• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2016

Letersi – “ETHET”, Poemth nga Faslli HALITI

October 5, 2016 by dgreca

    FASLLI HALITI NE SOFREN E DIELLIT”ETHET”/

1-faslli-haliti

 FASLLI HALITI/1-helidon

 AKUAREL NGA HELIDON HALITI(I biri i Faslli Halitit3-helidonhelidon-haliti2 2-helidon

            ETHET/ . poemthë /Rekujem për fushën dhe veten/

 Në çaste ethesh malarike/

Dridhesha, kërcisja/

Dhëmbët/

Ethet/

Kishin elektricitet të verdhë,/

Vinin si tufa grerash./

Digjej në ethe bari,/

Përvëlohej /

Tërfili/

Fushor,

Zbehte blerimin,

Zverdhej dhe balli im i gjorë.

O ç’malarje e verdhë,

O ç’dridhje trupi

Si n’eletroshok, 

O ç’malarje,

O ç’ethe,

O ç’dridhma,vibrime trupi, 

O ç’vibrime duarsh të verdha si gjethe …!  

***

Hahesha pasditëve me grerat e etheve

Që vinin  nga Tërbufi

Si cifla tunxhi

Dhe derdheshin mbi mua me furi,

Mizëri grerash

Mizëri,

Mizëri ..!

Mua

Më vibronte lëkura,

Më dridhej

Trupi,

 Kërcisnin    

Dhëmbët e mi  tepër sertë,

Fushës i thahej gjuha për një pikë shi, 

Fushës i zbardhej bari i bukur, dikur i blertë…  

Si motra që i lante të vëllait nëntë plagët 

(Me lot të bardhë motre)

Gjergj Elez Alisë

Natë edhe ditë,

Kështu dhe fusha,

Më rrinte mbi ballin që më digjej, 

Më vinte lecka e shkreta,

Lecka  

Me ujë

Dhe uthull 

Mbi ballin malarik

Natë

Edhe ditë,

Duke më shuar

Ethet e verdha ngjyrë zhabinë,

Që të më zbriste jermin,

Ethet malarike,

Zjarrminë,  

Edhe pse vetë ajo digjej,

I digjej shpirti për një fije blerim. 

***

 Myzeqe moj fushë,

Ti në blerim 

Dhe grunja

Harboje

Dikur, 

Kurse sot,  

Ne që të dy,

Ti dhe unë o fushë

Dergjemi në ethe, kllapi.

 

***

Në kohë malarike

Ti më qëndroje te koka mua myzeqarit,

Kur unë tretesha në kllapi malarike ngjyrë zhabinë,

Po ç’bëj unë myzeqari yt sot për ty

Fusha ime

Që të kisha

Ar ,

Flori,

Kur gjiri yt sot

Digjet për një pikë ujë kanali

Si  të jetë

Një Saharë,

Digjet për një fije  blerim e gjëra  

Digjet për një tufë me bar !

 1998- 2016

 

 

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: Ethet-poemth, Faslli Haliti, Helidon Haliti-Akuarel

“Miq të Korçës” krijojnë degë në Uster

October 5, 2016 by dgreca

NGA ARDIAN MURRAJ*/

“Miq të Korçës”, është emri i një shoqate të re shqiptre që do të fillojë të ndeshet e përhapet më shpesh ndër bisedat e bashkëatdhetarëve mërgimtarë të SHBA-së. Nisma e ndërrmarrë nga Shqipëria përshkoi disa shtete dhe qytete duke u ndalur fundjavën e kaluar në Boston dhe Uster të Masaçusetsit. Drejtuesi i saj zoti Gjergji Gjinko (ish kryetar i Bashkisë së Korçës), zhvilloi takime me shqiptaro-amerikanë të shoqërive adhetare-kulturore, biznesmenë e profesionistë të fushave të ndryshme si dhe përfaqësues të pushtetit vendor me origjinë shqiptare. 

Takimi i së Djelës më 2 Tetor, parashtroi disa nga idetë e nismës “Miq të Korçës”, e cila vjen në një kohë kur qyteti dhe rajoni rreth Korçës ndjejnë nevojën për një forcim dhe zhvillim të qendrueshëm ekonomik dhe shoqëror, kulturor dhe teknologjik, mirëqënie dhe edukim për popullsinë dhe kjo për shkak se treguesit e tanishëm shoqërohen nga rënie të theksuara, largim i popullsisë së re në moshë jashtë atdheut apo në qytete të tjerë më tërheqës për punë dhe kushte të jetesës. Zoti Gjinko, tregoi se e ardhmja e Korçës është në interesin e të gjitheve dhe në të gjithë vendin dhe se mënyra se si e shikojmë sot bashkëpunimin na bën të mundur të:

1- Tërheqje projektesh dhe sigurim të burimeve financiare të çdo niveli. 

2- Përfshirja në këtë ndihmë e shqiptarëve të diasporës. 

3-Vendosja e përparësive si arsim-edukimi dhe punësimi i të rinjve për vitet e shkollës dhe njohja e tregut të punës. 

4- Rritja e veprimtarive të organizatave të shoqërisë civile për ruajtjen e vlerave të trashigimnisë kulturore dhe muzeale. 

5- Shkëmbimi i informacionit, njohja dhe promovimi i biznesit vendas. 

6- Tradita e ndihmes dhe bamirësisë (filantropisë) korçare për mbështetjen e individëve të talentuar, ideve të spikatura dhe rinisë arsim dashëse. 

7- Plotësimi i tërë këtyre çështjeve të mbështetet krahas ndërtimit të një rrjeti me shtrirje në çdo qytet të shqipërisë si dhe në diasporë, pra aty ku Korça për vlerat e saj gjen mbështetës dhe miq të saj. 

8- Organizimi i takimeve të prmuajshme, seminarët e deri konferencat vjetore do të mbeten një rrugë e vazhdueshme për të treguar thithjen e ideve të reja si dhe paraqitjen e punës së bërë dhe arritjet.

Nga gjithë të pranishmit u dhanë mendime të cilat tregojnë se ka dashamirësi dhe do të punohet për të gjetur fushat konkrete të bashkëpunimit. Donna Colorio- pranë departamentit të edukimit në Uster dhe me preardhje familjare nga Korça tregoi se : – Jam e kënaqur për ftesën në këtë takim të parë ku u hodhën idetë e bashkëpunimit mes bashkësive të të dy qyteteve Usterit dhe Korçës. Mendoj se ishte e rëdesishme që filluam me ngritjen e një rrjeti për t’u gjendur pranë si dhe pr të ndihmuar me ndonjë ide. Ishte mirë kur dëgjuam për disa arritje që janë bërë, por edhe me probleme të mprehta të rinisë shkollore të qytetit si largimi nga shkolla dhe mungesa e perspektivës dhe se si ishkryetari përpiqet të tregojë se çfarë mund të bëhet në këtë drejtim. Nga ana jonë përsa i përket përvojës sonë në udhëheqësinë vendore ne dhamë ato ide që mendojmë se ecin më tej pasi kemi nxjerrë edhe ne mësimet tona nga vështirësitë. Për të ardhmen mendoj se shtrirja e rrjetit, ndërtimi i një faqeje në internet, facebook-u do të jetë fillimisht ndërtimi i lidhjeve dhe interesimit brenda dhe jashtë vendit. 

AM:- U ndalët edhe në Uster, si ju duk takimi? 

Gjergji Gjinko: – Po, Usteri ishte stacioni i fundit i turit që unë ndërmorra për t’u takuar me shqiptarët kryesisht nga Korça dhe që dëshirojnë që të kontribuojnë për Korçën. Këtë e bëra duke paraqitur platformën e shoqatës së sapo krijuar dhe kam vizituar disa qendra në shtete dhe qytete të SHBA-së ku edhe përqendrimi i shqiptarëve është i madh, si Uashington, Baltimor, Nju-Xhërzi, në Nju-Jork dhe Çikago (bashkë me Presidentin Nishani në takimin e madh të përfaqesuesve të shoqatave shqiptare të diasporës), dhe së fundi në Boston dhe Uster. E vlerësoj takimin e sotm ishte i arrirë ku veç veprimtarëve ishin të pranishëm ishkryetarja e Bashkisë Konstantina Lukes, Dona Kolorio për arsimin ( të dyja me origjinë shqiptare), profesorë dhe pedagoë të kolegjeve si dhe përfaqësues dhe anëtarë të Kishës Shqiptare. Të gjithë ishin dëgjues të vemendshëm, ndihmues për të dhënë një dorë dhe mendimet e tyre. Unë mblodha idetë e vlefshme sigurova bashkëpunim dhe do të kem mbështetjen e tyre ne takimet më t ë para që ne do të mbajmë në Korçë me përfaqësinë e gjithë komunitetet shqiptare të diasporës. 

AM:- Vura re se nga bashkëbiseduesit u dha ideja e prdorimit të massmedias dhe rrjeteve sociale si një mundësi më e shpejtë lidhjeje e shoqatës suaj dhe shtrirjes së saj si dhe juve ju bë ftesa për ta vizituar Usterin vitin e ardhëshëm në kohën e Festivalit Shqiptar,… Pra duket se keni mjaft ngarkesë gjatë kësaj kohe dhe si e shihni atë? 

Gjergji Gjinko:– Lidhja me internetin na jep mundesi dhe na e rrit volumin e punës, por krahas kësaj ardhja ime këtu është e pazevendësueshme pasi janë kontakte më direkte. Kanë kosto nga njëra anë, por edhe një rezultat fantastik., pasi ndërtohet një besim reciprok dhe besueshmëri. Kjo është një garanci për mua. Ndërsa për sa i përket funksionimit në rrjet si një strukturë me qendër në Tiranë, dhe degë në Korçë si dhe ato të diasporës së bashku do të jenë një lidhje e drejtpërdrejtë me njerzit në Korçë për t’i ndihmuar ata. Ajo që do të theksoja si më kryesore për shoqatën tonë tani është parandalimi i largimit te popullsisë me moshë të re nga qyteti, kjo është një “hemorragji”… një rënie shumë shqetësuese e numurit të popullatës. Kjo me ndikim ekonomik e varferi për rajonin pasi ikën fuqia më e aftë puntore, rinia dhe e ardhmja e qytetit. Ne duam t’ja parashtrojmë këtë gjithë niveleve të qeverisjes për t’u orjentuar dhe bërë projektet e duhura për të ngjallur besimin dhe shpresën tek njerzit për të punuar dhe jetuar atje. Këtë do ta nisim me punësimin si prioritet, vendet e puns dhe kjo besoj se duhet të jete ne prioritetet e çdo qeverije. 

AM: Jeni ndër të paktit me mision të tillë. Unë jam këtu prej gati 15 vitesh dhe nuk kam parë ndonjë interesim zyrtar me Usterin, qofte edhe me një takim të thjeshtë si ky i sotmi. 

Gjergji Gjinko: – Usteri përbën komunitetin më të vjetër shqiptar të ardhur nga zona e Korçës, ai mbetet me një identitet të fortë në amerikë janë rreth 20,000 siç e thatë dhe përbën një potencial të jashtë zakonshëm ndihme dhe na bën që t’i drejtohemi. Unë kam ardhur me ftesën e tyre dhe jam takuar thuajse me çdo nivel, pushtetin vendor, bashkinë, kongresmenë, drejtues te kishës, drejtues të komuniteteve të biznesit, pedagogë e profesorë me nivel akademik të cilët sëbashku na e shtojnë besimin, na bëjnë më serioz dhe do të jetë një partneritet afat gjatë ndryshe nga ato raste që përmendët. Janë shumë burime që nuk janë zgjuar dhe shfrytëzuar dhe besoj se ne do ti vjelim frytet e bashkepunimit. Di të them se lidhjet me Usterin janë në zemrat e korçarëve pasi njerzit e këtij qyteti kanë ndihmuar dhe në kohët e vështira të komunizmit, për të sjellë ndonjë ndihmë, ilaçe, paisjet elektronike, ndihma ushqimore apo financiare. Ndërsa më pas me brezin e ri të emigracionit rrugët u hapën dhe besoj se duhet ndjekur puna e shkëlqyer e brezit të vjetër duke dhenë një shembull që jo vetëm Korça, por edhe shumë qytete të Shqipërisë të mbë shteten nga diaspora dhe të zhvillohen e bashkë me to i gjithë vendi ynë, si shumë shtete të tjera në botë.

AM:- Jeni këtu në zhvillimet e zgjedhjeve presidenciale? Si i shihni rivalët demokratë me ata republikanë dhe kush mendoni se do të jetë fitues, Hillari apo Tramp? 

Gjergji Gjinko: – Po debati është i nxehtë. Edhe në tavolinë folëm rreth tij. E ndjekim shumë në Shqipëri përmes TV-së. Gjithshka rreth fushatës, opinione debate… SHBA-ja për ne ka demonstuar një politikë përkrahëse rreth Shqipërisë dhe Kosovës dhe besoj se kandidati që do të fitojë do të ketë vemendjen e duhur për ne ose për të qënë më të saktë ne duhet të jemi më të vemendshëm për të siguruar lidhejn e duhur me këtë aleat të madh dhe të natyrshëm, mbrojtës i interesave të kombit shqiptar. Pra e ndjek me interes këtë garë dhe shpresoj se dhe vizita ime t’i shërbejë lidhjeve politike që kemi me përfaqësuesit e kongresit dhe të senatit për t’u dhënë atyre një tabllo të saktë të arritjeve si edheproblemeve që kemi në Shqipëri për të siguruar një vazhdimësi të lidhjeve tona. Pra edhe ky projekt i Korçës nuk është i vogël, duke folur për të edhe në kto nivele them se kjo ështe e nevojshme që ne t’ja dalim mbanë duke siguruar lidhjet dhe burimet e ndihmës nga të gjithë ata faktorë dhe aktorë që përmendëm më lart. 

AM:- Pra parashikimi Hillari apo Tramp? 

Gjergji Gjinko:- E kam të vështirë parashikimin. Gara ësht e fortë dhe kandidatët pranë njëri-tjetrit. Me siguri do të gaboja nëse do të thoshja njëri ose tjetri. Mendoj se cilido që të jetë fituesi ne duhet që të kemi stafe të atillë të përgatitur në qeverisje që të punojnë në dobi të Shipërisë dhe në dobi për Korçën. 

AM:- Edhe këtu si bisedë e lirë vura re se politika ishte e pranishme. A ka ngjasime me Shqipërinë? 

Gjergji Gjinko:- Po biseda ishte e nxehtë, si në Shqiperi, më bëri përshtypje, por them se e rëndësishme ishte se njerzit janë në thelb njëlloj, ne jemi një demokraci e re dhe kemi nevojë për një politikë më të moderuar dhe në interes të kombit dhe këtë duhet ta bëjnë partitë politike ashtu sikurse edhe këtu të dyja palët mbrojnë interesat e amerikës. 

AM:-Ju faleminderit!

gjergji1gjergji2gjergji3gjergji4gjergji5gjergji6gjergji7gjergji8gjergji9gjergji10gjergji11gjergji12gjergji13gjergji14gjergji15gjergji16(Kortezi:VOAL)

Filed Under: Komunitet Tagged With: "MIQTË E KORÇËS", boston, u krijua ne Uster

Një ndalesë tek letrat e Zeqir Lushajt

October 4, 2016 by dgreca

1-terziuShkruan: Dr. Fatmir TERZIU/

Zeqir Lushaj, udhëtoi para pak ditësh mes kapakëve të gjashtë librave të tij më të fundit drejt Londrës. Të tjerët që e kanë parë atë pranë shtëpisë së tij në Lezhë, ku jeton pas kthimit nga SHBA, natyrisht dhe ata që e dinë se është mes Bjeshkës, do të habiten. Ai, ashtu ‘i panjohur’ fizikisht me mua, u bë i njohur mes letrave dhe tekstit shqip, falë dhuratës që më erdhi nga Shkëlqimi, nipi i tij i cili jeton dhe punon në Londër. Dhe mes librave, të pikëshënuara që në Atdhe për mua, ndjeva atë zagushi Gushti dhe atë ndjenjë të sinqertë letrari, poeti dhe shënuesi të ngjarje-jetëve, që nis me frma ditari, portreti, apo auto-portreti, fabule dhe humori, sarkazme dhe kënd-shikimi ndukës poetiko-letrar. Dhe më pas e ndjeva dhe e rilexova, ashtu të ndjeshëm dhe fin në derën e Kullës së vjetër në Gri në vitet shtatëdhjetë, në vitet e tij plot vrull rinor, ashtu të shënuara në bardhë e zi nga Kolë Progni. E pashë teksa shfaqej në “Piedestal” me vetveten e tij vjershërore, dhe e ndoqa deri tek cikli i pestë aty tek “Shtëpia në kodër” ku vetë e ndan shapin nga sheqeri, dhe citon fatet duke lejuar apriori “le të jem primitiv”, apo dhe “allafranga” e “gjithqyshë” të mbetet “Njeri” që ia lexon “biografinë e nanës”, “llagapi”-n; e deri tek “Rrathtë e shekës”. Natyrisht ky autor njeri “udhëtoi’ dhe rrugëtimi i tij ende s’ka ndalesë…

Autori dhe rrugëtimi letrar

1-zeqir-okEnde në fshatin Gri të Tropojës, mbahen mend fjalëgazmendet e lindjes së fëmijës mashkull, që do të shënonte ardhjen në një ditë që sapo kishte filluar të lëshohej “filli” për festën e 8 Marsit. Ishte pikërisht 8 Marsi i vitit 1949, data që do të sillte mes gëzimit familjar ardhjen në jetë të djaloshit Zeqir Lushaj. Më pas që nga bankat e shkollës fillore në Gri, dhe atyre të 7-vjeçares në fshatin fqinj, në Geg-Hysen, ditëlindjen e tij do ta shënonte veç përkëdhelisë së nënës, edhe përkushtimi i tij letrar për të në ditën e festës së nënave. Dhe kjo zgjati thuajse në një udhëtim që vazhdoi më tej në bankat e shkollës Pedagogjike “Shejnaze Juka” në Shkodër, që hapën dritaret e arta deri tek “Zëri i Rinisë”, e më pas në rrugëtimin e tij, në krejt mjedisin letrar shqiptar, deri sa dhe kapërcimi në moshë dhe përtej Oqeanit nuk i dha tjetër vetëm se i shtoi “oreksin” e shkrimeve në disa gjini. Rrugëtimi letra që ishte pjekur gjatë punës së tij në arsim në Geg-Hyse, i kishte dhënë dhe një dhuratë bjeshke, mes ajrit dhe ujit të pastër dhe talentin e tij të gjimnastit, sportistit, për të cilin ai ndjehet “paksa” borxhli. Letrari me mendje të shëndoshë, kërkonte një trup të shëndoshë e të kualifikuar, ndaj në vitet 1970-1973, mbaroi studimet e larta në Akademinë Sportive “Vojo Kushi”, ish Instituti i Kulturës Fizike në Tirane. Dhe në mjediset e shkollës së mesme të Tropojës së Vjetër, ngelën gjurmët e para të sportistit që u dha zemër të tjerëve, por dhe frymëzimet që silnin lartësimin e talentit në fushën letrare dhe atë shoqërore me disa angazhime të kohës, të cilat hera-herës i ndeshim në librat e tij “Duhama e Valbonës”; “Rrokada politike”; “Piedestali”; “Zbehje e heroizmit”; “Si n’kurbet bre vëlla”; apo dhe “Sportit i mbeta borxh”…

Kështu rrugëtimi letrar dhe publicistik i Zeqir Lushajt, nuk u ndal në korniza përkushtimesh dhe kur ishte në brendësi të një shoqate, dhe kur ishte drejtues apo aktivist, as dhe kur jetoi dhe punoi në Nju-Xhersi të SHBA-së, teksa Andrea Aleksandër, në 20 Shkurt 2010 do ta fiksonte në aparatin e tij dixhital duke shtyrë karrocat e konsumatorëve në një supermarket amerikan. Por ndërsa autori i huaj i medias e shihte shqiptarin të kërrusur mbi karroca, Zeqir Lushaj mblidhte në mendjen e tij 108 vjershërimet e tranzicionit shqiptar, që mes një kopertine blu me dy shqiponja duke u kacafytur me njëra-tjetrën do të sillnin “Rrokada..” (politike) me një aritmetikë, që shënonte librin e 12-të të tij.

Poezia si vetvetja dhe vetvetja e rrugëtimit poetik

“Kush jam unë?” Është një pyetje në mendjen e shumë lexuesve që lexojnë poezinë e poetit Zeqir Lushaj. Ky ndjesim mental i nduk dhe i ngacmon, po dhe aq  i ndihmon lexuesit për  të sqaruar elemente të rëndësishme të identitetit të tyre. Kur lexon poezinë e tij, natyrisht mes tipologjisë dhe diskursit evaziv, identiteti kulturor dhe vetvetja e autorit bëhen palë me të ndjeshmen dhe apriori lindin dhe provohen emocione të ngjashme ndjesore. Lexime të tila poetike shpeshherë janë marrë përtej aspekteve të identitetit që shpesh janë më të dukshme dhe të njohura (të tilla si ato etnike, të gjinisë dhe të moshës), duke u fokusuar në faktorë të tjerë që formojnë identitetin tonë si tek përvojat, marrëdhëniet, shpresat dhe interesat. Poezi të tila si “Kam duruar fyerjen”; “Zhgaravina”; “Hajgare” etj  gjithashtu mund të jenë një mënyrë për lexuesit të tregojnë atë që dinë rreth momenteve të tyre të kudondodhura apo dhe të bëjnë lidhje të ndryshme letrare. Ai siguron një strukturë për lexuesit për të menduar më shumë në mënyrë kritike në lidhje me tiparet, dhe mes përvojave dhe karakterit të një individi, sidomos kur kulturat shërbejnë jo vetëm si ura lidhëse kulturore, por edhe si dhimbje.

Publicistika përtej ndjenjës

Publicistika e Zeqir Lushajt është e hershme. Mban risin gazetarske të kohërave të tjera, por që sjellin mes lexuesit freski dhe memorje. Në librin me shkrime publiçistike “Zbehje e heroizmit” dora e shënjuesit të merjeve shpalos figura të gjalla e i lartëson edhe një herë me portretizimet që u bën heronjëve të atdheut, njerëvve të vlerësuar nga historia dhe njrëzit, si Isa Boletini, Nikë Pjetër Ndreka, Qibra Sokoli, Met Hasa, Ram Sadria, Inajete Dumi, Kastriot Muço, Ismet Sali Bruçaj, Ilia Kici Dashi, Fatime Sokoli, Dervish Shaqa etj. Me të gjitha format e shkrimit jeta dhe rrugëtimi memorial ngjall dhe forcon, portretet jetike dhe ngjall memorjen kulturore. Autori më së miri këtë libër të shkruar në kohë të ndryshme, na jep mesazhin e brezave për brezat. Dhe brezat dinë të njohin e të riprodhojnë jo vetëm Valbonën, po edhe risqet e Valbonës, si edhe të gjitha risqet kulturore nga gjithë gjeografia e tokës shqiptare; duke filluar nga Çamëria, Gjirokastra, Kaçaniku e Prekazi, duke rrugëtuar më tej në Shkodër e Tomorr, Shkëlzen e Çajup, Mitrovicë e Plavë, Tiranë e Prishtinë, Vlorë, Durrës, Dibër, Elbasan ku mes faqeve të librit tjetër publicistik “Sportit i mbeta borxh” gjejmë Mjeshtrin e Sportit, Hysen Domi apo dhe të tjerë në të gjitha pikat gjeografike deri në Luftinjë të Tepelenës.

            Me këtë formë publicistika e Lushajt është vetë rruga e jetës së njeriut për njeriun e mirë, njeriun që di të jetojë mes sfidave dhe risqeve jetike. I tillë njeri mbetet ai në brendësi të kopertinave të librave të shumtë të tij. Por dhe mes atyre më ët fundit që Shkëlqimi mi dha nën përkujdesje, mes librave që Zeqir Lushaj doli para pak kohësh para lexuesit. Me këto gjashtë libra të rinj: Si n’kurbet, bre vëlla! (Vjersha); Zbehje e heroizmit (Shkrime publicistike); Duhama e Valbonës (Vjersha); Piedestali (Vjersha); Rrokada (vjershërime politike); Sportit i mbeta borxh (Reportazhe – portrete – kujtime), udhëletrat e autorit vazhdojnë të sjellin akoma më shumë tiktake jete.  Katër prej tyre janë libra poetikë, kryesisht frymëzime nga jeta në mërgim në Amerikë. Zeqir Lushaj shkruan me shumë mall e dashuri për vendindjen, për kohën e fëmijërisë dhe rinisë, për shtëpinë, fshatin, bjeshkët, Alpet, për Atdheun që përballet me sfidat e panumërta të tranzicionit. Shkruan kështu se ai është vetë jetë-pena dhe është i kudondodhur.

Duke përfunduar

Gjuha si një format dhe si një dukuri tërheqëse është elementi tjetër, teksa mundohemi të përmbyllim këto fjalë të domosdoshme për letrat e Zeqir Lushajt. Ndërsa ai gjen dhe rrëmon në astare kulturore natyrisht dhe gjuha është një pasuri më vete, që e bën rrugëtimin e librave të autorit të mbesin gjatë, jashtë zverdhimit të tyre. Librat kanë zënë vend dhe meritorja do kohën, vendin dhe hapësirën e vet, në mënyrë që dhe fjala e gjuha mes fjalës të bëjnë rrokadën e duhur kulturore.

 -Nga Londra, Shtator 2016-

Filed Under: ESSE Tagged With: 6 libra, Dr. Fatmir Terziu, letrat, Zeqir lushaj

Shkakaxhi i madh ky i Yni

October 4, 2016 by dgreca

Nga Ilir  LEVONJA/

1-valbone3-valbone

Fotot i përkasin rrjedhës së lumit të Valbonës, në Tropojë. Shtatit ku ka filluar të punojnë sllavatorët për ndërtimin e 30 Heceve. Projektit që sipas Kryeministrit, janë firma të mbyllura. Të trashëguara…Me një fjalë nga qeveria Berisha. Dhe nisur nga përgjigja e tij, një nga mijra qytetarëve. Që i lutet të anullojë kontratën në këmbim të shëndetit dhe virgjërisë së alpeve shqiptare. Ai i përgjigjet se nuk mundet, pasi shtetit shqiptar do t’i duhet të paguajë në arbitrazh shumë më tepër se çfarë mund të imagjinosh në një ëndërr të keqe.
Në fakt deri tani vet shakaxhiu i përparimit nuk bërë asgjë tjetër. Po të mbledhësh shifrat, nga arbitrazhi i Kalivaçit, me Françesko Beketin shto edhe avokatinë e Cherie Blair, shto edhe këtë të fundit me CEZ…, eshtë një shifër më e keqe se ëndrra e keqe.
200 000 000 (milion këto në dollarë) për shpenzimet administrative midis iksit dhe Republikës së Shqipërisë.
220 000 000 (milion këto në euro) për kryerje pagesash, për ata që mbrojnë çështjen midis iksit dhe Shqipërisë etj.
39 050 000 (milion këto në lekë) për kryerje pagesash, për ata që mbrojnë çështjen midis iksit e Shqipërisë etj.
Të gjitha këto nga gërrëvërret midis Nanos, Berishës, Ramës etj.
Dhe janë vetëm maja e ajsbergut. Se ka me kilometër shifra mjafton që të futesh në webet e qeverive. Të ndihmojnë me shumicë edhe programet nga memoria e Google.
Dhe do vini re se ky është kampioni i shifrave të humbura në Arbitrazh. Kampioni i tritolit… i parave të hedhura në erë. Kampioni i batutës që, ç’faj kam unë për ato që them. Kampioni i borxhit të shqiptarëve. Kampioni i gjakut të shitur. Kampioni i përçarjes me fasada diasporash. Dhe fonde dhuratë për një foto, nga shoqëri taksish emigrantësh. Një medalje që do ta mbajnë mend amerikanët, për ne shqiptarët. 80 mijë dollarë për një foto me Obamën.
Po ky soj është qeveritari jonë.
Mbjell lakra në qiell. Prashitë zogjtë në tela.
Ndërkohë që oponenti i tij, Sali Berisha, sapo ka postuar një video si ato nga Xing me Ermalin. Një telefon në qenef perëndimor. I cili transmeton pamje me zë nga Edi Rama në Kuvendin e Shqipërisë. Dhe që mijrat i kënaqen. Shkulen së qeshuri. I luten të kthehet…
Po nuk ke çfarë i bën. Kjo është Shqipëria jonë. Këta janë burrat e shtetit tonë. Ndërsa haraçi ynë, makthet tona, janë ëndrrat e këqija.
Ndërkaq shqiptarët mburren me Zvicrën. Në zyrat e përmbarimit vulosen kontrata shitje tokash edhe nga të vdekurit e Tropojës.
Shitet pa gajle një lumë i tërë.
Dhe shakaxhiu i përparimit nuk ka se çfarë të bëj. Nuk don tu shkaktojnë më shumë makthe shqiptarëve. Eshtë xheloz, do vetëm makthin e tij.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, ky i Yni, Shkakaxhi i madh

25 vjet nga rivendosja e mardhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri

October 4, 2016 by dgreca

Përkujtohet 25 vjetori i rivendosjes së mardhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri/

Nga Shefqet KERCELLI/Ambasada Amerikane në Tiranë, përkujtoi më 3 tetor 2016, 25-vjetorin e rihapjes së selisë diplomatike në Shqipëri. Të pranishëm në këtë ceremoni, veç diplomatëve, figurave të njohura të politikës, personalitete të fushave të ndryshme, ishin dhe disa nga personat që kanë qenë të pranishëm një çerekshekulli më parë në rihapjen e ambasadës. Njëri prej tyre, ishte i ngarkuari me punë i SHBA-ve në atë kohë, Shkëlqesia e Tij, Christopher Hill. Në fjalën e tij, zoti Hill rikujtoi premtimin e mbajtur nga Shtetet e Bashkuara se asnjëherë nuk do ta linin Shqipërinë vetëm, dhe kërkoi nga qeveria Shqipëtare që të vijojë të mbajë premtimet, ndërsa politikanët shqiptarë të bashkëpunojnë me njëri-tjetrit, ashtu siç bashkëpunojnë me Amerikën. Pak ditë më parë në një video të postuar në “You Tube”, ambasadori Amerikan në Shqipëri, Donald Lu u shpreh se, “Shqipëria mund të jetë i vetmi vend në botë me një shkollë që mban emrin e presidentit Wilson, një rrugë që mban emrin Xhorxh Bush dhe një kafe me emrin e Barack Obamës”. Është e vështirë, theksoi ambasadori Lu, “të besosh se vetëm 25 vjet më parë Shqipëria dhe Amerika nuk kishin marrëdhënie zyrtare. Mund të duket kohë e gjatë, por në historinë e dy popujve dhe dy vendeve është vetëm fillimi”. “Për mua Shqipëria është me të rinjtë e jashtëzakonshëm të saj, pjesa më e madhe e të cilëve kanë lindur gjatë këtyre 25 viteve. Më e mira nuk ka ardhur ende në marrëdhënien tonë. Ne qëndrojmë së bashku me krenari. Ky është vetëm fillimi”, u shpreh ambasadori Lu. Ndërsa ambasadorja Shqiptare në SHBA, Floreta Luli-Faber nënvizoi se, “për popullin shqiptar, SHBA-të kanë qenë gjithmonë simbol i lirisë dhe demokracisë. Kanë qenë shpresa që ka udhëhequr përpjekjet e atyre që luftuan për liri dhe demokaci. Sot, në 25 vjetorin e rivendosjes së marrëdhenive diplomatike mes dy vendeve tona,  SHBA-të janë bërë shtëpia e shumë familjeve shqiptare”. “Ne do të qëndrojmë përkrah njëri-tjetrit edhe në të ardhmen. Shqipëria do të vazhdojë të jetë një partner dhe mik i ngushtë i SHBA-së dhe ky është vetëm fillimi”, theksoi ambasadorja Floreta Luli-Faber.

 

Filed Under: Histori Tagged With: 25 vjet, Shefqet Kercelli, Shqiperi-Amerike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 54
  • 55
  • 56
  • 57
  • 58
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT