Kadetët e Forcës së Sigurisë së Kosovës përfunduan sot me sukses operacionet përfundimtare në kuadër të ushtrimit 12 ditor “Kampi Veror 2015” në poligonin stërvitor ushtarak në Krivollak, Maqedoni. Sot, në ditën mediale dhe të fundit të ushtrimit fushor, kadetët e të gjitha vendeve pjesëmarrëse përbënin një batalion shumëkombësh, që ishte i ngarkuar me detyra të operimit dhe ndërmjetësimit në mes të dy lokaliteteve që ishin në konflikt mes tyre.
“Ushtarët dhe eprorët treguan një nivel të lartë të angazhimit, veprimit dhe koordinimi në mes tyre, duke vepruar si njësi unike në realizimin e detyrave të përcaktuara nga skenari i ushtrimit”, thekson njoftimi i dërguar nga Ministria e FSK-së.
Për të përcjellë ditën kryesore të ushtrimit fushor, përveç eprorëve të lartë ushtarakë nga shteti mikpritës, ishin edhe shumë oficerë të lartë nga ushtritë e shteteve tjera, që kishin pjesëmarrës kadetët e tyre.
Ushtrimi fushor “Kampi Veror 2015” organizohet nga Akademia Ushtarake e Maqedonisë dhe ka karakter ndërkombëtar. Për çdo vit marrin pjesë kadetët nga vende të ndryshme, të menaxhuar nga instruktorë të NATO-s dhe të Partneritetit për Paqe.
“Kampi Veror 2015” ka karakter garues, ndërsa Forcën e Sigurisë së Kosovës e përfaqësun 10 kadetë dhe një oficer nga Qendra për Studime Universitare./B. Jashari/