• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KRONIKE E FUNDVITIT: FESTUAM SI NJE FAMILJE

January 2, 2015 by dgreca

FESTUAM SI NJË FAMILJE E MADHE NATËN E NDËRRIMIT TË VITEVE/
Natën e 31 Dhjetorit shqiptarët e Amerikës e festuan natën e ndërrimit të viteve në familje dhe nëpër restorante.
Vetëm në restorantin Maestros në Bronx, NY, ishin tre grupime shqiptarësh që kishin pushtuar tri nga sallat dhe festuan së bashku. Sipas traditës shqiptare respektohet familja në këtë natë të shenjtë. Ne kemi zgjedhur së bashku me familjen përkrah dhjetëra familjeve të tjera ta festojmë në Crystal Room.
Kjo sallë bashkoi mbrëmjen e 31 Dhjetorit shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare, Lushnja, Tirana, Vlora, Mati, nga Kosova, Korca, Shkodra, Tropoja, Ulqini dhe Camëria. Madje kemi dhe mysafirë nga Toronto-Kanada, Juli me Erisën dhe fëmijët, Lenci, mysafirë I tyre ka ardhur nga Tirana, familja e Marjan Cubit ka mysafirë nga Belgjika., edhe familja e Halit Dacit kishte mysafire nga Kandaja. Të gjithë gëzojmë së bashku.
Salla u dekorua kuq e zi, me simbolikën tonë kombëtare. Nazo Veliu ka hapur festën dhe u ka uruar Mireseardhjen famijeve shqiptare. Më pas Asllan Bushati u ka mbajtë një fjalë të shkurtur duke kujtuar traditën shqiptare të festimit familjar. I gjithë Kombi ynë është si një familje e madhe, të tillë jemi dhe ne sonte këtu, si një familje. Atdheun e munguar do ta sjellim sonte këtu përmes këngëve dhe valle tona tradicionale, tha ai, duke i ftuar për të trokitur gotata:GEZUAR!
DJ Tani dhe këngëtarja e re e talentuar Dea Elezaj, shpalosën bukuritë e këngëve dhe valleve shqiptare nga veriu në jug. Deri në orën 2 të mëngjesit kënga dhe vallja shqiptare nuk rreshtën.
Janë me ne dhe rreth 25 fëmijë të vegjël., te cilet kenduan e kercyen se bashku me te rriturit. Për ta momenti më i gëzuar është ardhja e Babagjyshit. Një fotografi me të mbetet kujtimi më i bukur i natës së ndërrimit të Vitit. Por Babagjyshi nuk ka harruar që të sjellë dhuratat për fëmijët. Ai hap thesin e mbushur me ndihmen e Arjana Elezaj dhe femijet shperthejne nga gezimi.
Në mesnatë salla shpërthen; të gjithë brohorasin për ndërrimin e viteve. Vjen 2015! Festojmë larg atdheut plot mall.
Një surprizë tjetër në mesnatë; tre prej pjesmarrsve në këtë vit të ri, pikërisht më 1 Janar 2015, fetsojnë ditëlindjen! Nën tingujt e këngës” Happy Birthday to You”, e gjithë salla këndon. Familja e Marjan Cubit , e Latif Sharkës dhe Elisabeta Greca(Shehu), kanë zgjedhur festimin e ditëlindjeve së bashku. Nga një tufë me lule secilit nga Xhemilja. Gëzuar ditëlindjen Marjan, Latif, Elisabeta! Kamera e Televizionit Kultura Shqiptare dhe aparati fotografik i Gazetes Dielli fiksojne castet e ngarkuara me emocione.
Festa vazhdoi përmes surprizave.Ishte një festim i shkëlqyer. Në mbyllje secili falenderon organizatorët që na e mundësuan këtë festim të dhjetëra familjeve si një e vetme, larg zhurmave, por të ngarkuara nga emoicionet. Faleminderit Arjana, Tamara, Xhemile, Mjafturie, Nazo, Veiz. Faleminderit të gjitha familjeve që u bashkuan me ne në këtë festë të bukur. Të gjitha moshat u kënaqën, që nga fëmijët, të rriturit, por dhe studentët që i dhanë”zjarr” festës.
Me këtë atmosferë u festive familjare u bashkua edhe Televizioni Kultura Shqiptare , jo vetëm me kamerat, por edhe familja Belliu.
Na qofte Vit i mbare 2015-ta!

Filed Under: Komunitet Tagged With: dalip greca, Festuam se bashku, si nje familje

Mesazhi i Presidentes Jahjaga me rastin e Vitit të Ri 2015

December 31, 2014 by dgreca

Prishtine- E mërkurë, 31 dhjetor 2014/
Mirëmbrëma,
Kur të gjithë jemi mbledhur sonte me familjet dhe miqtë për të kremtuar këtë Natë të gjatë festive, dua t’ju uroj nga zemra – Gëzuar – shumë shëndet dhe shumë suksese; Gëzuar – me njerëzit Tuaj për një Vit të Ri, që shënon një fillim me mbarësi për gjithë shoqërinë.
Kjo është gjithmonë një kohë e shpresës, kur kremtojmë përmbylljen e një Viti dhe fillimin e një Viti tjetër, kur përmbledhim gjithë punën dhe rezultatet por kur gjithashtu shohim përpara drejt sfidave që na presin edhe si shoqëri edhe si shtet, me të cilat do të përballemi të gjithë me kurajo dhe përkushtim.
Kjo është koha kur e përmbyllim një vit që ka lënë aq shumë vështirësi, kur e kemi vënë në sprovë edhe durimin, edhe besimin, edhe shpresën tuaj për shtetin tuaj, për të cilin aq shumë kanë sakrifikuar dhe të cilin Ju e keni dashur më ndryshe. Një shtet me më shumë zhvillim dhe më shumë përparim, një shtet të demokratizuar, shtetin e të gjithë qytetarëve pa dallim. Dhe sado e gjatë të jetë rruga e reformave në shoqëri, sado të vështira dhe të dhimbshme të jenë ato, ne do t’i përballojmë me forcën, guximin dhe vullnetin tonë për ta ndërtuar shtetin e përparuar.
Është koha kur të gjithë së bashku duhet ta kthejmë besimin në vetvete dhe në shtetin që po ndërtojmë, siç kanë bërë gjenerata të tëra që kanë mbajtur gjallë shpirtin për një Kosovë ndryshe, një tokë të premtuar për qytetarët e saj, në të cilën do të gjejnë prehjen edhe familjet që për mbi 15 vjet vazhdojnë të kërkojnë më të dashurit e tyre, të zhdukur gjatë kohës së luftës.
Dhe sonte, kur të gjithë do të festojmë me familjet tona, le ta shohim një vit të ri me më shumë shpresë, me më shumë dashuri për vendin dhe më shumë punë për të sendërtuar ëndrrën e të gjithëve për Kosovën – shtetin e së drejtës dhe shtetin e të barabartëve.
Gëzuar për shumë mot!

Filed Under: Editorial Tagged With: 2015, atifete jahjaga, Presidentja e Kosoves, urim per Vitin e Ri

Mesazhi i Presidentit të Republikës, Sh.T.Z Bujar Nishani me rastin e Vitit të Ri 2015

December 31, 2014 by dgreca

Tirane- 31 dhjetor 2014/
Të dashur qytetarë të vendit tim, bashkëkombas, brenda dhe jashtë Shqipërisë!
Motra e vëllezër!
Nata tradicionale e urimeve më të përzemërta sonte na bashkon të gjithëve!
Po troket Viti i Ri dhe në cilësinë e Presidentit të Republikës, për të tretën herë, kam privilegjin e nderin t’ju përcjell urimet e mia më të ndjera, më të sinqerta për një Vit të Ri sa më afër aspiratave tuaja!
Gëzuar të gjithëve!
Gëzuar çdo qytetari shqiptar brenda dhe jashtë vendit!
Gëzuar çdo bashkëkombasi!
Gëzuar çdokujt që sonte është mik në tokën shqiptare, prania juaj na e stolis këtë natë!
Gëzuar gjithë trupit diplomatik që shërben në Shqipëri!
Paçi gjithmonë dashuri, lumturi, harmoni e shëndet në jetën tuaj: është urimi im në këtë vigjilje të ndërrimit të viteve të dashur miq.
Magjia e kësaj feste ndihet më fort tek fëmijët të cilët me ëndrrat, dëshirat e tyre plazmojnë standardet e së nesërmes, ndaj u shpreh atyre urimet më të dashura që jeta e tyre të jetë sa më e begatë.
Një shoqëri që rrit mirë fëmijët e saj përcakton që në atë moment të ardhmen e vet.
Vëllezër e motra,
Vendi ynë, ka ende shumë njerëz që për arsye të ndryshme gjenden në vështirësi shpirtërore e materiale; ndaj më shumë se kurrë, sonte, jam pranë tyre e solidar me ta!
Të moshuarve, prindërve që sonte nuk i kanë pranë bijtë e tyre, fëmijëve jetim, personave me aftësi të kufizuar, atyre që këtë natë e kalojnë në spitale, të papunëve, ju uroj një vit më të mirë duke thirrur vëmendjen e institucioneve që të jetë vërtetë i tillë.
Impenjimi i të gjithëve mund t’i zvogëlojë problemet dhe mund të rrisë zgjidhjet duke shtuar sigurinë dhe mirëqenien.
Zhvillimet tona na kanë mësuar tashmë që këtë natë ta kalojmë me telefonin pranë, me skype apo facebook, sepse shumë nga familjarët tanë e festojnë këtë natë të bukur në vende të ndryshme të botës, ku jetojnë, punojnë dhe studiojnë me dinjitet e sakrifica prej vitesh.
Ne u themi atyre Shqipëria ju pret dhe ju uron nga zemra një Vit të Ri të lumtur. Ne jemi një e të pandarë!
Si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, një urim të veçantë e kam për të gjithë ushtarakët tanë dhe familjet e tyre. Nga mot Gëzuar!
Me kontributin e tyre përkrah aleatëve, atje ku sfidat dhe vështirësitë janë të shumta po dëshmojnë se janë rojtarë të denjë të paqes, lirisë dhe sigurisë, anëtarë seriozë të NATO-s, por edhe një forcë me kontribut të vyer në çështje të mbrojtjes civile brenda vendit!
Urimit të këtij çasti të bukur i shtoj edhe mirënjohjen time për të gjithë ata që sonte janë në punë, kam parasysh forcat e rendit, personelin mjekësor, punonjësit e institucioneve të ndryshme, gazetarët në terren e shumë të tjerë. Ju faleminderit për sakrificën tuaj!
Vëllezër e motra,
Viti 2014 ishte një vit domethënës për vendin tonë, por ajo që spikat më shumë është marrja e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.
Vëmendjes së Evropës ndaj Shqipërisë, e cila kurrë nuk ka qenë kaq e madhe përgjatë historisë, i përgjigjet dëshira e shqiptarëve për t’u integruar aty, por e tillë dhe me standardet demokratike duhet të jetë edhe sjellja e politikës shqiptare.
Uroj që gjatë këtij viti të rikthehet dialogu i munguar duke rikthyer filozofinë e bashkëpunimit dhe jo të përjashtimit, duke bërë që parlamenti të shndërrohet në zërin e të gjithëve e jo vetëm të një pjese, nga i cili të miratohen reforma themelore, të vërteta, moderne e afatgjata, produkt i vullnetit të përbashkët.
Gëzuar dhe një vit të suksesshëm për politikanët dhe politikën shqiptare, vendimmarrja e të cilëve na përket e prek të gjithë.
Ngjarje e një rëndësie historike për ne ishte vizita e Papa Françeskut në shtatorin e këtij viti që po lëmë pas.
Afria dhe mesazhet e Tij për Shqipërinë, konsideratat për harmoninë, paqen, dashurinë e shquajnë kuptimin e tyre këtë natë të bekuar më shumë se çdo herë duke na dhënë shpresë e optimizëm për të ardhmen, solidaritet si shtet e komb në udhëtimin tonë integrues drejt atdheut të përbashkët, Evropës.
Të dashur vëllezër e motra,
Të gjithë ne duhet të bashkojmë vullnetet, të shtojmë energjitë dhe përcaktojmë dëshirat tona më të spikatura, për një Vit të Ri më të mirë e të suksesshëm.
E kemi mundësinë, nuk mungon inteligjenca dhe virtytet për të ndërtuar një shoqëri më demokratike, me kohezion më të madh politik e social, në paqe e harmoni siç e kemi traditë, për sot e nesër, për fëmijët tanë, për vete dhe brezat duke synuar dhe projektuar me vetëdije vendin tonë në bashkësinë e familjes evropiane.
Së bashku me familjen time, ju urojmë Gëzuar!
Zoti e bekoftë Shqipërinë e shqiptarët!

Filed Under: Editorial Tagged With: 2015, bujar nishani, Mesazhi i Presidentit, per Vitin e Ri

Kur “Zëri i Rinisë Shqiptare në Mërgim” kujtotonte me madhështi në Nju Jork, At Gjergj Fishtën

December 31, 2014 by dgreca

“Ai është Homeri shqiptar, një poet nga më të mëdhenjt딓Fishta asht nji Homer shqiptar. Ai nuk asht vetëm nji poet i madh kombëtar. Ai asht nga ma të mëdhajt në botë. E randsishme asht që ai të njihet prej saj”. – ka thenë At Zef Valentini/
Nga Beqir SINA, New York/
BRONX NEW YORK : Në numërin e saj të fillim vitit 1991 – revista “Koha Jonë”(Koha e Jonë nr 1-2-3 vjeti XXX Janar-Shkurt-Mars 1991) organ i Partisë Bashkimi Demokrat Shqiptar , që vepronte atë kohë në mërgim – në shkrimin me titull “Kur Inteligjenca i printe kombit.”, shkruan për atë se si përkujtohej Fishta në pervjetorin e 50 të vdekjes – së tij – New Jork, në 1991.
Në faqen ballore, kjo revistë ka ka të botuar, simbas materialeve arkivore- pra 23 vjet më parë, një shkrim shoqëruar edhe me një fotografi nga Seminari letrar në kujtim të poetit tonë të madh kombëtar At Gjergj Fishtës, ku në diçitur e saj janë edhe katër figura të njohura kombëtare, të cilat e udhëhoqën atë seminar si: Profesor Arshi Pipa, Don Rrok Mirdita, At Daniel Gjeçaj dhe Anton Çeta.
Më tej në shkrimin e saj – revista njoftonte se më datën 2 Fruer(shkurt) 1991, në Universitetin e Fordhamit, Bronx New York, është mbajtë një seminar letrar, në të cilin është përkujtuar me madhështi, poeti kombëtar At Gjergj Fishta. Mirrnin pjesë shkruan kjo revistë edhe një numër i konsiderueshëm bashkëatdhetarësh, dashamir të kulturës dhe letersisë, si dhe Amerikan që interesoheshin për historinë e vendit t’onë.
Në këtë seminar, sipas revistës periodike të asaj kohe ” Koha Jonë” një nga pioneret e shtypit të mërgatës shqiptare – thuhet se kan folë edhe personalitete ma të shqueme të kulturës dhe letersisë shqipe, njohës dhe studiusa të veprave gjeniale të Fishtës, poetit ma të madh Shqiptar.

Ndër këta kjo revistë ka dalluar : At Daniel Gjecaj, kryekaplan i katholikve Shqiptar jasht Atdheut, me detyrë pranë Selisë së Shejtë, i ardhur për këtë përkujtimore posaçërisht nga Roma. Kurse, nga Kosova bëhej e ditur se kishin marrë pjesë profesorët e Universitetit të Prishtinës z. Anton Çeta, Abdulla Karjadiu, Angjell Sedaj, dhe Anton Berisha. Kurse, nga Universiteti i Minnesota, profesor Arshi Pipa.
Kjo revistë dinjitoze nënvizon se” të gjith, në atë seminar model për nga mënyra e organizmit të saj -paraqitën kumtesa të hollësishme, dhe shumë të çmueshme, mbi jetën dhe veprat e poetit, të cilat shpeshherë, thotë ajo, u ndërprenë nga duartrokitje të gjata, gja që provonte pa dyshim, kënaqësinë e ndegjuesve të pranishëm, me njohjen e thellë të këtyne veprave, nga ligjeruesit e rastit”.
Seminarin – simbas saj e organizuen një grup të rinjësh energjik, nga organizata “Zëri i Rinisë Shqiptare në Mërgim”. Këta, të paisun me cilësi organizative të pame rralë në radhët e kominitetit shqiptarë të Amerikës, banë të mundun, arritjen e një suksesi të plotë, i cili me siguri shkruan “Koha Jonë” në mërgim, pasurojë dhe flladiti zemrate të gjithë atyne pjesëmarrësve, që interesoheshin për njohuri të dorës së parë, dhe të gjithanëshme historike, mbi jetën dhe veprat e At Gjergj Fishtës.
Revista e mergimtarëve shqiptarë “Koha Jonë”, nuk le pa permendur edhe komisionin organizues i cili shkruan ajo përbëhej nga z. Gjovalin Nikevi, Paulin, Mrnaçaj, Luan Gashi, Halil Lita, Vasel Camaj, Nikoll Pjetri, dhe Pjetër Mrnaçaj.
Ndërsa për kryesues të këtij seminari, shkruan kjo revistë ata kishin zgjedhur njërin nga veteranët e veprave kulturale të Shqiptarëve të Amerikës, Dr. Hamdi Oruçin.
“Ky, shkruante “Koha Jonë” me zotësi dhe eksperiencë shumëvjeçare, drejtoj punimet e seminarit, në një mënyrë dinjitoze, të drejtë dhe autoritative, që kërkonte karakteri i nalt akademik” Ndërsa të diellën një ditë mbas seminarit të mbajtur në Frodham University (3 Fruer 1991) në Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” u mbajt një takim tjetër përkujtiomr me të gjithë të ftuarit e saj.
Shkrimtari dhe studiuesi i njohur Klajd Kapinova – ka shkruar për kët ngjarje të madhe se :” Me këtë rast Kisha e re, qendroi për shumë orë e hapur, për vizitorët e shumtë shqiptarë e amerikanë. Në një nga sallat e bukura të ambienteve të brendshme të Kishës, u mbajt programi i rastit dhe u shtrua darka madhështore, përgatitur nga Këshilli i Kishës dhe komisioni i formuara për mbajtjen e këtij seminari”.

Pra, kështu u kujtua në mërgatën shqiptare të Amerikës, prej të gjithë atyre që luftuan për trinomin Komb – Atdhe dhe Fe , Gjergj Fishta, (1871-1940) i cili është një krijues madhështor jo vetëm për letërsinë shqipe, por është edhe një personalitet tejet i dalluar për shumë segmente të jetës sonë kombëtare. Ai është i pari shqiptarë i propozuar për Çmimin Nobel për letërsi.
Dhe, nuk është tepruar edhe kur atë e kan krahasuar me Homerin, apo Danten, sepse për letërsinë dhe kulturën tonë kombëtare, Gjergj Fishta na paraqitet edhe si Homer edhe si Dante, pse jo edhe si Gëte e Shiler. Nga do të studiohet poezia e tij, arrijmë në përfundim se angazhimi i Fishtës për kombin, kulturën, për shqiptarin e Shqipërinë e kohës ishte preokupim mbi të gjitha preokupimet. Duke qenë krijues me një kredo origjinale, një mendje erudite, një burrë i zakonit, një prift i devotshëm, i cili kishte gjetur strehë në nderin, besën dhe cilësitë morale të jetës tipike, patriarkale shqiptare,
Fishta për asnjë moment nuk iu nda fatit të kombit e Atdheut, as atëherë kur e trimëroi dhe e lavdëroi, as atëherë kur e kritikoi dhe e satirizoi. Fishta, Mjeda, Naimi, Çajupi, Asdreni, Migjeni, Noli – Konica, dhe bashkëkohësit e tij – fatin e tyre jetësor e kishin lidhur me fatin e shqiptarit, që po kolovitej në katrahurën e madhe njerëzore, me fatin e Atdheut, të cilin po e kafshonin, po e ndanin dhe po e bënin copë-copë fqinjët grabitqarë me bekimin e Evropës dhe Rusisë, dhe po e priste sundimi barbar i komunizmit të Enver Hoxhës, i cili, edhe eshtrat këtij njeriu të madh ia hodhi në Bunë.
“Ai është Homeri shqiptar, një poet nga më të mëdhenjt딓Fishta asht nji Homer shqiptar. Ai nuk asht vetëm nji poet i madh kombëtar. Ai asht nga ma të mëdhajt në botë. E randsishme asht që ai të njihet prej saj”. – ka thenë At Zef Valentini
(Revista “KOHA E JONË”, ka qenë fletë mendimesh dhe opinjonesh të Lira ndërsa nga viti 1968 ishte E Përkohshme Kulturore Politike Shoqënore, organ i Partisë Bashkimi Demokrat Shqiptar që vepronte në mërgim. Numri i parë i saj doli në Firence (Itali) në muajin maj të vitit 1962, ndërkohë më pas në vitet 1974-1992, ajo do të shënonte sivend botimi Parisin (Francë), një mënyrë kjo për t’iu fshehur sigurimit të dyfishtë të UDB-së jugosllave dhe sigurimit komunist të Enver Hoxhës, sepse revista në të vërtetë është botuar vetëm në Firence. Botues i revistës ishte Isa Ndreu, nipi i Elez Isuf Ndreut (1861-1924), dhe administrator dhe redaktor i saj ishte Lec Shllaku, që të dy ish-studentë të “Normales” së Elbasanit).

Filed Under: Histori Tagged With: At Gjergj Fishta, Koha Jone, Zeri i Rinise ne Mergim

Kosova me 2014 dhe imazhi i shtetit të ri në instancat ndërkombëtare

December 31, 2014 by dgreca

Nga Jeton Kelmendi, Bruksel/
Njëra nga çështjet më të rëndësishme për një vend në epikën e globalizmit është imazhi që ka në arenën ndërkombëtar, madje kjo çështje vlen edhe për vendet më me ndikim në botë. Tani kur ka nevojë për një imazh të mirë, ta zëmë një vend si SHBA, që është edhe vendi më i fuqishëm dhe më me ndikim në botë, sa është e rëndësishme për një shtet të ri, i cili akoma nuk e ka bërë një dekadë të funksionimit si shtet i pavarur, siç është Kosova. Imazhi me fjalë tjera do të thotë përshtypja e tjerëve për ty, e qe në ketë rast vlen: përshtypja e qytetarëve dhe qarqeve diplomatike të vendeve të ndryshme për Republikën e Kosovës. E meqenëse kjo na qenka punë goxha me rendësi, atëherë shtrohet pyetja se kush deri me sot është marrë me ketë punë? Ndoshta të merr disa sekonda por jo edhe një minutë të plotë ti japësh përgjigje kujtdo që ta bënë ketë pyetje. Pra, thjeshtë çoje mendjen nga kreu i shtetit, pastaj qeveria dhe institucionet tjera relevante dhe varësisht nga personi që jep përgjigje dhe shpejtësia e tij apo saj në të menduar, përgjigja vjen vet, prej njëzet deri në dyzet e pesë sekonda, pra asnjëri nga institucionet e shtetit të ri nuk ka punuar që Kosova të ketë imazh të mirë. E kur mendon se nuk ka punuar kush mirë nga këta persona qe në vend njihen si ‘bosat me xhipa të zi’, pra qe të mund ti thuhet puna e mbarë, është vërtet shqetësuese, mirëpo çka mund të thuhet kur i shtohet fakti se shumë nga institucionet e vendit, madje edhe vet shefat e këtyre institucioneve jo se vetëm nuk punuan mbarë, por jo pakë nga ta bënë edhe punë të pista dhe vepruan tërësisht kundër ligjit dhe drejtësisë.
Viti 2014 ishte një vit përplot me ngjarje për vendin, por duke veçuar disa nga to mund të dalim tek imazhi i vërtetë i Kosovës në mediet dhe qarqet ndërkombëtare. Fillimisht drejtësia, si njëri nga sektorët më të dobët se funksionuari, dha disa dënime, ku zyrtarët ndryshëm qeveritar dhe komunal u vunë ose pas grilave ose nën hetime, por ndodhi që këta persona ti udhëheqin institucionet të dënuar ose duke u gjykuar nga burgu. He, çudia më e madhe tek ne zgjatë tri ditë thoshte populli, dhe kjo tani edhe po shihet. Duke pasur probleme me drejtësinë shumë nga ta edhe fitojnë në zgjedhjet e mbajtura elektorale, madje dalin edhe më të fuqishëm. Kjo pra është një pikë në imazhin e shtetit të ri. Partia që qeverisi për dy mandate dhe e cila parti kryeson në listat e shkelësve të ligjit, arriti serish të dalë e para pas zgjedhjeve të mbajtura në mes të viti që po lëmë pas! Ka disa vite që thuhet, madje edhe nga zëra të fuqishëm ndërkombëtar, se Kosova është rast ‘Sue Gereris’, pra kurë bëhet fjalë për precedentin që mund të shkaktojë Kosova në vende të ndryshme të Botës, por kjo në fakt po del të jetë e vërtet edhe në shumë aspekte tjera. Pas përfundimit të zgjedhjeve, u bashkuan partitë: e dyta, e treta, e katërta dhe e pesta, duke e pamundësuar formimin e institucioneve. Nëse në demokraci vendosë shumica, këto parti krijuan shumicën bindëse ne Kuvendin e Republikës, sidomos kur dihet se me Kushtetutë, minoritetet i bashkohen koalicionit të shumicës, prandaj edhe arritën ta kenë shumicën absolute në Kuvend, mirëpo parti e parë që kishte vetëm 36 ulëse, e quante vetën shumicë, ndërsa koalicionin prej mbi 80 deputetëve e quante opozitë! E kjo pra është demokracia dhe kështu kaloj mbi gjysmë viti, ku qeveria në detyrë nënshtroj marrëveshje dhe kontrata sikur të ishte qeveri e dalë nga votat e qytetarëve, sa për ilustrim kontratën për autoudhën Prishtinë-Shkup. Organi më i lartë për interpretimin e kushtetutës, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, rrëzoj, zgjedhjen e Isa Mustafës për Kryetar të Kuvendit, madje përveç kësaj ajo i dha të drejtë ekskluzive të tallet me 120 deputetë, sa ka Kuvendi, një zonje që e udhëhiqte, vetëm pse ishte më e moshuara. Kjo zonjë, që deri sivjet quhej Flora Brovina, e tani shumë e thërrasin Fauna Brovina, nuk lejoj as mbajtjen e seancës parlamentare, për disa kohë, kuptohet duke shkelur tmerrshëm ligjin, kushtetutën, por edhe duke i shërbyer vendit qe sa më shumë t’ia nxijë imazhin edhe ashtu të dobët që ka. Edhe ky një shembull eklatant, që fletë për demokracinë në vend, madje edhe për funksionimin e institucioneve të pavarura, që është alfa dhe omega për demokracinë e një vendi. Kosova sivjet ishte një vend dëshirash për dikë dikë, iluzionesh, marifetesh, emigrimeve e shumë çka tjetër. Një politikan që nuk ka shifër dyshifrore nga zgjedhjet, me çdo kusht deshi të bëhej kryeministër, madje e prishi Bllokun e partive të koalicionit pas-zgjedhor, Presidentja e vendit, një person që kurrë as në ëndërr se kishte parë at post, jo se vetëm nuk dinë ta luaj rolin që ja jep kushtetuta, por ajo u bë një zëdhënëse e fortë e partisë, e cila me pazare të natës e kishte sjellë në at karrige. Kësi soji, Atifete Jahjaga, presidente kukull, që disa edhe po e thërrasin Marifete Jahjaga, sigurisht për marifetet e saj që i ka bërë nga pozita e saj në krye të shtetit, i shërbeu me shumë zell vendit për të keq. Ajo i priu bllokadës disa mujore duke e bartur çështjen e saj tek Gjykata Kushtetuese dhe kreu i saj Enver Hasani, një person i njohur si shumë destruktiv dhe i dyshimtë për shkollimin e tij, por edhe për shkatërrimin e Universitetit të Prishtinës sa ishte Rektor. Nga ana tjetër ky far qytetari i paskrupullt, Enver Hasani edhe kur nuk kishte të drejtë të deklarohej për çështjet politike, lidhur me gjykatën e kapur nga një grup i caktuar i një partie politike dhe para-politike, deklarohej dhe u bë njëfarë “babe”, i cili i mësonte politikanët dhe deputetët se çka duheshin ndërmarrë… Ky pra është imazhi dhe këto janë të vërtetat e Kosovës gjatë vitit 2014, por fundviti solli formimin e institucioneve, pasi qe dy partitë më të mëdha u detyruan të bëjnë koalicion. Qeveria edhe ashtu e madhe me shumë ministri dhe zëvendës ministra, u rrit dhe tani ka 20 ministri, e pritet qe edhe nja dy autobusë militant të bëhen zëvendës ministra, s’ka lidhje edhe pse nuk janë profesionist në asnjë fushë, fundja edhe ministrat, disa prej tyre ashtu janë. Episodet e këtij serjali vazhdojnë: Sindikatat e Bashkuara kërkojnë rritje pagash prej 25 përqind, ashtu siç u kishte premtuar Hashim Thaçi, gjatë fushatës. Të ashtuquajtur veteran të luftës, një grup profiterësh kërkojnë nga Rektori qe ti regjistroj me automatizëm një mijë student, si fëmijë të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së. Mediet nxorën se disa nga ta ishin regjistruar edhe më herët si fëmijë dëshmorësh, por në fakt prindërit i kishin mirë dhe shëndosh. Kështu pra po bëjnë njerëzit e Kosovës tonë, pastaj disa që dorën në zemër, më shumë nga zhgënjimi se sa nga varfëria, po ikin nëpër Serbi dhe po dalin ilegalisht nëpër vendet e Bashkimit Evropian. Ti përmbledhësh krejt bëmat e vitit është e pamundur, por ajo që i vë kapak për të keq është zgjedhja e njeriut të nëntokës në krye të Kuvendit të Kosovës, madje ajo më e pabesueshmja ndodhi, LDK e votoj ketë person?! Nga ana e tjetër partia e tretë për nga fuqia politike në vend, Vetëvendosje vazhdon ta qeveris Kryeqytetin në mënyrën e vet Qegevarqe dhe këtij subjekti dhe kreut të Prishtinës, jo se nuk i bije në mend se Kosova ka një burrë që është më meritori për lirinë dhe formimin e shtetit, pra Ibrahim Rugova, por nuk e sheh të arsyeshme madje as statujën e tij në qendër të Prishtinës ta nderoj, thjeshtë për këta njerëz, Presidenti Rugova nuk paska ekzistuar kurrë. Me një fjali të thjeshtë, kjo është Kosova jonë dhe ky është imazhi i vendit tim. Zoti na bëftë më të mirë, e pastaj e bëjmë edhe imazhin më të mirë. 30.12.2014/

Filed Under: Analiza Tagged With: Jeton Kelemndi, Kosova me 2014 dhe imazhi i shtetit të ri në instancat, nderkombetare

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4194
  • 4195
  • 4196
  • 4197
  • 4198
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT