• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

THE JEWISH POST (1937) / QEVERIA SHQIPTARE NJEH ZYRTARISHT KOMUNITETIN HEBRE NË VEND – NË VLORË FILLOI NDËRTIMI I SINAGOGËS SË PARË.

July 31, 2023 by s p



Nga Aurenc Bebja*, Francë – 31 Korrik 2023

“The Jewish Post” ka botuar, të premten e 9 prillit 1937, në ballinë, një shkrim rreth njohjes zyrtare të komunitetit hebre asokohe nga qeveria shqiptare, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Hebrenjtë shqiptarë do të hapin sinagogën e parë

Nga Jewish Telegraphic Agency

Burimi : The Jewish Post, e premte, 9 prill 1937, ballinë
Burimi : The Jewish Post, e premte, 9 prill 1937, ballinë

Tiranë, Shqipëri – Komuniteti i parë hebre në Shqipëri u njoh zyrtarisht nga qeveria javën e kaluar. Ai përfshin dhjetë familje hebreje në Vlorë – numri më i madh në të gjithë vendin.

E gjithë popullsia hebreje e Shqipërisë përbëhet nga 35 familje.

Pas regjistrimit zyrtar të komunitetit hebre, në Vlorë filloi ndërtimi i sinagogës së parë të ndërtuar në vend pas grumbullimit të 350 napolonëve ari.

Filed Under: Kronike Tagged With: Aurenc Bebja

TRAGJEDIA E BALLKANIT – ideologjia serbomadhe

July 31, 2023 by s p

????????????????????????????????????

Prof. Xhelal Zejneli/

Ideologët serbomëdhenj, idenë e krijimit të Serbisë së Madhe e bazonin në kriteret, si:

– Në kriterin e shenjtë historik;

– Në kriterin e gjuhës;

– Në kriterin fetar;

– Në kriterin “e superioritetit” të kombit serb apo në shkallën qytetëruese “më të lartë” të serbëve përballë popujve të caktuar të Ballkanit.

Sipas etërve të idesë së Serbisë së Madhe, serbët na qenkan popull historik. 

Sipas ideologëve serbomëdhenj: 

– E kujt gjuha, i atij territori;

– E kujt feja, i atij territori.

Bazuar në kriteret e sipërthëna, malazezët janë serbë, për arsye se gjuha që flasin është serbishtja, ndërsa besimi i tyre është feja ortodokse. Boshnjakët e Bosnjës dhe Hercegovinës janë serbë të fesë islame. Gjuha që flasin ata është serbishtja. Kroatët janë serbë të fesë katolike. Gjuha që flasin ata është dialekti shtokav i serbishtes. Maqedonasit janë serbë ngase në mesjetë, Maqedonia ka qenë në përbërje të perandorisë së Dushanit.

Me të mohuar kombësinë malazeze, boshnjake, kroate dhe maqedonase, serbomëdhenjtë mohojnë ekzistimin e shteteve kombëtare të tyre – Malin e Zi, Bosnjën dhe Hercegovinën, Kroacinë dhe Maqedoninë. 

Pretendimeve ekspansioniste të serbëve ndaj Kroacisë dhe Ballkanit, inteligjencia kroate u ka bërë ballë gjatë gjithë historisë politike të kohës më të re, që nga fillimi i shekullit XIX deri më sot. Midis këtyre dy popujve mbizotëron një armiqësi historike. 

Sipas serbëve, krijimin e Serbisë së Madhe e kanë penguar, dikur dhe sot: Berlini, Vjena, Vatikani, CIA dhe agjenti i Vjenës dhe i Vatikanit – Josip Broz Tito.

*   *   *

Shënim: Pas fitores së Lidhjes Ballkanike (Greqisë, Bullgarisë, Serbisë dhe Malit të Zi) kundër Turqisë në Luftën I Ballkanike (1912), midis tyre filloi konflikti për Maqedoninë. Serbia dhe Greqia u bashkuan kundër Bullgarisë. Lufta midis tyre filloi në qershor të vitit 1913. Aleatët (Serbia dhe Greqia), të cilëve iu bashkuan edhe Rumania dhe Turqia, shpejt e mundën Bullgarinë. Maqedonia nuk u bë e pavarur, por u nda sipas dispozitave të Paqes së Bukureshtit (!913). Më tepër se gjysma e vendit i takoi Greqisë (Maqedonia e Egjeut). Pjesën më të madhe të asaj që mbeti, e mori Serbia (Maqedonia e Vardarit). Bullgarisë iu la diç më shumë se një e dhjeta (Maqedonia e Pirinit). Bullgaria e humbi edhe Dobruzhën jugore e cila i takoi Rumanisë, por asaj iu lejua ta mbajë një pjesë të Trakisë, duke fituar kësisoj dalje në Detin Egje.           

*   *   *

Ideologjia serbomadhe në Jugosllavinë e parë (1918-1941) – Krijimi i Mbretërisë së Serbëve, të Kroatëve dhe të Sllovenëve (MSKS) – Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, Serbia realizoi maksimumin e programit kombëtar. Mbretërisë së Serbëve, të Kroatëve dhe të Sllovenëve – të sapokrijuar, ia bashkëngjiti Malin e Zi dhe rajonet e Austro-Hungarisë, përfshi edhe Bosnjën – me mbizotërimin e serbëve. Me krijimin e Mbretërisë së SKS, populli serb për herëte parënë historinë e tij moderne, u fut në një shtet të vetëm. Me fjalë të tjera, të gjithë serbët në një shtet. Politikanët serb, mbretërinë e sapoformuar e shihnin si një Serbi të zgjeruar. Serbët konsideroheshin popull shtetformues dhe krijues kryesorë të Jugosllavisë, ndërsa “qëndrimi i tyre prej nikoqiri ndaj shtetit” u glorifikua apo u zmadhua. Zbatimi i politikës serbomadhe nënkuptonte një qeveri të fortë të centralizuar për tërë kombin.

Duke përdorur taktikën e frikësimit policor dhe të kurdisjes së zgjedhjeve, Nikolla Pashiqi* (Nikola Pashić, 1845-1926) e zvogëloi rëndësinë e opozitës në kuvend. Kjo i mundësonte që pushtetin ta centralizojë apo ta qendërzojë në duart e serbëve. Rregullimi i Mbretërisë së SKS-së si një shtet unitar dhe centralist me dominim serb, kishte shumë kundërshtarë, si: “zelenashët”, ithtarë të mbretit të shembur Nikolla Petroviç të Malit të Zi; Partia Fshatare Kroate, e cila kërkonte autonomi për Kroacinë; Organizata Revolucionare Maqedonase e Brendshme (VMRO), e cila luftonte për pavarësinë e Maqedonisë; Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”*, e cila luftonte për shkëputjen e trojeve shqiptare (Kosovës, Maqedonisë perëndimore dhe të pjesëve të caktuara të Sanxhakut); Partia Komuniste e Jugosllavisë, e cila luftonte kundër hegjemonisë serbomadhe dhe për rregullimin e Jugosllavisë mbi baza republikash në kuadër të një federate të përbashkët.  

Shënim: Bashkimi i Serbisë dhe Malit të Zi nuk kaloi lehtë. Mbreti i dëbuar Nikolla I Petroviq Njegosh (Nikola I Petrović Njegoš, 1841-1921) u çua kundër këtij vendimi. Vdiq në emigrim. U varros në kishën ruse në Sanremo (San Remo) të Italisë. Në Mal të Zi kishte të tillë të cilët bashkimin e konsideronin si akt jolegjitim. Këta quheshin “zelenashë” (green). Sipas disa studiuesve, këta ishin nacionalistë malazezë dhe luftonin kundër agresionit serbomadh ndaj Malit të Zi. 

Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” u themelua në ilegalitet të plotë më 1 maj 1918. Më 7 nëntor 1918 u vendos në Shkodër. Udhëhiqej nga atdhetarët, si: Bajram Curri,  Hoxhë Kadri Prishtina, Sali Nivica, Niman Ferizi, Hasan Prishtina, Bedri Pejani, Qamil Bala, Sali Rama, Hafiz Ismet Dibra etj. Qëllimi parësor i kësaj organizate politike kombëtare ishte mbrojtja e shtetit të pavarur shqiptar, demokratizimi i tij, çlirimi i Kosovës dhe i viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi, që ishin shkëputur padrejtësisht në vitin 1913 dhe bashkimi i tyre me Shqipërinë. 

Kritika komuniste e hegjemonisë serbomadhe – Krijimin e Mbretërisë së Serbëve, të Kroatëve dhe të Sllovenëve, Internacionalja Komuniste e cilësoi vetëm si zgjerim territorial të Serbisë pas luftës imperialiste, ndërsa vetë Mbretërinë – si “ perandori të vogël” serbe. Komunistët jugosllavë konsideronin se Mbretëria e SKS-së është shtet në të cilin klasa sunduese e një kombi i shtyp kombet e tjera. Politikën hegjemoniste të borgjezisë serbomadhe, ata e konsideronin shtyllë të kundërrevolucionit ballkanik dhe pengesë kryesore për krijimin e federatës ballkanike. Partia Komuniste e Jugosllavisë konsideronte se shkaku kryesor i kundërthënieve kombëtare në Jugosllavi është trashëgimia koloniale e politikës së borgjezisë serbe nga luftërat ballkanike në Maqedoni dhe kundër Shqipërisë si dhe politika hegjemoniste e saj në shtetin e ri. Partia Komuniste e Jugosllavisë, detyrën e vet e shihte në luftën e vendosur kundër shtypjes kombëtare dhe për vetëvendosjen e popujve. 

Në Rezolutën e PKJ-së të datës 25 nëntor 1924 thuhet: “Është detyrë e Partisë që me organizatat e masave punonjëse të kombeve të shtypura të zhvillojë luftëra të përbashkëta për të drejtën e shkëputjes, përkatësisht t’u ndihmojë lëvizjeve të kombeve të shtypura për t’i formuar shtetet e pavarura, si të Kroacisë, Sllovenisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, ashtu edhe për çlirimin e shqiptarëve”.                         

PKJ thotë: “E vetmja zgjidhje e drejtë e çështjes kombëtare në Ballkan është krijimi i Republikës Federative Ballkanike. Por, kah mesi i viteve ’30 të shekullit XX, PKJ thotë: “Jugosllavia mund të ekzistojë, me kusht që të rregullohet mbi baza federative”. 

*   *   *

Atentati në Kuvendin Popullor të Mbretërisë së Jugosllavisë në Beograd – Më 20 qershor 1928, në sallën e Kuvendit Popullor në Beograd, ndodhi një masakër. Deputeti serb nga Mali i Zi, i radhëve të Partisë Popullore Radikale, Punisha Raçiq (Puniša Račić, 1886 – 16 gusht 1944) nxori prej xhepit revolen e tipit „parabellum“ dhe qiti mbi deputetët kroatë. U vranë vend Gjuro Basariçek (Đuro Basariček, 1884 – 20 qershor 1928) dhe Pavlle Radiq (Pavle Radić, 1880 – 20 qershor 1928). Kryetari i Partisë Fshatare Kroate, Stjepan Radiq (Stjepan Radić, 1871 – 8 gusht 1928) – u plagos. Pas një muaj e gjysmë, vdiq prej plagëve të marra. U plagosën Ivan Grangja (Ivan Granđa, 1879 – 31 mars 1953) dhe juristi, Dr. Ivan Pernar (1889 – 2 prill 1967). Atentatori Punisha Rçiq u arrestua dhe u dënua me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1944, me të hyrë partizanët në Beograd – e pushkatuan.         

*   *   *

Koncepti i Klubit Kulturor Serb – Ka qenë organizatë politike serbomadhe. Është themeluar në vitin 1937 në Mbretërinë e Jugosllavisë. Gjatë Luftës II Botërore, ideologjia e Klubit paraqiste ideologjinë jozyrtare të Lëvizjes së Ravna Gorës, d.m.th. të çetnikëve. Kryetar i Klubit ishte Sllobodan Jovanoviqi (Slobodan Jovanović, Novi-Sad, 1869 – Londër, 1958). Ky ka studiuar drejtësinë në Gjenevë të Zvicrës. Në vitin 1891, studimet i vazhdoi në Paris. Profesor në Universitetin e Beogradit. Në vitet 1942-1943 ka qenë kryetar i Këshillit të Ministrave të Mbretërisë së Jugosllavisë – në Londër.      

Shteti i përbashkët jugosllav ishte jofunksional. Kjo solli ringjalljen shkallëzore të idesë serbomadhe. Ndër politikanët serbë u forcua bindja se me idenë e bashkimin – kanë gabuar, ndaj duhet krijuar Serbinë e Madhe. Për ta zgjidhur çështjen kombëtare serbe, shpesh është propozuar “amputimi i Kroacisë”, në kufij të reduktuar, të cilës do t’i merreshin “viset serbe”. Në mars të vitit 1928, deputeti i radikalëve Punisha Raçiq (Puniša Račić, 1886-1944), atentatori famëkeq ndaj Stjepan Radiqit (Stjepan Radić, 1871-1928), në seancën e Kuvendit Popullor kërkoi që shteti të rregullohet ndryshe, të riemërohet dhe të quhet Serbi e Madhe. 

Klubi Kulturor Serb thotë: “Gabimet e bëra pas bashkimit, duhet t’i përmirësojmë”. 

Sipas serbomëdhenjve, “çështja kombëtare serbe” në Mbretërinë e Jugosllavisë ka mbetur e pazgjidhur. Për këtë arsye një grup intelektualësh serbë formojnë Klubin Kulturor Serb. Synimi i tij është të riafirmojë idenë serbomadhe”. Krahinën e Bosnjës (Bosanska Krajina), Klubi Kulturor Serb e quante “pararojë e Beogradit”. Rajoni i Bosnjës dhe Hercegovinës duhet i tëri të hyjë në njësinë territoriale serbe të ardhshme. Klubi Kulturor Serb punonte me përkushtim për shkëputjen e Sremit nga përbërja e Banovinës (Guvernës) Kroate (rrethet Dal, Vinkovci dhe Vukovar), duke shtuar se Dalmacia nuk është kroate. Është potencuar karakteri serb i Maqedonisë dhe i Kosovës. Të gjitha këto rajone apo troje i konsideronte toka serbe dhe në to zhvillonte veprime propagandistike të gjera.

Në vitin 1937, sekretari i Klubit Kulturor Serb në Beograd, docent i Fakultetit Filozofik në Beograd, Vasa Çubrilloviq (Vasa Čubrilović, 1897-1990), u dërgoi organeve shtetërore dokument sekret me titull “Dëbimi i shqiptarëve” (Iseljavanje Arnauta). Dokumenti ka të bëjë me “zgjidhjen e çështjes shqiptare”, përkatësisht me “dëbimin e paramenduar, sistematik dhe energjik” të shqiptarëve nga Jugosllavia dhe me asimilimin e atyre që do të mbesin. Për shpërnguljen sa më masive të popullatës shqiptare, Çubrilloviqi propozon metoda të trysnisë shtetërore: largime nga puna,  burgosje, dhunë, frikësime, korruptime, dërgim të njësive paraushtarake dhe djegie të vendbanimeve. 

Shënim: Vasa Çubrilloviq (Vasa Čubrilović, 1897-1990) ishte historian, anëtar i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve, profesor ordinar në Universitetin e Beogradit.                               

*   *   *

Ideologjia serbomadhe në Luftën II Botërore – Ideologjia serbomadhe mor hov gjatë Luftës II Botërore. Sipas historiografisë serbe, eliminimi i serbëve në Shtetin e Pavarur Kroat (të krijuar gjatë luftës), ka qenë pjesë e politikës shtetërore zyrtare. Sipas serbëve, ky eliminim i ka pasur të gjitha elementet e gjenocidit. Rrjedhimisht, ekzistimi i serbëve në një shtet shumëkombësh, është i pamundur. Në vend të rimëkëmbjes së Jugosllavisë, rezultati i luftës  duhet të jetë shteti serbomadh. Idetë e këtilla u paraqitën në mënyrë më eksplicite në memorandumin apo elaboratin “Serbia homogjene” të ideologut të çetnikëve, Stevan Moleviq* (Stevan Moljević, 1887-1959). Në artikull janë përcaktuar kufijtë e ardhshëm të Serbisë së Madhe. Në vitet ’80 dhe ’90 të shekullit XX, këta kufij do të njihen si “Vija e Sheshelit”. 

Moleviqi shkruan: “Gabimi kryesor në rregullimin tonë shtetëror ka qenë se në vitin 1918 nuk u përcaktuan kufijtë e Serbisë. Ky gabim duhet të përmirësohet, o sot o kurrë. Këta kufij duhet të përcaktohen sot dhe ata duhet ta përfshijnë tërë rajonin etnik ku jetojnë serbët, me dalje të lira në det, për të gjitha zonat që ndodhen pranë detit”. 

Memorandumi i sipërthënë i Moleviqit u botua më 30 qershor 1941. Aty mbron krijimin e Serbisë së Madhe dhe pastrimin etnik të saj prej popujve të tjerë. Ai ngulte këmbë që të shënohen qartas të gjitha tokat serbe dhe ato, në pikëpamje etnike, të bëhen homogjene. 

Lëvizja çetnike (emërtimi zyrtar: Ushtria Jugosllave në Atdhe) udhëhiqej nga ideologjia serbomadhe. Ajo synonte krijimin e Serbisë së Madhe në Jugosllavinë e Madhe. Homogjenia e dëshiruar e Serbisë çetnike arrihej me mjete të pastrimit etnik dhe me gjenocid.                   

         Komandanti i çetnikëve, gjenerali Drazha Mihajlloviq* (Draža Mihailović, ), më 20 dhjetor 1941, shkruan dhe bën thirrje: “Të krijohet Jugosllavia e madhe dhe në të Serbia e madhe, etnikisht e pastër, në kufijtë e Serbisë-Malit të Zi-Bosnjës e Hercegovinës-Sremit-Banatit dhe Baçkës. Të luftohet që të përfshihen në jetën tonë shtetërore të gjitha territoret që ende ndodhen nën italianë dhe gjermanë (Trieste-Gorica-Istra dhe Korushka) si dhe Bullgaria, Shqipëria veriore me Shkodrën. Territore shtetëror të pastrohet nga të gjitha pakicat kombëtare dhe nga elementet jokombëtare. Të krijohen kufij të përbashkët midis Serbisë dhe malit të Zi, si dhe Serbisë e Sllovenisë, duke pastruar Sanxhakun nga popullata myslimane, ndërsa Bosnjën – nga popullata myslimane dhe katolike… Në viset e pastruara prej pakicave kombëtare dhe prej elementeve jokombëtare, të vendosen malazeztë (vijnë parasysh familjet e varfra…). Në janar dhe në shkurt 1943, ushtria çetnike (Ushtria Jugosllave në Atdhe) ndërmori operacione të gjera gjenocidi dhe pastrimi etnik në Bosnjën lindore dhe në Sanxhak, me ç’rast janë vrarë mijëra civilë myslimanë, gra, pleq dhe fëmijë. 

Në Kongresin e Shën Savës të mbajtur në vitin 1944, çetnikët vendosën që Jugosllavia e pasluftës të jetë monarki me tri njësi federale: sllovene, kroate dhe serbomadhe. Në kuadër të Serbisë do të përfshiheshin Mali i Zi, Maqedonia, Bosnja e Hercegovina dhe një pjesë e madhe e Kroacisë. Me fitoren e partizanëve, planet e çetnikëve dështuan. Fitoi koncepti i Jugosllavisë federative.                         

Shënim: Stevan Moleviq (1887-1959) ka qenë jurist serb. Drejtësinë e ka kryer në Zagreb. Një prej ideologëve me peshë të ideologjisë serbomadhe dhe të lëvizjes së çetnikëve. Kryeredaktor i revistës çetnike “Ravna Gora”; gjatë Luftës II Botërore, anëtar i Komandës supreme çetnike dhe këshilltar politik i Drazha Mihailloviqit. Në shator të viti 1945, në ”Procesin e Beogradit” kundër Drazha Mihailloviqit, u dënua me 20 vjet heqje lirie. Vdiq më 15 nëntor 1959 në burgun e Sremska Mitrovicës (Mitrovicë e Sremit). Në memorandumin dhe elaboratin “Serbia homogjene” mbron krijimin e Serbisë së Madhe dhe pastrimin etnik të saj prej popujve të tjerë.

Dragolub Mihajlloviq – Drazha (1993-1946) – gjeneral i Mbretërisë së Serbisë dhe i Mbretërisë së Jugosllavisë, udhëheqës i çetnikëve serbë. Gjatë luftërave ballkanike dhe Luftës I Botërore, oficer i ushtrisë serbe në Mbretërinë e Serbisë. Në vitin 1945, në “Procesin e Beogradit”*, pushteti komunist e dënoi me vdekje për tradhti të lartë dhe për krime lufte. U pushkatua dhe u varros në lokacion sekret. Më 14 maj 2015, Gjykata e Lartë në Beograd mori vendim për rehabilitimin gjyqësor të tij. Me këtë e anuloi aktgjykimin e nxjerrë më 15 korrik 1946. Vendimi i Gjykatës u përshëndet nga Vojisllav Shesheli (Vojislav Šešelj, 1954- ) dhe të tjerë. Në Kroaci, rehabilitimi i tij u dënua ashpër. Është dekoruar në Serbi (në kohën e Mbretërisë së Serbisë), por edhe prej shteteve të tjera. Është mbajtës i “Përkujtimores Shqiptare” (Albanska spomenica).

“Procesi i Beogradit” – Emërtimi zyrtar i procesit është: “Gjykimi i Dragolub-Drazha Mihailloviqit dhe i kolaboracionistëve të tjerë për tradhti dhe krime lufte të kryera në hapësirën e Jugosllavisë gjatë luftës (1941-1945). Procesi u mbajt në Beograd prej datës 10 qershor deri më 15 korrik 1946. Të akuzuar ishin 24 vetë, shumica pjesëtarë të ushtrisë çetnike serbe. Dhjetë prej tyre u gjykuan në mungesë. Të pranishëm ishin 60 gazetarë të huaj. Procesi i ngjante “Procesit të Nyrnbergut” (nëntor 1945 – 1 tetor 1946).   

*  *   *

Serbia e Madhe e Millan Nediqit – Ky projekt nënkupton rikonstruktimin e  “Serbisë së Plotë” (SveSrbije) në hartën e Jugosllavisë së pushtuar gjatë Luftës II Botërore. Kryetari i Qeverisë së Serbisë, të pushtuar, gjenerali Millan Nediq (Milan Nedić, 1877 – Beograd, 4 shkurt 1946) propozoi krijimin e Serbisë së Madhe të cilën e quajti “Krejt Serbia / Serbi e Plotë” (SveSrbija). Projekti parashikonte bashkimin e Serbisë dhe të Malit të Zi në kufijtë e tyre të atëhershme të luftës, si dhe bashkëngjitjen e pjesëve të caktuara të Shtetit të Pavarur Kroat të banuara me serbë. Në vitin 1943, Nediqi ia ka paraqitur projektin Adolf Hitlerit (1889-1945), por ky e ka refuzuar. Sipas studiuesve kroatë, ky politikan serb ishte “bashkëpunëtor i pushtuesve fashistë; udhëhoqi qeveri marionete dhe ishte kolaboracionist”. Sipas komunikatës zyrtare të pushtetit komunist, “më 4 shkurt 1946, Nediqi bëri vetëvrasje gjatë procesit hetimor”.

*   *   *

Ideologjia serbomadhe në Jugosllavinë e dytë – Me fitoren e partizanëve në Luftën II Botërore, në përputhje me vendimet e Mbledhjes së dytë të AVNOJ-it (KAÇKJ – Këshilli Antifashist i Çlirimit Kombëtar të Jugosllavisë) të mbajtur më 29 nëntor 1943 në Jajce të Bosnjës dhe Hercegovinës, u ripërtëri shteti i Jugosllavisë mbi parime republikash dhe mbi parime federative. U parashikua që popujt sllavë të jugut (serbët, kroatët, sllovenët, maqedonasit dhe malazeztë) të jetojnë në republikat kushtetuese me të drejta të barabarta. Malazezëve, maqedonasve, më vonë edhe myslimanëve (të BH-së), iu njoh e drejta për kombe të veta. Me Kushtetutën e RSF të Jugosllavisë të vitit 1974, Kosova dhe Vojvodina u bënë pjesë konstitutive të federatës. Për ideologjinë serbomadhe s’kishte vend. Për këtë arsye, ajo u zhvillua jashtë Jugosllavisë, kryesisht ndër çetnikët në emigracion. 

Në Jugosllavinë e parë, Serbia i kishte në kuadër të vet: Bosnjën dhe Hercegovinën, Maqedoninë, Malin e Zi, Kosovën dhe Vojvodinën. Me vendimet e AVNOJ-it (KAÇKJ-së), përkatësisht me Kushtetutën e vitit 1974, ato u bënë republika më vete, përkatësisht njësi federative.     

Shënim: Pas Luftës II Botërore, pater patriae (babai i kombit), akademiku Dobrica Qosiq (Dobrica Ćosić, 1921-2014) deklaron: „Atë që serbët e fitojnë me luftë, e humbin në paqe”.             

*   *   *

Marrëveshja Pavelliq – Stojadinoviq e viti 1954 – Ishte një marrëveshje e pasluftës në emigracion midis udhëheqësit të ustashëve dhe ish-kreut të Shtetit të Pavarur Kroat – Ante Pavelliq (Ante Pavelić, 1889 – Madrid, 1959) dhe politikanit serb Millan Stojadiniviq (Milan Stojadinović, 1888 – Buenos-Aires, 1961). Marrëveshja u nënshkrua kah fundi i vitit 1954 në Buenos-Aires. Ajo parashikonte shkatërrimin e RPF të Jugosllavisë (RPFJ) dhe krijimin e tre shteteve të pavarura: Sllovenisë, Kroacisë dhe Serbisë. Emigracioni serb dhe ai kroat nuk e njihnin legjitimitetin e regjimit të Titos në Jugosllavi. Kjo marrëveshje serbo-kroate duhej të zëvendësonte Marrëveshjen e vjetruar Cvetkoviq-Maçek* të viti 1939, me të cilën e formua Banovina (Guverna) e Kroacisë. 

Marrëveshja Pavelliq-Stojadinoviq parashikonte ndarjen e Bosnjës. Bosanska Kraina do t’i takonte Kroacisë, ndërsa pjesa më e madhe e Bosnjës qendrore me Bosnjën lindore, Hercegovina lindore dhe Dalmacia jugore – do t’i takonin Serbisë. Kundër kësaj marrëveshjeje  reaguan ashpër: emigracioni kroat, emigracioni serb si dhe regjimi i Titos në Jugosllavi. Pavelliqi dhe Stojadinoviqi, prej qarqeve politike serbe dhe kroate në emigracion, u shpallën tradhtarë kombi. Regjimi jugosllav ndërkaq, e injoroi rëndësinë e marrëveshjes si një “llogari pa hanxhiun”, duke shtuar se Pavelliqi dhe Stojadinoviqi tanimë nuk e përfaqësojnë askënd.             

      Disa studiues, këtë marrëveshje e konsiderojnë si bazë për të cilën Sllobodan Millosheviqi* dhe Franjo Tugjmani* do të bisedojnë pas 35 vjetëve në Karagjorgjevë. 

Shënim: 

Millan Stojadinoviqi studioi drejtësinë në Beograd. I vazhdoi studimet në Munih (München) dhe në Berlin. Doktoroi në Beograd. Profesor universiteti. Ishte i Partisë Popullore Radikale. Në vitet 1935-1939, kryeministër i Mbretërisë së Jugosllavisë. 

   Dragisha Cvetkoviq (Dragiša Cvetkoviq, 1893 – Paris, 1969) – politikan serb; u shkollua në Beograd; është i Partisë Popullore Radikale; kryeministër i Mbretërisë së Jugosllavisë në vitet 1939-1941. 

Vlladko Maçek (Vladko Maček, 1879 – Uashington, 1964) – jurist dhe politikan kroat.

Sllobodan Millosheviq (Slobodan Milošević, 1941 – 2006) – kryetar i Serbisë në vitet 1989-1997; kryetar i RF të Jugosllavisë në vitet 1997-2000. Nga Gjykata Ndërkombëtare, u fajësua për krime kundër njerëzimit. Vdiq në burgun Sheveningen të Hagës.      

Franjo Tugjman (Franjo Tuđman, 1922-1999) – historian kroat, anëtar i Akademisë Kroate të Shkencave dhe të Arteve; më 1960 e mori gradën e gjeneralmajorit. Më 1961, me kërkesën e vet, e la shërbimin në Armatën Popullore të Jugosllavisë. Më 1967 përjashtohet nga Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë. E pensionojnë. Më 1972, i cilësuar si nacionalist kroat, u dënua me dy vjet heqje lirie. Pas nëntë muajve u lirua. Më 1981 përsëri u dënua. Tani me tre vjet heqje lirie, por më 1983 u lirua “për shkaqe shëndetësore”. Më 1984 e rikthyen në burg, por sërish e liruan “për përkeqësim të gjendjes shëndetësore”. Në vitet 1990-1999, kryetar i parë i Republikës së Kroacisë – sovrane dhe të pavarur.       

Filed Under: ESSE

NJË DITË PAS FITORES…

July 31, 2023 by s p

– përsiatje nga Visar Zhiti -/

Është koha më e rëndësishme

dhe më e rrezikshmja ajo e mbasfitores…

Dhe dëgjojmë për fitoret që ndodhin në vendin tonë, aq shumë të përsëritura, fitore të njëllojta, që entuziazmojnë shumë e shumë njerëz njëlloj, kur s’kuptohet çfarë u fitua dhe kush dhe pse është fitore prapë ajo që s’ishte fitore as herën e parë, madje jo dhe aq e mirë, ngulmimi s’është fitore, etj, etj, ndërkaq më përsillen befas në mendje vargjet e pamëshirshme të Nolit, edhe pse si një terapi dëshpëruese:

“Ti dhe të tjerët pleq do të ngelni,

Tokën e Shenjtë kurrë s’e shkelni

Skllevër, bij-skllevësh, s’e meritoni

Se liri s’doni!…”

Çfarë s’meritojmë, Imzot?…

Është poezia e tij me gjuhë biblike,“Moisiu në Mal”, dhe ashtu si Bibla me vlerë të përjetëshme, edhe poezia e Fan Nolit ka porosi të tilla që më duken aktuale për fitoret apokrife, pas të cilave nuk ka mbërritje.

Po ta lexojmë edhe një herë të gjithë poezinë për bukurinë e saj të egër:

MOISIU NË MAL

Ngjitet përpjetë Malit të shkretë

Krye-Profeti trimi me fletë,

Të bisedonjë me Perëndinë

Për Palestinë.

Arrin në majë lart i kapitur,

Qëndron me frikë, pret i tronditur,

Dhe Jehovaj i flet prej një reje

Me zë rrufeje:

“Ti dhe të tjerët pleq do të ngelni,

Tokën e Shenjtë kurrë s’e shkelni

Skllevër, bij-skllevësh, s’e meritoni

Se liri s’doni !”

Krye-Profetit dita i ngryset

Dhe shpirt-këputur përdhe përmbyset

Me lot në sy, me zemër të ngrirë

I lyp mëshirë.

Pse kaqë gjatë, Zot, m’arratise,

Pse më përplase, më përpëlise,

Pse shpresën dyzet vjet ma ushqeve,

Dhe sot ma preve ?

“Nëm Dhen’ e Lirë! Zot ku ma ke?”

“Shiko, i tha, dhe ja ku e pe.”

Së largu Zoti ia pasqyron,

Dhe e shikon.

Ja Nazareti, ja Bethlehemi,

Lum’ i Jordanit, Jerusalemi,

Mal’ i Sionës, Bethsaidaja,

Dhe Golgothaja,

Sheh gasn’ e pritmë për djalërinë

Dhe shkretëtirën për pleqërinë,

Atje sa bukur, këtu sa zi,

O Moisi.

Këtej ka dimrin, andej pranverën,

Kërkon parajsën, vdes në Skëterrën;

Ajme, sa vrer, sa keq e sa zor,

Liberator!

Si përzihen fitorja me mosfitoren! Premtimi me ëndrrën, antiteza me pranverën dhe dimrin, me parajsën dhe skëterrën… me ne dhe ne, që mbetemi përballë tyre, pa ditur të zgjedhim…

Mund të flitet shumë e më shumë për këtë poezi, por s’po shkoj më tej, veç dua të them se ajo më sjell mua, e kam me veten, dhe dy imazhe të fuqishme, e para, skulpturën mahnitëse të Moisiut të Michelangelo-s, që gjendet në Romë, në Kishën ”San Pietro in Vincoli”, ku familjarisht shkonim shpesh ta admironim, me orë të tëra rrinim para saj, më vonë u gëzova kur lexova se aty vinte shpesh që të shikonte “Moisiun”edhe Zigmund Freud i ri…

Ajo është vërtet një triumf me artin.

Po entuziazmi ynë për fitoret tona abdsurde, për të mos thënë të dēmshme, mos kanë nevojë për “Frojdin”, për psikiatër? – pyeta veten befas.

Poezia “Moisiu në Mal” është shkruar nja një shekull më parë dhe tani e mora nga “Albumi” i Nolit, të cilin, kur e botoi në Vitin 1946, ua kushtoi fitimtarëve të luftës, atyre që më pas ndërtuan mbylljen dhe ferrin e shqiptarëve e Noli do të prishej përfundimisht me ta. Neve do të na mbetej frika nga fitoret… duket sikur të tilla do t’i kishim…

Po të dalim tek e dyta, tek imazhi i Imzot Fan Noli, poet dhe gjeni i përkthimit, që i solli shqipes triumfalisht një Hamlet e Makbeth e një Don Kishot magjepsës, që Khajamin e bëri të dehej shqip, por ja, që i shkrepte dhe atij për fitore të mbrapshta duke u bërë “kryeministri që i binte fyellit”, siç e thotë dhe vetë, i pa parë, që solli ambasadën bolshevike në Tiranë, të parën në Ballkan. Dhe u përsërit e u përsërit, kryeministër jo me fyell, s’dua të flas për ata me karabina e kallashnikovë, por me penel. Nejse, Noli solli një tjetër fitore të madhe, që lidhet me shpirtin dhe identitetin, që s’po dimë ta ruajmë vërtet, themeloi Kishën Autoqefale Ortodokse Shqiptare. Noli risolli dhe fantazmën heroike e frymëzuese të Gjergj Kastrioti – Skënderbeut, që e kishte marë emrin nga Shën Gjergji që mposhti Dragoin mizor dhe dhunues. Me emrin Gjergj triumfoi rilindja jonë…

KONJAKU “SKËNDERBEU”.

Dhe ne fitoret skënderbejane i shndërruam në një patriotizëm romantik, që si për t’u dehur prej tij, i shtydhëm dhe në një shishe konjaku me famë, madje dhe në botë, “Konjak Skënderbeu”. Dhe po përsërisim fitoret pa kuptim, ndërsa në entuziazmin e një ditë më pas, duke pëplasur gotat gjumëndjellëse plot me urime, biem si rishtarë në makthin e paharruar, pa parandjenja, aq më mirë, se ndoshta s’do të përsëritet e kaluara aq tamam. Na i tha dhe një Gjergj bashkëvuajtës, që erdhi nga burgjet dhe ëndrra, kërkoi fitoret morale si (ri)fillim, t’i arrinim bashkarisht, por e lamë mënjanë, duke ia mbyllur rrugën, që na e tregoi për një çast…

Roselle, Chicago, 30. 07. 2023

Filed Under: LETERSI Tagged With: Visar Zhiti

#SiSot, më 31 korrik 1949, Mit’hat Frashëri zgjidhet kreu i Komitetit Shqipëria e Lirë

July 31, 2023 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/

Në tetor të këtij viti, Frashëri do të ndërronte jetë në moshën 69-vjeçare nga një goditje në zemër, në Hotelin “Winthrop” të Nju Jorkut. Me instalimin e regjimit komunist, Mit’hati iku në Itali. Vitet e para të Luftës së Ftohtë i kaloi duke u përpjekur për të mbledhur një koalicion të forcave antikomuniste shqiptare në Britani dhe në Shtetet e Bashkuara.

Ishte biri i veprimtarit të hershëm të çështjes kombëtare, Abdyl bej Frashërit. Gjatë jetës dhe veprimtarisë së tij u shqua si patriot i flaktë, politikan i zellshëm, administrator i drejtë, publicist penëmprehtë, botues skrupuloz dhe bibliofil i pashoq. Prej shumë shkrimeve që la pas, shkëpusim dy fjali ende të rëndësishme për shqiptarët sot dhe nesër: “Pa zgjidhjen e problemit shqiptar nuk do të ketë as Jugosllavi të re dhe as një zgjidhje përfundimtare të kufinjve në Ballkan” (pjesë e promemories së tij drejtuar konferencës së posaçme që parapriu krijimin e Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene) dhe “Shpëtimi i Shqipërisë do të vijë me anë të vetes tonë.”

#ArkivatFrymëzojnë

#ArkivatKujtojnë

#MithatFrashëri

#AQSH

#FototekaAQSH

Filed Under: Politike

Ritualet e Varrimeve në Botë

July 31, 2023 by s p

Nga NDREK GJINI/

Përmes ritualeve të varrimeve, shoqëria ka mundësinë të shprehë dhimbjen dhe ndarjen nga të dashurit e tyre. Këto rituale zbulojnë ndikimin e vdekjes në kulturat dhe shoqëritë e ndryshme në botë. Vende të ndryshme praktikojnë rituale të ndryshme, që janë nga më të çuditshmet.

Varrimi qiellor

“Varrimi në qiell” është një ritual i zakonshëm në Tibet tek budistët që besojnë në vlerën e dërgimit të shpirtrave të të dashurve të tyre drejt parajsës. Në këtë ritual, trupat lihen jashtë, shpesh të prerë në copa, që zogjtë ose kafshët e tjera t’i hanë. Kjo sipas tyre ka qëllim të dyfishtë. Së pari trupi i të vdekurit që e hanë shpendët shkon në qiell. Dhe së dyti sipas tyre duke e lënë trupin jashtë shpirti i të vdekurit është krejt i lirë të largohet në qiell gjithashtu. Përmes këtij rituali ata mendojnë se plotësojne rrethin e jetës; duke u dhënë ushqim kafshëve dhe duke e lënë shpirtin të lirë të shkojë në qiell.
Famadihana
“Vallëzimi me të vdekurit” përshkruan më së miri traditën e varrimit në Madagaskar të Famadihana. Njerëzit atje i hapin shumë shpesh varret e të vdekurve dhe i nxjerrin jashtë. Ata rimbështjellin kufomat me rroba të reja. Ata gjithashtu kërcejnë me këto kufoma pranë varrit dhe luajnë muzikë përreth varreve të tyre. Ky ritual i përkthyer si “kthimi i eshtrave” ka për qëllim të përshpejtojë dekompozimin e trupave të vdekur dhe të çlirojë shpirtin e të vdekurve drejt përjetesisë.

Varrimi në ujë

Varrimi në ujë është një ritual funerali në të cilin eshtrat apo arkivoli i të ndjerit vendosen në ujë, si deti, lumi ose liqeni. Varrosjet në ujë janë praktikuar për shekuj nga disa popuj në mbarë botën, dhe ato vazhdojnë të jenë një opsion popullor edhe sot në Vëndet Nordike.
Ekzistojnë dy lloje kryesore të varrimeve në ujë, varrimi i plotë i trupit ose shpërndarja e hirit. Varrosjet në ujë të gjithë trupit përfshijnë vendosjen e trupit të të ndjerit në një arkivol ose qefin dhe më pas hedhjen e tij në ujë. Ky lloj varrimi zakonisht bëhet në det, por mund të bëhet edhe në një lumë ose liqen.

Parakalimi në paradë i të vdekurve

Festimi i jetës së të ndjerit mund të marrë shumë forma. Një traditë nga Varanasi, Indi, përfshin parakalimin në paradë të të vdekurve.
Një paradë që feston jetën e të ndjerit është një lloj përkujtimi që shpesh mbahet për nder të dikujt që ka patur ndikim të rëndësishëm në komunitetin e tyre. Parada mund të jetë një mënyrë për të festuar jetën, arritjet dhe kontributet e të ndjerit dhe për të bashkuar të dashurit dhe miqtë e tyre për t’i kujtuar ata.
Ka shumë mënyra të ndryshme për të organizuar një paradë që feston jetën e të ndjerit. Parada mund të mbahet në një hapësirë publike, si park ose rrugë, ose mund të mbahet në një mjedis më privat, si varreza ose kishë. Parada mund të jetë e thjeshtë ose e përpunuar dhe mund të përfshijë një sërë aktivitetesh, të tilla si grupe marshimi, muzikë, këngë, vallëzim dhe veshje karnavalesh.

Kulla e Heshtjes

Një traditë zoroastriane kërkon zogj shkaba për të ngrënë trupin e të vdekurve. Komuniteti Parsi, në Indi, i cili praktikon Zoroastrianizmin, ka një metodë unike të asgjësimit të të vdekurve. Ata nuk i varrosin apo djegin të vdekurit e tyre, por përkundrazi i lënë ata jashtë në një strukturë të quajtur Kulla e Heshtjes. Trupat vendosen në një platformë të ngritur dhe zogjtë shkaba lejohen t’i hanë ato. Kjo praktikë quhet “ekspozim”.
Arsyeja pse Zoroastrianët përdorin zogjtë shkaba është sepse ata besojnë se zjarri dhe toka janë elementë të shenjtë dhe se varrosja ose djegia e një trupi do t’i ndot ato. Zogjtë shkaba, nga ana tjetër, shihen si krijesa të lira dhe të pastra, dhe konsumimi nga ana e tyre i të vdekurve shihet si një mënyrë për të kthyer trupin në natyrë.

Rruaza të bukura nga hiri i të vdekurve

Ndërsa traditat e panumërta të varrimit në mbarë botën përfshijnë djegien, Koreano-Jugorët e kanë bërë atë një hap më tej. Ata e kthejnë hirin e të ndjerit në rruaza të bukura. Këto rruaza kanë ngjyra të ndryshme nga roza, e zeza dhe bluja dhe shkëlqejnë. Të vendosura brenda vazove prej qelqi apo edhe të hapura në enë, rruazat mund të zënë vendin qendror brenda një shtëpie. Kjo është një zgjedhje dekorative dhe në të njëjtën kohë një kujtim i të vdekurve. Në një vend si Koreja e Jugut, ku toka është e pakët dhe djegia e trupave të të vdekurve po bëhet e vetmja zgjedhje realiste, marrja e diçkaje të bukur nga procesi I kësaj djegie u jep të dashurve të tyre një shans për t’i rikujtuar dhe ripërtërin një trashëgimi të bukur që është për ta një thesar i vyer.

Ritualet e varrimit në Filipine

Në Filipine, komuniteti Tinguian i vesh të vdekurit me rrobat më të bukura dhe e ul trupin e të vdekurit në një karrige, shpesh duke i vendosur një cigare të ndezur në buzë.
Ndërsa komuniteti Benguet në Filipine u lidhin sytë të vdekurve para se t’i vendosin në karrige në hyrje të shtëpisë. Komuniteti Cebuano në këtë vend i vesh me të kuqe fëmijët që marrin pjesë në funerale, pasi ata besojnë se kjo praktikë zvogëlon mundësinë që fëmijët të shohin fantazma. Rajoni Sagada në Filipine praktikon varjen e arkivoleve të të vdekurve mbi shkëmbinj.Kjo pasi ata besojneë se kjo praktikë i sjell shpirtrat e të vdekurve më afër qiellit. Njerëzit e komunitetit në Cavite të Filipineve shpesh varrosin të ndjerin vertikalisht në një pemë të cilën e ka zgjedhur vetë personi përpara se të vdiste.
Ritualet e varrimeve në mbarë botën janë të shumta dhe mjaft të ndryshme, por të gjitha këto rituale kanë vetëm një qëllim; nderimin e të vdekurve.

Filed Under: Histori Tagged With: ndrek gjini

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1744
  • 1745
  • 1746
  • 1747
  • 1748
  • …
  • 2982
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT
  • NJË KUJTIM PËR PROFESOR FEHMI AGANIN
  • Kujtojmë në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin arbëresh të Italisë, Lekë Matrënga
  • Albanian Roots Parade, Saturday, June 20
  • DEBATI NË WASHINGTON — PSE FINANCOHET SHOQËRIA CIVILE JASHTË VENDIT?
  • Qyteti 2400-vjeçar që i përket njerëzimit – pasuri e UNESCO-s
  • Skënderbeu në medaljonin e vendosur në pullën e parë postare shqiptare, më 1 dhjetor 1913
  • Ervin Toro: “National Albanian Registry”, një investim në identitetin, fuqinë dhe të ardhmen e komunitetit shqiptar në Amerikë
  • Dualiteti juridik dhe kriza strukturore e barazisë në Maqedoninë e Veriut
  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT