• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ilia Dilo Sheperi, dijetari erudit

March 27, 2017 by dgreca

1901182_10203205675612948_1459643947_nIlia Dilo Sheperi, dijetari erudit që u bë fjalë e epërme e Gjuhës Shqipe/Scan113[1]

Edhe po të më vrisni, edhe po të më therrni, në fytin tim do të lexoni Alfabetin Shqip”- Ilia Dilo Sheperi/

536261_3152882914267_1532745940_n

Nga Keze Kozeta Zylo/

Ndonëse në çdo 7 Mars përkujtohet Dita e shenjtë e Mësuesit, në nderim të hapjes së shkollës së parë Shqipe në Korçë, është fort e domosdoshme që edhe Martirët e Gjuhës Shqipe, duhet të kenë një ditë të veçantë në përkujtim dhe nderim të veprës së tyre kombëtare.Ishin Rilindasit e shquar si Papa Kristo Negovani, Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi etj të cilët u bënë therror për gjuhën shqipe, për Kombin e tyre duke luftuar me armiqtë e shumtë që donin ta zhduknin Shqipërinë nga faqja e dheut. untitled

Ç’i kanë punuar Gjuhës shqipe armiqtë e vendit tënë!…6

Në mesin e këtyre martirëve është dhe  atdhetari zemerzjarr Ilia Dilo Sheperi i cili u dënua me vdekje nga patrikana greke dhe e Stambollit.  Ai i dërgoi memorandumin Patrikut Ekumenik, Joaqim në vitin 1908 ku ndërmjet të tjerash i shkruante:“Ne jemi shqipar, vëllezër të një gjaku me shqiptarët myslimanë”…  ndërsa Gazeta “Besa” në rubrikën “Burrat e Kombit” përgatitur nga Qazim Z.Prodani do të shkruante se: “Ilia Dilo Sheperit nuk i mungoi burrëria shqiptare, nuk iu tremb çkishërimit, as torturave, as dhe dënimit me vdekje i kthyer në ekzil të përjtetshëm”.  Patrikanës vrastare Ilia Dilo Sheperi iu përgjigj si burrë trim dhe i paepur:  “Edhe po të më vrisni, edhe po të më therrni, në fytin tim do të lexoni Alfabetin Shqip”.

Ilia Dilo Sheperi ndriti qysh i ri i cili mbaroi shkëlqyeshëm gjimnazin “Zosimea” ku prej kësaj shkolle dolën dhe mbaruan burra të rrallë të Kombit si Sami Frasheri, Fehmi Bej Mezhgorani, Hasan Tahsini, etj…

Në vitin 1927 botoi gramatikën shqipe që është rrënja dhe hedhja dritë e gramatografisë shqipe.  Më 1972 u ribotua në Romë, ndërsa botimi i tretë nga shtëpia botuese “Albin” nën kujdesin e Ksenofon, Etien dhe Ylli Dilos.

Shkencëtari dhe dijetari erudit që ushqeu mijëra nxënës me kajmakun e qumështit të Alfabetit Shqip dhe u bë fjalë e epërme e gjuhës së bukur shqipe si për ironi të fatit u perseketua tmerrësisht së bashku me familjen e tij të shtrenjtë nga regjimi diktatorial komunist.

Të gjithë djemtë e tij të edukuar në universitete në Europë u persekutuan dhe u dënuan në burgje.  Pas tyre u dënuan dhe fëmijët që lanë pas do të tregojë me dhimbje në një intervistë pinjolli i familjes Dilo, Eduardi i cili vazhdon të ketë kontakte dhe lidhje me profesorë të nderuar në botë rreth studimit të gramatikës së gjuhës shqipe, ku ne disa vende studjohet gramatika e Tij e Gjuhës Shqipe.

Ai pohon se ka lidhje me profesorë të linguistikës në Evropë, SHBA, Angli, Francë, etj. të cilët gramatikën e gjyshit te tij e vlerësojnë si libri i shenjtë dhe me baza të rrepta shkencore të Gjuhës Shqipe.

Ilia Dilo Sheperi sot na mbështjellë të gjithëve me krahët e ëngjëllit të Zotit ndërkohë mbulon supet e maleve të Zagories dhe gjithë Shqipërisë që të mos digjen nga suferinat e kohës së çakërdisur.

Ilia Dilo Sheperi ngrihet madhështor dhe vepra e duhet të jetë në Piedestal të Kombit.  Ai ka hedhur rrënjë të thella në Gjuhën Shqipe ndaj dhe ka vënë në lëvizje studjuesit e shquar dhe i bëri që t’i referohen veprave të tij shkencore dhe gjuhësore si Nobert Jokli etj…  Dhe pranë tyre rrënja, pema e Tij e dijes vazhdon të lëshojë bisqe dhe të bëhet ulli i gjelbër i përjetshëm sa vetë mosha e tokës.

Ç’fat të bukur kanë pasur ata nxënës që i mësoi Erduiti Ilia Dilo Sheperi dhe me siguri ëndrrat e tyre u bënë shtat mali…

Ilia Dilo Sheperi përveçse nje erudit i kohës ishte dhe një orator i shkëlqyer i Kombit.  Kur fliste Ilia Dilo Sheperi ngrinte peshë zemrat e djalërisë, nderonte Flamurin në kohë vdekjesh dhe fjala e Tij e shqipes gjallonte dhe bënte dritë ndër breza.  Ja një fragment nga fjalimi i famshëm i Ilia Dilo Sheperit, më 28 Nëntor, 1920: “‘’Shqipëria  divine, dheu klasik i trimërisë, kremton sot një nga më të shënjtat ditë të historisë së saj kombëtare:  Ditën e Rilindjes së pagëzimit në jetën e re të Lirisë!  Ditën e vënies mbi krye të kurorës së Independencës”!

Në odat e burrave në Sheper kuvendonte mësuesi, hapte shkollat e para shqipe, ndërtonte çerdhet me zogj që cicërrinin vetëm shqip.  Dashuria e tij për gjuhën është prush vatre, dashuria e tij për nxënësit është gati hyjnore dhe ai paprimtas na shfaqet si një Perëndi.

Por edhe Perënditë shpesh fatkeqësisht i kemi zënë me gurë.  Kështu ndodhi me eshtrat e Ilia Dilo Sheperit duke i hequr nga varrezat e fshatit, fshat që kishte dhënë contribute të jashtëzakonshme.  Ishet një fshat që njihte kodet njerëzore, por mjerisht djalli ishte ulur pabesisht midis tyre dhe çkodifikoi çdo norme e zakon moral të mirë.  E kryqëzuan si Krishti, jo të gjallë, por të vdekur.  Ç’te ishte vallë ky kryqëzim në palcë të dashurise së tij, në thelb të gjuhës shqipe!  Me siguri  përbindshat gjejnë terren dhe si vampirë ngacmojnë kocka të vdekurish.  Por Ilia Dilo Sheperi  vazhdon të jetë burrë i rrallë siÇ e vajtuan gratë sheperiot me ligje kur dëgjuan për gjëmën që iu ndodhi si:  “U shkëput mali me borë/ U nda ergjënda kurorë”…  Ilia Dilo Sheperi qëndron kryelartë si mali i Çajupit në majë të të cilit duhet të shkruhet me gërma të mëdha Ilia Dilo Sheperi si emri “Hollivudi” ne Amerikë.  Shteti duhet ta vendosë emrin e Tij në murin e famës pranë Akademisë së shkencave dhe t’i ngrihet një statujë madhështore siç i ka hije burrave të Kombit, ndryshe të sjellë ndërmend persekutimet barbare, vrasjet makabre qe iu bënë martirëve të Gjuhës Shqipe si pershembull kur u vra Papa Kristo Negovani dhe populli që e donte aq shumë i shkruajti këto vargje:  “Papakristonë e vranë/ Dhe s′ra për të një kambanë/ Dhe malet e Shqipërisë/ Dhe shpellat e malësisë/ Thërrisnin anembanë/ Papakristonë e vranë”!

Duhet të vlerësohet dhe më shumë sepse veprat e Tij që iu la brezave janë si një institucion shkencor gjuhësor, ku nxënësit dhe studentët do të mësojnë me krenari se ç’mësues dhe dijetar erudit ka pasur Kombi Shqiptar.  Ndryshe të gjithe këta dijetarë të rrallë duket sikur pushtetarët dhe injorantët që kanë zënë vendet kyçe i kanë futur në hendeqe të akullta burgjesh dhe për rrjedhojë s’mësojne asgje nga penëndriturit e mëparshëm si Ilia Dilo Sheperi, dijetari erudit që u bë fjalë e epërme e Gjuhës Shqipe.

Brezat e tanishëm dhe të ardhshëm duhet të përulen me respekt dhe krenari për veprën e tyre shkencore, kombëtare po aq dhe patriotike.

 

Mars, 2017

Staten Island, New York

Filed Under: Histori Tagged With: dijetari erudit, Ilia Dilo Sheperi, Kozeta Zylo

Aristidh Kola për Vallen Çame

March 27, 2017 by dgreca

3.BNga Arben LLALLA/

Pata fatin të bashkëpunoj ngushtë me Aristidh Kolën, por dhe krenarinë që ai më besoi pak ditë para se të vdiste një arkiv të tërë me libra, revista dhe gazeta për historinë dhe kulturën e shqiptarëve të Greqisë.“Arvanitasit dh

I ndjeri Aristidh Kola ka qenë njëri nga intelektualët e mëdhenj të shekullit XX që ka bërë një punë të lëvdueshme për të dalë në dritë heroizmi, kultura dhe traditat e shqiptarëve të Greqisë, të cilët herë i quajnë arvanitas e herë allvani. Ai ka shkruar disa libra, por libri më i njohur dhe i suksesshëm është: “Arvanitasit dhe Prejardhja e Grekëve” (Αρβανιτεσ και η Καταγωγη των Ελληνων), i cili u botua për herë të parë më 1983 dhe është ribotuar mbi 15 herë të tjera deri sa vdiq autori në tetor 2000. Ndër shumë tema historike, kulturore dhe mendimeve Kola na sjellë dhe mendimet e tij rreth Valles Çame, të cilat kemi zgjedhur t’i botojmë sot për lexuesin e 27.al. Në këtë studim Aristidh Kola shkruan për të vërtetën e kësaj valle, ku ngre lart krijimin popullor të Valles Çame, e cila kërcehet sot edhe nga grekët. Ai na sjell faktin se piktura e piktorit gjerman Peter fon Ess-it (Peter von Hess (1792-1871), shën. A.Ll.), ku na paraqet trimat e Kollokotronit të kërcejnë Vallen Çame dhe në plan të parë Plaku i Moresë i menduar po krijon strategjinë e luftës çlirimtare. Ky është një dëshmi që vërteton se traditat, zakonet dhe veshja kombëtare shqiptare në veçanti të atyre të Epirit është përvetësuar pa të drejtë nga grekët e Greqisë së Re.Vallja Came (Peter von Hess (1792-1871,

Aristidh Kola, në vitin ku ka shkruar librin 1980 që flet edhe për Vallen Çame shpreh indinjatën e tij për keqinformimin e studiuesve për këtë valle, deformimin e saj historik, krijues dhe interpretues, duke i quajtur këta studiues injorantë. Kola kritikon ashpër studiuesit grekë, të cilët qëllimisht me fantazinë e tyre e quajnë Vallen Çame si valle vllehe, por vllehët nuk kanë lidhje as me Vallen Çame e as me fustanellën. Kuptohet që kritika e Aristidh Kolës bëhet në kohën kur çamët kishin rreth 35 vjet që ishin përzënë me genocid nga Çamëria dhe Shqipëria ishte një vend i izoluar në diktaturën e komunizmit, ku televizioni dhe gazetat tona, pothuajse nuk na informonin rreth të vërtetave të shqiptarëve në Greqi e më gjerë. Në këtë studim Aristidh Kola tregohet një studiues profesionit dhe një avokat mbrojtës i Valles Çame e kulturës shqiptare në përgjithësi. 

Vallja Çame

Nga Aristidh Kola/

Vallja Çame është vallja më përfaqësuese e fisit Arvanit (shqiptarëve të Greqisë, shën. A.Ll.). Është një valle që pasqyron shpirtin shqiptar. Si tregon dhe fjala kjo vjen nga çamët. Nëse analizojmë Vallen Çame do të na japë dhe karakterin e popullit krijues. Guxoj të them që analiza e valleve popullore vështirë të bëhet saktë nga të huajt, por dhe mësimi i saj në raste të tilla do të ishte i gabuar.

Fatkeqësisht vallja e vetme dhe e papërsëritshme çame ka rënë në duar “të paligjshme” dhe prezantohet krejt e panjohshme nga kinemaja, qendrat e ndryshme dhe televizori. Ata njerëz që kanë marrë në duar Vallen Çame, prej disa kohësh tanimë me sa duket qartësisht as arvanitasit nuk janë dhe as idenë s’ia kanë ç’lloj valleje është Vallja Çame dhe nga cili popull është krijuar. Kështu na paraqesin një lloj valleje çame, të cilën e shohin arvanitasit e qeshin. E quajnë “shkollore”, sepse mësuesit që dërgoheshin në fshatrat arvanitase pa ditur gjë prej gjëje përpiqeshin t’i mësonin Vallen Çame popullit që e krijoi atë dhe përfundimi ishte disi qesharak.

Ata që merren me vallen kombëtare nuk duhet të punojnë me fantazinë e tyre në mënyrë që të paraqesin vallet, sepse në këtë rast në mënyrë disi paradoksale, fantazia dëmton shumë. Këtu nevojitet njohje dhe studim i përqendruar, fillimisht dhe kryesisht i popullit që krijoi këtë valle, të cilën duhet të paraqesim. Guxoj të them se njohja dhe studimi nuk mjaftojnë, nëse pikëpamjet e tua bien në kundërshtim me atë të popullit të caktuar që studiohet. Kështu e shohim Vallen Çame që vetëm e tillë nuk duket dhe mirë do të ishte që të interesuarit të marrin kamerat dhe të shkojnë në fshatrat arvanitase, në dasmat dhe festat e tyre, ta flasin dhe ta bisedojnë Vallen Çame në vendet, ku kërcehet. Shumë njerëz kujtojnë se Vallja Çame është vllahe dhe se atje duhet ta kërkojnë. Por, vllehët nuk kanë asnjë lidhje me Vallen Çame, ashtu si nuk kanë me fustanellën. Por, kjo pikëpamje e gabuar krijohet, sepse athinasit dhe aziatikët e vegjël, të gjithë joathinasit i emërtojnë vllehë…

Vallja Çame ka levendëri, krenari, bukuri në lëvizje, të cilat vënë në dukje dhe virtytet e mësipërme. Nuk është valle erotike, por gjithashtu nuk është as luftarake, as e ndjenjës. Vallja Çame është valle triumfale. Dyshoj, nëse mund të ketë një të dytë në botë.

Vallja Çame përmbledh me lëvizje, bukurinë, levendërinë, burrërinë dhe krenarinë e kërcimit të parë, sepse duhet theksuar këtu se Vallen Çame nuk e kërcejnë të gjithë, por vetëm kërcimtari i parë. I dyti “e mban mirë” dhe është me të vërtetë e vështirë të “mbash drejtë” e mirë kërcimtarin e parë e të zotë me figurat e mrekullueshme dhe kërcimet, ndërkohë që të tjerët ndjekin nga pas duke marrë pjesë mendërisht dhe shpirtërisht, duke u krenuar dhe duke i dhënë figurën e plotë asaj që përpiqet të shprehë i pari me lëvizjet dhe figurat e tij. Sigurisht nuk kemi parë asnjëherë në kinema apo televizor një Valle Çame të kërcyer drejtë, por as Valle Çame që të kërcehet nga grua. Si thamë është valle triumfale dhe zakonisht kërcehet nga burrat, por është me të vërtetë e mrekullueshme të shihni një kërcim të këtillë nga vashë arvanitase të krahinës sime.

Pra, Vallja Çame është një valle triumfale, fitimtare. Kërcehet pas betejës, por dhe përpara apo gjatë armëpushimit dhe na është e njohur në piktura e Ess-it (Peter von Hess (1792-1871, shën. A.Ll.), piktor gjerman që paraqet trimat e Kolokotronit të kërcejnë Vallen Çame dhe në plan të parë Plaku i Moresë i menduar po krijon strategjinë e luftës çlirimtare.

Ndoshta është vallja e vetme joerotike, megjithëse dhe elementët erotike kalojnë brenda shfaqes së levendërisë, bukurisë dhe aftësisë së kërcimtarit të parë.

 

Filed Under: Histori Tagged With: arben llalla, ARISTIDH KOLA, Vallja Came

BAJRAM CURRI, SHTYLL’ E NACIONALIZMIT

March 27, 2017 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

1 BajramCurri

 BAJRAM CURRI (1862 – 29 MARS 1925)/

MARS 1925: SHQIPNIA NË ZI…/

■Dhe, këte Shqipni, nuk e kam gjetë kund ma sakt se tek Don Lazer Shantoja.

… “Nji plakë dhe nji gocë kjajnë përditë në Shkoder… Nji Nanë dhe nji bijë!

Nana kjanë djalin ma të madh dhe bija baben ma të mirë të Shqipnisë së shkretë. Lotët e plakës shkodrane e të gocës kosovare janë lotët e të tanë Shqipnisë së sotme.

Edhe kjo e ndrydhun, e poshtnueme, e vorfnueme, e shitun, e coptueme dneson perditë per të vdekunit e mëdhaj qi humben dhe per të gjallët e mjerë qi po humbin. Populli asht në kulmin e deshprimit. I vetmi ngushllim qi i ka mbetë, në kjoftë se ngushllim mund të quhet, asht enè vaji: Lodja qi kje perherë shujta e idhët e Popullit Shqiptar.

Nder shpellat e largëta të bjeshkëve kreshnike të Krasniqes ky popull i mjerë pat nji Babë: Ia mbyten!

Nder korridoret e errta të diplomacisë së jashtme ky popull i vorfën pat nji Pris: Ia vranë!

Me humbjen e Bajram Currit e të Luigj Gurakuqit mbyllet nji epopè e madhnueshme e këputet pergjysë nji hymn i naltë! Epopènë e mbylli Plaku; hymnin do t’a vijojmë na!

… Na kjajmë si per njenin ashtu edhe per tjetrin. Ferku asht vetem ky: Lodja qi derdhim mbi emnin e Luigj Gurakuqit asht edhe lodja e deshprimit. Bajram Curri vdiq me të tana rrethanat e heroizmes: Lindi në mal, jetoj në mal, luftoj në mal e vdiq në mal.

Vdiq me armë në dorë, ndermjet të Shqipnisë së robnueme e të Shqipnisë së lirë.

Vdiq si meritonte të vdiste Bajram Curri!

Të kishte vdekun në sallen e ndoj klinikës europjane, jetës së Bajram Currit, i ishte hjekun kapitulli ma i bukur.  

Perkundrazi si vdes Luigj Gurakuqi? Vritet në dhe t’huej, vritet tinzisht mbas dere të nji hoteli, vritet prej nji krimineli vagabond… Bajram Curri nderohet edhe prej t’ huejvet, deri prej anmiqvet të tij të perjetshem…

Luigj Gurakuqi shnderohet jo vetë, por mbytet për së dyti shi prej asaj qeveri për të cilen, i shuemi, kje gjithmonë i akuzuem se ushqente ndjesina ma se miqësore.

■Gjyqi i Tranit – shembull klasik paturpësie cinike në gjyqet botnore – na difton sheshasit se diktatori i Romës desht me e krye vepren e diktatorit të Tiranës, të Zogut.

***

■Ky njeri nuk asht ma! Trupi i tij rrxohet i pergjakun tek dera e Hotel Cavour, dhe kur ndihet krisma katastrofale e armës së trathtisë e kur merret vesht se tre plumat e revolverit të tiranvet kishin shpue zemren e Luigj Gurakuqit, atje në shpellat e Krasniqes jehon nji gjamë. Plaku i Kosovës njynë pecen në voj me fshi për të mramen herë armët sa herë ngadhnjyese, del prej shpellet, ban sulmin e mramë e vdes!

■Në nji pallat të Tiranës Ahmet Zogu me nji të zgedhime satanik u qet me pi satelitvet  të gëzueshem tue u thanë: Tash nuk drue ma kend!”

***

■Po; n’ Dragobi

Plakun do t’ gjejmë tue kjamun per Shqipëni…

Me t’ gjallë ma fjalë nuk kemi: Asht kot me pritë:

Pleqt u faruen e s’ kan pse plaken t’ ritë!

Sot mbasi t’ gjallët nuk janë tue luejt per t’ gjallë

Lè t’ shkojmë na t’ vdekunit Shqiperin me ngjallë!..

■Këndojnë Zanat…

Vigajt vdiqen, mbaruen trimat,

Vdiqen t’ gjith burrat e dheut;

Sot n’ Shqipëni sundojnë kulimat

Mbi fron Shejt të Skanderbeut.

E patundun tiranija

Po mbretnon e kush s’ po lot;

Shqiptar ma nuk ka Shqipënija

Nuk ka Shqipja flamur sot.  

Shkelë asht ndera e Shqipenis

N’ t’ tana viset si mos kurr:

Kjajë mbi bjeshkët e Dragobis

Kjajë, po, kjajë, o Bajram Curr!

 

■Shenim nga F.Radovani: Poezia asht marrë nga “Kuvendi i Deshmorvet”, tek libri

“Vepra” e Don Lazer Shantojës. Shkoder 2005.

Do t’ ishte mirë që ky liber të vendosej në Maozoleumin e Tiranës!

            Melbourne, 2017.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Bajram Curri, Fritz radovani, SHTYLL’ E NACIONALIZMIT

PAPA GJON PALI II: Ajo që ka ngja në Shqipni….

March 24, 2017 by dgreca

DHURATAT E ENVERIT PER  STALININ  E  TITON/

Nga Fritz RADOVANI/*

 NGA  MUZEU  I  FRETENVE/

 muzeudhebib

KËTU ISHTE MUZEU DHE BIBLIOTEKA E FRANÇESKANVE/

part-par-arp3010780-1-1-0-685x400PAPA GJON PALI II ka thanë: “Ajo që ka ngja në Shqipni, të dashtun Vëllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit…”

SHKODER 1945 – JANAR…

■Duhej “thye” brilanti i Klerit Katolik Shqiptar, Françeskanët e vendosun në Shek. XIII. Mbas një muej që Provinçiali i Françeskanve të Shqipnisë At Mati Prennushi, u ankue në komanden e ushtrisë N. Çl., per vendosjen e flamurit me “yllin partizan” në kompanjelin e Kishës Françeskane në Gjuhadol me 29 nandor 1944, në ditët e para të Janarit 1945 tek Provinçiali At Prennushi, mërrijti komandanti i forcave partizane në Shkoder, gjeneral Sheuqet Peçi, i shoqnuem me një grup ushtarakësh të ardhun nga Jugu si “çlirimtarë”.

Mbasi rane dakord per “zbritjen e flamurit të zhigatun me yllin jugosllav”, gjenerali Peçi kerkoi me vizitue Muzeun, ku ndodheshin objektet me vlerë të zbulueme nga Frati i njohun arkeolog në universitetet e Europës, dhe i vramë nga serbët At Shtjefen Gjeçovi…

Nga grupi i ushtarakëve, gjenerali mori mbas vetes në Muze tre ose kater vetë, dhe u nis mbas Provinçialit, i cili e hapi Muzeun… Porsa hyne mbrendë u drejtuen nga një raft ku ishin disa armë shumë të vjetra me doreza argjenti, dhe mbasi kerkuen me ua hapë ata rafta veçuene mbi një tavolinë gjashtë nga armët ma me vlerë… Veçimi i tyne nga një grup injorantësh i kishte ba shumë pershtypje At Prennushit, i cili në darkë i ka tregue Nanës sime jo vetem, sjelljen e tyne që mbasi i kanë marrë, i kanë dhanë një “pustull” si dokument të firmosun, por mbasi gjeneral Peçi, ka nxjerrë të gjithë grupin me armët e marruna në Muze, ka fillue me i ba presion Provinçialit se, “kam urdhër nga lartë, me ju njoftuar se duhet të filloni me organizuar mbledhje me të gjithë klerikët, per t’i njohur me vendimin e marrur lartë që Kleri Katolik Shqiptar, shumë shpejtë duhet të shkëputet nga Papa i Romës, i cili është armik i betuar i komunizmit. Për këte do njoftojmë shumë shpejtë edhe Argjipeshkvin Thaçi, si dhe Argjipeshkvin Vinçenc Prennushi në Tiranë.”

■At Matia me gjakftoftësinë karakteristike asht pergjegjë: “Mos merrin zahmet aspak me njoftue Argjipeshkvijtë as, në Shkoder e as, në Tiranë po, thoni shokve tuej atje naltë, se më ka thanë Provinçiali i Françeskanëve të Shqipnisë At Mati Prennushi, se para jush këte shkëputje me Papen e kanë kerkue edhe malazezët e Krajl Nikollës, po unë i kam thanë se ‘Jam gadi me u varë në konop dhe Betimin tim para Kryqit Krishtit n’ Elterin Shenjtë me 4 Prill 1904, nuk e kam ndermend me e shkelë sa t’ jenë jeta! Per këte që po ju  tham ju, jam i sigurtë se si unë, kanë me ju pergjegjë të gjithë shka bajmë këte zhgun!”

■Pa kalue një javë… Nga gjysa e Janarit 1945, ka mërrijtë në Kuvendin e Fretenve, një nga kriminelët e Spanjës, komandanti i brigadës I sulmuese, gjenaral Mehmet Shehu, mbasi dy ditë para kishte kapë tradhtisht në shpellen e Selcës, Mikun e At Matisë, trimin e njohun Prekë Cali, bashkë me grupin e djelmëve që ishin me Te, dhe kishte vra e mbytë nder shkamijt e Atyne Bjeshkëve edhe 118 Burra pa gjyq, mbasi ua ka djegë shtëpijat dhe plaçkitë edhe gjanë e gjallë, tue i shfarosë perjetsisht nga pronat e veta…

Mehmeti fillimisht ka kerkue me vizitue Gjimnazin e Fretenve, ku ka folë me një gjuhë krejt tjeter nga e vetja. U ka folë studentave per “meritat e Françeskanve e rolin e Tyne në histori”… Kur At Matia asht ankue per “armët e marruna nga gjeneral Peçi…”, i ka premtue që mbrenda dy ditësh armët do ti kthente, dhe i ka sjellë perveç “dy armëve, që ishin dergue per Moskë, dhe në një ceremoni në Kremlin i janë dhurue Stalinit!!”…

Kur asht ngjitë naltë në zyre të At Matisë, ka persëritë edhe ky fjalët e Sheuqet Peçit, per “shkëputjen e Klerit Katolik nga Vatikani…” dhe, At Matia, i ka pergjegjë me ato fjalë që një javë para i ka thanë gjeneral Peçit…” Tue dalë nga dhoma i ka thanë: “Më tregoi para se të vij tek ju shoku Sheuqet, ti thashë ato se keni per t’ u penduar!” At Matia, ka mbyllë biseden me këto fjalë: “Ma shumë do të pendohen ata që do të veprojnë si doni Ju!”…

17 NANDOR 1946…KUVENDI I FRETENVE KTHEHET NË BURG…

■Të gjithë Fretnit e ndodhun aty, prangosen dhe fillojnë hetimet… “Akuza kryesore ishte futja e armëve në Kishen e Gjuhadolit…” Dylloset Shkolla, Muzeu… dhe Biblioteka…

Blokohen të gjitha dorshkrimet dhe studimet me vlerë shkencore gjuhsore dhe letrare, historike, gjeografike, fetare dhe artistike, ku perfshihet edhe një statujë e ndodhun mbi tavolinen e At Gjergj Fishtës, “Zoja e zezë”, dhe një Figure “Zoja e Kelmendit”, per te më ka thanë perkthyesi Gjon Shllaku (1962), kur e kanë marrë në pyetje: “Ka pa me sytë e vet kornizen e asaj Figure, mbi koken e hetuesit dhe, në te e vendosun foto e Titos”…

***

■HAPJA E DOSJEVE do të bajnë të kjartë edhe se “kush ua tregoi Sigurimit të shtetit edhe skutat e Kuvendit, ku ishin të murosuna dokumentat dhe dorshkrimet me vlerë të Etenve Gjeçovi,  Fishta, Donat Kurti, Palë Dodaj, Viktor Volaj, Harapi, Sirdani, etj., që ma vonë u pervetsuen dhe u botuene shumë prej tyne nga pseudo profesorët hajdutë…

Ka pasë edhe zane që thonin se shumë nga dorshkrimet e At Gjeçovit, janë “paketue dhe nder valixhe janë dergue në Bosnje, prej kah nuk janë kthye kurrma…” Sigurisht, ata janë marrë pa asnjë vështirsi, mbasi agjentët e UDB ishin të kudondodhun, kryesisht nder zyret e hetuesisë, dhomat e torturave, të arshivave e deri tek zbatimet e vrasjeve me gjyq e pa gjyq…Deri tek plutonet e ekzekutimit kur urdhnonte vrasjet vetë D. Mugosha. ■Por, në Kuvendin e Fretenve sytë e agjentave të Titos baheshin kater, se aty ishte vendi ku, me një perkushtim të madh punohej ditë e natë prej tyne siç: “Kallxon nji zojë e cila, aso kohe bante punën si përkthyese në shërbim përsonal të sekretarit të Partisë Enver Hoxhës, në marrëdhanje diplomatike me ambasadën e Jugosllavisë në Tiranë, si nji ditë me nji bashkëfjalim ndërmjet ambasadorit titist e Enverit,..vazhdoi ai “si mbas porosisë që kam prej qeverisë sime, të zhdukni Shllakun e të shkatrroni kulm e temel çerdhen e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët !” At D.Gjeçaj, “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944 – 1990”, botue Tiranë 1993.

■Në lidhje me shkatrrimin e Kuvendit të Françeskanve në Shkoder duhet theksue se dhe mbas prishjes me Jugosllavi, lidhjet e UDB me Sigurimit të shtetit vazhdonin normal.

1948, Në dukje ishte një “prishje e lidhjeve” tona, po në fakt nuk kishte të bajnë fare me mardhanjet e mëshefta të vrasjeve të “organizueme” Shqiptaro – Jugosllave.

■Shkatrrimi i Katoliçizmit ishte një qellim i perbashkët i Enver Hoxhës dhe Titos…

Këte e dinte edhe diktatori Stalin, i cili pajtohej me qellimin e tiranëve të Ballkanit…

1967 SHKATRRON ME REVOLUCION PERFUNDIMISHT BESIMET FETARE !

■Mbas vitit 1946 kishin mbetë pak libra në Kuvendin e Fretenve të Arrës së Madhe dhe, pak gjana me vlerë tek Kuvendi i Troshanit… Tek Arra e Madhe vazhdonte me punue edhe pse i paralizuem At Justin Rrota. Me mbështetjen e Ramiz Alisë, punimet e Tij të gjitha perfunduen nder raftat e librave të hajdutit Jup Kastrati… Askush nuk flet as sot!

Kur Jezuitët e Shkodres ikën per Itali, Ata i shperndane librat dhe mjaft punime me vlerë tek disa mësues Shqiptarë, që mësonin nder klasat fillore… Më ka tregue Prof. Lluka Karafili, që edhe Atij i kishin dhanë disa libra. Prof. Lluka në vitin 1958, ka pasë punue një tabelë të plotë per “Pemen e Familjes Kastrioti”, të cilen e kam vizatue unë, rreth dy meter me të gjitha detajet deri në ditët tona. Profesor Lluka e dorzoi në Akademi dhe me pat tregue se “nuk i kanë dhanë asnjë pergjegje”. Humbi tabela e vdiq edhe Profesori…

■E vetmja Bibliotekë e mbetun në Shkoder pranë objekteve Fetare, ishte ajo e ruejtuna deri në 1967, në Argjipeshkvinë Metropolitane të Shkodres. Me Revolucionin Kultural,  u dergue në Muzeun e Shtetit në Shkoder, dhe mbasi e vodhën Jup Kastrati, dhe kryetari i Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëstëve të Shkodres, Vehbi Bala me “shokë” të tjerë, sigurisht, të besueshem të PPSH dhe Sigurimit të shtetit, tepricat i dorzuen në Biblioteken e shtetit të qytetit Shkoder… Disa libra i mori edhe Instituti Pedagogjik.

■Kujtoj atëherë që mbasi kaloi një kohë e shkurtë mbas mbylljes së të gjitha objekteve të kultit në Shkoder, u pat krijue një grup hajdutësh i “besueshëm” pranë kom. Ekzekutiv të Shkodres, i cili filloi tek korrnizat e veprave të artit në Kishen Kathedrale, orët e vjetra të kompanjelave, njena prej të cilave u vue në Kalanë e Gjinokastres (dhe asht atje), si  dhe mobiljet e daltueme të drunit dhe, perfundoi tek qylymat e xhamija tue i shitë me disa shuma lekësh, (per mos me ua dhurue) disa aktivistave të njohun per fletë rrufetë dhe informacionet që i jepnin Ramiz Alisë, aso kohe kur flinte e zgjohej tek shoku i vet i vjeter Mihajl Prifti, dhe organizonin mbledhje me mikun e tyne të dashtun e besnik: “Kryetarin e Komisionit Perzgjedhjes Leteraturës Fetare Kishtare, shokun Jup Kastrati” ndersa, per detyrat e agjentave Sadik Rama, Angjelin Kumrija, Prekë Sokoli etj.., asht i njohun Selaudin Cena, që aso kohe bashkpunonte me “shoqen” Sofije Prifti…

■Sikur të shkruhen të gjitha shkatrrimet e veprave gjuhsore, letrare, artistike: vjedhjet e bame nder objektet Fetare kryesisht Katolike, zhdukjet e veprave të artit dhe prishjet e tyne nga injorantët e sigurimit që nuk e dinin se shka kanë vjedhë… Shqipnia renditet nder vendet ma të shpartallueme nga pushtuesit e vet tiranë e barbar anadollakë, të shek. XX – Enver Hoxha, Nexhmije Hoxha, Ramiz Alia e pasuesit e tyne tradhtarë!

■Të pakten botoni proces – verbalet me që materialet ua “dhuroi” Ramiz Alia…

         *Pjesa e VII-  Vazhdon Pjesa VIII.

            Melbourne, 21 Mars 2017.

 

Filed Under: Histori Tagged With: DHURATAT E ENVERIT, Fritz radovani, PER STALININ. E TITON

JOHN F. KENNEDY DHE LUFTA E FTOHTË

March 23, 2017 by dgreca

1-Frank-shkreli-2-300x183-1Nga Frank Shkreli/

Vlerësohet se gjëndja ndërkombëtare sot është më keq se ç’ka qenë ndonjëherë ç’prej mbarimit të Luftës së Ftohtë.  Ishte Lufta e Ftoftë midis Lindjes komuniste dhe Perëndimit demokratik që dominoi dhe kërcënoi botën për pothuaj një gjysëm shekulli, shpesh duke e çuar njerëzimin në prak të një lufte bërthamore.  Dihet se mbas Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara me aleatët e tyre dhe Bashkimi Sovjetik dhe shtetet komuniste satelite të tij, ishin mbërthyer në një kacafytje prej dekadash për epërsi, ndikim e influencë politiko-ushtarake, në marrëdhëniet ndërkombëtare.  Mund të thuhet se kjo luftë e ftoftë midis dy superfuqive të asaj kohe arriti kulmin gjatë presidencës së Xhon F. Kennedy, presidentit të 35-të të Shteteve të Bashkuara, 100-vjetori i lindjes i të cilit po kujtohet, këtë vit, me aktivitete të shumta anë e mbanë Amerikës.

1 Hrushovi

Ne Foto:Takimi-Kennedy Hrushovin në Vjenë të Austrisë, 3 qershor,1961/

Forcat ushtarake të Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara nuk u angazhuan asnjëherë në konflikte të drejtë për drejta gjatë Luftës së Ftohtë, por të dy superfuqitë e kohës ishin mbërthyer në antagonizma serioze ndaj njëra tjetrës, nepërmjet manovrimeve të ndryshme politike, nepërmjet koalicioneve ushtarake, NATO dhe Pakti i Varshavës, me anë të spiuanzhit dhe propagandës si edhe shtimit të armatimeve, përfshirë armët bërthamore.  Nga aleatë në Luftën e Dytë Botërore kundër Hitlerit, nuk mori shumë kohë që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik, menjëherë pas mbarimit të luftës Majin e vitit 1945, të këtheheshin në kundërshtarë të përbetuar politikë dhe ushtarakë, marrëdhënie këto që patën tensione të larta, pothuaj të vazhdueshme për disa dekada, deri në shëmbjen e Murit të Berlinit.  Bashkimi Sovjetik nguli këmbë që të ushtronte influencë politike dhe ushtarake mbi shtetet dhe popujt midis territorit të tij dhe Evropës Perëndimore, duke përfunduar kështu në instalimin e regjimeve pro-komuniste dhe pro-sovjetike në Poloni, Hungari, Bullgari, Çekosllovaki, Rumani, Shqipëri dhe eventualisht edhe në Gjermaninë Lindore.  Si rrjedhim i kontrollit absolut politik, ushtarak dhe ekonomik të Bashkimit Sovjetik mbi këto vende, Shtetet e Bashkuara, nga ana e tyre, ndërmorën masa politike, ekonomike dhe ushtarake për të ndaluar përhapjen dhe influencën e mëtejshme të komunizmit në vendet e Evropës Perendimore, si Franca, Italia dhe Greqia.

Dihet se Deri në Luftën e Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara zhvillonin kryesisht një politikë izolacioniste në marrëdhëniet me Evropën.   Por pas Luftës, si përfundim i kontrollit sovjetik të vendeve të Evropës Lindore, Shtetet e Bashkuara – nepërmjet Doktrinës Truman të vitit 1947 — filluan të mbështesnin vendet e kërcënuara nga subversioni komunist dhe Plani Marshall shpërndau miliarda dollarë në ndihma ekonomike Evropës Perëndimore me qëllim për të mënjanuar prishjen e stabilitetit politik dhe ekonomik të atyre vendeve, gjë që do të bënte të mundur kontrollin e regjimeve të zgjedhura me vota demokratike, nga komunistët.

Kufiri që ndante lindjen komuniste nga perëndimi demokratik mbeti pothuaj i ngrirë në Evropë për disa dekada, por konfliktet në kontinente të tjera si në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine, nuk mund t’i shmangeshin tensioneve të Luftës së Ftoftë midis dy superfuqive, të gjysëm shekullit të kaluar. Si rrjedhojë, në vitin 1949, komunistët kinezë triumfuan në luftën civile të vendit më të populluar të botës duke iu bashkangjitur kështu Bashkimit Sovjetik si një kundërshtar ideologjik i Shteteve të Bashkuara në Luftën e Ftohtë.  Në vitin 1950, Korea e Veriut kishte invaduar Korenë e Jugut dhe si rjedhim Shtetet e Bashkuara dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara dërguan ushtarë dhe ndihma ushtarake Koresë së Jugut, ndërkohë që Kina komuniste mbështeti Korenë e Veriut, një luftë të përgjakshme që zgjati për tre vjetë.  Pastaj, në vitin 1954 ra regjimi kolonial francez në Vjetnam, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara mbështetën qeverinë ushtarake të Vjetnamit të Jugut.  Në përpjekje për të parandaluar përhapjen e komunizmit në atë pjesë të botës, formohet Organizata e Traktatit të Vendeve të Azisë Jug-lindore, ndërkohë që Presidenti Eisenhower dërgoi 700 ushtarë amerikanë dhe ndihma ekonomike dhe ushtarake për qeverinë e Vjetnamit të Jugut.  Ndërkohë, më afër brigjeve të Shteteve të Bashkuara, rezistenca kubane e udhëhequr nga Fidel Castro rrëxoi nga fuqia regjimin pro-amerikan të Havanës.    Për të mbijetuar, Kuba komuniste varej nga ndihmat ekonomike dhe ushtarake të Bashkimit Sovjetik duke mundësuar që kundërshtari kryesor i Shteteve të Bashkuara në Luftën e Ftohtë të kishte vendosur bazën e vet, jo më larg se 90-milja nga brgedeti i shtetit Florida.

Ja, kjo ishte pak a shumë gjëndja botërore, në shpërthim e sipër, kur filloi nga detyra presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara, John Kennedy.  Prandaj nuk është për tu habitur, se Lufta e Ftohtë dhe roli i Amerikës në botë do të dominonte debatin e fushatës për president të Shteteve të Bashkuara midis kandidatit republikan Richard Nixon dhe demokratit John F. Kennedy në vitin 1960.  Të dy kandidatët   premtuan gjatë debatit të parë televiziv të një fushate të tillë, se do të shtonin dukshëm buxhetin ushtarak të Amerikës dhe të dy shfaqën qendrime të ashpra kundër Bashkimit Sovjetik dhe komunizmit ndërkombëtar.  Kennedy paralajmëroi se Moska  po shtonte numrin e raketave të arsenalit ndërkontionental bërthamor sovjetik dhe kritikoi, me atë rast, administratën Eisenhower — zevëndës president i të cilës kishte shërbyer Niksoni — se kishte lejuar vendosjen e një regjimi komunist, pro-sovjetik në Havanë të Kubës.

Për Presidentin Kennedy, Lufta e Ftohtë dhe gara e armatimeve me Bashkimin Sovjetik ishin çështje të një rëndësie jetike ndërkombëtare, pothuaj gjatë gjithë karierës së tij politike.   Në fjalimin e tij të inaugurimit president, ai kishte paralajmëruar garën midis botës së lirë perëndimore dhe botës komuniste, dnërkohë që u angazhua se populli amerikan, “Do të paguante cilindo çmim, do të duronte cilëndo barrë, do të përballte cilëndo vështirsi, do të mbështeste çdo mik  dhe do të kundërshtonte çdo armik, për të siguruar mbijetesën dhe suksesin e lirisë.”

 

Pas dështimit të takimit të tij me udhëheqsin sovjetik, Krushçov, në qershor të vitit 1961 në Vjenë përballë kërcënimeve sovjetike, Presidenti Kennedy jep urdhër për shtimin e raketave bërthamore ndërkontinentale të Amerikës, rritë numrin e divizioneve ushtarake si edhe të forcave ajrore dhe të rezervistëve ushtarakë amerikanë.  Dy muaj pas takimit në Vjenë, Krushçovi, nga ana e tij, jep urdhër për ndërtimin e Murit të Berlinit me qëllim për të ndaluar gjermano-lindorët që të arratisën nga parasja komuniste në Gjermaninë Perëndimore.  Ndërsa në këtë hemisferë, në marrëveshje me qeverinë komuniste kubane, Krushçovi kishte  vendosë raketa bërthamore në Kubë për të mbrojtur ishullin kuban nga ndonjë sulm i mundëshëm nga Shtetet e Bashkuara.  Si përfundim i gjëndjes së krijuar afër brigjeve të Amerikës, administrata e presidentit Kennedy vendosi një blokadë detare ndaj anijeve sovjetike afër Kubës. Duke parë seriozitetin e situatës drejtë së cilës mund të çonte botën — në shkëmbim të një zotimi amerikan se Shtetet e Bashkuara nuk do të pushtonin Kubën, Krushçovi vendosi të tërhiqte anijet  luftarake dhe raketeta bërthamore sovjetike nga Kuba.  Ishte kjo në situatë tepër serioze ballafaqimi midis dy superfuqive të mëdha të kohës, që është cilësuar nga disa historianë si shumë e frikshme, situatë që pothuaj e çoi botën në prak të shkatërrimit bërthamor.

Në qershor të vitit 1962, në Universitetin Amerikan në Washington, Presidenti John Kennedy mbajti një fjalim me rëndësi që edhe sot cilësohet nga historianët si “fjalimi i paqës”, ku ai bëri thirrje për ndalimin e të gjitha provave bërthamore në atmosferë dhe foli, me admirim, për sigurimin e paqës në botë.  “Jo vetëm për një paqë për kohën tonë, por për një paqë për të gjitha kohërat”, ka deklaruar Presidenti Kennedy.  Në kulmin e Luftës së Ftoftë, ishte kjo një thirrje trumpetuese dhe e guximshme për të gjitha shtetet, që të hiqnin dorë nga armët bërthamore në favor të paqës midis popujve.

Në këtë 100-vjetor të lindjes së John Kennedy, kujtojmë se përveç shumë trashëgimive të tjera që ka lënë pas në fushën politike, ekonomike, të të drejtave të njeriut dhe në arenën ndërkombëtare, ai mbahet mendë sidomos për përpjekjet e  tija për pakësimin e armëve bërthamore dhe të admirohet për qëndrimet e tija për paqë në mbarë botën, por njëkohsisht edhe për guximin dhe gatishmërinë e tij për të mos kursyer asgjë në mbrojtje të lirisë.

Filed Under: Histori Tagged With: DHE LUFTA E FTOHTË, Frank shkreli, JOHN F. KENNEDY

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 408
  • 409
  • 410
  • 411
  • 412
  • …
  • 739
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lena Rexhepi: “Atdheu që dua”
  • SHKRIMTARI ME I MADH PER LIRIKUN ME TE MADH
  • MBI MONUMENTIN E PAVARËSISË NË VLORË
  • NDRYSHIMET KLIMATIKE DHE KËRCËNIMI I URISË GLOBALE: NJË GRADË MË SHUMË, MILIONA JETË NË RREZIK
  • KUR FLITET PËR PROCESIN KRIJUES – ROMANI “I ARRATISURI”
  • NËNTORI 2026 MES FLAMURIT DHE PROTESTËS
  • Plagët e heshtura të luftës…
  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT