• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vdekja e së kaluarës zvarritet në të sotmen

November 4, 2019 by dgreca

Nga Albana M Lifschin/

Dje në lagjen tonë vdiq dikush nga silikoza.Një vdekje natyrale është e zakonshme, por jo kjo. Kjo është njëlloj sikur të kanë dënuar më vdekje të parakohshme!
Korridori i madh në formë katërkëndëshi zinte mbi100 ngushëllues. Gra të veshura me të zeza rrinin ulur në karrige njëra pranë tjetrës. Jashtë oborri ishte mbushur me burra e djem të rinj. Sipas zakonit, burrat rrinin mënjanë dhe gratë vajtonin në anën tjetër të mbledhura bashkë. Kush kishte vdekur? Qe një burrë që s’kishte mbushur të pesëdhjetat.
– Nga se? – pyeta unë.
– Nga silikoza. Ka punuar në minierë gjithë jetën e vet.
– Ishte diçka që pritej, – tha një tjetër.
Minatorë vdisnin njëri pas tjetrit nga kjo sëmundje, edhe pse miniera e bakrit qe mbyllur me kohë.
Në Rubik, autobusi i linjës gjithnjë bën një ndalesë pranë urës, përpara një pllake të madhe përkujtimore për një grevë të rreth 400 punëtorëve të minierës në gushtin e vitit 1938, për kushtet e punës, paga më të larta
dhe një ditë pushimi në javë. Ajo pllakë për protestën e punëtorëve ishte aty për të kujtuar se ç’kishin hequr minatorët para luftës. Mendohej të shërbente si një ballafaqim me punën e kushtet e jetesës së minatorëve pas ‘pushtetit popullor’.
Sa minatorë kishin vdekur nga silikoza dhjetëvjeçarët e fundit? Sa i ishin nisur asaj rruge? Pas të tridhjetë e
pesave fillonte kolla. Pata lexuar një skicë të ndjerë për kollën e minatorit. Kolla ishte paralajmërimi i një vdekjeje të ngadaltë. Pluhuri i mineralit ka kohë që ka veshur mushkëritë e minatorëve, të cilëve, nga dita në
ditë, ua merr frymën deri në grahmën e fundit. I pari, i dyti, i treti, i njëqindti, i dyqindi, i pesëqindti i vdekur
nga silikoza. Jetë e këputur në mes. Ata që vdesin janë 40-vjeçarë, 50- vjeçarë… Rubiku! Rubiku! Miniera që
nxirrte bakër, kishte tri fabrika pasurimi. Njëra prodhonte ar që nuk e shihte askush. Male me bark të pasur,
njerëz me bark bosh.
– Një supë, – porosit minatori duke përfytyruar garuzhdën e mbushur plot me supë të ngrohtë.
– Me këto lekë nuk e merr dot supën. I ke mangët.
Ai ndjen fyerjen e krenarisë së vet, që e ka vënë poshtë varfëria.
– Nuk dalin as për një garuzhde supë? – Është i uritur dhe ka ftohtë. – Po për… nënsupë, a mjaftojnë?
E mbaja mend këtë skicë nga një libër dhe më la gjurmë në mëndje dhe në shpirt. A ekzistonte ‘nënsupa’?
Me siguri, thashë me vete, por ajo hahej për ‘supë’.
Supa e minatorit.

– Unë duhet të shkoj, – i thashë Zinës.
– Mirë asht të shkosh për respektin e të vdekurit, por gjithsesi ti je ende e huaj. Nuk ta ve re njeri. Po të ishe
vendase, do të qe ndryshe. Këtu të gjithë janë të njohur me njëri-tjetrin, i gjithë qyteti e përcjell të vdekurin te
varrezat.
“Kështu ka qenë edhe në Tiranë dikur”, më shkoi mua nëpër mend.
– Kur bëhet varrimi?
– Në orën dy pasdite. Po pate për të shku, shko tani.
Ngjita shkallët e apartamentit duke u përpjekur që të përmbaja veten. I vdekuri ishte një i panjohur për mua
dhe familja e tij po ashtu. Por pse më bëhej se e njihja?
Si-li- ko-za! Ja çfarë njihja. Kjo mjaftonte. Ishte pasaporta e të vdekurit, të cilën unë nuk doja ta pranoja. Një
minierë që i kishin mbetur të dukshme vetëm oxhaqet, si një titanik që po fundosej qetësisht. Ndërsa përpara
vetes kish një grusht hekurishtesh, kishte ende forcën t’i vdiste njerëzit e vet.
Kur mbërrita në sheshpushimin e katit pashë që dera e familjes së të ndjerit ishte hapur dykanatësh.
E zonja e shtëpisë, që ishte ulur në mes të dhomës, u ngrit dhe erdhi drejt meje duke zgjatur dorën.
– Zoti ju dhashtë kivet, – shqiptova unë ngushëllimin tipik të krahinës e pastaj u përqafuam. Hyra në dhomën
e mbushur me njerëz dhe ula sytë duke fshirë lotët, qe s’e dija se do të më tradhtonin aq shpejt. Njerëzit thoshin se të ndjerin e kishin mbajtur në spital gjatë, por ishte e kotë, pasi atë e kishte zënë silikoza me kohë.
Ky është vend i pirustëve; pasardhësit e tyre duhej të ishin të pasur. Por ata, mjerisht, janë në programe papunësie dhe presin radhën për të… vdekur. Të paravdekurit njiheshin nga kolla. Me atë kishin ushqyer familjen, kishin rritur fëmijët.
E zonja e shtëpisë u kthye nga unë duke më pyetur se si i kam robt e shtëpisë. Unë ngrita sytë dhe nuk munda
të përgjigjesha. Nxora shaminë e dorës dhe zura të fshija lotët që kësaj radhe filluan të më shkisnin faqeve
pa kontroll fare.
I ndjeri nuk arriti të shihte gëzimet e fëmijëve, djemtë burra, nuset e reja nëpër shtëpi. Njëri prej tyre kishte ardhur nga Italia, kishte sjellë me vete foshnjën dy vjeçe, e cila nuk dinte se përse ndodhej aty, se gjyshin s’e kishte njohur e nuk do ta njihte kurrë, por do të mësonte një fjalë në shqip, ndoshta më parë se shumë fjalë të tjera: sili-ko-za. Gjyshi i saj kishte vdekur nga si-li-ko-za!
– Më falni, – thashë, – ju lutem. E di që s’po e mbaj dot veten, por më vjen shumë keq për humbjen tuaj.
Më duket vdekje e padrejtë, – shtova. – Ai ishte në moshë t’u gëzohej fëmijëve për të cilët bëri një punë kaq të mundimshme, një punë që ia mori jetën.
M’u bë sikur mbi pllakën përkujtimore të minierës vunë një tjetër, ku thuhej se nga kjo minierë që prej
1944 e deri më sot kanë vdekur… mijëra minatorë nga silikoza, por ata asnjëherë nuk bënë grevë për përmirësimin e kushteve të punës, edhe pse kolliteshin, edhe pse e dinin se po vdisnin gradualisht, edhe pse lekët nuk u dilnin as për supë, ndërsa racionin e tyre të qumështit ua ndanin fëmijëve.
(Nga libri “Yjet nuk jane te Kuq” 2013, Albana Melyshi Lifschin)

Filed Under: LETERSI Tagged With: Albana M. Lifshin-vdekja e se Kaluares

EQEREM MUJO NE VATER

November 4, 2019 by dgreca

– Dorëzon në librarinë e Vatrës tri kopje të librit “Thinjat e Atdheut” të publicistit të njohur Eugjen Merlika, mik dhe bashkëvuajtës me Eqeremin/

Miku im, Eqerem Mujo, është një emër i njohur që ka kaluar kalvarin e diktaturës komuniste duke përshkuar ferrin e burgjeve dhe të internimeve. Ai ishte sot në Vatër. Nuk është hera e parë, madje ai është edhe anëtar i Federatës Vatra dhe abonent i gazetës Dielli. Bashkë me vëllanë Fatmirin, që po ashtu ka kaluar përmes burgjeve dhe internimeve si e gjithë familja Mujo, kanë qenë pjesmarrës në disa veprimtari përkujtimore që janë organizuar në Vatër me të përndjekurit politik si për revoltata e Spacit dhe Qafë Barit, për Mid’hat Frashërin e të tjera ngjarje. Sot ai erdhi për të dorëzuar në bibliotekën e Vatrës tri kopje të librit “Thinjat e Atdheut” të publicistit Eugjen Merlika, miku dhe bashkëvuajtësi i tij.

Biseduam me Eqermin edhe për kalvarin e vuajtjeve të tij, për Dosjen që i pat hapë atij Sigurimi i Shtetit Komunist, një dosje voluminoze, e cila qe hapë për të me 25 Korrik 1958 dhe u mbyll me 10 tetor 1991. Përmes dosjes shfaqen agjentë, bashkëpunëtorë,rezidentë, dëshmitarë, shumë prej të cilëve Eqeremi i ka ckodifikuar, por ai është tolerant dhe nuk nxiton që të dalë e të bëjë shpallje publike nëpër gazeta, TV apo rrjetet sociale. Me lejen e Eqeremit tjetër herë do ta shfletojmë dosjen që dëshmon tragjedinë dhe dramën e tij, familjes dhe mbarë shoqërisë shqiptarë në kohën e diktaturës.

Faleminderit Eugjen Merlikes, nje bashkepunetor i kualitativ dhe i palodhur me gazeten Dielli(por edhe me gazeten Illyria, kur une punoja atje), nje vazhdues i denje i gjyshit te tij, vatran e korrespondent i Diellit, Sotir Gjika).Kur editori e falenderoi me shkrim per dhurimin e librave per Vatren, sic ka bere per te gjithe librat e publikuar deri me tani, perfshi edhe ato te Mustafa Krujes, ai I shkroi editorit: “Jam shume i gezuar qe libri im i fundit do te jete ne dispozicion te lexuesve te Vatres. ndjehem dhe un nje pjese e vogel e asaj organizate te lashte ne te cilen ka dhene ndihmesen e vet edhe Gjyshi im, Sotir Gjika, rreth 110 vite me pare. Faleminderit shokut tim te ngushte te feminise e rinise, qe e plotesoi porosine. Falenderime edhe ty, Dalip, per bashkepunimin e gjate ne rreth 20 vite, gjithmone me respekt e konsiderate te ndersjellte, marredhenie shembullore edhe se nuk kemi patur fatin te takohemi fizikisht, edhe se, ne mos gabofsha,jemi njohur ne Lushnje kur ti punoje per Republiken. Shpresoj se Zoti do te na ndihmoje te shihemi perseri.Pershendetjet me te perzemerta.”

Eugjeni

Filed Under: Emigracion Tagged With: EQEREM MUJO -NE VATER-Thinjat e Atdheut-Eugjen merlika

ZHGËNJIME DHE SHPRESA

November 3, 2019 by dgreca

 

NGA EUGJEN MERLIKA/
            Kanë kaluar veçse pak ditë nga vendimi i fundit i Këshillit të kryetarëve të Shteteve e Qeverive t’Evropës së Bashkuar, përsa i përket fillimit të bisedimeve për hyrjen e Shqipërisë e të Maqedonisë së Veriut në BE dhe Jo-ja e Brukselit shkaktoi një valë të gjërë diskutimesh, që përfshinë shoqërinë shqiptare. Me që u bë e njohur se pengesa kryesore, që përcaktoi mohimin e hapjes së bisedimeve, qe Kryetari i Shtetit francez, Emmanuel Makron, i mbështetur nga kryeministrat e Hollandës e të Danimarkës, ai qe emri që u lakua më shumë në bisedat e mjediseve të ndryshme të të gjithë niveleve, duke filluar nga profesionistët e politikës dhe të mediave e duke mbaruar tek qytetarët e thjeshtë në baret e panumurta të qyteteve shqiptare.
            Politikanët e ndryshëm e partitë e tyre përkatëse u munduan të nxirrnin përfitimet  nga ajo ngjarje, për konsum të politikës së brëndëshme. Opozitarët jashtë parlamentit u shquan për lavdërimet në drejtim të presidentit francez, duke ligjësuar kundërshtimin e tij e duke u munduar të “mirëkuptonin” arsyet e tij që, sipas tyre, ishin në të njëjtën hulli të padive që prej kohësh bëjnë rreth “keqqeverisjes”, “lidhjeve të shumicës qeverisëse me krimin”, “korrupsionit mbizotërues” e duke e quajtur vendimin e Brukselit si një dështim të hapur vetiak të kryeministrit Rama, të pasuar me refrenin e kaqë muajve, të largimit të tij nga posti.
            Kryeministri dhe mjedisi i tij vunë theksin mbi problemrt e brëndëshme të BE, viktima të flijuara të të cilave mbetën Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, duke shpalosur me të madhe se ata i kishin plotësuar deri në një detyrat e tyre. Vlerësimet që erdhën nga shumë anë të Evropës politike, duket se i “shfajësonin” qeveritarët shqiptarë e maqedonas për veprimet e tyre, për më tepër se presidenti francez, në ligjësimin e qëndrimit të tij, u përqëndrua në “problemin e madh” të disa qindra shqiptarëve që paskëshin kërkuar strehim në Francë, madje vuri në dukje se “paska qënë një gabim edhe liberalizimi i vizave, pa filluar zyrtarisht bisedimet”, një vlerësim në kufijtë e qesharakes.
            Të dy këndvështrimet e ndërpretimeve të politikës shqiptare vuajnë nga anësia e subjektivizmi, duke thënë secili vetëm një pjesë të së vërtetës. Në rastin e Opozitës, janë të pajustifikuara lëvdatat për Makronin, në një kohë kur shumë drejtues shtetesh e organizmash evropiane e quajtën pa rezerva opinionin e tij që përcaktoi vendimin si “një gabim historik” të BE në kontekstin gjeostrategjik të Ballkanit e të perspektivave të tij politike. Shfrytëzimi i një fatkeqësie të përbashkët kombëtare, për të fituar kapital politik në luftën e brëndëshme për pushtet, nuk më duket një dukuri e lëvdueshme.
            Por a gjëndet një pjesë e së vërtetës së jetës shqiptare në paditë e Opozitës? Cila është përfytyresa e Shtetit shqiptar në vështrimin objektiv të qytetarëve të tij dhe t’atyre që e shohin prej së jashtëmi? Me keqardhje përgjigja është: jo ajo e dëshëruara dhe e duhura. Nuk mund të jetë i tillë një shtet, në të cilin nuk shihet asgjëkundi bashkërendimi i ideve e i veprimeve nga institucionet e ndryshme të tij, siç është parë kryesisht në këtë vit, kur ishte marrë premtimi zyrtar i Komisionit evropian për hapjen e bisedimeve. Gara për të prishur imazhin shqiptar nga tre përbërësit kryesorë të jetës institucionale si shumica qeverisëse, Opozita dhe Kryesia e Shtetit, ishte e pandërprerë. Pa hyrë  në hollësi të njohura për të gjithë, Shqipëria e vitit në vijim nuk bëri asgjë për të merituar premtimin që kishte marrë. 
            Ritmet e ngadalta e pothuajse të paqena të luftës kundër korrupsionit, të konceptuar nga shumica dërmuese e qytetarëve dhe e opinionit publik si krejtësisht të pamjaftueshme, kundërshtia e vazhdueshme ndërmjet qeverisë dhe presidentit, braktisja e paparimtë e parlamentit nga pothuajse gjysma e të zgjedhurve, vendime të pamenduara deri në ndërpretimin e kushtetutës nga ana e Kryetarit të Shtetit, pa asnjë vlerë praktike, zgjedhje të bojkotuara nga 80% e popullsisë, por të quajtura plotësisht të rregullta, përgjime telefonike që nxjerrin në pah, në mënyrë të pakundërshtueshme, shkelje të rënda ligjëshmërie në proçeset zgjedhore që kalojnë pa asnjë pasojë në sferat e larta të drejtimit, e mjaft dukuri të tjera negative janë pasqyrë e një shteti, klasa politike e të cilit, me gjasë, është e interesuar të fërgohet në dhjamin e saj më shumë se sa të hapet drejt Evropës. Me sa duket kushtrimi i të parëve të gjysëm shekullit komunist vazhdon të jetë i fuqishëm në nënëvetëdijen e drejtuesve të demokraturës pas komuniste, ashtu sikurse edhe në programin e veprimeve të tyre.
            Por, nëse kjo mund të jetë dëshirë e mbuluar e një klase politike, që nuk bën asgjë për të përgënjeshtruar vetveten, përposë demagogjisë e premtimeve të pambajtura, të cilët presin kalendat greke për t’u vënë në jetë, Shqipëria reale, ajo e njerëzve të thjeshtë e të ndershëm e jo e kastave të korruptuara, e vuajti në thellësi të saj përgjigjen negative të Brukselit zyrtar. Shqipëria është e lidhur me Evropën jo vetëm gjeografikisht e historikisht, por edhe shpirtërisht e kulturalisht. Në ndërgjegjen e saj ajo ka vështirësi të pranojë pamundësinë për të sendërtuar ëndrrën e saj të shekujve, për mungesa të klasës së saj drejtuese apo për teka politikanësh t’Evropës. Ajo ka nevojë për Evropën, për përvojën e saj demokratike, për të synuar që me kohë t’arrijë një standart jetese që t’i afrohet asaj të kontinentit, për ndihmat e kapitalet e këtij të fundit, të cilat duhet të ngjallin shpresën se edhe Vëndi i tyre DO TË BËHET. Ajo sheh se, me gjithë përparimet që janë bërë në keta tre dhjetëvjeçarë, në truallin e saj të lashtë ka humbur shpresa për “ditët më të mira”, që profetizonte dikur poeti kombëtar Naim Frashëri. Shqiptarët duan të shohin se mund të jetojnë si evropianë në Vendin e tyre, të sjellin Evropën në truallin e tyre, e jo t’a braktisin atë në kërkim të botës së madhe. Është një aspiratë e ligjëshme, të cilën askush nuk ka të drejtë të mos e përfillë. Por Evropa është edhe sinonim i disa parimeve, rregullave, kritereve, zgjedhjeve, të cilat duhet të jenë të njëjtë për të gjithë në bashkësinë shqiptare e më gjërë, n’atë evropiane.
            Nëntë kushtet që Bundestagu gjerman, në hullinë e respektimit tradicional të rregullave e shprehive të bashkëjetesës, na vuri përpara si shtet e si shoqëri, tregojnë se jemi ende larg parametrave evropianë, se nuk mund të ngrefosemi se i kemi kryer të gjitha detyrat tona, se kemi ende shumë për të bërë, duke filluar nga dialektika normale mes institucioneve, tek respektimi i meritokracisë, tek zgjedhjet e lira e të ndershme, tek njohja e rezultateve të tyre, tek moralizimi i jetës publike, tek hedhja poshtë e kundërvlerave të së shkuarës e njohja e nderimi për vlerat e vërteta të saj, etj, etj. Nëse në këto gjashtë muaj bëjmë përpjekjet e duhura për të plotësuar sendërtimin e atyre kushteve, madje duke shtuar edhe ndonjë nga vetja, mund të shkojmë në takimin e nivelit të lartë të Zagrebit, me shpresa, deri në siguri, se mund të na kumtohet n’atë qytet ballkanik të Bashkësisë hapja e bisedimeve.
            Na e japin këtë siguri pohimet e pjesës më të madhe të Evropës (25 shtete) në këto ditë. Shprehja “gabim historik” u lakua në gojët e shumë shtetarëve të kontinentit të vjetër, nga Kryetari i Komisionit Junker, komisarët Hahn dhe Mogerini, kryeministri italian Konte e të tjerë. Ja si u shpreh ky i fundit në konferencën e shtypit mbas vendimit:
“Shkoi keq. U thashë kolegëve të mij që ky është një takim me historinë. Në 1400 ato treva e ato bashkësi ranë nën perandosinë Osmane. Të nesërmen e luftës së Dytë botërore ranë nën regjimin komunist. Ka një jetë që duan të hyjnë n’Evropë, aspirata e tyre është të hyjnë n’Evropë. Ai i djeshmi do të kujtohet si një gabim historik e për këtë më vjen shumë keq”
            “Evropa, Komisioni, të gjithë ne kemi qënë deri në fund nismëtarë të një projekti reformues. Shpresoj se ky zhgënjim, ky ankth nuk do t’i hedhë në dëshpërim. Italia do të jetë gjithmonë pranë tyre, do t’i mbrojë, do të vazhdojë të jetë afër.”
            Ishte zëri i njërit prej themeluesve të Evropës, njërit nga kryesorët në Bashkësinë evropiane e, si i tillë, një mbështetje shpresëdhënëse për Shqipërinë. Por nuk është i vetmi. Para se të merrej vendimi grupi i Vishegradit (Polonia, Republika Çeke, Hungaria e Sllovakia) kërkoi nëpërmjet një mocioni të veçantë hapjen e bisedimeve për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kryetarja e re e Komisianit, Ursula von der Leyen u shpreh para vendimit, në pajtim të plotë me parardhësin e saj me këto fjalë. “Ka një qëndrim shumë pozitiv, për të njohur përpjekjet që kanë bërë për t’u bashkuar me BE. Këta Vende kanë bërë përparime të jashtzakonshme dhe kanë treguar vendosmërinë e tyre: për ne vlejnë shumë dhe është e rëndësishme që t’u japim atyre një perspektivë të përbashkët.”
            Vendimi negativ i Brukselit u prit me një mos miratim të hapur nga DASH i SHBA. Ai, e quajti si një veprim që dëmtonte interesat e Evropës, duke i hapur rrugë zhvillimeve favorizuese të interesave ruse, kineze, apo turke, në një zonë të rëndësishme të saj. Parlamenti evropian ka votuar për hapjen e bisedimeve, duke theksuar se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë plotësuar kërkesat, se Komisoni evropian kishte premtuar dhe bllokimi që u bë mund të çojë në destabilizimin e rajonit. Nga 578 eurodeputetë votuan për rezolutën 412 përfaqësues të grupeve më të mëdha dhe kundër saj deputetët e partive sovraniste dhe euroskeptike. Për hapjen e bisedimeve u shpreh edhe Partia më e madhe, ajo popullore dhe kryetari i atij grupi, gjermani Veber, kandidat i saj për kryesinë e Komisionit.
            Në kaqë vite, në të cilët refuzimet kanë pasuar njëri tjetrin, nuk ka pasur kurrë një kundërveprim kaq masiv në dobi të Vendit tonë, si kësaj rradhe. Pa dyshim kjo është një gjë tepër pozitive, që duhet të davaritë mjegullën eventuale të mosbesimit kundrejt Evropës, duke na bërë të prapësojmë çdo sirenë mashtruese që mund të vijë nga Lindja e të na bëjë t’a shohim t’ardhmen e afërt me optimizëm të ligjshëm. Vlen të shtohet këtu se edhe opinioni publik evropian, nëpërmjet gazetave të tij të mëdha, ka mbajtur një qëndrim të qartë në dobi të Vendit tonë e të Maqedonisë duke e quajtur si kundërprodhues e të dëmshëm për interesat e Evropës vendimin e Brukselit të 18 tetorit.
            Një qëndrim i drejtë, i përgjegjshëm, i urtë, i vetëdijshëm për barrën që ka mbi shpinë politika shqiptare në tërësi, e përshkuar nga një motivim i thellë atdhetar që kalon sipër e mposht shemëritë e vogla e të mëdha politike, së bashku me bindjen e thellë se BE është e vetmja rrugë në të cilën duhet të përshkohen fatet e Shqipërisë, do të plotësonte kuadrin politik të aftë për të thyer çdo lloj mosbesimi të mundshëm kundrejt udhëtimit tonë evropian.
            Për të arritur këtë synim, që do t’ishte sendërtimi i dëshirës shekullore të dhjetra brezave, duke filluar nga Arbërit e Gjergj Kastriotit, politika duhet të bëjë një mea culpa  të thellë e të ndërgjegjëshme, në të gjithë përbërësit e saj, mbasi secili prej tyre ka diçka për të qortuar, për të korigjuar, për të ndrequr në qëndrimin e tij. Ky ndryshim duhet të bëhet në kohë të shkurtëra, mbasi atë në tridhjetë vitet e pas komunizmit e kemi shfrytëzuar shumë keq, jo me përfundimet e pritura. Edhe sot, si para tridhjetë vitesh, mbetet aktual një shkrim i botuar në shtypin e kohëve të fundit të regjimit. Autori ishte një mjek i njohur, një pjestar i elitës së shoqërisë, e shkrimi titullohej: “Në kërkim të kohës së humbur” dhe u quajt si një pishtar ndriçues në natën e gjatë që po linim mbas krahëve. Fakti që po e sjellim ndërmënd me respekt e mirënjohje, dëshmon se nuk e kemi mbajtur sa duhej parasysh e se na duhet përsëri të flasim për “kohë të humbur”, sepse, fatkeqësisht, ajo bisedë ende është aktuale.
            
            Tetor 2019                                                           Eugjen Merlika 

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugen Merlika-ZHGËNJIME DHE SHPRESA

Kryeministër “MARKSIST” me aftësi të ulët për të pranuar realitetin

November 3, 2019 by dgreca

Opinion nga Agustin M. Mirakaj/

Sapo lind dielli, me brekushe nëpër këmbë kryeministri bardhosh shfaqet ekraneve dhe mburret për mirëqenien e ulët që ka mbërthyer vendin. Mburret, si një nxënës i dobët përpara klasës, detyrat jane plotësuar por…mësuesi e ka fajin për notën ngelse. Nuk jep shpresë, prodhon vetëm papunësi dhe mjerim.

Nga papunësia njerzit në Shqipëri., si në mëngjes, drekë apo darkë të gjithë vërshojnë kafeneve. Vetëm thashetheme, ndonese janë të gjithë pa probleme e halle…Në muret e çdo lokali varen ekranet televizive ku shfaqen politikanët socialistë mashtrues që bëjnë sikur po interesohen për qytetarët. Edi hedh dhe Eri pret…. të kthyer në fallxhore me veshje shumë ngjyrshe, vërshojnë si të tërbuar ekraneve e studiove me fjalorin e tyre te ulet….24 ore, 7 ditë të javes duke manipuluar çdo çast, çdo audience…

Gjithandej njerzit duken të mpire nga dorezat e manipulimit. Në fytyrat e tyre shikon vetëm zhgënjim, ankthe, vetëm ankthe. Diskutojnë si do bëjmë për nesër. Kë të thërrasim në telefon e ti kërkojmë ndonjë lek për të shtyrë muajin.

Fatkeqësia mbizotëron gjithandej, shteti është kthyer si ato puntorët pastrues të bashkisë që mezi fshijnë rrugët me gropa, me fshesa të kalbura prej kashte, të cilat kur i tërheqin lënë çdo gjë pas. Jemi kthyer në mesjetë – jetohet vetëm për sot, pa një të ardhme…

Prespektiva nuk ka, të gjithë ikin. Mafja mbizotëron në çdo skaj e cep të Shqipërisë. Makinat luksoze vërshojnë në rrugë si të çmëndura, kush e kush të jetë i pari – të duket vetja se jeton në kaos.

Sot qeveritarët socialistë me fytyrë djallzore mbulojnë bulevardin me figurat e kriminelve komunist/sllav si heronjë të Shqipërisë me urdhër të skicofrenit-marksist, që shpirtin e ka në Moskë, mendjen në Serbi dhe duart në Turqi.

Si mundet Shqipëria të ecë përpara dhe të jetë pjesë e Europës me gjithë këto probleme?! Kur kryeministeri marksist ka falimentuar në të gjitha drejtimet dhe s’di të japë dorheqjen, çfarë duhet të presin qytetarët?! Paraqitet si padronë me aftësi të ulët pa kuptuar realitetin, zgerdhihet si i çmëndur dhe mendon se është i pa thyeshëm!

Në demokraci nuk ka të pathyeshëm. Sot koha është e njerzve që po kërkojnë të ecin përpara.

Shqipëria meriton të jete një qytetërim Europian, dhe jo një qytetërim anadollak me sytë nga Turku, Moska dhe Beogradi.Shqiptarët duan punësim, mirëqenie dhe shpresë. Njerëzit duhet të votojnë për demokracinë dhe Shqipëria, Atdheu ynë i çmuar duhet të votojë shpresën për një të ardhme të sigurtë me sytë nga Perëndimi…

Filed Under: Analiza Tagged With: Agustin Mirakaj-Kryeministri Marksist-realiteti

EVROPA NUK MUND TË VALLZOJË E VETME

November 3, 2019 by dgreca


Nga ANGELO PANEBIANCO/
            Nuk është ende e mundur të kuptohet se si do të përfundojë çështja tëpër sfilitëse e Brexit: siç duket kryeministri, Boris Johnson, nuk do të arrijë të ketë daljen përfundimtare të Britanisë së Madhe brënda 31 tetorit, ndoshta fitojnë kundërshtarët e tij të brëndshëm duke fituar një shtyrje prej disa muajsh. Megjithatë mund të kuptohet, o së paku të merret me mend që Brexit mund të ketë jo vetëm pasoja të rëndësishme ekonomike (për Britaninë e Madhe ashtu si dhe për Vendet e tjera evropiane). Mund të paralajmërojë ndryshime në barazpeshat gjeopolitike. Mund të ndezë një revolucion, të shpejtojë shkëputjen e marrëdhënieve ndëratllantike, të nxjerrë në pah një thyerje të padëgjuar ndërmjet një blloku të përfaqësuar nga demokracitë anglosaksone dhe Evropës kontinentale. 
            Referendumi në të cilin mbizotëroi partia e Brexit-it u mbajt më 2016, pak përpara zgjedhjeve presidenciale amerikane të fituara nga Donald Trump. Atëherë ishte ende kryesia Obama. Por këputja e fijeve të marrëdhënieve ndëratllantike kishte filluar prej kohësh. Edhe se me një stil të ndryshëm nga pasardhësi, edhe Obama synonte të kufizonte zotimin ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara. Siç tregoi politika e tij (e dështuar) në Lindjen e Mesme: qe me të e në sajë të gabimeve të tij, që Rusia e Putin-it mundi të rihyjë si kryesore në politikën e atij rajoni. Referendumi britanik ra në atë periudhë. Pastaj arriti cikloni Trump: në ndryshim nga paraardhësi ai mbështeti zgjedhjen britanike për të lënë Evropën.
            Trump-i tregoi shpejt se nga çfarë brumi ishte mbruajtur. Filloi të godasë fuqishëm mbi NATO-n dhe Bashkimin evropian. Sqaroi se kombëtarizmi amerikan, i të cilit ai ishte kampion, nuk përputhej me mbajtjen e sistemit të aleancave të krijuara nga Vendi i tij mbas vitit 1945, në të cilat ishte pjesë qenësore lidhja ndëratllantike, shoqërizimi ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Nëse Trump-i që, siç duket, ka shumë gjasë të ketë një mandat të dytë presidencial, atë lidhje, tashmë të dobësuar, mundet së fundi t’a këpusë krejt. Ndërthurja ndërmjet Brexit dhe rrugëdaljeve të Trump-it mund të shkojë në dobi të nxjerrjes në dritë përsëri të një plani të hershëm që qarkullonte në sferat qeveritare amerikane gjatë luftës së Dytë botërore e që pastaj u mënjanua. Ishte ideja që, mbas luftës, do të ishte e nevojshme t’i jepej jetë një aleance të qëndrueshme ndërmjet demokracive vetëm anglosaksone (Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Kanadaja, Australia, Zelanda e Re). Do të bëhej fjalë për një aleancë të fuqishme, që sigurohej nga pozita zotëruese e Shteteve të Bashkuara, por edhe nga afërsia kulturore mes demokracive të bashkuara nga e shkuara e përbashkët, nga protestantizmi, nga gjuha angleze. Më pas ai projekt u la mënjanë. Me planin Marshall dhe NATO-n Shtetet e Bashkuara zgjodhën, në vënd të aleancës (së ngushtë) me demokracitë anglosaksone, atë (të gjërë) Shtetet e Bashkuara – Evropë. Ka mundësi që ai projekt i vjetër të kthehet përsëri aktual. Ka ndonjë që mendon – por ndoshta e tepron –  që ai është tashmë gjë e kryer, edhe në sajë të funksionimit të shkëlqyer të sistemit të shkrirë për shkëmbimin e njoftimeve ndërmjet demokracive anglosaksone të quajtur FiveEyes (pesë sy). Aleanca e ngushtë ndoshta do të përceptohej nga shumë amerikanë më e përshtatëshme për një epokë të një rënieje relative të fuqisë amerikane. Publiku mund të vlerësojë njëjtësinë kulturore të aleancës së ngushtë.
            Nëse, me të vërtetë, në vënd të lidhjeve ndëratllantike, do të ngrihej pak nga pak një bllok i ngjeshur anglosakson, për evropianët kontinentalë do të ishin dhimbje. Megjithë disa mendime të kota që vazhdojnë të shfaqen në sektorë të klasave drejtuese evropiane (ideja se nëse amerikanët ikin bëhet fjalë për një lajm të mirë, mbasi më së fundi evropianët do të jenë “të shtrënguar” të integrohen politikisht) përfundimi më i mundshëm do të ishte një tjetër. Duke munguar ngjitësi  i përfaqësuar nga hegjemonia amerikane, instiktet e vjetër, pothuajse sigurisht do të rimerrnin epërsinë, përçarjet do të mëshonin mbi shtysat përbashkuese, e Vendet e ndryshme evropiane – jo më të penguar nga drejtimi amerikan – do të hynin në shemëri ndërmjet tyre me qëllim të fitojnë favorin e fqinjit më të fuqishëm: Rusisë. 
            Shfaqja e trishtuar e vënë në skenë nga evropianët në çështjen e kurdëve sirianë, në të cilën janë në lojë interesa shumë të gjëra të Kontinentit të Vjetër, thotë gjithshka që është për t’u thënë mbi aftësinë e Evropës për të bërë pa armët dhe ushtarët amerikanë: përballë një krize ushtarake të kësaj rëndësie Evropa ka pamjen e të menduarit se mjafton të trumhasësh të keqin e rradhës (sot Erdogani) me të shtëna fjalësh për të zgjidhur krizën. A mendoni se një Evropë e tillë është në gjëndje të ecë mbi këmbët e saj?
            Por ndonjeri thotë se do të arrijë shpejt çasti kur do të vemë në jetë të famëshmen “mbrojtje evropiane” dhe Bashkimi do të bëhet një fuqi e aftë të bëjë të respektohet dhe të kujdeset vetë për sigurinë e tij. Nuk kuptohet se ai që e thotë i beson me të vërtetë apo përsërit formula ritesh “evropianisht korrekte”, thjesht sepse nuk din çfarë të thotë tjetër. Jo vetëm se mundësia për t’i dhënë jetë një mbrojtjeje evropiane që mund të arrijë, së paku pjesërisht, të shkojë para pa Shtetet e Bashkuara, është sot edhe më pak e mundëshme se më parë, duke llogarittur se me Brexit-in del nga Bashkimi ajo që është, me Francën fuqia më e madhe ushtarake dhe fuqia e parë detare. Mbi të gjitha kjo është një bllëf, nga të gjithë i njohur si i tillë. Cili politikan evropian mund të rizgjidhej nëse do të shkonte t’u shpjegonte zgjedhësve se ata duhej të ngarkoheshin me taksa ose të pranonin një pakësim të standartit shoqëror me qëllim për të financuar mbrojtjen evropiane? A mund të përfytyroni një politikan, të themi gjerman ose italian, që zgjedh këtë mënyrë për t’u vetëvrarë politikisht?
            Përfundimi është se evropianët nuk kana alternativë kundrejt aleancës me Shtetet e Bashkuara.  Aqë sa nëse Amerika, e më përgjithësisht, bota anglosaksone do të ndahen prej nesh, do të kemi telashe. Por meqë historia nuk mund të shkruhet para kohe, mbasi jemi të gjithë të zotë të parashikojmë të shkuarën (mbi t’ardhmen kemi gjithmonë ndonjë vështirësi), deri sa ka jetë ka dhe shpresë. Ndoshta, shpejt a vonë, së bashku me natën e keqe do të kalojnë edhe Trump-i e Johnson-i.
 
            “Corriere della Sera”, 23  tetor 2019          E përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Angelo Panebianco-Evropa-Vallzim me vete-Eugjen Merlika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 837
  • 838
  • 839
  • 840
  • 841
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT
  • NJË KUJTIM PËR PROFESOR FEHMI AGANIN
  • Kujtojmë në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin arbëresh të Italisë, Lekë Matrënga
  • Albanian Roots Parade, Saturday, June 20
  • DEBATI NË WASHINGTON — PSE FINANCOHET SHOQËRIA CIVILE JASHTË VENDIT?
  • Qyteti 2400-vjeçar që i përket njerëzimit – pasuri e UNESCO-s
  • Skënderbeu në medaljonin e vendosur në pullën e parë postare shqiptare, më 1 dhjetor 1913
  • Ervin Toro: “National Albanian Registry”, një investim në identitetin, fuqinë dhe të ardhmen e komunitetit shqiptar në Amerikë
  • Dualiteti juridik dhe kriza strukturore e barazisë në Maqedoninë e Veriut
  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT