Nga Enver Bytyçi/Kur kancelarja gjermane Angela Merkel erdhi në Shqipëri në korrik të vitit 2015 dhe më pas fluturoi drejt Serbisë, ajo u ndal gjatë si në Tiranë edhe në Beograd rreth idesë së “pajtimit shqiptaro-serb”. Në Tiranë Merkel i kërkoi kryeministrit shqiptar pajtimin me Serbinë dhe bashkëpunim të ngushtë të të dy vendve. Në Beograd ajo i kërkoi kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiç, jo vetëm pajtimin me Shqipërinë, por edhe me Kosovën. Rama dhe Vuçiç u zotuan para saj se do të vijonin procesin e pajtimit midis të dy popujve dhe vendeve që ata përfaqësojnë. Sipas gazetës më me emër në Gjermani Frankfurter Allgemeine Zeitung të datës 10 korrik 2015 kjo çeshtje kishte zënë thuajse vendin kryesor në agjendën e vizitës së Merkel në Tiranë. Por çfarë ndodhi? Vuçiç është angazhuar vetëm në “pajtimin” me Tiranën dhe Rama i përgjigjet atij pa bërë asnjë përpjekje që në këtë frymë “pajtimi” të përfshihet edhe Kosova. Pas zonjës Merkel Shqipërinë e vizitoi sekretari i Shtetit të SHBA-ve, Xhon Kerry, i cili udhëtoi gjithashtu në disa vende ballkanike. Ndërsa para pak javësh Xho Biden vizitoi Kosovën dhe Serbinë. Përfaqësuesit amerikanë nuk kishin si agjendë kryesore pajtimin formal midis shqiptarëve dhe serbëve, por respektimin e marrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë. Për amerikanët duket se nuk është me rëndësi ndonjë kontribut specifik plus i kryeministrit të Shqipërisë për pajtimin e shqiptarëve dhe serbëve. Kjo jo se ata nuk e duan këtë pajtim, por se duhen respektuar normat morale të sjelljes midis palëve. Për amerikanët duket se sjellja konstruktive e shqiptarëve duhet të vazhdojë, me qëllim garantimin e stabilitetit rajonal, por për ta shqiptarët si viktimë nuk kanë asnjë arësye tu kërkojnë falje agresorëve dhe vrasësve në Serbi. Për amerikanët pajtimi duhet të vijë në linjën Prishtinë-Beograd dhe jo në linjën Tiranë-Beograd. Sjellja morale kërkon që Serbia si shtet të kërkojë falje për krimet makabre që ajo ka bërë në Kosovë e shqiptarët, në radhë të parë e kryesisht ata të Kosovës, t’i përgjigjen pozitivisht, nëse ndjesa serbe është e sinqertë. Ndërkaq gjatë dy viteve të fundit këmi parë një kryeministër shqiptar, zotin Rama, që të rrëmbejë vullnetarisht, me eufori dhe makinacione mashtrimi, flamurin e pajtimit shqiptaro-serb. Në shumë komente dhe analiza kam shkruar rreth idesë së pajtimit shqiptaro-serb të inicuar në vitin 2011 nga ish-presidenti I Serbisë, Boris Tadiç, prandaj nuk kam ndërmend të ndaloj në këtë histori. Thjesht po përsëris se iniciativa dhe kërkesa e tij që konfliktin shqiptaro-serb të zhvilluar në Kosovë ta zgjidhë me bisedime midis Tiranës dhe Beogradit ishte një iniciativë provokuese e përçarëse për shqiptarët dhe kombin shqiptar. Tani jemi para një prove të re të angazhimit të Edi Ramës në intenerarin e përcaktuar nga kumbari i tij, Tadiç. Në tetor kryeministri ynë do të shkojë i shoqëruar me gjysmën e qeverisë së tij në Nish dhe aty do të marrë pjesë në inagurimin e disa projekteve që lidhin Adriatikun me Serbinë. Në këto projekte bëjnë pjesë ndërtimi i autostradës dhe hekurudhës që do të kalojnë nëpër territorin e Kosovës. Gjithçka që do të bisedohet dhe vendoset në Nish ka të bëjë më parë se me Shqipërinë me Kosovën. Por Kosova nuk do të jetë e pranishme në këto ceremoni, ajo nuk është pyetur dhe nuk do të pyetet për ato çfarë do të vendosin Rama dhe Vuçiç për të. Thuhet se do të shkojë të marrë pjesë në këtë ceremony një zv. ministër shqiptar i Pushtetit Lokal të qeverisë së Kosovës. Por ky zv. ministër nuk ka tagër dhe dijeni të flaës për projrkte rajonale. E shumta ai mund të ketë dijeni për çeshtjet që lidhen me auronominë lokale, ose për krijimin e Asosacionit të Komunave Serbe në Kosovë. Dhe një zv. ministër, nëse merr mandate përfaqësimi nga qeveria e Kosovës, mund të manipulohet shumë, shumë lehtë nga dy “udhëheqësit ballkanikë”, siç kanë dëshirë të prezantohen zoti Rama dhe zoti Vuçiç. Nuk përjashtohet mundësia që ai të jetë pranuar si pjesmarrës në tryezën e Ramës e të Vuçiç për t’i bërë presion për implementimin e marrëveshjes pëe asosacionin e komunave serbe. Por një gjë është e sigurt, ai nuk është palë në atë aktivitet politik e diplomatik, është viktimë e tij, nëse do të pranojë të jetë i pranishëm. Megjithatë nuk po ndalem në formën dhe formalizimin e çeshtjes. Por ne jemi para një sprove dhe sfide të rrezikshme. Para disa ditësh disa lojtarë të kombëtares së Shqipërisë u larguan nga Tirana dhe shkuan të marrin pjesë në kombëtaren e Kosovës. U ndez një debat i nxehtë, deri te etiketimet si “tradhëtar”. Andi Bushati ishte akuzuesi i madh i atyre djemve që vendosën t’i dalin zot vendit të tyre të sapo pranuar në FIFA dhe UEFA. Po kë kemi parasysh se Bushati asnjë qasje jo atdhetare të qeverisë së të majtëve në Shqipëri nuk e ka kritikuar e qortuar e aq më pak ta ketë cilësuar si “tradhëti”, duket qartë se arma e tij e akuzave për “tradhëti” është e rezervuar për t’u përdorur si armë ideologjike. Por e theksoj përsëri se nuk është ky thelbi i trajtesës që bëj. Besoj se janë të shumtë ata që besojnë si unë, se shfaqja e këtij konflikte në dukje për sportin, nuk është në fakt për sportin. Eshtë si puna e dikujt që mbushet diku e zbrazet diku tjetër. Futbollistët nga Kosova ishin rrufepritësit, ndërsa rrufetë vinin nga sjellja e kryeministrit Rama në marrëdhëniet e tij me Serbinë e shpërfilljen totale që ai i bën Kosovës. Reagimet nga Kosova ishin të natyrës së kundërshtive me politikat e qeverisë shqiptare ndaj Kosovës. Kryeministri ynë ka marrë përsipër të flasë në emër të të gjithë shqiptarëve në rajon, edhe pse atë e kanë zgjedhur dhe njëkohësisht e kanë tradhëtuar zgjedhësit e tij në Republikën e Shqipërisë. E kanë tradhëtuar se i ka tradhëtuar ai si demagog, mashtrues dhe gënjeshtar klasi të papërsëritshëm në historinë politike të shtetit shqiptar, madje i pakrahasueshëm edhe me diktatorin dhe diktaturën e regjimit komunist. Ai ka vendosur jo vetëm të rikthejë lavdinë e viteve 1945-1948 në marrëdhëniet shqiptaro-serbe, por njësoj si atëherë të shpërfillë interesat e viktimave reale të terrorit serb, shqiptarët e Kosovës. Ai po shkon në Nish, jo për të folur e lidhur marrëveshje bilaterale, por për të imponuar marrëveshje që prekin shtetin e Kosovës. Ndërkaq në Kosovë disa ende e konsiderojnë Edi Ramën si heroin e tyre për shkak të deklaratës në Beograd se “Kosova është shtet i pavarur”. Nëse kjo deklaratë do të ishte e sinqertë, ai nuk mund të vazhdonte më tutje marrëdhëniet aq të ngushta e të ngrohta me qeverinë e Serbisë pa u bërë realitet njohja e Kosovës nga ana e Beogradit dhe pa ardhur ndjesa e Serbisë për krimet shtetërore kundër shqiptarëve në Kosovë. Por nuk ndodhi kjo. Edi Rama ka vendosur të shkojë jo vetëm në Nish, por edhe në Beograd si piktor me zhgarravinat e tij. Në Beograd do të kujtojnë dhe “ngjarjen historike” të vizitës së një kryeministri shqiptar në Serbi të para dy viteve, 67 vite pas vizitës së diktatorit komunist, Enver Hoxha. Ai nuk le rast pa dëshmuar servilizëm ekstrem ndaj gjermanëve dhe francezëve me pozat e tij pro një pajtimi shqiptaro-serb në modelin e pajtimit gjermano-francez menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Edhe modelin e zgjodhi të njëjtë, aktivizoi si shou të radhës grupet rinore të të dy vendeve për shenjë pajtimi. Dmth kopjoi pikë për pikë modelin gjermano-francez. Por kushtet, rrethanat, territori ku kanë ndodhur krimet serbe nuk janë të njëjta me ato të situatës së krijuar në rastin e pajtimit gjermano-francez. Ato ndryshojnë krejtësisht. Franca u pajtua me gjermanët dhe anasjelltas, por nuk mori përsipër të përfaqësojë bie fjala Belgjikën. Gjermania po ashtu nuk mori përsipër të përfaqësojë bie fjala, Austrinë. Edi Rama ka marrë përsipër të mënjanojë institucionet e Kosovës, përfaqësuesit legjitimë të saj dhe të hiqet si “udhëheqës panshqiptar”, ndërkohë që ai dëshiron të paraqitet i tillë vetëm në funksion të pajtimit me Serbinë dhe hapjes së rrugës së saj për integrime europiane. Ndërsa për integrimin e Serbisë në NATO nuk bëhet fjalë. Kryeministri shqiptar nuk do të lexojë faktet që rrjedhin nga ngjarjet e fundit ne Ballkan e te serbët. Megjithatë po i kujtojmë se partitë politike nga pesë shtete sllave të Ballkanit, përfshirë dhe partinë në pushtet të kryeministrit Vuçiç, në fund të qershorit të kaluar nënshkruan në Moskë në prani të presidentit rus, Vladimir Putin, një deklaratë të përbashkët “të territorit neutral në Ballkan”. Ne shqiptarët e dijmë më mirë se të gjithë popujt e tjerë të rajonit, krahas kroatëve, se çdo të thotë një Ballkan “neutral”. Mësë paku do të thotë një zonë e influencuar nga Rusia dhe e pozicionuar kundër NATO-s. Më së paku do të thotë rikthimi i teorisë së sponsorizuar nga Moska dhe e pëlqyer aq shumë nga Milosheviçi dhe e majta shqiptare, “Ballkani ballkanasve”, që do të thotë nxjerrje jashtë tij të SHBA-së dhe rikthim të Moskës në vend të tyre. Ka shumë gjasa që kjo zonë ballkanike të orientohet drejt Bashkimit Europian në pikëpamje ekonomike, një politikë e gjithmonëshme e Serbisë që gjeopolitikisht të qëndrojë në sferën ruse dhe ekonomikisht e fusha të tjera të lidhet me Europën. Por nuk është politikë e integrimit në NATO. Serbia dëshiron marrëdhënie të ngushta me Shqipërinë, por me kush që Shqipëria të injorojë autoritetin e shtetit të pavarur të Kosovës, pra që Tirana zyrtare të ndjekë de facto të njëjtën linjë politike me Beogradin. Në Europë ka vende, të cilave nuk u prish punë “neutraliteti” i Serbisë, Bosnjës, Maqedonisë, mjafton që këto vende të jenë pjesë e agjendës europiane. Shkurt në Europë nuk ka ndonjë shqetësim të theksuar nëse këto vende bëhen ose jo anëtare të Aleancës atlantike. Por për ne shqiptarët është e duhet të jetë krejt ndryshe. Ne kemi interes jetik pranimin në NATO të të gjitha vendeve ballkanike, me qëllim që t’i jepet fund konfliktit në këtë rajon. Në këtë konteks është enigmë se cilin interes ndjek kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama?! Interesin e pikturave?! Interesin e pushtetit?! Interesa materialiste dhe korruptuese me përmasa rajonale, sepse ky lloj kostumi në Shqipëri i rri ngushtë?! Interesa shpirtërore që lidhen me “lavdinë” dhe tërheqjen e vëmendjes te “partnerët europianë”?! Apo interesin e Rusisë e të Serbisë?! Të gjitha këto pyetje retorike e gjejnë përgjigjen vetëm te kryeministri ynë i pajtimit me Serbinë dhe i përçarjes së shqiptarëve.
Mark Gjonaj: Mësimet që nxora nga vepra e Nënë Terezës
Me rastin e shënjtërimit të Nënë Terezës, Zëri i Amerikës po zhvillon intervista me komunitetin shqiptar të Nju Jorkut. Mark Gjonaj, anëtar i legjislaturës shtetërore të Nju Jorkut është një ndër nismëtarët e një aktiviteti që do të zhvillohet në Manhatan më 4 shtator, ku pjesëtarë të komunitetit do të ndjekin shenjtërimin e Nënë Terezës dhe do të festojnë kujtimin e saj me një bust që do të zbulohet në Manhattan. Zoti Gjonaj bisedoi me kolegen Ardita Dunellari mbi figurën e Nënë Terezës, shembullin që ka lënë ajo si humaniste, si një kujtim të dashur të fëmijërisë së tij, nga vizita e Nënë Terezës në Nju Jork: Shenjtërimi i Nënë Terezës është një moment historik për komunitetin shqiptaro-amerikan në Nju Jork. Anëtari i Legjislaturës Shtetërore të Nju Jorkut, Mark Gjonaj, thotë se aktiviteti në Manhatan është organizuar me qëllimin që të festohet vepra e humanistes së madhe në ditën e shenjtërimit të saj:
“E fillojmë me transmetimin e drejtpërdrejtë të meshës nga Roma, në ora 4 të mëngjesit në Nju Jork. Presim të mblidhen qindra vetë për këtë meshë, që ta ndajmë dhe ta festojmë këtë moment me të tjerët dhe të marrim pjesë në këtë zhvillim historik. Do të kemi edhe meshën tonë nën drejtimin e Peshkopit Walsh në mesditë. Dhe më pas do të kemi një ditë të mbushur me aktivitete gazmore: kërcime, këngë, folklor”.
Aktiviteti bashkon njerëz nga fe të ndryshme në emër të dashurisë dhe përkushtimit që zoti Gjonaj thotë se dëshmoi Nënë Tereza gjatë gjithë jetës së saj. Pjesëmarrës në aktivitet do të jenë pjesëtarë të komunitetit nga të gjitha besimet. Komuniteti shqiptar, thotë politikani nga Nju Jorku, po ofron një shembull se si mund të bashkohemi të gjithë, në emër të veprës së Nënë Terezës”.
“Ne kemi qenë shumë me fat që kemi një Nënë Terezë me prejardhje shqiptare… Ky është momenti që komuniteti shqiptar të tregojë se çfarë arriti të bënte një individ, me mjete modeste. Është shembull i një jete me synime të larta, i një jete që sjell ndryshime”.
Shqiptarët, thotë zoti Gjonaj, nuk mblidhen për ta përvetësuar Nënë Terezën, por për të ndarë me botën veprën e saj në shërbim të më të përvuajturve, që ka frymëzuar njerëz nga përkatësi të tjera etnike:
“Pjesëtarë të elektoratit tim më afrohen e më thonë “E di që Nënë Tereza është shqiptare?” Pra vijnë e më informojnë mua për prejardhjen e Nënë Terezës. Janë shumë krenarë sepse në jetët e tyre kanë parë, kanë mësuar, kanë ndjekur këtë grua që do të bëhet shenjtore, ndoshta edhe janë takuar me të. Ky moment prek të gjithë njerëzit, pavarësisht nga prejardhja etnike, apo besimi fetar”.
Zoti Mark Gjonaj ruan një kujtim të dashur nga fëmijëria kur Nënë Tereza erdhi në Nju Jork dhe ai e pa nga afër nobelisten e famshme gjatë meshës, megjithëse në atë moshë nuk e kuptonte se çfarë përfaqësonte ajo:
“Kisha jonë në Bronks është kishë e vogël, por atë ditë, mesha po mbahej përjashta, në hapësirën e parkimit, për të akomoduar turmën e madhe. Nuk e dija përse po mbahej jashtë mesha, por më bëri përshtypje një grua e veshur me të bardha. Kur kaloi kutia e donacioneve, me pushtoi dëshira për të dhuruar diçka. Si djalë i vogël kisha pesë dollarë dhe vendosa t’i dhuroj. Diçka e paharrueshme ndodhi më pas: kur po ktheheshim në shtëpi, duke ecur rrugës gjeta një kartmonedhë 20 dollarëshe. Ia tregova nënës: “Sa mirë” – më tha, “Tani ke 25 dollarë”. I shpjegova se 5 dollarëshin që kisha pasur më parë e kisha dhuruar. “E sheh, të pata thënë se po dhurove nga zemra në emër të Zotit, ta kthen dyfish; e paskam pasur gabim. Zoti ta ktheu katërfish”. Është një histori që do të qëndrojë me mua gjithë jetën, se çfarë do të thotë të japësh dhe të marrësh”.
Ai e pranon se nuk është e lehtë të ndjekësh shembullin e një njeriu të tillë, sidomos për dikë në politikë. Por bota, beson zoti Gjonaj, do të ishte një vend shumë më i mirë sikur njerëzit të ndiqnin një jetë të frymëzuar nga vepra e saj. Në këtë këtë moment historik, ai shpreson që shqiptarët do të gjejnë një mision më të madh brenda vetes, në shëmbëlltyrën e bijës më të famshme që ka nxjerrë kombi:
“Ajo bëri një jetë modeste. Ajo thoshte se në fund të jetës nuk do të ketë rëndësi sa pasuri kemi grumbulluar, sa shtëpi po lëmë pas, çfarë po u lëmë fëmijëve, por nëse po e lëmë këtë botë më mirë se e gjetëm, dhe çfarë kemi bërë për ta ndryshuar botën. Në këtë kohë të kufizuar që ndajmë me motrat e vëllezërit tanë, çfarë kemi bërë për t’ia bërë jetën më të mirë? Nuk mendoj se shqiptarët në vendet e tyre po jetojnë duke ndjekur gjurmët e Nënë Terezës. Mendoj se preokupohen shumë për veten, për ato që mund të marrin, jo sa mund të japin”.
“Të gjithë mund të mësojmë nga Nënë Tereza. Por për fat të keq nuk mund të them se të gjithë ne po ecim gjurmët e saj. Ndoshta shenjtërimi i saj është momenti i duhur, sepse duke mësuar më shumë për jetën e saj mund të kuptojmë rolin që na takon”.
Për momentin, vëmendja është tek ceremonia e shenjtërimit të nobelistes shqiptare.
“Nuk e di a do të na ndodhë përsëri që të përjetojmë shenjtërimin e një personi që e kemi ndjekur gjatë jetës sonë, prandaj është një moment i rëndësishëm dhe i rrallë”.
“Ky është një moment i jashtëzakonshëm për këdo, fakti që një grua që ka jetuar në kohët tona po kanonizohet si shenjtore, është moment i jashtëzakonshëm jo vetëm për komunitetin shqiptar por për të gjithë botën”.
Por mesazhi i vërtetë i kësaj dite është vepra e një njeriu të përkushtuar ndaj humanizmit dhe dashurisë për të tjerët, thotë zoti Gjonaj. Ai kujton fjalët e urta që e udhëhiqnin Nënë Terezën në veprën e saj dhe shpreson se në ditën e shenjtërimit të saj, njerëzit do të preken nga shembulli i jetës së saj në shërbim të njerëzimit:
“Nuk ka rëndësi dhurata, por dashuria me të cilën është bërë. Ndryshimet mund të realizohen me akte të vogla. Të gjithë duhet të përpiqen të ndryshojnë botën për mirë”. Është një mënyrë e jashtëzakonshme për ta jetuar jetën. Shpresoj se kjo lloj mendësie, ky humanizëm dhe kjo dashuri do të gjejë vend tek të gjithë; bota do të ishte shumë më e paqtë në këtë mënyrë”.(ZERI I AMERIKES)
Dr. Rugova, simbol i pavarësisë së Kosovës e i Dardanisë Antike
Fjala e akademik Mark Krasniqit, kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës, në mbledhjen komemorative, më 25 janar 2006, me rastin e vdekjes së Presidentit të Kosovës dr.Ibrahim Rugovës./
Presidenti Rugova, symbol i pavarësisë së Kosovës e i Dardanisë Antike/
Falë meritave të dr.Ibrahim Rugovës, ne sot kemi mikun më të fortë, fuqinë më të madhe ekonomike dhe ushtarake në botë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj të Bashkimit Evropian./
Priashtinë 24 janar 2006/
Presidenti i Kosovës, dr.Ibrahim Rugova i cili ndërroi jetë më 21 janar të këtij viti, gjatë 16 vjetëve ka qenë prijës dhe udhëheqës i popullit shqiptar në Kosovë në rrugën e të drejtës së vetëvendosjes, përkatësisht drejt Pavarësisë së shtetit të lirë e Sovran të Kosovës që është e drejtë historike, etnike e politike e shqiptarëve të kësaj treve.
Kjo rrugë ka qenë shumë e vështirë në kushtet e okupacionit serb i cili gjatë shekujve, e sidomos më vitet 1998-99, bëri gjenocid e pastrim etnik të popullsisë shqiptare nga vatrat e tij shekullore të Dardanisë antike.
Presidenti Rugova këtë rrugë të gjatë e të veshtirë e bëri para se gjithash duke e senzibilizuar problemin e Kosovës në botën euroatlantike e cila për Kosovën nuk kishte njohuri e aq më pak mirëkuptim për t’i realizuar edhe ne aktet dhe qëndrimet ndërkombëtare për vetëvendosje. Mirëpo me këmbënguljen dhe me qëndrimin e zgjuarësinë intelektuale e politike të dr.Ibahim Rugovës, filloi faktori ndërkombëtar ta kuptojë të drejtën tonë dhe përpjekejt tona për të qenë të lirë e të pavarur në shtetin Sovran të Kosovës.
Me meritat e dr.Ibrahim Rugovës, ne sot kemi mikun më të fortë, fuqinë më të madhe ekonomike dhe ushtarake në botë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj të Bashkimit Evropian. Në saje të veprimtarisë politike të Presidentit Rugova dhe në saje të përpjekjeve të gjithë popullit shqiptar në Kosovë dhe të gjitha strukturave paqësore e ushtarake të tij, forcat e NATO-s, bombarduan 72 ditë pa ndërprerë okupatorin serb të cilin e detyruan të gjunjëzohet e të tërhiqet nga Kosova më 12 qershor të vitit 1999.
Falë angazhimit dhe suksesit të tillë, dr. Ibrahim Rugova fitoi simpatinë dhe përkrahjen e gjithë shqiptarëve të Kosovës e të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë si dhe të botës demokratike ndërkombëtare.
Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës gjatë 15 vjetëve të kaluara ka qenë krahu i djathtë i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetarit të saj dr.Ibrahim Rugovës. Në këtë rrugë të interesit kombëtar, edhe partia jonë, e cila gjatë kohë ka qenë forca e dytë politike në Kosovë, ka dhënë kontributin e vet në Kosovë e në diasporë duke marrë pjesë në Institucionet paralele në kohëne e okupacionit serb dhe në vepritmaritë e tjera të nevojshme të asaj kohe.
Dr.Ibrahim Rugova, me qëndrimet e tij demokratike e paqësore ka fituar simpati e përkrahje të autoriteteve politike përëndimore.
Dr. Ibrahim Rugovën, kushdo që e ka njoftë dhe që ka dashur të jetë objektiv, e ka rrespektuar si njeri shumë të ndershëm, të dashur, të afërt, intelektual i madh, demokrat, tolerant e paqëdashës. Të gjitha këto veti pozitive morale janë traditë e kulturës tradicionale shqiptare. Prandaj shtresat më të gjëra të popullit shqiptar, Ibrahim Rugovën e kanë çmuar si shembull i njeriut të madh, të mençur dhe të guximshëm, i cili meriton të jetë në ballë të këtij populli, ta ketë përkrahjen e besimin e pjesës më të madhe të tij,
Me vdekjen e presidentit të Kosovës, d.Ibrahim Rugova, është shkaktuar një boshllëk i madh në jetën institucionale e politike, në momentet më të vështira për Kosovën, e cila gjendet në udhëkryq për vendosjen e fatit të saj përfundimtar. Në këtë moment personaliteti i dr.Ibrahim Rugovës ka qenë i domosdoshëm.
Mirëpo, Ibrahim Rugova me sakrificën e tij, me guximin e mendjen e tij të holë e vizionare ka qenë dhe ka mbetur arkitekti dhe babai i Pavarësisë së Kosovës. Pavarësia e Kosovës, pa marrë parasysh kush do ta nënshkruajë aktin final të saj, është meritë e gjithë popullit shqiptar, por merita kryesiore
Dhe e pamohueshme i takon atij i cili gjatë dy decenieve e trasoi këtë rrugë të vështirë kombëtare, e ky personalitet është vetëm dr.Ibraim Rugova.
Presidenti i Kosovës dr.Ibrahim Rugova është i pazëvendësueshëm. Por me humbjen e tij fizike nuk do të humb rruga e idealit të cilin e ka ndjekur me përkushtim gjatë gjithë jetës së tij. Në këtë rrugë, siç e ka përcjellë deri tash PSHDK-ja, do të qëndrojë e paluhatshme edhe më tutje së bashku me partinë e tij, aleatën e natyrshme të saj, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe mbarë popullin e Kosovës i cili e ndjek këtë rrugë kombëtare.
Me këtë rast, Partia Shqiptare Demokrstikane e Kosovës dhe unë personalisht, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes së nderuar të dr.Ibrahim Rugovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe mbarë popullit shqiptar.
Njihuni me … dronin nënujor detar
Anija më e re pa pilot e Pentagonit, është projektuar të gjurmojë nëndetëset armike. Ajo quhet ACTUV, peshon 140 tonë, lëviz me 50 kilometra në orë dhe është e gjatë 40 metra. Ajo mund të lundrojë mijëra milje për muaj të tërë pa ndërprerje dhe pa qenë nevoja që dikush të jetë në bord. I njohur si droni ujor, anija përdor sensorë të rinj teknologjikë që mund të gjurmojnë praninë e nëndetëseve elektrike me diezel, të cilat janë nga më të qetat dhe më të vështirat për t’u zbuluar. Mjeti po ndërtohet nga kompania DARPA, e cila do të bashkëpunojë me Zyrën e Kërkimeve të Marinës për të testuar kapacitetet, me qëllim kalimin e teknologjisë së saj tek Marina e SHBA për përdorim operacional. Edhe pse anija në fjalë është e programuar për të gjurmuar nëndetëset, teknologjia e saj mund të konfigurohet për të shërbyer për një gamë të gjerë funksionesh për anijet pa pilot që do të përdoren në të ardhmen. Dhe sipas Departamentit Amerikan të Mbrojtjes, anije të tilla do të ketë më shumë në të ardhmen.{Përgatiti për Diellin: Sh.K}
TAKIMI I MASAR KRASNIQIT ME NËNËN TEREZË NË ZELANDË TË RE
Nga Hajro Hajra/
Veprimtari e atdhetari i shquar Masar Krasniqi nga Prishtina është vetëm njëri nga ai lumë i madh shqiptarësh që, i përndjekur nga regjimi titist, në një moshë fare të re, në vitin 1950, kishte qenë i detyruar ta linte Kosovën e të mësynte udhët e botës. Pas shumë peripecish, nga Rijeka e Kroacisë kishte shkuar në Izmir të Turqisë dhe që andej, më 1951, pas një udhëtimi të gjatë me anije, kishte arritur e ishte vendosur në Zelandë të Re. Tash 5-6 vjet jeton në Australi.
Në vitin 1970, në kohën kur pak shqiptarë dinin për Nënën Terezë, Masar Krasniqi kishte takuar humanisten shqiptare, asokohe jo gjithaq e njohur në botë dhe pothuaj fare e panjohur në botën shqiptare.
Njohjen (së largu) me veprimtarin e zellshëm e atdhetarin e madh Masar Krasniqi na e mundësoi para disa vjetësh Sabit Abdyli nga Kabashi i Vitisë (profesor i gjuhës shqipe, gazetar e shkrimtar), i cili meqenëse edhe vetë jeton në Zelandë të Re (në qytetin Auckland) që nga viti 1999, e ka njohur së afërmi Masar Krasniqin dhe ka shkruar disa herë për të.
Gjatë një bisede telefonike me Masar Krasniqin, mësojmë hollësi të këtij takimi që, ndonëse kishte ndodhur në vitin e largët 1970, ruhej shumë i freskët në kujtesën e tij, madje zoti Krasniqi e kujtonte atë ngjarje sikur të kishte ndodhur pak muaj përpara dhe jo para pothuaj gjysmë shekulli.
Ja si e kujton këtë takim zoti Krasniqi:
– Ishte muaji prill i vitit 1970. Ende nuk i kisha mbushur tridhjetë e nëntë vjet dhe kisha afro njëzet vjet që kisha ikur nga Kosova, e cila vazhdonte të ngryste ditët e netët nën çizmen e serbit dhe që, për mërgimtarët si unë, ishte një mollë e ndaluar. Kisha marrë vesh se Nëna Terezë do të vinte për vizitë në Zelandë të Re, pikërisht në qytetin Auckland, ku unë jetoja. Ajo do të vinte nga India, ku jetonte e vepronte që nga viti 1929, kohë kur unë ende nuk kisha lindur. Kisha shumë dëshirë ta takoja e të bisedoja me të, por duke qenë se ajo ishte një vizitë protokollare, ishte paksa e vështirë të realizohej ai takim. Për fatin tim, e njihja peshkopin e Katedrales së Shën Jozefit në Auckland, James Michael Liston, me të cilin isha takuar si i ftuar i tij gjatë pritjes që kishte organizuar për kardinalin e Hungarisë dhe për kardinalin e Ukrainës.
Iu drejtova peshkopit Liston, i cili më premtoi një takim me Nënën Terezë pas konferencës për shtyp, që ajo do të mbante në mbarim të vizitës së saj. “Do të jetë një takim vetëm 15 minuta” – më tha peshkopi.
E njoftova komunitetin shqiptar, në krye të të cilit isha. Ishim pak atëherë, ishim një grusht shqiptarësh në Auckland. U thashë se takimi do të ishte fare i shkurtër dhe ua bëra me dije që, shkaku i kohës së kufizuar, vetëm unë do të flisja me Nënën Terezë.
Ditën e takimit morëm një tufë të madhe me lule dhe shkuam në katedralen ku do të mbahej konferenca e shtypit.
Sapo përfundoi konferencën për shtyp, iu afrova Nënës Terezë, ia dhashë lulet dhe i thashë: – Mirë se na erdhe Nana Terezë në Zelandë të Re!
– “O, biri im, – ma ktheu ajo – a edhe këtu paski mbrri a, në fund të botës?… Sa mirë – tha – po e flitke shqipen… Unë 39 vjet s’kam pasë mundësi me ke me folë shqip.”
Domethënë, shqip keni folur? – e pyesim zotin Krasniqi.
Gjatë gjithë kohës kemi folur vetëm shqip. Nëna Terezë e fliste shumë mirë shqipen. Shqipja e saj ishte një gegnishte e pastër, të cilën ajo e kishte ruajtur, si të thuash, e kishte konservuar që nga fëmijëria.
Çfarë biseduat gjatë asaj kohe të shkurtër? – e pyesim bashkëbiseduesin.
Ndonëse shkurt, folëm për shumëçka. I fola për situatën në Kosovë, për shtypjen e egër që ushtronte regjimi titist ndaj shqiptarëve…
Më dukej sikur po flisja me nënën time, prandaj nuk e lashë pa i thënë: – Ti që ke mundësi me u takue me mbretën e me kryetarë shtetesh e me ministra të punëve të jashtme, mund ta bash nji punë të mirë për Kosovën, po edhe për Shqipninë, ku po ashtu sundon nji diktaturë e egër dhe ku feja asht e ndalueme me ligj…
-“E di, – tha – e di. Unë i kam nanën e nji motër atje dhe kam tentue me shkue me i vizitue dhe s’më kanë dhanë leje… Nji vlla me familje e kam në Palermo…”
Të lutem Nanë – i thashë – po mujte me ba diçka, do t’ishte nji nder i madh për kombin prej teje…
-“Biri im – tha – lutjuni Zotit për mue e për bijat e mija… Edhe unë çdo mëngjes lutem për Kosovën.” E preku me dorë sarin që kishte veshur në trup dhe tha: “Veshja ime…” – dhe, ndonëse nuk e përfundoi, u vetëkuptua: ishte veshja e saj që nuk e lejonte të bënte hapur atë që ne kishim dëshirë. Ajo kishte filluar të bëhej Nënë e krejt botës dhe jo vetëm e shqiptarëve që ishin të gjakut të saj.
Pastaj u nisëm shkallëve teposhtë. Ajo shoqërohej nga disa murgesha të Indisë dhe nga dy murgesha zelandeze. Gjatë gjithë kohës sa zbritnim shkallët, ajo nuk ma lëshonte dorën. Pasi u përshëndetëm si nënë e bir, ajo hipi në veturë. Në fytyrë i shihej dëshira e madhe që kishte që ai takim të zgjaste sa më shumë…
Sapo u largua vetura me Nënën Tereze, m’u vërsulën gazetarët, duke më pyetur në ç’gjuhë kishim biseduar. U thashë se kishim biseduar shqip dhe, po ashtu, u thashë se ajo kishte lindur jo fort larg qytetit nga vija unë, nga Prishtina.
Gjatë gjithë këtyre viteve kam takuar shumë personalitete të rëndësishme politike, pothuaj në të gjitha kontinentet – thotë zoti Krasniqi – dhe të gjitha këto takime kanë pasur një të vetëm qëllim: sensibilizimin e çështjes shqiptare në Ballkan,në veçanti sensibilizimin e çështjes së Kosovës, Megjithatë, takimi im i parë me Nënën Terezë ka qenë disi i veçantë, një takim i zhveshur nga çdolloj protokolli, thjesht një takim nënë e bir.
Ajo ka punuar shumë, ajo ka sakrifikuar shumë për t’i ndihmuar nevojtarët, jo vetëm në Indi. Megjithatë popullin e vet nuk e ka harruar kurrë. Kontributi i saj për popullin e vet ka qenë i heshtur, por s’ka reshtur kurrë. Duhet të kalojë kohë, duhet të kalojnë vite që të kuptohet se ç’ka bërë Nëna jonë e Madhe për popullin me të cilin e lidh gjaku – përfundon rrëfimin e tij për këtë takim, zoti Masar Krasniqi, i cili ka takuar Nënën Terezë edhe disa herë të tjera, si me rastin e vizitës në Shqipëri të Papa Gjon Palit II më 25 prill 1993 e të tjera.
Nëna Terezë nuk është personaliteti i vetëm i madh që ka njohur Masar Krasniqi. Ai jo vetëm ka takuar, por edhe ka shoqëruar të madhin Ibrahim Rugova gjatë takimeve të shumta që ai kishte pasur me kryetarin Clinton, me nënkryetarin Al Gore, me senatorin Bob Dole, me kongresmenin Benjamin Gilman, me kongresmenin Joseph Dioguardi e të tjera personalitete të shquara dhe të gjitha këto takime janë bërë në funksion të sensibilizimit të çështjes shqiptare, sidomos në kohën kur çështja e Kosovës kishte vënë në lëvizje bijtë e saj më të mirë. Masar Krasniqi, sot 85-vjeçar, është njëri nga ata bij besnikë të Tokës Mëmë, i cili, sikurse edhe Gonxhe Bojaxhiu, vepronte në heshtje, se punët e mëdha e me peshë, në heshtje bëhen.
