet prej s’ hyjnueshmes Mëni,
Që flijë t’ bahet ndo’i shqiptar n’ therore,
Qe, mue tek m’ keni, merrni e m’ bani fli
Për Shqiptari, me shue çdo mëni mizore.
Oh! Edhe pa mue Shqipnia kjoftë e rroftë,
E nami i saj përjetë u trashigoftë!…
***
At Gjergj Fishta dhe vepra e Tij, ja si u vlersue para vitit 1945:
“Koha e ardhshme ka me dijtë me e çmue edhe ma mirë randësinë e këtij njeriut, sidomos kur vjershat e Tij të jenë përkthye ndër gjuhë ma të përhapuna.”
Prof. Dr. M. Lambertz

“Fishta është shkëmbi i tokës dhe shkëmbi i shpirtit shqiptar.”
Lasgush Poradeci

“Kot përpien grekët e sotem të gjejnë në letërsinë e tyre një vepër më të plotësuar se ‘Lahuta.”
Faik Konica

“Lahuta e Malsisë’ mund të qendrojë përkrah veprave poetike ma të shqueme të popujve të tjerë.”
M. A. Freün von Godin

“At Fishta, ky gjeni me rrajë në tokën amtare të Popullit Shqiptar, që për shkak të njohjes së thellë që kishte për letërsinë klasike dhe mbi jetën e sotme shpirtnore të kombeve të Europës, u ngjit deri ndër majat ma të nalta të kulturës.”
Prof. Dr. Norbert Jokl

“Fishtën, poet me temperament thjeshtë klasik nuk do ta frymëzonte asgjë më parë e më shumë se Atdheu. Gati krejt vepra e tij i është kushtuar Atdheut.”
Lefter Dilo
“Poemi epik ‘Lahuta e Malsisë’ asht një vade mecum i çdo atdhetari.”
K. Prennushi

“Sa qe gjallë, Fishta arriti apogjeun e vlerësimit, duke u ngritur në piedestalin e lartë të Poetit Kombëtar…Vetëm katër – pesë vjet pas vdekjes, jeta dhe vepra e Fishtës u përbaltën në mënyrë të pashembullt, me synimin që ai të varrosej njëherë e përgjithmonë, ose, e shumta, të mbetej si një njollë e zezë dhe e turpshme në historinë e letërsisë shqiptare…” Prof. Ndue Zef Toma
***
Polemikës së At Fishtës i jep shpirt satira, me ndihmën e së cilës realizoi pikturën estetike të së keqes. Ai godet me forcë të gjitha llojet e devijimeve morale, sidomos ato të zyrtarëve ma të naltë. Këte luftë e ban me guxim, pa pyetë se me cilin binte në kontraditë. Prandaj edhe asht quejtë mbreti i polemikës shqiptare. Nuk trajtoi në to asnjëherë çashtje vetjake, pse si synim i polemikës së Tij të ashpër ishte lufta kundër pseodoatdhetarëve “me barkun kodër” dhe “xhepat e frymë”…
“Shka ka me dijtë me folë mbi politikë e mbi organizmin e shtetit civil nji njeri malok, matrahul, qi me m’zi ndoshta ka krye dy a tri klasë fillore e qi djerset kur i duhet me shkrue emnin e vet. Pse asht edhe tradicjoni shpijak e edukata familjare, qi shumëkend ndër ta e ban krejt të neveritshëm e ekcentrik.
Ky babën gjaks, gjyshin katil, stergjyshin mizuer, rritë me katila, me gjaksë, me mizorë, me intriganta, batakçij, vagabonda, rrugaça, me njerëz hasëm të kulturës e të gjytetnisë, kah mund të mendohet se ka me kenë i zoti me rregullue fatin e nji kombi ende primitiv? Pse me sundue nji shtet nuk asht mjaft dhelpnija, dredhija, intriga, batakçilleku, rrena, tradhëtija; duhet nder dhe urtì, burrnì: qe se shka duhet. Po, por dija, urtija, ndera, burrnija u nxejshin në shkollë e, madje, me shumë mund e djersë, e jo ndër kafeshantana t’Europës e mejhane paçaxhihane të Tiranës, tuj luejtë “tavell” e “bigjoz” e tuj pi “mastikë”.
Shenim (FR): Më tingllojnë këta rreshta sikur janë shkrue dje!..
Botohet me rasen e 75 vjetorit vdekjes.
Melbourne, Dhjetor 2015.

Filed Under: Histori Tagged With: At Gjergj Fishta, Mendja dhe zemra, shpirtit shqiptar

SOFRA E DIELLIT-PSE KJO FTOHJE…?

December 29, 2015 by dgreca

Neki Lulaj-Gjermani/
PSE KJO FTOHJE…?

Në lulishten e parajsës kurrë s’e menduam ftohjen/
O, pse loja e dashurisë u bë gulfë burimi pas shiut rrebesh?/
U tulatëm brenda vetes, kur lulen me ferrë dikush e shartonte/
Më thuaj, o zemër e plagosur, kush e ngren mes nesh një kënetë?/

Kush po ma ngrin lotin në qepallën time të vluar në verë?
Mbi ballin tim ka rënë si çurg djersa në një shekull të egër
Cili murlan këtë kurm e këtë ndarje mbi lumë po na mbjell?
Kush e mbushi rrugën me ferra e me gurë të pagdhendur?

Dënesin në farkën e bronzit me klithmë Saliu, Luani e Agimi
E pijnë ndarjen me një gllënjkë uji në glloftën e madhe
A s’e ndieni vajin, o shurdhër hilemedhenj, mes sherrimi
Pse gurin e ogurzezës doni që ta mbillni në livadhe?

Me ngulç shpirti po ju lus, me zemrën e burrit në duar
Jeni shkrirë në panterat e rrezikshme kundër vëllazërisë
Ulni kryeneçësinë që loti të mos bëhet ortek i tërbuar?
Se vaji bëhet oqean e ju gllabëron laku i egër e lakmisë.

Po kuis si i plagosur, po qaj si bonjak i braktisur nga vetmia
Ecni në tokë e jo në qiell që të bini një ditë të vrarë!
Se janë kalbur retë nga loti im e do ju thyejë qafën lakmia
Se lesa bëhet më e madhe që na ndan me fjalën litar.

Nuk i recitoj dot zemrës së ndarë elegji fjalëdhembshura
Se helmi i motit po ma ngren në shpirt valët e nxehta.
Ore juve, mos t`ju mallkojë Skënderbeu që nga Mesjeta
Mos t`ju qortojë Ismajli, Isa, Rugova e Nënë Tereza.

Komandant Adem Jashari kurrë nuk do t’u pranojë në vizitë
Atje në kodrën e lavdishme të Jasharajve ku lulëzoi Liria
Mos pritni t’ju lavdërojnë Viçë, Tadiçë e Mlladiçë
Se do t’ju mallkojë toka ku nuk është tharë gjaku si flakërima.
Oh, eshtrat nuk janë gjetur nga genocidi i freskët
Ata nuk u ngopën duke na vrarë me dorën e tyre të egër.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Neki Lulaj- nga Gjermania, poezi, Pse kjo ftohje

Agim Xh. Dëshnica sjell në Sofrën e Diellit POEZI TE ZGJEDHURA NGA POETET E MEDHENJ

December 29, 2015 by dgreca

Edgar Allan Poe/

LIQENI/

Në të rit e mi isha fatlum,/
Kur shkoja shpesh diku,/
Te një liqen me kënaqësi,/
Aq i dashur me atë vetmi,
Me shkëmbinj të zinj breg më breg,/
Pishat si pirgje shtek më shtek./

Kur nata mbulonte gjithçka,/
Aty përqark e gjithkah/
E hovshëm era misterioze /
Frynte e shfrynte melodioze./
Ah, n’ato çaste, rrija zgjuar /
Nga ai tmerr liqeni të vetmuar./

Por dridhma s’më shtinte aspak,
Ndieja veç një ëndje të vakët,
Siç ndiej një thesar nën dhe,
Apo lajkën që përkëdhel,
Një mësim që s’mora vesh at’botë,
As të dashurisë edhe e ytja qoftë.

Vdekja dergjej mbi valët helm
Dhe një varr n’atë gji të thellë,
E dikujt që për ngushëllim,
Përpiqej me përfytyrim,
Në vetmi të krijonte një Eden,
Me shpirt në të mugtin liqen.

ELDORADO

Një kalorës shend e verë,
Veshur hijshëm si ngaherë,
Në muzg e kur ndriçon
Prej shumë kohësh udhëtonte
Dhe një këngë seç këndonte
Në kërkim për Eldoradon.

E së fundi na u plak,
Ky kalorës trim u mpak,
Zemrën brenga ia trazon
Sado u end kudo më kot,
S’gjeti asnjë vend në botë,
Të ngjashëm me Eldoradon.

E kështu na vjen një ditë,
Seç iu shterrën gjithë fuqitë,
Pyet një hije në shtegti
Pasi u dergj e rënkon,
“O hije, ku mund ta gjej
Vendin e dashur, Eldoradon?”

“Tej, maleve mbi hënë,
Nën hon
Në muzgun e lugajeve,
Nga kalorës, trim i maleve,
Nëse kërkon Eldoradon!”

NESE

( IF)

Nga Rudyard Kipling

Në mundsh i qetë të ruash arsyen
Kur i humburi shfreh, se faj ke ti;
Nëse i beson vetes, kur dyshojnë te ty,
Mbaji ndër sy ata, dysho edhe ti;
Nëse duke pritur nuk lodhesh kurrë,
Ose dikush shpif, shpifjen flake tej
Ose të urren, mposhte urrejtjen si burrë
Aq i mirë mos u mbaj, mos fol më nge;

Në mundsh të mendosh e ti nuk mendon;
Nëse ëndërron e veten s’e sheh mjeshtër;
Nëse ngadhnjen a prej humbjses pëson
Pastaj trajton njësoj, si njerin e tjetrën;
Në mundsh të dëgjosh të vërtetën që the,
Të nxirrë nga horrat për naivët-mashtri,
Ose sheh pse të prishur jetën ke
E me veglat copë e ngre përsëri;

Në mundsh të bësh një pirg me para
E në letra t’i lësh brenda një nate,
Nga e para t’ia nisësh, guximtar sa s’ka
E kryet mos çash prej humbjes sate.
Në mundsh me zemër, nerv e fuqi
Me durim pret të kthehet nga larg,
E shkuara që për ty s’ka aq rëndësi
Përveç premtimit: “Prisni edhe pak;”

Në mundsh t’i flasësh turmës me dinjitet
A në krah me mbretër, sjelljen pa cenuar;
Nëse dikush pa shokë e miq të godet;
Nëse të nderojnë pa e tepëruar;

Në mundsh të ndjesh minutën e plotë
Me gjashtdhjetë sekondat në vrapim,
E ytja gjithëçka do të jetë në botë,
Atëherë, Njeri do të jesh, biri im!

LORENZO STECCHETTI – 1)

KUMBON NE RRUGE NJE ORGANETE
Kumbon në rrugë një organetë,
dritare e hapur, mbrëmja sa ka ardhë,
çohet mbi fusha e vjen te dhomëz e shkretë
aromë bujare, pranvere të bardhë.

S’e di përse më dridhen gjunjët sot,
s’e di përse më mbushen sytë lot.

Ja, kryet ula, mbi dorën time
për ty, që je aq larg, bie në mendime.

1) Orlindo Guerini

PIKA E UJIT
Nga V.Hugo
Binte uji, pika- pika tatëpjetë
shkëmb më shkëmb, nga kroi te i tmerrshmi det,
e deti i frikshëm që anijet shtyn e mbyt,
pyet: kjo pikë pse qan ashtu, çfarë lyp?

Unë jam tmerri vetë, jam uragan!
shtrihem lart në qiellin e paanë,
jam pafundësia lëbozës tej,
për çka më duhesh ti, rrëkezë e mjerë?-

E detit të tmerrshëm krroi na i thotë:
-pafundësi e pse me ty nuk matem dot,
veç të jap diçka, që nuk mund ta dish:
të jap një pikë ujë që mund ta pish.-

VAU
Lum që zbret Bolonje me shkëqim,
Lum i pastër dritë, vjen e shkon i qetë
Lum i dashur, o lum i vendit tim,
Ti më rrite të jem sot një poet:
Kallmishteve mike në lulëzim,
Hijeve të fshehta me fresk në çdo breg,
Në blerimin e dendur, bukurinë,
Për herë të parë, njoha dashurinë.

Mbi të artën ranë në ato bregore
Me mërmërimë uji ikte ngadalë
E në va përmes rrjedhës shkumbore
Duhej të hidheshim në breg përballë.
Ajo këndonte e kënga gazmore
Shuhej diku në ultësira pastaj.
Flokartën e bukur, sa fort e doja.
T’i hapja zemrën, as mundja, as guxoja.

Ecnim krah për krah të lumturuar,
Me përkëdhelitë e ditës së re,
Vetëm mes heshtjes mister të harruar,
Nën hije rrapesh me kryet në re.
Nga veshje e saj e flokrat e praruar,
Përhapej erë lulesh gjithandej,
Erë nga shtati i hajthëm plot shëndet,
Që shpirtit i vete nga udhë e fshehtë.

Dhe ja, atje, buzës lumit në va,
Vrik na rrëmbeu po një mendim të dy,
Të pavendosur u ndalëm një çast
Mes turpit e gazit në buzë, faqe e sy.
Ishim vetëm e askush nuk na pa,
Të skuqur flakë, u pamë sy më sy
E kur ujrat murmurinin më pranë,
Duhej të hidheshim në breg matanë.

Pasi mora zemër, eja, i thashë,
Në krahët e mi të të mbart përtej,
Ajo tha po, qeshi e drejt më pa.
Një ëndje të panjohur ndonjëherë,
Ndjeva tek më kalonte nëpër shtat
Diçka si teh çeliku i mprehtë.
Fjala u mek, gjuha ndër buzë u mpi,
Zemra hidhej e rrihte fort në gji.
.
U ula e çorapet hoqa mbi bar;
Ajo me sytë përdhe, unë vështroja.
E mora në krahë e eca në va,
Me vashën, që aq shumë e dashuroja!
E së fundmi u ndodha afër saj,
Në gjirin që dridhej, teksa e shtrëngoja,
E trembur, si një pëllumbeshë e rrallë,
E rrëmbyer, e mbartur nëpër zall.

E ç’ngjau më pas? E ndjeu me dridhtim
Uji pastër dritë, në rrjedhën e qetë,
Ti më i dashuri lum i vendit tim,
Ti që më rrite e sot të jem një poet:
E dinë kallmishtet në lulëzim,
Hijet e freskia përtej në breg
Blerimi i dendur me gjithë bukurinë,
Ku më s’pari njoha, dashurinë.

Nga Mihail J. Lermontov.

VELI I BARDHE

Zbardhon tej një vel vetmitar,
nëpër mjegull në detin blu.
Përse ikën nga gjiri amtar?
Në vise larg ç’kërkon ashtu?

Lozin valët, fryn erë-duhi,
Direku hepet e kërcet.
Oh! Ai nuk lyp lumturi
E larg lumturisë, nuk nget!

Nën të fugon rrymë e kaltër,
Lart ndrin dielli rreze-flori,
Po, ai rrebel, lyp veç shtrëngatë,
Sikur atje gjen qetësi.

KUR VALEZON GRUNAJA

Kur valëzon lehtas grunajë e zverdhur
E pylli në fresk nga flladi me zhurmim,
Struken luleshtrydhet te kopështi qeshur
Me ëndje në hije gjethesh në blerim.

Njomur nga bulëza vese erëmirë
Në mëngjes spërkuqjesh në çaste t’artë
Që poshtë shkurresh shfaqet lilaku i dlirë.
Përkundet dhe përshëndet me kryet lart.

Kur krroi los në përroskë si përherë,
Në mjegull ëndrrash më zhyt pastaj
Më pëshpërit një sage të lashtë plot mister
Për vendin paqesor, ku është krijmi saj.

Atë çast qetohet shpirti i trazuar
Në ballin tim çdo rrudhë humbet
Gjej lumturinë te tokë e hijeshuar
E sytë hedh në qiell, shoh Zotin vetë.

FJODOR I. TJUTÇEV

D E T I
Sa bukur nëpër natë, o det me valë!
Këtu-shkëlqim atje-në blu dhe terr!
Në dritë të hënës, si një qenie e gjallë,
Shfreh, vezullon, ecën e frymë merr.

Në pambarim, në hapësirë nget,
Lëvizje, dritë, gjëmë dhe shamatë,
Shkëlqim i zbehtë derdhet përmbi det…
Sa bukur-në shkretirë, nëpër natë.

O valë madhështore, o valë deti,
Kjo festë ç’është e për kë kremtojnë?
Suvalat sulen me rropamë e dritë,
Dhe yjet sipër, ndjejnë e vështrojnë.

Te ky shkëlqim e te kjo trazirë,
I humbur si në ëndërr, po qendroj,
Oh! në magjinë e tyre me sa dëshirë,
Të mundja, gjithë shpirtin të mbuloj.
———–
Përkth. nga Agim Xh. Dëshnica

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Agim Xh Deshnica, Edgar Poe, poezi nga poete te emdhenj, Rudyard Kipling

Kur “Zëri i Rinisë Shqiptare në Mërgim” kujtonte At Gjergj Fishtën

December 29, 2015 by dgreca

“Ai është Homeri shqiptar, një poet nga më të mëdhenjt딓Fishta asht nji Homer shqiptar. Ai nuk asht vetëm nji poet i madh kombëtar. Ai asht nga ma të mëdhajt në botë. E randsishme asht që ai të njihet prej saj”. – ka thenë At Zef Valentini/
Beqir SINA, New York/
BRONX NEW YORK : Në numërin e saj të fillim vitit 1991 – revista “Koha Jonë”(Koha e Jonë nr 1-2-3 vjeti XXX Janar-Shkurt-Mars 1991) organ i Partisë Bashkimi Demokrat Shqiptar , që vepronte atë kohë në mërgim – në shkrimin me titull “Kur Inteligjenca i printe kombit.”, shkruan për atë se si përkujtohej Fishta në pervjetorin e 50 të vdekjes – së tij – New Jork, në 1991.
Në faqen ballore, kjo revistë ka ka të botuar, simbas materialeve arkivore- pra 25 vjet më parë, një shkrim shoqëruar edhe me një fotografi nga Seminari letrar në kujtim të poetit tonë të madh kombëtar At Gjergj Fishtës, ku në diçitur e saj janë edhe katër figura të njohura kombëtare, të cilat e udhëhoqën atë seminar si: Profesor Arshi Pipa, Don Rrok Mirdita, At Daniel Gjeçaj dhe Anton Çeta.
Më tej në shkrimin e saj – revista njoftonte se më datën 2 Fruer(shkurt) 1991, në Universitetin e Fordhamit, Bronx New York, është mbajtë një seminar letrar, në të cilin është përkujtuar me madhështi, poeti kombëtar At Gjergj Fishta. Mirrnin pjesë shkruan kjo revistë edhe një numër i konsiderueshëm bashkëatdhetarësh, dashamir të kulturës dhe letersisë, si dhe Amerikan që interesoheshin për historinë e vendit t’onë.
Në këtë seminar, sipas revistës periodike të asaj kohe ” Koha Jonë” një nga pioneret e shtypit të mërgatës shqiptare – thuhet se kan folë edhe personalitete ma të shqueme të kulturës dhe letersisë shqipe, njohës dhe studiusa të veprave gjeniale të Fishtës, poetit ma të madh Shqiptar.
Ndër këta kjo revistë ka dalluar : At Daniel Gjecaj, kryekaplan i katholikve Shqiptar jasht Atdheut, me detyrë pranë Selisë së Shejtë, i ardhur për këtë përkujtimore posaçërisht nga Roma. Kurse, nga Kosova bëhej e ditur se kishin marrë pjesë profesorët e Universitetit të Prishtinës z. Anton Çeta, Abdulla Karjadiu, Engjell Sedaj, dhe Anton Berisha. Kurse, nga Universiteti i Minnesota, profesor Arshi Pipa.
Kjo revistë dinjitoze nënvizon se” të gjith, në atë seminar model për nga mënyra e organizmit të saj -paraqitën kumtesa të hollësishme, dhe shumë të çmueshme, mbi jetën dhe veprat e poetit, të cilat shpeshherë, thotë ajo, u ndërprenë nga duartrokitje të gjata, gja që provonte pa dyshim, kënaqësinë e ndegjuesve të pranishëm, me njohjen e thellë të këtyne veprave, nga ligjeruesit e rastit”.
Seminarin – simbas saj e organizuen një grup të rinjësh energjik, nga organizata “Zëri i Rinisë Shqiptare në Mërgim”. Këta, të paisun me cilësi organizative të pame rralë në radhët e kominitetit shqiptarë të Amerikës, banë të mundun, arritjen e një suksesi të plotë, i cili me siguri shkruan “Koha Jonë” në mërgim, pasurojë dhe flladiti zemrate të gjithë atyne pjesëmarrësve, që interesoheshin për njohuri të dorës së parë, dhe të gjithanëshme historike, mbi jetën dhe veprat e At Gjergj Fishtës.
Revista e mergimtarëve shqiptarë “Koha Jonë”, nuk le pa permendur edhe komisionin organizues i cili shkruan ajo përbëhej nga z. Gjovalin Nikevi, Paulin Mrnaçaj, Luan Gashi, Halil Lita, Vasel Camaj, Nikoll Pjetri, dhe Pjetër Mrnaçaj.
Ndërsa për kryesues të këtij seminari, shkruan kjo revistë ata kishin zgjedhur njërin nga veteranët e veprave kulturale të Shqiptarëve të Amerikës, Dr. Hamdi Oruçin.
“Ky, shkruante “Koha Jonë” me zotësi dhe eksperiencë shumëvjeçare, drejtoj punimet e seminarit, në një mënyrë dinjitoze, të drejtë dhe autoritative, që kërkonte karakteri i nalt akademik” Ndërsa të diellën një ditë mbas seminarit të mbajtur në Frodham University (3 Fruer 1991) në Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” u mbajt një takim tjetër përkujtiomr me të gjithë të ftuarit e saj.
Shkrimtari dhe studiuesi i njohur Klajd Kapinova – ka shkruar për kët ngjarje të madhe se :” Me këtë rast Kisha e re, qendroi për shumë orë e hapur, për vizitorët e shumtë shqiptarë e amerikanë. Në një nga sallat e bukura të ambienteve të brendshme të Kishës, u mbajt programi i rastit dhe u shtrua darka madhështore, përgatitur nga Këshilli i Kishës dhe komisioni i formuara për mbajtjen e këtij seminari”.
Pra, kështu u kujtua në mërgatën shqiptare të Amerikës, prej të gjithë atyre që luftuan për trinomin Komb – Atdhe dhe Fe , Gjergj Fishta, (1871-1940) i cili është një krijues madhështor jo vetëm për letërsinë shqipe, por është edhe një personalitet tejet i dalluar për shumë segmente të jetës sonë kombëtare. Ai është i pari shqiptarë i propozuar për Çmimin Nobel për letërsi.
Ne seminar u tha se , “nuk është tepruar edhe kur atë e kan krahasuar me Homerin, apo Danten, sepse për letërsinë dhe kulturën tonë kombëtare, Gjergj Fishta na paraqitet edhe si Homer edhe si Dante, pse jo edhe si Gëte e Shiler. Nga do të studiohet poezia e tij, arrijmë në përfundim se angazhimi i Fishtës për kombin, kulturën, për shqiptarin e Shqipërinë e kohës ishte preokupim mbi të gjitha preokupimet. Duke qenë krijues me një kredo origjinale, një mendje erudite, një burrë i zakonit, një prift i devotshëm, i cili kishte gjetur strehë në nderin, besën dhe cilësitë morale të jetës tipike, patriarkale shqiptare,”
Fishta, thanë oratorët për asnjë moment nuk iu nda fatit të kombit e Atdheut, as atëherë kur e trimëroi dhe e lavdëroi, as atëherë kur e kritikoi dhe e satirizoi. Fishta, Mjeda, Naimi, Çajupi, Asdreni, Migjeni, Noli – Konica, dhe bashkëkohësit e tij – fatin e tyre jetësor e kishin lidhur me fatin e shqiptarit, që po kolovitej në katrahurën e madhe njerëzore, me fatin e Atdheut, të cilin po e kafshonin, po e ndanin dhe po e bënin copë-copë fqinjët grabitqarë me bekimin e Evropës dhe Rusisë, dhe po e priste sundimi barbar i komunizmit të Enver Hoxhës, i cili, edhe eshtrat këtij njeriu të madh ia hodhi në Bunë.
“Ai është Homeri shqiptar, një poet nga më të mëdhenjt딓Fishta asht nji Homer shqiptar. Ai nuk asht vetëm nji poet i madh kombëtar. Ai asht nga ma të mëdhajt në botë. E randsishme asht që ai të njihet prej saj”. – ka thenë At Zef Valentini
(Revista “KOHA E JONË”, ka qenë fletë mendimesh dhe opinjonesh të Lira ndërsa nga viti 1968 ishte E Përkohshme Kulturore Politike Shoqënore, organ i Partisë Bashkimi Demokrat Shqiptar që vepronte në mërgim. Numri i parë i saj doli në Firence (Itali) në muajin maj të vitit 1962, ndërkohë më pas në vitet 1974-1992, ajo do të shënonte sivend botimi Parisin (Francë), një mënyrë kjo për t’iu fshehur sigurimit të dyfishtë të UDB-së jugosllave dhe sigurimit komunist të Enver Hoxhës, sepse revista në të vërtetë është botuar vetëm në Firence. Botues i revistës ishte Isa Ndreu, nipi i Elez Isuf Ndreut (1861-1924), dhe administrator dhe redaktor i saj ishte Lec Shllaku, që të dy ish-studentë të “Normales” së Elbasanit).

Filed Under: Histori Tagged With: At Gjergj Fishtën, kujtonte, ne Mergim, Zeri i Rinise Shqiptare

PRESIDENTI HISTORIK RUGOVA PARA 15 VITEVE PARLAJMËRONTE NJOHJEN E PAVARËSISË SË KOSOVËS

December 29, 2015 by dgreca

Në foto: Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova dhe gazetari Behlul Jashari, 29 dhjetor 2000 në Rezidencën Presidenciale në Velani – Prishtinë/
PRESIDENTI HISTORIK RUGOVA PARA 15 VITEVE PARLAJMËRONTE NJOHJEN E PAVARËSISË SË KOSOVËS/
-Dr. Ibrahim Rugova: Objektiv nacional do të jetë njohja sa më parë e pavarësisë së Kosovës/
Nga korrespondenti në Kosovë i Gazetës Dielli, Behlul Jashari/
PRISHTINË, 29 Dhjetor 2015/ Presidenti historik i Kosovës dhe kryetar i LDK-së, Dr. Ibrahim Rugova, para 15 viteve, pikërisht në 29 dhjetor 2000, gjatë pritjes së organizuar në Rezidencën Presidenciale në Velani, në Prishtinë, në prag të Vitit të Ri 2001 dhe të fillimit të Milenumit të Tretë, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetës tradicionale Rilindja – të redaktorit të saj, tash korrespondent në Kosovë i Gazetës Dielli, paralajmëronte njohjen e pavarësisë së Kosovës. “ E presim momentin më të mirë, momentin e duhur, në kohën e duhur”, theksonte Rugova duke shtuar se “vendi është, është vendi i duhur” – Kosova.

Ja shkrimi i plotë, botuar në gazetën Rilindja në Prishtinë, në numrin festiv të Vitit të Ri, në 30 dhjetor 2000:

Kryetari i LDK-së, Ibrahim Rugova, deklaron për “Rilindjen”:

PAVARËSIA E KOSOVËS DO TË NJIHET NË MOMENTIN E DUHUR DHE NË KOHËN E DUHUR

-Zgjedhjet lokale të 28 tetorit – ngjarja e Vitit 2000, ndërsa zgjedhjet nacionale parlamentare e presidenciale do të shënojnë Vitin 2001.-Për Luginën e Preshevës duhet të fillojë një dialog me palën shqiptare dhe me bashkësinë ndërkombëtare, ndërsa kërkesat e Beogradit për heqjen e zonës së sigurisë janë të paqëndrueshme dhe lojë.-Në Mitrovicë duhet të bëhet integrimi administrativ i qytetit dhe të fillojë funksionimi i asamblesë komunale unike.-Rugova përkujtoi me emocione gazetarin e “Rilindjes” Shefki Popova dhe këshilltarin e tij, Xhemajl Mustafa/
—
Për kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, ngjarje e vitit 2000 ishin zgjedhjet lokale të 28 tetorit në Kosovë, ndërsa ngjarja që do ta shënojë vitin 2001 do të jetë mbajtja e zgjedhjeve nacionale presidenciale e parlamentare.
“Të mira, të mira…”, përsëriti disa herë kryetari i LDK-së, Ibrahim Rugova, i pyetur nga “Rilindja” se cilat janë parashikimet e tij, në prag të Vitit të Ri 2001, për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Për njohjen e pavarësisë së Kosovës “e presim momentin më të mirë, momentin e duhur, në kohën e duhur”, theksoi Rugova duke shtuar se “vendi është, është vendi i duhur”.
Përgjigja u shoqërua me duartrokitje të gazetarëve të pranishëm dhe me urime, në një atmosferë të gëzuar të pritjes së organizuar në rezidencën e Rugovës në prag të Vitit të Ri 2001 dhe të fillimit të Milenumit të Tretë.
Ndërsa, duke u përgjigjur në një pyetje tjetër, Rugova tha: “Unë nuk i ndërroj fjalët shumë, por kur ndryshojnë gjërat i ndryshoj edhe fjalët. Jam duke punuar në ndryshimin e gjërave të mëdha, pra, si pavarësia, etj, që të njihen”.
Rugova falënderoi gazetarët e pranishëm në pritjen tradicionale për Vitin e Ri dhe i përgëzoi për punën e tyre.
“Ju kam ftuar në këtë pritje për t’iu shprehur respektin për punën që keni bërë gjatë vitit që po lëmë pas për rindërtimin e Kosovës, në fushën politike, ekonomike, sociale, etj. Mund të themi se gjatë këtij viti, edhe në fushën e informimit dhe të gazetarisë kemi pasur një progres të mirë, falë përpjekjeve tuaja, të bashkësisë ndërkombëtare dhe të administratës së përbashkët”, tha Rugova duke iu drejtuar gazetarëve.
“Sot, pas një viti e gjysmë të lirisë, vazhdoi ai, veprojnë disa kanale televizive, radio e gazeta të përditshme në Kosovë. Ne dëshirojmë që të konsolidohen këto mjete të informimit që veprojnë dhe të bëhen të tjera të reja. E di se keni vështirësi të shumta, por jeni treguar të fortë e të qëndrueshëm. Ju falenderoj për kontributin tuaj gjatë organizimit të zgjedhjeve lokale që ishin ngjarje e vitit. Shpresojmë se do të kontriboni më shumë edhe për zgjedhjet nacionale, presidenciale e parlamentare, që do të shënojnë vitin që po vjen. Në vitin që po vjen do të gëzoni përkrahjen tonë, do t’i kaloni vështirësitë që të keni mundësi më të mëdha se më parë. Por, sot kam një dëshirë që mjetet tona të informimit të sjellin sa më shumë informata të gjithanshme për shoqërinë kosovare, për gjithë popullin e Kosovës”.

Kryetari i LDK-së, Rugova, në vazhdim përkujtoi me pietet gazetarët e vrarë.

“Gjatë këtij viti patëm humbjen e kolegëve tuaj, gazetarit të ‘Rilindjes’ Shefki Popova dhe të këshilltarit në zyrën e LDK-së të Republikës së Kosovës Xhemajl Mustafa. Duhet të bëjmë çmos që të sigurohet jeta dhe puna juaj”, tha Rugova me shumë emocione e shprehje dhembjeje.

Në vazhdim Rugova uroi gazetarët që në vitin që po vjen të vazhdojnë veprimtarinë në ndërtimin e lirisë, demokracisë e pavarësisë së Kosovës, që të kontribuojnë në ndërtimin e kulturës shtetërore, të informimit publik e të shoqërisë civile, për ndërtimin dhe pajtimin e shoqërisë kosovare.

Rugova u shpreh për një shtyp e informim përgjithësisht të lirë e të hapur. “Informatat duhen shumë, ato janë gjithmonë të rëndësishme, komentet, analizat, dhe për këtë është liria juaj dhe përgjegjësia juaj”.

Sado që u shpreh se nuk do të dëshironte pyetje dhe se gazetarët i kishte ftuar për t’ua uruar Vitin e Ri, që të kenë pak pushim, Rugova u përgjigj edhe në dias pyetje. Situatën në Kosovë përgjithësisht e vlerësoi të mirë.

Ndërsa, për Luginën e Preshevës Rugova theksoi qëndrimin se “duhet të fillojë një dialog me palën shqiptare, me Beogradin dha bashkësinë ndërkombëtare, të çmilitarizohet rajoni”.

“Ne jemi të interesuar që të ruhet popullata në Preshevë. Ju i dini qëllimet e Beogradit që kanë qenë, pastrami i korridorit Selanik-Beograd, që është shumë i rëndësishëm. Por, janë shenjat e mira se do të kemi një dialog të përgjithshëm”, tha Rugova.

Ai shprehu qëndrimin kundër heqjes së zonës së sigurisë në kufirin midis Kosovës e Serbisë, ndërsa për kërkesat e Beogradit për heqjen e kësaj zone sigurie tha se “ato janë të paqëndrueshme, janë lojë”.

Për çështjen e Mitrovicës së ndarë Rugova tha se “kërkojmë një integrim administrative të qytetit pas zgjedhjeve që janë mbajtur”. Rugova theksoi faktin se serbët kanë deklaruar se i pranojnë zgjedhjet e Kosovës, se përfaqësuesit e tyre në asambletë komunale janë nominuar nga ana e UNMIK-ut, gjegjësisht nga administratori i OKB-së në Kosovë, Bernar Kushner, duke përfunduar se shpreson se së shpejti do të fillojë funksionimi i asamblesë komunale unike të Mitrovicës.

Behlul JASHARI

***

DR. IBRAHIM RUGOVA: OBJEKTIV NACIONAL DO TË JETË NJOHJA SA MË PARË E PAVARËSISË SË KOSOVËS

-Mesazhi drejtuar qytetarëve të Kosovës për Vitin e Ri 2001/

Prishtinë, 29 dhjetor 2000/ Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dr. Ibrahim Rugova, me rastin e Vitit të Ri 2001, u ka drejtuar qytetarëve të Kosovë një mesazh përgëzimi, në të cilin thuhet:

Viti që po lëmë mbas ishte viti i dytë i lirisë së Kosovës. Gjatë këtij viti Kosova pati një progres të madh në të gjitha fushat e jetës. U krye një pjesë e madhe e rindërtimit të vendit. U bë një ringjallje shpirtrore e morale e njerëzve dhe e jetës në përgjithësi.

Pra, gjatë vitit që po lëmë mbas u vunë bazat e jetës institucionale me funksionimin e administratës së përbashkët në rrafshin nacional e lokal. Kosova edhe këtë vit gëzoi përkrahjen ndërkombëtare dhe arriti që të krijojë gjysmën e të ardhurave kombëtare, që është një hap i madh drejt zhvillimit ekonomik e social.
Ngjarje me rëndësi për Kosovën ishin zgjedhjet lokale të mbajtura në tetor, që ishin një hap kyç në vendosjen e rendit demokratik. Me këto zgjedhje populli dhe qytetarët e Kosovës treguan se janë të aftë të udhëheqin Kosovën, se janë të përcaktuar për ndërtimin e lirisë, të paqes, të pavarësisë e të demokracisë. Me këto zgjedhje u përmirësua imazhi i Kosovës në botë, si vend që ecën drejt stabilitetit politik e demokratik.
Viti në të cilin po shkelim, pra Viti i Ri i fillimit të mijëvjeçarit të tretë i integrimeve të popujve evropianë e botërorë në planin shpirtror e ekonomik, Kosovën e gjen më të fortë, më të gatshme për t’u integruar në Evropë e në NATO. Në vitin që po vjen një prej objektivave qendrore do të jenë zgjedhjet nacionale: presidenciale e parlamentare që do të plotësojnë kuadrin shtetëror të Kosovës. Objektiv nacional si deri tash, do të jetë njohja sa më parë e pavarësisë së Kosovës, që do të qetësojë rajonin tonë. Do të punojmë në forcimin e pushtetit lokal që të jetë sa më efikas dhe më afër qytetarëve.
Objektiv tjetër do të jetë zhvillimi ekonomik, investimet, privatizimi dhe krijimi i vendeve të punës për të rinjtë si dhe sigurimi i mirëqenies sociale. Do të forcohet mbrojtja dhe integrimi i minoriteteve në jetën politike e demokratike të Kosovës.
Në të mirë të paqes, të prosperitetit e të pavarësisë së Kosovës, duhet të angazhohemi të gjithë t’u japim fund akteve të dhunës me motive të ndryshme.
Objektiv qendror do të jetë vazhdimi i bashkëpunimit me UNMIK-un, KFOR-in dhe me OSBE-në.
Në këtë ndërrim motesh, urime të përzemërta Juve dhe familjeve Tuaja për jetë më të mirë e më të lumtur.
Në këtë natë gëzimi, i përkujtojmë të gjithë ata që ranë për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës.
Urim të veçantë u bëjmë ushtarëve dhe komandatëve të KFOR-it. Po ashtu urim të përzemërt i bëjmë UNMIK-ut, OSBE-së, përfaqësive diplomatike në Prishtinë si dhe organizatave joqeveritare e agjencive ndërkombëtare në Kosovë.
Urim të përzemërt i bëjmë Presidentit Klinton, i cili e përfundoi mandatin e vet me sukses për SHBA e për botën, e sidomos për Kosovën. Ai do të mbetet hero nacional i Kosovës.
Urime më të mira Presidentit të zgjedhur Bush, Kryeministrit Bler, Presidentit Shirac dhe Kancelarit Shrëder si dhe Zonjës Ollbrajt, që do të mbetet Zonjë e Kosovës.
Gëzuar Viti i Ri 2001.
Zoti e bekoftë Kosovën.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, paralajmeroi Pavaresine, Presidenti Historik i Kosoves

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 94
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT