• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PIRRO MANI- DITELINDJA- KUJTESE: NA I NXEFE SHUPLAKAT GJENERAL…!

April 14, 2018 by dgreca

2 Pirro Mani.jpgPirro m 3.jpg

Nga Dalip Greca*/

Së bashku me një nga miqtë më të afërt të Pirro Manit, që prej kohës kur la Koloradon për Nju Jorkun, Veis Belliun, e vizitojmë jo rrallë “Gjeneralin” e skenës shqiptare në shtëpinë e tij në Harrison, një zonë e lakmuar nga njujorkezët. Edhe këtë herë Pirro na priti në krye të shkallëve të shtëpisë së tij së bashku me Pavlinën.
-Është i vetëm çifti sonte,- thotë me të qeshur regjisori…
Pjesa tjetër e familjes kishte shkuar për fundjavë jashtë Nju Jork-ut.
Pa mbaruar mirë përshëndetjet Pavlina e shtroi tavolinën. Biseda që në fillim kapërcen oqeanin. Qe fundjanari dhe po diskutonim rreth veprimtarive që u organizuan në Shqipëri, veçanërisht në Gjirokastër, për 80 vjetorin e Shkrimtarit Ismail Kadare. Pirros i kishte mbetë në kujtesë thënia e Kadaresë se ishte tepruar me veprimtaritë kushtuar ditëlindjes së tij, ndërkohë që ishte harruar 17 Janari i Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu…. Natyrisht që Kadare i meriton nderet.
Nga Kadare kaluam tek “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”… Pyetjen e bëra unë, pasi Veizi ma kujtoi rrugës; Si ishte puna e nxefjes së shuplakave në Prishtinë në Vjeshtën e Vitit 1972?
…. Në fakt e kishim lënë një bisedë përgjysëm gjatë vizitës që patëm bërë paskthimit të tij Verën e shkuar nga një vizitë në Shqipëri, ku Tirana dhe rrethet e Teatrit, aktorë të vjetër e të rinj, studentë të Akademisë së Arteve, media folën dhe shkruan shumë për “Epokën e Pirro Manit”. Në atë vizitë ta paskthimit nga Tirana, bashkë me ne ishte dhe Adem Belliu i Televizorit Kultura Shqiptare në Nju Jork, që e la kamerën hapur për të “vjelë” sa më shumë nga bsieda me Pirrron dhe Pavlinën…..
***
Këtë herë, unë kisha marrë me vete disa fletë të printuara nga gjurmët e shfaqjes të “Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur” në Prishtinë në në vitin 1972. I pata kërkuar korrespondentit të Gazetës “Dielli” në Kosovë, gazetarit Behlul Jashari, që të hulumtonte në shtypin e kohës se si ishte pritë shfaqja e Gjeneralit aso kohe në Kosovë. Behluli kërkoi nëpër librari, nëpër koleksione gazetash, dhe diçka gjeti. I kisha kërkuar që mundësisht të takonte e të intervistonte personazhe që kishin qenë në shfaqje.
Në fakt nuk e pati të lehtë: Fatkeqsisht, më shkruante Behluli, shkrimtari, përkthysi, gazetari Vehap Shita, që ka shkruar për vënien në skenë në Teatrin Krahinor të Kosovës, Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur të të madhit Pirro Mani, ka dy vjet që ka ndërruar jetë, ndërsa shkrimtari e gazetari Musa Ramadani, redaktor i Kulturës për shumë vite në Gazetën Rilindja, që gjithashtu e ka ndjekur nga afër shfaqjen dhe ka shkruar për të, tani nuk është mirë me shëndet, por gjithësesi biseduam në telefon dhe atij i kujtohej mjaft mirë shfaqja dhe ende i ruante të fuqishme mbresat nga shfaqjet e Gjeneralit….E kujton Pirron si gjeneral të Skenës…
Ia lexoj Pirros letrën e Behlulit, dhe e shoh se si i shkëlqejnë sytë….Tek dëgjon mesazhin e gazetarit nga Prishtina, bëhet më i vëmendshëm, pastaj duket sikur përhumbet në mjegullën e kohës dhe nga rrathët e kujtesës kërkon të kapë gjurmët e asaj shfaqjeje ….
– Ka qenë një shfaqje e madhe…Pata më shumë liri regjisoriale atje në Prishtinë. E shfryva dufin e censurës dhe autocensurës. Realizova një shfaqje moderne me të gjitha mjetet skenike që më jepte liria.Në Kosovë shkeleshin liri të tjera, por jo si në Shqipëri, ku gjithçka censurohej, veçanërisht në fushën e krijimtarisë… Nuk kisha mbi kokë atje “Kontroll Partie”, siç i thoshim ne, Këshilli Artistik, që bënte skanerin e shfaqjes para se të shkonte tek publiku….

Biseda ngrinë…. Për një çast Gjenerali i skenës shqiptare, heshtohet… Për disa minuta dëgjojmë frymarrjen e tij të shpeshtuar.Duket se po e përjeton atë që ka lënë atje në Prishtinë, pjesë nga vetja.
Më pas, sikur të ishte kujtuar për diçka, më thotë: Nuk arrij t’i bashkoj të gjitha copëzat e atij përjetimi që zgjati më shumë se 6 muaj në Prishtinë. Shkroi shumë shtypi atje për Gjeneralin. Mbaj mend se njëra nga gazetat e asaj kohë pat vënë një titull që më mbeti në mendje për shumë kohë ”Na i nxefe shuplakat Gjeneral!”….Në fakt ma kishin thënë këtë shprehje edhe me zë pas shfaqjes”Na i nxefe shuplakat Gjeneral”…Më pëlqente shumë ky kompliment. Kaq, s’mund të thonin më shumë në atë kohë…
***
… Gazetari nga Prishtina më kishte dërguar disa faqe të librit të shkrimtarit Vehap Shita”Kur ndizen Dritat”, libër i botuar pesë vjet pas shfaqjes në Prishtinë, në vitin 1977, dhe që mund të gjendet sot edhe në bibliotekën e Universitetit të Urbanës në Illinois, këtu në SHBA.
Shkrimtari, kritiku Shita, shkruante: Pa marrë parasysh se romani i Ismail Kadaresë “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” është vepër e njohur, e çmuar si një nga më të bukurat në Letërsinë bashkohëse shqipe, drama që Pirro Mani kishte thurur me lëndën e romanit, edhe si autor i dramatizimit, edhe si regjisor, të jep përshtypjen e një spektakli teatral më vete. Pirro Mani ka ndjekë rrugën e inskenimit realist spektakolar, por me tendencë të dukshme që të mbeten gjithnjë në plan të parë idetë e veprës.
Pirro Mani e kishte parim profesional, që të mos i hynte në pjesë autorit, por ai i ngjizte veprës shpirtin e tij regjisorial, dhe vepra fitonte atë ç’ka i mungonte.
Në kujtesën e Pirro Manit”Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” ka një peshë të shumfishtë. Kadare ia pat dhënë të parit dorëshkrimin e “Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur”, ende pa u botuar si libër. Ishte tronditur Pirrua nga dramaciteti dhe ankthi që mbartëte subjekti. Ndërsa e përpintë së lexuari, mendjen e kishte në skenë….Kur doli libri nga shtypi, Pirro ishte nga të parët që e mori nga autori me autograf. Në mendjen e tij nisi endja e pëlhurës skenike, që në Prishtinë pat më shumë liri e fantazi krijuse.
Pirro kujton kohën e largët të shfaqjeve në Kosovë. Ishte Vjeshtë e vitit 1972. Atë kohë drejtor i Teatrit të Prishtinës ishte shkrimtari dhe poeti i zëshëm i Letërsisë Shqipe Azem Shkreli. Përgatitjet me Trupën e Prishtinës kishin vazhduar rreth gjashtë muaj. E kujton si sot…Kur Pirro pat krijuar bindjen se gjithçka ishte gati, nisur nga praktika në Shqipëri, ku Partia kontrollonte gjithçka, dhe pa viston e saj nuk jepej shfaqja, kishte shkuar për të takuar e për tu këshilluar me drejtorin e Teatrit.
– Pse është munduar regjisori deri tek drejtori?, i pat thënë Azem Shkreli me të qeshur.
Pirro iu përgjigj pyetjes me pyetje:
– Kur do ta mblidhni Këshillin Artistik, që të kontrollojë shfaqjen dhe të na lejoji ta shfaqim për publikun? Unë jam gati, që nesër…
Nuk e kishte mbaruar fjalinë e dytë, kur drejtori-shkrimtar, pat shprehë habinë:
– Çfarë Këshilli Artistik po thua, he burrë? Nuk kemi Këshillë ne këtu. Ti je regjisori, e ti je Këshilli artistik. Nuka ka punë Këshilli Artistik me vizionin tënd, me realizimin tënd regjisorial s’ka punë njeri! Ti je Këshilli, përsëriste dhe qeshte shkrimtari -drejtor.
Pirro është habitë për vete. Ç’thotë ky Azem Shkreli? Po Partia, breeee? Po vija….?! Po Kontrolli punëtor…Po Bashkimet Profesionale…Po ai, i madhi fare…nuk do të dërgonte përfaqësues ai…
I kishte drejtuar dhe një pyetje drejtorit:- Po a nuk bëhet këtu shfaqje gjenerale para Këshillit Artistik?
– Jo pra jo, je ti mbreti i skenës, je ti Gjenerali….
U kthye tek trupa dhe intensifikoi provat. Gjithçka iu duk se ishte gati. Gjenerali, që luhej nga Shani Pallaska-pionier i aktrimit Kosovar dhe Prifti i luajtur mjeshtrisht nga i madhi Istref Begolli, ishin shkrirë me skenë sipas vizionit të regjisorit Pirro Mani, ashtu siç edhe Plaka Nicë në fiksimin e saj tronditës, e mishëruar fort bukur nga loja e përsosur e Melihate Ajeti, që dukej se “Nica” e saj vinte nga një tjetër planet, si jashtoksore, për t’ia prishur gëzimin gjeneralit.
Publiku Kosovar e mbajti frymën pezull gjatë shfaqjes. Pirro kujton momentin e shfaqjes së plakës Nicë… Halucinacionet e Gjeneralit… Tronditja nga kontrastet e thella…Fantazia e Pirro Manit kishin krijuar një mjedis të kontrasuar me Kryqe, varreza pushtuesish,e zeza e hijeve të mortit, skeletet e veshura me najlon, ishte e frikshme fëshfëritja e tyre, ndjesia e vdekjes që zotëronte skenën, pastaj skena e bardhë e dasmës,daullet e dasmës, valltarët që kërcenin në skenë, këngët polifonike me interpretim modern…Ishte një shfaqje ekspresioniste, që diktoi respekt në qarqet teatrore…
Publiku kosovar e priti shfaqjen me duartrokitje të zjarrta. Ishte dhe Kadare në shfaqje. U gëzua shumë kur pa atë pritje aq të ngrohtë. Morën pjesë edhe nga teatri Serb, ai Podgoricës, i Novi Sadit. Të gjithë e vlerësuan.Ishte diçka ndryshe….(per me shume foto shkoni ne facebook dielli vatra- Per ta lexuar te plote shkrimin shkoni ne Dielli arkiv)

Filed Under: Featured Tagged With: ditelindja, Gjenerali, Pirro Mani

Kosova me Kompleks Rezidencial Qeveritar

April 14, 2018 by dgreca

-Qeverita e Kosovës, në mbledhjen e sotme, miratoi vendimin për shpalljen me interes të veçantë publik të pronave të paluajtshme, të cilat do të preken nga realizimi i Projektit “Ndërtimi i Kompleksit Rezidencial Qeveritar” në zonat kadastrale të Prishtinës dhe Graçanicës/1 kompleksi qev

-Para 10 viteve, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës paralajmërohej se shteti i ri do të bëhet me objekte të reja qeveritare…Edhe Pallati Rilindja, 18 katësh në qendër të Prishtinës, u shpronësua e rinovua dhe u shndërrua në ndërtesë qeveritare. Punëtorët e Rilindjes ende në pritje të realizimit të drejtave të garantuara me ligj/
1 qev rezidenca-Qeveria, në mbledhjen e 41-të, miratoi Projekt Kodin Penal të Republikës së Kosovës/1 RILINDJA

 SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari  /                     

 PRISHTINË, 13 Prill 2018/ Kosova ndërton Kompleksin Rezidencial Qeveritar në periferi të kryqytetit, Prishtinës.

Qeverita e Kosovës, në mbledhjen e sotme, drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, miratoi vendimin për shpalljen me interes të veçantë publik të pronave të paluajtshme, të cilat do të preken nga realizimi i Projektit “Ndërtimi i Kompleksit Rezidencial Qeveritar” në zonat kadastrale të Prishtinës dhe Graçanicës.

Ndërtimi i kompleksit qeveritar që parashihej të bëhet në lagjen “Prishtina e Re” në periferi të kryeqytetit, në lokalitetin Hajvli, në një hapësirë prej 35 hektarësh, është ide e para 10 viteve, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 17 shkurtin historik 2008. Ky projekt, që llogaritej të kushtojë rreth 90 milionë euro, pritej të jetë pjesë e projekteve që do të paraqiteshin në Konferencën e donatorëve për Kosovën.Përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës dhe të komunës së Prishtinës në shkurt 2008, pak ditë pas shpalljes së pavarësisë, kanë biseduar për këtë projekt dhe realizimin e tij “në pajtim me përformancen e re që duhet të kenë institucionet e Republikës”.Në prill 2008, në një mbledhje të qeverisë së Kosovës paralajmërohej se  shteti i ri do të bëhet me objekte të reja qeveritare, ndërkohë që disa ministri ishin të vendosura nëpër shtëpi private në mungesë të ndërtesave publike.Pas shpalljes së pavarësisë edhe Pallati Rilindja, 18 katësh në qendër të Prishtinës, u shpronësua e rinovua dhe u shndërrua në ndërtesë qeveritare.

 PALLATI I SHTYPIT RILINDJA I SHPRONËSUAR, 10 VJET NDËRTESË QEVERITARE, PUNËTORËT QË ISHIN ATY ENDE PRESIN REALIZIMIN E TË DREJTAVE TË GARANTUARA ME LIGJ

Pallati i Shtypit Rilindja filloi të ndërtohet në nëntor 1971 dhe u finalizua në kohën kur Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 ishte element konstituiv me të drejtë vetoje i federatës së atëhershme, nga shpërbërja e së cilës dolën shtatë shtete të pavarura, të reja të rajonit. RILINDJA pasi kishte investuar në truallin e Pallatit të Shtypit filloi edhe ndërtimin e tij, duke qenë udhëheqëse e punimeve dhe investitore.

Të gjitha ndërtesat që kishte, përfshirë atë ku tash është Ministria e Diasporës dhe Agjencia e Statistikave, Rilindja i ka dhënë për investim në ndërtimin e Pallatit të Shtypit – kullës 18 katëshe, me vendimin e  datës 28. 5. 1976 të qeverisë së atëhershme të Kosovës. Për investim në Pallatin Rilindja punëtorët kanë ndarë një pjesë të rrogave të tyre afër 15 vjet për kthimin e kredive që kishte marrë ndërmarrja.Në 23 majin e vitit 2014, pjesë e vendimeve të qeverisë së Kosovës ishte edhe vendimi përfundimtar i shpronësimit për interes publik të ngastrave kadastrale në të cilën ndodhen objektet e Ndërmarrjes Shoqërore Rilindja, e në këtë kuadër Pallati Rilindja tash ndërtesë qeveritare, prej mëse 10 vitesh.Punëtorët e ndërmarrjeve që ishin në Pallat, të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja e të tjerët gjatë gjithë këtyre viteve ende janë në pritje të realizimit të drejtave të ligjëshme. Një  nga të drejtat e garantuara me ligj për punëtorët është pagesa e 20 përqindëshit të vlerës së çdo prone të shronësuar. Çështja e 20 përqindëshit pritet të zgjidhet pasi të hyjë në fuqi Ligji me ndryshime e plotësime për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, i miratuar në 30 mars 2018 në  Kuvendin e Kosovës, ku është thënë se, “përmes këtij Projektligji synohet të krijohet edhe një mekanizëm për shpronësimin e pronave të ndërmarrjeve shoqërore që janë të nevojshme për sektorin publik” dhe se, “nëpërmjet këtij mekanizmi qeveria e Kosovës si autoritet shpronësues do të paguajë 20 përqind të mjeteve financiare dedikuar për punëtorët përfitues të ndërmarrjeve shoqërore”.Zgjidhja për Rilindjen, që ka statusin e ndërmarrjes shoqërore, pritet e kërkohet edhe nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Për privatizimin e gazetës tradicionale të Kosovës, pa u ndërlidhur me objektin e saj të shpronësuar,  që tash është ndërtesë qeveritare, është edhe shembulli i gazetave në rajon dhe në botë, që kishin statusin si të Rilindjes, e që janë privatizuar dhe kanë vazhduar të dalin.

Në arsyetimin e  kërkesës për privatizim theksohet edhe se emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse shtatë dekadave, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati, dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.“Dhe, ai që do ta blejë gazetën Rilindja dhe natyrisht do e nxjerrë këtë të përditshme historike dhe tradicionale të Kosovës do jetë pronar i një pasurie të madhe mediale kombëtare, do të jetë trashëgimtar i ligjshëm i firmës-emrit, traditës. Rilindja ishte, është dhe mbetet edhe si një shenjë identiteti”, theksohet në kërkesën e 12 Shkurtit 2014 drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit, e cila në vazhdimësi është në mbështetje të së drejtës së gazetës tradicionale të Kosovës e punëtorëve të saj.Ndërmarrja Shoqërore Gazeta Rilindja në vitin 2017 ka hyrë në procesin e likuidimit, gjatë të cilit punëtorët e saj kanë bërë kërkesat e tyre bazuar në ligje në Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës.Para 73 viteve, në 12 Shkurt 1945, në Prizren nisi të dalë gazeta shqiptare, tradicionale e Kosovës, Rilindja me angazhimin e intelektualëve të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana, e më pas vazhdoi në dalë në kryeqytetin Prishtinë.Gazeta historike Rilindja arriti të jetë histori e Kosovës që nga koha e Konferencës së Bujanit e Rezolutës për të ardhme të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit e deri në Pavarësinë e shpallur në 17 Shkurt 2008 e në njohjet ndërkombëtare. Në  ballinë të numrit të fundit të 30 Dhjetorit 2008 është paralajamruar: “Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë”

QEVERIA MIRATON PROJEKT KODIN PENAL TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 PRISHTINË, 13 Prill 2018- Gazeta DIELLI / Projekt Kodi Penal i Republikës së Kosovës u aprovua sot nga qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e 41-të, drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj. Qeveria theksoi se,  ky Projekt Kod është bazuar në tre parime themelore: sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar; funksionimi i organeve te pavarura për zbatimin e ligjit; mbrojtja dhe avancimi i të drejtave të njeriut.

Plotësimet dhe ndryshimet e Kodit Penal të Republikës së Kosovës kanë qëllimin e vetëm, që të avancojnë sundimin  e ligjit, forcimin e institucioneve të pavarura në luftimin e krimit dhe qasje e drejtë dhe efektive në sistemin e drejtësisë për të gjithë qytetarët pa dallim.

Kodi i ri adreson tre tema të gjëra: Masat kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit; Masat për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut; Masat kundër terrorizmit dhe parandalimin e tij.Dënimet për vepra penale që ndërlidhen me korrupsion janë rritur dhe janë propozuar amendamente të reja që i ndalojnë personave të dënuar për korrupsion që të ushtrojnë pozita dhe funksione në administratën publike në kohëzgjatje deri në 10 vjet nga shpallja e aktgjykimit dënues.Në hartimin e këtij Kodi kanë qenë të angazhuar 180 anëtarë të grupeve dhe nëngrupeve tematike, të përbëra nga shoqëria civile, mediat, institucionet ndërkombëtare, kanë punuar në ndryshimin dhe plotësimin e 100 neneve të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj e vlerësoi si ditë të suksesshme miratimin e këtij Projekt Kodi, që e ka të fokusuar forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit dhe luftën e të gjitha formave të krimit në vendin tonë.Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se Projekt  Kodi Penal i Republikës së Kosovës është në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian si dhe në harmoni të plotë me Kushtetutën vendit.Gjatë mbledhjes, ministri i Financave njoftoi kabinetin qeveritar  me situatën financiare dhe të projekteve zhvillimore të qeverisë. Ministri Bedri Hamza përmendi treguesit makroekonomikë zhvillimorë dhe trendët e tyre, që paraqesin rëndësi për zhvillimin e vendit. Ai theksoi nevojën e disiplinës financiare për të ruajtur trendët pozitive të zhvillimit në Kosovë, por theksoi edhe sfidat që paraqiten në këto zhvillime.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, qeveria e Kosoves, Rezidenca

AKADEMIKU BEQIR META, MESAZH PER VDEKJEN E AGIM KARAGJOZIT

April 12, 2018 by dgreca

Agim Karagjozi ishte nje shqiptar i madh, simboli i patriotit te paepur, te perkushtuar perjetesisht ndaj kombit dhe atdheut te tije, antikomunist, demokrat dhe tolerant shembullor. Veprimtaria e tij ne radhet e Vatres sone te lavdishme dhe ne krye te saj ka lene gjurme te pashlyera ne sherbim te kombit tone dhe tashme ka mbetur ne analet e historise sone me te re kombetare si nje trashegimi e vyer dhe e pashlyer per brezat e rinj te shqiptareve ne diaspore dhe ne trojet shqiptare. Per mua ka qene nje fat i madh qe e njoha nga afer dhe kuvendova shume here gjate me te. /

1 Karagjozi1 agimi udhezon1 ahmeti nisi fushaten100 vjetori i Diellit 0o

Foto: Nga Konferenca shkencore kushtuar 100 vjetorit te Gazetes Dielli, organizuar ne Monroe College, Bronx, NY. Per me shume fotografi shihni ne fb(dielli vatra)/

Akademiku Beqir Meta, mik i Vatres, anetar Nderi i Saj, mik e bashkepunetor me ish Kryetarin e Vatres Ing. Agim Karagjozi, autor i shume librave dhe projekteve me Vatren, autor i Historise se Vatres, ne nje mesazh derguar Editorit te Diellit, shpreh ngushellimet me te thella per vdekjen e Agim Karagjozit. Po e shoqerojme kete emsazh me disa nga fotografite e 100 vjetorit te Diellit, kur Profesor .dr. Beqir Meta se bashku me kolegun e tij Prof. Dr. Muharrem Dezhgiu, paraqiten Kumtesat e tyre kushtuar 100 vjetorit te Gazetes Dielli, pervjetor, qe shenoi dhe ribotimin e rregullt te Diellit.

Permes mesazhit ai ngushellon Familjen Karagjozi, Kryetarin, Kryesine dhe te gjithe anetaresin e Vatres. Ja mesazhi i plote:

I dashur zoti Dalip Greca, miku im shume i respektuar,

Uroj te jeni mire ju dhe familja juaj dhe qe punet tju kene shkuar mire familjarisht po ashtu dhe me Vatren.
Per ca kohe kam qene jasht vendit dhe kur u ktheva mora vesh me shume keqardhje per vdekjen e mikut tone te paharruar dhe vatranit e drejtuesit te mrekullueshem te Federates Vatra, zotit Agim Karagjozi.
Agim Karagjozi ishte nje shqiptar i madh, simboli i patriotit te paepur, te perkushtuar perjetesisht ndaj kombit dhe atdheut te tije, antikomunist, demokrat dhe tolerant shembullor. Veprimtaria e tij ne radhet e Vatres sone te lavdishme dhe ne krye te saj ka lene gjurme te pashlyera ne sherbim te kombit tone dhe tashme ka mbetur ne analet e historise sone me te re kombetare si nje trashegimi e vyer dhe e pashlyer per brezat e rinj te shqiptareve ne diaspore dhe ne trojet shqiptare. Per mua ka qene nje fat i madh qe e njoha nga afer dhe kuvendova shume here gjate me te. Gjithashtu i jam mirenjohes perjete per mbeshtetjen e jashtezakoneshme qe ai dhe Vatra me dhane mua per kryerjen e studimeve kushtuar historise sone kombetare. Ata gjithmone i kam vleresuar si pjese te rendesishme te suksesit tim. por mbi te gjitha shpirtndrituri Agim Karagjozi ka qene nje frymezim i jashtezakonshem per mua dhe per punen time te veshtire. Perkushtimi i tije dhe miqesia e mrekullueshme qe me ka ofruar te cilat me nuk i kam ndeshur kurre ne jeten time, ne ato dimensione humane dhe me ate pasterti te kristalte, mbeten per mua nje kujtim i paharruar . Kete miqesi mund ta ofronte vetem shqiptari i madh dhe njeriu i madh Agim Karagjozi. Prandaj kur mesova lajmin e hidhur ndjeva nje dhembje thelle ne shpirt dhe derdha lot ashtu si dhe per babain tim. Po keshtu po t’i shkruaj keto rreshta i perlotur dhe me dhimbje te thelle. Me butesine dhe embelsine e nje patrioti te madh qe zemra i digjej zjarr per atdheun e vet Agim Karagjozi do te mbetet nje simbol e frymezim i miresise, humanizmit, ndershmerise dhe patriotizmit per cdo shqiptar qe e njohu nga afer dhe qe ne te ardhmen do te njihet me veprimtarine dhe personalitettn e tije.
U prehte ne paqe dhe i ndritete shpirti ne perjetesi mikut tone te paharruar .
I dashur Dalip
kam nje kerkese miqesore dhe amanet: Te lutem transmetoja familjes se tij te respektuar, vellezerve tone vatrane, Kryetarit dhe Kryesise se Vatres keto ndjenja te mia dhe ngushullimin tim me te sinqerte.
Te perqafoj me mall,
Akademik Beqir Meta

Filed Under: Featured Tagged With: agim karagjozi, Akademik Beqir Meta, mesazh ngushellimi

PËR SHPIRTIN E AGIM KARAGJOZIT!

April 11, 2018 by dgreca

ZEF PËRNDOCAJ DHUROI $200.00 PËR FONDIN E STUDENTËVE, DR. GJON BUCAJ $200.00. UKA GJON BALAJ $ 100.00, EDITORI $100.00. FUSHATA MBETET E HAPUR/

1 Zefi dhuronVatrani Zef Përndocaj, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të ish kryetarit të Vatrës(President nderi i saj) Ing. Agim Karagjozi, në përgjigje të dëshirës së familjes Karagjozi, që në vend të luleve në funeral,dhurimi të bëhej për Fondin e studentëve, ishte i pari që dhuroi $200.00.Ai ia dorëzoi dhurimin editorit të Diellit, ditën e varrimi të Karagjozit, me komentin e shkurtër: Janë për shpirtin e Agim Karagjozit.Pushoftë në Paqe!

Nuk është hera e parë që Zef Përndocaj dhuron për Vatrën.Gjatë shfletimit të rekordeve të Vatrës, emri i tij nuk mungon në asnjë prej fushatave, që në 60 vjetorin e Diellit dhe pas, Zef Përndocaj ka emrin e tij dhe përkrah emrit edhe shifra e dhurimit.Edhe  në botimet e Vatrës dhe të Diellit Përndocaj ka dhuruar krahas vatranëve të tjerë në mënyrë të vazhdushme. E gjetëm emrin e tij edhe tek libri “Flamurtari i Kombit”, libri kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Nolit, ku shifra e dhuruar nga ai është sa dyfishi i mesatares së çdo dhuruesi,ndërkohë që për Botimin e librit të Beqir Metës ka dhuruar $ 1000.00; për  ringjalljen e Diellit me rastin e 100 vjetorit të botimit, ishte nga ata që premtuan dhe e mbajtën premtimin(disave u mbeti premtimi ne letër), ndërsa ai dhuroi $ 3000.00 mijë dollarë, për 100 vjetorin e  Vatrës $ 2,000, 00 përveç pagimit të një tavoline të rezervuar që në fillim ($2500), si dhe $ 500.00 për një faqe në Journalin e 100 vjetorit të Themelimit të Federatës,- me rastin e fatkeqsisë natyrore në zonat e Veriut të Shqipërisë dhuroi $ 1000.00. Natyrisht nuk janë vetëm këto shifrat e dhurimit, ai ka 50 vite që dhuron.

Pas dhurimit të Zef Përndocaj për Fondin e Vatrës,për shpirtin e Agim Karagjozit, mbërriti në kutinë postare të Vatrës edhe Ceku i ish Kryetarit të Vatrës dr. Gjon Bucaj me $200.00, si dhe ceku i anëtarit të Këshillit të Vatrës, z.Uka Gjonbalaj me $100.00. Po ashtu edhe Editori i ka dorëzuar arkëtarit $100.00 për Fondin e  Studentëve. Fushata është e hapur. Ceku i paguhet Vatrës, me shënimin-Memo: Fondi i Studentëve/Agim Karagjozi dhe dërgohet në Vatër: 2437 Southern BLVD, Bronx, NY 10458

Për informacion: Fondi i Studentëve(Vatra’s Educational Found), sic u pagëzua në fillim, lindi në 50 vjetorin e Gazetes Dielli,1959. Vendimi u mor ne Kuvendin e atij viti.. Mori pjesë në fushatë e gjithë anëtarësia e Vatrës dhe fillimisht u mblodhën më shumë se 30 mijë dollarë.Sipas shteteve dhe rajoneve, në krye u vunë vatranët e Bostonit, që arritën të dhuronin $9.971.00, ata të Detroitit me $ 3,535.00, të Usterit me $ 3,016.22, të New Hampshire me $1,661, tw Pittsburg $1,285, të New York-ut me $990.00, Lousvielle $890.00, Cleveland $172, 00, Waterbury 1,470.59, Hartford $145.00, St. Louis $305.00, Chikago 314.99 etj. Këto ishin deri dhurimet deri në festimin e 50 vjetorit të Diellit, ndërkohë që fushata vazhdoi edhe më pas.Natyrisht te ardhurat nuk u arketuan te gjitha ne Fondin e Studenteve sepse u perdoren edhe per kremtimet e 50 vjetorit te Diellit, por per ta fuqizuar ate u organizua nje ballo muzikore me te gjithe shqiptaret ne Boston ne maj te vitit 1961, dhe fondet e mbledhura u arketuan ne Fondin e studenteve. Po ate vit  nisi shperndarja e bursave te Vatres.Presidenti i pare i fondit ishte Dr. Lambi Adams. Është koha që ky fond të rivitalizohet.U bëjmë thirrje vatranëve që sipas mundësive të dhurojnë dhe ta rivitalizojnë këtë fond që u shërben bijëve dhe bijave të shqiptarëve të Amerikës. Fushatat e kanë mbajtë gjallë Vatrën dhe shpirtin vatran. Rasti i tanishëm,kur dhurimet kanë për motiv ish kryetarin dhe Presidentin e Nderit të Vatrës,Agim Karagjozin, që i shërbeu Federatës për më shumë se 60 vjet, është një motiv më shumë. Përkraheni!

Gazeta Dielli do ti publikojë dhuruesit!

Filed Under: Featured Tagged With: Per shpirtin e Karagjozit, zef perndocaj

SHBA me Kosovën edhe në Javën e Bibliotekës Kombëtare

April 11, 2018 by dgreca

-Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, në ceremoninë hapëse, theksoi mbështetjen  për veprimtaritë e Javës së Bibliotekës prej fillimit në vitin 2003/

1 ambasad ame -Në kuadër të “Javës së Bibliotekës” u hap edhe ekspozita me gravurat nga botimet e librave kushtuar Skenderbeut/
1 Libra femijeGazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

1 salle

 PRISHTINË, 11 Prill 2018/ Në Kosovë ka filluar edicioni i 16-të i Javës së Biblotekës Kombëtare, me temën “Arsimimi dhe Trajnimi Bibliotekar”, aktivitet ky i përvitshëm, në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, me  një ceremoni ku mori pjesë edhe kryeministri Ramush Haradinaj, i  cili tha se së bashku do të rrugëtojmë me librin dhe bibliotekën dhe do të marrim përgjegjësitë që na takojnë.Kreu i Qeverisë së Kosovës falënderoi dhe përgëzoi të gjithë ata që në ditë të vështira e mbijetuan librin, bibliotekën, të cilët na bënë të jemi këta që jemi sot.1 Haradinaj Kryeministri Haradinaj përmendi vakumin 10 vjeçar të paraluftës, shkatërrimet e luftës, por edhe kohërat emergjente, duke theksuar faktin se edhe në atë kohë nuk kemi qenë vetëm.”Më kujtohet, që herët, Ambasada e Amerikës, me një donacion të botimeve,  dedikuar qytetarëve dhe studentëve. E kam përcjell atë kohë dhe më pat bërë përshtypje”, tha kryeministri Haradinaj, duke falënderuar Amerikën, popullin e saj, Ambasadën, për këtë kujdes të vazhdueshëm.

 Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, në ceremoninë hapëse, theksoi mbështetjen  për veprimtaritë e Javës së Bibliotekës prej fillimit në vitin 2003.“Këtë vit, ambasada jonë është krenare që mirëpret Dr. Robert Montojën nga Universiteti i Indianës, Blumington, i cili do të flasë për edukimin dhe trajnimin në biblotekari dhe shkencë informative. Dr. Montoja sapo e ka përfunduar prezentimin e parë me bibliotekarët tuaj dhe mendoj se kjo ishte mënyrë e shkëlqyeshme për t’ia nisur veprimtarive të kësaj Jave. Dr. Montoja, ju faleminderit që jeni këtu me ne”, u shpreh Ambasadori Amerikan. 1 Ministri

Ai falënderoi Bibliotekën Kombëtare për përpilimin e një axhende shumë të mirë të veprimtarive për këtë javë, si dhe të gjithë punonjësit e bibliotekave dhe institucionet për mbështetjen e kësaj jave nëpër tërë Kosovën.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi përmes ambasadorit amerikan,  falënderoi Qeverinë, institucionet dhe popullin Amerikan për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme që kanë dhënë për bibliotekën, duke vënë në fokus miqësinë e përhershme dhe të gjithanshme mes Republikës së Kosovës dhe SHBA-së.

Ai vlerësoi këtë organizim tradicional i cili me sukses ka trajtuar tema të ndryshme duke sensibilizuar publikun për rëndësinë e bibliotekarisë dhe të librit në fushën e dijes dhe të kulturës, ndërsa theksoi se Ministria e Kulturës është e përkushtuar që të ndihmojë në funksionimin e mirë të bibliotekave në Kosovë.

Në ceremoninë hapëse po ashtu morën pjesë edhe drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Fazli Gajraku, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Persida Asllani, Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Demaj.

Në kuadër të aktiviteteve në Javën e Bibliotekës së Kosovës u ndanë mirënjohje për ata që kanë dhënë kontribut në ruajtjen dhe pasurimin e librit. Ministri Gashi i ndau mirënjohje Ibrahim Kuçit për pasurimin e biblitekarisë me 9996 ekzemplarë.

Në kuadër të “Javës së Bibliotekës”, u hap edhe ekspozita me gravurat nga botimet e librave kushtuar Skenderbeut.

Gjithashtu, ministri Gashi mori pjesë edhe në ndarjen e materialeve bibliotekare për fëmijët me nevoja të veçanta, “Biblioteka n’shesh – Fëmijët me nevoja të veçanta, bibliotekarë të ardhshëm”, aktivitet ky i organizuar në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Java e Bibliotekes. SHBA, Kosove

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 430
  • 431
  • 432
  • 433
  • 434
  • …
  • 903
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Gjeneral-Ambasador i ShBA në TR, besim dhe përgjegjësi e shtuar për RSh”
  • Norwegians and foreigners from other countries who greatly helped make peace in Kosova
  • Fan Noli dhe Faik Konica, arkitektët e diplomacisë shqiptaro-amerikane që shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • 21 prill 1921, ditë e madhe e shtetit shqiptar. U hap në Tiranë mbledhja e parë, e parlamentit të parë, i dalë nga zgjedhjet e para. Historitë e deputetëve Ali Këlcyra dhe Ali Koprëncka
  • KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” NË  FONDET ARKIVORE TË ARKIVIT TË SHTETIT SHQIPTAR
  • The Architecture of Alignment
  • Kujtojmë me nderim arkeologun dhe studiuesin e shquar Skënder Anamali
  • Një moment në historinë kombëtare…
  • ELIOT ENGEL – NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
  • REALIZIMI I TË DREJTAVE GJUHËSORE SHQIPTARE (1924–2026): ARTIKULIMI QYTETAR DHE DIPLOMACIA
  • BOOKFEST NË CHICAGO
  • “Brenga”, trinomi filozofik nga rrëfimi historik tek drama morale
  • Vatra Boston mbështet ekspozitën e kostumeve tradicionale shqiptare
  • Në kujtim të 160 civilëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashsite!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT