• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një nderim për historinë tonë kombëtare…

March 18, 2026 by s p

Vatra Boston/

Federata Pan Shqiptare VATRA në Boston, së bashku me organizatën e Studentëve Shqiptarë të Universitetit të Harvardit, ju ftojnë të bëhemi bashkë në një moment që nuk është thjesht aktivitet… por një nderim për historinë tonë kombëtare.

Për këtë histori të Kosovës, kemi nderin të mirëpresim një nga njerëzit që nuk heshti përballë gjenocidit, që i dha zë së vërtetës dhe që ndryshoi rrjedhën e historisë së Kosovës Ambasadorin William Walker!

Njeriu që pa me sytë e tij masakrën dhe e tha para botës, duke zgjuar ndërgjegjen ndërkombëtare dhe duke hapur rrugën drejt lirisë së Kosovës.

Të shtunën, më 28 Mars 2026

Ora 10:00 AM (EST)

Adresa:5 Harvard Yard Cambridge MA 02138

Kjo nuk është vetëm një ftesë…

Është një detyrim moral dhe kombëtar: të nderojmë mikun që qëndroj me ne në ditët më të vështira, të kujtojmë gjakun e sakrificën dhe të tregojmë se shqiptarët nuk harrojnë kurrë.

Ejani me familje, me miq, me flamur në zemër, sepse ky është një moment që na bashkon si komb.

KUSH NDERON HISTORINË, NDËRTON TË ARDHMEN!

Filed Under: Politike

Habermas në mbrojtës i vendosur i intervenimit të NATO-s në Kosovë

March 18, 2026 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

Jürgen Habermas, një nga figurat më të rëndësishme të filozofisë politike bashkëkohore dhe një nga përfaqësuesit më të njohur të “Shkollës së Frankfurtit”, është konsideruar për dekada si një nga zërat më të rëndësishëm kritikë në debatin publik evropian. Që nga viti 1964, kur ai mori katedrën e filozofisë dhe sociologjisë nga Max Horkheimer në Universitetin e Frankfurtit, Habermas u shndërrua në një nga teoricienët më eminentë të teorisë kritike dhe të diskursit demokratik. Në këtë kontekst, ndërhyrja e tij në debatin mbi luftën e Kosovës përbën një moment të rëndësishëm në diskutimin filozofik dhe politik mbi ndërhyrjet humanitare.

Më 29 prill 1999, në gazetën gjermane Die Zeit, Habermas publikoi artikullin e njohur “Bestialiteti dhe humaniteti – një luftë në kufirin midis së drejtës dhe moralit”, në të cilin ai u përpoq të ndërhynte në debatin publik mbi bombardimet e NATO-s kundër Jugosllavisë. Artikulli u botua në një moment kur lufta në Kosovë ishte në zhvillim e sipër dhe kur në Gjermani dhe në Evropë po zhvillohej një debat i gjerë publik mbi legjitimitetin moral dhe juridik të ndërhyrjes ushtarake. Në këtë atmosferë, ku çdo javë zhvilloheshin dhjetëra debate televizive dhe ku figura politike si kancelari Gerhard Schröder dhe ministri i jashtëm Joschka Fischer diskutonin intensivisht në media zhvillimet në Kosovë, Habermas u shfaq si një nga intelektualët më të cituar në këtë debat.

Brutaliteti dhe humaniteti: një luftë në kufirin midis ligjshmërisë dhe moralit

Në artikullin e tij, Habermas përpiqet t’u përgjigjet kritikave të forta të së majtës radikale, e cila e kundërshtonte ndërhyrjen ushtarake të NATO-s dhe e konsideronte atë një shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Duke u përballur me pyetjen se përse 19 shtete të NATO-s po bombardojnë një shtet sovran, duke shkatërruar infrastrukturën e tij dhe duke rrezikuar viktima civile, filozofi gjerman përpiqet të ofrojë një argumentim normativ në mbështetje të ndërhyrjes. Sipas tij, bombardimet duhet të kuptohen si një “aksion ndëshkues ushtarak kundër Jugosllavisë”, i cili u bë i pashmangshëm pas dështimit të negociatave të Rambujesë dhe që synonte imponimin e një autonomie liberale për Kosovën brenda Serbisë.

Një nga elementet më interesante të analizës së Habermasit është mënyra se si ai e interpreton debatin publik rreth luftës. Sipas tij, si mbështetësit ashtu edhe kundërshtarët e ndërhyrjes mund të konsiderohen në njëfarë mënyre pacifistë, por të ndarë në dy kategori: nga njëra anë “pacifistët e bindjes”, të cilët e justifikojnë ndërhyrjen në emër të të drejtave të njeriut dhe të detyrimit moral për të ndaluar krimet kundër njerëzimit; dhe nga ana tjetër “pacifistët juridikë”, të cilët e kundërshtojnë ndërhyrjen për shkak të shkeljes së parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të sovranitetit shtetëror.

Argumenti kryesor i Habermasit është se ndërhyrja në Kosovë duhet të kuptohet si pjesë e një transformimi historik të rendit ndërkombëtar. Sipas tij, politika e të drejtave të njeriut shënon një hap drejt transformimit të së drejtës ndërkombëtare klasike në një të drejtë kozmopolite të qytetarëve të botës. Në këtë perspektivë, ndërhyrja e NATO-s mund të interpretohet si një mision i armatosur për ruajtjen e paqes, i autorizuar në mënyrë implicite nga bashkësia ndërkombëtare, edhe pse pa një mandat formal të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Habermas e fillon analizën e tij me një reflektim mbi ndryshimin e madh që kjo ndërhyrje përfaqësonte për Gjermaninë pas Luftës së Dytë Botërore. Siç shkruan ai:

“Ndërhyrja ushtarake e Ushtrisë Federale Gjermane shënon fundin e një periudhe të gjatë përmbajtjeje që kishte formësuar tiparet civile të mentalitetit gjerman pas Luftës së Dytë Botërore. Lufta është këtu. Natyrisht, ‘sulmet ajrore’ të aleatëve supozohet të jenë diçka tjetër nga lufta tradicionale. Megjithatë, edhe ata prej nesh që janë vetëm pjesëmarrës të tërthortë, të informuar përmes kronikave televizive mbi konfliktin në Kosovë, janë të vetëdijshëm se popullsia jugosllave që struket nën bombardimet ajrore nuk po përjeton asgjë tjetër përveçse luftë.”

Megjithatë, sipas Habermasit, debati gjerman mbi luftën nuk u karakterizua nga retorika nacionaliste apo militariste që kishte shoqëruar konflikte të mëparshme. Ai vëren se si mbështetësit ashtu edhe kundërshtarët e ndërhyrjes përdorin një gjuhë normative, duke u mbështetur në argumente morale dhe juridike.

Në analizën e tij, Habermas thekson se pas dështimit të negociatave të Rambujesë, Shtetet e Bashkuara dhe shtetet e Bashkimit Evropian vendosën të zbatojnë kërcënimin për një ndërhyrje ushtarake kundër Jugosllavisë me qëllimin e imponimit të një autonomie për Kosovën. Nga perspektiva e së drejtës klasike ndërkombëtare, një veprim i tillë mund të konsiderohej ndërhyrje në punët e brendshme të një shteti sovran dhe rrjedhimisht një shkelje e parimit të mosndërhyrjes. Megjithatë, sipas logjikës së politikës së të drejtave të njeriut, ndërhyrja mund të interpretohej si një mision i armatosur për ruajtjen e paqes, i autorizuar në mënyrë implicite nga bashkësia ndërkombëtare.

Në këtë kontekst, lufta në Kosovë mund të përfaqësonte, sipas Habermasit, një moment tranzicioni nga rendi klasik i së drejtës ndërkombëtare të shteteve drejt një rendit kozmopolit të një shoqërie globale qytetarësh. Ky zhvillim, argumenton ai, kishte filluar me krijimin e Kombeve të Bashkuara dhe ishte përshpejtuar pas përfundimit të Luftës së Ftohtë përmes ndërhyrjeve humanitare të viteve 1990.

Megjithatë, rasti i Kosovës paraqiste një situatë të veçantë. Ndryshe nga ndërhyrjet e mëparshme, NATO veproi pa një mandat të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke e justifikuar ndërhyrjen si ndihmë emergjente për një pakicë etnike të persekutuar. Para fillimit të bombardimeve ajrore, në Kosovë rreth 300.000 njerëz ishin prekur nga vrasjet, terrori dhe dëbimet, ndërsa kolonat e refugjatëve që drejtoheshin drejt Maqedonisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë dëshmonin për një strategji të planifikuar të spastrimit etnik.

Edhe pse regjimi i Slobodan Milošević-it e përdori ndërhyrjen ajrore të NATO-s për të përshpejtuar politikat e tij represive, Habermas argumenton se kjo nuk e ndryshon marrëdhënien e shkakut dhe pasojës. Qëllimi i negociatave dhe i ndërhyrjes ishte pikërisht ndalimi i një nacionalizmi etnik vrasës dhe i krimeve kundër njerëzimit.

Në fund të analizës së tij, Habermas pranon se ndërhyrja në Kosovë krijon një dilemë të thellë normative: nga njëra anë, ndërhyrja humanitare synon të mbrojë të drejtat e njeriut; nga ana tjetër, mungesa e një rendi juridik global plotësisht të institucionalizuar e bën të paqartë kufirin midis moralit dhe ligjit në politikën ndërkombëtare.

Filed Under: Komente

HYSEN S. DIZDARI, VLERA E NJË HULUMTUESI SERIOZ NË PULLAT SHQIPTARE

March 18, 2026 by s p

Prof. Dr. Fatmir Terziu/

Në kulturën e kombit, filatelia, arti dhe shkenca e pullës postare kanë dhe një emër adekuat. Pikërisht në këtë fushë shquhet studiuesi dhe koleksionisti i përkushtuar Hysen S. Dizdari, i cili me librin e tij dygjuhësh “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në pullat shqiptare 1913-2017” ka realizuar një punë të rrallë studimore dhe dokumentuese. Ky libër më ka ardhur si dhuratë nga vetë autori, kohë më parë, me një mbishkrim emocional që e bën edhe më të çmuar për mua si lexues dhe studiues. Që në shfletimin e parë kupton se nuk kemi të bëjmë thjesht me një album pullash, por me një dokument të rëndësishëm të historisë sonë kombëtare. Libri është një ndër botimet më të veçanta për figurën e Gjergj Kastrioti Skënderbeu, pasi përmbledh dhe analizon të gjithë koleksionin e pullave shqiptare kushtuar Heroit Kombëtar gjatë një periudhe prej 105 vitesh, që nga emetimi i parë në vitin 1913 deri në vitin 2017. Ky fakt e bën librin unik në llojin e vet. Ai lidhet edhe me momentin themelor të historisë së shtetit shqiptar, kur qeveria e patriotit Ismail Qemali emetoi pullën e parë shqiptare.

Që prej asaj kohe, pulla postare nuk ka qenë vetëm një instrument administrativ për qarkullimin e letrave, por edhe një formë e dokumentimit të historisë, kulturës dhe identitetit kombëtar. Libri i Dizdarit është ndërtuar si një album, por përmbajtja e tij është thellësisht studimore. Në faqet hyrëse gjejmë një zgjedhje mjaft domethënëse: poezinë “Porosi e Skënderbeut për shqiptarët” të poetit kombëtar Naim Frashëri, shkëputur nga vepra e tij për historinë e Skënderbeut. Ky vendosje simbolike nuk është rastësi. Ajo i jep librit një dimension kulturor dhe ideor, duke e lidhur filatelinë me traditën letrare dhe me mesazhin e bashkimit kombëtar, që ka qenë gjithmonë një shqetësim i intelektualëve shqiptarë.

Në vijim, studiuesi Dizdari paraqet me përpikëri çdo emision filatelik që lidhet me figurën e Skënderbeut. Ai nuk mjaftohet vetëm me paraqitjen e pullave, por jep informacion të detajuar për kohën e shtypjes, vlerën monetare, ngjyrat, tirazhin, përdorimin dhe vulat zyrtare që shoqëruan qarkullimin e tyre. Në këtë mënyrë, pulla shndërrohet në një dokument të vërtetë historik, një dëshmi që mban njëkohësisht vulën e shtetit dhe vulën e kohës.

Në disa raste, pullat tregojnë edhe tensionet historike të periudhës. Për shembull, gjatë viteve të trazuara të Luftës së Parë Botërore dhe kryengritjeve të brendshme, shfaqen pulla ku vlera monetare shkruhet në turqisht me termat “Grosh” dhe “Para”. Këto detaje nuk janë thjesht kuriozitete filatelike; ato dëshmojnë për konfliktet politike dhe për përpjekjet e disa lëvizjeve për të penguar shkëputjen përfundimtare nga Perandoria Osmane. Në këtë kuptim, libri i Dizdarit është një laborator i vogël historik, ku çdo pullë flet për një moment të caktuar të historisë shqiptare.

Një nga aspektet më interesante të studimit është evolucioni i paraqitjes artistike të figurës së Skënderbeut në pullat shqiptare. Në disa raste shfaqet portreti i tij klasik, në të tjera armët simbolike, shpata dhe përkrenarja, ose elemente të tjera të identitetit kombëtar, si shqiponja, kalaja, apo monumentet historike.

Edhe periudha e sistemit komunist solli variacione interesante në paraqitjen ikonografike të heroit kombëtar: portreti i tij, monumenti i Krujës, monumenti në qendër të Tiranës, piktura muzeale dhe madje edhe vepra të piktorëve të huaj si Eugène Delacroix. Këto ndërthurje artistike tregojnë se figura e Skënderbeut ka qenë gjithmonë një pikë referimi e identitetit shqiptar, pavarësisht sistemeve politike. Një element i bukur në libër është edhe vëzhgimi i autorit mbi pullat që lidhen indirekt me figurën e Skënderbeut. Për shembull, emisioni filatelik i vitit 2014 kushtuar vizitës së Papa Françesku në Shqipëri, ku në sfond të portretit të Papës shfaqet monumenti i Skënderbeut në sheshin qendror të Tiranës. Kjo është një dëshmi simbolike se figura e heroit kombëtar vazhdon të mbetet një pikë referimi identitare edhe në ngjarje bashkëkohore.

Po aq interesant është edhe emisioni filatelik i vitit 2017, ku disa pulla të bashkuara krijojnë një kompozim të plotë të pikturës “Përballimi”, e ekspozuar në Muzeun e Skënderbeut në Krujë, vepër e piktorit Naxhi Bakalli. Ky detaj dëshmon për një ndërthurje të bukur mes filatelisë dhe arteve pamore.

Një tjetër vlerë e rëndësishme e librit janë kapitujt për literaturën filatelike dhe literaturën shkencore, të cilët përmbledhin burime të shumta studimore. Vetë ky katalogim i literaturës kërkon një punë të gjatë dhe të lodhshme kërkimi, që shpesh është rezultat i viteve të tëra përkushtimi. Kjo tregon seriozitetin dhe këmbënguljen e autorit, i cili për më shumë se një dekadë ka mbledhur, studiuar dhe analizuar çdo dëshmi që lidhet me filatelinë shqiptare për Skënderbeun.

Libri shoqërohet edhe me një parathënie të studiuesit të njohur të filatelisë, Thimi Nika, autor i veprës “Historia e Filatelisë Shqiptare”, i cili që në hyrje thekson se Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, zë një vend të merituar në filatelinë shqiptare. Duke iu referuar rreth 150 pamjeve të pullave që dokumentohen në këtë botim, ai nënvizon seriozitetin dhe përkushtimin institucional që i është kushtuar kësaj figure madhore historike. Sipas tij, autori Hysen S. Dizdari e ndjek kronologjikisht përfaqësimin filatelik të Skënderbeut, duke e paraqitur atë në të gjithë dimensionin e veprës së tij, si strateg, burrë shteti, politikan dhe diplomat. Vëmendje e veçantë i kushtohet emisionit të parë të 1 dhjetorit 1913, një seri prej gjashtë pullash me portretin e Skënderbeut, të realizuara nga piktori çek Heinrich Kautsch, me një tirazh prej 2,875,500 copësh, pjesë e të cilave u mbishtypën në vitet pasuese duke krijuar emisione të reja.

Parathënia ndalet gjithashtu te emisionet e mëvonshme, si ai i vitit 1951 me tri pulla, seria e pasur e vitit përkujtimor të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut me tetë pulla dhe blloqe filatelike, si dhe te temat që lidhen me armët e Heroit, përkrenaren dhe shpatën e ruajtura në muze në Vjenë. Në analizën e tij përmenden edhe emisioni i vitit 1983 “Epoka e Skënderbeut në artet figurative”, seria e vitit 1997 me qasje artistike bashkëkohore dhe kulmi i trajtimit filatelik me emisionin e 28 nëntorit 2005, të bazuar në kryeveprën “Përballimi” të piktorit Naxhi Bakalli, e ekspozuar në muzeun e Skënderbeut në Krujë. Në përmbyllje, Nika vlerëson se fondi i pullave kushtuar Skënderbeut është i pasur, por mbetet ende hapësirë për emisione të reja që do ta pasuronin më tej këtë traditë filatelike shqiptare.

Në thelb, puna e autorit , Hysen Dizdarit është shumë më tepër sesa një pasion koleksionisti. Ajo është një kontribut i mirëfilltë në studimet historike dhe kulturore shqiptare. Përmes një objekti të vogël si pulla postare, ai arrin të rindërtojë një histori të gjatë të kujtesës kombëtare. Mesazhi i autorit është i qartë, historia e Skënderbeut duhet studiuar dhe njohur mirë nga brezi i ri, sepse ajo mbetet një burim frymëzimi për të ruajtur idealet atdhetare. Ky është një apel që shkon përtej filatelisë dhe që i drejtohet institucioneve shkencore, shkollave dhe gjithë shoqërisë shqiptare. Prandaj, libra si ky nuk janë thjesht botime të bukura për koleksionistët. Ato janë vlera kombëtare, dëshmi të kujtesës historike dhe të përkushtimit të studiuesve që me durim dhe pasion ruajnë fragmentet e identitetit tonë kulturor. Në këtë kuptim, emri i Hysen S. Dizdarit mbetet një shembull i hulumtuesit serioz, që e shndërron filatelinë në histori të gjallë.

Filed Under: Histori

Njё Dritёro amerikan, Robert Frost (1874 – 1963)

March 18, 2026 by s p

Përgatiti e përktheu Rafael Floqi/

Një nga figurat më të shquara të poezisë amerikane, Robert Frost ishte autor i shumë përmbledhjeve poetike. Krahasimi me Dritëroin vjen vetiu nga temat dhe mënyra popullore se si i trajtoi. Robert Frost lindi më 26 mars 1874 në San Francisko, ku babai i tij, William Prescott Frost, Jr., dhe nëna e tij, Isabelle Moodie, ishin zhvendosur nga Pensilvania pak pasi u martuan. Pas vdekjes së babait nga tuberkulozi, kur Frost ishte njëmbëdhjetë vjeç, ai u zhvendos me nënën dhe motrën e tij, Jeanie, dy vjet më e vogël, në Lawrence, Massachusetts. Ai u interesua për leximin dhe shkrimin e poezisë gjatë viteve të shkollës së mesme në Lawrence; u regjistrua në Dartmouth College në Hanover, New Hampshire, në vitin 1892 dhe më pas në Harvard University, megjithëse nuk mori kurrë një diplomë zyrtare.

Pas largimit nga shkolla, Frost kaloi nëpër një sërë profesionesh, duke punuar si mësues, këpucar dhe redaktor i gazetës Lawrence Sentinel. Poezia e tij e parë e botuar, “My Butterfly,” u shfaq më 8 nëntor 1894 në gazetën e Nju Jorkut The Independent. Në vitin 1895, Frost u martua me Elinor Miriam White, me të cilën kishte ndarë nderimet si nxënësja më e mirë e maturës në shkollë të mesme, dhe e cila mbeti një frymëzim i madh për poezinë e tij deri në vdekjen e saj në vitin 1938. Çifti u zhvendos në Angli në vitin 1912, pasi kishin provuar pa sukses bujqësinë në New Hampshire. Pikërisht jashtë vendit Frost takoi dhe u ndikua nga poetë britanikë bashkëkohorë si Edward Thomas, Rupert Brooke dhe Robert Graves. Gjatë qëndrimit në Angli, Frost krijoi edhe miqësi me poetin Ezra Pound, i cili ndihmoi në promovimin dhe botimin e veprës së tij.

Kur Frost u kthye në Shtetet e Bashkuara në vitin 1915, ai kishte botuar tashmë dy përmbledhje të plota: A Boy’s Will (1913) dhe North of Boston (1914), duke vendosur kështu reputacionin e tij. Në vitet 1920 ai ishte një nga poetët më të nderuar në Amerikë dhe me çdo libër të ri — përfshirë New Hampshire (1923), A Further Range (1936), Steeple Bush (1947) dhe In the Clearing (1962) — fama dhe nderimet e tij, përfshirë katër çmime Pulitzer, u shtuan. Frost shërbeu si Konsulent për Poezinë në Bibliotekën e Kongresit nga 1958 deri më 1959. Në vitin 1962 iu dha Medalja e Artë e Kongresit.

Megjithëse vepra e Frost lidhet kryesisht me jetën dhe peizazhin e New England-it, dhe megjithëse ai ishte një poet i formave dhe metrave tradicionale që qëndroi i distancuar nga lëvizjet dhe modat poetike të kohës, Frost nuk ishte thjesht një poet rajonal. Autor i meditimeve kërkuese dhe shpesh të errëta mbi tema universale, ai është një poet thelbësisht modern në përkushtimin ndaj gjuhës së folur reale, në kompleksitetin psikologjik të portreteve të tij dhe në mënyrën se si vepra e tij është e mbushur me shtresa paqartësie dhe ironie.

Në një recension të vitit 1970 për The Poetry of Robert Frost, poeti Daniel Hoffman e përshkruan veprën e hershme të Frost si “etikën puritane të kthyer në mënyrë mahnitëse lirike dhe të aftë për të shprehur hapur burimet e kënaqësisë së saj ndaj botës,” dhe e komenton karrierën e Frost si “Bardi Amerikan”: “Ai u bë një figurë kombëtare, pothuajse poet laureat zyrtar i yni, dhe një interpretues i madh në traditën e atij mjeshtri të hershëm të gjuhës letrare popullore, si Mark Twain-i.”

Presidenti John F. Kennedy, në inaugurimin e të cilit Frost recitoi një poezi, tha për poetin: “Ai i ka lënë kombit të tij një trup vargjesh të pavdekshme nga të cilat amerikanët do të marrin përgjithmonë gëzim dhe kuptim.” Dhe në mënyrë të famshme: “Ai e pa poezinë si mjetin për ta shpëtuar pushtetin nga vetvetja. Kur pushteti e çon njeriun drejt arrogancës, poezia i kujton kufizimet e tij. Kur pushteti ngushton fushat e shqetësimit të njeriut, poezia i kujton pasurinë dhe larminë e ekzistencës së tij. Kur pushteti korrupton, poezia pastron.” Robert Frost jetoi dhe dha mësim për shumë vite në Massachusetts dhe Vermont dhe vdiq në Boston më 29 janar 1963

*****

Gjithnjë

Disa thonë se bota mbaron në zjarr,

Disa thonë në një akull të ftohtë.

Nga ç ’kam shijuar prej dëshirash ,

Jam me ata që zgjedhin fundin me zjarr.

Por nëse do të duhej të shuhej dy herë,

Mendoj se di mjaft mbi urrejtjen e ngrirë

Sa të kuptoj se për njё shkatërrim të mjerë

Edhe akulli është po aq i mirë

Dhe gjithnjë mjafton, pa mëshirë.

Njё tufë me lule

I shkova pas që ta ktheja përmbys barin

Që e pat kosit’ pa u cekur vesa me diellin

Ajo u tha ,dhe tehu, qe bërë më i mprehur

Para të shihja në fushat tej ku ai qe fshehur.

E kërkova pas ca pemësh në formë ishullore

në erë ndiheshin gërvishtet e gurit gri prore.

Por ai pat ikur dhe udha qe plot bar të kositur ,

Dhe unë ashtu si ai ndjehesha, vetëm, i drobitur.

“Siç duhet të ndjehen të gjithë,” thashë i rrënuar,

“Qoftë kur punojnë veç, apo të bashkuar

Eh sa e thashë kështu më kaloi aty pranë

Pa zë, një flutur e hutuar, me krahë të larmë.

Që kërkonte në kujtime nga nata zbehur

Një lule të ndalej nga gëzimi pat mbetur.

Dhe e pashë të sillej rreth e rrotull atje

Mbi një lule që vyshkej e shtrirë përdhe.

Pastaj fluturoi aq larg sa mund ta ndiqte syri,

Dhe me krahë të dridhur tek unë u rikthye.

Dhe unë mendova një pyetje pa përgjigje,

Të kthehesha ta shpërndaja barin për tharje;

Por ajo u kthye e para dhe shikimin ma çoi

Mbi një tufë e lartë lulesh pranë një përroi,

Një duf i gjallë lulëzimi që kosa e pat kursyer

Mes kallamishteshs, pranë përroskës së rrëmbyer.

E lashë vendin për t’i njohur me emër, e sy

Dhe kur mbërrita, i gjeta “bar fluture” aty .

Që kositësi në vesë kish’ dashur ashtu ta linte,

Të lulëzonin, por jo për ne, por që era t’u vinte

Jo për të cyt’ mendim tonin drejt tij gjithsesi,

Por nga gëzimi i pastër i atij kulmi mëngjesi.

Flutura dhe unë kishim ishim përndezur .,

nga ky një mesazh agimi, natës si fshehur

Që më bëri të ndieja si zgjoheshin përreth zogjtë,

Dhe të ndieja kosën e gjatë që pëshpëriste mbi tokë,

Dhe të ndieja një shpirt me timin kaq të afërt;

Dhe kështu qysh atëherë nuk punova më vetëm;

Por i gëzuar punova si me ndihmën e tij,

Dhe i lodhur, kërkova në drekë tek njё hije;

Ëndërroja, si të thuash, njё bisedë vëllazërore

Me dikë me të cilin s’shpresoja të flisja fare.

“Njerëzit punojnë bashkë,” i thashë gëzuar,

“Qoftë kur punojnë bashkë apo dhe të veçuar.

Frika

Një dritë feneri nga thellësia e hambarit

Ndriçoi një burrë dhe një grua tek dera

Që hidhnin hijet e tyre lëkundëse mbi shtëpinë

Aty pranë, krejt e errët po çdo dritare të shndritshme.

Një qen lehte në verandë dhe sikur dikush lëvizi

Në hambarin e zi, dhe pastaj pati një klithmë.

Britma mori përgjigje nga një tjetër britmë.

Dhe qeni vazhdoi të lehte.

“Çfarë është?” tha gruaja.

“Asgjë,” tha burri.

“Je i sigurt?”

“Po.”

Por të dy e dinin se diçka nuk ishte në rregull.

Ata dëgjonin. Asgjë nuk lëvizi.

Ata pritën.

Heshtja u thellua si një pus.

“Ke frikë,” i tha ajo.

“Jo unë,” i tha ai.

Megjithatë frika lëvizte butë në errësirë mes syresh,

Një gjë të pa emër, por të pranishme si nata yshtesh.

Ulur pranë një shkurreje në dritën e plotë të Diellit

Kam qenë ulur pranë një shkurreje në dritën e plotë të diellit

Që të shihja diellin jo duke perënduar por duke lindur

Dhe kam menduar se si qëndron puna me mua

Dhe si është me të tjerët.

Kam parë një trazim ndër gjethe

Që nuk është erë.

Ka një lëvizje në bar

Që nuk është hap kalimtarësh.

Kam qenë ulur mjaftueshëm gjatë

Veç për të njohur ndryshimin

Midis asaj që lëviz

Dhe asaj që lëvizet.

Dhe kam mësuar

Se asgjë nuk mbetet fiksuar

Përveç mendjes

Që nuk pranon të ndryshojë.

Në një varrezë të braktisur

Të gjallët vijnë me hapa mbi bar

Të lexojnë gurët e varreve mbi kodër;

Varreza ende i tërheq të gjallët,

Por kurrë më të ata, të vdekurit.

Vargjet në to thonë e përsërisin:

“Ata që sot të gjallë vijnë kur

Lexojnë gurët e varreve dhe largohen,

Dhe nesër të vdekur do të vijnë të qëndrojnë aty.”

Mermerët kaq të sigurt për vdekjen rimojnë,

Megjithatë vazhdimisht s’mund të mos shënojnë

Se askush i vdekur nuk duket se vjen.

Po nga çfarë po tërhiqen njerëzit s’e gjen?

Do të ishte e lehtë të bëhesha i zgjuar

T’u thosha gurëve: se njerëzit e urrejnë vdekjen

Dhe kanë ndalur së vdekuri përgjithmonë.

Por nuk do t’u them gurëve një gënjeshtër,

Por do të them se minjtë e fushave bëjnë fole

Në strofkat ku janë shtrirë të vdekurit,

Kockat janë me zgjyrën e keqe të plevicës,

Dhe dielli e era rrotullohen e rrotullohen

Në vendin më i vdekur aty zërat s dëgjohen.

Filed Under: Sofra Poetike

18 mars 2026, 78 vite nga lindja e poetit martir Vilson Blloshmi!

March 18, 2026 by s p

Bujar Leskaj/

Saharaja s’di të ëndërrojë.

Ajo bluan gurë me mend’ e saj…

Saharaja s’ka këngë të këndojë,

Saharaja s’ka as lot të qajë.

Saharaja nuk ka miq e shokë,

Saharaja nuk ka bijë, as bir.

Saharaja është një copë tokë,

Thonë se dhe me natën s’shkon mirë.

Vargjet janë marrë nga poezia e Vilson Blloshmit, me titull “Saharaja”.

Aktakuza, e cila dënoi me vdekje poetin, ndër të tjera lidhet edhe me këtë poezi, për krahasimin e Shqipërisë me shkretëtirën e Saharasë.

Vilson Blloshmi lindi më 18 mars të vitit 1948 në Bërzeshtë të Librazhdit. Ndoqi shkollën e mesme Pedagogjike në Elbasan dhe pas mbarimit të saj, ndonëse me rezultate të shkëlqyera, nuk u lejua të vazhdonte shkollën e lartë.

Pas diplomimit në Elbasan punoi si bujk, druvar dhe minator. Gjatë kësaj kohe iu përkushtua shkrimit dhe përkthimit, por pa patur mundësi t’i botojë për shkak të të qenit pjesëtar i një familje “armiqsh të regjimit komunist”.

Duke qenë se ishte me biografi të “keqe”, Vilson Blloshmi përndiqej nga Sigurimi i Shtetit. U arrestua në vitin 1977 me akuzën “sabotim në ekonomi dhe agjitacion e propagandë për dobësimin dhe minimin e pushtetit popullor”.

Ditarët, përkthimet dhe poezitë iu sekuestruan dhe iu nënshtruan hetimit në detaje u përpunuan në zyrat e Sigurimit, u përdorën si mbështetje për akuzën e sabotimit në gjyqin kundër tij, dhe pas pushkatimit të autorit e deri në vitin 2000 u kyçën të varrosura në arkiva. Letërsia e tij përbënte rrezik për regjimin komunist shqiptar.

Në datë 13 qershor 1977 Gjykata e Librazhdit dënoi poetët Vilson Blloshmi dhe Genc Leka me “vdekje me pushkatim”, vendim i cili u zbatua në datën 17 korrik 1977.

Në vitin 1994 Vilson Blloshmit iu dha dekorata “Martir i Demokracisë” nga Presidenti Sali Berisha dhe në vitin 2010 Presidenti Bamir Topi “Nderi i Kombit”. Në vitin 2006, u shpall “Qytetar Nderi” i Librazhdit dhe u përurua në qendër të qytetit memoriali kushtuar dy poetëve martirë, Vilson Blloshmi e Genc Leka, i projektuar nga skulptori i mrekullueshëm Sadik Spahia.

Falë përpjekjeve të parreshtura të vëllait të tij, antikomunistit dhe demokratit, heroit të gjallë Bedri Blloshmi dhe punës së studiuesit të njohur Prof. Sadik Bejko, vepra e Vilson Blloshmit përbën një rast unikal se gjithë sa u botua pas vdekjes së tij u nxorr nga arkivat e policisë dhe Sigurimit të Shtetit dhe sot është e njohur gjerësisht nga lexuesit shqiptarë.

Nderim përjetë poetit Vilson Blloshmi, i cili sot do të ishte 78 vjeç dhe që jetoi një jetë si në vargjet e dhimbshme e dinjitoze të tij:

Më mirë një jetë e zezë me faqe të bardhë

Se sa një jetë e bardhë me faqe të zezë!

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 2923
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin
  • Tre vllazen, tre jetima…
  • Goditja ndaj objekteve të kultit fetar, pjesë e propagandës ateiste përgjatë diktaturës në Shqipëri
  • “Fjalimet që përgjakën Ballkanin”
  • Kur drejtësia hyn në oborrin e mbretit, parlamenti del roje te dera!
  • Ngërçi Presidencial në Kosovë zbulon një dobësi të Kushtetutës
  • Mid’hat Abdyl Frashëri, 25 mars 1880 – 3 tetor 1949
  • ABIDIN DINO, ARTISTI MË I MADH TURK ME ORIGJINË SHQIPTARE I SHEKULLIT XX
  • Lufta e Vraninës (1862) – qëndresa heroike e Oso Kukës dhe mbrojtja e kufijve shqiptarë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT