• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2016

“Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit” britanikut Sir Noel Malcolm

May 20, 2016 by dgreca

-President Thaçi honors Sir Noel Malcolm with the presidential “Gold Medal of the League of Prizren” /

-“Me përgjegjësinë shtetërore si president i vendit, kam kënaqësinë që t’i dorëzojë në shenjë kontributi për të vërtetën e Kosovës dhe shqiptarëve, Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit”, tha presidenti Thaçi/

-“Në qoftë se kam ndihmuar pak kur kam shkruar për të vërtetën historike të Kosovës, jam shumë i lumtur, sepse është shumë e rëndësishme që bota të mund të kuptojë mirë historinë e Kosovës në situatën e sotme edhe për të zhvilluar të ardhmen e Kosovës për të gjithë kosovarët”, tha historiani Sir Noel Malcolm/

PRISHTINË, 20 Maj 2016-B.Jashari/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot shkrimtarin, historianin, poliglotin, gazetarin dhe akademikun e njohur britanik, Sir Noel Malcolm, analist i çështjeve të Ballkanit dhe autor i librave të shumtë për historinë e shqiptarëve, i cili së fundmi promovoi në Prishtinë edhe librin “Agjentë perandorakë” në gjuhën shqipe.

Presidenti i Kosovës nderoi historianin Sir Noel Malcolm me dekoratën ”Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit”.

“Me përgjegjësinë shtetërore si president i vendit, kam kënaqësinë që t’i dorëzojë në shenjë kontributi për të vërtetën e Kosovës dhe shqiptarëve, Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit”, tha presidenti Thaçi.

Për historianin Sir Noel Malcolm, presidenti Thaçi tha se ka thënë një të vërtetë të munguar për shqiptarët, ka thënë të vërteta të shumta edhe për popujt e tjerë të rajonit tonë, me librat edhe për Bosnjën gjatë periudhës së luftës në Bosnjë, por mrekullia e së vërtetës për Kosovën është se ka thënë të vërtetën për Kosovën edhe para se të shpërthente lufta në Kosovë.

“Libri juaj i së vërtetës për Kosovën ishte libri i shpërthimit dhe ndërgjegjësimit të diplomacisë botërore për Kosovën, por dhe i ndikimit në kuptimin pozitiv të vendimmarrjeve të diplomacisë botërore për Kosovën”, tha presidenti Thaçi.

Ndërsa, Sir Noel Malcolm, pasi falënderoi presidentin Thaçi për dekoratën “Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit”, tha se është vetëm historian dhe nuk merret me politikë, por beson se për çdo vend, për të ardhmen e një populli, janë shumë të rëndësishme faktet dhe e vërteta historike.

“Në qoftë se kam ndihmuar pak kur kam shkruar për të vërtetën historike të Kosovës, jam shumë i lumtur, sepse është shumë e rëndësishme që bota të mund të kuptojë mirë historinë e Kosovës në situatën e sotme edhe për të zhvilluar të ardhmen e Kosovës për të gjithë kosovarët”, tha historiani Sir Noel Malcolm.

Dekorata “Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit” u jepet qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe atyre të huaj, si dhe personaliteteve të botës shqiptare që kontribuojnë për mirëkuptim mes shqiptarëve dhe kombeve të tjera në të gjitha fushat e jetës në frymën e lidhjes.

President Thaçi honors Sir Noel Malcolm with the presidential “Gold Medal of the League of Prizren” 

Prishtina, 20 May 2016 – The President of the Republic of Kosovo, Hashim Thaçi met today with the renowned British historian, polyglot, journalist and academician Sir Noel Malcolm, expert on Balkan affairs and author of numerous books on the history of Albanians, who also recently promoted, in Prishtina, the Albanian edition of his book “Agents of Empire”.

 The head of state honored Sir Noel Malcolm with the presidential “Gold Medal of the League of Prizren”.

“With state responsibility as president of the country, I am pleased to award the Gold Medal of the League of Prizren to Sir Noel Malcolm for his contribution to the truth regarding the history of Kosovo and Albanians”, President Thaçi said.

President Thaçi said that Sir Noel Malcolm offers a missing truth about Albanians, but also on other nations of our region, with books on Bosnia as well during the war in this country, stressing that the miracle of the truth about Kosovo lies in the fact that he has told the truth on Kosovo even before the war broke out in our country.

“Your book on truth about Kosovo was a book that contributed to the awareness raising of the world diplomacy vis-à-vis Kosovo, but it also had a positive impact in terms of decision-making of world diplomacy on Kosovo”, President Thaçi said.

On the other hand, Sir Noel Malcolm, after having thanked President Thaçi for the “Gold Medal of the League of Prizren”, said that he is only a historian and does not deal with politics, but that he believes that for any country, for the future of a nation, historical facts and truth are of great importance.

“If I have helped a little when I wrote about the historical truth of Kosovo, I am very glad, because it is very important for the world to better understand the history of Kosovo in today’s situation and to build the future of Kosovo to the benefit of all Kosovans”, the renowned British historian Sir Noel Malcolm said.

The “Gold Medal of the League of Prizren” is given to citizens of the Republic of Kosovo, to foreigners and figures from the Albanian world who contribute to understanding between Albanians and other nations in all fields of life in the spirit of the League.

 

Filed Under: Komente Tagged With: “Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit”, britanikut, sir Noel Malcolm, Thaci

KRIJUESIT NE DIASPORE- PROMOVIM NE ATHINE

May 20, 2016 by dgreca

PROMOVOHEN NË ATHINË ROMANI “1803” DHE VËLLIMI POETIK “BESA”/

Shkruan: Besim Xhelili/

Athinë/Vjenë, maj 2016/

Në ambientet e Ambasadës Shqiptare në Athinë, me pjesëmarrjen e kënaqshme të bashkatdhetarëve që jetojnë në Greqi, artdashësve dhe përcjellësve të letrave të shkruara, u promovuan dy librat më të rinj të autorit tetovar me banim në Vjenë të Austrisë Besim Xhelilit. Bëhet fjalë për romanin e tij të parë “1803”, i cili sipas autorit do të vazhdojë edhe me dy pjesë, dhe për vëllimin e tij të pestë me poezi “Besa”. Përndryshe këto dy libra dolën nga botimi në mars të këtij viti, dhe u promovuan në Takimet Tradicionale Poetike “Pavarësia Poetike 2016”, nën organizim të Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, kësaj radhe në qytetin Hamburg të Gjermanisë, si dhe muajin e kaluar në Ambasadën e Kosovës në Vjenë.

Programin e udhëhoqi gazetarja e mirënjohur e Radio Athinës Bardha Mançe, e cila po bën një punë të madhe përmes valëve të kësaj radioje, për promovimin dhe afirmimin e vlerave që krijohen nga krijues, artistë e poetë shqiptarë gjithandej globit. Në sallë ishin edhe më të vegjlit, duke treguar kështu një maturi të madhe edukative-estetike familjare, për edukimin e brezave më të rinj në frymën atdhetare dhe kombëtare.

Në emër të Ambasadës përshëndeti z. Florian Nova, Ministër Fuqiplotë, i cili tha se ndjehet shumë i nderuar dhe ka kënaqësinë që në emër të Ambasadorit z. Dashnor Dervishi, t’i përshëndet të pranishmit, duke shtuar se Ambasada është shtëpia e të gjithëve dhe do të jetë e hapur gjithmonë për aktivitete kulturore dhe letrare, kurse për çështjet organizative u përkujdes znj. Entela Gjergo.

Një vështrim për anën filozofike të romanit bëri profesori Thanas Boçi i cili u shpreh: “Romani i tij “1803”, me një titull tepër sinjikativ është i zhanrit social-erotik, por përditshmëria përbëhet edhe nga elementët e saj si: puna, familja, mërgimi, etnia, kultura, arti, poezia, jeta urbane apo edhe dashuria, duke kaluar në filtrin e talentit të autorit, përbëjnë edhe atë që quhet plotësim i përbërësve të subjektit; ndaj thjeshtësia e të rrëfyerit dhe fabulës nis me lindjen e ndjenjës së dashurisë më 18 mars (18-03), dhe vazhdon me luftën, peripecitë për të mposhtur pengesat, mentalitetet, zakonet, disi tashmë të tejkaluara në kohë, gjersa arrin finishin e zgjidhjes së çështjes në funksion të dëshirës të të dyve: Besarit dhe Samirës. Dhe të gjitha këto përshkohen fund e krye nga përshkruarja e të gjitha ngjarjeve a rrethanave nga dimensioni i lirisë të mendimit, e shfaqur në mesazhe të qarta, konkrete dhe të kapshme nga lexuesi.

Në anën tjetër për tematikën dhe vlerën letrare si dhe për gjuhën dhe nivelin e romanit foli filologia Marinela Duri duke thënë: “Fjalori i pasur, stili narrativ, përshkrimet romantiko-erotike të ngarkuara emocionalisht me figura letrare si: epifora, metafora, alegoria, krahasimi, epiteti, aforizmat, simbolizimi i shenjave të pikësimit (tre pikat, thonjëzat etj.) drama, suspens-i, anatropia – thyerja kronologjike e ngjarjeve, që ndryshe fillojnë, ndryshe rrjedhin e ndryshe përfundojnë, romanca, informacioni dhe sigurisht një fund i lumtur-HAPPY-END, këto kërkon lexuesi bashkëkohor. Më konkretisht: drama shfaqet në roman që në fazën e parë kur protagonistët fillojnë e ndjejnë për njëri-tjetrin; që të dy kanë familje. Vetëkuptueshëm që vështirësitë e pengesat për përjetimin fshehtas të një ndjenje të tillë do t’i shoqërojnë gjithnjë e kudo, deri në fund, kur protagonisti ka të sigurt vdekjen dhe në atë shtrat i duhet t’i rrëfehet së shoqes dhe protagonistja, së shoqit. Romanca pa fund përshkon tejendanë romanin. Lojërat e fjalëve, tematologjia e bisedave të tyre e bën më tërheqës librin e më të ngutshëm leximin duke nxjerrë në pah njëkohësisht nivelin e lartë të tyre intelektual, diturinë, mprehtësinë e zgjuarsinë e tyre”.

Atmosferën e zbukuruan me instrumentet e tyre Gerta Selmani-Katemi dhe Edi Katemi, kurse disa vargje nga vëllimi poetik “Besa” i lexuan shkrimtari Bledi Ylli dhe disa nxënës nga Shtëpia Shqiptare Athinë “Porta” Një fragment nga romani e lexoi artisti i njohur Armando Dauti, kurse të pranishëm ishin edhe artisti i dalluar Nikolla Llambro si dhe personalitete të tjera nga jeta intelektuale e shoqërore e komunitetit shqiptar në Greqi.

Në fund të pranishmit patën mundësinë që në një bisedë të lirë të flasin me autorin e librave si dhe të shijojnë koktejin modest të rastit, shtruar nga Ambasada.

Filed Under: LETERSI, Mergata Tagged With: Besim Xhelili, DHE VËLLIMI POETIK “BESA”, PROMOVOHEN NË ATHINË, ROMANI “1803”

Një mikeshë amerikane në Shqipëri

May 20, 2016 by dgreca

Shefja rajonale për Këndet Amerikane, Stacia Clifton, vizitoi Shqipërinë në muajin maj. Znj. Clifton vizitoi tre Këndet në Tiranë, Vlorë dhe Kukës, ku u takua me nxënës të shkollave të mesme, më të cilët bisedoi për rolin e grave në familje dhe në punë. Nxënësit dhe anëtarët e këndeve shkëmbyen ide dhe mendime për rolin e grave në shoqëri, si dhe për mundësitë e barabarta për burrat dhe gratë. Këndet Amerikane në Shqipëri janë vende ku të rinjtë mblidhen për të gjetur mënyra të reja dhe organizuar nisma të ndryshme për të përmirësuar komuniteteve të tyre.

The regional officer for the American Corners, Stacia Clifton, visited Albania in mid-May. Ms. Clifton visited all three Corners in Tirana, Vlora and Kukës, where she met with groups of high school students and spoke to them about the role of women at home and at work. Students and members of the Corners exchanged ideas and opinions about the role of the women in the society as well as equal opportunities for both men and women. The American Corners in Albania are places where young people gather to explore new ways and undertake new initiatives in order to improve their local communities. {Sh.K}

Filed Under: Komunitet Tagged With: ne Shqiperi, Një mikeshë amerikane, Shefqet Kercelli

MYSAFIRE NE SOFREN E DIELLIT: ALFONS GRISHAJ, AGIM DESHNICA, FASLLI HALITI

May 20, 2016 by dgreca

ALFONS GRISHAJ/

  Kujtimi Im/

Kujtimi im, meteor i shuar/

Në gotën shampanjë e helmuar,/

Të asaj kënge të epur, të fikur,/

Në botën tekanjoze  ikur./

 

Më le të shkretë, në vetmi/

Brengë në shpirt, pa melodi./

Humbën përqafimet tua,/

Frymë e zjarrit në prag u shua./

 

Tani, mbuluar në harresë,

Në ethe të natës, pashpresë.

Oh, ti, dashuri! Sot demon…

Grish një tjetër, unë në akuilon!

 

Dhe pse u shite origjinale,

Trup e shpirt tjetrit ia fale!

Mbaj kujtim të pafajësisë

Zjarrin, puthjen e rinisë.

Rrëgjakur vello e pendesës

Do e skuq lëkurën e zbehur,

Mbi bar kristalet e vesës

Shkëlqimin tim, boten e dehur.

———————————————————-

Kjo poezi u shkrua në   Zejmen, 30 vite më pare …(Origjinali)

Botohet për here të parë. Kjo poezi u afishua tek “Gazeta e Murit” në PD Shkodër…E kopjuan shumë studetë të  “ Luigj Gurakuqit” dhe të shkollave të mesme…Njëra nga ato studente  pat qenë  dhe gruaja ime , Mirela Grishaj…

Dashuria Platonike

 Si petale trëndafili

Buzët kish kjo bukurosha

Zemërflakë e ndjek bandilli

I palodhur pret n’një qoshe.

 

Dhe kur bjen shi e dëborë

I përvluari rri e pret

Si fakir që shtrin një dorë

Sa monedh’ në dorë t’i prek.

 

Rrugës ecën si sorkalle

Arom lulesh erëmon

Me bisht syut si kunalle

Shikon hijen që e gjurmon.

 

Eh , përdit me shpresë djali

Se dikur do ketë mëshirë

Kurr buzëgaz çupa s’ i fali

Dhe në ankth e la pahir.

 

Me shpirt djaloshi ishte prekur

Zemër k’putur shkoi me ngut

Poshtë ullirit , frymëhequr

Lutej, por perri’ s’u duk.

 

Vonë lëndinës vajza doli

Porsi dielli shënd e verë

Dhe kur hija s’e përcolli

U pik’llua, u bë vrer.

 

Tek po kthente skaj ulliri

Pa një varr të zbukuruar

Dhe në foto, shkrirë si qiri

Hija që e kish gjurmuar!

 

Diamant rrodh pik’ e lotit

Nga qërpikët-hala pishe

Përdëllyer iu lut Zotit:

“Merrmi hiret që më vishe!”

 

Hapin ndali n’ atë qoshe

Kur e priste ai dikur.

Ç’e vajtoi kjo bukuroshe

E pastaj s’u pa më kurrë!

——————————————

Kjo poezi u shkrua në   “Shën Vasi” Sarandë , rret 28 vite më parë, dhe u botua në vitin 1995 në vëllimin  me poezi : “Hapësira.”

Më Fal Një Lule

Më fal një lule

zonjëza ime,

ta qaj botën për vdekjen e saj;

më fal një të puthur

jeta ime,

se do shkoj i lumtur

pa dhimbje e vaj.

*Kjo poezi (tip madrigal),  u botua në vëllimin me poezi “Hapësira”  1995 , kushtuar Mirela Grishaj (Gruaja ime).

 

DY POEZI NGA AGIM Dëshnica

-PER ZANAFILLEN

DHE GJUHEN SHQIPE –

ILLYRI!

Rend historia me hapa shekujsh, Illyri!

Në kohëra dyndet mjegull e zymtë

dhe pluhur gri shtrohet mbi gjurmë.

Bëmat e ndodhitë fshehin, Illyri!…

 

Rendin lumenjtë, përherë zhurmshëm,

Të katër detet, dallgë shkumbore

hedhin në ranë e mbi shkëmbinj

dhe lart në gryka vikamë e erës,

jehona zërash, nga lashtësi e thellë

tok me gojëdhanat,

mbërrijnë dhe gjemojnë.

 

Mister e terr mbulon gjithçka,

si reja qiellin.

Ndaj pluhur e re fshijmë, Illyri!…

Zbulojmë themelet, vatrat e puset,

lexojmë mbishkrimet,

gjallninë e herëshme, paqen e luftën,

me djersë e gjak.

 

Mbi tokë, nën tokë, në kodra e fusha,

mure, shkallare, urat mes honesh,

tempujt e faljes, kubetë e gurta,

artin ndër vazo, stolitë prej ari,

edhe shtatoret dhe përkrenaret,

edhe parzmoret, edhe mburojat,

shpatat kalitur bronz e çelik,

për madhështinë e shkuar

dëshmojnë, Illyri,

në hapësirat e tua!

 

I FALEM GJUHËS SHQIPE!

I falem gjuhës shqipe plot magji,

që zanafillën ka në lashtësi.

Në rrjedha çiltërish, larg mizorive,

ndesh me murranat, pranë dashurive,

ku deti valët shtyn e hedh puhinë,

e brazdë e jetës çan nëpër djerrinë.

 

Në malësinë e kullave e gurrave,

shtruar këmbëkryq në log të burrave,

me doke e zakone, gjykime e shestime,

ku bardët me ngulm sodisnin yje,

dëgjonin të heshtur zogjtë në pyje,

rreth sofre me bukë e kripë e zemër,

në rite dhe sjellje, me besë e nder.

 

I falem gjuhës shqipe plot risi,

që zanafillën ka në Perëndi.

Pranë vatrës, te rrëfenjë e ngrohtë e nënës,

në shpirtin e trazuar të gojëdhënës,

ndër ëndërrime e nën peshë të halleve,

në lutje, ndër këngë, në vrull të valleve,

ndër telat ngazëllyes të lahutarëve

e gumëzhitje e rreptë e lodërtarëve.

 

Ndër sokëllima trimash majë brigjesh,

kur qark “ ushtojnë lugjet prej ortiqesh,

prej ortiqesh kah po bijnë ndër gropa “-1

dhe Bernardini ndër loke e etër,

lumnoi e qau me penë e letër.

 

Në shqip, mbi djep fatia engjëllore,

kumtoi me dhimbje dramën arbërore,

që mbijeton në çdo rrebesh e shqotë

dhe gjurmë të kaltërt drite lë në botë.

 

Kjo gjuhë burrash e shtojzovallesh,

rrjedh si Valbona teposhtë zallesh.

Kjo gjuhë bilbili, britmë sokoli,

kumbon te Naimi, Fishta e Noli.

Kjo gjuhë Ilirie me rrënjë në lashtësi,

në gaz e vaj – e gjallë! Përjetësi!

———-

P.s.

  1. Copëz vargu nga rapsodia e

famshme“Martesa e Halilit.”

FASLLI HALITI SJELL PERKTHIMET:

JACQUES PRÉVERT

    1900 -1977

KORTEU

Një plak i artë me një orë në zi

Një mbretëreshë e munduar me një burrë  anglez

Dhe me punëtorë të paqes me tutorë deti

Një Hussar i kompanisë me një budalla të vdekjes

Një gjarpër kafeje me një mulli me syze

Një gjahtar me litar me një kërcimtar kokash

Një marshall prej shkume në pension me një llullë

Një foshnjë e salindur me fustan të zi me një zotëri në pelena

Një kompozitor për në trekëndësh me një varëse muzike

Një koleksionist besimi me një rektor fuçi

Një mprehëse Coligny me një admiral prej gërshërësh

Një murgeshë e Bengalës  me një tigër të San Vincenzo të Pavlit

Një profesor porcelani me një axhustator filozofie

Një kontrollues i Tryezës së Rrumbullakët me kalorës të  të Kompanisë së Gazit në Paris

Një rosë në Shen Elenë me një Napoleon gatuar me portokall

Një gardian i Samotrakës me një Fitore varrezash

Një rimorkiator i një familjeje të madhe me një baba në det të hapur

Një anëtar i një prostate me një ipertrofi të Akademisë franceze

Një kalë i fuqishëm në partibus me një peshkop të madh  cirku

Një kontrollues me zë të bardhë me një kor të vogël autobus

Një kirurg i tmerrshëm me një fëmijë dentist

Dhe gjenerali i perlave me një hapës të Jezuitëve.

   Përktheu: Faslli Haliti

 

 WEI-LI-BO

PEMA E MAGNOLIAS


E Lodhur nga dita e ëmbël
e pranverës
në gjumin e saj
pema e magnolias
hap duart e bardha.
Mbi rrezen e hënës  

pushon shkëlqimi i luleve.

Përktheu Faslli Haliti

 

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: Agim Deshnica, alfons Grishaj, Faslli Haliti, Mysafire, ne sofren e Diellit

BESOJMË ZOTIN POR S’NJOHIM DJALLIN…

May 20, 2016 by dgreca

NGA KRISTAQ TURTULLI*/

‘Ne besojmë te Zoti por s’ njohim djallin që klith, ulërin me tërbim dhe lëviz gurë, flak shkëmbinj, shkul rrënjët e pemëve që ngjajnë si eshtra të mamuthëve. Mes fërshëllimës së papërmbajtur të tajfunit u ndje një zë që bërtiti:

-Përse kërkoni të njihni djallin, sa vlerë ka!?

– Kërkoni vlera te djalli!? Ishte një klithmë.  Ulërimë.  Jehonë e thellë torturuese, lodhëse. Ndoshta grumbuj zërash dhe zhurmash në një që më pas ushtoi:

– Mos harro, je akoma buzëqumësht. Je ende bythë pambuk.  Aha! Kundështon, thua s’ do jesh përherë kështu. Pyet djallin ai e di. Jo? Atehere mësyj në mundsh dhe tërhiqu. Dredho si nuselale dhe pështy si zvaranik. Si psherëtin, s’të pëlqen? Uh! Sigurisht që duhet të psherëtish sepse nuk dihet se kush është në realitet: Djalli apo Zoti. Fërshëllima apo klithma. Zëri apo jehona. Gjëmimi apo shkatërrimi. Hesht dhe dëgjo! Qumështorët e vjellin  shpejt qumështin e tepërt, kur e papritura ngre kurthe, merr jetë. Krijo njohje, mos i vë rëndësi kohës që duhet të shpenzosh.  Vrojtimi është hap vendimtar. Dihet që rekruti  në luftë ha plumbin që në shkrehjen e parë, ngaqë nuk di dhe nuk njeh gjë.

-Më pyet përsëri që njeh Zotin, beson te ai dhe urren Djallin? Koqoshët dhe mistrecët argëtohen me rekrutët e rinj. Mbijetesa e tyre, servilizmi, një nga elementet bazë të rekrutërisë. Servilizmi s’të lë kurrë në baltë. Servilizmi mbulon me mjeshtëri tymtajën ogurzezë të mendimeve dhe qëllimeve. Servilizmi është i lashtë sa vetë jeta. Servilizmi është fillesa e fillesave. Servilizmi  u përket të gjithëve dhe gjithçkaje. Bota pa servilizmin do të ishte e mjerë. Servilizmi është petku i artë, i purpurt i përbaltë, i kameleonët.

Më dëgjove? Më mirë mos dëgjo. Fola për servilizmin. Mos beso. S’ka servilizëm, s’ka asgjë. Eh, kush e njeh servilizmin, kush e di. Të gjitha janë pallavra. Disa flasin për hipokrizinë. Të gjitha njeriu i ka krijuar dhe për njeriun janë. Më pyet për Zotin dhe mendjet e ditura?! S’dihet, ku janë, mbasi mendjet tmerrësisht të djallëzuara, të çartura bëjnë pallë mbi dhe…

Ndoshta Zoti dhe Djalli janë fasadë, diçka e parathënë, e parabërë, e paraparë. Ti grindeh dhe më thua: Jo, asnjë nga këto. Rrjedhje e zakonshme dhe asgjë më shumë. Të gjithë lumenjtë e rruzullit rrjedhin në një drejtim. Në derdhje. Në njësim, në avullim, derdhje përsëri. Një cikël i pandërprerë, i vazhdueshëm, i pafund.

Sidoqoftë, për Zotin dhe Djallin s’më the?

Oh ju lutem, jeta është marramendje dhe asgjë më shumë. Dhe thuaj, shyqyr që gjithçka është e shkurtër siç është rrjedhja e ujit, avullimi, jeta. Gjatësia është çmenduri. Më dëgjon? A nuk ka dhe këtu servilizëm apo hipokrizi?! Medet, nuk  dihet kush është fajtori apo i pafajshmi. 

Eja… të shkojmë. Se sheh, erën e marrë. Duhet mësuar prej idiotëve. Ata nuk meditojnë. Ata janë realisht komodë. Ata vlerësojnë jetën e vërtetë mondane, sepse s’kanë se çfarë të thonë. Ata janë më të lumturit e botës. Më të pafajshmit. Më të dëlirët. Më të sharët. Më trutharët. Ata nuk qederosen. Ata nuk kuptojnë. Sa mirë. Gjithsesi bota do të ishte ndryshe.

Ndalu ç’thua, mbron të metët? Po maskarenjtë, vrasësit ku janë? Jo. Si jo? Atëherë tregona ku ekziston ndryshimi midis Zoti dhe  djallit, të marrëve dhe të mençurve?

 O Zot çfarë erë! I shkuli të gjitha pemët. Çfarë  bën, sërish po mendon. Flaki tej mendimet. Oh! Nuk sheh që ata qeshin.  Si guxoni të qeshni?! Mosni. Ju lutem heshtni. Nuk doni?!  Qeshura është ngjitësja më e shpëlarë. Nëse doni qëlloni mbi të qeshurën marroqe, bëjeni, veçse do rrahni ujë në havan.

Të gjithë në jemi pjesë e së qeshurës. Nuk besoni, s’ka gjë do të besoni me vonë. Shkoni tutje ju zëra apo çfarë. Nuk dihet nga jeni dhe nga vini. Më thua t’i lë erërat të gjëmojnë? Mirë po i lë, Mos harro është koha e erërave të forta që mbështjellin globin, përfshijnë dhe shtrëngojnë zemrat e nënave…

Është thënë dhe thuhet se besohet te Zoti kur tek të gjithë ka bërë fole djalli. Mjaft nuk mundem më… Kot mundohem të mbush mendjen dhe bëj apologji kur s’ ka vend për të… shko fli.Të bëj gjumin e madh?! Jo, thashë vetëm fli, se sheh, përjashta nata ka hedhur kapotën e rëndë…’

Ai la lapsin mbi fletën e zhubrosur e të mbushur nga shkrimi i pjerrët e i rëndë. I dhembnin sytë, padita e kishte lodhur. 

E mbërtheu frika se mos verbohej…”

* Marre nga VETMIA E ZËRAVE, roman, fragment.

Filed Under: LETERSI Tagged With: " Vetmia e zerave"), Kristaq Turtulli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • …
  • 93
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT