• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-Ministri i FSK takime në Kanada

November 23, 2015 by dgreca

-Ministrit Demolli u takua në Halifaks me Zëvendës Sekretarin e Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Robert Work, pastaj me Ministrin e Mbrojtjes të Kanadasë, Harjit Sajjan si dhe atë të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Maqedonisë/
Ministri për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, me ftesë të Forumit Ndërkombëtar të Halifaksit për Siguri, mori pjesë në punimet e Konferencës “Avancimi i sigurisë nga vizioni modern”, që u zhvillua në Halifaks të Kanadasë nga data 20-22 nëntor 2015.
Ministri i FSK-së, Demolli në punimet e Konferencës në Halifaks foli për perspektivën aktuale të Kosovës në sfidat më të ngutshme të sigurisë, duke bërë që tema të zgjoi interesim të madh tek audienca e gjerë pjesëmarrëse në Konferencë. Ministri Demolli ndër të tjera u fokusua edhe tek sfidat e përgjithshme që rajoni po ballafaqohet dhe rikonfirmoi se rruga e vetme për rajonin është përshpejtimi i integrimeve Euro-Atlantike të vendeve te Ballkanit.
Gjithashtu, ministri Demolli zhvilloi edhe një varg takimesh bilaterale dhe multilaterale me disa prej ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s pjesëmarrëse në Konferencë e gjithashtu edhe me disa prej ministrave të vendeve partnere të NATO-s.
Ministrit Demolli u takua në Halifaks edhe me Zëvendës Sekretarin e Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Robert Work, pastaj me Ministrin e Mbrojtjes të Kanadasë, Harjit Sajjan si dhe atë të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Maqedonisë. Në takime u diskutua për sfidat dhe rreziqet që vijnë dhe nevoja që bashkërisht dhe njëzëri të unifikohen qëndrimet e botës demokratike dhe përmes bashkëpunimit gjithëpërfshirës të ballafaqohemi me rreziqet e ashtuquajtura bashkëkohore.
Ministri i FSK-së, Demolli zhvilloi një takim kokë me kokë me ministrin e Mbrojtjes së Kanadasë, Harjit Sajjan. Ministri e falënderoi me këtë rast shtetin e Kanadasë për gjithë ndihmën e dhënë për Kosovën dhe kontributin për popullin dhe shtetin e Kosovës.
Po ashtu e falënderoi ministrin Sijjan për përkrahjen e vazhdueshme që shteti i Kanadasë i ka ofruar Republikës së Kosovës në rrugën e saj të pakthyeshme Euro-Atlantike. Në takim u theksua gjithashtu kontributi i Kanadasë në KFOR dhe në ekipet këshilluese në MFSK dhe FSK deri me tani.
Ministri Demolli në takim e ngriti idenë e një Marrëveshje Bilaterale në mes MFSK-s dhe Departamentit Nacional Kanadez të Mbrojtjes në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Po ashtu Ministri Demolli ftoi ministrin kanadez për një vizitë në Republikën e Kosovës.
Ministri kanadez Sajjan e rikonfirmoi edhe një herë se kontributi dhe përkrahja e Kanadasë nuk do të mungojë për Republikën e Kosovës dhe se do të shqyrtohen mundësitë dhe rrugët e bashkëpunimit dypalësh në të ardhmen e afërt.
Ministrin Demolli në Forumin e Halifaksit e shoqërojnë edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Kanada, Lulzim Hiseni si dhe Sinan Geci, shef i Sektorit për bashkëpunim Euro- Atlantik në ministrinë për FSK.
Forumi Ndërkombëtarë për Siguri në Halifaks është i njohur si një vendtakim vjetor, i cili krijon hapësirë ku vendimmarrësit mund të bëjnë bashkërisht zgjidhjet e vështira. Tani në kohën kur vendet demokratike po ballafaqohen me kërcënime kjo është shumë urgjente sepse asnjë vend veç e veç nuk mund të zgjidhë probleme si i vetem, ashtu sikurse këtë mund ta bëjnë liderët e mençur së bashku.
Forumi Ndërkombëtarë për Siguri në Halifaks ngrit në nivel më të lartë bashkëpunimin strategjik midis shteteve demokratike në botë. Pjesmarrësit që mblidhen në Halifaks për çdo nëntor prezantojnë më shumë se 60 shtete, por tani kanë vënë një limit, jo më shumë se 300 pjesëmarrës./b.j/

Filed Under: Rajon Tagged With: Ministri i FSK, takime në Kanada

Kriza mes NATO-s dhe Rusise

November 23, 2015 by dgreca

Shkruan: Bahri Beqiri/
Marrëdhëniet e institucionalizuara ndërmjet NATO-s dhe Rusisë janë pezulluar që nga aneksimi i Krimesë, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, në vitin 2014, dhe luftës në Ukrainën Lindore.
Sa i përket rendit dhe sigurisë euro-atlantike, për shkak të pikëpamjeve kundërshtuese, raportet në vazhdimësi janë përkeqësuar thellësisht. Për më tepër, është e rëndësishme të qartësohen faktorët përcaktues dhe perspektivë në raportet bilaterale. Se si do të zhvillohen këto raporte në pesë deri dhjetë vitet në vijim, para së gjithash varet prej ngjarjeve të ardhshme siç janë Samiti i NATO-s në Varshavë (në vitin 2016), zgjedhjet në ShBA (2016) dhe zgjedhjet në Rusi (në vitin 2016 e 2018). Zhvillimet e jashtme do të luajnë po ashtu një rol të rëndësishëm.
Raportet ndërmjet Rusisë dhe NATO-s janë në krizën më të thellë që nga përfundimi i luftës së ftohtë. Edhe më tutje ka dështuar objektivi i vitit 2010, që të ndërtohet një “partneritet strategjik”, i cili do të bazohej në besimin reciprok, jetësimin e interesave të përbashkëta dhe respektimin e parimeve të dakorduara, sipas Kartës së Parisit, të vitit 1990. Përkeqësimi i thellë i këtyre raporteve reflekton në pezullimin e dialogut dhe të strukturave bashkëpunuese. Për arsye të aneksimit të Krimesë nga ana e Rusisë dhe destabilizimit të Ukrainës Lindore, NATO në prill të vitit 2014 prezantoi bashkëpunimin civil dhe ushtarak në Këshillin NATO-Rusi (KNR). Më herët këto shërbenin si masa për krijimin e besimit, siç është dialogu mbi doktrinat e mbrojtjes e deri tek bashkëpunimi praktik, duke përfshirë trajnimin e njësiteve për luftimin e drogës në Afganistan. Përkundër kritikave thelbësore ndaj Moskës, NATO-ja mbështetë mundësinë e dialogut politik me Rusinë.
Në prill të vitit 2014, u vendos që kanalet në nivel ambasadorësh të mbahen të hapura. Faktikisht edhe këtu mbretëron heshtja: që nga viti 2014 KNR është takuar vetëm një herë. Edhe më rëndë se përfundimi i bashkëpunimit praktik peshon humbja masive e besimit dhe ri-jetësimi i ideve tradicionale kërcënuese para së gjithash në disa shtete lindore të Evropës Qendrore dhe në një pjesë të lidershipit rus.
Për NATO-n, Rusia nuk është më një partner. Si përgjigje ndaj qasjes së Rusisë, Aleanca ka reaguar me reformat më të thella ushtarake që nga Lufta e Dytë Botërore, me të cilat dëshiron t’i forcojë dhe t’i përshtatë aftësitë e saj mbrojtëse. Kështu, mbrojtja e Aleancës u rikthye sërish si detyrë thelbësore. Për këtë qëllim Readiness Action Plan (RAP), i miratuar në Samitin e Uellsit në vitin 2014, përmbanë masa të menjëhershme dhe afatgjata të ri-sigurisë dhe përshtatjes. Me anë të ri-sigurisë, siç janë ushtrimet më të shpeshta dhe përforcimi i mbikëqyrjes së hapësirës ajrore, Aleanca i sinjalizon anëtarët e saj të shqetësuar se mund të llogarisin në mbështetjen e premtuar të NATO-s. Në vazhdën e përshtatjes Aleanca ka rritur gatishmërinë e saj vepruese dhe aftësinë e saj reaguese, siç janë: krijimi i një force të re për reagim të shpejtë dhe ndërtimi i shtabeve vëzhguese (Force Integration Unit) në Evropën Lindore. NATO-ja i konsideron këto si masa mbrojtëse të Aleancës, të cilat janë në harmoni me Aktin Themelues NATO-Rusi të vitit 1997. Aty, të dyja palët ranë dakord që të promovojnë parimet e besimit dhe të bashkëpunimit.
Në anën tjetër, Moska zyrtare i vlerëson këto masa si dëshmi të karakterit agresiv dhe ekspansionist të NATO-s. Në vitet 2014 dhe 2015 ajo i ndërtoi kapacitetet e saj ushtarake në distriktin ushtarak Perëndim, e cila kufizohet me shtetet anëtare të NATO-s si Norvegjinë, Poloninë dhe Shtetet Baltike, duke vazhduar me intensifikimin e aktiviteteve stërvitore, modernizimin e sistemeve të armatimit, do të ri-ndërtohet një ushtri e blinduar dhe do të stacionohen më shumë sisteme moderne të mbrojtjes ajrore. Pas aneksimit të Krimesë u eliminuan madje edhe kufizimet për modernizimin e Flotës Ruse e stacionuar në Detin e Zi. Për më tepër Moska demonstrimin e fuqisë ushtarake e shfrytëzon si skenar kërcënues. Kështu, në vitin e fundit numri i aeroplanëve rusë, që fluturojnë në afërsi të hapësirës ajrore të NATO-s është rritur dukshëm. Shqetësuese janë po ashtu edhe kërcënimet bërthamore të Krimesë. Ata u përforcuan në dhjetor të vitit 2014 dhe në mars të vitit 2015, me rastin e vendosjes së raketave me kapacitet bërthamor me rreze të shkurtër “Iskander”, për stërvitje në Kalingrad. Në këtë mënyrë, kjo kthen prapa dilemën e sigurisë, që besonim të jetë tashmë e kaluar, ku veprimet e caktuara mbrojtëse të njërës palë interpretohen nga tjetri si ofensivë dhe përdoret si shkak për eskalim. Rezultati është një spirale e rrezikshme Veprim-Reagim.
Skenarët e zhvillimit – Qëllimi i një partneriteti strategjik ndërmjet NATO-s dhe Rusisë, para së gjithash duket i dështuar. Nisur nga kjo, hapësira vepruese për zhvillimin e marrëdhënieve është e kufizuar. Skenarët e mundshëm janë si në vijim:
• Konfrontimi, me një shkallë të lartë të përshkallëzimit. Mungesa e besimit, dialogu i mangët dhe armatosja rezulton me jo- stabilitetin e lartë të krizës. Marrëdhëniet e acaruara mund të eskalojnë ushtarakisht ose pa dashje, për arsye të ndonjë keqinterpretimi, ose qëllimisht, për arsye të brendshme politike.
• Shmangia e konfrontimit. Edhe këtu ka si pretendime ashtu edhe shpresa për të zgjidhur konfliktin e rendit politik. Të dyja palët megjithatë janë duke punuar që të evitojnë eskalimin ushtarak, mbase me ndihmën e transparencës, masave për ndërtimin e besimit dhe marrëveshjeve bilaterale. Aty ku ka interesa të përbashkëta mund të bashkëpunohet ad hoc.
• Partneriteti pragmatik. Konflikti i rendit politik ekziston ende, por akterët janë të gatshëm që ta modifikojnë atë në zona të përzgjedhura. Kjo shkon krahas bashkëpunimit intensiv, afatgjatë dhe institucional, por që është e përçarë nga rivaliteti. Mundësia e eskalimit ushtarak është e ulët, kurse ajo e besueshmërisë më e lartë. Ndryshe nga një partneritet strategjik, i mungojnë bazat e përbashkëta të vlerave dhe një vizion i marrëdhënieve bilaterale. Se cili skenar do të dominojë për një afat të gjatë kohor varet nga zhvillimet e brendshme në Rusi dhe në NATO, por edhe nga faktorët e jashtëm.
Orientimi i Rusisë – Situata e brendshme politike nxitë aktualisht një sjellje konfrontuese të lidershipit rus. Që nga fillimi i mandatit të tretë të Putinit në vitin 2012, Rusia kufizohet gjithnjë e më shumë nga Perëndimi. Kjo është, para së gjithash, e motivuar nga politika e brendshme. Pas shkatërrimit të bazave të deritanishme legjitime të një ekonomie të suksesshme dhe aftësive për arritjen e mirëqenies, shkatërrim që filloi qysh para krizës në Ukrainë, Kremlini në vend të kësaj instrumentalizoi një ideologji, e përbërë nga nacionalizmi, superfuqia e së kaluarës dhe distanca normative ndaj Perëndimit “të pasur”. Në politikën e jashtme kjo reflekton në forcimin e përpjekjeve homogjene në hapësirën post-sovjetike dhe kthimin e serishëm në Kinë. Megjithatë, Putini edhe më tutje mund të mbështetet në vlerësime të larta të propagandës dhe instrumenteve represive. Zvarritja e reformave ekonomike, ndikimi i sanksioneve perëndimore dhe ulja e çmimit të naftës mund ta dëmtojnë stabilitetin e regjimit. Kjo mund ta nxiste lidershipin rus të ashpërsojë retorikën e saj anti-perëndimore dhe të demonstrimeve provokatore të fuqisë ushtarake si ajo e manovrave të mëdha në kufirin perëndimor ose një ngrohje e konfliktit në Ukrainë, mundësisht para zgjedhjeve të Dumës ruse, që do të mbahen në shtator të vitit 2016, vetëm pak javë pas Samitit të NATO-s dhe para pranverës së vitit 2018, kur janë planifikuar të mbahen zgjedhjet presidenciale.
Megjithatë nuk përjashtohet mundësia e afrimit të Rusisë me Perëndimin. Nxitëse për këtë qëllim mund të jetë domosdoshmëria ekonomike dhe kostoja e një partneriteti fillestar me Kinën. Kjo do të kërkonte uljen e ndikimit të ekstremistëve dhe rritjen e peshës politike të realistëve dhe liberalëve modernë.
Zhvillimet në NATO – Samiti i NATO-s që do të mbahet në Varshavë, në vitin 2016, mund ta përkeqësonte përkohësisht konfrontimin me Rusinë. Në Samit do të publikohen konkluzionet e arritura mbi ri-organizmin strategjik të Aleancës, të nisura në Uells. Është e mundshme që të jepen edhe këshilla mbi hapat e mëtutjeshëm adaptues, të cilat i ka kërkuar veçanërisht nikoqiri i këtij Samiti, Polonia. Përveç kësaj, mund të vijnë në rend të ditës pika të tjera, të cilat Moska tradicionalisht i kritikon, siç janë zgjerimi i Aleancës (pritet t’i bëhet ftesë Malit të Zi) ose përparimi i mbrojtjes raketore. Ajo që do të jetë vendimtare është nëse NATO përkundër pozicioneve të ndryshme do të arrijë ta ruajë unitetin e saj. Megjithëse të gjithë aleatët e kritikojnë ashpër sjelljen e Moskës, përderisa disa shtete lindore të Evropës Qendrore ndjehen drejtpërdrejt të kërcënuara, të tjerët nuk e shohin Rusinë si një problem kryesor për sigurinë e tyre. Franca është më shumë e shqetësuar për jo-stabilitetin në Afrikë. Për këtë arsye ndryshojnë edhe mendimet se deri ku mund të shkojë përshtatja ushtarake e NATO-s dhe sa e fuqishme mund t’i drejtohet Lindjes. Disa aleatë e refuzojnë dialogun e gjerë me Moskën përderisa të tjerët si Gjermania dëshirojnë t’i shfrytëzojnë kanalet e dialogut, të tilla si një mbledhje e KNR-së.
Zhvillimet e jashtme – Zhvillimet jashtë NATO-s dhe Rusisë në njërën anë mund të ndikojnë pozitivisht në marrëdhëniet bilaterale. Shuarja e konfliktit në Ukrainë mund t’i hapë rrugë uljes së tensioneve ndërmjet Rusisë dhe NATO-s. Ky mund të jetë rezultat i suksesshëm i diplomacisë së krizave ose i ndryshimeve politike në Ukrainë ose në Rusi. Edhe rreziqet e jashtme, si rreziku i islamizmit mund të përbëjnë nxitjen e bashkëpunimit të përkohshëm NATO- Rusi. Frikësuese është po ashtu intensifikimi i situatës së sigurisë në Afganistan dhe në shtetet qendrore fqinje. Ka mundësi që NATO të angazhohet atje përsëri ndjeshëm ushtarakisht, me kusht që ajo të jetë në gjendje për ta bërë këtë duke pasur parasysh fokusin e saj kryesor mbrojtjen e Aleancës. Prandaj, Rusia me pëlqimin e NATO-s do të mund të bëhet aktere përforcuese e sigurisë. Në anën tjetër, ndezja e ndonjë konflikti territorial etnik në hapësirën post-sovjetike, mund t’i rëndonte marrëdhëniet. E njëjta vlen edhe për revolucionet me ngjyra, të cilat Moska i sheh si forma perëndimore të luftës.
Pikëpamjet dhe opinionet – Konflikti i rendit politik ndërmjet NATO-s dhe Rusisë për momentin duket i pakalueshëm me marrëdhënie të shkatërruara. Andaj, ka gjasa që të jetë e pashmangshme një faze e gjatë e jostabilitetit relativ dhe e tensioneve. Për të parandaluar eskalimin ushtarak dhe për të rritur stabilitetin në zonën euroatlantike do të duhej që përpjekjet aktuale të fokusoheshin si në shmangien e përshkallëzimit (Skenari 1) ashtu edhe mbajtjen nën kontroll të konfliktit (Skenari 2) dhe që të punohet drejt një partneriteti pragmatik (Skenari 3). Kjo e fundit nuk do të thotë zbutje e normave legjitime të Kartës së Parisit. Sovraniteti, integriteti territorial dhe zgjidhjet e lira të Aleancës janë të pa negociueshme për shtetet anëtare të NATO-s. Në mënyrë që lidershipi rus ofertat për dialog dhe bashkëpunim praktik të mos mund t’i interpretojë si legjitimim i veprimeve të tij në Ukrainë, partneriteti pragmatik mund të drejtohej vetëm atëherë kur Rusia të kontribuojë ndjeshëm në zbatimin e Minskut 2.
Një partneritet i tillë në NATO mund të jetësohet vetëm atëherë kur është e garantuar mbrojtja e aleatëve nëpërmjet parandalimit të besueshëm, aftësisë mbrojtëse dhe fleksibilitetit. Nëse janë të plotësuara këto kushte atëherë nevojiten tre hapa në rrugën drejt partneritetit pragmatik:
Komunikimi dhe Dialogu – rrjeti tashmë i dendur i kontakteve nuk do të ri-aktivizohet në një të ardhme të afërt, mirëpo pikërisht në kohën e krizave, komunikimi me qëllim të de-eskalimit nuk duhet të jetë i vendosur plotësisht. Në afat të shkurtër vlen të shfrytëzohen kanalet jo-formale siç janë takimet e Sekretarit Gjeneral të NATO-s me përfaqësuesin rus në NATO. Suksesi i përparimit substancial në implementimin e Minskut 2 këshillon që të ri-fillohet gradualisht me formatet e dialogut në KNR.
Ndërtimi i besimit dhe ligjshmëria – me gjithë bllokadën e vazhdueshme politike hapat praktiko-teknikë mund të pajtohen që së pari të evitohet eskalimi i paqëllimshëm ushtarak dhe së dyti të ringjallet kontrolli klasik i armëve. Për fushën e parë nevojitet përdorimi i mekanizmit të propozuar të kontakteve të krizave në nivelin ushtarak ndërmjet NATO-s dhe Rusisë. Po ashtu do të ishte e dobishme një marrëveshje ndërmjet Moskës dhe Brukselit, që të definohen rregullat e mirësjelljes për sigurinë nga përballjet në hapësirën ajrore dhe detare. Në fushën e dytë, si objektiv duhet të jetë ndalimi i erozionit të marrëveshjeve ekzistuese për kontrollin e armëve. Kjo ka të bëjë, në rend të parë, me pranimin e Dokumentit të Vjenës, aktualisht paketës më të rëndësishme të OSBE-së për masat e kontrollit të armëve konvencionale.
Bashkëpunimi praktik – nëse do të përmirësoheshin marrëdhëniet, bashkëpunimi praktik në KNR mund të ngritej përsëri hap pas hapi. Kontaktet në nivelin ushtarak së pari mund të aktivizoheshin në fushat jo-kundërshtuese politike, ku të dyja palët kanë përfitime të njëjta, siç është kërkim-shpëtimi në det. Këtu Aleanca do të mund të mbështetej në përvojat e anëtarëve individualë, siç është Norvegjia.

Filed Under: Analiza Tagged With: Bahri Beqiri, Kriza mes, NATO-s dhe Rusise

HEROI I MILLOSHEVIQIT KTHEHET NË VENDIN E KRIMIT

November 23, 2015 by dgreca

Reagim lidhur me ardhjen e kriminelit serb Lubisha Dikoviq në Kosovë/
Nga Bardhyl Mahmuti/
Sintagma e njohur që tërheq vërejtjen se shpesh ndodh që «krimineli kthehet në vendin e krimit» ka për qëllim të mobilizojë ata që janë të thirrur për përndjekjen e kriminelëve. Mirëpo, në rastin kur krimi i kryer është gjenocidi atëherë është obligim i mbarë njerëzimit që të bëjë përndjekjen e kriminelëve.
Kosova, e cila përjetoi krimin e gjenocidit serb, është shndërruar në shembull ku kriminelët, në mënyrë të pandëshkueshme, kthehen për t’u tallur me popullin shqiptar të Kosovës dhe me tërë komunitetin ndërkombëtar.
Vizita e paralajmëruar e Lubiša Diković-it, Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, është shembulli më i ri që dëshmon për mosndëshkimin e kriminelëve të cilët kryen krimet më të shëmtuara në Kosovë.
Meqenëse propaganda që synon fshehjen e kriminelëve të vërtete ia atribuon “paramilitarëve serbë” krimet e kryera në Kosovë dhe konsiston se gjoja “Serbia e tashme nuk ka të bëjë aspak me Serbinë e Milošević-it” po sjell për lexuesin shqiptar disa fakte që do t’i mundësojnë të ketë kujdes sidomos me përdorimin e termit “paramilitarë”.
Secilit lexues që i intereson të dijë hollësira më të mëdha rreth kësaj çështjeje i sugjeroj të lexojë materialin e përgatitur nga Organizata Joqeveritare serbe, Fondi për të Drejtën Humanitare të titulluar «Dosja e Lubiša Diković-it». Ky material i kushtohet krimeve të «Brigadës 37 të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave» dhe zhvesh më së miri pretendimin për “elementet e pakontrolluara” që bënë krime në Kosovë.
Fjala është për Brigadën e 37 të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave që ishte e stacionuar në Raška dhe ishte nën komandën e Lubiša Diković-it. Disa njësi luftarake të kësaj brigade ishin të pranishme në Kosovë që nga maji i vitit 1998.
“Para se këto njësi të dërgoheshin në Kosovë, shumë oficerë ushtarakë të Brigadës 37, në mesin e të cilëve edhe nënkolonelët Slobodan Stoišić-i dhe Miodrag Đorđević-i, kanë rekrutuar dhe trajnuar grupe kriminelësh.
Me kërkesë të shërbimeve të fshehta ushtarake dhe policore, gjykatat liruan nga burgjet shumë kriminelë të dënuar për vrasje. Nënkoloneli serb Stoišić-i i pajisi me uniforma, armë të mira, mjete kimike dhe mjete të tjera të nevojshme për likuidime, dokumente dhe simbole të përkatësisë së Sigurimit Ushtarak. Kriminelët u integruan në Sigurimin ushtarak dhe ishin nën komandën e Slobodan Stoišić-i dhe Miodrag Đorđević-i. Pas trajnimit, në muajin korrik të 1998, ata u dërguan në Kosovë. Këto janë vetë disa nga faktet e shumta që trajtohen në librin tim të titulluar «Mashtrimi i Madh» që hedhin poshtë përdorimin e gabueshëm të shprehjes “paramilitarët serbë” sepse përmes kësaj shprehje përpiqet fshehja e implikimit të drejtpërdrejt të shtetit serb në përgatitjen, ekzekutimin dhe fshehjen e krimit të gjenocidit në Kosovë. Fatkeqësisht, edhe nga një numër shqiptarësh që shkruajnë për këto çështje përdoret në mënyrë të pavetëdijshme për implikimet e kësaj shprehje që “shfajëson” shtetin serb.
Më 7 mars 1999, disa ditë para se të përmbylleshin bisedimet e filluara në Konferencën Ndërkombëtare të Rambouillet-së, Brigada 37 u transferua tërësisht në Kosovë. Kjo brigadë vepronte si mbështetje zjarri për futjen e njësive ushtarake dhe policore në fshatrat shqiptare ku kryheshin vrasje masive të civilëve shqiptarë, plaçkitje dhe asgjësime pronash.
Transferimi i tërësishëm i kësaj Brigade nga Raška në Kosovë ishte tregues për qëndrimin e regjimit të Beogradit për të vazhduar logjikën e luftës dhe realizimin e planit të gjenocidit në Kosovë.
Në të njëjtën mënyrë siç vepronin brigadat tjera të Ushtrisë Serbe, edhe Brigada 37 i fillonte operacionet në orët e hershme të mëngjesit, granatimet me tërë arsenalin e armatimit që posedonin, hyrjen në grupe të vogla ushtarësh dhe policësh në shtëpitë e shqiptarëve, bastisjet, plaçkitjet, keqtrajtimet, nxjerrjen e fshatarëve të mbijetuar nga shtëpitë e tyre, seleksionimin e njerëzve të cilët duhet të vriteshin dhe të atyre që do të dëboheshin nga Kosova.
Në këtë shkrim po sjell vetëm disa nga rastet e përshkruara në Dosjen e Fondit për të Drejtën Humanitare.
Po përmend rastin e fshatit Kozhicë. Në shtëpinë e Abedin Durmishit, banor i këtij fshati, forcat serbe ngujuan 115 vajza të reja, gra, fëmijë dhe plaka. Në katin përdhes i mbyllën 31 femra dhe fëmijë. Pastaj sollën edhe 88 fëmijë shqiptarë, 28 prej të cilëve i mbyllën në katin përdhes ndërsa 60 në katin e dytë. Pastaj, u seleksionuan 27 gra dhe fëmijë dhe u dërguan në fshatin Qirez. Disa prej grave ishin shtatzëna (4 muajsh-8 muajsh). Këto gra u dhunuan, u keqtrajtuan seksualisht dhe në fund u vranë.
Pesë vajza të reja: Zahide Xhema (19 vjeçare), Lumnie Zymberi (20 vjeçare) Antigona Dibrani (20 vjeçare), Bukurie Dibrani (20 vjeçare) Mirishahe Dibrani (17 vjeçare) dhe tri gra: Miradije Dibrani, Tahire Shllaku dhe Fahrije Ademi u hodhën në tri bunarët e fshatit Qirez. Kufomat e tyre u zbuluan në muajin korrik të vitit 1999.
Fondi për të Drejtën Humanitare në faqet 5-8 të Dosjes për Ljubiša Diković-in sjell detajet për ekzekutimin e 250 civilëve shqiptarë, prej të cilëve 25 ishin të mitur. Nga 25 të miturit e ekzekutuar, emrat e të cilëve publikohen në faqen 8 të kësaj dosje, 24 kufoma u gjetën, ndërsa kufoma e Nuredin Dvoranit, i lindur më 28 maj 1982, nuk u gjet dhe ende konsiderohet i zhdukur.
Në fshatin Vërboc, i njëjti skenar. Bombardime që në orët e hershme të mëngjesit. Fshatarët e tmerruar u përpoqën të fshiheshin në pyllin afër fshatit. Pasi depërtuan në fshat, policia dhe ushtria serbe vazhduan përgjatë ditës kërkimet në pyll. Që t’ua pamundësonin qëndrimin në pyll ata i vunë zjarrin pyllit dhe ekzekutuan çdo person që gjetën. Gjithsej 92 civilë shqiptarë të këtij fshati u vranë. Në fshatrat Dashec, Baks, Çikatovë e Vjetër dhe Izbicë i njëjti skenar.
Lubiša Diković-i ishte përgjegjës për këto akte gjenocidare sepse ishte komandues dhe pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në aksione. Krahas implikimit në vrasje, ky komandant i Ushtrisë serbe ishte edhe përfitues nga plaçkitja e pasurisë së shqiptarëve të Kosovës. Në dosjen për krimet e Brigadës 37 të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave përmendet se nga “mijëra mjete automobilistike, autobusë, kamionë, traktorë që u ishin plaçkitur shqiptarëve të Kosovës dhe që ishin shitur në Novi Pazar dhe në Raška, Lubiša Diković-i kishte përvetësuar një Landrover të shtrenjtë amerikan, një Mercedes 300 dhe u bë pronar i mijëra krerëve të kafshëve që u ishin plaçkitur fshatarëve shqiptarë.
Pas tërheqjes nga Kosova, më 16 qershor 1999 Slobodan Milošević-i e dekoroi Lubiša Diković-in me dekoratën Heroi i popullit. Ndërsa më 12 dhjetor 2011 Kryetari i Republikës së Serbisë, Boris Tadić-i, e emëroi Lubiša Diković-in në postin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë serbe. Presidenti serb, Boris Tadić-i, që konsiderohej nga Dick Marty dhe «negacionistët» e gjenocidit në Kosovë si të ishte “demokrat”, nuk gjeti asnjë ushtarak tjetër serb për ta caktuar në krye të Ushtrisë serbe, pos kriminelit Lubiša Diković-it! Ky ishte një mesazh i qartë se strukturat e reja të pushtetit në Serbi veprojnë me mentalitetin e vjetër dhe janë tërësisht të implikuar në fshehjen dhe mohimin e gjenocidit që ky shtet aplikoi kundër shqiptarëve të Kosovës.
Në pjesën e mësipërme përmenda dosjen e krimeve të shkaktuara në zonën ku operonte Brigada 125 e Motorizuar e Ushtrisë Jugosllave. Vetëm në komunat e vogla të Leposaviqit, Zveçanit, Mitrovicës, Zubin Potokut, Skenderajt, Vushtrrisë, Klinës, Istogut dhe Deçanit u vranë 1813 civilë shqiptarë ndërsa 216 ende konsiderohen të zhdukur. Në mesin e të vrarëve 236 ishin fëmijë ndërsa 327 ishin femra.
Në dosjen e krimeve të kësaj Brigade, lexuesi mund të njihet me vrasjet masive në fshatin Oshlan, Dubravë, Obri, Skenderaj, Lubeniq, Krelan, Staradran, Qyshk, Pavlan dhe Zahaq.
Asnjë pjesëtar i Brigadës 125 nuk është përgjigjur për krimet që kanë kryer personalisht e as për shkak të përgjegjësisë komanduese. Në faqet 6-7 të kësaj dosje, Fondi për të Drejtën Humanitare publikon emrat e kuadrit komandues të Brigadës 125 që ishin përgjegjës për krimet.

Siç e përmenda më lart, Brigada e 37-të e Motorizuar e Ushtrisë Jugosllave, që operonte në Kosovë që nga viti 1998, më 7 mars 1999 u transferua tërësisht nga Raška në Kosovë dhe qëndroi deri në fund të luftës. Pas përfundimit të luftës, kjo brigadë u kthye në Raška duke lënë pas vetes krimet më të përbindshme dhe duke u munduar t’i fshehë gjurmët e tyre.
Cili do të jetë rezultati përfundimtar i hulumtimeve të ekipeve mjekoligjore mbetet të shihet. Ajo që mund të thuhet pa asnjë mëdyshje ka të bëjë me faktin se pesëmbëdhjetë vjet pas luftës, mijëra familje shqiptare jetojnë në ankth të përditshëm për fatin e anëtarëve të familjeve të tyre, të zhdukur gjatë luftës.
Në vend të përgjegjësisë për krimet e bëra në Kosovë, komandanti i atëhershëm i kësaj brigade, Lubiša Diković-i, u shpall hero i popullit nga Slobodan Milošević-i. Edhe pas përmbysjes së regjimit të Slobodan Milošević-it, ky komandant nuk dha përgjegjësi penale as për implikimin e tij në vrasje e as për fshehjen e gjurmëve të krimit. Përkundrazi, ai u ngrit pandërprerë në karrierën ushtarake dhe dymbëdhjetë vjet më vonë, ky hero i Milošević-it, u emërua Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe! Shpërblimin me funksionin më të lartë ushtarak ia dha presidenti “demokrat” i Serbisë, Boris Tadić-i!
Përmes “transferimeve të kuadrove” nga një drejtori në tjetrën, nga një sektor në tjetrin, nga një detashment në tjetrin dhe nga një ministri në tjetrën, kriminelët e ushtrisë, policisë dhe shërbimeve sekrete serbe arritën t’i ruajnë strukturat e regjimit të vjetër dhe t’i paraqesin si rezultat i “ndryshimeve pozitive në Beograd”.
Avancimet e shumta të kuadrove ushtarake, policore dhe të Shërbimit Sekret Serb që kishin kryer krimet më të përbindshme në Kosovë dëshmojnë të kundërtën e pretendimeve se gjoja “Serbia e tashme nuk ka të bëjë aspak me Serbinë e Milošević-it!”.
Në këto momente në qytetin Raška, aty ku u tërhoqën forcat e armatosura serbe të komanduara nga Lubiša Diković-i, pa prezencën e ekspertëve shqiptar, vazhdojnë hulumtimet për identifikimin e kufomave shqiptare! Lubiša Diković-i me përbuzje ndaj krimeve të kryera kthehet në vendin e krimit. Indiferenca ndërkombëtare dhe pafuqia e institucioneve të Kosovës për të çuar drejtësinë në vend të bëjnë të klithësh sa të shposh kupën e qiellit. Në vend të Lubiša Diković-it, Slobodan Stoišić-it ,Miodrag Đorđević-it Goran Radosavljević Gurit dhe kriminelëve të tjerë që kryen dhe komanduan krimin e gjenocidit në Kosovë dënohen, pa asnjë fakt, Sulejman Selimi, Sami Lushtaku, Hysni Thaçi, Zeqir Demaku, Jahir Demaku, Fadil Demaku, Nexhat Demaku… Në vend të kriminelëve të vërtetë që kryen krimet në Kosovë Gjykata e Apelit e Kosovës vendos që Rrustem Mustafa-REMI, Latif Gashi dhe Nazif Mustafa të vuajnë dënimet me burg… Në vend që të sillen para drejtësisë kriminelët e «Dosjes Diković» dhe tërë zinxhiri komandues që kreu gjenocidin në Kosovë Gjykata Speciale sajon dosjet kundër luftëtarëve të lirisë…E TMERRSHME!!!

Filed Under: Analiza Tagged With: Bardhyl Mahmuti, Lubisha Dikoviq, ne Kosove

Ambasada e SHBA në Shqipëri, lektorë falas

November 23, 2015 by dgreca

Ambasada e SHBA në Shqipëri ofron lektorë falas për shkollat e mesme dhe universitetet/
Në një njoftim të sajën Ambasada e SHBA, thekson se ofron lektorë falas në interes të mësuesve të Shkollave të Mesme dhe Profesorëve në Universitete! Nëqoftëse dikush nga shkollat e mesme dhe të larta dëshëron që, lektorë nga Ambasada Amerikane të jenë të pranishëm në klasën/auditoriumin tuaj? Vizitoni http://tirana.usembassy.gov/speakers_bureau.html për të mësuar më shumë rreth ketij programi. Temat variojnë nga Edukimi në Amerike, zgjedhjet dhe sistemi zgjedhor, Kultura Amerikane dhe Sistemi Ligjor Amerikan, Zhvillimi i Karrieres, Femrat ne Drejtim, etj.
Attention Teachers! Would you like to have a speaker from the U.S. Embassy present to your class? Visithttp://tirana.usembassy.gov/speakers_bureau.html to learn more. Topics range from U.S. education, elections, and culture to the legal system, career development, women in leadership, etc.!(Purgative Sh.K)

Filed Under: Kronike Tagged With: Ambasada e SHBA në Shqipëri, lektorë falas

Nëntori Shqiptar – Ditët e kulturës shqiptare në Zvicër e Belgjikë

November 23, 2015 by dgreca

Ministria e Diasporës e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Ministritë e Kulturës të Kosovës dhe asaj të Republikës së Shqipërisë, si dhe përfaqësitë diplomatike të dy shteteve, në një projekt të përbashkët kulturor të quajtur “Ditët e Kulturës Shqiptare” organizojnë një varg aktivitete në Cyrih dhe Bruksel.
Në Cyrih më 25 nëntori në orën 20:00, do të mbahet koncerti i mezzosopranos, Sanije Matoshi dhe pianisten, Elizabeta Musliun.
Më 26 nëntor në skenë do ta vë shfaqjen e Teatrit Kombëtar “Gishti”, të regjisorit kosovar Erson Zymberi në të cilën luajnë aktoret: Irena Cahani dhe Teuta Krasniqi edhe kjo me fillim nga ora 20:00.
Nata e tretë 30 nëntori do të sjellë projeksione filmike të metrazheve të shkurta nga Prishtina dhe Tirana të cilat do të fillojnë të shfaqen nga ora 18:00.
Të gjitha këto ngjarje do të mbahen në Bibliotekën Pestalozi, Norastrasse 20 – Cyrih.
Në Belgjikë, përkatësisht në Bruksel do të festohet me këngët etno jazz të artistes sonë të mirënjohur Elina Duni dhe Colin Vallon më 28 nëntor me fillim nga ora 20:00 në Stadasschouëburg-Keizerstraat 3, Mechelen.
Pas këtij koncerti me datën 30 nëntor do të ketë projeksione filmash të metrazhit të shkurtër nga Kosova dhe Tirana që do të vijnë në orën 17:00, ndërsa krejt për fund në po këtë ditë përmbyllën ditët e kulturës shqiptare me shfaqje teatrale “Sikur kjo të ishte shfaqje”.
Këto dy ngjarje do të mbahen në Nona-Kunstencentrum Bruksel – Bejgineenstraat 19, Mechelen.
Këto aktivitete do të pasurohen edhe me veshjen e simbolit të qytetit të Brukselit “Maniken Piss” në veshjet tona Kombëtare, iniciativë kjo e bashkatdhetarëve tanë nga Belgjika.
Ministria e Diasporës, fton të gjithë bashkatdhetarët e saj që së bashku të festojmë Ditët e Kulturës Shqiptare përgjatë Nëntorit Shqiptar./b.j/

Filed Under: Mergata Tagged With: - Ditët e kulturës shqiptare, në Zvicër e Belgjikë, Nëntori Shqiptar

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3334
  • 3335
  • 3336
  • 3337
  • 3338
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT