• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vlerësime të disa të huajve për Padër Gjergj Fishtën

November 3, 2019 by dgreca

Zgjedhur dhe përgatitur për botim prej librit “Gjergj Fishta – Jeta dhe veprat” e autorit Pal Duka Gjini, nga Anton Çefa/

Carlo Tagliavini

“Ndër shkrimtarë ende gjallë , vendin e parë e xen Padër Gjergj Fishta, Françeskan. . . . Pader Fishta asht përfaqësuesi ma tipik i literaturës gege.”

Maximilian Lambertz

“Populli shqiptar pat nji fat të madhe fort e krejt të jashtzakonshëm, çka popujve tjerë u ra për hise vetëm mbas qinda vjetësh të lavrimit letrar, pat due të them, të madhin e të lartin e të gjithve, atë që të pështetun krejtsisht në popull e vetëm në gjuhën e tij, që me vjerrsha të veta ndezi flakë zemrat, pat genin poetik të vetin në At Gjergj Fishtën. »

Norbert Jokl

« Atë Fishta, kjo zheni e rranjosun në tokën amtare të popullit shqiptar, që për shkak të njoftimit të kthellë të tij mbi literaturën e popujve klasikë e të jetës shpirtnore të kombeve të tanishme të Evropës, u kap deri ndër majet ma të naltat e kulturës së përgjithtë. »

Ivan Esih

« Fishta asht ma i madhi letrar shqiptar e ma i madhi organizator i kulturës arbënore. »

Luigi Federzoni

« Në Fishtën kemi pa se gjallonte e rrahte zemra e shpirti i kombit fisnik shqiptar me të g jitha bukuritë e miteve origjinale, të traditave mitike e kalorse, të dokeve besnike të vjetërsisë, të ndjenjave heroike. Secili nesh ka kuptue se Gjergj Fishta kishte me të vërtetë lartësinë e Poetit Kombëtar. Tani e dijmë se vepra e tij ka për të mbetë në mende e në nderim të shqiptarëve. »

Erwin Stranik

«Pader Fishta njihet si vjerrshtari ma popullor i shqiptarëve, si poeti ma i përzemërti i këtij populli. Si këtë kemi edhe nji të madh tjetër: Rabindranath Tagore. Edhe këtë na e çmojmë jo vetëm se asht nji poet prej Indije, por na në te kqyrim e çmojmë jo gjithaq poetin, sa njeriun. E kështu na perket edhe ne me çmue veten e Pader Fishtën të dalun prej ndjenjave të popullit shqiptar, ushqye me kulturën e Evropës së mesme, tue kërkue përplotësim në lidhjen harmonike të këtyne dy poleve.”

Dante Serra

“Fishta asht për t’u njehur në numër të atyne shkrimtarëve të mëdhaj që nderojnë popujt e qytetnuem të Evropës . . . Pa frikë gabimi, Fishta asht ma i madhi Poet që njeh Shqipnia.”

Antonio Baldacci

“Atë Gjergj Fishta asht përtrisi i gjuhës shqipe, apostulli i lirisë së Atdheut të vet, mbrojtësi i emnit e i përparimit të Shqipërisë, ndera e gjallë e popullit të vet.”

Padër Fulvio Cordignano

“Në vargjet e Fishtës unë gjeta poezinë që më donte ma fort zemra. Nëpër këtë poezi unë mujta me shijue gjithçka ishte ma të gjallë e ma të ambël në genin e në muzën e një populli krejt të veçantë.”

Domenico Frannzè

“Fishta . . .Orfeu i Shqipnisë, asht Mësuesi i Madh për mbasardhësa e vazhdues të literaturës shqiptare, . . . ai që zgjedh landën, sajon formën, i jep ngjyrën e vertetë kombëtare dhe i ven në gojë shprehje e fraza thjeshtë shqipe.”

Jozef Zdenjek Rausar

“Fytyra ma e shqueme e literaturës shqipe . . . prandej me arsye shqiptarët e quejnë Fishtën Homerin e Shqipnisë.”

Gaetano Petrotta

“Ndër vepra të Fishtës asht shprehë dhe pasqyrohet në mënyrën ma të thjeshtë shpirti i popullit shqiptar.”

Marie Amelie von Godin

“Zemra e Fishtës asht e ndezun flakë për Atdhe e vetëm çka paraqet vigëm Atdheu ia vlon gjakun ndër dej. Prej buzëve të tija rrjeh nji shqipe e fuqishme që del si bisedat e fatosave, e ambël si gazi i njaj grueje.”

Fr. Lovro Mihacèviç

“Fishta në Zader botoi veprën kryesore “Lahutën e Malcisë”, vepër kjo fort e randësishme, për të cilën mund të themi se asht për shqiptarë ate çka asht për 

ne poema “Luka Vukalović” apo “Osvetnici” i Maritić-it.

Giuseppe Gradilione

“Vepra (Lahuta e Malcisë) fishtiane përveçse asht vepër me vlerë estetike, ka meritën se në te autori krijesës artistike i ka dhanë nji jetë të pavdekshme, në mënyrë që nji popull gjen në te vetvetin si në rrethana ngadhnimi, asht në atë të vuejtjes.”

Paolo Emilio Pavolini

“Fishta shkroi poemë epiko-lirike me argument patriotik, kangë fetare, karme, melodrama dhe vargje satirike, të gjitha të frymëzueme nga nji besim i flakët në të ardhmen e Atdheut.”

Filed Under: ESSE Tagged With: Anton Çefa-Vleresime te huajve-At Gjergj Fishta

FJALA NË SIMPOZIUMIN KUSHTUAR AT GJERGJ FISHTËS

November 3, 2019 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/

                                    Kisha Katolike Shqiptare në Nju Jork,/  Salla Nëna Tereze, 2 Nëntor, 2019/- Përshëndetje…Falënderimet e mia bashk organizatorëve të këtij simpoziumi,  Shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Skendërbej” dhe Kishës Katolike, Zoja e Shkodrës –ku 50-vjetë më parë kam hedhur hapat e parë drejtë pjekurisë.   

Një falënderim i veçant i shkon famullitarit Dom Pjetër Popaj, i cili në frymën më fishtjane, që është e mundur, gjithmonë vepron – pa dallim feje a krahine — bazuar në fjalët që na kanë lënë trashëgimi At Gjergj Fishta: “Vërtetë ne kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë”.  Të gjithë jemi krenar me Ju, Dom Pjetër!

Historia moderne ka shënuar rolin e ish-Presidentit Ibrahim Rugova në marrëdhëniet e Amerikës me Kosovën në veçanti, por edhe në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane në përgjithësi.  Historia e fillim shekullit të kaluar, ka vulosur përgjithmonë rolin që ka luajtur Peshkop Fan Noli në takimin me Presidentin Wilson, në mbështetje të Shqipërisë. 

Por shumë pak njerëz dinë për vizitën tre mujore të At Gjergj Fishtës në Amerikë në vitin 1922.  Historia zyrtare shqiptare, me sa kam parë, nuk e përmend këtë vizitë, as rolin që ka luajtur At Gjergj Fishta në njohjen diplomatike të Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara.

Falë urrejtjes, harresës dhe anashkalimit zyrtar të At Gjergj Fishtës, për pothuaj një shekull nga regjimi komunist – përfshir edhe 30-vjet-post-komunizëm — pak njerëz mund të dinë kontributin e çmueshëm që Gjergj Fishta ka dhënë në atë që sot e quajmë “lobim”, në mbrojtje të interesave kombëtare.

Vizita e Fishtës në Amerikë kishte dy objektiva: një, që të “kujdesej për interesat e Shqipërisë”, lobim pra për njohjen diplomatike të Shqipërisë nga Washingtoni, sipas porosisë së Imzot Luigj Bumçit, Kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqës në Paris.  Objektivi i dytë ishte që Fishta të takohej edhe me personalitetet më të dalluara të diasporës shqiptare të asaj kohe në Amerikë.   Sipas të gjitha gjasave takimi me komunitetin shqiptaro-amerikan kishte shkuar shumë mirë për Fishtën, sa që në një letër që i kishte dërguar atij Faik Konica nga Bostoni, i shkruante Fishtës, ndë të tjera: “I Shkëlqyer mik, Ju falem nderit për letrën e bukur që më dërguat.  Kini lënë ndër shqiptarët e këtushëm një kujtim lartësie dhe drite, që ka shuar gjithë moskputimet e shkuara”. 

Provinciali i Kuvendit Françeskan në Shqipëri në atë kohë, At Pal Dodaj shënon në librin përkujtimor, “At Gjergj Fishta – 1871-1940”, se në një letër të datës 8-V-1922, dërguar atij nga At Gjergj Fishta prej Washingtonit, Fishta flet për veprimtarinë e tij lobiste në favor të njohjes diplomatike të Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara dhe për takimet që kishte zhvilluar me Senatorë katolikë amerikanë, me ndihmën e françeskanit të njohur amerikan Godfried Shilling, i cili në atë kohë thuhet se gëzonte influencë të madhe në qarqet diplomatike të Washintonit. 

Fishta shkruan: “Këtu në Washington kam kontaktue me nji senator katolik, siç të kam shkrue (29.4. 1922), dhe i jam lutë me u interesue pranë Qeverisë së Tij, për njohjen e Shqypnisë si Shtet i Pamvarun”, thuhet në letrën e Fishtës.  “Ai ka folë sot me Senatorin e Partisë Republikane, Henry Cabot Lodge…”, (politikan me autoritet i asaj periudhe dhe mbështetës i madh i rolit amerikan në punët botërore), “i cili më tha se njohja e Shqypnisë asht e mundshme, prandej Qeveria e Tiranës, t’a paraqesi kërkesën e Saj me shkrim në Nensekretariatin e Shteteve të Bashkueme t’ Amerikës”, porosit Fishta në letrën e tij drejtuar At Pal Dodajt. 

Në faqen tjetër të letrës, sipas Dodajt, Fishta është shprehur se, “Ndërkaq, vizita eme në Washington ka pasë, si përfundim, njohjen e Shqypnisë prej anës së Shteteve të Bashkueme të Amerikës.   Të gjitha përpjekjet e maparshme të Qeverisë sonë, si edhe ato të (Federatës Panshqiptare) “Vatra”, s’kanë pasë sukses…Kjenë Senatorët katolikë — të cilëve ua pata paraqitë çashtjen, sidomos, nga pikëpamja fetare—ata, të cilët, me ndërhymje të veta siguruan njohjen zyrtare të Shqypnisë nga Qeverija amerikane”, citohet letra e At Gjergj Fishtës dërguar nga Washingtoni, At Pal Dodajt. 

Kjo deklaratë e Fishtës përputhet me vizitën e tij në Washington dhe me të dhënat e Departamentit Amerikan të Shtetit lidhur me datën e njohjes zyrtare të Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tre muaj më vonë.   Sipas Zyrës së Historianit të Departamentit Amerikan të Shtetit, me anë të një telegrami që mban datën 25 Korrik, 1922, Sekretari Amerikan i Shtetit në atë kohë, Charles Evans Hughes, informon Komisionerin Amerikan në Shqipëri, Maxwell Blake se në datën 28 Korrik , 1922 ai mund t’i, “Dorëzojë Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë njoftimin me shkrim për njohjen de jure të Shqipërisë, nga ana e Shteteve të Bashkuara.”   

Sipas Zyrës së Historianit të (DASH) njohja zyrtare e shtetit shqiptar nga Washingtoni u pasua me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy kombeve tona, më 4 Dhjetor, 1922, kur Përfaqsuesi i Jashtzakonshëm dhe Ministri Fuqiplotë i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Ulysses Grant-Smith i paraqiti letër-kredencialet Qeverisë së Shqipërisë në Tiranë, pikërisht me 4 Dhjetor, 1922, thekësohet në tekstin e Zyrës së Historianit të (DASH). 

Besoj se At Gjergj Fishta meriton sado pak kredi nga historia për njohjen zyrtare të Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara, bazuar në ato që dijmë në lidhje me vizitën e tij në Amerikë ndërsa nevojiten më shumë hulumtime për ato që nuk dimë ende për këtë vizitë.

Thonë se njerëzit e mëdhej të një Kombi vlerësohen më shumë pas vdekjes se kur janë gjallë.   Fatkeqsisht, kjo nuk ka ndodhur me At Gjergj Fishtën, madje as sot 30-vjet mbas shembjes së-komunizmit.

Një bashkohas i tij, At Benedikt Dema është shprehur pas vdekjes së At Gjergj Fishtës se “Shqypnia do të nisë me e çmue ma tepër At Fishtën, kur në raste në të cilat Kombi kërkon e lyp ndërmjetësimin e nevojshëm të autoritetit e të veprimtarisë së tij”.  Duke marrë parasyshë situatën politike anë e mbanë trojeve shqiptare, besoj se kjo është koha dhe tashti është momenti, për ndërmjetësimin e autoritetit dhe të vlerave të At Gjergj Fishtës.

Fatkeqsisht, Atdheu i At Gjergj Fishtës nuk vepron më me entuziazmin e idealeve që ishin programi i jetës së tij: “Për të vendosur themelet e patundura të idealizmit kombëtar, për të prirë në luftime në mbrojtje të interesave të Kombit, për t’i gërshetue kunora lumnije racës mijëvjeçare shqiptare, gjakut të derdhun e flijeve të vuajtuna të Kreshnikëve të Kombit”, ka shkruar Benedikt Dema, duke shpresuar njëkohësisht se shqiptarët, si Komb i qytetëruar, do të dijnë t’i çmojnë njerzit e mëdhej të tij, duke i ndërtuar këtij gjeniu, atij Ati të Atdheut, një përmendore të pashlyeshme, “një shenjë të përherëshme e të denjë, për një komb të përparuem”.

Të nderuar: Sot, me 2 Nëntor shënohet, si çdo vit, Dita Ndërkombëtare për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së krimeve kundër gazetarëve.  Fishta, përveç të tjerash, ishte edhe gazetar e publicist.  Sot, në këtë ditë, bëjmë thirrje për lirinë e plotë të fjalës së lirë për At Gjergj Fishtën dhe që t’i jepet fund dhunës psikologjike ndaj kujtimit të tij.

Fatkeqisht, At Gjergj Fishta trajtohet sot nga një gjysëm censurë: lejohen botimet e veprave të tija, por zyrtarisht nuk pranohet nga institucionet shtetërore.  

 Pa At Gjergj Fishtën pra, pa vlerat kombëtare dhe pa idealet e lirisë që ai përfaqëson, Shqipëria nuk është e përparuar dhe, rrjedhimisht, pa At Gjergj Fishtën nuk është as Shqipëria as Kosova që duam!   Pa Fishtën edhe rruga e Kombit shqiptar drejt Evropës është e pamundur.  Gjithnjë bëjmë pyetjen se kur do t’i vijë radha At Gjergj Fishtës që, zyrtarisht, të zejë vendin që meriton dhe që i takon në historinë dhe në kulturën e Kombit shqiptar?  Uroj që ky simpozium të jetë një hap i vogël drejt këtij objektivi madhor për të ardhmen e Kombit Shqiptar. 

Si një shënim post scriptum – dy lajme të mira për Fishtën.  Një, kohët e fundit është përkthyer Lahuta e Malcis në frëngjisht, duke iu bashkuar kështu përkthimeve ekzistuese në anglisht, italisht dhe gjermanisht.  Dhe dy, për të qenë i korrekt, pasi gjatë viteve kam qenë shumë kritik ndaj autoriteteve të Tiranës në lidhje me Fishtën — lajmi tjetër i mirë është se gjatë një ceremonie në Lezhë, me rastin e 148 vjetorit të lindjes së Poetit Kombëtar, Ministrja e Kulturës e Republikës së Shqipërisë dhe Kryetari i Bashkisë Lezhë, kohët e fundit, njoftuan se, më në fund, është marrë vendimi zyrtar për restaurimin e shtëpisë së At Gjergj Fishtës!  Lajm shumë i mirë, megjithse i vonuar.  Me padurim presim realizimin e këtij projekti!

U falemnderit!

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank Shkreli-At Gjergj Fishtailing-Simpoziumi

Bulevardi i guerrilasve dhe krimet e pa ndëshkuara

November 3, 2019 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

”Or burra tash sa ditë që këta tela m’i keni ba provë në krye. Po si mendoni, kur nuk din gja kryet, po din gja b(ytha)?”, janë fjalët e një të deglasuari, i tha në torturë e sipër. Në fakt nuk ishte kundërshtar e as pro qeverisë, ishte një qytetar në punë të vet. Por fati i keq që kishte të njëjtin emër me një të arratisur në mal për të cilin thuhej se kish vrarë një oficer. Ama thuhej, nuk është se ishte e vërtetë. Nuk kishte asnjë lidhje me çfarë akuzohej, por duhej plotësuar plani dhe sipas hetuesit mirditorët janë e ku s’janë të gjithë me tre emra thirren, kështu që ai është ndaj rraseni brenda. Eshtë një paragraf i shkëputur nga libri i At Zef Pllumit, Rrno për me tregue. Nuk po zgjatem në përshkrimin e qelisë, apo trajtimit pasi është zi e më zi përpos trajtimit që fashistët i bënin të burgosurve të regjimit. Dhe jemi në vitet pas çlirimit, në kohën më të ashpër të luftës së klasave. Kohë të cilën me siguri në një të ardhme, historia do ta përmbledhi në një paragraf të vetëm, të tillë që, atë që të bën i joti nuk ta bën as perëndia. Them në një të ardhme pasi duket se niveli kulturor i joni hë për hë lë shumë për të dëshiruar. Sidomos kur shikon një të ashtuqujtuar akademik i cili në një ceremoni përkujtimore mbyt qafën me një shall të kuq thuajse është akoma në luftën e ashpër të klasave, duke vënë kështu në dyshim arsimimin e vet qoftë profesional, titujt shkencor dhe nivelin kulturor. Se i bie që kur lexon akuza të tilla, po të dënojmë se kleri katolik në mesjetë ka djegur të gjallë Galileo Galilein dhe Xhordano Brunon, të mbysësh veten me duart e tua. Nuk e di çfarë i emancipuar a i kulturuar a i edukuar mund të quhesh. Të vret kultura jote të pranosh absurditete të tilla. Dhe kësi bajate gjëmash kanë ndodhur në Shqipërinë tonë. E kam përmendur këtë edhe më parë, sapo ma kapën sytë. Jam rrënuar shpirtërisht, nuk doja ta besoja që në vendin tonë, timin, kanë ndodhur monstruozitete të tilla. Eshtë imagjinare të dënohesh për një krim të mesjetës dhe për më tepër diku në Europë, në perëndim. E për më tepër në rajonin që i kishim bërë bllokadë. Në vendin që e luftuam me armë, në vendin e fashistëve. Po kështu jam tronditur kur kam lexuar rreth Musine Kokalarit, madje më dërrmojnë edhe sot fjalët e saj kur thotë se, fakti që mendoj ndryshe nga ju kjo nuk do të thotë se e dua vendin tim më pak se ju. Gjithsesi Musinea përfundoi si fshesare rrugëve të Burrelit deri ditën që e griu kanceri në një apartament të mbikëqyrur. Nëdrkohë kujtoj se pak muaj më parë u çorrëm kur një mbesa e saj u zgjodh europarlamentare, por ata që u çorrën dyfish ishin persekutorët e saj. Po kështu me historinë e Sabiha Kasimatit, Zaho Kokës, e plot të tjerë. Pa mënjanuar shpirtin e bukur, mendjen e hapur të Petro Markos. Një persekutim brenda llojit për të përmbushur qëllimin absurd me çdo kusht. Madje krimi brenda llojit bëhet më i dhunshëm, më i frikshëm. Vitet e demokracisë kam rastisur të bisedoj me një ”intelektual”, viktimë brenda llojit. E kishin ngritur pupthi teksa flinte në një dhomë konvikti në Moskë, vetëm sepse babait në Tiranë i kishte dalë emri në një grup armiqësor. Ia ndërprenë studimet, e degdisën baltrave të Myzeqesë. Më tha se këtë nuk ia falte kurrë Enver Hoxhës, ai ia kishte bërë, jo partia. Mu dhimbs kaq shumë dhe nuk e di përse e mbante veten si intelektual, përse konsideronin si intelektual dhe e vendosnin në podiume. Megjithëse koha ime, shoqëria ime, demokracia ime, kishte shumë si ky. Këto janë vetëm ca grimasa nga universi i krimeve të shqiptarit karshi shqiptarit. Mund ta besosh që dy ditë e rrahu vëllai vëllain dhe në fund e dënoi me burgim të përjetshëm pikërisht për krimin mesjatar të klerit karshi dy dijetarëve. Nuk e ke di se çfarë shoqërie, çfarë kapaciteti kultural ka aty që mbledhin supet karshi fakteve të tilla. Kam përshtypjen se jemi pa gjak megjithëse na cilësojnë si gjaknxehtë. Kam përshtypjen se jemi një shoqëri e humbur.

Dhe pa diskutim pa nivel. Një shoqëri absurde. Eshtë kjo arsyeja që bulevardi qendror i Tiranës është mbushur me portrete guerrilësh. Duhej të ishin martirët, por janë persekutorët. Dhe mirë e kanë kur gjejnë. Në një shoqëri normale dhe me nivel sot gjindja do ishte në rrugë duke i çjerrur. Por të habit edhe fakti i atyre që i vuajtën nën kurriz mënxyrat, si kalojnë kollajllisht një fyerje të tillë. Duket se janë duar prerë, nuk kanë shkallare, rrinë me sytë tek dëmshpërblimet e qeverisë. A nuk ju dhëmbin plagët? Nuk ju dhëmbin telat? Nuk ju vërshëllejnë kamzhikët? A nuk ju trembin skodat e internimit? A nuk ju shtrydhet përbrenda e vërteta. Prisni lekët nga Rama dhe revoltën nga Luli?! Prisni kot dhe po ashtu kot do të shkoni.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja-Guerrilsat e Bulevardi

KUR VATRA PRITI AT GJERGJ FISHTËN NË BOSTON

November 3, 2019 by dgreca

NGA DALIP GRECA/

         Në simpoziumin kushtuar At Gjergj Fishtës, organizuar prej Kishes Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodres” dhe Shoqatës Skënderbej INC , të shtunën, 2 nëntor 2019, në qendrën Kulturore”Nënë Tereza” ekspozova dy momente që e lidhin Federatën Pan Shqiptare të Amerikës “VATRA” me At Gjergj Fishtën. Momenti i parë i takon vizitës së At Gjergj Fishtës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në axhendën e ngjeshur të ish nënkryetarit të Parlamentit të Shqipërisë, At Fishtës, nuk mund të anashkalohej Vatra, e cila deri në vitet ’20 të shekullit të shkuar ishte identifikuar me shtetin shqiptar, thënë më shqip, luante rolin e shtetit të munguar shqiptar:Kishte organizuar dy fushata të mëdha, atë 3 qershorit 1917, ku u mblodhën 150 mijë dollar, që shërbyen për organizimin e lobimit të Shqipërisë në Europë dhe në SHBA. 3 vjet më vonë një tjetër fushatë u organizua nga Vatra në ndihmë të shtetit shqiptar, Huaja Kombëtare, kur Vatra mblodhi 198 mijë dollar dhe ia dërgoi qeverisë së Sulejman Delvinës. Në mes të këtyre dy aksioneve kombëtare, qëndron takimi historik i Fan S. Nolit me Presidentin Wilson, me 4 korrik 1918, ku u mor premtimi prej presidentit amerikan se vota dhe fjala e tij do të ishin në mbrojtje të kombeve të vegjël, si Shqipëria.Fotografia e atij takimi dhe letrat e Nolit për atë takim historik ndodhen në arkivin e Vatrës.

  Në shkurt 1920 Vatra kishte dërguar në Shqipëri, Trupat Vullnetare që ishin sëtrvitur prej 4 vitesh në Boston, të cilat shërbyen për stabilizimin e kufijëve jugorë të Shqipërisë të shkelura nga invazionet e grekëve. Bashkë me 200 trupat e Vatrës ishte dërguar edhe Banda Muzikore e Vatrës, që nuk u kthye më në SHBA(me përjashtim të dirigjentit të saj Thoma Nasi); shërbeu si Bandë Muzikore e Shtetit Shqiptar deri në fillim vitet ’30, ndërkohë që edhe Trupat Vullnetare nuk u kthye më nv SHBA, por u transformua  në Gardë Kombëtare e Shqipërisë. 

Pra këto ngjarje i kishin paraprirë vizitës së At Gjergj Fishtës në SHBA. Vatra aso kohe ishte në qendër të opinionit shqiptar dhe vlerësohej si avokatja dhe shpëtimtarja e Kombit Shqiptar. Dhe At Fishta nuk mund të largohej nga Amerika pa u takua me Vatrën. Ai u prit nga Kryetari i Vatrës Faik Konica. Është  i njohur letërkëmbimi i Faik Konicës me At Fishtën. Siç e përmendi në simpoziumin kushtuar 148 vjetorit të Lindjes së Fishtës, gjatë kumtesës së tij gazetari Frank Shkreli: Faik Konica nga Bostoni, i shkruante Fishtës, ndër të tjera: “I Shkëlqyer mik, Ju falem nderit për letrën e bukur që më dërguat.  Kini lënë ndër shqiptarët e këtushëm një kujtim lartësie dhe drite, që ka shuar gjithë moskputimet e shkuara”.

Po cilat ishin moskuptimet e shkuara? At Fishat në Parlament kishte dalë kundër vendimit të qeverisë për të paguar Bandën Muzikore të Vatrës nga buxheti i shtetit, kur ajo shkoi në Shqipëri.

   Po le të kthehemi tek vizita e At Fishtës. Në Simpozium unë paraqita Vendimin e komisionit të Vatrës të 12 qershorit 1922. Vendimi mbanë firmën e kryetarit Faik Konica dhe sekretarit Kosta Isaak, por dhe anëtarëve të komisionit.

Miratimi është bërë në mbledhjen e 12 qershorit 1922, një takimin mujor, kur u mor edhe vendimi për Kuvendin vjetor të korrikut të atij viti. Në fund të vendimit janë firmat e Komisionit të Vatrës nën drejtimin e Kryetarit të saj Faik Konica, sekretarit Kosta Isaak, si dhe të anëtarëve: Kristaq Polena, Hasan Hysi, Xhevat Harxhi dhe George Prifti.

Nga rekordet që ndodhen në arkivine  Vatrës, shkëpusim këtë fragment nga vendimi i Komisionit të Vatrës:

Komisioni vendosi të ndihmojë me $500.00 nëkryetarin e Parlamentit At Gjergj Fishta. Shuma do të ndahet kësisoj: $250.00 për Fushatën e Shkollave; $100.00 një dhuratë për Gjimnazin e françeskanëve në Shkodër(me këtë shumë u porosit një saksofon kushtuar gjymnazit të Shkodrës, ku u gdhend emri i Vatrës, si dhe $150.00 do të përdoreshin për harxhet personale dhe udhëtimin e At Gjergj Fishtës. Ky vendim u muar si shenjë e vogël e dëshirës që Vatra ushqen për elementët shkollore dhe në respekt të At Gjergj Fishtës.

    Paraqita në këtë simpozium edhe një fakt tjetër: Nuk është hera e parë që vlerësohet vepra e At Fishtës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Iu referova Seminarit të Vatrës, organizua me rastin e 100 vjetorit të Lindjes së At Fishtës organizuar nga Federata Pan Shqiptare e Amerikës VATRA. Ky simpozium u organizua Hotel Waldorf Astoria, New York me 23 Prill 1972.

Ekspozova aty Ftesën e atij seminari, që ma pat dhuruar Tonin Mirakaj, pjesmarrës në atë seminar të vatrës, ku paten marrë pjesë më shumë se 200 persona. Në Krye të ftesës shkruheshin vargjet e Fishtës” Flamuri Kombëtar nuk ka shka ban nder ne,/ Po kje se dashuri nuk kemi per Atdhe’”…Seminari u hap nga nacionalisti Muharrem Babameto. Hymnet Kombëtare, American dhe Shqiptar, u kënduan nga Lume Juka. Seminari u përshëndet nga kryetari Theodhor Papalilo, i cili vlerësoi figurën e At Gjergj Fishtës dhe falenderoi ligjëruesi. Kryetari i Vatrës Gregory Chiriako ka përshëndetur seminarin dhe ka vlerësuar përmasat e figurës kombëtare të Fishëts. Folësi i parë, që mbajti kumtesën kryesore mbi jetën dhe veprën e At Gjergj Fishtës ishte Prof. Rexhep Krasniqi. Një kumtesë të veçantë mbajti Fehime Pipa. Ndër folësit e Seminarit ishin edhe: Profesor Dilaver Berberi, Dr. Feizi Domi, më pas u interpretuan vargje nga vepra e Fishtës.

Seminari është mbyllur me Hymnin e Flamurit ët At Gjergj Fishtës të kënduar nga Lume Juka.

Diaspora shqiptare e Amerikës e ka për detyrë që të sjellë në kujtesë veprimtaritë e paraardhësve të saj.

Filed Under: Featured Tagged With: Dalip Greca-At Fishtailing the VATRA

NJOFTIM MORTOR-FRAN SOKOLI

November 3, 2019 by dgreca

FRAN SOKOLI (4 Shkurt 1933 – 1 nentor 2019)/

Me hidhërim lajmërojmë komunitetin shqiptar, se me datën 1 nëntor 2019, u nda nga jeta në New York, në moshën 84-vjeçare.Funerali do të jetë ditën e diele më 3 nëntor 2019, në “Schwartz Brothers – Jeffer Memorial Chapels 114-03 Queens Boulevard Forest Hills New York 11375 nga ora 12:00 të ditës deri në ora 9:00 të mbrëmjes. Mesha e dritës do të kremtohet ditën e hëne më 4 nëntor 2019, në Kishën Katolike “Zoja e Shkodrës” (Our Lady of Shkodra Church at 361 West Hartsdale, Avenue, Hartsdale, New York 10530), duke filluar nga ora 11 para dite. Mbas Meshës, trupi i të ndjerit do të përcillet në varrezat “Gate of Heaven” 10 W Stevens Ave Hawthorne, NY 10532 

***

Mesazh ngushëllimi/

Kryesia e Lidhjes së Tretë të Prizenit me qendër në SHBA, shpreh sot ngushëllimet familjes Sokoli dhe farefisit të tij këtu në New York dhe Shqipëri, për kalimin në amshim të një ndër bashkëpunëtorëve më të ngushtë të saj, aktivistit të palodhur të çështjes kombëtare shqiptare Fran Sokolit.
Dje, me 1 nëntor 2019, në orët e mbrëmjes në “North Shore Hospital” Long Island, New York, në moshën 84-vjeçare, u nda nga jeta ushtaraku shqiptaro amerikanë Fran Sokoli, i cili, ishte i rrethuar nga familja dhe farefisi, të afërmit dhe miqët e tij të shumtë.
Frani deri sa kaloi në amshim për vite me radhë ishte arkëtari i Lidhjes së Tretë të Prizrenit në SHBA.
Kjo është një humbje e madhe për familjen Lidhjen e Tretë Shqiptare të Prizrenit në mërgim, miqët, shokët me të cilët ai punoi një jetë të tërë, në shërbim të çështjes kombëtare në diasporë.
Frani, pushoftë në paqe e i lehtë i qoftë dheu në token e së cilës ia kushtoi me përkushtim pjesën më të madhe të jetës, gjithnjë me mall për vendlindjen e tij që e la në moshë të re.

Kryesia e Lidhjes së Tretë të Prizenit me qendër në New York, SHBA

Kryetari
Ismet Berisha

Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes
Tomë Mrijaj

Antar i Kryesisë së Lidhjes së Tretë të Prizrenit në Mërgim: Klajd Kapinova

Filed Under: Politike Tagged With: Fran Sokoli-Njoftim Mortor

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 838
  • 839
  • 840
  • 841
  • 842
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT
  • NJË KUJTIM PËR PROFESOR FEHMI AGANIN
  • Kujtojmë në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin arbëresh të Italisë, Lekë Matrënga
  • Albanian Roots Parade, Saturday, June 20
  • DEBATI NË WASHINGTON — PSE FINANCOHET SHOQËRIA CIVILE JASHTË VENDIT?
  • Qyteti 2400-vjeçar që i përket njerëzimit – pasuri e UNESCO-s
  • Skënderbeu në medaljonin e vendosur në pullën e parë postare shqiptare, më 1 dhjetor 1913
  • Ervin Toro: “National Albanian Registry”, një investim në identitetin, fuqinë dhe të ardhmen e komunitetit shqiptar në Amerikë
  • Dualiteti juridik dhe kriza strukturore e barazisë në Maqedoninë e Veriut
  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT