• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ZYRA JURIDIKE E AVOKATIT YLBER DAUTI, SHËNON REKORD NË NJU JORK

May 2, 2014 by dgreca

* Verdict Search Report & New York Law Journal”, publikuan me 23 Dhjetor 2013 se Zyra Juridike e Av. Ylber Dauti, është e para në shtetin e Nju Jork-ut, që fiton dy vjet radhazi shumën më të madhe në kategorinë”Premises Liability”.

* Shuma e madhe e dëmshpërblimit e fituar nga Av. Dauti në favor të klientëve-dy fëmijëve shqiptarë,- shokoi gjykatësen, që nuk e firmosi vendimin për dy javë.

* Shuma e fituar nga Av. Dauti, për një klient shqiptar më 2013 është përfshirë në listën e “25 shpërblimeve më të mëdha në shtetin e Nju Jork-ut për të gjitha kategoritë Ligjore”

* Një batutë e Av. Dauti me George Sorosin për të kapërcyer një situatë të sikletshme

* Karriera akademike: Avokati Dauti i përzgjedhur për të dhënë leksione në Amerikë dhe Europë.
Ne Foto: Avokati Ylber Dauti me miliarderi Georges Soros dhe Mr. Charles Epping dhe Prof. Stefan Messmanngjatë ceremonisë së Ne Foto:dhënies së cmimit në New York/

NGA DALIP GRECA/

Avokati Ylber Dauti është një ndër të përzgjedhurit e komisionit seleksionues për Albanian American Success Stories, që organizohet me 3 maj në Battery Gardens, në qytetin e New Yorkut. Natyrisht se kjo përzgjedhje është mëse e merituar. Ylber Dauti është ndër avokatët e rinjë shqiptarë më të suksesshëm në Amerikë dhe Europë. Emri i tij ndeshet shpesh në median amerikane dhe shqiptare.Jo rrallë është përzgjedhur nga “Verdict Search Report & New York Law Journal” për rekordet e shkëlqyera. Avokati Dauti i ka të shumta rastet e fitoreve të çështjeve juridike një ose disa milionëshe, prandaj është klasifikuar si “Avokati milioner”.
Sa herë kam trokitur në studion Ligjore të avokatit Dauti, kam gjetur gjithmonë informacione të reja për betejat juridike të zhvilluara në gjykatat amerikane apo europiane. Në rekordet e fitoreve të tij janë regjistruara çështje të bujshme që kanë diktuar deri në ndryshim të ligjeve të Shtetit. Po cilat janë fitoret më të reja të avokatit? Në këtë artikull do të njiheni me: fitoren me shtatë shifra me një klient shqiptar para pak javësh, fitoren e një çeshtjeje delikate me dy fëmijë shqiptarë, të cilët kur të rriten do ta shohin veten se janë multimilionerë; fitorja maksimale me një klient amerikan, që u bë “milioner”, përfshirja më e fundit në “Verdict Search Report and New York Law Journal”, takimi me Geroge Soros, ku ai u përzgjodh për t’i dorëzuar një çmim special. Si është ndjerë avokati kur ka humbur betejën e parë gjyqësore para dhejtë vitesh? Çfarë emocionesh përjeton ai pas një beteje të zgjatur juridike? Përse e ka moto dhe përse ua rekomandon klientëve të vet thënien e Mark Twain, të cilën e ka të vendosur në një vend të dukshëm të zyrës së tij?: “Gjithmonë trego të vërtetën pasi kështu nuk do të harrosh se çfarë ke thënë.”!?
E reja më e fundit nga zyra juridike e avokatit shqiptar, The Dauti Law, PC, është një gjyq që përfundoi para pak javësh në Nju-Jork. Klienti i tij ishte një shqiptar i lindur dhe i rritur në Amerikë. Avokati më tregon se përzgjedhja e Jurisë pati një rastësi; një nga emrat e përzgjedhur qëlloi të ishte shqiptar, i ardhur në SHBA 20 vitet e fundit. Në periudhën dhjetëvjeçare që zhvillon gjyqe në Nju Jork, avokatit nuk i kishte qëlluar që të përzgjidhte asnjë shqiptar. Kjo rastësi e gëzoi, pasi mendoi se ai vetë si avokat shqiptar dhe klienti i tij shqiptar, do të ndjeheshin mirë, nga që do të krijohej një afrimitet, por ndjesia u shua shpejt; shqiptari i përzgjedhur u dorëhoq për shkak të anglishtes jo të mirë. Gjithësesi gjyqi vazhdoi me një përzgjedhje tjetër dhe çështja përfundoi pozitivisht. Shqiptari doli i kënaqur nga mbrojtja prej avokatit Dauti, jo vetëm prej shumës me shtatë shifra të dëmshpërblimit që fitoi, por edhe prej profesionalizmit dhe etikës së avokatit.
Para disa kohësh, në Janar 2014, një klient i avokatit Dauti botoi në gazetën“Dielli” një falenderim publik për mbrojtjen e shkëlqyer që ai u pat bërë dy fëmijëve të aksidentuar. Ia citova avokatit një shprehje të atit të fëmijëve, i cili i shkruante Diellit:” Kur të rriten dy fëmijët e mi do ta kuptojnë se secili prej tyre është multimilioner në saj të aftësive të një avokatit shqiptaro-amerikan,Ylber Dauti. Faleminderit avokat!”
I kërkoj më shumë detaje rreth atij gjyqi. Isha kurreshtar edhe për reagimin e gjyqtares, e cila në prani të përkthyesit shqiptar, kishte shfaqë habinë e shumës së dëmshpërblimit të kërkuar nga avokati.
Dauti i përgjigjet intersimit: Kjo ishte një çeshtje, sa interesante, aq dhe e vshtirë, pasi fëmijët kishin pësuar një aksident dhe askush nuk kishte parë se si kishte ndodhur aksidenti. Ata ishin shumë të vegjël dhe nuk mund të dëshmonin dhe shpjegonin se çfarë u kishte ndodhur. Pala e paditur pretendonte se mbrojtja nuk ishte në gjendje të provonte se ata ishin fajtorë për aksidentin pasi mungonin dëshmitë reale për mënyrën se si kishte ndodhur aksidenti.
Avokati Dauti punoi fort në mbrojtje të fëmijëve. Netë, javë e muaj shqetësime derisa ia doli; provoi në mënyrë të besueshme se pala tjetër ishte fajtore për aksidentin. Krahas provave të tjera, ai arriti ta bindë palën kundërshtare edhe përmes dëshmisë së dy ekspertëve: një psikologu fëmijësh dhe një inxhinieri civil. Shuma e dëmshpërblimit shokoi gjykatësen e çeshtjes,që u shpreh se “kurrë nuk kishte parë apo dëgjuar që një shumë kaq e madhe të jepej në një çeshtje si kjo, pasi – sipas saj – dëmtimet ishin fare të vogla.”
Gjyqtarja filimisht refuzoi të firmoste vendimin gjyqësor për Shumën e dëmshpërblimit dhe refuzimi i saj ishte i paprecedent. Në çeshtjet kur bëhet fjalë për dëmshpërblim fëmijësh që janë të pazotë të mbrojnë interesat e tyre, në bazë të ligjit, kërkohet gjithmonë përfshirja e Gjykatës për t’u siguruar që interesat e fëmijëve të mbrohen në mënyrë të kënaqshme dhe ndodh shpesh që Gjykata të ndërhyjë dhe të kërkojë nga pala tjetër të rrisë vlerën e dëmshpërblimit. Por në këtë rast po ndodhte e kundërta: Gjykatësja, Sharon Aarons, pretendonte se shuma ishte tepër e madhe dhe e pa justifikueshme. Por avokati nuk u tërhoq. Ai ishte i bindur se në fund ajo nuk mund të ulte masën e dëmshpërblimit pasi një veprim i tillë do të ishte kapërcim kompetencash dhe abuzim i pushtetit nga ana e saj. Ia bëri gjykatëses të qartë mendimin e tij duke i thënë se veprimi i saj nuk është parë apo dëgjuar kurrë më parë, jo vetëm në Nju Jork, por as në tërë Amerikën.
E pyes avokatin: Po nëse ajo nuk hiqte dorë nga këmbëngulja e saj për uljen e dëmshpërblimit, çfarë do të ndodhte?
Avokati duket tepër i sigurtë në arsyetimin e tij: Në rast se ajo do të ulte masën e dëmshpërblimit, atëherë,isha i sigurtë që Gjykata e Apelit do të rrëzonte vendimin e saj dhe ajo do përmendej për keq në faqet e para të të gjitha gazetave dhe revistave juridike në Amerikë. Përfundimish, pas një hezitimi prej rreth dy javësh, ajo u “dorëzua” dhe ra dakort të firmosi vendimin.
Sa ishte shuma e dëmshpërblimit? Avokati nuk jep shifra, por mjaftohet me përsëritjen e asaj çfarë kanë shkruar në letrën e falenderimit publik botuar në Dielli:“se kur fëmijët të rriten do ta kuptojnë se do të jenë multimilionerë….”. Veçse do të doja të shtoja, thotë avokati, “sidomos njëri prej tyre, do të ketë një shumë prej disa-milionësh, që ndoshta nuk ka nevojë të punojë fare në jetën e tij – kuptohet, në qoftë se ai dëshiron të mos punojë, por unë nuk do t’ia sugjeroja një gjë të tillë aspak.”
I përmend avokatit edhe një falenderim tjetër publik për Zyrën e tij nga klienti amerikan, Joseph Kramer, publikuar nga Dielli në Shkurt të vitit 2013. Bëhej fjalë për shperblimin më të madh gjyqësor për vitin 2012 në Shtetin e Nju-Jork-ut në kategorinë “Premises liability accidents’, siç shkruante gazeta New York Law Journal/ Verdict Search, publikuar në 19 dhjetor 2012.
Pas këmbënguljes time avokati sqaron se çështja në vetvete nuk kishte ndonjë gjë të veçantë përveç shumës së madhe të dëmshpërblimit, që iu dha klientit të tij. Por një gjë interesante kishte ndodhë në fund të çeshtjes. Këtë ia kishte treguar vetë klienti,z. Kramer. Ditën e mbylljes së çështjes, njëri nga avokatët e palës kundërshtare, James Cirrincione, i ishte afruar z. Kramer dhe i kishte thënë: “Urime, Z. Kramer. Ky është një shpërblim i padëgjuar dhe marramendës për një çështje si kjo – dhe unë të sugjeroj që t’i dërgosh një peticion Papës në Romë që të shënjëtërojë avokatin tënd, Z. Dauti! Z. Kramer, me të qeshur, ia kishte kthyer : “Në rast se Papa do shenjtëronte një avokat – Zoti do ta ndëshkonte, pasi asnjë avokat nuk e meriton shenjtërimin, sado i përkryer që të jetë.”
Dhe a e dini ç’ndodhi? Vetë avokati i palës kundërshtare, z. Cirrincione,i impresionuar me rezultatin, më vonë referoi një klientin e tij tek zyra e avokat Dautit dhe kërkoi që ai ta merrte përsipër mbrojtjen e çeshtjes së klientit të tij.
-Kjo më emocionoi, thotë Ylberi, pasi ai ma besoi një çështje të vetën. Mjafton të marrim në konsideratë faktin që z. Cirrincione është mbi 60 vjeç dhe ka punuar si avokat për rreth 40 vjet.
Sukseset e avokatit Ylber Dauti, shumat e mëdha të dëmshpërblimit dhe publiciteti ia kanë shtuar klientelën. A ndjehet i kënaqur që numëri i shqiptarëve është rritur dhe se ata përbëjnë më tepër se 50% të klientelës së zyrës.
Në bisedë me avokatin mëson se një betejë juridike mund të zgjasë me vite dhe séanca gjyqësore mund të zgjasë me javë të tëra…dhe në rast se palët nuk bien dakort përpara apo gjatë séancës gjyqësore atëherë Juria tërhiqet të marrë vendim në një dhomë tjetër. Ç’ndodh në raste të tilla?Procesi i pritjes së vendimit të Jurisë është një nga gjërat më të vështira sepse pas këtij momenti gjithçka është jashtë kontrollit të avokatit. Atij nuk i mbetet gjë tjetër veçse të presë, të lutet dhe të shpresojë. Jurisë mund t’i duhen orë apo edhe ditë për të marrë një vendim. Emocionet bëhen më të forta, koha kalon shumë ngadalë saqë minutat ndjehen si orë dhe orët- si ditë të tëra.
Po ç’është mbyllja me sukses e një beteje juridike?Para se t’i përgjigjet pyetjes, avokati duket i menduar, pastaj shton:- është një çlirim i papërshkrueshëm psikologjik dhe emocional. Është një kënaqësi e madhe kur puna kurorezohet me sukses dhe besimi i klientit tek avokati justifikohet. Në të njëtën kohë, në rast humbje, ndjenja që vjen pas është një torturë e vërtetë emocionale dhe psikologjike që zgjat shumë më tepër sesa ndjenja e fitores dhe që ndoshta nuk harrohet kurrë pasi gjithmonë do vazhdosh të analizosh strategjinë që ke ndjekur gjatë gjyqit dhe do mendosh se ku ke gabuar dhe çfarë do të kishte ndodhur sikur të kishe bërë diçka ndryshe…është një proces irracional vetëkritikues që ndoshta nuk përfundon kurrë.
Pyetja ime nëse ka ndodhur që të humbas ndonjë çështje, nuk e zë në befasi avokatin.
– Po, përgjigjet mendushëm,kam humbur betejën e parë gjyqësore. Edhe pse kanë kaluar mbi 10 vjet,ai mban mend çdo detaj të asaj çeshtje.Mund të ndodhë që përsëri ta provojë shijen e hidhur të humbjes, por betejë është, ka dy palë që përplasen, njëra do të fitojë, arsyeton Dauti.Ai mendon se humbja edhe pse e dhimbshme, është një e keqe e nevojshme pasi na kujton se jemi njerëzorë dhe jo hyjnorë dhe na bën që të ecim me përulësi me këmbë në tokë dhe jo të “fluturojmë” nga deliri i madhështisë.
Avokati Dauti, ka një sekret të fitoreve të veta në betejat juridike, respektimin absolut të së vërtetës. Mark Twain, krahas trashëgimisë si shkrimtar na ka lënë dhe një thesar me këshilla. Një ndër to, avokati e ka të shkruar në një pllakë dhe e ka vendosë në kënd të dukshëm të zyrës, që ta shohin dhe klientët. Këshilla është: “Gjithmonë trego të vërtetën pasi kështu nuk do të harrosh se çfarë ke thënë.” Për çështjet ligjore në të cilat është specialist, Dauti nuk i përzgjedh çështjet, nuk ka kriter refuzimi, përveç kriterit të së vërtetës. Në rast se klienti nuk ka “tendencën të harrojë” se çfarë ka thënë, atëherë ai është i gatshëm ta përfaqësojë.
Jo rrallë avokati shqiptar Ylber Dauti ka hyrë në rekordet e “Verdict Search Report and New York Law Journal”. Cila është arsyeja?
Ka qëlluar që çështja që ka mbrojtë ka qenë unike, siç ishte mbrojtja e një shqiptari nga Kosova, i cili një vit para aksidentimit, kishte marrë depërtim nga Amerika. Ligji i shtetit dhe ai federal binin në kundërshtim. Fitorja që arriti avokati qe e bujshme.Por ka ndodhë që të përfshihet aty nga që shumat e fituara përbënin lajm sensacional për komunitetin juridik, siç ishin shumat e mëdha të fituara në shtetin e Nju Jorkut për klientin amerikan në 2012 dhe klientin shqiptar në 2013 në kategorinë e “premises liability”. Verdict Search Report në bashkëpunim me New York Law Journal botuan më 23 Dhjetor 2013, listën e rezultateve të arritura në Nju Jork, rezultoi që për herë të parë në historinë e shtetit të Nju Jorkut, që kur ata filluan të publikojnë këto statistika, zyra e avokatit Dauti, ishte e para që kishte fituar për dy vjet radhazi shumën më të madhe në kategorinë e “premises liability”. Ka dhe një rekord tjetër: Shuma e fituar për klientin Shqiptar në vitin 2013, është përfshirë në listën e “25 Shpërblimeve më të mëdha të arritura në Shtetin e Nju-Jorkut në të gjitha kategoritë ligjore.”
Për avokatin Dauti, “sekreti” i fitoreve qëndron tek tri fjalë: Pasion, punë dhe fat! Njeriu duhet të ketë pasion për punën që bën se përndryshe nuk arrin të punojë aq sa duhet. Njeriu duhet të punojë shumë dhe të lerë sa më pak që është e mundur në duart e fatit. Por edhe pasi kemi punuar shumë dhe me pasion, duhet të shpresojmë dhe të lutemi që “era e fatit” të fryjë në drejtimin tonë – pasi në rast se fati nuk na ndihmon, ne mund të mos arrijmë çfarë dëshirojmë dhe meritojmë, ne fare mirë mund edhe të dështojmë në rast ai “fryn” kundra nesh.
Ylber Dauti është i pari avokat shqiptar, anëtar i përjetshëm i “Milion/Multimilion Dollar Advocates Forum” . Pyetjes sime nëse e ngacmon togfjalëshi ”avokat milioner”, ai i përgjigjet pozitivisht.Arsyet, më thotë, janë dy:e para, është e keqinterpretuar si shprehje pasi në të vërtetë të qenit i ashtuquajtur avokat milioner/multimilioner nuk do të thotë në vetvete se je avokat i zoti pasi ndodh jo rrallë që të kesh fatin të merresh me çeshtje me vlera milionshe dhe multi-milionshe – por kjo nuk do të thotë se je avokat i jashtëzakonshëm; thjesht faktet janë në favorin tënd. Së dyti, është shprehje e keqkuptuar, pasi ai është marrë me çeshtje me vlera milionëshe apo multimilionëshe – kjo nuk do të thotë aspak se ai vetë është milioner apo multimilioner. Edhe sikur të ishte kështu, shton; suksesi në përgjithësi, përfshirë edhe suksesin në profesionin juridik nuk mund dhe nuk duhet të matet kurrë me shuma parash. Ka njerëz shumë të zgjuar, të zotë dhe të sukseshëm, përfshirë këtu edhe avokatë shumë të zotë, që kanë dhënë kontribut të çmuar për shoqërinë por për shkak të natyrës së punës së tyre ata nuk kanë siguruar shuma të konsiderueshme. Do të ishte shumë paradoksale në rast se nuk do ti konsideronim këta njerëz si të suksesshëm, arsyeton avokati..
Zyra ligjore Dauti e shtrinë veprimtarinë e saj edhe jashtë Nju Jorkut. Kohët e fundit është marrë me çeshtje kontratash ndërkombëtare të biznesit për interes të klientëve nga Europa, Amerika Qendrore dhe e Jugut.
Nga një mik i avokatit pata dëgjuar për një vonesë të tij në një ceremoni të rëndësishme në Manhattan, që kishte të bënte me një nga filantropistët dhe njerëzit më të pasur në Botë, George Soros. Avokati e kishte kaluar situatën e sikletshme me një batutë. E pyes rreth asaj ceremonie dhe cila ishte arsyeja e ftesës për të qenë pjesë e asaj ceremonie. Cila ishte situata dhe batuta?Fillimisht, ai refuzon, duke thënë se kjo nuk ka të bëjë me zyrën Juridike të tij. Pas këmbënguljes time, tregon:Fondacion Mitteleuropa i bazuar në Zvicër i kishte akorduar Sorosit çmimin “Dr. Elmer Hantos Prize” për kontributin që filantropisti ka dhënë në zhvillimet demokratike pas rrëzimit të komunizmit në Evropën Lindore dhe Qendrore. Kryetari i fondacionit së bashku me Rektorin Akademik të Universitetit të Evropës Qendrore të bazuar në Budapest, Hungari (Central European University) e kishin ftuar edhe avokatin Dauti në atë ceremoni, si ish-student shume i sukseshem i këtij Universiteti, themeluar nga Sorosi. Ndërkohë që ata po prisnin së bashku me Sorosin, që të dorëzohej çmimi, fatkeqësisht avokati ishte bllokuar në trafik. Arriti me vonesë dhe ishte i sikletosur kur hyri dhe gjeti aty duke pritur George Soros, Presidentin e Fondacionit Zviceran dhe Rektorin akademik të Universitetit. Situatë e vështirë. Ishte skuqë nga turpi. Kërkoi ndjesë nëpërmjet një batute- duke i shtërnguar dorën, i thotë Sorosit; Ju jam shumë mirënjohës për çfarë keni bërë për të gjitha vendet ish-komuniste në përgjithësi dhe për mua personalisht.Sikur Ju të mos më kishit krijuar mundësinë e marrjes së bursës për studime në Budapest nëpërmjet fondacionit të tuaj – unë fare mirë mund të isha bari në malet e Shqipërisë dhe jo avokat në Nju Jork…dhe me të qeshur, kishte shtuar: siç thotë një shprehje popullore “mund ta largosh fshatarin nga fshati, por nuk mund ta largosh fshatin prej fshatarit”… edhe pse Ju arritët të më largoni mua nga fshati, nuk arritët të largoni mentalitetin e fshatarit nga unë dhe ky është i vetmi shpjegim që kam për vonesën time.Të gjithë kishin qeshë dhe Sorosi vetë ishte sjellë me përzemërsi…
Avokati Ylber Dauti ka nisë ta pasurojë edhe karrierën akademike. Ka disa vite që ai ftohet të japë prezantime, ligjerata në Iaccoca Institute dhe Lehigh Univeristy në Pensilvani. Prezantime kanë të bëjnë me diskutimin e eksperincave në fushën e ligjit dhe biznesit ndërkombëtar. Kohët e fundit ka marrë një ftestë edhe nga një universitet evropian, Tilburg Univeristy në Hollandë, që të japi leksione dhe seminare për studentët ndërkombëtare të atij universiteti në fushën e përpilimit dhe negocimit të kontratave në përgjithësi dhe atyre të biznesit ndërkombëtar në veçanti.
Pyetjeve për kohën e lirë dhe hoby, avokati i shmanget.Veçse nuk e fsheh se udhëtimet i pëlqejnë shumë. Udhëtimi i fundit ishte muajin që shkoi në Argjentinë. Ka vizituar Ujëvarën e Iguazu, që është ujvara më e madhe dhe një nga Shtatë Mrekullitë e Botës. Gjithashtu ka viztuar dhe Akullnajën e Perito Moreno, që është akullnaja më e madhe pas Antarktitës dhe ndhodhet në cepin më jugor të Argjentinës, në krahinën Patagonia, që ndryshe njihet edhe me emrin ‘Fundi i Botës’ pasi poshtë asaj zone ka vetëm oqeane dhe pastaj vjen Antarktida e mbuluar me akull.
Kur e pyes për vendlindjen, ndjehet i brengosur. Gjatë vizitës së fundit në Shqipëri, ka konstatuar njëfarë ndjesie pajtese të qytetarëve me idenë se politika dhe burokracia shtetërore janë të korruptuara dhe se një gjë e tillë ka filluar të konsiderohet normale. Kjo e ka shqetësuar dhe e ka alarmuar.Ai mendon se pajtimi i shoqërisë me korrupsionin e elitës politike përbën një fenomen shumë të rrezikshëm për shoqërinë dhe shtetin. Në rast se populli pajtohet me idenë se është normale që drejtësia, politikanët dhe përfaqësuesit e zgjedhur të korruptohen kur vijnë në pushtet, atëherë, rotacioni politik që realizohet nëpërmjet zgjedhjeve elektorale do të jetë një proces pa pasoja, ç’ka do të sjellë degradimin e shoqërisë dhe shtetit. Në rast se populli pajtohet me fenomenin e korrupsionit atëherë rotacioni i pushtetit nuk do të sjell asnjë ndryshim pozitiv – është njësoj sikur të përpiqesh të luftosh një plagë permanente duke e mbuluar me fasho të përkohshme.

Filed Under: Komunitet Tagged With: dalip greca, REKORD NË NJU JORK, SHËNON, ZYRA JURIDIKE E AVOKATIT YLBER DAUTI

Drejtues tw disa shoqatave shqiptare u takuan me Mr.James Oddo

May 1, 2014 by dgreca

Vlerësimet shqiptare tregojnë se ndoshta mbi 60 mijë shqiptarë jetojnë në ishullin Njujorkez Staten Island/
Nga Beqir SINA/
STATEN ISLAND NY : Një grup drejtuesish te disa shoqatave të komunitetit shqiptaro – amerikanë janë pritur dje nga Presidentit i Ishullit “Staten Island” i nderuari James J. Oddo, në zyrat e tij në sallën e kantonit për të diskutuar mbi komunitetin shqiptar, në ishull ku vlerësimet tregojnë se ndoshta jetojnë mbi 60 mijë shqiptarë, shumica e tyre nga Dibra dhe Mali i Zi .
Takimi me Presidentin e këtij ishulli dhe disa anëtarë të stafit të tij ishin në kuadër të takimeve me komunitetet që mbajnë zyrtarët e lart të komunës . Në këtë takim të rëndësishëm ishin të pranishëm Z. Ilir Çobi nga FDNY , z. Toni Hoti nga NYPD , z Xhevat Kraja nga Shoqata Kraja, z.Ismet Kurti nga Shoqata Ana e Malit , zoti Marko Kepi i Rrënjët Shqiptare, Nick Markola i APEN dhe Z. Musa Pacuku nga i Shoqatës Dibra .
Burime nga takimi i thanë gazetës tonë se ishte një takim i frytshëm dhe mjaft i përzemërt . Presidenti Oddo përshëndeti grupin e përfaqësuesve dhe falënderoi komunitetin shqiptar për kontributin e tyre, në zhvillimin e këtij ishulli.
Presidenti Oddo foli për sfidat me të cilat përballen familjet e reja dhe se si për të tërhequr dhe mbajtur burime , për zhvillimin e ishullit të Staten Island. Pas sugjerimeve të mirëpritura të Presidentit Oddo janë përfshirë me diskutimet e tyre, z. Nick Markola, i cili ka dhënë një hyrje të shkurtër mbi historinë e pasur të shqiptarëve, për gjendjen e vështirë gjatë shekujve , migrimit të tyre në SHBA dhe kontributin e tyre në shoqërinë amerikane . Ai theksoi se shqiptarët janë shumë besnik dhe mirënjohës për çdo gjë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë për shqiptarët, dhe janë populli më pro amerikanë në botë .
Z. Marko Kepi, e informoi presidentin Oddo, me shqiptarët e qytetit të New Yorkut, zonave në Staten Island – Brooklyn, Queens, Bronx, zona këto me përqendrim më të madh të shqiptarëve . Z. Kraja , z. Çobi dhe z. Hoti ndanë mendimet e tyre, se si komuniteti shqiptar do të mund të të ndihmojë shumë në këtë kanton duke pasur edhe vëmendjen e duhur të zyrtarve të lart të këtij ishulli duke kërkuar ndihmën e zyrës së Presidentit Oddo . Z. Kurti i shoqatës Ana e Malit, foli për rëndësinë dhe thelbin e të pasurit e një Qendre Komunitare shqiptare në ishullin Staten Island . Kurse, z. Musa Pacuku kryetar i shoqatës Dibra e cila ka edhe numërin më të madh të shqiptarëve në këtë ishull ( mendohet se jetojnë 15 mijë dibranë) foli për zonat potenciale dhe ku kan pronat shqiptarët që me ndihmën e Komunës mund të bëjnë edhe më shumë për këtë ishull.
Presidenti i ishullit Staten Island – James Oddo foli për përfshirjen e tij edhe me komunitetin shqiptar ashtu si edhe me komunitetet e tjera , si dhe dhe rëndësinë e punës së bashku me komunitetin shqiptar . E përgjithshëmja e këtyre bisedimeve ishte për një jetë më të mirë të shqiptaro amerikanëve në Staten Island ku të gjithë së bashku me Presidentin Oddo dhe stafin e tij kan qenë shumë të gatshëm dhe të hapur për sugjerimet dhe punuar së bashku. Presidenti i ishullit ishte gjithashtu i interesuar për të gjetur mënyra për të punuar së bashku me komunitetin shqiptar për të sjellur të gjitha sugjerimet e tyre më pranë administratës së tij .
Si rezultat i këtij takimi shumë të përzemërt dhe produktive , përfaqësuesit e komunitetit shqiptar dhe presidenti Oddo ranë dakord për vazhduar takimet e ardhshme me udhëheqësit e komunitetit shqiptar në Staten Island .Përveç kësaj ai ra dakord për të pritur një grup të shqiptarëve në zyrën e tij Borough Hall , ku do të zyrtarizohen hapat konkretë që janë rezultat i këtij takimi:

– Së bashku për të gjetur mënyrat për një Qendër të komunitetit shqiptar në ishullin Staten Island
– Zhvillimin e një programi për komunitetin shqiptarë për Regjistrimin e Votueseve nga ky ishull
– Zhvillimin e një programi rinorë për komunitetin shqiptarë në ishullin Staten Isalnd.
– Më shumë përfshirje nga Presidenti i ishullit dhe administrata e tij me Komunitetin Shqiptar
Presidenti i ishullit Staten Island u informua mbi rëndësinë e ngritjes së flamurit shqiptarë në nderim të ditës së pavarësisë së Shqipërisë, pra për të mbajtur një ngjarje të tillë në Staten Island . Ai premtoi se do të punojë për të pasur ceremoninë e parë e ngritjes së flamurit kuqezi në Staten Island – qysh këtë nëntor . Grupi i udhëheqësve të komunitetit shqiptaro amerikanë e bëri të qartë të qartë se ky takim është parë si hap i parë drejt një marrëdhënie të gjatë dhe të frytshëm të ndërsjelltë mes zyrës së Presidentit të ishullit Staten Island në New york, dhe komunitetit shqiptar i cili është një faktor i rëndësishëm në ishull që aspirojnë për më shumë . Presidenti Borough shprehu interesin e tij dhe gatishmërinë për të punuar ngushtë me komunitetin shqiptarë në ishullin Staten Island dhe u shpreh që lidhjet të shkojnë më përpara për marrëdhënie më të mira me komunitetin shqiptarë.
Takimi ishte i organizuar nga organizata Rrënjët Shqiptare dhe Shoqata Ana e Malit dhe ishte një sukses dhe hapi i parë në rrugën për rritjen e ardhshme të takimeve me zyrtarët e lart të ishullit Staten Iasland.

Filed Under: Komunitet

PAPA GJON PALI I DYTË, SHENJTI QË U LUT PËR SHQIPTARËT

April 30, 2014 by dgreca

E ndoqëm me emocion ceremoninë e së Dielës të 27 Prillit 2014, kur u shpallën Shenjtë dy Papë, Gjoni XXIII e Gjon Pali II.
Ne shqiptarët si Komb i jemi gëzuar në mënyrë të veçantë shënjëtërmit të Papa Gjon Pali II. Ai na deshi si Komb, ai u lut për ne, ai e puthi tokën Arbënore, ai e vlerësoi lartë veprën e Nënës së përbotshme me gjak shqiptar, Nënë Terezës.
Edhe pse kanë kaluar 21 vite nga vizita e Papa Gjon Palit II në Shqipëri, ne na duket se mrekullia e asaj vizte sapo ka ndodhë. Me 25 prill 1993, Papa gjon Pali II u gjunjëzua në tokën e martirëve . Kjo ndodhi në aeroportin e Rinasit, i cili qe ndërtuar nga të burgosurit politik, kundërshtarë të regjimit të pafe’.Pikërisht atë tokë të mbrujtur nga gjaku i martirëve prekën buzët e Atit të Shenjtë.
Ne ishim të lumtur që e përjetuam së afërmi vizitën e Atit të Shenjtë. Fjalët e Papa Gjon Pali II ishin melhelm për zemrat e vrara të shqiptarëve. Me 25 Prill 1993 ai tha fjalë shpirti në Tiranë: “Ajo që ka ngjarë në Shqipëri, të dashur vëllezër e motra, nuk ishte parë kurrë në historinë e njerëzimit… Drama juaj, shqiptarë të dashur, i intereson e duhet t’i interesojë gjithë kontinentit evropian dhe është e domosdoshme që Evropa mos t’ju harrojë…”
Por nuk ishte kjo e vetmja herë kur Papa Gjon Pali II foli për shqiptarët që jetonin nën burgun e madh të diktaturës. Në vitin 1980, nga Otranto e Italisë, Ai foli për grigjën e martirizuar nga komunistët përtej detit:“Nuk mund të mos e hedh vështrimin përtej detit, jo larg, drejt Kishës heroike në Shqipëri, që tronditet thellë nga persekutimi i ashpër e i zgjatur, por edhe pasurohet nga dëshmia e martirëve të saj: ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë e rregulltare, e besimtarë të thjeshtë”!
Ne kishim kënaqësinë që Papa Gjon Pali na priti me 27 Maj 1995, dy vjet pas mikpritjes së shkëlqyer që i kishin bërë shqiptarët në Tiranë dhe Shkodër. Na foli me fjalë zemre.
Në kujtesën e ne shqiptarëve mbeten fjalët e Papa Gjon Palit II drejtuar popullit martir të Kosovës gajtë Pashkëve të vitit 1999:” “I lutem Zotit të Ringjallur t’i japë dhuratën e paqes, së pari tokës së martirizuar të Kosovës, ku lot e gjak vazhdojnë të përzihen në një skenar dramatik urrejtjeje dhe dhune. Mendoj për ata që janë vrarë, për ata që kanë mbetur pa shtëpi, për ata që janë larguar me forcë nga familjarët, për ata që janë detyruar të ikin larg…”.
Ne si vëllezër, së bashku me familjet tona, ndjehemi mirë që në Vatikan ndodhet edhe një dhurata jonë për Papa Gjon Palin II, e cila iu dhurua me 19 tetor 2003 në ditën e nisjes së lumnimit të Nënës Terezë. Ajo ishte një dhuratë që ne e porositëm në Tiranë, një dhuratë në argjend, për t’ia dhuruar Papës nga Presidenti i Kosovës dr. Ibrahim Rugova. Skulptura e argjendët paraqet Nënë Terezën me Papa Gjon Pali II, është ajo që paraqetet në fotografitë që shoqërojnë këtë urim. Ishte një dhuratë simbolike, me të cilën ne donim të përjetësonim vlerësimin e madh që i pat bërë Papa Gjon Pali II ,Nënës së Përbotshme me gjak shqiptar, Nënë Terezës.
Të gëzuar nga Shenjtërimi i Papa Gjon Pali II ne lutemi që së shpejti të shpallet e Shenjtë dhe Nëna Terezë!( LEK & PASHKO GOJÇAJ, New York. Botoi Dielli Print Prill 2014)

Filed Under: Komunitet Tagged With: dhurate per papen, Lek dhe Pashko Gojcaj, qe u lut per shqiptaret, shenjte

U FESTUA 44 VJETORI I KISHËS KATOLIKE SHQIPTARE NË SHBA DHE 15 VJETORI I KISHËS KATOILIKE “ZOJA E SHKODRËS”

April 29, 2014 by dgreca

Famullitari Don Pjetër Popaj: Kisha jonë e re, dhe një njëkohësisht një nder famullinat ma të reja të Arqipshkvisë së New Yorkut, është edhe kisha më e bukura që është ndërtua këto njëzet vitet e fundit por bukuria më e madhe e famullisë tonë është populli i ynë
NGA BEQIR SINA/
NEW ROCHELLE, NY: Mbas javës së bukur të Pashkëve, qindra besimtarë katolikë me familjet e tyre, veprimtarë të komunitetit dhe pjesëtarë të Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës”, ishin pjesë e një darke të madhe festive, në lokalin luksoz “Surf Club” kantonin New Rochelle të New York-ut.
Kjo ngjarje e bukur festive u mbajt më 27 prill, nën kujdesin Kishës “Zoja e Shkodrës”, duke rastisur me ditën kur në Selinë e Shejtë u zhvillua ceremonia e shejntërimit të dy Papëve. Festa shënoi 44 vjetorin e Kishës Katolike Shqiptare në SHBA dhe 15 vjetorin e shugurimit të Kishës “Zoja e Shkodrës”.
Shenjtorëve, dy Papë bashkëkremtues, ditën, kur në këto gjashtë fjalë përmblidhet gjithë karakteri i jashtëzakonshëm i kësaj dite, historike për Kishën, festë feje e ditë shprese për njerëzimin,” pikërishtë, në këtë ditë Kisha Katolike Shqiptare në Shtetet e Bashkuara, kremtoi 44 vjetorin e themelimit të saj dhe 15 vjetorin e Shugurimit.
Morën pjesë klerikë nga SHBA, Kanadaja dhe Kosova: të përndershmit, Dom Pjetër Popaj, Dom Viktor Dedaj, Dom Nikolin Pergjini, Dom Ben Zymi, famullitar në Gllaviçicë të Kosovës, Dom Gjovani Kokona, famullitar i famullisë e Lumja Nëna Tereze në Toronto, Kanada, dhe Msgr. Thomas Petrillo, Sant John and Paul nga Larchmont – New York, si dhe asamblesiti i parë shqiptarë në Asamblenë e Nju Jorkut, Mark Gjonaj.
Festuesit kujtuan hapin e parë për t’u organizuar si katolikë shqiptarë në Shtetet e Bashkuara, i cili i përket viteve’60 të shekullit të kaluar, themelimin e Lidhjes Katolike Shqiptare Amerikane, më 16 qershor 1962, me nismën e dy meshtarëve të njohur shqiptarë, Dom Zef Oroshi dhe Patër Andreë Nargaj.
Vëmendje të veçantë iu kushtua Shugurimit të kishës, në majat e një kodrine pranë fshatit Hartsdale, në Westchester, që i është përkushtuar mërgimtares së parë shqiptare, Zojës së Shkodrës, e cila, përndryshe, është e njohur si Zoja e Këshillit të Mirë.
Dom Viktor Dedaj dha bekimin e darkës, ndërsa më pas Kori i Kishës Katolike Fran Shala me Zojën Miraka kënduan këngën kushtuar Zojës së Shkodrës
Udhëheqëse e kësaj mbrëmjeje ishte kryetaria e Këshillit të Kishëz, znj. Margarita Koçoviç, e cila shprehu kënaqësinë e madhe që në emër të Këshillit të Kishës dhe të Komitetit Organizativ të kësaj ngjarjeje të falenderonte për atë pjesëmarrje të madhe. Ajo i falënderoi besimtarët dhe aktivistët për kontributet bujare, përkushtimin dhe mbështetje të vazhdueshme ndaj kësaj kishe.

Filed Under: Komunitet Tagged With: 15 vjetori i Kishes Zoja e Shkodres, Kishes shqiptare ne SHB, U festua 44 vjetori

SHBA, studentë shqiptarë mbajtën protestë para selisë së OKB në Nju Jork

April 29, 2014 by dgreca

Nga BEQIR SINA, New York/
Solidarizohen me studentët Universitetit Ndërkombëtar të Tiranës, edhe një grup i studentëve shqiptarë, që kanë kryer universitet amerikane duke bërë thirrje qeverisë së Kryeministrit Rama : ” Të ndalojë sulmin politik mbi lirinë akademike në Shqipëri !”
OKB – Daghammarskjold Plaza New York City : Një grup i studentëve shqiptarë, që kanë kryer universitet amerikane si dhe qytetarë të tjerë shqiptaro-amerikanë, sot paradite në Nju Jork, para selisë së Kombeve të Bashkuara në sheshin e njohur “Daghammarskjold Plaza” kanë protestuar kundër mbylljes së Universitetit Ndërkombëtar të Tiranës, duke akuzuar qeverinë e Shqipërisë, dhe kryeministrin Rama se ka marrë një vendim si e quajtën protestuesit të paprecedentë.
Protesta u zhvillua me moton :” Ndal sulmin politik mbi lirinë akademike në Shqipëri !”
Ata mbanin në duar parrulla ku thuhej se :” Çdo stdudent është pjesë e Kombit – Jo diskriminimit! ” – “Ne mbështesim stdudentët e Universitetit Ndërkombëtar të Tiranës” – “Qeveria Shqiptare duhet të mbështesi Edukimin dhe Lirinë Akademike në Shqipëri dhe trojet shqiptare” – “Turp për Kryeministrin Edi Rama për mbylljen e Universitetit Ndërkombëtar të Tiranës” – dhe “Turp Edi Rama Turp”.
Afërdita Mulaj, përfaqësuese zyrtare e Universitetit Ndërkombëtar të Tiranës, në SHBA, lexoi në anglisht një dekleratë, ku thuhej se :” Qeveria e Shqipërisë , e udhëhequr nga kryeministri Edi Rama , ka marrë një vendim të paprecedent në historinë e Shqipërisë, duke mbyllur një universitet, madje edhe në muajin e fundit të përfundimit të një viti shkollor”.
Universiteti privat Ndërkombëtar i Tiranës ( UNT ), thuhej në dekleratë se është një nga universitetet më të mira private në Shqipëri me më shumë se 300 studentë , ai u mbyll papritur nga qeveria Rama . Arsyeja zyrtare, cekej në dekelratë e dhënë nga qeveria për këtë veprim ishte evazioni fiskal .
Megjithatë , drejtuesit e universitetit simbas kësaj deklerate kanë bërë çdo përpjekje për të paguar taksat e kaluara dhe gjobat, pavarësisht kundërshtimeve të tyre të shumta e të vlefshme. Deri më sot (UNT)- Universiteti Ndërkombëtar i Tiranës, simbas tyre nuk ka borxh dhe asnjë shumë të taksave të pa paguar, përveç disa gjobave të diskutueshme.
UNT mbetet e mbyllur dhe qindra nxënës dhe mësues nuk janë në gjendje të marrin pjesë në klasat e tyre
Në vijim të dekleratës thuhej se Universiteti Ndërkombëtar i Tiranës, ka deklaruar publikisht se ky është një sulm i motivuar politikisht për shkak të faktit se udhëheqësit e saj janë mbështetës të fuqishëm të opozitës . Ky pohim simbas tyre mbështetet nga fakti se zyrtarët tatimorë shqiptarë kanë refuzuar me kokëfortësi për të arritur një kompromis – ku gjobat e mbetura që do të paguhen gjatë një periudhe kohore, ndërsa studentët do të mund të ktheheshin në klasa .
Znj. Mulaj u shpreh se: ” Është e qartë se qëllimi i zyrtarëve të qeverisë nuk është të mbledhë taksat , por për të ndëshkuar një kundërshtar politik , pa marrë parasysh dëmet e panumërta të bëra ndaj jetës dhe edukimit të studentëve dhe stafit”.
Protestuesit, bënë thirrje OKB-së, duke u lutur t’a marrin në konsideratë protestën, për të kontaktuar me qeverinë shqiptare dhe ndërhyrë për këtë sulm të tmerrshëm politik mbi lirinë akademike, siç e quajtën ata në thirrjet e tyre dhe parrullat që mbanin në duar.
Në fund protestuesit thanë se protestat do të vazhdojnë deri në hapjen e dyerve të Universitetit Ndërkombëtar të Tiranës dhe vazhdimin normal të mësimit, ashtu si edhe kërkojnë 300 studentët e këtij universiteti.
Shkak, për mbylljen e Universiteti Ndërkombëtar i Tiranës, nga lajmet që vinë nga Tirana, thuhet se është bërë një detyrim tatimor i papaguar në shumën e 40 milionë lekë të reja, i cila nuk është shlyer nga ky Universitet, simbas qeverisë.
Por, pronarët thonë, simbas shtypit shqiptarë se kanë bërë shlyerjen e principalit, një shumë mbi 10 milionë lekë të reja dhe detyrimet e tjera do të shlyhen në ditët në vijim. Stafi akademik i Universitetit akuzojnë qeverinë për sulm politik.

Filed Under: Komunitet Tagged With: demonstrate, kunder Edi Rames, para OKB, Studentet shqiptare

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 360
  • 361
  • 362
  • 363
  • 364
  • …
  • 397
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Franz Kafka dhe kushti i brendshëm i lirisë, një thirrje për zgjim nga vetë ndërtimi i robërisë
  • “Rrobat e mbretit”…
  • Kosova midis kujtesës, rezistencës dhe diasporës në veprën e profesor doktor Roland Gjinit” Pavarësia e Kosovës, Federata Panshqiptare ‘Vatra’ dhe gazeta ‘Dielli’ (1981–2008)”
  • Mitrush Kuteli, një nga intelektualët më të shquar shqiptarë të shekullit XX
  • We are proud to announce the election of the MAASBESA Board of Directors for the 2026-2028 term
  • Letër e Lumo Skëndos viti 1908 drejtuar Jani Vretos dhe botuar te gazeta “Rrufeja” (1909)
  • KUFIRI SHENDETIT DHE SËMUNDJES
  • GJERGJ KASTRIOTI – SKËNDERBEU BASHKOI SHQIPTARËT E AMERIKËS NË BRONX, NEW YORK
  • Në ditën ndërkombëtare të shtypit…
  • Në ditën e lindjes kujtojmë baron Franz Nopcsa, paleontologun dhe gjeologun e shquar, një nga figurat më të mëdha të albanologjisë
  • Gazetaria si ndëshkim publik…
  • Disa qasje hermeneutike dhe fenomenologjike ndaj tekstit poetit të Martin Camajt
  • Kongresmenët Amerikanë Paraqesin Rezolutë për Vazhdimin e Pranisë Ushtarake të SHBA-ve në Kosovë
  • Helmi virtual
  • Vatra u prit në Selinë e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT