• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Trump i shkruan Thaçit: SHBA-të kanë investuar shumë për suksesin e Kosovës

December 18, 2018 by dgreca

-Presidenti Thaçi ka pranuar një letër nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump/

1 Trump Nenshkruan

-Presidenti Trump: Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë për suksesin e Kosovës, si një shtet i pavarur dhe sovran. Ne duam që vendi i juaj të vazhdojë të zhvillohet/

PRISHTINË, 18 Dhjetor 2018-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pranuar një letër nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Në këtë letër, Presidenti Trump, ndër të tjera kërkon nga presidenti Thaçi dhe liderët e Kosovës që të shfrytëzohet ky moment unik, që të flasin me një zë, me qëllim të arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë.

“Dështimi për të përfituar nga kjo mundësi unike, do të ishte një kthim tragjik mbrapa, sepse një mundësi tjetër për marrëveshje paqësore gjithëpërfshirëse, vështirë se do të mund të përsëritet për një kohë të gjatë.”

Më poshtë mund ta lexoni në tërësi përmbajtjen e letrës së dërguar nga Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.

Shkëlqesia Juaj

Hashim Thaçi

President i Republikës së Kosovës

I nderuar z. President:

Ishte kënaqësi të flisja me Ju në Paris gjatë shënimit të Ditës së Armëpushimit. Kosova është një partner vendimtar në përpjekjet tona për të garantuar paqen dhe stabilitetin për të gjithë Evropën. Unë i  mirëpres përpjekjet tuaja aktuale për pajtim me Serbinë. Dështimi për të përfituar nga kjo mundësi unike, do të ishte një kthim tragjik mbrapa, sepse një mundësi tjetër për marrëveshje paqësore gjithëpërfshirëse, vështirë se do të mund të përsëritet për një kohë të gjatë.

Unë, iu nxis Ju dhe liderët e Kosovës, që ta shfrytëzoni këtë moment unik, të flisni me një zë të vetëm gjatë negociatave për paqe, dhe të përmbaheni nga veprimet të cilat mund ta vështirësojnë arritjen e marrëveshjes.

Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë për suksesin e Kosovës, si një shtet i pavarur dhe sovran. Ne duam që vendi i juaj të vazhdojë të zhvillohet.

Ne jemi të gatshëm që t’ ju ndihmojmë në përpjekjet tuaja për të arritur një marrëveshje, e cila reflekton në mënyrë të balancuar interesat e Kosovës dhe të Serbisë. Një marrëveshje e tillë është e arritshme. Unë pres që në Shtëpinë e Bardhë t’ju mirëpres Ju dhe Presidentin Aleksander Vuçiç, për të festuar atë që do jetë një marrëveshje historike.

Sinqerisht,

Donald Trump(Firma)

1 Letra origjinale

Filed Under: Politike Tagged With: Leter Thaçit, Presidenti Trump

VEPRIMTARI NË VLORË

December 18, 2018 by dgreca

1 Vilhelme

Vilhelme Vranari Haxhiraj, fisnikja e Kaninës, Anëtare e re e Akademisë së Shkencave dhe e Arteve Shqiptaro-Amerikane, me seli në New York/

Nga Kadri TARELLI/

Në mesin e dhjetorit 2018, në qytetin e Vlorës u organizua ceremoni festive, me rastin e dorëzimit, nga akademiku Eshref Ymeri, të çertifikatës për zonjën Vilhelme Vranari Haxhiraj, si anëtare e re e Akademisë së Shkencave dhe e Arteve Shqiptaro-Amerikane, me seli në New York.Në këtë ngjarje të veçantë për qytetin bregdetar, merrnin pjesë intelektualë të njohur, qytetarë të thjeshtë, artistë, arsimtarë, shkrimtarë, poetë, gazetarë, sportistë, mjekë, krijues dhe drejtues institucionesh letrare-artistike, miq dhe dashamirë të familjes Haxhiraj, mes tyre edhe një grup krijuesish, nga Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve të Durrësit.

I gjithë takimi, apo kuvendi, siç e quaj unë, u shndërrua në një spektakël të vërtetë, të drejtuar me mjeshtëri artistike nga Fitim Haxhiraj, bashkëshorti i zonjës së nderuar Vilhelme. Në foltore e morën fjalën z. Eshref Ymeri, i ardhur posaçërisht nga ShBA për këtë veprimtari me vlera njerëzore, akademike dhe atdhetare. Ai përshëndeti në emër të Akademisë së shkencave dhe të arteve Shqiptaro-Amerikane, me seli në New York, që më: 30, Tetor, 2018, e pranoi unanimisht znj, Vilhelme Vrana Haxhiraj, anëtare me të drejta të plota si akademike, me motivacionin: “Si autore me shumë kontribute, me krijimtari letrare të bollshme në disa gjini, në studime dhe publicistikë, si brenda dhe jashtë atdheut. Ajo është një vlerë e pamohueshme që nderon kombin”.  Wshtw një vendim dhe shpërblim i mirëpritur, për këtë zonjë të nderuar, në krijimtari dhe studim filozofik, e cila me ndjenja të thekura atdhetarie, ka vënë një gur të rendë në fushën e letrave shqipe.

Më tej vazhduan fjalën: Albert Habazaj, kryetar i Shoqatës së shkrimtarëve “Petro Marko” të Vlorës, Ahmet Demaj, kryetar i shoqatës “Labëria”, Vlorë, mësuesja Lejla Gorishti, e njohur si redaktore dhe studiuese e krijimtarisë së Vilhelmes, Gentian Banaj nga Fieri, mësues letërsie dhe gazetar i TV. “Apollonia”, mësuesja Vjollca Tytyni, bijë nga Gjakova, martuar në Vlorë, etj. Gjallëri dhe kënaqësi na dhanë, interpretimi i poezive të recituara nga Gentian Banaj dhe poetët durrsak, Agim Bajrami dhe Merita Kuçi (Thartori). Në fund u lexua përshëndetja drejtuar enkas për znj. Vilhelme, nga shkrimtarit dhe analistit Skënder Kapiti, i cili nuk mundi të marrë pjesë në këtë takim.

Unë pata nderin të përshëndes të pranishmit dhe të them pak fjalë urimi, për këtë vlerësim kaq të lartë e të bukur, që i bëhet një zonje vlonjate, poete, shkrimtare dhe studiuese. Vlerësim që na nderon të gjithë ne shqiptarët, kudo që jemi.

Jam i nderuar të flas në këtë kuvend në Vlorën e Flamurit.

Jam i tejet i vlerësuar të flas para akademikëve dhe mendimtarëve të njohur, për vlerësimin që i bëhet “Princeshës së letrave”, znj. Vilhelme Vrana Haxhiraj.

Shenjtorja jonë Nënë Tereza, diku na porosit: “Unë vetëm, nuk mund të ndryshoj botën, por mund të hedh një gur në ujë, për të krijuar shumë valëzime”. Unë dua të shtoj, se Vivra (pseudonimi), hodhi shumë gurë në detin e letërsisë, mendimit dhe filozofisë, duke krijuar dallgë të fuqishme, aq sa të nderohet dhe vlerësohet me 24 çmime si në Shqipëri, ashtu edhe në shumë vende të botës, që nga Suedia e ftohtë deri në botën mesdhetare, e më përtej oqeanit. Më së fundi pranohet anëtare e Akademisë së Shkencave dhe e Arteve Shqiptaro-Amerikane, duke marrë urimin e parë nga senatori i kongresit Amerikan Joseph DioGuardi. Është një vlerësim që, secili nga ne do ta ëndërronte dhe lakmonte, duke e merituar me punë e dije, gjithmonë në shërbim të kombit.

Në vargun e vlerësimeve duhet thënë se, ajo i meriton të gjitha, pasi:

– Është e vetmja autore shqiptare, që futet në 24 antologji, si shqiptare, arbëreshe, italiane, (2010-2012), mes 100 autorëve fitues nga e gjithë bota, më tej në Mal të Zi, Kosovë, Rumani, Angli, Suedi, Greqi, etj.

– Është e para autore femër, brenda trojeve shqiptare, që u përkthye në gjuhën rumune.

– Vivra me studimin e saj, “Rugëtimi filozofik i Prof. Dr. Isuf Luzaj”, e solli filozofin tonë, kaninjotin me dy doktoratura të mbrojtura në Sorbonë, profesor në Universitetin e Bunosajres-it në Argjentinë, dekoruar nga dy presidentë të SHBA, Regan dhe Klinton. Studiuesja Vrana bëri që, filozofi ynë të hyjë në Shqipëri nga “dera ballore”, dikur të mbyllur nga diktatura. Po tutem të bëj vlerësimin e këtyre fjalëve, që kanë brenda krenari dhe shumë dhimbje, trishtim me shumë të panjohura, që dalin vrullshëm nga një shpirt i lënduar, i munduar dhe i trazuar dhunshëm.

– Talenti i saj, e shndërroi në letërsi, vuajtjen e një kombi nën regjimin komunist, duke tronditur nga themelet piramidën letrare dhe psikologjinë që e prodhoi dhe e mbrojti atë. Proza e saj ka përmasat e një drame globale. Përmes saj, ajo ka ribërë shpirtin e humbur të njeriut dhe të kombit. Ngacmimi, më mirë cimbisja që dhëmb në shpirt, më çon drejt pyetjeve, që dalin nga gryka e thesit me të panjohura, të habisë, të ulërimës, të pabesisë, paburrërisë dhe mërzisë, ndaj dikur shkrova:

“Vivra je vullkan! Pse shpërtheve vonë?

-Duarlidhur, gjuhë prerë, 50-vjet sëra jonë”.

– Ajo, duke i dhuruar letërsisë shqipe afro 50-vepra, brenda 23 viteve punë, mjaft publicistikë problemore dhe ideore, në shumë media të vendit dhe të huaja, bija e Kaninës së lashtë, renditet nga kritika profesionale dhe nga lexuesi, mes emrave më të shquar të letërsisë shqipe.

Ne krijuesit në përgjithësi përsërisim shprehjen, se pak rëndësi ka sasia, por më shumë cilësia e veprave. Unë pyes veten dhe ata që e njohin krijimtarinë e “Princeshës” sonë të letrave: cila nga veprat e saj, nuk ka brenda letërsi të bukur dhe art fjale, mendim të thellë, vuajtje dhe brengë, dashuri dhe urrejtje, nderim dhe përçmim, fund e krye psikologji, shkencë dhe filozofi bashkë? Janë veprat dhe vlera e tyre, që Vivra jonë të nderohet me çmimet dhe nderimet më të larta, siç edhe i ka merituar. Të gjitha këto janë gurë të gdhendur në themelet e piedestalit, për të vendosur mbi të përmendoren e saj, si përfaqësuese e emrave më të shquar të letërsisë shqipe.

Kjo veprimtari, më kujton porosinë e Ciceronit, që na vjen nga lashtësia: “O popuj nderoni njerëzit e mëdhenj, se përmes tyre do t’u njohë bota”, fjalë që më ngacmojnë të thur disa vargje, të cilat burojnë vetiu:

Vivra! Fisnike zonjë, po zbret nga Kanina,

Ku fryn fllad i detit, shtrëngata, suferina.

Pena jote shpatë, gjëmim e vetëtima,

Në ballë kuvendi, mes burrash të mençur e trima.

Princeshë nga sëra, mbretëreshë në letra,

Dru i fortë mbive, nga rrënjët e vjetra.

Nuk të theu vuajtja, as dhuna e tiranit,

Shpirti yt i lirë, i dha zjarr vullkanit.

Vlorë, 15 dhjetor 2018.

Filed Under: Kronike Tagged With: Akademia e Nju Jork-ut, Kadri Tarelli, Vilhelme Vranari Haxhiraj

Pedagogëve ilegalë, këtyre dashnorëve të errësirës

December 18, 2018 by dgreca

….Kjo rracë e mbrapshtë shtoi serat dhe hormonet e doktoraturave po me shumicë sa sot vendi ynë ka në një masë fiktive 95% kodoshë që presi tu shërbejnë dhe jo ata t’i shërbejnë vendit. Mos u qeshni me broçkullat e Ramës karshi doktoraturës së Monika Kryemadhit, shikoni së pari rreth vetes tuaj se deri aty është kalbëzimi, pasta shefat tuaj a liderët me metodat e leprit karshi lepurit dhe gomarit për punën e veshëve. Edi Rama ka palosur edhe doktoraturat e tij ”shkencore”, mjaft t’i referoheni rrjetit bankar dhe koncesioneve etj…

Ilir-Levonja-300x298

Nga Ilir Levonja/Dielli

Në internet po qarkullon një dialog mes studentëvet të Kamzës dhe atyre në shesh. Shkurt ata të Kamzës janë zënë gafil nga kërcënimet e pedagogëve dhe ardhja si kuti dhuratë e kryeministrit Edi Rama. Midis të tjerave ata thonë se nuk mund të dalin në protestë pasi nuk lejohen, duhet të dëgjojnë ”dialogun” e kryeministrit. Një dialog që e konfirmon edhe faqja në fb e Ramës dhe ERTV e tij, televizioni më brutal i kohëve të fundit, një tregues që e afron me kuvlinë televizive të viteve të partisë së punës. Dhe ajo çfarë është absurde është makineria e propagandës e cila e quan këtë dialog. Flitet në emër të studentëve etj…, po ashtu siç flitej në emër të popullit në kohën e Enverit.

Unë e kam thënë edhe më parë se diktaturat, këto forma të mbajtjes së pushtetit me dhunë, nuk bëhen vetëm. Enver Hoxha nuk vrau e preu vetëm, por me shokë, me petritat e tij etj. Kësisoj edhe sot Edi Rama, nuk po sundon e shantazhon i vetëm. Eshtë një rracë brenda shoqërisë që kuletën a titullin si profesor e më the e të thashë, e kanë mbi interesat e vendit. Këta janë shtuar shumë këto tri dekada demokraci. Pllisnin e shisnin me shumicë diploma aq sa mundën ritin kërpudhor a fenomenin natyror me dhënie titujsh e diplomash pa brerjen e ndërgjegjes. Pllisnin e pllasin për arsimin shqiptar megjithëse vetë i dërgonin fëmijët e tyre me haraçin më të lartë në katundet e botës, mjaft të diplomoheshin jashtë, si moda më vrastare karshi asaj shtrese prej 140 mijë frymësh që ripej nga blerja e detyruar e dispensave dhe provimet e mbartuara.

Kjo rracë e mbrapshtë shtoi serat dhe hormonet e doktoraturave po me shumicë sa sot vendi ynë ka në një masë fiktive 95% kodoshë që presi tu shërbejnë dhe jo ata t’i shërbejnë vendit. Mos u qeshni me broçkullat e Ramës karshi doktoraturës së Monika Kryemadhit, shikoni së pari rreth vetes tuaj se deri aty është kalbëzimi, pasta shefat tuaj a liderët me metodat e leprit karshi lepurit dhe gomarit për punën e veshëve. Edi Rama ka palosur edhe doktoraturat e tij ”shkencore”, mjaft t’i referoheni rrjetit bankar dhe koncesioneve etj. Janë karvanë me bote ari karshi kënaqësisë suaj perverse karshi asaj doktoraturës së Monës. Pra krimi nuk bëhet i vetëm. Jo, jo, aspak, por me petritët e tij. Dhe ta dini ata janë të shumtë. Kjo një nga arsyet që herë më herë luhen këto lojra me rrethimin e kryeministrisë a konfliktin e dëshiruar me forcat e rendit e plot të tjera. Me mbledhjet urgjente të ”dialogut”. Një turp kombëtar i radhës.

Ja u drejtoj këtë mllef njerëzor pikërisht atyre pedagogëve të tredhur që u impojnë studentëve këto forma të dhunëshme për mbytjen e demokracisë, mbytjen e vendit. Atyre pedagogëve me kostume jeshilë që i tmerron sekretari i partisë, partia etj. Mos u bëni ilegalë, mos vrisni e dhunoni se nuk ju a ka borxh Shqipëria. Vendi që sot konkretisht, konsideron 2018 si vit të Skënderbeut dhe hedh arka me para në blerjen e filmave nga Anadolli. Vendi i dhimbjes a atdheu është dhimbje siç e quan një Fatos poet shqiptar.

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja, këtyre dashnorëve, Pedagogëve ilegalë, të errësirës

PRESIDENTI THAÇI NE KESHILLIN E SIGURIMIT

December 18, 2018 by dgreca

– USHTRIA E KOSOVËS, KONTRIBUESE E STABILITETIT NË RAJON/

1 a thaci pergjigjet1 a Vucic1 sek paqerujtesve2 france1 Thaci OKB

– FJALIMI I PRESIDENTIT THAÇI NË KËSHILLIN E SIGURIMIT TË OKB-së-

-Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në 17 Dhjetor 2018 në Nju Jork, ka përfaqësuar Kosovën në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. “Populli im, për shkak të së kaluarës së hidhur, gjithnjë ka pasur frikë nga uniforma ushtarake, pikërisht pasi ajo historikisht ka qenë e huaj dhe ka qenë simbol represioni. Por, ushtarët e Kosovës do të jenë ushtarë të paqes dhe Ushtria e Kosovës do të jetë kontribuuese e stabilitetit në rajon”, ka theksuar Presidenti Thaçi në fjalën e tij në Këshillin e Sigurimt të OKB-së/

NJU JORK, 17 Dhjetor 2018-Gazeta DIELLI/ Ushtria e Kosovës do të jetë kontribuuese e stabilitetit në rajon, tha Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, në 17 Dhjetor 2018 në Nju Jork, ku ka përfaqësuar Kosovën në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Mbledhja urgjente në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Kosovën ishte këruar nga Serbia pas themelimit të Ushtirsë së Kosovës.

Kuvendi i Republikës së Kosovës 120 anëtarsh me 107 deputetë në sallë në seancën e 14 Dhjetorit 2018 miratoi me unanimitet në shqyrtim të dytë pakon e tre projektligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës Ushtri.

FJALIMI I PRESIDENTIT THAÇI NË KËSHILLIN E SIGURIMIT TË OKB-së

I nderuar Kryesues i Këshillit të Sigurimit,
Të nderuar anëtarë të Këshillit të Sigurimit,
Të nderuar mysafirë,
Zonja dhe zotërinj,
Kam nderin që sot të jem para jush në emër të institucioneve dhe popullit të Kosovës.
Dua të falënderoj Kombet e Bashkuara dhe Këshillin e Sigurimit për vëmendjen e vazhdueshme karshi Kosovës dhe zhvillimeve në rajon.
Unë kurrë nuk do të harroj që në ditët më të rënda për mua dhe qytetarët e Kosovës, nga ky forum jehuan zëra shprese dhe thirrje për paqe.
Unë dhe populli im kurrë nuk do të harrojmë se kur po përballeshim me momentet më të rënda për ne, ju u shndërruat në zërin tonë.
Ju falënderojmë përgjithmonë.
Falë jush, u mësua për dhunën sistematike, spastrimin etnik, mijëra qytetarë të pafajshëm që sot nuk janë më në mesin tonë, mijëra që ende janë të zhdukur dhe për mbi 20.000 gra që ende jetojnë me dhimbjen dhe stigmën e dhunës seksuale të përjetuar gjatë luftës, nga Serbia.
Ju ishit zëri ynë, kur neve na mungonte një i tillë.
Por, të nderuar zonja dhe zotërinj,
Ne sot ndodhemi këtu 2 dekada pas luftës së përgjakshme dhe mbi 10 vite pas pavarësisë së Kosovës.
Jemi të thirrur në një seancë të jashtëzakonshme në kohën e një situate krejt normale dhe progresi substancial në Kosovë.
Kur angazhimi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë kërkon rishqyrtim serioz dhe vëmendja e juaj është e nevojshme për të adresuar probleme të vërteta me të cilat përballet bota sot.
Të nderuar të pranishëm,
Asgjë e jashtëzakonshme nuk ka ndodhur në Kosovë javën e kaluar.
Në fakt, ajo që ka ndodhur është një vendim krejt normal, i drejtë në mision dhe qëllim.
Nëse Kosova ka bërë gabim është sepse ka pritur pesë vite pa nevojë për themelimin e ushtrisë.
Vendimi për ushtrinë është i vonuar e assesi i gabuar.
Është i vonuar, sepse kemi pritur, vullnet të mirë nga ata që kurrë deri më sot nuk e treguan në raport me shtetin e Kosovës.
Por tani, Republika e Kosovës, si shtet sovran dhe i pavarur, ka ndërmarrë një hap të natyrshëm për themelimin e ushtrisë së saj.
Më thoni ju lutem çka ka të jashtëzakonshme këtu?
Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, asgjë fare, që është në kundërshtim me Rezolutën 1244, pakon e presidentit Ahtisaari, Kushtetutën e Kosovës apo të drejtën ndërkombëtare.
Pikë së pari, Rezoluta 1244, përkatësisht paragrafi 15, i referohet vetëm demilitarizimit të UÇK-së, proces ky i përmbyllur në kohë rekorde dhe pa asnjë incident në shtator të vitit 1999.
Dhe i vlerësuar lartë edhe nga Këshilli i Sigurimit dhe sekretari i atëhershëm Kofi Annan.
Ishte vlerësuar lart edhe nga NATO dhe kjo mbështetet nga dëshmitë dhe raportet ekzistuese të NATO-s, por edhe të UNMIK-ut në atë kohë.
Së dyti, pakoja gjithëpërfshirëse e presidentit Ahtisari, i cili ishte edhe i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për negociata lidhur me statusin final të Kosovë, në nenin 52 nënvizon qartë të drejtën e Kosovës për të pasur ushtri.
Për më tepër, rishikimi i sektorit të sigurisë, i realizuar në bashkëpunim të ngushtë me NATO-n, thekson shumë qartë të drejtën e Kosovës për transformimin e FSK-së në ushtri.
Dhe në fund fare, vijon më e rëndësishmja, vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që duhet theksuar se është marrë me kërkesën e shtetit serb, nënvizon qartë si loti se Kosova nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare me shpalljen e pavarësisë së saj.
Dhe rrjedhimisht, është e drejtë e pakontestueshme e Kosovës që të ketë ushtrinë e saj.
Themelimi i ushtrisë është vullnet i qytetarëve të Kosovës me mbështetje unanime politike nga të zgjedhurit e popullit.
Pavarësisht nëse i pëlqen kjo dikujt apo jo.
Shteti i Serbisë është paraqitur i zemëruar.
Por, jo edhe qytetarët serbë të Kosovës.
Më lejoni, zonja dhe zotërinj,
Në cilësinë time si President i Republikës së Kosovës dhe si Komandant Suprem tua them troç se ushtria e Kosovës do të sjellë më shumë paqe dhe stabilitet.
Transformimi i misionit të FSK-së nuk është një hap të cilin e kemi ndërmarrë si mesazh kundër askujt.
Ushtria e Kosovës nuk është dhe nuk do të jetë kërcënim kundër askujt.
Ushtria e Kosovës është dhe do të mbetet profesionale dhe shumetnike.
Mbi 10 për qind e ushtarëve janë nga komunitetet joshumicë.
Serbë, malazezë, kroatë, turq, boshnjakë, romë, egjiptianë, ashkalinj, etj.
Një forcë, e cila do të mbrojë çdo qytetar të Kosovës, në gjithë territorin e Kosovës.
Çdo fëmijë, çdo të ri, çdo të re, pavarësisht gjuhës që ata flasin në shtëpi.
Të nderuar të pranishëm,
Populli im, për shkak të së kaluarës së hidhur, gjithnjë ka pasur frikë nga uniforma ushtarake, pikërisht pasi ajo historikisht ka qenë e huaj dhe ka qenë simbol represioni.
Por, ushtarët e Kosovës do të jenë ushtarë të paqes dhe ushtria e Kosovës do të jetë kontribuuese e stabilitetit në rajon.
Mua më vjen keq që disa qytetarë serbë të Kosovës, pjesëtarë të FSK-së, janë detyruar dhunshëm të japin dorëheqje si rezultat i presionit sistematik të ushtruar mbi ta nga shteti i Serbisë.
Për mua kanë qenë rrëqethëse rrëfimet e disa ushtarëve nga komuniteti serb për intimidimin që u është bërë nga shteti i Serbisë.
Familjet e tyre janë sulmuar.
Shtëpitë u janë goditur me granata.
Dhe shumë prej tyre janë mbajtur me orë të tëra nga policia e Serbisë kur kanë udhëtuar në Serbi.
Kjo është vërtetë e tmerrshme.
Më vjen shumë keq për ta, sepse e di që shumica dërrmuese e tyre e kanë dorëzuar uniformën e tyre me lot në sy dhe me zemër të thyer.
Por, unë dua t’ju garantoj të gjithëve se ne nuk do të zmbrapsemi asnjëherë nga përpjekja jonë për të përfshirë edhe më shumë të gjitha komunitetet në ushtrinë e Kosovës.
Kjo është ushtri, e cila do t’ju shërbej të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim.
Kërcënimi i vetëm që i vjen rajonit janë thirrjet joracionale për luftë dhe konflikt që burojnë nga fqinji ynë verior.
Gjithashtu, më lejoni t’ju siguroj se Kosova do të respektojë të gjitha marrëveshjet ekzistuese ndërkombëtare, përfshirë letrën dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për bashkëpunim me KFOR-in.
Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me NATO-n.
E gjithë puna jonë do të jetë e koordinuar me NATO-n.
Themelimi i ushtrisë së Kosovës nuk duhet perceptuar asnjëherë si një përpjekje për të dyfishuar misionin e NATO-s në Kosovë.
Përkundrazi, vendimi i Kuvendit të Kosovës për themelimin e ushtrisë është në funksion të drejtpërdrejtë të ndërtimit të mekanizmave, të cilët do ta bënin vendin tonë edhe më të aftë për të kontribuar në sigurinë lokale dhe më gjerë.
Qëllimi jonë është që të zhvendosim paradigmën nga një vend i cili ka qenë konsumues i sigurisë dhe të bëhemi kontribuues i paqes dhe stabilitetit.
Por, kjo në asnjë mënyrë nuk ndërhyn me misionin aktual të NATO-së në Kosovë.
Përkundrazi, Ushtria e Kosovës vetëm do ta ndihmojë dhe plotësojë atë.
KFOR edhe sot, pas 20 vitesh, shihet si mision shpëtimtar.
Qytetarët e vendit tim i respektojnë pjesëtarët e NATO-s si heronj.
Ende u dhurojnë lule.
Dhe përjetë do t’u jenë falënderues.
Të nderuar të pranishëm,
Unë jam krenar që jam presidenti i vendit më pro NATO dhe më pro BE në botë.
Pavarësisht vështirësive dhe pavarësisht padrejtësive që po na bëhen, posaçërisht në procesin e liberalizimit të vizave, ne si vend qëndrojmë të palëkundur në orientimin tonë.
Nuk kemi dhe as nuk kërkojmë alternativë tjetër, rrugë tjetër.
E ardhmja e Kosovës dhe e ardhmja e rajonit tonë është në strukturat euroatlantike.
Andaj, të nderuar të pranishëm, kjo pashmangshëm na shpie tek esenca e çështjes në fjalë.
Problemi të cilin kanë fqinjët tanë verior sot nuk është ushtria e Kosovës, por ekzistenca e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.
Këto rrethana e bëjnë dialogun ndërmjet dy vendeve tona proces kyç.
Pa dialog dhe pa marrëveshje finale, ne shndërrohemi në vende që prodhojnë drama të pafund dhe të panevojshme për konsum të brendshëm elektoral.
Por, të dëmshëm për të ardhmen e vendeve tona.
Ju lutem, vetëm hidhni një sy fushatës së ndyrë që Serbia udhëhoqi kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.
Më thoni ju lutem kush përfiton nga mosanëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë?
Përfiton vetëm krimi i organizuar.
Përfiton terrorizmi.
A thoni që unë duhet ta denigroj tani këtë forum duke përdorur gjuhën dhe metodat e përdorura nga Serbia kundër Kosovës?
Të them të drejtën, unë sinqerisht ndjej keqardhje për sjelljen e tyre.
Është më se e natyrshme që një sjellje e tillë të pasohet me masa të marra nga institucionet e Kosovës për produktet serbe të cilat hyjnë në Kosovë.
Pra, Kosova nuk e ka provokuar këtë situatë.
Ky reaksion është pasojë e veprimeve agresore të Serbisë.
Unë dua të besoj që kjo gjendje do të tejkalohet në një të ardhmen e afërt.
Prishtina dhe Brukseli janë duke komunikuar intensivisht për këtë çështje.
Të nderuar të pranishëm,
Megjithatë, në Kosovë, ne mbetemi të vendosur për paqe dhe dialog me Serbinë.
Për këtë qëllim, Kuvendi i Kosovës javën e kaluar miratoi rezolutën për dialog dhe strukturën e ekipit negociator, me përfshirje pozitë-opozitë dhe shoqëri civile.
Për sa kohë që ne nuk kemi një marrëveshje përfundimtare dhe të implementueshme, situatat e tilla do të përsëriten vazhdimisht.
Unë dhe populli i Kosovës nuk e mbështesim konfliktin.
Në fakt, ne asnjëherë në historinë tonë nuk e kemi shkaktuar asnjë konflikt.
Gjithmonë kemi qenë viktimë.
Gjithmonë kemi luftuar për mbijetesë.
Paqja nuk nënkupton mungesën e mospajtimeve, por ky cikël i dhunshëm duhet të marrë fund.
Ushtrimi i forcës për shoqëritë demokratike do të thotë monolog, jo dialog.
Andaj, është detyra e gjeneratës sime që të lëmë pas një rajon pa konflikte, një rajon në paqe të qëndrueshme.
Një Ballkan funksional në të cilin Kosova dhe Serbia, si dy vende të pavarura, aspirojnë të ardhmen evropiane.
Unë e di shumë mirë se ndërtimi i paqes për liderët është shumë më sfidues, madje edhe më i rrezikshëm sesa të bërit e luftës.
Por, paqja është detyrimi ynë ndaj fëmijëve tanë.
Ndaj brezave që pasojnë.
Atyre ua kemi borxh një të ardhme pa konflikte.
Kosova është gati.
Ne jemi gati për dialog.
Ne jemi gati për vendime të vështira.
Por, edhe jemi njëkohësisht të vetëdijshëm se nëse nuk e shfrytëzojmë këtë moment historik, do të pësojnë të gjitha palët e përfshira.
Të nderuar të pranishëm,
Dy dekada më parë, në një ditë të rëndomtë si kjo, unë kam qenë në uniformë, duke luftuar kundër regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
Jam shumë krenar për të kaluarën time dhe të bashkëluftëtarëve të mi.
Sot si president i shtetit të pavarur të Kosovës, jam i vetëdijshëm që kam përpara edhe një sfidë tjetër të madhe.
Betejën për ardhmërinë tonë.
Betejën për paqen.
Betejën për të përmbyllur një konflikt shekullor mes dy popujve tanë.
E di që nuk do të jetë aspak e lehtë.
E di se marrëveshjet e kësaj natyre nuk janë shumë popullore.
Por, ato janë të domosdoshme.
Unë besoj thellësisht se një marrëveshje e tillë do të kishte fuqi transformuese në rajonin tonë.
Një marrëveshje e tillë do të ndryshonte prioritetet.
Askush më nuk do të mund të fitonte vota duke nxitur urrejtje.
Askush nuk do të mund të materializonte frikën.
Një marrëveshje gjithëpërfshirëse do t’i hapte derën një lidershipi të ri që synim kryesor do ta kishte reformat dhe zhvillimin.
Unë besoj plotësisht në një të ardhme, ku Kosova dhe Serbia ulen si të barabarta në tryezën e familjes evropiane.
Unë besoj në një të ardhme ku ushtarët e Kosovës dhe ata të Serbisë shërbejnë përkrah njëri-tjetrit në misione paqeruajtëse anekënd botës.
Unë besoj në një të ardhme të tillë, sepse e kam përjetuar të pamundurën, të pabesueshmen, e cila ka ndodhur para syve të mi.
Unë frymëzohem çdo ditë nga sportistët kosovarë të cilët na mësojnë se kthimi është i mundshëm edhe pas dështimit, se flamuri ynë mund të ngrihet edhe në vende që nuk e kanë njohur ende shtetin tonë.
Frymëzohem nga gazetarët të cilët më kritikojnë çdo ditë dhe më bëjnë president më të mirë të vendit tim.
Frymëzohem nga qytetarët e Kosovës që përkundër dhimbjeve që kanë vuajtur, rrënimeve dhe humbjeve, asnjëherë nuk kanë hequr dorë nga vlerat dhe parimet dhe ende këmbëngulin në liri, barazi, drejtësi e dinjitet.
Unë besoj në një të ardhme evropiane për Kosovën dhe rajonin tonë.
Një të ardhme pa intriga, konflikte dhe urrejtje.
Mbetet në dorën tonë që ta jetësojmë këtë të ardhme.
Shpejt, në javët dhe muajt e ardhshëm.
Me një marrëveshje paqësore finale Kosovë-Serbi, ligjërisht obliguese, pa kufij në baza etnike, pa shkëmbim popullatash, por me njohje reciproke si vende të pavarura e sovrane e shtete me shoqëri shumetnike.
Ju faleminderit!

 

Filed Under: Featured Tagged With: fjalim, ne Keshillin e Sigurimit, Presidenti Thaçi

NË NJU JORK U FESTUA KRIJIMI I USHTRISË SË KOSOVËS

December 17, 2018 by dgreca

BATALIONI ATLANTIKU DHE KOMUNITETI SHQIPTAR NË NJU JORK FESTUAN KRIJIMIN E USHTRISË SË KOSOVËS/

1 a salle me Mexhuan1 Velelzerit Bytyci1 Bruno1 Gjonleka1 salle me Mark1 vera1 a Tropoja

– DRITAN MISHTO: Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra” : Liria e Kosoves u fitua bashkarisht dhe sfidat e paqes do t’i kalojme bashkarisht.

1 Dritan Mishto11 adem drit Marko1 Marko

YONKERS-14 DHJETOR 2018- Të premten në mbrëmje, 14 Dhjetor 2018, në Royal Regency Hotel në Yonkers-NY, u organizua, nën përkujdesjen e Batalionit” Atlantiku”, veprimtaria kushtuar themelimit ligjor të Ushtrisë së Republikës së Kosovës. Drejtues i veprimtarisë ishte Shefki Mexhuani. Përveç organizatorëve morën pjesë edhe Këshilltari i Bashkisë së Nju Jork-ut Mark Gjonaj, Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës Dritan Mishto, presidenti i Rrënjëve Shqiptare Marko Kepi, biznemesmeni dhe donator i Luftës, Bruno Selimaj, ish gazetari i Zërit të Amerikës Gjekë Gjonlekaj e të tjerë.
E përshëndetën themelimin e ushtrisë së Kosovës: Kolonel Gani Shehu, Ahmet Krasniqi- babai i tre deshmoreve-vëllezërve Bytyçi:( Ylli, Agroni dhe Mehmet,) Gjeke Gjonlekaj, ish luftëtar i Batalionit Atlantiku, publicisti Uk Lushi, Arben Krasniqi,ish ushtaraku Mark Qehaja,Qerim Gjocaj, dhe shume ish pjestarë të batalionit, që sollën kujtimet e tyre dhe uruan Kosovën për këtë ditë të madhe të krijimit të ushtrisë.Po ashtu përshëndeti Këshilltari Mark Gjonaj, Marko Kepi e të tjerë.
Edhe Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra” festoi së bashku me Batalionin Atlantiku, krijimin e Ushtrisë së Kosovës. Në urimin e tij publik gjatë veprimtarisë, ndër të tjera ai tha:
Jam sot këtu për të shprehur në emër të Vatrës dhe vatranëve gëzimin e papërshkruar për themelimin e Ushtrisë Së Kosovës, Gëzuar!
Nga sot Kosova u nis në rrugën që së shpejti të jetë pjesë e operacioneve, ku së bashku me SHBA të kontribuojë për paqen e sigurinë kudo që lypet.
Festimi i kësaj dite me ju, djemtë trima te Batalionit Atlantiku, ka një domethënie të veçantë.
Nuk mund të gjesh një rast analog në diasporat e tjera, kur të rinj të lindur e rritur larg vendit të prindërve të tyre, biles që as nuk e kishin vizituar asnjëherë atë vend, siç ndodhi me djemtë shqiptaro amerikanë të Atlantikut , të marrin armët dhe të shkojnë të luftojnë për lirinë e Kosovës.
Këta djem folën atëherë kur duhej folur me armë dhe trimëri dhe duhet t’u themi: Ju jemi mirënjohës dhe Bravo Ju qoftë!
Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra siç shihet dita ditës do të jetë në bashkëpunim të plotë me të gjitha organizatat e komunitetit duke vlerësuar punën e gjithësecilit. Ndaj jam sot këtu, të bashkojmë duart më fort për punët e mira që do kemi përpara.
Liria e Kosovës u fitua bashkarisht dhe sfidat e paqes do t’i kalojmë bashkarisht.
Gëzuar Ushtrinë Kosovë!
Zoti bekoftë SHBA!
Ju faleminderit!
Korresp I Diellit
Shenim: Per detaje te veprimtarise ju rekomandojme te ndiqni Televizionin Kultura Shqiptare ne pakten e ALB TV(Kanali 26) si dhe ne Bronx net(Kanali 69)

 

Filed Under: Featured Tagged With: Batalioni Atlantiku, dritan Mishto, Ushtria e Kosoves, Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1171
  • 1172
  • 1173
  • 1174
  • 1175
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT