• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në Kosovë festohet tradicionalisht Dita e Pavarësisë së Amerikës

July 4, 2023 by s p

Në 5 Qershor 2023  u bënë 27 vjet nga dita historike e të mërkurës së 5 Qershorit 1996 kur u bë hapja në Prishtinë e Zyrës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në Kosovë festohet tradicionalisht Dita e Pavarësisë së Amerikës

 -Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Kosovë. I pranishëm në festën e hapjes së Zyrës Amerikane në Prishtinë në 5 Qershor 1996 shkruaja edhe kronikën: Flamur i shpresës për Kosovën…/

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

 PRISHTINË,  Korrik 2023/ Në Kosovë festohet tradicionalisht 4 Korriku, Dita e Pavarësisë së vendit të miqësisë së përjetshme dhe raporteve të veçanta – Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat janë të parat nga gjithë bota me prani diplomatike në Prishtinë që prej 27 vitesh dhe shtetin kosovar e kanë njohur që në ditën e parë pas shpalljes para 15 viteve në 17 Shkurtin historik 2008.

Në 5 Qershor 2023  u bënë 27 vjet nga dita historike e të mërkurës së 5 Qershorit 1996 kur u bë hapja në Prishtinë e Zyrës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Më parë,  në 12 Janar 1996, Presidenti historik Ibrahim Rugova përshëndeste paralajmërimin e atëherë Ndihmës-Sekretarit të Shtetit të SHBA, Riçard Hollbruk, për hapjen e një Zyre Amerikane në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë. “Ky është një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës dhe tregon kujdesin e vazhdueshëm Amerikan për gjendjen në Kosovë dhe çështjen e Kosovës”, theksonte Rugova dhe shfaqëte shpresën se edhe vende të tjera, nga Evropa, do të hapnin zyra në Kosovë.

Fillimisht, Zyrtari i USIA-as (Agjencia Informative Amerikane), Majkëll Mekllellën (Michael McClellan) në 22 Maj 1996 ka mbërritur në Prishtinë për të udhëhequr punët në hapjen e Zyrës së këtij shërbimi.

Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë  në 5 Qershor 1996 u bë nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum. Në hapjen solemne ishte edhe Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova bashkë me familjen.

Gazeta e rezistencës “Bujku” e ditës së enjte të 6 Qershorit 1996 në ballinë  shkruante:

Dje në Prishtinë u hap Zyra e Agjencisë Informative Amerikane

“Jemi zotuar për të ardhem dhe lirinë tuaj”

-tha ambasadori Xhon Kornbllum, ndihmëssekretar amerikan i Shtetit, i cili zyrtarisht e hapi zyrën, duke shtuar se kjo është një provë e interesimit të vazhdueshëm amerikan e një kontribut për nxitjen e dialogut. – Dr. Ibrahim  Rugova: “Kjo është ditë historike për Kosovën”.

Raportimi vijonte në faqen 2, ku botohej e plotë deklarata që e kisha marrë nga Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova:

“Deklaratë e Presidentit Rugova

Ditë historike për Kosovën

Në deklaratën e tij me rastin e hapjes së Zyrës së USIS në Prishtinë, presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, tha se kjo është një ditë historike për Kosovën, për çështjen madhore të Kosovës, për popullin e Kosovës, për një zgjidhje paqësore dhe politike të çështjes së Kosovës në bazë të vullnetit politik të popullit. Falënderoj SHBA-të, presidentin Klinton, nënpresidentin Al Gor, sekretarin e Shtetit Kristofer, Kongresin Amerikan dhe të gjithë miqtë tanë në SHBA për këtë dhuratë të madhe për Kosovën dhe për rajonin në përgjithësi.”

Në faqen e parë botohej edhe raportimi  me mbititull “Kryetari i Republikës së Kosovës  Dr. Ibrahim Rugova priti Xhon Kornbllumin” dhe me titull e nëntitull: “SHBA-të do të angazhohen për të drejtat e popullit të Kosovës – tha Kornbllum duke ia përcjellë kryetarit Rugova zotimin e presidentit amerikan Bill Klinton”.

E në faqen 3 të gazetës së rezistencës  “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha e që dilte nga 18 Janari 1991 me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik e që ishte pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi dhe sfidonte ndalimin e dhunëshëm nga Serbia okupatore të gazetës tradicionale Rilindja, atëherë të vetmen të përditshme në gjuhën shqipe në Kosovë, me titullin dhe nëntitullin

“Flamur i shpresës për Kosovën

(Kronikë e viteve që i paraprinë hapjes së Zyrës Amerikane në Prishtinë)”, shkruaja mes tjerash:

“Amerika në Kosovë, nga kjo e mërkurë, është e pranishme edhe me Zyrën e USIA-s.

Kjo për Kosovën ka shumë rëndësi e domethënie, prandaj shpesh quhet përfaqësi e mision diplomatik. Kështu, prezenca amerikane në Kosovë mori një formë institucionale dhe vlerësohet se kjo është shumë e rëndësishme për njohjen dhe afirmimin edhe më të madh të çëshjtes së Kosovës.

Flamuri amerikan, i shtetit më të fuqishëm në botë, vendit mik, dashamirës e përkrahës të shqiptarëve, prej dje valon në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, i ngritur lart e solemnisht në selinë e Zyrës së USIA-s, në një godinë të bukur të lagjes së Dragodanit, duke sjellë mesazhet më të mira të aspiratave të zgjidhjes e të paqes për Kosovën e rajonin.

Zyra e USIA-s në Prishtinë shënon edhe një hap përpara në konkretizimin e interesimit të vazhdueshëm amerikan për Kosovën dhe të pranisë së SHBA-ve në këtë zonë të rrezikshme të konflikteve politike dhe jo vetëm politike në Evropën Jugore….

Flamuri amerikan në Prishtinë, që valon prej dje, është flamur i shpresës për Kosovën. Deri tash të gjithë flamujt e vendeve të huaja janë ngritur si flamuj të okupatorëve.”

Në ceremoninë festive të hapjes së Zyrës Amerikane në Kosovë, në 5 Qershor 1996,  isha edhe për të raportuar për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare, korrespondent i cilës isha që nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste në Kosovë. Hapja e përfaqësisë amerikane në kryeqytetin e Kosovës ishte festë për kosovarët dhe u përjetua si një moment shumë i rëndësishëm dhe historik për të ardhmen, raportoja atëherë nga Prishtina në Tiranë…

Pas 24 vjetëve – në 4 Korrik 2020, raportoja për Gazetën DIELLI të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, se Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett, dhe Zonja Alison Kosnett, ishin nikoqirë të pritjes për nder të Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve, kur u zhvillua edhe  ceremonia e përurimit të ndërtesës së re të Ambasadës Amerikane në Kosovë.

E në 1 Korrik 2009 Prishtina ndau truall për ndërtimin e objektit të ri të Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, ndërsa në 5 Maj 2015 u zhvillua ceremonia e përurimit të fillimit të ndërtimit.

Ndërsa, në mëngjesin e pas mbrëmjes historike të 24 Marsit 1999 të ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s  prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Kosovën e popullin e saj, kam raportuar edhe se, forcat serbe gjatë natës kishin bërë sulme dhe vrasje të tjera në familjet dhe vendbanimet shqiptare, kishin djegur edhe zyrat që ndodheshin në një shtëpizë shkrimtarësh që ishte bërë seli e Presidencës dhe e institucioneve tjera të Republikës së Kosovës, atëherë të panjohur ndërkombëtarisht, dhe Zyrën Amerikane në Prishtinë.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë (USOP) filloi të punojë në shtator të vitit 1999.

USOP përfaqësonte Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar të SHBA-së (USAID), Departamentin për Drejtësi dhe Departamentin për Mbrojtje.

Më pak se dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë, para 15 viteve, Zyra e SHBA-së në Prishtinë u bë Ambasadë në 8 Prill 2008, ndërsa, po atë vit historik, në 18 Korrik, Tina Kaidanow është betuar si ambasadore e parë Amerikane për Republikën e Kosovës.

Pak ditë pasi u konfirmua nga Departamenti Amerikan i Shtetit si ambasadore Kaidanow solli letrat kredenciale të emërimit e pritur në takim në 25 Korrik 2008 atëherë nga Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu.

Ndërkohë, ushtarët amerikanë mbështesin KFOR-in qe më shumë se  24 vjet. Trupat amerikanë kontribuojnë në misionin e NATO-KFOR-it për të garantuar mjedis të qetë e të sigurtë dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Në 17 Maj 2021 është prezantar projekti për sheshin dhe shtatoren e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden në fshatin Sojevë të Ferizajt, pranë Kampit Ushtarak Amerikan “Bondsteel” në Kosovë.

Në Prishtinë – kryeqytetin e Kosovës janë ngritur tre shtatore të personaliteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është edhe Bulevardi me emrin e Presidentit Amerikan George Bush, te Katedralja Shën Nëna Terezë.

Në 1 Nëntor 2009 është përuruar  Shtatorja e Presidentit Amerikan Bill Clinton në bulevardin me emrin e tij.

Në 12 Qershor 2019 në festimet e 20 vjetorit të lirisë së Kosovës u bë edhe përurimi i Shtatores së Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeline Albright në sheshin me emrin e saj.

Shtatorja e Senatorit Amerikan Bob Dole është përuruar në sheshin me emrin e tij në 30 Gusht  2020 në 30 vjetorin e vizitës historike në Kosovë të delegacionit të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës…

NË ZYRËN E SENATORIT ROBERT DOLE  – PËRFAQËSUESI I KOSOVËS NË SHBA ELMI BERISHA, TANI KRYETAR I FEDERATËS PAN-SHQIPTARE TË AMERIKËS VATRA

Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova kishte të emëruar Përfaqësues të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – në Zyrën e Senatorit Robert Dole, mikut të madh të tij e të gjithë shqiptarëve, të cilin edhe e ka dekoruar. I emëruari ishte Elmi Berisha, tani kryetar i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, i cili ishte edhe ceremoninë kur Senatorin Amerikan Robert Dole e dekoroi Presidenti i Kosovës  Ibrahim Rugova, ku ishin bashkë…

Në pranverën e vitit 2004 në vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në 27 Prill, në selinë e OKB-së në Nju Jork, Presidenti historik Ibrahim Rugova takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Anan, kërkon njohjen e pavarësisë së Kosovës. Rugova gjatë kësaj vizite takon edhe guvernatorin e Nju Jorkut, Xhorxh Pataki dhe 20 ambasadorë të shteteve anëtare të OKB-së.

Nga raportimet e medias për vizitën e Presidentit Rugova në Nju Jork citohet edhe Elmi Berisha si person i veçantë kontaktues në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

DIPLOMATI I PARË DHE AMBASADORË AMERIKANË NË KOSOVË  NË GAZETËN RILINDJA

Diplomati i parë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë Majkëll Mekllellën (Michael McClellan), për të cilin kam raportuar që nga dita e parë e ardhjes në 22 Maj 1996 duke qenë edhe në konferencat e tij për shtyp, ishte edhe në festën e 57 vjetorit të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja në 12 Shkurt 2002, ku e kam shumë mirëpritur si kryetar i Këshillit Drejtues e kryeredaktor i gazetës, e ku ishin edhe Shefi i Zyrës së Gjermanisë, Michael Schmunk, shefi i Zyrës së Shqipërisë Vladimir Prela dhe shumë pjesëmarrës të tjerë, mes të cilëve edhe simboli i rezistencës kombëtare shqiptare Adem Demaçi.

Në numrin festiv të Rilindjes së 12 Shkurtit 2002 në faqen e parë “‘Sundimi i Ligjit’ apo ‘Sundimi i Bandave’? Kosova Duhet të Vendosë”, ishte titulli i shkrimit ekskluziv nga Ambasadori Xhon Menzis (John Menzis), Shef i Misionit – Zyrës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

“Sot shënohet 57 vjetori i gazetës ditore ‘Rilindja’, gazetës më të vjetër në gjuhën shqipe në Kosovë”, niste ambasadori amerikan shkrimin-editorialin, ku mes tjerash theksonte edhe se, “si shef i misionit të Zyrës së SHBA-ve në Prishtinë, unë e di mirë rolin që  e ka ‘Rilindja’ në shoqërinë demokratike që është duke u krijuar në Kosovë”.

“Në këtë përvjetor të 57-të të gazetës ‘Rilindja’, e uroj Z. Behlul Jashari, Z. Ramush Tahiri dhe gjithë kolektivin për punën e mirë që e bëjnë me shkrimet mbi çështjet e ndërlikuara politike në Kosovë, shkrime këto të drejta dhe të balancuara. Nuk është punë e vogël të botohet një gazetë për 57 vite me radhë dhe ju mund të jeni krenarë që e keni arritur këtë. Ne duhet të punojmë së bashku duke përdorur fuqinë e penës, fuqinë e diplomacisë dhe fuqinë e opinionit publik në mënyrë që të sigurojmë mosndryshimin e vazhdimësisë së përparimit demokratik të Kosovës, dhe që sundimi i ligjit do të mbizotërojë gjithnjë mbi sundimin e bandave”, theksonte në përfundim të editorialit Ambasadori Amerikan Menzis. 

Në akadminë solemne të  festës së gazetës  tradicionale e historike të Kosovës Rilindja në emër të Zyrës Amerikane dhe Ambasadorit Amerikan  John Menzis përshëndeti diplomati i parë i SHBA në Kosovë Majkëll Mekllellën (Michael McClellan).

Ai fillimisht tha: “Zonja dhe zotrinjë, është nder i madh për mua të marrë pjesë në përvjetorin e 57-të të ‘Rilindjes’. Në emër ta ambasadorit Menzis, të SHBA-ve në Kosovë, ju përgëzoj për punën tuaj që keni bërë në gazetën e parë në gjuhën shqipe në Kosovë…”

Diplomati Amerikan Mekllellën pasi foli edhe për përvojat e vendit të tij dhe rolin e rëndësishëm të gazetës Rilindja dhe mediave tjera në Kosovë,  u shpreh se,  “…sikurse Ambasadori Menzis në artikullin e ballinës së ‘Rilindjes’, mediat po ashtu duhet të mbështesin vizionin demokratik për përpjekjet e sundimit të ligjit në tërë Kosovën”

Dhe, duke përfunduar  fjalën në festën  e 57-vjetorit të gazetës Rilindja diplomari i parë Amerikan në Kosovë, Mekllellën theksoi:

“Zonja dhe zotrinjë, në emër të Ambasadorit John Menzis dhe të Zyrës së SHBA-ve, ju uroj këtë përvjetor të lartë e të rëndësishëm. Edhe pse ‘Rilindja’ është më e vjetra në Kosovë, ajo është e re në zemër dhe në rolin e saj në Kosovë, është e freskët dhe plot jetë. Jam shumë i lumtur që mund ta them ketë: Në të ardhmen do të përpiqemi të bashkëpunojmë me ‘Rilindjen’ edhe shumë dekada në Kosovë”.

Diplomati Amerikan Mekllellën citohej kështu në raportin e gjerë të gazetës nga festa me titull “‘Rilindja’ – laborator i gazetarisë shqiptare në Kosovë”.

“Kosova pret Vitin e Pavarësisë”, ishte kryetitulli në ballinën e gazetës Rilindja të 31 Dhjetorit 2004, ku në numrin special të festës së Vitit të Ri 2005 botohej edhe intervista ekskluzive e Shefit të Misionit të Zyrës Amerikane në Prishtinë, Philip Godlberg (Filip Golldberg) që më dha për gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja në jubileun e saj të 60 vjetorit.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë ta mbështesin një Kosovë demokratike dhe tolerante”, citoja diplomatin amerikan në ballinën e gazetës Rilindja e në titull të intervistës,  ku Ambasadori Amerikan Godlberg theksonte: “Standardet, të cilat i ka specifikuar komuniteti evroatlantik janë idealet dhe vlerat me të cilat ne jetojmë çdo ditë dhe në të cilat ne thellësisht besojmë. Këto janë idealet të cilat e përfaqësojnë Evropën e shekullit 21”.

“Viti 2005 do të mund të ishte një vit shumë vendimtar për Kosovën pasi që është vit kur ne do të lëvizim drejt një faze të re të procesit në Kosovë. Në kuptimin që mesi i vitit 2005 është koha kur do të bëhet Shqyrtimi Gjithpërfshirës i progresit në standarde, dhe me shpresë se prej kësaj do të rezultojë edhe fillimi i bisedave për statusin”, shprehej diplomati Amerikan Godlberg në intervistën ekskluzive që për gazetën Rilindja e zhvillova i shumë mirëpritur në Zyrën Amerikanë në Kosovë.

Intervista pas 8 pyetjeve e përgjigjeve përmbyllej kështu:

“9.    RILINDJA: Z. Golldberg, Ju falenderojmë shumë për këtë intervistë, që e vlerësojmë edhe si përkrahje për gazetën tradicionale të Kosovës “Rilindja”, e cila për shkaqet që dihen ndodhet në situatën çfarë është, dhe që Jubileun e vet të 60-vjetorit në Vitin e Ri 2005 pret ta ketë edhe festë të ridaljes. Kemi nderin dhe kënaqësinë të Ju ftojmë në këtë festë, e cila urojmë të ndodhë sa më shpejt.

GOLLDBERG:  Dëshiroj të falënderoj “Rilindjen” që ka kërkuar intervistë nga unë, e edhe më shumë dëshiroj që lexuesve tuaj t’u them URIME FESTA (e thotë në shqip). Dhe, ju uroj juve dhe gjithë njerëzve në Kosovë Kërshëndellat  dhe Vitin e Ri dhe vitin 2005 plot paqe, përparim dhe shpresë për të ardhmen.”

Nën kryetitullin “Kosova pret Vitin e Pavarësisë” gazeta Rilindja në ballinë botonte edhe foto e shkrim nga takimi i fundvitit 2004 që kisha me Presidentin historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova. Në pritjen tradicionale të fundvitit, Presidentit Rugova i dhurova ekzemplarët e parë të Kalendarit të Rilindjes me simbolet e Vitit historik të Pavarësisë së Kosovës dhe të 600 vjetorit të Kryeheroit të Kombit Shqiptar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, të vitit 2005 të jubileut të 60 vjetorit të gazetës tradicionale, siç theksohet në shënimin nën foton në ballinë. Presidenti Rugova përgëzoi në këtë rast Rilindjen në Jubileun e saj dhe siguroi për zgjidhjen që do të bëhet për gazetën, kryeredaktor dhe kryetar i Këshillit Drejtues i së cilës isha.

“Sigurt do të arrijmë suksesshëm në vlerësimin pozitiv të standardeve”, ishte titulli po në ballinë të Rilindjes i një interviste që kam zhvilluar në fundvitin 2004 me Ramush Haradinaj, në kohën kur ishte Kryeministër – gjatë 100 ditëve të qeverisjes, ku shprehte besimin se pavarësia e Kosovës do të shënojë edhe një fillim të ri për shumë çështje që e preokupojnë rajonin sikurse që është integrimi i shpejtë në strukturat evropiane dhe ato veriatlantike.

**********

Speech on the Occasion of 57 Years of “Rilindja” Newspaper in Kosovo

By: Michael McClellan
Public Affairs Officer, USOP
Delivered 12 February 2002
Pristina

Ladies and Gentlemen, it is a great honor for me to be here with you today on the occasion of Rilindja’s 57th anniversary. On behalf of Amb. John Menzies and the entire U.S. Office Pristina, I congratulate each and every one of you for the work and success that the first and oldest Albanian-language newspaper in Kosovo has had in publishing continuously since 1945.

In the United States, our system of government has three branches – the Executive branch, that is the White House and the various Departments or Ministries, the Congress, composed of the House of Representatives and the Senate, and the Judiciary, that is the federal courts and the Supreme Court. But we often speak of the press as being the “fourth branch” in the sense that it speaks for the people in watching over the functions and activities of the three branches of government.

Here in Kosovo, the role of the media as the “watchdog of government” is more important than ever. Once the people have expressed their democratic will in the elections, it is up to the media and civic organizations to work day-to-day to ensure that the voice of the people continues to be heard and to hold the elected leaders responsible to the people who put them in office. But, as Amb. Menzies said on the front-page of today’s Rilindja, the media must also uphold the democratic vision of society and support efforts to establish the rule of law and civil society throughout Kosovo. In other words, the media must be a watchdog not only on the government, but also on those elements of society that would seek to undermine the democratic values that Kosovars are working so hard to establish.

The role of Rilindja and other media in Kosovo is vital, perhaps more so today than ever before. The media must be a forum for the exchange and expression of responsible opinion and a means for educating the population about the practices and values of democracy and civil society. As building blocks of society, the media play a vitally important role in establishing good, responsible institutions of self-rule in Kosovo.

Again, ladies and gentlemen, on behalf of Amb. John Menzies and the U.S. Office, I congratulate you on this highly important anniversary. Even if Rilindja is the oldest paper in Kosovo, it is still young at heart and its vision of its role in Kosovo should always be fresh and vigorous and full of life. I am very happy to say that it is.

Thank you for your kind invitation to join you on this special occasion and we look forward to many more decades of cooperation with Rilindja in Kosovo!

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari

GËZUAR 247 VJETORIN SHBA

July 4, 2023 by s p

 ASLLAN  BUSHATI/

 4 Korriku i këtij viti, është 247 vjetori i SHBA-së. Kanë të drejtën legjitime ta festojnë me shumë krenari këtë ditë madhore të historisë tyre  Kombi i madh Amerikan, fuqia më e madhe politike, ekonomike , diplomatike e ushtarake e botës. Kanë të drejtë të jenë kryelartë për ate cfarë ky Komb ka bërë për qytetarët e vet, si vendi i lirisë, demokracisë, përparimit e prosperitetit. Vendi i mundësive të mëdha  në arsim, shkencë, ekonomi, biznes, kulturë, sport e gjithcka  tjetër të mundëshme  për një shoqëri të lirë. Kanë të drejtë të jenë kryelartë për gjakun që kanë derdhur për lirinë e kombeve të tjerë në dy luftërat botrore dhe në ato rajonale, të cilat kanë sjellë lirinë, demokracinë, përparimin  e progresin në mbarë botën. Kanë të drejtë të mburren me lidershipin  e fuqisë drejtuese të botës për gati 80 vite  dhe e vetme për 33 vitet e fundit.

Shqiptaro- amerikanët dhe ato në trojet etnike e në diasporë, po ashtu kanë plotësisht të drejtë ta festojnë këtë ditë të lumtur përkrah Kombit të madh Amerikan, sepse pa ndihmën e tij sot nuk do të kishte as Shqipëri si  shtet sovran dhe as Kosovë shtet të pavarur e demokratik. Kujtojmë se më 4 korrik 1918 (105 vite më parë), Presidenti Willson i premtoi Kryetarit të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra (Fan Noli), se në Lidhjen e Kombeve do ta mbronte pavarsinë e Shqipërisë  nga synimet pushtuese të fqinjëve ballkanik dhe do ta përdorte fjalën dhe votën e SHBA-së që vendi ynë të bëhej antar i Lidhjes dhe shtet sovran.

Vendosja e marrdhënieve diplomatike midis SHBA-së dhe Shqipërisë, ngriti në një shkallë më të lartë afërsinë midis dy popujve dhe lidhjen e fortë shpirtërore midis shqiptarve dhe Kombit Amerikan. Këto lidhje u dëmtuan në vitet 1946- 1990 nga diktatura komuniste në Shqipëri, por pas viteve 1990, shqiptarët panë tek SHBA mikun e madh, shpëtimtarin, aleatin e vetëm strategjik dhe u bënë populli më amerikandashës në botë.

Shpërbërja e Jugosllavisë dhe agresiviteti serb, shtoi shtypjen, represionin, dhunën, arrestimet, burgosjet, vrasjet, përdhunimet, heqjen e lirisë në Kosovë dhe  gjenocidin e shumanshëm mbi një popull nga më të vjetrit në Europë dhe autokton në trojet e tij etnike mijra vjecare – Kosovën Dardane.

Ishte fat i madh për shqiptarët, qenia në postin e Presidentit të 42- të SHBA-së e Bill Clinton, i cili me një  lëvizje strategjike e rreshtoi NATO-n në transhenë shqiptare kundër pushtuesve serb, fitoi luftën, shporri serbët nga Kosova  dhe krijoi mundësinë që në vijim ajo të bëhej shtet demokratik e i pavarur. Ai sot është për vizitë në Shqipëri, të cilin e përshëndesim me përzemërsinë më të madhe dhe me të drejtë ai konsiderohet nga cdo shqiptar si heroi i Kombit tonë.

Mirënjohje dhe respekt pakufi edhe për Presidentin George H Bush i cili i tregoi në krishtlindjet 1990 vijën e kuqe Sllobodan Milloshevicit. Mirnjohje  edhe Presidentëve: George W Bush, Barak Obama, e Joe Biden që që bënë gjithcka për mbrojtjen, përkrahjen, mbështetjen  e pa kursyer e të  gjithanëshme  për Kosovën dhe përparimin e Shqipërisë.

Mirnjohje për SHBA-në në ditën e tyre të flamurit, kanë edhe  gjithë popujt europiano-perendimorë, sepse pa ndihmën amerikane ata do të ishin nën thundrën nazifashiste dhe nën kërcënimin e tankeve sovjetike  e sot ruse. Po ashtu mirnjohje kanë edhe popujt e Europës Lindore të cilët pas rënies së komunizmit patën përkrahjen amerikane në rrugën e demokracisë dhe integrimit në NATO si elementi më themelor i ombrellës tyre mbrojtëse.

Mirnjohje për SHBA-në sot kanë vecanërisht ukrahinasit të cilët luftën e tyre të drejtë për mbrojtjen nga agresioni rus, nuk do të kishin mundësinë ta realizonin pa ndihmën e gjithanëshme amerikane.

SHBA-ja ka gjeneruar e gjeneron energji të gjithanëshme, besim e shpresë për qytetarët e vet, (pjesë e të cilve jemi edhe ne shqiptaro- amerikanët), por edhe për qytetarët  e botës demokratike. Lidershipi, fuqia e madhe ekonomike, politike, diplomatike e vecanërisht ushtarake e bën ate symbol të sigurisë për të ardhmen.

Ne shqiptarët, lypset ti përafrojmë qëndrimet tonë me aleatin tonë strategjik.  Të jemi më të kujdesshëm (por jo servilë), më bashkpunues dhe jo inatcor.

 SHBA e gëzofsh 247 vjetorin dhe mijra të tjerë pas tij. God bless America.

    ASLLAN  BUSHATI

Filed Under: Analiza Tagged With: asllan Bushati

Shoqata Skëndërbej feston ditëlindjen e 247 të Amerikës

July 4, 2023 by s p

Presidënti i Shoqatës Skëndërbej

Prof.Asc.Dr.Gëzim Mustafaj

Amerika është kthyer në atdheun tonë të dytë, prandaj festimi i ksaj dite është kthyer në traditë për shoqatën tonë. Kështu më datën 2 Korrik, Shoqata u mblodh në ambjentet e Rory Dolan’s Restaurant, Yonkers, për të festuar ditëlindjen e 247 të Amerikës.

Në 17 shtator 1787, Anëtarët e Konventës Kushtetuese, nënshkruan draftin përfundimtar të Kushtetutës së SHBA. Në 52 fjalët e para të këtij dokumenti shkruht; Ne populli i SHB, me qëllim që të krijojm një bashkim më të përsosur, të vendosim drejtësinë, të sigurojmë qetësin në vend, të sigurojmë mbrojtjen e përbashkët, të nxisim mirqënjen e përgjithshme dhe të sigurojmë bekimet e lirisë për veten tonë dhe pasardhësit tonë, caktojm dhe vendosim këtë Kushtetutë të SHBA.

Për dy shekuj e gjysëm, Amerika ka ndjekur atë ëndërr për të formuar një bashkim më të përsosue. Ato kanë përdorur fuqin e tyre për të sjell paqe dhe begati më të madhe, jo vetëm për popullin Amerikan, por edhe për botën. Historia e Amerikës është një histori unike suksesi.

Miqësia midis SHBA dhe Shqipërisë është e hershme. Rreth 100 vite më parë ato përdorën fuqin e tyre për të mbështetur vëndin tonë dhe i hapën rrugën që edhe Shqipëria ti bashkohej Lidhjes së Kombeve më 1920.

Presidënti Klinton me fuqin e tij dhe të shtetit të tij, si dhe përpjekjet, sakrificat dhe gjakun e derdhur, u arrit që në vitin 1999 populli i Kosovës të fitonte lirinë. 

Me mbështetjen dhe fuqinë e Presidëntit Bush, në vitin 2008 u njoh edhe shteti i dytë Shqiptarë, Kosova. Një vit më vonë Shqipëria u antarsua në NATO, duke e bërë vëndin tonë më të sigurtë. Kombi ynë ka qënë dhe është një nga partnerët dhe amerikanëdashësit kryesorë në botë.

Na nderuan me prezëncën e tyre, Kryetari Forumit të ushtarakëve nga Philadelfia z.Ali Sopi, Kryetari i Nderit të ketij Forumi z.Eqerem Murati,  sekretari  Forumit z. Lutfi Brami dhe z.Hys Hasa. Kryetari Veteranëve të UÇK-së z.Astrit Huskaj, K/Admiralit  z.Muharrem Kuçana dhe z.Sylejman Avdia, Anëtarë nderi të shoqatës tone.

Festa filloi me hymnet kombtare të Shtetit Amerikan dhe të shtetit shqiptar. Znj. Nadire Xhakolli e cila moderoi gjithë aktivitetin ja dha fjalën Presidentit të shoqatës”Skënderbeg”, Prof.Asc.Dr.Gëzim Mustafaj,i cili shprehu mirëseardhjen në ketë eveniment të veçantë për të gjithë pjesmarrësit. Ai midis të tjerave theksoi se populli dhe kombi shqiptar do t’i jemi mirnjohës Shtetit e popullit Amerikan për ato që kanë bërë për Kombin Shqiptar.

Pastaj fjalën e mori kryetari Forumit të ushtarakëve të shoqatës social – kulturore “Bijtë e Shqipes”, në Philadelfia, z.Ali Sopi, i cili mes tjerash falenderoi kryesinë e shoqatës ”Skënderbeg” për ftesën e bërë, që të jemi bashkë në ketë festë të madhe të pavarësisë Amerikës.

Përshëndeti kryetari i veteranëve të UÇK-së z.Astrit Huskaj,i cili falenderoj shoqatën ”Skënderbeg”për ftesën, si dhe për mbështetjen që ka marr UÇK-ja nga shumë anëtarë të kësaj shoqate dhe për këtë i dha shoqatës një ”Çetërfikatë –Mirnjohje”.

Një kujtim i bukur në këtë ditë të shënuar për popullin amerikan do të jetë për anëtarin e shoqatës z.Astrit Xhakolli, të cilit i uruam  Gëzuar 70 vjetorin e lindjes edhe nëpërmjet një torte  të porositur enkas për ketë eveniment ditlindje.

E gjithë festa kaloi nën tingujt muzikës me këngë e valle popullore nga gjitha trevatë shqiptare, nën drejtimin e DJ Agim Shiqerukaj.

GËZUAR FESTËN E PAVARSISË SË SHBA

New York 2 Korrik 2023

Filed Under: Komunitet

Bill Clinton, një President në zemrën e gjithë shqiptarëve

July 4, 2023 by s p

Clinton: “Dua t’ju falënderoj për një moment që do ta ruaj si thesar për gjithë jetën time. Faleminderit Shqipëri”.

Kosova/ Clinton: T’i jepet fund kësaj marrëzie, zgjedhjet s’duhet të ishin zhvilluar.

Clinton:” Kontaktet e mia me Shqipërinë që në moshën 18 vjecare. Shqipëria ishte mister, kurrë se kisha menduar që do vija këtu si President”.

Nga i dërguari i Diellit në Tiranë Albano Kolonjari

Bill Clinton, Presidenti i 42-i SHBA- është padyshim Presidenti Amerikan që Shqiptarët e duan më shumë. Njeriu që i dha vendimin historik për çlirimin e Kosovës, krijimin e Shtetit Kosovar dhe përcaktoi të ardhmen e Ballkanit ndodhet në Shqiperi në një vizite 2 ditore. Në shenjë respekti dhe për të përjetësuar emërin e tij por edhe te bashkshortes së tij, pas luftës shumë kosovarë u vendosën emrat Bill, Clinton dhe Hillary fëmijëve të tyre. Predidenti Clinton mbeti pa fjalë nga një suprizë që iu bë para Kryeministrisë, me disa fëmijë qe vinin nga Kosova dhe të cilët mbanin mbiemrin e tij si emër por edhe te bashkshortes, në shenjë vlerësim për atë cfarë ai bëri duke mbrojtur jetë të pafajshme gjatë terrorit dhe gjenocidit Serb në Kosovë. “Sot më dhatë një dhuratë të madhe. Më të madhe edhe sesa nderi. Më latë të shoh çfarë bëhet për të ardhmen, në një kohë që e shkuara mund ta kishte vrarë. Vazhdoni kështu. Zoti ju bekofte. Faleminderit jam pa fjalë. Po të kisha një gjykim të shëndoshë nuk do të thoja asgjë. Jam vërtetë pa fjalë. Dua t’ju falënderoj për një moment që do ta ruaj si thesar për gjithë jetën time. Ka më shumë se dhjetë vite që kur bashkëshortja ime erdhi këtu si sekretare e shtetit dhe gjithmonë e pyesja se si po ndihej si po shkon dhe ndjej se edhe pse jam një qytetar privat pa asnjë pushtet publik mund të flas për këtë çështje në emër të popullit amerikan. Unë dhe Hilary jetojmë 30 milje nga New York që është vendi me përqendrimin më të madh të shqiptarëve në Amerikë. Eshtë për të qeshur se një javë më parë kalova afër tre restoranteve shqiptare atje dhe njerëzit filluan të më tregonin për agjendën time këtu e dinin më mirë ata se unë” Gjithashtu Presidenti Clinton zbuloi edhe nje histori te bukur:” Kur isha në një restorant në Nju Jork një kamerier erdhi të merrte porosinë. Uli tabakanë që kishte ujin dhe u ul në gjunjë dhe më tha falë teje familja ime është gjallë. Dhe njerëzit e tjerë me të cilat isha nuk e kishin idenë se çfarë kishte ndodhur dhe u shpjegova se ishte shqiptar nga Kosova. Ai u çua foli pak për jetën familjare dhe tha vazhdoni kështu. Mos i hidhni njerëzit poshtë . Ju keni ndërtuar këtu diçka të lavdishme dhe bëni që njerzit që të vijnë këtu që vendi i tyre te jetë më shumë si i juaji”. “Jam shumë mirënjohës që dhëndri im është këtu dhe para se të vinim fola me tre nipërit e mi në celular. Kur e pashë të ndodhte në Kosovë e në Bosnjë ajo gjë gjithë ato vite më parë e pashë të ndodhë një djalë i ri në vendlindjen time. Sa herë e kam parë këtë gjë në jetën time, kurrë nuk ka pasur lidhje me të vërtetën në zemër të vet por është vërë për të fituar pushtet pa asnjë llogaridhënie nga ata njerëz që shtyjnë kufijtë e mendojnë se janë krijuar të epërm nga zoti. Për ata që shërbejnë në qeveri e atyre që i shërbehet dhe praninë e grave në këtë qeveri. Për të rinjtë mbresëlënës që folën, disa prej të cilëve mbajnë emrin tim e të tjerët të familjarëve të mi ju kërkoj të mos shkurajoheni sepse këto probleme i kanë rrënjët tek një impuls që është më i vjetër se shtetet kombe dhe besimet tona fetare. Ka pasur gjithmonë një frikë se në momentin që do të shkojmë përtej llojit tonë diçka e keqe mund të ndodhë. Shihini këta fëmijë, gëzimi më i madh në jetë ndodh kur ne hapemi ndaj mundësisë që çdo person mudn të marrë. Edhe njëherë, e kam të vështirë të them diçka për atë që është bërë e thënë sot, mësimet e jetës time në politikë nuk janë ato që mësova në universitet apo në zgjedhje e sallën të diskutimeve në qeveri. I kam mësuar kur isha një djalë i vogël që rritesha duke parë njerëzit ët jetonin jetën e tyre dhe jam ndjerë përherë se fjala dhe nderi kishin një vlerë konstante për çdokënd dhe e mendoj se është e rëndësishme të pranojmë që dallimet ton kanë rëndësi dhe duhet të jemi të lirë e në gjendje të dëgjojmë njëri tjetri por nuk duhet të harrojmë se e vetmja mënyrë me të cilën do të lejohen të gjithë te kenë zërin e tyre është se të qënurit njerëz dhe humanzimi i përbashkët vlen më shumë”.

Presidenti i 42-të i SHBA Bill Clinton, tregoi se e njihte Shqipërinë në moshën 18-vjeçare kur ishte student në shkollë dhe studionin Luftën e Ftohtë” Kur isha i ri dhe studioja luftën e ftoftë, botën komuniste, e shihja Shqipërinë në hartë dhe paraqitej si një mister i pamatë, e mbyllur ndaj botës. Më kujtohet kur isha 18-vjeç dhe i thoja vetes a do shkojë ndonjëherë aty, pyes veten si do jetë dhe kurrë nuk ma merrte mendja se do vija si president. Isha një njeri që vija nga një rrugë e gjatë, doja të shihja historinë e këtij vendi. Mendoj që më keni dhënë një dhuratë mjaft të madhe thjesht duke iu thënë përshëndetje, duke më lënë t’iu shoh”. Bill Clinton, presidenti i 42 i SHBA-së u ndal edhe tek situate ne Kosovë. “Ka një mosmarrëveshje që po ndodh tani në Kosovë që do të doja të mos kishte ndodhur kurrë. Nuk është më vendimi im. Kosovarët i krijuan ato katër qyteza në të mirë të serbëve për tu dhënë katër kryebashkiakë më tepër. Kështu që mendoj se kanë bërë një gabim që të votohej. Mendoj se është e lehtë për shqiptarët, tani në shumicë që të përpiqen që të përfitojnë nga momenti, për të paraqitur argumentin tyre, por gjëja e vërtetë që duhet të bëjmë është ta ndalim këtë marrëzi. Çfarë çështje e madhe politike mund të krijohet duke pasur këtë tension, qytetarët ka nevojë që tu thuhet u duhet të votojnë. Nëse mendoni për këto 4 qyteza, shumë larg nga çdo laborator modern shkencor, ku modelohet sjellje që po e nxit botën sot, pasi drejtohet nga njerëz që preferojnë dominancën në vend të bashkëpunimit. Shpresoj që Shqipëria të jetë në gjendje ti tregojë botës sesi duket një e ardhme gjithë përfshirëse”. Dikur ishit një derë e zymtë e mbyllur, ndërsa sot jeni një derë e hapur. Ju falënderoj që morët gratë e OJQ-ve në Afganistan dhe i larguat nga rreziku. Më lini t’iu them se në moshën time pyet veten se pse njerëzit harxhojnë energji për shkatërrim. Gjithçka mbaron dhe ato vlejnë nëse e ardhmja është më e ndritur dhe ka bashkim në vend të ndarjes. Vazhdoni kështu. Zoti ju bekoftë!”, deklaroi ish-Presidenti amerikan Bill Clinton. Kryeministri Edi Rama dekoroi me “Yllin e Mirënjohjes” Presidentin e 42-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Çmimin e nderit ia dha kryeministri Edi Rama, sebashku me femijet e ardhur nga Kosova. Ramatha se Bill Clinton është njeriu që i dha shpresën e shqiptarëve. “Njeriu nga shpresa, keni qenë me ne gjatë kohës, sot jeni mes nesh për të na kujtuar mësimet nga një histori jo fort e largët për të konfirmuar riangazhimin e Amerikës ndaj paqes sonë dhe njëherë të na thërrasë në shpresë. S’ka fjalë që mund të shprehin atë që ndjej tashmë duke iu kërkuar me përulje të pranoni yllin e mirënjohjes për arritjen publike, që është çmimi më i lartë që jepet nga zyra e kryeministrit dikujt që e meriton këtë mirënjohje.

Filed Under: Reportazh Tagged With: albano kolonjari

Festimi i ditëlindjes së Amerikës: 247 vjetori i Pavarësisë

July 4, 2023 by s p

Nga Beqir SINA – New York/

4 korriku – 247 vjetori i pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe rëndësia historike e kësaj dite të veçantë në Shtetet e Bashkuara. Dita e Pavarësisë, e njohur edhe si katër korriku, shënon lindjen e kombit të madh Amerikan dhe shërben si një festë për të reflektuar mbi parimet dhe vlerat që e bëjnë Amerikën unike. Në kontekstin historik, pavarësia e SHBA ka traditat dhe frymën e festimit të lidhur me këtë datë të rëndësishëme.

Më 4 korrik 2023, Amerika ka 247 vjet pavarësi. Kjo llogaritet nga data e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë në 1776, e cila shënoi lindjen zyrtare të Shteteve të Bashkuara si një komb i pavarur.

Së pari dhe më kryesorja, Dita e Pavarësisë përkujton nënshkrimin e Deklaratës së Pavarësisë në 1776, kur trembëdhjetë kolonitë amerikane, shpallën zyrtarisht pavarësinë e tyre nga sundimi britanik. Ky akt i guximshëm hodhi themelet për formimin e një kombi të ri, i bazuar në parimet e lirisë, barazisë për të gjithë dhe prosperitetit dhe të lumturisë.

Një nga simbolet më ikonike të festimit të Ditës së Pavarësisë së Amerikës, 4 korrikut janë fishekzjarrët. Tradita e ndezjes së fishekzjarreve në 4 korrik daton që në ditët e para të krijimit të kombit amerikan. Spektakli mahnitës i fishekzjarrve në qiellin e Eldorados, dhe spektri i ngjyrave që ndriçojnë qiellin e natës së 4 korrikut, shërbejnë si një kujtesë e pasionit dhe shpirtit që i shtyu baballarët themelues të Amerikës, të luftonin për liri.

Për më tepër, në 4 korrik paradat janë një tjetër traditë e bukur dhe e dashur gjatë festimeve të Ditës së Pavarësisë. Amerikanët mblidhen në sheshet e bulevardet e qyteteve për të nderuar historinë e kombit, të tyre.

Në rrugët kryesore zakonisht në qender të qyteteve dhe lokaliteteve nisin parakalimet me bandat muzikore, kalorsit dhe marshi i fitimtarve me uniformat e luftëtarve të pavarësisë, kuadratet e nxënsve të shkollave , dhe institucioneve , grupe të rinjësh me uniforma sportive, të gjitha me simbole patriotike, të cilat janë shfaqjet e krenarisë kombëtare. Po ashtu paradat ofrojnë një mundësi për të shfaqur kulturat e ndryshme dhe trashëgiminë e pasur që i kontribuojnë shoqërisë amerikane.

Dalja me familje në pikniqe jashtë qendrave të banuara gatimet dhe pjekja e mishit barbekju (zgarë) janë gjithashtu një pjesë integrale e festimeve të Ditës së Pavarësisë. Familjet dhe miqtë mblidhen për të shijuar ushqime të shijshme, të tilla si hamburger, hot dog dhe misër kalli, ndërsa përfshihen në biseda të gjalla dhe krijojnë kujtime të bukura. Këto festime jo vetëm që nxisin ndjenjën e komunitetit, por edhe japin shembullin e frymës amerikane të lirisë dhe miqësisë.

Është e rëndësishme të kujtojmë se ndërsa Dita e Pavarësisë është një kohë festimi, është gjithashtu një rast për të reflektuar mbi përparimin që ka bërë si komb Amerika, dhe shikimin gjithmon për nga ardhmja. Festimi i 4 korrikut shërben si një kujtesë për të çmuar liritë që gëzonë populli amerikan dhe për të njohur kontributin e atyre që kanë luftuar dhe vazhdojnë të luftojnë për lirinë .

Ndërsa festohet ditëlindja e Amerikës këtë vit, në 247 vjetorin e saj , amerikanët përqafojnë vlerat që kanë formësuar kombin e tyre dhe të riafirmojmë angazhimin e tyre për t’i mbështetur ato. Festa e Pavarësise se SHBA është për unitet, mirëkuptim dhe barazi për të gjithë: “Së bashku, thonë amerikanët ne mund të ndërtojmë një të ardhme që nderon sakrificat e atyre që erdhën para nesh dhe krijon mundësi për brezat që do të vijnë.”

Në këtë Ditë Pavarësie, amerikanët marrin një “ftesë” që të kalojnë një ditë për të reflektuar mbi bekimet e të jetuarit në një vend ku të gjithë kanë lirinë që i frymëzon për të ndjekur ëndrrat e tyre, për të shprehur mendimet e tyre dhe për të përqafuar dhe mos harruar prej nga kan ardhur, prejardhjet e tyre nga vende të ndryshme të botës.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Beqir Sina

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1783
  • 1784
  • 1785
  • 1786
  • 1787
  • …
  • 2980
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste
  • Një vepër e rrallë në ikonografinë shqiptare, Shën Kristofori me kokë qeni
  • NJË ZË I RI SHQIPTARO-AMERIKAN NË UASHINGTON NË SHËRBIM TË KUJTESËS HISTORIKE TË VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT
  • Patronimet kolektive me -aj , si identitet shqiptar i Malësisë së Madhe
  • SHANI PNISHI – NJË ZË I NDËRGJEGJES KULTURORE NË NDËRPRERJEN MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
  • Mitrush Kuteli, figura e shquar që jetoi mes dy botëve
  • Shqipëria në Balkanfila XXI me identitet, përfaqësim dhe arritje
  • HOMAZH PËR LEGJENDEN DINAMOVITE
  • EMRI I ROBERT LULGJURAJ MBËRRIN NË ZYRËN OVALE TË PRESIDENTIT TRUMP
  • Franz Kafka dhe kushti i brendshëm i lirisë, një thirrje për zgjim nga vetë ndërtimi i robërisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT