• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NDAHET NGA MESI YNË DHE I FAMILJES PËR NË BOTËN E AMSHUAR BASHKATDHETARI I NDERUAR AZEM JAKUP GJIDIJA

May 11, 2023 by s p

Në mengjezin e t’Ejtes, me 13-të prill, 2023 u largua për në botën e amshuar i ndjeri bashkatdhetari ynë i njohur Azem Jakup Gjidija nga Malësia e Gjakovës.  Azemi lindi me 13-të  maj 1942 në fshatin Çorraj të Bytyçit të Malsisë së Gjakovës në një familje të njohur për vlera tradicionale, bese, nderi, trimërie e bujarie. Në kohën e pushtimit të Shqipërisë nga forcatë italiane, 7 Prill, 1939, babai i Azemit, Jakup Salih Gjidija kishte qëlluar xhandar i mbretërisë me detyrë në rrethin e Shkodrës. Komanda e forcave ushtarake italiane kërkoi që forcatë e xhandërmarisë të Shkodrës dhe Veriut të Shqipërisë të mblidhen në fushen e sportit (në Shkodër) për të diskutuar për rregullat e reja të qeverisë Italiane.  At ditë të gjithë xhandërmarinë  e mblidhën në fushën e sportit, dhe oficerët që kishin  organizuar mbledhjen  i kerkuan xhandërmarisë të dorëzonin armët qe kishin. Të gjithë i lëshuan armët për tokë para këmbëve të tyre përveç xhandarit Jakup Gjidija, i cili i mbajti armën në dorë  dhe iu drejtua oficerëve me zë të ashpër në shqip  dhe në ltalishtën e tij që e kishte mësuar më parë nga oficerët ltalian që trajnonin xhandërmarinë shqiptare para pushtimit. Jakupi tha:  – Zotni oficer nuk dorzoj  armët që mi ka  dhënë Mbreti Zog të ruaj rendin, dhe në rast nevoje të mbroj atdheun tim!  Jakupi doli nga radha me armën e tij në dorë dhe iu drejtua rrugës  për Tropojë. Kur dy oficeret panë që ai nisi të largohet,  iu vunë mbrapa, por një oficer tjetër iu tha atyre: Lereni të shkoj, nuk duhet të kemi probleme me njerëz të tillë. 

Azemi lindi tri vite pas fillimit të Luftes Dytë Botërore. Ajo kohë, kur lindi Azemi, ishte një përiudh tronditëse për të gjithë Shqipërinë, sidomos për Malsitë e Veriut. Në krahinën e Bytyçit, katundi ku lindi Azemi, kishin hyrë forcatë ushtarake gjermane dhe kryer një masakër si përgjegje të një rezistence nacionaliste të asaj krahine, kundër forcave pushtuese. Jakup Gjidija, babai i Azemit,  ishte me çetat malsore të Legalitetit, që për të, dhe për  atdhetarët tjerë të Bytyçit, çdo gjë kishte vetëm një qendrim: Atdhe dhe Mbret! Por siç dihet, Lufta e Dytë Botrore mbaroi dhe Shqiperia mbeti nën kthetrat e regjimit sllavo-komunist të Enver Hoxhës me shokë. Në vitin 1946-të, kur Azemi ishte katër vjeç, në Kullën e  Jakup Gjidisë (babait të Azemit) u mbajtë mbledhja e çetave anti-komuniste. Sipas deshmitarëve të asaj kohe mbledhjen e kryesoj major Zenun Ali Mulosmanaj, njëri prej ikonave të derës së njohur të Binak Alisë Mulosmanaj të Krasniqes të Malsisë Gjakovës. Në atë mbledhje morën pjesë përsonalitete të njohura nacionaliste të  Malsisë Gjakoves si kapiten Tahir Hoxha me shokë, kapiten Halil Hoxha, Ramë Muj Hoxha, Ali Brah Nezaj, Mal Shaban Mulosmanaj, Halil Hamza, Alush Halili Lamaj e shumë përfaqsues të grupeve nacionaliste shqiptare që qendronin me armë në dorë kundër regjimit komunist për vite me radh. Në atë mbledhje morën pjesë edhe përfaqësues të grupeve të antikomuniste  nga Hasi, Luma, Mirdita, Rrafshi i Dukagjinit të Kosovës dhe të Hotit të Plavës dhe Gucisë.  Jakupi arrestohet, bënë ca vjet burg, dhe sapo lirohet arratiset  në Jugosllavi (në Kosovë) me gjithë familje.  Në Jugosllavi, së parit atë me famjlje e dërguan në Mitrovicën e Sremit (Sremska Mitrovica) pastaj në Podujeves. Aty, në Podujevë, Azemi dhe vellezeritë e tij, me gjithë vështirësit e kohës, shkollohen dhe fillojnë punën si mësimdhënës.  Në vitin 1960-të Azemi Gjidija filloi punën si arsimtar në shkollën fillore të Goleshit (tani Lagure). Deri sa u largua dhe u vendose ne Istog, kurse prinderit ne fshatin Veriq të komunës Istogut. Azemi vazhdoi si mesimdhënës i gjuhës shqipe në shkollen tetëvjeçare “17 NËNTORI”. Në viti 1972, Azem Gjidija me familje, me pridët,  vëllezërit dhe motratë e tij,  u largua nga Kosova, emigroi në Itali. Aty u vendosen në  qytetzën Atine, afër Frosinones. Në Itali banoi me skamjen e refugjatit deri  në  prill të vitit 1973, kur erdhi në Shtetet e Bashkuara te Amerikes me garanci të Komitetit “Shqipëria e lirë”. 

     Këtu në Shtetet e Bashkuara, ai me familjen e tij të madhe Gjidijaj, u vendos me banim në Bronx të New York-ut. Menjëherë filloi punën për të mbajtur familjen dhe aktivitetin përe të ndihmuar çështjen tonë kombëtare në secilin lloj aktiviteti.  Për vite me radh Azem Gjidia shkroi artikuj të ndryshëm në shtypin e mërgatës politike nacionaliste. Azemi për disa vite ishte edhe editor i revistës  “PERPJEKJA JONË” (OUR EFFORT) organ i Qendres Islame  Shqiptare-Amerikane per New York e  New Jersey. Azemi i shkolloi femijët e tij në universitete të njohura amerikane. Bashkëshortja e tij Naxhija ndrroi jetë në fillim të vitit të kaluar. Azemi la pas tre vajza, Aferditën, Fatmirën, Lirinë, dhe djalin Fatmirin.

  HAJDIN ALIJAJ, ISH STUDENT I TIJ 

Shenim i redaksisë: Në emër të gazetës “Dielli” dhe të Federatës “Vatra” ngushëllimet më të dhimbëshme  Familjes Gjidija.

Filed Under: Komunitet Tagged With: AZEM GJIDIJA

VEPËR E NJË PËRVOJE TË MADHE KËRKIMORE

May 11, 2023 by s p

Prof. Begzad Baliu/

I diplomuar, i magjistruar dhe i doktoruar në fushë të onomastikës, Profesor Bahtijar Kryeziu, del para lexuesve edhe me një vepër të kësaj natyre. Megjithëse ka botuar rreth 30 vepra në fushë të mësimdhënies së gjuhës, leksikografisë, kulturës së gjuhës dhe përgjithësisht albanologjisë, botimet e tij në fushë të onomastikës sikur rishfaqin zejen e tij, personalitetin e tij shkencor dhe mangësitë e këtyre fushave në jetën tonë kombëtare.

Vepra e tij më e re Fjalor emrash “modernë” te shqiptarët sot, na e tërheq vërejtjen për një gjendje të pazakonshme në jetën e një populli historik e me trashëgimi të gjatë shekullore, i cili në tri dekadat e demokracisë në Shqipëri dhe dy dekadat e lirisë së Kosovës, po përballet me një situatë të padenjë në jetën familjare, shoqërore dhe kombëtare përgjithësisht, me emërtimin e pasardhësve të tij.

Megjithëse një popull i vogël dhe një traditë të madhe, megjithëse me një pasuri të jashtëzakonshme onomastike (toponimike e antroponimike), megjithëse me një fjalor të pasur e të mjaftueshëm leksikor, megjithëse me një gjuhë që jep mundësi fjalëformimi e krijimi të fjalëve dhe të emrave, ne vazhdojmë t’i emërtojmë fëmijët sa me emra artistësh të telenovelave latino-amerikane (një kohë) dhe turke (në kohën tonë), me emra sportistësh europianë, amerikanë e aziatikë, me emra grupe besimtarësh e këngëtarësh, sikur të mos ishim një popull sedentar e me traditë në formësimin e identitetit tonë, po një popull endacakësh.

Kaq shpejt i harruam presionet serbe e maqedonase për të mos vendosur emrat kombëtarë, kaq shpejt harruam presionin politik, policor e kulturor për të hequr dorë nga emrat tanë në këmbim të emrave ballkanikë, aziatikë e fetarë, kaq shpejt harruam reagimet, protestat, burgosjet e etërve tanë për mbrojtjen e emrave kombëtarë, në Shkup, në Kumanovë, në Tetovë, në Prishtinë. Po sikur edhe kaq shpejt harruam polemikat dhe reagimet tjera të shkencëtarëve dhe intelektualëve tanë në Prishtinë dhe artikujt e tyre të botuar në Prishtinë, Lubjanë, Zagreb, Beograd, Shkup! Si mund të harrohen intervistat dhe traktati i jashtëzakonshëm i Profesor Qosjes, Atentate ndaj kulturës, që në të vërtetë ishte Atentat ndaj kulturës shqiptare në Maqedoni, përkatësisht atentat ndaj antroponimisë (emrave të njerëzve), folklorit (ndalimit të këngëve shqipe) dhe etnografisë (rrënimit të mureve, përkatësisht rrethojave të oborreve). Si është e mundur të harrohen reagimet e Prof. dr. Fazli Sylës, Akademik Idriz Ajejtit, Prof. dr. Latif Mulakut, Prof. dr. Besim Bokshit, Prof. dr. Rexhep Ismajlit, Dr. Shaqir Beranit, Mr. Rexhep Doçit, Mr. Mehmet Halimit, Dr. Agim Vincës, Shkëlzen Maliqit etj.?! Si është e mundur sot të heshtet ndaj heqjes dorë të qindra e qindrave emrave ilirë e shqip në Maqedoni dhe vendosjen e emrave “të rinj”, kryesisht të proveniencës orientale?!

Në këtë vepër Profesori ynë sjell një pasuri të madhe të kërkimit të tij në inventarin e emrave të fëmijëve të Kosovës të dekadës së fundit dhe një tipologji të këtyre emrave, duke parë kështu një konglomerat emrash të paqëndrueshëm në kontekstin gramatikor të gjuhës shqipe, në kontekstin kulturor të mesazheve që sjellin ata dhe në perspektivën historike të trashëgimisë sonë edhe ashtu shumë herë të diskutueshme.

Vepra Fjalor emra “modernë” te shqiptarët sot, hapet me një Parathënie të zgjeruar në të cilën autori sjell shqetësimet e ditës për gjendjen e emërtimit të fëmijëve sot, duke dhënë edhe ndonjë shembull të karakterit sociologjik, kulturor e madje psikologjik të situatave shoqërore me të cilat ndeshen individët e emërtuar me emra pa strukturë të rregullt fonetike e morfologjike të shkrimit dhe sidomos shqiptimit të vështirë në jetën e përditshme.

Më tej, autori ka vendosur një Hyrje të gjerë, e cila më parë se një hyrje e zakonshme në një vepër të kësaj natyre, ajo në të vërtetë është një studim i zgjeruar, pasi në vetvete sjell, jo vetëm një traditë e kronologji studimi e njohjeje të literaturës, po edhe një tipologji të korpusit të emrave të vendosur në dekadën e fundit, krahasuar edhe me periudha të tjera dhe etimologji gjuhësh klasike, ballkanike, europiane, aziatike e amerikane, të cilët këtu po i sjellim mbështetur në të dhënat e autorit:

– greke: Anik/a (“i,e pamposhtur” – nga Anikita), Deon,-i (greq. Διόνυσος, lat. Dionysus), (“Zot vere, rrushi, begatie, kënaqësie”), Dorin/ë,-a (me kuptimin “pasardhës” i Dorusit), Helen/ë,-a (nga mitologjia greke, me domethënie “pishtare, e shkëlqyeshme, dritë”) etj.

– latine: Antonel,-i (“prijatar, udhëheqës”), Auror/ë,-a (“ndriçimi i diellit në mëngjes”, “agu i mëngjesit”), Dian/ë,-a (“perëndeshë gjuetie, personifikim i hënës, dritës dhe begatisë”) etj.

– gjermane: Erik,-u (me kuptimin “modern”), Eldon,-i, Eldon/ë,-a (“trim/reshë lufte”) etj.

– frënge: Mirel/ë,-a (“e mrekullueshme, e preferuar”, ose lat. mirare “e mahnitshme”) etj.

– italiane: Lian/ë,-a/Lijan/ë,-a (mendohet me etimologji italiane, ose edhe iraniane) etj.

– angleze: Eduard,-i (që përmes frëngjishtes ka kaluar edhe te gjermanët “roje e mirëqenies) etj.

– spanjolle: Moren/ë,-a (“e zezë, zeshkane”), Neld/ë,-a (“e fortë”), Rein/ë,-a (“mbretëreshë”) etj.

– sllave: Jar/ë,-a (me kuptiminin “pranverë), Rain,-i (“mbret – kral”) etj.

– turke: Ajl/ë,-a (“dritë, shkëlqim hëne”), Duran,-i (“i përhershëm, i fortë, i qëndrueshëm”), Ejmen,-i (nga Egmen.-i “i bekuar, i djathtë”), Elm/ë,-a “mollë”) etj.

– biblike: Davud,-i – David,-i (“i dashur”), Elisë,-a, Lean/ë,-a (“ajo e cila mundohet kot”) etj.

– hebraike: Aron,-i (“dita e parë e festës në Izrael”), Emanuel,-i (“Zoti është me ne”), Gabriel;/ë,-a (me domethënie “njeriu i Zotit”), Jakob,-i (do të thotë “ndjekës”) etj.

– persiane (iraniane): Alea (“e lartë, e shkëlqyeshme, fisnike”), Jasmin/ë,-a (emër i një bime me erë të këndshme, lule të bukura e “sensualitet”), Serdar,- i (thotë ”komandant kryesor, prijës”) etj.

– arabe: Amar,-i (“lule, gjelbërim, jetë, dashuri”), Amel/ë,-a (“punë, aktivitet, mund”), Aris,-i (“dhëndër, i porsamartuari”), Aris/ë,-a (e porsamartuar), Denit/ë,-a (“Parajsë, kopsht”) Elid/ë.-a, Elmedin,-i, Enar,-i, Ensar,- i, Ersin,-i (“i matur, i urtë, i qetë”), Esm/ë,-a (“eminente, me karakter, fisnike) etj.

– emra nga më shumë shpjegime: Anit/ë,-a (me etimologji hebraike, e nuk përjashtohet as prejardhja greke); Dajen,-i (besojmë nga Dejan – sllavishtja e vjetër, e mund të jetë me prejardhje edhe nga latinishtja), Denis,-i, Denis/ë,-a (nga frëngjishtja Denise, por mund ketë prejardhje nga turqishtja deniz “det”, ose edhe nga greqishtja Dinos); Jan/ë,-a (nga hebraishtja, por ndoshta edhe nga greqishtja) e ndonjë emër tjetër.

Emrat si këta dhe të tjerë, autori i ka sistemuar në mënyrë kronologjike në fjalorin prej 270 faqesh (nga 301 faqe sa ka vepra) dhe, për secilin antroponim ka dhënë shpjegime të gjera mbështetur në një literaturë të hapur e krahasuese.

Në fjalorin e tij autori ka sjell gjithnjë vetëm kontekstin historiko-gjuhësor dhe etimologjik të emrit, përkatësisht antroponimit. Le të theksojmë këtu, që të mos keqkuptohemi më tej, se edhe autori është i vetëdijshëm për kontekstin historik, kulturor dhe sociolinguistik të bartjes së emrave nga një popull te tjetri, nga një shoqëri te tjetra, nga një epokë te tjetra, nga një situatë te tjetra. Vendosja e emrave nuk është vetëm proces gjuhësor, politik, intelektual, socio-kulturor, antropologjik, vendosja e emrave të fëmijëve është e gjitha bashkërisht apo edhe më tej. Madje, më shumë se gjuhësor është jo-gjuhësor, psiko-linguistik, pavarësisht se emrat e tyre pastaj shpjegohen përmes gjuhës, sikur që ka vepruar autori. Një kërkim i tillë do të kërkonte qasje tjetër, natyrë tjetër kërkimi, tipologji tjetër të përkatësisë së tyre, ridimensionim tjetër të rreth 538 emrave të nxënësve nga regjistrat prej 550 nxënësve nga komunat e Republikës së Kosovës, të cilët janë përfshirë dhe janë trajtuar këtu. Po i theksoj vetëm disa prej tyre, duke i shënuar vetëm në trajtën e pashquar: Ad, Ade, Adis, Adonis, Edonis, Ador, Adhurim, Airel, Ajan, Ail, Ajl, Ajlin, Ajn, Akil, Alb, Alban, Ald, Ale, Alin, Alin, Alis Almir, Alp etj., si dhe emrat me numrin më të madh në regjistrat e nxënësve: Ajan, -i, Ale, -a, Alin/ë, -a, Amar, -i, Amel/ë, -a, , An/ë, -a, Anik, -u, Anuar, -i, Arion, -i, Art, -i, Daris,-i, Bun/ë, -a, Diar, -i, Dion,-i, Eljes/ë,-a, Ensar, -i, Er/ë, -a, Erd, -i, Erin/ë, -a, Eri/ë, -a, Esm/ë, -a, Han/ë, -a, Jar/ë, -a, Inar/ë, -a, Jon, -i, Kanit/ë, -a, Kaon, -i, Lian/ë, -a, Mal, -i, Matin, -i, Nin/ë, -a, Noar, -i, Omer, -i, Rajan/ë, -a, Rein/ë, -a, Rron, -i, Sar/ë, -a, Tar/ë, -a, Tuan/ë, -a, Yll, -i etj.

Do të na duheshin shumë faqe vlerësimi e diskutimi në tekstin tonë për të përfshirë të gjitha antroponimet dhe trajtat e tyre, të cilat këtu sillen jo vetëm si njësi përfaqësuese po edhe si njësi gjuhësore, si trajtë gjinore, si dëshmi historike e personaliteteve të emërtuara me këta emra etj.

Këtu po i referohemi vetëm një shembull të sjellë nga autori: “Arbnor,-i m. Emër mashkulli me bazë një fjalë shqipe. Është emër jo shumë i përhapur në tërthoret shqiptare, megjithëse pak më shumë në Kosovë. Se nuk janë përkrahur dhe nuk po pëlqehen shumë këta emra dëshmojnë edhe të dhënat nga INSTANT-i në Shqipëri. Me emrin Arb kemi 21 persona, me emrin Arbenita, më pak se 10 dhe me emrin Arbnor 29 emra. Ja disa të tillë: Arbënor Selimi, Arbënor Ademi, Arbënor Krasniqi, Arbënor Lumi, Arbënor Matoshi etj. Në gjininë femërore del emri Arbënore, por dhe Arbënora: Arbënore Gashi, Arbënore Morina, Arbënore Tolaj Arbënore Duraj, Arbënore Përquku, Arbnore Gegollaj; Arbënora Arifi, Arbënora Hasani, Arbënora Sopi, Arbënora Kurtishi, Arbënora Voca…; Arbënorë Makolli, Arbënorë Berisha etj. Emri i shkurtër – zbunues për këtë shenjë gjuhësore është emri Nor/ë,-a: Nora Qarolli, Nora Limani, Nora Kryeziu, Nora Uka…; Norë Obrazhdaj, Norë Shabani, Norë Jerliu etj”. (f. 72-73)

Vepra më e re e Profesor Bahtijar Kryeziut, Fjalor emrash “modernë” te shqiptarët sot, është jo vetëm një kontribut i rëndësishëm për kohën tonë, po edhe një thirrje urgjente për të krijuar Korpusin e emrave nacionalë të shqiptarëve, brenda amzës të së cilit, apo brenda parimeve gjuhësore, semantike dhe etimologjike të të cilit do të duhej të emërtoheshin pasardhësit tanë, ashtu sikur veprohet edhe te popujt e mëdhenj historikë të Europës.

Në fund autori jep edhe një përmbledhje të karakterit historik, politik, shoqëror, psikologjik, kulturor e intelektual të përzgjedhjes së emrave për fëmijët e tyre: Faktorët që kanë ndikuar dhe arsyet e një invadimi aq të madh e intensiv të emrave të huaj te ne, janë të shumta dhe, sigurisht, nga më të ndryshmet, si:

– lëvizjet e mëdha të njerëzve, të mallrave e të ideve në botë përgjithësisht e sidomos përparimi marramendës i teknologjisë bashkëkohore, siç është përdorimi i internetit, i telefonisë celulare, i televizionit satelitor, globalizimi gjuhësor etj.;

– përhapja e feve të mëdha te popujt e vegjël, siç janë: myslimanizmi ekstrem, krishterimi në versionin: katolicizëm, ortodoksizëm dhe protestantizëm;

– sundimi i trojeve shqiptare nga perandori të mëdha a shtete fqinje, të cilat kanë lënë gjurmë të thella, duke imponuar shumë elementë kulturorë të tyre, e pos tjerash edhe në fushën e antroponimisë;

– puna e gjatë e shqiptarëve në emigracion dhe ndikimi i gjuhëve të atyre popujve ku ata kanë punuar e punojnë edhe sot;

– primitivizmi dhe servilizmi ynë ndaj të tjerëve edhe deri në cenimin edhe të asaj që ne e quajmë kombëtare etj., etj. (278-279)

Vepra ka një literaturë të pasur shkencore e publicistike të një përvoje prej më shumë se një shekulli të kërkimeve në shkencën kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare, duke përfshirë këtu edhe dokumentet dhe konventat ndërkombëtare, të cilat mbase do të ishin me interes të botoheshin të plota. Me interes janë sidomos fjalorët e fjalëve të huaja me shembuj krahasues dhe historikë. Autori gjithashtu ka përdorë pothuajse në mënyrë të pazakonshme në studimet e gjertanishme në shkencën gjuhësore shqiptare dhe një korpus të gjerë lëndor nga burimet e internetit, gjë që kërkimit i ka dhënë gjallëri aktualiteti e dije bashkëkohore.

Elbasan, maj 2023

Filed Under: LETERSI

Në qoftë se do mungosh me votën tënde në 14 maj do jesh njeri pa mbrojtje

May 11, 2023 by s p

Ndriçim Kulla/

Në qoftë se do mungosh me votën tënde ditën e votimeve duhet ta dish se Abraham Lincoln ka thënë: “Zgjedhjet i përkasin popullit. Është vendimi i tij. Nëse ata vendosin t’i kthejnë shpinën zjarrit dhe të djegim të pasmet e tyre, atëherë atyre do t’u duhet që të rrinë ulur mbi flluskat e lëkurës së tyre”. Lincoln ka folur akoma më tepër me një gjuhë të kuptueshme për masat e gjëra të votuesve. A nuk duket se ai ka folur për votëshitësit shqiptarë të kohës së sotme? Sipas kësaj që thotë Lincoln, del se ti i dashur votëshitës do ta përdorësh votën tënde si një pishtar të ndezur për të djegur veten nga prapa, dhe do të duhet që në katër vjetët e ardhshëm të ulesh mbi plagët që i ke shkaktuar vetes, duke duruar dhimbjen e madhe. Kur ta djegësh votën tënde duhet ta dish se ish-presidenti amerikan, Lindon B. Johnson ka thënë: “Një njeri pa votë, është një njeri pa mbrojtje”. Këtë që thotë Johnson, ti i dashur votëshitës ndoshta e ke më të vështirë ta kuptosh se sentencat e para. Por sipas kësaj që thotë Johnson, munguar ia ke dhënë mbrojtjen tënde atij që do ta përdorë pushtetin për qejfet e tij.
Kur ta humbësh votën tënde duhet ta dish se një tjetër ish-president i famshëm amerikan, Franklin D. Roosevelt ka thënë: “Askush nuk do të mund ta privojë kurrë popullin amerikan nga e drejta e votës, përveç vetë popullit amerikan, dhe mënyra se si mund ta bëjë këtë është duke mos votuar”. Kjo shprehje duket se është një përmbledhje e të gjitha sentencave të mësipërme, të thëna nga paraardhësit dhe pasardhësit e Franklin D. Roosevelt. Domethënë se populli amerikan duke mos dashur të bëjë vetëvrasje ditën e zgjedhjeve, as të djegë të pasmet në zjarrin që do të ketë ndezur vetë, as të mbetet pa mbrojtje, nuk e fal për asgjë në botë të drejtën e votës dhe ushtrimin e lirë e të përgjegjshëm të saj. Kur ta shesësh votën tënde, pastaj nuk të mbetet veçse të aplikosh për lotarinë amerikane, që të shkosh të jetosh në vendin që është bërë i begatë në sajë të përgjegjshmërisë së qytetarëve të tij për votën, të qytetarëve të tij të edukuar me sentenca si ato që kam thënë më lart. Por, nëse nuk fiton në këtë lotari dhe dihet se pjesa më e madhe nuk fitojnë, nuk të mbetet veçse të mendosh për të rregulluar vendin tënd, dhe kjo gjë nis që nga vota jote.

Filed Under: ESSE Tagged With: Ndricim Kulla

Presidentja Osmani realizoi takime në Kongresin amerikan

May 11, 2023 by s p



Në prag të vizitës në Universitetin e Harvardit në Boston, me ç’rast Presidentja Osmani është ftuar të jetë folëse kryesore në konferencën ndërkombëtare ‘Global Empowerment Meeting’, ajo ka realizuar një sërë takimesh në Kongresin amerikan.Gjatë qëndrimit njëditor në Washington D.C. Presidentja Osmani është takuar me  senatorin Chuck Schumer, senatorin Christopher Murphy, senatorin Ben Cardin, senatorin Marco Rubio,  senatorin Steve Daines, kongresistin Steve Scalise, kongresisten Veronica Escobar, kongresistin Gary Palmer, si dhe në vijim do të takojë kongresisten Dina Titus.Në të gjitha këto takime, Presidentja Osmani ka folur për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon, me fokus të veçantë në zhvillimet në fushën e sigurisë. Ajo ka potencuar vazhdimisht rëndësinë e integrimit të Republikës së Kosovës në institucionet euroatlantike, duke theksuar se kjo do të kontribuonte drejtpërdrejt që të ketë gjithnjë e më shumë siguri dhe stabilitet në rajonin tonë dhe përtej. Ajo ka vlerësuar kontributin e jashtëzakonshëm të Kongresit për forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit tonë, duke theksuar se tashmë është krijuar një momentum i ri për zhvillime të reja në këtë drejtim.Në frymën e raporteve historike të shkëlqyera me SHBA-të, Presidentja Osmani i ka falënderuar miqtë e Kosovës në Kongresin amerikan, duke përcjellur edhe mirënjohjen e qytetarëve të Kosovës për mbështetjen e tyre për vendin tonë ndër vite. Në këtë drejtim, ajo ka theksuar rëndësinë e forcimit të partneritetit me aleatin kryesor të Kosovës edhe përmes Dialogut Strategjik, iniciativë kjo e dorëzuar nga Presidentja Osmani në fillim të vitit të kaluar.Në takime është folur po ashtu për zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë, me ç’rast Presidentja Osmani ka ritheksuar se Kosova vazhdon të jetë konstruktive, ndërkaq ka potencuar shkeljet e vazhdueshme të Serbisë në këtë proces, duke shprehur shqetësimin për mungesën e gatishmërisë për zbatim të marrëveshjes nga ana e tyre. 

Filed Under: Featured

Panair me stampë shqiptare në rrugën Gjergj Kastriot Skënderbeu, Bronx, New York

May 11, 2023 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Mijëra shqiptarë u mblodhën së bashku në Panairin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” e organizuar nga z. Mark Gjonaj “Nderi i Kombit” në bashkëpunim me z. Aleksander Nilaj President i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Open Hands”, drejtues të stafit si znj. Vera Mjeku akiviste e shquar dhe dhjetra organizata shqiptare që ndihmuan vullnetarisht këtë organizim madhështor.

Natyrshëm ndihem krenare për pjesëmarrjen aktive vullnetarisht si media me TV dhe gjithë shkollat Shqipe “Alba Life” në New York dhe në Online.

Prezantuesit si Mary Camaj, Jorinda Gocaj dhe Ardhmir Malziu kane sjellë në skenë dhjetra artistë, politikanë, nxënës shkollash për koncertin madhështor që u organizua në nderim të Kryeheroit Kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu”.  

Me emocione u mirëpritën punonjësit e polisicë së NY-ut, “NYPD Illyrian Society of Law Enforcement Officers” dhe kalorësit krenar që parakalonin pranë mijëra pjesëmarrësve.  

Ceremonia u hap me interpretimin e dy himneve amerikane dhe shqiptare interpretuar nga Fiorela Miria dhe Ilsi Ademi. 

Në këtë program të pasur debutuan mjeshtërisht midis shumë pjesëmarrësve si:  

Shkolla Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, Qendra kulturore Shqiptare Amerikane “Struga”, Ansambli Folklorik Autokton Rugova, Barbana, Nora e Kelmendit, Rozafati dhe shumë të tjerë.  

Në këtë ceremoni morën pjesë personalitete të shquara të artit si top modelja e famshme në Amerikë, znj. Emina Çunmulaj, fotografi me famë botërore Fadil Berisha, Humanisti i madh 

Dr. Bari Ceka, znj. Vasfije Krasniqi Goodman e cila eshtë dëshmitare direkte e përdhunimit seksual.  Zonja Vasfije Krasniqi Goodman deputete në Parlamentin e Kosovës është e mbijetuara e dhunës dhe e para grua që dëshmoi para botës se ishte viktimë e dhunës seksuale nga kriminelët serbë dhe genocidi serb.

Artistë të shquar si Gëzim Nika Mjeshtër i Madh, Arian dhe Dea Kërliu, Valbona Peraj, Hajro Ceka, Vedat Ademi, Dionis Delia, Nik Carku e shumë të tjerë si dhe DJ Edi argëtuan me plot profesionalizëm dhe kulturë pjesëmarrësit. 

Nderoi me pjesëmarrjen e tij Udhëheqës i Shumicës së Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës z. Chuck Shumer, Senatore e shtetit të Nju Jorkut znj. Natalia Fernandez, Ansambleisti z. John Zaccaro, Komisionere e Çështjeve Kulturore të NYC znj. Laurie Cumbo e shumë të tjerë.

Fëmijët u argëtuan me lodra të ndryshme sjellë dhe organizuar perfekt për këtë ditë të rëndësishme kombëtare.

Duke ecur në këtë udhë të ndritur të Panairit midis shumë veshjeve, asortimenteve ushqimore, kinkalerive, lodrave, bizhuterive, punimeve me dorë,  binte në sy Përkrenarja e Skënderbeut.

Cfare shkëlqimi kishte marrë rruga!  Ja, e mora e vura në kokë dhe një zë tmerrues osman më gjëmonte veshët: Ai ishte Sulltan Mehmeti II, sundimtari i Perandorisë Osmane që pushtoi tokat Arbërore i cili ka thënë, kur vdiq Gjergj i madh se:  “Kurrë s’ka për të dalë më mbi tokë një Luan i tillë!”

Ishte njëFestival shqiptar, kuq e zi, me ngjyra të larmishme, që ka si qëllim të promovojë historinë, kulturën dhe traditat e mrekullueshme shqiptare.

Pjesëmarrësit me aparate në dorë shkrap e shkrup bënin foto në Rrugën me emrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” emër që i ka bërë dhe do t’i bëjë krenar përjetësisht, ngase ai luftoi dhe fitoi për 25 vjet rresht kundër turqve.  

Duke qenë në Atdheun e dytë në Amerikë nuk ka se si të mos më kujtohen nga historia trimeritë e pashoqe të tij sjellë plot art dhe histori nga poeti i shquar amerikan Henry Wadsworth Longfellow i cili shkruan:  Nga kështjella shpejt ka rënë/ Flamuri me gjysmë-hënë/ Edhe populli shikon/ Që në vënt të tij valon/ Flamur’ i Skënderit n’erë/ Shkab’ e zezë me dy krerë…

Përkthyer nga Fan Noli.

Panairi u mbajt, më 7 maj 2023 nga ora 12:00 deri 18:00 mbasdite në Arthur Ave & Crescent Ave Bronx, NY.

Uroj që  Panairi me emrin e Kryeheroit Gjergj Kastrioti Skënderbeu të vazhdojë 

përjetësisht!

7 Maj, 2023

Bronx, New York

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1881
  • 1882
  • 1883
  • 1884
  • 1885
  • …
  • 2982
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT
  • NJË KUJTIM PËR PROFESOR FEHMI AGANIN
  • Kujtojmë në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin arbëresh të Italisë, Lekë Matrënga
  • Albanian Roots Parade, Saturday, June 20
  • DEBATI NË WASHINGTON — PSE FINANCOHET SHOQËRIA CIVILE JASHTË VENDIT?
  • Qyteti 2400-vjeçar që i përket njerëzimit – pasuri e UNESCO-s
  • Skënderbeu në medaljonin e vendosur në pullën e parë postare shqiptare, më 1 dhjetor 1913
  • Ervin Toro: “National Albanian Registry”, një investim në identitetin, fuqinë dhe të ardhmen e komunitetit shqiptar në Amerikë
  • Dualiteti juridik dhe kriza strukturore e barazisë në Maqedoninë e Veriut
  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT