• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2019

…KAZAN

August 14, 2019 by dgreca


…kazan/
Nga Astrit Lulushi/

Një herë e një kohë na ishte një fjalë arabishte “khazana“, me kuptimin “mbledhje”, si në “mbledhje këshilli”. Pastaj fjala kaloi dete e kontinente dhe u përhap nëpër Evropë. Në Itali “khazana” u shndërrua në “Magazine” – ku grumbulloheshin shkrimet më të mira për t’u botuar një herë në javë.
Shqiptarët e huazuan fjalën, dhe nga që shkruanin pak, a nuk kishin ç’të botonin, filluan ta përdornin për magazinë kooperative ose ku ushtria ruante armët e munucionin. Kur këto u mbushën, fjala u kthye në kuptimin “kazan” plehrash. Me këtë emër sot KM u drejtohet mediave e gazetarëve kur e kritikojnë. Por këta nuk duhet të fyen. Në fakt, zyrtari i lartë, pa e ditur, i quan ata gazetarë të vërtetë dhe këshillin e ministrave, Kazan.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi-Kazan

Kësaj here Bujar Kapexhiu duhet t’i bëjë një karikaturë vetvetes!

August 14, 2019 by dgreca

Nga Elida BUCPAPAJ/

Bujar Kapexhiu është bërë i përditshëm me karikaturat e tij tek Mapo, të cilat janë me sens kritik ndaj aktorëve të pacipë të politikës shqiptare.

Artisti i mirënjohur i bën kritikat soft, por kritika mbetet kritikë.

Kur them soft, Kapexhiu e shmang rock-un, në mënyrë të mos i lëndojë aq fort të kritikuarit, i fshikullon ata, por me ato puplat e pluhurave,

e megjithatë ka krijuar rrethin e simpatizantëve, që kanë mbetur të zhgënjyer me deklarimet e fundit të artistit në lidhje me memorialin turk vendosur në mes të Tiranës.

Tek intervista që dha për Gazetën Panorama, Bujar Kapexhiu, në vend që të kërkonte ndjesë, u përpoq të justifikonte praninë e tij në çmendurinë e rradhës të një kryetari bashkie që është në funksion të babëzisë mafioze të Edi Ramës, që për pushtet shet gjithë Shqipërinë.

Nuk ka asnjë justifikim vendosja në mes të kryeqytetit shqiptar e memorialit kushtuar të rënëve në mbrojtje të Erdoganit gjatë grushtit të shtetit.

Ky memorial është thjesht gjunjëzim i Edi Ramës ndaj Erdoganit duke shkelur në dinjitetin e shqiptarëve.

Është e turpshme që në përurimin e këtij memoriali kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të shoqërisë civile. Edhe shoqëria civile në Shqipëri është skllavja e Edi Ramës.

Në Shqipëri nuk ka asnjë memorial që kujton viktimat e diktaturës, nuk ka asnjë Yad Vashem. Dhe e dini përse?

Jo vetëm për faj të klasës politike, por edhe për faj të elitës, që për interesa të komoditetit personal nuk ia prish qejfin askujt!

Prania e memorialit në mes të Tiranës është i papërshtatshëm. Ambasada turke sikur e vendosi le ta heqë, sepse është provokues për shqiptarët!

Heqja e memorialit nuk ka se përse të prishë marrëdhëniet e Shqipërisë me Turqinë si dy vende anëtare të NATO-s.

Nuk ka asnjë monument të Skënderbeut në mes të Stambollit dhe Shqipëria e Turqia janë shtete miq.

Në Tiranë mund të ketë një statujë për Mustafa Kemal Atatürk-un, si themeluesin e Turqisë moderne, me origjinë shqiptare, por memoriali nuk ka asnjë sens të qendrojë në Tiranë.

Edi Rama le ta marrë e ta çojë këtë memorial në vilën e tij në Surrel, por le të dërgojë policët e Lleshit, e ta heqë nga vendi ku ndodhet.

Ndërsa z.Bujar Kapexhiu, të shpëtojë nderin që e ka krijuar me meritat dhe talentin e tij, le të kërkojë heqjen e memorialit e t’ju lypi ndjesë simpatizantëve e shqiptarëve.

Do të ndihet më i nderuar nëse lyp ndjesë. Dhe ne simpatizantët e tij do ta harrojmë menjëherë praninë e tij në ditën inauguruese të memorialit.

Turqia u ka kërkuar shtetarëve shqiptarë shërbime që bien ndesh me të drejtat e njeriut, sikur është rasti i ekstradimit nga Kosova të qytetarëve turq që dyshoheshin si njerëz të Fethullah Gulenit.

I njëjti skenar u synua të realizohej edhe në Zvicër, por dështoi dhe u krijua incident mes dy shtetesh sepse qytetarët turq, që shërbimi i fshehtë turk deshi t’i ekstradonte, u morën në mbrojtje nga shërbimi adeguat i shtetit zviceran. Zvicra mbron sovranitetin e shtetit dhe të qytetarëve të saj.

Shqipëra dhe Kosova kanë marrëdhënie shumë të mira me Turqinë, por janë dy shtete të pavarura dhe jo shtete vasale.

Memoriali në Tiranë është shprehje puthadore e Edi Ramës ndaj Erdoganit, jo si midis dy burra shtetesh por si shërbyes i presidentit të Turqisë. Le ta marrë Erdogani Edi Ramën për shërbime dhe besnikëri në pallatin e tij e le t’jua heqi qafe shqiptarëve.

Shqiptarëve nuk u duhet as Edi Rama dhe as memoriali. U duhen marrëdhënie të respektit të ndërsjelltë, që askush nuk i imponon tjetrit, as ta vendosë Skënderbeun pranë Xhamisë Blu, dhe as anasjelltas.

Heqja e memorialit nga Tirana nuk cënon marrëdhëniet ndërshtetërore, por i vendos ato në raporte të drejta.

Ndërsa memecëria e politikanëve shqiptarë, e shoqërisë civile dhe e elitave është shitje e nderit të tyre.

Kësaj here Bujar Kapexhiu duhet t’i bëjë një karikaturë vetvetes!

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Bucpapaj- Karikatura-Bujar Kapexhiu

DEKLARATË E FEDERATËS PAN SHQIPTARE TË AMERIKËS”VATRA”

August 14, 2019 by dgreca

  • Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA distancohet dhe dënon përdorimin nga Qeveria Shqiptare të simbolikave që dëmtojnë të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar./

Kohët e fundit, në një errësirë zyrtare informative, publiku u njoh shkarazi, me ngritjen e një memoriali të vendosur në Parkun e Tiranës, në nderim të një numri shtetasish turq, të cilët kanë humbur jetën gjatë trazirave të ndodhura në Turqi në Korrik 2016. Për publikun mbeten të pasqaruara arsyet e një veprimi të tillë dhe mungesa e llogaridhënies dhe transparencës në këtë rast tregon se praktikat, që ndiqen dhe realizohen në institucionet shtetërore i nënshtrohen dëshirave dhe interesave të drejtuesve të tyre, jashtë standardeve demokratike.

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA u themelua nga korifenjtë e mendimit modern shqiptar, Noli e Konica si një domosdoshmëri për të nxitur dhe bërë realitet shkëputjen nga errësira qindra vjecare otomane dhe orientimin e Shqipërisë drejt perëndimit, të cilit i kemi përkitur dhe do t’i përkasim. 

Në këto rrethana VATRA dënon publikisht dhe distancohet qartazi nga ngjarja e fundit dhe nga cdo tentative të ngjashme, simbolika e të cilave synon plotësimin e agjendave, me të cilat shqiptarët janë ndarë që prej më shumë se një shekulli. Ftojmë forcat politike shqiptare, pa dallim, që cuditërisht po heshtin, t’i bashkohen qëndrimit të qytetarisë shqiptare. 

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA ka shprehur në vazhdimësi publikisht dhe jopublikisht tek institucionet amerikane, shqetësimin e thellë për gjendjen e demokracisë në Shqipëri, në tërë kompenentët përbërës të saj. Por, ngjarja e fundit, përcjell mesazhe të dëmshme në kuadër të një optike më të gjerë të partneritetit strategjik.

I bëjmë thirrje Kryeministrit Edi Rama të nisë menjëherë fuqizimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, ringritjen e këtyre marrëdhënieve në nivelin, që shqiptarët kërkojnë dhe të heqë dorë nga cdo simbolikë që dëmton objetivat tona perëndimore.

Filed Under: Featured Tagged With: Vatra

Skuthat e “Dum Babës”

August 14, 2019 by dgreca

Skuthat e “Dum Babës” /

Nga Rafael Floqi/

Shpesh në luftën politike të pa skrupull shqiptare, përmendet Lëvizja e Haxhi Qamilit e vitit 1914, si simbol i diçkaje te vjetër, apo simbol i tradhtisë kombëtare. Lëvizje që komunizmi kërkonte dhe me studimet e veta e bëri si lëvizje fshatare …. nuk ishte as më shumë as më pak një Pugaçov shqiptar. Madje dhe në zhargonin e kryeministrit tonë, kripto-katolik” Edi Rama ka zënë kaq shumë vend figura e Haxhi Qamilit sa dhe një muaj, më parë ai i quante të gjithë “ Haxhi Qamilë, madje kur Rama zhvilloi një takim elektoral në Tropojë dhe Kukës, ku prezantoi kandidatët për kryebashkiakë para zgjedhjeve lokale e quajti Presidentin Meta, Haxhi Qamil.  

 “Meta ka marrë përsipër pjesën e dhunës institucionale. Ka marrë përsipër molotovët institucionalë. Ka marrë përsipër t’i gjuajë me molotov Amerikës, Europës. Haxhi Qamili kur mori kot atëherë i çuan fjalë ata i thanë sikur po e tepron se po preken interesat e Francës. Reagoi Amerika dhe Italia, tha unë nuk kam anuluar zgjedhjet në Amerikë. Njësoj si Haxhi Qamili, i cili tha sa të kem Shijakun dhe Kavajën nuk pyes Amerikën. Është ky vend që nxjerr Haxhi Qamilë”.

Si rrallë here, kësaj herë rashë dakord vetëm me fjalinë e fundit të Ramës. “ Një vend që nxjerr “Haxhi Qamilë”. Thonë se çdo krahasim çalon, por krahasimi i politikanëve tanë, i Ramës i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, por edhe i disa përfaqësuesve të PD-së në Memorialin e viktimave të Grushtit të shtetit të 15 Qershorit në Turqi, ngjason me shumë me ngritjen e flamurit të Perandorisë Osmane nga Haxhi Qamili apo mulla Qazim Beqari shpalosi parullën “Duam Babën”. Më 3 qershor 1914 në një mbledhje në Kavajë, ndër kërkesat kërkonin largimin e Princ Vidit të sjellë nga Fuqitë e Mëdha. Kryengritësit myslimanë kërkuan ribashkimin e Shqipërisë me shtetin osman ose së paku të qeverisej nga një sundues osman, rivendosjen e Sheriatit, heqjen e flamurit shqiptar dhe rivendosjen e flamurit osman.

A kërkon këtë Rama apo Veliaj?  Nuk e besoj. Apo kërkon vëlla Edi të shantazhojë BE-në, SHBA-në  me hijen e vëlla Tajipit? Mundet. Apo dhe diçka për tej, apo më të errët, alla mafioze me linja avionësh ? Se di. Pse nisi pikërisht tani Linja ajrore shqiptare?  

Çfarë i duhet Shqipërisë të futet në politikën e brendshme të Turqisë? Të pyesim vëlla Edin?

Habi. “Heronjtë e Erdoganit”, ata që dhanë jetën në mbrojtje të tij, kur u bë tentativa e grushtit të shtetit, qenkan nderuar me një përmendore! Ku në një rrugë, nga më të bukurat e Kryeqytetit! Ngjarja ka ndodhur me 15 Korrik, pra një muaj më parë. Një terr informativ e kishte mbuluar këtë manifestim madhështor, në mes të ditës, bash në zemër të Tiranës. Mund te shihni  videon që ka shpërndarë Ambasada Turke. Turma me flamuj shqiptarë dhe turq, marshojnë drejt Kodrave të Liqenit. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës duket në video që përshëndet aktivitetin. Në sfond të tij lexohet “Fitorja e Demokracisë së 15 Korrikut -Tiranë, Shqipëri”. Në fytyrë i lexohet shqetësimi, sikleti dhe padurimi për tu larguar…Ishte një nga detyrat më të vështira që ka kryer prej marrjes së detyrës….Por pse media bashkiake me 47 punonjës nuk u gjend aty. Asnjë televizion për be, asnjë portal, asnjë gazetë. Asnjë status në FB. Bëhet fjalë për mediat shqiptare sigurisht. Ndërsa media kryesore turke, televizioni shtetëror turk TRT dha një kronikë për këtë ngjarje… Kryeministri ishte larguar në rezidencën verore të Erdoganit në Marmara dhe ne e shijuan kronikën me verë të mirë te tij me vëllain e madh, Tajip. Dhe kjo ndodhi pasi vëlla Edi me ministrin e Brendshëm turk Süleyman Soylu ishin marrë vesh, siç raportonte Anatolli Ajans :  “Në takimin e mbyllur për mediat mes dy delegacioneve të kryesuara nga kryeministri Rama dhe ministri Soylu u diskutua rreth Organizatës Terroriste FETO, luftës kundër krimit të organizuar dhe çështjeve të migracionit”, Në takimin midis delegacioneve i pranishëm ishte edhe ambasadori Yörük dhe kreu i Zyrës për luftën kundër krimit të organizuar (KOM) pranë Ministrisë turke të Punëve të Brendshme, Resul Holoğlu. 

Shqipërisë nuk i duhet as Feto dhe as Erdogani.  Kemi shumë respekt për Shtetin Turk, Qeverinë Turke, Popullin Turk si shtet, qeveri dhe popull mik, por miqësia miqësi, respekti respekt por secili i di vetë punët e veta në shpi të vet! Dhe ky është debat politik dhe 100% laik! Grushti i dështuar gylenist i shtetit i 15 Korrikut dhe reagimi i drejtë ndaj tij nuk është një ngjarje fetare por një çështje krejtësisht e politikës së brendshme turke pa asnjë lidhje me Shqipërinë! Simpatitë personale të Ramës nuk kanë asnjë vlerë dhe asnjë kuptim në lidhje me 15 Korrikun e Turqisë! Janë thjesht simpati dhe tifozllëk personal që s’duhet të ndikojë në qëndrimet ndërshtetërore!

Nëse kritikët e kanë shndërruar në një anekdotë qesharake maninë e Erion Velisë për tu shfaqur kudo duke mbjellë një pemë, por fshihet kur firmos për kulla në Tiranë, kësaj here është kujdesur që fytyra e tij të mos fiksohet askund si e lidhur më këtë ngjarje. Pse?

Justifikimi i Veliajt për këtë ngjarje kërkon të mbulojë të pëgërat me plehra.

 Veliaj theksoi se “ s’ka ndodhur asnjë hata apo tradhti…. Unë do të thosha t’i lëmë të vdekurit të qetë dhe kush do që t’i respektojë me një qiri, me një lule apo me një lutje, t’i lëmë gjithashtu të qetë. Tirana zemërmadhe ka vend për të gjithë”. Vërtet, po pse nuk qe vetë prezent?

Por harron ai se u desh disa vjet vetëm për të marrë një leje për të ndërtuar një statujë të Dede Gjo Lulit me kontributet e diasporës së Amerikës në Tiranë. Në kryeqytet ku nuk mungojnë as vepra avangardiste borxh si “Reja”, apo kërpudhat e bërë synet të oborrit të Kryeministrisë, nuk ka një monument për Nënë Terezën, dhe një që ishte e degdisën në Qafë Thanë. Sipas këtij mendimi të Veliajt pse të mos i ndërtojmë një statujë edhe Erdogulit  (Na mbytën telenovelat Turke, në kanalet televizive shqiptare dhe kosovare”)  pse jo, edhe për Sulltan Muratin apo Mehmetin, apo dhe për Haxhi Qamilin.  

“Nganjëherë e di si më duket, sikur e vetmja gjë që kemi mësuar nga historia, është që s’kemi mësuar asnjë gjë nga historia. T’ju jap një rast? Haxhi Qamili. Duam babën, duam të shkojmë atje ku ishim 500-vjet. Zot, a nuk është për t’u habitur se si përsëritet historia, që ka njerëz që thonë prapë – Duam babën. Por tani jo ai ‘baba në Stamboll’, dhe ai që e thoshte këtë gjatë fushatës  ishte po Veliaj. Dhe kësaj here pas veprimit prej skuthash të vendosjes të memorialit, tani po e kuptoj fiksimin e Rilindasve me këtë figurë të errët të historisë shqiptare.  Nuk ka asnjë dyshim që Haxhi Qamili është personazhi më komik dhe më grotesk i këtyre 100 viteve të shtetit shqiptar. Thanas Floqi, një patriot shqiptar dhe i afërm i imi që e pa për herë të parë në Elbasan, i terrorizuar nga imazhi tij, ka dhënë përshkrimin më interesant të këtij personazhi: “Haxhi Qamili nga trupi asht mesatar e nga mosha përgjysëm burrë. Asht vesh me uniformë gjenerali; me uniformën e Fadil Pashë Toptanit të cilën duket se ia kanë dhanë shokët si dhuratë. Në krye ka vu një kallpak oficerësh të Turqis edhe nga mesi i tija varet shpata që ka ka rrëmbye pashës nacionalist (Aqif pashës). E vetmja gjë që prish armoniën e kësaj veshje ushtarake janë kofsharët e bardhë (brekushet) qi kanë zanë vendin e pantallonavet. Pas veti mban gjithnji dy këshilltarë ose adjutantë. Reshit Gjata prej Krrabës së Elbasanit dhe Haxhi Qiri nga Borizanë e Krujës…”.    

S’ka ndodhur asnjë hata apo tradhti. U shpreh Veliaj. Vërtet ….

“Debati mbi memorialin nuk është debat që ka lidhje me fenë por vetëm me politikën.”, Të jesh kundër cënimit të sovranitetit & identitetit kombëtar nga disa neotomanë shqiptarë të PS dhe PD me monumente absurde dhe ofenduese si me qenë krahinë turke dhe shpalljeve antikombëtare se “jemi vëllezër me Turqinë” qenka islamofobi? Që kur qenka shpall erdoganizmi fe dhe Erdogani koka e islamit për Shqipërinë? Apo pse e larguan kryetarin e mëparshëm të komunitetit islam si Fetoist. 

Ç’ lidhje ka feja këtu? Ky është debat krejtësisht dhe pastërtisht thjesht politik që lidhet me çështje thellësisht politike!  Me idhullin që ka Rama për autokratin Erdogan, apo më tepër me lidhjet okulte të Ramës me Erdoganin. Vëllai i madh Tajip të vetmen gjë që ndërton në Shqipëri është një xhami që ka kaq vjet që s’po sendërtohet dhe ende dhe besimtarët për Bajram vazhdojnë të falen në shesh. Dhe do të vazhdojë të jetë kështu ndoshta, gjersa Shqipëria, ashtu si Kosova skuthësisht të dorëzojë fshehtas ndonjë kokë gulenisti që ende ka mbetur.  

Natyrisht, Turqia ka interesa në Ballkan. Investimet dhe tregtia turke janë rritur në të gjithë rajonin. Murat Uğur Ekinci, një analist i Ballkanit në SETA – një qendër mendimi afër qeverisë turke – tha se statistikat zyrtare tregojnë një rritje të jashtëzakonshme në tregtinë e Turqisë me Ballkanin Perëndimor, nga 435 milion dollarë (364 milion €) në 2002 në 3 miliardë dollarë (2.5 €) miliardë) në vitin 2016.  Pavarësisht rritjes, Ballkani perëndimor përbën vetëm një pjesë të tregtisë së Turqisë. Për shembull, vëllimi i saj i tregtisë me BE është rreth 145 miliardë euro. Natyrisht Ballkani është tërheqës për bizneset turke sepse si Turqia ashtu edhe vendet e rajonit janë përpjekur të përafrojnë rregulloret me ato të BE-së, si kandidatë për anëtarësim. Lidhjet e ngushta kulturore, historike dhe fetare e bëjnë Turqinë një partner natyror për vendet e Ballkanit Perëndimor me një popullsi të konsiderueshme muslimane, të tilla si Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria dhe Kosova. Më befasuese ka qenë një marrëdhënie e lulëzuar tregtare dhe politike me Serbinë, ku dikur ndjenja anti-turke ishte e përhapur. Por kush e njeh historinë e Shqipërisë e kupton pse.

Nga ana e tyre, vendet me lidhje të ngushta me Turqinë insistojnë se këto nuk ndikojnë në dëshirën e tyre për të shkuar drejt BE. Aktivitetet e politikës së jashtme turke, projektet sociale, kulturore dhe mediatike, si dhe investimet ekonomike, të gjitha janë rritur me shpejtësi në rajon në dekadën e fundit. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka kohë që ka kërkuar të forcojë lidhjet me ish-tokat e Perandorisë osmane në Ballkan, duke e vendosur Ankaranë në konkurrencë me Rusinë dhe BE-në në rajon. Raporti pretendon se Ballkani Perëndimor nuk është një përparësi për politikën e jashtme turke – e cila përqendrohet më shumë në marrëdhëniet me Evropën dhe zhvillimet në konfliktin sirian.

Si konkluzion them se e dua Turqinë, si vend mik, madje, dhe muajin tim të mjaltit e kam kaluar atje, por siç thoshte Naimi, për Shqipërinë “dielli lind nga perëndon”. Asokohe, kur po vizitoja një nga shitoret e relikteve turistike në Antalia, shitësi i dyqanit, më pyeti: 

-Nga je? 

-Shqiptar i thashë, arnaut”.

-Vëlla”, më tha turku. 

-Jo, vëlla i thashë, por komshi. Komshi i mirë i thashë”

 Dhe pasi bleva një sy palloi blu për fat, ika duke recituar prej Dritëroit “Poçarin”.   

Filed Under: Politike Tagged With: Rafael Floqi-Skuthat-Dum Babes

KUR BOTA NA BEFASON DHE GJËRAT SHKOJNË PËR SË MBARI

August 13, 2019 by dgreca

Nga SERGIO ROMANO/ Corriere della Sera-Perktheu -Eugjen Merlika/

            Jo gjithmonë lajmet na vërtetojnë bindjen se Evropa dhe bota po përshkojnë një nga krizat më të këqija të dhjetëvjeçarëve të fundit. Ka edhe çaste kur njerëzit që kanë përgjegjësitë më të mëdha sillen me arsye dhe gjërat duket se shkojnë për së mbari.

            Na kishin thënë se Kina po punonte për një plan ambicioz (Rruga e re e Mëndafshit) për të zotëruar ndërmarrjet tona e portet tanë. Por duket se në javët e fundit qeveria e Pekinit ka vendosur t’i pakësojë investimet jashtë shtetit (14 miliard dollarë në 2018) e t’i limojë shumë projektet për ndërtimin e infrastrukturave në Vendet në zhvillim. Duhet të shmangim faktin që Kina të bëhet shumë vërshuese. Por ajo i njeh më mirë se të tjerët caqet e fuqisë dhe të pasurisë së saj.

            Ishim mësuar t’i quanim Vendet e Vishegradit (Republika Çeke, Polonia, Sllovakia, Hungaria) një “kundër-Evropë”, të rrezikëshme veçanërisht për tërheqjen që ushtron mbi qeverinë austriake dhe sovranistët italianë. Por zgjedhja në kryesinë e Sllovakisë të një zonje evropeiste dhe liberale, Suzana Caputova, tregon se jo e gjithë Evropa qëndër-lindore është mosbesuese. E dinim se gjigandët e informatikës kërkojnë të shmangen nga rregullat financiare t’Evropës, krijojnë parajsa fiskale në Vendet ku vendosen dhe përdorin privatësinë tonë si një të mirë tregtare. Por në Financial Times lexoj se Mark Zuckerberg, pronari i Facebook-ut, e njeh rëndësinë e rregullave. Në një bisedë të fundit ka pranuar se ka lëndë në rrjet – sfera vetiake, përmbajtja e fushatave zgjedhore dhe ruajtja e të dhënave – në të cilët rregullat publike janë të domosdoshme.

            Kishim frikë se Rexhep Taip Erdogan, mbas grushtit të Shtetit të dështuar të korrikut 2016, po zbërthente copë mbas cope Turqinë demokratike dhe laike që kish krijuar Mustafa Qemal Ataturku mbas fundit të sulltanatit. Nuk besoj se ka hequr dorë nga projekti autoritar dhe kam përshtypjen që mund të besojë ende mbi miratimin e Turqisë anadolliane, në të cilën një shoqëri e kushtuar Islamit i është mirënjohëse për rritjen ekonomike të viteve të shkuara. Por humbja e dy qyteteve më të mëdha të Vendit (Ankara dhe Stambolli) tregon se trashëgimia e reformuesit të madh nuk ka humbur krejtësisht.

            Gjatë fushatës për kryesinë e Brazilit Jair Bolsonaro nuk ka fshehur mallin e tij për regjimin ushtarak: një njëzetvjeçar i filluar më 1964 në të cilin gjeneralët dhe admiralët lejonin qënien e një të vetme partie e qeverisnin me polici të vrazhda shtypëse (“gorillat”). Por një veteran i asaj periudhe, gjenerali Ernest Geisel, ka thënë ditët e shkuara se ishin kohë të tjera e se ushtarakët shërbejnë për të bërë luftën, nëse është e nevojshme, e jo të qeverisin Vendin. Jo gjithshka po shkon shtrembër. Kishte të drejtë një politikan i moshuar kur tha: “Bota nuk shkon as djathtas dhe as majtas, vjen rrotull”.

*****

            Corriere della sera                          

 E përktheu Eugjen Merlika

            Shënim i përkthyesit

            Më tërhoqi vërejtjen ky shkrim optimist në morinë e atyre të zymtë që mbushin çdo ditë gazetat e kohës që po kalojmë, si pasojë e ndryshimeve, herë herë të vrullshme të botës sonë. Barazpesha që priren të lëkunden, koncepte të politikës ndërkombëtare, me të cilët jemi rritur e po plakemi, të kthyera në tabu mendore që rrezikojnë zbehjen, dalje në skenë e “teorive” për ndryshueshmërinë pa kritere logjike të gjithshkaje njerëzimi ka sendërtuar deri tani, sulme pa parim të vlerave tradicionale shumë shekullore, krijojnë një çoroditje në shumicën e publikut.

            Publiçisti i njohur, ish ambasadori italian në BRSS në vitet tetëdhjetë, me stilin e tij të thukët merr në shqyrtim pesë shfaqje të ndryshme të politikës ndërkombëtare, duke i parë ato në kahun e tyre pozitiv e shpresëdhënës. Besoj se edhe politika, aq e përfolur shqiptare, mund të gjejë në këtë shkrim motive përsijatjeje e përvoje të vlefshme për t’u mbajtur parasysh në veprimtarinë e saj aq të diskutueshme sa i takon vlerave, parimeve e metodave të punës.

            Dy prej këtyre ngjarjeve mund të paraqesin një interes për problematikat e jetës sonë politike: zgjedhja e Suzana Kaputovës në krye të shtetit sllovak dhe zgjedhjet e fundit vendore në Turqi me përfundimet e tyre në Ankara dhe Stamboll. Besoj se ka mjaft çfarë të mësohet prej tyre.

Filed Under: Analiza Tagged With: Kur Bota Befasonte-Sergio Romano-Eugjen Merlika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 31
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJOFTIM NGA VATRA: HAPET GARA PËR KANDIDATËT PËR KRYETAR TË FEDERATËS VATRA
  • Kthesë historike për Kosovën: 19 Qershori 1998 – Legjitimimi politik i UÇK-së nga SHBA-ja
  • Join the Albanian Roots Parade & Festival
  • Kontributi shkencor i Ukshin Hotit në interpretimin e Lidhjes së Prizrenit
  • Francesco Chetta – Schirò “Kastriotët, princa të Shqipërisë në Urdhrin Sovran dhe Ushtarak të Maltës – Zanafilla e derës së Kastriotëve” – Francesco Chetta – Schirò
  • Rruga Lissus–Naissus: Arteria strategjike e Ballkanit Romak dhe roli i Mirditës në lidhjen Adriatik–Danub
  • Revolucioni i Flamingove dhe frika nga perëndimi
  • BABALLARËT E KOMBIT DHE LINDJA E AMERIKËS
  • KOSOVA NË PERSPEKTIVËN EVROPIANE: DOMOSDOSHËMËRIA JURIDIKE DHE LEGJITIMITETI SIPAS SË DREJTËS NDËRKOMBËTARE DHE TË DREJTËS EVROPIANE
  • Nga Judge John Ingram Monitor i Zgjedhjeve : Lidhur me Konventën dhe zgjedhjet e VATRËS
  • Kujtojmë Karlo Taljavinin, albanologun italian që studioi rrënjët indoeuropiane dhe pasurinë e dialekteve të shqipes
  • BREZI QË SFIDOI STATUS-QUO-në, TRIUMFI STUDENTOR PËR GJUHËN NË STRAZBURG
  • KUR NDËRGJEGJA VLEN MË SHUMË SE DISIPLINA PARTIAKE
  • GEORGE W. BUSH, PRESIDENTI QË E ÇOI AMERIKËN NËPËR STUHINË E 11 SHTATORIT DHE MBËSHTETI SHQIPTARËT NË MOMENTET VENDIMTARE
  • Mësimi hungarez për Shqipërinë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT