• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2016

Reforma në drejtësi: Do të mbarset mali dhe do të pjellë një mi

January 27, 2016 by dgreca

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/
Sa për kujtesë ambasadorit të nderuar amerikan Donald Lu/
Presidenti amerikan Franklin Ruzvelt (Franklin Roosevelt – 1882-1945), më 06 janar 1941, ka pasë deklaruar për katër liritë themelore:
“Ne shpresojmë të shohim një botë të mbështetur mbi katër liri themelore: e para – lirinë e fjalës dhe të shprehjes, e dyta – të drejtën që kushdo mund të nderojë Zotin sipas dëshirës dhe besimit, e treta – zhdukjen e varfërisë, e katërta – çlirimin nga frika.
Vetvetiu shtrohet një pyetje e thjeshtë:
Ku është klasa politike shqiptare në raport me zhdukjen e varfërisë gjatë këtyre 25 vjetëve të pluralizmit politik?
Përgjigjja, po ashtu, është fare e thjeshtë:
Klasa politike ka bërë ç’është e mundur për t’u vetëpasuruar, çka ka sjellë si pasojë varfërimin e pandalshëm të pjesës dërrmuese të popullsisë dhe sidomos të më shumë se një gjysmë milioni pensionistësh.
U bë kaq kohë që po diskutohet për reformën në drejtësi. Madje për këtë problem është folur dhe stërfolur kaq shumë, saqë mbarë qytetarëve të thjeshtë sikur ka filluar t’u bëhet bozë. Një fjalë e urtë thotë: Atje ku bëhet dasmë e madhe, merr lugë të vogël! Sepse qytetarët kërkojnë vepra dhe jo fjalë. Që kjo reformë është shumë e rëndësishme, kjo as që mund të vihet në dyshim.
Më ka bërë përshtypje të jashtëzakonshme roli që po luan ambasadori i nderuar amerikan Donald Lu për kryerjen e kësaj reforme. Në një dalje të paradokohshme në publik, ai ka deklaruar:
“Të gjithë ne në Ambasadën Amerikane jemi të përqendruar në reformën në drejtësi për shkak të udhëzimit direkt nga zyrtarë të lartë në Shtëpinë e Bardhë dhe në Departamentin e Shtetit. Ata na kanë thënë qartësisht se prioriteti numër një i Qeverisë Amerikane në Shqipëri është të mbështesë reformat e nevojshme për pranimin e Shqipërisë në BE” (Citohet sipas: “Donald Lu: SHBA s’do gjejë qetësi për reformën në drejtësi, kemi udhëzim direkt nga Shtëpia e Bardhë”. Marrë nga faqja e internetit “syri.net”. 06 janar 2016). 
Ne, qytetarët e Shqipërisë Londineze, u jemi dhe do t’u jemi mirënjohës në jetë të jetëve Shteteve të Bashkuara të Amerikës për kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë për mbijetesën tonë si shtet. Sepse në dy raste, mbijetesa jonë ka qenë në zgrip.
Së pari, ujqit evropianë, në Konferencën e Paqes në Paris të vitit 1919, pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, patën hartuar plane ogurzeza për ta zhdukur nga harta e Evropës edhe atë ngastër Shqipërie që kishte mbetur pas vendimeve kriminale të Kongresit të Berlinit të vitit 1878 dhe të Konferencës së Londrës të vitit 1913. Por ndërhyrja vendimtare e Presidentit Uillson qe shpëtimtare për vendin tonë. Ky ishte shpëtimi i parë i Shqipërisë nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shpëtimi i dytë erdhi në vitin 1997, në kushtet kur shteti shqiptar ishte shpërbërë tej e ndanë. Pikërisht në atë situatë tragjike ku e katandisën vendin “bejlerët” e politikës shqiptare, shovinizmi grekokaragjoz, përmes kryeministrit të vet, i kërkoi leje Sekretares së Shtetit, zonjës së nderuar Medlin Ollbrajt, për të futur trupat në Shqipërinë e Jugut, me arsyetimin gjoja për të mbrojtur minoritetin grek. Por zonja Ollbrajt i tha se mund t’ju dalin probleme me Turqinë. Dhe kryeministri grek u tërhoq me bishtin ndër shalë. Dy vjet më vonë, në pranverën e vitit 1999, pikërisht Shtetet e Bashkuara, me Presidentin Klinton në krye, duke pasur edhe mbështetjen e fuqishme të Kryeministrit britanik Toni Bler, për 78 ditë rresht, zhvilluan fushatën e bombardimeve kundër Serbisë, për shpëtimin përfundimtar të popullit shqiptar të Kosovës nga tirania mbinjëshekullore e shovinizmit serbomadh.
Tani, kur në vendin tonë është krijuar një gjendje pa rrugëdalje, për shkak të sundimit të një klike kriminale oligarkike, e cila pjesën dërrmuese të popullit tonë e ka katandisur në kufijtë e varfërisë, për shkak të së cilës, gjatë një viti, vendin e kanë braktisur mbi 100 mijë qytetarë dhe, sipas mjeteve të informimit masiv, rreth 200 mijë të tjerë kanë aplikuar për lloton amerikane, Shqipëria ka nevojë për një shpëtim të tretë nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Tani problemi shtrohet fare thjesht, edhe për ambasadorin e nderuar Donald Lu: kush do ta kryejë reformën në drejtësi? Mos vallë këta oligarkë të politikës, të cilët, në kurriz të qytetarëve të thjeshtë, janë pasuruar në një mënyrë marramendëse, duke filluar nga krerët e oligarkëve të politikës qendrore, deri te oligarkët e politikës vendore? Kjo duket krejtësisht e pabesueshme. Le të ndalemi në disa fakte konkrete, të cilat janë bërë publike përmes mjeteve të informimit masiv.
Ish-deputeti i LSI-së, zotëria Dritan Prifti, dikur ka pasë deklaruar publikisht nga foltorja e Kuvendit:
“A ka shqiptar, kolegë deputetë, që beson se zoti Edi Rama është i pastrehë? Ai në deklaratën e tij të pasurisë thotë që është i pastrehë dhe ne të gjithë e dimë që Edi Rama është pronar i fshehtë i mbi 200 apartamenteve në Tiranë, sepse flasin ndërtuesit. Taksa e tij e jashtëligjshme është 30 euro për metër katror për çdo leje ndërtimi që ka dhënë nga viti 2000 e deri sot” (Citohet sipas: “PS: Padi penale për Priftin, shau kryetarin socialist Rama”. Marrë nga faqja e internetit “Info Arkiva. Arkiva mediatike Shqiptare”. 15 korrik 2010).
Kjo deklaratë është transmetuar edhe në TV “Top Channel”, në emisionin e lajmeve të orës 15:30 (Citohet sipas: “Pasuria 1.8 mln euro, Prifti: Shita aksionet”. Marrë nga faqja e internetit “top-channel.tv”. 15 korrik 2010).
Sipas një raporti të OSBE-së, thuhet se Kryeministri Edi Rama “ka një pasuri prej 200 milionë eurosh” (Citohet sipas: ““200 mln euro”! Një përshkrim psikologjik për Ramën”. Marrë nga faqja e internetit e gazetës “Mapo”. 12 shtator 2015).
Para do kohësh, gazetarja e Zërit të Amerikës, zonja Ardita Simiçia, i mori një intervistë kryetarit të Kuvendit, zotërisë Ilir Meta, gjatë kohës që ky ndodhej për një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtu janë shkëputur vetëm dy pyetje mjaft domethënëse të gazetares dhe dy përgjigje fort kuptimplote të kryetarit të Kuvendit:
Ardita Simiçia: “…Meqë përmendët nevojën që vendi të ketë një zhvillim sa më të barabartë, të sjellë një ndarje sa më të barabartë të përparimit që do të realizohet, desha t’ju bëja një pyetje disi personale për klasën politike në Shqipëri që shpalos një mënyrë jetese dhe një luks të jashtëzakonshëm. A ndiheni ndonjëherë nën presionin e publikut, këtij publiku që ikën përditë, që ka një minimale të jetesës te 5-dolarrëshi në ditë, a ka ndonjëherë diçka që ju prek, ju kap në gjithë këtë shpalosje luksi dhe ekstravagance do të thosha?…
Ilir Meta: Nuk e di për çfarë luksi e keni fjalën…
Ardita Simiçia: Pyetja e vetme që marrim ekskluzivisht për çdo politikan këtu është: klasa politike shqiptare duhet të largohet, ata po e mbajnë peng këtë vend pasi janë të gjithë të korruptuar. Dhe nga ana personale, a e ndieni ndonjëherë presionin, a ju vjen ndonjëherë siklet nga gjithë ajo që thuhet? A e ndieni dëshirën për të thënë: mjaft më! Dua të sqarohem dhe të lahem…
Ilir Meta: Shqipëria e paska të zgjidhur problemin e korrupsionit se mund t’u marrë juve t’ju vërë prokurore të përgjithshme dhe ju e zgjidhni në emër të popullit” (Citohet sipas: “Meta në VOA: Emri im në aferën CEZ? Nisni gazetarinë nga e para”. Marrë nga faqja e internetit e gazetës “Shqiptarja.com”. 29 tetor 2015).
Nënkuptohet që gazetarja e nderuar Ardita Simiçia, është nisur nga disa fakte konkrete kur zotërisë Ilir Meta i pati drejtuar dy pyetjet e mësipërme për luksin ku jeton, në kushtet kur mjerimi ekonomik ka pllakosur pjesën dërrmuese të qytetarëve të vendit për faj të oligarkëve të politikës, mes të cilëve edhe kryetari i Kuvendit zë kryet e vendit.
Është vërtet e çuditshme se si është e mundur që zotëria Ilir Meta kërkon t’i bishtënojë përgjigjes për pyetjen e gazetares, duke u shtirur sikur nuk e kuptuakej se për çfarë luksi e kishte fjalën gazetarja, sikur vetë ai nuk jetuaka në mes të luksit dhe sikur nuk qenkej ai që organizoi një pritje me salltanete të mëdha me rastin e 45-vjetorit të lindjes.
Në mjetet e informimit masiv është bërë i njohur publikisht edhe ky fakt konkret për jetën luksoze që bën zotëria Ilir Meta, për çka gazetarët e Zërit të Amerikës, si zëdhënës të drejtpërdrejtë të Departamentit të Shtetit, kanë qenë në dijeni me kohë e me vakt:
“Vila e Ilir Metës në Gjirin e Lalzit është 2000 m² bashkë me oborr ku janë mbjellë ullinj dhe palma gjigante që u sollën me helikopter. Ndërsa brenda vilës ndodhen shumë dhoma dhe 11 wc. Mobilimi besohet se kushton mbi 400 mijë euro. Vetëm kolltuqet “skavolini” kushtojnë 32 000 euro, shkruajnë sot disa media on line, mbështetur në një emision të gazetares Sonila Meço. Kjo është thjesht vila për fundjava, sepse ata jetojnë në një pallat 5-katësh në qendër të Tiranës, në zonën e bllokut, ku 4 kate janë banesa e tyre.
Këto janë fotot e bëra gjatë një interviste të dhënë për mediat nga bashkëshortja e kreut të LSI, Kryemadhi, e cila është edhe deputete. Sipas Monikës, edhe macja ka tualetin e veçantë për të kryer nevojat personale” (Citohet sipas: “Vila luksoze e Ilir Metës me 11 wc”. Marrë nga faqja e internetit “kosovarja.biz”. 31 tetor 2015).
Në një artikull të botuar para do kohësh në gazetën “Telegraf”, e cila dallohet për denoncimin e korrupsionit në vendin tonë, flitet për milionerët e institucioneve qendrore dhe të qyteteve kryesore. Këtë herë, në artikull jepet një pasqyrë me të dhëna konkrete për pasurinë e oligarkëve-milionerë të njërit prej qyteteve kryesore dhe, konkretisht, të qytetit të Elbasanit. Milionerët e këtij qyteti punojnë në mjekësi, në gjykatë, në prokurori, në avokaturë e në noteri, në polici, në banka dhe në arsim.
Më bëri shumë përshtypje fjala “arsim”. Dhe me siguri që gazeta e ka fjalën për arsimin e lartë, pra, për pedagogët e universitetit. E kam të vështirë ta përfytyroj se si është e mundur që një pedagog të marrë para nga studentët e vet, për t’u vënë nota kaluese. Kam punuar vetë pedagog në universitet, deri sa dola në pension në vitin 2003, dhe marrëdhëniet me studentët i kam pasë vlerësuar si të shenjtëruara. Një pedagog universiteti që merr para nga studentët, si mund të ketë sy e faqe të dalë para tyre në auditor gjatë zhvillimit të leksioneve dhe të seminareve, apo gjatë përballjes me ta nëpër këmbësoret e qyteteve? Ky është degjenerim deri në përmasat e neverisë, që më solli në kujtesë një ngjarje konkrete që u pasqyrua para disa vjetësh në mjetet e informimit masiv:
“Denoncimi i disa studentëve të Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” për marrje ryshfeti, ka bërë që policia e këtij qyteti të arrestojë në flagrancë pedagogun e gazetarisë, Isidor Koti, me një shumë prej 1 milionë lekësh të vjetra, të ndara në zarfe” (Citohet sipas: “Merrte para nga studentët, arrestohet Isidor Koti”. Marrë nga faqja e internetit “albeu”. 15 shtator 2012).
Ndër të tjera, në artikullin e gazetës “Telegraf” thuhet:
“Kushdo që ka drejtuar dhe ka ikur nga posti, e pakta, ka ikur me një pasuri prej 150 mijë euro, e cila është pesëfishuar më pas me shitjen e pronave të fituara gjatë kohës që kishte në dorë “zgjidhjen” e halleve dhe problemeve të qytetarëve… Ka milionerë të këtyre rangjeve që kanë deri 18 apartamente në Elbasan dhe që kanë nisur t’i japin me qira ose t’i shesin. Shtresa e milionerëve në rrethe është krijuar dhe ka ardhur qetë-qetë në rrugën e saj, duke iu shmangur rreziqeve të ligjit. Ata kanë krijuar imunitetin e tyre dhe i gjenden njëri-tjetrit, sa herë u kanoset ndonjë hetim, ndonjë kallëzim apo ndëshkim ligjor. Ata nuk i prek as “dekriminalizimi” që pritet të miratojë Kuvendi, pasi e quajnë veten me mburrje “të paprekshëm” (Citohet sipas: “Milionerët e institucioneve qendrore dhe “bejlerët” e qyteteve kryesore”. Marrë nga faqja e internetit e gazetës “Telegraf”. 12 janar 2016).
Këtu duhet të kemi parasysh faktin që qeveria Rama kërkon zbatimin e rreptë të ligjit, por vetëm në raport me shtresat e varfra të popullsisë dhe aspak në raport me oligarkët. Madje edhe atëherë kur pasojat mund të jenë tragjike. Para pak kohësh, publiku i gjerë u njoh me një ngjarje të kobshme si më poshtë:
“Pasi e lanë prej muajsh në terr, duke i ndërprerë energjinë elektrike, sepse nuk kishte mundësi të paguante, sot është ndarë nga jeta.
Bëhet fjalë për një të moshuar 91-vjeçare nga fshati Fang i Mirditës. Barbulla Pepa jetonte e vetme në kushte të varfërisë ekstreme.
Fqinjët e saj e kanë gjetur të vdekur në shtëpinë tejet të vjetër dhe pa kushtet më minimale. Po fqinjët kanë hapur dyert për mort për nënë Barbullën.
Rreth një muaj e gjysmë më parë, përmes medias, ajo i bëri apel OSHEE-së t’i rilidhte energjinë, sepse nuk kishte mundësi ta paguante, por thirrjet e 91-vjeçares ranë në vesh të shurdhët” (Citohet sipas: “OSHEE i ndërpreu energjinë elektrike, vdes nga të ftohtit e moshuara”. Marrë nga faqja e internetit “Lapsi Lajme”. 11 dhjetor 2015).
Pra, atë plakë të gjorë OSHEE-ja nuk e mëshiroi, sepse zbatoi urdhrin që lëshoi kryeministri Rama për ndërprerjen e energjisë elektrike, pavarësisht nga rrjedhojat tragjike që mund të vinin më pas. Nuk e di se sa i rëndon në ndërgjegje kryeministrit Rama vdekja e saj plake të mjerë. Kjo ngjarje e dhimbshme më kujtoi përmbajtjen e një shkrimi të qytetarit rus Vladimir Garmatjuk nga qyteti Vollogda, të cilin e kishte botuar në internet më 27 korrik 2010. Në atë shkrim ai e cilësonte kryeministrin Putin si mbrojtësin e oligarkëve dhe si kamxhikun e shtresave të varfra të popullit rus.

Para pak ditësh, duke shtegtuar nëpër faqet e internetit, hasa rastësisht në një intervistë, të cilën gazetari i mirënjohur i zërit të Amerikës, zotëria Ilir Ikonomi, ia kishte marrë profesorit të shkencave politike në Universitetin e Nju Jorkut në Manhatan, Grid Rroji. Në njërin nga mjetet e informimit masiv lexova informacionin e mëposhtëm, ku ndoqa edhe videon e intervistës:
“Zëri i Amerikës e komentoi projektligjin e qeverisë për kriminalizimin e shpifjes si tentativë të kryeministrit Edi Rama për t’i mbyllur gojën medias. Duke e komentuar reagimin që shkaktoi kjo nismë ligjore, gazetari i Zërit të Amerikës, Ilir Ikonomi, në një intervistë me doktorantin e shkencave politike në Universitetin e Nju Jorkut në Manhatan, Grid Rrojin, u shpreh:
“Në Shqipëri pati një valë kundërshtimesh të forta ndaj propozimit të kryeministrit për burgim deri në 3 vjet për shpifje apo fyerje ndaj figurave shtetërore. Megjithëse qeveria duket se po tërhiqet, kjo u pa si një masë për t’i mbyllur gojën medias. A është kjo diçka shqetësuese për ju, sepse vërtet kemi parë nga zyrtarët më të lartë arrogancë ndaj gazetarëve, për shembull, kur tentohet të flitet për korrupsionin dhe pasuritë e politikanëve? Pak ditë më parë, ndaj gazetares së Zërit të Amerikës, Ardita Simiçia, pati një reagim të ashpër të kryetarit të kuvendit, Ilir Meta, i cili u pyet gjatë vizitës në SHBA mbi akuzat për korrupsion dhe pasurinë e tij” (Citohet sipas:
““Shpifja”/ Zëri i Amerikës: Rama tentoi t’u mbyllë gojën mediave. Zyrtarët e lartë sillen me arrogancë”. Marrë nga faqja e internetit “Lapsi Lajme”. 13 nëntor 2015).
Gjatë ndjekjes së intervistës, mësova se, siç e përmendi zotëria Ilir Ikonomi, profesori Grid Rroji, pak muaj më parë, kishte botuar librin mjaft interesant me titull “Paria e rrethit të ferrit”. Pasi e ndoqa intervistën deri në fund, u interesova në faqet e internetit për adresën elektronike të profesor Rrojit dhe sapo e gjeta, i nisa një mesazh, ku e falënderova për botimin e librit dhe i shpreha dëshirën për ta blerë. Shumë shpejt, profesor Rroji më ktheu përgjigje me falënderimet përkatëse, duke më dërguar edhe librin në formatin pdf. Librin prej 407 faqesh e lexova me shumë kënaqësi. Në këtë libër, autori ka bërë një analizë të hollësishme të periudhës çerekshekullore, gjatë së cilës Shqipëria është zvarritur dhe vazhdon të zvarritet e zalisur, pa mundur të ngrihet dot kurrë në këmbë, për të marrë formatin e një vendi normal, në të cilin të kishte hapësirë funksionimi i një shteti juridik, ku të gjithë të ishin të barabartë para ligjit. Mjaft citate të shkëputura prej këtij libri, do të ishte interesante sikur të përfytyroheshin të afishuara anës bulevardit qendror të Tiranës, anës bulevardeve të qyteteve kryesore dhe të autostradave të vendit.
Ja disa nga këto citate:
“Kriza ekonomike, dështimi i projektit politik të integrimit, rrënimi moral i shoqërisë dhe mungesa e zgjidhjeve të ofruara nga paria, kanë krijuar një situate, e cila, fatkeqësisht, ngjason shumë me një tenxhere me presion mbi zjarr”.
“Parisë i nevojitet një kulturë kriminale për të justifikuar vjedhjen e pasurisë publike, pasurimin e saj të shpejtë, duke menduar se ky popull kaq e ka takatin. Paria vepron me moton “sipas kokës edhe festen”, sepse nuk e vlerëson popullin shqiptar. Mirëpo, kultura kriminale e parisë nuk prodhon zgjidhje të problemeve, por i shumëfishon ato. Si pasojë, në momentin që qytetarët do të ndërgjegjësohen që paria i ka mashtruar paturpësisht dhe u ka mohuar një të ardhme me nder, rruga që u mbetet është përplasja me parinë”.
“… i ashtuquajturi “model integrues” kufizon ndjeshëm sovranitetin e Shqipërisë, duke rrezikuar qenësinë e shtetit shqiptar. Në një mjedis ndërkombëtar ku mbizotëron modeli i shtetit-komb dhe ku të gjithë aktorët janë në luftë të vazhdueshme për mbijetesë, çdo shtet i varur nga të tjerë është detyrimisht i rrezikuar”.
“Integrimi është një rrenë e madhe, sepse jo vetëm, siç shprehet studiuesi gjerman Jens Bastian, “nuk ka gjasa që BEja të zgjerohet në Ballkan të paktën deri në 2020”, por edhe sepse Shqipëria nuk shihet në Europë si material zgjerimi”.
“Integrimi është një rrenë e bukur, e cila nuk ka asnjë gjasë të ndodhë në dy dhjetëvjeçarët e ardhshëm e më tej, dhe aspak gjasë të na ndihmojë për të kapërcyer krizën e thellë politike dhe shoqërore ku jemi. Sistemi i ndërtuar mbi rrenën e madhe të integrimit është i dështuar, dhe i shërben mbajtjes nën sundim të shqiptarëve me anë të propagandës”.
“Na thuhet se do të marrim miliona euro, një tjetër gënjeshtër e pastër, sepse edhe sikur Europa të na priste me tabaka me euro tek porta, sistemi i vjeljes së këtyre fondeve është në bazë të kapaciteteve aplikuese të strukturave të shtetit, të cilat janë jo vetëm të paafta, por edhe në funksion të sistemit korruptiv që ka instaluar”.
“Mungesa e një force politike serioze, me karakter kombëtarist, është një nga boshllëqet vështirësisht të shpjegueshme që ka krijuar tranzicioni, dhe që duket se nuk do të vazhdojë edhe shumë gjatë”.
[Në emisionin shumë të ndjekur të gazetarit të mirënjohur Rezart Xhaxhiu të datës 21 janar, ndoqa intervistën që ai i mori drejtuesit të lëvizjes “Reago”, zotërisë Leonard Dedej. Në përgjigjet e veta, zotëria Dedej i bëri radiografinë situatës së rëndë ekonomike që mbizotëron në vend dhe demaskoi paq klasën politike shqiptare. Në fund ai deklaroi se, së bashku me miqtë e vet, janë duke përgatitur kushtet për krijimin e një partie të ekstremit të djathtë. Nënkuptohet vetvetiu që varfëria ekstreme që paria pushtetore i ka imponuar shumicës dërrmuese të qytetarëve, do të pjellë domosdo edhe një reagim ekstrem. Prandaj profesori Grid Rroji ka shumë të drejtë kur thotë se kjo situatë nuk do të vazhdojë gjatë. Do ta shikojmë në praktikë se cili do të jetë programi i partisë së zotërisë Dedej, cila do të jetë platforma, mbi të cilën mbështetet programi i saj dhe le të shpresojmë se kjo parti nuk do të përfundojë në një flakë kashte, si puna e partisë së zotërisë Kreshnik Spahiu.]
“…paria e Tiranës e ka frikë më shumë se çdo gjë tjetër kombëtarizmin, sepse ndërtimi i shtetit-komb presupozon vendosjen në plan të parë të interesave kombëtare. Duke qenë se interesat kombëtare nuk përkojnë me interesat e ngushta të pasurimit dhe të shfrytëzimit të popullit nga paria, kjo e fundit gjatë këtyre 23 vjetëve ka bërë ç’është e mundur për ta thelluar grimcimin e shoqërisë…”.
“Kombëtarizmi shqiptar nuk është shpikje e asnjë individi, por një frymë e mbrujtur ndër shekuj”.
“Udhëheqësit politikë shqiptarë të të gjitha palëve janë kriminelë të veshur me kostume, të cilët kush më shumë e kush më pak nuk ngurrojnë t’i lyejnë duart me gjakun e shqiptarëve për të mbërritur objektivat e tyre”.
“… palët kanë krijuar modelin e politikanit hajdut, pa shtyllë kurrizore e në shërbim të klanit përkatës, pa kurrfarë ndjenje shërbimi publik. Ky model nuk ishte i paevitueshëm, por shprehje e vullnetit të qartë të parisë për ta zvetënuar skenën politike dhe për ta sunduar më kollaj popullin”.
“… nëse duam ndryshim të vërtetë, duhet ndryshuar sistemi i vlerave, jo hajdutët”.
“Shqiptarët, kudo që jetojnë nëpër botë, sillen si qytetarë model në shumicën dërrmuese të rasteve, dinë të shfrytëzojnë liritë që u jep demokracia dhe në disa raste kanë arritur të bëhen politikanë të suksesshëm në vendet pritëse. Shumica dërrmuese e tyre nuk vjedhin, nuk vendosin gjoba, nuk kanë lidhje me kriminelë e kartele mafioze. Kjo shumicë punon dhe fiton me gjak dhe djersë, shkollon fëmijët dhe e mban një sy gjithmonë nga atdheu. Kësisoj, problemi nuk janë shqiptarët, por sistemi politik dhe mendësia katundare që na ka imponuar paria”.
“… ne na duhet një shtet i mbështetur tek vlerat që garanton sundimin e ligjit. Çdo zgjidhje tjetër na çon në hulli të pakëndshme e na lë nën thundrën e kësaj parie të zvetënuar, e cila tashmë e ka tejkaluar çdo cak të maskarallëkut. Hapi i parë drejt këtij fillimi të ri është të ruajmë nderin e t’i vemë një kryq të madh votës”.
“Morali i zvetënuar i parisë dhe mungesa e zgjidhjeve për të jetuar me nder në atdhe, ka shkaktuar një zhgënjim masiv, i cili po pasqyrohet tek ikja masive dhe zbrazja e fshatrave nga Jugu në Veri”.
“Opozita sot janë shqiptarët, ata që nuk kanë më shpresë tek paria, ata që po detyrohen ta lenë vendin me turravrap, por edhe ata të rinj e të reja në diasporë, të cilët kanë tashmë përvojë në shtete funksionale, por dhe e ruajnë në shpirt dashurinë për kombin shqiptar. Pra, nga pikëpamja ideologjike, opozita e vërtetë e ka të përcaktuar tashmë rrugën e vetme drejt ringritjes së shqiptarëve. E vetmja zgjidhje është ndërtimi dhe konsolidimi i shtetit- komb”.
“Paria e Tiranës nuk ka më ku dhe si të fshihet. Ajo përbëhet nga palë të kriminalizuara, të cilat kanë vjedhur shqiptarët pa asnjë vrasje ndërgjegjeje, sepse ata nuk e duan popullin e vet”.

Sigurisht që paria e Tiranës nuk e do popullin e vet. Sepse mungesën e respekti ndaj tij ajo e ka trashëgim nga diktatori Enver Hoxha, i cili, së bashku me kastën kriminale të Byrosë Politike, të mbyllur brenda Bllokut famëkeq, nën mbrojtjen e bajonetave të Gardës së Republikës, popullit shqiptar, me terrorin që ushtroi ndaj tij, ia futi frikën në palcë. Kjo frikë, për inerci, po vazhdon të manifestohet edhe në ditët tona, përderisa qytetarët nuk janë në gjendje të vetorganizohen dhe t’i tregojnë vendin mafies politike në pushtet përmes protestave të fuqishme paqësore në mbarë vendin dhe nëpërmjet bojkotimit tërësor të procesit zgjedhor.
Duhet theksuar fakti që Kontrolli i Lartë i Shtetit, me dr. Bujar Leskaj në krye, deri tani ka bërë një punë të shkëlqyer me kontrollet e ushtruara, duke zbuluar dhe duke denoncuar në organet e (pa)drejtësisë abuzime të rënda me fondet publike dhe në dogana. Por, fatkeqësisht, askush nga zyrtarët e lartë, qofshin këta ministra apo deputetë, nuk është vënë para përgjegjësisë penale prej organeve të drejtësisë për grabitjet e rënda të shumave kolosale nga arka e shtetit.
Pra, rezulton se që nga organet qendrore dhe deri te qeveritarët lokalë, është krijuar një mjedis korruptiv që ka kapur për fyti shtetin dhe po varfëron në një mënyrë të pandalshme pjesën dërrmuese të qytetarëve të vendit. Kjo ndodh për arsye se në vendin tonë nuk ka opozitë të vërtetë. Sepse po të kishte, ajo duhej të luante rolin që i takonte në mbrojtje të standardit të jetesës së qytetarëve të vendit. Shkrimtari dhe publicist i njohur amerikan Ambroz Birs (Ambrose Bierce 1842-1914), thotë:
“Opozita në politikë është një parti, e cila nuk e lejon qeverinë të bëjë akte çmendurie, duke ia prerë asaj gilcat e gjurit”.
Gazetarja Ardita Simiçia, siç u përmend më lart, i përcolli kryetarit të Kuvendit informacionet që i shkojnë Radios Zëri i Amerikës nga qytetarë shqiptarë:
“Pyetja e vetme që marrim ekskluzivisht për çdo politikan këtu është: klasa politike shqiptare duhet të largohet, ata po e mbajnë peng këtë vend pasi janë të gjithë të korruptuar”.
Kjo është një e vërtetë tragjike për fatet e vendit tonë. Kjo dëshmon më së miri se klasa politike është bërë si uji i ndenjur dhe ka vite që kutërbon erë të keqe, sepse noton në llumin e krimit ekonomik. Për pasojë, edhe sistemi i (pa)drejtësisë është strukturuar asisoj, që të mbrojë vetëm interesat e kësaj klase politike me moral të degjeneruar. Prandaj të kërkosh kryerjen e reformës në drejtësi prej kësaj klase politike, është njëlloj sikur të kërkosh dardha nga boriga.
Duke pasur parasysh situatën e krijuar, do të ishte fantastike sikur të bëhej një reformë me të vërtetë rrënjësore në drejtësi, e cila do të mund të vinte para përgjegjësisë ligjore të gjitha ata që kanë shkelur rëndë ligjin, pavarësisht nga postet që mbajnë, që kanë grabitur pasurinë kombëtare dhe qytetarët e thjeshtë dhe që kapitalin financiar e kanë depozituar në banka të vendit ose të huaja, me siguri, me emra të tjerë. Por problemi është se ku t’i gjejmë ata prokurorë dhe ata gjykatës, të cilët, jashtë rrezes së ndikimit të politikës, do të mund ta merrnin në dorë situatën e krijuar, në mënyrë që t’i vinin fajtorët në bankën e të akuzuarve dhe kapitalet e grabitura prej tyre, të vendosura me të tjerë emra nëpër banka, duke filluar që nga Shqipëria, nga Zvicra e deri në Qipro apo gjetiu, t’ia kthenin Bankës së Shtetit, çka do të krijonte kushte për rritjen e pensioneve minimale dhe të pagave të ulëta. Jam i bindur se kjo mbetet një ëndërr në diell, por, si qytetarë i Republikës së Shqipërisë, e ndiej për detyrë ta shpreh publikisht. Sepse politika dhe (pa)drejtësia bashkëpunojnë ngushtë me njëra-tjetrën dhe, së bashku, vërtiten në një qerthull kriminal, për të cilin nuk mund të gjendet kurrfarë ilaçi që t’i bëhet dermani. Fakti që organet e (pa)drejtësisë kanë heshtur dhe vazhdojnë të heshtin për abuzimet e rënda që ka denoncuar Kontrolli i Lartë i Shtetit, që nga doganat e deri te tenderat, është dëshmia më kuptimplote e humnerës së thellë që ndanë qytetarët e thjeshtë të vendit nga “bëjlerët” e politikës dhe e kotashpresave (iluzioneve) që mund të ushqejë ndokush se mund të kryhet me të vërtetë ndonjë reformë në (pa)drejtësi. Sepse oligarkët kriminalë të politikës shqiptare kanë ditur si ta bëjnë “tenxheren” e krimit, por, në të njëjtën kohë, ata ia kanë gjetur asaj edhe “vjegën” e duhur. Prandaj them se reforma në drejtësi do të na vërtetojë në praktikë se si do të “mbarset mali” për të “pjellë një mi të ngordhur”.
Është për t’u përshëndetur angazhimi i drejtpërdrejtë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe konkretisht i Departamentit të Shtetit, të cilët, përmes ambasadorit të nderuar Donald Lu, kërkojnë ndëshkimin e krimit ekonomik dhe kryerjen e reformave të thella për pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Por unë mendoj se reforma në (pa)drejtësinë shqiptare mund të kryhet vetëm atëherë, nëse atë e marrin në dorë juristë, prokurorë amerikanë, të cilët, me gjakftohtësinë e tyre profesionale, në bashkëpunim të ngushtë edhe me juristë, prokurorë të pakorruptuar vendës (se duhet shpresuar se të tillë duhet të ketë), do të zbulojnë rrënjët e krimit ekonomik në Shqipëri, duke ia bërë të njohur publikut shqiptar. Sepse vetëm kështu do të mund të shkulet nga themelet mafia politike në pushtet dhe të gjithë fajtorët do të mund të marrin dënimet e merituara për krimet e kryera, që të bëhen shembull për pasardhësit e tyre, në mënyrë që në Shqipëri të hidhen një herë e mirë bazat e shëndosha për funksionimin e një shteti juridik. Sepse juristët dhe prokurorët amerikanë janë rritur, edukuar dhe shkolluar në atdheun e Tomas Xheferseonit (Thomas Jefferson 1743-1826), autorit të Deklaratës së Pavarësisë së vitit 1776, i cili u ka lënë ca fjalë të arta pasardhësve të vet:
“Përkujdesja për jetën dhe lumturinë e njerëzve është e para dhe e vetmja detyrë e ligjshme e një qeverie të mirë”.
Për mendimin tim, vetëm në këtë mënyrë do të mund të bëhet shpëtimi i tretë i Shqipërisë, por këtë herë nga oligarkët e kriminalizuar të politikës shqiptare, të cilët i kanë poshtëruar në një mënyrë të paimagjinueshme qytetarët shqiptarë me varfërinë skandaloze që u kanë imponuar. Sepse vetëm kështu do të krijohen kushte që, nga radhët e brezit të ri, të intelektualëve të përgatitur në Perëndim, dhe sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe të intelektualëve të ndershëm dhe atdhetarë vendës, jo të etur për pushtet personal dhe familjar, të dalin personalitete të spikatura, të cilat, edhe me ndihmën e drejtpërdrejtë të Uashingtonit, do të mund të krijojnë një formacion të ri politik, që të marrë në dorë fatet e vendit dhe ta shpëtojë atë një herë e mirë nga oligarkët e tanishëm kriminalë të politikës shqiptare, duke ndërtuar një shtet-komb. Sepse, në kushtet e tanishme, siç thekson me shumë të drejtë profesori Grid Rroji, “Amerika e Xhorxh Uashingtonit nuk mbështet politikanë që kërkojnë me çdo kusht pushtet personal e familjar, duke rrënuar të ardhmen e kombit të tyre, duke cënuar institucionin e votës apo duke nxitur përmbysje të dhunshme të shtetit. Për rrjedhojë, Amerika nuk mbështet asnjë nga palët” (Grid Rroji. “Paria e rrethit të ferrit. Analiza, vëzhgime, përjetime”. Shtëpia botuese “Onufri”. Tiranë 2015, f. 87).

Filed Under: Analiza Tagged With: Prof. dr. eshref Ymeri, Reforma ne Drejtesi

MANJANI, NJE MINISTER NDRYSHE PER DREJTESINE?!

January 27, 2016 by dgreca

Opiion Nga Skënder S.KAPITI/
Përderisa politika në Shqipëri ka bërë korrupsionin dhe manipulimin me të; ka bërë manipulimin me demokracinë, liritë e të drejtat qytetare; ka bërë manipulimin me patriotizmin; përderisa ka bërë vjedhjen dhe trafikimin e votës: ka bërë kështu krimin elektoral; përderisa politika shqiptare ka përzgjedhur kandidatë me rekorde kriminale për deputetë, për kryebashkiakë dhe për këshilltarë; dhe vetëm këto do të ishin të mjaftueshme për cilësorin kriminal të politikës. Ndërsa, me tradhëti politike kuptohet dhe kihet parasyshë politika që gënjen, mashtron, hipokrizon dhe që premton per të mashtruar sa për të marrë pushtet; tradhëti e politikës është vjedhja dhe abuzimi me pushtetin, pasuritë kombëtare dhe me paranë publike; tradhëti e politikës është kur ajo u mundëson qytetarëve të vet pakënaqësinë nga vuajtjet e streset e pasigurisë për jetën, pasigurisë ekonomike, varfërinë dhe papunësinë duke u imponuar atyre largimin nga Shqipëria siç po ndodh aktualisht edhe sot; kulmi i tradhëtisë është kur politika dëmton imazhin ,dinjitetin dhe interesin kombëtar për interesin e vet personal të politikanëve dhe pushtetarëve. Tradhëtia politike ka si bashkëudhëtarë të pandarë krimin dhe korrupsionin (TKK-ja). Ky trekëndëshi (Tradhëti, Krim, Korrupsion) ose rreth vicioz si të duam le ta marrim, e ka prishur drejtësinë, shoqërinë dhe Shtetin; dhe prishja e drejtësisë, shoqërisë dhe shtetit i vjen atëhere kur nuk funksionon ligji,drejtësia dhe kur mirëfunksionon krimi dhe korrupsioni i pushteteve dhe i sistemit . Prandaj institucionet ndërkombëtare dhe SHBA e BE këmbëngulin për dekriminalizimin e politikës dhe për reformimin e drejtësisë në Shqipëri si Kryereformë parësore, sepse është drejtësia e korruptuar prej korrupsionit të së cilës vjen dhe kriminalizimi i politikës së pandëshkuar nga ligji dhe drejtësia.Mund të bëhet ligji për dekriminalizimin e politikës ,të formalizohet ai, po është drejtësia ajo që kontrollon dhe ndëshkon moszbatimin e ligjeve , dhe prandaj më e rëndësishme është Reforma në Drejtësi së pari si kryereforma më e madhe që duhet bërë.Fatkeqësisht shqiptaret me këtë lloj politike të politikanëve të vet janë përballur pothuajse gjithnjë në çdo formë sistemi politik që ka kaluar shteti shqiptar që nga Pavarësia tij e në vazhdim edhe sot në vitin 2015. Në këtë shkrim unë më së shumti përdor termin konceptual korrupsion pasi korrupsioni ka brënda edhe krimin edhe tradhëtinë dhe gjithçka amorale, e citoj shpesh pasi është fjala më e pëdorur mediatikisht dhe publikisht dhe si fenomeni i ulur këmbëkryq në të gjitha institucionet shtetërore dhe civile, po sidomos në Drejtësi dhe që, po korrupsioni në Drejtësi , sot, përbën kërcënimin më të madh dhe për sovranitetin kombëtar, dhe politika që është vetë në krye të korrupsionit , ajo nuk mund të përjashtojë veten as nga krimi dhe as nga tradhëtia.Që nuk dekriminalizohet politika dhe sidomos që nuk mund të luftohet korrupsioni nga kjo drejtësi dhe me këta gjyqtarë e prokurorë e tha deklarata tronditëse e kreut të misionit EURALIUS nëTiranë me dt. 24 Nëntor 2015 i cili kërkoi shkarkimin në bllok të 400 gjyqtarëve dhe të 400 prokurorëve. Dhe vazhdon më tej të thotë se me këtë sistem drejtësie nuk luftohet korrupsioni. Kjo deklaratë vjen edhe pas atyre të bëra më parë nga ambasadori amerikan, Donald Lu, me 16 Shtator 2015 ku reformën në drejtësi e quan si më të rëndësishmen pas rënies së komunizmit; ambasadorja e BE,Vllahutin e quan reformën në drejtësi si një nga më të mëdhatë në historinë e Shqipërisë; po ashtu dhe ai gjerman Reformën e quan si problemin kryesor në Shqipëri. Dhe të gjithë diplomatët shprehen se reforma bëhet duke ndëshkuar deri dhe duke u vënë prangat gjyqtarëve të korruptuar, pra duke u bërë gjykimin dhe ndëshkimin atyre. Dhe pa reformën në drejtësi nuk ka as ndëshkim për politikanët dhe për politikën e kriminalizuar, as pastrim të saj pasi drejtësia e korruptuar bashkëjeton me politikën dhe me krimin e saj. Pra, pa ndërhyrjen vendimtare të institucioneve ndërkombëtare nuk vetëdekriminalizohet politika dhe nuk vetëdekorruptohet drejtësia. Është inkurajues fakti se tashmë Ministër Drejtësie është z. Ylli Manjani i cili ka reputacionin dhe njihet për përgjegjshmëri dhe korrektësi në zbatimin e ligjit si dhe për ndershmëri e kapacitetin e lartë profesional dhe për guximin intelektual për të ndërmarrë kryerjen e Kryereformës në Shqipëri , në atë të Drejtësisë. Këtu vlen të citojmë dhe deklaratën e tij ca ditë më parë në një takim me regjistruesit e ZRPP ku deklaroi se: “Mos mendoni se unë e kam fytyrën e pastër nëse ZRPP akuzohet. Jo, akuzohem edhe unë bashkë me ju” dhe vazhdon më tej të shprehet se: ”… nuk kemi marrëdhënie pune me njerëz ç’njerëzorë”. Dhe këta ç’njerëzorët janë pra punonjësit e korruptuar të administratës dhe ata 400 prokurorët dhe 400 gjyqtarët që i akuzon Kreu i EURALIUS në Tiranë dy ditë pas deklaratës së Ministrit Manjani, që do të thotë se Ministri për Kryereformën në Drejtësi ka plotësisht si mbështetjen e tërë opinionit të brëndshëm ashtu dhe të atij ndërkombëtar, ku ky i fundit, pra diplomacia demokratike perëndimore me intensitet të lartë në media publikisht ka bërë thirrje për të ndërgjegjsuar si politikën ashtu dhe opinionin për rëndësinë e madhe historiko-kombëtare që ka reformimi i drejtësisë dhe ndërtimi i shtetit ligjor. Eshte për t’u pershendetur fakti se Ministri i Drejtësisë z. Manjani ka pak kohë që ka marrë detyrën dhe ndoshta pse jo është e drejtë të themi se Shqipëria e tranzicionit po shikon për herë të parë një ministër të përgjegjshëm , të interesuar dhe në shërbim të së drejtës ,të ligjit dhe të Shtetit e qytetarit; është e vetmja Ministri sot pothuajse që nuk lëshon dhe nuk kompromentohet me paligjshmërinë dhe me korrupsionin; që përherë të parë seriozisht po kërkon zbatueshmërinë e ligjit , dhe vetë zbatimi i ligjit është në fakt edhe Reforma e Drejtësisë, zbatimi i ligjit që po bën sot Ministria e Drejtësisë po e pastron administratën e kësaj Ministrie nga të inkriminuarit e korrupsionit duke e ndëshkuar paligjshmërinë. Këtë e verteton fakti i pushimit nga puna si dhe dergimi për ndjekje penale të shumë drejtuesve dhe punonjësve të Hipotekave në Shqipëri që kanë bërë vjedhjen , abuzimin dhe korrupsionin institucional me pronat si dhe faktin që kjo Ministri e drejtuar nga z. Manjani e ka marrë me shumë seriozitet dhe po kontribuon shumë sidomos për Reformën e duhur në Drejtësinë shqiptare duke këkuar bashkëpunimin me të gjithë faktorët e brëndshëm politik dhe institucional të brëndshëm si dhe me partnerin tonë strategjik SHBA dhe të BE . Eshtë për tu përshendetur ky fakt pasi dhe opinioni publik për herë të parë në emisionet televizive që i ofrojnë zërit qytetar të drejtën e mendimit të lire ka filluar të shprehet se atij po i kthehet besimi te Drejtësia, kur shohin se së pari ka ndryshuar për nga e mira puna në Ministrinë e Drejtësisë së drejtuar nga z. Manjani, me ndëshkimin e punonjësve të korrupsionit më të madh pas atij të gjyqësorit të cilët kanë 25 vite që kanë bërë baterdinë me pronat shtetërore, publike dhe ato private nëpër ZRPP. Ka 25 vite që shqiptarët nuk kanë parë asnjë dënim të asnjë politikani, qeveritari dhe administratori të lartë apo të vogel të pushtetit dhe asnjë prokuror apo gjyqtarë të korruptuar dhe prandaj besueshmëria e shqiptarëve të drejtësia është 10%, që do të thotë se te drejtësia besojnë vetëm ata që kanë vjedhur , grabitur dhe janë pasuruar me krimin dhe korrupsionin e tyre.

Filed Under: Opinion Tagged With: Manjani, nje minister ndryshe, Skender Kapiti

MALSIA E MADHE, BOROVA E KRIMEVE TË KOMUNIZMIT!

January 27, 2016 by dgreca

Nga Besim NDREGJONI/
Lufta e dyte botërore solli në Shqipëri me pushtimin fashistë element politike që për interesa të tyre në shërbim të planeve djallzore të fqinjeve nxoren një forcë kriminale siç ishte partia komuniste e cila në emer të luftës për çlirim shtriu tentakulat e saja ideologjike staliniste dhe ushtroi barbarizma ndaj popullsisë , ndaj nacionalistëve shqiptarë që nuk pranononin diktatin e urdhëruar nga emisarët serbë malazez ndaj shqiptarëve. Kryengritja antikomuniste nuk ishte një ngjarje e rastesishme , ajo ishte një organizim i menduar e programuar nga nacionalistët dhe antikomunistët e Malësisë së Madhe . Nevoja e këtij organizimi kishte lindur që kur u themelua Partia Komuniste Shqiptare nga armiqt shekullor të malësorëve e shqiptarëve , nga sllavët e jugut ,me të deleguarit e tyre Miladin Popoviç Dushan Mugosha e Velimir Stoiniç. Kryengritja antikomuniste e janarit 1945 ishte vijim i luftës mbrojtëse të organizuar nga nacionalizmi shqiptar ndër mote e shekuj. Ky nacionalizëm kishte në Malësi simbolet e gjalla që njiheshin, nderoheshin e respektoheshin nga Malesia e Madhe e më gjërë. Kryengritja antikomuniste e janarit 1945 e filloi luftën e saj ndaj planeve antishqiptare me trimat e kësaj krahine që ndër shekuj ishte e shquar në mbrotje të truallit kombëtar.. e si do të pranonte Preng Cali mbrojtësi i kufive të Shqiperisë me trimat e maleve Gjekë Selcën e Gjergj Lul Tomën , luanin e kësaj krahine Llesh Marashin, e si mund të ishte i qetë Gjelosh Luli -kushririn i parë i heroit të popullit e trimit legjendar Dedë Gjon Lulit , e shqiptari i njohur për atdhetari Pjeter Zekun Camaj , trimi i urtë Smajl Haxhin , nacionalisti Luketë Marash Grishajn, oficeri i karierës e njohësi i disa gjuhëve të huaja -Gjon Martin Lulatin, trimin si zana Mirot Palokë Kokën , trashigimtarin e bajraktarit trim e të urtë të Vuklit e Kelmendit Kolë Gjon Bajraktarin , Lucë  Gjon Rapuken , trashigimtarin e Çun Mulës -Mul Deli Bajraktarin e Hotit , Dodë Nikollen e Grudës , Pretash Zeken e Kojës , Gjokë Dodë Broqin djalin e bajraktarit famëmadh të Kastratit Dodë Preçit , Pjeter Gjokë Bajraktarin e Shkrelit , Nikollë Preken ,Tom Lekë Daken- nipin e kreshnikut të malesisë Gjeto Daka , Osman Haxhin e Postribës , Kolë Zefin e Grudës e tjer burra trima të trevës trime e atdhetare të Malesisë Madhe planet antikombëtare të serbëve e komunistave shqiptar për të nënshtrua malsorët . Këta trima e lidhën besen me treva të tjera antikomuniste që nga Shkodra , Nëshkodra , Dukagjini ,Mirdita , Lezha e tjer, për të luftuar kundër pushtuesve komunist, që ishin të pa fe , pa atdhe , pa nderë , pa besë e pa burrni. . Data14 janar (1945) është data tragjike që detyroi Kelmendasit të fillojnë rezistencen me pushkë kunder ekspeditave të brigadave komuniste te Ura e Tamarës ,për ta vijuar në Brojë , Nikçë , Vukel , Selcë e në të gjithë Kelmendin.. Janari i vitit 1945 për malsorët trima filloi lufta civile e cila njohi kurorizimin e vete me date 23 janar 1945 ku forcat popullore të kësaj zone u shtri dhe po shkonte drejt Shodrës. Me datën 23 janar 1945 ,do të fillonte lufta e vërtet e kryengritësve në Bajzë, Shkrel e më gjerë. Lulash Cuk Curri i Jeranit dhe Zef Tomë Çekaj nga Bzheta e Shkrelit vriten sëbashku me Gjon Martin Lulati e Mirotë Palokë Kokaj,dhe u plagosë Gjon Nikë Preçetaj..Ndërsa në Kelmend që prej 14 janarit nuk ishte ndalur lufta mbrojtese e trimave kreshnikë kelmendas që mbroheshin heroikisht nga ekspeditat ndëshkimore të barbarëve të kuq me frymzim sllavo-komunist. Qëndresa e antikomunisteve të Kelmendit të udhequr nga Prekë Cali , Gjekë Selca , Gjergj Lul Toma , Kolë Gjon Bajraktari , Lucë  Gjon Rapuka e tjer trima të Kelmendit zgjati më shumë se një muaj ,deri me daten 17 shkurt 1945 , kur Prekë Cali vendosi me u dorzuar në “besë” të të pabeseve për të mos dëmtuar më shumë Kelmendin. Bilanci i kesaj lufte mbrojtese ishte tragjik ,u vranë gjatë kesaj lufte 44 këlmendas dhe 52 partizan komunist. Por kjo luftë nuk mbaroi me kaq pasi vijoj deri sa komunizmi u rrëzua nga pushteti . Deri ateherë në Malesi të Madhe kishin dhënë jetën në luftë kundër komunizmit 182 malësor , si dhe ishin burgosu , internuar, shpronsuar e persekutuar qindra e qindra të tjer.. u vranë nga ata shqiptare që e quanin veten komuniste dhe vritnin malsorët në tokën e tyre në shtëpine e tyre.. Këlmendi kjo zonë atdhetare kombëtare u shëndrua në një shesh tragjedie ku derdhej gjak shqiptari në mes të shqiptarëve.. Borovën në jug e vrau nazizmi që ishte pushtues i huaj, po a nuk u shëndrua dhe Këlmendi në veri një Borove e dytë me vrasje më shumë se në Borovën e jugut nga komunistët shqiptarë që për idealet e sllavokomunizmit bënë në Këlmend barbarizma ndaj malsorëvë që nuk kishin asnjë faj e vriteshin pa faj.. Sot mbas 71 vitesh e themi me plot dinjitet se po të kishin vepruar krahinat e tjera si Malsia e Madhe të bashkuar pa ra pre e ndasisë fati i shqiptarve dhe Shqipërise do të ishte ndryshe. A mund të besojmë se po shkojmë në rrugën e duhur nëse flejmë në harresën e së shkurës?
A duhet të besojmë se ata që nuk kanë guximin të kujtojnë të djeshmen të marrin vendime të guximshme në favor të qytetarve për të nesërmen? Përmes këtyre ngjarjeve madhore historike ne sjellim njëballafaqim të së shkuarës, duke përshkruar lumin e së keqes që përshkruan shqiptarët për vite e vite, por pa shkuar ne vetë në shtratin e urretjes. Këto ngjarje nuk janë romane, por historia tragjike e tyre jep romane të tëra. Në këto histori është njeriu i sulmuar nga bisha e mungesës njerzore. Dhe sot kur kujton për jetët e ketyre burrave e grave që kan mundur ta ruajnë veteveten dhe pse janë fyer , gjakosur , dhunuar poshtëruar, nuk mund të mos ndalesh gjatë , e të besosh se duhet thënë me zë të lartë të vërtetat e Njeriut. Përpara këtyre malsorve shqiptar do të habisnin edhe vetë Danten, siç e thotë në parathanjen e kujtimeve të françeskanit At Zef Pëllumitm njeriut që kaloi gjithë rrathët e “ferrit komunist”e që pati fatin të ishte gjallë, si për të mos lënë në harresë vuatjet eatyre që pati në qeli e jashtë qelive. Përball kësaj heshtje dhe indiference, përball këtij ndërgjegjësimi të pamaftueshëm shoqëror, ne të mbijetuarit e ferrit komunistë a duhet të tërhiqemi para një realiteti të tillë qysh në fillim, a duhet të reagojmë dhe të denojmë këto masakra çnjerzore? Është primare që të përpiqemi me tejkalue, tue zhvesh lakuriq murtajën e terrorit komunist para botës së qyetetnueme, duke fituar simpatinë e botës demokratike , si viktima të pafajshme që refuzon dorzimin pa kusht? Mesazhi i kryengritjes antikomuniste të Malsisë Madhe është: Garancia e besës se nuk do të ketë halmarrje , e na që e provuam terrorin nuk do ta lejojmë! Përndryshe , do të dështojmë në përpjekjen tone me këput zingjirët e dhunës në vendin tone. Angazhimi jonë asht me adoptuar vlerat politikem shpirtnore të perendimit. Nuk duhet të heshtim së publikuar e dokumentuar krimet e komunizmit që helmin ideologjik që e përçojnë ideollogët të ashtuquajtur historian ti ballafaqojmë me të vërtetën që brezi i ri të njohi historinë e krimit komunist e ta denojë atë. Shoqëria ka nevojë për të vërtetën, për moralin e heronjve që u martirizuan për liri. Për besën e fisnikërine e malsorve, e kur ata të njihen me këto vlera morale, atëhere ndërtojmë shtet të së drejtës. Borova në jug u masakrua nga nazizmi, Malsine e Madhe e masakroi komunizmi, drejtsia duhet të denojë si krimet e nazizmit dhe krimet e komunizmit.. Borova dhe Malsia e Madhe, kërkojnë Drejtsi! Neve na takon të bëjmë paqen!

Filed Under: Histori Tagged With: Besim Ndregjoni, BOROVA E KRIMEVE, Malsia e Madhe, të komunizmit

Presidentja Jahjaga, vizitë pune në katër komuna

January 27, 2016 by dgreca

-Kosovë-Zhvillimi, shumë i domosdoshëm/
-Jahjaga: Zhvillimi ekonomik është shumë i domosdoshëm dhe garant i stabilitetit të mëtejmë të Kosovës, kontribuon edhe në proceset integruese/
PRISHTINË, 27 Janar 2016-B.Jashari/ Zhvillimi ekonomik është shumë i domosdoshëm dhe garant i stabilitetit të mëtutjeshëm të Kosovës, kontribuon edhe në proceset integruese, deklaroi sot Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, gjatë vizitave në katër komuna, Fushë Kosovë, Vushtrri, Skenderaj dhe Gllogoc.
Në takimet me kryetarin e Fushës Kosovës, Burim Berisha, atë të Vushtrrisë Bajram Mulaku, nënkryetarin eSkënderajt Fadil Nura dhe kryetarin e Gllogocit Nexhat Demaku, Presidentja Jahjaga u njoftua me problemet me të cilat përballen këto komuna në fushën e zhvillimit ekonomik, përkrahjen e bizneseve vendore dhe në tërheqjen e investimeve të huaja.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane Arian Zeka, dhe kryetari i Odës Ekonomike Gjermane Albert Matoshi, sikur edhe gjatë vizitave në komunat e tjera e shoqëruan edhe sot Presidenten. Në takime me kryetarët e komunave paraqitën problemet me të cilat përballen bizneset që ata përfaqësojnë dhe shtruan idetë për kapërcimin e tyre, në funksion të shtimit të zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të reja të punës.
Presidentja Jahjaha vazhdoi kështu vizitat që po zhvillon gjatë janarit nëpër komunat e Kosovës, në kuadër të nismës së përbashkët me odat ekonomike me qëllim të diskutimit të sfidave të zhvillimit ekonomik, përkrahjes së bizneseve dhe krijimit të lehtësirave për to, me theks të veçantë në tërheqjen e investimeve të huaja.
Në 6 prill 2016 Presidentja Atifete Jahjaga përfundon mandatin, ndërsa sipas Kushtetutës “zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual”. Zgjedhja e Presidentit të Republikës bëhet nga Kuvendi i Kosovës, me votim të fshehtë.

Filed Under: Kronike

“Realitete shqiptaro-britanike” i Mal Berishës promovohet në Ambasadën Britanike në Tiranë

January 27, 2016 by dgreca

TIRANE, 27 Janar- Në mjediset e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, me ftesë dhe nën kujdesin e Ambasadorit Britanik në Tiranë, Nicholas Cannon, u promovua libri i ish-ambasadorit Mal Berisha, “Realitete shqiptaro-britanike”.
Një sallë e mbushur plot, me një audiencë nga më të larmishmet, ndoqi me kureshtje një përmbledhje të ilustruar të librit me projeksion.
Në këtë event, ishin të pranishëm Kryeparlamentari Ilir Meta, Kryetarja e Komisionit të Mardhënieve me Jashtë, Arta Dade, kreu i PD-së, Lulzim Basha, deputeti Pandeli Majko, ambasadori i Izraelit, Boaz Rodkin, ai i OSBE-së, Florjan Raunig dhe zëvendësi i tij Robert Wilton, i Ngarkuari me Punë në Ambasadën e Kosovës në Tiranë, Ramiz Lladrovci si dhe shumë studjues, profesorë etj.
“Realitete Shqiptaro-Britanike”, sjell ashtu si ka qenë kontributin e britanikëve dhe të komunitetit shqiptar në Londër, dhe disa figurave të shquara shqiptare në Londër, dhe miqve të njohur të shqiptarëve atje.
Mal Berisha sapo ka përfunduar mandatin e shërbimit diplomatik , prej 1358 ditësh në Britaninë e Madhe dhe Irlandë. Karrierën në diplomaci ai e nisi në vitin 1992, kur hyri në shërbimin diplomatik të shtetit shqiptar si specialist në Drejtorinë Rajonale në MPJ dhe më pas emërohet konsull në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Stamboll, TurqiNga viti 1995 deri në 1997, Mal Berisha promovohet si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë po në Stamboll. Kurse, në vitin 1998 ai i bashkohet përpjekjeve të pareshtura të shqiptarëve të Amerikës nën emblemën e Ligës Qytetare Shqiptaro – Amerikane dhe Federatës Pan Shqiptare Vatra në Amerikë, për çështjen e Kosovës.
Kjo, i dha mundësinë zoti Berisha, të shprehë pikëpamjet e lobit shqiptar në Amerikë nëpërmjet qendrave televizive amerikane. Në vitin 2000 punësohet nga Kombet e Bashkuara dhe bën pjesë në Misionin e Përkohshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, (UNMIK). Nga viti 2008 merr drejtimin e Drejtorisë Konsullore në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe më vonë atë të Drejtorisë së Përgjithshme Rajonale dhe të Inisiativave, po në këtë Ministri.
Mal Berisha ka botuar një seri librash studimore rreth çështjes shqiptare dhe ka pasur një rol aktiv në median shqiptare lidhur me çështjet e rajonit dhe sidomos të Kosovës.
Në fushën e studimeve dhe të përkthimeve studiuesit Mal Berisha i përkasin: – Herman Bernstain – “Charles Erikson” – Shqiptarët, Lisa mbi truallin Ilir – Shqiptarët, Europianët më të lashtë dhe më të rinj Shpëtimi në Shqipëri- Një qint përqint e hebrenjëve në Shqipëri të shpëtuar nga Holokausti, shkruar nga Harvey Sarner dhe përkthyer nga Mal Berisha./a.g/TIRANE, 27 Janar- Në mjediset e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, me ftesë dhe nën kujdesin e Ambasadorit Britanik në Tiranë, Nicholas Cannon, u promovua libri i ish-ambasadorit Mal Berisha, “Realitete shqiptaro-britanike”.
Një sallë e mbushur plot, me një audiencë nga më të larmishmet, ndoqi me kureshtje një përmbledhje të ilustruar të librit me projeksion.
Në këtë event, ishin të pranishëm Kryeparlamentari Ilir Meta, Kryetarja e Komisionit të Mardhënieve me Jashtë, Arta Dade, kreu i PD-së, Lulzim Basha, deputeti Pandeli Majko, ambasadori i Izraelit, Boaz Rodkin, ai i OSBE-së, Florjan Raunig dhe zëvendësi i tij Robert Wilton, i Ngarkuari me Punë në Ambasadën e Kosovës në Tiranë, Ramiz Lladrovci si dhe shumë studjues, profesorë etj.
“Realitete Shqiptaro-Britanike”, sjell ashtu si ka qenë kontributin e britanikëve dhe të komunitetit shqiptar në Londër, dhe disa figurave të shquara shqiptare në Londër, dhe miqve të njohur të shqiptarëve atje.
Mal Berisha sapo ka përfunduar mandatin e shërbimit diplomatik , prej 1358 ditësh në Britaninë e Madhe dhe Irlandë. Karrierën në diplomaci ai e nisi në vitin 1992, kur hyri në shërbimin diplomatik të shtetit shqiptar si specialist në Drejtorinë Rajonale në MPJ dhe më pas emërohet konsull në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Stamboll, TurqiNga viti 1995 deri në 1997, Mal Berisha promovohet si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë po në Stamboll. Kurse, në vitin 1998 ai i bashkohet përpjekjeve të pareshtura të shqiptarëve të Amerikës nën emblemën e Ligës Qytetare Shqiptaro – Amerikane dhe Federatës Pan Shqiptare Vatra në Amerikë, për çështjen e Kosovës.
Kjo, i dha mundësinë zoti Berisha, të shprehë pikëpamjet e lobit shqiptar në Amerikë nëpërmjet qendrave televizive amerikane. Në vitin 2000 punësohet nga Kombet e Bashkuara dhe bën pjesë në Misionin e Përkohshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, (UNMIK). Nga viti 2008 merr drejtimin e Drejtorisë Konsullore në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe më vonë atë të Drejtorisë së Përgjithshme Rajonale dhe të Inisiativave, po në këtë Ministri.
Mal Berisha ka botuar një seri librash studimore rreth çështjes shqiptare dhe ka pasur një rol aktiv në median shqiptare lidhur me çështjet e rajonit dhe sidomos të Kosovës.
Në fushën e studimeve dhe të përkthimeve studiuesit Mal Berisha i përkasin: – Herman Bernstain – “Charles Erikson” – Shqiptarët, Lisa mbi truallin Ilir – Shqiptarët, Europianët më të lashtë dhe më të rinj Shpëtimi në Shqipëri- Një qint përqint e hebrenjëve në Shqipëri të shpëtuar nga Holokausti, shkruar nga Harvey Sarner dhe përkthyer nga Mal Berisha.

Filed Under: Kulture Tagged With: "REALITETE SHQIPTARO-BRITANIKE", Mal Berisha, ne ambasaden britanike, Promovohet, Tirane

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 87
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT