• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

POETJA LULJETA LLESHANAKU TAKIM NË VATËR MË 26 TETOR

October 14, 2021 by s p

DIELLI

Ditën e Martë më datë 26 Tetor 2021 në orën 6 pm Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA në Selinë Qendrore në adresën: 2437 Southern Blvd, Bronx, NY 10458 Bronx-New York, organizon një takim bashkëbisedues me mysafiren nga Shqipëria, poeten Luljeta Lleshanaku, e cila këtë herë vjen si përfaqësuese e Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, ku edhe punon prej vitesh si drejtuese e departamentit të  studimeve. Qëllimi i këtij takimi është që e ftuara të ndajë me vatranët dhe diasporën shqiptare në New York e më gjërë informacionin mbi punën e bërë nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, për transparencën e të shkuarës komuniste, por duke u ndalur konkretisht në rolin e pazëvendësueshëm dhe nevojën imediate të dëshmive të të mbijetuarve nga kampet dhe burgjet në diktaturë, një pjesë e madhe e të cilëve ndodhen në diasporë. Poetja Luljeta Lleshanaku do të ndajë eksperiencën e saj dhe do të referojë për të pranishmit fakte interesante dhe rëndësinë specifike në temën “Roli i dëshmisë, për zbardhjen e krimeve të komunizmit”. Përveç Vatranëve ftohet i gjithë komuniteti shqiptar në New York e më gjerë që ti bashkohet këtij takimi të veçantë në një kauzë po kaq të rëndësishme siç është zbradhja e krimeve të komunizmit në Shqipëri.

Filed Under: Featured

CODEX BERATINUS 1 Φ 043 – NJËRI NDËR SHTATË DORËSHKRIMET MË TË VJETRA TË BOTËS RUHET NË SHQIPËRI

October 14, 2021 by s p

Ilustrimi 1 – f. 139 e Beratinusit
Ilustrimi 1a – Faqe te doreshkrimit origjinal te Kodikut Beratinus
Ilustrimi 2 – Kapaku i Kodikut te Beratit nga shek. VI
Ilustrimi 3 – Faqe te Kodikut Beratinus pas restaurimit – maket

Ilustrimi 4 – Kodiku i Purpurt i Beratit i ashtuqujaturi Kodiku i Aleksiudhit shek IX
Ilustrimi 5 – Kodiku i X i Vlores nga shek. XI
Ilustrimi 6 – Miniature e ungjilltarit Luka, nga shek XII

Prof. Dr. Musa Ahmeti

Ilustrimi 9 -Shen Gjon Gojarti

Tradita e shkrimeve të shenjta në Shqipëri është njëra ndër më të lashtat dhe shkon krahas me traditën e vendeve të tjera evropiane, në të gjithë hapësirën e krishterimit të hershëm. I kësaj kohe, pra i shkrimeve më të hershme ungjillore biblike është edhe dorëshkrimi origjinal i Kodikut të Purpurt të Beratit, i shkruar më së voni në shekullin VI, i cili për fat të mirë ndodhet në Shqipëri dhe ruhet në Arkivin Qendror Shtetëror, në Tiranë. Që nga koha e paleokrishtërimit, popujt me traditë dhe zhvillim kulturor siç ishin latinët, helenët, iliro-shqiptarët dhe hebrenjtë kanë një privilegj mjaft të madh, sepse te ata u ruajtën të shkruara ose të përshkruara këto vepra të rralla me rëndësi dhe vlera të paçmuara jo vetëm për këta popuj, por edhe për gjithë kulturën botërore në përgjithësi.

Kodikët e Shqipërisë janë përmendore të kulturës dhe qytetërimit të krishterë dhe mbajnë vulën e hapësirës biblike-ekumenike ku kanë jetuar shqiptarët dhe të parët e tyre. Ato janë burim krenarie për bibliologët, për njohësit e shkrimeve të shenjta e për kishën, por edhe objekt studimi për etno-psikologjinë, për gjuhën dhe teknikën e shkrimit, për kaligrafinë, për artet e zbatuara figurative dhe për ikonografinë. Kodikët janë enciklopedi të vërteta të mendimit të krishterë. (Sh. Sinani-M. Ahmeti, 2003).

Deri me sot, me sa na është njohur ne, një katalogizim të plotë të të gjithë kodikëve ekzistues në Shqipëri nuk ka, edhepse për ta “ndonjëher” shkruhet e flitet, por ende pritet një katalog i kompletuar për gjithë këto thesare me vlera të paçmuara, për të cilat duhet të krenohemi që janë krijuar (kopjuar-shkruar) dhe ruajtur në trojet tona. Megjithatë, ekziston një katalogizim i pjesshëm, vetëm për ata kodikë të cilët ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror të Tiranës, dhe më saktë, vetëm për një pjesë të atyre që ruhen në këtë arkiv, sepse edhe këtu nuk janë të katalogizuar dhe inventarizuar të gjithë kodikët ekzistues. Këtë katalog e ka përgatitur për dorëshkrimet ungjillore Theofan Popa në vitet ’80 të shekullit të kaluar. Në „Katalogun e kodikëve mesjetarë të Shqipërisë“, që u përgatit nga Theofan Popa, përshkruhen 100 kodikë, të cilët u bashkuan në një fond, që mori numrin referues të fondit ”488”, (Ky fond u krijua n vitin 1980). Në këtë fond më vonë u bashkuan edhe 17 fragmente kodikësh. [Duhet të theksojmë se ekzistojnë edhe disa përpjekje për katalogizime të pjesëshme nga studiues të huaj, si p.sh. ai i botuar më 1968 nga Johannes Koder-Erich Trapp, me titull: “Katalogun e dorëshkrimeve greqisht në Arkivin Shtetëror të Shqipërisë në Tiranë,” R. L. Mullen, “Dorëshkrimet biblike që gjenden në AQSH…” etj]. Megjithatë një numër i madh kodikësh, ndoshta po kaq kodikë ose edhe më shumë, janë të shpërndarë nëpër fonde të ndryshme dhe nuk gjenden në këtë fond, por janë në koleksione të dokumenteve të institucioneve të tjera kishtare, si të ipeshkëvisë së Shkodrës, Mitropolisë së Gjirokastrës (Drinopolit), Manastirit të shën Gjon Vladimirit, manastirit të Adrenicës, etj. Është e vërtetë se kodikë ka edhe në fonde personale, p.sh. si ai i Ilo Mitkë Qafëzezit, etj. Gjithashtu një numër mjaft i madh kodikësh origjinalë ruhen edhe në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë, Bibliotekën Kombëtare, Tiranë, por edhe në kisha e manastire të vendit, si dhe në biblioteka familjare, për të cilët as sot e kësaj dite nuk ekziston një kataog apo edhe regjistër i thjeshtë i tyre, qoftë për vendndodhje të saktë apo edhe një përshkrim fizik dhe përmbajtësor. Pjesa dërrmuese e këtyre kodikëve, në mënyrë të vazhdueshme i është eskponuar rrezikut të zhdukjes, dëmtimit apo shitjes së tyre të pagjurmë në vende të ndryshme të botës. Për zhdukje të tilla mund të flitet edhe në kalaurën, kur psh. A. Aleksudhi na jep përshkrime për kodikë që kanë ekzistuar në kohën e tij, ose P. Batiffoli, e ata më vonë janë zhdukur pa gjurmë, janë shkatërruar nga zjarri, janë shitur ose janë djegur e dëmtuar nga pasojat e luftërave të ndryshme etj. Historia e shkrimit të shenjët, veçanërisht e paleokrishtërimit dhe atij mesjetar do të ishte krejt ndryshe sikur të gjindej kodiku i ashtuquajtur i Gjirokastrës nga shek. I, për të cilin P. Battifol shkruan “U njoftova se në kishën e Gjirokastrës kishte një Ungjill nga shekulli i parë [I-rë]. Më ka munguar besimi për të udhëtuar deri në Gjirokastër për të njohur dhe shikuar një relikt kaq të çmuar.” Natyrisht, janë shumë faktorë tjerë që kanë ndikuar në zhdukjen e këtyre vlerave të rralla, por nuk duhet përjashtuar edhe faktorin njeri, dhe në shekullin e kaluar edhe socializmin! 

Ndër të tjerë për Kodikun Beratinus kanë shkruar studiues shqiptarë e të huaj si Aleks Buda, Aleksander Meksi, Anthim Aleksudhi, Apollon Baçe, C. R. Gregory, Dhorka Dhamo, Bruce Rigdon, Edoardo Crisci, Erich Trapp, Francesco D’Aiuto, Gazmend Muka, Gazmend Shpuza, Guglielmo Cavallo, Ilo M. Qafëzezi, Johannes Koder, Kaliopi Naska, Kosta Naçi, Kurt Aland, Llambrini Mitrushi, Liliana Bërxholli, Ludovico Duchesne, Moikom Zeqo, Musa Ahmeti, Namik Resuli, Pierre Batiffol, Roderic R. Mullen, Shaban Sinani, Theofan Popa, Walter de Gruyter, etj. por kur dihet rëndësia dhe vlera e këtyre dorëshkrimve, atëherë ky numër autorësh është i vogël dhe trajtesat e tyre të pamjaftueshme për të bërë një paraqitje reprezantive të të gjithë kodikëve apo të çdonjërit syresh veç e veç, siç është rasti me vendet tjera, ku ruhen kodikë, por në numër shumë më të vogël se te ne, të shoqëruara me studime, monografi dhe shkrime të tjera ndër ta edhe popullarizuese shumë më të shumta. Me dëshirën më të mirë, ne pohojmë se pos Pierre Batiffol-it, asnjë studim i derisotshëm, përsa ju takon kodikëve më të lashtë, atyre me vlera të rralla botërore, Beratinus-1 dhe Beratinus-2 (Anthimi), nuk kemi një qasje profesionale, një studim komplet, një transliterim dhe transkirpitim të tërsishëm! Në fakt, as P. Batiffol-i nuk ka bërë një transliterim dhe transkriptim komplet të asnjërit prej dorëshkrimeve që ka pasur në dorë. Ndërsa, nuk mungojnë shkrimet – sinteza – të cilat janë më shumë popullarizuese se sa shkencore-profesionale, bile edhe nga autorë shqiptarë. Një krahasim i vogël për ilsutrim: në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, siç është tashmë e njohur ruhet dorëshkrimi i kodikut Vaticana B, për të cilin janë shhkruar me dhjetra monografi, janë bërë analiza, studime dhe hulumtime nga më të ndryshmet, transkriptim dhe transliterim komplet, përkthim në disa gjuhë dhe pos kësaj është bërë edhe shtypja anastatiko-fototipike e tërë kodikut, e cila mund të blihet nga kushdo, për katërmijë e pesqind euro! Po, çfarë është bërë për thesaret tona me vlera ndërkombëtare në këtë drejtim? Me sa është e njohur deri mes sot, pos ndonjë botimi të rrallë të ndonjë fotografie, të një apo disa faqeve apo ndonjë miniature, vinjete ose portreti, nuk është botuar asgjë. Më e keqja është se sipas zhvillimeve në AQSH, në të ardhmen e afërt as që pritet dhe është e mundur të ndërmerren projekte kaq serioze, me rëndësi ndërkombëtare.

Kodikët origjinalë në pergamenë dhe në letër që ruhen në AQSH nga shek. VI-XV

Me këtë rast ne jemi përqëndruar vetëm në kodikët e katalogizuar nga shekujt VI-XV që ruhen pranë AQSH, Tiranë. Gjatë kësaj periudhe kohore, nëse përjashtojmë shekujt VII dhe VIII për të cilët nuk na janë ruajtur dëshmi të shkruara të kodikëve, por është e sigurtë se ka vazhduar tradita e shkrimeve të shenjta, kemi gjithsej 65 kodikë origjinalë, nga të cilët 40 janë të shkruar në pergamenë dhe 35 në letër. Vendndodhja e tyre [signatura] nuk është gjithmonë e saktë kronologjikisht, për shkak se kodikët janë rregjistruar me numër përkatës rendor, në momentin e hyrjes në Arkivin Qendror Shtetëror. Ata kodikë që kanë ardhur me vonë, edhe pse janë më të hershëm në kohë, kanë marrë numrin rendor të radhës, pra nuk është bërë një riregjistrim i ri, p.sh. Kodiku i Korçës nga shek. XIII, është regjistruar me numrin rendor 93; Kodiku i Shkodrës nga viti 1341, është regjistruar me numrin rendor 83; Kodiku i Beratit nga shek. XIV është regjistruar me numrin rendor 89, etj.

Në AQSH, Tiranë, në bazë të katalogut të përgatitur nga Th. Popa, sipas shekujve kemi këta kodikë: nga shek. VI, 1 kodik: Beratinus–1; nga shek. IX, 2 kodikë: Codex Aureus Anthimi e Kodiku i 3 i Beratit; nga shek. X, 1 kodik: Kodiku 4 i Beratit, që për nga përmbajtja është katërungjillor; nga shek. XI, 5 kodikë: Kodiku 5, i Vlorës, dhe Kodikët nr. 6, 7, 8 dhe 9 të Beratit, që për nga përmbatja janë të gjithë perikope ungjijsh; nga shek. XII, 7 kodikë: Kodiku 10 i Vlorës dhe Kodikët e 11, 12, 14, 18, 20, 21 të Beratit, të cilat për nga përmbajtja janë, perikope, ungjilli sipas Gjonit, hagjiografi, psallmet e Davidit, jetë shenjtësh e martirësh, perikope ungjijsh, etj; në shek. XIII, 9 kodikë: Kodikët e 13, 15, 16, 19, 22, 23, 24, 25, dhe Kodiku 93 i Korçës, që për nga përmbajta janë: katërungjill, perikope ungjijsh, oktoih dhe antologji patrologjike; në shek. XIV, 30 kodikë: Kodikët e 17, 26, 28, 29, 30, 31, 32, 33, 34, 35, 36, 37, 39, 39, 40, 41, 42, 43, 45, 47, 85, 88, 89, të Beratit, dhe Kodiku  79  i Gjirokastrës, Kodiku 81 i Përmetit, Kodiku 83 i Shkodrës dhe Kodiku 92 i Korçës, që për nga përmbajtja janë: veprat e apostujve, katërungjillorë, martirologji, jetë shenjëtorësh dhe martirësh, patrologji, perikope ungjijsh, hagjiografi, interpretime dhe komente morale sipas frymës së Dhjatës së Re, çështje të murgjve, minej i vjeshtës, minej i marsit, pendikostar, letërsi patrologjike, omilie, fjalime të komentuara dhe shpjeguara nga Dhjata e Re, psalltir, kalendar dhe antologji muzikore, etj; në shek. XV, 16 kodikë: Kodikët 44, 49, 50, 51, 52, 53, 54, 55, 56, 57, 62, 75, 76, dhe Kodiku  78  i Gjirokastrës të Beratit, që për nga përmbajtja janë: minej i dhjetorit, vepra të Grigorit të Nisit, psalltir i Davidit, mësime të Efraim Sirianit, kanone, poezi fetare, triod, lutjesore kreshmësh, tipikon, radhë shërbesash, ungjill, omilie, libër shërbesash, etj.

Praktika ndërkombëtare për  identifikimin e kodikëve me ndajshtesë 

dhe numër të veçantë

Është praktikë ndërkombëtare që kodikët më të njohur botërisht, që ruhen në dorëshkrime origjinale shënjohen në bibliografinë e letërsisë ungjillore botërore (por edhe asaj vendore) me ndajshtesë alfabetike identifikuese për secilin veç e veç, psh. kodiku Petropolitanus N 022, (ruhet në Muzeun Bizantin, Athinë); kodiku Synopensis O 023, (ruhet në Bibliotekën Kombëtare, Paris); kodiku Vaticana B, (ruhet në Bibliotekën Apostolike, Vatikan); kodiku Purpureus Rossanensis Σ, 042, (ruhet në Muzeun e ipeshkvisë së Rossanos, Itali); kodiku Beratinus-1, Φ 043, (ruhet në Arkivin Qendror Shtetëror, Tiranë); kodiku 565, Grek-53, (ruhet në Bibliotekën e Petersburgut); kodiku 1143, Beratinus-2, (ruhet në AQSH, Tiranë); kodiku Vindobonensis l-46, (ruhet në Bibliotekën Kombëtare Qendrore, Napoli), etj. Kodikët e tjerë të mëvonshëm në kohë, shënjohen në bibliografitë ndërkombëtare vetëm me numra përkatës, pa pasur privilegjin të kenë ndajshtesën alfabetike. 

Codex Beratinus-1, Φ −  043

Dorëshkrimi origjinal në pergamen i Kodikut të Beratit u shkrua në një kohë kur lënda ungjillore dhe biblike ende nuk ishte e kanonizuar dhe e përfunduar. Ai përmban dy ungjij: atë sipas Mateut dhe sipas Markut, të cilët kanë disa shmangie nga tekstet e sotme standarte [zyrtare] Biblike. Këto shmangie janë me mjaft interes për studiues dhe teologë të krijimtarisë ungjillore. Kapaku i Kodikut është metalik, i praruar në argjent dhe i zbukuruar me figura biblike, ndërsa teksti është në greqishte të vjetër. Kodiku është i tëri në pergamen, me ngjyrë të purpurtë, ku është e theksuar më shumë ngjyra e kuqe, e cila sot është mjaft e zverdhur nga koha. I tëri është i shkruar me grafema argjendi të tretur, por ka edhe disa fjalë që janë të shkruara me flori, veçohetn të gjitha inicialet. Grafemat janë kapitale të tipit të përzier, kuadrat dhe të gjitha fjalët në rresht janë të shkruara ngjitasi, pra nuk ka ndarje në mes të fjalëve në fjali, gjë që ishte praktikë e kohës dhe sot, e vështirson shumë punën e paleografëve të cilët fillimisht duhet të merren me strukturimin e fjalisë, duke lexuar fjalët, pastaj duke u marrë me karakteristikat dhe elementet tjera të dorëshrkimet, të cilat janë mjaftë të vështira dhe tepër komplekse. Inicialet janë të dekoruara me elemente shumë të bukura dhe praruara në flori. Dimensionet e dorëshkrimit janë 31.4 x 26.8 cm. Për herë të parë, ky dorëshkrim për botën shkencore dhe intelektuale përendet nga ipeshkvi i Beratit, Anthimus Alexoudes në vitin 1868, për të vazhduar pastaj në vitin 1881, nga studiuesi belg L. Duchesne, më 1886 nga Pierre Batiffol, ndërsa nga shqiptarët i pari që ka shkruar për këtë dorëshkrim është Ilo Mitkë Qafëzezi më 1938, e dhënë kjo më së e mjaftueshme për kujdesin që ne kemi treguar për këtë kryevepër të letërsis ungjillore-biblike në shkallë botërore. 

Në vazhdim sjellim përshkrimin që i bën dorëshkrimit të kodikut P. Batiffol-i në vepër e tij: “Les manuscrits grecs de Bérat d’Albaine et le Codex Purpureus Φ” para 122 vjetësh: “Dorëshkrimi numëron 190 fletë të papaginuara, të cilat kanë qenë të lidhura fort, por si duket libërlidhësi i ri, ato gabimisht i ka prerë, në vend që t’iu linte këndet e lira dhe të paprera. Fletët të cilat në brendi kanë qenë të dëmtuara, ishin të përforcuara me një shirit të bardhë letre; vetëm një fletë e kemi të lirë, e kjo është ajo me nr. 69. Fletët të cilat kanë qenë të dëmtuara horizontalisht apo vertikalisht, janë qepur me kujdes; përveç fletëve: 74, 115 dhe 134 që kanë mbetur në dy pjesë. Gjashtë faqet e para janë shumë të dëmtuara, shkronjat janë të oksiduara, ngjyra e purpurtë është zverdhur fare, për të mos thënë se është zhdukur; por, që nga fleta 7, dorëshkrimi është në gjendje të shkëlqyer, pos fletëve 75-78, të cilat janë të dëmtuara rëndë. Ungjilli i shën Mateut mbaron në kolonën e dytë të fletës 112r; fleta 112v nuk është e shkruar fare; ndërsa fletët 113r dhe 114r përmbajnë kapituj të shën Markut; Ungjilli i shën Markut fillon me fletën 115r. Këndi i poshtëm i fletëve 115r-v dhe 116r-v ka qenë i shqyer; është i plotësuar me letër të thjeshtë; në të njëjtën mënyrë është vepruar edhe me fletën 121r-v. Në fletën 144 vërehet një vrimë e madhe, e rrumbullakët, karakteristike për lëkurën e viçit; shkruesi këtë gjë e kishte parasysh kur ka shkruar rreshtat përkatës. Fletët 177 dhe 181 janë në gjendje tepër të keqe; por të gjitha të tjerat në vazhdim janë në gjendje të shkëlqyer, pos 4 fletëve të fundit, të cilat janë në gjendje të ngjashme me 6 fletët e fillimit. Është mëse e qartë se dorëshkrimi nuk ka qenë i lidhur për një kohë të gjatë dhe ka qenë nën ndikimin e lagështirës dhe pluhurit, para se të restaurohet në vitin 1805. Në këtë mënyrë, dorëshkrimi ka humbur 40 fletë të cilat përafërsisht mund t`i shpërndanim në këtë mënyrë, pos Kapitujve të shën Mateut dhe kopertinave: Mt. I-VI, 3=25 fletë përafërsisht; Mt. VII, 7=1 fletë; Mt. XVIII, 24-XIX, 3=2 fletë; Mt. XXIII, 4-XXIII, 13=1 fletë; Mc[k]. XIV, 62-XVI, 20=12 fletë. Pergameni është i fortë dhe me peshë të mesme, është shumë i thatë, shkronjat zakonisht nuk vërehen nga njëra anë në tjetrën. Lëkura e viçit është e lyer me ngjyrë të purpurtë, ndërkohë sot dominon ngjyra vjollce, e afërt me llymin e verës, që lë të nënkuptohet se në fillim ka qenë ngjyrë e kuqe e theksuar. Këndet e fletëve janë zverdhur nga kontaktet me ajrin. Lartësia e fletëve është: 31.4 cm, ndërsa gjerësia është: 26.8 cm. Vijat në margjina dhe për radhët e shkruara janë bërë me grrithje pende të thatë, d.m.th. pa ngjyrë, derisa vërehet shumë qartë gdhendja mjeshtërore e lindjes, në margjinën e qendrës. Çdo radhë përbëhet nga vija të dyfishta të cilat kanë shërbyer për të shënuar lartësinë e shkronjave, poshtë e lartë. Çdo faqe ka nga dy kolona me nga 17 rreshta. Numri i shkronjave është i ndryshueshëm nga 8 në 12 shkronja për çdo radhë, me një afërsi më shumë 9 se sa 10. Çdo kolonë është 21 cm e lartë dhe 10.9 cm e gjerë. Margjina e cila ndan kolonat, është e gjerë mesatarisht 3.5 cm. Në margjinën, lart dhe në vijën e veçantë afër këndit, ndodhen vetëm Kapitujt, pa ndonjë titull të zakonshëm, dhe këto, saktësisht mbi kolonën për të cilën bëhet fjalë. Numrat për referencat e shënimeve të Amonijev-Euzebit, janë të shënuar në margjina. Ngjyra është e florinjtët. Gërvishtja e pendës, është e rrafshtë, pa njolla dhe e punuar me shumë kujdes. Gjashtë fletët e para te shën Mateu janë të shkruara me shkronja floriri dhe paraqesin fjalët: ΠΗΡ, ΙC, ΥC; [shkurtesat për: Ati, Jezusi, Biri] ngjashëm është shkruar edhe radha e parë, si titull, te shën Marku. Shkronjat e para të kapitujve, çdoherë janë shumë të theksuara, gati sa tërë gjerësia e margjinës, dhe janë dyfish më të mëdha se sa shkronjat e zakonshme, por nuk kanë dekorime. Vetëm shkronja “O” është e dekoruar me një kryq të vogël në mes. Meqenëse shën Mateu përfundon në mes të kolonës, zbraztësira është mbushur me një shirit të floririt, me një motiv të thjeshtë gjeometrik. Në disa raste të rralla, shkruesi anon në anën e djathtë të margjinës për të përfunduar fjalën e fundit në rreshtin e  ri, me këtë rast, shërbehet me shkronja më të vogla se zakonisht.”

Është mjaft interesant të sjellim edhe përshkrimin e dy studiesve shqiptarë Shaban Sinani dhe Musa Ahmeti të bërë në vitin 2003, për të vërejtur ndryshimet dhe në të njëjtën kohë për të bërë krahasime për saktësinë e P. Battifol-it, i cili siç dihet origjinalin e Beratinusit e pati vetëm për disa orë në dorë. Studiuesit shqiptarë në vitin 2003, kanë pasur mundësi ta shfrytëzojnë dhe konsultojnë për aq kohë sa e kanë parë ata të arsyeshme Codex Beratinus-1, Φ – 043. Ky përshkrim, nëse përjashtojmë atë të Theofan Popës, është i vetmi deri me sot për këtë dorëshkrim. Ja se si e shohin studiuesit Sh. Sinani dhe M. Ahmeti Beratinusin në gjendjen e sotme: “Një nga kodikët më të hershëm të historisë së letërsisë së krishterë në shkallë botërore; njihet edhe me emrin “Beratinus-1”; mban numrin 1 në inventarin e kodikëve të Fondit 488 të AQSH; mban numrin 043 dhe shkronjën ndajshtuese “Φ” në listën ndërkombëtare të dorëshkrimeve të rralla kishtare; një pjesë e tekstit ungjillor ka karakter parastandard, parakanonik, por nuk është ungjill apokrif; nuk ka dekoracione, por vetë shkrimi, stili i të shkruarit, kaligrafia, vlerësohen si art i aplikuar; shkrimi është prej argjendi të tretur, ndërsa inicialet [nistoret] kapitale [majuscule] janë prej ari; fjalët nuk janë të ndara prej njëra-tjetrës; stili i të shkruarit është i vijueshëm, pa ndërprerje i njohur terminologjikisht si “scriptio continua”; i shënuar në dokumentet vendëse së paku qysh prej vitit 1356 (anëshkrim në “Diptikun e kishës së shën Gjergjit”, të cilin Batiffol e cilëson “un diptyque très mutilé aussi, chartaceus, relié en bois”; përmban dy ungjijtë, sipas Mateut dhe sipas Markut, në 190 fletë, në pergamenë të kuq, me dimensione: 31.4 x 26.8 cm; me disa fragmente të dëmtuara. Në “Albanica 1”, botim i Bibliotekës Kombëtare, Tiranë 1998, vëllimi i lëndës shënohet gabimisht 100 fletë; kapaku metalik me zbukurime në reliev është nga viti 1804; i restauruar dhe i ndarë në 9 vëllime në Institutin Arkeologjik të Akademisë së Shkencave në Kinë (1972); një nga shtatë kodikët e vetëm të purpurt që kanë mbijetuar deri më sot në shkallë botërore; shkruar jo më vonë se mesi i shekullit të 6-të, por nuk përjashtohet të jetë shkruar më herët; sipas Batiffol-it, shkronja e ungjijve të këtij kodiku është e njëjtë me atë të “Liturgjisë së shën Gjon Gojartit”; sipas dijetarëve italianë, duhet t’i takojë shkollës siro-palestineze të shkrimeve të shenjta; sipas dijetarëve britanikë, ka ekzistuar një shkollë vendëse e shkrimeve të shenjta në hapësirën proto-shqiptare; mendohet se ky dorëshkrim mund t’i jetë dhuruar nga perandorët e Bizantit kishës së Labovës dhe më tej të ketë ndjekur rrugën Gllavinicë-Bylis-Berat; dëshmohet se është kërkuar “për t’u dorëzuar për arsye sigurie” nga ushtria e car Uroshit (1356), nga ushtria austriake (1914), nga ushtria italiane (1942) dhe nga ushtria gjermane (1944), etj.”

Restarurimi dhe riprodhimi identik

Për të siguruar jetëgjatësinë e Kodikut të Beratit, si dhe për të lehtësuar përdorimin e tij për studiues të fushave të ndryshme, në vitet ‘70, në bazë të një marrëveshjeje të veçantë ndërshtetërore, origjinali u dërgua për restaurim të përgjithshëm pranë Institutit Arkeologjik të Akademisë së Shkencave të Kinës, në Pekin, ku u realizua një riprodhim identik, plotësisht i shfrytëzueshëm për studime. Ndërsa vetë origjinali iu nënshtrua një restaurimi të detajuar, cilësor dhe shumë të kujdesshëm, me anë të të cilit origjinali u sigurua nga dëmtimet e njeriut dhe të kohës, përmes teknologjisë së mbylljes hermetike të çdo faqeje të dorëshkrimit në xham organik. Meqenëse ishte e pamundur lidhja në një vëllim të vetëm ashtu siç kishte qenë në fillim, Kodiku i Beratit u nda në nëntë vëllime [gjendja aktuale e sotme], të cilat ruhen pranë Arkivit Qendror Shtetëror në Tiranë. Përkundër teknikës së përsosur që kanëpërdorur kinezët në atë kohë, me sa kemi vërejtur, origjinali i kodikut Beratinus, megjithatë ka filluar të dëmtohet dhe ndoshta është momenti më i përshtatshëm që të mendohet për një restaurim apo ndonjë ndërhyrje tjetër që si duket është domosdoshmëri e kohës. Kjo gjë vlen aq më tepër, sepse ky dorëshkrim është nën kujdesin e UNESCO dhe renditet ndër ato vlera dhe dorëshkrime të cilat janë të renditura nën kuadrin e programit “Kutesa e Botës.”

Ekspozimi i Codex Beratinus-1, Φ – 043 në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë

Duke pasur parsysh vlerat e jashtëzakonshme dhe rëndësinë tepër të madhe, dorëshkrimi i Kodikut Beratinus-1, Φ – 043, ka qenë i ruajtur në mënyrë shumë të posaçme dhe ishin vërtet të rrallë ata persona që mund ata kishin në duar. Për herë të parë, është ekspozuar për publik, (jo në një meshë kishtare), Kodiku i Purpurt i Beratitë për disa orë, me rastin e jubileut të 2400 vjetorit të qytetit të Beratit, në kushte të forta sigurie dhe pa njoftim publik, në vitin 1989, pas dhënies së lejes me shkrim të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Për herë të dytë ky kodik ekspozohet me rastin e 50 vjetorit të themelimit të Arkivave kombëtare Shqiptare, në vitin 1999, në Muzeun Historik të Tiranës, gjithashtu për një numër shumë të kufizuar personash dhe pa njoftime publike, ndërsa për herë të tretë dhe të fundit Kodi i purpurt i Beratit u ekspozuar nën përkujdesjen e presidentit të Republikës, në Pallatin e Brigadave në Tiranë, në maj të vitit 2002, në ekspozitën “Kodikët e Shqipërisë – përmendore të historisë së mendimit njerëzor” gjithashtu pa njoftim publik. Ndërsa Codex Purpureus Beratinus “Φ” [më saktë, një vëllim i tij prej 20 faqesh!!!] për herë të parë deri me sot është ekspozuar jashtë vendit tonë në vitin 2000, me një vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave, për ekspozitën jubilare “I Vangeli dei Popoli” organizuar nga Biblioteca Apostolica e Vatikanit, në 2000 vjetorin e krishtërimit. Gjatë kësaj ekspozite, interesimi i speicialistëve dhe studiuesve ishte shumë i madh. Ne jemi vetë dëshmitarë të një interesimi të tillë.

Meqenëse llogaritej si libër i shenjtë, Codex Beratinus-1 është ruajtur me kujdes dhe përkushtim të veçantë. Deri në vitet ’60 të shek. XX, ai u paraqitej besimtarëve një herë në vit, më 27 janar, ditën kur festohej emri i shën Gjon Gojartit, kryeipeshkvit të Konstandinopojës, i cili vdiq në vitin 407. Ishin shumë të privilegjuar ata që e preknin këtë Kodik, gjë që u lejohej vetëm mitropolitëve, kryeipeshkvëve, ipeshkëve dhe priftërinjëve të cilët shërbenin në kishën e shën Gjergjit në Berat. Ndërsa besimtarët mund ta puthnin atë në shenjë mrekullimi vetëm në ditën e emrit të shenjtit që mendohej si shkrues i tij.

Meqenëse deri sot, nuk kemi një studim apo monografi të thelluar dhe gjithëpërfshirëse për Beratinus-1, kanë mbetur shumë gjëra pa u sqaruar. Në të vërtetë, asnjë nga studimet e deritanishme, nuk është bërë duke u mbështetur në kritere të rrepta shkencore duke përdorur metodologjinë dhe të arriturat e reja në informatikë, por në të shumtën e rasteve, janë të sipërfaqëshme, për të mos thënë përshkrime apo kopjime të njëra-tjetrës. Ka autorë që shkruajnë për Codex Beratinus-1, pa njohur greqishten e vjetër, pa pasur asnjë përgatitje paleografike dhe pa njohur as edhe një gjuhë të huaj si duhet, etj. Sigurisht që studimi i kodikëve nuk mund të japë rezultate të dëshiruara pa një vështrim të gjerë ndërdisiplinor. Studiuesi apo grupi i studiuesve që do merrej me një projekt kaq të madh dhe të rëndësisë së dorës së parë, me përgatitjen për botim të kodikut Beratinus-1, qoftë si botim kritik të tij, që mungon, qoftë për një përkthim komplet në gjuhën shqipe, me komente dhe analiza të tekstit, është e domosdoshme të ketë njohuri të thella për historinë e krishterimit të hershëm, për historinë e shkrimit të shenjtë në veçanti, pastaj për paleografinë greke e latine [për kodikët pas shekullit të VIII] dhe sllave, epigrafinë, etnografinë, etnologjinë, të drejten kanonike dhe atë zakonore të shqiptarëve dhe të popujve fqinjë, ikonografinë, simbolikën, për historinë e popullit shqiptar dhe fqinjëve të tij, për fillet e para të shkrimit në gadishullin Ballkanik, për ndarjen kishtare dhe hierakinë e saj, për kryeipeshkvitë dhe ipeshkvitë, etj. Mungesa e ndonjërës prej këtyre apo edhe disa njohurive të tjerave, do të ishte aq e dëmshme sa do të sillte dështimin e plotë të projektit. Vërtetë, shtrohet pyetja, pse deri sot nuk u ndërmor një veprim i tillë për një botim serioz nga studiues kompetentë dhe autoritarë, qoftë shqiptarë qoftë të huaj? Mungon dëshira e autoriteve përkatëse në AQSH apo është thjeshtë një injorim, nga injorantë të cilët nuk kuptojnë rëndësinë që ka ky thesar i paçmueshëm për vetë popullin shqiptar dhe atë evropian në përgjithësi?

Duke mos dashur në asnjë mënyrë të ulim apo nënvleftësojmë punën e të tjerëve, veçanërisht atë të P. Batiffol-it, sepse siç cekëm më lart, pothuajse të gjitha studimet e botimet e gjertanishme janë bërë sipas transliterimit të tij, madje edhe punimi i maketit dhe kopjes identike në Pekin, që sot ruhen në AQSH, e themi me siguri të plotë se ai transliterim [dhe të gjitha të tjerat të mbështetura te ai] ka shumë pasaktësi, lëshime dhe mungesa të ndjeshme. Për një gjë të tillë ka qenë koeshient edhe vetë Batiffol-i, kur pohon se “dorëshkrimin e Beratinus-it e pati në dorë për disa orë.” Nëse kemi parasysh se ky kodik ka 190 fletë dhe dimensionet e tij, pastaj vetë natyrën e shkrimit, i cili është mjaft e vështirë për t’u lexuar, përkundër përgatitjes paleografike të P. Batiffol-it dhe zotërimit përfekt të greqishtës së vjetër, ai, në asnjë mënyrë nuk ka arritur ta lexojë dorëshkrimin në tërësi! Pra, edhe Batifol-i ka bërë një punë të pjesëshme, që fatkeqësisht të gjithë studiuesit e marrin si komplete, të tërësishme dhe të padiskutueshme, gjë që nuk është e saktë. Pra, në të ardhmen e afërt, mbetet që të bëhet një lexim kritik i origjinalit, punë kjo që do të marrë të paktën 2 deri në 3 vjet përkushtim intensiv të pandërprerë, pastaj një përkthim dhe një analizë të tërësishme së bashku me një koment profesional nga specialistë të fushave të lartcekura.

KUSH ËSHTË SHËN GJON GJOJËARTI?

Shën Gjon Gjojëarti [Joan Chrysostomos], është njëra ndër figurat më të njohura dhe më të nderuara të botës së lashtë të krishterë, që te Etërit e Kishës së Lindjes më shumë se çdokush tjetër vlerësohet me admirimin dhe nderim të veçantë dhe njëri ndër reformatorët më të mëdhenj në historinë e krishterimit në përgjithësi. Ndërsa në Perëndim, pas shën Agustinit, ai gëzon popullaritet të madh si mjeshtri më universal i oratorëve të krishterë. Gjoni lindi në Antiokë mbi Oronte, midis viteve 349-354, nga i ati Secund dhe e ëma Antuza, në një familje finsike. Studioi filozofi në shkollën e Adraganzios dhe retorikë në shkollën e sofistit Libano. Pagëzohet në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare. Fillimisht punoi në punë shtetërore, por pas disa  kohësh largohet nga aty dhe shkoi për gjashtë vitet e ardhëshme në kuvendin e murgjve, që drejtonte Diodiri, ipeshkvi i Tarsos. Edhe nga këtu u largua për shkaqe shëndetësore dhe kthehet në Antioki. Që nga kjo kohë ai iu dedikua me përkushtim meditimit, jetës asketike dhe shkrimeve. Kjo bëri që të fitojë besimin e Melesio Rrëfyesit, që në atë kohë ishte ipeshkëv i Antiokës, i cili në vitin 372, e zgjedh midis njerëzve më të afërt duke e emëruar një vit më pas, si lektor. Më 381 rikthehet në Antiokë, te Melesio, i cili e shuguron dhjak, ndërsa në vitin 386 shugurohet meshtar. Në fund të vitit 397 i dedikohet aktivitetit të predikimit, ku merr dhe titullin e lartë midis oratorëve të shenjtë, predikues. Pas vdekjes së patriarkut të Kostandinopojës, Nektarit në dhjetor të vitit 397, Gjoni u zgjodh ipeshkëv në vendin e tij në fillim të vitit 398, nga kryeipeshkvi Teofil, për shërbim në Aleksandri. Në Konstantinopojë kishte shumë shqetësime dhe gjendja ishte shumë e rëndë. Kishin lindur ngatërresa në mes disa shtresave të caktuara të fisnikëve dhe infideles në njërën anë dhe meshtarëve në anën tjetër, të cilëve u përkiste edhe Gjon Gojarti. I ndodhur para gjithë këtyre ngatërresave, Gjoni bën përpjekje që nëpërmejt reformave gjithëpërfshirëse të normalizojë gjendjen e krijuar, por nuk pati fat dhe njëherësh u përball me kundërshtimin e fortë dhe të pamëshirshëm të perandoreshës Eudoksia, kur pushtetin perandorak e mori ajo në duart e veta. Me urdhër të perandoreshës Eudoksia, Gjon Gojarti dhe mbështetësit e tij, pësojnë disfatë të rëndë, aq sa Gjoni detyrohet të largohet përtej Bosforit. Më 403, në koncilin e Antiokisë, gjykohet vepra e Gjonit dhe ai dënohet me ekzil në Kukuso të Armenisë, ku qëndroi për tre vjet. Ka zëra se gjatë kësaj kohe, një pjesë të eksilit Gjon Gojarti e kaloi në Epir, gjë që ende nuk mund të mbështetet në burime dokumentare të sigurta dhe të padiskutueshme. Në fakt, nëse një gjë e tillë do të vërtetohej, atëherë, mund të arsyetohej shkrimi në fillim të kodikut Beratinus-1 Φ, 043, “Shikoni, ju që do të lexoni shkronjat e këtij Ungjilli të shën Gjon Gojartit, të cilat ai vetë i ka shkruar, kur ishte në vendlindjen e tij në Antioki si dhjak i Ungjillorit. Çdo gjë deri në kohën e tij, të shumtën është shkruar me shkronja të ndara, dhe për këtë shkak nuk ishte praktikuar që me shenja floriri të shënoheshin fjalët dhe shenjat…” Etapa e fundit e udhëtimit të eksilit të Gjon Gojartit ishte lokaliteti Pizio, në bregun lindor të Detit të Zi. Meqenëse ndjente se po i afrohej fundi në këtë jetë, ai kërkon një veshje të bardhë mëndafshi, duke shpërndarë për të varfërit të gjitha gjërat kishte. Vdiq më 14 shtator të vitit 407. Me një procesion solemn dhe të veçantë, rrobat e tij sillen në Kostandinopojë më 27 janar të vitit 438, në kishën e Apostujve. Perandori Teodosi II, djali i perandoreshës Eudoksia (e cila vdiq më 404), e udhëhiqte kortezhin duke kërkuar falje për fajet e së ëmës me rastin e persekutimit që i kishte bërë Gjon Gojartit. Eshtrat e tij u morën nga Konstantinopoja gjatë kryqëzatës së katërt në vitin 1204 dhe u bartën në Romë. Aty qëndruan për 800 vjet me radhë, derisa papa Gjon Pali II, në vitin e 2004, me 27 nëntor vendos që ato të rikthehen në Stambollin e sotëm në kishën e “Santa Maria Antiqua.” Kisha Ortodokse e nderon shën Gjon Gojartin si shenjt më 13 nëntor të çdo viti [sipas kalendarit gregorian], duke e renditur atë në mes të “tre hierakëve të shenjtë si shën Vasili i Madh dhe shën Gregori teolog” ku dita e tyre festohet çdo vit më 27 janar, që është edhe dita e ritualit të paraqitjes së Beratinusit besimtarëve. Ndërsa kisha katolike romake e nderon shën Gjon Gojartin me 13 shtator të çdo viti.

Filed Under: Featured Tagged With: Prof. Dr. Musa ahmeti

INSTITUTI I STUDIMEVE PËR KRIMET DHE PASOJAT E KOMUNIZMIT DHUROI 40 LIBRA PËR BIBLIOTEKËN SHKENCORE TË VATRËS

October 12, 2021 by s p

Sokol Paja

Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra falenderon përzemërsisht Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit me rastin e dërgimit të 40 librave për Bibiotkën Shkencore të Vatrës në New York. Botime shumë cilësore, serioze, voluminoze, hulumtuese dhe të mbështetura në dokumente arkivore, dëshmi, intervista origjinale e shumë burime të dorës së parë janë një kontribut i jashtëzakonshëm në morinë e botimeve shkencore që ky Institut e ka kthyer në traditë prej vitesh. Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit po jep një kontribut të jashtëzakonshëm përsa i përket dekomunistizimit të teksteve shkollore dhe akademike, dekomunistizimit të hapësirave publike që lidhet me simbolikën e simboleve komuniste në sheshet publike, rrugët dhe institucionet shtetërore që ende mbajnë emra persekutorësh komunistë që u kthyen në tmerrin e shqiptarëve për afro 50 vjet. Botime të tilla të një niveli kaq të arrirë shkencor e kthejnë Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në një nga Institucionet më serioze në Shqipëri dhe më gjërë në zbardhjen e krimeve dhe pasojave të komunizmit në Shqipërinë diktatoriale për afro gjysëm shekulli. VATRA shpreh mirënjohjen më të thellë dhe respektin më të veçantë për Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit për punën serioze dhe misionin e shkëlqyr në shërbim të shoqërisë shqiptare, institucioneve dhe mbi të gjitha të persekutuarve nën regjimin totalitar shqiptar. Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) në Shqipëri, është miratuar nga Parlamenti shqiptar me vendim nr. 10242, të datës 25. 2. 2010, si Institucion Publik Qendror dhe i Pavarur, që gëzon statusin e personit juridik dhe ka në themel të punës të studiojë dhe të vlerësojë objektivisht krimet dhe dëmet e komunizmit në Shqipëri, t’i zbardhë dhe t’i dëshmojë ato në mënyrë të dokumentuar dhe të pakontestueshme. Misioni i Institutit është sensibilizimi i  shoqërisë shqiptare për krimet e komunizmit në Shqipëri, puna me dëshmitë gojore dhe materiale të të mbijetuarve nga diktatura dhe, sidomos, puna kërkimore nëpër arkivat zyrtare shtetërore.

Filed Under: Featured Tagged With: INSTITUTI I STUDIMEVE PËR KRIMET DHE PASOJAT E KOMUNIZMIT, Sokol Paja

MINISTRI I MBROJTJES SË KOSOVËS ARMEND MEHAJ DO VIZITOJË VATRËN MË 16 TETOR

October 12, 2021 by s p

Dielli

Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës z.Armend Mehaj do të kryejë një vizitë zyrtare në selinë qëndrore të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra në New York me datë 16 Tetor 2021 ( e Shtunë) ora 11:00 am. Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës z.Armend Mehaj dhe delegacioni që e shoqëron do të pritet nga autoritetet më të larta drejtuese të Vatrës, patriotë, veprimtarë, media, personalitete të diasporës dhe aktivistë kombëtarë. Me këtë rast përveç vatranëve ftohen edhe bashkatdhetarët shqiptarë në New York e më gjërë që të bëhen pjesë e këtij takimi vëllazëror.

Filed Under: Featured Tagged With: Armend Mehaj

KOMITETI NOBEL 2021: LIRIA E FJALËS PARAKUSHT PËR DEMOKRACINË DHE PAQËN E QËNDRUESHME

October 11, 2021 by s p

Nga Frank Shkreli

Komiteti norvegjez Nobel njoftoi javën e kaluar se Maria Ressa nga Filipinet dhe Dmitry Muratov nga Rusia, janë gazetarët që fituan çmimin Nobel për Paqë për vitin 2021. Duke njoftuar fituesit e këtij çmimi prestigjoz për paqe, Komiteti Nobel tha se çmimi i këtij viti për paqe, tregon se e drejta e lirisë së fjalës është nën kërcënim, në mbarë botën.  Komiteti Nobel i Norvegjisë vendosi t’u jap Çmimin Nobel për Paqe këtyre dy gazetarëve të guximshëm, Maria Messa dhe Dmitry Muratov me motivacionin: “Për përpjektet e tyre në mbrojtje të lirisë së të shprehurit, që është një parakusht për demokracinë dhe paqën”.A person in a suit

Description automatically generated with low confidence

Në njoftimin për media që lëshoi Komiteti Nobel me këtë rast thuhej se Zonjushës Ressa dhe Zotit Muratov po u jepet Çmimi Nobel për Paqë për luftën e tyre të guximshme në mbrojtje të lirisë së fjalës në Filipine dhe në Rusi. Njëkohësisht, theksohet në atë njoftim, “të dy këta përfaqësojnë të gjithë gazetarët të cilët mbrojnë këtë ideal në një botë në të cilën demokracia dhe liria e fjalës dhe liria e shtypit po përballen, gjithnjë e më shumë, me kushte të vështira veprimtarie”.  Zonjusha Messa ka ushtruar me guxim lirinë e fjalës për të zbuluar dhe për të demaskuar publikisht abuzimet e qeveritarëve, dhunën që përdoret dhe autoritarizmin në rritje e sipër në atdheun e saj, Filipinet.  Ndërsa për meritat e gazetarit rus, Dmitry Andreyevich Muratov, Komiteti Nobel thekson se për dekada tani, ai ka mbrojtur vendosmërisht lirinë e fjalës në Rusi, “Me një qëndrim thellësisht kritik ndaj pushtetit në Rusi, gjithmonë përballë kushteve gjithnjë e më të vështira veprimi”, thuhet në njoftim.  Në vitin 1993, Muratov ishte njëri prej themeluesve të gazetës Novaya Gazeta dhe nga vitit 1995 ai ka vazhduar të jetë Kryeredaktor për 24 vjet i kësaj gazete, që sot për sot, është gazeta më e pavarur në Rusi. “Gazetaria e bazuar në fakte dhe në integritetin profesional të këtij organi mediatik e kanë bërë atë një burim të rëndësishëm informacioni…që mbulon subjekte për të cilat askush tjetër nuk flet as nuk shkruan, duke filluar nga korrupsioni, dhuna policore, arrestimet e paligjshme, mashtrimet në zgjedhje e deri tek përdorimi i forcave ushtarake ruse brenda dhe jashtë Rusisë”, vlerëson Komiteti Nobel, punën e gazetës ruse Novaja Gazeta dhe kryeredaktorin e saj Muratov.

Gjatë gjithë kësaj kohe, thuhet në njoftimin e Komitetit Nobel, kundërshtarët e Novaja Gazeta janë përgjigjur ndaj profesionalazmit të gazetës me ngacmime, kërcënime, dhunë dhe vrasje. Që nga fillimi i gazetës, gjashtë gazetarë të saj janë vrarë, përfshirë Anna Politkovskaja që shkroi artikuj zbulues mbi luftën në Çeçeni, thuhet në njoftimin e Nobelit.  “Pavarësisht vrasjeve dhe kërcënimeve, kryeredaktori Muratov ka refuzuar të braktisë politikën e pavarur të gazetës. Ai ka mbrojtur vazhdimisht të drejtën e gazetarëve për të shkruar çfarëdo që duan për çfarëdo që duan, për sa kohë që ato përputhen me standardet profesionale dhe etike të gazetarisë”, thuhet të njoftimin e Komitetit Nobel. 

Në njoftimin e dhënjes së Çmimit Nobel për Paqe gazetares filipinase Maria Messa dhe gazetarit rus, Dmitry Muratov, theksohet rëndësia që Komiteti Nobel i kushton të drejtës së lirisë së fjalës dhe lirisë së gazetarit për të bërë punën e vet, bazuar në etikën dhe standardet gazetareske, duke thenë se, “Gazetaria e lirë, e pavarur dhe e bazuar në fakte, shërben për të mbrojtur shoqërinë kundër abuzimit nga pushteti, si dhe ndaj gënjeshtrave dhe propagandës së luftës. Komiteti Norvegjez i Nobelit është i bindur se liria e shprehjes dhe liria e informacionit ndihmojnë për të siguruar një publik të informuar mirë. Këto të drejta janë parakushtet thelbësore për demokracinë dhe mbrojnë shoqërinë nga lufta dhe konflikti. Dhënia e Çmimit Nobel për Paqe këtë vit — gazetarëve Maria Ressa dhe Dmitry Muratov — ka për qëllim të nënvizojë rëndësinë që i duhet kushtuar mbrojtjes së këtyre të drejtave themelore. “Pa lirinë e shprehjes dhe pa lirinë e shtypit, do të jetë e vështirë të promovohet, me sukses, vëllazërimi midis kombeve, çarmatimi dhe promovimi i një rendi më të mirë dhe më të sukseshëm botëror në epokën tonë”, përfundon mesazhin e vet Komiteti Nobel. 

Ndër reagimet e para ndaj dhënjes së Çmimit Nobel gazetarëve Maria Messa nga Filipinet dhe Dmitry Muratov nga Rusia, erdhi nga Këshilli i Evropës. Enti i lartë evropian, theksoi rëndësinsë e fjalës së lirë, si një nga vlerat më të çmuara të Evropës.  “Liria e fjalës është një nga vlerat më themelore dhe më të dashura të kontinentit tonë, siç pasqyrohet në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës së Strasburgut. Mbrojtja e gazetarëve është një përparësi për Këshillin e Evropës”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Këshillit të Evropës, në emër të 49 shteteve anëtare. “15 vjet pas vdekjes së Anna Politkovskaya, ne jemi veçanërisht të kënaqur që Komiteti Nobel ka njohur punën guximtare të Dmitry Muratov dhe gazetës së tij, Novaya Gazeta, në nxjerrjen në dritë të shkeljeve serioze të drejtave të njeriut në kontinentin evropian”, thuhet në reagimin e Këshillit të Evropës, nepëmjet zëdhënses së këtij enti.

Një zë i rëndësishëm ndërkombëtar që mirëpriti dhënjen e Çmimit Nobel për Paqe  gazetarëve Messa dhe Muratov ishte edhe Sekretari i Organizatës së Kombeve të Bashkuara,(OKB) Z. Antonio Guterres, i cili tha se Çmimi Nobel i Paqës për dy gazetarët mbrojtës dhe promovues të fjalës së lirë, është një njohje se liria e shtypit është, “jetike për paqën, drejtësinë, zhvillimin ekonomik dhe për të drejtat e njeriut – por edhe si gur themel për krijimin e institucioneve të drejta dhe të paanshme”, është shprehur, me këtër ast, Sekretari i Përgjithsëm i OKB-së.  Udhëheqsi i organizatës më të madhe botërore, duke i uruar fituesit e Çmimit Nobel për Paqe ka thënë se, “Asnjë shoqëri nuk mund të jetë e lirë dhe e drejtë nëqoftse nuk ka gazetarë që duhet dhe mund të hetojnë gabimet dhe abuzimet e zyrtarëve qeveritarë dhe shtetërorë dhe pa gazetarë që t’u sjellin qytetarëve informcionin e nevojshëm dhe, njëkohësisht, t’i mbajnë ata përgjegjës për veprimet e tyre”, ka theksuar Antonio Guterres i OKB-ës. 

Edhe organizatat ndërkombëtare, mbrojtëse të fjalës së lirë dhe të drejtave të gazetarëve, anë e mbanë botës, siç janë, “Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve me qëndër në Nju Jork dhe “Reporterët pa Kufij”, me qëndër ë Francë – kanë pritur mirë Çmimin Nobel për paqë dhenë dy gazetarëve në fjalë. Drejtori i “Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Xhoel Simon, u shpreh se, “Dimtry Muratov dhe Maria Messa personifikojnë vlerat e lirisë së shtypit si dhe arsyet se pse këto vlera janë të rëndësishme.  Këta janë gazetarë të kërcnuar personalisht dhe megjithkëtë ata vazhdimisht kundërshtojnë me guxim censurën dhe shtypjet ndaj përhapjes së lirë të lajmeve, ndërkohë që me puën e tyre kanë shërbyer si shembuj për tu ndjekur nga gazetarë të tjerë”, ka thënë ai. Dhënja e Çmimit Nobel pë Paqe është një njohje dhe miratim i fuqishëm i punës së tyre të palodhur si dhe të gazetarëve anë e mbanë botës, në përgjithësi. Lufta e tyre, është lufta jonë”, ka thenë Drejtori i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Xhoel Simon nga Nju Jorku. 

Agjencia Amerikane për Median Globale (USAGM) që është një agjenci federale e pavarur dhe që drejton disa rrjete mediatike, përfshir “Zërin e Amerikës”, uroi gazetarët Maria Ressa dhe Dmitry Muratov duke thenë se ata, “janë shembuj të  guximit, integritetit dhe profesionalizmit që nevojitet për të raportuar faktet, në disa prej rajoneve të botës ku liria e fjalës është më e shtypur se kudo tjetër.”

Këto janë vetëm disa prej urimeve dhe reagimeve botërore që po i paraqes këtu sa për ilustrim, drejtuar dy gazetarëve guximtarë që fituan Çmimin Nobel për Paqe. Me urimet dhe komentet e tyre, udhëheqësit dhe entet e ndryshme botërore, me këtë rast, theksuan gjithashtu edhe nevojën për mbrojtjen e lirisë së fjalës së lirë si, një domosdoshmëri për një demokraci të vërtetë dhe paqë në shoqëri, shtet dhe në mbarë botën. 

Ndryshe nga bota shqiptare prej ku nuk hetova ndonjë urim për dy gazetarët as reagim pozitiv — reagimet dhe urimet qenë të shpejta nga udhëheqës botërorë si dhe nga organizata kombëtare dhe ndërkombëtare që ia duan të mirën lirisë së shtypit, e të cilët, për vite e dekada luftojnë në mbrojtje të lirisë së fjalës dhe të gazetarisë së lirë, anë e mbanë botës.  Të gjithë e mirëpriten vendimin e Komitetit norvegjez që me këtë Çmim dhenë dy gazetarëve – po njohin më në fund rëndësinë që ka ushtrimi i fjalës së lirë në shoqëri si një “parakusht për një demokraci të vërtetë dhe paqe”.

Fatkeqsisht, ndryshe nga bota perëndimore, mungesa e ndonjë urimi nga Shqipëria dhe Kosova kuptohet deri diku, pasi të dy këto shtete klasifikohen në raportet e organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut si “gjysëm të lira”.  Pjesërisht, për këtë klasifikim është përgjegjës mënyra se si trajtohet/keqtrajtohet liria e shtypit në të dy shtetet shqiptare.  Sot e 30-vjet të ashtuquajtur “tranzicion”, nuk kemi parë ende një ligj a projekt ligj mbi lirinë e medias që është në përputhje të plotë me vlerat dhe standardet perëndimore.  Përkundrazi, në rastin e Shqipërisë, Kryeministri dhe parlamenti i kontrolluar prej tij, vetëm propozojnë dhe përpilojnë projekt ligje dhe miratojnë ligje krejtësisht në kundërshtim me të drejtën e shenjtë të lirisë së shtypit – duke kërcënuar demokracinë dhe paqën në vend dhe në rajon dhe duke larguar gjithnjë e më shumë shqiptarët nga vlerat perendimore.  Mesazhi i Nobelit këtë vit është se nuk bëhet demokracia as nuk vendoset paqëja në një shtet as në botë duke kufizuar — ose duke luftuar haptazi lirinë e fjalës dhe pavarsinë e gazetarisë.  Pa liri të fjalës, nuk vendoset demokracia e vërtetë, as me “fiat” nga një kryeministër as me ligje duke përqendruar në dorë të burokratëve partiakë kompetenca që nuk u takojn ë atyre, as duke shtetëzuar mënyrat dhe mjetet e përhapjes së informacionit nepërmjet krijimit të ashtuquajturës Agjenci për Media dhe Informim, si dhe i kufizimeve të tjera gjatë viteve për kufizimin e lirisë së fjalës siç ishte e famshmja për të keq, “paketa anti-shpifje”, si dhe kërcënimeve dhe kërcënimeve dhe lloj-lloj etiketimesh ndaj gazetarëve dhe gazetarisë së pavarur në përgjithësi. 

Komiteti Nobel shpërbleu gazetaren filipinase Maria Messa-n dhe gazetarin rus Dmitry Muratov me Çmimin Nobel për paqë për vitin 2021 për guximin e tyre për të luftuar në mbështetje të lirisë së fjalës në Filipine dhe në Rusi, pa marrë parasysh pasojat e vendosmërisë tyre për të raportuar të vërtetën.  Të dy këta kishin marrë vendimin se – në mbrojtje të lirisë së fjalës — nuk do të frikësohen nga sulmet kundër tyre dhe lirisë së fjalës dhe kishin bërë një zgjedhje morale për veten dhe për shoqërinë në të cilën jetojnë, se do të mbrojnë me çdo kusht të drejtën e fjalës së lirë, si një parakusht për një demokraci të vërtetë dhe për paqën në vendet e tyre dhe në botë.

Po ju, gazetarë dhe lexues të dashur shqiptarë, kur do të përcaktoheni, më në fund, për një zgjedhje morale, (“a moral choice”) — kundër atyre që, hapur, luftojnë kundër lirisë së fjalës në trojet shqiptare — dhe kur do të mbroni, me çdo kusht, (jo lirinë e pjesshme), por lirinë e plotë të fjalës, jo vetëm si e drejtë e jotja — së bashku me të drejta të tjera të njeriut që t’i ka falë Perëndia – por edhe si, “parakusht për një demokraci të vërtetë dhe paqe të qëndrueshme në vend”!?

Frank Shkreli

Dmitry Muratov (left) and Maria Messa were jointly award the 2021 Nobel Peace Prize.

                  Dmitry Muratov (Rusia)                     Maria Messa (Filipinet

Image

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 72
  • 73
  • 74
  • 75
  • 76
  • …
  • 902
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste
  • Një vepër e rrallë në ikonografinë shqiptare, Shën Kristofori me kokë qeni
  • NJË ZË I RI SHQIPTARO-AMERIKAN NË UASHINGTON NË SHËRBIM TË KUJTESËS HISTORIKE TË VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT
  • Patronimet kolektive me -aj , si identitet shqiptar i Malësisë së Madhe
  • SHANI PNISHI – NJË ZË I NDËRGJEGJES KULTURORE NË NDËRPRERJEN MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
  • Mitrush Kuteli, figura e shquar që jetoi mes dy botëve
  • Shqipëria në Balkanfila XXI me identitet, përfaqësim dhe arritje
  • HOMAZH PËR LEGJENDEN DINAMOVITE
  • EMRI I ROBERT LULGJURAJ MBËRRIN NË ZYRËN OVALE TË PRESIDENTIT TRUMP
  • Franz Kafka dhe kushti i brendshëm i lirisë, një thirrje për zgjim nga vetë ndërtimi i robërisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT