• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Funerali i Aleksander Moisiut dhe Unaza e Ifflandit

March 25, 2018 by dgreca

foto 1 ceremonia mortore e Moisiut në Vjenë

Ne Foto:Ceremonia mortore e Moisiut në Vjenë/

Në kuadrin e vitit të Kulturës Austri Shqipëri si dhe në 83 vjetorin e vdekjes së aktorit me famë botërore Aleksander Moisiu/

foto 5 Unaza e IfflanditNga Pjeter Logoreci/1Basserman Moisi

Ne Foto :Basserman  Moisi/

Dëshëroj ta filloj shkrimin tim me një thënie të huazuar nga ish ministri i jashtëm austriak Dr. Alois Mock që, në këtë rast, tingëllon shumë aktuale dhe është lajtmoitvi më i përshtatshëm për të simbolizuar lidhjet kulturore në mes Austrisë dhe Shqipërisë.“Kush tjetër do të ishte më i përshtatshëm se sa Aleksander Moisi për të simbolizuar mardhëniet kulturore në mes të Austrisë dhe Shqipërisë?”

Personalisht, si studiues dhe kërkues ndër arkivat austriake, kam krijuar bindjen se jo vetëm figurat si: ylli i skenës Moisiu, ndërtuesi gjenial Karl Gega, vllehtë e famshëm voskopojarë Baroni Sina dhe Nikollë Dumba, studentët shqiptarë që u diplomuan me rezultate të larta në universitetet e Austrisë, por edhe qindra dokumente dhe objekte të ruajtura ndër arkivat austriake që flasin për historinë e Shqipërisë e gjuhen shqipe, dëshmojnë dhe forcojnë miqësinë në mes dy vendeve tona.

hdr
Ne Foto: Friedrich Haase aktor mbajtes i unazes

Shumë profesionistë nga të gjitha fushat e jetës, të shkencës e të kulturës si: kirurgu duarartë Federik Shiroka, gjuhëtari Eqerem Qabej; intelektualet Gjergj Pekmezi, Nush Bushati, Kolë Rrota, Stef Curani e shumë të tjerë,  të cilët dolën nga shkolla austriake dhe që ishin ajka intelektuale e atdheut, sollën në Shqipëri vlerat e kulturës dhe eksperiencat e një  kombi nga më të përparuarit e botës, si Austria.

hdr

ALEKSANDER MOISI

Në mbrëmjen e 22 marsit 1935, një lajm mortor bëri xhiron e botës. Në ora 19.10, në Grand Hotel të Vjenës, vdiq ylli i skenës botërore Aleksander Moisiu.  Lajmi i vdekjes së aktorit u pasqyrua menjëherë në faqet e para të gazetave më prestigjioze të Europës. Vdekja e rrembeu për të mos na e kthyer më, “specialistin”, atë që gjatë karrierës, vdekjen e përjetoj mbi 1500 herë në rolet e tija.  Egziston thënja se: ”…Gjenitë vdesin herët, të rinj…”, ashtu edhe gjeniu i ynë Aleksandri vdiq në vitin e 56 -të së jetës së tij, në kulmin e karrierës e të pjekurisë artistike.

Familja, kolegë, miq e shokë u mblodhën për tu ndarë me Moisiun, në ceremoninë e djeg-jes së kufomës së tij, në Krematorin e Vjenës. Në sallën mortore të mbushur plot, në mes të personaliteteve të artit ishin dhe aktorët Albert Bassermann, Werner Kraus, Emil Jannings si dhe drejtori i teatrit Hermann Röbbelling. Tregojnë se në mes të kësaj atmosfere mortore dhe dhimbjeje të thellë, miku i ngushtë i Moisiut dhe mbajtësi i Unazës së famshme të Ifflandit, aktori Albert Bassermann hoqi nga gishti Unazën Iffland, të cilën e mbante si aktori më i madh gjerman, dhe e vendosi mbi sargun e Moisiut duke thënë…”Kjo Unazë i përket vetëm Moisiut”… Për momenti ky gjest preku zemrat e të gjithë të pranishëmve, por më vonë u gjet si shkak për të hapur diskusione dhe kritika të ashpra nga gazetarë, kritikë si dhe personazhe nga rrethet e fuqishme të politikës.

Ndodhi që, rrugëtimi i Unazës ngjalli shumë debate, për menyrën e kalimit ose për personazhet që e mbanin, shpesh herë duke i gjykuar ato sipas këndvështrimit politik të kohës. Ndikimi i rregjimit NS bëri që edhe Moisiu të shikohej si kundërshtar politik, komunist, çifut apo  emigrant (i huaj) në tokën gjermane. Më poshtë jam përpjekur të sjellë disa artikuj të përzgjedhur në mes të qindra shkrimeve që u botuan ndër gazetat e kohës, të cilët sjellin në mënyra dhe interpretime të ndryshme atmosferen dhe ngjarjen e asaj dite në Krematorin e Vjenës.foto 4 der morgen 1prill1935

GAZETAT GJERMANE PER UNAZEN IFFLAND, MENDIMET PRO DHE KUNDRAfoto 3 dieweltpresse 13dhetor1945

Funerali i Moisiut sipas gazetës Salzburger Volksblatt e martë 26 mars 1935:

Dje mbasdite në Krematorin e Vjenës u dogj kufoma e Aleksander Moisiut. Albert Bassermann, zotëruesi i Unazës së Ifflandit, mori vendim që të vendosë mbi sargun e mikut të tij të vdekur Unazen Iffland. Mbajtësi i unazës, sipas rregullit, mund të vendosë vetë për kalimi i Unazës Iffland prej tij tek më i miri aktor gjerman.

foto 2 salburgervolksblatt 28marz1935

Unaza Iffland, është një objekt zbukurimi për tu mbajtur në gisht dhe mban sipër portretin e aktorit August Iffland të punuar në metal dhe të rrethuar me diamante. Unaza mund të kalojë nga dora e aktorit mbajtës në dorën e një tjetri aktor gjerman, më të mirin e kohës. Mbas zotëruesit të saj fillestar August Wilhelm Iffland, që vdiq në vitin 1814-të, atë e mbajtën Ludwig Devrient, Emil Devrient, Theodor Döring dhe Friedrich Haase. Me vdekjen së Haases në vitin 1911, unazen e zotëroj Albert Bassermann. Kjo unazë, tani aktualisht, ju vendos një kufome në gisht. Ceremonia e vdekjes filloj denjësisht. Sargu me ngjyrë të errët qëndronte mbi një pod të fortë prej xhami i rrethuar nga një det lulesh, kurorash, dhe buqetash shumëngjyreshe. Fare pranë sargut, ishin të pranishëm të gjithë personalitetet e famshme nga bota i artit. Konsulli italian Reggiera mbajti në italisht një fjalim të shkurtë, ku me shumë kujdes përmendi plotësimin e dëshirës së fundit të aktorit që vdiq, që të ishte shtetas italian. Ai i shprehu familjes ngushllimet në emër të atdheut, Italisë. Miqtë e Moisiut, Bruno Walter dhe Profesor  Alfred Rosé, luajten Adagio nga Beethoven, nën tingujt e së cilës, sargu zbriti poshtë pas një porte të hekurt, drejt vatrës së zjarrit për tu djegur.

Me rastin e vdekjes së Aleksandër Moisiut, Shtypi Skandinav i kushton personalitetit të tij një vëmendje të madhe, duke nderuar vlerat e mëdha artistike e para së gjithash përshkruan ndikimin i artit të tij në mendimin skandinav.Ndërsa Radio Moska, përveç se lavdëroj rëndësinë e veprës së tij artistike, duke ju referuar orientimit politik të Moisiut, e quajti atë një mik të veçantë të komunistëve.

Gazeta Berlineze „Lokalanzeiger“ këto ditë sulmon ashpër aktorin Albert Bassermann, pasi ai, diten e djeg-jes së kufomës së Moisiut në Kremator, i vuri atij në gisht Unazen e famëshme të Ifflandit. Çka është më keq, gazeta e quan këtë veprim më shumë se të çuditshëm. Ishte e qartë që ky ishte një akt i pastër kundër kombit gjerman. Bassermann me këtë veprim, i dha një shuplakë të rëndë në fytyrë kolegëve të vet gjermanë.

Kritikat për Bassermannin

Me 13 dhetor 1945 Gazeta Weltpresse shkruan: Albert Basserman ikë në Gjermani.

78 vjeçari Albert Bassermann do të jetë i pari ndër aktorët e mëdhej i cili kthehet në Gjermani nga mërgimi. Ai la skenën gjermane në vitin 1934, pasi i dëbuan nga teatri gruan e tij, si çifute. Dy vjet më vonë ai u largua drejt Anglisë ku jetoj i tërhequr në ishullin Wight. Më pas shkoi në Hollywood. Në kohën më të mirë të karrierës në Gjermani, ju dha çmimi më i lartë për një aktor. Ai u bë mbajtësi i Unazës Iffland të cilën mund ta marrë vetëm aktori më i mirë gjerman. Me vdekjen e Aleksander Moisiut në vitin 1935, Bassermann hodhi në sargun e tij Unazen e Ifflandit duke thënë: Me Moisiun vdiq dhe skena gjermane…

Një diskutim mbi Unazën e Ifflandit: në Gazetën Salzburger Volksblatt 29 mars 1935:

Albert Bassermann në Vjenë ka dhënë këtë sqarim: Lexoj në “Berliner Lokalanzeiger” akuzën që kjo gazetë më bën në rastin e trashëgimit të Unazës së Ifflandit nga unë tek Aleksander Moisiu, që ky veprim i imi qënka “një gjest i qartë kundër  Gjermanisë” duke shtuar që “u kam dhënë të gjithë kolegëve gjerman një shuplakë në fytyrë”. Me të njëjten të drejtë mundet që, edhe kolegët austriakë e aktorët vjenezë, të ndjehen po ashtu të fyer. I pari që kisha zgjedhur për ti trashëguar Unazen Iffland ishte Aleksander Girardi, po ai vdiq. I dyti ishte Max Pallenberg i cili u aksidentua nga rrëzimi i një avioni. I treti ishte ai që për mua është një artist gjenial që e kam nderuar veçanërisht, Aleksander Moisi. Ai u prek nga një grip i pabesë. Ky konstatim është i tmershem për një njeri si unë që nuk është mosbesues. Të tre të zgjedhurit nga unë për Unazen vdiqën në kulmin e krijimtarisë së tyre. Prandaj duhet që mbas Aleksander Moisiut, askush të mos e mbaj më Unazen. Që unë ja vura Unazën në gisht Moisiut të vdekur dhe që ajo u dogj është një mit i krijuar. Edhe nga ana juridike, nuk e kam këtë të drejtë. Veprimi u bë vetëm nga ana figurative. Unë nuk do ja trashëgoj Unazën asnjeriut tjetër, por do ta vendosë në një vend të zgjedhur e të sigurtë. Ky vendim i imi është jo i motivuar politikisht.

Gazeta “Der Morgen” 1 prill 1935, për të shprehur mosaprovimin e saj ka botuar një shkrim shumë të ashpër nga Heinrich Eduard Jacob, EPILOG MBI UNAZEN E IFFLANDIT, i cili duke analizuar veprimin e Bassermannit, kritikon atë dhe e quan të motivuar politikisht dhe emocional. Po vendos këtu disa pasazhe nga ky shkrim i gjatë dhe shumë interesant:

…Albert Bassermann i cili mban në dorën e tij një unazë me vlerë të paçmuar, ja dhuroj atë Moisiut të vdekur. Për grekët e lashtë fjala Dhimbje dhe fjala Pathos ishte e njëjta. Ashtu edhe Bassermanni ka besuar në Pathosin e natyrshëm të dhimbjes së tij, që Unaza i përkiste vetëm atij. Ai mund të vepronte me Unazën siç dëshironte vetë. Dhe veproi siç donte, ndërsa ndodhi që nga “Simbol Nderimi”, ta kthejë Unazën në një Relike dhe ta vendoste mbi sargun e Moisiut. Me këtë veprim Bassermann ka prishë tradicjonin e kalimit të Unazës…..

…Eshtë e sigurtë që kur Iffland ja kaloi Unazën nxënësit të tij Devrient, kishte qëllim që të krijonte një traditë të pafund,  që do trashëgohej  në pavdeksi në sferën e artit skenik gjerman…

…A mos është një simbol tjetër, që pranë sargut të mjeshtrit gjerman të fjalës Aleksander Moisi, nuk u fol as edhe një fjalë gjermanisht? Që askush nga rrethi i kulturës gjermane, në të cilin Moisiu për vite me radhë luajti një rol të rëndësishëm, nuk ishte i dërguar në varrim, ndërsa përfaqësuesit e shtetit italian ishin prezent dhe fjalët në gjuhën italiane provokuese e “për të dëshiruar”.

Pas “skandalit” dhe shumë diskutimeve që ngjalli kalimi i Unazës së Ifflandit Aleksander Moisiut, Bassermann vendosi ta dorëzojë atë (siç e kish shprehur) në Muzeun Kombëtar të Teatrit në Vjenë. Për këtë veprim Gazeta  Salzburger Chronik e 26 prillit 1935 me shkrimin “Unaza e Ifflandit në Muzeun Kombëtar të Teatrit” lajmëron:

“Si lajmërohet nga Vjena, Albert Bassermann e depozitoj Unazën e Ifflandit në Muzeun e Teatrit në Vjenë. Unaza e famëshme tani është një objekt muzeal…., …më parë, kalimi i Unazës tek Moisiu ngjalli diskutime dhe keqkuptime. Pat shumë versione, sikur Bassermann ja vendosi në gisht Moisiut të vdekur, versioni tjetër ishte sikur Unaza u vendos mbi enën që mbante Hirin e Moisiut, ose që Bassermann sqaroj vetëm me fjalë që Unaza i takonte artit gjenial të Moisiut, për ti bërë atij një nderim të fundit. Tashti Unaza do të qëndrojë në Muzeun Kombetar të Teatrit, ku ka një vend nderi dhe nuk mund të vazhdojë të jepet.”

Por në tetor të vitit 1954, nga personalitetet gjermane të artit dhe të kultures, u vendos që Unaza Iffland të vazhdoj rrugëtimin duke kapërcyer dyert e Muzeut Kombëtar të Teatrit, për të kaluar tek aktori Werner Kraus, më pas tek Josef Meinrad dhe në fund  tek aktori zviceran Bruno Ganz, që e mban dhe sot.

Në mbyllje, në kujtim të gjeniut Aleksander Moisi, shpreh respektin për veprën dhe trashëgiminë artistike që la pas. Shpirti i tij pushoftë në paqë.

Vjenë, me 19.03.2018

Referencat:

Gazeta Salzbuger Volksblatt 1935, Gazeta Die Weltpresse 1945

Gazeta Die Weltpresse 1935, Gazeta Pilsner Tagblatt 1935

Gazeta Der Morgen 1935, Gazeta Salzburger Chronik 1935

Libri: Der Iffland Ring, Viktor Reimann

 

Filed Under: Featured Tagged With: Aleksander Moisiu, ceremonia e varrimit, Pjeter Logoreci, unaza

KUR VDIQ GJON MILI, E PËRCOLLËN 3 SHQIPTARË, NE ISHIM 4

March 25, 2018 by dgreca

KUR VDIQ GJON MILI, E PËRCOLLËN 3 SHQIPTARË , KUR U SHFAQ DOKUMENTARI NE QUEENS, NE ISHIM 4!/

IMG_1601-“THE LIGHT”, DOKUMENTARI KUSHTUAR GJON MILIT U SHFAQ NË FESTIVALIN BOTËROR TË QUEENSIT/2 Dokumentari1 Light Mili Gjon ok2 Kaufman

–Një gjë është e sigurtë; dokumentari”The Light” e “ringjalli” Gjon Milin, por shqiptarët e Amerikës nuk e panë-ishin në gjumë! Flinin edhe pse shfaqja ishte në 1 pasdite..Sa keq!……/

Të shtunën, në ditën e parafundit të Festivalit Botëror të Filmit në Queens, New York, në një nga sallat e kompleksit madhështor të Studiove”Kaufman”(Parandset e Holliwood-it) u shfaq dokumentari i nominuar për cmim” The Light”, i cili i kushtohet mjeshtrit botëror të fotografisë, përdoruesit të parë të flashit elektronik, më 1937 ai realizoi fotografimin stroboskopik nga bashkëpunimi me  Edgerton;  ishte fotografi zyrtar i Revistës “LIFE”, artisti që fotografoi personalitete të famshme të kohës, i njohur për fotografimin të vizatimit me dritë të Pablo Pikaso, artisti që eksperimentoi edhe në fushën e filmimit, me filmin e tij “Jammin The Blues” në vitin 1944; fotografi që u bë i famshëm duke fotografuar “Yjet” e kohës në fushën e politikës- presidentë, artistë(Merlin Monro, Sofia Loren etj), sportistë, kërcimtarë, skandale të kohës, evenimente botërore, si Konferenca e Paqes në Paris(Përfshi dhe Enver Hoxhën më 1946 në Paris, regjimi i të cilit ia refzoi vizën që të vizitonte atdheun e Lindjes) etj.etj..

Po sa e njohin shqiptarët Gjon Milin?

Pak, fare pak. Një përpjekje për ta sjellë para opinionit shqiptar dhe atij botëror këtë figurë-gjeni, e kanë bërë një grup artistësh shqiptarë, me dokumentarin “Light”. Regjizorja Suela Bako dhe Yllka Gjollesha e kanë sjellë në qendër të opinionit botëror. THE LIGHT- Një dokumentar për të cilën u punua dy vite në arkivat e Bostonit,Parisit,New York-ut(përfshi dhe Vatrën)  dhe në redaksinë e revistës “Life”. Dokumentari , që u pëlqye e u vlerësuar shumë nga amerikanët- flet për jetën dhe karrierën profesionale të Gjon Milit, jetën e tij, kontaktet botërore, rrugëtimin artistic të mjeshtrit etj. Miq,Bashkëpuntor dhe ish-nxënës shfaqen në ekran dhe me superelativa vlerësojnë këtë gjeni të fotografisë, që çeli i pari shtigje të panjohura.

Fatkeqsisht shqiptarët, që janë disa mijëra vetëm në shtetin e Nju Jork-ut, madje vetëm sikur të kishin marrë pjesë në shfaqjen e dokumentarit në Festivalin Botëror të Filmit të Queensit, – shqiptarët e Queensit, do të ishte e mjaftushme për ta nderuar pas vdekjes mjeshtrin e madh. Mirëpo, edhe pse ishte e Shtunë, fundjavë, ditë pushimi, shqiptarët, që me folklorizma bëjnë me origjinë shqiptare edhe Presidentët e Amerikës, për një artist të shquar, që e ka të konfirmuar orogjinën shqiptare, nuk gjetën kohë për t’u mbushur sallën e shfaqjes. Së paku të kishin shuar kurreshtjen! Fatkeqsisht askush nuk u duk as edhe nga shërbimi diplomatik shqiptar! Po dhe ata nuk kanë kohë! Ishte një rast që mund të ishte shfrytëzuar për ta bërë të njohur Shqipërinë përmes emrit dhe famës së Gjon Milit.

Si nuk u duk asnjë kamer shqiptare, edhe pse kemi 4-5 TV shqiptare rrotull?

Ashtu si në vdekjen e  Gjon Milit, ku ishin vetëm 3 shqiptarë(vatranë) në  funeral (Nexhmije Zajmi, Sejdi Bytyçi dhe Tonin Mirakaj), këtë herë në shfaqjen e dokumentarit të tij ne ishim katër vatranë (Zef Balaj, Marjan Cubi, Dritan Haxhia dhe editori i Diellit, shkrusi i këtyre radhëve).

Gjithësesi ne arritëm që të shuanim kureshtjen e organizatorëve dhe pjesmarrsve në shfaqje për përkatësinë shqiptare të Gjon Milit dhe për lidhjet e tij me komunitetin shqiptar të Ammerikës, vecanërisht me VATRËN, në press konferencë pas shfaqjes.

Një gjë është e sigurtë; dokumentari”The Light” e “ringjalli” Gjon Milin, por shqiptarët e Amerikës nuk e panë-ishin në gjumë! Sa keq!

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: dalip Greca. The Light, GJON MILI

DITA QË I HAPI SHTEG LIRISË SË KOSOVËS

March 24, 2018 by dgreca

-Kosova 19 vjet nga ndërhyrja shpëtimtare e NATO-s, 24 marsi 1999- Dita që i hapi shteg lirisë/

1 avionet1 reaktiv6 Welcome10 Klinton Rugova8 ramushi lule5 femijet

-Si raportova nga Prishtina në Tiranë në orën e nisjes së ngjarjes historike të mbrëmjes së 24 marsit 1999, përkundër ndërprerjes së linjave/

-Kryeministri Ramush Haradinaj: Fushata ajrore e NATO-s, që filloi më 24 mars 1999, ishte vendimtare për lirinë e popullit të Kosovës. Lavdi dhe mirënjohje e përjetshme heroizmit të grave dhe burrave të NATO-s, që u flijuan në shërbim të mbrojtjes së jetës dhe shpëtimit të një populli të tërë të pambrojtur/

-Më pak se një vit para ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, në 29 maj 1998, Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në Uashington, në takim me Presidentin Amerikan Bill Clinton: Duhet të na ndihmosh…/

nato-behlul-jashari-kosove

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 23 Mars 2018/ Në këtë pranverë të 2008-tës bëhen 19 vjet nga 24 marsi 1999 – Dita kur ndërhyrja shpëtimtare e NATO-s, forcës më të madhe planetare, kundër terrorit e gjenocidit, i hapi shteg lirisë së Kosovës. Është kjo edhe një ditë e mirënjohjes e falënderimit të përjetshëm për botën demokratike që nuk lejoi spastrimin etnik dhe zhbërjen e  shumicës shqiptare të Kosovës.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë së Kosovës, kryeministri Ramush Haradinaj, shprehu falënderimin për Aleancën e NATO-s, në 19 vjetorin e fillimit të intervenimit që ka quar në përfundimin e luftës në Kosovë. “Populli i Kosovës do të jetë gjithmonë mirënjohës aleancës veri-atlantike për kontributin në lirinë e Kosovës”, theksoi kryeministri Haradinaj në mbledhjen e qeverisë.

Kryeministri Haradinaj, sot edhe ka vënë kurora lulesh tek lapidari i ushtarëve të KFOR-it, te komanda qendrore në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, në shenjë nderimi për kontributin e pazëvendësueshëm të KFOR-it, në vendosjen e paqes dhe sigurisë në vend dhe për të nderuar intervenimin jetik të NATO-s për ekzistencën e Kosovës si shtet.

“Fushata ajrore e NATO-s, që filloi më 24 mars 1999, ishte vendimtare për lirinë e popullit të Kosovës. Lavdi dhe mirënjohje e përjetshme heroizmit të grave dhe burrave të NATO-s, që u flijuan në shërbim të mbrojtjes së jetës dhe shpëtimit të një populli të tërë të pambrojtur”, u shpreh kryeministri Haradinaj.

Ai theksoi se, populli dhe institucionet e Kosovës do të jenë gjithmonë mirënjohës për mbështetjen e perëndimit, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe tani në rrugën e integrimit euroatlantik.

Në fillimet e pranverës së para 19 viteve, ndërhyrja e NATO-s pritej pasi Konferenca e parë ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje, Francë, që kishte nisur në  6 shkurt 1999 kishte përfunduar, nga mesi i marsit, me refuzim nga delegacioni i Beogradit të marrëveshjes së pranuar nga delegacioni kosovar. Edhe derisa bisedohej në Rambuje-Paris, regjimi i Beogradit kishte sjellë në Kosovë paisje luftarake e trupa ushtarake shtesë, që mund të arrinin në 130.000, sipas vlerësimeve të kohës.

Ndërkohë, për shkak të rreziqeve,  shumica e reporterëve të mediave ndërkombëtare bashkë me Misionin vëzhgues të OSBE-së ishin larguar nga Kosova para fillimit të ndërhyrjes së Aleancës Veriatlantike. Edhe në ato rrethana vazhdoja pa ndalur asnjëherë raportimet nga Kosova për Agjencinë Telegrafike Shqiptare – Agjencinë zyrtare-shtetërore të lajmeve të Shqipërisë, të nisura në 24 maj 1992…

E, në 24 mars 1999, ishin orët u fundit para fillimit të bombardimeve të NATO-s kur kërkonim mundësinë e fundit për të dhënë nga Prishtina në Tiranë lajmin e madh të pritur, pasi lidhjet telefonike ishin bërë të pamundura.

Të provojmë me lidhje satelitore në mbrëmje, u morëm vesh me vëllain, Demë Jashari, në Zvicër. Dhe, ishim në linjë në momentin e pritur, nga Prishtina në Lozanë- Zvicër raportoja me telefon derisa po ndodhte lajmin e madh edhe për gjithë botën që e shkruante vellai me kompjuter për ta përcjellë prej atje me telefax drejt Tiranës…

Në mbrëmjen e 24 marsit 1999 raportoja nga Prishtina se rreth orës 20:00 u ndjenë fuqishëm goditjet e para të sulmeve ajrore të Aleancës Veriatlantike mbi pozicionet e forcave serbe.

Përshkruaja situatën në kryeqytetin e Kosovës në atë orë historike: “Nga goditjet dridheshin xhamat e ndërtesave në Prishtinë, ndërsa vazhdimisht dëgjoheshin sirenat e alarmit”.

Pasi e raportoja këtë, shtoja se “pas pak çastesh të goditjeve, e tërë Prishtina dhe Kosova mbeti në terr”, meqë u ndërprenë dritat, furnizimet me energji elektrike.

Raportoja edhe se, “para goditjeve, automjete të blinduara me trupa serbe dhe armë në gjendje gatishmrie, lëviznin nëpër të gjitha rrugët e shkreta të Prishtinës, që ngjan në qytet fantazmë. Pas goditjeve, këto lëvizje tankesh dhe blindash nuk shihen më”.

Dhe, “kohë pas kohe, nëpër qytet, dëgjohen breshëri armësh”, përfundoja lajmin e parë për nisjen e bombardimeve, lajmin që dhash edhe për Radio Tiranën, me të cilën pastaj u lidha edhe drejtpërdrejtë në raportime. Lajmet për ndërhyrjen shpëtimtare të NATO-s në Kosovë shkonin për gjithë kombin shqiptar edhe për botën, të raportuara nga Prishtina, nga lagjeja Ulpiana, nga banesa ime e mbushur refugjatë nga zonat e luftës.

Refugjatët sollën përvojat e tyre të pas dëbimit nga shtëpitë, të strehimit maleve, se si të bëhej dritë në terr kur s’ka as qirinj, duke ndezur ndonjë leckë të futur në vaj ushqimi të mbushur nëgjysëmpatate të gërryer nga brenda. Nën atë dritëz po shkruaja lajm tjetër, ndërsa po dëgjoja lajme në një radio të vogël me bateri – tranzistor, derisa shkallëve të ndërtesës dëgjoheshin rrapllimat e ushtarëve e policëve serbë që nga momenti i nisjes së bombardimeve kishin ikur nga rrugët e sheshet ku ishin.

Në terrin e natës dhe të okupimit të egër, drita e shpërthimeve nga goditjet e aviacionit të NATO-s nga qielli shihej si një shpresë e besim për të ardhmen e ëndërrave për lirinë e paqen derisa në Kosovë kishte marrë përmasa gjenocidi terrori i spastrimit etnik kundër shqiptarëve.

“Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodh në Kosovë, është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës”, theksone në atë ditë e orë historike, Presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton,  derisa nga Shtëpia e Bardhë  i drejtohej kombit amerikan, duke folur për zhvillimet tragjike në Kosovë dhe ndërhyrjen shpëtimtare të  NATO-s.

Mëngjesin e parë të pas fillimit të bombaredimeve, lajmet e fundit që dhash nga Kosova drejt Tiranës ishin për situatën në Prishtinë dhe për ekzekutimet nga forcat serbe  gjatë natës të shqiptarëve në Mitrovicë, kryesisht veprimtarëve e intelektualëve, ndër të cilët ishte edhe poeti Latif Berisha.

Ai mëngjes i 25 marsit 1999  sillte lajme të reja se forcat kriminale serbe gjatë natës  kishin bërë sulme dhe vrasje të tjera në familjet dhe vendbanimet shqiptare, në Prishtinë kishin rrëmbyr nështëpi avokatin e veprimtarin e njohur për të drejtat e liritë njerëzore, Bajram Kelmendi, me dy bijtë e tij, të cilët i ekzekutuan. Forcat serbe kishin djegur edhe selitë e institucioneve të rëndësishme kosovare e ndërkombëtare, përfshirë zyrat që ndodheshin në një shtëpizë shkrimtarësh që ishte bërë seli e Presidencës dhe e institucioneve tjera të Republikës së Kosovës, atëherë të panjohur ndërkombëtarisht, dhe Zyrën e SHBA-ve në Prishtinë.

Edhe në mëngjes, si edhe natën, Prishtina dukej si një qytet fantazmë, rrugët dhe sheshet ishin të zbrazëta.  Tanket dhe makineria tjetër serbe e luftës, që një ditë më parë i mbushnin rrugët e sheshet, kishin ikur dhe ishin fshehur edhe nëpër lagje për t’i pasur banorët  shqiptarë mburojë të gjallë. Nëpër shumë pika kishte snajperë serbë dhe njerëzit qëndronin të mbyllur në shtëpi, të rrethuar me kërcënimin e madh të forcave serbe, por me gëzimin e besimin e plotë se liria e Kosovës po vinte.

Atë mëngjes të parë të pas mbrëmjes historike të 24 marsit 1999 u këput edhe mundësia e fundit e lidhjes me telefon dhe e raportimit dhe nisa kërkimin e ndonjë mundësie tjetër, duke ndërruar edhe vendbanimin shkaku i rrezikut të qëndrimit të mëtejmë në banesë, e pastaj edhe duke u larguar nga Prishtina drejt kufirit jugor të Kosovës, prej nga vazhdoja raportimet.

Raportimet dëshmonin se forcat serbe vazhdonin fushatën për dëbimin e të gjithë shqiptarëve nga Kosova. U dëbuan afër një milion shqiptarë, shumica në Shqipëri. Më shumë se 12 mijë arrinte numri i shqiptarëve të vrarë e masakruar, edhe të groposur në varreza masive, në mëse 5 mijë arrinte numri i të zhdukurve, qytetet dhe fshatrat shqiptare digjeshin e plaçkiteshin nga forcat ushtareke, policore e paramilitare serbe të Milosheviçit, kasapit të Ballkanit, që pas vitesh përfundoi në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte në Hagë.

Ende pa kaluar tre muaj nga fillimi, bombardimet përfunduan në 10 qershor 1999, pasi një ditë më parë ishte arritur  Marrëveshja e Kumanovës mes NATO-s dhe Beogradit për tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave ndërkombëtare të Alancës Veriatlantike në Kosovë.
Dita e Lirisë dhe Paqes, e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, erdhi në 12 qershor 1999. Në mëngjesin e asaj dite të lume, në orën 05 e 17 minuta, tanket e para të NATO-s hynë në Kosovë duke kaluar kufirin me Maqedoninë në Bllacë – Han të Elezit, drejt Prishtinës, e të nesërmen nga Shqipëria, duke kaluar kufirin në Morin-Vërmicë, drejt Prizrenit…

Edhe në atë ditë e orë  historike një lajm tjetër të madh se në Kosovë po ndodhte liria e raportoja drejt Tiranës – në Agjencinë Telegrafike Shqiptare dhe Radio Televizionin Shqiptar nga kolona e tankeve të para të NATO-s  që kalonte kufirin jugor në Han të Elezit drejt Grykës së Kaçanikut…

Kosova, pas hyrjes së trupave të NATO-s – KFOR-it, u administrua sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së deri në 17 Shkurtin histotik  2008 të shpalljes së Pavarësisë së njohur deri sot nga 116 shtete të botës.

MË PAK SE NJË VIT PARA NDËRHYRJES SË NATO-s NË KOSOVË, NË 29 MAJ 1998, PRESIDENTI HISTORIK I KOSOVËS, IBRAHIM RUGOVA NË UASHINGTON, NË TAKIM ME PRESIDENTIN AMERIKAN BILL CLINTON: DUHET TË NA NDIHMOSH…

Më pak se një vit para ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, në 29 maj 1998 Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në Uashington ishte takuar me Presidentin amerikan Bill Clinton. Pas takimit Rugova deklaronte: “Ne ritheksuam se zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte shteti i pavarur”. Ndërsa, Clinton kishte theksuar se Kosova është një nga shqetësimet amerikane dhe se SHBA-të do të intensifikojnë angazhimin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në kuadër të Grupit të Kontaktit dhe të NATO-s.

Presidenti amerikan Bill Clinton, në 1 nëntor 2009, në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës, por edhe në sheshin me emrin e shtatoren e tij në Prishtinë, ka përkujtuar Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova dhe një gurë kristali të cilin ai ia kishte dhuruar.
“Ai gurë kristal të cilin ma dha Rugova i është dhuruar një universiteti, por për një kohë ai ishte i njohur edhe në SHBA me emrin ‘Guri i Rugovës’”, ka thënë Presidenti amerikan Clinton.
Ai ka treguar se është rritur në një vend që ka gjeologji të ngjashme me Kosovën, në Arkanzas. “Atëherë, ai (Rugova), më tha se duhet të na ndihmosh”,  ka përkujtuar ish-Presidenti i SHBA-ve Bill Clinton.

Presidenti amerikan Clinton me rastin e shuarjes në 21 janar 2006 të Presidentit kosovar Rugova shprehej: “Kam pasur nder ta mbështes luftën e tij për paqe dhe liri”…

MESAZHI I FUNDIT, I VITIT 2005, I PRESIDENTIT HISTORIK DR. IBRAHIM RUGOVA I URIMIT PËR 24 MARSIN: DITË E AGUT TË LIRISË PËR TË GJITHË NE

Mesazhi i fundit i Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova i urimit për 24 marsin – Ditën e fillimit të fushatës ajrore të NATO-s për mbrojtjen e Kosovës ishte në vitin 2005:

Dita e fillimit të fushatës apo sulmeve ajrore, pra 24 marsi i vitit 1999, ka hyrë në historinë më të re të Kosovës si ditë e agut të lirisë për të gjithë ne. Kurse në historinë botërore ka hyrë si ditë për mbrojtjen e një populli dhe për shpëtimin e tij nga e keqja.
Sot, pas gjashtë vjetësh në liri, mund të themi se Kosova pa pasur një progres të madh në të gjitha fushat e jetës. Këtë progres do ta bënte më të madh dhe më të shpejtë njohja e drejtpërdrejtë epavarësisë së Kosovës sa më parë. Pra, një Kosovë e pavarur, demokratike e stabile, e integruar në BE, në NATO dhe në miqësi permanente me SHBA-të, është vullneti politik i popullit dhe i qytetarëve të Kosovës.
Për këto gjashtë vjet, KFOR-i, NATO, ka bërë një punë të shkëlqyer në sigurinë dhe mbrojtjen e vendit tonë. Kështu, KFOR-i, NATO, është bërë forcë e dashur dhe e respektuar nga të gjithë qytetarët e Kosovës, që nga fëmijët deri te pleqtë.
Me këtë rast, urime të përzemërta u bëjmë ushtarëve të KFOR-it, komandantëve të zonave dhe Komandantit De Kermabon. Njëherësh urime të sinqerta u shprehim UNMIK-ut dhe Kryeadministratorit Petersen, si dhe OSBE-së dhe ambasador Fieskit.
Urime të përzemërta u bëjmë përfaqësive diplomatike në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë.

Filed Under: Featured Tagged With: 24 Marsi, Behlul Jashari, dita -shteg i Lirise, Kosva

Dimri në pranverën e Prishtinës

March 22, 2018 by dgreca

1 SkenderbeuGazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/1 Nene Tereza

 PRISHTINË, 22 Mars 2018/ Prishtina sot ishte me shumë bardhësi dëbore të dimrit në pranverë. Është dita e tretë me reshje dëbore, që nisën në mëngjesin  e ditës së ardhjes së pranverës, në 20 mars. Sot kishte edhe ngrica ndërkohë që Instituti Hidrometeorologjik për këtë javë kishte parashikuar rënie temperatuarash deri -3 gradë Celcius.Akuj të zgjatur shiheshin strehëve e oxhaqeve të shtëpive, madje edhe te shtatoret e Heroit Kombatër  Gjargj Kastirotit-Skënderbeut,  Shën Nënë Terezës e Presidentit historik të Kosovës  Ibrahim Rugovës.1 Rugova

Në Prishtinë dëborë reshë edhe pranverave e vjeshtave.Në mëngjesin e 20 prillit 2017 kryeqyteti i Kosovës ishte i zbardhur nga dëbora që nisi me fjolla të lehta një ditë më parë e vazhdoi të reshë më dendur natën.

1 oxhaket

Në 2016-tën dëborë pranverore reshi edhe natën mes 25 e 26 prillit.Ndërsa, dëbora e fundit pranverore në 2015-tën  reshte në ditën e gjashtë të muajit prill, pas asaj që nisi mbrëmjen e 1 prillit e që pasonte atë të pragfestës së Ditës së Verës – 14 marsit .1 Biblioteka

Në Prishtinë dëbora e parë e dimirit që ikën sot reshi dy muaj e gjysmë para ardhjes, që në vjeshtë, natën mes 6 e 7 tetorit  2017.Afër një muaj më e “vonuar” dhe më e paktë me një tis i hollë që zbardhte veçmas kulmet ishte dëbora e parë në vjeshtën 2016, e reshur natën mes 3 e 4 nëntorit në Prishtinë.

Në vjeshtën e vitit 2015 Prishtina ishte e mbuluar nga dëbora e parë në mëngjesin e 27 nëntorit.

E  vjeshtën e vitit 2014 dëbora e parë ka reshur dy muaj para ardhjes së dimrit me kalendar, natën mes 22 e 23 tetorit.

Prishtinës, ku moti ndërron edhe brenda orëve e ditës, e dëborë bie edhe në stinë pranvere e vjeshte, thuhet se i ka mbetur emri si një vend ku prishet stina (Prishstina), siç thuhet edhe se e mban emrin e trashëguar nga Perandori Justiniani.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Dimri ne pranveren, e Prishtinës

VATRA URON 26 VJETORIN E TRIUMFIT TE DEMOKRACISE

March 22, 2018 by dgreca

VATRA URON DITEN E  TRIUMFIT TE PRANVERES DHE 22 MARSIN E DEMOKRACISE/
 Federata Panshqiptare e Amerikes VATRA uron te gjithe besimtaret bektashinj: Gezuar Diten e Sulltan Novruzit!
Vatra uron të gjithë besimtarët bektashinjë për më shumë paqe, begati e mirësi!
22 MARS
 Një urim të veçantë Fedearata Panshqiptare e Amerikës VATRA përcjell me rastin e 26 vetorit të triumfit të Demokracisë shqiptare. Vatra kujton me respekt te larte 22 Marsin 1992, diten e fitores se demokracise, diten e shpreses se madhe dhe plotesimit te endres per liri dhe integrim perendimor ….

Filed Under: Featured Tagged With: dhe 22 Marsin, federata Vatra, prime per Ditene Ashures

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 435
  • 436
  • 437
  • 438
  • 439
  • …
  • 903
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Gjeneral-Ambasador i ShBA në TR, besim dhe përgjegjësi e shtuar për RSh”
  • Norwegians and foreigners from other countries who greatly helped make peace in Kosova
  • Fan Noli dhe Faik Konica, arkitektët e diplomacisë shqiptaro-amerikane që shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • 21 prill 1921, ditë e madhe e shtetit shqiptar. U hap në Tiranë mbledhja e parë, e parlamentit të parë, i dalë nga zgjedhjet e para. Historitë e deputetëve Ali Këlcyra dhe Ali Koprëncka
  • KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” NË  FONDET ARKIVORE TË ARKIVIT TË SHTETIT SHQIPTAR
  • The Architecture of Alignment
  • Kujtojmë me nderim arkeologun dhe studiuesin e shquar Skënder Anamali
  • Një moment në historinë kombëtare…
  • ELIOT ENGEL – NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
  • REALIZIMI I TË DREJTAVE GJUHËSORE SHQIPTARE (1924–2026): ARTIKULIMI QYTETAR DHE DIPLOMACIA
  • BOOKFEST NË CHICAGO
  • “Brenga”, trinomi filozofik nga rrëfimi historik tek drama morale
  • Vatra Boston mbështet ekspozitën e kostumeve tradicionale shqiptare
  • Në kujtim të 160 civilëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashsite!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT