• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në kujtim të Kolonel Thomson – Kalorës i huaj që vdiq për ne

June 25, 2025 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Në historinë e një kombi, shpesh hasim figura të çmuara që, ndonëse vijnë nga vende të tjera, zgjedhin të bëhen pjesë e fateve tona në çaste vendimtare. Një nga këta është pa dyshim Kolonel Lodewijk Willem Johan Karel Thomson, ushtarak i lartë holandez që dha jetën e tij në Durrës, më 15 qershor 1914, në mbrojtje të shtetit të brishtë shqiptar të sapolindur. Ai ishte i pari ushtarak i huaj që ra në shërbim të paqes ndërkombëtare dhe që kujtohet me nderim nga shqiptarët si një hero i vërtetë.

Figura e Kolonel Thomson-it nuk është vetëm simbol i sakrificës dhe përkushtimit, por edhe një dëshmi e solidaritetit ndërkombëtar në mbrojtje të një populli që përpiqej të ndërtonte shtetin e vet në një periudhë të trazuar historike. Në një kohë kur Shqipëria kishte shpallur pavarësinë, por përballej me kërcënime të brendshme dhe të jashtme, Thomson dhe kontingjenti i tij holandez i dërguar nga fuqitë e mëdha në kuadër të misionit paqeruajtës të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit (1913–1914), kishin për detyrë të ndihmonin në stabilizimin dhe ndërtimin e institucioneve të reja.

Vrasja e Thomson-it, ndërsa përpiqej të ndalonte një përplasje të armatosur në Durrës, u bë një moment i dhimbshëm, por edhe i rëndësishëm për ndërgjegjen kombëtare shqiptare. Ajo u përjetua si një akt i pastër heroizmi. Fan Noli, një nga figurat më të ndritura të Rilindjes sonë Kombëtare, i kushtoi një nga poezitë e tij më të ndjera, “Thomsoni dhe Kulshedra”, ku e paraqet kolonelin si kalorësin fisnik që ra në betejë me forcat e errësirës që kërcënonin Shqipërinë.

Me këtë frymë e përkushtim u përmbyll para dy vjetësh edhe nisma e ndërmarrë së bashku me Ambasadorin e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, z. Reinout Vos, dhe Kryetaren e Bashkisë së Durrësit, znj. Emiriana Sako, për të rikthyer në Durrës bustin e Kolonel Thomson-it, një monument që më shumë se kujtim, është një premtim për të mos harruar. Falë bashkëpunimit institucional dhe dëshirës së qytetarëve të Durrësit, një dy vjet më parë u arrit të realizohej kjo ëndërr e hershme, duke i dhënë qytetit të lashtë të Durrësit një nga simbolet më domethënëse të tij.

Në ceremoninë përkujtimore të arij viti, krahas homazheve pranë bustit të tij, patëm mundësinë të zhvillonim një panel diskutimi në ambjentet e restauruara të Torres Veneciane, një tjetër simbol i mbijetesës së qytetit përballë kohëve. Ishte një nder i veçantë për mua të flisja para një audience të respektuar mbi rolin e misionit paqeruajtës holandez dhe të vetë Kolonel Thomson-it, si dëshmi e lidhjeve të hershme midis Shqipërisë dhe Holandës – lidhje që bazohen mbi vlera të përbashkëta si paqja, shteti i së drejtës dhe mbrojtja e sovranitetit.

Sot, kur kujtojmë Kolonel Thomson-in, nuk bëjmë vetëm një kthim pas në histori, por ringjallim një ndërgjegje qytetare dhe kombëtare për të nderuar ata që kanë kontribuar në ndërtimin e shtetit tonë. Prania e një busti nuk është thjesht një objekt bronzi, por një kujtesë se Shqipëria është ndërtuar edhe me ndihmën e atyre që besuan në të, edhe pse nuk ishin shqiptarë. Ky është një mesazh që i përket brezave dhe që duhet trashëguar me kujdes dhe dinjitet.

Le të mbetet përherë në kujtesën tonë fjalia e Fan Nolit: “Kolonel Thomsoni, kalorës i huaj që vdiqe për ne”

Filed Under: Histori

34 vjet nga vizita e Baker. 500 mijë në shesh, tapet të kuq, makinën e ngritën në krah dhe në miting asnjë flamur shqiptar

June 23, 2025 by s p

Nga ROLAND QAFOKU/

Ajo që ndodhi në sheshin “Skënderbej” më 22 qershor 1991 mund të barazohet vetëm me një mrekulli gati hyjnore që ndodh një herë në 100 vjet. 500 mijë persona mbushën ding sheshin më të madh shqiptar në pritje të James Baker, sekretari i shtetit dhe shtetari më i lartë amerikan që prekte tokën shqiptare. Ndonëse George W. Bush u bë presidenti i parë që më 10 qershor 2007 vizitoi Shqipërinë, edhe ai në një pritje madhështore, e megjithatë dy vizitat as që nuk mund të krahasohen me njëra-tjetrën. Vërtetë ajo e Bush është historike, por ajo e Baker ishte sikur zbriti Messia në tokë. Shqiptarëve që po u dilte narkoza e komunizmit, po e shikonin SHBA-në si shpëtimtarin që zbret nga qielli dhe vetë sekretarin Baker si një personazh biblik.

Tirana e asaj kohe me rreth 300 mijë banorë dhe për herë të parë bëri një kapërcim që në shesh të ishin 500 mijë pjesmarrës të ardhur nga qytete dhe rrethe cep më cep vendit. Ata jo vetëm mbushën plot sheshin “Skënderbej” por kryen veprime që sot as imagjinohen. Si fillim, në hyrje të rrugës së Durrësit, u vendos një tapet i kuq, mbi të cilin kaloi makina që mbante Baker. Dhe në momentin kur u fut në perimetrin e sheshit, disa të rinj i dolën përpara dhe e ngritën makinën në krahët e tyre me Baker-in brenda. Askush nuk po kuptonte se çfarë po ndodhte. As sekretari dhe as rojat personale. Për fat të keq asnjë kamera dhe aparat fotografik nuk e fiskoi këtë çast ikonik, por gjithçka mbeti e gjallë në memorien e të gjithëve që ishin të pranishëm dhe të vetë Baker që sot ka kapërcyer 95 vjeç. Në fakt, kjo ngritja në krah të një personazhi në krah ishte një traditë shqiptare ndër dekada.

Kështu ndodhin me Ismail Qemalin në Vlorë në vitin 1905 kur plaku me flokë dhe mjekërr të bardhë mbërriti në skelë disa shqiptarë ndanë kuajt nga karroca dhe e ngritën karrocën me të brenda në krah duke e mbajtur për gjatë gjithë rrugës. E njëjta skenë ndodhi në vititn 1914 me Princin gjerman ëilhelm Von ëied-in kur mbërriti po në Vlorë. Në krah e ngritën banorët e Gjirokastrës ambasadorin rus në Shqipëri Dmitri Chukavin në vitin 1950 kur vizitoi qytetin e gurtë. Kështu ndodhi edhe me sekretarin e shtetit amerikan në 22 qershor 1991. Një nga dëshmitarët e vizitës mrekulli të Baker ishte diplomati Chris Hill që në atë moment ishte i Ngarkuar me Punë në Tiranë. Hill e përshkoi atë çast solem me shumë emocion:

“Ajo ishte një nga ngjarjet më të jashtëzakoshme që unë kam parë në karrieren time në shërbimin e jashtëm. Ishte pikërisht këtu në sheshin Skënderbej dhe ishin 500 mijë njerëz.”

Lidhur me këtë ngjarje po botoj tre foto që pasqyron detaje nga ajo pritje. Në foton e parë duket Baker në foltore dhe në krah të tij Ministri i Jashtëm Muhamet Kapllani që pati kontribut të veçantë në rivendosjen e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA më 15 mars të atij viti. Ishte ai që firmosi në ëashington Memorandumin e Mirëkuptimit për Rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA. Kishte një detaj akoma më interesant me Kapllanin. Ai lexoi me një anglishte të rrjedhshme dhe pa gabime deklaratën në emër të qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Fatos Nano. Por përpara se të hidhte firmën zëvendësekretari i Shtetit Raymond Seitz e pyeti se ku e kishte mësuar kaq mirë anglishten. Përgjigja e Kapllanit ishte e thjeshtë: “në Universitetin e Tiranës”. Zëvendësekretari i shtetit vijoi: Nuk e kuptoj se si na quanit armiq por njëkohësisht mësonit po kaq mirë gjuhën tonë! E qeshura mbushin sallën e Traktateve në Departamentin e Shtetit me të pranishëm diplomatë dhe disa emigrantë shqiptarë. Vetëm 3 muaj më pas atyre dy firmave Baker realizoi vizitën më të rëndësishme për ne shqiptarët po se po, por edhe më të rëndësishmen në karrierën e tij.

Në foton e dytë janë pjesmarrësit në miting. Dallohetr qartë deti i flamujve amerikanë që valviten në duart e shqiptarëve por edhe jo pak parrulla, disa të çuditshme dhe naive, por habia është se në asnjë vend syri nuk të sheh qoftë edhe një flamur të vetëm shqiptar. Shqipëria nuk kishte humbur vetëm kohë në 45 vjet diktaturë, por edhe patriotizmin. Fotoja e tretë është çast nga takimi i Baker me presidentin Ramiz Alia. Në mes të tyre është Elez Biberaj që pati një meritë të jashtëzakonshme në organizimin e kësaj vizite. Ai ishte përkthyesi i sekretarit Baker, por për shqiptarët ai ishte dhe vijon të mbetet ikona e VOA me një kontribut po të jashtëzakoshëm në rrëzimin e komunizmit.

Filed Under: Histori

Kosova – shtet i pavarur, por pjesë e pandashme e Shqipërisë kombëtare

June 21, 2025 by s p

Prof.Dr.Fejzulla BERISHA

Filadelfia, Pensilvani, SHBA/

Shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 përbën një nga momentet më kulmore të historisë moderne shqiptare. Ajo nuk ishte vetëm akt juridik ndërkombëtar apo shpallje formale e një shteti të ri në hartën e botës, por përmbyllja e një epoke të gjatë përpjekjesh për liri, vetëvendosje dhe identitet kombëtar. Sot, Kosova është një shtet i pavarur, me institucione të konsoliduara dhe me një rol të pakontestueshëm në stabilitetin e rajonit. Por, kjo pavarësi politike dhe shtetërore nuk ka asnjëherë domethënien e ndarjes kulturore apo identitare nga Shqipëria kombëtare. Përkundrazi – ajo e konfirmon përkatësinë e saj si pjesë e pandarë e trungut të kombit shqiptar.

Historia e dëshmon qartë këtë të vërtetë. Dardania e lashtë, e cila përfaqëson themelet e identitetit shqiptar, ishte një nga qendrat më të rëndësishme të qytetërimit ilir. Në kohët mesjetare, Kosova ishte pjesë jetike e territoreve shqiptare, me qendra të rëndësishme në Prizren, Pejë, Gjakovë dhe Mitrovicë. Më vonë, me themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në vitin 1878, u konfirmua edhe njëherë se Kosova ishte zemra e lëvizjes kombëtare, jo një periferi, por një shtyllë qendrore e vetëdijes shqiptare.

Megjithatë, historia shqiptare nuk është shkruar vetëm me përpjekje për bashkim kombëtar, por edhe me plagë të rënda të copëtimit. Konferenca e Londrës e vitit 1913, nën diktatin e fuqive të mëdha të kohës, ndau padrejtësisht më shumë se gjysmën e territoreve shqiptare – përfshirë Kosovën – duke i lënë në mëshirën e dhunës dhe kolonizimit serb. Kjo copëtim nuk ishte vetëm territorial, por tentim për shuarje të identitetit shqiptar në Kosovë, përmes politikave të dhunshme të shpërnguljes, asimilimit dhe mohimit të të drejtave themelore.

Por historia nuk harroi. Kosova nuk u nda kurrë shpirtërisht, gjuhësisht apo kulturalisht nga Shqipëria. Në të gjitha fazat historike, lidhjet mes shqiptarëve përtej kufirit politik kanë mbetur të gjalla. Në vitet e shtypjes së egër gjatë Jugosllavisë, shqiptarët e Kosovës ruajtën gjuhën, flamurin, kulturën dhe ndjenjën kombëtare. Kjo ndjenjë kulmoi në vitet ’90 me lëvizjen për liri, me luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe me përkrahjen jetike që Kosova mori nga Shqipëria amë – në një kohë kur ajo vetë ndodhej në krizë të thellë.

Ndërhyrja vendimtare e NATO-s në vitin 1999 dhe çlirimi i Kosovës nuk ishin vetëm një fitore e drejtës ndërkombëtare, por edhe një konfirmim historik: se Kosova është tokë shqiptare dhe pjesë përbërëse e kombit shqiptar. Pavarësia e saj është akt sovraniteti për një popull që nuk ka kërkuar asgjë më shumë sesa të jetë zot në vendin e vet, në gjuhën e vet, në identitetin e vet.

Sot, shqiptarët kanë dy shtete të pavarura – Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës – por kanë një komb të vetëm, të lidhur me gjak, me gjuhë, me histori dhe me aspirata të përbashkëta. Kufijtë shtetërorë janë realitet i epokës moderne, por nuk mund të shërbejnë si justifikim për ndarje shpirtërore apo për krijimin artificial të një “kombi kosovar”, që në thelb do të përbënte mohimin më të rëndë të vetë historisë sonë kombëtare.

Është koha që ky realitet të pranohet edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Stabiliteti i Ballkanit nuk mund të ndërtohet mbi mohimin e të vërtetave historike, por mbi pranimin e tyre. Kosova nuk është një shtet multietnik në kuptimin klasik – ajo është shtet shqiptar, me të drejta për pakicat, por me identitet të qartë kombëtar shqiptar. Çdo përpjekje për të krijuar identitete të reja në funksion të interesave afatshkurtra gjeopolitike është e destinuar të dështojë.

E ardhmja e shqiptarëve qëndron në forcimin e unitetit kombëtar, në bashkëpunimin ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës në të gjitha fushat – në diplomaci, në arsim, në kulturë, në ekonomi dhe në mbrojtjen e interesave kombëtare në përballje me sfidat rajonale dhe globale. Kjo nuk është thirrje për bashkim politik në kuptimin klasik, por për integrim kombëtar në kuptimin më të thellë dhe më dinjitoz.

Kosova është shtet më vete – por jo komb më vete. Ajo është pjesë organike e Shqipërisë kombëtare dhe këtë të vërtetë nuk mund ta ndryshojë asnjë kufi, asnjë marrëveshje ndërkombëtare dhe asnjë propagandë politike. Ajo është e rrënjosur në ndërgjegjen historike dhe në frymën e çdo shqiptari që e ndien veten pjesë të pandashme të një trungu të përbashkët kombëtar.

Ky është realiteti që duhet afirmuar me dinjitet – në Tiranë, në Prishtinë, në Bruksel dhe në çdo forum ndërkombëtar. Shqiptarët janë një komb, me dy shtete, por me një zemër

Filed Under: Histori

ERNESTO COZZI, LUFTA E SHKODRËS NË DITARIN E NJË MISIONARI KATOLIK* 

June 20, 2025 by s p

Në gamën e individëve qe kanë shkruar në lidhje me luftën në mbrojtje te Shkodrës(1912/13) bën pjesë edhe misionari katolik  Ernesto Cozzi, i cili  ka lënë kujtimet në  formë të ditarit, të cilat në vitin 2023  janë botuar në shqip, nga SHB”Shkodra” me titullin “Kryengritja shqiptare, Lufta turko-malazeze, Ditar 3 shtator 1912-15 maj 1913”. Të dhënat në këtë botim janë me interes sepse ai duke qenë në shërbim në Rrjoll, ngjarjet e luftës së Shkodrës i ka përcjellur jashtë rrethimit, në krahasim me ata qe ishin brenda saj. Si i tillë ky botim ka vlerë të veçantë jo vetëm për historianët por për të gjithë ata qe kanë interesim për Shkodrën në Luftën e Parë Ballkanike.  

Nail  Draga

Ernesto Cozzi, ishte italo-austriak  nga Trentoja. Ai ka lindur me 6 korrik 1870 dhe ka vdekur me 26 mars 1926.  Një pjesë të jetës së tij, si meshtar ka jetuar e vepruar në famullin e Rrjollit dhe në Reç,afër Shkodrës. Ndonëse vdiq dhe u varros në Bari të Italisë,  ai kishte lënë një porosi për ta rivarrosur në Shkodër. Një  porosi e tillë u realizu  pas dy muajve sepse  me datën 29 maj 1926  u rivarros në Shkodër, i nderuar jo vetëm nga populli, por edhe nga përfaqësues të shtetit dhe trupit diplomatik.

I pasionuar për etnologjinë shqiptare

Duke qendruar në veriun shqiptar, ai si misionar katolik, nuk ishte statik ndaj dukurive shoqërore të popullit shqiptar, në ato vise ku ka vepruar e qendruar.Duke hulumtuar dhe mbledhur lëndë të ndryshme të traditës shqiptare, është veçuar me nuhatjen e një studiuesi të mirëfilltë,  ku për një kohë pesëvjeçare(1909-1914) arriti të klasifikojë materialin e grumbulluar në shtatë vepra, duke trajtuar doket, zakonet, bestytnit, fiset shqiptare  që paraqesin një kontribut me vlerë për etnologjinë shqiptare.

Veprat e botuara janë:

1.Sëmundje, vdekje, varrime, Malet e Shqipërisë(1909)

2.Gjendja bujqësore në Shqipëri(1910)

3.Marrja e gjakut në Malet e Shqipërisë(1910)

4. Gruaja shqiptare në një vështrim të posaçëm nga e drejta dokësore e Maleve të Shkodrës(1912)

5.Fiset e Shqipërisë së Sipërme-shënime rreth organizimit të tyre shoqëror e politik(1913)

6.Besime e bestytni në Malet e Shqipërisë(1914)

7.Fiset e Shqipërisë së Sipërme-shënime rreth organizimit të tyre shoqëror e politik me të dhëna statistikore(1944).

Ndërsa vepra e tetë “Kryengritja shqiptare lufta turko-malazeze”, Shkodër, 2023, paraqet ditarin nga data 3 shtator 1912-15 maj 1913, përkthyer në shqip nga italishtja nga Arben Ndreca.

Nuk ka dilemë se Ernesto Cozzi, llogaritet ndër personalitetet e rëndësishme ndërkombëtare qe ka dhënë kontribut në albanologji, sikurse E. Durhami e F. Nopça por fatkeqsisht pak i njohur në opinionin kulturor e shkencor të shqiptarët.

Ditar më  dëshmi autentike 

Në botim bëhet fjalë për periudhën e 3 shtator 1912-15 maj 1913, që është  ditari i këtij misionari katolik, i cili paraqet dëshmi autentike për këtë periudhë kohore, dramatike  për Shkodrën në veçanti e çështjen shqiptare në përgjithësi.

Ky ditar i klerikut italian Ernesto Cozzi(1870-1926) me shtetësi austro-hungareze i njohur edhe si antropolog dhe studiues i kanunit të maleve, sjell dëshmi të panjohura rreth muajve të rrethimit të qytetit të Shkodrës nga malazezo-serbet. Bëhet fjalë  për teatrin më të gjerë dhe intensiv luftarak të shekujve të fundit në Shqipëri, ku 50 mijë serbo-malazez u vunë përballë 30 mijë turqve dhe redifëve shqiptarë, luftë nga e cila vuajtën rreth 40 mijë civilë të rrethuar.

Mesazhi i këtij libri  është se lufta agresive shkakton vetëm vuajtje, humbje dhe shkatërrime dhe askush  nuk është i sigurtë se, edhe nëse fiton një betejë, mund të gëzojë frytet  e padrejtësisë. Qyteti i Shkodrës, pas qendresës heroike të udhëhequr nga Hasan Riza Pasha, iu dorëzua nga Esad Toptani malazezëve, të cilët u dëbuan pas pak javësh nga presioni i Fuqive të Mëdha.

Të dhënat e ofruara nga Ernesto Cozzi në këtë ditar, duhet  kuptuar se kemi të bëjmë me kohën e pushtimit nga malazezët, të cilët si synim final kishin pushtimin e Shkodrës, përkatësisht veriun shqiptar. Në ditar ofrohen të dhëna për borbardimin e Shkodrës nga malazezët, plagosjet e vrasjet qofshin ata ushtarë apo qytetarë të thjesht. Po ashtu ofrohen të dhëna për dëbimin e popullsisë shqiptare kryesisht asaj të përkatësisë fetare myslimane dhe vendosja e tyre në Shkodër. Po ashtu jepen të dhëna për bashkëpunimin  malësorëve  nga Gruda, Hoti e Kastrati me malazezët në rrethin e Shkodrës. Në këtë aspekt Cozzi  ka  deklarur se “malësoret i ka këshilluar se ata  duhet të qendronin asnjanës, për shkak se Mali i Zi nuk ka arsye tjetër përveç se të mashtrojë  Europën duke e siguruar se populli shqiptar dëshiron sundimin malazez dhe se  populli shqiptar dëshiron me çdo kusht  pushtimin e Shkodrës, dhe për t iu hedhur fajin pastaj malsorëve tanë për mizoritë dhe për plaçkitjet e kryera  nga ushtria malazeze”(f.90).

Pikërisht në sajë të një qendrimi të tillë Cozzi ishte nën mbikqyerje të vazhdueshme të pushtuesve malazez, pavarësisht se ky ishte  me mesion kishtar dhe me shtetësi italiane, ai ishte i rrezikuar fizikisht.

Description: C:\Users\123456\Desktop\Foto Cozzi.png

Atentati i dështuar

Duke lexuar ditarin del qartë se E.Cozzi  nuk e ka pasur të lehtë të jetojë e veproj në famullin e Rrjollit, sepse si shtetas italian në njerën anë dhe msionar katolik në anën tjetër ka qenë i dyshimtë për pushtuesit malazez. Një qendrim i tillë dëshmohet  se ndaj ti është bërë atentat në objektin e tij në famulli të Rrjollit, ku kishte fat dhe shpëtoj, ndërsa në herën e dytë i ishte rrezikuar jeta sepse pushtuesit malazez kanë dashur ta arrestojnë. Por, me këtë rast gjeturia dhe guximi i tij arriti të shpëtoj duke u larguar  në Shkrel në vend të sigurt. Ndonëse ai ishte kooperues në rrethanat e reja nga pushtuesit malazez,  madje ai  ka ndihmuar në shërimin e të lënduarve nga luftimet në zonën përkatëse, por pushtuesit kishin dyshime se ky nuk ishte sipas shijes së tyre.  

Informata jashtë rrethimit të Shkodrës

Deri me tash kemi pasur rast të lexojmë ditarë qe kanë të bëjnë për rrethimin e Shkodrës  qe autoret e tyre ië detaje ngjarjet e ditës duke qenë brenda qytetit. Por, ditari i E.Cozzit është i veçantë sepse ka të bëjë me ngjarjet e rrethimit të Shkodrës por jashtë saj. Andaj kur analizohen ditarët e tillë mund të bëhën analiza të ndryshme, madje edhe analogji për ditë të veçanta sidomos gjatë bombardimeve nga ana e malazezëve në qytetin e Shkodrës. Sepse ndryshe është përjetuar  brenda qytetit, e ndryshe jashtë tij, duke e ditur se popullsia brenda qytetit  ka vuajtur urinë për të mbijetuar, sepse rezervat kanë qenë pothuaj të shterruara tërësisht.

Malësorët përkrah  malazezëve në pushtimin e Shkodrës

Për opinionin  e gjerë nuk është informatë e panjohur se një numër i konsideruar i malësorëve iu janë bashkangjitur malazezëve në pushtimin e Shkodrës. Por, në lidhje me këtë çështje autor të ndryshëm kanë qenë të rezervuar të shkruajnë dhe të prezantojnë të dhëna të tilla, edhe pse një veprim i tillë ka qenë i njohur për popullsinë e Shkodrës dhe rrethinës së saj, që në heshtje është përcjellur brez pas brezi. 

Pikërisht në lidhje me këtë çështje   Cozzi na ofron të dhëna  për disa malësor të cilët “që u  ishin shitur  krejtësisht çështjes malazeze: Sokol Baci me të birin, Kolë Kurti, Tom Coli, Prel Marku, Gjeto Dashi, të gjithë nga Gruda; Kolë Deda, Gjek Marashi dhe Gjon Nika nga Traboini, të cilët, që të gjithë u venduan  tek e njëjta shtëpi ku banoja edhe unë me Atë Gjon Mark Gojanin, famullitar i Triepshit, i cili i kishte ndjekur nga pas besimtarët e famullisë së tij që ishin nisur për luftë”(f.70). Ndërsa më pas cekën se “me sa arrita të kuptoj, qeveria malazeze dëshironte të kishte në radhët e ushtrisë së saj të paktën  këta kryetarë të përkushtuar ndaj çështjës së vet në mënyrë që të ndikonte në opinionin publik europian  nëpërmjet  lajmeve të rreme, që domëthënë se malësoret e Shqipërisë ishin të bashkuar me të dhe dëshironin sundimin e saj. Por, nëse në fillim shqiptarët u hodhën  në krahet e politikës malazeze të shtyrë nga dëshpërimi, tashmë e kishin kuptuar se “ sa kripë kishte buka që u jepte krajl Nikolla” dhe përseri lutën që të fitojnë turqit dhe … shpresojnë”(f.70).  Një konstatim i tillë dëshmon qartë se malësoret ma së fundit e kishin kuptuar djallëzinë e krajl Nikollës, duke dëshmuar me pas qendrim parimor ndaj Shkodrës dhe çështjes kombëtare. Shqiptare.

Përfundim

Në fund e them pa hezitim se se Ditari i E.Cozzi-t  paraqet të dhëna me vlerë ne lidhje me luftën ne mbrojtje të  Shkodrës 1912/1913, duke iu bashkangjitur botimeve të tilla, duke pasqyruar realitetin e kohës. E dhëna se E.Cozzi, gjatë kësaj kohe ka qëndruar jashtë rrethimit të Shkodrës, ai nuk ka qenë statik, por vazhdimisht ka shënuar, duke dëshmuar  interesimin e tij për të dokumentuar  ngjarjet e dëgjuara dhe të përjetuara nga pushtuesit malazezo-serb nga shtatori 1912 e deri në maj  të vitit 1913. Andaj, si i tillë ky botim ka vlerë të veçantë jo vetëm për historianët por për të gjithë ata qe iu intereson  mbijetesa e  Shkodrës  në Luftën e Parë Ballkanike.  

*Ernesto Cozzi, Kryengritja shqiptare lufta turko-malazeze, Botoi: Shkodra, Shkodër, 2023 – (Qershor 2025)

Filed Under: Histori

SPAÇI – PISKAMA QË NA THËRRET TË MBROJMË LIRINË!

June 19, 2025 by s p

Mbas një punë 12 mujore së bashku me ekipin tim të mrekullueshëm përfunduam filmin dokumentar “Spaç 1973, Martirët e Lirisë” kam 35 vite që merrem me dokumentimin, ngjarjet dhe gjenocidin komunistë që kaloi Shqipëria nën sundimin e një regjimi që emrin e mbante komunist, por ishte i barbartë me nazizmin, dhe nga përmasat e genocidit ja kaloi stalinizmit bolshevik. Si pinjoll i një familje që përballoi tre diktatura fashiste, naziste, dhe gjenocidin komunistë 50 vjeçar ku u përdorën të gjitha llojet e krimeve, në familjen, dhe fisin tim, si pushkatimet pa gjygj, vrasjet në mal, mbytjet e tmerrshme në hetusi nga torturat e xhelatëve enveristë, burgosjet politike, dhe deri në çmendinë nga hetuesit e sigurimit të shtetit mohimi i të gjitha të drejtave për ne brezin e dytë, falë Zotit sot kam marrë përsipër misionin tim të lartë dokumentimin e krimeve të komunizmit, mision që po e krye pa ndihmën e të ashtuquajturit shtet demokratik, por fal dëshmive rënqethse të bashkëvuatjesve të mi, të cilët nuk ka nguruar dhe pse kan qënë të trishtuar nga sjellja e klasës politike e ashtuquajtur demokratike por që ka demonstruar vetëm pushtet dhe ideologji të diktaturës për tre dekada rrjesht!

Bazuar në dokumentacjoni e arkivës së Ministrisë mbrendshme dhe arkivës së shtetit po ju transmetojmë këtë film dokumentar kujtese se demokracia nuk ndërtohet mbi harresën, dhe se pa mbrojt kujtesën ne nuk mbrojmë lirinë tonë! Po mundohem të paraqes në mënyrë të shkurtuar krimet e Enver Hoxhës që fatkeqësisht ishte Shqiptar si ne, por përdorte pushtetin e tije për të vrarë e prerë bashkombasit e tije të cilët nuk e pranonin ideologjinë e tij shtazarake e kriminale. Nazizmi zhduki 6.000.000 miljon çifut gjatë luftës së dytë botërore një popullsi prej 10.000.000 banorë. Enver Hoxha pushkatoi dhe u zhduki kufomat gjatë regjimit të tije mbi 6000 shqiptarë që Shqipëria nuk i kalonte mbi 1.500.000 banorë.

Sot mbas 35 vitesh demokraci familjarët e 6000 shqiptarve, lotojnë se nuk kan një varr, për gjyshin, babën, burrin, nënën motrën, dajën. Vetëm politikanët shqiptarë aktual, nuk shohin, as nuk ndigjojnë, lotët, e bashkombasve të tyre. Çifutët i vrau një gjerman, shqiptarët i vrau një shqiptar. Sot demokracia shqiptare hesht, ban politikë mbi gjakun e pafajshëm të shqiptarve të mirë, të atyre që i dhanë këtij kombi pamvarsinë, shtetin, elitën, që luftuan fashizmi, që mbrojtën hebrejtë gjatë nazizmit, dhe që u masakruan në komunizëm për moral, vlera, fisnikëri, bujari, dhe që mbronin me jetën e tyre çdo dok e zakon që lartsonin shqiptarin. Sot u drejtohem, mediave dhe moderatorët që promovojnë vetëm politikë për pushtet dhe heshtin si në kohë të diktaturës që vrasjet dhe vuatjet i fshinin.

Sot demokracinë e kan monopolizuar trashgimtarët e xhelatëve të djeshëm dhe e kan kthyer sistemin demokratik pa vlerë, pa votë të lirë, pa rrotacion politikë. Politikanët dhe mediat janë kthyer në një sistem pa vlera vetëm helmatiset rinia me propogandë bajate për pushtet dhe aspak për të ndërtuar shtet të së drejtës siç luftuan antikomunistët për 50 vite kundër diktatorit dhe diktaturës hoxhiste. Të burgosurit politikë shqiptarë janë të parë në Europë për rezistencën antidiktoriale që si askush komb tjetër, luftuan e mbrojtën disidencën, mendimin ndryshe, qëndresën stoike, ndaj torturave çnjerzore të paparë në europën e pasluftës së dytë botërore, që mbrojtën në mes plumbave iteditetin kombëtar flamurin kuq e zi.

“Spaçi 1973, Martirët e Lirisë” ka hyë në historinë shqiptare si kampi i Aushvicit një kamp që përdorte të burgosurit politik si skllevër, për të mbajtur pushtetin e tij apsolut. Shqipëria doli në 90 me plagë që akoma rrjedhin gjak, Spaçi është plaga e pambyllur. Ky kamp famëkeq në mes të maleve të Mirditës, një skenë e fshehur në komunizëm një vend torturash, vuajtjesh, një vend që zhbënte njeriun. Por dhe një vend historik ku shqiponjat që i kishin hekurat e xhelatëve në duar, guxuan u ngritën dhe ngjyrosën me gjakun e tyre flamurin kombëtar pa yllin e bolshevizmit enveristë, por siç ishte në kohën e Skënderbeut, ashtu siç është tani që e kemi në zyra, në rrugë në manifestime. Spaçi sot ka mbetur rrenojë.

Dhe kështu si rrënojë flet si Aushvici. Spaçi është një referendum i heshtur me historinë. Një filozof francez shkruan “Kujtesa, historia, harresa na kujton se “Kujtesa e drejtë është ajo që nuk fshe, as krimin, as viktimën ajo kërkon drejtsi përmes të vërtetës.” Spaçi në historinë e tij është vendi ku krimi shtetëror, viktima, disidenti, heroi kan qënë përball çdo ditë por dhe sot janë përballë këto tregon filmi dokumentar “Spaç 1973 Martirët e Lirisë.” Spaçi ka lëshuar piskamën –kur do të më lejoni të them të vertetën siç ka qënë !

Shteti ka detyrë dhe përgjegjësi kombëtare për kujtesën historike dhe informimin mbi qytetarët këtë mesazh jep filmi dokumentar“Spaç 1973 Martirët e Lirisë.” Spaçi na mëson: Mos të lejojmë ndërhyrjet burokratike që ta shëndrrojmë në projekt propogandistike Spaçin, për ta xhveshur nga e vërteta. Dhe më keq Spaçin nuk do ta lejojmë një zbukurim të diktaturës si Bunkerarti ,1, dhe 2, apo shtëpia me gjethe.

Spaçi është e do të jetë Muzeu i qëndresës heroike i kundërshtarve dhe martirve, Ai përballet me mungesë dhe indiferencën e politikës dhe pushtetit. Kjo klasë politike ka 35 vite që manipulon kujtesën. Ky film dokumentar tregon sesi Spaçi është kthyer në simbol të heshtjes zyrtare. Ky film apelon: Shpallni Spaçin muze, dëshmitë e të mbijetuarve, dosjet e deklasifikuara, dokumentat e arkivave digjitale, shteti duhet ti financoi dhe ta shpalli Spaçin siç e kemi shpallur ne të përndjekurit politk : Spaçi –Muri i fjalës së lirë! Spaçi është vendi ku njeriu shqiptar mëson të mos dorzohet. Le të jetë ky film mesazhi- ku ne të mësojmë, të mos harrojmë! Në përurimin e premierës së filmit dokumentar“Spaç 1973 Martirët e Lirisë. Si autor i këtij filmi kisha ftuar të gjithë drejtuesit e shteti shqiptar, të gjith drejtuesit e institucjoneve të drejtsisë, të gjith deputetët e parlamentit shqiptar, të njiheshin me heroizmin dhe me vuatjet e të burgosurve politikë të Spaçit, ata nuk erdhën, ata nuk i nderuan herojt e mbrotjes së flamurit të cilën e mbajnë në zyrat lluksoze, do ti quajna mjeranë, të vegjël, aspak pushtetarë, apo administratorë që i shërbejnë shtetit të së drejtës.Vetëm i mëshirojmë këta dallkaukë të pa cipet të pushtetit.

Por dua të falënderoi me zemër ata qindra të rinj, studjues, të cilët u lotuan kur panë tmerret e Spaçit në kineman Millenium me 17 qershor 2025. Të falënderoi ata ambasadorë të cilët erdhën dhe nderuan Spaçin.

Heronjtë Spaçit, Pal Zefi, Dervish Bejko, Hajri Pashaj, heroi i riu 20 vjeçar Skender Daja, sot nuk kan një varr, siç nuk kan një varr mbi 6000 shqiptarë që i zhduki Enver Hoxha, por historia e kombit këta heronj të fjalës së lirë, i nderon dhe do ti nderoi gjithë jetën, dhe kombi i ka në gjoksin e tije, si Martir Lirie, kurse këta politikan aktual, dhe drejtues të institucjoneve të ashtuquajtur demokratike do ti përçmojë historia, si antikombëtar, siç përçmon diktatorin më të egër të shqiptarve Enver Hoxhën. Lavdi shqiponjave të lirisë që përballuan Spaçin. Por që banë revoltën antikomuniste në mbrotje të flamurit. Spaçi na mëson mos të lejojmë asnjë lloj pushteti që me metoda demokratike don të na burgosi lirinë. Spaçi i përçmon ata politikan që dhunojnë lirinë, votën, demokracinë. Jo ma! Të ruajm lirinë! Mesazhin tim po e mbyll me thirrjen që bëri 52 vite maparë heroi Pal Zefi kur filloi revolta e Spaçit: A ka mbet ndonjë Shqiptar, që të shpëtoi nderin e shqiptarve!

Besim NDREGJONI – Autor i filmit dokumentar: “Spaç 1973 Martirët e Lirisë.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 69
  • 70
  • 71
  • 72
  • 73
  • …
  • 737
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT