• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

100 VJETORI I TRAKTATIT TË LOZANËS

July 31, 2023 by s p

(Original Caption) 7/16/1932- Lausanne, Switzerland- The Lausanne pact slowed post war history of Europe. Prime Minister Ramsay MacDonald of Great Britain (left foreground) signs.

Një fitore për Turqinë e re, një goditje për çamët në Greqi*

Prof.Muhamed Mufaku

Ndonëse Traktati i Lozanës njihet më shumë si traktat për paqe që e përfundoi Luftën greko-turke 1919-1922 dhe i përcaktoi kufijtë midis dy shteteve, ai më shumë lidhet me një praktikë të re në të drejtën ndërkombëtare dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare: këmbimi i detyrueshëm i popullsisë turke-greke, përkatësisht ortodokse-myslimane midis dy vendeve. Qeveria e Athinës tani e shfrytëzoi këtë Traktat për dëbimin e çamëve myslimanë prej Çamërisë, sepse e kishte më të lehtë asimilimin e pjesës tjetër ortodokse dhe vendosjen e grekëve të ardhur nga Turqia në vendin e tyre

Në vitet e fundit nisi të rritej interesimi në Turqi për 100-vjetorin e Traktatit të Lozanës (24.07.1923), me paraqitje të ndryshme sikurse Turqia do të lirohet prej disa obligimeve të fshehta, madje vetë presidenti Erdogan rriti më shumë pritshmëritë me disa deklarata për “shekullin e ri turk”, pra pas atij të parë që filloi me fitoren diplomatike të Turqisë në Lozanë dhe shpalljen e Republikës më 29 tetor 1923. Këto paraqitje të ndryshme brenda dhe jashtë Turqisë, shtuan interesimin për 100-vjetorin e Traktatit të Lozanës, përkatësisht për konferenca dhe aktivitete të tjera shkencore kushtuar këtij jubileu. Një prej këtyre ishte një konferencë ndërkombëtare e mbajtur në Amman të Jordanisë më 25.07.2023 nën titull: “100-vjetori i Traktatit të Lozanës: nga një Lindje të Mesme e sigurt”.

Vërtetë, Traktati i Lozanës ishte fitore e re për “Qeverinë e Ankarasë” në krye me Mustafa Kemalin (Ataturk më vonë), në krahasim me traktatin poshtërues të Severs-it (1 gusht 1920) me të cilën Turqia u kthye në një mini-shtet në Anatoli me një dalje në Detin e Zi, kurse tani në Lozanë 1923 e fitoi njohjen ndërkombëtare me kufijtë e tashëm si shtet i madh me dalje në katër dete. Kjo fitore u kurorëzua në 29 tetor 1923 me shpalljen e Republikës së Turqisë moderne.

Për palën tjetër, Greqia që e filloi më 15 maj 1919 aventurën ushtarake me zbarkimin në Izmir dhe depërtimin nga Ankaraja, ishte një humbje e madhe ushtarake dhe politike, sepse me tërheqjen e ushtrisë greke në verën e vitit 1922 dhe njohjen ndërkombëtare të Turqisë me kufijtë e tashëm, u varros miti për “Greqinë e madhe” që do të përfshinte Anatolinë perëndimore me “Konstatinopolis” si dhe Trakinë lindore, me çka “Greqia e madhe” do të ketë shtrirje të madhe dhe dalje në pesë dete.

Mirëpo, për Turqinë, Greqinë dhe shqiptarinë, Traktati i Lozanës kishte një aspekt të prekshëm: këmbimi i detyrueshëm i popullsisë që arriti gati në dy milionë njerëz që u shkulën prej trojeve të tyre dhe u transferuan pa mëshirë në troje të tjera, të huaja, që nuk u stabilizuan lehtë atje për shumë vjet. Në këtë kontekst, pësuan më shumë çamët që mbetën në Greqi pas Luftërave ballkanike 1912-1913, sepse ata u shkulën prej trojeve të tyre dhe u dërguan në Anatoli me pretekst se janë “turq”. Mirëpo, falë aktivitetit intensiv të Qeverisë shqiptare me Athinën e Ankaranë, kjo dramë mori fund më 1926 kur çamët u njohën si “shqiptarë me origjinë” më 1926.

Traktat kundër traktateve ndërkombëtare të Ligës së Kombeve

Përkundër karakterit të përgjakshëm të luftërave ballkanike 1912-1913 midis shteteve ballkanike (Serbia, Mali i Zi, Greqia dhe Bulgaria) dhe Perandorisë Osmane që humbi gati të gjitha territoret në Ballkan, si dhe dëbimit të qindra mijëra myslimanëve prej trojeve të tyre, më në fund traktatet për paqe gjatë 1913-1914 që u nënshkruan midis Perandorisë Osmane dhe Bullgarisë (29 shtator 1913), Greqisë (14 nëntor 1913) dhe Serbisë (14 mars 1914) u karakterizuan me një frymë të re për fatin e myslimanëve që mbetën në ato shtete ballkanike që përfituan shumë territore me popullsi të “padëshiruar”.

Kështu, këto traktate ofruan dy opsione për popullsi “ndryshe” për karakterin kombëtar të atyre shteteve, pra për “pakicat” që përfaqësojnë popullsi ndryshe me etni ose me fe. Opsioni i parë ishte e drejta e gëzimit të të gjitha të drejta civile me qytetarët tjerë, kurse opsioni i dytë ishte e drejta e tyre pas një faze kalimtare (3-4 vjet) që të vendosin vetë: të vazhdojnë jetën në këto shtete të reja ose të kalojnë në Perandorinë Osmane për gjithmonë duke hequr dorë nga nënshtetësia bullgare, greke e serbe. Për ta nxitur popullsinë për opsionin e dytë, pakicat gjatë fazës kalimtare ishin të liruara prej shërbimit ushtarak dhe prej taksave për ushtri. Vetëm në traktatin me Bullgarinë u përmend edhe opsioni i “këmbimit opsional” të popullsisë në thellësi prej 15 kilometra të territoreve përgjatë kufirit në Traki.

Mirëpo, këto “të drejta” për pakicat, në këto traktate u theksuan më shumë pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore dhe krijimit të Ligës së Kombeve në Paris më 1919. Vërtetë, qëndrimet e presidentit amerikan W. Willson për të drejtën e kombeve në vetëvendosje dhe për diplomacinë publike në kuadër të Ligës së Kombeve në vend të traktateve sekrete që u nënshkruan gjatë Luftës së Parë Botërore (Traktati i Londrës 1915 etj.) bënë që Liga e Kombeve të interesohet shumë për mbrojtjen e pakicave në traktatet e reja për paqe qoftë me shtetet që humbën luftën ose ato që fituan në Luftën e Parë Botërore.

Planet serbe e greke për “turqit” e mbetur në territoret e tyre

Vlen të theksohet këtu që rezistenca për të nënshkruar traktatet e reja që përfshinin mbrojtjen e pakicave erdhi sidomos prej Serbisë e Greqisë, sepse kishin planet e tyre për “turqit” që mbetën në territoret e tyre. Për Beogradin nuk ishte problem garantimi i të drejtave të pakicave gjermane e hungareze, por kishte më shumë hall për “pakicën shqiptare”. Për një kohë, Beogradi insistoi të lirohet prej këtyre obligimeve në “tokat e çliruara” më 1912-1913, pra në Kosovë e Maqedoni, por më vonë u detyrua të nënshkruajë traktatin më 10 shtator 1919 duke i futur shqiptarët në kategorinë “myslimane”, pra me të drejtat e tyre fetare e jo gjuhësore-kulturore.

Mirëpo Greqia, e cila po ashtu hezitoi ta nënshkruajë traktatin për mbrojtjen e pakicave, u nxit me kryeministrin Venizilos (ithtar i flaktë i “Greqisë së madhe”) për zbarkimin ushtarak në Izmir më 15 shtator 1919 dhe depërtimi në Anatoli e drejt Ankarasë më vonë. Kështu, Lufta greko-turke (1919-1922) u shndërrua në Luftën për pavarësi turke në krye me Mustafa Kemalin. Lufta u përcoll me beteja të përgjakshme dhe masakra me karakter etnik-fetar. Kështu, me humbjen fatale të ushtrisë greke në betejën vendimtare Sakarja (23 gusht-13 shtator 1922) dhe tërheqjen e saj ka Greqia, qindra mijë civilë greko-ortodoksë nuk e ndjenin veten të sigurt dhe shoqëruan ushtrinë greke në tërheqjen e saj nga Greqia. Ardhja masive e refugjatëve civilë në Greqi krijoi një anarki e ngarkesë të madhe për qeverinë, kështu që kryeministri grek iu drejtua Ligës së Kombeve më 16 tetor 1922 me propozim për “këmbim të detyrueshëm të popullsisë turke e greke”, duke kërkuar prej Komisarit për refugjatë F. Nansen që të veprojë sa më shpejt.

Komisari Nansen, që e fitoi çmimin “Nobel” për paqe atë vit, u nis për në Stamboll dhe zhvilloi negociata me palën turke për pranimin e nja gjysmë milioni turqish në Turqi në vend të atyre grekëve që lëshuan Anatolinë dhe shkuan në Greqi. Qeveria e re turke e pranoi me një kusht që ky këmbim i popullsisë të mos përfshijë turqit në Trakinë perëndimore. Në anën tjetër, qeveria greke u pajtua por me kusht që ky këmbim të mos përfshijë grekët që jetonin në Stamboll. Në bazë të këtyre pajtimeve u zhvilluan negociatat që përfunduam më 30 janar 1924 me nënshkrimin e “Traktatit mbi këmbim të popullsisë greke e turke”.

Traktat brenda traktatit

Ndonëse Traktati i Lozanës njihet më shumë si traktat për paqe që e përfundoi Luftën greko-turke 1919-1922 dhe i përcaktoi kufijtë midis dy shteteve, ai më shumë lidhet me një praktikë të re në të drejtën ndërkombëtare dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare: këmbimi i detyrueshëm i popullsisë turke-greke, përkatësisht ortodokse-myslimane midis dy vendeve. Traktati i Lozanës ka 143 nene, kurse në lidhje me këmbimin e popullsisë kemi vetëm nenin 142 që vetëm e bën Traktatin e 30 janarit 1923 midis Greqisë e Turqisë mbi këmbimin e popullsisë si pjesë përbërëse të Traktatit të Lozanës. Atëherë, ky Traktat mbi këmbimin e detyrueshëm të popullsisë u kritikua ashpër prej ekspertëve të së drejtës ndërkombëtare, e në mesin e tyre edhe prej profesorit në Universitetin e Beogradit, Ilija Przhiq, në librin e tij “Mborja e pakicave” që u botua më 1933.

Përkundër faktit që Traktati i 30 janarit 1923 paraqitet për “këmbim të popullsisë greke e turke”, qysh në nenin e parë del qëllimi i tij që i afrohet pastrimit etnik: “Që nga 1 maji do të bëhet këmbimi i detyrueshëm i shtetasve turq me fe ortodokse përqendrim në territorin turk me shtetasit grekë me fe myslimane me përqendrim në territorin grek”. Në bazë të kësaj shihet qartë se kriteri për këmbim të detyrueshëm, është fetar e jo etnik.

Duke marrë parasysh gjendjen në Greqi pas pushtimit të një pjese të madhe të Vilajetit të Janinës dhe Vilajetit të Selanikut, shumica e myslimanëve tanimë në Greqi nuk ishin turq në kuptimin etnik por pomakë, shqiptarë dhe romë. Qeveria e Athinës tani e shfrytëzoi këtë Traktat për dëbimin e çamëve myslimanë prej Çamërisë, sepse e kishte më të lehtë asimilimin e pjesës tjetër ortodokse dhe vendosjen e grekëve të ardhur nga Turqia në vendin e tyre. Zbatimi i këtij Traktati e alarmoi Qeverinë e Tiranës, e cila u aktivizua me anë të dy ambasadorëve (Mit’hat Frashërit në Athinë dhe Reuf Ficos në Ankara) dhe me përfaqësuesin e Shqipërisë në Ligën e Kombeve Mehdi Frashëri për t’i përjashtuar çamët prej “këmbimit të detyrueshëm të popullsisë”. Përpjekjet e Qeverisë shqiptare dhanë rezultat më në fund në vitin 1926 duke i njohur çamët si “shqiptarë me origjinë”, me çka shpëtoi pjesa që mbeti deri atëherë në Çamëri.

*Fragmente nga kumtesa e paraqitur në konferencën ndërkombëtare “Traktati i Lozanës: nga një Lindje e Mesme e sigurt”, e mbajtur në Amman më 25 korrik 2023

Filed Under: Opinion Tagged With: Prof.Muhamed Mufaku

ÇASHKU…

July 29, 2023 by s p

Mevlan Shanaj/

Po thuaj nuk ja di njeri emrin, por po thuaj gjithë shqiptarët e dinë që Çashku është personalitet. Më së miri e dimë ne kolegët dhe nuk dyshoj që as bota politike të mbetet prapa. Mua më ka ndodhur të njihem në një verë që ishte me pushimet e shkollës nga Bukureshti!Shkëmbyem mendime se si ishte shkolla atje, pasi i tregova impresionet e mia nga një vizitë dy javore! Kujtoj se i tregova për artistët e njohur të asaj kohe të Rumanisë si Irina Petresku,Dan Nucu , Hamza Pele etj. Po ashtu për Livi Çulej që e kisha parë në teatrin Bulandra. Kuptohet që qe një ngjizje me studentin e filmit që bënte kujdes në përzgjedhjen e fjalëve! Në fund bëra humor duke përdorur shprehjen” Prifti vjen nga Stambolli, priftëresha mollois” Më pas kur erdhi regjisor në kinostudio, nga të fundit që ktheheshin nga jashtë shtetit të asaj kohe, si në të njëjtin profesion shkëmbenim jo vetëm përshëndetje. Më rastisi ta shikoja si regjisor nga afër te filmi” Ballë për ballë” impresioni ishte se në çdo sekond nuk kishte qetësi, por i preokupuar! Në një çast i them se temperamenti yt në distancë të krijon përshtypjen se diku këtu rreth ka rënë zjarri! Çashku solli në ekranin shqiptar imazhin në lëvizje me elipsin që parapëlqen. Në se shprehja “Se stilografi i regjisorit, është kamera” duket se si ngacmim duhet të ketë modelin ala Çashku! Kjo vihet re edhe në trajtimin estetik të imazhit të tij! Si edhe unë shumë herë, parapëlqen nëntekstet filosofike, ndoshta pika jonë lidhëse që në kryhet të herës. Kështu në një udhëtim me avion nga Zvicra në Tiranë, besoj se kemi njohur apo kënaqur pritshmëritë e dijeve me njëri tjetrin. Për mua Çashku ishte bërë regjisori i imazhit përfaqësues i ekranit të madh! Kujtoj ” Pas vdekjes” ” Dora e ngrohtë”, “Të paftuarit” ” Syri magjik”, ” Vrasja në gjueti”, ” Kolonel bunker”, “Balada e Kurbinit” etj. Filmat e tij sillnin lëvizje të mendimit! Si njeri social kërkonte të shfaqej dhe asnjë herë nuk pati stepje! Kemi bashkëpunuar në shkollën “Marubi” që me një këmbëngulje apokaliptike arriti të jetë model në çdo drejtim, mbi të gjitha i rezistencës ndaj administratave. Sot ka triumfuar administrativisht, por nuk i dorëzohet apo nënshtrohet mediokritetit. Së bashku i jemi kundërvënë mendësive provinciale në mbrojtje të lirisë krijuese dhe personalitetit të autorsisë! Një karakteristik qytetare e tij, si një intelektual, deri më sot nuk e kam dëgjuar të përflasi njeri. Ne rregullisht shkëmbejmë mendime si ata idealistët e pamposhtur në përmirësim të pandalshëm jo vetëm të filmit por edhe mendimit estetik! Çashku është një aset kombëtar ku në rastin më të keq mëson nga psikologjia e tij progresiste! Nuk di se kemi ngjashmëri fizike, po në disa raste më kanë ngatërruar me emrin e tij. Mua në kësi rastesh më ka ardhur mirë! Çashku e ka emrin Kujtim! Bukur të kujtosh në këtë jetë!

Filed Under: Kulture

𝗗𝗔𝗦𝗛 𝗱𝗲𝗻𝗼𝗻𝗰𝗼𝗻 𝘀𝗲𝗸𝘁𝗶𝗻 𝗥𝗮𝗺𝗮 𝗽𝗲𝗿 𝗽𝗮𝘀𝘁𝗿𝗶𝗺 𝗽𝗮𝗿𝗮𝘀𝗵 𝗱𝗵𝗲 𝗸𝗼𝗿𝗿𝘂𝗽𝘀𝗶𝗼𝗻 𝘀𝗶𝘀𝘁𝗲𝗺𝗶𝗸

July 29, 2023 by s p

Bujar Leskaj/

Më 27 korrik 2023, Departamenti Amerikan i Shtetit(DASH) publikoi Raportin mbi Klimën e Investimeve për vitin 2023 në Shqipëri, duke ngritur një sërë problemesh të mprehta. Është ndoshta vrojtimi i DASH më denoncues dhe kritik i viteve të fundit. Raporti cilëson se “Investitorët e huaj e perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes. Ata përmendin korrupsionin e vazhdueshëm në sektorin publik, gjyqësor, prokurimet publike, konkurrencën e pandershme dhe të shtrembëruar, ekonominë e madhe informale, pastrimin e parave, ndryshimet e shpeshta në legjislacionin fiskal dhe zbatimin e dobët të kontratave si sfida të vazhdueshme për investimet dhe të bërit biznes në Shqipëri” (https://www.state.gov/…/2023-investment…/albania/, paragrafi i tetë i Përmbledhjes Ekzekutive).

I. Pse kemi rënë kaq fort në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit?

Departamenti Amerikan i Shtetit përmend se në vitin 2022, në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, Shqipëria renditej e 101-a nga 180 vende. Në vetëm shtatë vitet e fundit, Shqipëria ka zbritur 18 vende në klasifikimin e Transparency International.

Transparency International përdor një sistem llogaritjeje të indeksit të perceptimit të korrupsionit, nga zero në 100 pikë, ku zero është niveli më i lartë i korrupsionit dhe 100 pikë do të thotë mungesë korrupsioni. Në Raportin e tij, të publikuar gjatë këtij viti, Transparency International i jep vendit tonë vetëm 36 pikë, ose dy pikë larg vendit më të korruptuar të Evropës, që është Bosnje-Hercegovina me 34 pikë.

Sipas Transparency International, në 5 vitet e fundit(2017-2022), Shqipëria nuk ka shënuar përparim në luftën kundër korrupsionit, duke u luhatur vazhdimisht mes 36 dhe 35 pikëve. Organizata prestigjoze konkludon se mos-përparimi nënkupton se vendi ka dështuar në luftën kundër korrupsionit.

Transparency International thekson se performanca e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit është dobësuar, veçanërisht kur flitet për rreziqe politike, përfshirë patronazhimin dhe nepotizmin, shkëmbimin e ndereve, vendet e përcaktuara të punës, mbajtjen sekret të financimit të partive publike dhe lidhje të ngushta e të dyshimta mes biznesmenëve dhe politikanëve.

Jo vetëm për DASH dhe Transparency International, por për të gjithë komunitetin ndërkombëtar që na vëzhgon, është e qartë pse ka ndodhur kjo rënie në klasifikim. Cilesimet e Departamentit Amerikan te Shtetit jane dukshëm më pezhorative se cilesimet e një viti më parë, pasi këtë vit DASH ka përfshirë në raport pastrimin e parave dhe korrupsionin e vazhdueshëm e sistemik në sektorin publik.

Më tej në raport, DASH thekson se”Shqipëria ka një sektor të madh informal dhe aktivitete të pastrimit të parave. Task Forca e Veprimit Financiar për Pastrimin e Parave (FATF) e përfshiu Shqipërinë në listën e saj gri në vitin 2020 dhe vendi vazhdon të jetë në listën për vitin 2023 për shkak të mangësive strategjike në adresimin e shqetësimeve të pastrimit të parave. Komuniteti i biznesit raporton se fluksi i madh i të ardhurave të paligjshme nga trafiku i drogës, kontrabanda, evazioni fiskal dhe korrupsioni shtrembëron konkurrencën në treg” (https://www.state.gov/…/2023-investment…/albania/, paragrafi i nëndë i Përmbledhjes Ekzekutive). Paragrafi i nëndë është shtuar i gjithi këtë vit dhe nuk ka qenë më parë në raportet e DASH, për klimën e investimeve në Shqipëri.

II. Pastrimi i parave-njolla e turpit që sekti Rama vendosi mbi imazhin e Shqipërisë

Pastrimi i parave që kryhet intensiv në ekonominë tonë sot është njolla e zezë e turpit që ka vendosur sekti Rama në qeverisje, mbi imazhin e Shqipërisë. Ishte ky sekt që në vitin 2020 e përfshiu Shqipërinë në Listën Gri të pastrimit të parave të MONEYVAL. Vendi u klasifikua për risqet dhe pastrimin real të parave të pista në çdo renditje ndërkombëtare, nga Instituti i Basel-it, SELDI e deri tek raporti i DASH, duke theksuar tre sektorët kyçë ku pastrimi i parave ndodh, që janë :

1. Turizmi

2. Ndërtimi dhe

3. Lojërat e fatit

Me denoncimin e Departamentit Amerikan të Shtetit në raportin e tij të këtij viti për klimën e investimeve në Shqipëri, tashmë pastrimi i parave në Shqipëri është zyrtar. DASH shkon edhe më larg. Thekson se edhe me fonde publike, me koncesione, me PPP, po pastrohen para në Shqipëri.

Sipas “Raportit të Tranzicionit për vitet 2022-2023”, të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim(BERZH), cilësia e qeverisjes së Shqipërisë është në përkeqësim. Kapja e shtetit dhe pastrimi i parave u identifikuan nga raporti i BERZH si probleme serioze, që pengojne procesin e integrimit në BE. Sipas BERZH, pothuajse 3 % e vlerës së qarkullimit të firmave në Shqipëri (vlera më e lartë në rajonet e BERZH) shpenzohet për pagesa informale, në krahasim me më pak se 0,01 % në ekonomitë e përparuara, si Estonia dhe Letonia. Raporti kritik i BERZH vjen pas shumë gjetjesh dhe konkluzionesh kritike dhe alarmante nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Transparency International, SELDI, FMN dhe Banka Botërore, lidhur me nivelin e korrupsionit, të pastrimit të parave dhe të kapjes së shtetit tek ne.

III. Investuesit e huaj shantazhohen nga administrata, media dhe grupet kriminale

Asnjëherë më parë në Raportin e Deprtamentit Amerikan të Shtetit nuk ka patur një pasazh kaq të rëndë e problematik, sa në paragrafin e dhjetë të Përmbledhjes Ekzekutive të Raportit për Klimën e Investimeve në Shqipëri 2023. “Akuzat për korrupsion janë të zakonshme dhe investitorët shpesh raportojnë se ata bëhen objektiv i zhvatjes si nga administrata publike, ashtu edhe nga media dhe grupet kriminale”. Nuk mund të denoncohet më qartë! Sipas DASH, investitorët në Shqipëri shantazhohen nga zyrtarët publikë, krimi dhe media. Ndryshe nga raportet e kaluara, kur e cilësonte korrupsionin në Shqipëri si endemik, këtë vit Depertamenti i Shtetit përdor fjalën sistemik, për të përshkruar korrupsionin në Shqipëri. Korrupsioni sistemik nënkupton se kjo dukuri është e përhapur gjerësisht në të gjitha poret e shoqërisë shqiptare.

Ndërkohë një akuzë e drepërdrejtë ngrihet mbi qeverinë. “Investitorët raportojnë në mënyrë frekuente raste të korrupsionit të qeverisë, të cilat vonojnë dhe parandalojnë investimet në Shqipëri.” (https://www.state.gov/…/2023-investment…/albania/, paragrafi i dhjetë i Përmbledhjes Ekzekutive).

Edhe kjo fjali, e cila akuzon drejtëpërdrejtë qeverinë për korrupsion, është shtuar për herë të parë në raportin e këtij viti, pasi nuk ka qenë në vitet e kaluara. Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe me cilësimet e DASH, pasi zyrtarët amerikanë që përgatisin raportin shohin se janë të panumurta denoncimet në median e pavarur shqiptare të shkeljeve të institucioneve kryesore prokuruese shqiptare, si Autoriteti Rrugor Shqiptar(ARRSH) dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit(FSHZH). Të gjitha të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave dhe nga ajo e Infrastrukturës flasin për kosto të rritura me herë për ndërtimin e një km rrugë gjatë dhjetë viteve të fundit. Kostot kanë një diferencë të lartë në rrugët e ndërtuara me para nga Buxheti i Shtetit, në krahasim me financimet dhe huatë e buta nga donatorët. Në mënyrë sistematike, kostot për njësi (kilometër) me fonde të huaja janë shumë më të ulëta se ato me fonde buxhetore të brendshme për periudhën 2013-2022. Kështu, një kilometër rrugë e kategorisë C, me financim të brendshëm, kushtoi në vitin 2020 mesatarisht 667 milionë lekë, ndërsa një kategori e tillë me financim të huaj kushtoi 111 milionë lekë, ose 6 herë më pak. Korrupsioni dhe mungesa e transparencës në tenderat publikë për rrugët, me para të buxhetit të shtetit, përbën arësyen madhore pse Banka Botërore, një nga financueset kryesore të ndërtimit të rrugëve publike në vendin tonë në vitet 1996-2012, është larguar nga pjesëmarrja në projektet tona të infrastrukturës rrugore, pas vitit 2013.

xxx

Krahas boshatisjes së vendit, kapjes së shtetit, ligjeve të qepura me porosi, masakrës me pronat e qytetareve dhe atyre publike, braktisjes së shtresave në nevojë dhe biznesit gjatë pandemisë dhe më tej periudhës së inflacionit të lartë, të shkaktuar nga agresioni i Putin në Ukrainë, pastrimi i parave dhe korrupsioni sistemik, të theksuara dukshëm më 27 korrik 2023 nga Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e tij për klimën e investimeve në Shqipëri, përbëjnë denoncimin më të fuqishëm të paudhësive të sektit Rama në këto 10 vite të (keq)qeverisjes së Shqipërisë prej tij.

Filed Under: Ekonomi

28 korrik 1922 – 28 korrik 2023 – Gëzuar 101 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike: Shqipëri – SHBA

July 29, 2023 by s p

Ambasador Flamur Gashi/

Marrëdhëniet diplomatike Shqipëri – SHBA janë vendosur më 28 korrik 1922, pak muaj pas përfundimit të Konferencës së Paqes në Paris, ku presidenti amerikan Widrow Wilson doli në krah të shqiptarëve.

Këto marrëdhënie patën një ndërprerje prej 52 vitesh gjatë regjimit komunist për t’u rivendosur sërish më 15 mars 1991 me përmbysjen e regjimit komunist dhe vendosjen e demokracisë në Shqipëri.

Ambasadori i parë amerikan në Tiranë ishte Ulysses Grant Smith, i cili e nisi misionin diplomatik më 4 dhjetor 1922. Ndërsa William Rajerson u bë ambasadori i parë amerikan pas rivendosjes së këtyre marrëdhënieve në 1991.

Ambasadori i parë shqiptar në Uashington DC ishte Faik Konica, i cili u emërua në këtë detyrë në vitin 1929 nga Mbreti i Shqipërisë Ahmet Zogu.

Zyrtari i parë i lartë i SHBA-së që vizitoi Shqipërinë, ishte Sekretari Amerikan i Shtetit James Baker i cili erdhi në Tiranë më 21 qershor 1991, 3 muaj pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

Presidenti i parë në detyrë i SHBA-së që vizitoi Shqipërinë ishte Presidenti George W. Bush, më 10 qershor 2007.

Vitin e kaluar, në kuadër të 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri dhe 15 vjetorit të vizitës së presidentit Bush në Tiranë, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) ka zhvilluar një konferencë me pjesëmarrje të personaliteteve diolomatike dhe politike, si dhe disa aktivitete të tjera ku është theksuar partneriteti i ngushtë mes dy vendeve dhe kombeve tona, si dhe është potencuar fuqishem se SHBA-të mbeten një nga aleatët strategjik dhe kryesor të Shqipërisë, Kosovës dhe kombit shqiptar në përgjithësi…

#JamShqiptar…🇦🇱

Filed Under: Komente Tagged With: Flamur Gashi

110 VJETORI I KONFERENCËS SË AMBASADORËVE QË NDAU TOKAT E SHQIPNISË PËR ME KNAQË “KLYSHËT” E RUSISË!

July 29, 2023 by s p

(29 korrik 1913 -29 korrik-2023)

NGA NDUE BACAJ

HYRJE

110 Vite më parë, me 29 korrik 1913, fuqitë e mëdha europiane, nënshkruam vendimet famëkëqia të konferencës të amasadorëve në Londër, vendime që lanë jashtë shtetit Shqiptar të pavarur, (të njohur prej tyre), më shumë se gjysmën e trojeve etnike me popullsinë e tyre autoktone Iliro-Shqiptare, dhe këto troje etnike shqiptare ua bënë “dhuratë” fqinjëve shoven serb, malazez e grek. Për ironi të fatit kjo konferenc u quajt edhe si konferencë e paqës të Londonit… Ndërsa ministri (ambasadori-N.B.) amerikan në Greqi vendimet e kësaj konference do t’i quante (me ironi): “një mrekulli e paaftësisë”, “një skemë absulutisht e papajtueshme”, “një lëmsh gjërash të paqëndrueshme”.1.

NË PRAG TË KONFERENCËS:

Më pak se një muaj nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë (me 28 nëntor 1912), nga patriotë shqiptar me në krye Ismail Qemali, gjashtë Fuqitë e Mëdha të Europës: Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Italia dhe Rusia do të mblidheshin me 17 dhjetor 1912 në Londër në Konferencen e ambasadorëve. Gjithashtu Shqipëtarët me shpalljen e Pavarësisë kishin formuar edhe qeverinë e tyre me Ismail Qemalin-Kryetar, Nikollë Kaçorrin -Nënkryetar dhe ministra; Myfit Libohoven-minister i Punëve të Jashtme, Mehmet Pash Dërallen- ninistër i Luftës, Pjetër Pogën-ministër të Drejtësisë, Luigj Gurakuqin-ministër të Arsimit, Abdi Toptanin-ninistër të Financave, Pandeli Calen-ministër të Bujqësisë dhe Lef Nosin-ministër të PostTelegrafëve. Në kohen kur mblidhej kjo konferencë, trojet shqiptare ishin sulmuar nga tre fqinjët e saj shoven: Në verilindje e veri nga Mali i Zi e Serbia dhe në jug nga Greqia. Me gjithë qëndresen e shqiptarëve në mbrojtjen të trojeve të tyre etnike, keto tre ushtri shovene, kishin arritur të pushtonin jo pak troje shqiptare që nga Malësia e Madhe Rrethinat e Shkodrës, Kosovën, Shqiperinë “Lindore”, ose Iliriden antike, e deri në Durrës e më gjërë. Ndërsa në Jug të Shqiperisë Etnike, Greqia kishte arritur të pushtonte jo pak nga i ashtuquajturi Epiri i Veriut. (Bënin përjashtim, Shkodra në Veri dhe Janina në Jug ku forcat osmane dhe ato shqiptare të rrethuara bënin rezistencë).2. Pra e gjithë pjesa europiane nën Turqi (që shumica ishin troje etnike shqiptare N.B.), tani ishte në mëshirën e aleatëve ballkanik. I gjithë teritori tashma ose ishte i pushtuar ose do të pushtohej gjatë kohës së lirë. Vetëm në tri pika të izoluara fuqia osmane mbeti e panënshtruar. Qyteti i Adrianopojës i rrethuar nga bullgarët, dhe kështjellat e mëdha të Shkodrës në Shqipërinë e Veriut dhe ajo e Janinës, në Epir, mbeten në duar dhe kontrollin e garnizoneve të tyre turke…3. Me këto pushtime trojesh etnike shqiptare, këta fqinjë shoven të mbështetur nga Rusia, (por edhe Franca), kërkonin të vënin para faktit të kryer faktorin ndërkombëtar… Fqinjët sulmin mbi trojet shqiptare kërkonin ta paraqitnin para Europës si luftë kundër perandorisë Turke-Osmane, në “kuadrin” e luftës Ballkanike, ku qeveria turke do të pranonte se nuk kishte ma fuqi me rezistua dhe për rrellojë armëpushimi ishte nënshkrue me 3 dhjetor 1912. Madje shtetet ballkanike shpallen në mënyrë të preme se të gjitha tokat e perandorisë Otomane në gadishull u takonin atyre, mbasi kishin dalë fitues kundër Turqisë. Ata nuk donin të dinin kush ishte kombi shqiptar, i cili duhej të gëzonte pavarësinë në emër të parimit të kombësive… Shtypi grek e shfaqi këtë pikpamje në mënyrë më brutale duke shtuar: ”Asht nji gja e pamundur me lejua shqiptarët barbarë të jetojnë të pavarun në djepin e qytetrimit grek”…. Mali i Zi donte me shti në dorë jo vetëm Gusinë, Plavën, Hotin dhe Grudën, që nuk i mori dot me 1878, por edhe Shkodrën me rrethina e më tej… Serbët nuk ishin të kënaqun me marrë Kosovën, por donin me u shtri deri në Durrës për me pasë një skelë detare… Greqisë iu shtua oreksi mbas suksesit të ushtrisë së saj. Prandaj këtë herë donte të mos mjaftohej me Shqipërinë e “Jugut”, ose Epirin e Veriut , sikur u “pagëzua” prej propogandës greke, por qeveria e Athinës kërkoi me shtua edhe Vlorën me tokat e saj. Për të justifikua këtë ambicie të re tokësore, qeveria e Athinës e “ndau” Epirin në dy pjesë prej jugu në veri. Tokat në mes të kufinit të Greqisë dhe lumit Kalamas , që ishin bërë objekt i pazardheqeve diplomatike në Kongresin e Berlinit, u proklamuan si Epiri i jugut deri në Vlorë….4.

KONFERENCA:

Megjithse konferenca kishte filluar më heret, zyrtarisht ajo njihet se filloi me 17 dhjetor 1912. Konferenca ishte thirrur nga gjashtë Fuqitë e Mëdha të Europës: Austro-Hungaria që përfaqësohej nga ambasadori Count Albert von Mensdorff (1861–1945), Gjermania që përfaqësohej nga ambasadori Karl Max, Princ Lichnowsky, 8 mars 1860 – 27 shkurt 1928), Italia që përfaqësohej nga ambasadori Guglielmo Imperiali di Francavilla, (1858-1944), Franca që përfaqësohej nga ambasadori Pierre Paul Cambon, (1843 – 1924), Rusia që përfaqësohej nga diplomati Alexander Konstantinovich Benckendorff, (1849 –1917). Ndersa Britania (apo më sakt Anglia si vend “organizator”) përfaqësohej nga ministri i jashtëm i saj Edward Grey, (1862 – 1933), i cili ishte edhe bashkërenduesi i punimeve të Konferencës së Londrës….5. (Konferenca e Londrës u ndoq edhe nga delegatët e vendeve të Ligës ballkanike, përfshi Perandorinë Osmane dhe Greqinë, e cila nuk kishte nënshkruar armëpushim). Konferenca fillimisht nuk njohu një Shqipëri të pavarur, por një Shqipëri “autonome” dhe asnjanëse, njëherazi ndodhej nën sovranitetin e sulltanit dhe “gëzonte” garancinë e tyre persa i përkiste statusit të saj… 6. Konferenca ishte ndërprenë pa ndonjë konkluzion më 23 janar 1913, kur në Perandorinë Osmane u zhvillua një grusht shteti.7. Ndonse gjashtë fuqitë e Mëdha europiane kishin hartuar projektin për një Shqipëri autonome, kur u paraqitën në Konferencë në maj 1913, amabasadorët e tyre u shprehen për pavarësinë e plotë të Shqipërisë. Ky qendrim i ri ndaj Shqipërisë ishte i lidhur me zhvillimin e ngjarjeve në Ballkan. Ps marrjes së Janinës nga forcat greke dhe të Shkodrës nga ato malazeze. Vjena e Roma e panë se sundimi osman nuk mud të mbahej më në Shqipëri, dhe nuk kishin interesë që të vazhdonte sovraniteti i sulltanit mbi Shqipërinë. Prandaj Austro-Hungaria dhe Italia paraqitën një projekt të ri….8. Në konferencën e ambasadorëve kishte pasur një luftë të ashpër diplomatike për kufijët e Shqipërisë, sidomos ndërmjet përfaqësuesve të Austro-Hungarisë dhe Rusisë. Diskutimi ishte përqendrua në dy projekt-harta të Shqipërisë të paraqitura nga Austro-Hungaria dhe Rusia. Projekt-harta e Austro-Hungarisë përfshinte një pjesë të mire të trojeve shqiptare, ndër të cilat edhe Pejën, Gjakovën, Prizrenin, Dobrën, Ohrin etjerë…. Ndërsa projekti rus parashikonte një coptim të madh të tokave shqiptare. Sipas tij vija kufitare në veri dhe në lindje të Shqipërisë do të ishin lumi i Drinit dhe Drini i Zi , kurse në jug linte jashtë Shqipërisë Korçën, Gjirokastren, Delvinen, Saranden , Çamërinë etjerë. Në fillim u shqyrtua kufiri verior dhe verilindor, më në fund me 22 mars 1913, Konferenca e Ambasadorëve do të projektonte të coptonte rëndë trojet shqiptare duke shkëputur nga Shqipëria gjithë Kosoven dhe vise të tjera shqiptare, si Tetoven, Dibren, Gostivarin, Kërçoven, Strugen etjerë, të cilat duhet të kalonin nga zgjedha osmane në zgjedhen e re serbe-malazeze….9. Për vendimet famëkëqia dhe të padrejta nga Fuqitë e Medha shkruan edhe një historian amerikan ,(Edwin Jacques), të cilin mendova t’a citoj: “Pas muajsh debate e kompromisi , në mars 1913 të gjashtë ambasadorët dhanë një zgjidhje të palogjikshme. Në bazë të saj, krahinat veriore të Hotit (Traboinit N.B.), Grudës dhe një pjesë e madhe e “Kelmendit” u shkëputën nga grupi i pesë bajrakëve , ku bënin pjesë edhe aleatët e tyre Kastrati e Shkreli , dhe së bashku me Plaven e Gusinë iu dhanë Malit të Zi. Në verilindje , Serbisë i dhanë të gjithë vilajetin e Kosovës , ku përfshiheshin Shkupi, Ipeku, Gjakova dhe Prizreni,- qytetet aq të shenjta për Rilindjen Kombëtare, të populluar nga një milion shqiptarë dhe nga fare pak sllav…. Gjithashtu edhe krahinat shqiptare lindore të Dibrës, Ohrit e Manastirit i kaluan Serbisë. Në jug, grekët ngulën këmbë që popullsia e “Vorioepirit”, me që kishte besim ortodoks grek, ishte rrjedhimisht me kombësi greke….. Pavarësisht se vendimet e Konferencës të Ambasadorëve u nënshkruan me 29 korrik (1913), ambasadorët vijuan kompromiset e mëtejshme në dëm të trojeve etnike shqiptare… Nga thirrjet e shqiptarëve të Jugut dhe të bashkatdhetarëve të tyre të merguar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me 11 gusht 1913, u arritë një zgjidhje kompromisi. Greqisë i dhanë një pjesë të madhe të Shqipërisë jugore, ku përfshihej krahina e Çamrisë, e populluar kryesisht nga musliman shqiptar, si dhe vet Janina, kryeqyteti tradicional i Shqipërisë së Jugut.10. Ata e njohen Shqipërinë si një shtet sovran, tërsisht të pavarur nga perandoria osmane. Mirpo, ajo u vendos të qeverisej nga një princ i zgjedhur nga vetë Fuqitë e Mëdha, gjithashtu u caktua një “Komision Kontrolli Ndërkombëtar për Shqipërinë”, i përbërë nga një përfaqësues nga të gjashtë fuqitë dhe nga një shqiptar. Ky komision do të mbikqyrte organizimin e qeverisë shqiptare , të financave dhe të administrates për një periullë dhjetvjeçare. Oficerët holondezë u ngarkuan me organizimin e xhandarmërisë. Ndonse një gjë e tillë cenonte pavarësinë e Shqipërisë , kjo përkrahje ndërkombëtare për shtetin e ri , të rrethuar nga lakmitarë , ishte ndoshta garancia më e mirë pë mbijetesën e Shqipërisë.11. Siç e cilësova në hyrje të kësaj kumtese, ministri (ambasadori) amerikan në Greqi e quajti këtë plan “një mrekulli të paaftësisë”, “një skemë absulutisht e papajtueshme”, “një lëmsh gjërash të paqëndrueshme”. 12. (Ambasador i SHBA-së në Greqi në vitet 1912-13 ishte Jacob Gould Schurman…).13. Një komision special u ngarkua për të përcaktuar kufirin shqiptaro-grek. Duke qenë i pamundur studimi i hartave etnografike, vendimi që mori konferenca ishte mbi argumente strategjike, ekonomike e politike. Ky vendim i dhuroi Greqisë Epirin Jugor, një tokë të banuar historikisht nga shqiptarë etnikë. Edhe pse morën shumë toka të banuar nga shqiptarë, aleatët ballaknikë mbetën të pakënaqur nga kongresi, dhe menjëherë filluan Luftën e Dytë Ballkanike…14. Në vijim të zbatimit të vendimeve të Konferencës të Ambasadorëve u caktua edhe përbërja e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit të Shqipërisë. Ndërkohë Ismail Qemali insiston që Shqipëria të ketë delegatin e saj në këtë komision. Komisioni ndërkombëtar përbëhej: Nga Dr.Vinkel- i dërguari i Gjermanisë, Petroviç- i dërguari i Austro-Hungarisë, Krajevski- i dërguari i Francës, Lemb- i dërguari i Britanisë së Madhe, Leoni- i dërguari i Italisë dhe Petrijev- i dërguari i Rusisë…15. Kur Komision Ndërkombëtar për Kufijët, (i ngritur në gusht 1913), do të verifikonte në vend popullsinë dhe do të pëcaktonte me “saktësi” kufijtë, në jug puna e tyre u nderlikua pa masë nga ideja e marrë e grekëve se njerëzit me fe ortodokse ishin grekë. Sevasti Qiriazi Daka njoftonte se atë tetor , kur antarët e Komisionit shkuan nga Korça në Msnastir , ajo u takua me një të njohur, zotin Beleinski, një përfaqësues austriak , që t’a informonte për strategjinë greke që synonte ta paraqiste popullsinë korçare si greke. Pas demostratave të zjarrta , të frymëzuar nga grekët, z.Belinski u propozoi kolegëve të tij të bënin një shetitje në qytet. Kur hynë në oborrin e shkollës greke , ai holli në mes të fëmijëve një grusht me monedha. Ata u hollen që t’i kapnin dhe nga hutimi , harruan greqishten dhe folën shqip, në gjuhën e nënës. Kjo ishte e mjaftueshme për të bindur Komisionin…16.

QEVERIA E VLORËS DHE KONFERENCA E LONDRE:

Qeveria shqiptare me rezidencë në Vlorë ku ishte shpallur pavarësia e Shqipërisë me 28 nëntor 1912, që në fillim të konferencës të Londres ishte perpjekur që kerkesat e saja për njohjen e një Shqipërie të pavarur të njiheshin dhe merreshin në konsideratë nga fuqitë e Mëdha Europiane, të mbledhura në Londër “zyrtarisht” që me 17 dhjetor 1912. Një raport i datës 27 dhjetor 1912, nr.258 i MPJ në Vjenë, dërguar MPJ në Romë, bënë fjalë për delegacionin shqiptar që do të nisej për të dorzuar memorandumin në Londër. Raporti është një njoftim konfidencial, nga ku “mësojmë” se simbas autorizimit të Ismail Qemal Beut do të nisen këto ditë në Londër katër nga paria shqiptare që ndodhen në Europë, për t’i dorzuar Eduad Greit dhe ambasadorëve të Fuqive të Mëdha një memorandum përmbledhës të dëshirave të shqiptarëve. Emrat e të këtër delegatëve janë: Rasih bej Dino, Sotir Kolea, (nisen) prej Egjipti, Mehmed bej Konica dhe Filip Noga të cilët po udhëtojnë sot prej Vjene për në Londër me anë të Parisit. Delegacioni u paraqitë në këtë ministri (në Vjenë N.B.) dhe me këtë rast u inkurajuan në qellimin e tyre që në memorandumin e caktuar për të paraqitur, të theksojnë veçanarisht dëshirën unanime të të gjithë shqiptarëve për të ruajtur sa më tepër integritetin tokësor të vendit tyre. Kurse, nga ana tjetër, përsa i përket relacionit të Shqipërisë me Turqinë, organizimit të brendshëm të vendit, zgjedhjes të kryetarit të shtetit dhe çeshtjeve të tjera të papasqyruara ende, të cilat do të shkaktonin mosmarrveshje midis shqiptarëve, iu rekomandua atyre që të mbajnë një fare rezerve.17. Ndërsa dokumenti nr.265, i datës 2 janar 1913 jep të plotë memorandumin e qeverisë së Vlorës paraqitur sër Eduard Greit , ku ndër të tjera mendova të citoj: “Të nënshkruamit e Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë kanë nderin t’i paraqesin mbledhjes së Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Londër pikpamjen shqiptare për të njohur kerkesat ligjore të Shqipërisë. Është fakt historikisht i pranuar se populli shqiptar formon grupimin etnik më kompakt, më homogjen e më të rëndësishëm të gadishullit Ballkanik. Raca e gjuha e tij, zakoni e karakteri i tij e shquajnë kryekput nga kombet e tjera që e qarkojnë dhe ia japin atij tamam këtë individualitet, për hirë të cilit ai ka ditur t’u bëjë ballë të tëra përpjekjeve të asimilimit…. Populli shqiptar ka vuajtur nën sundime të huaja. Ai ka bindjen se e meriton të radhitet ndër kombet e perendimit…. Shqipëria është plotësisht e vendosur të bëhet një element ekuilibri e paqeje në gadishullin e Ballkanit. Por për të përmbushur këtë detyrë nevoitet homogjeniteti i tij kombëtar…. Sot zgjidhja përfundimtare e problemit ballkanik ngrihet me forcë, populli shqiptar nuk do të duroj që të drejtat e tij të jenë pjesërisht të sakrifikuara e që e ardhmja e pavarësisë së tij të jetë ndërtuar mbi baza pak të qëndrueshme…. Pra nuk mund të vendoset paqja e plotë në gadishull derisa kufijët që janë njohur çdo etniteti politik s’do të jenë bazuar në vijat kufitare gjeografike e etnografike të çdo shteti. Fara e grindjes dhe turbullimit do të mbetet gjithmonë e gjallë kur të vihen nën një pushtim të huej toka të banuara me shumicë ose krejtësht prej popullsisë shqiptare…. Kufijët që kërkojmë ne janë këta: duke ndjekur një vijë demarkacioni, nisur nga kufijët e sotëm të mretërisë malazeze që përfshijnë veçanarisht, me gjithë hiderlandet përkatëse, qytete e Pejës, Mitrovicës,, Prishtinës, të Shkupit e të Manastirit deri në Meçovë, duke u shtuar këtyre kufijjve , kufijët e sotëm deri në Prevezë….”. Memorandumi u paraqitur nga delegatët shqiptar Rasih Dino, Mehmet Konica, Filip Noga.18. Qeveria e Vlorë me në krye Ismail Qemalin ka edhe mjaftë telegrame e komunikime të vazhdueshme me faktor të rëndësishëm kombëtar e ndërkombëtar dhe autoritetet e prefekturave shqiptare nga jugu në veri dhe nga perendimi në Lindje, të cilat i njoftonte për situaten dhe vendimet e konferencës së ambasadorëve në Londër, si dhe pergatitjet që duhen bërë pë çdo situate. Gjithashtu edhe autoritetet e Prefektuarave njoftonin për çdo situat të krijuar në prefekturat e tyre, si dhe gatishmerinë pë t’iu përgjigjë detyrave që do t’u ngarkonte qeveria… Letrat, telegramet dhe komunikimet e derguara nga qeveria e Vlorës me në krye Ismail Qemalin, autoriteteve të prefekturave dhe autoriteteve të huaja e anasjelltas janë të shumta dhe gjinden të shkruara në Permbledhje dokumentesh të Ismail Qemalit që citova më sipër. Unë nga këto mendova të kujtoja vetëm atë të datës 10 tetor 1913, ku ndër të tjera citoj: “Duke mos mundur të durojmë më mizoritë serbe e malazeze , që po vazhdojnë pre 10 muajsh e këtej, dhe si një pasojë e natyrshme e atyre mizorive, populli i Gjakovës rroku armët. Në Letren që i dëgohet Ismail Qemalit si kryetar i qeverisë, njoftohet se edhe Bajram Curri me luftëtarët e tij kanë rrokur armët, gjithashtu thuhet se nga qeveria presin të holla dhe armë etjerë…19. Mora “thjeshtë” shembullin e Gjakovës, por qëndresa dhe lufta mbrojtëse e trojeve etnike Shqiptare ishte prezente nga veriu ne jug dhe nga Lindja në perendim.20. Fatkeqësisht në ata kohë shqiptarët thuajse ishin vetëm dhe me një Europë thuajse kundra në luftën e qëndresen e tyre të drejtë ndaj shoveneve grabitqar serbo-malazez e grekë, e si rezultat nuk munden të ndalin projektin e grabitjes të trojeve shqiptare nga fqinjët, sipas vendimeve të nënshkruara nga Konferenca e Ambasadorëve. (Vlen të shënohet se Qeveria e Vlorës gjatë kësaj kohe kishte komunikime edhe me faktor shqiptar me në krye Esat Pashën, që në vend të “luanin” për interesat e Shqipërisë, “luanin” për interesat e veta , apo të ndonjë vendi të huaj). Me gjithë përpjekjet e Qeverisë së Vlorës dhe shqiptarëve kudo që ndodhen, Konferenca e Ambasadorëve të Londrës mori vendimet e padrejta e antishqiptare, ku brenda kufijve, të shtetit shqiptar u përfshi vetëm afërsisht gjysma e trojeve dhe e popullsisë (rreth 28 mijë km2 me një popullsi prej 740 mijë banorë), kurse gjysma tjetër mbeti jasht kufijve shtetrore duke u shkëputur në mënyrë arbitrare nga trungu i atdheut. Populli shqiptar dhe qeveria kombëtare e Vlorës, që kishin ndjekur me vëmendje e shpresa punimet e Konferencës së Amabasadorëve, pritën me zemrim të thellë vendimet e saj për coptimin e rëndë të Shqipërisë. Ata nuk u pajtuan me to dhe aty ku pati mundësi, si në Vlorë, në Shkodër e qytete të tjera si dhe në kolonitë shqiptare të mergimit u organizuan mitingje e manifestime proteste. Që në pranveren e vitit 1913, vetë kryetari i qeverisë, Ismail Qemali, së bashku me Luigj Gurakuqin dhe Isa Boletinin ndërmoren një udhëtim në Romë, në Vjenë, në Paris dhe në Londër për të njohur të drejtat e popullit shqiptar…21.

NË VEND TË NJË EPILOGU

Në ato kohë ishte “hapur fjala” se shqiptarët Europa nuk i don në një shtetet etnik të bashkuar shqiptar, pasi janë me shumicë të besimit musliman, patrioti i madh pendartë i kombit shqiptar At Gjergj Fishta për këtë do të pergjigjej me fjalët “lapidare”: “Po thonë se Europa nuk na don shtet, pasi shqiptarët janë shumicë muslimanë , atëherë nëse është kështu ne kristianët shqiptarë do të shkrimë kryqet tona për t’i bërë plumba për të mbrojtur vëllezërit tanë Musliman”. Për vendimet e padrejta të Europës, për ndarjen e trojeve shqiptare në favor të fqinjëve shoven, At Gjergj Fishta do të “shfrynte” dufin e tij kunder Eurropës plakë edhe me poezinë kushtrim me titull: Sugrite Mortui! (Çohi të Dekun), nga e cila citoj:

“Shqiptarë , a ndiet ! Europa e mrrutë e ndytë ,

Shkerdhye me Evrej t’Parisit e t’Londonit ,

(Së ciles dreqi ja plasi dy sytë

E marren se sheh njitash n’e s’vonit )

E bani gjyq që t’nipat e Kastriotit ,

Shkjeve t’Ballakanit urë t’rrijnë mbas sodit ,

Po, për Shqiptarë pleqnua e ka Europa,

Që si njatyne urë t’u rrin për dhê ,

Të cilet kishat rrenua ua kanë me topa ,

E n’djep foshnjat e njoma ua kan pre:

Që t’ndertat vasha ua kanë koritë përdhuni

E rrugash bamë i kanë me dekë uni….

…………………………………………….

E mbas sodit Shqyptarët n’gjuhë të huej do t’flasin;

E gjaksvet t’vet do u bajnë kta t’u ngjatët jeta?….

Ktu, ktu shqiptar… a ndiet?… Ku u kam?… Ku jeni?

Mo’ lëni burra… M’armë… Mbaroi Kosova…

Janina humbi… e ndoshta Tepeleni…

Shkoi Manastiri, Dibra dhe Gjakova…

Vendet ma t’mira ne n’a i mori shkjau,

E çka asht ma zi, ne vlla me vlla na dau….22.

Padrejtësinë që iu bë trojeve etnike shqiptare nga Konferenca e Londres e pranon edhe njeri nga autorët kryesor të konferencës, Ministri i jashtëm i Britanisë së Madhe Eduard Grey, i cili mbas konferencës në një fjalim të hapur e cinik në parlamentin britanik, ndër të tjera do të deklaronte: “Ne e dimë se, pas ca kohësh , fëmijët tanë do t’a shohin të gjithë këtë si një padrejtësi të madhe. Do të çuditën që toka të banuara kryesisht prej shqiptarësh ose krejtësisht prej shqiptarësh i janë dhënë fqinjëve të tyre. Kjo është e padrejtë, por ata do t’a kuptojnë se ekuilibri i Fuqive të Mëdha nuk mund të prishej për një vend të quajtur Shqipëri”.23. Fatkeqsisht këto padrejtësi që n’a bëri Europa e vjetër ne shqiptarëve dhe trojeve tona etnike, ende nuk janë në rrugën e zgjidhjes edhe sot pas 110 viteve nga Konferenca e Ambasadorëve, edhe pse Europa e “re” (BE) ka në themel bashkimin e jo ndarjen….

REFERENCAT:

1.Serge Metais ,HISTORI E SHQIPTARVE nga Iliret deri te pavaresia e Kosoves. Fq.272, Tirane-2006.

2.Tajar Zavalani, Histori e Shqipnisë, fq.224-226, botim i dytë-PHOENIX, 1998.

3.Jakob Gould Schurman, Luftrat Ballakanike 1912-1913, fq.60, Sh.B.”Jakup Ceraja”, Prishtinë 2022.

4.Tajar Zavalani, Histori e Shqipnisë, fq.224-226, botim i dytë-PHOENIX, 1998.

5.http://www.focus24.info/…/konferenca-e-londres-1912…/.

6.Serge Metais, HISTORI E SHQIPTARVE nga Iliret deri te pavaresia e Kosoves. Fq.272.

7.https://sq.wikipedia.org/wiki/Konferenca_e_Londr%C3%ABs_(1912%E2%80%931913.

8.Histori e Popullit Shqiptar, për shkollat e mesme, Hartuar nën drejtimin e Innstitutit të historisë të Akademisë së shkencave të Rep.Shqipërisë, fq.140, viti i parë i botimit “Eurorilindja”, Tiranë 1994.

9.Histori e Popullit Shqiptar,po aty…fq.138-139.

10.Edwin Jacques, SHQIPTARËT, Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme. Fq.374-375, shtypi: Lajmi i mire, Tiranë 1995. Megjithatë, konferenca e kishte shpallë vendimin përfundimtar me 29 korrik 1913.

11.Edwin Jacques, SHQIPTARËT, Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme. Fq.373-374, shtypi: Lajmi i mire, Tiranë 1995, + Serge Metais, HISTORI E SHQIPTARVE nga Iliret deri te pavaresia e Kosoves. Fq.272, Tirane-2006.

12.Serge Metais, HISTORI E SHQIPTARVE, po aty, Fq.272.

13.Ambasador i SHBA-së në Greqi (Athinë) në vitet 1912-13 ishte Jacob Gould Schurman (1854-1942), padagog dhe diplomat amerikan me origjinë kanadeze, autor i librit Luftrat Ballkanike 1912-1913, libër i publikuar për herë të parë në vitin 1914 dhe ripublikuar edhe në Prishtinë 2022.

14.https://sq.wikipedia.org/wiki/Konferenca_e_Londr%C3%ABs_(1912%E2%80%931913.

15.Më hollësisht shih-ISMAIL QEMALI-Përmbledhje dokumentesh 1888-1919, fq.333-334.

16.Edwin Jacques, SHQIPTARËT, Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme. Fq.373-374, shtypi: Lajmi i mire, Tiranë 1995, + Serge Metais, HISTORI E SHQIPTARVE nga Iliret deri te pavaresia e Kosoves. Fq.272, Tirane-2006.

17.ISMAIL QEMALI-Përmbledhje dokumentesh 1888-1919, perg. Nga Teuta Hoxha , fq.277, Tiranë 1982.

18.Më gjërsisht shih-ISMAIL QEMALI-Përmbledhje dokumentesh 1888-1919, fq.282-285.

19.AQSH IRSH F.245, D.53, f.26, orgjinali osmanisht, më gjërsisht shih-ISMAIL QEMALI-Përmbledhje dokumentesh 1888-1919, fq.331-332.

20.Gjatë kësaj lufte e qëndrese masakrat serbo-malazeze, mbi popullsinë autoktone shqiptare janë të dokumentuara gjërësisht në librin GOLGOTA SHQIPTRE 1912-1913, akuza kundër shfarosësve të popullit shqiptar, me autor publicistin hebre që jetonte në Vjenë, Leo Freundlich (1875-1953), libri u botua për here të parë në Vjenë me 1913, dhe është ribotuar edhe në Prishtinë në vitin 2022.

21.Histori e Popullit Shqiptar…, po aty, fq.140.

22.At Gjergj Fishta, MRIZI I ZANAVE, fq.43-45, botim XI, botime Françeskane, Shkodër 2019.

23.https://albemigrant 2011, wordpres.com 2017/11/26/rrethimi -i- Shkodrës-në-vitin-1913-nga-malazezët-çlirimi-dhe-pavarësia).

VOO:Fotot marrë nga https://www.google.com.…

Malësi e Madhe, me 29 korrik 2023.

Filed Under: Histori Tagged With: Ndue Bacaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1745
  • 1746
  • 1747
  • 1748
  • 1749
  • …
  • 2982
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT
  • NJË KUJTIM PËR PROFESOR FEHMI AGANIN
  • Kujtojmë në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin arbëresh të Italisë, Lekë Matrënga
  • Albanian Roots Parade, Saturday, June 20
  • DEBATI NË WASHINGTON — PSE FINANCOHET SHOQËRIA CIVILE JASHTË VENDIT?
  • Qyteti 2400-vjeçar që i përket njerëzimit – pasuri e UNESCO-s
  • Skënderbeu në medaljonin e vendosur në pullën e parë postare shqiptare, më 1 dhjetor 1913
  • Ervin Toro: “National Albanian Registry”, një investim në identitetin, fuqinë dhe të ardhmen e komunitetit shqiptar në Amerikë
  • Dualiteti juridik dhe kriza strukturore e barazisë në Maqedoninë e Veriut
  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT