• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nga Dante Aligieri dhe piktori i famshëm italian Mariotto Albertinelli tek djali i Drenicës përndjekur nga genocidi serb

February 4, 2023 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Artistët e Rilindjes dhe të famshmit si pronari i parë Albertinelli, Michelangelo, Dante Aligieri, Andrea del Sarto, Benvenuto Cellini frekuentonin restorantin tonë thotë me krenari Iberi.

Histori suksesi nga më interesantet

Ashtu si kompozimet në art të artistit të famshëm Albertinelli, miq të Mikelanxhelos dhe figurave më të ndritura të Florences, që sjellin kontrastin e fortë të dritës dhe errësirës, ashtu më është ngjasuar historia e dy pronarëve të suksesshëm piktorit botëror Albertinelli dhe Iber Kelmendit nga Kosova.  

Çfarë historie magjepsëse.  Verën e vitit 2022 me bijën tone Valbona dhe dy vajzat e saj shkuam një turne në Itali në vendet më historike të përzgjedhura plot sqimë nga Valbona.  E pamundur të sjellësh artin, kulturën, historinë, pikturat, skulpturat, shkencën, epokat në këtë shkrim.  Unë do të ndalem në historinë e djalit që i iku zjarreve përzhitëse dhe flakëve përpirëse të genocidit serb.  Ai u dëbua nga policia dhe ushtria dhunuese serbe.

Pasi ishim rehatuar në hotel shumë afër me qendrën e famshme “Duomo” pyesim hotelieren italiae nëse na rekomandonte për ndonjë restorant?  Rekomandimi i parë i zonjës simpatike italiane ishte restoranti “Tratoria Dell Penello”.  

Kur ne u ulëm në një nga restorantet më historike dhe më të vjetra të qytetit Florence i cili ishte restoranti ngjitur me hotelin tonë dhe që i ndante vetëm një mur antik, përpara nesh u shfaq një fytyrë djali ëngjëllor, zeshkan dhe me sy të thellë dhe të zgjuar.  Ndërsa përballë nesh ishte piktura e famshme me Mikelanxhelon, Mariotto Albertinelli njerëz me shumë fuqi në qytet.  Kurse përbri dhe kudo ishte piktura e Dante Aligierit.  Fillova t’i shpjegoja Deas dhe Emmës rreth Dante Aligierit, babai i gjuhës italiane i cili kishte lindur pikëisht këtu në Firence në këtë rrugë që mban emrin e tij.  Ja do ta vizitojmë shtëpinë muze të Dantes tha Valbona pasi të drekojmë këtu, është vetëm një minutë. 

Dantja është autori i Komedisë Hyjnore (Divina Commedia), e cila merret si kryevepër, e letërsisë e të gjitha kohrave.  E shihja Danten në pikturë këtë autor të jashtëzakonshem të të gjitha kohrave dhe në mendje më vinte poezia e famshme e tij për gruan përkthyer nga shkrimtari disident, Arshi Pipa si: Aq fisnike tregohet zonja ime/ Aq e hijshme kur botës i përfalet/ Sa gjuha dridhet, belbëzon e ndalet/ Dhe sytë thue nuk guxojn me i hjedhë shikime/ E stolisun me hire përvujtnie/ Kalon ajo prej lavdesh e përcjellun/ Dhe ngjan diçka prej qiellit vetë e sjellun/ Te bota jonë për shembull mrekullie/ Aq e këndshme ajo e pamjes i fanitet/ sa sytë dikojnë te zemra nji gazmend/qi kush s’e ndien nuk mund t’a marrë me mend/ Dhe duket se nga buza e saj pa pra/ Ambël nji frymë dashurie rrezitet/ qi shpirtit shkon tu’i pëshpëritun: Fshaj!

Dante Alighieri vinte tek kjo dhomë drekonte dhe shkruante këtu tha djaloshi në shqip veshur me kostumin e kamarierit. Në fakt, legjenda thotë, se një pjesë e restorantit tonë i përkiste familjes së poetit të madh.  Çfarë gezimi dhe kënaqësie patëm të gjithë, kur ai foli shqip!  Një dritëz dhe më e qartë pushtoi zemrat tona nga ato dritëzat e piktorëve më të mëdhenj që ka nxjerrë koha në këtë qytet si Florence që dikur quhej kryeqyteti ose kryeqendra e Europës për artin.  

Natyrshëm kurioziteti ynë ishte i madh.  Pas pyetjeve rreth pikturave në mur, lugët e argjendta, shishet e verës, ibriket, kupat e verës të gjitha të ruajtura perfekt që nga shekulli i pesëmbedhjetë marrim vesh se djali ishte pronar i këtij restoranti.  Çfarë suksesi thashë!  

Unë vazhdoi Iberi kam ardhur djalë i ri këtu në Itali, ika nga bombat, përdhunimet, vrasjet, tmerret nga ushtria naziste serbe.  Une vi nga Drenica, nga komuna e Skënderajt.  Çfarë koicidence i thashë, ne me Qemalin sapo kemi ardhur nga vizita në Kompleksin “Adem Jashari”, Kosovë.  Dhe ja tani kemi një bir të Drenicës heroike që ka pushtuar Firencen dhe ka në pronësi një nga restorantet më historike, më antike me pronar të pare piktorin e famshëm italian Mariotto Albertinelli.  

Shumë emocione u krijuan midis nesh.  Ju solli Zoti tha Iberi pranë nesh dhe të bisedojmë si vëllezër dhe motra së bashku.  Nuk ka qenë e lehtë vazhdoi Iberi, por po punojmë që ta mbajmë në atë lartësi të emrit që ka ky restorant.   Kam shumë djem dhe vajza shqiptare në ekipin tim të cilët klientët tanë i respetkojnë dhe i çmojnë.  Pronësia dhe jeta aktive në Firence me siguri i sjellë Iberit të Drenicës një karrierë të shpejtë dhe të suksesshme.

Dy dhomat e ngushta të ngrënies të “Trattoria del Pennello” janë të ndritshme dhe të gëzueshme me mure të bardha të theksuara me artin modern nga piktori i famshëm italian Mariotto Albertinelli.  Asnjë gjë nuk ndryshojmë vazhdoi Iberi, gjithçka duhet të ruhet me kujdes, kulturë ashtu sic kanë qenë shekuj më parë.  Sa shumë po mësojnë këta djem mendoja me vehte nga kultura e Firenzes që është një pasuri botërore.  Dy te tretat e pasurisë botëore që ruhen nga UNESCO ndodhen ne Itali, ngase ky shtet në art, kulturë, letërsi, histori i ka dhënë shumë njerëzimit.

Këta piktorë jetuan gjatë Rilindjes Evropiane, e cila lindi titanë të vërtetë botëror.

Restoranti kishte dritare të mëdha me fotografi që lejonin fasha drite. Ka gjithashtu një oborr me arkitekturë spanjolle të bukur në natyrë. Menutë ofrojnë të gjitha një përzgjedhje te shijshme te ushqimeve klasike fiorentine si spageti carrettiera, një e preferuar shumëvjeçare me domate të skuqura dhe spec djegës. Ose baccalà alla livornese (merluci klasik i kripës i zier në salcën e domates, biftek me fileto me feta të veshur me djathë parmixhano, pak balsamic janë po aq të kënaqshme.

Pikturat kryesore të Albertinellit janë në Firence, veçanërisht kryevepra e tij, “Vizita e Virgjëreshës” (1503; Uffizi). Stili i tij, i ngjashëm me atë të Fra Bartolommeo, karakterizohet nga dinjiteti dhe monumentaliteti i thjeshtë dhe tregon veçanërisht ndikimin e Leonardo Da Vinçit në figurat e tij aristokratike, të buzëqeshura, kompozimet intime dhe kontrastin e fortë të dritës dhe errësirës. 

Artistët e Rilindjes dhe të famshëm si Michelangelo, Andrea del Sarto, Benvenuto Cellini frekuentonin restorantin tone thotë me krenari Iberi.

Piktura e shekullit të nëntëmbëdhjetë që mbahet në muret tona është bërë nga Egizio Sarri dhe përfaqëson Mariotto Albertinelli, pronari i parë i restorantit, pikërisht brenda dhomës ku ekspozohet piktura.

Ne takuam shumë shqiptarë, pronarë biznesesh në Firence.  

Ishte krenari që shqiptarët kishin ”pushtuar” qendrën e Firenzes” me bizneset e tyre dhe për ne ishte një përvojë jo e zakonshme, në “Trattoria del Pennello” që do të mbetet e paharrueshme dhe frymëzuese.

Nuk jam e sigurtë se çfarë pikture do të realizonte Mariotto Albertinelli në se do të kishte takuar Iberin e Drenicës së Kosovës në këto kohra, por jam me se e sigurtë se do të frymëzohej nga historia e dhimbshme e Iberit. Në mendjen time imagjinoja se pikturën që do të realizonte për djalin e dëbuar nga bisha serbe do të trondiste kancelaritë e botës dhe ligjërisht lufta naziste e serbëve kundër popullit autokton të Kosovës do të shpallej genocid. 

Për ne ishte nje dite shumë frymezuese, një përvojë jo e zakonshme, të ulur në një tryezë në “Trattoria del Pennello”, në atë vend që dikur sipas legjendës ishte “Casa di Dante autentike”, që tani e zotëronte djali i Drenicës dhe e frekuentonin shumë shqiptarë.

2 Shkurt, 2023

New York, USA

Filed Under: Kulture

SHQIP NË ASPROPIRGO – ATHINË

February 4, 2023 by s p

Lefteri Metkaj/

Në Aspropirgo,aty ku banojnë një numër i konsiderueshëm i familjeve shqiptare, tani femijët e tyre do të kenë dhe pikën shkollore të gjuhës shqipe, ku do te mësojnë shqip, gjuhën e kombit të tyre.

Çelja e pikës shkollore në Aspropirgo u zhvillua më 08.01.2023 me një ceremoni festive dhe të gjithë ndihemi tepër të gezuar ku arritëm këtë sukses.

Sfidat dhe sukseset për të ruajtur gjuhën shqipe në vend të huaj duhen festuar, duhen inkurajuar arritjet ku femijët tanë me dinjitet do të mësojnë edhe gjuhen e tyre kombëtare, gjuhën shqipe ,në ambjente shtetërore shkollore të standartit grek.

Dhe në këtë festë të Gjuhës Shqipe femijët ishin stolia më e bukur.

Gëzimi i fëmijëve dhe yni mbizotëronte kudo e në çdo fytyrë. Hareja e fëmijëve nuk ndalej, ndriçonte qiellin dhe tokën.

Gjithçka festive, diellore,edhe natyra ishte dekoracioni ynë,sa bukuri e ngrohtësi. Gjithçka dukej në roz! Përreth, në oborrin e shkollës rendin të qeshur

fëmijë, aty ka prindër, gjyshër, miq , të ftuar,personalitete, aty janë dhe bashkëpunëtorët tanë të mirë, grekë dhe shqiptarë.

Kuptimin e kësaj ndjenje gëzimi e sillte arsyeja kush na mblodhi bashkë në këtë festë, dhe kjo padyshim ishte GJUHA SHQIPE!!! GJUHA JONË AMTARE !!!

Fëmijët dhe Gjuha Shqipe ishin gëzimi i festës , lumturia jone.

Lumturia jonë është e kuptueshme sepse për këta fëmijë japim vetën tonë, kohën e jetës sonë, punën tonë, dashurinë tonë, energjinë tonë.

Kjo festë në cdo detaj ishte krejt aromë shqiptare. Edhe fëmijët kishin përgatitur të përshëndetnin në festë.

Gëzimi i fëmijëve se do të këndonin ,

recitonin e vallezonin ishte futur në zemrat e tyre fëminore.

Entusiazmi i tyre na fali optimizëm që kishim arritur të bënim më të mirën për këta fëmije.

I gëzoheshim lumturisë së tyre.

Gëzoheshim se fëmijët tanë do të mësojne shqip të siguruar në kushte shkollore. Në bankat shkollore dhe në duart e tyre të vogla do të kenë tekstin me shkronja shqipe që lexohet me të njëjtën dashuri nga të gjithë fëmijët që mësojnë shqip në Greqi, në Itali, Zvicër, Gjermani, Austri, Finland, Kanada ,

Amerike…

Pra edhe kjo pikë shkollore në Aspropirgo është unike, këta fëmijë ashtu si gjithë fëmijët kudo në diasporën shqiptare , do të mesojnë shqip me të njejtin tekst mësimor të gjuhës shqipe dhe iu uroj gjithë fëmijevë t’ju sjelli gëzim, argëtim, dashuri për gjuhën shqipe, dije dhe suksese në të ardhmen.

Kjo ditë, ishte një dite ku u ndjejmë pranë fëmijëve të dobishëm.

Besoj se iniciativa për çeljen e pikës shkollore në Aspropirgo është një nga punët më të mira që kemi bërë për këta bashkatdhetarë që janë larg nga komuniteti shqiptar i Athinës, në Aspropirgo.

Gjithçka u arrit si rezultat i vazhdimësisë së nismës për hapjen e pikave të reja shkollore mbështetur nga bashkëpunimi i mirë i institucioneve shqiptare – greke në Athinë. Dhe për këtë sukses falënderoj përzemërsisht gjithë kontribuesit që u bashkuar në rrugën e perpjekjeve dhe bashkëpunime tona që te çelej kjo pikë shkollore, ku nuk ishte aspak e lehte.

Falenderojmë bashkëpunimin e ngushtë me Ambasadoren znj. Luela Hajdaraga, ku më kanë qëndruar afër me një përkushtimin të vazhdueshëm së bashku me znj.Joneda Dodaj,Oficeren Koordinatore për Diasporën, të cilat kanë plotësuar çdo kërkesë dhe ndërhyrje bashkëpunimi që më është dashur në të gjitha institucionet shtetërore – arsimore dhe lokale greke.

U jemi mirenjohës Drejtorisë së Ministrisë së Arsimit në Athinë.

Drejtorisë së Arsimit në Elefsina dhe Bashkisë së Aspropirgos.

Por, fal përkrahjes dhe mirësise të Drejtorit të Shkollës Nr 4 Aspropirgo, Z.Perikli Kostandopulos i cili pranoi kërkesën tonë dhe u krijoi mundësinë fëmijeve të zhvillohet mësimi shqip në këtë shkollë.Së bashku më prindërit e falenderojmë veçanërisht shume përzemërsisht për gatishmërinë e tij.

Falenderoj bashkëpunimet me drejtorinë e Këshillit Pedagogjik dhe të Këshillit të Prindërve të kësaj shkolle.

Gjithashtu falenderojmë përfaqësuesit e Bashkisë së Aspropirgos, z.N. Meletiu Kryetar, Nen Kryetaren znj.S.Mavridhi, z.TH.Çokas Kryetar i Keshillit Bashkiak , mirenjohje për mbështetjen juaj, sepse ruajtja e dygjuhësisë për fëmijët tanë nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare,paralelisht me mësimet baze në shkollat greke , bashkon më mirë fëmijët në shoqerinë greke dhe evropiane.

Na nderuan me pjesëmarrjen e tyre kolegët z.Jovan Mëhilli, themeluesi, ligjëruesi dhe Kryetari i Nderit i Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi, znj.Aleksandra Nikollo dhe Luiza Muho, mësuese vullnetare të gjuhës shqipe të cilat kanë kontribuar gjithë jetën e tyre në Atdhe dhe Diasporë për edukimin dhe arsimimin e shumë brezave.

Këta mësues atdhetarë sot veteranë,

fjalët e tyre i dëgjoj me respekt dhe veprat tyre i nderoj. Keta mesues dhanë shëmbullin kryesorë në ruajtjen e gjuhës shqipe në Greqi.

-Mësuese Lefteri !-më tha z.Shezo Bushi…për këtë gëzim suksesi do të vij në feste me Grupin Polifonik “Lot Kurbeti ” dhe do të kendojmë për gjuhën tonë të dashur, për gjuhën shqipe. Dhe nga Athina në Aspropirgo këngëtari i mirënjohur Shezo Bushi erdhi shumë festiv me familjen , me miqtë dhe me anëtaret e grupit, zotërinjtë Fatmir Denaj, Adriatik Nora, Artimon Sinaj, Armand Demaj, Fatjon Grabova, Sulo Balilaj.

Këta artistë të këngës polifonike me zërin dhe interpretimin e mrekullueshëm i dhanë një tjetër dimension artistik folklorik festës së gjuhës shqipe .

Nuk munguan dashamirësit e gjuhës shqipe dhe patriotë nga komuniteti i Athines dhe Aspropirgos, si Robert Kapllani , Jani Thoma e shumë të tjerë…

Pjesë e festës sonë u bë dhe Shoqata Humane “ME JU DHE PER JU”,ku falenderoj përzemërsisht znj. Maro Anna, Arlinda Isarai , Silvana Nuri Mucaj , Juna Bica .

Optimizëm me pershendetjen e saj na dha dhe znj. Niki Caushi ku përgëzoi prindërit dhe mesuesen për sukseset e nismës “GJUHA SHQIPE NA THERRËT”, ku kanë ndërmarrë për hapjen e pikave shkollore të gjuhës shqipe në Athine, e cila është edhe vetë pjesë e kësaj nisme.

Falenderojmë të gjithë së bashku bashkëpunimin me Agjensinë Top-Lines.al Athinë që mundësoi udhëtimin falas dhe shumë komod për të sjellë bashkatdhetarët tanë nga Athina- Aspropirgo – Athinë. Dhe nuk ka qënë hera e parë ku z.Artur Bibe ka qënë pranë nxënësve dhe mësuesëve të gjuhës shqipe.

Kjo feste i ngjante një dasme të vërtetë shqiptare ,ku dixhej Klodi shoqëroi festën me ngjyrime muzikë nga të gjitha trojet shqiptare, me valle popullore krahinore dhe kenge per femije .

Te bashkëpunosh për të çelur pika shkollore të gjuhës shqipe me pushtetin institucional grek dhe t’i mbash ato kerkon vullnet të fortë, këmbëngulje , përgatitje profesionale, dashuri për gjuhën shqipe, energji për të përballuar sfidat, dhe për këtë duhet të pyesësh mirë veten nëse i ke mundësite të punosh për te ardhmen e misionit te shenjtë vullnetar të gjuhës shqipe.

Kjo është pika e tretë shkollore që kemi hapur në Athinë me nismën “GJUHA SHQIPE NA THËRRET.”

Kjo arritje ka ardhur si rezultat nga strategjitë që kam ndjekur :

1.Bashkëpunimi me komunitetin shqiptar në Athinë .

2. Bashkëpunimi me pushtetin institucional shteteror grek.

3. Bashkëpunimi i ngushtë me Ambasadën Shqiptare në Athinë.

U jemi mirënjohës tri bashkive në Athinë që kanë mbështetur mësimin e gjuhës shqipe si: Bashkia e Rendi-Nikia, Bashkia e Athinës dhe Bashkia e Aspropirgos.

Kjo për ne është një arritje, por dhe na nxit të bëjmë më shumë per Shqipërinë, për gjeneratën shqiptare që lind dhe rritet jashte Atdheut,në Greqi.

Të dashur nxënës, prindër, kolegë, miq dhe bashkëpunëtorë, megjithë veshtirësite që na është dashur të përballojë në këtë mision atdhetar, kemi arsye për t’u ndjerë krenarë. Kemi arsye për të parë me optimizëm , me bindje se përpara na presin ditë më të mira në vizionin tonë kombëtar për gjuhën shqipe.

Nga përvoja ime si mesuese vullnetare e gjuhës shqipe e sigurt them : NUK KA SAKRIFICË QË TË MOS KETË SUKSES KUR PUNON PER GJUHËN SHQIPE.

Një faleminderit zemre për të gjithë ju që gjetët kohën dhe festuam së bashku në këtë dite të bekuar çeljen e pikës shkollore në Aspropirgo dhe qofshim të pandare për Gjuhën Shqipe.

Ju uroj të gjithëve një vit sa më të begatë dhe sa më të gëzuar! MISIONI U KRYE….

Filed Under: Kronike

15 VJETORI I PAVARËSISË SË KOSOVËS NË NEW YORK

February 4, 2023 by s p

Filed Under: Politike

Emri im nuk është Marjuana!

February 4, 2023 by s p

Marjana Bulku

Nju Jork/

Emigrantet mund të konsiderohen si një barometër tranzicionesh dhe krizash rajonale e që pavarësisht kësaj transportojnë ngado me vete kulturën e vendit nga vijnë që me edukim e kultivim , festa e promocion e mbajnë gjallë sa munden .

Edukimi në vendet pritëse shndrrohet në një mundësi më shumë në pafundësinë e sfidave ku ruajtja e indentitetit çmohet dhe vlerësohet pasi pa asnjë dyshim kultura mbetet aseti i patundshëm dhe një pasuri shpirtërore e pazëvëndësueshme.

Po çfarë po ndodh me këtë trashëgimni prej gjuhe e normash, kodesh nderi e bese , mikpritje e vyrtytesh që ishin amanet brezash në botën globale që vrapon?!

Sa vlejnë këto të fundit kur shtetet amë përfshihen në amoralitet e korrupsion , shthurje e skandale qeveritare a thua se ky është misioni i tyre që t’ua nxijnë jetën dhe emrin qytetarëve të vet!

Po mbushen pothuaj 11 -vjet që edhe unë iu turra Amerikës si shumë të tjerë dhe si çdokush që kthen kokën pas, zikzakeve të emigrimit gjen aty dilemat ekzistenciale të qënies .

Qysh në ditët e para kur vendosëm të jemi rezident këtu u desh të përballemi me mjaft vështirësi ku sidomos ato natyrore të tmerrojnë edhe ti mendosh e le më pastaj ti përjetosh.

Është e frikshme të ndjekësh se si reagon një popullsi kaq e madhe kur ndeshet me ciklone të ftohti, përmbytje, tërmete, pandemi… mjafton të kujtosh marketet e boshatisur dhe lakminë e pangopshme të popullatës për ushqim dhe nevoja të tjera po kaq utilitare.

Krizat sistematike globale duket se i kanë shnderruar popullatat në robêr të fatkeqsive ku autor është jo vetëm natyra por edhe qeveritë përkatëse.

Emigrimet masive janë një tjetër fatkeqsi po aq sa ato natyrore sepse vendet amë po zbrazen nga vullnete , projekte energji e ndërkohë qeverisjet e padrejta majmen kur popujt tkurren , robërohen , nënshtrohen .

-Mos ikni!

-Thoja gjithmonë kur kthehesha në atdhe, atje ku tokat e begata dergjeshin djerr nga dembelizmi, pavullneti, paimagjinata,etj etj .

Ishte një thirrje e sinqertë që buronte nga shpirti që patriotizmin dhe atdhedashurinë e ndjen edhe më fort kur është larg vendit amë.

Kinezët që nuk lejnë kanaçe e pëllëmbë dheu pa mbjellë me barishte e gjeth më bënin të kuptoj se një krizë e fortē po vjen , do vijë , është në proçes ardhjeje…

Filipinasit aq fort të lidhur me njëri-tjetrin ndajnë edhe kafshatën e fundit mes tyre.

Haitianët të egër nê fytyrë e të pangopur me të drejtën e me gjithçka dhe që aq pak dijnë të jenë të drejtë me veten dhe me të tjerët.

Ukraninasit dhe vargu i gjatë i paradokseve që prodhon lufta e superfuqive që forcën e mat me të dobtin duke ia venitur çdo lloj mundësie deri në mohim ekzistencën atyre nga etja e vet e pa fre për fuqi.

Lutje sirianësh, zvarritje meksikanësh … kjo tablo metropolitane që flet pak e nënkupton shumê.

Por kjo është vetëm paksa nga ajo tërësi kulturash që emigrantët mbartin sepse kultura deri diku është aset i qëndrueshëm i asaj çka ata marrin me vete ndërsa problematikat e jetës së tyre janë një tjetër mbivendosje që e bëjnë shumëdimensionale problematikën që mbëshjell jetët njerëzore në kontinentin e ri ku turren të rinisin një jetë të re me plagë të vjetra.

Kultura bëhet kêshtu identiteti pêrmes të cilës përshfaqet individi në mjedisin fluid amerikan.

Kur përmendet Shqipëria shumëkujt i vjen në mendje besa, mikpritja, trimëria , dikujt tjetër diktatori Hoxha,demokracia e brishtë , pastaj mafia, droga dhe gjëra si këto metastaza të së keqes.

Kohët e fundit sapo përmend se je shqiptar hapen biseda të pakëndëshme për drogë e marjuanë edhe pse stendave të metropolit më të madh të botës ndriçon një shqiptare brilante si Ermonela Jaho por mesa duket muzika është luksi i fundit që i nevojitet shpirtit njerëzor fatkeqsisht.

Êshtë e pamundur të kuptosh apo paragjykosh universin njerëzor brenda konglomeratit që prodhon droga brenda dhe jasht qënies që i nënshtrohet këtij fenomeni që vret jetën pak e nga pak , duke i vrarë vullnetin për punë dhe duke i injektuar pangopshmërinë për pasurimin e rrufeshëm. Por është një gjë që dihet me siguri ;fatkeqsia se ky fenomen stigmatizon edhe individin e ndershëm , të shkolluar dhe kultivuar përmes dijes dhe punës së ndershme ndaj dhe irritimi i kësaj shtrese që besoj është mazhoritare në arenën shqiptare duhet të jetë edhe kurimi i dramës së shekullit të ri ku puna e ndershme zhvleftësohet, shkollimi nënvleftësohet dhe paraja e ndotur ndot një shoqêri të të tërë , këtë fajtore të pafaj.

Kaq shumë lakohet droga, mafia, korrupsioni kur përmenden shqiptarët sa pothuaj është harruar Besa, bujaria, mikpritja , tipare këto qé i dallonin shqiptarët një dekadë më parë dhe që ishin burim legjitim i krenarisë tonë etnike.

Irritohuni qytetarë sa herë që ua përçudnojnë nderin , krenarinë , truallin dhe pasurinë, atë shpirtrore dhe materiale .

Irritohuni sa herë që ju stigmatizojnë për turpe që ideohen dhe fabrikohen zyrave, skutave, errësirave duke hedhur hije faji mbi gjithkënd .

Irritohuni kur jua mbysin fjalën dhe lirinë .

Irritohuni kur ju thonë se nuk jetohet me punë të ndershme.

Irritohuni sa herë që kultivohet droga në vend të besës, vyrtyteve, dijes.

Irritohuni sa herë që ua nxijnë jetën dhe emrin.

Irritohem kur më thirrin Marjuana.

Emri in nuk është Marjuanë.

-Më duhet ta përsëris shpesh kur me shaka ose jo thirrem ndoshta sepse lajmet për shqiptaret lidhen kaq shumë me drogë e marjuanë , vrasje e korrupsion.

Edhe pse janë shkruar aq shumë histori shqiptare ku e mira prevalon mbi të keqen lajmi i ditës êshtë kronika e ikjes , e dhunës , ajo e nënshtrimit të së drejtës , kaosit politik, korrupsionit qeveritar, eleminimit të pluralizmit, mohimit të lirive esenciale.

Vargu i pafund i ikjeve êshtë varg zhgënjimesh dhe dështimesh politikanêsh që luajnë pimpong me ëndrrat e pashpresa të shqiptarëve.

E megjithëse ikin stigma nuk ju ndahet , i ndjek dhe i përndjek si mallkim i stërlashtë .

Nuk e shaj dot Amerikën , atdheun e bijve që atdheu i vet i la pa atdhe , as nuk e lavdëroj dot sepse e dua por ndjej se sa e pafuqishme është ajo për të zgjidhur hallet e globit që mbart brenda territoreve të veta duke i bërë qytetarë të saj me të drejta e liri që përtej oqeanesh , nëpër kontinentet e vjetër ku rigjenerojnë sërish ëndrrat e vjetra e dhunohen qytetarë e ku e drejta e të drejtëve as që mendohet të jetëzohet ende edhe pse prej shekujsh ëndërrohet.

Filed Under: Komente Tagged With: Marjana Bulku

PIKËPYETJE…

February 4, 2023 by s p

Kastriot Fetahu/

-Ese-

Ekzistenca ime i ngjan një plaku prej bore në të katër stinët e vitit, apo edhe një liqeni me thellësi të dyshimtë dhe ndoshta edhe një shisheje vere të vjetëruar pa kohën e vjetërimit të saj.

Rruga e viteve të mia,(i kam ngjyrosur me klorofil të kuq), kalon në shtigje western, rrugica detesh dhe dyer librash të mbyllur për të mbrritur në një stacion poetësh me club-e bohemësh si në Monmartre-në e famshme të Parisit, ku Mouline Rouge nuk mund ti rezistoja dot.

Dikush që më pa, më quajti poet.

Unë heshta, sepse fjala përbëhet prej qelizash heshtjeje.

Mendova në çast se nuk jam poet dhe se brendia ime nuk u rrit dot, duke ngelur ai adoleshenti çapkën, që derdh lot fshehurazi shokëve të klasës.

Jam një riosh me shpirt endacaku, aventurier, i prapë, krenar, i pakomunikueshëm dhe i trishtë, me fodullëkun fsheh gëzimin e brendëshëm fëminor e brenda ditës ndërroj disa gjendje shpirtërore dhe se nuk mund t’ ju dhuroj veç lotëve asgjë tjetër për t’ ju ndihmuar në trishtimin tuaj, që ka ngjyrën e varfërisë së trishtimit tim.

Më mundon mungesa e intimitetit të rrjedhshëm në formën e ujvarës, si dhe gëzimi i qëndrueshëm, kam aq shumë pyetje e, nuk mora kurrë përgjigje.

Kërkoj vetveten në indiferencën tuaj, sepse kujtoj që ajo është më e mençur nga e imja dhe si e tillë imja nuk bën dot as indiferencën.

Nuk arrij dot, të kuptoj ndryshimin me ju kur ecim rrugës, se vetëm unë e kthej kokën kur kalon një vajzë apo një grua!!

Më duket sikur më njihni intimitetin dhe kuptoj se ju nuk keni fare një të tillë, pasi në gotën e parë në mejhanen e errët të rrugicës, keni zbrazur gjithë bagazhin tuaj të intimitetit steril.

Mua më mbyt pesimizmi dhe rrëmuja, në një kohë që qeshjet tuaja të azhdërhallta aq të pakuptimta më peshkojnë nga pellgu i mendimeve ku isha zhytur.

Poeti nuk bën miq, ai është një kryengritës që nuk përbuz se nuk urren dot, pasi është i pushtuar nga mëshira hyjnore.

Do të skuqesha në rastin më të parë, kur do të më qesëndisni- Hë mo poet…

Ndaj nuk dua të jem poet, se nuk mund të përballoj dot një turmë pa identitet, që i ngjan një lukunie ujqërish kundër një kaprolli që ushqehet me majat e lulkuqeve në breg të lumit…

Unë gëzoj për gjëra të vogla, gëzoj kur ha fshehurazi një ëmbëlsirë rrugës, e nuk dua të më shikoni, se do të më qortoni -A hanë poetët rrugës ?

Kështu, do të më vrisni gjithmonë nga pak lirinë e shtrenjtë si gjënë më të çmuar që kam.

Lutjes, që të mos thyeni trëndafilat e egër, ju nuk ju përgjigjët kurrë !!

Poezia ime ju trondit dhe kjo më shqetëson, se dua të fshihem në cepin e pavemendjes e, të jem një klandestin që të mos më njohë askush kur pulis sytë, se nuk kam durim sa të shkoj të takoj atë vajzën koketë për të cilën shkruaj sonete në gjumin e thyer netëve vonë, rrethuar nga demonë, xhindë dhe engjëj në luftë me njëri-tjetrin e, ku fantazmat mbajnë anën time.

Jeta e poetit është dhembje e pambaruar, një magji fëmijësh e thjeshtë, sepse dashuria… çelësi që hap çdo derë të mbyllur.

Urrejtja, alergji si pickimet e akrepave në lëkurën e avullt.

Nuk e di, nëse ndoshta poeti lind pa lindur ndonjëherë dhe vdes si poezi e pambaruar ?!

Poeti do që të përjetoj të gjitha ngjyrat e dashurisë, ai ëndrron edhe gjinjtë e asaj ciganes që mban dhëmbët përjashta kur e bullizoni, por është ajo që tallet me kotësinë tuaj, me indiferencën e saj profane të shprehur në qeshjen, gjuhën e trupit dhe fjalët hokatare të pashqipëruara.

Nuk kam veshur kurrë një kollare, më duket sikur ajo më mbyll derën e mendimeve. Se di pse e mendoj, se atë e mbajnë ata që duan të jenë seriozë, se nuk kanë çfarë të tregojnë, madje as nuk dinë edhe pse blejnë çdo ditë gazetën tek kioska e cepit të bulevardit dhe librat e rinj kur dalin në shitje.

Poeti kërkon të jetoj çmendurinë, se nuk është një puritan, por ju nuk do ta kuptoni dot, ai ka dëshira të pamatura fëminore, të qaj përpara të dashurës ndonjë herë, por rrezikon pse edhe ajo mund të jetë një vajzë që ta përqeshë në momentin kur ai loton para saj, prandaj nuk dua të jem poet edhe pse kollare nuk do të vesh kurrë dhe as kostum gri, unë nuk jam një nga studentët e kolegjit të “Another Brick In The Wall” kënduar nga Pink Floyd.

Ju lutem, nuk jam poeti, se as nuk di ti përgjigjem pyetjes që më bën vetja ime… a jeni ju habitati im poetik ??

Unë, i ngjaj një njeriu prej bore në të katër stinët e vitit… !!

Filed Under: LETERSI Tagged With: KASTRIOT FETAHU

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1852
  • 1853
  • 1854
  • 1855
  • 1856
  • …
  • 2787
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit
  • KOLONJËN E BËJNË EMËRMADHE RILINDASIT E SAJ TË SHQUAR
  • Kosovo Between Political Noise and the Need for Civic Clarity
  • TË FALËSH, TË MOS HARROJSH!
  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT