• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Eurodeputeti Lukas Mandl mik i sprovuar i shqiptarëve

July 30, 2024 by s p

Hazir MEHMETI, Vjenë/

“Ai që nuk e sheh botën te miqtë e tij nuk e meriton që bota të dijë për të” – (Johan Volfgang Gëte)

Komuniteti shqiptar në Austri e uron zgjedhjen e Mag.Lukas Mandl-it. Austria, vendi me rëndësi në kulturën dhe historinë shqiptare që luajti rol më rëndësi në vendime historike për të ardhmen e kombit tonë. Marrëdhëniet u ndërtuan nga njerëzit e vullnetit të mirë në proceset politike progresive në kontinent. Shqiptarët si popull i vogël gjetën mbështetje ku dallohen disa personalitete: Leopold Berchtold, Franc Josef, Otto Habsburg, Alois Mock, Kurt Walhaim, Vicktor Klima, Wolfgang Schüssel, , Tomas Klestil, Elisabeth Gehrer, e shumë tjerë. Së fundi njohim Alfred Rohan, Alexander Von der Bellen, Ulrike Linactek, Lukas Mandl e të tjerë, të cilët ndihmuan në ndërtimin e urave miqësie mes dy popujve. Në fushën e shkencës, letërsisë e arteve vazhdimisht u dalluan personalitete që ndihmuan ndërtimin e urave lidhëse mes popullit shqiptar dhe atij austriak.
Për shqiptarët ka rëndësi të madhe mbështetja në integrimin evropian, veçanërisht tani kur kombi ynë synon bashkimin me vlerat demokratike të Bashkimit Evropian si pjesë historike e tij. Kjo rëndësi merr rrugë dhe tani në zgjedhjet e fondit për deputet në Parlamentin Evropian, ku njëri nga miqtë tanë Luksa Mandl, sërish zgjidhet deputet në Parlamentin Evropian, një lajm i mirë për të gjithë, për ata që e donë drejtësinë dhe progresin në kontinent.
Shqiptarët
Shqiptaret/ët në Austri mbështeten mikun e tyre dhe ndihen të lumtur që Lukas Mandl do të jetë sërish deputet në Parlamentin Evropian . Gjatë mandatit të kaluar ishte zëri kryesor në mbështetje të shtetit të Kosovës dhe kosovarëve. Janë të njohura fjalimet e tij në vazhdimësi për liberalizimin e vizave për kosovarët dhe kjo tani u bë realitet. Ky është mandati i tretë i deputetit, që nga viti 2017.
Rëndësi të veçantë ka sidomos tani kur janë shtuar zërat e nacionalistëve në Austri të mbledhur rreth Partisë Popullore të Austrisë, një parti ekstreme djathtiste, e drejtuar nga individ me qëndrime djathtiste. Kjo dukuri tani është e shprehur pas agresionit rus në Ukrainën e pavarur.

Libri rreth Kosovës dhe rrethanat aktuale

“Kosovo and the EU ( Kosova dhe BE), vepër e re e Mag. Lukas Mandl mbi rrethanat aktuale politike e shoqërore, perspektiva dhe sfidat. Lukas Mandl, është themeluesi i Shoqatës së Miqësisë Austriake-Kosovare në vitin 2015. I ndërlidhur me rrethanat e Kosovës, sfidat e saj në rrugën drejt integrimeve evropiane, Mandl nxori librin “Kosova dhe BE: Situata aktuale dhe perspektivat për të ardhmen”. Ky është një libër ku fjalën e tyre rreth Kosovës dhe rrethanat aktuale të ndërlidhura me të kaluarën e kanë thënë shumë figura politike drejtuese në Austri, studiues e politolog të njohur. Mes tyre: Lukas Mandl, Sebastian Kurz, Oliver Varhelyi, Meliza Haradinaj-Stublla, Arbër Marku, Franz Schausberger, Elisabeth Campestrini, Tanja Fajon, Fridhelm Frischenschager, Irena Joveva, Kevin Kaiser, Andrey Kovatchev, David Mcallister, Andreas Schieder, Colli Marboe, Lulzim Pllana, Vladimir Bilcik, Wolfgang Sobotka, Patrick Voler, Manfred Brandner, Anton Quni, Erhard Busek, Dedë Gjergji, Ulrike Lunacek, Arta Sejdiu, Mimoza Ahmetaj, Johanes Hahn etj.
Personaliteteve të kohës nga radhët e shqiptarëve është i njohur, Mag. Arbër Marku. Ai është bashkëthemelues i Shoqatës së Miqësisë austriake-kosovare. Kjo shoqatë me sukses tani e disa vjet falë angazhimeve të veprimtarëve shqiptarë e austriak. Mes tyre i dalluar është Arbër Marku, sekretari gjeneral i kësaj shoqate e cila bënë punë me vlerë në afirmimin e çështjes së Kosovës dhe afrimin e saj me Bashkimin Evropian qysh nga viti 2015.
( D. Arbeits Schwerpuinkte.
Arbeitsmarkt, Wirtschaft und EU-Regionalpolitik, Innere Sicherheit und Landesverteidigung, Parlamentarismus und Rechtsstaatlichkeit, Menschen würde und Freiheitsrechte, EU-Außenpolitik (Fokus auf die koreanische Halbinsel, den Westbalkan, den Nahen Osten sowie die transatlantischen Beziehungen und jene zu Afrika).
Netzowerke der politik Christliche VerbindungenIcon für Netzwerke der Politik, Industriellen vereinigungIcon für Netzwerkeder Politik.)
Komuniteti shqiptar kërkohet akoma të aktivizohet në të gjitha sferat e jetës në ngritjen e imazhit dhe integrimin e tij në shoqërinë e vendit. Njëra prej tyre është mësimi i gjuhës shqipe në shkollat austriake i garantuar sipas ligjeve në fuqi. Pa dyshim, Kosova ka nevojë të madhe për mbështetje në planin ekonomik e politik, çka e rritë nevojën e bashkëpunimit me mike e miq të cilët nuk janë të pakët në Austri, me shoqata e institucione. Republika e Kosovës duhet planifikuar mirë aktivitet me mërgatën në realizimin e projekteve të shumta të përbashkëta. Është e nevojshme përkrahje e shoqatave, veprimtarëve të shumtë që ofrojnë mundësi afrimi mes dy vendeve dhe dy kulturave. Do duhej të organizohen seminare, takime, projekte ku do njiheshin mundësitë e hapësirat e veprimeve për afrim e afirmim, si themele të urave të miqësisë.
Kjo çka qeveria ofron deri më tani nuk mjafton.

Filed Under: Komente

Në kujtim të Adem Demaçit, simboli i lirisë së Kosovës

July 27, 2024 by s p

Dr. Lulzim Nika/

Askujt më mirë se sa Adem Demaçit dhe veprimtarisë së tij, nuk i rri, ky përshkrim i Presidentit Regan, që në nderim të Ditës s Përkujtimit të ushtarëve të rënë amerikanë, më 1988, tha: “Për të mbajtur besimin me të vdekurit tanë të shenjtë, le të jemi të sigurt dhe shumë të sigurt, sot dhe çdo ditë të jetës sonë, se ne e ruajmë kauzën e tyre, shpresën e tyre, lutjen e tyre, përgjithmonë të vendit tonë

Kosova e lirë të mbetet borxh, Adem Demaçi, Partitë politike, një pjesë e tyre, pa një strukturë të mirëfilltë kombëtare, duke u sunduar nga njerëz të fuqishëm e që nuk ishin në shërbim të Kosovës, por në sundimin e lirisë se saj, nuk denjuan, nuk deshën a nuk patën guxim, një Zot e di, që ta propozonin e lëre më ta zgjidhnin president të Kosovës, simbolin tonë të rezistencës, Adem Demaçin.

Liria i verboi dhe për më keq i bëri të harrojnë edhe të kaluarën, duke vrapuar pas përfitimeve personale dhe duke krijuar rrethe servilësh, që iu thurnin lëvdata se ju jeni vetë historia e Kosovës.

President u zgjodh askushi e gjithkushi, e kërkushi por jo veprimtari më i pathyeshëm i lirisë së Kosovës. Shumica e krerëve te partive politike nuk e kishin përjetuar as edhe një ditë burg të pushtuesit serb, por kjo nuk ishte arsyeja se pse nuk e donin Adem Demaçin president, ju pengonte qëndrueshmëria e bindjeve të tij dhe e idealit të tij, për Kosovën sovrane!

Vazhdimësia dhe qëndrueshmëria politike e Adem Demaçit, ishte farkuar me kohë dhe e gjejmë të ndërlidhur me idealin e shqiptarizmës, që qysh pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, atëherë kur udhëheqësit e Organizatës Nacionale Demokratikë Shqiptare, filluan aktivitetin politik për liri e Kosovës, u vranë, u ekzekutuan, e u burgosën dhe u ndoqën nga Kosova, shumë anëtarë të saj do të vazhdojnë aktivitetin politik e patriotik në organizata të tjera.

Edhe pse parimet politike, strategjike dhe organizative të ONDSH-së nuk do të kenë ndikim të madh në organizatat e mëvonshme ilegale në Kosovë, megjithatë idetë dhe qëllimet politike do të mbesin të njëjta; çlirimi i tokave të robëruara shqiptare dhe bashkimi i tyre në një shtet shqiptar.

Baza e riorganizimit të veprimtarisë ilegale në Kosovë ishin vendosur në vitet 1956-1963. Në këtë periudhë veprojnë dy udhëheqësit më të shquar të lëvizjes ilegale në Kosovë,

Adem Demaçi dhe Metush Krasniqi. Që të dy, pavarësisht nga trysnitë ideologjike, aktivitetin e lëvizjes kombëtare ilegale e mbështesin në platformën kombëtare, duke krijuar një strategji të re për një luftë a rezistencë më afatgjate të popullit shqiptar të robëruar, duke mbajtur gjallë idenë e lirisë, gatishmëria e flijimit për të dhe besimin e pathyeshëm në çlirimin e pjesës së ndarë të popullit shqiptar.

Kështu, Adem Demaçi, u shndërrua në simbol, në shpirt dhe në shpresë të lëvizjeve ilegale. Përkundër dhunës dhe burgosjeve ndaj anëtarëve të lëvizjeve ilegale e patriotike të kohës, veprimtaria e tyre ishte e pandalshme drejt lirisë.

LAVDI VEPRËS SË ADEM DEMAÇIT

Filed Under: Komente

Albanologu arbëresh Antonino Guxeta në 7 vjetorin e largimit në amshim

July 26, 2024 by s p

QSPA/

Sot më 26 korrik shënon 7-vjetori i ndarjes nga jeta të albanologut të mirënjohur arbëresh, gjuhëtarit dhe profesorit, Antonino Guxeta. Lindi më 1922 në Horën e Arbëreshëvet, Siçili. Ishte i biri i Gjergj Guxetës (Giorgio Guzzetta), themeluesit të seminarit Arbëresh të Palermos. U diplomua në Fakultetin e Letërsisë e të Filozofisë të Universitetit të Palermos. Në vitin 1974 u emërua profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Institutin Oriental të Napolit. Në vitet 1975–1997 ka drejtuar Institutin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Palermos. Ka dhënë gjithashtu mësim edhe në Universitetin e Kalabrisë në vitet 1987–1990. Si drejtor i Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare “Rosolino Petrota”, prej vitit 1968 organizoi 23 kongrese ndërkombëtare për studimet shqipe, aktet e të cilëve i publikoi rregullisht. Themeloi kolanën “Albanica” që numëron mbi 20 vëllime dhe shkroi një varg librash studimorë në fushën e gjuhësisë dhe të studimeve letrare. Ndër të cilët përmendim: “Gjurmë të shqipes në shekullin XV në dokumentet venedikase të kohës” (1968); “Ernest Koliqi, një poet social”(1968); “Magjia e së vërtetës: tregimet e Ernest Koliqit ndërmjet traditës dhe ripërtëritjes” (1974); “E folura e Piana degli Albanesi” – pjesa I – Fonologjia (1978); “Bajroni në Shqipëri” (1978); “Përshkrim fonematik i të folurës arbëreshe të konteshës Entellina”(1978); “Etnia shqiptare në Itali” (1978) etj. U nda nga jeta më 26 korrik të vitit 2017. Veprimtaria e tij i ka dhënë nxitje zhvillimit të albanologjisë në universitetet italiane gjatë një periudhe të vështirë, duke garantuar formimin e një brezi të ri studiuesish arbëreshë. Është dekoruar me disa çmime ndërkombëtare ndër të cilat iu akordua edhe Urdhrin “Naim Frashëri” më 1992. http://www.archivioradiovaticana.va/…/nd%C3…/sq-1327174

Filed Under: Komente

“Lulja e Vlorës” si produkt i humanizmit dhe besës shqiptare

July 24, 2024 by s p

Artan Nati/

Humanizmi është një sistem mendimi që përqendrohet te dinjiteti i qenieve njerëzore dhe vlerat e tyre. Gjithashtu në filozofi, humanizmi është një qëndrim që thekson dinjitetin dhe vlerën e një individi. Një premisë bazë e humanizmit është se njerëzit janë qenie racionale që posedojnë brenda vetes aftësinë për të vërtetën dhe mirësinë. Ne të gjithë duhet shohim veten si një qenie humaniste në jetën e përditshme. Gjithmonë të përpiqemi të shohim të mirën tek një person kur ai/ajo na zemëron ose na mërzit dhe të mendojmë se ndoshta ai person ka pasur një ditë të keqe dhe të jetosh jetën për momentin është e vështirë. Sokrati ishte madje një lloj humanisti i hershëm. Ai mund të citohet të ketë thënë: “Të njohësh të mirën do të thotë të bësh të mirën”. Ai besonte se askush nuk kryen vullnetarisht një vepër të keqe, sepse e keqja vjen nga injoranca, injoranca nuk është marrëzi, por mungesa e njohurive. Nëse të gjithë njerëzit do të mendonin si humanistë, a do të përhapej paqja në të gjithë globin? Ishte pikërisht kjo pyetje që secili prej nesh mendonte dhe u bë tema qendrore e bisedave, pyetjeve e përgjigjeve, pas takimit të komunitetit Shqiptar në ambientet e kishës ortodokse shqiptare në Çikago. Në këtë takim të drejtuar dhe organizuar nga përfaqësuesi i AANO Prof. Dr Jani Gjoni, ku morrën pjesë kryesia dhe shumë anëtarë të Vatrës, dega Çikago, foli autorja e librit “Lulja e Vlorës”, Dr. Ana Kohen.” Lulja e Vlorës” fokusohet në traditat romaniote të familjes së Dr. Kohen, të cilat ata duhej t’i kremtonin në fshehtësi për shkak të shtypjes së fesë nga diktatura shqiptare. Të mbetur pa shtetësi, pasi nuk kishin asnjë dokument dhe nuk do të anëtarësoheshin në Partinë Komuniste, familja kishte një skemë të guximshme për t’u larguar nga Shqipëria për në Perëndim, pikërisht nën sytë e policisë sekrete. Kohen përfundimisht u bë dentiste në Greqi dhe më pas në qytetin e Nju Jorkut, duke mësuar zanatin e implanteve dentare nga shpikësi i tyre dhe duke krijuar praktikën e saj shumë të suksesshme. Jeta e saj mori një dimension humanitar si Presidente e Organizatës së Grave Shqiptaro-Amerikane, duke ndihmuar refugjatët, gratë dhe fëmijët, veçanërisht gjatë Luftës së Kosovës. Pyetja qëndrore e takimit ishte se si ishte e mundur që Shqipëria kishte më shumë hebrej pas luftës krahasuar me periudhën para lufte, si edhe përkrahja e madhe morale dhe materiale që shqiptarët i dhanë kësaj popullsie, në rastin konkret familjes së autores së librit. Mendoj se kjo është një pyetje që e ka shpjegimin në historinë e veçantë të kombit tonë krahasuar me vendet e tjera europiane, por edhe me ato të lindjes së mesme. Nevoja për të mbijetuar, si një komb i vogël i rrethuar nga një aleancë ortodokse nën ndikimin e Rusisë dhe e ndihmuar kjo nga një neglizhencë e Perëdimit për rajonin tonë, kërkonte një angazhim të ri për mbijetesë. Shqipëria e ndarë në tre besime të ndryshme fetare i tregoi botës se nuk ishte një identitet i ndarë më tresh, por kishte tre përbërës të një identiteti ashtu si Pashko Vasa shkruante “Feja e shqiptarit është shqiptaria”.Ata filluan të identifikohen fillimisht si shqiptar dhe së dyti si besimtar i një feje të caktuar, pra fillimisht ishin qënie njerëzore me përkatësi të caktuar kombëtare që respektonin besimin fetar të gjithsecilit. Në këtë mënyrë shqiptarët treguan një mentalitet racional, por që vinte njeriun në qendër të racionalitetit të tyre dhe të besimit të tyre fetar . Kjo mënyrë racionale e të menduarit dhe të vepruarit krijoi një fenomen të ri në mënyrën e të menduarit në Shqipëri duke vënë në qendër të vëmëndjes njeriun dhe vlerat e tij humane si edhe racionalitetin në funksion të kombit, duke tejkaluar kështu ndasitë fetare dhe duke vënë vlerat humane në funksion të racionalitetit. Gjithashtu tradita shqiptare e besës e shprehur qartë në kanunin e Lekë Dukagjinit , jo vetëm ndaj mikut, por biles ndaj kujtdo që trokiste në derë për ndihmë ishte një virtyt i lartë i shqiptarit. Kanuni i Lekë Dukagjinit konsiderohet si një nga format e para në botë të sistemit të drejtësisë dhe organizimit shoqëror. Pikërisht ishin këto vlera shqiptare të krijuara dhe evoluara në shekuj që gjetën zbatim në ndihmën humane, sakrifikimin e jetëve të tyre për të fshehur popullsinë hebreje ndaj persekutimit nazist. Popullsia hebraike e ndodhur në Shqipëri, por edhe ajo e ardhur nga vende të tjera, u trajtuan nga populli ynë si qënie njerëzore të barabarta, por edhe si miq në vendin tonë. Dhe ky fenomen nuk ishte rastësi dhe as për koniukturë, por ishte pikërisht reflektim i atyre vlerave shqiptare të mbrujtura në shekuj si edhe i ‘besës” shqiptare. Duke përjetuar këto vlera njerëzore dhe mikpritje të veçantë deri në sakrifikim, popullsia hebraike pas lufte ishte shumë më e madhe se ajo para lufte. Kjo vlerë shqiptare u tregua përsëri ndaj ndihmës që iu dha ushtarëve pushtues italianë kur ata iu drejtuan për ndihmë shqiptarëve si pasojë e persekutimit të tyre nga nazistët. Pikërisht janë këto vlera që përshkruhen me realizëm dhe mjeshtëri te libri “Lulja e Vlorës” si një shenjë respekti dhe mirënjohje të thellë ndaj vlerave më humane të treguara nga populli ynë. Mirënjohja e Dr Ana Kohen ndaj ndihmës që iu dha komunitetit hebre në Shqipëri dhe anasjelltas ndihma e madhe e saj ndaj komunitetit tonë në Amerikë tregon se Lulja e Vlorës u shndërrua në lulen e humanizmit e të mirëkuptimit. Lulja e Vlorës na tregon të gjithë ne shqiptarëve, por edhe njerëzve, popujve të besimeve fetare të ndryshme apo kombësive të ndryshme se në rradhë të parë duhet ta shikojmë njëri tjetrin si qënie njerëzore, si tipari kryesor që na bashkon të gjithëve duke respektuar besimet fetare, idetë, mendimet e traditat e komuniteteve të tjera, në funksion të ndërtimit të një të ardhshme më të mirë individuale dhe të përbashkët.

Filed Under: Komente

BARDI MODERN I DHIMBJES SË TIJ DHE I POPULLIT TË TIJ

July 22, 2024 by s p

Nga Visar Zhiti/

Poeti ynë nga Gjakova, që plot me Gjak lirie e ka dhe poezinë…

Baca Ali! – po i thoshim nga nderimi dhe ajo afërsi shpirtërore që të jepte ai, me një krenari të brendshme, që duke i lexuar poezinë kthehej në madhështi dhe adhurim. Ali Podrimja është poet emblematik.

Shoh një pullë poste të Republikës së Kosovës me portretin e tij, që vështron larg nëpër Shqipëritë, – siç e shkruante ai në shumës, se ka shumë Shqipëri thoshte. Kam mall për letrat e tij dhe do të doja t’i përgjigjesha sërish, t’i nisja një letër sot në Qiell, ku ai 12 vjet më parë iku atje, të endet shpirt në kopshtet e parajsës pas gjithë atyre dhimbjeve në tokën amë.

Bardi modern i eposit shqiptar të shekullit XX, kështu më është dukur. Shfletoj libra të tij, mbyshem me frymë dhe me kushtrime të brendshme. Është poeti shqiptar më i përkthyeri në gjuhë të tjera, në anglisht e bëri albanalogu i dashur dhe miku i përbashkët, Dr. Robert Elsie, në gjermanisht një tjetër mik, përkthyesi Hans-Joachim Lanksch dhe në italisht studiuesja jonë e shquar, pedagogia universitare Blerina Suta, me një parathënie që pata fatin ta shkruaj unë, në greqisht

një tjetër shkrimtar mik, e përktheu Iliaz Bobaj, etj, etj.

Shfletoj Podrimjen sot më shumë se ditë të tjera… S’ka si të mos ndal te poezia “Prizreni”, është në njërin nga librat e tij, dua të dëshmoj në vetë të parë si e donte ai tjetrin, me çfarë empatie. Nën titullit e poezisë si kushtim ka venë emrin tim, e ka shkruar para shumë viteve, me atë hermetizmin e tij mallëngjyes, që ngjan sikur është kod për të vazhduar bisedën tonë, se në vargun e fundit thotë:

Frymon atDheu, paska Zot

dhe s’ka pikë e as presje gjëkundi. E pafund… dhe fjalën atDhe e shkruante siç donte, Dheu – me shkronjë të madhe brenda fjalës, e di ai pse. I veçantë është dhe Dheu që e mbulon në Prishtinë…

Ah, si fillon poezia:

Putha pikën e gjakut

Mes Qiellit dhe Tokës

atëhere kjo pikë gjaku është e ylltë a është bërë yll a yjet janë pika gjaku, është e vuajtjes, e dhimbjes, e dashurisë, imja. Dhe poeti nxiton të thotë:

Më mbuloi drita hyjnore

dhe ashtu ndodhi vërtet me Podrimjen. Ai mbylli sytë përgjithmonë mes poezisë në Francë, në qytetin e vogël Lodevë, pikërisht në një festival poezie, si “poet i hartës së grisur” siç thotë poetja tjetër nga Kosova, Ilire Zajmi, e ftuar dhe ajo atje bashkë me Aliun tonë, ku një vit më parë kishim qenë me të dhe shkrimtarët Luan Starova, edhe poeti Anton Papleka, edhe unë. I ndjej…

Që nga qielli Podrimja “e lëviz gurin, rrënjën”, është në identitet me të gjitha fjalët e shqipes ashtu si dhe me njerëzit që i donte dhe e duan, që u linte ato autografe si poezi më vete…

Po unë kam gëzimin e dhimbshëm se kam marrë dhe një çmim letrar me emrin “Ali Podrimja”, edhe me emrin e mikut të tij, poet panteonik dhe ai, “Azem Shkreli” me librin me poezi “Si është Kosova”. Aty është dhe:

ELEGJIA IME

PËR POETIN ALI PIDRIMJA

– nga Visar Zhiti –

nuk mund të vdiste Podrimja

në Kosovën tij,

s’e linte toka këtu të shtrihej,

as të mbyllte sytë,

gjithnjë në këmbë,

klithmë jete gjithnjë

nëpër beteja shpirti,

me vështrim shqiponje

e flatra të rënda ere,

Toka Dardane nën hapat e tij

si nën ledhatime dashurie,

Deti Jon avitej si frymëzimi i tij

me dallgë të bardha

si me kuaj dasmash,

që i çuam në luftë

dhe Lumi i tij,

ditën i errët dhe i përzishëm,

kurse natën plot me shkëlqime

parajse,

që lidhte zërin me ecjen,

ëndrrën me rrugën, jetën me vdekjen

si birin me atin.

Ku ikën Ti, burrë i magjepsur,

me një këmishë yjesh,

të zbërthyer?

* * *

po ku ikën Ti, që s’ikën kurrë,

Vëlla i shtrenjtë,

Vëlla i madh, Bard i shenjtë?

Nuk shkulesh dot se je zemër me rrënjët në gur,

e kemi thënë, je gur me rrënjët

në zemër,

je rrënjë jete mes eshtrave të epokave

në Hijen e Tokës,

je kohë pavdekësie në një thirrje,

e kemi thënë.

* * *

atëhere ku shkoi shpirti yt? Ku ishte?

Mos vallë sipër zjarreve, kur digjeshin Prizreni, Kruja?

Ende më thellë endej si re

sipër një si Troje, që

u bë më e pamposhtur kur s’ishte më,

kërkonte shpirti dardanin Enea,

që vazhdonte të ikte ai

me atin mbi kurriz.

Shpirti i Eneas kërkonte trupin Tënd,

e di, ma kanë thënë perënditë tona

në Tomorr,

të njihnin, ti u ngjite atje, të pritën

dhe ndanë bukën me Ty.

Ecje Ti, Vëlla i perëndive, Baba Ali,

me Kosovën mbi shpinë,

me Lumin prej dore

dhe s’duhej të vdisnin as Lumi,

as Kosova, as Ti,

as perënditë. Binin shigjetat, por Ti me ç’magji

i ktheje në rreze dielli?

* * *

ky dardan i zhveshur që kishte ndalur në Butrint,

ishe Ti,

me shkëmbinjtë mburojë

e krahët shpata,

ngule një gur tjetër në Çamëri

mes hirit,

me fjalët e Tua të forta sa guri,

lexove poezinë e fundit në Sarandë. Që të të përqafonin,

u krijuan menjeherë gjire të tjerë

të kaltër. Ti shikoje

detin, atje ku mbështetej Naimi,

tek ai ulli i moçëm,

që befas bleroi prej Teje.

Nga duart e Tua dilnin pulbardha…

* * *

Vëllai ynë i madh, bard nga Gjakova,

me Gjak klithmash në buzë,

me himnin e lirisë në ballë

për luftëtarët e Tu,

plagët e tyre i vure të gjitha

në trupin Tënd,

të dhimbnin,

me ujin e Lumit tënd i qetësoje,

dole nga vorbullat e vdekura i gjallë,

shtatore lirie lakuriq,

krenar dhe i përunjur prej dhëmbjes,

i ndershëm dhe i madhërishëm

prej dëshpërimit,

me këngën që edhe ujqit i bënte miq

të zbutur,

ndërsa ajri përreth shndërrohet

në mermer të bukur

që qan.

Na mbytën lotët pa Ty.

Ti s’na duhesh varr,

kur dhe varret e tjerë i kishe hapur dhe vdekjet i bëje jetë,

skeletin e kujtesës tonë e mbushje me mish e gjak nga Yti, me metaforat

e Tua dhe po harroje veten, baca Ali,

ku po shkoje ashtu, në ç’hutim,

nuk duroje,

doje të ishe njëkohësisht në shumë vende dhe asgjëkundi,

me të gjithë, dhe me ata që s’janë

e s’kanë ardhur ende,

Mik i perëndive,

Ti, që na tregoje rrugët

nga duhej të kalonim.

Ti, që në flamujt tanë, të vjetër

e të rinj,

kishe venë krahun Tënd si shtizë.

Mos ik! Ku shkove ashtu, në ç’pyll

nate të huaj?

Kush të thirri aq larg? Lumi? S’e mbajnë dot brigjet,

i shtyu si anët e arkëmortit. Kishte ardhur Lumi, që krijove Ti,

e hape burimin me thonj…

* * *

Doje që të shlodhëshe gjetiu, tutje, matanë jetës,

se toka Jote dhe jeta Jote nuk të linte

të shtrihëshe,

të mbyllje sytë,

Udhëtar i dashuruar,

gjithmonë në këmbë, i zbathur

si dëshirat

në të kremten e poezisë,

sy-hapur si koha.

Lumi Yt rridhte poshtë flokëve të Tu, sillte zëra,

dilnin shtojzavalle, pasqyra hënash

të thyera,

bari i njomë si gishtrinj fëmije,

të ndillte të tretëshe aty,

kush të thirri prapë, yjet ngecnin

mbi qerpikë,

stërkala ujrash sikur shkundeshin psherëtima të argjenda,

Lumi, i lumi Ti, u ngjir së thirruri

deri sa të mori me vete.

Po Ti s’mund të jesh varr në tokën tënde, jo,

veçse epos i ri

nëpër erën e thinjur

që fryn dhe fryn,

sjell frymën tënde të fundit

që të mos vdesë

AtDheu, – e shkruajta si Ti

dhe po shtoj

në nderimin Tënd, emrin e lashtë,

që e vije në fund:

Ulpianë, më 23.07.2012

——————————

Shënim: e solla sot

në vend të një tufe me lule mbi varr…

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • …
  • 491
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste
  • Një vepër e rrallë në ikonografinë shqiptare, Shën Kristofori me kokë qeni
  • NJË ZË I RI SHQIPTARO-AMERIKAN NË UASHINGTON NË SHËRBIM TË KUJTESËS HISTORIKE TË VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT
  • Patronimet kolektive me -aj , si identitet shqiptar i Malësisë së Madhe
  • SHANI PNISHI – NJË ZË I NDËRGJEGJES KULTURORE NË NDËRPRERJEN MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
  • Mitrush Kuteli, figura e shquar që jetoi mes dy botëve
  • Shqipëria në Balkanfila XXI me identitet, përfaqësim dhe arritje
  • HOMAZH PËR LEGJENDEN DINAMOVITE
  • EMRI I ROBERT LULGJURAJ MBËRRIN NË ZYRËN OVALE TË PRESIDENTIT TRUMP
  • Franz Kafka dhe kushti i brendshëm i lirisë, një thirrje për zgjim nga vetë ndërtimi i robërisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT