• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ARISTIDH KOLA NË KUJTIMET E JETËS SIME NË MËRGIM

July 16, 2016 by dgreca

Nga Abdurahim Ashiku/Athine/

Ai me 8 korrik 2016 do të ishte shtatëdhjetë  e dy vjeç…

Moshë e re për një krijues të madh, një studiues të madh të çështjes arvanite, një njeri të dashuruar pas arvanitasve gjini e gjak i të cilëve ishte.

Nuk është. Më 13 tetor 2000, Ai iku. Grekët kanë një fjalë ngushëlluese në raste të tilla, nuk thonë “vdiq” por “IKU”.

Aristidh Kola IKU fizikisht për të qëndruar midis njerëzve shpirtërisht, me fjalën e tij të ëmbël, me tonin e veçantë të një avokati të një çështjeje madhore të asaj që lidhej me “Arvanitasit dhe prejardhja e Grekëve”, vepra madhore e tij, vepër që sikur të kishte jetë do ta pasonte  “Zeusi pellazgjik dhe lajthitja indoevropiane”…

E kam takuar më 4 shkurt 2000 në një mjedis shqiptarësh kur ai do të referonte me kompetencën e një shkencëtari të shkencave historike temën “Arvanitasit dhe kontributi i tyre në kishën ortodokse“. E fotografova tek fliste dhe midis njerëzve. I dhashë disa pyetje në shqip për të marrë disa ditë më vonë përgjigjen në zyrën e tij. E fotografova tek më lexonte përgjigjen. Një shok i tij më bëri nderin duke më fotografuar bashkë me të.

Megjithëse e publikuar e quajta të nevojshme ta ripublikoj atë që kam shkruar vite më parë, bisedën që kam bërë me të më 9 shkurt 2000…
Nga intervista gjykoj të shkëpus dy fragmente që flasin për amanetin e Aristidh kolës…
         …Për sa  i përket  “Betejës së Kanaleve “, e dija se shkoja në gojë të ujkut. Më kishin ngritur kudo kurthe, nuk më linin të flas kur shikonin se po ndikoja në opinionin publik me mendimet e mija. Shkoja i ndërgjegjshëm  për të gjitha ato vështirësi dhe bashkë me mua shkuan edhe miq e bashkëpunëtorë të tjerë…. Bëmë një betejë krejt të pabarabartë, një betejë ama që e kishim detyrë ta bënim. Ekzistonin sigurisht rreziqe të mëdha, por kur vendos të bësh diçka të rëndësishme në jetën tënde patjetër duhet të kesh parasysh gjënë më të keqe dhe të vesh  “ kokën në torbë “.
…Është një joshje e madhe të shkruaj një pjesë të dytë me brendi ngjarjet e fundit në Kosovë . Por, si ka thënë Gëte , “Ndërsa  arti është i pafund, jeta është e shkurtër.”  Nuk kam kohë. Po përpiqem të botoj veprën time  “ Zeusi pellazgjik dhe lajthitja indoevropiane “,  ku përcjell materiale dhe të dhëna shumë të rëndësishme për periudhën parahistorike dhe kryesisht paraardhësit e kosovarëve, Dardanët . Nga ana tjetër shumë gjëra i kam  shkruar në revistën “Arvanon“ me të cilën merrja pjesë në betejë bashkë me kosovarët. Dhe së fundi :problemi kosovar mori një fund fatlum.

Fjalën e Aristidh Kolës është kulturë ta lexosh jo vetëm njëherë…
Më 2 gusht të vitit 2013 pata nderin të marr në tubimin qendror “Ditët e diasporës” çmimin postmortum që Ministria e Diasporës të Republikës së Kosovës u jep çdo vit njerëzve për veprën e madhe në shërbim të çështjes shqiptare.
Në certifikatë shkruhet: Z. Aristidh Kola (Post mortum) Për kontribut të veçantë jetësor. Prishtinë, më 2 gusht 2013. Ibrahim Sh. Makolli, Ministër…

 

Athinë, 8 tetor 2016

 

 

NJË YLL NË QIELLIN ARVANITAS

 

 

Në korrik të ‘96-s, tek largohesha dhimbshëm nga Dibra ku linda dhe jetova 55 vjet, nga Shqipëria jonë që lëngonte, Dritëro Agolli i madh i letrave shqipe, në shtëpinë e tij, do të më ngushëllonte duke më dhënë me vete  një numër telefoni dhe një emër njeriu…

”Është miku im, më tha, por mbi të gjitha është mik i madh i shqiptarëve të thjeshtë…”

Dritëro Agolli më kishte dhënë me vete floririn e gjakut të shprishur shqiptar të kohës sonë, Herkulin intelektual të botës arvanite…

Nuk do ta përdorja atë numër telefoni sepse nuk desha që hallin tim ta bëja hall të atij njeriu që, siç do të mësoja me kohë, ishte rritur e burrëruar midis halleve të arvanitasve, ishte avokati më i madh i çështjes arvanite, profesionalisht dhe shpirtërisht, dhe si pasojë, kishte qenë dhe ishte me të vërtetë në “gojën e ujkut “.

Aristidh Kola nuk ishte një Avokat i Madh vetëm i çështjes arvanite, gjak të cilës i përkiste dhe i kushtoi tërë jetën e tij të shkurtër. Ai ishte një studiues i madh i historisë së Greqisë dhe i vendeve ballkanike. Siç e dëshmon në intervistën e tij, ai ishte në merak për botimin e një vepre tjetër madhore “ Zeusi Pellazgjik dhe lajthitja indoevropiane”, vepër në të cilën përcillen të dhëna shumë të rëndësishme për periudhën parahistorike në Ballkan  dhe kryesisht për paraardhësit e shqiptarëve të Kosovës, DARDANËT…

Aristidh Kola ndërroi jetë më 13 tetor 2000. Jeta e tij ishte shumë e shkurtër, 55 vjet e 97 ditë. Ai, duke e ndjerë në trup helmin që i brente shëndetin, nxitonte, vraponte në veprën e tij dhe duke cituar Gëten: “Ndërsa arti është i pafund, jeta është e shkurtër” kishte besim se atë që “nuk do ta arrij unë do ta arrijnë bashkëpunëtorët e mi të rinj’.

         Jorgo Miha, një ndër bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë dhe  shok në debatet televizive në mbrojtje të çështjes së Kosovës, në takimin e lamtumirës do t’i jepte Aristidh Kolës vlerat e njeriut që i zbuloi botës shkencore  se …edhe emrat e Perëndive të botës antike i kanë rrënjët në gjuhën arbërore…

         Biseda me Aristidh Kolën, njeriu që edhe emrin e tij këmbëngulte t’ia shqiptonin në shqip, “ Mos e shkruaj Kolja, më tha Ai, por KOLA”, origjinali i tij në Greqisht, një fotografi bashkë me të, kanë qenë dhe do të jenë ndër gjërat e shtrenjta që unë i ruaj me kujdes. Ajo, ndoshta ka qenë intervista e fundit e jetës së tij…

Për ikjen e parakohshme të Aristidh Kolës është folur shumë. Ajo është përjetuar dhe përjetohet si një përzënie nga jeta, si një dhunë e kobshme, si një krim, pjesë përbërëse e krimeve të kësaj natyre që merimanga e zezë e kohëve ka tjerrë rrjetën e zhdukjes së njerëzve të mëdhenj.

Fakteve të shumtë për këtë do t’ju sjell edhe një fakt imi…

…Në mars 2003, tentova ta publikoj intervistën në një gazetë gjysmë greke e gjysmë shqiptare me emrin RILINDJA XXI. Deri atëherë shtigjet e botimit të saj në Greqi më ishin mbyllur. Fjala e plotë e Aristidh Kolës ishte e ndaluar…

E faqosa intervistën (në detyrën e kryeredaktorit) në dy faqet me ngjyra të mesit të gazetës dhe pasi e firmosa  e përcolla për botim…

Të nesërmen pashë se  intervista ishte  ngushtuar në një faqe dhe ishte prerë  e sakatosur kobshëm…

Një ditë më parë, greku që merrej me “faqosjen” të cilit i kisha dhënë  origjinalin për ta botuar në numrin pasardhës në gjuhën greke, pasi e lexoi më tha: “Këtë njeri e kanë vrarë”.

Nata e kishte bërë punën e saj . Aristidh Kolën, fjalën e tij e kishin vrarë në sytë e mi.

Atë ditë kuptova edhe një herë se sa i madh ishte Aristidh Kola, sa e gjerë dhe e thellë ishte vepra e tij, vepër e cila nuk mund të shuhet  me një urdhër censural kompjuterik.

 

Athinë, 9 shkurt 2005

 

 

TRIMËRITË  E HERKULIT DHE HERKULËT INTELEKTUALË

 

Bisedë  me  Arvanitasin e Madh Aristidh Kola

Athinë, 9 shkurt  2000

 

  1. Çfarë thotë Aristidh Kola për veten e tij ?

 

Linda në vitin 1945, më 8 korrik, në fshatin Leontari të Thivës ( Tebës ), një fshat arvanitësh që atëherë quhej Kaskaveli. Atje viteve të hershme bënin djathin e mrekullueshëm kaçkavall, ladhotiri .

Fëmijërinë e kalova në fshat, në një mjedis ku jo vetëm gjuha por edhe doket e zakonet, këngët dhe vallet, morali, sjelljet dhe karakteri i njerëzve mishëronin në mënyrë të theksuar karakterin e Arvanitit.

Në vitin 1963 fillova studimet në Universitetin e Athinës në jurisprudencë, drejtësi. Pas diplomimit, deri në vitin 1987,  vazhdova të ushtroj profesionin e avokatit.

 

  1. Kur filloi dhe sa janë përmasat e punës suaj në shërbim të studimit të çështjes arvanite ?

 

Fillimet u përkasin viteve ‘ 70-të, por nga viti 1975 mund të  them se jam marrë sistematikisht me gjurmimin dhe studimin e gjuhës arvanite, të historisë dhe të folklorit arvanit. Fryt i këtij studimi të gjatë ishte libri im i parë: “ Arvanitet dhe prejardhja e helenëve “ . Libri , që nga viti 1983  e deri sot,  është në rend të ditës dhe numëron 9 botime. Libri nuk është ndonjë histori e arvanitasve por rishikim dhe ripërcaktim i historisë helenike në përgjithësi. Këtu qëndron origjinaliteti i tij, zhurma dhe interesi i madh ndaj tij. U përpoqa të faktoj, dhe më duket se e faktova,  se historia greke që nuk merr parasysh arvanitët në epokën e re dhe pellazgët në atë të lashtë, as greke e as histori nuk mund të quhet. Është thjesht një histori e sajuar.

Do të vijë koha të shkruaj historinë e arvanitasve. Dhe në qoftë se nuk do ta arrij unë, do ta bëjnë bashkëpunëtorët e mi më të rinj, në bazë të ideve dhe udhëzimeve të librit  “Arvanitët dhe prejardhja e helenëve” . Këtu qëndron edhe vlera e madhe e këtij libri; një libër i ngjalljes së vetëdijes dhe jo një rrëfim historik

 

  1. Aristidh Kola ishte i pari, në ballë të mbrojtjes së çështjes kosovare e të popullit të Kosovës në ditët më të vështira të tij. Cilët ishin motivet e kësaj mbrojtjeje ?

 

Që në vitin 1991 kisha parashikuar zhvillimin e ngjarjeve të lidhura me Kosovën, lëvizjet e Millosheviçit dhe të qarqeve nacionaliste të Beogradit. Shqetësohesha sepse në planet e tij të çmendura donte të ngatërronte edhe Greqinë me qëllim që të gjejë mbështetje për zgjidhjen e problemit shqiptar. Kërkonte nga Greqia që ta ndihmojë në çastin e përshtatshëm me një kundërgoditje në Jug të Shqipërisë. Po ashtu kërkonte edhe nga Gligorovi të përgatitej për një përballim të përbashkët të problemit sepse edhe në atë shtet, shpejt apo vonë do të ngrihej problemi i shqiptarëve.

Siç e dini, çdo veprim politik ose ushtarak, që të ketë  sukses, kërkon një parashtrim teorik për të bindë aleatët dhe popullin. Millosheviçi foli si ortodoks i krishterë në Kishën greke e cila është me ndikim të madh në popull, foli si komunist në Partinë Komuniste Greke dhe si socialist popullor në PASOK. Ai me nacionalizmin dhe serbomadhizmin e tij arriti të mallëngjente nacionalistët dhe shovinistët  e këtushëm. Ai mundi të rrëmbejë dhe të ngatërrojë shumicën e botës politike greke dhe si rrjedhojë edhe të popullit. U gjendën disa gazetarë grekë të cilët kuptuan, parashikuan dhe denoncuan planet aventureske gjakatare të Millosheviçit. Unë më duket se isha i vetmi që kisha theksuar dhe paralajmëruar se propaganda filoserbe dhe antishqiptare, e cila aso kohe sapo kishte filluar,  ishin dy anë të së njëjtës monedhe.

Atëherë  ishte shumë e vështirë të shkruaje e denoncoje për këto sepse e gjithë bota politike dhe Kisha qenë viktima  të një mashtrimi dhe të një aventure me rrezik të madh. Nuk ishte fjala se kisha frikë për jetën time, por se nuk do të më dëgjonte askush. Shikoja se Millosheviçi, Karaxhiçi, Shesheli, Arkani dhe bandat e tyre kriminale prisnin të lanin hesapet me Bosnjën dhe me Kroacinë dhe pastaj të lajnë duart një herë e mirë me Kosovën. Atëherë , për herë të parë, ndonëse kisha qenë antiamerikan, thashë: “ Nuk ka shpresë tjetër veç Amerikës ! “ Jeta luan role të çuditshme; shumë herë mbytesh nga miqtë dhe shpëtohesh nga armiqtë.

Në qoftë se nuk ndërhynte Amerika dhe Evropa do të kishim probleme shumë të mëdha, të cilat u përpoqa t’i tregoj  dhe t’i  theksoj në libër. U përpoqa të lajmëroj udhëheqjen politike se po luan haptazi me zjarrin duke vënë në pikëpyetje vetë ekzistencën dhe tërësinë e shtetit grek. Mjerisht ai libër u varros krejtësisht në Greqi. Nuk pati asnjë jehonë e popullaritet në vitin 1995 kur u botua.

Në vitin 1999 kur shpërtheu kriza e Kosovës ua dërgova librin disa politikanëve me horizonte të hapura dhe e rivendosa në librari, ku ndonëse u shit, nuk iu dha përsëri asnjë popullaritet. Një vello heshtjeje ! Ekzistonin njerëz këtu që kujtonin se Greqisë i leverdiste një “ Serbi e Madhe “. Për fat të mirë grekët kurrë nuk do të mësojnë se çdo të thoshte për Greqinë një “ Serbi e Madhe “. Këtu nuk mungon vetëm njohja e historisë. Mungon edhe fantazia…

Për sa  i përket  “Betejës së Kanaleve “, e dija se shkoja në gojë të ujkut. Më kishin ngritur kudo kurthe, nuk më linin të flas kur shikonin se po ndikoja në opinionin publik me mendimet e mija. Shkoja i ndërgjegjshëm  për të gjitha ato vështirësi dhe bashkë me mua shkuan edhe miq e bashkëpunëtorë të tjerë si J. Miha dhe J. Korizis dhe njerëz të tjerë të ndershëm  me të cilët nuk kisha kontakt dhe bashkëpunim deri atëherë si R. Sumeritis, Xhanetakos, Theodhoraqis ( jo kompozitori ), Dhimu e të tjerë. Bëmë një betejë krejt të pabarabartë, një betejë ama që e kishim detyrë ta bënim. Ekzistonin sigurisht rreziqe të mëdha, por kur vendos të bësh diçka të rëndësishme në jetën tënde patjetër duhet të kesh parasysh gjënë më të keqe dhe të vesh  “ kokën në torbë “.

 

  1. Vepra Juaj “ Greqia në kurthin e serbëve të Millosheviçit “ e botuar edhe në shqip që evokon ngjarjet në Bosnjë a do të pasohet nga një  volum i dytë me temë  Kosovën ?

 

Librin “ Greqia në kurthin e serbëve të Millosheviçit “ e ka përkthyer Mite Guga. Libri ka një parathënie të bukur  të  mikut tim të dashur  Moikom Zeqo me të cilin jam njohur para disa viteve në Athinë kur erdhi në shtëpinë time bashkë me të madhin Dritëro Agolli.

Është një joshje e madhe të shkruaj një pjesë të dytë me brendi ngjarjet e fundit në Kosovë . Por, si ka thënë Gëte , “ Ndërsa  arti është i pafund, jeta është e shkurtër.”  Nuk kam kohë. Po përpiqem të botoj veprën time  “ Zeusi pellazgjik dhe lajthitja indoevropiane “,  ku përcjell materiale dhe të dhëna shumë të rëndësishme për periudhën parahistorike dhe kryesisht paraardhësit e kosovarëve, Dardanët . Nga ana tjetër shumë gjëra i kam  shkruar në revistën “ Arvanon “ me të cilën merrja pjesë në betejë bashkë me kosovarët. Dhe së fundi :problemi kosovar mori një fund fatlum.

 

  1. Me çfarë planesh për çështjen shqiptare hyn Aristidh Kola në shekullin e ri ?

Planet duhet t’i bëjnë vetë shqiptarët. Unë dhe sa të tjerë ju duam  dhe ju ndjejmë vëllezër në të gjithë botën. Bëjmë vetëm plane për ndihmë. Por që të të ndihmojnë duhet që ti vetë me punët dhe veprat e tua të tregosh se sa vlen, se lufton në një rrugë të mirë për një qëllim të shenjtë. Barra bie mbi shpatullat e udhëheqjes politike dhe shpirtërore – kulturore të shqiptarëve. Nuk dua të hyj në fushën e politikës për shumë arsye. Dua ama të  shpresoj tek udhëheqja intelektuale.. Vëzhgoj ndërhyrjet dhe luftën e të madhit  Ismail Kadare në fushën botërore. Është ambasador i madh i Shqipërisë në botën e jashtme. Pres akoma një lëvizje  të madhe dhe mbështetjen e fuqishme të vlerave të mëdha  intelektuale brenda Shqipërisë. Atje do të bëhet lufta më e madhe dhe më e vështirë, luftë kjo e domosdoshme për të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Problemin ekonomik e zgjidh lehtë shqiptari kudo që gjendet. Problemin e kombit, historisë dhe kulturës si do t’i zgjidhë në kushte kaq të vështira, me influenca e ndikime nga kaq rryma që vërshojnë  çdo ditë në vend ose që pranojnë emigrantët në vendet e huaja ?  Trimëritë e Herkulit kanë nevojë për trimëritë e Herkulëve të rinj intelektualë.

Kjo është rruga e ndritshme e lavdisë për njerëzit e artit e të shkronjave….

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Abdurrahim Ashiku, ARISTIDH KOLA, E JETËS SIME, NË KUJTIMET, ne Mergim

BISEDË RASTI NË MËRGIM ME PLOTË NOSTALGJI

May 22, 2016 by dgreca

Shkruan: Jeton Partini/ Göteborg/

Sonte me iku nata duke biseduar tema ordinere (besa edhe primitive) se sa përpara ka qenë dhe është Prishtina, se si Prishtina model e kishte Beogradin ose Shkupin (bile Shkupi ishte më pas pas luftës së parë, Prishtina ishte më në rregull thoshte njëri nga bashkëbiseduesit).

Vitet kalojnë dhe ndjenja e inferioritetit nuk i hiqet dot Shqiptarit. Fatkeqësia e gjithë kësaj ishte se të gjitha këto biseda bëheshin në qytetin e Volvo-s, SAAB-it, SKF, të Universitetit Chalmers dhe ca gjigantëve të tjerë industrial suedez pra në Göteborg. Prishtinasit e tavolinës mburreshin me ca “cokulla” dhe “Levis 501” që kur i kan mbathur në Prishtinë të tjerët nuk kishin dijeni per keto gjera (dikund pas viteve 1990, dhe jo se ishin prodhuar në Prishtinë, por Prishtinasit i kishin mbathur dhe ja dishin emrin). Këtë sindrom dikur Sigmun Frojd (psikoanalist) do ta kishte quajtur “A cry for recognition”. Keto “Leviska 501” dhe “cokulla” ishin mbathur në Prishtinë 40 vjet pasi qe Neil Armstrong kishte zbritur në Henë dhe në kohën kur Boingu i kishte prodhuar mbi 20 verzione të aeroplaneve (dikund mbi 100.000 mij aeroplan).

Për një moment mu kujtua një ngjarje kur isha mësimdhenës në një shkollë gjimnazi në Suedi dhe dy nga gjimnazistët (nxënësit e mi në klasë) ishin nga Somalia. Një ditë prej ditësh i dëgjova në koridorin e shkollës duke berë debat me zë të lart dhe i pyeta se për c’far bisedonin. Njëri prej tyre më tha se është nga Mogadishu dhe ai tjetri është nga një qytet tjetër i Somalisë dhe kjo në vetvete nënkuptonte se ky nga Mogadishu ishte më i “civilizuar”. Me që kam patur fatin të shetisë të gjitha kontinentet e rruzullit tokësor vërtetë u binda (nga shokët e mi Prishtinas dhe dy nxënësit Somalez) se qytetet me të njohura dhe më përparimtare në botë janë pra Mogadishu, Prishtina, New York, Londra dhe Parisi vetëm se në Mogadishu dhe Prishtinë papunësia shkon ne 70%, rryma ndalet pa paraljmërim, ujë për pirje nuk ka (verës) dhe ndalet më shumë ndërpreje (të paktën në Prishtinë), ajri është shumë i freskët që filtrohet gjatë gjithë kohës nga oxhaqet në Obiliq, dhe po pate ndonjë femijë të vogël që shkon në shkollë fillore rreziku është që ta hanë qentë endacak të rrugëve të këtyre dy kryeqyteteve të njohura botërore pra Prishtinës dhe Mogadishos. Ndër të tjera mu kujtuan edhe ca figura

Prishtinase që e bëjnë këtë qytet edhe me nominent dhe perparimtar sipsh Isa Mustafa,Hashim Thaqi (Hashimi bile edhe presidenti i Prishtinalive dhe terë Kosovës), Ismet Beqiri e Shefqet Krasniqi (të gjithë me cmimin Nobel në gjepat e tyre)

Më në fund nuk arrita dotë të ju them këtyre shokëve të mi mendimin që e kisha sepse ata kishin hyrë në ekstaze duke e përshkruar qytetin e tyre të ëndërrave pra Prishtinën dhe duke i poshturar dhe nencmuar qytetet e tjera “të vogla” dhe primitive të Kosovës. Ndërsa unë për vete kam një hall të madh jo pse qytetet e tjera të Kosovës nuk i ngjajnë Prishtinës por pse e terë Kosova nuk i ngjanë Europës por më shumë i ngjane Anadollit e Kurdistanit (në botën e mendimeve). Pra më në fund të gjithë e kishim hallin e njejtë si ata dy nxënësit e mi nga Somalia por po ashtu edhe kjo tavolina jonë me prishtinasë dhe ne shqiptarët e qyteteve të tjera. Të gjithë së bashku kishim ikur nga këto vende për tu bashkur në një qytet të “parëndesishëm” në krahasim me Mogadishon dhe Prishtinën pra ne Göteborg të Suedisë.

Pra të jeshë nga Mogadisha ose Prishtina do të thotë të jeshë i dhjerë por krenar ndërsa nga qytetet tjera vetëm i dhjerë llogaritesh.

Ndërsa qytetet e parëndesishme sic është Hamburg, Göteborg e Frankfurt as që ishin pjesë e bisedës sepse nuk ishin kryeqytete dhe automatikisht këto qytete u futeshin në kategorinë e të pa “civilizuarëve” nga kryeqytetasit e tavolinës tonë. Vaj halli se me c’farë bisede të thellë merrej tavolina jonë e mbushur përplot me birrë gjermane se besa as birrë Peja nuk kishim (nuk e njofin këta “primitivët” e Göteborg). Por po shpresojmë që po sa të dali birra Prishtina dhe Mogadisho mënjeherë kanë për ta blerë qytetarët e Göteborg vetëm sa për ta ndjerë ndjenjën e një kryeqytetasi Prishtinas ose Mogadishian.

Filed Under: ESSE Tagged With: BISEDË RASTI, Jeton Partini, ME PLOTË NOSTALGJI, ne Mergim

Kur “Zëri i Rinisë Shqiptare në Mërgim” kujtonte At Gjergj Fishtën

December 29, 2015 by dgreca

“Ai është Homeri shqiptar, një poet nga më të mëdhenjt딓Fishta asht nji Homer shqiptar. Ai nuk asht vetëm nji poet i madh kombëtar. Ai asht nga ma të mëdhajt në botë. E randsishme asht që ai të njihet prej saj”. – ka thenë At Zef Valentini/
Beqir SINA, New York/
BRONX NEW YORK : Në numërin e saj të fillim vitit 1991 – revista “Koha Jonë”(Koha e Jonë nr 1-2-3 vjeti XXX Janar-Shkurt-Mars 1991) organ i Partisë Bashkimi Demokrat Shqiptar , që vepronte atë kohë në mërgim – në shkrimin me titull “Kur Inteligjenca i printe kombit.”, shkruan për atë se si përkujtohej Fishta në pervjetorin e 50 të vdekjes – së tij – New Jork, në 1991.
Në faqen ballore, kjo revistë ka ka të botuar, simbas materialeve arkivore- pra 25 vjet më parë, një shkrim shoqëruar edhe me një fotografi nga Seminari letrar në kujtim të poetit tonë të madh kombëtar At Gjergj Fishtës, ku në diçitur e saj janë edhe katër figura të njohura kombëtare, të cilat e udhëhoqën atë seminar si: Profesor Arshi Pipa, Don Rrok Mirdita, At Daniel Gjeçaj dhe Anton Çeta.
Më tej në shkrimin e saj – revista njoftonte se më datën 2 Fruer(shkurt) 1991, në Universitetin e Fordhamit, Bronx New York, është mbajtë një seminar letrar, në të cilin është përkujtuar me madhështi, poeti kombëtar At Gjergj Fishta. Mirrnin pjesë shkruan kjo revistë edhe një numër i konsiderueshëm bashkëatdhetarësh, dashamir të kulturës dhe letersisë, si dhe Amerikan që interesoheshin për historinë e vendit t’onë.
Në këtë seminar, sipas revistës periodike të asaj kohe ” Koha Jonë” një nga pioneret e shtypit të mërgatës shqiptare – thuhet se kan folë edhe personalitete ma të shqueme të kulturës dhe letersisë shqipe, njohës dhe studiusa të veprave gjeniale të Fishtës, poetit ma të madh Shqiptar.
Ndër këta kjo revistë ka dalluar : At Daniel Gjecaj, kryekaplan i katholikve Shqiptar jasht Atdheut, me detyrë pranë Selisë së Shejtë, i ardhur për këtë përkujtimore posaçërisht nga Roma. Kurse, nga Kosova bëhej e ditur se kishin marrë pjesë profesorët e Universitetit të Prishtinës z. Anton Çeta, Abdulla Karjadiu, Engjell Sedaj, dhe Anton Berisha. Kurse, nga Universiteti i Minnesota, profesor Arshi Pipa.
Kjo revistë dinjitoze nënvizon se” të gjith, në atë seminar model për nga mënyra e organizmit të saj -paraqitën kumtesa të hollësishme, dhe shumë të çmueshme, mbi jetën dhe veprat e poetit, të cilat shpeshherë, thotë ajo, u ndërprenë nga duartrokitje të gjata, gja që provonte pa dyshim, kënaqësinë e ndegjuesve të pranishëm, me njohjen e thellë të këtyne veprave, nga ligjeruesit e rastit”.
Seminarin – simbas saj e organizuen një grup të rinjësh energjik, nga organizata “Zëri i Rinisë Shqiptare në Mërgim”. Këta, të paisun me cilësi organizative të pame rralë në radhët e kominitetit shqiptarë të Amerikës, banë të mundun, arritjen e një suksesi të plotë, i cili me siguri shkruan “Koha Jonë” në mërgim, pasurojë dhe flladiti zemrate të gjithë atyne pjesëmarrësve, që interesoheshin për njohuri të dorës së parë, dhe të gjithanëshme historike, mbi jetën dhe veprat e At Gjergj Fishtës.
Revista e mergimtarëve shqiptarë “Koha Jonë”, nuk le pa permendur edhe komisionin organizues i cili shkruan ajo përbëhej nga z. Gjovalin Nikevi, Paulin Mrnaçaj, Luan Gashi, Halil Lita, Vasel Camaj, Nikoll Pjetri, dhe Pjetër Mrnaçaj.
Ndërsa për kryesues të këtij seminari, shkruan kjo revistë ata kishin zgjedhur njërin nga veteranët e veprave kulturale të Shqiptarëve të Amerikës, Dr. Hamdi Oruçin.
“Ky, shkruante “Koha Jonë” me zotësi dhe eksperiencë shumëvjeçare, drejtoj punimet e seminarit, në një mënyrë dinjitoze, të drejtë dhe autoritative, që kërkonte karakteri i nalt akademik” Ndërsa të diellën një ditë mbas seminarit të mbajtur në Frodham University (3 Fruer 1991) në Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” u mbajt një takim tjetër përkujtiomr me të gjithë të ftuarit e saj.
Shkrimtari dhe studiuesi i njohur Klajd Kapinova – ka shkruar për kët ngjarje të madhe se :” Me këtë rast Kisha e re, qendroi për shumë orë e hapur, për vizitorët e shumtë shqiptarë e amerikanë. Në një nga sallat e bukura të ambienteve të brendshme të Kishës, u mbajt programi i rastit dhe u shtrua darka madhështore, përgatitur nga Këshilli i Kishës dhe komisioni i formuara për mbajtjen e këtij seminari”.
Pra, kështu u kujtua në mërgatën shqiptare të Amerikës, prej të gjithë atyre që luftuan për trinomin Komb – Atdhe dhe Fe , Gjergj Fishta, (1871-1940) i cili është një krijues madhështor jo vetëm për letërsinë shqipe, por është edhe një personalitet tejet i dalluar për shumë segmente të jetës sonë kombëtare. Ai është i pari shqiptarë i propozuar për Çmimin Nobel për letërsi.
Ne seminar u tha se , “nuk është tepruar edhe kur atë e kan krahasuar me Homerin, apo Danten, sepse për letërsinë dhe kulturën tonë kombëtare, Gjergj Fishta na paraqitet edhe si Homer edhe si Dante, pse jo edhe si Gëte e Shiler. Nga do të studiohet poezia e tij, arrijmë në përfundim se angazhimi i Fishtës për kombin, kulturën, për shqiptarin e Shqipërinë e kohës ishte preokupim mbi të gjitha preokupimet. Duke qenë krijues me një kredo origjinale, një mendje erudite, një burrë i zakonit, një prift i devotshëm, i cili kishte gjetur strehë në nderin, besën dhe cilësitë morale të jetës tipike, patriarkale shqiptare,”
Fishta, thanë oratorët për asnjë moment nuk iu nda fatit të kombit e Atdheut, as atëherë kur e trimëroi dhe e lavdëroi, as atëherë kur e kritikoi dhe e satirizoi. Fishta, Mjeda, Naimi, Çajupi, Asdreni, Migjeni, Noli – Konica, dhe bashkëkohësit e tij – fatin e tyre jetësor e kishin lidhur me fatin e shqiptarit, që po kolovitej në katrahurën e madhe njerëzore, me fatin e Atdheut, të cilin po e kafshonin, po e ndanin dhe po e bënin copë-copë fqinjët grabitqarë me bekimin e Evropës dhe Rusisë, dhe po e priste sundimi barbar i komunizmit të Enver Hoxhës, i cili, edhe eshtrat këtij njeriu të madh ia hodhi në Bunë.
“Ai është Homeri shqiptar, një poet nga më të mëdhenjt딓Fishta asht nji Homer shqiptar. Ai nuk asht vetëm nji poet i madh kombëtar. Ai asht nga ma të mëdhajt në botë. E randsishme asht që ai të njihet prej saj”. – ka thenë At Zef Valentini
(Revista “KOHA E JONË”, ka qenë fletë mendimesh dhe opinjonesh të Lira ndërsa nga viti 1968 ishte E Përkohshme Kulturore Politike Shoqënore, organ i Partisë Bashkimi Demokrat Shqiptar që vepronte në mërgim. Numri i parë i saj doli në Firence (Itali) në muajin maj të vitit 1962, ndërkohë më pas në vitet 1974-1992, ajo do të shënonte sivend botimi Parisin (Francë), një mënyrë kjo për t’iu fshehur sigurimit të dyfishtë të UDB-së jugosllave dhe sigurimit komunist të Enver Hoxhës, sepse revista në të vërtetë është botuar vetëm në Firence. Botues i revistës ishte Isa Ndreu, nipi i Elez Isuf Ndreut (1861-1924), dhe administrator dhe redaktor i saj ishte Lec Shllaku, që të dy ish-studentë të “Normales” së Elbasanit).

Filed Under: Histori Tagged With: At Gjergj Fishtën, kujtonte, ne Mergim, Zeri i Rinise Shqiptare

Artikujt e fundit

  • 7 KORRIK 2022, KUR “PRANVERA E PROTESTAVE” VJEN NË VERË
  • BISEDA E PRESIDENTIT BILL CLINTON ME HASHIM THAÇIN RUAJTUR NË BIBLIOTEKËN PRESIDENCIALE “WILLIAM JEFFERSON CLINTON”
  • DEMOKRACIA E POLITIKA: PËRFUNDIMET E PAPARASHIKUESHME TË LUFTËS
  • DUKE MEDITUAR PËR CAMAJN, KOLIQIN, FISHTËN… 
  • Murana e Gjergj Kastriotit në Prizren
  • PSE SHQIPTARËT DUHET TA KUNDËRSHTOJNË “BALLKANIN E HAPUR”?
  • KONICA- NJË STEKË AKOMA E PAKAPËRCYER NGA AMBASADORËT SHQIPTARË NË WASHINGTON
  • TEPËR VONË DHE SHUMË PAK, TË NDERUAR AMBASADORË PERËNDIMORË NË TIRANË
  • DRINIT PLAK PO I MARRIN FRYMEN
  • PROF. MUHARREM DRAGOVOJA IN MEMORIAM
  • NJË YLL MË SHUMË
  • RINOR GASHI  NJË  BOKSIER I RI, NË ARTIN MARCIAL MMA, QË SYNON TË ARRIJ MAJAT E FITORES ME ZEMËR SHQIPTARI
  • PUTINI A DO T’A KETË LEXUAR HERODOTIN?
  • VISAR ZHITI LAUREAT I ÇMIMIT TE MADH NE FESTIVALIN BOTËROR TË POEZISË “MIHAI EMINESCU”
  • DE OMNIBUS DUBITANDUM / POEZI NGA ALFONS GRISHAJ

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT