• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidenti Trump rezulton me COVID

October 2, 2020 by dgreca

VOA- Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se Presidenti Donald Trump po kalon simptoma të lehta të COVID-19, pas njoftimit se ai dhe gruaja e tij Melania ishin testuar pozitivë me koronavirus.

Presidenti e bëri njoftimin në Twitter të premten herët dhe tha se të dy do të fillojnë karantinën. Presidenti Trump është 74 vjeç, dhe kjo e vë në rrezik më të lartë për komplikime serioze.

Shefi i kabinetit të Shtëpisë së Bardhë Mark Meadows tha se Presidenti Donald Trump ka simptoma të lehta pas testimit pozitiv për COVID-19 por pritet që ai të vazhdojë punën. Zoti Meadows shprehu optimizëm se presidenti do të shërohet shpejt.

Dy persona që kishin dijeni për gjendjen e tij thanë se simptomat ishin të ngjashme me të ftohurin.

Presidenti shkroi në rrjetin Twitter se “zonja e parë dhe unë dolëm pozitivë në testin për COVID-19. Do të fillojmë karantinën dhe procesin e shërimit menjëherë. Do ta kalojmë sa bashku këtë”.

Pak më vonë Shtëpia e Bardhë lëshoi një memorandum nga mjeku i presidentit 74-vjeçar, Dr. Sean Conley, duke konfirmuar testet pozitive për çiftin Trump.

“Presidenti dhe Zonja e Parë janë mirë aktualisht dhe ata planifikojnë të qëndrojnë në shtëpi brenda Shtëpisë së Bardhë gjatë procesit të kurimit”, tha zoti Conley.

Ai shtoi se ai pret që presidenti “të vazhdojë të kryejë detyrat e tij pa ndërprerje ndërsa shërohet, dhe unë do t’ju mbaj të informuar për çdo zhvillim të ardhshëm”.

Zonja Melania Trump shkroi në twitter se “siç kanë bërë shumë amerikanë këtë vit, presidenti dhe unë jemi në karantinë në shtëpi pasi dolëm pozitiv për COVID-19. Po ndihemi mirë dhe unë i kam shtyrë të gjitha angazhimet e ardhshme. Ju lutemi sigurohuni që po qëndroni të mbrojtur dhe të gjithë do ta kalojmë së bashku”.

Ndërkaq, kandidati demokrat për president Joe Biden dhe gruaja e tij u testuan sot negativë për koronavirusin, ndërsa kandidatja për nënpresidente Kamala Harris u testua negative dje.

Sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, të gjitha ngjarjet politike të presidenti Trump për të ardhmen e afërt janë anuluar. Lajmi vjen vetëm një muaj para zgjedhjeve ku ai përballet me ish nënpresidentin Joe Biden, i cili kryeson në anketat kombëtare.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se tubimet e presidentit do të ndërpriten për të paktën 10 ditë.

Presidenti Trump, i cili për muaj me radhë kishte minimizuar seriozitetin e koronavirusit, të enjten në mbrëmje konfirmoi gjatë një interviste telefonike në Fox News se ai dhe zonja e parë ishin testuar pasi një nga ndihmëset e tij, Hope Hicks, u konfirmua të ishte e infektuar.

     ***

Reagime ndërkombëtare pas testimit pozitiv të Presidentit dhe Zonjës së Parë

Politikanë republikanë e demokratë i uruan presidentit Trump dhe Zonjës së Parë shërim të shpejtë pas njoftimit të lajmit për infektimin e tyre nga koronavirusi.

Në një postim në Twitter Nënpresidenti Mike Pence shkruante se: “Karen dhe unë i dërgojmë dashurinë dhe lutjet tona miqve tanë të dashur Presidentit Donald Trump dhe Zonjës së Parë Melania Trump. Ne bashkohemi me miliona në të gjithë Amerikën që po luten për shërimin e tyre të plotë e të shpejtë. Zoti e bekoftë Presidentin Trump dhe Zonjën tonë të Parë të mrekullueshme Melania”.

Urime për shërim të shpejtë Presidenti Trump dhe Zonja e Parë morën edhe nga rivali i zotit Trump për garën presidenciale demokrati Joe Biden dhe bashkëshortja e tij. Zoti Biden shkruante në twitter se ai dhe Jill Biden: “do të vazhdojmë të lutemi për shëndetin dhe sigurinë e presidentit dhe familjes së tij”.

Nuk dihet saktësisht se deri në çfarë mase infektimi i Presidentit Trump nga koronavirusi do të ndikojë në aktivitetet e fushatës së tij për rikandidim. Aktualisht zoti Trump nuk do të udhëtojë për tubime zgjedhore apo aktivitete të tjera që lidhen me mbledhje fondesh.

Ndërkohë sekretari i Shtetit Mike Pompeo i cili u nis të premten për një vizitë në Kroaci, siguroi gazetarët që udhëtonin me të se ai ndihet mirë dhe se nuk është prekur nga COVID-19, duke theksuar se testi që kishte bërë sot paradite kishte dalë negativ. Zoti Pompeo i uroi shërim të shpejtë Presidentin dhe Zonjës së Parë.

Ligjvënësi demokrat i Teksasit Joaquin Castro shprehu gjithashtu shqetësim e tij lidhur me shëndetin e presidentit. Në një postim në Twitter ai shkruante se: “kjo nuk është vetëm çështje e shëndetit personal të Presidentit, por edhe çështje e sigurisë kombëtare”.

Mesazhe për shërim të shpejtë të Presidentit ndanë edhe disa nga kritikët më të ashpër të tij. Udhëheqësi amerikan i të drejtave civile, Jesse Jackson shkruante në twitter se “lutej sinqerisht që Presidenti dhe Zonja e Parë të mos përjetojnë pasojat më të rënda të sëmundjes”.

“Ne të gjithë duhet të lutemi për shërimin e plotë të Presidentit dhe bashkëshortes së tij. Pavarësisht bindjeve fetare apo politike, të gjithë duhet të lutemi pasi miliona njerëz janë prekur nga kjo sëmundje“, vijonte mesazhi i tij në Twitter.

Ndërkohë shumë udhëheqës ndërkombëtarë i uruan shërim të shpejtë Presidentit dhe Zonjës së Parë, mes tyre Kryeministri Britanik Johnson, Kancelarja gjermane Merkel, Presidenti rus Putin, Kryeministri turk Erdogan, Kryeministri i Indisë Modi, Kryeministri izraelit Netanjahu, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Ghebreyesu e të tjerë.

Pas lajmit se presidenti Trump ishte infektuar nga COVID-19 tregjet ndërkombëtare pësuan rënie. Që prej fillimit të pandemisë së koronavirusit më shumë se 207 mijë amerikanë kanë humbur jetën dhe më shumë se 7.2 milionë të tjerë janë infektuar.

***

Reagime në Kosovë e Shqipëri pas testimit pozitiv të presidentit Trump dhe Zonjës së Parë

Udhëheqës të Kosovës dhe Shqipërisë reaguan pas njoftimit se presidenti amerikan Donald Trump dhe Zonja e Parë, Melania Trump, dolën të prekur nga koronavirusi.

Lajmi zuri vendin qendror në mediet e të dyja vendeve që radhiten ndër aleatët kryesor të Shteteve të Bashkuara në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u shpreh i pikëlluar me lajmin se presidenti amerikan Donald Trump dhe Zonja e Parë, dolën pozitiv në testin për COVID-19. Duke shprehur dëshirën për shërim të shpejtë në emër të popullit të Kosovës, ai shkroi se “kam besim që presidenti dhe Zonja e Parë do ta tejkalojnë këtë sfidë dhe do të shërohen “.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, shkroi se “lutjet tona janë më presidentin Donald Trump dhe Zonjën e Parë, duke ju dëshiruar shërim të shpejtë”.Në Tiranë, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta gjatë konferencës së përjavshme me gazetarë, u dëshiroi “shërim të shpejtë presidentit Trump dhe Zonjës së Parë”, pak pas njoftimit së të dy dolën pozitiv.

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, shkroi se “mendimet dhe lutjet tona shkojnë për një shërim të shpejtë për Zonjën e Parë Melania Trump dhe Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump”.-Kortezi-Zeri i Amerikes

Filed Under: Featured Tagged With: Presidenti Trum, Test Pozitiv, Zonja e Pare

Punoj dhe nuk marrë rrogën

October 2, 2020 by dgreca

Nga Ilir Levonja-Florida-USA-

Kur dëgjon një punëtor shqiptar që pohon se ka 27 rroga pa marrë, ndërkohë vazhdon edhe punon, është të vësh duart në kokë. Nga ana tjetër një qeveritar ia kthen se, nuk ka punë në marrdhëniet e tia me privatin, është t’ia mbathësh nga vendi një orë e më parë.

Nuk do ndalem tek Armo pasi është versioni i gjallë i një korrupsioni sy për sy, deri pastrim parash. Një nga pikat nevralgjike të pasurive të shtetit shqiptar. Dhe pikërisht informalitetit ekonomik në vendin tonë. Ashtu sikur edhe me minierat që janë copëzuar e kanë kaluar në atë sagën e pronave të mbivendosura. Do ndalem tek naftëtarët, tek shoqëria, zona aty. Nuk ka shpjegim tjetër veç faktit që ashtu si shumë të tjerë, si e gjithë shoqëria shqipatre, edhe ju, ne, të gjithë pa përjashtim kemi humbur identitetin social. Jemi thjesht shifra. Se po ti referohesh historikut të shitjes së ish Uzinës së naftës a Armos, shteti ka përfituar përqindjet. Kurse ju asgjë… veç jeni kënaqur me llafet e bukura të çdo shtetari që ka ndërmjetësuar në mitmarrje dhe jo garancinë e pagave tuaja. Shkurt shteti është garanti në raportet mes investitorit dhe punëtorit. E ka detyrim kushtetues. Ai shtetar që thotë se nuk ka punë se çfarë bëni ju me privatin, do hedhur në koshin e plehrave një orë e më parë. Sikur përqindjet e këtyre tranzaksioneve financiare të ishin administruar drejtë, ju sot nuk do të diskutonit pagat. Por puna është se ato përqindje janë tashmë pasuri e patundshme e shtetarëve që ju tregojnë derën. Atyre që erdhën në pushtet me votën tuaj, nuk kishin veç nga një apartament dhomë e guzhinë. Dhe atë me orë punë nga baballarët në ndërtimin socializmit. Sot nuk u flet dot me gojë. Ju u shkruani parualla, vini dorën në zemër, duam të çojmë fëmijët në shkollë etj. Ata janë vemje të dështimit të tyre dhe nuk kanë se si të preken. Kur them kemi humbur identitetin, e kam në kuptimin e solidaritetit. Nuk bëjmë më për njëri-tjetrin. Një qytet aty hesht dhe kafeneve debatojnë. Një shoqëri e tërë gënjehet nga pamjet se si dy qeveri, ajo e Shqipërisë dhe e Kosovës, nënshkruajnë marrëveshje. Janë farsa pasi më përpara se të lidhet me rrjet hekurudhor Tirana me Prishtinën, do lidhet Beogradi me Prishtinën. Jemi flluska të llapallapës se sa shoqëri me këmbë në tokë. Masturbohemi nga letra e Donadl Trumpit, pa kuptuar kurrë se thelbi është ekonomia. Dhe se neve veç vetvetes nuk na duhen as çështjet e Izraelit, as ato të Turqisë, e as të Rusisë. Por ne pikërisht vetvetja nuk jemi, ndaj edhe ju jeni si të thuash të izoluar, rrezik nuk e dini se cili është pronari. Jeni kronika e fundit e lajmeve, jo e para. Të parat janë shalqintë e papjekur, kokshkat, fallxhorja. Ligji që ndërrohet, modifikohet, përdhunohet për vit, ai i zgjedhjeve. Për më tepër një shtet që nuk menaxhon dot kapitalet e tia, është sa i mbaruar, aq edhe i bandave. Jemi me fat që kemi burime të arit të zi, burime minerare, burime ujore, por kush i ka. Greqia e dërrmuar nga krizat ekonomike, nxorri në det të një flotë të tërë karshi inazionit turk. Neve kemi nëndetësen 105, ia vodhëm rusëve, e kemi të ankoruar për selfie. Se për punë të ha mun’ e shkreta. Shkurt vazhdoni, por beteja fitohet kur bashkohet me ju, edhe bujku, edhe fermeri, edhe minatori, edhe shoferi, arsmitari, mjeku, etj. Dhe anasjelltas. Pra kur të kuptojmë se më shumë i duhemi njëri-tjetrit se sa dështimit të Edi Ramës.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, nuk marr rrogen, Punoj

EFEKTI KULTUROR NË NXËNIEN E GJUHËS

October 2, 2020 by dgreca

Edhe një here rreth Seminarit të III-të organizuar nga AADLC -Kumtese e prezantuar nga Arjeta FERLUSHKAJ-

Shkruan: Doktorante Arjeta Ferlushkaj-

Avantazhet e bilinguizmit, sidomos në shoqërinë e sotme bashkëkohore, njihen tashmë dhe po vërehet rëndësia e tyre hap pas hapi. Është çështje e ditës nevoja e njohjes së gjuhëve dhe kulturave të ndryshme në shekullin që jetojmë.

Mirëpo, pak flitet për sfidat që e shoqërojnë bilinguizmin, qoftë tek prindi, qoftë tek fëmija apo edhe tek mësuesi. Do të flasim konkretisht për komunitetin tonë, pra për familje, fëmijë e mësues shqiptarë që jetojnë në SHBA. 

Prindërit shqiptarë (që për hir të vërtetës, kanë barrën më të rëndë) dëshirojnë që përveç anglishtes, fëmija i tyre të mësojë edhe gjuhën e tyre amë dhe i dërgojnë në shkolla ku jepet gjuha shqipe në fundjavë. Pra, fëmija ka vetëm fundjavën në dispozicion për të ‘kapur’ diçka nga klasa dhe pastaj, ‘praktikën’ më të madhe e ka në shtëpi, gjatë bashkëbisedimeve që mund të ketë me prindërit apo ndonjë motër ose vëlla. Ndërkohë, edhe mësuesi ndeshet me vështirësitë e veta, sepse duke qenë se për 5 ditë, nxënësi ka shkuar në një klasë tjetër ku gjithçka flitej e mësohej veç në anglisht, tani i duhet të punojë fort që t’i kthejë nxënësit ‘vëmendjen’ dhe dëshirën për të mësuar edhe një gjuhë tjetër. Mësuesi ka në dispozicion një ose dy ditë në javë për ta organizuar një ditë mësimi që normalisht bëhet në 4-5 ditë. 

Shqetësimi i prindit konsiston në probleme si: Fëmija im bilingual flet më ngadalë se fëmijët e tjerë që mësojne veç një gjuhë, mos po e dëmtoj fëmijën tim?; Fëmija im nuk po i flet as nuk po i mëson fjalitë si duhet e po ‘ngatërrohet’ herë në shqip e herë në anglisht; Si t’i mësoj të shkruajë në gjuhën shqipe? Se për ta bërë të flasë e kam më të lehtë; Si ta bëj që ta pëlqejë nxënien e gjuhës shqipe sepse ka mjaft mësime në anglisht që ia marrin kohën?, etj. 

Së pari, sa më shumë njohuri të ketë prindi mbi vështirësinë e të rriturit të një fëmije bilingual, aq më lehtë do t’i kalojë pengesat. 

Prindi, duke njohur konkretisht se çfarë bëhet shqetësim për fëmijën e vet në ecjen përpara të mësimit të shqipes përkrah anglishtes, do të fokusohet pikërisht tek ato pika ku duhet më shumë punë për të marrë rezultatin e dëshiruar.

Vështirësitë e mësuesit janë të tilla që, në klasë ka nxënës nga nivele e mosha të ndryshme dhe i duhet të hartojë një program specifik që t’i përshtatet secilit prej nxënësve. Nganjëherë kjo mund të bëhet tejet e vështirë dhe mund të funksionojë vetëm teorikisht, sepse praktikisht është e vështirë për t’u realizuar. Megjithatë, gjithmonë do të ketë nxënës që janë më të avancuar se të tjerët, për shkaqe të ndryshme, prandaj dhe vëmendja e mësuesit duhet të përqëndrohet tek grupi i nxënësve që kanë përparuar më ngadalë, në mënyrë që të kapin ritmin e klasës. Një problem tjetër i ngritur nga një mësuese (me të drejtë) është prania e shumë dialekteve brenda një klase. Më në avantazh janë ato fëmijë të cilët janë rritur në familje që gjeografikisht apo praktikisht kanë qenë më afër përdorimit të gjuhës standarde sepse e kanë më të lehtë të përvetësojnë fjalorin në krahasim p.sh. me një fëmijë që është rritur në një familje shqiptare në Kosovë, Mal të Zi apo në Maqedoni. 

Tani vijmë tek një çështje që duhet ta kenë parasysh të dy instancat: prindi edhe mësuesi. 

Gjithmonë njëra nga gjuhët është më dominante se tjetra. E thënë kjo, anglishtja do të jetë gjuha më e ‘preferuar’ tek fëmijët sepse:

Janë më të ekspozuar ndaj kësaj gjuhe në shkollë.

Jetojnë dhe po rriten në një vend anglisht-folës. 

Përcaktimi i prioritetit gjuhësor e kulturor luan rol në përshpejtimin e procesit të integrimit. Nëse një prind vendos se cilës gjuhë e kulturë duhet t’i jepet përparësi tek fëmija, do të fitojë më shumë kohë dhe do të shmangë stërmundimin tek fëmija (ndoshta edhe tek vetja) dhe ky fëmijë do të ketë më sukses në shkollë. 

Dhënia e përparësive do të thonim se varet nga mosha e ardhjes së fëmijës në shtetin e huaj. Nuk mund të përdoren të njëjtat metoda për mosha të ndryshme.  

Paraqitet më e vështirë situata për një fëmijë që ka prindër të dy kulturavë të ndryshme, bie fjala, njëri prind shqiptar dhe tjetri italian. Përveç nivelit të bilinguizmit që ndodhet mes familjes dhe shoqërisë amerikane që jeton, ka bilinguizëm edhe në nivel familjar. Në këtë rast, presioni është më i madh, si për fëmijën ashtu edhe për prindin. Fëmija do të ndihet konfuz dhe i vështirësohet përshtatja, ndërsa prindi ndihet i ‘kërcënuar’ se një pjesë e rrënjëve të tij do t’i asimilohen përgjatë kalimit të viteve sepse nuk do të mund ta trashëgojë tek fëmija gjuhën dhe kulturën e tij. 

Nisur nga kjo, ne kemi menduar të shtrojmë për diskutim efektivitetin e disa mënyrave që zbusin kufirin preferencial mes dy gjuhëve tek fëmija. I mëshojmë fort pranimit dhe respektimit të prioritetit gjuhësor sepse, me gjithë dëshirën e mirë për ta mësuar shqipen njësoj si anglishtja, është e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm dhe të qartë se kjo nuk është e mundur. Tekste ka, mësues ka, metoda ka por praktikisht (mësime vetëm për disa orë dhe veç një herë në javë), nuk është aq e lehtë. Edhe pse në takime dhe aktivitete të ndryshme, ne me të drejtë propagandojmë nisma të tilla dhe punohet fort që të ecet përpara, por është mirë që ne të flasim duke qendruar me kokën pas nga terreni prej nga ku të marrim informacion se si po ecën ky proces, ku çalohet e ku po përparohet, në çfarë sektori duhet punuar më fort dhe të testohen fëmijët në fund të çdo viti shkollor për të parë çfarë është mësuar deri tani etj. Për sa kohë alternojmë vëzhgimet teorike me rezultatet e marra nga terreni (praktika nga përditshmëria e mësuesve), besoj se , ajo që dukej e pamundur, bëhet e mundur.

Për të tërhequr vëmendjen e fëmijës drejt gjuhës së dytë, që në këtë rast është shqipja, mendojmë se angazhimi i prindit për t’i çuar në shkollat shqipe është një hap shumë i rëndësishëm që i ndihmon nxënësit, sidomos në shkrim. 

Një tjetër rrugë është takimi, në person ose përmes komunikimit online, me grupe fëmijësh të tjerë që vijnë nga familje shqiptare. Grumbullimi i fëmijëve në disa zona mund të bëhet më lehtësisht  sepse komuniteti shqiptar ka zakonin e mirë që synon të rrijë afër njëri-tjetrit me banim dhe kjo e favorizon takimin e komunikimin mes fëmijëve pas shkollës. 

Mirëpo ajo që e gjykojmë si metodën më efikase është gjetja e rrugëve të të mësuarit përmes argëtimit duke futur kulturën si një metodë që mund të japë rezultat.

Çfarë do të kuptojmë me “të nxënit përmes kulturës”?  

Mësimi i një gjuhe të dytë apo edhe i një të trete e me radhë, nuk konsiston vetëm në të mësuarit e një fjalori të huaj apo komunikimin me një grup që nuk flasin gjuhën tënde. Bilinguizmi apo multilinguizmi është sot mënyra më efikase për përgatitjen e brezit të ri në rrugën e tyre të ndërtimit të së ardhmes, në çfarëdo shoqërie që ata të vendosin të jetojnë e të integrohen. Ruajtja dhe kultivimi i identitetit bëhet, përveç gjuhës, edhe përmes kulturës. 

Që të mësosh një gjuhë, njohja e kulturës së atij vendi ta lehtëson shumë procesin e nxënies dhe për fëmijët, kjo duhet kthyer në një kuriozitet. Për këtë ne kemi menduar se qasja më e mirë ndaj kësaj njohjeje është përmes argëtimit. Mënyrat janë të shumta e të ndryshme dhe sidomos, duhet pasur parasysh nga ana e mësuesit që t’i përshtasë sipas moshave. Shohim disa prej tyre: 

Përrallat

Përdorimi që mund t’i bëhet përrallës është mjaft efikas në rastet kur gjejmë një simotër në gjuhën angleze ose të kundërtën e saj.  E ngarkojmë nxënësin që të gjurmojë për variantin e ngjashëm ose të kundërt në anglisht dhe gjatë kësaj pune, do të shfrytëzojë internetin ose mësuesin/prindin në përkthimin e disa fjalëve që të kuptojë përrallën. 

Gjatë këtij procesi bashkëpunues, nxënësi mëson disa fjalë të reja ndërkohë që hyn në botëkuptimin e përrallës në të njëjtën kohë.   

Anektodat

Duke permendur një anektodë, kujtohesh për të tjera e kështu vazhdon dhe i rrëfen me radhe ose i kërkohet nxënësit t’i gjejë edhe ai disa me temë të ngjashme (mund t’i kërkojë nga prindi në shtëpi) dhe pastaj i vihet ‘detyrë’ t’i lexojë në klasë që të bëhen krahasime me anektodat e tjera që kanë gjetur pjesa tjetër e klasës. Nëse shihet e mundur, vihen nxënësit të diskutojnë mbi zgjedhjet e tyre dhe pse iu ka pëlqyer anektoda e përzgjedhur etj. 

Fjalët e urta

Gjurmimi i disa fjalëve të urta nga mësuesi apo prindi dhe tendenca për të ndërtuar një komunikim me fëmijën përmes tyre, është një metodë që mund të ndihmojë fëmijën të memorizojë disa fjalë në shqip por edhe mëson për një botëkuptim të ri për ta. Komparatizmi i këtyre fjalëve të urta apo edhe i shprehjeve frazeologjike (idiomat) me anglishten, mendojmë se do të ishte edhe më efikas për ta tërhequr fëmijën të kërkojë vetë të mësojë diçka më shumë rreth kulturës së atij populli, mendësisë apo qoftë edhe fjalorit. 

Gjëegjëzat

Të njëjtin arsyetim mund të përdorim edhe për gjëegjëzat, duke shtuar se këto të fundit mund të jenë edhe më efikase sepse kanë tone zbavitëse më të forta për nxënësit.

Këngët 

Alternimi muzikës me tekstin është metoda më e mirë në memorizimin e fjalëve të një gjuhe. Duhet pasur kujdes në zgjedhjen e këngëve, qoftë nga ana tematike e qoftë nga artikulimi i pastër i fjalëve, në mënyrë që të bëhet sa më i lehtë përvetësimi i këngës. 

Festivali i krijuesve/recituesve

Ky mini-konkurs mund të organizohet në klasë mes nxënësve në dy forma: i lihet temë e lirë nxënësve që kanë qejf të shkruajnë dhe t’i kërkohet të përshkruajnë çfarë mesazhi kanë dashur të përcjellin. Ndërsa për nxënësit që nuk e kanë me shumë qejf shkrimin, iu kërkohet të përzgjedhin një poezi apo fragment nga një libër që ata e pëlqejnë, ta lexojnë/recitojnë në klasë dhe të shpjegojnë arsyet e përzgjedhjes.  Për të dy rastet, të bëhet bashkëbisedim në klasë. 

Kësaj liste mund t’i shtohen mjaft komponentë të tjerë që do të jepnin rezultat, si filmat, revistat, websitet, pikturat etj. Tanimë shumëçka gjendet në internet prandaj dhe do ta quanim këtë procesin e përvetësimit përmes kulturës digjitale. 

Duke iu referuar kulturës për nxënien e gjuhës, ne e ballafaqojmë nxënësin me të shkuarën e origjinës në një mënyrë kreative dhe jo mekanike. I mëshuam më fort argëtimit sepse interesi jonë është dy kahësh: t’ua bëjmë të dashur dhe interesant mësimin e shqipes, pra t’i afrojmë nxënësit dhe në anën tjetër, të mos largojmë ata nxënës që janë tashmë në shkollat shqipe. 

Duke punuar me nxënësit me lëndë si gjuha, letërsia, historia, muzika, folklori etj., ata jo vetëm fiksojnë fjalë të reja në gjuhën shqipe, por edhe njohin e kuptojnë traditat e origjinës, historisë, koncepte e shprehje karakteristike kombëtare shqiptare etj. Të mos harrojmë se, vetëm duke zbuluar të shkuarën (kupto: njohjen e vetvetes),  mund të krijojmë të ardhmen.  

Është gjithashtu e vërtetë se në ditët e sotme, gjithnjë e më shumë shoqëritë janë më të hapura për të dialoguar mes tyre, për t’u pranuar mes tyre përmes zgjerimit dhe vazhdimisht ndiqet ajo nevoja e marrjes apo përvetësimit nga njëra kulturë tek tjetra, nga njëra gjuhë tek tjetra, etj. Është vetë procesi i përshtatjes me botën, kudo qofshin bilingualët, që e bën këtë të domosdoshme.  

Nuk është e lehtë të mësosh një fëmijë bilingual dhe me shumë gjasa, gjatë procesit do të lodhen të dyja palët. Por, duhet menduar se sa shumë falenderues do të jenë këto fëmijë mbas disa vitesh ndaj prindërve e mësuesve të tyre për këtë ‘dhuratë’ që do iu vlejë shumë në të ardhmen. 

New York

 shtator 2020

Filed Under: Emigracion Tagged With: Arjeta Ferlushkaj, Efekti Kulturor, ne nxenien e Gjuhes

PSE PO SHPOPULLOHET SHQIPËRIA?

October 2, 2020 by dgreca

Dritan Laci, gazetari me përvojë 14 vjeçare në mediat kryesore të Tiranës si Opinion Tv Klan, Top Channel, shtypin e shkruar dhe së fundmi nga platforma mediatike “Syri.net” analizon Shqipërinë politike dhe shpjegon fenomenin se pse po shpopullohet Shqipëria. Në një rrëfim ekskluziv për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, gazetari Laci shprehet se shqiptarët po ikin pasi Shqipëria sot është një shtet autoritar ku legjitimon vetëm kulti i njëshit, vendi është zhytur në keqqeverisje dhe arrogancë, mazhoranca është e lidhur ngushtësisht me oligarkinë, kryeministri shkeli me këmbë institucionet dhe eleminoi demokracinë në vend. Zgjedhjet Parlamentare të 25 prillit 2021 sipas gazetarit Dritan Laci, janë motivi që shqiptarët të mos ikin dhe tua lënë vendin e tyre ta zhvasin batakçinjtë. Mes Bashës një lidër perëndimor shfaqet Rama autoritarist, totalitarist ku një mandat tjetër sipas gazetarit Laci do e kthente Shqipërinë në një Republikë të pestë Putiniane. Me gazetarin Dritan Laci bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

PSE PO IKIN SHQIPTARËT NGA SHQIPËRIA?

Në 8 vite qeverisje të Rilindjes, situata është përkeqësuar mjaftueshëm sa për të krijuar bindjen te shqiptarët se ëndrra për një Shqipëri demokratike, për një Shqipëri pa diferenca të theksuara midis klasave shoqërore është shumë larg të qenit e prekshme. Mjafton të shikojmë vitet e fundit, sidomos mandatin e dytë të qeverisjes së Ramës, ku të rinjtë po e braktisin me shpejtësi Shqipërinë. Sot ne po flasim për një hemoragji të pandalshme që po tkurr demografikisht popullatën shqiptare, për shkak të keqqeverisjes dhe arrogancës së maxhorancës në pushtet, e lidhur ngushtësisht me oligarkinë. Një arrogancë që e po e kthen Shqipërinë dalëngadalë në një Republikë të Pestë Putiniane në Evropë, pas Rusisë, Azerbajxhanit, Biellorusisë, Serbisë dhe Turqisë që tashmë janë kthyer në shtete autoritare ku legjitimon vetëm kulti i njëshit dhe ku opozitat thuajse janë asfiksuar, duke u synuar eleminimi i tyre. Ky është edhe rreziku i madh që sot kërcënon Shqipërinë, me një Rilindje e cila qëllimin e saj ka eleminimin e plotë të demokracisë në vend. Kur pasi e ka lënë vendin pa institucione, po përpiqet me çdo mënyrë të asgjësojë edhe opozitën që është kolona e fundit e shpresës për ta mbajtur vendin në shinat e demokracisë. Zgjedhjet e 25 prillit janë pikërisht shansi dhe motivi që  shqiptarët të mos ikin dhe ta lënë vendin e tyre ta zhvasin batakçinjtë. Dhe ndoshta me dhimbje e them që mund të jetë shansi i fundit përpara se të biem në një autoritarizëm të thellë. Ne para se të zgjedhim të ikim nuk duhet asesi ta lejojmë që të biem, që Shqipëria të jetë vendi ku do të jetë e vështirë në një të ardhme të kthehemi. Sigurisht që opozita në Shqipëri nuk është opozita e mrekullirave që do të donim. Sigurisht që njerëzit nuk kanë humbur besimin. Por kjo opozitë me Bashën në krye, po tregon dhe ka një platformë ekonomike për një Shqipëri normale. Kjo është edhe teza e tij dhe besoj që kjo i duhet edhe Shqipërisë në këto momente, që duhet të ndahet njëherë e mirë nga Shqipëria e fasadës, e propagandës dhe likeve. Shqiptarët e kanë kuptuar që liket në facebook_un e Kryeministrit nuk ua paguajnë dot faturat gjithmonë e në rritje në fund të muajit. Liket nuk ua paguajnë dot ilaçet. Liket nuk ua paguajnë dot karburatin më të shtrenjtë në Evropë. Liket nuk ua paguajnë dot arsimin më të shtrenjtë. Sot Shqipëria, dhe ky është realiteti, është një dramë që ka tendenca të kthehet në tragjedi, në mos ka marrë trajtat e tilla. Pandemia ka lënë me mijëra të papunë, të cilët përballen me talljen dhe nënqeshjen e një Kryeministri që nuk del dot jashtë sarajeve të tij. Të një Kryeministri që shkakton terror në popullatë, duke u prishur banesat qytetarëve dhe duke mos i dëmshpërblyer. Dhe jo vetëm kaq por duke u çuar edhe fatura miliona lekë për mbetjet e ndërtimeve që u ka prishur. Madje duke i sorollatuar edhe nëpër gjyqe për të hequr faturat e një pushteti që nuk njeh kufinj në babëzinë. Këto dhe shumë arsye të tjera, janë ato që i bëjnë të rinjtë të marrin valixhet dhe të mos shikojnë shpresë në vendin e tyre.  

RILINDJA MES KEQQEVERISJES DHE PROJEKTEVE POLITIKE MAFIOZO-OLIGARKIKE

Rilindja tashmë është e gjithëditur dhe tashmë e dukshme për gjithëkënd që ishte një projekt mafioz-oligarkik për të sjellë Ramën dhe sektin e tij në pushtet. Askush sot nuk ka dyshim se Rama erdhi në pushtet me bekimin e bandave dhe parave të pista që e investuan për të marrë pushtetin. Askush sot nuk ka dyshim që krimi që u prodhua në 8 vite qeverisje të Ramës dhe Rilindjes është haraçi që Rama duhet t’u kthente bandave si shpërblim për ngjitjen e tij në pushtet. Mjafton të kujtoj këtu kanabizimin e vendit, avionët e vegjël që fluturonin nga fushat e kanabisit drejt Italisë, bandat që u vunë në shërbim të pushtetit si në asnjë maxhorancë tjetër, për të vjedhur votat. Kush mund të besojë se krimi mund të ketë një zhvillim kaq të hapur pa një vullnet politik, dhe pikërisht Rilindja dhe Rama janë kapur në përgjime duke bashkëpunuar me krimin për të rrezikuar demokracinë. Dhe a ka rrezik më të madh për një shoqëri demokratike se sa kur një maxhorancë e votuar në vitin 2013 e ndan pushtetin me bandat, u jep atyre fonde publike, i nxjerr nga burgu, të gjitha këto me një qëllim për të eleminuar votën e lirë. Dhe faktet sot janë kokëforta. Shqipërinë e qeverisin Rilindja dhe bandat. Shqipërinë nuk e qeverisin shqiptarët, ndaj është imediate që Rama dhe Rilindja jo vetëm të sterilizohen, por të hidhen në gropën septike të historisë, ndryshe të gjithë do të jemi të rrezikuar të shpopullohemi nga ky vend.  

BASHA LIDËR PERËNDIMOR, PROGRAMI I OPOZITËS JEP SHPRESË

Partia Demokratike ka nisur një proces pa kthim drej modernizimit, drejt një partie me vlera evropiane aty ku i takon. Sigurisht që për të qenë një parti e tillë, fillimisht duhet të pranosh gabimet e së shkuarës dhe të mos i bësh ato në të ardhmen. Vetë figura e Lulzim Bashës i jep ndriçimin e duhur Partisë Demokratike për të qenë një parti evropiane, larg demagogjisë që paraqet pala kundërshtare. Vetë fakti që Partia Demokratike ka nisur një proces nga poshtë-lartë të zgjedhjes së kandidatëve për deputetëve, ndryshe nga partia në pushtet ku drejtuesi ka mbledhur rreth vetes banditë oligarkë të cilët më pas i vesh me kostumin e deputetit, tregon për hapjen e madhe që po ndodh në këtë parti, që do ta çojë drejt një standardi shumë më afër simotrave të saj. Basha po ravijëzon edhe në këtë periudhë të vështirë politike ku ndodhet Shqipëria, portretin e një lideri të ardhshëm, të aftë për të drejtuar me ritmin dhe pasionin e duhur vendin. Basha në raport me Ramën, dallon në atë që quhet gjuha që një politikan duhet të përdorë në zgjidhjen e problemeve. Nëse për Ramën gjuha zbret kërcënueshëm nga lart-poshtë dhe rreth vetes ka vetëm pak sejmenë dhe puthadoras, Basha ka një shtrirje horizontale të programit ekonomik, duke mos e mbështetur atë në disa duar. Kjo është shumë e rëndësishme për një ekonomi të cilën Rilindja e ka bërë share në një grup njerëzish të lidhura në interesa okulte me Ramën. Po ta shikoni në vitin 2017, Rama nuk u prezantua me program elektoral, por vetëm me tepsi, dajre, kazan dhe gjithëfare sendesh. Edhe pse i mori tepsinë, kazanët etj, tashmë dihet se si fitoi me anë të grabitjes së votave, dalë kjo edhe nga përgjimet e Bild, Rama vazhdoi të mos bëjë asnjë punë. Tashmë që e ndjen rrezikun e një humbje të sigurtë në zgjedhjet e vitit 2021, i gjendur përballë një opozite të gatshme për ta hedhur në tapet, Rama ka filluar të shfaqet në publik me një program gjysmak, dhe atë të kopjuar nga Basha që është gjithmonë e më pranë njerëzve. Dhe që këta të fundit e ndjejnë që Rama ka kohë që nuk ka çfarë ti japë më Shqipërisë, përveç mashtrimeve që tashmë nuk i mbulon dot as me shoshë në dritën e diellit.

DËSHTIMI I QEVERISË RAMA NË RRUGËTIMIN EUROPIAN TË SHQIPËRISË

Rama kur erdhi në pushtet erdhi me politikën ‘Zero probleme me fqinjët’. Sigurisht që është një idiotizëm që vetëm ai mund ta prodhonte. Por sot që po flasim, problemet me fqinjët, në mos janë shtuar, janë aty të pazgjidhura. Dhe këtu i referohem marrëdhënieve me fqinjin tonë verior, Greqinë, ku Rama tregoi edhe njëherë paaftësinë për të qenë dialogues. Fakti që Rama dështoi në një marrëvëshje me Greqinë, ndryshe nga Maqedonia, dhe kërkon ti drejtohet Gjykatës Ndërkombëtare, tregoi edhe njëherë se politika e tij e jashtme ka dështuar. Dhe kur them ka dështuar, flas këtu për shumë lëshime që Shqipëria i ka bërë Greqisë në favor të një marrëvëshje për Integrimin Evropian, siç janë varret e ushtarëve grekë, të drejtat e minoritetit grek, lëshime të cilat shkojnë në disfavor të palës shqiptare në momentin që pala tjetër ka synime edhe me irredentiste, siç është futja 12 milje në detin Jon. Rama ka dështuar edhe në marrëdhëniet me Kosovën. Si rrallë politikan shqiptar, Rama ka hyrë në konflikt të kohëpaskohshëm me drejtuesit politikë të Kosovës, duke bërë lojën e Vuçiç. Kujtoj këtu padinë ndaj Haradinaj, problemet me Albin Kurtin, projektin e Minishengenit me Vuçiç, i pakonsultuar me drejtuesit politikë në Kosovë. Pra nga politika ‘zero probleme me fqinjë’, Rama u kthye në problemin kryesor me fqinjët, dhe kjo për shkak të megalomanisë së tij të liderit global. Shikoni sot Ramën si drejtues të OSBE-së. Një Ramë që më shumë i ngeci kjo detyrë dhe që nuk e përfill askush në politikën evropiane. Nuk i hapi telefonin as i ngjashmi i tij në Biellorusi, Lukashenko. Rama ka humbur njëkohësisht edhe besimin e partnerëve ndërkombëtarë dhe miqve të Shqipërisë. Si mundet që një vend i vogël si Shqipëria të ketë luksin të drejtojë OSBE-në, dhe kreun e këtij vendi të mos e presë askush në vendin më mik të Shqipërisë, Gjermaninë. Kjo mund të ndodh me Ramën, që tashmë është i zbuluar plotësisht në demagogjinë e tij. Shqipëria e Ramës ka ngecur në perspektivën europiane. Nëse në qeverisjen e PD-së. patëm disa proçese të rëndësishme si liberalizimi i vizave, hyrja në NATO dhe kishim vetëm 4 kushte për të hapur kapitullin e integrimit, keqqeverisja e Ramës na ka çuar në një kapitullim të plotë, ku sot kemi 12 kushte dhe mundësinë e kthimit pas në proçes.

SULMI I QEVERISË MBI INSTITUCIONET E VARURA DHE TË PAVARURA SI NJË DUKURI TOTALITARE.

Ajo që po përjeton sot Shqipëria me mungesën e institucioneve të pavarura është një nga historitë që do shkruhet dhe komentohet gjatë në librat e jurisprudencës, si i vetmi vend që për vite të tëra nuk pati Gjykatë Kushtetuese, Gjykatë të Lartë e me radhë. Sigurisht që i vetmi që ka përfituar nga kjo situatë, që i ka krijuar kushtet vetes për të qeverisur i pashqetësuar nga kjo situatë e paprecedentë, është Rama dhe klika e tij. Kjo që po ndodh, përngjet vetëm me sisteme totalitare ose me gjysmë autokraci, eksperimente që mund ti shkojnë për shtat vetëm kukullave laboratorike të krijuara nga Xhorxh Sorros, siç është edhe Rama. 

NJËANSHMËRIA E NDRYSHIMEVE KUSHTETUESE SI QASJE AUTORITARE QEVERITARE 

Rama ka treguar se nuk njeh vetëpërmbajtje kur vjen puna për pushtet të pakufizuar. Edhe pse e fitoi me banda pushtetin, qoftë atë ekzekutiv dhe atë lokal, Rama tregon se nuk ka ndërmend të ndalet në rrugën e tij për autoritarizëm të plotë. Mjafton të kujtoj këtu luftën me Presidentin Meta, tashmë një betejë pa kthim midis një gardiani të sovranit dhe Mugabes së Evropës moderne, që kërkon të kapë çdo gjë. Shikoni sjelljen me median me ligjin anti-shpifje, ku edhe pse Venecia ia ktheu pas duke i dhënë të drejtë Presidentit Meta. sërish Rama nuk tërhiqet, pavarësisht edhe kërcënineve të Evropës, se kjo mund ta çojë Shqipërisë drejt sanksioneve të forta dhe një izolimi të ri. 

QEVERISJE NGA PPP NË 3D, NË THEMEL KORRUPSIONI GALOPANT

Nëse do i referohesha një ish zv/ministre të Financave të hedhur në kosh nga Rama, duke cituar atë unë do thosha që PPP-të janë një bisturi për ekonominë që Rama ua ka lënë në duar disa diletantëve të veshur me kostumin e oligarkut. Por nëse do isha disi më largpamës, do thosha që PPP-të janë një formë e ushtrimit të pushtetit politik që e lidh Partinë Socialiste për 30 vite me pushtetin ekonomik. Dhe kjo në këndvështrimin tim është edhe më e rrezikshme jo vetëm për ekonominë shqiptare, por edhe për demokracinë, pasi një pushtet i tillë ekonomik-politik i lidhur në kohë kaq të gjatë në kontrata mund të ushqejë humbjen e vendimeve sovrane nga një parti që tashmë nuk ka lidhje me emrin dhe klasën shoqërore që përfaqëson. Nëse dikush më gjen sot një ministër socialist që shkon me biçikletë në punë, atëherë unë do thosha menjëherë që PPP-të janë një e mirë publike që do i shërbejë ekonomisë shqiptare. Por në Shqipëri, PPP-të përveçse zhvasin ekonominë e dobët shqiptare, do jenë një gangrenë nga e cila e vështirë se do kurohemi. Mjafton të kujtoj që sot Kryeministri i Shqipërisë që edhe ajrin po e jep me PPP-të, fëmijën e tij e lindi në një spital privat, po e edukon në një shkollë private, dhe do isha naiv të besoja që kur të rritet ky fëmijë do zgjedhë të marrë shërbim në shërbimet PPP-të që ka firmosur babai i tij dikur Kryeministër. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Dritan laci, Sokol Paja

RESTAURIMI I KULLËS KU U LIND DR.DOM ZEF OROSHI

October 1, 2020 by dgreca

Na shkruajnë miqtë e Gazetës Dielli-Restaurohet Kulla e Preng Çokut në Kaftallë Mirditë,së Shpejti-MUZE

Përveç mesazheve përshëndetse Dielli ka marrë dhe shumë informacione nga miqtë e tij në vendlindje dhe në Diasporë. Këtë herë po publikojmë informacionin e z. Tim Ndoj, i cili na ka dërguar 3 fotografi nga restaurimi I kullës shekullore në Kaftallë Mirditë.

Tim ndoj shkruan: Po Restaurohet kulla shekullore e Preng Çokut. Dera e Çokut ishte dhe shkolla e parë në Kaftallë Mirditë. Këtu Lindi dhe Mons. Dr. Zef Oroshi. Një jetë e shkrirë për fe e atdhe. Së shpejti kjo do të jetë Kullë- muze.

Faleminderit për informacionin që po e ndajmë me miqtë.

Filed Under: Histori Tagged With: Dom Zef Oroshi, Kulla ne Kaftall, restaurimi, Tim ndoj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 359
  • 360
  • 361
  • 362
  • 363
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Eliot Engel, in memoriam…
  • «Dritë-shkronja» e Eugène Pittard
  • Propozimi i Presidentit amerikan Donald J. Trump për emërimin e Gjeneral Lejtnant (Ret.) Eric P. Wendt si Ambasador i SHBA-ve në Shqipëri
  • Manifestimi i AAWO “Motrat Qiriazi”, nderohet sakrifica dhe suksesi i gruas shqiptare
  • Leonardo da Vinci, gjeniu që e shndërroi artin në instrument për të depërtuar në sekretet e krijimit
  • Kënaqësi të takohem me Presidentin Bill Clinton dhe bashkëshorten e tij, ish-Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton
  • Zëri i ndërgjegjes sonë kombëtare…
  • “Ora e maleve”
  • Në ditën e lindjes së shkrimtarit të madh Jakov Xoxa
  • Njeriu-Mozaik
  • Samiti i Diasporës, njё skenë pa aktorë
  • Kosova përballë një prove historike shtetërore
  • YLLI MEÇAJ I VLORËS – ARTIST KOMBËTAR SHUMËPLANËSH
  • VATRA PËRKUJTON PATRIOTIN ZEF BALAJ NË 4 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI
  • ATË QË KA MONOPOL GJENIU NUK MUND T’IA MARRË DOT NJERIU!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT