• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dita e Përkujtimit

May 30, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Kujtimet janë mendime fantastike, njerëzit duan të kthehen pas sepse duan të kujtojnë gjërat që duan. Në Shqipëri përkujtohet 5 Maji, që duket e njëanshme dhe ende e padrejtë për të rënët e luftës së nxehtë e të ftohët. Sa shumë memorie është shkelur.

Nē Amerikë, një nga ceremonitë më të hershme të Ditës së Përkujtimit u mbajt nga afrikano-amerikanët e liruar.

Dita e Përkujtimit lindi nga nevoja. Pas Luftës Civile Amerikane, Shtetet e Bashkuara u përballën me detyrën për të nderuar 800,000 ushtarë të Unionit dhe Konfederatës që kishin vdekur në konfliktin më të përgjakshëm në historinë amerikane. Përkujtimi i parë kombëtar i Ditës së Përkujtimit u mbajt në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit më 30 maj 1868, ku janë varrosur ushtarët e Unionit dhe Konfederatës. Disa qytete anembanë Amerikës pretendojnë se kanë respektuar versionet e tyre të mëparshme të Ditës së Përkujtimit që në vitin 1866.

Por deri në një zbulim të jashtëzakonshëm në një arkiv të pluhurosur të Universitetit të Harvardit në fund të viteve 1990, historianët mësuan për një përkujtimore të Ditës së Përkujtimit të organizuar nga një grup zezakësh të çliruar nga skllavëria më pak se një muaj pasi Konfederata u dorëzua në 1865.

Në vitin 1996, David Blight, profesor i Historisë Amerikane në Universitetin e Yale, po hulumtonte një libër mbi Luftën Civile, kur pati një nga ato momentet eurekas, një herë në karrierë. Si ishte humbur në histori për më shumë se një shekull? “Kjo ishte një histori që me të vërtetë ishte shtypur si në memorien lokale ashtu edhe në memorien kombëtare,” thotë Blight. “Por askush që e kishte parë atë nuk mund ta kishte harruar ndonjëherë”.

Ose ndoshta jo plotësisht. Pasi libri i tij Race and Reunion u botua në vitin 2001, Blight mbajti një fjalim për Ditën e Përkujtimit në Muzeun Kombëtar Smithsonian, dhe pasi mbaroi, një grua zezake më e moshuar iu afrua: “A thua se ajo histori është e vërtetë?” e pyeti gruaja Blight. “Unë u rrita në Charleston dhe gjyshi im na tregonte këtë histori të një parade në pistën e vjetër të garave dhe ne kurrë nuk e dinim nëse duhet ta besonim apo jo. Do të thuash që është e vërtetë?” Për Blight, është më pak e rëndësishme nëse përkujtimi i vitit 1865 i “Kursit të Martirëve të Garës” njihet zyrtarisht si Dita e parë e Përkujtimit. “Është fakti që kjo ndodhi në Charleston në një varrezë për Bashkimin të vdekur në një qytet ku kishte filluar lufta civile,” thotë Blight, “dhe se ajo u organizua dhe u bë nga ish-skllevër afrikano-amerikanë çka i jep një rëndësi të tillë”.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Astrit Lulushi

“PËRTEJ HARRIMIT” – KOHA E TERRIT KOMUNIST KU U SHUAN QINDRA INTELEKTUALË SHQIPTARË

May 30, 2023 by s p

Valdete Cenalia Dida/

Kisha hyrë brenda atij burgu duke lexuar librin e Ermira Xhomaqit kushtuar gjyshit të saj “Abdulla Ramit-Përtej harrimit”, më dukej vetja sikur isha brenda një globi të ftohtë dëbore, rrethuar nga telat me gjemba, ku burgu ishte një parajsë komuniste, duke parë e dëgjuar rënkimet, torturat që u bëheshin të burgosurve që njiheshin si “armiq të popullit”, ku Abdulla Rami përkthente ose shkruante vargje, duke ia përshtatur vuajtjeve, në burgun famëkeq të Burrelit.

“Të mirët dënohen me vdekje e shkatërrim

Me ligj të turpit të zi

Gjithë këto mënxyra e thajnë shpirtin tim

Që shkriu posi qiriu”.

Abdulla Rami i lindur në Tatzat të Delvinës më 20 Maj 1908, u shkollua në Liceun Franko-Shqiptar në Korçë 1927-1931 dhe ishte bashkënxënës me diktatorin Enver Hoxha në liceun e Korçës, ku pikëpamjet e tyre të kundërta, xhelozia e diktatorit nuk kursyen vënien në pranga menjëherë pas vendosjes së regjimit totalitar në Shqipëri. Ai do të shkollohej në Montpellier të Francës gjatë viteve 1936-1940 për Drejtësi, ku Abdulla Rami do të analizonte diktaturat dhe regjimet totalitare pseudo-demokratike që kishin degjeneruar në diktaturë. Gjyqtari i ri kërkonte të zëvendësonte legjislacionin e trashëguar nga e kaluara me legjislacion të standarteve Perëndimore, por hasi sharrën e kohës së komunizmit.

Rami po mundohej t’i kushtonte vëmendje ndërtimit të një Shqipërie të Lirë Demokratike, Etnike dhe bashkim ndërkombëtar. Ai ishte i brymosur me idetë demokratike të Evropës Perëndimore ku dhe ishte shkolluar, por idetë e tij përplaseshin me idetë bolshevike dhe revolucionare të Lindjes.

Abdulla Rami ishte sekretar dhe një ndër organizatorët e Ballit Kombëtar, që mendonte bashkëpunim me Partinë Komuniste me anë të “Marrëveshjes së Mukjes”për një Shqipëri Etnike, por kjo gjë nuk do t’i pëlqente PKSH më në krye Enver Hoxhën. E mohuan këtë marrëveshje ku çoi dhe përçarjen mes tyre. Kryetari i “Balli Kombëtar” Mit’hat Frashëri u largua nga Shqipëria dhe u vendos në SHBA, por, Abdulla Rami nuk pranoi të arratisej ku thoshte “nuk kanë pse të më arrestojnë”. Por arrestimi i Abdulla Ramit ndodhi më 16 Dhjetor 1944, ku ishte vetëm 37 vjeç, sepse kishte përhapur idetë e “Ballit Kombëtar”dhe u cilësua si“armik i popullit”, duke ia shkatërruar përfundimisht karrierën e juristit të diplomuar në Evropën Perëndimore.

“Qysh asnjë s’do mbesë historinë të vajtojë

Të martirëve të copëtuar

Binjakëve, grave të ve, kujtimin t’u rehatoj

Nga xhelatët e mallkuar”

Epoka e errët e socializmit, vuajtjet e pafundme të të gjithë familjarëve të të burgosurve, ajo kohë po shuante çdo ëndërr dhe ndjenjë njerëzore, që të shkulnin me rrënjë këtë dhimbje që e fshihnin në heshtje, ku ajo heshtje harrohej ku nuk flitej asnjë fjalë, por, Rami vazhdonte të përkthente duke ia përshtatur vuajtjeve të tij me burgun e tmerrshëm të Burrelit:

“Kur bijtë e tu lidhur me hekur

Në bodrumet e errëta dergjen e rënkojnë”

Të gjithë këto intelektualë të shkolluar jashtë siç ishin: Abdulla Rami, Abaz Omari, Gjergj Kokoshi, Sulo Klosi, Enver Zazani, Jusuf Vrioni, Andre Xega, Niko Leza, ishte një histori që dëshmonte për një energji njerëzore mbytur me një lehtësi kriminale nga“fitimtarët”nën diktaturën e Enver Hoxhës.

Formimi, zgjuarsia, intelektualiteti i Ramit dhe i shumë të bashkëstudentëve dëshmoi faktin e intelektualëve të formuar në Evropën Perëndimore që përfunduan në internime, ekzekutime si kundërshtarë të ideologjisë komuniste që hodhi në humnerë të gjithë inteletualet e pafajshëm nga regjimi i Enver Hoxhës, që nuk kishte përfunduar asnjë shkollë por mori pushtet absolut duke eliminuar një nga një të gjithë kundërshtarët, ku rruga e vëllezërve Rami e shumë intelektualëve u kryqëzuan për fatin e tyre të keq me atë të Enver Hoxhës në liceun e Korçës dhe me pas u vunë në kryq prej tij. Abdulla Rami brenda qelisë shprehte dhimbjen me anë të shkrimeve:

“Qëndresa e tyre heroike

U gdhend në muret e qelive pa dritë

U rrahën, u vranë me keq se bagëtitë

Pushuan mendjet e arta.

Qershiza e Burrelit ferr, u bë shtëpi varr

Për qindra e qindra mëmdhetarë

Si nëna, gra, motra priten rrënjët e saj

E lot të nxehtë derdhen, lot që kurrë s’u thanë

Ato lot që s’u thanë si të nënë Halimes, gruas Gjyrxhie e vajzave të tij Thëllënxës, Rufies e Fatmires.

Megjithëse gjithë jeta e tij i shkoi nëpër burgje e internime, por mësuam për një intelektual që kishte mbetur në harresë, ku ishte burgosur dhe internohej nga një qytet në tjetrin ngaqë “bërtiste” se kishte ide ndryshe nga qeveria e ferrit komunist. Faleminderit Ermira që n’a e solle të përshkruar kaq bukur dhe në mënyrë të dhimbshme jetën e një intelektuali siç ishte Abdulla Rami.

Filed Under: LETERSI Tagged With: valdete cenalia

Zgjedhjet vendore të 14 Majit 2023, apo zgjedhjet e Frontit Demokratik të Diktaturës?

May 30, 2023 by s p

Migena Andoni/

Fatkeqësisht pas 32 vitesh pluralizëm, Shqipëria u rikthye në traditën e vjetër të së shkuarës së saj diktatoriale Parti-Shtet. Rezultati zgjedhor, me 97 për qind fitues për kandidatët e mazhorancës, që morën pjesë në garën e 14 Majit, ishte i pritshëm në kushtet kur Qeveria keqpërdori pushtetin për të mos lejuar një garë me rregulla të barabarta loje mes saj dhe opozitës.
Opozita u pengua të regjistrohej sipas Kodit Zgjedhor. Pengmarrja e simboleve të saj, mungesa e fondeve, përcaktimi nga mazhoranca i emrit të kryesuesit të koalicionit zgjedhor, sikundër mungesa e komisionerëve dhe vëzhguesve, ishin parathënia e farsës elektorale që u mbajt më 14 Maj. Sikur të mos mjaftonte ky deformim i demokracisë, të dhënat në terren dëshmojnë të gjitha mekanizmat e përdorura nga mazhoranca pë të tjetërsuar vullnetin e qytetarëve. Bandat më të rrezikshme në vend, krerët e të cilëve u liruan nga burgu para zgjedhjeve, ushtruan presion dhe terror ndaj qytetarëve për të mos marrë pjesë në votime.
Në këto zgjedhje, fenomeni i shit-blerjes së institucionit të votës ishte masiv. Njerëz afër pushtetit ju shpërndanë 300 deri në 500 Euro qytetarëve që të bojkotonin procesin zgjedhor dhe akoma më shumë për të votuar kandidatët e Partisë Socialiste. Në thyerje të Kodit Zgjedhor, Qeveria në fushatën zgjedhore shpërbleu pensionistët, rriti pagat për një pjesë te administratës si edhe për ata që
trajtohen me ndihmë sociale. Të gjitha këto, patën ndikim tek 850 mijë votues.
Edhe në raportin paraprak tw Misionit Ndërkombëtar Vëzhgues të Zgjedhjeve të 14 Majit thuhet: “Vëzhguesit vërejtën tregues që votuesit nxiteshin ose detyroheshin të votonin për një parti të caktuar, jashtë ambienteve të tre për qind të qendrave të vëzhguara dhe në njëmbëdhjetë përqind të tyre, njerëz që nuk ishin anëtarë të KQV-ve mbanin shënim zgjedhësit që kishin votuar”. Në daljen e saj të parë pas zgjedhjeve, shefja e ODIHR, ambasadorja Audrey Glover, e perkufizoi fushatën të polarizuar politikisht duke theksuar se “cështje shqetësuese janë pretendimet për rastet e keqpërdorimit të burimeve shtetërore, për presione të administratës dhe për shitblerje të votës”.
I frikshëm është ky revansh pushteti, i cili i ka hapur rrugën instalimit të Diktaturës së Kohëve Moderne, por që në thelb ka Diktaturën 50-vjecare të E.Hoxhës, përqëndrimin e të gjitha pushteteve në duart e një njeriu.
Në kushtet kur Shqipëria konsiderohet një prej vendeve më të varfra të Europës me pasojë shpopullimin masiv, është fyerje inteligjence për këdo qytetar të besojë se ata shqiptarë që kanë mbetur në Shqipëri duartrokasin Qeverinë me Votë.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Migena Andoni

Truri dhe kozmosi

May 29, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Besojeni apo jo, mbi supet tona është objekti më kompleks i krijuar në universin e njohur. Duhet të shkosh të paktën 35 trilion km tek ylli më i afërt për të gjetur një planet që mund të ketë jetë dhe inteligjencë. E megjithatë truri ynë konsumon vetëm rreth 20-30 përqind të energjisë së tij dhe i kryen llogaritjet më mirë se çdo superkompjuter.

Kohët e fundit, shkencëtarët gjetën ngjashmëri në funksionimin e dy sistemeve krejtësisht të ndryshëm – trurit të njeriut dhe rrjetit të galaktikave. U zbulua se proceset fizike shumë të ndryshme mund të krijojnë struktura që ndajnë nivele kompleksiteti dhe organizimi, edhe nëse ato ndryshojnë në madhësi. Studimi i pazakontë u krye nga specialistë italianë.

Shkalla e ngjashmërisë sugjeron se vetë-organizimat e të dy sistemeve – trurit dhe kozmosit – ka të ngjarë të formësohen nga parime të ngjashme pavarësisht nga shkallët dhe proceset rrënjësisht të ndryshme. Një nga njohuritë më bindëse është shikimi i trurit si univers në vetvete, që përmban rreth 69 miliardë neurone; universi i vëzhgueshëm ka të paktën 100 miliardë galaktika.

Rreth 77 përqind e trurit është ujë, ndërsa rreth 70 për qind e Universit është i mbushur me energji të errët. Këto janë të dyja materiale pasive. Shkencëtarët gjetën gjithashtu një ngjashmëri të çuditshme midis luhatjeve të densitetit të materies në tru dhe në rrjetën kozmike.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

DIAMANTËT E FESTIVALIT

May 29, 2023 by s p

Vogëlushët këngëtarë, gurë të çmuar në kurorën e “Diamond Fest”.

Nga Ramazan Çeka

Festivali i Fëmijëve “Diamond Fest” në Ferizaj, finalizoi me sukses edicionin e 10-të, ku kënga bashkoi fëmijët pjesëmarrës nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.
Në prani të një pjesëmarrjeje të jashtëzakonshme spektatorësh, në Pallatin e Sportit “Bill Clinton”, të pranishmit përjetuan me emocion aromen e luleve të pranverës, që ku festival sjellë në çdo edicion.
Gazmorë, të hareshëm e sportivë, fëmijët pjesëmarrës në këtë festival, vërshuan në tapetin e Pallatit të Sportit, jo si sportistë, por si artistë që njësoj sjellin emocione në shkallët e këtij auditori, që i priti me duartrokitje e ovacione, që nga fillimi e deri në fund të spektaklit.
Skena, ashtu si për çdo vit, edhe në këtë Jubile të 10-të, ishte një bahçe e mbushur me lule shumëngjyrëshe dhe zogj këngëtarë.
Ata hynë duke vrapuar në dy anët e skenës së improvizuar mbi parketin e pallatit, duke krijuar pamjen e një kurore lulesh me shumë ngjyra, ashtu si vetë ata ishin veshur.
Kjo ishte atmosfera që elektrizoi gjithë sallën, që në hapjen e festivalit dhe që e shoqëroi atë deri në fund. Të tillë janë fëmijët, e veçanërisht ata, që pa hezitim mund t’i quajmë artistë të vegjël. Ata për çdo vit vijnë nga të gjitha trevat shqiptare, duke treguar kështu se pikërisht kjo moshë është e ardhmja e trashëgimit të vlerave tona kombëtare, jo vetëm në skenë, por edhe në fusha të tjera.
Ideatorët e këtyre aktiviteteve duhen vlerësuar për nisma dhe realizime të tilla. Në këtë kontekst ky festival sa vjen e bëhet edhe më madhështor, duke prekur majat e suksesit, falë vëmëndjes së pareshtur dhe pëkrahjes së Komunës Ferizaj, me mbështetjen e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, por edhe kujdesit të jashtëzakonshëm të ideatores dhe themelueses së këtij Festivali Znj. Njomza Mezini.
Për 10 vite me radhë ky festival, tashmë tradicional, e ka kthyer qytetin Ferizaj në një amfiteatër kulturor kombëtar, duke bërë që performancat dhe vlerat kulturore të jehojnë fuqishëm jo vetëm në Kosovë, por në mbarë trevat shqiptare nga vijnë fëmijët pjesëmarrës, për t’u përngjarë yjeve në hapësirën e qiellit dhe pranverës me “Diamantët” e Festivalit, gjë që e bën këtë qytet mjaft të njohur e të vizituar edhe falë jehonës së këtij aktiviteti, por dhe me potencial të jashtëzakonshëm kulturor, të cilin shumë kush do ta ëndërronte ta shihte nga afër.
Ky historik i këtij 10-vjeçari u pasqyrua në një insert në ekranin e madh të vendosur në Pallatin e Sportit, që si një dokumentar artistik riktheu tek spektatorët emocionet e përjetuara në vite, që nga festivali i parë që daton në pranverën e vitit 2013.
Skena e festivalit është njëra anë, sepse aty performojnë artistët e vegjël, por e veçanta është se në ditën e shfaqjes, në Ferizaj “skenë” shndërrohet gjithçka; edhe sheshet, edhe trotuaret, edhe mjediset e bukura që ka ky qytet, të cilët e përjetojnë pa dallim moshe. Të gjithë gëzojnë, fëmijët së bashku, fëmijët dhe prindërit e tyre e veçanërisht gjyshërit që për disa çaste gëzojnë si fëmijët. Janë emocione të papërsëritshme, të cilat i përjetova edhe unë.
Pranvera në këtë qytet, siç është bërë traditë këtu e 10 vjet më parë, nuk shqetësohet për motin, sepse edhe në qoftë se mund të ketë riga shiu, janë fëmijët si lule pranvere, si flutura dhe si bilbila që e gjallërojnë qytetin e tyre.
Ferizaj në ditën e festivalit ndjehet shumë krenar, sepse pranverën e kishin zbukuruar edhe 28 lule, edhe 28 bilbila, që qytetit i kishin dhënë një gjallëri të jashtëzakonshme.
Në këtë festival u interpretuan 28 këngë nga shumë fëmijë të talentuar, me krijimtari të autorëve të njohur, por edhe të ri.
Çdo gjë në këtë festival ishte perfekt si vetë diamanti. “Diamont Fest” është një festival, ku secili prej fëmijëve është një diamant që shkëlqen me talentin e tij.
Për realizimin e këtij aktiviteti janë angazhuar të gjithë dashamirësit e këngës për fëmijë, muzikantë, poetë, orkestrues dhe prindër, të cilët mendoj se ia kanë arritur qëllimit.
Po i shkruaj këto radhë shumë i emocionuar, sepse informacioni për Ju të nderuar lexues, kalon në plan të dytë. Emocionet janë ato që dua t’ju përcjell, sepse të gjithë do t’i dëshironit t’i përjetoni.
Këtë e tregoi më së miri pjesëmarrja dhe performimi brilant i këtyre diamantëve të çmuar. U kënduan 28 këngë të reja nga këngëtarë gati moshatarë me këtë festival, me këngë të kompozuara dhe orkestruara edhe nga mësuesit e tyre, por dhe me një kontribut të autorëve letrarë të qytetit Ferizaj, por edhe më gjërë.
Festivali “Diamond Fest” i organizuar që 10 vjet më parë, pikërisht në pranverë, ka një grup të përkushtuar organizatorësh, me një drejtoreshë edhe më të përkushtuar, me një emër domethënës, Njomza, e cila rrjedh nga një familje me tradita në art e kulturë dhe që ka dhënë një kontribut të çmuar në këtë qytet dhe në mbarë Kosovën, veçanërisht për fëmijët.
Në këtë edicion jubilar, Qendra e Artit dhe Kulturës Shqiptare, me drejtor të përgjithshëm Dr.Minella Kureta “Mjeshtër i Madh”, nderoi Festivalin “Diamond Fest”, me çmimin “Krenaria e Artit dhe Kulturës Shqiptare”.
Një kënaqësi e veçantë për mua ishte pjesëmarrja ime në këtë festival si autor, pasi jë ndër këngët që u interpretua nga vogëlushja shkodrane Rozana Velaj, me titull: “Lulzon skena me fëmi”, kompozuar dhe orkestruar nga Elvin Unaza, ka tekstin tim. Interpretimi i saj në skenë, natyrisht që m’i shtoj emocionet, pasi ajo u vlerësua me çmimin e dytë të festivalit.
Por këto emocione u bënë më të veçanta për mua, pasi organizatorët më kishin bërë një nder akoma më të madh në këtë natë të magjishme, unë e gjeta veten anëtar të një Jurije prstigjioze, ku kryetar ishte kompozitori i mirënjohur Ilir Latifi dhe anëtare Znj. Fitore Osmani, profesoreshë e muzikës në Gjilan. Ky ishte një vlerësim, por edhe një përgjegjësi për mua.
Ky festival që u mbyll me aromën e zërave fëminorë, jam i sigurtë që për shumë kohë do të lërë mbresa të pashlyeshme, jo vetëm në qytetin e Ferizajt, por në mbarë Kosovën e më gjërë, pasi edhe për këtë janë kujdesur kamerat e Radio Televizionit të Kosovës.
Fituese e këtij edicioni u shpall Erblina Haliti, me këngën “Një valixhe me kujtime” me tekst të Njomza Mezinit, muzika & orkestrimi: Arti Rec.

Maj 2023

Filed Under: Kulture Tagged With: Ramazan Ceka

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1850
  • 1851
  • 1852
  • 1853
  • 1854
  • …
  • 2980
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste
  • Një vepër e rrallë në ikonografinë shqiptare, Shën Kristofori me kokë qeni
  • NJË ZË I RI SHQIPTARO-AMERIKAN NË UASHINGTON NË SHËRBIM TË KUJTESËS HISTORIKE TË VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT
  • Patronimet kolektive me -aj , si identitet shqiptar i Malësisë së Madhe
  • SHANI PNISHI – NJË ZË I NDËRGJEGJES KULTURORE NË NDËRPRERJEN MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
  • Mitrush Kuteli, figura e shquar që jetoi mes dy botëve
  • Shqipëria në Balkanfila XXI me identitet, përfaqësim dhe arritje
  • HOMAZH PËR LEGJENDEN DINAMOVITE
  • EMRI I ROBERT LULGJURAJ MBËRRIN NË ZYRËN OVALE TË PRESIDENTIT TRUMP
  • Franz Kafka dhe kushti i brendshëm i lirisë, një thirrje për zgjim nga vetë ndërtimi i robërisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT