• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dënimi i gazetarëve me “riedukim”, 6 organizata ndërkombëtare letër ankese kryeministrit: Masa arbitrare nga Edi Rama! S’ka sanksione ndaj medias

July 6, 2022 by s p

GAZETA PANORAMA/

Gjashtë organizata ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e gazetarëve kanë reaguar me anë të nje letre drejtuar kryeministrit Edi Rama, dhe për dijeni përfaqësuesve për mbrojtjen e të drejtave dhe lirinë e mediave, OSBE, BE dhe ambasadave pas vendimit të kreut të qeverisë shqiptare për të dënuar me riedukim përfaqësuesit e medias që i bëjnë pyetje të cilat nuk i pëlqejnë.

Në letrën e organizatave shprehet shqetësim për vendimet e kryeministrit shqiptar, i cili ka dënuar në mënyrë arbitrare një gazetar që ngriti dyshime mbi zbatimin e kodit të ri të etikës së minsitrave dhe konfliktin e mundshëm të interesit për rastin e Olta Xhacckës dhe bashkëshortit të saj, i cili ka marrë statusin e Investitorit Strategjik.

“Në këndvështrimin tonë, në Shqipëri nuk ekziston asnjë sanksion administrativ zyrtar që lejon që gazetarët të ndalohen në mënyrë të njëanshme të marrin pjesë në konferencat e shtypit të qeverisë nga politikanë individualisht, apo edhe ata që mbajnë poste ekzekutive. Prandaj mendojmë se masat e vendosura si ndaj Klevin Mukës ashtu edhe ndaj Ambrioza Metës ishin arbitrare dhe të pajustifikuara.

Në një shoqëri demokratike, nuk është roli i zyrtarëve të zgjedhur që të vendosin personalisht masa disiplinore ndaj gazetarëve si individ mbi ato që ata konsiderojnë – me të drejtë ose jo – si shkelje të pretenduara të etikës. Ndaj ju bëjmë thirrje që të hiqni menjëherë kufizimin ndaj Klevin Mukës dhe të përmbaheni nga vendosja e masave të tilla ndaj të gjithë anëtarëve të shtypit në të ardhmen.

Organizatat tona besojnë fort në profesionalizmin dhe integritetin e profesionit të gazetarit, për të cilin janë duke u zhvilluar nisma të rëndësishme në Shqipëri. Megjithatë, respektimi i etikës dhe standardeve gazetareske duhet të respektohet dhe trajtohet nga brenda vetë komunitetit gazetaresk, në vend që të imponohet nga forcat politike”, theksohet në letrën e organizatave ndërkombëtare.

Per dijeni:

Endri Fuga Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Medias dhe Informacionit

Teresa Ribeiro Përfaqësues i OSBE-së për Lirinë e Medias

Olivér Várhelyi Komisioner i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin

Alexis Hupin i Ngarkuari me Punë në Delegacionin e BE-së në Shqipëri,

Dunja Mijatovic Komisionere e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut

Yuri Kim Ambasadore e SHBA-së në Republikën e Shqipërisë

Lënda: Letër e hapur, Kryeministrit Edi Rama nga grupet ndërkombëtare për lirinë e shtypit për vendimin mbi ndalimin e gazetarëve nga konferencat për shtyp

**

I nderuar  Kryeministër Rama,

Organizatat e nënshkruara për lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes po ju shkruajnë për të shprehur shqetësimin tonë për vendimin tuaj të fundit për të ndaluar në mënyrë të njëanshme pjesëmarrjen e gazetarëve në konferencat e shtypit të qeverisë dhe për të kërkuar që ata t’i nënshtrohen “riedukimit” pasi ata drejtuan pyetje sfiduese për çështje me interes publik.

Organizatat tona janë të shqetësuara se këto kufizime arbitrare ndikojnë seriozisht në aftësinë e shtypit për të kryer rolin e tyre mbikëqyrës dhe për të kërkuar përgjigje për çështje sfiduese. Ato janë gjithashtu emblematike e problemeve më të thella në lidhje me aksesin në informacion për gazetarët dhe pengimin e gazetarisë së lirë dhe të pavarur në Shqipëri, e cila renditet e 103-ta në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit të RSF-së, duke rënë çdo vit me 20 vende.

Kemi vëmë re se gjatë një konference të përbashkët për shtyp me ministren e Jashtme Olta Xhaçka, më 1 korrik 2022, ju iu përgjigjët pyetjeve të gazetarit Klevin Muka të stacionit A2 degë CNN, duke i thënë se kishte shkelur kodin e etikës gazetareske dhe se ai duhej t’i nënshtrohej tre muajsh “riedukimit” përpara se të ishte i mirëpritur në konferencat e rradhës për shtyp.

Në vlerësimin tonë, pyetjet e zotit Muka përfshinin një çështje legjitime me interes publik mbi Kodin e Etikës të Këshillit të Ministrave të sapokrijuar dhe konflikte të mundshme interesi që përfshijnë ministren në fjalë, dhe për këtë arsye justifikonin një përgjigje. Në vend të kësaj, ai tani përballet me një ndalim arbitrar prej tre muajsh nga konferencat për shtyp, gjë që do të ndikojë seriozisht në aftësinë e tij për të kryer siç duhet detyrat e tij profesionale.

Me shqetësim, theksojmë se kjo nuk është hera e parë që një gazetar përballet me një kufizim të tillë. Gjatë një konference për shtyp jashtë selisë së Partisë Socialiste në mars 2022, ju i keni thënë gazetares së TV Syri.net, Ambrioza Meta se ajo kishte nevojë për “riedukim” dhe u ndalua nga konferencat për shtyp për 60 ditë, pasi ajo bëri pyetje me interes publik për arrestimin e një deputeti të Partisë Socialiste dhe një rast korrupsioni të lidhur me inceneratorët.

Në këndvështrimin tonë, në Shqipëri nuk ekziston asnjë sanksion administrativ zyrtar që lejon që gazetarët të ndalohen në mënyrë të njëanshme të marrin pjesë në konferencat e shtypit të qeverisë nga politikanë individualisht, apo edhe ata që mbajnë poste ekzekutive. Prandaj mendojmë se masat e vendosura si ndaj Klevin Mukës ashtu edhe ndaj Ambrioza Metës ishin arbitrare dhe të pajustifikuara.

Në një shoqëri demokratike, nuk është roli i zyrtarëve të zgjedhur që të vendosin personalisht masa disiplinore ndaj gazetarëve si individ mbi ato që ata konsiderojnë – me të drejtë ose jo – si shkelje të pretenduara të etikës. Ndaj ju bëjmë thirrje që të hiqni menjëherë kufizimin ndaj Klevin Mukës dhe të përmbaheni nga vendosja e masave të tilla ndaj të gjithë anëtarëve të shtypit në të ardhmen.

Organizatat tona besojnë fort në profesionalizmin dhe integritetin e profesionit të gazetarit, për të cilin janë duke u zhvilluar nisma të rëndësishme në Shqipëri. Megjithatë, respektimi i etikës dhe standardeve gazetareske duhet të respektohet dhe trajtohet nga brenda vetë komunitetit gazetaresk, në vend që të imponohet nga forcat politike.

Për më tepër, ne i shohim këto kufizime si ilustruese të problemeve më të gjera në lidhje me aksesin në informacion për gazetarët dhe lirinë e medias në Shqipëri, çështje për të cilat organizatat tona kanë ngritur vazhdimisht shqetësime. Vëmë re gjithashtu protestën e organizuar nga gazetarët në Tiranë më 4 korrik 2022, e cila kritikoi kufizimin  emblematik të përpjekjeve më të gjera të forcave politike për të diktuar se çfarë pyetjesh mund dhe nuk mund të bëhen nga gazetarët në konferencat për shtyp.

Shpresojmë që kjo situatë të përmirësohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Duke ecur përpara, organizatat tona do të vazhdojnë gjithashtu të monitorojnë situatën për lirinë e medias në Shqipëri dhe të nxisin masat që mbështesin një klimë më të mirë për mediat e pavarura dhe vëzhguese.

Ne mbetemi në pritje të përgjigjes tuaj dhe mirëpresim çdo mundësi për diskutim të mëtejshëm.

*Nënshkruar:

Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF)

Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ)

Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI)

OBC Transeuropa (OBCT)

Reporterët pa Kufij (RSF)

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt (SJN)*

Filed Under: Kronike

YLLI KOLONJA, NJERIU DHE PROFESORI UNIK

July 6, 2022 by s p

Ing. Bledi Stefa/

Pedagogjia e Prof. Kolonjes eshte unikale. E pakrahasueshme e mbi te gjitha e demonstruar me levizjet karakteristike te Prof. Yllit e shoqeruar kjo edhe nga zeri i tij i veçante. Nuk ka rendesi nese ishe ulur ne banken e pare apo te fundit, ne sallen e leksionit. Interpretimin artistik e profesional te leksioneve te Prof. Yllit do ta merrnin njesoj te gjithe studentet. Menyra e shpjegimit te tij ndikonte ne dy karakteristika shume te rendesishme. E para Prof. Ylli çfaredo lloj leksioni te veshtire te shpjegonte, studenteve do t’ju mbetej patjeter diçka e vlefshme apo diçka qe; edhe pa i hapur fare librat, ti mund te ishe ne gjendje te riprodhoje leksionin e tij. Se dyti, salla e leksioneve me Prof. Yllin ishte perhere plote. Studentet vinin dhe e degjonin me shume zell menyren se si shpjegonte dhe duhet te kishin nje arsye te forte te mungonin gjate leksioneve te tij. Keto dy karakteristika por jo vetem, do ta rendisin Prof. Ylli Kolonjen nje nder pedagoget me te shquar te Universitetit Politeknik Shqiptar.

Pr. As. Dr. Yli Kolonja, i ditëlindjes 11. 08. 1937, kryen studimet në Universitetin e Tiranës, pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, Dega Gjeodezi. Formimi profesional dhe aktiviteti i tij fillon menjëherë pas diplomimit në vitin 1962. Fillimisht ka punuar pranë Ndërmarrjes Shtetërore të Ndërtimit Nr. 2 Berat, duke mbajtur pozicionin e Kryetarit të Degës Teknike. Më pas, në vitin 1968 ushtroi detyrën e Përgjegjësit të Sektorit të Topografisë  pranë Institutit të Studimeve dhe Projektimeve të Bonifikimeve, në Ministrinë e Ndërtimit.

Prof. Kolonja vjen nga një karrierë e gjatë pedagogjike. Në vitin 1971 fillon të ushtrojë detyrën e pedagogut në Universitetin Politeknik të Tiranës, lektor në lëndën “Gjeodezia Inxhinierike” në Degën e Gjeodezisë. Në vitet 1988-1992 ushtroi detyrën e Përgjegjësit të Katedrës së Gjeodezisë Inxhinierike, ku në vitin 1990 do të ushtronte edhe detyrën e Zëvendës Dekanit të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit. Karriera profesionale e Prof. Yllit vazhdon edhe në vitin 2005 si drejtues i punimeve Topografiko-Gjeodezike në ndërtimin e Terminalit të Ri, në Aeroportin “Nënë Tereza” Tiranë. Në një periudhë të gjatë kohe drejton Shoqatën e Gjeodetëve të Shqipërisë duke dhënë një kontribut shumë të vlefshëm për të. Largohet me dëshirën e tij nga drejtimi i SHGJSH-së në vitin 2010. Veprimtaria Shkencore e Prof. Ylli Kolonjës rendit një numër të kosiderueshëm botimesh universitare. Në vitin 1982 boton librin “Gjeodezia” (ushtrime) i cili do të pasohet me tre botime të tjera me tituj “Gjeodezia Inxhinierike I, II dhe III”.  Ndër të tjera, gjënden botime dhe artikuj të ndryshëm profesional të cilët, u kanë shërbyer dhe ju shërbejnë brezave të studentëve të Gjeodezisë dhe degëve të tjera.

Kualifikimet dhe vizitat e punës si brënda ashtu edhe jashtë Shqipërisë, janë për tu admiruar. Nisin me kualifikimin pranë Universitetit Politeknik të Torinos. Vizita punë në Institutin Mbretëror të Teknologjisë në Melbourn, Australi, Universitetin Teknik të Athinës, Universitetin Teknik të Vienës si dhe vizita të ndryshme punë në Kosovë, Maqedoni etj. Në vitin 1985, me vendimin Nr. 125 merr Gradën Shkencore “Doktor i Shkencave” dhe që prej vitin 1994 gëzon Titullin Shkencor,” Profesor i Asocuar”. Prof. Ylli Kolonja ka marr pjesë në një numër të madh studimesh dhe projektimesh në fushën e Gjeodezisë dhe Topografisë. Sot, Prof. Kolonja, me plot gojën mund të kosiderohet si një ndër personat me kontribut mjaft të gjërë në Inxhinieri i cili, u dha dije, jo vetëm brezave të tërë studentësh por edhe Kombit Shqipëtar.

Drejtimi i Shoqatës së Gjeodetëve të Shqipërisë, nga Prof. Ylli Kolonja ka një vlerë të madhe përsa i përket rifreskimit të bazës juridike si Akti i Themelimit, Statuti dhe Regjistrimi në organet kompetente të Shtetit Shqiptar. Ai së bashku edhe me kolegë të tjerë hodhën themelet e grupimit më të madh profesional nën emrin Shoqata e Gjeodetëve të Shqipërisë. Në bazë të statutit gëzon titullin më të lartë, si një ndër anëtarët themelues të këtij grupimi inxhinieresh.

Filed Under: Komente Tagged With: BLEDI STEFA, Ylli kolonja

E DJATHTA DHE E MAJTA – VËSHTRIM TEORIK 

July 6, 2022 by s p

Prof. Xhelal Zejneli

Edhe e djathta edhe e majta, secila në anën e vet, tubojnë parti dhe lëvizje politike të ngjashme. Të djathtën rëndom e përbëjnë konservatorët, ruajalistët dhe monarkistët (ithtarët e rendit monarkist dhe të pushtetit mbretëror të pakufizuar), pastaj lëvizjet e ndryshme nacionaliste, fashiste, shoviniste dhe lëvizjet e tjera të ngjashme. 

Të djathtën e përbëjnë reformistët (ithtarët e reformave në shoqëri), liberalët, demokratët, socialistët, socialdemokratët etj. 

Në shtetet parlamentare dhe demokratike, pushteti vendoset në zgjedhjet e lira, në të cilat marrin pjesë partitë politike me orientime të ndryshme: që nga e djathta ekstreme, nëpër qendër, deri te e majta ekstreme.  

Si lindën këto nocione të cilat kryesisht shkojnë bashkë, si një çift kundërshtues domethënës. Nocioni e djathta rrjedh nga përvoja politike franceze e fillimit të shekullit XIX. Në periudhën e restaurimit (1814-1830), pas rënies përfundimtare të Napoleonit I (Napoleon Bonaparte, 1769-1821), perandor më 1804-1814 dhe më 1815 – forcat politike në Francë ashpërsisht ishin të ndara në liberalë, në një anë dhe në konservatorë e monarkistë, në anën tjetër. Në sallën e kuvendit, liberalët uleshin në anën e majtë të karriges së kryetarit (nga perspektiva e kryesuesit), ndërsa konservatorët dhe monarkistët, në të djathtë të tij. Në bazë të kësaj, të parët u quajtën e majta, ndërsa të dytët, e djathta. Me kalimin e kohës, këto nocione u përdorën edhe për të gjitha forcat politike të tjera me orientim të njëjtë. Sot, në shtetet parlamentare ekzistojnë e djathta dhe e majta, pavarësisht nga fakti nëse në sallën e kuvendit, deputetët e tyre ulen në anën e djathtë apo në anën e majtë. 

Pjesëtarët e të djathtës quhen djathtistë, ndërsa të së majtës – majtistë. Këto nocione ekzistojnë në shumë gjuhë: Në gjuhën angleze, djathtist: rightist; në frëngjisht: homme de droite, në gjermanisht: Rechtsstehenden. Në gjuhën angleze, majtist: leftist; frëngjisht: homme de gauche; në gjermanisht: Linksstehenden. Djathtistë dhe majtistë ka në tërë botën.

Prej fjalës e djathta rrjedhin edhe fjalët djathtizëm, djathtist, djathtiste. Prej fjalës e majta rrjedhin fjalët majtist, majtizëm, majtiste.       

E DJATHTA POLITIKE

E djathta politike është një sintagmë me të cilën në jetën politike të përtashme shënohen kryesisht rrymat konservatore brenda spektrit politik.    

E djathta politike niset nga dallimet e individëve, kështu që mbështet ose e pranon hierarkinë shoqërore. Rrjedhimisht konsideron se pabarazia rezulton si e pashmangshme, e natyrshme, normale dhe e dëshirueshme. Dallohen qëndrime:

– të së djathtës klasike e cila i konsideron të arsyeshme dallimet midis njerëzve në bazë të trashëgimisë dhe të traditës familjare; dhe

– të së djathtës liberale sipas së cilës pabarazia është e arsyeshme po qe se është rezultat i garës së ndershme në treg.

Blloku i djathtë i partive politike përfshin një paletë të gjerë në të cilën bëjnë pjesë: partitë monarkiste, aristokrate, teokratike, reaksionare dhe kundërrevolucionare. E djathta ekstreme përfshin edhe fashizmin apo nacional-socializmin, përkatësisht nazizmin. Mirëpo, në ideologjinë e fashizmit ka elemente të së majtës dhe të së djathtës.  

Në kohën moderne, të djathtës politike i përkasin edhe partitë të cilat mbështesin tregun e lirë apo ekonominë e tregut. 

Historia e nocionit – Në zhargonin politik, antipod i së djathtës politike është e majta politike. Në fillim, nocioni e djathta politike kishte të bënte me pozitën e ulëseve në parlament gjatë monarkisë së korrikut në Francë, pas revolucionit të korrikut të vitit 1830.    

Përpos të majtës politike dhe të djathtës politike, dallojmë edhe politikën e qendrës dhe qendrën e djathtë.

*   *   *

E DJATHTA

Krahu i djathtë, e djathta politike apo e djathta – është nocion politik që ka të bëjë me orientimin i majtë – i djathtë. Me fjalë të tjera, e djathta është orientim që është e kundërta e së majtës. Ekziston një numër i madh përkufizimesh. Me të njëjtën fjalë në politikë mund të emërtohen shumë gjëra. Megjithëkëtë, kryesisht përdoret për sqarimin e segmenteve të sektorit politik të cilat shpeshherë njëjtësohen me shkallë të caktuar të konservatorizmit, me konservatorizmin amerikan, me monarkizmin, me fashizmin, me liberalizmin djathtist, me anarko-kapitalizmin, me paleo-liberalizmin, me neoliberalizmin, me reakcionizmin, me tradicionalizmin, me ruajalizmin, me të djathtën religjioze, me nacionalizmin, me militarizmin, me producerizmin, me nativizmin, me realizmin.

Nocioni lindi në kohën e Revolucionit francez, kur liberalët e rendit të tretë të qytetarëve uleshin në anën e majtë të kolltukut të kryetarit, shprehi kjo që kishte filluar në vitin 1789. Anëtarët e rendit të dytë, bujaria apo fisnikët, uleshin në të djathtë. Në kuvendet legjislative të mëvonshme, monarkistët të cilët e mbështetnin regjimin e vjetër u quajtën djathtistë për arsye se uleshin në anën e djathtë.

Edhe sot është traditë në Kuvendin Popullor të Francës që deputetët të ulen në të majtë dhe në të djathtë të kryetarit, sipas orientimit politik të tyre.

Kur prejardhja e këtij termi u zbeh, domethënia e tij ndryshoi, duke shënuar orientimin e dikujt sipas ideve, qëndrimeve dhe pikëpamjeve. Sot ky term pothuajse gjithmonë nënkupton forma të caktuara të konservatorizmit.

Ka të tillë që thonë se e djathta politike i përfshin ato forma të liberalizmit që e mbështesin tregun e lirë më shumë se barazinë e pasurisë. Por ka edhe të tillë që thonë se kanë spektër politik dydimensional që i përshkruan më mirë pikëpamjet e tyre. 

Shumë anarkistë, duke përfshirë edhe liberal-socialistët, po ashtu nuk parapëlqejnë t’i paraqesin pikëpamjet e veta, me spektër politik klasik.  

*   *   *

QENDRA E DJATHTË

Qendra e djathtë në politikë dhe në teorinë politike shënon ideologjitë, lëvizjet dhe partitë të cilat për nga përcaktimet themelore të tyre i përkasin të djathtës, por për nga mënyra e realizimit të atyre qëllimeve apo pjesërisht edhe të programeve të tyre, i takojnë qendrës. Në platformat e veta kanë shumë përmbajtje të majta, ndaj nuk mund të konsiderohen të djathtë.

Partitë apo opsionet politike që konsiderohen qendër e djathtë shpesh synojnë të gjejnë kompromis midis ideologjisë konservatore dhe asaj liberale. Janë të rralla përpjekjet që nëpërmjet qendrës së djathtë të pajtohen konservatorizmi dhe socializmi, për arsye se socialistët më së shpeshti lidhen me qendrën e majtë. Në anën tjetër, në shumë shtete, e sidomos në Evropë, opsionet e qendrës së djathtë më së shpeshti lidhen me partitë demokratike krishtere. 

Nocioni i qendrës së djathtë shpesh përdoret edhe për të përshkruar qeverinë e koalicionit të përbërë prej partive të së djathtës dhe të qendrës.           

*   *   *

E MAJTA POLITIKE  

E majta është nocion i përgjithshëm me të cilin shënohen lëvizjet politike, partitë politike dhe idetë politike që i përkasin spektrit politik të së majtës. 

Qëllimet e përgjithshme të së majtës rëndom janë barazia shoqërore, egalitarizmi (barazimtarizmi), të drejtat e punëtorëve dhe demokratizimi, me theks të shpeshtë kundër hierarkive jovolontere. Në mënyrë tipike mbështet kujdesin për grupet e shtypura përballë të tjerëve në shoqëri, nëpërmjet zbutjes dhe zgjidhjes së pabarazive të padrejta. 

Termat e majta dhe e djathta lindin gjatë Revolucionit francez (1789-1799) dhe kanë të bëjnë me ndarjen e ulëseve në Kuvendin e shtresave të përgjithshme. Ata që ishin ulur në anën e majtë, republikanët, i kundërviheshin monarkisë dhe mbështetnin revolucionin, duke përfshirë edhe formimin e republikës, ndërsa të ulurit në anën e djathtë, mbështetnin institucionet tradicionale të Ancien Régime (Regjimit të vjetër).

Termi e majta përdoret për shumë lëvizje, sidomos për ato të cilat gjatë Revolucionit francez ishin për republikë; për pranverat e popujve, për socializëm, që përfshin anarkizmin, marksizmin, socialdemokracinë dhe shumë teori të tjera të shekullit XIX dhe XX. 

Që atëherë, e majta përfshin një spektër të gjerë lëvizjesh dhe idesh, përfshi edhe lëvizjet për të drejta qytetare, lëvizjet feministë, manifestimet kundër luftës dhe environmentalizmin dhe një sërë partish politike. 

Ekonomisti amerikan, profesor në University of Wisconsin-La Crosse, ShBA, Beri Klerk (Barry Clark) thotë: “Të majtët konsiderojnë se zhvillimi njerëzor përparon kur individët përfshihen në marrëdhënie kooperative, të dakorduara ndër vete që gufojnë vetëm kur eliminohen dallimet e mëdha në statusin social, në forcë dhe në pasuri”.

Karakteristikat e të majtës bashkëkohore dhe të së majtës së re për zvogëlimin e padrejtësive që i krijon kapitalizmi ekonomik:

– Në rrafshin e ndërmarrjeve kjo do të thotë zhvillim të mekanizmave të demokracisë në vendin e punës;

– Në rrafshin e ekonomisë kjo do të thotë zhvillim të bashkërendimit shoqëror dhe demokratik, në vend të prodhimit të verbët tregu;

– Në rrafshin e institucioneve shtetërore kjo do të thotë përhapjen e llojit përfaqësues të demokracisë me mekanizma të demokracisë së drejtpërdrejtë (p. sh. llogaritja e participimit, shkarkimi i përfaqësuesve dhe i krye-bashkiakëve, etj.);  

 – Në rrafshin shoqëror kjo do të thotë luftë kundër çdo forme të nënshtrimit dhe të shfrytëzimit, sidomos luftë kundër diskriminimit mbi baza racore, gjinie, orientimi seksual, përcaktimi kombëtar dhe etnik, pikëpamjesh mbi botën, hendikepi, përkatësie bashkësisë minoritare etj.;

– Lidhur me mjedisin kjo do të thotë harmonizimin e ekonomisë në përputhje me aftësitë mbartëse dhe ripërtëritëse të mjedisit, duke vënien në përdorim të teknologjive ekologjikisht të pranueshme. 

*   *   *

Ithtarët e të majtës bashkëkohore dhe të së majtës së re angazhohen për internacionalizëm, për zvogëlimin dhe kapërcimin e padrejtësive që i krijon kapitalizmi botëror, kështu që lidhen me lëvizjet dhe me partitë përparimtare të mbarë botës. Lufta përfshin lëvizjen antikapitaliste botërore, të përbërë nga lëvizje të ndryshme punëtore dhe sindikale, nga lëvizjet për të drejta dhe liri të njeriut dhe të pakicave, nga partitë, organizatat dhe individët majtistë bashkëkohorë.

Lëvizjet përparimtare rëndom organizohen në dy mënyra. Organizohen si parti të cilat dëshirojnë të fitojnë pushtet politik demokratik dhe të veprojnë si pushtet kundër sistemit, por edhe si lëvizje që luftojnë për tejkalimin e sistemit pa pasur dëshirë për të marrë pushtet politik. 

Që të dyja strategjitë janë të rëndësishme: Ata që veprojnë prej poshtë dhe i tejkalojnë marrëdhëniet shoqërore të deritashme dhe ata të cilët në hapësirën politike formale, i ndërrojnë politikat nga lartë. 

Termi e majta bashkëkohore, e majta e re ose e majta demokratike përdoret edhe si sinonim për lëvizjet, për organizatat dhe për partitë socialiste që e kundërshtojnë autoritarizmin dhe neomarksizmin, ndaj cilësori “demokratik-e” përdoret për t’i dalluar majtistët demokratikë nga bolshevizmi i shekullit XX dhe nga modeli marksist-leninist i ndërtimit të socializmit, që konsiderohet jodemokratik dhe autoritar dhe shtrembërim i idesë fisnike të drejtësisë sociale. 

Karakteristikat parimore të së majtës bashkëkohore dhe të së majtës së re janë: për demokraci dhe kundër autoritarizmit; kapitalizmit dhe militarizmit; për shekullarizëm dhe kundër klerikalizmit; për internacionalizëm  dhe kundër nacionalizmit.                       

*   *   *

QENDRA E MAJTË 

Qendra e majtë, qendra-e majta apo e majta e moderuar, në teorinë politike është emërtim për pozicionin në spektrin politik. Shënon idetë politike, partitë politike dhe lëvizjet politike të cilat për nga përcaktimet programore themelore të tyre i përkasin të majtës politike, por në platformat praktike të tyre kanë mjaft përmbajtje kompromisi gjë që i afron me   politikën e qendrës. Për këtë arsye nuk mund të quhen e majtë politike në kuptimin klasik. Partitë dhe organizatat politike të cilat konsiderohen qendër e majtë, në programet e veta  më së shpeshtë synojnë të gjejnë kompromis midis përmbajtjeve pragmatike dhe me përgjegjësi sociale. Prej tyre, më të njohura janë partitë, organizatat dhe lëvizjet me orientim socialdemokrat, të cilat më së shpeshti quhen qendër e majtë. Nocioni i qendrës së majtë shpesh përdoret edhe për të përshkruar koalicionet e përbëra prej partive të së majtës dhe të qendrës. 

Në spektrin politik, qendra e majtë paraqet të majtën të kthyer kah pragmatizmi politik. Politika pragmatike e qendrës së majtë fokusohet vetëm në programin minimal me të cilin në kuadër të institucioneve të demokracisë përfaqësuese, parlamentare dhe të ekonomisë kapitaliste të tregut synon të zbatojë ndryshim të pjesshëm nëpërmjet rolit ekonomik aktiv të sektorit publik, të institucioneve dhe të shërbimeve publike të cilat do të duhej të punon për zbutjen e padrejtësive që i shkakton modeli liberal, i parregulluar i kapitalizmit. Realizimi praktik i një ndryshimi të tillë të pjesshëm në kuadër të institucioneve të demokracisë parlamentare dhe të ekonomisë kapitaliste të tregut, rëndom quhet shtet me përgjegjësi sociale apo shtet i mirëqenies. Në lëvizjen majtiste bashkëkohore, qendra e majtë konsiderohet rrymë e moderuar. 

Karakteristikat e qendrës së majtë: 

– Realizimi, respektimi, mbrojtja dhe përparimi i të drejtave dhe i lirive themelore të njeriut, pa diskriminim mbi çfarëdo baze qoftë, siç janë: raca, ngjyra e lëkurës, prejardhja shoqërore, prejardhja kombëtare, përkatësia etnike, lidhja me popullin pakicë apo me bashkësinë pakicë, gjuha, përkatësia apo bindja fetare, mendimi politik apo ndonjë mendim tjetër – ndryshe, anëtarësimi në organizatë politike, sindikale apo në ndonjë organizatë tjetër, gjinia, identiteti i lindjes, orientimi seksual, karakteristikat gjinore, statusi martesor apo familjar, lindja, mosha, statusi shoqëror, gjendja pasurore, karakteristikat gjenetike, gjendja shëndetësore, invaliditeti apo ndonjë cilësi personale tjetër;

– realizimi dhe zhvillimi i institucioneve demokratike, sundimi i ligjit dhe i përgjegjësisë sociale;

– zhvillimi i të drejtave dhe i lirive të personave, të grupeve dhe të shtresave të lënë pas dore dhe të shkelur;

– zhvillimi i të drejtave të njeriut për punë, për organizim sindikal, për mbrojtje shëndetësore, për arsimim dhe për mbrojtje sociale; 

– zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm, kundrejt zhvillimit të barabartë të zonave urbane dhe rurale; 

– afirmimi i barazisë së lindjes; 

– zhvillimi i shoqërisë pluraliste dhe solidare që e përparon cilësinë e jetës për punëtoret dhe për punëtorët, për shtresat e rrezikuara dhe për mbarë shoqërinë; 

– përshpejtimi i përparimit shoqëror dhe teknologjiko-shkencor;  

– afirmimi i parimeve të shekullarizmit;

– përparimi i zhvillit vendor dhe rajonal të baraspeshuar;

– mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe natyrore, e mjedisit të jetesës dhe e kafshëve;

– promovimi i mënyrës paqësore dhe diplomatike të zgjidhjes së kontesteve dhe tëkonflikteve;

– shfrytëzimi i formave joviolente demokratike dhe parlamentare apo jashtëparlamentare të veprimit dhe kundërshtimi i të gjitha formave jodemokratike, autoritare dhe totalitare të veprimit.

Partia progresive e moderuar, e bazuar në demokracinë parlamentare dhe në ekonominë kapitaliste të tregut, me trup votues si në klasën e ulët, ashtu edhe në klasën e mesme, do të mund të përshkruhet si parti politike e qendrës së majtë. Ndërsa partia me kërkesa dhe qëllime më të mëdha që e ka trupin votues në atë pjesë të vogël por më të vetëdijshme të klasësë së mesme dhe të ulët, fizike dhe intelektuale, me histori të mbështetjes dhe të pjesëmarrjes në lëvizjet emancipuese dhe progresive, do të mund të përshkruhej si parti e së majtës së re, më radikale. 

Partitë politke të qendrës së majtë, si dhe partitë e tejra majtiste bashkëkohore, rëndom i theksojnë këto vlera: 

– liria – jo vetëm liritë njerëzore, por edhe liria nga diskriminimi, liria e participimit demokratik dhe liria nga varësia, nga varfëria e skajshme, nga frika dhe keqpërdorimi i pushtetit dhe i pozitës politike, ekonomike dhe i ndonjë pushteti dhe pozite tjetër;

– barazia – jo vetëm para ligjit, por edhe shanset dhe mundësitë e barabarta për të gjithë njerëzit në sferat e ndryshme të jetës, pavarësisht nga dallimet që kanë të bëjnë me identitetin, duke përfshirë edhe ata persona me vështirësi të çfarëdo lloji;  

– solidariteti – të treguarit mirëkuptim dhe ndjeshmëri për personat që janë viktimë e ndonjë forme të diskriminimit, të shkeljes, të pabarazisë apo të rrethanave të rënda dhe gatishmëria personale për veprim të përbashkët me të tjerë, për të gjetur mënyrën për zvogëlimin dhe për parandalimin e dukurive të tilla. Ky parim nënkupton edhe zhvillimin e formave institucionale të solidaritetit si dhe të solidaritetit ndërkombëtar. 

Qendra e majtë i kundërvihet çdo forme të autoritarizmit dhe të monopartizmit apo të monizmit. Me fjalë të tjera, qendra e majtë u kundërvihet koncepteve të sundimit njëpartiak të të ashtuquajturave parti komuniste të shekullit XX. 

*   *   *

Politikanë të njohur të qendrës së majtë kanë qenë: majtisti i moderuar, kryeministër i Britanisë së Madhe në vitet 19945-1951, Klement Atli*; majtisti i moderuar dhe kancelari i Gjermanisë në vitet 1969-1974, Vili Brant*; majtisti i moderuar dhe kryeministri i Suedisë në vitet 1969-1976 dhe 1982-1986, Ulof Palme*; majtistja e moderuar dhe kryeministrja e Zelandës së Re në vitet 1999-2008, Helen Klerk*.

Shënim: 

Klement Riçërd Atli (Clement Richard Atlee, 1883-1967) – politikan dhe kryeministër i Britanisë së Madhe; lider i Partisë Laburiste, në vitet 1935-1955;

Vili Brant (i lindur si Herbert Ernst Karl Frahm Brandt; Willy Brandt; 1913-1992) – politikan dhe kancelar gjerman;

Helen Klerk (Helen Elizabeth Clark, 1950-) – politikane dhe kryeministre e Zelandës së Re;

Ulof Palme (Olof Palme, 1927 – 28.02.1986) – politikan dhe kryeministër i Suedisë. Më 28 shkurt 1986, pak para mesnate, në të kthyer nga kinemaja në Stokholm me gruan Lisbet (Anna Lisbeth Christina Palme, 1931-2018), u krye mbi të atentat. U qëllua me dy plumba pas shpine. U qëllua edhe gruaja Lisbet, por ajo kaloi vetëm me plagosje. Ditën e vrasjes, Palme u kishte thënë truprojave se s’ka nevojë për sigurim. Atentatori nuk u zbulua kurrë. Kah fundi i vitit 1988, si vrasës i Palmes u dënua një person i varur nga lëndët narkotike. Pas ankesës së tij, për mungesë provash, instanca gjyqësore më e lartë – e liroi. Në vitin 2004, ky person e humbi jetën në aksident. Në vitin 2020, d.m.th. 34 vjet pas atentatit, prokurori shtetëror Krister Peterson e tregoi emrin e të pandehurit për vrasje. Ky paskësh qenë një diseinues grafik,  suedezi Stig Engstrom (Stig Folke Wilhelm Engström; Mumbai, Indi, 26.02.1934 – 26.06.2000), i njohur si “Scandia men”. Sipas hetuesisë, në vitin 2000 ai kishte vrarë veten. Në vitin 2020, u ndërpre edhe hetimi. 

Gjatë luftës së ftohtë, Palme angazhohej për afrimin me Bllokun lindor dhe për një korridor pa armë bërthamore në Evropën Qendrore. Konservatorët nuk e donin Palmen ngase e kritikonte ShBA-në.        

*   *   *

POLITIKA E QENDRËS

Në politikë, përkatësisht në teorinë politike, qendra është emërtim që shënon lëvizjen, partitë dhe ideologjitë të cilat promovojnë qëndrime midis të majtës dhe të djathtës. Ato synojnë të gjejnë rrugën e mesme midis këtyre dy ideologjive. Ideologjia që e promovon  politika e qendrës si alternativë e së majtës dhe e së djathtës – quhet centrizëm. 

Shpesh përdoret edhe nocioni bashkëkohor rruga e tretë, i cili më shumë përdoret në ekonomi, duke shënuar sintezën e tregut të lirë dhe të ndjeshmërisë sociale, përkatësisht filozofinë e pajtimit ndërmjet kapitalizmit dhe socializmit demokratik.  

*   *   *

QENDRA RADIKALE

Qendra radikale është shprehje relativisht e re në politikë dhe në teorinë politike për përkufizimin e plotë të së cilës nuk ka përputhshmëri. Megjithëkëtë, kjo shprehje shpesh përdoret për të përshkruar ideologjinë politike, lëvizjet dhe partitë të cilat në mënyrë të prerë i hedhin poshtë skajshmëritë e të majtës dhe të së djathtës, si dhe kompromisin me variantet e tyre, siç janë qendra e majtë dhe qendra e djathtë, përkatësisht largimin nga e ashtuquajtura qendër politike e pastër.

Shprehja “qendër radikale” u popullarizua pas mbarimit të luftës së ftohtë, kur pushimi i luftës ideologjike të së majtës dhe të së djathtës i shtyri shumë njerëz që opsionet e qendrës politike t’i pranojnë si më të përshtatshmet për botën bashkëkohore. Me nocionin “qendra radikale” ndërlidhet edhe nocioni “rruga e tretë”, përkatësisht ideologjia e presidentit amerikan Bill Klinton dhe e kryeministrit britanik Toni Bler.              

*   *   *

RRUGA E TRETË

Rruga e tretë është shprehje e cila në kuptimi më të gjerë përfshin të gjitha ideologjitë apo platformat politike të cilat synojnë t’i tejkalojnë ndarjet tradicionale midis të majtës dhe të djathtës, që kanë qenë karakteristike për shekullin XX, përkatësisht që kanë qenë të lidhura me kapitalizmin dhe socializmin. 

Në kuptim të ngushtë, me këtë shprehje nënkuptohet ideologjia, tradicionalisht e ndërlidhur me konceptin e qendrës radikale që u zhvillua në botën perëndimore në fund të shekullit XX, e që e karakterizonte kompromisi midis politikës ekonomike neoliberale të derregullacionit dhe tregut të lirë, nga një anë si dhe ruajtjes dhe zgjerimit të rolit të shtetit të mirëqenies, nga ana tjetër. Ndonëse ky nocion popullaritetin e vet e arriti më së shumti në saje të librit “Rruga e tretë: Rimëkëmbja e socialdemokracisë” (The Third Way: The Renewal of Social Democracy, 1998) të sociologut dhe politologut britanik Entoni Gedins* (Anthony Giddens, 1938-), megjithëkëtë, ideologjia “e rrugës së tretë” më së shumti ndërlidhet me administratën e presidentit amerikan Bill Klinton (William Jefferson “Bill” Clinton, 1946-) në periudhën e viteve 1993-2001 si dhe me qeverinë e kryeministrit britanik Toni Bler (Sir Anthony Charles Lynton Blair, 1953-) në periudhën e viteve 1997-2007. Që të dy politikanët, partitë e veta – demokratët amerikanë dhe laburistët britanikë – u përpoqën t’i kthejnë djathtas, përkatësisht t’ia afrojnë qendrës politike, duke i bërë kësisoj të pranueshme për spektrin më të gjerë të zgjedhësve apo të votuesve. Sukseset ekonomike, karizma dhe popullariteti global që gëzonin Bill Klintoni dhe Toni Bleri kah fundi i viteve 1990, edhe ideologjinë e rrugës së tretë e bënë jashtëzakonisht tërheqëse për shumë parti të tjera si dhe për politikanët e orientimit socialdemokrat dhe socialist. Duhet shtuar se politikën e rrugës së tretë, kush më shumë e kush më pak, e pranuan të gjitha partitë e majta kryesore në Perëndim, përfshi edhe partitë komuniste të reformuara në Evropën Lindore. Ndjekës më të njohur “të rrugës së tretë” ishin Klintoni dhe Bleri. 

Kah mesi i viteve 2000, ideologjia e rrugës së tretë gjithnjë më tepër është nën goditjen e kritikave, më së shumti nga majtistët tradicionalë të cilët e konsiderojnë si asgjë më tepër se një zbukurim kozmetik të liberalizmit të djathtë, përkatësisht alternativë koherente dhe konkrete e marrë nga politika ekonomike neoliberale. Këto kritika morën hov me shpërthimin e recesionit global para mbarimit të viteve 2000, që e bëri të paqëndrueshëm modelin e deriatëhershëm të shtetit të mirëqenies. 

Shënim: Entoni Gedins (Anthony Giddens, Baron Giddens ka lindur në vitin 1938. Ka qenë profesor i sociologjisë në King’s College, Cambridge (Kolegjin Mbretëror të Universitetit të Kembrixhit). Prej vitit 1970 ka qenë këshilltar i Toni Blerit. 

  Xhelal Zejneli

Filed Under: Analiza Tagged With: zejneli

Tomë Mrijaj sjell kontributet e figurave të shquara të kombit në librat e tij

July 6, 2022 by s p

smart
smart

Nga Entela Binjaku/

Në një intervistë dhënë për mediat shqiptare i pyetur sesi do të dëshironte që njerëzit ta njihnin,  patrioti shqiptar me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Tomë Mrijaj shprehej: Dua që njerëzit të më njohin ashtu sikurse jam….dashamirës i kulturës, historisë, shoqërisë, Atdheut, vendlindjes, trojeve shqiptare”.

Tomë Mrijaj, i lindur në Zllakuqan të Komunës së Klinës, u detyrua të largohej herët nga Kosova, por e gjithë jeta e tij mbeti e lidhur ngushtë me vendin dhe kombin. Ai si shumë shqiptarë të tjerë morën rrugën e emigrimit për arsye të qëndrimeve politike dhe të përndjekjes së sistemit komunist të kohës. 

Më 1978, Tomë Mrijaj vendoset përfundimisht në Nju York, të SHBA-së ku edhe sot jeton e ndjek aktivisht zhvillimet në trojet shqiptare. Në fundin e viteve 70 shqiptarët në Nju Jork ishin ende të paktë në numër. 

Aktiviteti z. Mrijaj në shërbim të cështjes kombëtare zhvillohet në disa drejtime. Si aktivist i palodhur ai i ka kushtuar me mijra faqe dëshmi të shkruara kushtuar personaliteve të shquara të diasporës shqiptare.  Tomë Mrijaj është autor i disa librave të natyrës studimore, me profil historik. Qysh nga dita e themelimit, është anëtar i Shoqatës së Shkrimtareve Shqiptaro- Amerikanë në ShBA.

Ai ka shkruar libra monografikë artikuj dhe studime të ndryshme pothuajse për të gjithë personalitetet shqiptare në Amerikë. Të tillë kanë qenë shkrimtari dhe studiuesi i shquar mons dr. Zef Oroshi, themeluesi dhe drejtuesi i Kishës së Parë Katolike Shqiptare në Amerikë, juristi Kapidan Ndue Gjomarkaj, prof. Zef Nekaj, prof. Arshi Pipa, prof. Luan Gashi, prof. Rexhep Krasniqi personalitet i shquar dhe Kryetar i Komitetit “Shqipnia e Lirë”, gazetarja e famshme Nexhmije Zaimi, personaliteti i shquar i botës shqiptare dhe lider i diasporës në SHBA meshtari dom Anton Kçira etj. 

Emrin e Tomë Mrijajt e mbajnë këto botime:  Monsinjor Dr. Zef Oroshi – Një jetë e shkrirë për Fe e Atdhe. Jetëshkrim, 2021, Shkodër (ribotim), Një jetë i përgjuar. Dosja e sigurimit e Mons.Dr. Zef Oroshit, Volaj, Shkodër 2020, Log Kuvendit në trinomin fe – atdhe – perparim – Mons. dr. Zef Oroshi, Shkodër, 2019, Abati i Mirditës, Imzot Frano Gjini, Tomë Mrijaj, Leonora Laçi, 2018, Dom Anton Kçira në jubileun e 50 – vjetorit të meshtarisë, Shkodër, 2017, Gjeneza e Familjes Mrijaj, Kujtime, Shkodër, 2015, Monsinjor Dr. Zef Oroshi – Një jetë e shkrirë për Fe e Atdhe. Jetëshkrim, 2009 Nju York, Ngjarje dhe portrete historike, jetëshkrime të figurave të shquara shqiptare, botuar në Prishtinë, 2004, Marie Shllaku bijë e Shkodrës martire e Kosovës, Monografi, botuar në Nju York, 2004, Dom Anton Kçira shërbestar i Zotit e i Atdheut, Monografi, botuar në Shkodër, 2002, Lidhja e Prizrenit (1962-2002) themeluesi dhe udhëheqësi Ismet Berisha, Monografi, Nju York, 2002. Sërish në kuadër të shërbimit që ai I bën kombit ishte pjesëmarrja e tij në muajin qershor në tri sesionet shkencore që organizoi Shoqata e  Intelektualëve “Trojet e Arbërit”, aktivitete kushtuar tre personaliteteve të historisë së kombit tonë: Mustafa Krujës,  Monsinjor Dr. Zef Oroshit dhe  Kapidanit Mark Gjon Marku. Në jetëshkrimin e saj kjo shoqatë ka botuar afro 20 përmbledhje shkencore librash prej mbi 350 studiuesish dhe ka mbajtur aktivitete të ndryshme shkencore në qytete të ndryshme në Evropë, Kosovë e Shqipëri. Tomë Mrijaj është një ndër eksponentët kryesorë të kësaj shoqate. Në  mjediset  e hotel “Luxori” në Prizren u mbajt Sesioni shkencor kushtuar firmëtarit të Deklaratës së Pavarësisë të Shqipërisë Mustafa Kruja, në Hotel “Lisa” në Lezhë u mbajt një sesion kushtuar Themeluesit të Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” në Nju York Monsinjor Dr. Zef Oroshi  dhe një Sesion tjetër për Kapidanin Mark Gjon Marku, në Qëndren Kulturore për Fëmijë “Gjergj Lacaj” në Lezhë

Në sesionin kushtuar Mustafa Krujës, mbaji një kumtesë edhe z. Mrijaj I cili kishte udhëtuar nga Amerika për të qenë i pranishëm në këto aktivitete. Fjala e tij titullohej: “Dritë fragmentale e jetës dhe e veprimtarisë patriotike dhe enciklopedike e burrështetasit Mustafa Merlika Kruja”. 

Më tej sesioni vijoi me sesionin kushtuar  mons. dr. Zef Oroshit. Në këtë  ngjarje morën pjesë  shumë të ftuar, klerikë, studiues dhe historianë, publicistë etj. I pranishëm ishte edhe biografi dhe miku më i afërt i mons. dr. Zef Oroshit, nga Nju Jorku, z. Tomë Mrijaj i cili ju drejtuar të pranishmëve me këto fjalë: “Në fillim dua të falënderoj Kryesinë e Shoqatës sonë, të cilët me nderuan shumë, duke më lënë të bëj hapjen e këtij Sesioni Shkencor kushtuar figurës së shquar të klerikut katolik mons. dr. Zef Oroshit.  Shoqata “Trojet e Arbërit”, sot po ia kthen një borxh të vogël një meshtari të madh, që gjithë jetën ia kushtoi trinomit: Fe-Atdhe-Perparim. Në mënyrë telegrafike po bëj një parakalim të shpejtë të jetës së meshtarit tonë ndër vite plot fitore dhe suksese, në të mirë të trojet shqiptare për shumë dekada. Unë nga zemra, ftoj të gjithë ata dashamirë të historisë dhe kulturës shqiptare, që duan të hulumtojnë dhe botojnë punimet e tyre serioze historike mbi jetën dhe veprën e meshtarit të shquar mons. dr. Zef Oroshit, për ato 11 vite të pandriçuara në vendlidjen e tij në Mirditë, unë ua mundsoj botimin e librave të tuaja.  Më tej ai vijoi me kumtesën: ”Trashëgimia shpirtërore e monsinior dr . Zef Oroshit (1912-1989)”. Pas përfundimit të Sesionit një delegacion i “Trojeve të Arbërit” qe kryesohej nga Tomë Mrijaj zhvilluan homazhe pranë bustit të mons. Oroshit, bust i cili është përuruar muaj me parë në Lezhë. Lidhur me aktivitetin e figurave të shquara të kombit z. Mrijaj do të shprehej: Në vitin 1962, meshtari dhe personaliteti i shquar i letrave shqipe mons dr. Zef Oroshi filloi të botoi revistën kulturore fetare “Jeta Katolike Shqiptare”, ku, spikatën penat e shquara të mendimit intelektual shqiptar. Monsinjor Oroshi e mbante në makinën e vet ciklostilin e botimit të revistës. Ai punonte me shumë përkushtim për revistën, sepse sipas tij ajo ishte edhe historia e komunitetit katolik shqiptaro amerikanë, për brezat që do të vijnë në SHBA. Në këtë mënyrë, patrioti dhe kleriku i shquar, dr. Oroshi, mblodhi shqiptarët rreth Qendrës Fetare Kulturore të kishës katolike “Zoja e Kshillit të Mirë” (sot “Zoja e Shkodrës”, Harsdale Neë York), që u bë një vatër e ngrohtë e atdhedashurisë dhe e mallit për vendlindjen”. Këto dhe shumë dëshmi të tjera ndodhen në faqet e librave të botuara dhe që mbajnë autorësinë e aktivistit patriot, njeriut të papërtuar dhe veprimtarit të përkushtuar, Tomë Mrijaj. 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Entela Binjaku, Tom mrijaj

NJË ҀERTIFIKATË PËR POLITIKANËT

July 6, 2022 by s p

Shqiprim Pula/

Para disa ditëve, një shok i imi, më tregoi se kishte qenë tek mjeku specialist i syve (oftamologu), për të marrë një raport mjekësor që të ripërtërijë lejen e vozitjes. Pra, të pajisesh me raport mjekësor që të vozisësh një mjet motorik. Në fakt, kjo, më nxiti të mendoj më thellësisht lidhur me politikanët tanë; dhe më lindi pyetja a do duhej të pajiseshin me raport mjekësor psikiatrik apo neurologjik, politikanët tanë para se të ulen në karrigen drejtuese e merrnin udhëheqje ekzekutive?, disa mund të thonin PO e disa të tjerë JO!.

Kaluan mbi dy dekada vite, që nga paslufta, dhe ne vazhdojmë të sakrifikojmë për JU, duke pritur se po ndryshoni e po e bëni më të mirën për vendin e qytetarët, por jo, ju të papërgjegjëshmit, vazhduat t’a shkatronit ardhëmërinë e vendit për shkak të barkut tuaj të urritur e mendjeve tuaja joracionale e edhe të sëmura. Vitet nëpër të cilat kemi kaluar, kemi parë, dëgjuar e përjetuar lloj-lloj skandalesh si rezultat i paaftësive profesionale dhe vendim-marrjeve kriminale, të këtij apo atij kryetari, të këtij apo atij udhëheqësi institucional. Të gjithë neve, n’a kujtohen mega skandalet që lidheshin me privatizimet; infrastrukturën rrugore; hidrocentralet; vjedhjet në institucione publike; tenderomaninë e deri tek idetë mbi territoret!. E, për të vazhduar me fjalorin ofendues e deningrues, egocentrik e emocional, të përgjithësuar e paragjykues, që e dëgjonim dhe dëgjojmë ҁdo ditë. Për rrjedhojë, në mungesë të një jete normale qytetarët tanë ҁdo ditë ikin nga vendlindjet e tyre sepse pasojat janë afatgjate e nga më të ndryshmet…stagnim ekonomik, ngadalësim reformash në të gjitha dikasteret, për një jetë normale për gjithë, sepse, në politikë hyni gjithëkush e shumëkush, e siҁ thoshte shkrimtari Ali Asllani “hanin e pinin, rëmbenin, mbushnin xhepa e arka, të pabrekë i gjeti dreka, e milioner i zuni darka”!. Ata, që të vetmin profesion kishin “politikën”, me barkun e urritur dhe mendjen e sëmurë, të gjendur në karrigen vendim-marrëse si politikanë, i bënë dëmin vendit. Prandaj, për t’a shpëtuar vendin dhe ardhëmërinë, kryetarë e udhëheqës institucional, para marrjes së detyrës duhet t’i kryejnë kontrollet mjekësore, që të konstatohet, që ata, janë mirë e të aftë, mendërisht e emocionalisht, për të udhëheq me shtetin. Ti politikan, përmes vendim-marrjes tënde, që bënë normativën për një shofer veture t’a bëj kontrollën mjekësore me detyrim; po ti, ti pse nuk kontrollohesh përderisa mban në dorë fatet tona?!

Është shkruar për Adorlf Hitler se kishte patur probleme shëndetësore mendore, i cili niste fronte lufte, e dëmtoheshin fate miliona njerëzish. Poashtu, është shkruar edhe për Slobodan Milosevic e Radovan Karagjic të cilët kishin probleme shëndetësore mendore, të cilët shkaktuan krime kundër njerëzimit e gjenocid. Madje, kur lexon histori politike botërore, has në diktatorë e sundimtarë që kanë sunduar nëpër botë, e që kanë patur probleme shëndetësore mendore që e kanë zhytur botën në gjak.

Kudo e kurdo, që flitet për pluralizmin e demokracinë, për reforma tek pushteti ekzekutiv e gjyqësor si nevojë e kohës; për dekriminalizim tek cilindo dikaster, ajo ҁfarë poashtu duhet, është që mjekët specialist të psikiatrisë e neurologjisë t’u krijohet status ligjor, që me detyrim krerët partiakë e institucional, t’i kontrollojnë e reduktojnë ata me insinuata keqbërëse apo plangprishësat, që po i’a marrin frymën kombit e shtetit. Meqë, e normuar kërkesa për raport mjekësor për lejen e vozitjes, pse të mos e normojmë edhe kërkesën për kontroll mjekësor për krerët institucional e vendim-marrës, të cilët vendosin për fatet e qytetarëve. Tek ne, e në mes nesh, duhet të kultivohet kultura e të bërit politikë me ndjesinë e atdhedashurisë e vetkorigjimit.

Filed Under: ESSE Tagged With: shqiprim pula

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2178
  • 2179
  • 2180
  • 2181
  • 2182
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT