-Korpusi i Paqes në Kosovë ka nisur programin që nga data 9 shator 2013/
PRISHTINË, 20 Janar 2016/Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti sot në takim vullnetarë të Korpusit amerikan të Paqes në Kosovë, të udhëhequr nga drejtoresha Darlene Grant.
Presidentja Jahjaga e çmoi lart ndihmën dhe kontributin që vullnetarët e Korpusit Amerikan të Paqes po u ofrojnë të gjitha komuniteteve nëpër pjesë të ndryshme të Kosovës. Ajo theksoi rëndësinë e shumëfishte që ka angazhimi i vullnetarëve, ku, përpos ndihmës së drejtpërdrejtë nëpër institucionet vendore, vullnetarët janë ura lidhëse dhe forcojnë marrëdhëniet dhe miqësinë midis popullit të Kosovës dhe popullit amerikan.
Në Kosovë, në gusht 2015 filluan shërbimin për dy vitet e ardhshme 36 vullnetarë amerikanë të Korpusit të Paqes, të grupit të dytë, të cilët kanë përfunduar trajnimin parapërgatitor në komunitete kosovare.
Grupi i parë i Korpusit të Paqes i SHBA-ve kishte 25 vullnetarë, të cilët patën dhanë betimin solemn në gusht 2014, poashtu pas trajnimit parapërgatitor në komunitetet në Kosovë.
Korpusi i Paqes në Kosovë ka nisur programin që nga data 9 shator 2013, kur edhe ështe nënshkruar marrëveshja ndërshtetërore ndërmjet Korpusit të Paqes dhe Republikës së Kosovës.
Korpusi i Paqes pret një marrëdhenie të gjatë dhe të frytshme me popullin dhe qeverinë e Kosovës, grupi i tretë i përbërë nga 40 vullnetarë është paraparë të mbërrij në vitin 2016.
Korpusi i Paqes ka rrënjët në vitin 1960 kur senatori i atëhershëm John F. Kennedy i sfidoi studentët e Universitetit të Michigan-it për t’i shërbyer shtetit të tyre në kauzën e paqes duke jetuar dhe punuar në shtetet në zhvillim.
Nga ky frymëzim u ngrit një agjenci e qeverisë federale e përkushtuar ndaj paqes dhe miqësisë botërore. Tre qëllimet e saja fillestare mbeten të njëjta: T’i ndihmojë popujve të shteteve që janë të interesuara për t’i plotësuar nevojat e tyre për persona të kualifikuar; të ndihmojë në promovimin e të kuptuarit më të mirë të amerikanëve nga ana e popujve që shërbehen; të ndihmojë në promovimin e të kuptuarit më të mirë të popujve tjerë nga ana e amerikanëve./b.j/
Archives for January 2016
DIBRA DHE KONGRESI I LUSHNJËS
Nga Abdurahim Ashiku/
E shkruar dhjetë vjet të shkuara, e përcjellë në një sesion shkencor emigrantësh në Athinë kushtuar Kongresit, e gjykova të vlefshme ta botoj sepse, siç kam theksuar në mbyllje të kumtimit: Kongresi i Lushnjës, është si vera, si vera e kuqe – gjak i shqiptarëve në luftërat për liri e pavarësi, sa më shumë vite të kalojnë aq më shumë vlera merr.
Dhe jo vetëm ai, e tërë historia jonë, histori që na ndjek, na mban gjallë, na bën krenarë edhe pse jemi larg Atdheut…
***
“ Sa herë që luftojshin malësorët tanë në Lanë të Lurës, ngrihesh e fluturonte mbi ta një shqipe e cila tue u rrotullue gërhiste egërshëm me zanin e saj të ashpër dhe sulej drejt frontit të serbëve. Kjo ngjarje e mrekullueshme ndodhëte përditë sa herë bëhej luftë, Tue e pamë malësorët tanë këtë shqipe që fluturonte përmbi krenat e tyne, pa u drashtë as nga plumbat e anmikut as edhe nga zhurma e luftës, përtriheshin me fuqi morale e e quejshin si shenjë ngadhënjimi fluturimin e saj dhe tue brohoritë “ Besa besë, asht dita jonë “ sulmojshin me tërbim mbi armikun, të cilin e shtyjshin, shtypshin dhe e dërmojshin…”
Janë këto shënimet e Ismail Strazimirit, të njeriut që mori pjesë me armë në dorë në tre luftëra, historikisht të mëdha për tërë Shqipërinë e në veçanti për Dibrën:
Të luftës epokale për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë nga pushtimi shekullor osman.
Të luftës për mbrojtjen e kufijve etnikë të shqiptarizmës nga synimet grabitqare të serbëve.
Të Luftës së Madhe Antifashiste Nacional – Çlirimtare të shqiptarëve, luftë e cila e radhiti Shqipërinë në krahun e fituesve të mëdhenj.
Patrioti dibran Ismail Strazimiri ra më 16 nëntor të vitit 1943 në Sllovë, karakollin historik të qëndresës së Eles Isufit, ra heroikisht duke luftuar me armë në dorë kundër pushtuesve gjermanë.
Beteja e Lan Lurës, një karakoll në kalanë natyrore të Sinës e të Çidhnës, kala në të cilën u përkundën djepet e të parëve të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, ishte pjesë e betejës historike shqiptare me rrënjë në Kongresin e Lushnjës.
Atje lindi dhe mori dhenë kënga epokale e Djelmënisë Dibrane :
Drin, o lum i gjanë, Plaku i malësisë
A ke me ia lanë Dibrën Serbisë ?
Kurrë nuk durohet kjo robëni
Dibra e Mojsiut asht Shqipëni
Çohi burra, çohi
Gjithë me besa besë
Për Dibrën luftoni
Me të madhen shpresë
Lurë o vend i naltë, vend i trimënisë !
Aty u banë fjalët, besa e lirisë:
Dibra do shpëtue, vend i Kastriotit
Dibrani lirue, si ka qenë motit
Çohi burra, çohi !
Gjithë me besa besë !
Dhe lirinë festoni
Me të madhen shpresë !
Dibra historike, me lufta valë- valë,
Dera e Kastriotit, gjinit tand ka dalë.
Ke pasur kreshnikë, por ke edhe sot,
Ai për Shqipni, gjakun s’kursen dot.
Kur Lushnja mblidhte në Gjirin e saj burra në zë nga e gjithë Shqipëria, Dibra ishte nën pushtimin serb, Dibra shëronte plagët e luftërave të pandërprera, mblidhte armë dhe thante barutin për beteja të reja.
Konferenca e Londrës e kishte prerë tokën e shenjtë shqiptare sipas anatomisë së prerjes së berrave, vijës kurrizore. Qendra gjeografike shqiptare, Verduni shqiptar në qoftë se do të përmendim pikën baraspeshore të Francës, njërës prej fuqive më të egra shqiptare të kohës, gjendej në anën tjetër të kufirit. Qytetet kryesore në kurrizin tokësor të Shqipërisë, ishin prerë me sëpatën e mendjeve të ndryshkura të krerëve të fuqive të mëdha. Nuk njihet, në asnjë vend të botës, që qytetet, qendrat e krahinave të priten e të lihen në njërën anë të kufirit e fshatrat, trupi i krahinave, të lihej në anën tjetër. Dibra, Prizreni, Gjakova… qytete me histori të përveçme për shqiptarët mbetën nën Serbi, fusha dhe malësia e Dibrës, Prizrenit, Gjakovës…mbetën të gjymtuara nën… Shqipëri.
Një miku im, Myrteza Shehu, familja tetëvetëshe e të cilit në shtator 1913, pas pushkatimit barbar nga serbët të babait të tyre Sheh Hysenit, patriot, shoqërues i Abdyl Frashërit për në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, një ndër udhëheqësit e kryengritjes së madhe popullore dibrane të shtatorit 1913 kundër pushtimit serb dhe ëndrrës së tyre të moçme për të dalë fillimisht në Drin e më tej në Durrës, qe e detyruar të lejë pasuri e katandi dhe të ikte nga qyteti i Dibrës me “rrobat e trupit”, sa herë e takoja më përsëriste refrenin e një poeme të Gjergj Fishtës, poemë të cilën e kishte mësuar në shkollën fillore:
Padrejtësia e Londonit
E la Dibrën jashtë kufinit
S’kemi ndigjue nga asnjeri
Të ketë kufi nëpër vi
Nëpër vi e puren n’puren
Veç ke ti e në Prizeren
U vunë kufijt ven pa ven
Solla paksa, shumë pak, nga klima dibrane që parapriu dhe shoqëroi dhe pasoi Kongresin Historik të Lushnjës.
Dibra ishte nën pushtim. Lugina e Drinit, vargmalet nga Golloborda në Lurë e Arrën të Kukësit përbënin synimin e afërt të Serbisë, tashmë me një pagëzim të ri shovinist, Jugosllavi, kumbarë i së cilës ishte Parisi.
Nga majëmalet e Nëntë Maleve të Dibrës, jugosllavët shihnin detin, shihnin daljen në Durrës dhe Shëngjin, shihnin ëndrrën e tyre të moçme, daljen në Adriatik, ëndërr të cilën do ta shuante pushka dibrane me barutin e thatë që solli Kuvendi i Madh i Lushnjës.
Në këtë Kuvend apo Kongres, siç ka hyrë në histori morën pjesë tre njerëz në zë në botën dibrane të asaj kohe.
Haki Stërmilli, shkrimtari demokrat, autori i romanit më në zë në vitet ’30-të, romanit “Sikur të isha djalë“, në shënimet e tij “Dibra në prak të historisë”, shënime të përfunduara më 3 prill 1940, fatkeqësisht ende në dorëshkrim shkruan:
“ Mu në këtë kohë, kur shqiptari ishte mbushun plot helm dhe vner kundër armiqëve të tij, një tufë patriotësh u mblodhën në Lushnje dhe, tue interpretue vullnetin e popullit, i thirrën botës e i thanë se Shqiptarët do t’a përballojshin me vdekje çdo vendim që mund të nepesh në dam të tanësisë toksore t’Atdheut të tyne dhe se ata nuk premtojshin me ba asnji koçesion mbi kurriz të tyne. Kjo thirrje, që në realitet ishte klithma e zemrave shqiptare të plasuna e të ngufmueme prej dëshprimit, i shtangu anmiqt dhe ua rrudhu guximin, pse para tyne tash kish dalë një mur pengues. Menjiher ranë poshtë thikat e kasapëve, pse Shqiptari i shtrimë për dheu kish hovë dhe ish ngritë në kambë, me fuqi të jashtëzakonëshme.
Ky qe Kongresi i Lushnjës që u hap më 21 Kallnuer 1920 dhe që protestoi kundër traktatit të mfshehtë të Londrës më 1915 dhe kundër kërkesave të padrejta të fqinjve. E rrëzoi qeverin e Durrësit për vepra ilegale e arbitrare të kryeme prej saj, zgjodhi dërgatën Shqiptare për Paris, redaktoi një statut themeltar, zgjodhi anëtarët e Regjencës dhe ata të Senatit. Të gjitha këta vendime u zbatuen menjiherë dhe kabineti i formuem erdh e zu vend në Tiranë…
…Në Kongresin e Lushnjës më 1920 u vunë themelet e Shtetit të lirë Shqiptar…Dibra në këtë Kongres u përfaqësue prej Ramiz Dacit, Dine Maqellarës e Dine Demës…”
Ramiz Daci lindi në qytetin e Dibrës në vitin 1887. Mbasi mbaroi në Stamboll shkollën ushtarake “Ashiret“ vazhdoi karrierën ushtarake me gradën e oficerit. Ishte një ndër përkrahësit e zjarrtë të çështjes shqiptare. Kur u ngrit flamuri i Shqipërisë në Vlorë dhe Shqipëria u shpall e Pavarur, ai ishte aty. Në janar të vitit 1920 ishte një ndër përfaqësuesit e Dibrës në Kongresin e Lushnjës. Ishte deputeti i parë i Dibrës në qeverinë e re shqiptare. Në vitin 1922 u burgos në Peshkopi dhe në rrugë drejt Tiranës, u vra tek Ura e Qytetit të Skënderbeut prej mercenarëve të Ahmet Zogut, asokohe ministër i Brendshëm.
Dine Maqellara lindi në vitin 1875 në Maqellarë. Në vitin 1912, bashkë me disa atdhetarë të tjerë doli maleve të Dibrës për të kërkuar me armë në dorë lirinë e shqiptarëve. Ishte kundërshtar i ashpër i Esat Pashë Toptanit. Ishte pjesëmarrës aktiv në të gjitha kryengritjet kundër pushtimit serb. Në janar 1920 përfaqësoi Dibrën në Kongresin e Lushnjës. Vdiq në vitin 1928.
Delegatët e Dibrës në Kongresin e Lushnjës shkonin me krahë të ngrohtë. Në Dibër, në roje të tokës së të parëve, ata kishin lënë një njeri që populli e quante Arusha e Maleve, në krye të forcave kryengritëse shqiptare në Dibër ishte Gjenerali me Shajak, Eles Isuf Ndreu.
Arrasi, një fshat i vogël në grykëderdhjen e Setës në Drinin e Zi, fshat në Trojet e vjetra të Kastriotëve, do të shndërrohej fill pas Kongresit të Lushnjës, në qendrën e Prefekturës së Drinit, prefekturë e cila shtrihej nga Llanga në kufi me Librazhdin në Has në kufi me Gjakovën. Asokohe Peshkopia ishte nën pushtimin serb. Do të shndërrohej edhe në qendrën e Kuvendit të Arrasit, apo e thënë sipas gojës së popullit, në selinë e “Qeverisë së Arrasit”. Më 13 gusht Kuvendi i Arrasit dha kushtrimin popullor “O liri, o vdekje“. Mbi tremijë dibranë erdhën, me armë në dorë për të përshëndetur “Qeverinë e Arrasit”, për t’u vënë nën komandën e më të madhit luftëtar kundër synimeve serbe ndaj Shqipërisë, gjeneralit të pamposhtur popullor, Eles Isuf Ndreut, i sapo emëruar nga Kuvendi si Komandant i Forcave të Armatosura Dibrane.
“Në mëngjesin e 15 gushtit 1920, shkruan Haki Stërmilli, u ndigjue britma “Besë a Besë“ e Sufë Xhelilit (nipit të Eles Isufit ) dhe krisma e pushkës së tij që u zbraz kundër serbëve të grumbulluem tek Vorret e Shumbatit. Mbasandaj nuk u ndigjue tjetër veçse nji gurgullimë e vrazhdët prej krismës së pushkëve, të mitrolozëve, të topave, të bombave dhe të gjamëve. Menjiherë u çue Elezi dhe u bërtiti trimave që kish aty: Në Luftë!
Të gjithë sulmuen. Mbrenda pesë minutave lufta kish plasë në të katër anët e Dibrës, qysh prej skajeve të Gollobordës e deri në Kala të Dodës, prej vijës së kufirit 1918 e deri në buzë të kufirit 1913.
Në mbramë, kur po perëndonte dielli, kishte perëndue sundimi serb në tanë qarkun e Dibrës…”
Kongresi i Lushnjës i dha Dibrës dhe Dibranëve lëngun e jetës për t’i rrënjosur thellë e më thellë rrënjët në truallin e qëmotshëm të Kastriotëve, i dha barutin e thatë për një fitore të madhe historike. Pas tij e më tej, do të kishim për herë të parë një Shqipëri, ndonëse të cunguar e të prerë mizorisht. Kjo copë shqiptare, me përjashtim të Shën Naumit dhe Vermoshit që Zogu ua dha dhuratë serbëve – jugosllavë, nuk do të nënshtrohej më kurrë, as nga pushtimi fashist dhe nazist dhe as nga synimet e Jugosllavisë së Titos për ta aneksuar atë si republikë të shtatë të Jugosllavisë.
Kongresi i Lushnjës, është si vera, si vera e kuqe – gjak i shqiptarëve në luftërat për liri e pavarësi, sa më shumë vite të kalojnë aq më shumë vlera merr.
Shpresoj që nëpërmjet këndvështrimit nga Dibra të kem sjellë disa vlera, nga vlerat shumë të mëdha ende të panjohura që ai ruan në kujtesë dhe dokumente.
Gjermania, ndër donatorët më të rëndësishëm për Kosovën
-Ministri i Financave Avdullah Hoti priti në takim Sekretarin Shtetëror Parlamentar të Ministrisë për Bashkëpunim Ekonomik të Gjermanisë Hans – Joachim Fuchtel-
PRISHTINË, 20 Janar 2016-B.Jashari/.-Ministri kosova i Financave Avdullah Hoti priti sot në takim Sekretarin Shtetëror Parlamentar të Ministrisë për Bashkëpunim Ekonomik të Republikës Federale të Gjermanisë, Hans – Joachim Fuchtel.
Me këtë rast, ministri Hoti falënderoj Fuchtel për vizitën dhe njëherit u shpreh mirënjohës ndaj Republikës Federale të Gjermanisë për kontributin e vazhdueshëm dhe bashkëpunimin, si një ndër donatorët më të rëndësishëm për Republikën e Kosovës.
Ministri Avdullah Hoti e njoftoi Sekretarin Shtetëror Parlamentar të Ministrisë për Bashkëpunim Ekonomik të Gjermanisë Hans – Joachim Fuchtel për Marrëveshjen Kornizë ndërmjet qeverisë së Republikës së Kosovës dhe qeverisë Federale të Republikës së Gjermanisë, ku negociatat mes të dy ekipeve kanë përfunduar në muajin shtator 2015 dhe drafti është përcjell në BMZ për konfirmim final, para se të fillojmë me ndjekjen e procedurave për autorizim për nënshkrim të saj.
“Qeveria e Republikës së Kosovës e mirëpret nënshkrimin e kësaj marrëveshje me shpresën se nuk do të ketë nevojë që të nënshkruhen Marrëveshjet për Bashkëpunim Teknik dhe Financiar për vitin respektiv, pasi që procedurat të cilat duhet të ndiqen për to janë duke shkaktuar shumë vonesa në implementimin e projekteve. Gjithashtu në takimin e fundit konsultativ në mes të dy qeverive në vitin 2015, jemi pajtuar që konsulta të mbahen në baza dy vjeçare duke filluar nga viti 2017”, ka shtuar ministri Hoti.
Ai tha se, duke pasur parasysh se furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijes paraqet ende problem për qytetarët e Kosovës, financimi i projekteve që do të kontribuonin në përmirësimin e kësaj gjendje është shumë i mirëseardhur.
“Zgjidhja e këtij problemi paraqet gjithashtu një ndër kushtet që duhet të plotësohen për anëtarësim në BE. Qeveria e Gjermanisë e ka mbështetur qeverinë e Kosovës vazhdimisht në këtë sektor përmes investimeve në komponentë të ndryshëm, ku vlen të theksohet kontributi i qeverisë gjermane për Kosovën në projektin e interkoneksionit me Shqipërinë, mbështetja në Termokos, ujë të pijshëm dhe shumë projekte të tjera”, tha ministri kosovar, Hoti.
Ndërsa, sa i përket situatës ekonomike në vend, ministri Hoti theksoi se rritja ekonomike në Republikën e Kosovës është mbi mesataren e rajonit, në vitin 2015 rritja ekonomike ishte rreth 3.8%, kurse në periudhën afat mesme 2016-2018 presim një rritje 4.4%.
“Qeveria e Kosovës për vitin 2016 do të jetë e fokusuar në luftën kundër ekonomisë jo formale e cila po pengon zhvillimin ekonomik të Kosovës, për këtë presim edhe ndihmën e partnerëve tanë”, ka shtruar ministri i Financave Avdullah Hoti.
Lisat e Syrja Beratit
nga Xhevair Lleshi/
Syrja Berati. (Po mbiemri pse Berati? Është biri i Ymer Beratit me famë.) Syrjaun e mbaj mend si nëpër tym, me një trup mesatar, fytyrë-ëmbël, i qeshur, me një dhëmb anësor gri të ndritshëm (mundet të ishte metalik), një palë mustaqe të holla, trupin po të hollë e të zhdërvjellët (qefull), i veshur bukur e me rroba që i shkonin, nuk harronte kurrë të vinte edhe kollaren në ngjyrë kryesisht të kuqe. Unë s’kisha punuar asnjëherë me të, por më rastisi vetëm njëherë të ishim bashkë. Ai erdhi një ditë me diell në «Gropën e Bufit», një fushë e bukur në xhep të kodrës, me një livadh madhështor rrethuar me lisa e lajthi. Unë i bija shkurt për t’u kthyer përmes vreshtave gjigante të Ullinjasit dhe ulesha pak në atë shesh të papërsëritshëm, magjik.
«Tungjatjeta», më përshëndeti.
Edhe unë e përshëndeta, u ngrita në këmbë dhe i zgjata dorën. Edhe ai atë bëri, por me dorën e majtë. Ndenja pak ngaqë u kapa ngushtë. Pse të majtën, mendova. Me siguri do t’ma thotë.
«Më fal», më tha buzagaz e me zë të ulët, «kam një problem me dorën e djathtë dhe e mbaj të fashuar, mos ma merr për të keq. Punë bimësh.» Dhëmbi i tij në ngjyrë kromi a kobalti, s’mund ta dalloja mirë, thyente dritën e diellit drejt syrit tim. «I bie shkurt këtej, profesor?»
«Shumë shkurt dhe më pëlqen. Rrugë e hollë, vetëm sa për mua.» Ai qeshi.
«Ke të drejtë. Rrugët të holla duhen. Por një mendje e hollë duhet edhe më shumë…» E kisha unë radhën për të qeshur.
«Mua më solli rruga, po ty?»
«Po ja, duhet të takoheshim të paktën një herë. Nuk mjafton thjesht një ngjatjetim, as edhe një përkulje e lehtë koke, edhe kur kjo bëhet me mjaft dashamirësi dhe elegancë, duhet ta njohësh tjetrin edhe në bisedë: si e ka zërin, ç’mimikë përplas para teje, si i kafshon fjalët, si qesh dhe si përhumbet…»
«Po më dukesh si poet, doktor.»
«Unë doktor?»
«Po, ti je doktor, si Dëshnica, si Dërrasa. Ata për njerëzit, ti për bimët. Më kanë thënë se i përkëdhel ato dhe të ngjit dora…»
Kësaj radhe qeshi me të madhe, ku shpërtheu si përrua plot gurë e ujë të bollshëm e qeshura.
«Aman, kush ta ka thënë që i përkëdhel bimët?»
«Im atë.»
«Ah, po ta ka thënë ai, ka lezet. Ai, profesor…»
«Ta lëmë këtë profesorin më mirë, sikur s’shkon. Le që jam shumë i ri…»
E vura re se si e vizatoi buzëqeshjen në fytyrë, ku ndriti një hijeshi e rrallë. I shkonte. Doja ta shihja në atë profil, i cili më është ngulitur dhe më vjen para syve sa herë dua të rindërtoj një figurë të tillë, të ngrohtë dhe emblematike. S’mund ta krahasoj atë profil njeriu të zgjuar me asnjë, të paktën në rrethin tim të largët.
«Me që ra fjala, po nuk i përkëdhele dhe po nuk u fole bimëve nuk shkon mirë e gjithë dita.»
«Sot, për shembull, më duket se nuk je në ditë të mirë.» I thashë kështu dhe po ia vëzhgoja lëvizjen e syrit.
«Më pruri Bosinja», tha. Bosinja ishte një pyll i paparë me lisa të mëdhenj. Njerëzia kishin filluar aty-këtu ta prisnin dhe ta bënin lëndë për shtëpi.
«Po e presin», i thashë.
«Mjerisht po e presin.» Rënkoi thellë. «Nuk e kupton askush se ç’hata e madhe është të presësh pyllin me lisa dhe nën Limar pyllin me lajthi. I duan për tokë buke. Tokë buke, pylli? Nuk e kuptoj dot…» Dhe mori frymë thellë. Hoqi pak kapelën dhe fërkoi kokën e shogët me shaminë e dorës, e hekurosur kërc. E palosi me kujdes dhe e futi në xhep.
«Ka ndonjë zgjidhje?»
«Zgjidhje? Po, sigurisht që ka, se për çdo rast është një zgjidhje.»
«Fjalë të njohura. Të ishte kaq e thjeshtë, do ishte rregulluar gjithçka me shkopin magjik…»
«Gjëra pa lidhje, i dashur. Unë të thashë që e di rrugëzgjidhjen. Sepse është ekuacion i thjeshtë. Që të mos dal kundër, sepse e merr me mend ç’do të thotë për mua të dalë kundër, kam bërë propozimin më ideal që mund të bëhet: pylli me urdhër do të pritet, e nëse janë 900 lisa në këtë pyll, nga këta të mbrohen 300 dhe të mbillen 6000 lisa të tjerë. Mos harro që lisi fidanat i çon nën hijen e tij, brenda rrethit rrënjor. Këto lladiga do të mbillen pranë brezave të prerë të kodrave, në brezin e dytë ku fillojnë shkurret (për të mbajtur ajkën e dherave nga shfarrosja) dhe brezi i tretë më lart. Pra, kur t’i vijë radha, ta zëmë pas dy vjetësh të shkuljes së lisave do të jenë bërë fidanët e lisave të rinj dy dhe trevjeçarë. Ta merr mendja se kemi humbur? Ah, po, kemi humbur këtë park të mrekullueshëm, e di! Por urdhrat janë si copa akulli që vijnë e t’i plasin mbi kokë. Urdhri është i verbër. Ndaj dhe unë vij deri këtu të shoh se mos gjej dot ndonjë rrugë tjetër. Më dhemb Bosinja, miku im. Më dhemb dhe po përdor ilaçe që t’ma largojnë disi dhimbjen. U kam thënë, posi, se s’mbaj dot gjë brenda unë. O njerëz, do t’i bini kokës me grushte, por asgjë s’do të gjeni më. Lisi është tjetër jetë…»
«E pëlqej arsyetimin tuaj. Ta them hapur. Por vendimmarrjen nuk e keni ju në dorë. Varet si e ndjek, do të thoni ju, me siguri. Është edhe kjo e vërtetë, por ju s’mund t’u rrini mbi kokë aq lehtë! Ata janë…» Nuk e mbylla fjalinë. E lashë enkas.
«Pa u ndjerë, miku im, pa u kuptuar, gati sikur të jetë fshehurazi. Kam, kam vënë nja dhjetë pleq, jo aq në moshë të thyer, që t’u qepen brigadierëve për të mbjellë lisat e rinj. Kam ardhur të caktoj enkas gjashtëmijë lladiga, të drejta, të rritura, të forta dhe t’i shënoj me bojë të kuqe…»
«Vërtet?»
«Po, s’ka si të mos jetë!»
«E tmerrshme dhe shumë e bukur, doktor!»
Ai sërish e kafshoi cepin e hollë të mustaqes mbi buzë.
«Atëherë, do të jemi të dy. Do t’i gjejmë bashkë. Më pëlqen.»
«Po mirë», tha, «edhe unë e dua një shok. Mëson edhe ti ca nga punët tona. S’dihet, ndonjëherë edhe shkruan për këto farë punësh…»
«Ajo s’dihet doktor. Po qe për të shkruar më duket se ju ia keni bërë mirë majën kalemit…»
Bëri sikur nuk e dëgjoi mirë apo nuk e kuptoi si duhet, por buzën e sipërme paksa të përveshur nuk e uli poshtë. Një bulëz djerse i shndrinte mbi të. M’u bë si margaritar, ku binte rrezja e pjerrët e diellit që thyhej në dhëmbin e tij ndoshta me veshje të kromuar. U ngrit, dhe pas dy-tre hapash u futëm mes lisave. Boja e tij m’u duk plastike dhe mbetej tek fidani i drejtë, i rritur dhe i fortë. Më sqaronte, duke bërë punën se ditën e nesërme do të vinin ata, pleqtë, do t’i shkulnin dhe do t’i shtratifikonin, veshur rrënjët me bajga dhe pleh bagëtie të vesitur. Veç aty i punonte mendja. Nuk ngehej dot. Edhe po t’i flisja dukej sikur do t’i prishej magjia. «Eh, si është jeta», mendoja, «të merr e të flak një ditë këtu në pyll të Bosinjës, sikur të jesh një leckë. Ngjitesh e zbret majën e kodrës çdo ditë për ta gjetur ilaçin e shërimit. Dhe e gjen, vërtet e gjen. Ah, sikur të gjendej, sikur. Nuk e di…»
«Nuk e beson, miku im? Ke për ta parë. Dhe, shiko, nuk kam gjetur pleqtë punëtorë, po ata që janë gjahtarë. Pse? Po ja, u kam thënë se lëndeve të lisit derri i egër nuk iu ndahet. Po u shua Bosinja, ai do t’u vërvitet poshtë misrave. Dhe misri është ku e ku më i mirë se lëndja e lisit. Por, ama, ëmbëlsinë që ka lëndja e lisit, por ti nuk e di, është e jashtëzakonshme. Ke ngrënë ndonjëherë bukë me lëndje lisi? Jo? Eh, ç’paske humbur!»
«Po. Dhe kush ma ka mësuar thua? Ja këta, gjahtarët, se për këto të thajnë piten ata! S’ka burra më të sinqertë dhe më të besës se gjahtarët. Seç kanë edhe një damar poetik. Dëgjoji, dëgjoji si flasin, shtruar, varur zëri në fije të perit, heqin nga një gllënjkë nga plloska me raki ballë kazani dhe rrëfejnë ç’fshehin në zemër. Gjuaj, gjuaj edhe unë. Dal nganjëherë me ta. Nëntëdhjetë e shtatë. Bukur. Nëntëdhjeteshtata është numër i bukur. Më ka pëlqyer edhe e përmbysur. Dikur më pëlqente Nëntëdhjetetreshi, por, ta them açik, ma ka djegur Nëntëdhjetetreshi i Hygoit. Ja, miku im, këto gjëra broçkullis unë, kur dal këtej. Nga s’të vijnë mendimet. Po është edhe fin sulmi i mendimeve. Mendime të egra, mendime të bukura. Ca profile të ashpra dhe më pas s’di as vetë mendimi se ku dergjet… U lodhe duke më dëgjuar?»
«Po më habit, doktor.»
«S’e le këtë të shkretë doktor, ë?»
«Epo, të gjesh kaq ilaçe sa ti, nuk është e lehtë, de!»
«Po më flet si ata pleqtë e mi, të bukurit e dheut.»
«Na i bëre edhe të bukurit e dheut!»
«Të tillë janë. Njëqind e dymbëdhjetë.»
«Nuk ma the pse Nëntëdhjeteshtata është numër i bukur? Se mund të thoshe 96 për shembull, ku janë o dy gjashta, o dy nënta, edhe hahet, po kjo… sikur s’këllitet.»
«Ky është kodi im, or mik. Dhe kodet nuk është mirë të sqarohen. Por do të lutesha të mos këmbëngulje, sepse nuk rezistoj dot. Kështu më ka ndodhur edhe në hetuesi. Ç’nuk më ka parë kurrizi mua, ai e di. E tmerrshme. Por atje, meqë isha arrestuar më nëntë i shtati, thashë me vete që ky bashkim dy numrash do të ketë një kuptim për mua. Dhe me ta ndërtova 97 kode të rinj. Hm. Do ti që edhe shtata dhe nënta më liroi? E bukur, hë? Të pëlqen? Shtatëdhjetenënta. Atë vit që burgoseshin njerëz me lopatë. Thashë se shpëtova. Para se të thosha një fjalë përsërisja me nxitim nëntëdhjeteshtatë fjalë të urta. Do të jem, besoj, njeriu që di më tepër fjalë të urta në botë. Sikur ta dinë këtë sekret, mos o Zot, ma operojnë kokën dhe m’i nxjerrin fjalët e urta së andejmi. Ty, me sa shoh, s’t’u besoka. Po mirë në besën tënde qofshin. Po vendin ku më kanë arrestuar e di? Jo, s’ke nga ta dish! Në mes të urës së Goricës. Aty ku ë…, ku është një gur i përmbysur me numrin Nëntëdhjeteshtatë!» U ndal papritur dhe vuri dorën mbi një lis pak të vetmuar dhe që dukej si i trishtuar. E përkëdheli, i vuri faqen në koren e çarë dhe ofshau. «S’të besohet, por unë, ndonëse e kam kod, më duket se dhe e kam frikë Nëntëdhjeteshtatën. Pikërisht nga ai gur i mallkuar që gjendet nën pllakë, pranë krahut të majtë, sapo bëhet gati të fillojë tatëpjeta e thepisur e urës. Po sikur ky numër të na bëhet rrodhe e të na ndjekë pas? Se dikush para nesh e ka ditur se ç’fat do të ketë për ne ky numër? Kush e di. Kodet e mia të mallkuara. Njëqind e tridhjetë e katër. More vesh, mik?…»
Dikush mund t’i quante hamendje të kota këto fjalë të nëpërdhëmbura. Por tek unë krijuan mijëra asociacione. Duhej të përmbysja diçka. E pashë një lëvore si govatë dhe e ktheva përmbys. Asgjë nuk i shpëtonte Syrja Beratit. E ngriti pak trupin. Rregulloi me sqimë jakën, liroi pak kollaren e kuqe dhe fshiu me shaminë e hekurosur që nxori nga xhepi, djersët e ballit.
«Është e sigurt se nesër do të vijnë pleqtë gjahtarë?»
«Pleqtë, miqtë e mi të mirë, do të vijnë, me siguri matematike. Me ta e gdhij dhe e ngrys. Më pëlqejnë hokat e tyre. Se janë edhe qejflinj, pastaj! I dua, i dua pa masë. Dhe dëgjo, ta them pa kamatë, kur i hyn në zemër një plaku, ta dish se ke hapur nëntëdhjeteshtatë dryna!»
«U pa puna», thashë, «u dashka ndenjur me pleqtë!»
«Eh, e gjete. Gjete kishë të falesh! Po mirë, në mundsh bëji miq. Të shohim. Provoje me njërin. Provoje dhe ke për ta parë. Ti, or mik, as kur të plakesh vetë nuk do rrish dot me pleqtë, more vesh? Dhe e di pse? Se ty të ha dora për të shkruar dhe kur merresh me këtë zeje nuk ke kohë. Bela e madhe kjo. Por, me ç’shoh muhabeti i kripur të pëlqen. I dashke muhabetçinjtë. Kërkon t’i vjedhësh me sa duket. Por kujdes xhepat, se kur të largohesh ka rrezik të dalësh i vjedhur, si rruar qethur. Ja, këtë mendim kam unë, në do që ta dish. Dyqind e katërmbëdhjetë. Nuk mbarohen dot aq lehtë. Zarar i madh edhe numërimi. E dëgjove? Nuk e ngrita zërin kur kalova tek fidani njëqind e nëntëdhjeteshtatë. Edhe pse është aty nëntëdhjeteshtata, ai numër i bashkuar me të tjerë, sikur duket pa vlerë. Se, që ta dish, ka nga ata që ruhen si djalli nga temjani prej nëntëdhjeteshtatës! Dhe… kur ta ndeshësh, vërtet do t’më kujtosh…»
Kur erdhi viti 97, aq marramendës, për fat të keq nuk më erdhi asnjëherë ndërmend Syrja Berati, ky burrë me një barrë mend dhe me një zgjuarsi fenomenale, një njohës aq i madh i zanatit të tij, njeriu që i donte bimët sikur të qenë fëmijë. Vonë, vonë, kur hapa një nga blloqet e shënimeve të viteve të mi, e gjeta ditën e bekuar kur isha me agronomin e madh e të sikterisur aq keq nga komunizmi. Asaj dite kisha mësuar shumë. Perëndia më kishte bekuar që u njoha me të së afërmi, që i preka fjalët e tij, që dëgjova ato që s’i kisha ndeshur e s’do t’i ndeshja më kurrë në jetë. Vërtet ditë e madhe. Kur mbaroi dhe fidani i gjashtëqindtë, dielli po hynte dhe flakërinte perëndimi tej në horizont. Qe lodhur aq shumë.
«Tani do ta lëmë», më tha. Duhet të vij dhjetë ditë rresht për të shënjuar nga gjashtëqind fidanë. Dhe mendo do të vijnë njëzet pleq të marrin nga tridhjetë, t’i marrin t’i shtratifikojnë e t’i mbajnë pastaj me pekul, se ja, erdhi dhe dita për t’i mbjellë. Kam dhënë urdhër që të sheshohen tarracat dhe të hapen gropat në kodrat poshtë. Fillon një punë që vetëm unë e di kur mbaron. Është më e vështirë se të ndërtosh një roman…»
«E mora vesh doktor, por sonte do të jesh nga unë. Me tim atë si i ke pipat?»
«E? S’e ditke? Me tët atë jam trokë. S’më ngjit me të. Se ai njeri do punë kaba, ai more mik është traktor, e ku i hyn në punë penda e qeve atij?»
«Me të qeshur, me të ngjeshur, ë?
«Kështu e more? Nga inati unë vij ore, por s’do jemi rehat as unë e as ai. E di që është njeri i madh, jo nga fuqia vetëm, po edhe nga mendja. Më pëlqen, por nuk shkojmë. Kurse me ty…»
«Hë, ma thuaj.»
«As ty nuk ta them. Dua ta mbyll sqepin tani. Sonte…» dhe m’u afrua ngjitur. «Do rri në dhomën time, kam lënë për të lexuar «Dita, bijë njeriu», jam në vëllimin e dytë. Më tërheq shumë ai libër. Në libër pëlqehen vuajtjet, ç’të bësh…»
U ndamë. I shtrënguam duart fort. Dhe fati i keq nuk na takoi më kurrë. Dhe unë i riprodhova shënimet e mia me skrupulozitet. Por nuk mund të rri pa treguar që ata treqind lisat e Bosinjës ai i shpëtoi. Edhe gjashtëmijë lisat e tjerë i mbolli buzë tarracave. Tek i shihja më vonë më hipte zjarr. Burrë i zoti dhe s’e gjen dot radhë. Dukej sikur kjo punë gjeti derman, por masakra e vërtetë ndodhi pikërisht më Nëntëdhjeteshtatën. U bë batërdia. Nuk mbeti lis pa prerë. U rrafshuan. Oh, Zot i madh! Dhe Bosinjës nuk i thonë më me emrin e vjetër, por «Lisat e Syrja Beratit». Ia kthyen emrin me një turp të dukshëm, u skuqej faqja ende prej atij njeriu… Kurse mua ata lisat e tij kanë për të më dalë në ëndërr dhe, besoj, si mua çdo njeriu tjetër. Pastaj, ndoshta, dikush do të kujtohej e do të shkruante për të, jetën e tij dhe do të mërmëriste duke sjellë ndërmend që pat qenë edhe nxënës i Harri Fullcit. Në shenjë të tij duhet mbjellë të paktën një lis. Tani është dimër. Do t’i them dikujt që duhet të mbjellë një lis mbi kopshtin e vet dhe t’ia vërë emrin me inicialet e atij njeriu të madh.
KOSOVA KUJTON PRESIDENTIN HISTORIK IBRAHIM RUGOVA, BOTA NDEROI PARA 10 VITESH
Në Kujdesin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, organizohet akademi përkujtimore me rastin e 10 vjetorit të shuarjes së Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova. Akademia mbahet në 21 janar në orën 18:00 në Teatrin Kombëtar në Prishtinë./
KOSOVA KUJTON PRESIDENTIN HISTORIK IBRAHIM RUGOVA, BOTA NDEROI PARA 10 VITESH/
-Presidentin historik Ibrahim Rugova, arkitekti i pavarësisë, u shua para 10 vitesh, në 21 janar 2006, duke lënë me veprën e tij jetësore gjithmonë ndezur dritën e të ardhmes për Kosovën shtet euroatlantik/
-Në 16 janar 2006, Presidenti Ibrahim Rugova priti kardinalin e Venedikut, Anxhelo Skola dhe shefin e Zyrës Amerikane në Prishtinë, Filip Goldberg. Këto ishin takimet e fundit që Presidenti Rugova ka zhvilluar me diplomatë/
-Presidenti historik Rugova në intervistën që kam zhvilluar për gazetën Rilindja në fundvitin 2002: Gjithësesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës…Për himnin, do përkujtuar se është ajo kënga e dashur e 1912-tës, që e kanë kënduar të gjithë shqiptarët./
-Personalite të larta nga e gjithë bota, sa herë që vijnë në Kosovë kujtojnë me vlerësimet më ta larta Presidentin historik Rugova. Çka kanë thënë presidenti amerikan Clinton e kryeministri britanik Blair për kristalet e Rugovës dhe “besën” e dhënë për të ndihmuar Kosovën/
Nga korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI, Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 20 Janar 2016/ Kosova kujton Presidentin historik Ibrahim Rugova, arkitektin e pavarësisë, i cili u shua para 10 vitesh, në 21 janar 2006, duke lënë me veprën e tij jetësore gjithmonë ndezur dritën e të ardhmes për Kosovën shtet euroatlantik.
Më shumë se gjysëm milioni njerëz u mblodhën në Prishtinë, gjithë bota nderoi në përcjelljen e fundit për Presidentin historik të Pavarësisë së Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili prehet në amshim në lagjen Velania te Bregu i Diellit, në Prishtinë.
Nën patronazhin Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, organizohet akademi përkujtimore me rastin e 10 vjetorit të shuarjes së Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova. Akademia mbahet në 21 janar në orën 18:00 në Teatrin Kombëtar në Prishtinë.
“Presidenti Ibrahim Rugova ndërroi jetë”, bënte të ditur Presidenca e Kosovës në komunikatën e dërguar para 10 viteve, në 21 janar 2006, në mesditë.
“Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, prijësi i Kosovës në vitet e mëdha të procesit për pavarësi të vendit tonë, ndërroi jetë sot (e shtunë) në ora 11:38.
Presidenti Rugova ndërroi jetë në shtëpinë e vet në Prishtinë, duke pasur përreth familjen e tij, mjekun personal me stafin ndihmës nga vendi, si dhe mjekë amerikanë.
Presidenti Rugova vuante nga kanceri në mushkëri, me të cilin ishte diagnostifikuar në fund të gushtit të vitit 2005.
Ai ndërroi sot jetë në fazën terminale të sëmundjes primare, pasi luftoi këtë sëmundje gjithë këta muaj me guxim të pashoq dhe moral të lartë. Opinioni do të njoftohet me kohë për detajet që lidhen me nderimet e fundit që do t’i bëhen Presidentit Rugova”, thuhej në komunikatën e Presidencës së Kosovës.
Në ndërkohë, zëdhënësi i Presidentit, Muhamet Hamiti, u kishte deklaruar medieve ndërkombëtare: “Rugova e zhvilloi betejën e vet me kancerin me dinjitet dhe guxim të madh deri në frymën e fundit”.
21-25 janar 2006 – Këshilli i Varrimit, i udhëhequr nga kryetari i Kuvendit, Nexhat Daci, në të cilin marrin pjesë figura eminente vendore por edhe autoritetet më të larta ndërkombëtare në Kosovë, cakton fillimisht 5 ditë zie, për të vendosur në fund që për Presidentin Rugova Kosova do të mbante 15 ditë zie – deri më 6 shkurt. Bëhen përgatitjet e plota për ceremonitë mortore të Presidentit Rugova. Qindra mijëra njerëz, simbas vlerësimeve të mediave të huaja mbi një milion, me gjithë motin e ftohtë me temperatura deri në -18 gradë celsius që mbretërojnë në Kosovë, i bëjnë nderime Presidentit të ndjerë, trupi i të cilit ishte sjellë për homazhe në hollin e Kuvendit të Kosovës.
26 janar 2006– Rreth një gjysmë milioni njerëz marrin pjesë në funeralin e Presidentit Rugova, i cili pasditen me acar varroset në Varrezat e Dëshmorëve në Velani. Rugova varroset me nderimet më të larta shtetërore e ushtarake, që janë quajtur “ceremoni kombëtare”. Mbi 50 delegacione nga vende të ndryshme të botës, udhëhequr edhe nga delegacione presidenciale, marrin pjesë në shërbesat përkujtimore. Arkivoli me trupin e Presidentit Rugova, mbështjellë me Flamurin e tij propozuar për Flamur shtetëror të Kosovës, bartet në “Shtratin e Topit” nga formacione të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, që kryen ceremonitë ushtarake të një funerali shtetëror, gjatë kortezhit që niset nga ndërtesa e Kuvendit të Kosovës, për të kaluar, nëpër Rrugën Nëna Tereze, rrugës kah Fakulteti i Filologjisë dhe Instituti Albanologjik, ku kishte studiuar e punuar Rugova, përpjetë drejt sallës “1 Tetori”. Fjalë përkujtimore në ceremoninë qendrore mbajnë PSSP Soren Jessen-Petersen, kryetari i Kuvendit, Nexhat Daci, kryeministri Bajram Kosumi, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Havier Solana, anëtari i kabinetit të Presidentit amerikan Bush, Xhekson, dhe nënkryetari i LDK-së, Kolë Berisha.
Rreth orës 14.35 minuta kortezhi funebër, pasi kalon nëpër rrugën Agim Ramadani, dhe rrugës përpjetë drejt Varrezave të Dëshmorëve, mbërriti në vendin ku do të pushojë përgjithnjë – në Varrezat e Dëshmorëve në Velani, jo shumë larg nga rezidenca ku kaloi 12-13 vjetët e fundit të jetës. Trupi i Presidentit Rugova u lëshua në tokën e Kosovë pak minuta më vonë, para orës 15:00. Varri i Presidentit Rugova, mbuluar me pllakë të bardhë mermeri, ruan me shkronja të arit shënimet elementare: Ibrahim Rugova, 1944-2006.
I gjithë funerali i Presidentit – nga ora 09:00 e mëngjesit – transmetohet drejtpërdrejt në të tri televizionet me shtrirje kombëtare në Kosovë – RTK, RTV21 dhe KTV, por edhe nga stacione televizive nga Shqipëria. Ndërsa, disa televizione të huaja kohë pas kohe kyçen në transmetim të drejtpërdrejtë.
Më pak se një muaj para se të kaloi në amshim njeriu që bëri epokë, Presidenti historik Rugova – Presidenti i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në ditën e përvjetorit të themelimit të LDK-së, partisë-lëvizje, që e udhëhiqte që nga fillimi, më 23 dhjetor 2005, regjistrova fjalët-mesazhin e tij, si një amanet, në rezidencën në lagjen Velania të Prishtinës.
“Objektivi kryesor është pavarësia e Kosovës. Do të punojmë në të gjitha segmentet që të jetë një pavarësi e qëndrueshme, që do t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve të Kosovës, në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, theksonte Presidenti Rugova në atë takim të fundvitit të tij të fundit.
Në vitin 2006, në 6 janar Presidenti Ibrahim Rugova merr urime nga Presidenti amerikan Bush dhe kryeministri britanik Bler për festat e fundvitit.
Në, 11 janar, pas një sulmi në zemër, vdes në moshën 68 vjeçare Imzot Mark Sopi, ipeshkëv i Ipeshkvisë së Kosovës. Presidenti Rugova shpall ditën e shtunë, 14 janar 2006, ditën e varrimit të Imzot Sopit, “ditë zie në tërë territorin e Kosovës”.
Në 16 janar 2006, Presidenti Ibrahim Rugova priti kardinalin e Venedikut, Anxhelo Skola dhe shefin e Zyrës Amerikane në Prishtinë, Filip Goldberg. Këto ishin takimet e fundit që Presidenti Rugova kishte zhvilluar me diplomatë të huaj para se të ndërronte jetë.
“Presidenti Rugova pret në takime të veçanta Kardinalin Scola, shefin e Misionit Amerikan në Kosovë”, bënte të ditur komunikata nga ato takime të fundit, e dërguar nga Presidenca e Kosovës, në të cilën thuhej:
“Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ka pritur sot (e hënë) në një takim Kardinalin Angelo Scola (Anxhelo Skola), Patriark i Venedikut, i cili ka ardhur në Kosovë për ceremonitë mortore të imzot Mark Sopit, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovë, i cili ndërroi jetë javën e kaluar.
Kardinali Scola çmoi filozofinë politike dhe vlerat që përfaqëson Presidenti Rugova, duke uruar që Presidenti të përballojë tani edhe sfidën e shëndetit dhe të arritjes së statusit përfundimtar të Kosovës.
Presidenti Rugova vlerësoi kontributin e Imzot Mark Sopit për Kosovën.
Presidenti i Kosovës theksoi se tani që jemi në prag të zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës, pavarësia dhe sovraniteti i plotë janë zgjidhje që siguron paqe e stabilitet në vendin tonë dhe në këtë pjesë të Evropës.
Po sot, Presidenti Ibrahim Rugova ka pritur në një takim të veçantë edhe shefin e Misionit Amerikan në Kosovë, z. Philip Goldberg, me të cilin zhvilloi një bisedë për çështjet aktuale në vendin tonë”.
Që para më shumë se dy dekadave, Rugova hapur përcaktonte pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallte idenë për shtet. “I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, ka thënë shumë prerë Ibrahim Rugova në 6 tetor 2005, në takimin e parë me Grupin Negociator, formimi i të cilit ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjitjhshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.
Të zhvilluara kështu të ndërmjetësuara e garantuara ndërkombëtarisht bisedimet për statusin – pavarësinë e Kosovës, Presidenti Ibrahim Rugova i parashikonte e kërkonte në intervisten ekskluzive, të parën të Presidentit të parë të Kosovës dhënë Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH), të cilën e zhvillova në shtator 1994.
Presidenti Rugova theksonte se, “ne kemi kërkuar një mbrojtje për Kosovën para një viti e gjysmë, një protektorat ndërkombëtar civil, një administratë civile, që do të vendosej për një kohë në Kosovë, që të normalizohet jeta, mandej të bisedohet me serbët për ardhmërinë e Kosovës”.
Bisedimet shqiptaro-serbe duhet të zhvillohen gjithsesi në prani të një pale të tretë të autorizuar, që do të garantonte edhe dialogun edhe rezultatet e dialogut dhe që natyrisht do ta udhëhiqte atë, theksonte Presidenti Rugova, dhe shtonte se, kjo palë e tretë duhej të gjendej nga SHBA-të, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
“Zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale…”, theksonte e ritheksonte Presidenti historik, Ibrahim Rugova, Referendumin për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur të 26 deri 30 shtatorit 1991 e vlerësonte “një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë”, fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”…Me Presidentin Rugova bisedonim gjatë ditën e enjte të 22 shtatorit 1994, në zyrën e tij, në Prishtinë, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës.
“Kur Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur kjo shtëpi do jetë muze”, thoshte Presidenti Rugova në vitet e rënda të nëtëdhjeta të okupimit në shtëpinë e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës të shndërruar në seli të institucioneve të Republikës së shpallur.
“Kjo shtëpi është shtëpi e Pavarësisë së Kosovës, shtëpi e lirisë, shtëpi e demokracisë, shtëpi e rezistencës së gjithanshme të popullit të Kosovës”, thoshte Rugova duke e përuruar muzeun më të ri të kryeqytetit të vendit, në dhjetor 2002.
Më pak se një muaj para përurimit të Shtëpisë së Pavarësisë, Presidenti Rugova në Festën e Flamurit e të 90 vjetorit të Pavarësisë Shqiptare kishte dalë me propozimin për simbolet shtetërore, për Flamurin dhe për Himnin Shtetëror të Kosovës.
“Gjithsesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës”, thoshte ai në një intervistë poashtu ekskluzive që zhvillova në fundvitin 2002 për gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja.
Mes pyetjeve që i bëra Presidentit Rugova, në bashkëbisedim, iu drejtova: “Kosova po bëhet edhe me simbolet shtetërore. Në Festën e Flamurit e të 90 vjetorit të Pavarësisë Shqiptare dolët me propozimin për Flamurin dhe për Himnin Shtetëror të Kosovës. Para pak ditësh, në 13 vjetorin e LDK-së, partisë që e udhëheqni Ju që nga fillimi si një lëvizje për liri, pavarësi e demokraci, përuruat edhe një monument, një shenjë shtetërore – Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës. Ju lutem të na flisni edhe për këto momente të rëndësishme në rrugën e bërjes së Kosovës shtet”.
Presidenti Rugova u përgjegj: “Gjithësesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës. Siç e dini, flamurin qe sa vite unë e përdor edhe si stemë të Presidentit të Kosovës, pra si emblemë, edhe në komunikime ndërkombëtare zyrtare, po edhe të brendshme. Edhe flamurin shtetëror duhet ta kemi, flamur që shpreh specifikën e Kosovës. Tani shenjat kombëtare i përdor Shqipëria si shtet aktual.
Për himnin, do përkujtuar se është ajo kënga e dashur e 1912-tës, që e kanë kënduar të gjithë shqiptarët. Natyrisht do të ketë përpunim artistik, po them standarde artistike, po edhe standarde shtetërore. Për këto do të ndiqen procedurat, pra në konsultim me institucionet e Kosovës, me Parlamentin, me Qeverinë. Po edhe njerëzit le të diskutojnë, le t’i thonë hapur mendimet e veta. Por, besoj se shumica në Kosovë – e popullit, e intelegjencies, e klasës politike – janë dakord që të kemi simbolet tona. E kam marrë këtë si një inisiativë të Presidentit. Është në detyrën time t’i eci këto punë dhe besoj se së shpejti do të kryhen. Në këtë vazhdë ishte edhe përurimi i Shtëpisë së Pavarsisë. Dëshiruam të lëmë një monument, një traditë, atje ku janë krijuar institucionet e para të Republikës së Kosovës. Do të ketë një kompleks të Pavarësisë aty, që do të ketë objekte përcjellëse, ndërsa po ajo shtëpi nismëtare do të ruhet dhe do të ketë edhe karakter muzeal, po edhe aktiv. Do ta mbajmë gjallë atë kompleks. Pra, të krijojmë edhe një traditë. Ne kemi një traditë me Shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit, pastaj në Shqipëri është Shtëpa e Pavarësisë në Vlorë, edhe këtu tash Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, që ka simbolikën e vet. Kemi edhe një shenjë të veprimit, sepse të gjithë, i gjithë populli i Kosovës, kemi kaluar nëpër atë shtëpi që ka qenë një shtëpi e shpresës, e pavarësisë, e lirisë dhe e demokracisë”.
Flamuri i Dardanisë, i dizajnuar sipas idesë së Presidentit historik Rugova dhe Flamuri Kombëtar Shqiptar janë të vendosur përjetshëm në të dy anët e Flamurit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Shtëpinë e Pavarësisë me emrin e Ibrahim Rugovës.
E teksti i këngës “Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë”, e cila nga Presidenti historik i Kosovës Rugova është propozuar Himn i Kosovës është ky:
KUR KA RA KUSHTRIMI N’KOSOVË
Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë
Kur ka ra ushtrimi n’Kosovë
Janë bashku’qytete, katunde
Dhe bjeshkët me malësorë
Janë bashku’qytete, katunde
Dhe bjeshkët me malësorë
Mirë luftojkan Pejë e Gjakovë
Mirë luftojkan Pejë e Gjakovë
Mirë luftoi Prizreni, Prishtina e Llapi me Rugovë
Mirë luftoi Prizreni, Drenica e Llapi me Rugovë
Ç’na u mbush kjo tokë me dëshmorë
Ç’na u mbush kjo tokë me dëshmorë
Të na rrnojë e jona Kosovë, të na rrnojë o përgjithmonë
Të na rrnojë e jona Kosovë, të na rrnojë o përgjithmonë
I lindur në 2 dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut, Rugova, më 23 dhjetor 1989 u bë themeluesi dhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosvës (LDK), e cila më shumë se parti lindi si lëvizje gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci.
Më 24 maj 1992, pas deklarimit të popullit të Kosovës në referendum për pavarësi një vit më parë, Rugova në zgjedhjet e para nacionale parlamentare e presidenciale u zgjodh President i Republikës së Kosovës, e cila ishte shpallur në vitin 1990, por nuk ishte njohur ndërkombëtarisht.
Si gjithmonë, edhe më 4 mars 2002, duke u inauguruar në Parlamentin e Kosovës president i pas zgjedhjeve të para nacionale të pasluftës – në liri, Rugova theksonte: “Çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?”.
PRESIDENTI AMERIKAN CLINTON E KRYEMINISTRI BRITANIK BLAIR: PËR KRISTALET E RUGOVËS DHE “BESËN” E DHËNË PËR TË NDIHMUAR KOSOVËN
Personalite të larta nga e gjithë bota, sa herë që vijnë në Kosovë kujtojnë me vlerësimet më ta larta Presidentin historik Rugova.
Presidenti amerikan Bill Clinton, në 1 nëntor 2009, në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës, por edhe në sheshin me emrin e shtatoren e tij në Prishtinë, ka përkujtuar Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova dhe një gurë kristali të cilin ai ia kishte dhuruar.
“Ai gurë kristal të cilin ma dha Rugova i është dhuruar një universiteti, por për një kohë ai ishte i njohur edhe në SHBA me emrin ‘Guri i Rugovës’”, ka thënë Presidenti amerikan Clinton.
Ai ka treguar se është rritur në një vend që ka gjeologji të ngjashme me Kosovën, në Arkanzas. “Atëherë, ai (Rugova), më tha se duhet të na ndihmosh”, ka përkujtuar ish-Presidenti i SHBA-ve Bill Clinton.
Në vitin 1998, Tony Blair, atëherë Kryeministër i Britanisë së Madhe, ia kishte dhënë “besën” Ibrahim Rugovës, Presidentit historik të Kosovës, se do të ndihmonte.
Këtë e tregoi vetë Blair në Prishtinë në 9 korrik 2010, në fjalimin e tij në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës:
“Më kujtohet fundi i vitit 1998, vizita në Doëning Street e Ibrahim Rugovës. Ai ishte një burrë i qetë dhe modest. Ai më dha një dhuratë të vogël të kristalit të purpurtë dhe të bardhë. E mbajta gjatë tërë qëndrimit tim në Doëning Street mbi tavolinën time. Tash ajo ndodhet në shtëpinë time mbi kaminë.
Ai (Rugova) më tregoi të vërtetën për Kosovën. Orvatjet e popullit të saj, nevojën që bota të dëgjojë, detyrën e botës për të vepruar. Ai nuk bërtiste, nuk e shfaqte gjendjen me slogane ose gjeste ekstravagante. Ai fliste butë por me një sinqeritet mbresëlënës. Përderisa largohej, më tha: ‘Ju lutem, po ju kërkoj vetëm një gjë: mos lejoni që populli im të vuajë më. Ndjeni për të siç ndjeni për popullin tuaj. Dhe ndihmoni’.
I thashë se Britania do të ndihmonte. Ia dhashë ‘besën’ time. Detyrimin tim. Dhe e mbajta. Sot kujtoj Ibrahim Rugovën dhe shpreh respektin tim për lidershipin, vendosmërinë dhe urtësinë e tij”.
Duartrokitjet frenetike në Kuvend pas këtij tregimi shprehën edhe një herë fuqishëm falënderimin dhe mirënjohjen e përjtëshme për Kryeministrin e Britanisë së Madhe në kohën e luftës në Kosovë, Tony Blair, njeriun që bashkë me Presidentin amerikan Bill Clinton kishin vendosur të lëviznin NATO-n për Kosovën.
Në 24 mars 1999 ishte mbrëmja e ditës që i hapi shteg lirisë së Kosovës, ndërhyrjes shpëtimtare së NATO-s, forcës më të madhe planetare, kundër terrorit e gjenocidit. Ishte një ndërhyrje që pritej pasi Konferenca e parë ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje, Francë, që kishte nisur në 6 shkurt 1999 kishte përfunduar, nga mesi i marsit, me refuzim nga delegacioni i Beogradit të marrëveshjes së pranuar nga delegacioni kosovar.
Në terrin e natës dhe të okupimit të egër, drita e shpërthimeve nga goditjet e aviacionit të NATO-s nga qielli shihej si një shpresë e besim për të ardhmen e ëndërrave për lirinë e paqen derisa në Kosovë kishte marrë përmasa gjenocidi terrori i spastrimit etnik kundër shqiptarëve.
- « Previous Page
- 1
- …
- 30
- 31
- 32
- 33
- 34
- …
- 87
- Next Page »