• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“KUSH KUJDESET PER TE MJERIN”

January 21, 2020 by dgreca

“KUSH KUJDESET PER TE MJERIN” SIPAS PATER PAULIN MARGJOKAJ OFM, FRATI PUKJAN NË REVISTEN JETA KATHOLIKE SHQIPTARE /

SHKRUAN: LEONORA LAÇI/

Ishte viti 1966 kur nisi rrugëtimin buletini Jeta Katholike Shqiptare, dhe mblodhi rreth saj intelektualët e shpërndarë nëpër botë, por duke u përqendruar më shumë tek botime të karakterit fetar, duke pasur parasysh që në Shqipëri në këtë kohë nuk lejoheshin buletinët fetar. Themelues të saj pati Mons. dr. Zef Oroshin që nuk u ndal me kaq, pasi gjeti mbështetjen morale dhe materiale tek komuniteti shqiptar që endej mes shumë vështirësive të jetës së përditshme, pak vite më vonë u hodhën dhe themelet e kishës së parë katolike shqiptare në SHBA. Jetëgjatësia e kësaj reviste i kaloi parashikimet fillestare të botuesit, dhe dita-ditës u përfeksionua me emrat më të njohur të letrave shqipe të kohës.

  Artikujt janë mjaft të vlefshëm jo vetëm për kohën kur shkruan Patër Paulin Margjokaj OFM, por edhe për të sotmen, na evidentohet ajo që ne shpesh e harrojmë, dhe jepemi pas materiales dhe pangopësisë për të pasur më tepër, dhe dalngadal zhveshemi nga vlerat reale njerëzore; ekzistenca, mirënjohja, lumturia, dashuria dhe shkojmë drejt mjerimit shpirtërorë, e bëhemi më të mjerë se të mjerët.

 Ai na sjell përpara nesh njerëzit që janë sakrifikuar dhe kanë lënë shenjën e vet në historinë e krishtërimit e të njerëzimit, po ashtu ai e fillon artikullin duke hedhur poshtë me fakte veprimtarinë e komunistëve që rrihnin gjoksin fortë për përpjekjet e tyre për të lehtësuar jetën të varfërve dhe se mbaheshin si flamurtar të shtresës së varfër, po shkëpus një fragment nga artikulli i parë i tij në Revistën Jeta Katholike Shqiptare: “Me u vû e me pershkrue shka Kisha ka bâ per të vorfnin e per të smundin, per puntorin e per njerz e lanun mbas doret, do të lypeshin libra të trashë. Na duem nder kto pak faqe me prû vetem disá nder ata mâ të permendunt njerz qi me veprimin e tyne u dalluen veçanerisht në shekullin e XIX-të. Ky âsht shekulli në të cilin ká jetue Marksi, ai ká lé në 1818 e ká vdekë në 1883.A thue pernjimend Marksit i ka plasë shpirti e zembra tue pá mjerimin e njerzvet, nuk do t’a shkoqisim tashti. Na pernjiherë duem me prû vetem êmnat e atyne njerzve qi kan jetue në kohë të Marksit. Njerz qi sigurisht Marksi i ká njoftë apor nemose i ká ndie tue i permendë veprat e tyne të jashtzakonshme. Na i kemi zgjedhë emnat e njerzve prej atyne vendeve kû Marksi ka jetue e ká veprue.”

Artikujt nën titullin “Kush kujdeset per te mjerin” janë botuar në disa numra të revistës në vitin 1967 numri 3 dhe 4, ndërsa në vitin 1968, nr 1. Ai sjell përpara nesh njerëzit që kanë kontribuar për të varfërit dhe emrat e tyre që janë bërë frymëzim për popujt.  Këtu përmenden si; Adolf Kolping, Wilhelm Emmanuel Ketteler, Antoine-Frédêric Ozanam etj.

“Kush kujdeset per te mjerin”- Dr. Pater Paulin Margjokaj

Revista Jeta Katholike, viti 1967, nr 3

Ish-komunisti freng, Ignace Lepp, na thotë në librin e vet “Prej Marksit te Krishti” (perkthimi tedeshk dalë në Graz 1961) se as atij as shokvet të tij komunista, me të cilët jetoi e punoi per 10 vjet rresht, nuk u â asht thanë asnjiherë ndoj gjâ per shka Kisha ka bâ per të lehtësue mjerimet e njerzvet. Se Kisha Katolike ka zhvillue edhe nji doktrinë sociale të veten, as kurrkund me e ndie ndojherë nder kurset e veçanta qi atij e shokvet u dote me ndjehë tash e parë. Un kam pasë besue se Karl Marksi âsht kenë i pari qi âsht interesue pernjimend per fatin e proletarjatit”. Mbasi thotë kto fjalë, Lepp në faqe 343 vêhet e na ndjehë do êmna të famshme qi ai kurr nuk i kishte pasë ndie para se të fillonte me marrë msim per t’u kthye në fenë e Krishtit. Njerz kta qi shi në kohen e Marksit janë dá në shêj per perpjekjet qi ata bânë per të permirsue gjendjen e puntorit dhe, në pergjithsi, per të lenue mjerimet e njerzimit. Jo vetem Lepp, por sigurisht edhe shum prej nesh kanë pasë rasen me i ndie anmiqt e religjionit e të Kishës tue thanë qi vetem Marksi e shokët e tij komunistë kujdesen per të lanun e per të vorfen e per puntorë të shkretë.

Me u vû e me pershkrue shka Kisha ka bâ per të vorfnin e per të smundin, per puntorin e per njerz e lanun mbas doret, do të lypeshin libra të trashë. Na duem nder kto pak faqe me prû vetem disá nder ata mâ të permendunt njerz qi me veprimin e tyne u dalluen veçanerisht në shekullin e XIX-të. Ky âsht shekulli në të cilin ká jetue Marksi, ai ká lé në 1818 e ká vdekë në 1883.

A thue pernjimend Marksit i ka plasë shpirti e zembra tue pá mjerimin e njerzvet, nuk do t’a shkoqisim tashti. Na pernjiherë duem me prû vetem êmnat e atyne njerzve qi kan jetue në kohë të Marksit. Njerz qi sigurisht Marksi i ká njoftë apor nemose i ká ndie tue i permendë veprat e tyne të jashtzakonshme. Na i kemi zgjedhë emnat e njerzve prej atyne vendeve kû Marksi ka jetue e ká veprue.

Kto vende janë: Gjermanija, prej kah ishte Marksi, mandej Franca kû ka kalue do kohë e në fund Anglija kû Marksi kaloi gjysen e dytë të jetës së vet.

Na kemi me prû êmna njerzish jo vetem nga Kisha katolike, por edhe nga protestantizmi.

Fillojmë me Gjermani. Ktu kemi të bâjmë me dy njerz qi kan jetue shi në krahinen nga ishte ishte Marksi. Kjo krahinë âsht provinça e Renanjes ose krahina qi pershkohet prej lumit Ren.

I pari nder kta âsht Adolf Kolping, i lindun në vj.1813 dhe i vdekun në 1865. Rjedhte nga nji familje e numrueshme qi jetojshin me mëditje (paga e perditshme e puntorit). Ai nxuni mâ parë zanatin e këpuctarit. Qyshë i ri pat kshtu rasë jo vetem me e provue vetë se shka âsht vorfnimi, por edhe me e pá nder tjerë njerz skamin e fatin e mjerë. Mâ vonë, mbasi kapercei veshtrisi të mdhaja, kje i zoti të studjojë në gjimnaz dhe në shkollë të naltë e në vj.1845 u bâ meshtarë. Në qytetin Elberfeld (në Wuppertal) nji msues me êmen Breuer kishte pasë themelue në vj.1846 Shoqninë katolike të shegertavet. Kolpingu qi vjett e para të meshtarisë i kaloi n’Elberfeld si ndimës i famullitarit t’atjeshem, kaloi në vj.1849 në Koln. Shka kishte pasë pá e provue në Shoqninë e shegertavet t’Elberfeld, në të cilën vetë Kolpingu kje i dyti kryetar, ai e vijon edhe në Koln, kû me 6 mâj 1849 Kolpingu i vûni themelet Shoqnisë së shegertavet qi tash e mbas sotit u bâ nji organizatë e madhe qi, mbasi pat marrë pelqimin e Papës, u perhap në Gjermani, Svicer e Austro-Hungeri. Edhe nder Shtete të Bashkueme (St. Louis) pat kenë themelue qyshë në 1863 nji degë e Kolpingut të Gjermanisë. Zyrtarisht quhet kshtu kjo organizatë: Vepra e Kolpingut. Ktij i ká mbetë êmni: Baba i shegertavet. Në ket Shoqni katolike të Kolpingut bâjnë pjesë vetem burra. Progami i saj âsht:

Me e msue burrin puntuer të bâjë nji jetë plotsisht të krishtenë;

Të mbrrijë me u bâ mjeshter i vertetë në zanatin qi kâ zgjedhë;

Të bâhet nji babë i mirë familjet;

Të dahet në shêj si qytetas shembull në çdo pikpamje.

Tash per tash âsht e perhapun Shoqnija e Kolpingut nder kto vende: Gjermania, Austria, Svicer, Shtete të Bashkueme, Itali (Tirol i Jugut), Belgjikë, Holandë, Francë, Luksemburg, Kanadë, Brazil, Argjentinë, Venezuela, Afrikë Jugore e Australi. Në Poloni, Ungeri, Çekosllavaki, Rumeni e Jugosllavi janë mbyllë gjithëkund qandrat e Shoqnisë së Kolpingut.

Simbas statistikës së vj.1960 Shoqnija pershite 250 mijë vetë, të shperdamë nder 2800 shpija ase familje të Kolpingut. Nder kto qandrra mbahen kurse msimit per zanate të ndryshme, fjalime e diskutime mbi problemet socjale-politike, organizohen çfaqje shoqnore e sportive, bâhen mbledhje familjare etj. Shoqnija ka edhe nji shtyp të vetin e me tê mbahet lidhnija e të tana qandrrave të Kolpingut në mbarë boten.

Kolpingu do të ndjehet si nji nder prisa mâ të randsishme e katolicizmit socjal të shekullit të XIX-të. Ai âsht krijuesi i nji lëvizje shoqnore, ai na mson se kur njeri t’a ketë gjetë rrâjen në familje, ai ká per të marrë hov e per të perparue në zanatin e vet dhe ká per të naltue kshtu perherë e mâ fort popullin të cilit i perket.

Puna e dorës (puna fizike) âsht per Kolpingun e per dishepujt e tij jo vetem sigurimi i mjeteve të gjallnesës, po âsht edhe nji fuqi e lartë etike qi, e bashkueme me religjion, âsht e zoja të formojë persona me karakter e me ndergjegje të shndoshë. Po të kishin të tanë njerzit nji çmim aq të naltë per punë fizike si e kishte Kolpingu e po t’ishin të mbushun mendësh per letersinë etike të punës, sigurisht kishte per t’u hjekë shum mjerim prej botet. Nji tjeter prisë lëvizjes shoqnore të shekullit të XIX-të âsht kenë ipezhgvi Ketteler. Sypri patem të bâjmë me nji njeri nga nji familje e vorfen, tashti kemi para vedit nji qi rridhte nga nji shpi e pasun.

Wilhelm Emmanuel Ketteler u lind në Munster (Westfalen) në vj.1811 e vdiq në 1877. Mbasi kreu studjimet e nalta në Drejtsi, hini në punë shtetnore. Në moshen 30 vjeçare e ndau me marrë rrugë e meshtarisë. Mbasi kreu teologjinë në Munster, u shugurue meshtar në vj.1844. Vjetet e para sherbei si famullitar në Hopsten, në 1848/49 muer pjesë si deputat n’Asemblenë Kombtare të Frankfurtit. Në 1850 Papa Piu IX-të e emnoi ipezhgev në Mainz.

Ktu na flasim vetem per Ketteler në lidhje me çashtjen shoqnore. Jemi në nji kohë kur zhvillimi i teknikës kishte prû me vedi shndrrime të mdhaja në shoqninë njerzore. Pér t’a pá disi gjendjen e keqe t’atëhershme le të mendohet katunder minjere ose nder fabrika shtiheshin në punë edhe fmijët me moshë mâ pak se 10 vjeçarë dhe do të punohej si diten si edhe naten; 15 orë punë e mâ teper në ditë ishte gjâ e zakonshme. Qyshë i ri i kishte djegë zemra Ketteler tue i pá e tue i ndie kto të zeza të shoqnisë se rè industriale t’Europës Perendimore. Në Gjermani e shi në krahinën kû veprote Ketteler (qendra industriale Ruhr ndodhet ktu) kishte fillue të marrë hov mâ së fortit industrija. Në vj.1848 mbajti ai në kishen katedrale të Mainz predke permbi “çashtjet e mdhaja shoqnore të kohës së tashme”. Per Ketteler rrin në krye të vendit njeri. Nuk duhet prandej qi njeri të kaperdihet prej shtetit modern sido qi të duesh me e çuejtë ktê: absolutizem, monarki parlamentare, ekonomi liberale etj. Kundra ksilloj shteti Ketteler shei të vetmin pshtim per puntorë, qi ata të bashkohen a nder sindikata apo nder koporacjone ase tjera ksi soj bashksish qi të sigurojnë të drejtat puntorisë. Tue u bashkue, e ká puntorija mâ të lehtë me i qindrue shtetit kur ky merr me e konsiderue njerin si nji burmë të nji maqine e jo mâ tper. Nuk do të harrohen kto fjalë të forta të Ketteler: ”gjendja ekonomike e kohës së ré e çon puntorin në shkallë aq t’ultë, saqi atij i bâhet e pamundun me i mbajtë urdhnimet qi i vên Krishtênimi.” Çashtja shoqnore per ipezhgvin e madh ishte nji problem fetar.

Katteler e pau kjartë se puntorija pa ndimen e tjerve nuk mund të delte prej gjendjes së mjerueme. Inicijativa private ishte per tê edhe ajo e pamjaftueshme per t’a zgidhë si duhet çashtjen. Prandej në vj.1869, në nji fjalim të madh qi mbajti, theksoi ai detyren qi ká shteti me çpallë ligjë përkatse per mprojen e puntorisë. Natyrisht edhe tjeret do të jepshin ndimen e vet per ket gjâ: jo vetem kisha, por edhe personat privat ai edhe shoqnitë jo-shtetnore. Si pak perpara u pa, Ketteler e njifte mirë rrezikun qi mund të paraqesë nderhymja shtetnore per lirinë e njerit; me gjith atê perpá pasë ligjë të kjarta nga ana e shtetit, nuk mund të ndreqej si duhet çashtja e puntorisë.

Idetë e mendimet e Ketteler i pat bâ të vetat partija katholike e shtetit t’athershme gjerman, qi quhej “Centrum”. Edhe mâ vonë ká vijue kjo parti t’i ketë msimet e ipezhgvit të Mainz si bazë në veprimtarinë e vet shoqnore. Ligja per mprojen e puntorisë qi kje pranue me 6 mâj 1891 në parlamentin gjerman, rridhte sigurisht nga doktrina e Ketteler. Papa Leoni XIII-të ka shti shum mendime të tijat n’ençikliken e vet shoqnore “Rerum Novarum” qi pat çpallë me 15 mâj 1891. Asht kenë vetë ky Papë qi e ka quejtë Ipezhgvin e Mainz “grand prédécesseur” (para-arrdhës të madh të vetin).

Tue mos mujtë me shkue mâ gjatë, po bimë vetem ndoj êmen tjeter nga bota tedeshke, asish qi në mndyrë të veçantë u dalluen në lamen shoqnore. Njani âsht Karl Vogelsang, i lindun në 1818 në Gjermani, në fillim protestant, mâ vonë (qysh në 1850) katolik, qi jetoi n’Austri e vdiq në Wien në 1890. Tjetri âsht Princi Alois Liechtenstein, i lindun në 1846 e vdekë në 1920. Të dy kta si edhe dy austriakët Lueger e Schindler luejten pjesen mâ të randsishmen në lëvizjen kristjano-socijale n’Austri. Mâ vonë kemi per të pasë rasë t’a permendim prap Ketteler. Tash njiherë po ndalemi ktû. Në numrin e ardhshem do të kalojmë në Francë, per të pá atje njerz tjerë qi u interesuen per të permirsue gjendjen e shoqnisë njerzore.

Filed Under: Fejton Tagged With: Leonora Laci-Jeta Katholike

Joseph DioGuardi, Presidentit Pavlopulos: Griseni këtë Dekret Mbretëror!…

January 21, 2020 by dgreca

15 Janar 2020/
I nderuar Presidenti Pavlopulos,/

Emri im është Joseph DioGuardi. Unë jam një ish anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA (përfaqësues nga Nju Jorku) dhe themeluesi e Presidenti i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, një organizatë e regjistruar në SHBA që promovon të drejtat e njeriut të shqiptarëve në Evropën Juglindore si dhe marrëdhënie të forta me Shtetet e Bashkuara.

Paraardhësit e mi e kanë origjinën nga një fshat i vogël shqipfolës, Greçi, në provincën Avellino, Itali. Ata i përkasin pakicës Arbëreshe në Itali, më saktë nga një batalion i ushtrisë së Gjergj Kastriotit Skënderbeut që i dha ndihmë të rëndësishme ushtarake Mbretit të Napolit në Shekullin XV dhe që prej atëherë u vendosën atje.

Grekët dhe Shqiptarët janë popujt më të vjetër në Gadishullin Ballkanik. Ndjenjat e tyre të miqësisë dhe lidhjeve të përbashkëta janë shekullore. Ngjashëm me popullin arbëresh të Italisë, Arbërorët ose Arvanitët e Greqisë kanë dhënë një kontribut thelbësor në Revolucionit të 1821 dhe në themelimin dhe zhvillimin e Greqisë Moderne. Pakicat tona përkatëse sot përbëjnë një urë të fortë miqësie të ndërsjellë, të vazhdueshme dhe të sinqertë.

Për fat të keq, ndërsa i afrohemi 75 vjetorit të fitores në Luftën e Dytë Botërore, Dekreti grek Nr. 2636/1940 për Statusin e Luftës me Shqipërinë mbetet akoma në fuqi si një relike absurde e asaj Lufte dhe një pengesë e madhe midis shteteve të Greqisë dhe Shqipërisë [shiko dokumentin bashkëlidhur, ribotuar nga shtypi lokal].

Siç e dini, Shqipëria humbi pavarësinë dhe sovranitetin e saj pasi Italia pushtoi vendin ushtarakisht më 7 Prill 1939. Sunduesi i ligjshëm i Shqipërisë, Mbreti Zog, drejtoi një rezistencë simbolike dhe u detyrua të largohej nga vendi së bashku me gruan e tij amerikano – hungareze dhe djali i tyre 2 ditësh. Ndërsa Presidenti Ruzvelt nuk e njohu kurrë pushtimin e Shqipërisë, fqinjët e saj nuk lëvizën as gishtin për të mbështetur rezistencën e Shqipërisë kundër Italisë Fashiste.

Ne e dimë nga historia se Italia shpalli luftë kundër Greqisë në Tetor 1940, e ndjekur nga një deklaratë e ngjashme e qeverisë kukull të Shqipërisë së okupuar, e cila nxiti deklaratën reciproke të Greqisë dhe rezistencën heroike të popullit grek. Por, në sytë e Ligjit Ndërkombëtar, çdo shpallje lufte nga një vend i okupuar, siç është Shqipëria, kundër çdo vendi të tretë është e pavlefshme dhe pa asnjë efekt.
Në mënyrë të ngjashme, në dhjetor 1941 Qeveria italiane shpalli luftë kundër Shteteve të Bashkuara, dhe kështu bëri edhe qeveria bashkëpunëtore shqiptare.

A do të thotë kjo që Shtetet e Bashkuara ishin de jure në luftë me Shqipërinë në 1941, dhe për pasojë, a është de jure tani në luftë?

Unë po sjell në vëmendjen tuaj pozitën parimore të qeverisë amerikane që shpreh:

“Aneksimi i Shqipërisë nga mbretëria italiane nuk është njohur kurrë nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara. Qeveria e kukullave e Shqipërisë i shpalli luftë Shteteve të Bashkuara më 17 dhjetor 1941. Shtetet e Bashkuara nuk i kanë shpallur luftë Shqipërisë” *
Z. President, me sa di unë Greqia nuk i ka mbajtur premtimet e saj për Shqipërinë për shfuqizimin e këtij Dekreti. Në të vërtetë, rifillimi i marrëdhënieve dypalëshe greko-shqiptare në vitet 1970 ishte parakusht për një hap të tillë. Gjithashtu me sa kuptoj unë, Qeveria e Shqipërisë ka kërkuar vazhdimisht dhe në mënyrë të përsëritur shfuqizimin e këtij Dekreti. Ish Presidenti i Shqipërisë Prof. Dr. Rexhep Meidani e ngriti këtë çështje edhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB në SHBA në Shtator 2000. Duket se Presidenca greke ka bllokuar një veprim të tillë kaq të domosdoshëm dhe të tejzgjatur.

Me respekt po ju tërheq vëmendjen se Ligji grek për Statusin e Luftës me Shqipërinë, si një shkelje e ashpër e së drejtës ndërkombëtare, përbën një shkelje të Kartës së Kombeve të Bashkuara, sepse në thelb ajo minon “paqen dhe sigurinë”. 1, Neni 1. Qëllimi] dhe indirekt përbën “një kërcënim … kundër tërësisë territoriale” të Shqipërisë [Nyja 2.4, Parimet].

Shfuqizimi i këtij Dekreti është një çështje urgjente me rëndësi jetike për popullin e Shqipërisë dhe për paqen dhe sigurinë në Evropën Jug-Lindore, dhe nuk mund të zgjidhet përmes “negociatave”, ndonjë “marrëveshje pakete” ose ndonjë programi shkëmbimi të diçkaje që kërkohet për diçka tjetër.

Nga ju, si President i Republikës miqësore greke, kërkohet një hap i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë: të shfuqizohet ky ligj menjëherë, pa kushte dhe ex tunc, d.m.th në mënyrë retroaktive dhe sikur të mos ketë ekzistuar kurrë që nga dita e hyrjes në fuqi të tij.

Ky do të jetë një kontribut i madh për miqësinë e lashtë midis dy popujve tanë, për paqen dhe stabilitetin në Evropë, dhe me siguri do t’i tregojë botës se Greqia me të vërtetë respekton të drejtën ndërkombëtare, siç pretendon ajo.

Do ju kujtohet, zoti President, atë që i tha Presidenti ynë i madh Ronald Reagan Presidentit të BRSS në Berlin në 12 qershor 1987: “Z. Gorbaçov, SHEMBE KËTË MUR”.

Pa dashur të bëj ndonjë krahasim me personalitete kaq të mëdha, lirisht dhe publikisht i bëj Shkëlqesisë tuaj një thirrje të ngjashme historike:

“Z. Pavlopoulos: GRISENI KËTË DEKRET MBRETËROR”.

Populli i Greqisë dhe Shqipërisë e meritojnë atë, dhe ata e meritojnë atë tani.

Me urimet më të mira për Shkëlqesinë Tuaj dhe popullit grek për një vit të mrekullueshëm dhe Gëzuar Vitin e Ri 2020.

Me respekt,

Joseph J. DioGuardi

Në dijeni:
H.E. Ilir Meta, President of the Republic of Albania
Honorable Mike R. Pence, Vice President of the United States of America
H.E. Edi Rama, Prime Minister of the Republic Albania
Hon. Besiana Kadare, Permanent Representative of the Republic of Albania to the U.N.
Hon. Floreta Faber, Ambassador of the Republic of Albania to the United States

*Procesverbali i Departamentit të Shtetit në lidhje me Punët e Brendshme të Shqipërisë, 1910 —1944, Administrata e Shërbimeve të Arkivave Kombëtare, Letra e Paul T. Culbertson, Ndihmës-shefi i Divizionit të Çështjeve Europiane, 9 nëntor 1942, 875.01 / 426

Filed Under: Editorial Tagged With: DioGuardi-Pavlopulos-Dekreti

Morton F.Eden, miku besnik i Kongresit të Lushnjës

January 21, 2020 by dgreca

Nga Petro LUARASI/ Morton F.Eden, miku besnik i Kongresit të Lushnjës.   Është nder e kënaqësi e veçantë të shlyesh një detyrim të hershëm për një personalitet, për më tepër një anglezi,  që iu gjend përkrah Shqipërisë sonë hallemadhe në periudha  të vështira, madje duke e vuajtur rëndë ndihmën e tij bujare.  Ky libër, vijon atë të botuar në pragun e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë,  kur  përfaqësuesit më të lartë të republikës kërkojnë me këmbëngulje studimin, publikimin  e saktë të historisë kombëtare, vlerësimin si duhet të   ngjarjeve kulmore të saj  dhe nderimin e  personaliteteve  kontribues  shqiptarë e të huaj.

       Krahas  Atit të Pavarësisë, Ismail Qemalit, i cili ngrehu sërish pas  shekujsh robërie  simbolin kombëtar, flamurin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut,    synohet  të ndriçohen, siç e meritojnë, veprimtaritë e qindra atdhetarëve të shquar,  nga  tërë trevat etnike shqiptare e diaspora, të cilët me sakrifica e therrori të tejskajshme programuan, përgatitën dhe realizuan dëshirën  shumëshekullore të popullit shqiptar për pavarësi. 

Gjithashtu  synohet të njihen dhe të vlerësohen edhe të gjithë ata që kontribuan për ideimin, themelimin,  ndërtimin dhe forcimin e shtetit sovran shqiptar.

Në këtë përvjetor  historik,  kombi shqiptar  ka rastin të tregohet fisnik me  mirënjohjen dhe   nderimin e tij  kundrejt miqve   të shquar të huaj, të cilët me përkushtimin e tyre e ndihmuan  të rilindë duke mbrojtur e shpallur vlerat e tij, përkundër përfoljeve e lakmisë së armiqve shovinistë. Atyre ua  ka më të madhin borxh, jo vetëm për  t’i përmendur, por  dhe për  t’i vlerësuar siç e meritojnë.

Në vargun e  miqve të shquar të huaj, përkatësisht atyre anglezë, prej Lord Bajronit deri  tek shqiptarofilët e mirënjohur Hebrey Herbert  e Mary Edith Durham, meriton nderimin e shqiptarëve  edhe Morton F. Eden.

Morton Frederick Eden (16 qershor 1865 – 2 janar 1948) qe djalë i vetëm  i  familjes fisnike britanike të   Charles Calvert Eden dhe Cecile Freiin von Sinner, të cilët patën edhe vajzat Evelyn e  Violet. Mbas arsimimit të përgjithshëm, ai ndoqi traditën familjare duke iu përkushtuar   karierës në fushën e shërbimit ushtarak dhe  informativ.

Në vitin  1889 u caktua të shërbente në Australi ku  për 25 vjet  u  dallua si  eksplorues i trevave të virgjëra të kontinentit.

Udhëtimet plot aventura e vëzhgime të rëndësishme që ngërthehen në  rajone të gjera në jug e lindje të Australisë, në Tasmani, Hong-Kong e SHBA, përgjatë periudhës 1890-1940,  i  ka përshkruar  në ditarin e tij i cili gjendet në dorëshkrim në fondin e Bibliotekës Kombëtare të Australisë.  Kjo  lëndë e ka frymëzuar  shkrimtarin Jim Barrett  për të shkruar librin mbresëlënës “The first bushwalker: the story of Fred Eden” ( “Eksploruesi i parë: historia e Fred Eden”)

Ndërkohë, si ushtarak, Morton F. Eden mori pjesë në luftën e Boerëve.

Në mesin e vitit 1915, ai u caktua në vartësi  të shtabit të përgjithshëm  të forcave aleate me qendër në Selanik. Si anëtar i stafit të Misionit Britanik u ngarkua  për të ndjekur   ngjarjet   në Shqipëri deri në nënshkrimin e  armëpushimit mes palëve ndërluftuese. Në vitet 1916-1919 veproi në Korçë   si agjent i shërbimit anglez Inteligence Servic dhe në periudhën 1919-1920  u gjend në stafin e Gjeneral Phillips-it, komandant i  trupave angleze në përbërje të forcave aleate me qendër në Shkodër.

Për aktivitetin e gjerë dhe meritat e spikatura, në vitin 1919 u vlerësua  Anëtar i Urdhërit të Perandorisë Britanike (M.B.E)

Në këtë kohë Morton F.Eden u shqua në   ndërgjegjësimin e atdhetarëve shqiptarë për fatet e vendit  në momentet delikate të mbarimit të luftës, për qartësimin e tyre  mbi   synimet e vërteta të diplomacisë evropiane dhe të  fqinjëve shovinistë, për përgatitjen dhe mbarëvajtjen e Kongresit të Lushnjës, për ndihmesën gjatë  luftës së Vlorës në dëbimin e trupave  italiane nga Shqipëria, për forcimin e shtetit dhe ushtrisë shqiptare, etj.

Anglezi Morton F.Eden, eksploruesi trim, ushtaraku i rreptë,  agjenti dinak dhe politikani mendjehollë,  në kontakt me popullin dhe  realitetin tragjik, shfaq dhembshurinë e humanizmin  prej  miku  të  përkushtuar me mish e me shpirt për shpalljen dhe mbrojtjen e të drejtave thelbësore të kombit shqiptar, duke rrezikuar edhe jetën.

Pas katër vjet veprimtarie të suksesshme në Shqipëri, më 1920, ai u zgjodh  anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Shoqërisë Anglo-Shqiptare, me kryetar Sir Aubrey Herbertin dhe sekretare Ms.Mery Edith Durham. Sipas dëshmive të ndryshme,  ai erdhi disa herë në Shqipëri dhe  bashkëpunoi me mjaft personalitete shqiptare si Sulejman Delvina, Aqif Pashë Elbasani,  Ahmet Zogu, Fan Noli,Abdi Toptani, Abdyl Ypi,  Hafiz Ibrahim Dalliu, Qazim Koculi, Ali Këlcyra etj. 

Sipas  atdhetarit A.Këlcyra sinqeriteti i ndjenjave të Morton F. Edenit shprehej në interesimin dhe simpatinë që tregonte vazhdimisht për problemet shqiptare gjatë shumë viteve edhe kur nuk kishte asnjë lidhje pune.

Rëndësia e informacioneve të Morton F.Edenit  dëshmohen edhe në  librin  “Miku më i madh i Shqipërisë: Aubrey Herbert dhe bërja e Shqipërisë moderne. Ditare dhe dokumenta” (f. 218) “Albania’s Greatest Friend: Aubrey Herbert and the Making of Modern Albania: Diaries and Papers 1904-1923) të përgatitur për botim nga  studjuesi Bejtulla Destani. Atje paraqitet  edhe  një letër që Aubrey Herbert i dërgon përfaqësuesit britanik të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Sir Eyre Crowe, më 22 shtator 1919, në lidhje me gjendjen në frontin e Shqipërisë Jugore. Sir Herbert  shkruan: ‘’Siç nuk kemi dyshim, ju do të dëshironit  që grekërit të posedonin territoret e tyre  dhe shqiptarët të Shqipërisë. Ne mendojmë se një test  i ndershëm etnik duhej të bëhej meqë grekërit kanë djegur qytete e fshatra. Ata  i kanë djegur sepse këto ishin të populluara nga një kombësi e huaj. Nëqoftëse do të lexoni raportin e Mr. Morton F.Eden (në atë kohë sekretar pranë shtabit të  gjeneralit Phillips në Shkodër) i cili ka qenë në ato anë tre vitet e fundit, ndonjë dyshim që ju mund të kini rreth kombësisë do të tretet. Evidenca amerikane  është veçanërisht e vlefshme  meqë ata kishin njohuri  të para luftës  mbi vendin.” ëKëtu Sir Herbert  ka parasysh informacionet e çiftit Kenedi (Kenedy) përkatësisht  Violeta (Violett) dhe Fines (Phineas) misionarët  e parë protestantë amerikanë në Shqipëri, të  vendosur në Korçë më 1908ç

Personaliteti i Morton F.Eden, ndjeshmëria  dhe   përkushtimi i tij ndaj çështjes kombëtare shqiptare shpalosen edhe në korespondencën e tij që gjendet në fondin  e Edit Durhamit në Institutin Antropologjik Mbretëror, Londër (Royal Anthropological Institute, 50 Fitzroy Street, London W1T 5BT, United Kingdom, Durham, Mary Edith “collection” MS 57) . Atje gjendet edhe  një letër e  Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen e Kosovës e nënshkruar nga  Fan Noli,  i cili ia drejton Komandantit të Trupave Aleate në Shkodër Gjeneralit Phillips dhe letra apel  që Morton F. Eden i dërgon në gusht 1920  kryeministrit Lloyd George mbi invazionin e trupave serbe në Shqipëri.

          Gjatë okupacionit  fashist ai  u bëri thirrje patriotëve shqiptarë që të ktheheshin një orë e më parë në atdhe. Ali Këlcyrës i tha: ‘’Kam besim dhe bindjen e plotë se Ju mund t’i bëni më shumë shërbim çështjes kombëtare në Shqipëri, sepse ajo rishtazi ka për të shpëtuar si në vitet 1912 dhe në 1920, me luftë në malet e saj dhe prej djemve të saj. Këto nuk janë vetëm mendimet e mia, por edhe të disa qarqeve politike londineze që merren me çështjet e Shqipërisë dhe të Ballkanit e sidomos miqve të Shqipërisë”.

Morton F.Eden kontribuoi familjarisht në luftën kundër fashizmit duke mbetur  me mendje e zemër pranë kombit shqiptar deri sa  u nda nga jeta në  moshën 82 vjeçare.

             Morton F. Eden njihet pak dhe i dyzuar ndër shqiptarët e sotëm.  Ai vlerësohet në disa shkrime gazetash e opinione  të viteve 20-30-të, haset si “agjent i huaj” tek ndonjë paragraf i Historisë së Shqipërisë të shkruar gjatë  sistemit diktatorial apo  në ndonjë memuar, korespondencë a dokument arkivor të botuar  vitet e fundit. Sidoqoftë, personaliteti i tij, humanizmi dhe dashuria për shqiptarët, provohen  nga sa dëshmojnë bashkëpunëtorët e tij, por dhe  më shumë nga kundërshtarët, të cilët theksojnë se  ai vepronte me ndërgjegje e jo pse ia kërkonte pozita e misioni si zyrtar britanik.

             Ndër ato pak shkrime të botuara  mbi veprën dhe meritat  e Morton F. Eden, dallohet  ekstrakti  i studjuesit  Uran Asllani  me referenca e  opinione personalitetesh bashkëkohës. Ai argumenton  bindshëm se “majori Iden, agjenti anglez i kongresit të Lushnjës”, edhe vetëm për këtë kontribut të vyer duhej të vlerësohej nga historianët shqiptarë dhe burokracia shtetërore  me studime, dekorata dhe emërtesat institucionale përkatëse që i takojnë normalisht rangut të shërbimit të tij madhor.

               Rivlerësimi ndaj tij dhe  albanofilëve të tjerë anglezë të kryesuar nga miku i madh  Sir Hebrey Herbert,   do t’i përgjigjej denjësisht kuotës së marrëdhënieve miqësore me Mbretërinë e Bashkuar  edhe si përkrahëse e madhe  e  pavarësisë së Kosovës.  

 Në hyrjen e  librit “Miku më i madh i Shqipërisë: Aubrey Herbert dhe bërja e Shqipërisë moderne. Ditare dhe dokumenta”,  Noel Malcolm shkruan: “Kur vizitoi Herberti Shqiperinë e Jugut, në shtator 1913, një turmë e grumbulluar përballë banesës thërriste: O Paladin i Lirisë, i bekuari i nipërve tanë…Por e vërteta e hidhur është që shumica e nipërve të këtyre shqiptarëve mirënjohës nuk janë në gjendje të bekojnë emrin e Aubrey Herbert dhe madje as nuk kanë dëgjuar ndonjëherë për të.” A është në nderin e kombit shqiptar  që ky mënjanim nga regjimi diktatorial çuditërisht të vazhdojë edhe në ditët e sotme ndaj këtij personaliteti të rangut të lartë, i cili në krye të një grupi të vogël filoshqiptarësh anglezë si Morton F.Eden, Edit Durham etj, realizoi mrekullinë e shpalljes, njohjes dhe analizimit me simpati të problemit shqiptar në qarqet britanike, historikisht të lidhura me politikat shoviniste të vendeve fqinje.Në pragun e 100-vjetorit të Pavarësisë, ne shqiptarët le të shprehim mirënjohjen  për miqtë tanë të cilët na ndihmuan aq shumë kur qemë të rrezikuar nga coptimi dhe asimilimi kombëtar.

           Morton F. Eden  ka dhënë edhe një tjetër kontribut të çmuar, si albanolog, me veprën   “Shqipëria: Pakënaqësitë e saj dhe origjina e tyre” (“Albania: its discontents and their origin”, 1920).

 Ky  libërth i përmendur në literaturën e huaj albanologjike për origjinalitetin dhe objektivitetin e mesazheve “magjike”, tepër domethënëse për vlerat dhe historinë e kombit shqiptar, përbën një  “xhevahir” i cili   ndriçon me nuancat e tij jetësore, vizionin, misionin, strategjinë, mendimin historik, politik dhe  diplomatik të kombit shqiptar. Ai i ndriçon popullit të thjeshtë dhe përfaqësuesve elitarë të tij shumë të fshehta dhe enigmën  e  madhe: Shqipëria, si ka qenë e si duhet të jetë, sipas këndvështrimit të  qarqeve  mike  dhe armike. Në përgjithësi  na kujton veprën “Shqipëtarët” (“The Skypetars“) të albanofilit amerikan  George Fred Williams,  të botuar thuajse në të njëjtën kohë,  me të njëjtin qëllim dashamirës por me një spektër  më vezullues.

             Në veprën e  Edenit përshkruhet prejardhja  e shqiptarëve dhe europianizmi i tyre i natyrshëm, kontributi i tyre historik e kulturor në Europë, prapaskenat politike në vorbullat e luftës së parë botërore, ngjarjet madhore dhe personazhet kryesore  historikë, interesat që  mbajnë peng kombin shqiptar, ballafaqimi i platformës së Rilindjes Kombëtare me politikat shoviniste antishqiptare, tendencat  e kombit shqiptar në rivalitetin midis Perëndimit dhe Lindjes, etj.

             Në vepër mbizotëron mendimi se “gjendja e pakënaqshme në Shqipërinë e sotme, është  krijuar nga  fakti që nuk u është dhënë konsiderata e duhur aspiratave të popullit shqiptar për shkak të interesave të fuqishme që synojnë  prishjen e Shqipërisë.”

            Ky mesazh është aktual edhe në shek.XXI, kur pak gjë ka ndryshuar për kombin tonë i cili për të përballuar sfidat e  rreziqet duhet të bashkojë e të bashkërendojë tërë gjymtyrët e energjitë e tij në tërë popullatën e “Komunuelthit shqiptar” në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, Mal të Zi, Serbi, në  Greqi, Turqi  e kudo.

            Sikurse u deklaroi zyrtarisht parlamentarëve shqiptarë z. Behgjet Pacolli, si President i Kosovës, “me këtë qasje, unë dua t’i thërras ndërgjegjes suaj kombëtare, vetëdijes suaj politike, aftësive tuaja profesionale, për të menduar pak: A duhet të kënaqemi me këtë nivel të bashkëpunimit ekonomik, kulturor, shpirtëror mes veti?… Ne duhet t’i japim kuptim sakrificave të mëdha historike të heronjve tanë të përbashkët, angazhimit shekullor të paraardhësve tanë, duke hapur pista të reja bashkëpunimi.” (1)

              Se përse ndodh kështu, cilët janë faktorët e aktorët e kësaj gjendje ka dashur të na e sqarojë edhe përkthyesi i kësaj vepre, atdhetar Skënder Luarasi, i cili shprehej:  “Më dhimbset e vërteta në histori dhe do të isha i lumtur të ndriçoja, në dritën e së vërtetës, qoftë dhe ndonjë ngjarje ose persona të kësaj historie të së kaluarës. Se ja, do s’do, vjen një kohë, kur duhet të bëjmë bilancin e jetës e t’i japim përgjigje shoqërisë: Ç’i lamë vendit tonë?”

              Vepra e Edenit, “Shqipëria: Pakënaqësitë e saj dhe origjina e tyre”, e përkthyer prej origjinalit nga Skënder Luarasi në vitet 60’,  u  bllokua në  Institutin  e Historisë  pa e parë dritën e botimit. Indikacionet e saj  rastisën të gjenden në regjistrat e institutit ku vepra e pabotuar përcaktohej si përkthim i Skënder Luarasit. 

             Materialin  e   plotë të daktilografuar fatmirësisht e gjeta  në një nga dosjet e përkthyesit, i cili edhe  si  historian  nuk bëri kurrë pazar me të vërtetat historike.

            Në kushte të vështira censure, ai nuk rreshti  së shpalluri nderimin e tij  ndaj jetës dhe veprës së miqve të vërtetë të kombit shqiptar duke shkruar me dashuri   edhe për albanofilët  anglezë: Lord George Byron, Lord Tennyson, Sir Aubrey Herbert e Lady Elisabet Carnarvon, Lady Mary Worthey Montag, Lucy M.J.Garnett, Mary Edith Durham, etj.

            Botimi në shqip i  veprës “Shqipëria: Pakënaqësitë e saj dhe origjina e tyre”    në prag të festës së  100-vjetorit të  pavarësisë  së Shqipërisë është një dëshmi mirënjohje ndaj albanofilit Morton F. Eden  dhe përmbush dëshirën e hershme të  atdhetarit Skënder Luarasi për t’ia bërë të njohur kombit shqiptar. (*)

                  *     *      *

Në përkujtim   të 95-vjetorit të  Kongresit Kombëtar të Lushnjës,  ndër programet  festive u shfaq edhe një  film dokumentar ku  ndër  delegatët  shqiptarë  të kongresit  u publikua  edhe  fotoja dhe kontributi i  konsullit anglez Morton Frederik Eden.

Bashkia e qytetit të Lushnjës e vlerësoi me  titullin “Qytetar Nderi”, me motivacionin: “Misionar i Shqipërisë në kohë të vështira, dha kontribut të veçantë në mbrojtjen e Kongresit të Lushnjës”.  Nga ana e tij  Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Nicholas Cannon, të cilit iu dorëzua ky titull, u shpreh: “Shteti im ka qenë prezent me trupin diplomatik për të stabilizuar fatet e Shqipërisë. Ndërsa Konsulli Eden ka një kontribut të veçantë personal në ruajtjen e punimeve të Kongresit në momentet kur ekzistenca e shtetit shqiptar vihej në rrezik.”

Ndër ata që ndihmuan  këtë publicitet  veçoj  studjuesin Engjëll Zerdelia me  librin e tij të suksesshëm ‘’Kongresi Kombëtar i Lushnjës’’,  që i kushtoi  vëmendjen e duhur edhe kontributit dhe nderimit të miqve të huaj me në krye Morton F. Edenin. (2) 

Sikurse në raste të tjera harrese, për  personalitete dhe ngjarje të rëndësishme kombëtare,  atdhedashësit shqiptarë  shqetësohen  përse do të duhej të kalonte rreth  një shekull  për ta përmendur dhe vlerësuar  konsullin anglez që  jo vetëm ‘’ka një kontribut të veçantë personal në ruajtjen e punimeve të Kongresit’’,  por dhe  për shumë e  më shumë vepra bamirësie  ‘’në ditët e sterrosura’’ për  shqiptarët?!

Dritë-hijet e kësaj  enigme: rrethanat, tjetërsimi i të vërtetës,  atentatet  dhe   kërcënimet deri në nivelet më të larta ndërqeveritare, që çuan në largimin e tij  nga detyra  dhe përpjekjet për t’ia shuar përjetë  emrin dhe veprën,  i  qartëson  më së miri  studjuesi grek  Lampros Psomas, edhe pse bazohet  në interesave  politike greke.(3)

Përmes dokumentave dhe kritereve profesionale ai zbërthen paradokse dhe u jep përgjigje dilemave: Nga kush e përse akuzohej dhe si u largua nga detyra Konsulli Eden? A qe ai një ushtarak  i aftë, i bindur  dhe i përkushtuar  në ushtrimin e detyrave shtetërore  që i qenë ngarkuar nga eprorët? Informacionet që u dërgoi autoriteteve britanike  qenë objektive apo sajesa në favor të shqiptarëve për  përfitime vetiake?

Mbi të gjitha paraqet interes konkluzioni i studjuesit  se akuzat që iu bënë Konsullit Eden se kinse  shpërdoronte detyrën duke sajuar  rrethana të paqëna  për  mbrojtjen e të drejtave dhe trojeve  të shqiptarëve, se dizinformonte  shtetin britanik  për interes  të një kompanie private nafte, qenë akuza të  pa provuara.  Dhe këto sajesa që i përkasin  një situate të tejkaluar shekullore   marrëdhëniesh ndërshtetërore u imponohen kancelarive përkatëse prej një shekulli,  për paradoks  edhe vetë politikës dhe historiografisë  shqiptare,  që pasardhësit   të mos njohin  e vlerësojnë aftësinë  profesionale dhe që  të nderojnë humanizmin shembullor të  Konsullit Eden, si mbrojtës i të drejtave shtetformuese të shqiptarëve  dhe tërësisë territoriale të nëpërkëmbur mizorisht.

Ndjenja  atdhetare më obligoi të përkthej dhe botoj edhe studimin  e dytë të tij,  ‘’Shqipëria dhe fqinjët e saj’’, botuar në korrik të vitit 1921, të cilin  ia ofroj pa komente  shqiptarëve të përgjegjshëm. (**) 

——————-

(1) Nga fjala e Presidentit të Republikës së Kosovës, z.Behgjet Pacolli, në Parlamentin Shqiptar: “Aspiratat tona kombëtare, në përputhje me rregullat e hapësirës evropiane”, më 21 Mars, 2011.

(2) Engjëll Zerdelia, Kongresi Kombëtar i Lushnjës, Agim Bakushi ,Tiranë , Emal, 2014, 220 f.

(3) Lampros Psomas, A Spy in Albania: Southern Albanian Oil and Morton Frederic Eden, International Journal of Intelligence and Counter Intelligence, Volume 28, 2015 – Issue 3. http://www.academia.edu/12399538/A_Spy_in_Albania_Southern_Albanian_Oil_and_Morton_Frederic_Eden

Filed Under: Histori Tagged With: Petro Luarasi- Morton F.Eden-miku besnik-Kongresi i Lushnjes

MAJOR AHMET LEPENICA NË MBROJTJE TË KONGRESIT TË LUSHNJËS

January 21, 2020 by dgreca

Kush e mbrojti me armë Kongresin e Lushnjës më 1920?/

        MAJOR AHMET LEPENICA NË MBROJTJE TË KONGRESIT TË LUSHNJËS/

Si përfundim pa këtë përkrahje dhe mbrojtje ushtarake, nuk do të ishte mbajtur Kongresi i Lushnjës dhe nuk do kishte ndodhur Epopeja e Vlorës, pra nuk do ta kishim rifituar Pavarësinë e Shqipërisë. Prandaj, ushtarakëve si major Ahmet Lepenica u duhet dhënë vëndi që meritojnë, sepse ishin kohë të trubullta dhe asnjë problem i madh kombëtar nuk mund të zgjidhej pa forcën e armëve.

Nga Enver MEMISHAJ/

Në hyrje të Muzeut Historik Kombëtar të Kongresit të Lushnjës, vizitori do të përballet me fotografinë  madhështore të major Ahmet Lepenicës që mbrojti me armë atë kongres.

Po cili ishte major Ahmet Lelenica, dekoruar NDER I KOMBIT SHQIPTAR ?

Major Ahmet Lepenica lindi në Lepenicë të Vlorës në vitin 1872. Në ushtrinë turke, u dallua si ushtarak i lindur dhe u dërgua  në një kurs dy vjeçar ushtarak që e kreu me rezultate të shkëlqyera. Nga ushtar për vleftë trimërie arriti gradën kapiten, po për vleftë trimërie kundër rebelëve të Haxhi Qamilit, më 1914,  u gradua  major nga qeveria shqiptare e Turhan Pashë Përmetit, ku ministër i brendshëm ishte patrioti Aqif Pashë Elbasani.

Më 1912, u arratis prej trupave turke, për t`i shërbyer shtetit të ri shqiptar. Më 1913,u emrua Komandant i Xhandarmërisë së Lushnjes. Më 1914 në krye të forcave shqiptare dhe kosovare çliroi krahinat jugore të Shqipërisë nga pushtimi grek. Në vitin 1920, ishte mbrojtës me armë i Kongresit të Lushnjës. Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” , që po përgatiste Luftën e Vlorës, më 4 qershor 1920, në mal të Beunit, mbi fshatin Vajzë të Vlorës e emroi “Komandant të Përgjithshëm të  Trupave Kombëtare, mbështetur në burrërin dhe atdhetarinë e tij”

Në vitin 1921 Shqipëria ishte ndarë në katër zona. Më 12 shkurt 1921 u emrua komandant i zonës, Krahut të Vjosës, pra Lepenica shfaqet si një nga katër ushtarakët e shquar të Shqipërisë.

Më 1 qershor  1921, për herë të parë në historinë e Shqipërisë, bashkon me armë me trungun e shtetit shqiptar krahinën e Himarës.

Në tetor të vitit 1921, në krye të një batalioni vlonjatësh lufton në veri kundër sërbëve, nën komandën e komandantit të operacionit kolonel Ahmet Zogut i cili shkruan se major Lepenica ka treguar një trimëri të tërbuar.

Më 17 janar 1922 emrohet Qarkkomandant i Xhandarmërisë së Gjirokastrës. Në prill 1924 vihet në krye të Lëvizjes së Qershorit. Pas dështimit të Revolucionit të Qershorit qëndroi i arratisur dhe në mars 1925 emigroi jashte shtetit.

Në fund të vitit 1926, u fal dhe u kthye  në  vëndlindje në Lepenicë, ku jetoi deri sa vdiq në janar 1941, pa lënë pas as fëmijë as pasuri, por vetëm emrin e mirë të një atdhetari të pa njollë dhe të paharruar.

Eshte vlerësuar nga të gjith presidentët e Shqipërisë dhe së fundi NDER I KOMBIT SHQIPTAR.

                                                   *       *       *

Me interesimin e major Kasëm Qafëzezit, major Ismail Haki Tatzatit dhe të disa atdhetarëve të tjerë, major Ahmet Lepenica filloi punën si komandant  xhandarmërie, në Lushnjë, ku kishte shërbyer në të njëjtën detyrë edhe në vitin 1913, kur prefekt ishte patrioti shquar Qazim Kokoshi.

Nga një telegram i datës 1 gusht 1919, marrim vesh se major Ahmet Lepenica ushtron detyrën Qarkkomandant i Xhandarmërisë së Gjirokastrës. Po nga ky telegram kuptojmë edhe punën shumë

të vështirë që kryente xhandarmëria duke kaluar muaj të tërë pa u paguar.89)

Më 31 dhjetor 1919, në Lushnjë ka qënë kryetar bashkie Besim Nuri, nënprefekt Veli Vasiari dhe komandant xhandarmërie Meleq Frashëri, të tre janë shprehur në mbështetje të mbajtjes së Kongresit, haptazi në kundështim me urdhërat e qeverisë së Durrësit. Major Ahmet Lepenica është transferuar në këtë kohë komandant i xhandarmërisë së Lushnjës, me qëllim që të mbronte Kongresin. Këtë fakt e pohon edhe Bardhosh Gaçe: “Në ditët e para të janarit disa herë u dërgua nga nënprefekti i Lushnjës për të biseduar me nënkomitetin e Vlorës, ushtaraku Ahmet Lepenica, i cili këmbëngulte në përfaqësimin e Vlorës në Kongres… Vlonjatët u bashkuan me përfaqësuesit e tjerë në Lushnjë”. 90)

Kundër Kongresit të Lushnjës bëri sa kishte mundësi edhe Qeveria e Durrësit duke kordinuar veprimet e sajë me pushtuesin italian. 91)

Në prag të mbajtjes së Kongresit të Lushnjës, më 10 janar 1920, u vra në Shkodër atdhetari Sali Nivica (1891-1920), kryeredaktor i gazetës atdhetare “Populli” që dilte në Shkodër. Më 27 janar 1920, u vra me atentat në Durrës atdhetari tjetër Abdyl bej Ypi (1878-1920), pasi qe shkarkuar më parë nga detyra e prefektit të Durrësit “ i cili, me qëllim që të mos rrezikohet mbledhja kombiare

e Lushnjës, u ba theror, dëshmor i Shqipnisë, tue u ba kafshatë e nji pushke mizore që asht zbrazë nga nji dorë tradhëtare”, i shkruan familjes, kryetari i Mbledhjes së Lushnjës Aqif Pashë Elbasani.

Po në janar Myfit bej Libohova kurdisi plane e realizoi vrasjen e përhapësit të gjuhës shqipe, mësuesit, e patriotit zemërzjarr Shuko Dalipi (1876-1920), kushëri i Sali Nivicës.92)

Myfit bej Libohova, ministër i kabinetit të qeverisë së Durrësit, ka treguar veprimtarinë

e tij antikombëtare kundër Kongresit: “Si ministër i brëndshëm, {i qeverisë së Durrësit } lipsej të ndaloja Kongresin e Lushnjës, me fuqinë e xhandarmërisë, po oficerët e këtij trupi ishin bashkuar me të mbledhurit dhe qeveria kishte mbetur pa fuqi… Atëhere pas akordit që kishim me italianët i kërkova gjeneral Piaçentinit të vinte nën komandën time dy kompani të milicisë shqiptare, të cilat Piaçentini m`i dha dhe u nisa për në Fier me automobil… Aqif Pasha … i kishte shkruar … Gjeneral Piaçentinit një letër me të cilën thoshte të mos ta njohë Qeverinë e Durrësit…

Nisa ushtrinë për në Kolonjë të Myzeqesë dhe andej për në Lushnjë. Plani ishte të rrethoja këtë qytet dhe të përndaja mbledhjen tuke proklamuar në tërë Shqipërinë zgjedhje të përgjithshme për një Asamble Kushtetuese. Kolonelin e Italisë që gjëndej në Lushnjë e trembën duke e bërë të besojë se rreth e qark Lushnjes qenë mbledhur 3 a 4000 shpirt dhe do derdhej gjak i tepërt, po unë kishja

lajme të sakta prej Lushnjës edhe dinja se veç 150 dyfeqe që kish Shehu i Karbunarës dhe nja 100 dyfeqe që kishin prurë bejlerët e Gegërisë, tjetër fuqi kundështare nuk kish … Prisnja të më harrinin me të çpejtë edhe 200 milicë nga Gjirokastra, dhe po nisesha vetë për në Manastir të Adrenicës, ku gjeneral Piaçentini, pa lajmëruar I dha ushtrisë që gjendej në Kolonjë urdhër të mos niset për në Lushnjë por të presi urdhërin e dytë të Komandës. Kësisoj më iku nga duart edhe fuqia e milicisë.

E pashë që u munda dhe u nisa atë çast per në Vlorë. Tre, katër ditë dhash e mora ta bind Piaçentinin të më jepte 700 milicë ndën urdhër. Me këtë fuqi doja të mbaja Durrësin dhe  jirokastrën dhe të bëja një mbledhje më të madhe dhe më të rregullt nga të Lushnjës, duke vendosur zgjedhjet e përgjithëshme . Piaçentini nuk donte të trubullohej Shqipëria”. 93)

“Në ditët e para të janarit 1920, në Vlorë u shfaq Ministri i Brendshëm i Qeverisë së Durrësit, Myfit bej Libohova, i cili mobolizoi mjaft milicë kundër Kongresit Kombëtar të Lushnjës. Ahmet Lepenica, me anën e një letre e vinte në dijeni Ibrahim Abdullahun dhe “Komitetin e Vlorës”, se vizita e Myfit bej Libohovës në Vlorë, bëhej me qëllim për të penguar organizimin e “Mbledhjes në Lushnjë”. Ibrahim Abdullahu kujton: “Më 12–13 janar 1920, në Vlorë sosi ministri i brëndshëm Myfit bej Libohova, për të mbledhur milicë. Ahmet Lepenica, nga Lushnja më dërgonte një letër, ku midis të tjerash më thoshte të lajmëronim popullin në qytet, se milicët që po mbledh Myfit beu i do si forca kundër Lushnjës.” 94)

“Si ndërlidhës ndërmjet Komisionit të Vlorës dhe atdhetarëve të tjerë në qytetin e Lushnjës, Kavajës dhe Elbasanit ishte Ahmet Lepenica, një ushtarak i zoti e mik i Osmën Haxhiut dhe Hamza Isait”.95)

Thirrje për të mos marrë pjesë në Kongresin e Lushnjës përfaqësuesve vlonjatë, u bëri edhe Syrja bej Vlora, ai thirri në bashkëbisedim Aristidh Rucin, Ymer Radhimën, e Tod Filipin, të cilët “i këshilloi” se Vlora, nën qeverinë e Durrësit“ do të kishte mjaft përfitime ekonomike prej Italisë…”. 96)

Ideali i përbashkët atdhetar, dhe miqësia që kishin që nga koha që shërbenin në Turqi, i bashkoi edhe kësaj radhe majorët Ahmet Lepenica, Ismail Haki Tatzatin, Kasem Qafzezin, Ismail Haki

Kuçin dhe kapiten Meleq Frashërin në një detyrë tjetër të shenjtë, në mbrojtjen e Kongresit të Lushnjës. 97)

Komandant i Xhandarmërisë së Qarkut të Beratit, Ismail Haki Tatzati dha një ndihmë të çmuar për furnizimin e kryengritësve  vlonjatë, me armë, municione dhe ushqime, por pati një fund tragjik: Fan Noli kur erdhi në fuqi e harroi, ndërsa komunistët e “shpërblyen” duke i dhënë një plumb kokës në vitin 1945! Detyra e mbrojtjes së Kongresit ishte e vështirë. Në radhë të parë duhej të garantohej rendi dhe qetësia në qytet, pasi delegatët dhe ata që i shoqëronin ishin shumë dhe ishin strehuar në banesat e qytetarëve. Në këtë detyrë kanë vepruar edhe shumë patriotë, qytetarë lushnjarë si Rasim Hoxha, Besim Nuri, Llazi Bozo, Emin Vokopola, Qemal Mullai, veçojmë Sheh Karbunarën, e shumë të tjerë, si Iliaz Vrioni në Berat, etj. Me kongresistët u bashkuan edhe disa oficerë shqiptarë të milicisë si Kasëm Radovicka etj.

Përballë qëndrimit armiqësor të qeverisë së Durrësit dhe pushtuesit italian, u përgatitën edhe forcat në mbrojtje të Kongresit. Brënda në qytet ishin më se 150 xhandarë të armatosur nën komandën e major Ahmet Lepenicës. Krahas xhandarëve, patriotët kishin grumbulluar edhe 350 vullnetarë nga rrethi i Lushnjes dhe i Dumresë nën komandën e Meleq Frashërit, që treguan vetmohim në mbrojtjen e Kongresit. Përveç këtyre forcave në periferi ishte në gatshmëri populli i Lushnjës, si dhe skuadra patriotësh me armë në dorë.

Ishte kohë e trubullt ku çdo gjë vendosej me grykën e pushkësPa këtë mbrojtje Kongresi nuk do të ishte mbajtur dhe fati Shqipërisë nuk dihej si do të shkonte. Ndofta Shqipëria do të humbiste përgjithmonë, prandaj atdhetarëve si Ahmet Lepenica,

Ismail Haki Kuçi, Ismail Haki Tatzati, Riza Cerova, Meleq Frashëri, Kasem Qafzezi etj që organizuan dhe komanduan forcat e armatosura për mbrojtjen e Kongresit të Lushnjës, duhet të

vlerësohen, lartësohen e të zenë vendin e tyre në histori. 98)

Duke parë dështimin e qeverisë së Durrësit, për të ndalur mbajtjen e Kongresit, komandanti i përgjithshëm italian, gjenerali Setimio Piaçentini dërgoi një ultimatum më datën 31 janar 1920,

por atdhetarët shqiptarë nuk e përfillën dhe vazhduan rregullisht punimet.

Ish sekretar i Kongresit të Lushnjës Ferit Vokopola, na ka lënë këtë dëshmi: “Ushtria italiane deshi të ndërhynte me armë për të ndalue Kongresin, por priste të arrinte ma parë milicia shqiptare

nga Gjirokastra e Vlora, por kjo e udhëhequr prej oficerëve patriotë  nuk guxoi të luftojë me çetat nacionaliste që kishin pre udhën në lumin Osum dhe menjeherë aderoi me kongresistat…Vlora shpëtoi me kryengritjen e famëshme që ashtë e pjellma e këtij Kongresi” 99)

Bardhosh Gaçe thotë se, në takimin e Sulejman Delvinës, me parinë e Vlorës në Lepenicë, Ahmeti kishte marrë me vete edhe 14 ushtarakë të tjerë, që kishin shërbyer në mbrojtje të Kongresit të

Lushnjës, gjë që do të thotë se Ahmeti gjithë fuqinë e xhandarmarisë që komandante në Lushnjë e kishte vënë në mbrojtje të Kongresit. Stilian Adhami përmënd kapiten Meleq Frashërin në

xhandarmarinë e Lushnjës, i cili ishte vënë në mbrojtje të Kongresit duke kthyer prapa 500 forca të Myfit Libohovës dhe Sami Vrionit, që kishin mbërritur në Fier për të ndaluar mbajtjen e Kongresit të Lushnjës.  100)

Murat Tërbaçi, anëtar i Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare” që drejtoi Luftën e Vlorës më 1920, në kujtimet e tij shkruan: “Në Kongresin e Lushnjës, pas letrës që na dërgoi Halim Xhelo (i cili qe

shpirti organizator i Kongresit të Lushnjës) dhe Besim Nuri, u poqa përsëri me Hamza Isain, Ahmet Lepenicën, Ibrahim Abdullahun, Dhimitër Qypin, Spiro J. Kolekën e Osmën Haxhiun, që morën

pjesë si përfaqësues të Vlorës vetëm ditët e fundit të Kongresit, pasi nuk kishin mandate delegati, sepse nuk i lejonte ushtria italiane. Pushtuesi dërgoi në Mbrostar forca për të penguar vlonjatët të

shkonin në Lushnjë…”  101)

Hamza Isai, përfaqësues i Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare”, me botën e jashtëme, me qëndër në Korfuz, konfirmon veprimtarinë atdhetare të Ahmet Lepenicës në mbrojtje të Kongresit të

Lushnjës: “Kongresi i Lushnjës hasi në kundështimin e komandës italiane në Vlorë… Më 13 janar u shpall se mbledhja e Lushnjës ishte e ndaluar.Me inisiativën e Ymer Radhimës, Halim Xhelos,

Myqerem Hamzarajt dhe Osmën efendiut u bë një takim tjetër i fshehtë ku qeshë edhe unë…Në këtë mbledhje ka marrë pjesë edhe Ahmet Lepenica, që ishte dërguar këtu nga nënprefekti i

Lushnjës, që kërkonte përfaqësimin eVlorës në Lushnjë. Më pas Ahmeti më kërkoi një deklaratë që ja dhashë me fjalët: “Zotëri e  Tij Ahmet Lepenica ka dhënë një ndihmë të çmuet në organizim të  gjindarmërisë për mbrojtjen e mbledhjes së Lushnjës, duke i bërë një shërbim të çmuar Atdheut.” Deklarata është lëshuar më 29 tetor 1924.102)

Antoneta Radhima, një autore tjetër që ka shkruar për atë kohë thotë se: “Mbledhja tjetër u bë në shtëpinë e Ymer Radhimës, takimi ishte tepër i fshehtë. Ky takim ishte bërë me iniciativë të

Ymer Radhimës. I pranishëm në këtë mbledhje ishte dhe Ahmet Lepenica, i cili , si ushtarak i asaj kohe, ka dhënë një ndihmë të çmuar për përgatitjen dhe mbrojtjen e Kuvëndit të Lushnjës”. 103)

Aktivitetin e shquar të major Ahmet Lepenicës në mbrojtje të Kongresit të Lushnjës e pohon indirekt, përpara parlamentit shqiptar më datën 9 tetor 1922 edhe Myfit bej Libohova, duke folur

për atentatin që ju bë atij, më 29 gusht 1922, akuzon pa prova, për këtë atentat major Ahmet Lepenicën, duke thënë se:

“Vrasësin e kujtoj prej anës së atyne që kanë ba Kongresin e Lushnjës, se gjoja unë shkova kundër tyre me u vra me ta, e se gjoja gjeneral Piaçentini më ndaloi. Se komandanti i gjindarmërisë së Gjirokastrës {major Ahmet Lepenica} u kishte mbushë mëndjen se z. Myfit Libohova u paska

shit Vlorën italianëve e se edhe më përpara kishte vu pritë. Kur u bë atentati, Gjindarmëria e vendit qe e shpërndame andej këtej…” 104)

Nga sa paraqitëm, del e qartë se Ahmeti është shquar në mbrojtjen e Kongresit të Lushnjës, në këtë detyrë të shenjtë kombëtare, sa që e gjejmë në disa gazeta, si pjesmarrës në këtë Kongres. 105)

Si përfundim pa këtë përkrahje dhe mbrojtje ushtarake, nuk do të ishte mbajtur Kongresi i Lushnjës dhe nuk do kishte ndodhur Epopeja e Vlorës, pra nuk do ta kishim rifituar Pavarësinë e Shqipërisë. Prandaj, ushtarakëve si major Ahmet Lepenica u duhet dhënë vëndi që meritojnë, sepse ishin kohë të trubullta dhe asnjë problem i madh kombëtar nuk mund të zgjidhej pa forcën e armëve.

Marrë nga: Enver Memishaj – Lepenica “Major Ahmet Lepenica, Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare në Luftën e Vlorës 1920”, Tiranë 2012, f. 75 – 80

Libri vlerësuar nga prof. dr. Bardhosh Gaçe dhe prof. dr. Uran Asllani, promovuar nga Akademia e Shkencave

Burimet arkivore:

89) AQSH, F. 154, V. 1919, D.12, f.3 Telegram. Fort i ngutshëm, nr. 3996 datë 1. 8. 1919. Komandës Përgjithshme Gjindarmërisë Tiranë “Për bajram nëpunësit po marrin rrogën e gjindarmërisë. S`paguhen se s`ka patur kredi. Të holla s`ka për ta. Gjindarmëria mbetet edhe me përshtypje të ligë kur shohin se nëpunësit me rroga të nalta dhe policia nuk paguhet. Rrethkomanda e Përmetit s`është paguar as për qershorin stop. Lutem merrni masat. Komandanti i Qarkut, major Ahmet Lepenica”

 Në një telegram tjetër Ahmet Lepenica njofton komandën eprore: “Krye 24 orëve qetësi stop”

AQSH, F. 154, V. 1919, D.12, f. 1

90) Bardhosh Gaçe “Osman Haxhiu”, “Naim Frashëri”, Tiranë 2001, f. 91

91) Fane Veizi “Kongresi i Lushnjes”, Tiranë 1959, f. 30-33

92) AQSH F. 152, V. 1920, D. 1, f. 2

“Lufta e popullit shqiptar për çlirimin kombëtar 1918-1920” (Përmbledhje dokumentash), Vëll. II, Tiranë 1976, f. 56; Prof. dr. Nasip Meçaj “Tepelena”, Toena, Tiranë 2007. f. 255

93. Myfid Libohova “Politika ime ndë Shqipëri 1916-1920”, Gjirokastër 1921, f.18-19

94) Bardhosh Gaçe “Rilindasi i Vlorës Ibrahim Abdullahu”, Tiranë 2009, f. 293

95) Bardhosh Gaçe “Osman Haxhiu”, “Naim Frashëri”, 2001. f. 77

96) Bardhosh Gaçe “Rilindasi i Vlorës Ibrahim Abdullahu”, Toena, Tiranë 2009, f. 159

97) Gazeta “Mbrojtja Kombëtare”, Vlorë, dt.15.2.1922; Hasan Luçi “Ismail Haki Kuçi”, Mokra, Tiranë 1999

98) Shih: Fane Veizi “Kongresi i Lushnjës”, Tiranë 1959

99) Gazeta “Bashkimi i Kombit”, Nr.17, Tiranë, dt. 21.1.1944

100) Shih: Stilian Adhami “Përmeti dhe përmetarët “, Tiranë 2001, f.43

101) Bardhosh Gaçe “Hamza Isai … “ Tiranë 2000, f. 293

102) Bardhosh Gaçe “Hamza Isai, një jetë në shërbim të kombit”, Tiranë 2000, f. 70, 151, Hamza Isai “Kujtime”, Vlorë 1937.

103) Antoneta Radhima “Ymer Radhima, vullkan i pashterur”, “Maluka”, Tiranë 2004, f. 58

104) “Fletore Zyrtare”, nr. 44, dt. 30. 8. 1923, nr. 45, dt. 2. 9. 1923

105) Gazeta “Tomorri”, Tiranë, dt. 22. 2. 1941

Komiteti Mbrojtja Kombëtare e emron Komandant të Përgjithshëm të Trupave Kombëtare në Luftën e Vlorës 1920.

Major Ahmet Lepenica (1872 – 1941), Shef i Shtabit dhe Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare në Luftën e Vlorës në vitin 1920.

Firma, vula që përdorte Ahmet Lepenica.

Filed Under: Histori Tagged With: Enver Lepenica- Mbrojtja-Kongresi i Lushnjes-Ahmet Lepenica

Ibrahim Rugova, President Historik i Pavarësisë së Kosovës

January 21, 2020 by dgreca

-Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, i vlerësuar ideator dhe arkitekt i Pavarësisë së Kosovës, përkujtohet sot në 14 vjetorin e shuarjes/

“I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë  Ibrahim Rugova/

-Intervista ekskluzive që kam zhvilluar me Presidentin historik të Kosovës,  Dr. Ibrahim Rugova që nga e para më shumë se çerek shekulli më parë – e Shtatorit 1994 deri te e fundit në Shkurt 2005 dhe deklarata tjera/

 -Raportime të Janarit 2006: GEORGE W. BUSH: HUMBJA E RUGOVES NE

KETE KOHE VENDIMTARE, TRAGJIKE – Presidenti i SHBA i shkruan familjes së Rugovës dhe popullit të Kosovës; PRISHTINË, FLAMURI AMERIKAN ULET….

NË GJYSMË SHTIZË/ KOSOVE, RRADHË TË GJATA QYTETARËSH PRESIN TË BËJNË

HOMAZHE PRANË TRUPIT TË PAJETË TË  PRESIDENTIT RUGOVA…/

-Me rastin e shuarjes në 21 Janar 2006 të Presidentit historik të Kosovës Ibrahim Rugova, Presidenti Amerikan Bill Clinton shprehej: “Kam pasur nder ta mbështes luftën e tij për paqe dhe liri”…

-Gazeta Rilindja e 27 Janarit 2006: Bota nderoi Presidentin Historik të Pavarësisë së Kosovës, Ibrahim Rugova/

-Urimi i Gazetës Rilindja Presidentit Rugova në fundvitin 2005 me Kalendarin e Pavarësisë/

-Prishtinë, 24 janar 2006: Komemoracion në Rilindje – nderimet më të larta për Presidentin e Pavarësisë, Dr. Ibrahim Rugova/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në  Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 21 Janar 2020/ Me homazhet që kanë nisur në mëngjes dhe me një akademi në mesditë në Prishtinë organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës përkujtohet sot në 14 vjetorin e shuarjes Presidenti historik Ibrahim Rugova, në prag të përvjetorit të 12 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ideator dhe arkitekt i së cilës ishte.

Në veprimtaritë përkujtimore theksohet se  në lëvizjen për liri e pavarësi Rugova u bë simbol i rezistencës me përkrahjen e gjithë popullit të Kosovës, elitës intelektuale, patriotëve dhe të botës demokratike perëndimore.

Që para tre dekadave, Rugova hapur përcaktonte pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallte idenë për Kosovën shtet të pavarur. “Zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë dhe një administrim civil ndërkobëtar si fazë kalimtare”, theksonte e ritheksonte ai.

Rugova, derisa ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, në 23 Dhjetor 1989 u bë themeluesi dhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila më shumë se parti politike lindi si lëvizje gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci.

Pas Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990, që shpallte Kosovën Republikë, si dhe Referendumit për Pavarësi të fundshtatorit 1991, në 24 Maj 1992 Rugova në zgjedhjet e para pluraliste nacionale parlamentare e presidenciale u zgjodh Presdiednt i Republikës së Kosovës, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

Si gjithmonë, edhe në 4 Mars 2002, duke u inauguruar në Parlamentin e Kosovës President i pas zgjedhjeve të para nacionale të pasluftës – në liri, Rugova shprehej: “Çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: ‘Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?’”.

Pavarësia e Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis, theksohej e ritheksohej vazhdimisht nga Rugova.

 “I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë  Ibrahim Rugova në  6 Tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.

Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në intervistën e parë ekskluzive që kam zhvilluar për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) para më shumë se çerek shekulli, derisa bisedonim gjatë ditën e enjëte të 22 Shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, po edhe në raste të tjera, e falënderonte e vlerësonte shumë Agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë.

“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare. Edhe ne bëjmë përpjekje që këtu në Kosovë përmes Qendrës sonë për Informim të kemi një agjenci të vogël, e cila raporton për situatën e përditshme në Kosovë. Duhet një bashkëpunim midis këtyre dy institucioneve dhe institucioneve të tjera në Kosovë dhe në Shqipëri”, theksonte Presidenti Rugova në intervistë.

Ajo intervistë e parë e një presidenti të Kosovës për ATSH-në zhvillohej në kohë të rënda të okupimit e dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës. “Një represion masiv në Kosovë ka rritur tensionet politike këtu dhe në rajon, ndaj është e domosdoshme prania ndërkombëtare”, e përshkruante situatën dhe e kërkonte zgjidhjen Presidenti Rugova, në intervistën ku fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.

Në intervistë, Presidenti Rugova tek fliste atëherë si për ëndërra parashikonte ngjarjet që pasuan, theksonte se “kishte kërkuar një mbrojtje për Kosovën para një viti e gjysmë, një protektorat ndërkombëtar civil, një administratë civile, që do të vendosej për një kohë në Kosovë, që të normalizohet jeta dhe më pas të bisedohej me serbët për ardhmërinë e Kosovës”. 
“Bisedimet shqiptaro-serbe duhet të zhvillohen në prani të një pale të tretë të autorizuar, që do të garantonte edhe dialogun edhe rezultatet e dialogut dhe që natyrisht do ta udhëhiqte atë. Kjo palë e tretë duhej të gjendej nga SHBA-të, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian”, theksonte Rugova. 
Ai besonte se mbrojtja ndërkombëtare në Kosovë do të mbërrinte. 

“Në planin ndërkombëtar ideja për mbrojtje ndërkombëtare në Kosovë shqyrtohet, do të thotë është marrë në konsiderim, dhe shikohen mundësitë si të aplikohet kjo dhe si të veprohet në këtë drejtim”, shprehej Presidenti Rugova.
Pyetjes se çfarë do të thotë politikë globale shqiptare dhe si mund të realizohet ajo në praktikë, në kushtet e ndarjes së shqiptarëve me shumë kufij, Presidenti Rugova iu përgjigj: “Kjo politikë do të shembë muret mes shqiptarëve”.

“Praktikisht mund të themi se politika globale shqiptare ka nisur të realizohet. Përkundër pengesave të shumta, që ka sidomos Kosova, sot kemi kontakte të ndryshme, bashkëpunim, qoftë në planin kulturor, në planin arsimor, në planin politik. E kam thënë disa herë, por vazhdimisht duhet të përsëriten gjërat, se për herë të parë ne shqiptarët po bashkëpunojmë në planin politik”, theksonte Presidenti historik i Kosovës. 
 “Në këtë politikë globale shqiptare respektohet vullneti politik i shqiptarëve të Kosovës, pastaj i shqiptarëve në Maqedoni, i shqiptarëve në Mal të Zi e në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë. Do të thotë se kemi një vizion se ç’duhet të bëjmë në këtë drejtim. Dhe, mund të them se politika globale shqiptare përditë është prezente dhe realizohet hap pas hapi, nuk është diçka abstrakte”, shprehej ai. 
Rugova vlerësonte se, “politikë globale është se sot Shqipëria më shumë se kurrë e ndihmon çështjen e Kosovës dhe çështjen shqiptare në planin ndërkombëtar”. “Po ashtu, edhe Kosova me institucionet e saj, brenda dhe jashtë, e ndihmon Shqipërinë dhe në këtë plan ka një bashkëpunim, një mirëkuptim dhe një marrëveshje, që nuk e kemi pasur më parë ne shqiptarët”, vijonte ai. 

Në 11 Tetor 1991, në Prishtinë, ishte miratuar Deklarata politike e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, kryetar i të cilit ishte kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova.  Deklarata kishte tre opsione për zgjidhjen e çështjes shqiptare.

Presidenti Rugova në intervistën për ATSH vlerësonte se, “ky është një dokument mjaft i rëndësishëm, që i përfshinë të gjitha, pra edhe vizionin e një uniteti e një integrimi shqiptar” , se “opcioni i parë ishte një Kosovë e pavarur e neutrale”, dhe “që shqiptarët në Maqedoni si element i rëndësishëm i atij shteti apo asaj republike, që është në zhvillim e sipër,  të jenë shtetformues, ndërsa shqiptarët në Mal të Zi dhe në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë të kenë një vetadministrim, një autonomi lokale”.

Presidenti i Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në konferencën për shtyp  të para 22 viteve – 6 Shkurt 1998 duke u përgjigjur në pyetjet që i bëja theksonte se Bashkësia ndërkombëtare duhet të ndërhyjë në Kosovë para se të ndodhë konflikti, ndërsa reagimi si komb i shqiptarëve është normal dhe e drejtë e çdo populli të rrezikuar.

E pyeta se, duke pasur parasysh intensitetin e shpejtësinë e zhvillimeve të rrezikshme në Kosovë, a priten masa të mjaftueshme e me kohë të bashkësisë ndërkombëtare për parandalimin e konfliktit, ndërsa Presidenti Rugova u përgegjegj:

“Ne kemi kërkuar që bashkësia ndërkombatare të intervenojë në Kosovë para se të ndodhin konfrontimet, e jo pasi të ndodhin, sepse do të bëhej vonë, dhe kemi bërë apel që të çmohet ajo që ka sakrifikuar populli i Kosovës për shumë vite që ta evitojë konfliktin. Masat parandaluese ndërkombëtare në radhë të parë duhet të jenë një presion shumë më i madh mbi Beogradin që ka përqëndruar forca të mëdh dhe kërcënon që edhe ushtarakisht ta godasë Kosovën”.

Në pyetjen tjetër që i bëra, se si i komenton deklaratat e politikanëve shqiptarë në Shqipëri, Maqëdoni, etj., për reagim si komb në rast konflikti në Kosovë, presidenti Rugova u përgjegj:  “Është i natyrshëm dhe mëse normal ky qëndrim i Shqipërisë, përkundër vështirsëive që ka ajo sot. Shqiptarët janë të organizuar si shtet e si shoqëri edhe në Kosovë, edhe pse nën okupim. Edhe shqiptarët në Maqedoni kanë një organizim, që dita-ditës po përparon më shumë. Kemi tërhequr vërejtjen dhe të gjithëve u është bërë e ditur se po të fillojë diçka, më e keqja, në Kosovë, atëherë i gjithë rajoni do përfshihej, edhe Shqipëria, Maqedonia, Greqia, gjithësesi Serbia,  Mali i Zi dhe vende të tjera. Prandaj, është një kujdes i shtuar i bashkësisë ndërkombëtare”.

Presidenti Rugova i bëri thirrje Beogradit që t’i kthehet dialogut me ndërmjetësim ndërkombëtar për Kosovën, që të  mos e provokojë edhe më tej situatën dhe të ndërpresë dhunën. Ai tërhoqi vërejtjen edhe për seriozitetin e pohimeve se në Vojvodinë (krahinë në Serbi) regjimi serb po rekruton rezervistë për t’i dërguar në Kosovë…

Me Presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova kam zhvilluar intervista ekskluzive, së pari për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë e pastaj të tjera për gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja, isha edhe në konferencat e shumëta për shtyp që mbante para, gjatë e pas luftës në Kosovë, ku bëja pyetje e merrja përgjigje, jam takuar edhe në raste të tjera…

Para 20 viteve, në 5 Mars 1999, një takim i Presidentit historik të Kosovës Ibrahim Rugova me Senatorin Amerikan Robert Doll – të Dërguarin e Posaçëm për Kosovën të Presidentit të SHBA Bill Clinton, ishte edhe një paralajmërim lirie. Takimi shumë i rëndësishëm u mbajt në Shkup, pasi regjimi kriminal okupator serb e kishte pamundësuar në Prishtinë.

Ishte koha kur konferenca ndërkombëtare për Kosovën – Konferenca e Rambujesë, e nisur në 6 Shkurt 1999,  u ndërpre në 23 Shkurt pa rezultate përfundimtare, ndërsa vazhdimi i saj u thirr për datën 15 Mars në Paris.

Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova,  në Prishtinë i kthyer nga Rambujeja e para nisjes përsëri për atje drejt Parasit në një konferencë shtypi në 5 Mars paralajmëronte nënshkrimin  para 15 Marsit 1999 të Marrëveshjes së Rambujesë, për të cilën një ditë më vonë dha miratimin edhe Kuvendi Republikës së Kosovës së Deklaratës së 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990. Në konferencën për shtyp ku ishte edhe korrespondenti tash i Gazetës DIELLI, Presidenti Rugova paralajmëronte edhe vendosjen e NATO-s në Kosovë…

Dhe, vetëm pas më pak se tre javësh, në 24 Mars 1999 filloi fushata ajrore e NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi, pas së cilës nga mëngjesi i  Ditës së Lirisë -12 Qershorit 1999 forcat paqeruajtëse e shpëtimtare të NATO-s nisën të hynin në Kosovë,  në vendin që në 2019-tën feston 20 vjetorin e lirisë e 11 vjetorin e pavarësisë së shpallur në 17 Shkurtin historik 2008.

Ashtu si paralajmëronte Presidenti Rugova, në mes të marsit përfaqësuesit e Kosovës nënshkruan Marrëveshjen e Rambujesë/Parisit për Kosovën, ndërsa Beogradi – pala serbe refuzoi ta nënshkruajë. Ishte hapur rruga për ndërhyrjen ushtarake për Kosovën të NATO-s, forcës më të madhe planetare, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 Në 29 Maj 1998, Presidenti Rugova në Uashington ishte takuar me Presidentin Amerikan Bill Clinton. “Ne ritheksuam se zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte shteti i pavarur”, deklaronte Presidenti Rugova pas takimit. Ndërsa, Presidenti Clinton tha se Kosova është një nga shqetësimet amerikane dhe se SHBA-të do të intensifikojnë angazhimin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në kuadër të Grupit të Kontaktit dhe të NATO-s…

Në mbrëmjen e 24 Marsit 1999, kur ndodhi ndërhyrja shpëtimtare e NATO-s me bombardimin e caqeve të forcave kriminale serbe, në terrin e natës dhe të okupimit të egër, drita e shpërthimeve të goditjeve nga qielli të aviacionit të forcës më të madhe planetare shihej si një shpresë e besim për të ardhmen e ëndërrave për lirinë e paqen derisa në Kosovë kishte marrë përmasa gjenocidi terrori i spastrimit etnik kundër shqiptarëve.

“Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodhë në Kosovë është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës”, theksone në atë ditë e orë historike, Presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton,  derisa nga Shtëpia e Bardhë  i drejtohej kombit amerikan, duke folur për zhvillimet tragjike në Kosovë dhe ndërhyrjen shpëtimtare të  NATO-s…

Njëmbëdhjet vite pas takimit në Uashington, në 1 Nëntor 2009 në Kosovën e lire Presidenti Amerikan Bill Clinton, në fjalën e tij në Kuvendin e Republikës kosovare, por edhe në Sheshin me Emrin e Shtatoren e tij në Prishtinë, ka përkujtuar Presidentin historik Ibrahim Rugova dhe një gurë kristali të cilin ai ia kishte dhuruar. 
“Ai gurë kristal të cilin ma dha Rugova i është dhuruar një universiteti, por për një kohë ai ishte i njohur edhe në SHBA me emrin ‘Guri i Rugovës’”, tha Presidenti amerikan Clinton. 
“Atëherë, ai (Rugova), më tha se duhet të na ndihmosh”,  ka përkujtuar ish-Presidenti i SHBA-ve, Clinton gjatë vizitës në Kosovë.

Me rastin e shuarjes në 21 Janar 2006 të Presidentit historik të Kosovës Rugova, Presidenti Amerikan Clinton shprehej: “Kam pasur nder ta mbështes luftën e tij për paqe dhe liri”…

Në Kosovën e lirë nga Qershori 1999 i hyrjes së NATO-s në Kosovë prirë nga Amerika, për Presidentin historik e kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, ngjarje e vitit 2000 ishin zgjedhjet lokale të 28 Tetorit në Kosovë, ndërsa ngjarja që do ta shënojë vitin 2001 do të jetë mbajtja e zgjedhjeve nacionale presidenciale e parlamentare.

“Të mira, të mira…”, përsëriti disa herë Presidenti Rugova, derisa e pyeta të deklarojë për gazetën Rilindja se cilat janë parashikimet e tij, në prag të Vitit të Ri 2001, për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Për njohjen e pavarësisë së Kosovës “e presim momentin më të mirë, momentin e duhur, në kohën e duhur”, theksoi Rugova duke shtuar se “vendi është, është vendi i duhur”.

Përgjigja u shoqërua me duartrokitje të gazetarëve të pranishëm dhe me urime, në një atmosferë të gëzuar të pritjes së organizuar në rezidencën e Rugovës në prag të Vitit të Ri 2001 dhe të fillimit të Milenumit të Tretë.

Ndërsa, duke u përgjigjur në një pyetje tjetër, Rugova tha: “Unë nuk i ndërroj fjalët shumë, por kur ndryshojnë gjërat i ndryshoj edhe fjalët. Jam duke punuar në ndryshimin e gjërave të mëdha, pra, si pavarësia, etj, që të njihen”.

Presidenti historik Rugova edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, edhe në Amerikë e në shtetet e Bashkimit Evropian, kudo, fliste për Pavarësinë e Kosovës si zgjidhja më e mirë dhe kompromisi i shqiptarëve.

 “Kosova e pavarur në NATO e në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA”, citoja kështu Presidentin Dr. Ibrahim Rugova në kryetitull të ballinës së gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja në fundvitin 2002, në intervistën ekskluzive që kisha zhvilluar pas kthimit nga festimet në Vlorë të 28 Nëntorit dhe takimit që kishte me Sekretari Amerikan të Shtetit Igëllberger.

 Në Rezidencën Presidenciale në Velani – Prishtinë Presidenti Ibrahim Rugova mbante në duarë dhe në tryezë gazetën Rilindja botim special festiv për jubileun e 90 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, të 28 Nëntorit 2002, derisa në atë kohë kur isha kryeredaktor i gazetës historike në fund të Dhjetorit 2002 zhvilloja intervistën ekskluzive për Rilindjen festive të Vitit të Ri.

Më pak se një muaj para përurimit të Shtëpisë së Pavarësisë në Prishtinë, Presidenti Rugova në Festën e Flamurit e të 90 vjetorit të Pavarësisë Shqiptare kishte dalë me propozimin për simbolet shtetërore, për Flamurin dhe për Himnin Shtetëror të Kosovës.

“Gjithsesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës”, thoshte Rugova në intervistën ekskluzive që zhvillova në prag të Vitit të Ri 2003 për gazetën Rilindja.

Mes pyetjeve që i bëra Presidentit Rugova, në bashkëbisedim, iu drejtova: “Kosova po bëhet edhe me simbolet shtetërore. Në Festën e Flamurit e të 90 vjetorit të Pavarësisë Shqiptare dolët me propozimin për Flamurin dhe për Himnin Shtetëror të Kosovës. Para pak ditësh, në 13 vjetorin e LDK-së, partisë që e udhëheqni Ju që nga fillimi si një lëvizje për liri, pavarësi e demokraci, përuruat edhe një monument, një shenjë shtetërore – Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës. Ju lutem të na flisni edhe për këto momente të rëndësishme në rrugën e bërjes së Kosovës shtet”.

Presidenti Rugova u përgjegj: “Gjithësesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës. Siç e dini, flamurin qe sa vite unë e përdor edhe si stemë të Presidentit të Kosovës, pra si emblemë, edhe në komunikime ndërkombëtare zyrtare, po edhe të brendshme. Edhe flamurin shtetëror duhet ta kemi, flamur që shpreh specifikën e Kosovës. Tani shenjat kombëtare i përdor Shqipëria si shtet aktual.

Për himnin, do përkujtuar se është ajo kënga e dashur e 1912-tës, që e kanë kënduar të gjithë shqiptarët. Natyrisht do të ketë përpunim artistik, po them standarde artistike, po edhe standarde shtetërore. Për këto do të ndiqen procedurat, pra në konsultim me institucionet e Kosovës, me Parlamentin, me Qeverinë. Po edhe njerëzit le të diskutojnë, le t’i thonë hapur mendimet e veta. Por, besoj se shumica në Kosovë – e popullit, e intelegjencies, e klasës politike – janë dakord që të kemi simbolet tona. E kam marrë këtë si një inisiativë të Presidentit. Është në detyrën time t’i eci këto punë dhe besoj se së shpejti do të kryhen. Në këtë vazhdë ishte edhe përurimi i Shtëpisë së Pavarsisë. Dëshiruam të lëmë një monument, një traditë, atje ku janë krijuar institucionet e para të Republikës së Kosovës. Do të ketë një kompleks të Pavarësisë aty, që do të ketë objekte përcjellëse, ndërsa po ajo shtëpi nismëtare do të ruhet dhe do të ketë edhe karakter muzeal, po edhe aktiv. Do ta mbajmë gjallë atë kompleks. Pra, të krijojmë edhe një traditë. Ne kemi një traditë me Shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit, pastaj në Shqipëri është Shtëpa e Pavarësisë në Vlorë, edhe këtu tash Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, që ka simbolikën e vet. Kemi edhe një shenjë të veprimit, sepse të gjithë, i gjithë populli i Kosovës, kemi kaluar nëpër atë shtëpi që ka qenë një shtëpi e shpresës, e pavarësisë, e lirisë dhe e demokracisë”.

Edhe tani dhe përjetshëm Flamuri i Dardanisë, i dizajnuar sipas idesë së Presidentit historik Rugova dhe Flamuri Kombëtar Shqiptar janë në të dy anët e Flamurit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Shtëpinë e Pavarësisë me emrin e Ibrahim Rugovës.

Presidenti Rugova kaherë theksonte idenë për autostradën Shqipëri-Kosovë, Rrugën e Kombit, nëpër shtigjet e vjetra historike, derisa shprehej se, “nëpër vendin tim kalojnë rrugë të rëndësishme evropiane, sikur ishte rruga antike Via Egnatia”.

Me vendimin e Qeverisë kosovare, është emërtuar “Ibrahim Rugova” autostrada në Kosovë, e ndërtuar në vazhdim të autostradës në Shqipëri nga bregdeti shqiptar-Durrësi deri në portën kufitare në Morinë-Vërmicë, mes qytetit të Lidhjes së Prizrenit dhe Kukësit.

Në Tetorin e vitit 2005,  Presidenti Rugova në takim me projektuesit thoshte se se ndërtimi i autostradës Prishtinë-Durrës tregon se, “ne jemi të aftë të bëjmë dhe mbajmë shtet, dhe se e meritojmë pavarësinë”.

  “Kosova dhe populli i saj janë sot këtu që të kryhet edhe formalisht, apo zyrtarisht, si doni t’i themi, edhe njohja e pavarësisë, të jemi një anëtar i bashkësisë së kombeve të botës së lirë”, më thoshte Presidenti Rugova në një intervistë tjetër eksluzive në jubileun e 60 vjetorit të gazetës Rilindja, të 12 Shkurtit 2005, ku poashtu fliste edhe për autostradën dhe marrëdhëniet me Shqipërinë, edhe për garancitë e shtetit të Kosovës për pakicat kombëtare, për të gjithë qytetarët.

“Pavarësia e Kosovës do të kishte efekt pozitiv edhe për të gjithë fqinjët tanë”, theksonte Rugova në intervistën eksluzive që në ballinë të gazetës Rilindja kishte kryetitullin: “Pavarësia e Kosovës është e mira e të gjithë qytetarëve dhe do ta qetësojë rajonin”.

“Njohja sa më e shpejtë e pavarësisë së Kosovës do të ndihmonte edhe qetësimin e të gjithë shqiptarëve në këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, theksonte Rugova.

Ndërsa, i pyetur për marrëdhënet e realiteteve të reja mes Kosovës dhe Shqipërisë, edhe sipas shumë vlerësimeve, shembull për rajonin dhe se si e shihte të ardhmen e këtyre dy vendeve, jo vetëm në marrëdhëniet e tyre, por edhe në integrimet euroatlantike, Rugova thoshte:

“Po, ne gjithsesi do të kemi gjithnjë e më shumë marrëdhënie të mira me Shqipërinë në të gjitha fushat. Ju e dini, tashmë kemi edhe Marrëveshjen për Tregti të Lirë, pastaj, marrëveshje të ndryshme për bashkëpunim ekonomik, kulturor, etj., dhe gjithsesi do të ndikojë pozitivisht ndërtimi, nuk është e tepërt ta themi, i Autostradës Prishtinë-Durrës, që do të hapte edhe një lidhje tjetër të Kosovës me botën. Dhe, gjithsesi synimet tona, të të dy vendeve, janë integrimi në Bashkimin Evropian, pra Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera, dhe kjo është perspektiva dhe në këtë plan po punojmë me të gjithë”.

Me rastin e pritjes që më bëri dhe intervistës ekskluzive në prag të 12 Shkurtit 2005 – ditës së 60 vjetorit të gazetës Rilindja, në cilësinë e kryetarit të Këshillit Drejtues e Kryeredaktorit Presidentit Rugova i dhurova Pllakatin e Jubileut të 60-vjetorit të Rilindjes, punar me ar e argjend nga zejtarët e Prizrenit, qytetit ku ka dalë numri i parë i gazetës tradicionale e historike të Kosovës.

Kjo ishte intervista e fundit ekskluzive që kam zhvilluar me Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, nga i cili  kam regjistruar edhe deklaratën e fundit  para përfundimit të vitit 2005.

Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova – Presidenti i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në ditën e përvjetorit të themelimit të LDK-së,  partisë-lëvizje, që e udhëhiqte që nga fillimi, ritheksonte se pavarësia është e padiskutueshme, tek fliste jepte mesazh, si një amanet, në Rezidencën në lagjen Velania të Prishtinës, në 23 Dhjetor 2005, më pak se një muaj para se të kaloi në amshim në 21 Janar 2006.
“Objektivi kryesor është pavarësia e Kosovës. Do të punojmë në të gjitha segmentet që të jetë një pavarësi e qëndrueshme, që do t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve të Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të Kosovës”,  theksonte Presidenti Rugova në atë takim të fundvitit të tij të fundit, ku  paralajmëronte formimin edhe të dy ministrive të reja – të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Punëve të Jashtme të Kosovës.

Në Rezidncën Presidenciale në Velani, ku regjistrova për të fundit herë deklaratat e Presidentit historik Rugova,  në 23 Dhjetorin 2005, ai kishte takime të veçanta – priti kryetarët e degëve të LDK-së në Kosovë dhe diasporë me rastin e 16 vjetorit të themelimit të LDK-së, e më pas kishte takim pune me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës Bajram Kosumi.

Ibrahim Rugova u lind në 2 Dhjetor 1944 në fshatin Cerrcë, të komunës së Istogut, në një familje të madhe që kishte prejardhjen nga krahina e Rugovës, ndërsa u shua në 21 Janar 2006.

 “Presidenti Ibrahim Rugova ndërroi jetë”, bënte të ditur Presidenca e Kosovës në komunikatën e dërguar para 14 viteve, në 21 Janar 2006, në mesditë.

 “Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, prijësi i Kosovës në vitet e mëdha të procesit për pavarësi të vendit tonë,  ndërroi jetë sot (e shtunë) në ora 11:38.

Presidenti Rugova ndërroi jetë në shtëpinë e vet në Prishtinë, duke pasur përreth familjen e tij, mjekun personal me stafin ndihmës nga vendi, si dhe mjekë amerikanë”, thuhej mes tjerash në komunikatën e Presidencës së Kosovës.

Më shumë se gjysëm milioni njerëz u mblodhën në Prishtinë, gjithë bota nderoi në përcjelljen e fundit për Presidentin historic Rugova, i cili prehet në amshim në lagjen Velania te Bregu i Diellit, të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës.

SHKRIME-LAJME TË PARA 14 VITEVE, JANAR 2006:

-Në përkujtim e nderim të Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova/

PIKËLLIM I MADH NË CERRCË, TEK MOLIKA E MBJELLË NGA IBRAHIM RUGOVA

– Nga Behlul Jashari –

     PRISHTINË, 22 Janar /ATSH/ – Pikëllim i madh ka rënë në vendlindjen e Presidentit Ibrahim Rugova, në Cerrcë të Istogut, te molika që ai kishte mbjellë në oborrin e shtëpisë, kur ishte tetë vjeç. Presidenti Rugova vdiq në moshën 61-vjeçare, molika vazhdon të rritet në vendlindjen e tij edhe pas 53 vjetëve.
     Rreth asaj molike u tubuan njerëzit e fshatit, sapo morën lajmin për vdekjen e Presidenti dhe si në një vend të bekuar qëndrojnë të bashkuar edhe sot, kur kanë kaluar më shumë se 30 orë nga lajmi i hidhur. 
     “Me duart e veta e pat mbjellë këtë molikë”, thotë xhaxhai i Ibrahim Rugovës, Ali Rustë Rugova, njeriu që e rriti dhe e shkolloi dhe që sot pret ngushëllime. “A ende e paske molikën time?”, e kishte pyetur Rugova i lumtur xhaxhain  në vizitën e fundit që i bëri vendlindjes.
     Në luftën e fundit, forcat serbe dogjën e rrënuan shtëpitë e familjes Rugova. Aliu tregon me dorë andej ku tani nuk ka më shtëpi dhe thotë: “Në këtë vend ka lindur Ibrahimi, këtu e kemi pasur truallin e shtëpisë”.
     Por historia e familjes Rugova është edhe më e hidhur. Vetëm një muaj pasi lindi, foshnja që e kishin quajtur Ibrahim, mbeti pa babanë: Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor 1944, ndërsa më 10 janar 1945, komunistët jugosllavë i pushkatuan babanë, Ukë Rugovën dhe gjyshin, Rustë Rugovën. Ky i fundit ishte luftëtar i njohur kundër grupeve çetnike që kishin depërtuar gjatë Luftës II Botërore në krahinën e Rugovës.
     “I kanë vra në Kullën e Popit. I vrau OZNA, UDB-ja. As sot nuk ua dimë eshtrat”, tregojnë njerëzit e familjes Rugova. Më e moshuara e Cerrcës, Rabë Rugova, mbi njëqind vjeçe, tregon edhe histori të tjera. “Uka, babai i Ibrahimit, ka pasë lindë pas gjashtë vajzave dhe ishte gëzim i madh për familjen e farefisin. Kur Ukën e vranë, për Ibrahimin u kujdes vëllau im, Aliu, si për djemtë e vet”.
     Në Cerrcë tregojnë se plaka Rabë shpesh çohet edhe natën dhe e puth fotografinë e të nipit, President i Kosovës. Tregojnë edhe histori të tjera. Tregojnë se tek i biri, Uka, Ibrahim Rugova ka përtërirë emrin e të atit, Ukës së vjetër. 
     Bashkë me të tjerët, pret ngushëllime edhe Ajet Hasanaj, shok i fëmijërisë dhe i shkollës i Ibrahim Rugovës. “Ibrahimi ishte i gjithë Kosovës”, flet ai me dhembje të madhe për humbjen e madhe. “Kosova do shkojë përpara edhe pas Rugovës, se ka veprën e tij të madhe. Ibrahim Rugova do mbetet përgjithmonë President i Pavarësisë së Kosovës”, thonë njerëzit në Cerrcë, në vendlindjen e Presidentit Rugova.
/pas/s.s./

KOSOVË, 15 DITË ZI KOMBËTARE PËR PRESIDENTIN RUGOVA
      PRISHTINË, 22 janar /ATSH-Behlul Jashari/ – Këshilli Organizativ i Varrimit të Presidentit Rugova ka shpallur 15 ditë zi kombëtare në Kosovë, duke filluar nga dita e hënë, 23 janar 2006, për nder të Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili ndërroi jetë të shtunën, më 21 janar 2006. 
     Për katër ditë, prej të hënës deri të enjten, në datat 23-26 janar 2006, institucionet arsimore të të gjitha niveleve në Kosovë nuk do të zhvillojnë mësim. 
     Dita e varrimit të Presidentit Rugova, e enjte, më 26 janar 2006, do të jetë ditë kur nuk do të punohet në asnjë institucion. 
     Këshilli Organizativ i Varrimit të Presidentit Rugova njofton se homazhet publike fillojnë nesër, ditë e hënë, më 23 janar 2006, duke filluar nga ora 12:00, në Kuvendin e Kosovës.      
     Qytetarët do të mund të bëjnë homazhe deri në ora 18:00. 
     Në dy ditët e tjera, të martën dhe të mërkurën, orari për homazhe publike do të jetë prej orës 09:00 deri në ora 18:00. Homazhet bëhen edhe paraditën e së enjtes, deri para nisjes së funeralit për në ceremoninë qendrore dhe varrimin, që do të bëhet në Prishtinë. 
     Qytetarët e Kosovës do të mund të shkruhen në Librat e Zisë për Presidentin e Kosovës,  Ibrahim Rugova. 
     Librat do të vendosen në të gjitha komunat e Kosovës, në Bibilotekën Kombëtare dhe Universitare dhe në Teatrin Kombëtar në Prishtinë. Ndërkaq, Libri i Zisë për Trupin Diplomatik do të vendoset në Kuvendin e Kosovës./ a.jor. 

PRISHTINË, FLAMURI AMERIKAN ULET NË GJYSMË SHTIZË

     PRISHTINË, 23 Janar /ATSH-Behlul Jashari/ – Zyra e SHBA-së në Prishtinë uli sot (e hënë) flamurin amerikan në gjysmështizë, në nderim të Presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova, gjatë një ceremonie të shkurtër, të drejtuar nga Shefi i Misionit, Philip Goldberg.
     Në fjalën që mbajti me këtë rast, z.Goldberg tha se me ndarjen nga jeta të Presidentit Rugova, Kosova ka humbur një udhëheqës të madh, por edhe SHBA humbi një mik të madh e të përkushtuar. 
     “Në botë nuk ka shumë udhëheqës apo popuj, të cilët kanë aq shumë dashuri dhe respekt për Shtetet e Bashkuara, siç pati Presidenti Rugova dhe siç ka populli i Kosovës. Dhe, për shkak të respektit për të, për miqësinë e tij me Shtetet e Bashkuara dhe respektit për popullin e Kosovës, unë e ndjej se është me vend që edhe ne të ulim flamurin amerikan në gjysmështizë gjatë periudhës së zisë”, tha z. Goldberg. 
     “Kjo ka një domethënie të madhe për ne dhe jam i sigurtë se do të ketë edhe për popullin e Kosovës”, theksoi ai, ndërsa komandanti i njësisë së Marinës së SHBA-së uli flamurin amerikan në gjysmë shtize. 
    Shefi i Misionit Goldberg solli dhe kujtimet e tij të 18 muajve të fundit, nga koha kur ai drejton Zyrën Amerikane në Prishtinë, si dhe të takimit të parë me Presidentitn Rugova, para njëmbëdhjetë vitesh, në Uashington.
    “Veç asaj që ai bëri si udhëheqës – dhe me të vërtetë si një simbol i Kosovës për botën – unë e njoha atë edhe si një njeri shumë të këndshëm dhe të përzemërt”, tha shefi i Misionit të SHBA-së në Prishtinë, duke propozuar një minutë heshtje në nderim të Presidentit Rugova.
/klod/pas/

GEORGE W. BUSH: HUMBJA E RUGOVES NE KETE KOHE VENDIMTARE, TRAGJIKE

-Presidenti i SHBA i shkruan familjes së Rugovës dhe popullit të Kosovës-


     PRISHTINE, 23 Janar /ATSH Behlul Jashari/ – Zyra e Shtypit e SHBA-së në Prishtinë sapo ka shpërndarë për mediat letrën që Presidenti i SHBA-së George W. Bush i ka nisur  familjes së Presidentit Rugova dhe gjithë popullit të Kosovës. Në letrën e nisur nga Shtëpia e Bardhë shkruhet: “Me pikëllim të thellë e mora lajmin për vdekjen e Kryetarit Ibrahim Rugova. Kryetari Rugova për shumë vite udhëhoqi fushatën për paqë dhe demokraci në Kosovë dhe fitoi respektin e botës për qëndrimin e tij parimor kundër dhunës.
     Shtetet e Bashkuara kanë humbur një mik të vërtetë. Gjatë viteve të konfliktit, Ibrahim Rugova ishte zëri i arsyes dhe maturisë që i ndihmoi popullit të Kosovës për të vënë bazat për një të ardhme paqësore. Humbja e këtij zëri, në këtë kohë vendimtare, është posaçërisht tragjike për Kosovën. Më lejoni t’ju siguroj se Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për të punuar me gjithë njerëzit e Kosovës për ndërtimin e një ardhmërie që është stabile, demokratike dhe përparimtare. 
     Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, unë dhe Laura i shprehim ngushëllimet tona familjes së Kryetarit Rugova dhe gjithë popullit të Kosovës”.

PRESHEVA SHPALL TRI DITË ZI NË RESPEKT TË PRESIDENTIT RUGOVA

     PRISHTINË, 23 Janar /ATSH-Behlul Jashari/ – Kuvendi Komunal i Preshevës shpalli sot (e hënë) tri ditë zie në nderim të kujtimit të Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova.
     Sipas këtij vendimi, duke filluar nga dita e martë, deri të enjten, ditën e varrimit të Presidentit Rugova, përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, do të ndërpresin çdo aktivitet, duke iu bashkuar kështu zisë gjithëkombëtare. 
    Institucionet e pushtetit lokal në Preshevë gjithashtu kanë caktuar delegacionin zyrtar që do të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të Presidentit Rugova.
/pas/

RUGOVA, SHËNIMET E PARA NË LIBRIN E ZISË

     PRISHTINË, 23 Janar /ATSH-Behlul Jashari/ – Qeveria e Kosovës publikoi sot (e hënë) shënimet e para që shkruan për Presidentin Ibrahim Rugova në Librin e Zisë, Kryeministri Bajram Kosumi dhe zëvendësi i tij, Adem Salihaj.
     “Nën udhëheqjen e Dr. Rugovës, lëvizja patriotike e shekullit XX në Kosovë shpërtheu kufijtë kombëtarë dhe krijoi imazhin e një lëvizjeje politike moderne dhe perëndimore. Ai udhëhoqi, ndryshoi, nisi dhe ftilloi procese politike e kulturore. Emri i Tij u lidh pashkëputshëm me pavarësinë, po më tepër se kaq, emri i Tij dhe pavarësia e Kosovës u bënë të njohur kudo në botë. Kështu, ai u bë dhe do të mbetet kolos i pavarësisë së Kosovës”, shkruan në Librin e Zisë, Kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi.
   Edhe zv.kryeministri Adem Salihaj, nderoi kujtimin e Presidentit Rugova duke e cilësuar atë “personaliteti më i madh i historisë më të re të Kosovës”. “Me mençurinë e tij ktheu në anën tonë popujt dhe vendet e botës” dhe “Ai zbuti armiqësitë historike mes popujve”, shkruan në Librin e Zisë zv.kryeministri Salihaj, duke vlerësuar në mënyrë të veçantë dhe faktin që Presidenti Rugova udhëhoqi Lidhjen Demokratike të Kosovës, partinë e parë që sfidoi sistemin komunist. 
     Qeveria e Kosovës bëri sot homazhe para arkivolit me trupin e Presidentit Ibrahim Rugova, që ish vendosur në hollin e ndërtesës së Kuvendit të Kosovës. Gjatë ditës së sotme kanë bërë homazhe dhe personalitetet më të larta të Kosovës, përfaqësues të zyrave diplomatike në Prishtinë, të KFOR-it, policisë së UNMIK-ut, të SHPK-së dhe të institucioneve të tjera. 
/klod/pas/

AEROPORTI I PRISHTINËS DO NDIHMOHET EDHE NGA PISTA TE TJERA FQINJE

     PRISHTINË, 23 Janar /ATSH-Behlul Jashari/ – Aeroportit të Prishtinës do t’i vijnë në ndihmë edhe disa aeroporte fqinjë, pasi ky i vetëm nuk mund t’i përballojë fluturimet e shumta speciale të delegacioneve që do marrin pjesë në  varrimin e Presidentit Ibrahim Rugova. 
     Zyrtarë të këtij aeroporti thanë sot (e hënë) se kanë shumë kërkesa për ulje dhe se për shkak të kapaciteteve të kufizuara, shumë fluturime do drejtohen për në aeroportin e Shkupit, në Maqedoni. Sipas të njëjtave burime, do shikohen mundësitë që për këtë qëllim të shfrytëzohet edhe një pistë tjetër uljeje afër Gjakovës.
 /pas/

KUVENDI MBAN NJË MINUTË HESHTJE NË NDERIM TË PRESIDENTIT RUGOVA 
     
      TIRANE , 23 Janar/ATSH-Anila Struga/.- Kuvendi i Shqipërisë mbajti sot (e Hënë) pasdite një minutë heshtje në nderim të emrit dhe veprës së Presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i cili u nda nga jeta dy ditë më parë. 
     Në seancën e sotme ishin të pranishëm Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, Kryeministri Sali Berisha, anëtarë të kabinetit qeverisës, përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, etj. Kjo seancë e jashtëzakonshme, e cila e transmetua direkt jo vetëm nga televizionet e Tiranës, por edhe nga ato në Kosovë.
      Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, në mesazhin e përcjellë në këtë seancë të veçantë homazhi, shprehu dhimbjen “për humbjen e mitit të pavarësisë, shqiptarit të madh, Presidentit të adhurueshëm Dr. Ibrahim Rugova”. Ajo e cilësoi atë “rilindasi i shekullit të 20-të, politikani largpamës, heroi i paqes”. 
     “Personalitetet më të njohura botërore e njohën si liderin e rrallë shqiptar që inspiroi botëN me rezitencën paqësore ndaj okupimit të Milosheviçit. Ky frymëzues i madh i paqes dhe lirisë, që i priu Kosovës drejt pavarësisë si një vizionar i jashtëzakonshëm, në këtë mision të veçantë fitoi respektin ndërkombëtar”, tha znj. Topalli. 
     Më tej ajo vuri në dukje se “figura e Presidentit Rugova ka shërbyer si askush tjetër në ndërtimin e një imazhi të ri ndërkombëtar në rajonin tonë. I ardhur nga fusha e dijeve humaniste ai përvetësoi dhe vuri në zbatim të ditpërditshëm disa të vërteta të përjetshme siç ishin mirëkuptimi, toleranca dhe bashkëjetesa si mjete më të sigurta që mund të çojnë një vend drejt pavarësisë dhe Europës”. 
      “Me karakteristikat e një politikani largpamës dhe paqësor me mentaliete perëndimor, ai e përdori urtësinë e tij për të vënë thelemet e shtetit të ri të Kosovës. Vizioni i tij për Kosovën shkonte përtej kohës, përtej mendimeve dhe ishte kjo arsyeja që e bëri atë baba të pavarisësë së Kosovës. Rajonit e më tej, shqiptarëve kudo që ndodhen e kryesisht popullit të Kosovës, do t’i mungojë një lider i përmasave të Rugovës, por shqiptarët e Kosovës do të dinë të gjejnë forcën përmes dhimbjes për të vazhduar qetësisht rrugën për të fitur të drejtën e tyre për vetvendosje”, e përfundon mesazhin e saj kryetarja e Kuvendit Topalli. /gj.k/

 RUGOVA, PJESEMARRJE E GJERE NE CEREMONINE E VARRIMIT NGA PERSONALITETE NDËRKOMBËTARE

     PRISHTINË, 23 Janar /ATSH-Behlul Jashari/ – Në ceremoninë e varrimit të Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, pritet të marrin pjesë Havier Solana, Përfaqësues i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Europian dhe Martti Ahtisaari, Kryenegociator ndërkombëtar i bisedimeve për statusin e Kosovës. 
    Në hotelet më me emër të Prishtinës, siç merret vesh, kanë bërë rezervime Qeveria e SHBA-së, ajo e Japonisë, Holandës, Suedisë, etj. Burime në Prishtinë paralajmërojnë përfaqësim të nivelit më të lartë nga vendet e rajonit. Përveç krerëve më të lartë të Shtetit, Qeverisë e politikës shqiptare, në varrimin e Presidentit Rugova në Prishtinë do të vijnë Janez Dërnovshek, President i Sllovenisë, Stipe Mesiç, President i Kroacisë, Branko Cërvenkovski, President i Maqedonisë dhe Milo Gjukanoviç, President i Mailit të Zi. Milo Gjukanoviq. Ceremonia e varrimit e Presidentit Rugova do të bëhet më 26 janar, në Varrezat e Heronjve dhe Dëshmorëve në Prishtinë.
/pas/

KOSOVE, RRADHË TË GJATA QYTETARËSH PRESIN TË BËJNË HOMAZHE PRANË TRUPIT TË PAJETË TË  PRESIDENTIT RUGOVA 
 
     PRISHTINË, 23 Janar /ATSH-Behlul Jashari/ – Shumë qytetarë kosovarë janë mbledhur sot (e Hënë) para Kuvendit të Kosovës, në pritje për t’i bërë homazhe Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.   
     Shumë prej tyre kanë ardhur nga e gjithë Kosova dhe hapësirat e tjera shqiptare dhe kanë mbushur sheshin Skënderbej dhe rrugën “Nënë Tereza” në Prishtinë.  Qindra qytetarë presin të nënshkruajnë Librat e Zisë, që janë vendosur në Bibliotekën Kombëtare e Universitare dhe në Teatrin Kombëtar në Prishtinë.
     Kosova mban zi sot për Presidentin e saj, Ibrahim Rugova, i cili vdiq të shtunën, në moshën 61 vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë.
/s.s./lira/ 

ZBULOHEN EMRAT E DELEGACIONIT SHQIPTAR, QË DO TË MARRË PJESË NË HOMAZHET PËR PRESIDENTIN RUGOVA


     TIRANË, 23 Janar/ATSH-Gj.Koja/- Zbulohen emrat e delegacionit zyrtar shqiptar, që do të marrë pjesë në homazhet për Presidentin e Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. 
     Burime zyrtare nga Qeveria bënë të ditur sot (e Hënë) për ATSH-në se në këtë delegacion do të bëjnë pjesë Presidenti Alfred Moisiu, Kryeministri Sali Berisha, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Ministri i Punëve të Jashtme, Besnik Mustafaj, ish-presidenti Rexhep Meidani, Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Bamir Topi si dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Pandeli Majko.

     Ceremonia e varrimit e Presidentit Rugova do të zhvillohet, të enjten,  në datën 26 janar./s.s./

KOSOVË, PËRCAKTOHEN DETAJET E VARRIMIT TË PRESIDENTT RUGOVA

      PRISHTINË, 23 Janar /ATSH-Behlul Jashari/ – Varrimi i Presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, do të bëhet të Enjten, më 26 janar, në orën 12:00 në Prishtinë. Ai do të përcillet për në banesën e fundit si burrë shteti, me të gjitha ceremonitë shtetërore dhe sipas riteve kombëtare shqiptare.
      Kjo u bë e ditur sot (e Hënë) nga Këshilli Organizativ i varrimit, që përcaktoi detajet e ceremonisë mortore që do të zhvillohet për Presidentin e Kosovës.
       Të gjitha ceremonitë do të organizohen nga institucionet e Kosovës, me mbështetjen e UNMIK- ut dhe të KFOR- it, ndërsa për sigurinë e ceremonisë do të kujdeset Shërbimi Policor i Kosovës.
       Përfaqësues të institucioneve të Kosovës, diplomatë të vendeve të huaja dhe  përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare do të bëjnë homazhet pranë trupit të pajetë të Presidentit Rugova nga dita e hënë deri ditën e mërkurë, nga ora 09:00 deri në orën 12:00, ndërsa pas kësaj ore qytetarët e Kosovës do të mund t’i bëjnë homazhe Presidentit të tyre. Ceremonia e varrimit do të zhvillohet në sallën e sporteve “1 Tetori”, në Prishtinë. 
     Këshilli i Varrimit mori vendim që në Kosovë të mbahet 15 ditë zi, duke filluar nga dita e sotme. 
     Ky këshill ka krijuar tri grupe pune,  grupin që do të përkujdeset për delegacionet e vendeve të huaja, grupin që do të merret me çështjet e sigurisë dhe grupin për bashkëpunim me media dhe me opinionin.
     Qytetarët e Kosovës do të mund të shkruajnë konsideratat e tyre në Librat e Zisë për Presidentin e Kosovës, që do të vendosen në Bibliotekën Kombëtare e Universitare dhe në Teatrin Kombëtar, në Prishtinë dhe në të gjitha kuvendet komunale të Kosovës. 
/lira/s.s./

PRESIDENTI RUGOVA DO TË VARROSET NË VARREZAT E HERONJVE DHE DËSHMORËVE NË PRISHTINE

     PRISHTINË, 23 Janar /ATSH-Behlul Jashari/ – Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, do të varroset në varrezat e heronjve dhe dëshmorëve në Bregun e Diellit në Prishtinë, njoftoi sot (e Hënë) Presidenca e Kosovës.
     Kosova ka shpallur 15 ditë zi për nder të Presidentit Rugova, ndërsa varrimi i tij do të bëhet në ditën e pestë të zisë në Kosovë, të Enjten, më 26 Janar.
/lira/s.s./

KOSOVË, NISIN HOMAZHET PRANË TRUPIT TË PAJETË TË PRESIDENTIT RUGOVA 

     PRISHTINË, 23 Janar /ATSH-Behlul Jashari/ –  Përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare nisën sot (e Hënë) në mëngjes homazhet pranë trupi i pajetë të Presidentit Ibrahim Rugova, në hollin e Kuvendit të Kosovës.
      Homazhet e autoriteteve zyrtare do të vazhdojnë deri në orën 12:00, kohë në të cilin qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi të bëjnë homazhe pranë trupit të pajetë të Presidentit deri në orët e pasdites.
     Këshilli Organizativ i varrimit shpalli dje 15 ditë zi kombëtare për nder të Presidentit Rugova, ndërsa varrimi i tij do të bëhet në ditën e pestë të zisë, më 26 janar.
     /lira/
                

KOSOVE, DACI E KOSUMI I BËJNË HOMAZHE PRESIDENTIT RUGOVA 

     PRISHTINË, 23 Janar /ATSH-Behlul Jashari/ – Kryeparlamentari Nexhat Daci, Kryeministri Bajram Kosumi, Shefi i Zyrës Amerikane në Prishtinë, Philip Goldberg, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryetari i Partisë ORA, Veton Surroi bënë homazhe sot pranë trupit të pajetë të Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
     Arkivoli me trupin e pajetë të Presidentit të Kosovës u vendos në mëngjes në hollin e Kuvendt të Kosovës dhe pranë tij kryen nderime Garda e Trupave Mbrojtëse të Kosovës.
/lira/f.s/

 GAZETA RILINDJA E 27 JANARIT 2006: BOTA NDEROI PRESIDENTIN HISTORIK TË PAVARËSISË SË KOSOVËS, IBRAHIM RUGOVA

 Para 14 vitesh, gazeta tradicionale e Kosovës, Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha, ka raportuar se, më shumë se gjysëm milioni njerëz u mblodhën në Prishtinë, gjithë bota nderoi në përcjelljen e fundit për Presidentin historik të Pavarësisë së Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili prehet në amshim në lagjen Velania te Bregu i Diellit, të kryeqytetit.

Gazeta Rilindja në botimin special, në kryelajmin lart krahas logos-emrit shkruante: 500.000 NJERËZ – MË SE 500.000 NJERËZ NËPËR RRUGËT DHE SHESHET E PRISHTINËS, NË SALLËN “1 TETORI”, TE VARREZAT E DËSHMORËVE E HERONJËVE TË KOMBIT NË LAGJEN VELANIA NË BREGUN E DIELLIT I SHPREHËN NDERIMET MË TË LARTA KOMBËTARE E NDËRKOMBËTARE PRESIDENTIT HISTORIK TË PAVARËSISË SË KOSOVËS, DR. IBRAHIM RUGOVA.

Kryetitulli i ballinës në gazetën Rilindja ishte BOTA NDEROI e nëntitulli NDERIMET MË TË LARTA KOMBËTARE DHE NDËRKOMBËTARE.

Në ballinën e gazetës Rilindja paralajmëroheshin tre intervista ekskluzive të gjata që ribotoheshin në faqet e brendshme, e që i kisha zhvilluar me Presidentin historik Ibrahim Rugova në kohën e lëvizjes e luftës së Kosovës për liri, pavarësi e demokraci dhe pas luftës në Kosovën e lirë: PRESIDENTI RUGOVA PARASHIKOI DHE KRIJOI TË ARDHMEN E KOSOVËS DHE TË SHQIPTARËVE. TRI INTERVISTA EKSKLUZIVE, E PARA PARA 12 VJETËVE.

Fotoja e vetme në ballinën e gazetës Rilindja ishte pamja nga Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, para Kuvendit e Qeverisë, ku tash është sheshi me emrin e shtatoren e Presidentit të parë e historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Në atë pamje-fotografi, në plan të parë ishte një pano-bilbord-kornizë ngjyrë ari me portretin e Presidentit historik me Flamurin e Dardanisë në anën e djathtë, nën të cilën ishte shkruar: Dr. IBRAHIM RUGOVA President i Kosovës (1944 – 2006).

DR. IBRAHIM RUGOVA PRESIDENT HISTORIK I PAVARËSISË SË KOSOVËS PËRGJITHMONË, shkruante me shkronja të mëdha gazeta Rilindja nën fotografi dhe me këtë përmbyllej imazhi i faqes së parë.

Në mëngjesin e 27 Janarit 2006, nga Prishtina në Tiranë për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë kam raportuar kështu për atë se çka shkruante shtypi i Kosovës për ngjarjen e një dite më parë:

SHTYPI I PRISHTINËS: MBI 500.000 NJERËZ NDERUAN RUGOVËN

Gazetat e Prishtinës sot (27 janar 2006) shkruajnë gjerësisht për nderimet e larta kombëtare e ndërkombëtare  dhe për praninë më të madhe diplomatike në historinë e vendit në varrimin e djeshëm të Presidentit Rugova.

“Mbi 500. 000 njerëz kanë marrë pjesë në nderimet më të larta kombëtare e ndërkombëtare në ceremoninë e varimimit të Presidentit Rugova”, sipas gazetës tradicionale të Kosovës “Rilinda”, që sot në një numër special ka kryetitullin “Bota nderoi”.

Eksluzive te “Rilindja” tri intervista të Presidentit Rugova në periudha të ndryshme, e para para 12 vjetëve dhënë ATSH-së: “Presidenti Rugova parashikoi dhe ndërtoi të ardhmen e Kosovës dhe të shqiptarëve”.

“Koha ime po vjen”, është kryetitulli i shoqruar me një foto të madhe të Presidentit Rugova në gazetën më të re të Kosovës “Iliria Post” në numrin e saj të parë sot. “Kur flet loti s’ka vend fjala” është një nga titujt e tjerë të kësaj gazete, që boton deklarata të përsonaliteteve kombëtare e ndërkombëtare që vlerësojnë Presidentin Rugova.

“Kosova dhe bota i dhanë lamtumirën e fundit Presidentit të Pavarësisë, Dr. Ibrahim Rugova”, shkruan në ballinë gazeta “Zëri”. Një titull tjetër është nga një deklaratë e Havier Solanës: “Jam i mahnitur me dinjitetin e popullit të Kosovës në  këto ditë të zisë dhe të pikëllimit”. “Perëndimi kërkon nga kosovarët që të bashkohen për të përmbushur boshllëkun pas vekjes së Rugovas”, është titulli nga deklarata e nënsekretarit amerian Nikollas Berns.

“Lamtumirë President, Rugova përcillet me Flamurin e Himnin e tij”, është titulli kryesor n gazetën “Kosova sot”.

“Kosova u nda nga Presidenti i parë i saj Ibrahim Rugova. Lamtumirë”, është kryetitulli në gazetën “Lajm ekskluzive”. Gazeta njofton se në varrimin e Rugovës ishin 36 delegacione shtetrërore me rreth 200 anëtarë.

“Lamtumirë President”, është kryeartikulli i gazetës “Koha ditore”. Kjo gazetë paralajmëron: “Ahtisari sot në Bruksel, të marten takohen ministrant e Grupit të Kontaktit”. “SHBA fton shqiptarët që t’i refuzojnë ata që i rreken dhunës”, është një titull tjetër në “Koha ditore”.

“Prehu i qetë në dheun e Kosovës, Dardanisë antike, President Rugova”, është titulli kryesor në gazetën “Bota sot”. “Presidenti i Kosovës i tregoi botës, që nganjëherë diti të jetë indiferente, për vuajtjet e Kosovës”, është një titull tjetër i gazetës, që citon fjalën e Kryeadministratorit Petersen në ceremoninë mortore.

“Presidentit Rugova iu dha lamtumira e fundit”, është kryeartikulli i gazetës “Epoka e re” nga ceremonia e varrimit, e cila gazetë thekson edhe pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë ndërkombëtarë dhe përfaqësuesëve nga shumë vende të botës.

“Pacifisti nderohet nga ushtarët”, është titulli qëndror i gazetës “Express”. “Kosovarët i dhanë nderimet e fundit presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, një ceremoni tejet e organizuar dhe me praninë më të madhe diplomatike në historinë e vendit”, shkruan gazeta “Express”.

URIMI I GAZETËS RILINDJA PRESIDENTIT RUGOVA NË FUNDVITIN 2005:

RILINDJA GAZETA TRADICIONALE E KOSOVËS

Shumë i dashuri dhe i nderuari President i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova,

Kemi nderin që nga gazeta tradicionale e Kosovës Rilinda dhe unë t’iu drejtohemi me të gjitha urimet më të mira të Rilindjes dhe të miat për Vitin e Ri 2006.

Dhashtë Zoti që në vitin e madh dhe historik 2006 të nënshkruani Pavarësinë e Kosovës të njohur ndërkombëtarisht.

Me këtë rast Ju dërgojmë edhe Kalendarin e Pavarësisë, që e ka botuar sot Rilindja.

Siqerisht dhe me shumë respekt,

Behlul Jashari

Kryeredaktor i Rilindjes

Prishtinë, 31 dhjetor 2005

http://www.trepca.net/2006/01/060124_komemoracion_ne_rilindje.htm

Komemoracion në Rilindje – nderimet më të larta për Presidentin e Pavarësisë, Dr. Ibrahim Rugova

Prishtinë, 24 janar 2006 /TN /QIK – Ndërmarrja Rilindja në një mbledhje komemorative ka shprehur sot nderimet më të larta për Presidentin e Kosovës, Dr.Ibrahim Rugova.

Presidenti historik i Pavarësisë së Kosovës me penën, fjalën e veprën e tij madhore gjithmonë ishte dhe do të jetë në Rilindje, tha krytetari i Këshillit Drejtues e Kryeredaktori Behlul Jashari, duke përkujtuar se kishte nderin që Dr. Rugovës

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari-Ibrahim rugova-President Historik

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 757
  • 758
  • 759
  • 760
  • 761
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Gazetaria si ndëshkim publik…
  • Disa qasje hermeneutike dhe fenomenologjike ndaj tekstit poetit të Martin Camajt
  • Kongresmenët Amerikanë Paraqesin Rezolutë për Vazhdimin e Pranisë Ushtarake të SHBA-ve në Kosovë
  • Helmi virtual
  • Vatra u prit në Selinë e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK
  • SKËNDERBEU NDËRMJET BARLETIT DHE ZANOVIQ-IT: NGA HISTORIOGRAFI HUMANISTE NË MODEL KONCEPTUAL ILUMINIST
  • Patronimet kolektive me -aj , si identitet shqiptar i Malësisë së Madhe
  • Ledia Xhoga Captivates at Fan Noli’s Virtual Cultural Event
  • Congressman Keith Self Introduces Resolution Supporting the Integration of Kosovo into NATO
  • NJË MOMENT I RI GJEOSTRATEGJIK DHE NJË HAP I RI NË ARKITEKTURËN EURO-ATLANTIKE TË SIGURISË
  • Me virtuozen Alda Dizdarin në zemër të Londrës
  • Kur një masakër bëhet gjenocid? Reçaku, Panariti, Tivari dhe Çamëria në dritën e së drejtës ndërkombëtare
  • Speaking this Saturday, May 2, at the NYFCR Annual Statewide Conference with students and young leaders from across New York
  • Për çfarë ka nevojë Shqipëria?
  • Ernesto Sabato, gjeniu i letërsisë latino-amerikane që u rrit në prehrin e një nëne shqiptare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT