• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë apel organizatave ndërkombëtare të gazetarëve për kërcënimet ndaj gazetarëve në detyrë në Kosovë

May 29, 2023 by s p

Tiranë më 29.05.2023/

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë denoncon aktet vandale dhe kërcënimet ndaj gazetarëve gjatë episodeve të ditëve të fundit, në zonën veriore të Kosovës dhe sidomos gjatë ditës së sotme, e hënë më 29.05.2023.

Goditjet e dhunshme dhe sjelljet vandale të protestuesve, mbi automjetin e gazetarëve të Top Channel, në të cilin ndodheshin edhe kolegë të tjerë në Zveçan, përbën një incident të rrezikshëm.

Katër kolegët e ndodhur në këtë automjet, të përballur me klithma dhe sjellje agresive ultranacionaliste serbe, kanë përjetuar një moment të pazakontë sigurie për jetën e tyre fizike.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpreh solidaritetin e plotë me gazetarët e Top Channel dhe gjithë kolegët e Kosovës, si dhe me gjithë rrjetin e reporterëve, operatorëve dhe fotoreporterëve që raportojnë për mediat kombëtare dhe ato rajonale, duke kërkuar prej tyre maturi, objektivitet, kurajo dhe guxim profesional. Ne apelojmë për kolegët që gjatë raportimeve, të respektojnë normat dhe ligjet në fuqi, të Republikës së Kosovës.

UGSH u bën apel të gjitha organizatave rajonale, europiane dhe ndërkombëtare të gazetarëve në përgjithësi, reagojnë dhe dënojnë me forcë, aktet vandale të ekstremistëve nacionalistë ndaj gazetarëve. Të gjitha organizatat duhet të shprehin solidaritetin me gazetarët në detyrë, në këtë pjesë të Kosovës, ku po përballen me agresivitet grupesh kriminale, kërcënime ekstremistësh nacionalistë, dhe që inspirohen nga qarqe të caktuara që synojnë tension dhe destabilizim të rajonit.

UGSH kërkon nga përfaqësuesit e lartë dhe institucionet ndërkombëtare që janë prezent në Kosovë, veçanërisht: NATO, KFOR-i dhe EULEX Kosovë, që të mundësojnë garantimin dhe mbrojtjen e jetës dhe së drejtës për ushtrim të raportimit të lirë nga gazetarët dhe mediat në Kosovë.

Zyra Informuese

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

Filed Under: Politike Tagged With: Unioni i Gazetareve

QEVERIA RAMA KAP GJITHÇKA, DO TË KONTROLLOJË EDHE KËRKIMIN SHKENCOR

May 29, 2023 by s p

Dr. Paulin Marku/

Mbyllja e Akademisë së Studimeve Albanologjike është një dëshmi e qartë se rrenjët e komunizmit po rigjenerohen në Shqipëri. Në vend që studiuesit shkencorë të kenë mbeshtetje financiare, investime në fushën e kërkimit shkencor, projekte të sponsorizuara nga qeveria, infrastrukturë për të lehtësuar punën që të jenë sa më komod, etj. , sot arrihet në vendimin ekstrem të mbylljes së një institucioni elitar të Albanologjisë në Shqipëri.

Ndjej keqardhje të madhe kur kolegët e nderuar me shpenzimet personale udhëtojnë për të bërë kërkime, për  të botuar në revista Ndërkombëtare, për të marrë pjesë në konferenca shkencore, workshop, e shumë shpenzime të tjera.

Pa llogaritur librat, udhëtime, shpenzime per ushqim dhe fjetje kur janë në aktivitete ndërkombëtare. Mbaj mend kur u morën zyrat me urdhër të Qeverisë Rama, për t’ia kaluar Ministrisë së Integrimit (e cila sot nuk ekziston si ministri) dhe studiuesit u nxorën nga zyrat me afat kohor disa orësh.

Askujt nuk i interesonte se ku do të punonin këta kërkues shkencorë që u nxorën nga godina pa iu gjetur një sistemim tjetër, mjaftonte të zbatohet urdhëri i qeverisë Rama.

Edhe ato pak zyra që ASA kishte, të cilat ishin të pamjaftueshme sepse punonjësit shkencore ishin tre, katër, apo edhe pesë veta në një zyrë, pa marrë në konsideratë se këto ambiente ishin pa sistem ngrohje e ftohje, të pamjaftueshme për të gjithë punonjësit shkencor duhet që në mënyrë urgjente të linin zyrat dhe të largoheshin brenda pak orësh.

Mbaj mend që kur vinte dimri ambientet ishin akull dhe nganjëherë duhej me patjetër që të ndiznin një ngrohëse për të thyer të ftohtin, dhe sapo ndiznim ngrohjen,  binte automati i godinës. Nuk po flas për air të kondicionuar se është problem tjetër.

Dhe sot, sikur të mos mjaftonin të gjitha këto probleme që përmenda më lart, e shumë e shumë të tjera, kërkohet mbyllja e Akademisë së Studimeve Albanologjike. Te vjetrit dikur thonin ” o Zot mbaj dorën”. Ndërsa, unë sot do të shtoja “Zot mbaj dorën dhe mos t’ia japë mendja Kryeministrit Edi Rama të vetëshpallet Mbret i Shqipërisë”.

Në mbështetje të kolegëve të Akademisë së Studimeve Albanologjike,

Me keqardhje të madhe për situatën në vendin tim,

Dr. Paulin Marku

DEKLARATË PËR SHTYP

Senati i Akademisë së Studimeve Albanologjike

Tiranë, më 27.05.2023

Senati i Akademisë së Studimeve Albanologjike u mblodh sot me urgjencë për të diskutuar raportin përfundimtar të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit “Mbi kontrollin e pajtueshmërisë së veprimtarisë së Akademisë së Studimeve Albanologjike me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi” i datës 25.05.2023, i cili rekomandon mbylljen e veprimtarisë së këtij institucioni si institucion i arsimit të lartë të llojit “Akademi”. Veç kësaj, nga dita e djeshme ka qarkulluar në media një formë e Projektvendimit të Këshillit të Ministrave “Për Mbylljen e Veprimtarisë së Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe Riorganizmin e Njësive kryesore të saj”. Për sa më sipër, Senati i Akademisë së Studimeve Albanologjike, pas mbledhjes së sotme doli me një deklaratë për shtyp ku sqarohet se Projektvendimi për Mbylljen e Veprimtarisë së Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe Riorganizminn e Njësive kryesore të saj shkakton sa më poshtë:

1. Shkelet ligji për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Shqipëri, duke krijuar precedentin e rrezikshëm të mbylljes së pabazuar të një Institucioni Publik të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor dhe për më tepër sot, të së vetmes Akademi Albanologjike. Konkretisht ASA nuk është njoftuar për këtë Projektvendim, dhe së dyti, sipas Ligjit për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Shqipëri, është Senati i ASA-s, i vetmi  institucion që duhet të shprehet për fatin juridik të ASA-s. Deklarojmë se Senati vijimisht si dhe sot, është shprehur dhe shprehet kundër mbylljes së ASA-s.

2. Mbyllja e ASA-s shkakton pushimin e mbi 45 marrëveshjeve ndërkombëtare, ku ky institucion është palë si IAL, dhe asnjë institucion tjetër nuk ka tagër t’i mbartë.

3. Shuhen Institutet duke i shndërruar ato në njësi kërkimore, që sipas nenit 19 të ligjit për Akademinë e Shkencave, janë ose njësi dyvjeçare ose afatgjata, pra me kohë të kufizuar.

4. Vendosjen nën kontroll të dijes akademike në lëmejt e albanologjisë, pasiqë struktura organizative e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH), është krejtësisht e centralizuar në duar të Kryesisë së Akademisë së Shkencave.

5. Ndërpret karrierën e afro 100 studiueve, pasiqë Ligji për Akademinë e Shkencave, nr. 53, 2019 nuk parashikon në asnjë klauzolë as procedurën e punësimit në Akademinë e Shkencave, e jo më vijimin e karrierës akademike.

6. Ndërpret studimet doktorale të studentëve pranë ASA-s.

7. Referimi te neni 19, është i pabazë kur bëhet me propozim nga MAS, pasi ky nen nuk parashikon të merret si referencë ligjore nga një institucion jashtë Akademisë së Shkencave.

Sa më sipër, konstatojmë se ky Projektvendim shkel rëndë Ligjin nr. 80, për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Shqipëri, si dhe vetë Ligjin për Akademinë e Shkencave, nr. 53, 2019. Shkel parimet e lirisë akademike, shkakton një akt të rëndë antikombëtar duke shuar Akademinë e Studimeve Albanologjike e bashkë me to dhe institutet pjesë përbërëse të saj.

Senati i Akademisë së Studimeve Albanologjike

Filed Under: Opinion Tagged With: Paulin Marku

Frank Shkreli merr titullin ‘Qytetar Nderi’ i Malësisë së Madhe

May 28, 2023 by s p

Nga Gazeta Telegraf/

Ish Drejtori i VOA-a për Euro-Azinë,Frank Shkreli me rastin e pranimit të Dekoratës, “Qytetar Nderi” i Malësisë së Madhe: Vlerat morale e kombëtare që e kanë shoqëruar gjithmonë Malësinë e Madhe dhe Kombin shqiptar.

“Shqiptarët kurrë nuk kanë qenë më të lirë se sot. Jemi këtu në Kryeqendrën e Malësisë së Madhe në Koplik si dikur të parët tanë, “në log të Kuvendit. Anëtarë partish të ndryshme ndoshta, por edhe si malësorë që mendojmë e ndiejmë së bashku për një të ardhme më të lumtur për këto troje kreshnike, plot vlera e atdhedashuri.”
Mes miqve, kolegëve, qytetarëve të Malësisë së Madhe dhe shumë dashamirësve, u zhvillua ceremonia e dhënies së titullit “Qytetar Nderi” e ish- Drejtorit të VOA, Frank Shkreli. Këshilli i Bashkisë së Malësisë së Madhe i akordoi titullin “Qytetar Nderi” me motivacionin: Për vlerat e larta në fushën e gazetarisë, kontributin me shkrimet e tij për t’i bërë jehonë çështjes kombëtare.

Kryetari i Bashkisë “Malësi e Madhe”, Tonin Marinaj, tha gjatë ceremonisë se, vlerësimi për Frank Shkrelin si Qytetar Nderi është vazhdim i përpjekjeve për të vlerësuar figurat më në zë të Malësisë, të cilët kanë dhënë kontribut të shquar për lartësimin e emrit të Malësisë së Madhe, kulturës, traditave dhe atdhetarizmit të kësaj treve.

“Telegraf” zbardh fjalën e Frank Shkelit i cili e nisi me një falenderim për të pranishmit.

Zotni Tonin Marinaj, Kryetar i Bashkisë Malësi e Madhe, anëtarë të Këshillit Bashkiak, miq, dashamirës e kolegë, zonja e zotërinj mirë se u kam gjetë këtu në Malësi të Madhe. Jam thellësisht i kënaqur që jam në mesin tuaj. Ju falënderoj për pjesëmarrjen.

Plot emocione sa herë që vizitoj Shqipërinë! Sot jam këtu në kryeqendrën e Malësisë së Madhe me përvujtëni dhe me një përkushtim mirënjohjeje, për vendimin tuaj vëllazëror, fisnik e bujar për të më nderuar me titullin prestigjoz, “Qytetar Nderi i Malësisë së Madhe”.

Ndonëse më shumë se një gjysëm shekulli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sot e ndiej veten më shumë se kurrë më parë, siç është shprehur me një rast edhe poeti e shkrimtari i madh i këtyre anëve, Martin Camaj se: “Unë jam i juaji, e ju jeni të mijtë.”

Baba e Gjysh nga Shkreli, Nënën nga Vermoshi! Megjithëse larg jush, atje përtej oqeanit në Amerikën e madhe e të bekuar: Për mua, Malësia E Madhe -me të gjitha të mirat dhe vlerat e saj shekullore ka qenë gjithmonë dhe vazhdon të jetë qendra e universit tim e ekzistencës dhe identitetit tim prej malësori! Si i tillë, me sinqeritetin më të madh dhe me mirënjohjen më të thellë e pranoj këtë nderim prej jush – në emër të Malësisë së Madhe – trollit tonë të përbashkët.

Pasi ky titull me jepet, pjesërisht, për punën time 30-vjeçare në Zërin e Amerikës, e pranoj dekoratën edhe në shenjë kujtimi për ish-kolegët e mi, me të cilët kam punuar në Zërin e Amerikës për dekada… Sidomos, në kujtim të atyre kolegëve, që nuk jetojnë më, e të cilët nuk patën fatin të shihnin shembjen e komunizmit barbar të Enver Hoxhës në këtë vend dhe çlirimin e Kosovës, as lirinë dhe Pavarësinë, që gëzon sot Dardania.

Shqiptarët kurrë nuk kanë qenë më të lirë se sot. Jemi këtu në Kryeqendrën e Malësisë së Madhe në Koplik si dikur të parët tanë, -“në log të Kuvendit” – shokë e miq! Ndoshta edhe kundërshtarë politikë, por jo armiq. Anëtarë partish të ndryshme ndoshta, por edhe si malësorë që mendojmë e ndiejmë së bashku për një të ardhme më të lumtur për këto troje kreshnike, plot vlera e atdhedashuri.

Me mendime të ndryshme, por me qëllime të përbashkëta. Sepse objektivat e përbashkëta jetësore, në interes madhor të Kombit, nuk duhet të njohin parti as armiqësi. Se mbi çdo interes partiak e personal, duhet të jetë gjithmonë interesi kombëtar i Shqipërisë, i Malësisë së Madhe dhe i mbarë Kombit shqiptar. Kështu mendonin të parët tanë malësorë!

Të gjithë jemi të vetëdijshëm për sfidat me të cilat përballet sot Shqipëria, Malësia e Madhe dhe mbarë Kombi shqiptar për shkak të rrethanave fatmjera shekullore, por është ndihma e të Madhit Zot, vlerat morale e kombëtare që e kanë shoqëruar gjithmonë Malësinë e Madhe dhe Kombin shqiptar. Unë besoj me At Gjergj Fishtën se: më në fund, dhe përballë të gjitha sfidave, “Punën e Shqipnisë e ka Zoti në dorë, prandaj domosdo Shqypnija do të dalë në dritë…Zoti ka me e mbajtë Shqypninë më kambë, me nderë e me lumni.”

Le të shpresojmë që shqiptarët të jenë bartës të denjë të vuajtjeve, sakrificave dhe luftërave të malësorëve dhe të gjithë shqiptarëve gjatë historisë, duke jetuar sipas trinomit në bazë të cilit jetonin dhe vepronin të parët tanë malësorë: besa- nderi – burrënia, të bindur se këto vlera bazë janë edhe udhëzimi drejt një jetese të ndershme, të kënaqshme të drejtë e të begatë për të gjithë Kombin. Bazuar në këto vlera, duhet të jemi të vetëdijshëm se Kombi shqiptar ka nevojë urgjente për një kthesë të re historike!

Shpresoj dhe lutem gjithashtu që liria që gëzojnë sot shqiptarët, anë e mbanë trojeve tona, të çojë në një përmirësim të gjithanshëm të jetës politike dhe ekonomike. Mbi të gjitha, është i nevojshëm një diskurs më i denjë politik dhe shoqëror për zgjidhjen e sfidave për një jetë më të lumtur dhe më të begatë për Shqipërinë, për Malësinë e Madhe dhe për të gjithë shqiptarët.

Në këtë udhëtim të shenjtë, drejt një jete më të mirë, për të gjithë dhe pa dallim ju uroj së bashku me Fan Nolin: “Paçi uratën e Perëndisë”.

Falënderimet e mia më të përzemërta, Kryetar Tonin Marinaj dhe Këshillit të Bashkisë Malësi e Madhe për dekoratën dhe për këtë pritje vëllazërore.

Qofshi gjithmonë me faqe të bardhë!

*Në fund, desha të them dy tre fjalë për Kryetarin e Bashkisë, Zotin Marinaj dhe për fushatën mbresëlënëse që zhvilloi. Një frymë e re në politikën shqiptare se si duhet të zhvillohet një fushatë, duke u përqendruar në sfidat me të cilat përballet elektorati dhe në zgjidhjen e tyre. Dihet se politika shqiptare është një sport i kategorisë së rëndë. Por më ka lënë përshtypje fushata e Zotit Marinaj, një fushatë pa ofendime e sharje ndaj kundërshtarëve politikë. Për këtë ju përshëndes Zotni Kryetar dhe uroj që të jetë një shembull i zhvillimit të fushatave të ardhshme këtu në Malësinë e Madhe dhe përtej.

Ndërkaq, më lejoni të falënderoj poetin dhe shkrimtarin tonë të njohur e të dashur në Amerikë dhe në mbarë botën, Profesor Gjekë Marinaj, i cili ka marrë iniciativën për të më propozuar për këtë dekoratë dhe universitetin ku ai punon. Nuk di se sa e ndjekni ju punën dhe veprimtarinë e tij, por Gjeka na bën krenarë. Ne këtu që e njohim, por edhe Malësinë e Madhe dhe mbarë shqiptarizmën. E përshëndes dhe i uroj shëndet dhe bekimet e Zotit, në jetë dhe në punë!

ME MOTIVACIONIN: FRANK SHKRELI –

“Për vlerat e larta në fushën e gazetarisë, sidomos tek media më e njohur e ndërkombëtare, Zëri i Amerikës, VOA. Publicist, që me shkrimet e tij i ka bërë dhe i bën jehonë çështjes kombëtare duke qenë faktor shumë i rëndësishëm i komunitetit shqiptar në Amerikë, si dhe për rolin në lidhjet ndërkulturore mes shqiptarëve dhe popullit të vet kudo nëpër botë duke forcuar vazhdimisht kontributin e tij atdhetar në lartësimin e trevës tonë — Malësi e Madhe dhe më gjërë.”

Frank Shkreli – Biografi e shkurtër

Frank Shkreli, fillimisht, ka qenë gazetar dhe redaktor në “Zërin e Amerikës”, seksioni shqip nga viti 1974 deri në vitin 1984. Më pas po tek “Zëri i Amerikës”, Shkreli ka qenë shef i seksionit shqip (1984-1986). Nga viti 1985 deri në vitin 1990 ka shërbyer këshilltar i lartë programacioni në Divizionin Europian të “Zërit të Amerikës”. Ju kujtojmë që në këtë periudhë, duhej punuar në kushtet e Luftës së Ftohtë. Nga viti 1990 deri në vitin 1994 ka qenë zëvendës drejtor i Euroazisë në “Zërin e Amerikës”, ent ku përfshihej edhe Bashkimi Sovjetik, që ndërkohë u shpërbë. Nga viti 1994 deri në vitin 2003, zoti Shkreli ka qenë drejtor i Divizionit Europian të “Zërit të Amerikës”, një ent nga i cili, përveç pothuaj 20-gjuhëve të ndryshme evropiane, varej, veç të tjerash edhe seksioni shqip i kësaj radioje të financuar nga qeveria federale e Shteteve të Bashkuara.

Frank Shkreli ka qenë anëtar i delegacionit të parë diplomatik amerikan në Shqipëri në mars/prill të vitit 1991, me rastin e hapjes të ambasadës amerikane, ndërkohë që u hodhën hapat e parë të rivendosjes së marrëdhënieve amerikano-shqiptare pas pothuaj 50-vjetësh. Mori pjesë si vëzhgues në zgjedhjet e para pluraliste të atij viti, në atë vend. Ai ka vizituar shpesh Shqipërinë dhe Kosovën si pjesë e delegacioneve të ndryshme të Shteteve të Bashkuara, qëllimi i të cilave ishte përforcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve të ngushta dhe miqësore midis popullit amerikan dhe Kombit shqiptar.

Pas daljes në pension nga detyra qeveritare, pas 30-vjetësh, z. Frank Shkreli ka shërbyer si drejtor i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan: një organizatë jo-qeveritare që punonte për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe për promovimin e paqës dhe zhvillimit ekonomik në trojet shqiptare në Ballkan, e vetmja organizatë shqiptare lobiste me prezencë në Uashington DC, në atë kohë. Vazhdon të merret me publicistikë, ndërkohë që shkrimet, komentet dhe analizat e tij botohen dhe lexohen në dyzina gazeta dhe portale interneti, në të gjitha trojet shqiptare dhe në diasporë.

Gjatë karierës së tij, Shkreli është dekoruar, herë pas here, për punën e tij 30-vjeçare në Zërin e Amerikës. Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani i ka akorduar titullin: “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”, me motivacionin “Në vlerësim të veprimtarisë së tij të shquar atdhetare”. Komuna Shkreli i ka dhënë titullin, “Qytetar Nderi”! për përkushtimin dhe atdhetarizmin me të cilin punoi për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve kudo që ata jetojnë, për lartësimin e traditave të Malësisë dhe të Kombit Shqiptar dhe për frymën e përçuar nga Zëri i Amerikës duke frymëzuar bashkëkombasit në përpjekjet e tyre për shembjen e komunizmit dhe ndërtimit të Denokracisë. Ndër të tjera dekorata, qyteti i Nju Jorkut i ka akorduar dekoratën me motivacionin, “Për shërbimet shembullore ndaj komunitetit shqiptaro-amerikan, nëpërmjet arritjeve unike personale dhe të veprimtarisë së tij profesionale…” Ndërsa Shoqata Shqiptaro-Amerikane, Skënderbej Inc ka shprehur mirënjohjen e saj për Shkrelin me dekoratën për punën dhe veprimtarinë e tij shumë vjeçare në, “promovimin me atdhedashuri të vlerave të lirisë e demokracisë.”

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

Zgjedhjet piramidë dhe Shkodra

May 28, 2023 by s p

Alfons Grishaj/

Që në vitin 1991 dhe deri më sot sa herë që bëhen zgjedhjet të kap një ankth shpirtëror  jo për rezultatin e skuadrës së zemrës, por a do të ndodhë gjë  si me dy prill të vitit 1991 ?  A do kemi komente negative nga vëzhgues të botës së qytetëruar ? A do e kuptojmë njëri-tjetrin si kundërshtarë të zhvillimit apo si stërnipër të Nastradinit? A do t’a kuptojmë njëri-tjetrin si shqipfolës dhe mëkatarë  me peshë të njëjtë specifike… apo njeri pupël dhe tjetri hekur?

Brohoria  e fitores duhet të zërë vend vetëm ateherë kur liria e votës flet realen dhe jo imponimin. Duhet të festohet ateherë kur ndërgjegje kumton progresin dhe jo regresin. Duhet përshëndetur  kur qytetaria lexohet si manifest njerëzor dhe jo kulm banditesk e rrugaçëror. 

Partia Socialiste brohoret se fitoj 95 % të Bashkive në Shqipëri , si në 96 kur  PD-istët ranë viktimë e hiles  së “braktisjeve”   kutive të  votimit. Demokratët në ekstazë i mbushën   kutitë  me shqelma, duke dalë   “fitimtarë” 90 deri 125%.  Atëherë pak kush e kuptoi se një gabim i tillë do i krijonte PD-së imazhin e malukatit dhe fillimin e rënies së legjendës  së flamurtarit të lirisë.

Berisha e kuptoi këtë, por njerëzit përreth, injorantë që kishin ardhur me lugë në brez paasnjë meritë, disa kishin hequr rrobën e vjetër,   duke u rreshtuar në armatën e liridashësve me   një neps rruge për  të shkulur dhëmbë, gurë e garlliqe.  Urrejtja  kuturu godiste mullarët e kashtës.

Tani polet kanë ndryshuar dhe pak a shumë shohim  të njëtën tabllo, me të vetmin ndryshim se  pushtetarët e sotëm  kanë bërë plaçkë  dhe thasët e parave lëvizin ditën për diell duke bërë pazarin e rradhës.

Në Shqipëri, demokracia ka vdekur palindur mirë. Njerëzit  nuk kanë  më ndërgjegje lirie … 

E keqja është se askush nga  “fitimtarët” nuk e kupton  se, kjo është një vetvrasje ! 

Sikur Enveri dhe Ramizi të rinkarnoheshin do thonin: “ Ngadalë more djema se nuk është koha tënë kur  dilnim në votime  fitimtarë 99% ! Tani kllasa jonë duhet të jetë më koherente, më dinake, ti japë ca minibashki këtyre bukëshkalëve që u bashkuan me kulakët dhe tradhëtarët, për arsye se: armiqtë e huaj do na akuzojnë se në Shqipëri funksinon ende   diktatura e proletariatit!” 

Po dëgjon Padrino ? Padrino para se të pushtonte kështjellën e Socialistëve, qe një ëndërrimtar demokrat , por i etur për gjak si Sadi, ku ëndërronte ti mbushte sheshet  më gjak komunistësh.  Por,  ja që nuk e mbajti fjalën, sepse furia e kalit të tërbuar  ndalet  përballë kufirit të humnerës!

Ai krenohet se fitoi Shkodrën, pa e kuptuar se ai vrau bletën e fundit që e mbante në pushtet.  PS nuk e fitoi Shkodrën  se , ne e dimë përqindjen e elektoratit që ka PS me gjithë rutinën e  shit-blerjes . Shkodrën e humbën divergjencat  dhe përçarja si në vitin 1996 kur kandidoi Artur Luka, ku e “Djathta Shkodrane” fitoi me votat e Partisë Socialiste. Dhe e “ Djathta Shkodrane”  kishte borxh për të larë … dhe borxhin e ktheu  me  besnikëri .

Në  të tilla  raste, Rozafa loton  besën e dhënë që  vëllezërit e shkelin dhe pas 2500 vjetësh,  ku  për të “qëndruar kalaja” , herë pas here duhet të muroset  një i pafaj . 

Bardh Spahia është një burrë  brilant që sëbashku me të motrën Nausika dhe babanë legjendar , Ali Spahia ( bashkëluftëtari dhe miku im i shtrenjtë) dhanë çmundën për demokracinë shqiptare dhe Shkodrën.  

Familja e Becve është një familje qytetare e shkëlqyer , që me Bahrinë,  Fahri Beci ( miku im), Astrit Beci (miku im ) e tjerë Becë kanë treguar  se janë bij të denjë të Shkodrës . 

Lind pyetja :  a duhej familja e Spahive dhe Becve të dilnin kundër njëri-tjetrit ( ashtu siç dolën Spahitë me Bushatllinjtë)  për hatër lojës politikë ? Po! Shkodra hë për hë nuk duhet të udhëhiqet nga  heterogjenët sepse  akoma nuk e kemi  kulturën demokratike për t’u udhëhequr nga subjekti, por nga tradicioni, duke sjellë  paqen mbi  qytetin hije rëndë. 

Në kontekstin politik, PD,  humbi përkohësisht bastionin e demokracisë që krenohej dhe Europa. Dikur,  Euronews  komentonte : “Shkodra,  roca forte!!”.  Në rastin në fjalë ,  fitoi qytetaria, ku dy kundërshtarët, xhentëlmenë të vërtetë i shtrënguan dorën  njëri-tjetrit, shenjë përgjegjshmërie dhe demokracie. Shkodra e dha mesazhin e vet të qartë në  rregullat e lojës politike .  

Në këto zgjedhje u konstatua se,  kotherja kulmoi  gjeneralizëm, ndërsa  ndërgjegja kombëtare dhe demokracia : zero!!

Kasnecët laramanë fërkojnë duart, duke thënë: “ Humbi Sali Berisha dhe Ilir Meta !”  Unë u them, Jo ! Në sy të botës së qytetëruar politike   nuk ka humbur Sali Berisha dhe Ilir Meta , por Demokracia Shqiptare dhe Dardania që ka nevojë për një krah të djathtë  jo internacionalist proletar që bën pazare më të huajt. Unë nuk do përsëris vetveten dhe miqtë e mi që  kanë vënë në dukje  me qindra herë hemoragjinë kombëtare, e cila po zvogëlon popullsinë dhe shpresën se Shqipëria do bëhet një ditë.

Asnjëherë të majtët nuk kanë ndërtuar të ardhme, por kanë dhunuar lirinë, duke sjellur varfëri  deri aty sa kanë detyruar popullin të thotë fjalën e vet , nganjëherë dhe me gjak . 

Ajo që më ra në sy gjithë këto ditë ishte  shfryrja e gjokseve  dhe besnikëria e rreme, e cila dikur “kumbonte dhunshëm”. Lëpirja e akullores ksenomane lektisi të djathtën, duke treguar hapur delitantizmin politik infantil të vasalitetit të trashëguar në brezni.  

Shkodra nuk pyet për “leshin” e habisë së sinqertë të Ylli Rakipit, i cili  e pyeti me  habi  fëminore, Blendi Fevziun , “ Mos kemi shkuar për lesh o Fevzi ?…”,  as për koburet e njerit apo tjetrit që nuk përbëjnë 00.1%… SHKODRA ESHTE  VARREZA E MADHE E VETEKENAQESISE TE  ÇDO DEKLAMACIONI ARTIFICIAL.

Tek vërej hartën rozë e them me plot bindje  se  me këtë “fitore” piramidë, PS e ka futur veten në një problem të madh. Demokratët e  botës së qytetëruar e kanë të qartë se në Shqipëri mund të flitet për çdo gjë , por për demokraci? JO! 

Në Shqipëri, dajrja do bie për sa kohë që verbëria e kotheres  sotme lurton  çengitë  për ahengun e nesërm . Paftat e teneqeve të dajres  do bëjnë zhurmën  galduese primitive ku në ekstazë masturbimi çengitë dhe çengijet do pjellin breshkën për ta  emëruar  çhief of staff  për në portën  e familjes europiane , e cila  do ngelet e mbyllur për një kohë të gjatë.

Bash  në prag të vetmisë   kualitative të gjysheve dhe  gjyshërve, qentë bastardë (që kanë pushtuar rrugët ) do jenë kortezhi ideal i tyre për në jetën tjetër. “Shenjë e bollëkut” dhe e largpamësisë vrastare të shpopullimit.

Dajrja bie  për ditë zie .

Sa dëshirë kam që të jem i gabuar !!

Filed Under: Politike Tagged With: alfons Grishaj

KUSH ËSHTË ABDULLAH RAMI?

May 28, 2023 by s p

Agim Rexhaj, New York 27 Maj 2023/

Të nderuar pjesmarrës!

Vatra promovon vazhdimisht libra të autorëve të ndryshëm nga Shqipëria, nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut, nga shqiptarët tanë, vëllezër dhe motra të vendosur nëpër vende të ndryshme perëndimore.
Një promovim libri këtu tek ne, në fakt është një ngjarje e rëndësishme dhe përbën një gur të ri kilometrazhi në trashëgiminë e Federatës tone, e cila në fakt vetë zanafillën e saj e ka tek njerëzit e penës – Noli dhe Konica.
Dhe tradita vazhdon.
Janë shumë libra të promovuar në këtë sallë. Janë edhe shumë autorë. Secili ka pasë rëndësinë e vet dhe neve i kemi pritur me dëshirë, respekt dhe mirënjohje.
Megjithatë, më duhet të them se ky rasti i sotëm është shumë i veçantë.
Është i veçantë për disa arësye:
E para, libri “William Shakespeare është një vepër madhore, në mos më e rëndësishmja që ndonjë autor francez ka shkruar ndonjëherë për një autor anglez, siç është Shakespeare.

Autori i këtij libri është shkrimtari i madh Francez, Viktor Hugo.
Pra dy kollosët që e kanë dominuar letërsinë e Evropës Perëndimore gjëjnë një pikë takimi në kritikën e shprehur në këtë vepër madhore e cila nderon çdo bibliotekë, qoftë me libra në gjuhën franceze, qoftë në gjuhët e tjera ku libri është përkthyer në gjuhët kryesore të botës.

E dyta, autori i librit në original është njëri prej shkrimtarëve më të mëdhenj të Francës. Victor Hugo, autor i veprave si:
1. Të Mjerët (1862):
2. Notre-Dame e Parist” (1831
3. Lindorët (1829):
4. “Punëtorët e detit” (1866):
5. “Njeriu që qesh” (1869) etj.

Pra është vepër e një shkrimtari të jashtëzakonshëm që ka shkruar në një nga gjuhët më të rëndësishme të botës.

E treta, libri i kushtohet shkrimtarit anglez më të madh të të gjitha kohërave, William Shakespeare.

Është e tëpërt të flasim për madhështinë e këtij autori por fakti që dy kollosë, njëri anglez i shekullit të 15-16 si Shakespeare dhe tjetri një francez i shekullit të 19 – të, Hugo, kryqëzohen në një libër si ky që kemi sot në dorë, flet vete.

Pa hyrë në vlerat e librit të cilat zonja Ermira Xhomaqi – Godo na i shpjegoj kaq me elegancë, do të desha të ndalem tek përkthyesit e këtij libri:

KUSH ËSHTË ABDULLAH RAMI?

Abdulla Rami ka lindur më 20 maj 1908 në Delvinë. Vitet e para të shkollimit i nisi në Egjipt dhe i përfundoi në vitet ’20, në Delvinë.

Nga viti 1927 – 1931 – ai vazhdoi studimet në Liceun francez të Korçës, ku u diplomua në degën e filozofisë.

Nga viti 1931 – 1936 – ai punon si misionar i dijes në Fier, Përmet dhe Delvinë.

Nga viti 1936 – 1940 – studion në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Montpellier-së në Francë, dhe laurohet në Jurisprudencë.

Më lejoni të shënoj këtu se në atë shkollë studionte edhe diktatori i ardhshëm, Enver Hoxha, i cili pas luftës bëri atë që bënte me të gjithë patriotët dhe ata që i dinin bëmat e tij të mbrapshta. Edhe Abdullah Rami nuk i shpëtoj dot ndëshkimit të diktatorit.

Në korrik të vitit 1940 – emërohet gjykatës në Përmet e më pas në Konispol.

Në prill të vitit 1942 – emërohet gjyqtar i klasit të parë në administratën juridike të Gjilanit, Kosovë.

Ne shtator të vitit 1943 – mbështet dhe përkrah Konferencën e Mukjes duke mbrojtur idealin e bashkimit mbarëkombëtar për një Shqipëri të lirë dhe Etnike. Është ndër përfaqësuesit më të spikatur të organizatës “Balli Kombëtar” për qarkun e Gjirokastrës dhe kundërshton hapur përhapjen e ideve komuniste në Shqipëri.

Më 16 Dhjetor 1944, fill pasi komunistët e Enver Hoxhës e morën pushtetin, ai -arrestohet si kundërshtar i regjimit komunist dhe dënohet fillimisht me burgim të përjetshëm, më pas me tridhjetë vjet burg, nga të cilat vuan tetëmbëdhjetë vjet në Burgun e Burrelit.

Mbas burgut dëbohet familjarisht në Gosë të Kavajës. i mohohet e drejta e ushtrimit të profesionit të juristit dhe gjykatësit. Punon si punëtor krahu në punë të detyruar, deri në fund të jetës së tij.

Sfidant e stoik, edhe pse gjëndja shëndetsore i përkeqësohet nga vuajtjet e gjata të burgut, ai vazhdon të shkruajë e të përkthejë vepra të autorëve francezë e anglezë si: Victor Hugo, Henry Van Dyke, William Ernest Henley, Lord Byron, James Montgomery, Walter Skott, Emily Jane Brontë.

Ai studioi dhe analizoi vepra të ndryshme si “Drejtësia e Paqes” të Eugène Raviart-it, “Njeriu komunist” të Aragon-it e të tjerë. Nga përkthimet e tij kanë shpëtuar dy vepra të plota “William Shakespeare”, i shkrimtarit Victor Hugo dhe “Arti në pikëpamje sociologjike”,

Ai vdiq më 29 janar të vitit 1973.

Më 19 shkurt 1996, Presidenti i Republikës së Shqipërisë Dr. Sali Berisha, e ka dekoruar me titullin :
“Martir i Demokracisë”: Motivacioni “Luftëtar i vendosur kundër komunizmit për një Shqipëri Demokratike, masakruar mizorisht nga regjimi komunist”.

Një vepër kaq emblematike e shkruar nga një peronsalitet i tillë është shumë e mirëpritur.
Një legjendë e tillë e intelektualëve shqiptarë nuk mund të sillte asgjë më pask se sa një kryevepër.

Por edhe më të përkryer veprën e ka bërë puna e kujdeshme e mbesës së ti. Ermira Godo të cilën e kemi sot.
Më lejoni të shpreh të gjithë admirimin për këtë vepër kaq të rëndësishme dhe më shumë se aq, për autorët dhe sidomos këtë intelektulal i cili edhe nëpër burgjet komuniste edhe në internim nuk iu nda punës së tij me vlera kaq të mëdha.

Po aq e admirushme është edhe kujdesi dhe sakrifica e njerëzve të afërm të Abdullah Ramit të cilët e ruajtën me aq kujdes veprën e tij për ta sjellë deri në ditët e sotme me kaq finesë, art, cilësi botimi dhe kujtime të dhimbshme por me vlerë të madhe.

Nderim të përjetshëm për këtë martir, mbesën e tij Ermirën dhe familjen dhe pasardhësit e Abdullah Ramit!

Agim Rexhaj, New York 27 Maj 2023

Filed Under: ESSE Tagged With: Agim REXHAJ -

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1852
  • 1853
  • 1854
  • 1855
  • 1856
  • …
  • 2980
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste
  • Një vepër e rrallë në ikonografinë shqiptare, Shën Kristofori me kokë qeni
  • NJË ZË I RI SHQIPTARO-AMERIKAN NË UASHINGTON NË SHËRBIM TË KUJTESËS HISTORIKE TË VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT
  • Patronimet kolektive me -aj , si identitet shqiptar i Malësisë së Madhe
  • SHANI PNISHI – NJË ZË I NDËRGJEGJES KULTURORE NË NDËRPRERJEN MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
  • Mitrush Kuteli, figura e shquar që jetoi mes dy botëve
  • Shqipëria në Balkanfila XXI me identitet, përfaqësim dhe arritje
  • HOMAZH PËR LEGJENDEN DINAMOVITE
  • EMRI I ROBERT LULGJURAJ MBËRRIN NË ZYRËN OVALE TË PRESIDENTIT TRUMP
  • Franz Kafka dhe kushti i brendshëm i lirisë, një thirrje për zgjim nga vetë ndërtimi i robërisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT