Kadetët e Forcës së Sigurisë së Kosovës përfunduan sot me sukses operacionet përfundimtare në kuadër të ushtrimit 12 ditor “Kampi Veror 2015” në poligonin stërvitor ushtarak në Krivollak, Maqedoni. Sot, në ditën mediale dhe të fundit të ushtrimit fushor, kadetët e të gjitha vendeve pjesëmarrëse përbënin një batalion shumëkombësh, që ishte i ngarkuar me detyra të operimit dhe ndërmjetësimit në mes të dy lokaliteteve që ishin në konflikt mes tyre.
“Ushtarët dhe eprorët treguan një nivel të lartë të angazhimit, veprimit dhe koordinimi në mes tyre, duke vepruar si njësi unike në realizimin e detyrave të përcaktuara nga skenari i ushtrimit”, thekson njoftimi i dërguar nga Ministria e FSK-së.
Për të përcjellë ditën kryesore të ushtrimit fushor, përveç eprorëve të lartë ushtarakë nga shteti mikpritës, ishin edhe shumë oficerë të lartë nga ushtritë e shteteve tjera, që kishin pjesëmarrës kadetët e tyre.
Ushtrimi fushor “Kampi Veror 2015” organizohet nga Akademia Ushtarake e Maqedonisë dhe ka karakter ndërkombëtar. Për çdo vit marrin pjesë kadetët nga vende të ndryshme, të menaxhuar nga instruktorë të NATO-s dhe të Partneritetit për Paqe.
“Kampi Veror 2015” ka karakter garues, ndërsa Forcën e Sigurisë së Kosovës e përfaqësun 10 kadetë dhe një oficer nga Qendra për Studime Universitare./B. Jashari/
SHBA, nismë për të luftuar ISIS me mediat sociale
Nga Shefqet Kërcelli/
Shtetet e Bashkuara dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nisën një përpjekje të re të mërkurën për t’iu kundërvënë grupit “shteti islamik”, me anë të rrjeteve sociale. Ideja është për të paraqitur zëra të moderuar dhe tolerantë nga i gjithë rajoni, për t’iu kundërvënë ideogjisë së militantëve të grupit ISIS. Projekti në fjalë quhet Qendra Sawab dhe vepron nga Abu Dabi. Qendra publikoi mesazhe në Twitter dhe postoi një video në YouTube, ku thuhet se militantët shtrembërojnë fenë islame për të përhapur urrejtje, frikë dhe intolerancë. Nënsekretari amerikan i Shtetit për Diplomacinë Publike dhe Marrëdhëniet me Publikun, Richard Stengel, i tha televizionit Alhurra se qëllimi është që të përdoret informacioni për të bindur njerëzit që të mos i bashkohen grupit “shteti islamik” dhe për t’i nxjerrë jashtë loje ata që shfrytëzojnë mediat sociale në rekrutimet për ISIS-in. Zoti Stengel tha se një nga idetë e Qendrës Sawab është të përpiqet të frenojë rrjedhën e luftëtarëve të huaj:-“Pra, nëse dikush argumenton se përse duhet të bashkohet me ISIS, atij t’i shpjegohet se miti i asaj që grupi ISIS përpiqet të krijojë është i rremë, se Kalifati nuk është parajsë, se atje nuk ka ujë, nuk ka drita dhe as internet.” Frenimi i rrjedhës së luftëtarëve të huaj drejt Irakut dhe Sirisë është një nga synimet kryesore të vëna nga presidentit amerikan Barak Obama për t’iu kundërvënë shtetit islamik. Përpjekjet e koalicionit përfshijnë edhe një fushatë gati njëvjeçare bombardimesh prej më shumë se 5 mijë sulmesh ajrore si dhe punën për të ndërprerë financimin e militantëve. Si rrjedhojë është arritur përparim në rimarrjen e kontrollit të disa zonave, por fushata deri tani nuk e ka çrrënjosur grupin shteti islamik nga baza e tij kryesore, Raqqa në Siri, apo nga një numër qytetesh të mëdha të Irakut. Zoti Stengel tha se koalicioni, i cili përfshin më shumë se 60 vende, po arrin sukses. Fakti që ata kanë një armik të përbashkët, ka çuar në marrëdhënie më të ngushta ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe anëtarëve të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit. Por ai përsëriti pikëpamjen e zotit Obama se lufta kundër terrorizmit është “luftë e një brezi të tërë” dhe nuk matet me muaj apo ditë. “Mendoj se nuk është realiste të thuhet se çdo formë terrorizmi do të zhduket apo çdo manifestim i ISIS do të zhduket. Por, si kërcënim i mprehtë, si kërcënim ekzistencial, si kërcënim që zgjerohet, kjo do të frenohet dhe është duke u frenuar,” tha zoti Stengel. Nënsekretari amerikan i Shtetit e pranon se “askush nuk është imun” ndaj kërcënimit që vjen nga shteti islamik, por se situata është e ndryshme për Shtetet e Bashkuara dhe për vendet e Lindjes së Mesme.
Shënim.
Mendoj se dhe shteti shqiptar mund të reflektojë në lidhje me këtë cështje të rëndësishme dhe të bëhet pjesë e kësaj nisme. Muslimanët shqiptarë predikojnë një islam larg dhunës dhe vrasjeve, larg konfilteve dhe hakmarrjes. Ata e kanë treguar veten me urtësinë e tolerancën e spikatur në trevat shqiptare, larg radikalizmit fetar, por dhe në përpjekjet e tyre për paqe e siguri në botë. Mjaft predikues të fesë islame në Durrës, të cilët kam pasur fatin ti takoj, më kanë shprehur të njëjtin mendim. Feja jonë, s’ka të bëjë me dhunën dhe ekstremizmin, thonë ata. Marinari i vjetër shkodran, Bahri Guri, personazh i librave të mi të detarisë dhe një predikues i rregullt i fesë islame më shpjegon se ne jemi ndryshe nga ISIS. S’kemi të bëjmë fare me ta, ne duam paqe, vëllazëri e qetësi. Feja jonë nuk i pranon të tilla veprime. Nuk e kuptoj cfarë përfaqsojnë këta njerëz që bëjnë veprime të tilla. Më duket aventurë sjellja e tyre, thotë marinari i vjetër . Unë kam qenë dhe në Arabi Saudite, pasi djali im është trajnier i një ekipi futbolli atje. Por si ai dhe nipërit e mi predikojmë islamin tonë paqësor, human, vëllazëror. Ky është mesazhi që më dha ky detar fisnik në këto ditë të Muajit të Madhënueshëm të Ramazanit. Ndaj qeveria jonë për cdo nismë që dënon radikalizmin fetar, ka mbështetjen popullore të muslimanëvë shqiptarë në radhë të parë.
Kosovë- Kuvendi pro rishikimit të Buxhetit të Shtetit 2015
*Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës deklaroi se, “ndërhyrjen e kryesuesit të seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, me ndalimin e fjalës së shefes së grupit parlamentar të AAK-së, e konsideron ndërhyrje arbitrare në zërin e 33 mijë qytetarëve të vendit, nënshkrues të peticionit kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike”.
“AAK e konsideron këtë goditje ndaj demokracisë dhe të drejtës së deputetit për t’u shprehur”, u tha në deklaratë./
Nga Behlul Jashari/
PRISHTINË, 10 Korrik 2015- Kosova do bëjë rishikimin e Buxhetit të Shtetit. Votimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015 u bë sot në vazhdimin e seancës plenare të Kuvendit kosovar pas debatit të ditës së djeshme dhe mungesës së kuorumit. “Kërkohet nga Komisioni Funksional dhe komisionet e përhershme që të shqyrtojnë Projektligjin dhe Kuvendit t’ia paraqesin raportin me rekomandime për seancën plenare që do mbahet në 16 korrik”, tha pas votimit me shumicë e miratimit në parim kreyesuesi, Xhavit Haliti.
Kuvendi i Kosovës dje fillimisht votoi për shmanige nga rregullorja – shqyrtim të parë dhe të dytë me procedurë të shpejtuar të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Shtetit 2015.
Në prezantimin e projektligjit nga qeveria iu dha një rëndësi të veçantë marrëveshjes me FMN-në, ruajtjes së fondeve për investime dhe uljes së shpenzimeve në mallra dhe shërbime.
Nga Komisioni për Buxhet u tha se shqyrtimi i dytë i projektligjit duhet të bëhet në seancën plenare në 16 korrik pasi që në 24 korrik bordi i FMN-së në Uashington do të diskutojë marrëveshjen me Kosovën.
Miratimi në Kuvendin e Kosovës i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin do t’i hapë rrugë rishikimit të Buxhetit të Shtetit për këtë vit, ndërsa sipas paralajmërimeve të qeverisë shpenzimet e parapara do të jenë më të ulëta për 49 milionë euro. Rishikimi i Buxhetit është bërë në harmoni të plotë edhe me marrëveshjet e arritura me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ka theksuar qeveria.
Buxheti i Kosovës 2015 me të hyra të planifikuara 1 miliard e 576 milionë euro, me një rritje prej rreth 8.1% krahasuar me vitin 2014, është miratuar në 29 dhjetor nga Kuvendi i zgjedhjeve të 8 qershorit, i konstituar pas gjashtë muajsh.
Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015, i miratuar nga qeveria në 26 qershor, është një nga 12 pikat e seancës plenare të Kuvendit kosovar, të nisur dje e që vazhdoi sot.
Në vijim të seancës, u bë shqyrtimi i parë i Projektligjit për faljen e borxheve publike, por nuk kishte kuorum për votim.
Sot u bë edhe votimi për katër pikat e bartura nga seancat e kaluara, i Rekomandimit të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Personat e Pagjetur dhe Peticione lidhur me Peticionin e qytetarëve të Rahovecit për ndriçimin e fatit të Ukshin Hotit; Votimi i Rekomandimeve të Komisionit për të Drejta e Njeriut, Barazi Gjinore, Personat e Pagjetur dhe Peticione lidhur me Peticionin kundër shtrenjtimit të çmimit të Energjisë Elektrike; Votimi për emërimin e anëtarit në Këshillin Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës dhe Votimi i Raportit vjetor për gjendjen në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës për vitin 2014.
Deputetë të opozitës lëshuan seancën pasi deputetetes së AAK-së, Donika Kadaj –Bujupi, iu ndërpre fjala nga kryesuesi dy herë radhazi.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila thirri konferencë shtypi në ambientet e Kuvendit deklaroi se, “ndërhyrjen e kryesuesit të seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, me ndalimin e fjalës së shefes së grupit parlamentar të AAK-së, e konsideron ndërhyrje arbitrare në zërin e 33 mijë qytetarëve të vendit, nënshkrues të peticionit kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike”.
“AAK e konsideron këtë goditje ndaj demokracisë dhe të drejtës së deputetit për t’u shprehur”, u tha në deklaratë.
Në axhendën e sotme të Kuvendit është edhe shqyrtimi i Raportit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për vitin 2014 dhe Raportit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2014.
Vizitë kortezie në Kosullatën Çeke në Nju Jork
Dy popuj në lotë, dhimbja i bashkoi dhe respekti për njëri – tjetrin i forcoi/
Nga Violeta Mirakaj & Mimoza Dajçi/
Kronika e zezë, në gjithë gazetat shqiptare njoftoi vrasjen makabre të dy turistëve çek, ardhur për të vizituar Alpet e bukura shqiptare…..
Ne krenohemi me natyrën, me bukuritë e relievit mesdhetar shqiptar…. por më shumë jemi krenuar për mikpritjen tonë. Besën shqiptare. Historikisht të huajt e miqtë shqiptari i ka uruar mirëseardhejn, i ka trajtuar si pjesëtarë të familjes dhe i ka përcjell të gëzuar…. Por jo, në këtë rast, ndodhi krejt e kundërta… u merret jeta dy miqve……Dhimbja, fyerja…shpagimi, përfshiu të gjithë ndërgjegjen shqiptare si brenda vendit gjithashtu dhe jashtë saj…
Opinioni i shqiptarëve në New York e dënoi me forcë këtë akt, natyrisht edhe Organizata e Gruas “Shpresë & Paqe” (Hope & Peace) me qendër në New York.
Ditën e mërkurë, më datë 8 korrik 2015, ora 11 paradite kjo organizatë e përfaqësuar nga Mimoza Dajçi dhe Violeta Mirakaj zhvilloi një takim në ambjentet e Konsullatës Çeke në Manhattan. Qëllimi i kësaj vizite ishte për të treguar solidaritetin tonë, ngushëllimin për vrasjen e dy turistëve çek në veri të Shqipërisë.
Ideja e znj. Mimoza Dajçi, për të zhvilluar një vizitë kortezie pranë kësaj Konsullate u mirëprit nga anëtaret e Organizatës së Gruas “Shpresë & Paqe”, në emër të organizatës takimi me Kosullatën Çeke në Manhattan u rezervua nga znj. Violeta Mirakaj.
Në shenjë respekti e mirënjohje për viktimat i dhuruam Konsullit Çek, z. Martin Dvorak një buqetë me lule të freskëta, simbol i paqes, besës dhe respektit për viktimat, familjet e tyre e për mbarë popullin mik Çek.
Krimineli sot ndodhet prapa hekurave të sigurisë së lartë, para drejtësisë, familjarët vajtojnë fëmijët e të dashurit e tyre, por edhe në Shqipëri akoma përjetohet me dhimbje vrasja e rëndë për dy te rinjtë turistë Anna Kosinova dhe Michael Svatos.
Konsulli i Republikës Çeke, z. Martin Dvorak, e vlerësoi vizitën tonë. Ai e konsideroi atë tepër domethënëse duke e quajtur një vizitë vëllazërore, e për këtë xhest human të organizatës tonë do të njoftonte menjëherë qeverinë Çeke.
Në takim u fol me dhimbje rreth ngjarjes në fjalë duke shprehur ngushëllimet e rastit si familjes së viktimave, qeverisë e mbarë popullit Çek. Kjo ngjarje u përcaktua thjesht si një vrasje e bërë nga një individ kriminel e që nuk cënon aspak marrëdhëniet miqësore të dy popujve e dy vendeve tona.
Solidarizimi i kësaj situate me dhimbjen e madhe që shkatoi tek të dy popujt tanë kjo ngjarje makabër, theksoi edhe një herë e më shumë dashurinë për njeriun, jetën, punën, respektin e dashurinë e madhe për mikun, kulturën e vendin.
Një temë tjetër që u trajtua në këtë takim ishte edhe roli i gruas në Çeki dhe Shqipëri. Cili është pozicioni i saj, sa i ndjeshëm dhe prezent është potenciali i saj intelektual në politikë e vendimarje.
Këto ishin biseda që mes të tjerave ngriti znj. Mimoza Dajçi me z. Dvorak gjatë takimit. Roli i gruas në Shqipëri dhe Çeki në mbarë jetën shoqërore u shtjellua si një kërkesë e kohës, pasi lëvizja feministe në mbarë rruzullin tokësor i përket të ardhmes e mirëqënies sociale. Ky është edhe misioni i Organizatës së Gruas “Shpresë dhe Paqe” në diasporë, e cila merret me të drejtat e gruas, kundër dhunës – pro paqes, në një përfshirje të gjerë mes komunitetesh në SHBA, ku çdo ditë e më shumë sjell një imazh të qartë të përpjekjeve shoqëruar me pozitivitet.
Pritja kaloi e ngrohtë dhe miqësore, me mesazhin e paqes dhe respektit reciprok.
New York, 8 Korrik, 2015
AGO SHERO AGAJ – “DIKUSHI”
Nga Luan Çipi/
Po e them që në fillim: nuk është fjala për të rehabilituar çdo “kolaboracionist”, po për të shpjeguar jetën e gjithkujt, që duke rrojtur gjatë dhe mandej edhe me veprimtari atdhetare dhe shoqërore të dobishme edhe pse gaboi diku, nuk mund t’ia shuash krejt veprimtarinë e tij dhe t’ia asgjësosh anët e mira, duke e dënuar me heshtje e deri me mohim, pa e gjykuar dhe analizuar.
Nga ana tjetër, jo për çdo gjë duhet trajtuar vetëm politikisht, nga mendimi dhe pozicioni partiak, ose thjeshtë nga ç’rrymë politike apo filozofike priret, por se si janë marrëdhëniet e tij me Atdheun, për mëvetësinë dhe lulëzimin e tij.
Kështu do gjykoja edhe për Ago Shero Agajn, vlonjatin që kaloi peripeci të shumta në jetën e tij të gjatë, po që punoi dhe u përpoq shumë për kombin shqiptar, pa i përjashtuar gabimet dhe fajet ku shkau…
AGO AGAJ lindi më 7 Mars 1897 në fshatin Ramicë të Krahinës së Mesaplikut (Vlorë), në një familje të pasur e me tradita të lashta atdhetarie dhe vdiq në qytetin Florida, Sh.B.A, në 24 dhjetor të vitit 1994. Babai i tij, Shero Emin Agaj, spikati veçanërisht në vitet e pavarësisë, si mbështetje e fuqishme e Ismail Qemal Beut, pastaj për organizimin e frontit antiterrorist e antigrek pas vitit 1913 dhe ishte në kulmin e shkëlqimit, në “Luftën e Vlorës”, si shefi policisë me Osman Haxhiun në krye, po dhe, më tej, në përkrahje të “Revolucionit Demokratiko- Borgjez të Fan Nolit, me armë në dorë në vitin 1924, pa u ndalur në veprimtarin e pareshtur atdhetare edhe me pas, deri në vdekje.
Ago Agaj, një nga djemtë më aktiv të Shero Emin Agajt, shkollën fillore e kreu në Vlorë (turqisht), shkollën e mesme e përfundoi në Vjenë dhe po atje, vazhdoi e përfundoi me sukses studimet universitare për inxhinieri agronomike,. kurse stazhin dhe specializimet i mbylli në Gjermani, në Silesien e Sipërme.
Më 1920, i kthyer në Atdhe, merr pjesë në Luftën e Vlorës, në çetën e Shullërit dhe komandant kishte Bajram Qamil Agajn e Ramicës. Atje, në fushat e betejës, kur ishte krah për krahu me heronjtë e luftës, me Kanan Mazen, Zigur Lelon dhe Kapedan Sali Vranishtin me shokë, grumbulloi të dhëna dhe fakte historike direkt, që më vonë i hodhi në një libër më vete.
Gjatë viteve 1920 – 23 bashkëpunon me Prof. Dr. Ernst Nowak, të Universitetit të Kölnit (Gjermani), për hartimin e Kartës Gjeografike, Topografike dhe Gjeologjike të Shqipërisë, dhe më 1924 bën pjesë në Komisionin për caktimin definitiv të nomenklaturës së Hartës së Shqipërisë.
Punon edhe dy vjet në Poloni e Moldavi dhe kur kthehet në Vlorë, emërohet agronom i zyrës së bujqësisë fillimisht dhe ngrihet dora dorës, deri në shkallët më të larta ministrore. Në vitin 1924 është një nga përkrahësit dhe mbështetësit kryesor të “Revolucionit Fanolist”.
Prej vitit 1925-26 bashkëpunon me shkencëtarin svicerian, Dr. Miller, në kërkimet e shtresave vajgurore të nëntokës shqiptare, për llogari të Dutch Shell Oil Comp. Dhe ka fatin të jetë prezent në hapjen e pusit të parë vajguror shqiptar.
Në fund të vitit 1926 emërohet agronom në Shkodër, më vonë në Xhafzotaj (Shijak), dhe Drejtor i Shkollës Bujqësore në Lushnjë dhe pas mbylljes se shkollës, shërben si agronom direkt në Berat, Gjirokastër dhe Delvinë, duke plotësuar kështu një cikël të plotë teoriko praktik, të denjë për një studiues e shkencëtar.
Më 1936, Ago Agaj merr pjesë në disa revolta e së fundi, në “kryengritjen” e Ethem Totos, si anti Zogist dhe dënohet me burgim të përjetshëm. Dita 7 Prill 1939, kur Italia Fashiste pushtoi Shqipërinë, Ago Agajn e gjen në burg.
Me qeverinë kolaboracioniste të Shefqet Verlacit ai emërohet kryeagronom në Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare dhe më pas Ministër i Bujqësisë. Ago Agaj, si anti Zogist dhe me “Dojç kulturë” e filo gjerman, e pa okupimin Shqipërisë si lehtësues së gjendjes se vet dhe u bashkua pa rezerva me pushtuesit dhe me Ballin Kombëtar, duke menduar se kështu do të ishte më mirë edhe për vendin amë, që ndryshe mund të rrezikonte copëtimin midis fqinjëve.
Dihet se pas okupimit fashist të Shqipërisë një pjesë nga territoret e Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë iu bashkuan Shqipërisë, por prefekturat e Mitrovicës, Vuçiternit, Podejevës dhe e Pazarit të Ri, megjithëse me popullsi shqiptare, kishin mbetur ende nën sundimin serb. Ishin edhe përpjekjet e Ago Agaj me shokë, si e Dr. Vehbi Frashërit, që edhe sepse ishin me kulturë e shkollë gjermane, ndërhynë pranë autoriteteve naziste dhe i bindën ata që ato krahina t’i ktheheshin Shqipërísë. Atëherë,. për meritat e sprovuara, me vota të lira, Ago Agaj, zgjidhet prej vendasve Prefekt i Mitrovicës dhe drejton organizimin e administratës shqiptare, atë të xhandarmërisë vendase dhe të hapjes së shkollave në gjuhën shqipe. Në të njëjtën kohë organizon rezistencën kombëtare, se i duhet të mbrohet edhe nga sulmet e çetnikëve të Drazha Mihaloviçit, me të cilët ndërmerr edhe përpjekje direkt, derisa edhe plagoset.
Duhet pohuar një e vërtetë historike se, gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, Mitrovica me rrethe, përjetoi një liri që nuk e kishte pasur asnjëherë më parë. Kjo liri, siç thotë vet Ago Agaj, e ndezi popullin aq shumë, sa edhe gratë morën pjesë në kremtimin e 28 Nëntorit të vitit 1941, kur ai ishte Prefekt atje. Ishte hera e parë që ato merrnin pjesë në një grumbullim të madh shqiptarësh. Për herë të parë, pas 500 vjetëve, ato dolën lirisht sheshit të veshura me kostume kombëtare e të zbukuruara me flori e gurë të çmueshëm e me qëndisje artistike, aq sa dhe të huajt mbetën të habitur.
Mirëpo, pas kësaj feste, siç tregon Agaj, ndodhi një ngatërresë e papritur me gjermanët. Komanda kishte marrë vendim të burgoste gjithë hebrenjtë dhe jevgjit. Në Mitrovicë nuk kishte shumë familje hebreje, por kishte rreth katër mijë jevgj që i quanin gabelë. Ata flisnin shqip dhe mbanin anën e shqiptarëve. Ago Agaj u shpjegoi gjermanëve se jevgjit ishin me origjinë egjiptiane, kurse ciganët ishin me prejardhje nga India dhe ishin nomadë, që nuk ngulen në asnjë vend. Ky shpjegim nuk mjaftoi dhe lypseshin fakte të tjera. Me anën e Vehbi Frashrit u gjet libri i prof.E.Novack-ut, i cili ishte marrë me studimin e këtyre popujve. Kështu, jevgjit shpëtuan dhe ata me këtë rast, bashkë me shqiptarët në shenjë falënderimi, dhanë një koncert siç dinë vetëm ata.
Edhe hebrenjve, në saje të angazhimit të Ago Agajt e Xhafer Devës, ua shpëtuan jetën, mandej i vendosën në mbrojtje në një ndërtesë të mirë. Pas largimit të Ago Agajt, Xhafer Deva gjeti mënyrën për t’i çuar këto familje në Shqipëri, ku gjetën strehim dhe mikpritje. Agaj ishte bërë shumë popullor në mes kosovarëve me të cilët ai bashkëpunoi aq mirë.
Ago Agaj qëndroi një kohë të shkurtër në krye të prefekturës, sepse Gjermania ndërhyri tek italianët, ngase “kjo liri e kjo administratë u mor si shembull edhe për Shqipërinë dhe rinia kërkonte edhe atje të njëjtin administrim”.
Në Shqipërinë e Okupuar, Qeveria e Mustafa Krujës, Ago Agajn, e emëron Drejtor të Përgjithshëm të Nozullimeve, që varej nga Kryeministria.
Në Qeverinë e Rexhep Mitrovicë, kur Shqipëria ishte shpallur e pavarur e neutrale, (mbasi fashizmi më 7 Shtator 1943 kishte rënë), Ago Agaj emërohet Ministër i Ekonomisë.
Në qershor të vitit 1944, Ago Agaj mori pjesë në mbledhjen e Dytë të Lidhjes së Prizrenit, si dhe në Kongresi i Dytë të saj, që u mbajt më 15 janar 1944.
Ai ishte aq i lidhur me Kosovën sa në një letër, disa muaj para se të ndërronte jetë, Ago Agaj shkruante:
“Jam në shtratin e vdekjes. Flas nga përvoja njëqindvjeçare e jetës sime. Kam pasur dhe kam bindjen se fati i Kombit Shqiptar do të vendoset në Kosovë. Nëse Kosova do të shpëtojë nga kthetrat e kuçedrës Serbe, atëherë do të kemi një komb tetë milionësh dhe askush nga fqinjët keqdashës nuk mund të arrijë atë që dëshiron. Në rast se Kosova, mos e dhëntë Zoti, mbetet nën pushtimin Serb, paraqitet rreziku edhe për Shqipërinë. Pra, unë kur përpiqem për Kosovën, përpiqem për Kombin, për Shqipërinë, për Vlorën… O sot, o kurrë, populli shqiptar duhet të bëjë përpjekje për shpëtimin e Kosovës. Kjo bindje i ka rrënjët te babai i kombit, Ismail Qemali, i cili, në mbledhjen e madhe me parinë e Vlorës, mori një telegram dhe, pasi e lexoi, filloi të qante. Ismail Aga Mezini, mik i tij, i tronditur i tha: “Mblidhe veten, na thuaj se ç’pësuan djemtë?” Ismail Qemali u përgjigj: “Jo, djemtë nuk pësuan gjë, po e pësoi atdheu ynë. Kosova mbeti jashtë kufijve të Shqipërisë”. Kështu shkruante personalisht Ago Agaj dhe shtonte: “Shpresoj se lotët e babait të kombit do të bëhen armë e fortë për realizimin e ëndrrës së tij”. Nga kjo dashuri pasionante për Kosovën, Ago Agajn, shpesh e kanë quajtur “Kosovari nga Vlora”.
Kur ishte prefekt në Mitrovicë ai tërhoqi atje për ndihmë vlonjate të shquar për t’i pasur ndihmësit e vet të besuar, duke i vendosur në vende kyçe: si prokuror Kudret Kokoshin, kryetar gjyqi, dr. Shefqet Shkupin (që më pas punoi për 20 vjet mjek në Vlorë) dhe në mjekësi, vlonjaten tjetër dr. Ibrahim Dervishin.
Si të gjithë nacionalistët aktiv, Ago Agaj, në nëntorin e vitit 1944 largohet nga Shqipëria. Emigroi në Itali e Austri për pak kohë dhe për shkak të njohjeve dhe të ndikimit personal, u vendos në Egjipt, ku qëndroi i suksesshëm 20 vjet, i zgjedhur si Këshilltar për administrimin e pasurisë së Aziz Izet Pashë Arnautit (origjinë shqiptare prej Familjes së Qiprilijve) dhe drejton sektorin «Vinicole e Viticole». Kur Egjipti anoi politikisht nga Rusia Sovjetike, atëherë Ago Agaj, si antikomunist konsekuent i deklaruar, emigroi në Shtete e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë qëndrimit në Egjipt Ago Agaj, përgatiti dorëshkrimin e vëllimit «Lufta e Vlorës» të cilin e vuri në shtyp në vitin 1969, kur ishte në Amerikë. Pati sukses të madh, mbasi ishte hera e parë që flitej mbi luftën heroike të vlonjateve, nga një pjesëmarrës aktiv e direkt, siç ishte Ago Agaj. Ai, ka dhe botime të tjera letrare e historike për Kosovën dhe Shqipërinë, librin historik “Miloshi, heroi i Kosovës”, librin për jetën dhe veprimtarinë e Xhafer Devës, si dhe libra e dokumente ende të pabotuara.
Ago Agaj, përveç se ishte pajisur me një kulturë të gjerë në shkencat agronomike, ka pasur njohuri të shumta historike, jo vetëm nga studimet dhe përvoja, po nga që njihte mirë dhe zotëron thellë gjuhën gjermanishte, si dhe frëngjishten, italishten, arabishten, turqishten, greqishten, tregonte bukur si orator, dhe folklori e poezia ishin hobi i tij.
Ago Agaj ishte rritur me një kulturë evropiane, pa u shkëputur nga zakonet e bukura shqiptare, por i lidhur me Ballin Kombëtar dhe Nacionalistët shqiptar, ndaj ardhja e komunistëve e detyroi të marrë rrugën e mërgimit, duke lënë në atdhe në mjerim gruan dhe pesë vajza. Jetoi gati një gjysmë shekulli me ankthin se a do të mund t’i shihte ndonjëherë dhe se a do të kthehej më në atdhe. Rënia e komunizmit ia ngjalli shpresën, por mosha e kishte bërë punën e saj. Ai nuk mundi të realizonte dëshirën e tij shumë vjeçare. Ndërkohë e shoqja dhe dy vajzat e mëdha nuk jetonin më. Siç tregon, vajza e katërt, Marika, që pati mundësinë të shkonte në Amerikë e ta takonte:
Plaku 96 vjeçar sikur u përtëri. Ai pyeste për gjithçka. Midis të tjerave e pyeti se “kur do ta shihnin edhe Kosovën të lirë”. Si njeri me tradita ndershmërie kishte edhe një brengë tjetër që ia shprehu asaj:
– A i keni mbetur kujt borxh? Kur mori përgjigje negative, si model pastërtie, ndjeu një lehtësim në ndërgjegjen e tij. Ishte dëshira për t’i parë fëmijët, si shqiptarë, gjithmonë me kokën lart.
Ai deri në fund të jetës së ti ishte i rregullt dhe sistematik dhe merrte mjekime e barna.
– Me këto e mbaj gjallë shpirtin, thoshte, dhe për çdo ditë bënte gjimnastikë, çdo mëngjes dilte jashtë shtëpisë në lëvizje, qëndronte një orë dhe kthehej. Edhe në darkë nuk flinte para se të bënte një ecje të mirë. Në netët që i quante shumë të gjata, flinte për të tri-katër orë e nganjëherë hiç fare.
Dhe kështu, në vetmi, duke jetuar më së shumti pranë Teqes Bektashiane të Detroitit te Baba Rexhepi dhe së fundi në një Shtëpi Pensioni, pa mundur ta shikoj Atdheun të plotë, të lirë dhe të lulëzuar, u shua në moshën gati 98 vjeçare, një nga luftëtarët veprimtarët e shquar për “Shqipërinë e Madhe”, Ago Agaj, duke marrë me vete dhe pengun e gabimeve dhe fajeve të tij, (ai thoshte, p.sh. se aleatët, me fitoren e tyre e ndryshuan për mirë Gjermaninë). Përfundimisht, ngelemi me mendimin tonë, se Shqipërinë Ago Agaj, e donte më shumë nga çdo gjë dhe nga shumëkush, më të madhe (bashkë me Kosovën) e më të begatë.
Kaluan vite dhe Ago Shero Agaj u amnistua nga Dekreti i Presidentit Nr.2205, dt. 05.01.1956, si dhe ishte i 14-ti person në listë, që rifitoj të gjitha të drejtat qytetare, çka na jep edhe më shumë guxim, për t’i treguar skeptikëve dhe për ata që gjykojnë vetëm njëanësisht e vetëm politikisht, se dhe Ago Shero Agaj ishte DIKUSH, një veprimtar i palodhur për liri, pavarësi e zhvillim dhe se ai, meriton vlerësim pozitiv për gjithë jetën e tij të mundimshme dhe për sakrificat e tij sublime.
Vlorë, 10.07.2015