Ambasadori Donald Lu: Në rajon ka pasur 93 vendime fajësie me 35 të dyshuar të tjerë aktualisht në gjykim. Bosnja ka gjetur fajtorë 12 persona dhe 8 të tjerë janë aktualisht në gjykim. Kosova ka marrë të pandehur 75 persona dhe ka siguruar vendime fajësie në mbi 50 çështje. Maqedonia tashmë ka 18 vendime fajësie për akuza që lidhen me luftëtarët e huaj. Dhe Shqipëria më herët këtë vit, dënoi 9 persona me 152 vite gjithsej/
Nga Donald Lu*/
I nderuar Zv/Kryeministër Peleshi, z. Klosi, Gjeneral Lleshi, miq të komunitetit të besimeve, kolegë diplomatë, zonja dhe zotërinj,
Më pëlqeu shumë që z. Peleshi citoi Malala Yousafzai. Vajza ime që është 11 vjeç lexoi autobiografinë e Malalas këtë verë dhe i lindën shumë pyetje, pyetje për konfliktet dhe botën në të cilën jetojmë. Por gjatë kësaj jave të ditëve të para të shkollës për fëmijët në mbarë botën, mendoj se është një kujtesë e bukur se si një vajzë e re mund të na frymëzojë të gjithëve.
Më 10 gusht, policia shqiptare arrestoi një kosovar me precedentë kriminalë. Dijar Xhema u arrestua si i dyshuar për kryerjen e veprave terroriste dhe nxitjen për vepra terroriste në qytetin shqiptar të Vlorës.
Policia tha që Xhema u përpoq të hipte me forcë në makinën e tij tri persona, gjatë një periudhë dy orëshe, ndërsa thërriste: “Allahu Ekber! Jam i dërguari i Allahut!” dhe “Dua t’ju vras të gjithëve!”.
Fatkeqësisht, shumica e ekstremistëve të dhunshëm nuk dallohen kaq lehtë dhe janë shumë më të sofikstikuar se z. Xhema. Ata përdorin teknika dhe teknologji që e vështirësojnë identifikimin dhe e bëjnë të vështirë kapjen e tyre, teksa rekrutojnë luftëtarë të huaj ose përpiqen të kryejnë vepra të dhunshme.
Por vendet e Ballkanit Perëndimor kanë qënë jashtëzakonisht të suksesshme dhe duhet të jenë krenare për sukseset e tyre të fundit në arrestimin dhe ndjekjen penale të luftëtarëve terroristë të huaj. Në rajon ka pasur 93 vendime fajësie me 35 të dyshuar të tjerë aktualisht në gjykim. Bosnja ka gjetur fajtorë 12 persona dhe 8 të tjerë janë aktualisht në gjykim. Kosova ka marrë të pandehur 75 persona dhe ka siguruar vendime fajësie në mbi 50 çështje. Maqedonia tashmë ka 18 vendime fajësie për akuza që lidhen me luftëtarët e huaj. Dhe Shqipëria më herët këtë vit, dënoi 9 persona me 152 vite gjithsej për rekrutimin dhe pjesëmarrjen në organizata terroriste.
Shqipëria ka ulur gjithashtu lëvizjen e luftëtarëve terroristë nga territori i saj, nga mbi 90 persona në vitin 2013 dhe 2014 në zero gjatë dy viteve të fundit, sipas Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare. Kjo është një arritje e jashtëzakonshme, e pakrahasueshme me asnjë vend tjetër në Ballkanin Perëndimor.
Por, tani Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor janë shqetësuar në lidhje me një kërcënim të ri — kërcënimi i mundshëm i luftëtarëve të huaj që kalojnë tranzit si refugjatë që largohen prej Irakut, Sirisë dhe Afganistanit. Shtetet e Bashkuara janë krenare që mbështesin udhëheqjen e OSBE-së, Zyrës së Kryeministrit dhe SHISH-it për organizimin e këtij aktiviteti për diskutimin e mundësive me fokus parandalimin e këtij rreziku në rritje.
Në të njëjtën kohë, është kritike që këto përpjekje të mos shkelin të drejtat legjitime të refugjatëve që kërkojnë siguri dhe mbrojtje, siç përcaktohet në Konventën e Gjenevës të vitit 1951 për Refugjatët.
Një nga pikat kyçe është informimi më i mirë dhe mbrojtja më e mirë e kufijve. Një nga mjetet që i është vënë në dispozicion kohët e fundit Shqipërisë nga FBI-ja amerikane dhe Qendra Kombëtare e SHBA-së kundër Terrorizmit është aksesi në bazën e të dhënave për terrorizmin përmes një marrëveshjeje për ndarjen e informacionit, nënshkruar gjatë vizitës së Kryeministrit Rama në Uashington në muajin prill. Me këtë mjet, Policia Kufitare shqiptare mund të hyjë në listën e mijëra terroristëve potencialë që është hartuar në bashkëpunim me dhjetëra vende partnere.
Së fundi, ISIS nuk mbaron në Siri dhe në Irak. ISIS nuk është thjesht një ushtri. Është ideologji. Dhe për këtë arsye, përbën një kërcënim serioz për Evropën dhe përtej. Ne nuk dimë se në çfarë forme do të materializohen këto kërcënime — siç ndodhi tragjikisht gjatë këtij viti në Francë, në Belgjikë dhe në Gjermani. Por, ajo që ne dime është se ngado që të vijnë këto kërcënime, kemi besimin se, nëse punojmë së bashku, do të jemi gati të përballemi me to.
Shumë faleminderit!
*(Fjala e Ambasadorit Donald Lu gjatë Konferencës së Qendrës George C. Marshall “Luftëtarët e Huaj Terroristë dhe Rrugët e Migrimit të Kundraligjshëm” (14 shtator 2016)
JAKOVi says
Ndaj terrorizmit Z.LU duhet luftuar pa hezitim ,pa liberalizem dhe me kontrolle te vazhdueshme ne thellesi te tyre duke i identifikuar dhe ndeshkuar pa meshire ,ashtu sic bejne dhe ata me cdo lloje kategori njerezish .Shprehja dekadente -Po ne nuk mund te jemi si ata –perben nje rrezik serioz qe con ne ngjarje tragjike si ato te 11 shtatorit ne SHBA ku arab islamike u lejuan te sterviteshin brenda territorit amerikan per pilotim ,nje gabim i pafaleshem qe erdhi si pasoje e nje liberalizmi te cfrenuar tipik amerikan .Terrorizmi nuk luftohet as me lutje e indulgjenca zoti ambasador e as me fushata .Kjo eshte edhe arsyeja qe ne zemer te Europes ka me shume terrorist se sa ne Siri e Irak se bashku ,por keta ujqer jane te veshur me petkun e deles dhe ka veshtiresi per ti identifikuar .Ky liberalizem po vazhdon perdite si ne Itali qe do ta pesoje per shak “te nje humanizmi te cfrenuar “Europa duhej ti kishte mbyllur ato porta te mallkuara prej kohesh –tani eshte teper vone dhe pasojat nuk do te vonojne .Ky nukeshte pesimizem por nje realitet qe e kemi tek dera kryesore –dhe ju me kokefortesi e injorance po vazhdoni te mos e kuptoni drejt ate rrezik .Boll me meshiren kristjane qe con ne krime kunder njerezve te pafajshem ,MOs degjoni denglat e Papes argjentinas qe po ju mashtron perdite -jini vigjilent per vendin tuaj dhe mos hani sapun ne vend te djathit .