• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

USHTRI KRENARIE DHE NDERI I KOSOVËS

January 1, 2020 by dgreca

-Presidenti Thaçi priti Vitin e Ri 2020 me ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë/

Prishtinë, 1 Janar 2020-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, mbrëmë e ka pritur Vitin e Ri 2020 me ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

Presidenti Thaçi me këtë rast uroi të gjithë ushtarët e FSK-së, të cilët ishin në detyrë. 

Kreu i vendit me rastin e ndërrimit të moteve i përgëzoi ata për punën e shkëlqyer që e kanë bërë.

“Jeni krenaria dhe nderi i shtetit të Kosovës, i qytetarëve të Kosovës. Është një e arritur e jashtëzakonshme themelimi i Ushtrisë”, u shpreh presidenti.

Ai më tej tha se si president i vendit, por edhe Komandant Suprem i Ushtrisë së Kosovës ndihet shumë krenar kur qytetarët e Kosovës festojnë në Kosovën e lirë, të pavarur dhe sovrane, ushtarët e FSK-së janë krye të obligimeve dhe përgjegjësive për ruajtjen e territorit të Kosovës, kufijve të Kosovës, forcimit dhe avancimit të ushtrisë sonë në rrugëtim për NATO.

“Kam besim të fuqishëm se siç jeni institucioni më kredibil i shtetit të Kosovës, në këtë rrugëtim do jenë edhe institucionet tjera”, u shpreh presidenti derisa i uroi ata personalisht, familjet e tyre dhe të gjithë qytetarët e vendit që të realizojnë të gjitha objektivat, dëshirat dhe vullnetet.“Për vitin e ardhshëm besoj fuqishëm se do jetë edhe më i suksesshëm sesa ky vit, e gjithmonë ju do jeni në krye të përgjegjësive dhe obligimeve dhe të jeni të sigurt se do ta keni gjithmonë shtetin afër jush dhe mbështetjen e vazhdueshme që me të vërtetë të jeni ushtri moderne, ushtri e standardeve perëndimore qysh jeni, dhe të jeni në krye të misioneve humanitare, paqësore edhe në Kosovë, edhe në rajon, edhe kudo në botë”, ka theksuar ai.Presidenti Thaçi një falënderim të veçantë u tha atyre për angazhimin jashtëzakonshëm, rekord dhe shumë profesional me rastin e tërmetit në Shqipëri./b.j/

Kryeministri në detyrë Haradinaj: FSK është krenaria e të gjithëve

Prishtinë, 31 dhjetor 2019/

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në vazhdën e vizitave të sotme, në prag të Vitit të Ri e përmbylli me vizitën në Forcën e Sigurisë së Kosovës

Me këtë rast kryeministri në detyrë Haradinaj u shpreh se qëllimi i shkuarjes në FSK ishte për t’ua shprehur atyre respektin dhe falënderimin që edhe sonte në natën e Vitit të Ri, janë në punë.

“Qëllimi i ardhjes është të ju falënderojmë dhe shprehim respekt për ju dhe gjithë kolegët e juaj që  janë në punë në çdo kohë, por sot veçanërisht  për ata që janë në detyrë e nuk mund të jenë bashkë me familjet e veta dhe t’iu them që krenohemi me ju me ushtrinë tonë. Njëkohësisht si ushtri e jona që jemi ne i shprehim falënderim ushtarëve të NATO-s që shërbejnë në Kosovë, i dërgojmë përshçndetjet më të mira komandantit të KFOR-it këtu, komandantëve të brigadave”, u shpreh kryeministri në detyrë Haradinaj.

Ndër tjerash, kryeministri në detyrë Haradinaj tha se ajo që na bën krenarë është që vërtet FSK-ja e ka besimin e të gjithëve pa dallime por edhe respektin e besimin e aleatëve të ushtrivë të botës, të miqve që kur vijnë tek ne në takime i thonë fjalët më të mëdha për ju.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ushtria

2020- KOSOVA NË NDËRRIM MOTESH, FESTË LIRIE NË SHESHE…

January 1, 2020 by dgreca

-Kosova pret gëzuar 2020-ën, tradicionalisht në sheshe nga viti i madh i lirisë 1999 i  hyrjes së forcave paqeruajtëse shpëtimtare të  NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINE, 1 Janar 2020/ Në Kosovë, edhe me koncerte në sheshe e plot njerëz në festë, u prit gëzuar 2020-ta, në pritje edhe të Qeverisë së re nga opozita fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 Tetorit, që ishin ngjarje e vitit 2019, të shtatat në 20 vjet liri e të katërtat në 11 vjet pavarësisi.

Në kryeqytet, Prishtinë, festa “PRite n’shesh” me shumë urime e nën shkëlqimin e fishekzjarreve ka vazhduar edhe pas mesnatës, në orët e para të ditës së sotme.

Në vitin 2020 djalë lindi fëmija i parë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, ku në vitin 2019 u lindën 9242 foshnje.

Pritja në sheshe e ndërrimit të moteve është tradicionale që nga viti i madh i lirisë së Kosovës,  hyrjes së forcave paqeruajtëse shpëtimtare të  NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në pranverën e 1999-ës. Në mbrëmjen e 31 Dhjetorit 1999 qinda mija njerëz për herë të parë të lirë ishin në sheshet kryesore të Prishtinës e të qyteteve tjera kosovare në pritjen e Vitit të Ri 2000.

“Afro 100 000 qytetarë e pritën Vitin e Ri në sheshet e Prishtinës”, ishte titulli i raportimit që kam bërë para 20 viteve për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë në 1 Janar 2000, ku theksoja se, “Kryeqyteti i Kosovës, që festoi Vitin e Ri për herë të parë në liri,
ishte një nga pesë qytetet e botës prej nga qendrat më të mëdha televizive
bënë transmetime të drejtpërdrejta”.

Ndërsa “Në robëri pritet veç festa e lirisë” dhe “Shpresë se s’ndërrojnë veç vitet” ishin raportimet nga Kosova në fundvitet e para 1999-ës, në vitet e shtetrrethimeve ushtarako-policore, luftës, masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit të Serbisë kundër shqiptarëve.

LAJMI QË KAM RAPORTUAR NGA KOSOVA PARA 20 VITEVE  NË 1 JANAR 1999:

https://groups.yahoo.com/neo/groups/albania/conversations/topics/3014


Afro 100 000 qytetarë e pritën Vitin e Ri në sheshet e Prishtinës

PRISHTINE, 1 janar /ATSH- B. Jashari/ – Afro 100 000 qytetarë në
Prishtinë e pritën Vitin e Ri në sheshe dhe rrugët e mbushura me borë në
shoqërinë e koncerteve dhe programe të ndryshme festive.
Kryeqyteti i Kosovës, që festoi Vitin e Ri për herë të parë në liri,
ishte një nga pesë qytetet e botës prej nga qendrat më të mëdha televizive
bënë transmetime të drejtpërdrejta.
Një mesazh solidariteti, me kërkesën për lirimin sa më të shpejtë të
7 000 djemve dhe vajzave kosovare, që vazhdojnë të mbahen peng në burgjet e
Serbisë, u lexua në sheshin kryesor “Nënë Tereza” të Prishtinës.
/dast/  

http://www.hri.org/news/balkans/ata/2000/00-01-01.ata.html

[02] Some 100 000 citizens welcome New Year on Prishtine Squares

PRISHTINE, January 1 (ATA)-By B. Jashari, Nearly 100 000 citizens of Prishtine received the New Year on snow covered squares and streets in the company of various festive concerts and programmes.

The capital of Kosova, which celebrated the New Year for the first time in freedom, was one of the five cities of the world from which the biggest TV centers carried live broadcasts.

A message of solidarity, appealing for the rapid release of 7 000 Kosovar sons and daughters, who continue to be held hostage in Serbia’s prisons, was read at the main square “Mother Teresa” of Prishtine. /dast/lm/

D’Arc Avenue 23, Tirana, Albania E-Mail:

Albanian Telegraphic Agency

Filed Under: Featured Tagged With: 2020

Kadare, “Komandant i Legjionit të Nderit”

January 1, 2020 by dgreca

Me rastin e përmbylljes së vitit 2019, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, me dekret të posaçëm i ka ndarë shkrimtarit Ismail Kadare urdhrin “Komandant i Legjionit te Nderit”. 

Ky është nderi me i madh që republika franceze i bën një njeriu. Urdhri është themeluar më 19 maj 1802 nga Napoleon Bonaparta.

Filed Under: Featured Tagged With: “Komandant i Legjionit te Nderit”, Ismail Kadare

Shtëpia e poetit

January 1, 2020 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Sapo afrohet 30 dhjetori thuajse për çdo vit realitetin tonë e frustron një inat kulturor mbi mos meremetimin a restaurimin e shtëpisë së poetit Gjergj Fishta. Një vend që po të llogarisësh se ka mbi 100 të ashtuqujtuara shtëpi botuese, mban panaire libri, ka po mbi 100 gjoja shoqata kulturore etj., prapë degradon në një indinjatë se përse nuk e restaurojnë shtëpinë e poetit në fshatin Fishtë të Lezhës. Në fakt në Shqipëri realiteti më i manipuleshëm është ai kulturor kësisoj jo rastësisht pushteti i kulturës ka karriken e fundit në kabinetin qeveritar. Sidomos pas të gjitha këtyre qeverive pas viteve 90-të, kultura tek ne trajtohet me buxhetin e banjove publike. Dhe veçmas shtetit, njerëzve të veshur me kostum e papion, ligjëvënësve a ligjëzbatuesve, armikun më të madh ka ata që merren me kulturën. Rasti më flagrant është fakti që edhe pse kanë kaluar 30 vjet demokraci akoma nuk ka një botues që t’i thotë autorit se do ta blej dhe tregtoj unë krijimin tuaj. Të gjithë duan lekë, madje të jesh në tavolina e të dëgjosh se si trajtohet libri është të vësh duart në kokë, autori duket një qenie mjerane përballë një kapteri që ka një liçensë shtypshkronje. I kërkon para i imponohet dhe mbase e sorollat ca muaj i jep kopjet si mall për ta shpërndarë. Dhe kanë të drejtë pasi liçensimi si botues nuk ka asnjë kriter mbi botimin a suportimin e vlerave por thjesht të një fabrikanti shtypshkronje. 

Nga ana tjetër emisionet televizive mungojnë totalisht por edhe ato që janë, janë të pushtuar nga njohja dhe bërja e qejfit mes shoqi-shoqit dhe subjektet debatohen pa lexuar librat. Madje momentalisht ka një rubrikë tek televizioni Vizionplus mbi botimet living, thuajse e përditshme ku autori shqiptar nuk bën pjesë fare. Aty publikohen me sqarime vetëm autorë dhe botimet e huaja, me pretekstin e prurjes së një letërsie bashkëkohore nga bota. Kjo është vrasja më madhe megjithëse e butë dhe me sfond muzikor dhe për më tepër me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Letërsia botërore ka vendin e saj, por nga ato mijëra subjekte të huaja të mos ketë subjekte shqiptare që prodhohen çdo vit, është me plot gojën një vetvrasje po shqiptare. Megjithëse kemi kaluar kohë të mëdha me thyerje ambasadash, si emigrimi, ikjet nga malet, me gomone. Kemi histori suksesi e dashurie plot në rrugët e Romës a Parisit, Bonit a Madritit, pa harruar Athinën New Yorkun e shqiptarëve, prapë subjektet tona vdesin diku. Në sytë tanë lodron bota, Amerika, Andlia, Franca etj. Kjo nga një mosbesim i shqiptarit karshi shqiptarit, pavarësisht se rrahim gjoksin etj. Ndaj nuk është e rastësishme që ekranet tona vetëm blejnë telenovela turke dhe identiteti shqiptar po degradon, nuk është e rastësishme që nuk prodhohet nga autorë shqiptarë. Madje autorët shqiptarë janë më të nëpërkëmburit dhe morra gjirizi që duhen shtypur. Në një të afërme jo të largët kultura jonë do jetë totalisht e asimiluar me dashuritë e detit të zi a ngushticës së Bosforit për rrjedhoj autori shqiptar do jetë plotësisht siç e përshkruan një poet nga Elbasani me vargje si këto, Shkruaj vjersha, kot që shkruaj/ Kur veç Fizes ia lexoj/ Tërheq muajt porsi buaj,/Tespi orësh numëroj. Quhet Nexhip Ejupi, mund të ketë me dhjetra dorëshkrime por ”botuesit” shqiptarë duan lekë. Pavarsisht kadencës së mrekullueshme, me gjuhë shqipe të stilizuar për tu patur zili, prapë botuesit shqiptarë janë të zënë me letërsinë e huaj. Dhe për më keq akoma, një vend që ndan çmime, i jep ato me kriterin e njoh unë atë, jo me kriterin e tregun. Për më tepër që sot e ka kthyer institucionin e çmimit një biznes të mirëfilltë. U zgjatëm jo pa qëllim por për arsyen e thjeshtë se, kur ja lëron nënën ai i kulturës krijuesit, autorit, çfarë pret nga shteti që akoma ka brenda vetes njerëz të diktaturës. Çfarë kujdesi pret nga ata për korifenjtë. Merrni këtë qeveri, është krye i biri, babai i të cilit vari poet në litar. I thoni dhe ligjit të shpifjes të më vërsulet se, nuk e besoni. Franca do e zbythte një rast të tillë, kurse ne që vdesim për Francën për Notre Damin, i bëjmë pjellat shefa qeverie. Rasti i shtëpisë së Fishtës është për të vënë duart në kokë, apo ajo që unë e përsëris shpesh e më shpesh, faqja jonë e zezë. Dhe vini re një gjë, megjithëse janë afruar donatorë, prapë nuk meremetohet. Nxjerrin si justifikim kriteret e komisioneve të restaurimit etj. Janë të qëllimshme, si mund ta restauroj shtëpinë e Fishtës ta zëm një qeveritar si Taku. Vjen e djathta në pushtet deputet, vjen e majta po aty. Taku dhe soji i tij ia prishën varrin poetit, ia hodhën eshtrat në lum. Mund t’i restaurojnë shtëpinë ndonjë proletari, por jo Fishtës. Megjithëse është rasti më unik, unanimisht i pranuar, prapë e kemi kthyer në modë ankimin. Hapni një llogari bankare, se nuk ka për të mbetur këmbë shqiptari pa dhënë diçka. E burra fisnikë ka plotë ajo anë që të merren me paratë, gëlqere po ashtu. Lasgushin e lamë të bridhte rrugëve, nuk e dinim që ishte gjallë, tani shesim mend me vargjet e tij. Shteti, shteti…, shteti i kujt? I komunistëve do meremetoj shtëpinë e poetit kombëtar? Asesi, veçse Fishta po të ishte një poet jugosllav, sovjetik a kinez, po. Por Fishta është i gjuhës shqipe, i shqiptarëve dhe ata kjo i tmerron.

Filed Under: ESSE Tagged With: Ilir Levonja-Shtepia e Fishtes

100 VJET….

January 1, 2020 by dgreca

Nga Fritz Radovani/ E Verteta asht vetem një! Kujt nuk i pelqen të vazhdojnë me pertypë rrêna!

Në 1999, ishte e para herë që kam ndigjue në Tiranë, nga Prof. Valentina Duka kumtesen “Roli i Klerit Katolik Shqiptar në Konferencën e Paqës në Paris, 1919 – 1920”, ku tha troç: “Fillimisht Turhan Pasha, me cilësinë e Kryeministrit Shqiptar, në përbërje të delegacionit, krahas vetes, caktoi edhe Mehmet Konicën (Ministër i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Durrësit), Mit’hat Frashërin dhe Mihajl Turtullin…” Kur mërrijtën në Paris këta drejtues, në shkurt 1919 “u këshilluen nga Ministri i Jashtem i Italisë Sonino, “që në delegacion të kishte edhe përfaqësues nga Shqipëria e Veriut dhe e Mesme…” Pra, kishte shkue puna deri aty, që “italianët” me u mësue mend delegatëve tanë, sesi me veprue per mos me na coptue shtetet fqinjë, bash atëherë kur vetë italianët, nuk i lenin asgja mangut komshijëve tjerë! Mosmarrveshjet mes tyne nuk zehen me gojë nga askush as sot gati mbas 100 vjetësh. Këte e verteton qendrimi i perfaqsuesëve të Shqiptarëve të Amerikës, Turqisë, Kosovës, Rumanisë, etj., që arrijtën deri aty sa me kerkue “edhe rikthimin e Esad Pashë Toptanit në drejtimin e shtetit shqiptar”… 

Qeveria e Durrësit vendosi të dergojë si Kryetar të Delegacionit Shqiptar, në Konferencën e Paqës në Paris Ipeshkvin e Lezhës Imzot Luigj Bumçin, i cili zgjodhi si sekretar të vetin françeskanin e njohun At Gjergj Fishta. Nga Shqipnia e Mesme shkoi Mustafa Kruja. Në delegacionin e ri u caktue edhe Luigj Gurakuqi, Dr. Mihajl Turtulli, Lef Nosi, Mehdi Frashëri, Mehmet Konica. 

Me datën 6 Mars 1919, Imz. Luigj Bumçi dhe At Gjergj Fishta u nisën në Romë, për me u takue me Papën Benedikti XV, një dashamirës i madh i Popullit Shqiptar. 

Mbas takimit me Papen, Imz. Bumçi dhe At Fishta u nisën për Paris. Shkelqimi i dy figurave të Klerit Katolik Shqiptar, kje i paimagjinueshem në Konferencën e Paqës. Imzot Luigj Bumçi ishte një përfaqsues i denjë i Atdhetarizmit dhe i çeshtjes sonë aq të randsishme për kenjen e Kombit Shqiptar. Imz. Bumçi takohet me të gjithë delegatët e të gjitha shteteve, dhe me njohjen e disa gjuhëve të hueja, Ai asht në gjendje me bisedue me të gjithë dhe me u paraqitë atyne se, “Shqiptarët sot janë vertetë pjesë e Europës së 

qytetnueme”. Takimet dhe kambngulja e Tij për zgjidhje të drejtë të çeshtjes Shqiptare, oratoria dhe prezenca e At Gjergj Fishtës përkrah Tij, janë një model i papersëritshëm! Imz. Luigj Bumçi porsa filloi detyren protestoi tek Presidenti Amerikan Woodrow Wilson, kundër barbarëve serb per krimet e kryeme në Shqipninë Veriore, Plavë Guci e Gjakovë. I kerkoi hymjen e trupave amerikane në zonën e Rugovës. Protestoi tek Ministri i Jashtem i Italisë Tittoni për marrveshjen me Kryeministrin grek Venizelos, në lidhje me kalimin e zonave të Korçës e Gjinokastres Greqisë. Në muejn Tetor 1919, Imz. Bumçi u takue me perfaqsuesin e Francës Pichon, dhe krytarët e delegacioneve të Shteteve të Bashkueme dhe Anglisë, të cilëve u kerkoi që të nderhyjnë për zgjidhjen e çeshtjeve në favor të Shtetit Shqiptar. Ndersa At Gjergj Fishta, udhtoi per këto çeshtje drejtë Anglisë dhe SH.B.A. Delegacioni Shqiptar tue vrejtë vështirsitë e mëdha per zgjidhjen e drejtë të atyne problemeve aq delikate, kerkoi nga Imz. Bumçi, në mbledhjen e 22 e 23 Dhjetorit 1919  nderhymjen urgjente të Tij tek Vatikani. 

Imz. Bumçi, si gjithmonë i gatshem per me zgjidhë çeshtjet kombtare, u pajtue me mendimin e Delegacionit dhe bashkë me Mehdi Frashërin, intelektual i njohun, u nis për Romë, dhe arrijti me 28 Dhjetor në Vatikan.

Takimi i Imz. Bumçit me Papen Benedikti XV u zhvillue me datën 1 Janar 1920, vertetë një takim i shkurtë, po me plot fryt për qellimin për të cilin Ai shkoi tek Papa. Në kujtimet e Tij historike Imz. Bumçi shkruen: “Tesh prá Shêjtni, të gjith misat e Dergatës Shqyptare qi janë në Paris e qi shumica asht mysliman, më kan çue ktu perpara Shejtnis S’Uej e të gjith per nji gojë U luten qi me fuqin t’Uej morale e me influencen e madhe qi keni në boten marë, të na epni ndimen t’Uej të vlefshme si e ku dini Ju Vetë, qi të na pështojnë dy provinçet shqiptare Korça e Gjinokastra, të cillat janë në rrezik prej akordit Tittoni – Venizelos.” Mbasi marova fjalët e mija, Papa Shêjt, si pat ndêjë nji grimë herë pa bâ zâ, u suell e më tha: “Po shka të baj për Ju? Me Itali s’kam shka me bâ, e din gjith bota si jena: me Francë marrdhanjet janë këputë – shka të bâj?” U pergjegja (Imz. Bumçi): “Un kishe me thanë, Shêjtni, se bota s’ka metë vetun në Itali e në Francë; ka në botë edhe Angli e Shtete të Bashkueme t’ Amerikës!” Papa bâni buzen në gaz, e me i ‘herë më pergjegji: ké të drejtë. E pra, neser do të piqemi me Ambasadorin e Anglis, masnesrit me até të Shteteve të Bashkueme; e po t’ ap fjalen se me të dy kam me folë e me ja porositë dy provinçet qi kenkan në rrezik e kam me ba shka të mundem per me Ju ndimue. Zoti ka m’e e ba mirë se prei Konferencet të Paris-it mos pritni punë të mira pse Zotin e kan qitë jashtë, e aty ku s’ asht Zoti drejtsija s’ mundet me kênê!” Këtu u mbyll biseda. Imz. Bumçi në fund i la një memorandum me shkrim per kujtesë, dhe bashkë me Mehdi Frashërin ikën në Paris, ku priteshin nga delegatët tanë. Atë natë u takuen me delegatët Shqiptarë, e mbasi Imz. Bumçi i vuni në dijeni per biseden me Papen, të gjithë u ngritën në kambë plot gëzim tue thirrë: “Rrnoftë Papa! Korça e Gjinokastra shpëtuen!”

Me 6 Mars 1920, mbas dy muejsh që Imz. Bumçi u takue me Papen Benedikti XV, në Paris mërrijti një notë e Presidentit të Sh.B.A. Wilson, simbas së cilës “integriteti territorial dhe sovraniteti i Shqipnisë, me kufijtë e vitit 1913, janë të paprekshëm!” Çeshtja Shqiptare u diskutue aty tue iu referue Programit të Presidentit amerikan W. Wilson: “E Drejta e Kombeve per vetvendosje”, që favorizoi Shqipninë.

Shteti i Parë që ka njoh Shtetin Shqiptar ka kenë Vatikani, i cili me 12 Nandor 1920 emnoi Delegatin Apostolik per Shtetin e Ri Shqiptar, Imz. Ernesto Cozzi, që porsa erdhi në Shqipni, i ngarkuem nga Papa vizitoi gjithë krahinat e Shqipnisë dhe në fund, me daten 28 Janar 1921, Imz. Cozzi mërrijti zyrtarisht në Shqipni. Papa Benedikti XV shkruen: “Tashti që Populli i Juej fisnik ka mujtë me fitue lirinë dhe ka hy në rrugen e përparimit të vërtetë, asht e arsyeshme që nëpërmjet Perfaqsuesit tonë të ripërtrijmë edhe njëherë e ma të forta ato lidhje që përsa shekuj e bashkuen Shqipninë me Kishën e Shejtë”. Burrat që shpetuen Shqipninë e sotme nga coptimi i fqinjëve në vitin 1919 – 1920 ishin: Imz. Luigj Bumçi, Papa Benedikti XV dhe Presidenti i Sh.B.A. W. Wilson. 

■E nder këta 100 vjet, kjo treshe Burrash, sa sot.., nuk asht kenë e nevojshme kurr! 

            Melbourne, 1 Janar 2020.

Filed Under: Fejton Tagged With: Fritz Radovani-100 Vjet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 775
  • 776
  • 777
  • 778
  • 779
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Gazetaria si ndëshkim publik…
  • Disa qasje hermeneutike dhe fenomenologjike ndaj tekstit poetit të Martin Camajt
  • Kongresmenët Amerikanë Paraqesin Rezolutë për Vazhdimin e Pranisë Ushtarake të SHBA-ve në Kosovë
  • Helmi virtual
  • Vatra u prit në Selinë e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK
  • SKËNDERBEU NDËRMJET BARLETIT DHE ZANOVIQ-IT: NGA HISTORIOGRAFI HUMANISTE NË MODEL KONCEPTUAL ILUMINIST
  • Patronimet kolektive me -aj , si identitet shqiptar i Malësisë së Madhe
  • Ledia Xhoga Captivates at Fan Noli’s Virtual Cultural Event
  • Congressman Keith Self Introduces Resolution Supporting the Integration of Kosovo into NATO
  • NJË MOMENT I RI GJEOSTRATEGJIK DHE NJË HAP I RI NË ARKITEKTURËN EURO-ATLANTIKE TË SIGURISË
  • Me virtuozen Alda Dizdarin në zemër të Londrës
  • Kur një masakër bëhet gjenocid? Reçaku, Panariti, Tivari dhe Çamëria në dritën e së drejtës ndërkombëtare
  • Speaking this Saturday, May 2, at the NYFCR Annual Statewide Conference with students and young leaders from across New York
  • Për çfarë ka nevojë Shqipëria?
  • Ernesto Sabato, gjeniu i letërsisë latino-amerikane që u rrit në prehrin e një nëne shqiptare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT