• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DEGJO FLORIRI IM

October 16, 2013 by dgreca

NGA KRISTAQ TURTULLI/

(Fragment)/

…eh dashuria, a është për të mençurit…/

Gjyshja më  tregonte se: “Gjyshi Rubin u shfaq në dasmën e tij si një kalorës i lashtë romantik, veçse ai nuk ishte duke vrapuar me shtizë, por baritur ngadalë me kitarë dhe vështruar miletin rreth e rrotull me sytë e tij gazmorë. Ai bëri disa lëvizje të ngadalta, të lehta, në majat e gishtërinjve, si një valltar klasi që përgatitet të fillojë vallen e zemrave, ashtu  shtatlartë, me kaçurrelin çapkën të zi harlisur në ballë. Ai eci madhërishëm nëpër korridorin e mbushur me dasmorë drejt qendrës së dasmës, aty ku qëndronte  e zgjedhura, nusja e tij, Retina.

“-Çfarë bën Rubin,- i a patën prindërit të habitur dhe të shqetësuar njëherësh. Ata i dolën përpara për t’a ndalur,- mos, u lajthite biro?! Dale, prit. Mos na bëj me zemër, he bir, mos na leqendis. Kitara në dasmë është e sazexhinjve, jo e dhëndrit. Lëri sazexhinjtë t’i bien avazit. Ne për atë pune i kemi thirrur në dasmë.”

Ai buzëqeshi ëmbël dhe rregulloi me nge rripin e kitarës në shpatull. Akordoi telat, duke mbajtur vesh me kujdes tinguj e lehtë, pastaj lëvizi me shkathtësi të habitshme gishtërinjtë mbi telat e hollë. Balli i gjerë i u tendos dhe sytë i shkreptinë. Ajo copës dërrasë me ca tela të ndehur, të lidhur nyje, sikur të bënte magji.

Flake tutje brengën njeri dhe mbill gëzimin. Prej kitarës u dëgjuan tinguj të ëmbël, si cicërimat e bilbilave, kanarinave, të gjithë shpendëve këngëtarë! Ata kishin ardhur befasisht nga pylli i madh i dushqeve,  fluturuar, ulur zhurmshëm nëpër telat e kitarës së gjyshit Rubin. Shtëpia e madhe u mbush me gëzimin e mrekullueshëm të pranverës, me kënaqësinë e çiltër të jetës. Dasmorët lanë mënjanë zhurmat, fjalët, thashethemet, u kthyen menjëherë, si me komandë, andej nga u dëgjuan tingujt magjepës të kitarës. Shumë prej tyre kishin ardhur vetëm të dëgjonin Rubinin kur t’i binte kitarës dhe të këndonte. Ai u a kishte premtuar! Nuk dilte nga fjala Rubini! Heshtni, dëgjoni! Po i binte kitarës Rubini, kantautori, mjeshtri i serenatave.

E ëma vazhdoi t’i fliste me zë të ulët dhe gjithë përgjërim:

“-Rubin, të keqen nëna, i bukuri i nenes, shpirti i nenes, ti e di mire, ne i paguajmë sazexhinjtë tu bien tamburave dhe jo t’i lemë të shqyejnë sytë dhe të zbardhin dhëmbët me ne kur të dehemi. Ata jane dreqër me brire, duan vetëm të mbushin barqet se ngrëni dhe të fryjnë xhepat me paratë tona. Hë t’u bëftë nëna, shko tek nusja dhe thith aromë gruaje!”

Rubini qeshi përsëri, shkujdesur dhe eci përpara. Të dy prindërit e tij  te merakosur e ndoqën nga pas. Ata ishin njërëz të urtë. Stërgjyshja Dhora, në lektisjet e para të dritës së mëngjesit kishte dalë në mëhallë me kanistrën plot për të shpërndarë karamele për fëmijët dhe llokume me arra për të rriturit. Le të ishin të gjithë të ëmbëlsuar qysh me lindjen e dritës së mëngjezit në dasmën e djalit!

“-Dasma është e imja dhe qejfin dua t’a bëj unë dhe jo sazexhinjtë,”- tha Rubini dhe ngriti kokën lart. Ai bëri një rrotullim rreth vetes, telat zhurmuan këtë herë me furi, si të ishin në të zërat dhe erërat e pyllit. Kaçurreli i zi valëzoi në ballin e gjerë, gishtërinjtë e hollë dhe të shkathët i fluturuan nëpër tela.

Ai këndonte bukur dhe në fustanin e bardhë të nuses së tij u ulën të gjithë zogjtë e pyllit. Ai ishte dhëndri, muzika, hareja, gjithë bota. Gjyshi Rubin  me trupin e drejtë si selvi, të zhdërvjellët hynte mes grumbullit të dasmorëve duke kënduar dhe luajtur në kitarë. Balli i tij i gjerë dhe i djersitur, ishte gjithë shkelqim, si i mbuluar me margaritarë. Ai hodhi këmbën e majtë përpara, përkuli pak trupin, si të bënte përshëndetje fisnikërie, zgjati qafën, ngriti kokën dhe bëri një gjysmë rrotullim si të fshikullonte ajrin, këndoi:

 

Qyteti është sy zgjuar, po përgjon,

Doli flladi, rrugicave rrëshqet,

Falma moj Retinë syn e zi,

Dale moj, me gojë pse s’më flet…

 

Por Retina kishte sy të kaltër dhe flokët gështenjë. Ajo vështronte sy ngulur dhe gati e hutuar burrin e saj. Atë po e puthnin pothuajse të gjithë të ftuarit e dasmës. Ato ishin të zellshme, e puthnin pa u lodhur në buzë dhe në faqe. Disa femra të paturpshme, bile ishin edhe mesogra, i vareshin në qafë si të papara, gati t’i merrnin shpirtin duke lënë gjokset e mëdhenj të bardhë t’u dilnin jashtë, si pellgje me leshterikë. Ato donin t’a joshnin, t’ja hidhnin grepin, prandaj i kacavirreshin rreth trupit. Hëm, ato i përdridheshin pa turp dhe namuz. Oh nëne, ato kërkonin t’a mbytnin burrin e saj të ardhshëm në pellgoret e marrëzisë dhe të dëshirës së papërmbajtur femërore! Largohuni tutje!  Retina donte të klithte me të madhe, të shkundte dasmën, ato të pa cipa ende nuk po i shqiteshin, po i merrnin frymën burrit të saj! Ku u gjendën gjithë ato oaze mishtore në dasmë! Ajo e dinte shumë mirë që Rubini ishte mashkull i bukur, por mbytja në pellgje me leshterikë të gjokseve femërore ishte mbytje madhe, e papërballueshme,  tmerrësisht e padurueshme për një nuse të brishtë si ajo, që nuk dinte se çfarë ishte prekja mashkullore. Nata e parë e martesës duhet të ishte si porta e thurur me ar e parajsës. Ajo duhet të hynte në atë portë si një bulëz e freskët vese, e të prekej dhe të shijohej vetëm nga ai mashkull i pashëm.

Xhelozia, si një krimb i vogël, po i hynte në shpirtin e saj të brishtë dhe nuk po e linte të qetë. Rubin të lutem, mbaje të freskët dhe të pa prekur afshin, flladin dhe aromën e mrekullueshme të burrit, mos u a le të t’a rrëmbejnë epshet e femrave gjoks përveshura! Lëre kitarën, të përgjërohem dhe eja ulu këtë pranë meje, si të gjithë dhëndurët e tjerë! Ai i kishte marrosur si zakonisht të gjitha gratë e botës. Ai ishte si një meteor verbues, përvëlues! Vetëm majat e gishtërinjve të këmbëve të tija  preknin dërrasat e lara dhe të kruara me kujdes të dyshemesë. Ishte një kërcim i rrallë, elegant, siç dinte të kërcente vetëm ai. Balli i tij shkëlqente, shkëlqente, sikur drapri i hënës kishte prerë qindra cepa yjesh dhe derdhur më pas në ballin e në trupin e tij…

Gjyshen po e mbërthente gjithnjë e më tepër meraku. Ajo donte të lëvizte të turrej drejt tij, t’a merrte, t’a tërhiqte, që t’a kishte për vete të tërin, por ishte gjithnjë në vëzhgimin të vazhdueshëm të plakave. Sa të vështira e paskan nuset, sidomos nuset e reja, kur kanë burrat e bukur, të gjallë, të shkathët si Rubini! Shih, shih, një vajzë e re, gërsheta gjatë si litarë, nga mëhalla e kasapëve, vrapoi drejt tij, dale, ajo i u var në qafë, ajo seç po i thoshte, oh jo, oh nëne! Ajo ja ngjiti buzët burrit të saj si e ndërkryer një copë herë, i a mbajti të mbërthyera fort dhe nuk ja shqiti, si t’ja rrëmbente të gjithë bukurinë mashkullore!

Asaj po i thahej buza dhe korseja po i a merrte frymën, ishte gati t’i këpuste telat e korsesë dhe të lirohej nga sikleti. Vallë a do të kishte vend në fytyrën e tij për puthjet e saj të mëvonshme?Të jenë kaq të ndezura femrat! Ato zuska kanë meshkujt e tyre në krah, ç’duan me mashkullin e botës dhe aq më tepër me një dhëndër! Ajo donte të ngrihej, paçka që dikush i kishte vendosur dorën mbi sup. Ajo ngriti kokën ngadalë dhe vështroi si nëpër mjegull fytyrën e lodhur të nënës së saj. Retina nuk kishte zë që t’i fliste nënës, së paku të largonte dorën nga supi. Ajo kërkoi sytë e nënës por dhe ajo i kishte tretur mbas dhëndrit të vajzës. Ajo u mundua të merrte frymë thellë dhe ndjeu që në sallë ajri ishte i rrallë. Dasmorët ishin ngjeshur njëri mbas tjetrit dhe Rubini kishte humbur mes tyre.

Krejt befasisht Rubini u shfaq përpara saj, ai nuk e la nusen e tij të tirrte gjatë, e tërhoqi butë nga krahu, qëndroi në mes të sallës së madhe, si t’i thoshte se jeta i pastron shumë shpejt yjet e rreme dhe mbjell yje me vlerë.

Ajo u përpoq të kundërshtonte, përpëliti qerpikët, mërmëriti disa fjalë të pakuptimta, por në realitet donte të thoshte: në qoftë se atë arrakatin e bukur e kishte mbërthyer syri i keq, që e shtynte të vepronte kësisoj, të pazakonshme për zakonet dasmore, ajo nuk mundej, nuk kishte sesi. Ajo ishte nuse, mbasi dasmat janë të nuseve, dhe veprimet e tyre mbahen mend deri në vdekje.  Ajo u përpoq të largonte krahun prej tij. Ai zhurmëtar kishte qenë përherë. Ajo do të shkonte, nuk do të linte syrin xheloz t’a shigjetonte. Ajo nuk mundte, i ngjante vetja si zogu i vogël i pulës. Donte të bërtiste, por zëri i humbi në folësen e gjoksit.

Ai si t’ja kishte blerë mendimet, vështroi Retinën ngultas. Rubini me një lëvizje të vrullshme i shkoi krahun poshtë belit të nuses,  si të rrëmbente puhizën pranverore dhe gishtin e madh e futi poshtë kopsës së korsesë, pastaj bëri një rrotullim si fllad së bashku me të. Retinës i u morën mentë, ajo ishte e përhumbur, por njëherësh e përshkënditur, sepse zakonisht në dasma nuset janë epiqendra dhe njëkohësisht harresa e saj. Rubini me një shikim të shpejtë përfshiu gjithë gjendjen dhe përkuli me delikatesë trupin e Retinës si t’i jepte krahë fluturimit në valsin e  ëndrrave. Ai drejtoi trupin një copë herë, më pas u përkul lehtë, ngadalë. Koka e tij u drejtua drejt kokës të mbushur me lule të nuses, cepi i mustaqes së hollë lëvizi me vrull dhe me solemnitet i dhuroi nuses së tij puthje gjithë afsh sa që shkaktoi në sallë një psherëtimë të gjatë.

 

Nuk dashuroja as unë as ti

Por dashuronte dashuria….

 

I pëshpëriti Retinës në vesh. Rubini ishte vërtet Rubin i çmuar. Nuses i u morën mente, çfarë trille të çuditshme kishte burri i saj! Ai e mbante të shkëputur nga toka, si të ishte re e vogël pupëlore, në një qiell të pafund, të përmbytur nga vështrimet xheloze të femrave të botës, pastaj i a rrëmbeu buzët, si të ishin dy copëza qershie, duke i marrë frymën me puthjen legjendare, që u përfol në qytet për vite me rradhë.

Gjyshi Rubin duke mbajtur nusen në krahë e çoi në dhomën e çiftit të ri. Perdet ishin të ngritura dhe hëna ishte e plotë, e argjende, nazemadhe. Ai e lëshoi ngadalë, në shtratin e madh me dyshek të trashë me pendë shpendi dhe i pëshpëriti në vesh:

“-Hiqi teshat, zhvishu, shtojzovallja ime.”

Retina luajti kokën ngadalë dhe vështroi përreth e hutuar. Si të zhvishej, çfarë thoshte ky Rubin! Prapa derës përgjonin dasmorët, gjysmë të dehur, ndërsa perdet e dritareve ishin të hapura. Hëna atje përtej, në qiell u kishte ngulur sytë paturpësisht. Ajo ishte e plotë, gjithë shkëlqim hënor. Ai e tërhoqi ngadalë, butë nga vetja dhe i rrotulloi me kujdes kopsën e parë të fustanit të nusërisë dhe ajo u drodh.

“-Të lutem, mos,” -murmuriti ajo, – “hëna është përtej.”

“-Çfarë?!- ia pat Rubini me një drithërimë të lehtë në trup. Lëkura e bardhë e gruas së tij po e pështjellonte. Ç’punë kishte nusja e tij me një hënë të hutuar që qëndronte shumë lart në qiell,- “e pastaj, na qenka hëna përtej, ajo është qore.”

“-Nuk është qore hëna jo, shiko si t’a shkel syrin, të mbulohemi me kuvertë më mirë,” – pëshpëriti ajo dhe ngriti cepin e kuvertës me lule. –“do të jetë shumë mirë të zhvishem nën rroba dhe pastaj të flemë së bashku. Hë të lutem! Mirë?”

Rubini po ndjehej disi i paduruar. Ai ishte i ndezur, zjarr. Ai u ngrit me nxitim dhe tërhoqi perden e trashë me vrull. Dhoma u përmbyt nga errësira dhe ai ndezi dritën. Ndërkohë Retina kishte hequr fustanin, ajo e trembur mbuloi me nxitim trupin me cepin e kuvertës.

“-Mos,” – i a bëri ajo,-“të lutem mbylle dritën!”

“-Çfarë bën,” -i tha ai,- “ne jemi në dhomën tonë dhe është nata jonë e parë e shenjtë. Këtë natë gjumi është për të marrët, ndërsa dashuria është për të mençurit.”

“-Kam ndrojtje,”- murmuriti ajo.

“-Oh Retinë, ne tani jemi një trup. Hë de zhvishu, hiqi të linjtat, se po përvëlohem, po zhuritem si qiriu!”

“-Më beso, kam frikë Rubin, kam shumë frikë se mos gjesh ndonjë të metë në trupin tim dhe do të detyrohem të vras veten,”- pëshpëriti ajo. Nusja e re fërgëllonte si një lule në erë.

Ai buzëqeshi lehtë dhe përkëdheli butë flokët e saj.

“-Me të puthura do të vrasësh veten moj e mira ime?”- foli ai me zë të ulët.

Retina lëvizi kryet gjithë naze dhe vari buzët. Si t’i thoshte atij, tallu ti tallu, por nuk është e lehtë për një nuse kur i gjenden të meta në trup. Ai qeshi me të madhe dhe e puthi gjithë afsh në gushën e bardhë, ajo u shtriq. Retina ishte vërtet një nuse e vogël e paditur. Ai e puthi ngadalë në buzë, ajo u drodh, picërroi sytë, lëvizi qafën me nervozizëm të lehtë dhe shtrëngoi kuvertën në gjoks. Buzët e tij ishin të ngrohta, të njomura, provokuese, gjithë nektar dhe ajo dëshironte që të puthej akoma më tepër prej tij, por jo të zhvishej në dritë të plotë. Ai me delikatesë i a largoi kuvertën dhe kundroi gjithë dëshirë gjinjtë e saj të bardhë, të rrumbullakët, të pafajshëm. Ajo rrëzoi sytë përdhe, nisi të merrte frymë me vështirësi, si t’i pengohej diku brenda gjoksit të saj.

“-Më duket se kam gjinj të mëdhenj,”- foli ajo zë ulët si pëshpërimë, duke vënë duart në gjoks. Ai i a largoi duart me kujdes pa u mërzitur. Ajo nuk kundërshtoi.

“-Ke gjoks të vogël, të mrekullueshëm Retina ime, si dy korrka portokaj gjithë aromë. Më lër të thith aromën e tyre, të prehem aty e të ndjehem si në parajsë.” -Ai vendosi kokën e bukur në gjoksin e saj.

Ajo u skuq nga kënaqësia, ajo donte t’i thoshte mbi atë dyshimin e përhershëm. Sa gjokse të tjerë femrash kishe prekur ti, por nuk mundi. Ai nuk ishte i dhunshëm. Ai po i a ngacmonte lehtë thithkat e saj të vogla. Ai po luante me gjinjtë e saj dhe trupi po i bëhej mornica. Ajo i u lut përsëri që të futeshin ne shtrat, pastaj ai le të bënte çfarë të donte me të. Ai nuk i a prishi u futën së bashku në shtatin e madh dhe filluan të ngacmoheshin, të përkëdheleshin dhe të kërlesheshin si kurrë ndonjëherë…. Kur valët e epshit ishin shuar, ajo u ngrit nga shtrati dhe eci ngadalë drejt dritares, e zhveshur lakuriq, si një shtojzovalle. Vështroi jashtë, përtej dritares, në qiell, hëna ishte akoma aty, por dukej e zbehtë e lodhur, gati si e fikur. Rubini u rrotullua në krah, vështroi trupin e saj të mrekullueshëm, të zhveshur që lëpihej xhelozisht prej dritës së drithëshme të hënës. Ai i foli, e thirri zë ulët, të fillonin të bënin dashuri nga e para. Ajo u kthye, eci ngadalë në majat e gishtërinjve mbi qilimin e trashë. Ngjante si një statujë klasike, ajo u ndeh gjithë naze drejt tij, gjoksi i saj u var mbi të si fruta të dëshiruara. Ai zgjati duart  dhe i a shtrëngoi fort, ajo fërgëllonte e tëra.

“-T’a ndez dritën?”- i pëshpëriti ai.

“-Ndize!”-i foli ajo zë ulët.

Ai qeshi lehtë dhe e rrëmbeu vrullshëm në krahët e tij…

Ishte vërtet një dasmë e mrekullueshme, vera u derdh lumë dhe përmbyti syrin e keq, ndaj asnjë nuk u deh. Në përfundim të dasmës Cule Imoniku kërkoi të vriste veten, sepse nuk donte të vinte mëngjezi. Ai qante dhe lutej, le të mbetej në krahët e ëndrrës së dasmës. Ai ishte njeri pa njeri, këmbë shtrembër, kurriz dalë. Ishte hera e parë që ishte dasmor i respektuar, hëngri dhe piu si të gjithë dhe dikush e puthi në buzë, ishin buzë të mrekullueshme gjithë musht.

Ishte Rubini që e ngriti nga strofulla e tij ndërtuar në cepin e urës së Nedallëve me dërrasa të vjetra dhe kartonë.

“-Cule, të ftoj në dasmë,”- bërtiti Rubini.

“-Më lër Rubin të përtyp vetminë time, të dëgjoj drithërimën e urës dhe murmurimën e ujit të qilarëve”- i tha ai,- “më duket sikur jam pranë qendrës së botës, mbase dhe fundit të saj. E di Rubin, tek ky ujë i pakët i qilarëve zbrazen të gjitha  hallet, dertet, meritat dhe marrëzitë e njerëzve, prandaj u kërrusa dhe u shtrembërova kështu. Besomë mua nuk ka oqean t’i lajë dhe pastrojë.”

Rubini qeshi me të madhe,

“-Hajt, hajt, do të lahen të gjitha një ditë, besomë mua Cule! Kjo botë ka më shumë ujë se tokë,”  – i tha Rubini.

“- A thua?!”- Cule Imoniku  zgjati kokën nëpërmjet tufës së kartonëve. Koka e tij ngjante si një kaçube e vogël mbirë aksidentalisht anës rrugës dhe kartonët përqark tij si kumë rëre. Ai kërkëlliti qafën dhe shpatullat, pastaj u ngrit ngadalë-ngadalë me një dhembje të pa shpjeguar në fytyrë, si të ishte i lidhur me të gjitha rrënjët e pemëve të botës dhe nuk shkulej dot. Cule Imoniku  mbante erë dheu dhe lagështirë. Çdo mëngjes, ai vendoste kravatën tmerrësisht të zbardhur dhe këmishën me vija jashtëzakonisht të përdorur, për t’u bërë më i pashëm në rezet diellore të mëngjezit.

Rudini i lëshoi në dorë disa metalikë, i tha të shkonte të lahej në banjat publike dhe e ftoi në dasmën e tij.

“-Do të dhuroj një kravatë te bukur me lule dhe këmishë me vija kartë të reja,” – i tha.

“-Kështu po”- i a bëri Cule Imoniku,- “do të vij!”

“-Edhe një kostum do të dhuroj, fringo të ri, more Cule Imoniku,”-bërtiti Rubini teksa po largohej.

“- Do të marrosësh diellin dhe hënën a si! Do të vij, me një këmbë do të vij, në dasmën tende o Rubin magjistari, bollëk pastë përherë familja jote!”- i a bëri Cule  Imoniku.

Rubin qeshi me të madhe dhe e përshëndeti me dorë teksa largohej.

Vite më vonë Retinën e mundonte ndonjë tradhti e vrullshme, heshtur, e fshehur, gati aksidentalisht e Rubinit të saj nëpër natë, në nxitim e sipër, duke lënë diku kurmin erëmirë. Me siguri atij i a prisnin rrugën femrat sy dala, donin të rrëmbenin lodrat e rralla të tij.

Megjithatë ajo e priste zgjuar, gjunjë mbledhur në cep të dritares vetëm me këmishë nate. Ajo vështronte hënën që varej si drapër  në qiellin e errët, si të gjente në të gjurmët e tij. Retina merrte frymë e çliruar kur dëgjonte hapat e burrit të saj, në korridorin e shtruar me pllaka guri. Ajo kërcente si drenushe dhe vraponte nëpër shkallë për t’i dalë përpara.  Rubini i saj asnjëherë nuk dehej apo të dalldisej edhe pse atë e lakmonin femrat dhe donin të rrëmbenin margaritarë prej ballit të tij. Ajo asnjëherë nuk ndjeu erën e femrës së huaj në kurmin e tij, kur ngjishej si kotele mbas gjoksit leshtor, paçka se e mundonin xhelozitë e mjegullta. Femrat e nuhatin shumë shpejt tradhtinë e burrave.

Në ditën e tërmetit të madh, shumë vite më vonë, kur u shkatërrua gjysma e qytetit, gjyshit Rubin i u dërmua krahu i djathtë në përpjekje e sipër për të shpëtuar familjen nga rrënojat e shtëpisë. U detyrua t’a priste krahun deri në parakrah, mbasi kishte filluar t’i gangrenizohej. Rubini me shumë vështirësi krijoi me dru panje një dorë druri, të cilën e montonte vetën atëherë kur donte t’i binte kitarës sa për të mbajtur disa akorde edhe pse kjo gjë i shkaktonte dhimbje të padurueshme dhe gjak. Ai nuk ishte më kantautori i serenatave. Asnjë nuk kujtohej më për të. Kishin dalë të rinj që këndonin këngët e tij, por asnjëherë si ai. Ata donin të fshihej njëherë e përgjithmonë zëri i tij nga repertori i serenatave, edhe pse ai ishte krijuesi i tyre. Rubini nervozohej, sepse të rinjtë shpesh herë i përçudnonin këngët duke u bërë zgjatime të ndyra, që ngjanin si jargë qeni. Retina e vështronte sy dhembshur dhe qante pa zë. Ajo e kishte adhuruar gjatë gjithë jetës burrin e vet. Përçudnimi i tij, e torturonte Retinën më tepër se vetë Rubinin.

Rubini vdiq pesë vjet mbas gjymtimit të krahut, trupi i fortë e gjithë shëndet kishte filluar të tretej si qiriu, ishte bërë edhe me kurriz. Flokët kaçurrela i u zbardhën, i u rralluan dhe i u shtrinë si telat e kitarës. Ai i u kishte bërë ballë dy luftërave të mëdha, në det dhe në tokë dhe nuk kishte pësuar asnjë gërvishtje. Tërmeti i gjymtoi krahun, ai do të kishte preferuar një gjymtim tjetër si fjala vjen në këmbë a diku gjetkë, por jo në dorë. Kitara për të ishte si ajri që thithte…

Gjyshja Retinë duar dridhur  fshinte lotin me cepin e shamisë së zbardhëllyer. Ajo fuste dorën në gjirin e thatë dhe kërkonte në xhepin e brendshëm të fustanit të zi, prej andej nxirrte fotografinë e Rudinit bukurosh, por që fotografia ishte zbardhëllyer dhe dëmtuar nga përdorimi i vazhdueshëm.

Retina rrojti gjatë. Vdekja e  Rubinit e dërmoi, atë filluan t’a linin fuqitë dhe drita e syve. Unë e mbaja gjyshen nga krahu kur ngjitnim shkallët e përpjeta të rrugicës së Domit, duke e porositur që të kishte kujdes kur të vendoste këmbën në gurët e lëmuar të rrugës. Më mundonte një brengë e heshtur, se mbase nënokja vendoste  majën e këmbës në shkallët e pjerrëta dhe jo të gjithë shputën, kështu shkiste plaka e shkretë e dëmtonte krahët ose trupin e rrëgjuar në gurët e zinj të rrugës.

-Gjyshe,- e porosisja vazhdimisht,- bëj kujdes, vendosi shputat e këmbëve plotësisht në tokë, jo vetëm majat gjyshe, se ndryshe rrëzohesh,më dëgjon!

-Të dëgjoj biro, të dëgjoj, e ashtu-ashtu, por në pleqëri lëvizin gurët biro, jo këmbët!

Më besohej sikur gjyshja e urtë, trup pakët, flokë bardhë,  parapëlqente të vendoste majat e gishtërinjve të këmbëve sepse donte të merrte fluturimin.

Ajo  shpesh herë më thoshte për një fluturim të gjatë që kishte bërë dikur në rini, së bashku me Rubinin.  Ai një mbrëmje i pëshpëriti në vesh me zë të ulët: Retina, e ëmbla ime, shiko qiellin, yjet, hënën, të gjithë këto prej këtej nga toka duken tmerrësisht të largët, por nuk janë aq të huaj e të largët sa duken, duhet të mësohesh me to Retinë, qielli është më ndryshe aty lart dhe yjet janë shumë më ndryshe gjithashtu. Ajo e vështroi ngultas, për një moment besoi në një tjetërsim pak çmendurak të burrit të saj që gjithmonë kishte qenë ndryshe nga të tjerët.

Ai i afroi kokën pranë vetes së tij i përkëdheli flokët, e puthi lehtë në ballë, pastaj i foli me zë të ulët:

“-Retina mbylli sytë, mbështete kokën tek unë, ja këtu mbi gjoks. Mbushu me frymë fort, pastaj lëshoje, nxire ajrin ngadalë-ngadalë, si të jetë një puhizë. Më dëgjon Retinë? Flaki mendimet e lodhura, lere trurin dhe mendjen të çlodhen një copë herë! Më kupton se çfarë dua të them?”

Ajo luajti kokën ngadalë pa hapur sytë dhe mbështeti kokën në gjoksin e tij si një kotele, duke thithur me afsh erën e mrekullueshme të trupit të tij. Sa qejf i kanë femrat këto gjëra, i joshin tundimet e pambukta. Ajo nuk po kuptonte se çfarë po ndodhte! Asaj i pëlqenin lodrat me burrin e saj. Ai i pëshpëriti mbahu fort, shtrëngoi duart mbas qafës sime. Ajo sy mbyllur u ngjeth mbas trupit të tij.

Befas ajo ndjeu që u shkëputën ngadalë nga toka. Ajo u shtrëngua trembur mbas trupit të tij. Ajo po dridhej si purtekë.

“-Mos kij frikë,”- i pëshpëriti ai,- “qielli nuk është dhe aq i pabesë sa duket.”

Ata fare butë po ngriheshin drejt qiellit së bashku me natën. Ajo dëgjonte fëshfërimën e lehtë të erës  në veshë si një përshëndetje. Ai e mbante fort nga mezi dhe ajo e ndjente veten të lehtë si një flutur. Ajo donte të fliste, por ai përsëri i pëshpëriti:

“ -Hesht, mos fol Retinë, lere fluturimin të bëje udhën e vet! Nuset si t’i duhet me patjetër të shkojnë në lartësinë e reve, mbasi zemra jote është plot ajër dhe fllad, por tek thjeshtësia e rëndomtë është e vështirë t’a kuptosh këtë, ndaj shkëputu lëre zemrën të marrë udhë! Dëgjon Retinë! Me sa di unë,” vazhdonte t’i pëshpëriste Rubini gruas së tij, “edhe babai im u ngjit lart në qiell se bashku me nënën, natën e dasmës ose një natë mbas saj. Por atë natë kishin filluar shkreptimat, ata qëndruan diçka më gjatë se ç’duhet dhe gati do të ishin verbuar nga zjarret dhe flakët e qiellit. Ata panë shumë pranë çmendurinë e njerëzve dhe të kohës. Por ti mos e tremb, koha është e bukur dhe yjet janë ngado të shpërndarë. Ja, qëndro mbështetur tek unë dhe në qoftë se të flihet, fli!”

Ajo donte t’i thoshte si mund të fle kur ne jemi në qiell dhe shtëpitë më duken shumë të vogla si të vizatuar me qymyr dhe dritat e shtëpive, rrugëve, tmerrësisht të zbehta gati të mbytura nga terri. Sytë po i mbylleshin nga një napë e lehtë…

Sipas gojëdhënës kishin marrë fluturimin të herë pas hershëm të gjithë katragjyshërit dhe stërgjyshërit e mi së bashku me gratë e tyre. Nuk dihet saktësisht pikënisja, shkaqet, motivet,  mbasi gjithçka e ka mbuluar mjegulla e dendur e shekujve, erozionet e vazhdueshme, si dhe xhelozitë e marra. Vetëm dy raste kanë mundur t’u shpëtojnë rrebesheve të mëdha, veçse të mbështjella me mister dhe janë pothuajse të pabesueshme…

Një katragjysh i largët kreu fluturimin nga maja më e lartë e malit së bashku me kalin dhe Gjelinën, gruan e tij. Nuk dihen motivet përse duhet t’a realizonte shkëputjen kur duhej të tërhiqte pas vetes kalin  e bardhë dhe gruan, Gjelinën, kur në të njëjtën kohë ishte acar dhe binte vazhdimisht dëborë e trashë. Gojëdhëna thotë se ai ngriu në ajër, në kupë të qiellit, jo nga shiu i tmerrshëm i shigjetave të armiqve, apo nga moti i egër, se sa nga hutimi dhe xhelozia e të tijve. Ai më pas u tjetërsua në re dhe qëndroi në qiell për një kohë të gjatë.

Një tjetër paraardhës, që sipas radhës, të pemës gjenealogjike të familjes, mund të binte brezi i shtatë, quhej Bato. Ai realizoi fluturimin më të veçantë dhe ndoshta më tronditës. Ai, gjithnjë sipas legjendës, ishte ndodhur midis dy zjarresh, forcës goditëse të armiqve, të cilët hidhnin gjylet më të mëdha, ata aso kohe ishin fuqia më e madhe e botës, gjithashtu dhe meteorëve të zjarrtë që pritej të binin prej qiellit. Kërcimi dhe më pas fluturimi ishte kryer kur kish mbërritur momenti më ekstrem, pika maksimale e dy goditjeve të mëdha. Ndaj duhej që dikush të kryente sakrifikim, duhej të bëhej fluturimi dhe martirizimi sublim midis dy zjarreve më të mëdha të kohës, armikut të tokës dhe të qiellit, kur në të njëjtën kohë vetëm Bato e kishte këtë dhunti. Stërgjyshi im i shtatë, u shkëput nga toka së bashku me gruan dhe tërhoqi mbas vetes zjarret e mëdha, u bë njësh me meteorët ndryshoi drejtimin e goditjeve dhe humbi në qiell…

Gjyshes Retina iu duk sikur një erë e ftohtë, me grimca të vogla akulli po i spërkaste ballin, fytyrën dhe pastaj ajo ndjeu sikur trupi i saj po mbushej i gjithi me mornica, po i akullohej. Ajo kishte prekur retë shkumëbardha, shumë larg prej majave të larta të pemëve. Ajo donte të shikonte dhe yjet, pse jo edhe t’i prekte me dorë, por ato ishin edhe një herë më larg nga sa ajo pandehte. Ndoshta i kishte veshur dielli me reflekse dhe mister dhe yjet vallëzonin përreth saj si diamante të mëdhenj përgjatë gjerdanit të diellit. Ndërsa hëna ishte krejt ndryshe, jo aq e mrekullueshme siç duket nga toka, ajo ishte e vogël, e ngrënë me gropa të vogla e të mëdha. Ajo bridhte e hutuar si një kosore lënë aty në qiell dhe nuk gjente dot asnjë vend ku të varej në çengel. Eh, mor bir i gjyshes eh, ashtu-kështu, nuk beson mileti në fluturimin! Ata nuk kanë faj ngaqë janë të paditur, të pa bredhur, po ç’faj kam unë, pastaj çfarë të them tjetër unë plaka. Atëherë bota më ishte dukur e mahnitshme, por jashtëzakonisht e vogël. Tani unë plakem rrëgjohem dhe bota duket tmerrësisht e madhe…

Babai, Deli nuk ishte shtat lartë si i ati, ai kishte ngjarë nga nëna, Retina. Ai ishte trup mesatar dhe disi më i përmbajtur, nuk kishte zë të bukur, por telat e kitarës lodronin në duart e tij dhe të gjithë zogjtë e pyllit fluturonin prej dritares së kasës së kitarës dhe përhapeshin anembanë. Ai ishte njeri zemërbardhë dhe trishtohej nga vuajtjet e të tjerëve, në dhimbje e sipër ndodhte që dehej dhe bënte rrush e kumbulla të gjitha paratë, duke gostitur të gjithë shokët e miqtë, bile edhe të panjohurit që ndodheshin rastësisht rreth tij.

Babai dhe nëna nuk më kishin folur asnjëherë për fluturime. Ndoshta ngaqë babai ngjante më shumë nga fisi i gjyshes Retinë dhe mbase e kishte të pamundur shkëputjen nga toka. Ose nuk kishin shkuar dhe shaluar akoma vitet e plakjes ku fantazia merr udhë drejt të paqenës…

Babai nuk bëri dasmë të bujshme si gjyshi Rubin, kishte qenë një dasmë e thjeshtë, e ngushtë, mbasi luftërat, sëmundjet dhe tërmeti i dytë kishin dëmtuar rëndë ekonominë e qytetit, kishin shkatërruar pazarin, kishin humbur shumë jetë njerëzisht, të afërm, qytetarët ishin të mpakur nga goditjet e vazhdueshme dhe sa herë merrnin veten, mëkëmbeshin disi nga goditje e parë, befas vinte goditja e dytë më e rëndë se e para. Sido që banoret e qytetit ishin të lodhur nga dëmet e mëdha, fëmijët rriteshin shumë shpejt dhe nuk mund të ngeleshin pa martuar.

Babai i merrte gjërat shtruar pa zulmë dhe bujë, ai asnjëherë nuk kishte qenë i lakmuari i femrave. Ndoshta ishte më shumë i lakmuari i pijetarëve. Sepse i binte kitarës për qejf të tyre pa përtuar deri në agim.

Babai nuk mori orkestër. Lame Shëllira  daullexhiu kishte përvëluar të dy këmbët  në punishten e kërqellës. Babai i ra vetë kitarës dhe hëngri dhe piu me miqtë. Nëna nuk veshi fustan të bardhë, por një fustan të thjeshtë basme. Babai i dhuroi një gjerdan me trëndafila të freskët shumë ngjyrësh dhe një këngë të re. Vera ishte e pakët por uji i burimit ishte i kulluar. Në prag të mëngjesit një mik i tij nga fshati Boricë solli raki kumbulle të zierë dy herë. Babai lajmëroi gjithë pijetarët e sprovuar të qytetit të cilët prunë gjizë të freskët dhie dhe dyshemeja u njom nga rakia.

Gjyshja Retinë doli një copë herë jashtë për të kërkuar Rubinin, shpirtin e tij dhe biseduar me të. Ishte dasma e djalit të tyre, pastaj të fluturonte si dikur me të, në netët me hënë, por pijetarët ishin qejflinj dhe zhurmëtarë  të mëdhenj, rakia e kumbullës e zierë dy herë prej fshati Boricë ishe krye pija e botës moderne.

Vite më vonë daullexhiu Lame Shëllira ishte ftuar në një dasmë çobani, por ai nuk ishte vetëm i ftuar, ai ishte dhe babai i nuses. Një mëngjes vjeshte vajza e tij ishte rrëmbyer a kishte shkuar dreqi e di se ku, së bashku me një familje të madhe çobane dhe tufën e tyre të bagëtive në ditën e qumështit, në luadhin e drerit dhe aty ajo dashuroi  djalin e vogël të çobanit, ajo donte të bëhej një qumështore e mirë. Lame Shëllira i kërkoi babait të shkonte me të, së bashku me kitarën. Marazi i tij ishte akoma në grykë të shishes, le të këndonin më mirë se sa goditeshin me grushte, të gjakoseshin, të bënin sherr. Vërtet ashtu ndodhi, ata kënduan dhe pinë deri në mëngjez, por vetëm me dy ndryshime të vogla, vajza e Lame Shëllirës ishte bërë shumë shpejt qumështore, i ishte rrumbullakosur barku dhe djali i vogël i çobanit, dhëndri, ishte pa xhaketë në mot të ftohtë. Ai mbante vetëm një këmishë të irnosur dhe kopsa e parë e këmishës ishte gati në të këputur.

“-Dhëndër koti,” – pëshpëriti Lame Shëllira,- “me këmishë zgjyrë që qelbet erë shëllirë. Djalli shëllira m’a kripori vajzën.”

Ai heshti një hop gati i hutuar dhe lëvizi qafën e trashë mbi jakë gjithë bezdi dhe mërmëriti nëpër dhëmbë.

“- Kush dreqin i a ngjiti familjes tonë mbiemrin e shpifur “shëllira” , kur këta dreqër qelben vërtet shëllirë të ndyrë.”

Babai hoqi xhaketën e re prej trupit  edhe pse ishte nëntor i ftohtë dhe i a fali dhëndrit, të cilit disa hajdutë çapaçulë në një pritë aksidentale i kishin vjedhur kostumin e shajaktë. Siç u sqarua më vonë e vërteta ishte ndryshe. Çobani dhëndër e kishte lënë kostumin e shajaktë në kumar, në udhëtim e sipër  drejt dasmës së tij me dy oxhak fshirës, dashamirësit më shembullorë të rakisë së koçimares. Të tre u gjendën rastësisht nën mjegullën e dendur të klubit Rrëmuja, në rrugën e shurdhëve, aty ku dikur bashkoheshin shurdhët e memecët në pritje të një dite të re.

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: degjo floriri im, f, Kristaq Turagment romanirtulli

Rubrika e Diellit:KU GJENDET DAMASTIONI ILIR

October 15, 2013 by dgreca

Nga Nelson CABEJ/ NJ, SHBA/ 

Damastioni ka qënë një qytet ilir që përmendet nga Straboni (63 p.e.s.- 26 të e.s.) në fillim të erës së re, në një kontekst të tillë:

“Mbi Epidamnin dhe Apolloninë, deri në malet Keraune banojnë bilinët, taulantët, partinët dhe brigët. Diku aty afër gjënden minierat e argjëndit të Damastiumit, rreth të cilave kanë vendosur sundimin e tyre dyestët dhe enkelejtë (që quhen edhe sesaretë) dhe afër këtyre popujve janë edhe linkestët, territori i Deriopit, Tripoliti pelagonian, eordët, Elimea dhe Eratyra”1 Përshkrimi i hollësishëm i fiseve që banonin rreth Damastionit, tregon se Straboni e njihte relativisht mirë lokalizimin e këtij qyteti ilir.

Damastioni ishte i njohur në botën e lashtësisë për minierën e argjëndit dhe për monedhat e argjendit që priste ky qytet si dhe qyteti fqinj Pelagia për një periudhë që zgjati deri nga shekulli IV p.e.s. Monedhat e argjendit me stampën Damastinon (ΔΑΜΑΣΤΙΝΩΝ) janë gjetur në territore shumë të gjera të Ballkanit (Shqipëri, Sërbi, Greqi, Maqedoni, Bullgari e, në veri, deri në Trieste). Nuk dimë që në burimet e lashta ky qytet të jetë përmendur në ndonjë kontekst tjetër të zhvillimeve politike, shoqërore ose kulturore të Ilirisë së jugut.

Në shekullin XIX u bënë përpjekjet e para për ta lokalizuar këtë qytet të lashtë. Në vitin 1874 numismati zviceran Friedrich Imhof-Blumer (1838–1920) parashtroi hamëndjen se ky qytet mund gjëndej në fshatin Damës të Tepelenës, me sa duket duke u mbështetur  kryesisht në ngjashmërinë e vëndemrit të lashtë me emrin e fshatit Damës. Kjo hamëndje u vu në dyshim nga Philippson në vitin 1900 sepse, sipas tij “sot nuk njihen vëndburime argjëndi në ndonjë pjesë të  Ilirisë jugore ose të Epirit”, andaj ai e lokalizon atë në Argyrium (Gjirokastër) duke u bazuar kryesisht ne lidhjen e emrit të këtij qyteti me fjalën argjënd. Historiani çek Konstantin Jireçek, në një studim që botoi në vitin 1916, shprehu mendimin se Damastioni mund të gjëndet në Dibrën e sotme.

Mungesa e vendburimeve të argjëndit në Ilirinë e jugut bëri që vëmëndja e studiuesve të drejtohet ndaj atyre rajoneve që dihet se kanë vëndburime argjëndi. Kështu, studiesi nga Kosova, Zef Mirdita, në një studim të botuar në 1981 e lokalizoi Damastionin në territorin e Dardanisë e këtij opinioni i përmbahen edhe hartuesit e Fjalori Enciklopedik Shqiptar në zërin ‘Damastion’2. Kohët e fundit (2007) studiuesi sërb Popović e ka lokalizuar atë në Sërbinë juglindore, që banohej në lashtësi nga nënfisi agrian i fisit ilir të peonëve3.

Lidhur me hamëndjen e parë të lokalizimit të Damastionit në Damës të Tepelenës, duhet thënë se atë e bën të pabesueshme jo vetëm mungesa aty e vëndburimeve të  argjëndit më shumë se sa fakti që as enkelejtë, as linkestët, as pelagonët nuk kanë qënë afër këtij rajoni në lashtësi.

Edhe hamëndja e lokalizimit të Damastionit në Dardani dhe në Kale Krsevica të Sërbisë është po kaq e pabesueshme, për arsye se gjeografikisht është shumë larg fiseve që, sipas Strabonit banonin në afërsi të Damastionit.

Ka historianë që besojnë se një nga arsyet e themelimit të kolonive greke në Epir kanë qënë minierat e argjëndit të Damastionit. Kështu, në shekullin VII p.e.s. tirani i dytë i Korinthit, Periandri (c. 628–588) “themeloi kolonitë korinthiane në bregdetin e Epirit për të vënë nën kontroll minierat e argjëndit të Damastionit … mund të ketë qënë argjëndi i Damastionit që e lejoi Korinthin të priste monedha”4. Kundër lokalizimit të Damastionit në Dardani flet edhe fakti që në Damastion u prenë monedha argjëndi deri ne shekullin IV p.e.s., kurse jeta qytetare në Dardani ka filluar jo më parë se shekulli III p.e.s.

Çdo hamëndje e besueshme për lokalizimin e këtij qyteti ilir duhet të mbajë parasysh tre kritere:

a. Një kriter historik, d.m.th. të përputhet me të dhënat e hollësishme të Strabonit  për lokalizimin e tij,

b. Një kriter gjuhësor, d.m.th të gjëndet nje vendemër i sotëm që ruan, sigurisht në një formë të evoluar, rrënjën e  vendemrit Damastion, dhe

c. Një kriter gjeologjik, d.m.th. të mund të provohet se në afërsi të qytetit ka pasur në atë kohë miniera/minerale argjëndi.

Nga pasazhi i Strabonit, që sollëm në fillim të këtij shkrimi, del se ky qytet u përkiste dyestëve dhe/ose enkelejve/desaretëve. Ndërkohë që fisi i dyestëve nuk del në ndonjë burim tjetër të njohur të lashtësisë dhe për lokalizimin e tyre nuk mund të flitet me siguri, fiset fqinjë të tij si linkestët dhe eordejtë, që përmënd ai, gjënden rreth liqenve të Prespës dhe Ohrit. Kjo kërkon që ta drejtojmë vëmëndjen nga ai rajon i Ilirisë së jugut.

Duke shqyrtuar të dhënat e mësipërme del se në perëndim të Damastionit  gjëndeshin taulantët, partinët dhe brigët kurse në lindje të tij ishin linkestët paionët dhe eordejtë. Këto të dhëna historike e ngushtojne mjaft zonën ku duhet ta kërkojmë Damastionin: në zonën në perëndim të liqenit të Ohrit.

Pikërisht në këtë zonë të ngushtë gjëndet një vëndemër që plotëson jo vetëm kriterin gjeografik por dhe kriterin gjuhësor të lokalizimit të Damastionit. Ky vëndemër është Domosdova që njihet kryesisht me emrin Fusha e Domosdovës, e  njohur veçanërisht nga beteja e madhe që mendohet se prijsi i madh i shqiptarëve, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu me ushtrinë e tij zhvilloi kundër ushtrive turke në vitin 1444. Vëndemri Fusha e Domosdovës menjëherë të kujton emrin e Damastionit dhe përmban të plotë rrënjen e atij vendemri ilir. Kështu, ky vëndemër plotëson si kriterin gjeografik (bazuar në të dhënat e Strabonit) dhe kriterin gjuhësor (ai përmban thuajse të pandryshuar rrënjën ilire të vëndemrit Damast-).

Megjithatë, fakti që sot në atë rajon nuk ka miniera argjëndi duket sikur flet kundër hamëndjes së lokalizimit të Damastionit në fushën e Domosdovës ose diku afër saj. Por, kjo vështirësi nuk është e pakapërcyeshme, po të mbahet parasysh se shumë miniera argjëndi që do të shfrytëzoheshin aq herët, qysh në agimin e jetës qytetare në Iliri, nga shekulli VI p.e.s., do të shteronin me kohë. Veç kësaj, historianë të huaj njoftojnë, por pa dhwnw burimin) se rajoni kufitar shqiptaro-maqedon në afërsi të liqenit të Ohrit ishte i njohur në lashtësi për minierat e tij të pasura të argjendit5.

Në të mirë të hamëndjes sonë flet edhe një tregues tërthor por elokuent, që është ekzistenca ekzistenca ende sot në atë rajon e mineralit të nikel-kobaltit, që shumë herë përmban edhe argjënd.

Një etimologji popullore e ka lidhur prejardhjen e vëndemrit Domosdovë me  fjalën turke domuz, që do të thotë derr. Sado afërmëndsh që të duket, një etimologjizim i tillë nuk mund tu bëjë dot ballë disa kritikave.

Së pari, në qoftë se ky vëndemër do të ndahej në dy përbërës: domus dhe dova, ky përbërësi i dytë dova nuk do të mund të shpjegohej as me turqishten as me shqipen as me ndonjë nga gjuhët e sotme ose të lashta të popujve fqinjë ballkanikë.

Së dyti, në qoftë se, ashtu siç mund të jetë në të vërtetë, në atë përbërës do të dallonim mbaresën sllave –ova, mbetet e pashpjeguar futja e d-së midis dy përbërësve.

Së treti, është e pabesueshme që, në troje shqiptare, një vëndemër turk, d.m.th. i futur kaq vonë, pas shekullit XV të mirrte mbaresën sllave –ova.

Hedhja poshtë e këtij etimologjizimi popullor, në mënyrë të natyrshme na bën ta kërkojmë futjen e mbaresës sllave –ova në epoka më të hershme, si rrjedhim i ndikimeve administrative, fetare e kulturore të sundimit bullgar (shekujt IX – XI) ose të sundimit sërb (shekujt XIII-XIV). Le të mos harojmë se një qytet arbëror si Ohri, që ishte në afërsi të drejtpërdrejtë me Domosdovën, ka qënë edhe kryeqytet dhe kryeqendra fetare e perandorisë bullgare.

Një shqyrtim gjuhësor tregon se rrënja domosd- e vëndemrit Domosdovë përputhet fare mirë me atë të Damastionit dhe shndërrimet a > o dhe  d > t në pozicionet përkatëse kanë ndodhur në pajtim me ligjet fonetike të shqipes.

Duke u mbështetur në topografinë e krahinës, ne mund të arrijmë në përfundimin hipotetik se Damastioni ilir ka qënë aty ku ndodhen sot rrënojat e një qyteze të lashtë ilire të shekullit VII p.e.s. në fshatin Rrajcë (gjetjet më të hershme në këtë rajon i takojnë neolitit) të rrethit të Librazhdit.

Jeta në Damastion, si dhe në shumë qytete të tjera ilire, mund të jetë shuar në lashtësinë e vonë, si pasojë e dyndjeve barbare dhe kjo mund të ketë bërë që emri i qytetit të fshihej nga vetëdija historike e banorëve të rajonit. Por ka arsye të mjaftueshme për të besuar se emri dhe kujtimi i qytetit u përjetësuan në një monument gjuhësor, në emrin që i dhanë banorët e asaj ane fushës që shtrihej në këmbët e Damastionit, fushës që sot e njohim si Fusha e Domosdovës.

 

 

 

 

Referimet

 

1. Strabo, Geography, Libri VII, 7: “τῆς γὰρ Ἐπιδάμνου καὶ τῆς Ἀπολλωνίας μέχρι τῶν Κεραυνίων ὑπεροικοῦσι Βυλλίονές τε καὶ Ταυλάντιοι καὶ Παρθῖνοι καὶ Βρῦγοι: πλησίον δέ που καὶ τὰ ἀργυρεῖα τὰ ἐν Δαμαστίῳ, περὶ ἃ Δυέσται συνεστήσαντο τὴν δυναστείαν καὶ Ἐγχέλειοι, οὓς καὶ Σεσαρηθίους καλοῦσι: πρὸς δὲ τούτοις Λυγκῆσταί τε καὶ ἡ Δευρίοπος καὶ ἡ τρίπολις Πελαγονία καὶ Ἐορδοὶ καὶ Ἐλίμεια καὶ Ἐράτυρα.”.

2. Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985). Akademia e Shkencave e RPSSH, Tiranë.

3. Popović, P. (2007). Numismatic finds of the 4th-3rd centuries BC from Kale at Krševica (southeastern Serbia).  Arheološki vestnik 58,  411-417.

4. The Solonian Reform. Internet:

http://www.metrum.org/measures/solonian.htm: “established colonies on the coast of Epiros in order to obtain control of the silver mines of Damastion. … it may have been the silver of Damastion that allowed Corinth to strike coins”

5. Cabanes P. (2008). Greek Colonisation in the Adriatic f. 155-185 (170). Në Greek Colonisation – An account of Greek colonies and other settlements overseas II, Red. G.R. Tsetskhladze, Brill, Leiden-Boston.The Albanian-Macedonian border region, in the vicinity  of Lake Ohrid, was known in antiquity for its rich silver mines; the  growth of rich princely families, marked by contacts with the Aegean world. The name of Damastion was associated in the 4th  century B.C. with good quality silver minting. Corinth was able to mint fine silver coins from very early on, but it could not extract the silver essential for this from its own territory. Finally, it serves to recall that Strabo (7. 7. 8) reports that the king of the Lyncestians was a member of the Bacchiad family from Corinth, which might lead one to believe that the mines were exploited for profit by this Greek metropolis before money was minted in the city of Damastion.

Filed Under: Kulture Tagged With: Damstioni Ilir, Ku gjendet, rubrika e Diellit

PAKUJDESI FYESE NE MJEDISIN KULTUROR SHQIPTAR

October 13, 2013 by dgreca

Alice Munro ka ardhur prej Betim Muços. Prej tij janë përkthyer dy libra, tregime të Munro: “Virgjëresha shqiptare” -nga shtepia botuese “Mësonjëtorja”, 1998. Me pas vijoi permbledhja nga shtepia botuese “Ideart”, 2005). Librin tjeter te Munro, “Sekrete të hapura” e ka përkthyer serish poeti dhe prozatori Betim Muço (SHBA, Equinoxes, 2007). /

Nga Faruk MYRTAJ/ Toronto/

Vihet re nje pakujdesi fyese ne mjedisin kulturor shqiptar. Kur lajmi vjen i pasakte edhe nga nje agjensi shtetrore lajmesh, sic eshte ATSH per mjedisin shqiptar, shqetesimi behet i ububushem…

Sekush shkroi se Pirro Dollani eshte sjellesi i pare – ne mos i vetmi!- i Alice Munro ne shqip, dhe pas “hedhjes se ketij guri ne kete pus me uje te ndenjur prej pa-levizjes, mosleximit, izolimit brenda vetes, motos lindore “aq sa dijme, eshte mjaft”, duket sikur te gjithe perserisim te njejten shprehje. Qe nuk eshte fare e vertete.

Pirro Dollani mbetet kontribues i njohur dhe eshte padyshim e vertete se e ka sjelle edhe ai Munro-ne me pas, por jo i pari dhe as i vetmi. Mbase edhe me Pirron keshtu u sollen qe edhe ai mbeti ca i zhgenjyer prej jehones se shkurter prej perkthimit te Sezonit te Kafe-ve te Kadarese ne USA, gje qe s’kish lidhje me vete ate.

Qe te jemi korrekt e te drejte me te gjithe, do duhet kujtuar se në gjuhën shqipe Alice Munro ka ardhur prej Betim Muços. Prej tij janë përkthyer dy libra, tregime të Munro: “Virgjëresha shqiptare” -nga shtepia botuese “Mësonjëtorja”, 1998. Me pas vijoi permbledhja nga shtepia botuese “Ideart”, 2005). Librin tjeter te Munro, “Sekrete të hapura” e ka përkthyer serish poeti dhe prozatori Betim Muço (SHBA, Equinoxes, 2007).

Kjo nuk e cenon prurjen e Dollanit, por kur bje hera te flitet per kontaktet e shqipes me boten, do duhej te ishim sa me correct dhe serioz: me te huajt por edhe me veten. Mes vetes, me shume akoma, se shqipja eshte pasur dhe pasuruar prej shqiptareve me shume, dhe lexuar prej tyre!

Meqe keto nxitime dukjesh ndodhin vec tani qe Munro kurorezohet me Nobelin, eshte hjesht nje ngut qe nuk cenon dot as Muçon, as Dollanin, por respektin tone ndaj punes se perkthimit dhe qendrimit ndaj vlerave.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Betim Muco, Faruk myrto, Munro, ne mjedisin kulturor, pakujdesi fyese, Pirro Dollani, shqiptar

“PËRJETË ME SHEFIKUN”, LIBËR NGA URTI OSMANI, NË KUJTIM TË BASHKËSHORTIT

October 12, 2013 by dgreca

Nga: Prof. dr. Pajtim BEJTJA/

Në përvjetorin e parë të ndarjes nga jeta të mësuesit të merituar, prof. dr. Shefik Osmanit, bashkëshortja e tij, Mësuesja e Popullit Urti Osmani, e njohur, veç të tjerash, edhe përmes mjaft botimeve shkollore, ndryshe nga më parë, doli para lexuesve me një libër me kujtime për të. “Shefikut, –shkruan ajo në kushtimin e librit, – bashkëshortit tim të paharruar, me mirënjohje të thellë, për kujdesin e jashtëzakonshëm, që ka treguar dhe për dashurinë e pakufishme, që më ka dhuruar”.

Për të shkruar librin ajo ka pasur shtytjen ngulmuese të miqve të saj e të Shefikut, por natyrisht edhe një dëshirë të vetën, veçse hezitonte, “sepse hartimi i një libri me kujtime nuk është i njëjtë me atë të një teksti mësimor“. Kur vendosi t’i hidhte në letër kujtimet e saj, ajo shprehej e merakosur dhe e mallëngjyer: “Vallë, a do të mundem unë, që t’i shkruaj të sakta dhe ashtu si duhet e si e meriton, kujtimet e mia të një jete, me Shefikun e shtrenjtë?”.

Në fakt, Urtia e ka pasur edhe të lehtë, edhe të vështirë për ta bërë këtë. E ka pasur të lehtë, sepse për një jetë bashkëshortore mbi pesëdhjetëvjeçare, të ngjeshur me përjetime dhe me një veprimtari të përbashkët intelektuale e krijuese, ke ç’të kujtosh, ke ç’të shkruash. Veç kësaj, asaj i vinin në ndihmë edhe botimet e Shefikut dhe shkrimet e të tjerëve për të, si dhe mjaft letra, shënime, dorëshkrime dhe ditarë të tij, të gjetura në kohën që merrej me hartimin e librit. Por Urtia e ka pasur edhe të vështirë për ta shkruar librin, sepse i duhej të mobilizohej mendërisht e shpirtërisht për të plotësuar detyrimin moral dhe shpirtëror që ndiente, ndërkohë që ngjarja dhembjeprurëse ishte ende e freskët.

Pas një pune disamujore, këmbëngulëse e të pasionuar, duke shfrytëzuar dhe seleksionuar të gjitha burimet e mundshme, arriti ta përfundonte në kohën e duhur librin. E ka shkruar atë me dashuri, me sinqeritet dhe me dhembje të thellë, duke e pasqyruar me vërtetësi figurën poliedrike të Shefikut, në tërësinë e dimensioneve të saj. Na ka dhënë kështu, siç shkruan prof. dr. Tomor Osmani, “portretin e një personaliteti të devotshëm, me vlera të veçanta dhe me kontribute shumë të rëndësishme, kryesisht në fushën e arsimit tonë kombëtar“.

Libri është ndërtuar sipas një strukture të menduar mirë. Hyrjen e tij e ka shkruar prof. dr. Tomor Osmani,”Mjeshtër i Madh”, pedagog në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës. Ndër të tjera, ai ka vënë në dukje se “Urtia është ndalur në ato momente që nuk janë pasqyruar në ndonjë botim kushtuar Shefik Osmanit. Këtë veprimtari të bashkëshortit nuk e ka parë thjesht në rrafsh personal, por e ka lidhur me gjithë zhvillimin e arsimit në gjithë trojet shqiptare, por edhe në diasporë“. Më tej, pas parathënies së autores, vijojnë 7 krerë, të shkruar me një stil lakonik e me një gjuhë të thjeshtë e pa stërhollime, po me ngrohtësi dhe me ndjenjë të pastër, me kujdesin për të qenë e saktë dhe korrekte në ato që shkruan.

Dy krerët e parë, “Njohja dhe mbresa nga jeta bashkëshortore” dhe “Ngjarje të shënuara”, që zënë një të tretën e librit prej afro 300 faqesh, autorja ua ka kushtuar kryesisht jetës intime bashkëshortore (njohjes, lidhjeve, fejesës, martesës, prejardhjes etj.), jetës arsimore e pedagogjike në Shkodër e në Tiranë etj., si dhe disa ngjarjeve që kanë vënë në dukje aftësitë e spikatura të Shefikut si metodist dhe si organizator e drejtues, të shfaqura qysh në fillimet e veprimtarisë së tij.

Vendin kryesor në libër e zë kreu i tretë, ku pasqyrohet gjerësisht “Veprimtaria shkencore e atdhetare e Shefikut”, duke filluar nga puna që ai kreu në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor dhe në Institutin e Studimeve Pedagogjike. Vend me rëndësi në këtë krye zë përshkrimi i veprimtarisë së tij në diasporë, me synimin atdhetar që asnjë fëmijë i imigracionit shqiptar të mos mbesë pa mësuar gjuhën shqipe dhe pa u shkolluar në gjuhën amtare. Autorja ka paraqitur të dhëna konkrete për ndihmesën e Shefikut në shkollat shqipe të mësimit plotësues në Zvicër, Suedi, Gjermani etj., përmes punës së drejtpërdrejtë në to dhe botimeve të posaçme në ndihmë të nxënësve të këtyre shkollave. Ajo ka pasqyruar edhe rolin e rëndësishëm që ka luajtur Shefiku në seminaret me mësuesit dhe veprimtarët e këtyre shkollave, të organizuara në Prishtinë, Prizren, Durrës etj. Në paraqitjen e këtyre veprimtarive autorja i është referuar kryesisht periudhës pas vitit 2004, periudhë e shkurtër, por që siç thotë ajo, “e ngjeshur me veprimtari dhe krijimtari, ashtu si e gjithë jeta e tij“. Ajo nuk ka synuar ta pasqyrojë në mënyrë të plotë gjithë veprimtarinë e Shefikut në shërbim të arsimit tonë kombëtar, gjë që nuk mund të realizohet brenda një libri me kujtime.

Udhëtimet e shumta në vende të ndryshme të botës (si në Itali, Gjermani, Holandë, Zvicër, Iran, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në Arabinë Saudite), gjatë një periudhe 17-vjeçare (1991-2008), për t’i dhënë shtysë mësimit të gjuhës shqipe nga fëmijët e imigrantëve, apo për probleme të ndryshme arsimore e botime janë paraqitur më hollësisht në kreun e katërt, “Shënime dhe mbresa nga udhëtimet”. Dëshmitare e këtyre udhëtimeve dhe veprimtarive ka qenë vetë Urtia, si bashkëpunëtore në botimet dhe si shoqëruese në shumicën e udhëtimeve.

Prof. dr. Shefik Osmani është njëri prej didaktikanëve më në zë të arsimit fillor shqiptar. Ndër të tjera, ai është autor i rreth 40 librave me karakter mësimor, metodik e historik, si dhe i  qindra shkrimeve në gazeta e revista shkencore dhe kulturore, të shkruara në periudhën 1940-2011. Kjo veprimtari krijuese si dhe, në përgjithësi, veprimtaria e përkushtuar atdhetare, arsimore e pedagogjike e Shefikut, është çmuar, vlerësuar e nderuar me dekorata e tituj, si dhe me kushtime (dedikime) nga personalitete të arsimit e të kulturës, kolegë e miq të tij, që janë paraqitur nga autorja në kreun e pestë, “Vlerësime, dekorime dhe dedikime”. Më të rëndësishme prej tyre janë “Çmimi i Republikës” i shkallës së tretë, për “Fjalorin Pedagogjik Shqiptar” (1984); titulli “Mësues i merituar”(1989) dhe titulli “Drejtues kërkimesh (Profesor)”(1995).

I shkurtër, por mjaft mbresëlënës është kreu i gjashtë i librit, i titulluar “Vetmia, nuk kapërdihet”. Është një përsiatje dhe një rrëfim i sinqertë e i hapur  i autores për ndjenjat që ajo ka provuar pas shuarjes së njeriut të saj më të dashur, është një “bisedë” në mungesë me të, me bashkëshortin dhe bashkëpunëtorin e një jete të tërë. Një marrëdhënie kjo që e ka karakterizuar shkëlqyeshëm prof. dr. Vehbi Hoti në monografinë kushtuar Mësuesit të Popullit Ethem Osmani, babait të Shefikut: “Urtia u bë shoqe e jetës, e punës dhe e krijimit e Shefikut. Një çift bashkëshortësh për t’u pasur zili, kudo e kurdoherë bashkë..”. Është mjaft prekës shqetësimi i madh i Shefikut se kujt mund t’ia linte kujdestarinë e Urtisë. “Kujt do t’ia lë unë Urtinë?”, shprehej ai dhe “A mund të kujdesesh për Urtinë?“, i drejtohej kohët e fundit ndonjë të njohuri.

Duke bërë një përmbledhje të jetës, të veprimtarisë dhe të krijimtarisë së Shefikut, Urtia, si bashkëshorte e tij, nuk ka si të mos ndjehet krenare për tiparet e larta njerëzore që e karakterizonin atë, për gjithçka që ai bëri në shërbim të arsimit tonë kombëtar, për gjurmët që ka lënë…

Një gjetje interesante përbën kreu i shtatë i librit, “Ligjërata përmes fotografive“, ku përmes fotografive janë pasqyruar pjesëmarrje dhe ligjërata të  Shefikut në veprimtari brenda dhe jashtë vendit. Duhet theksuar se fotografi shprehëse e domethënëse përfshihen edhe në pjesët e tjera të librit, me synimin për ta pasqyruar më bukur jetën e tij dhe për t’i paraqitur më të gjalla veprimtaritë dhe ngjarjet e përjetuara.

Libri në fjalë mbyllet me paraqitjen e disa veprave të Shefikut përmes kopertinave të tyre dhe me bibliografinë e përdorur për këtë botim.

“Përjetë me Shefikun”, është libër që lexohet me interes dhe kureshtje edhe nga ata që e kanë njohur nga afër apo që kanë bashkëpunuar me Shefikun, madje edhe nga ata që kanë shkruar për të. Kjo falë punës së përkushtuar të autores, e cila meriton përgëzime dhe lavdërime, ngaqë ka ditur ta portretizojë në mënyrë bindëse dhe tërheqëse Shefikun, “tamam ashtu siç ka qenë“, duke ndriçuar edhe tipare apo momente të jetës e të veprimtarisë së tij, pak të njohura apo të panjohura më parë.

 

Tiranë, më 12 tetor 2013

( E dërgoi për publikim, prof. Murat Gecaj )

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Pajjete me Shefkiun, per, Urti Osmanitim Bejtja

Zbulesa…“Nën petkun e vdekjes”

October 12, 2013 by dgreca

Lirikja dhe Psikikja në vargjet poetike të poetes e psikologes –Genta KALOCI/

Shkruar nga-Raimonda MOISIU/

Poetët janë  shprehës dhe emërtuesë të emocionit të fortë, që shpërthen nga  bukuria  e psikikes, njerëzores e shpirtit artistik. Poetët e  vështrojnë botën jo nga fasadat e pikturuara e të  stolisura me gjithfarë ngjyrash, ata janë krijuesit e  universit të intimitetit të bukurisë shpirtërore e verdiktit për  vazhdimësinë e njerëzores. Poetët  janë  Sovranë të  heshtur e modestë.  Liria dhe përjetësimi i dialogut me veten e botën që e rrethon, -mes brengës e mallit, nostalgjisë e kujtimit, urtësisë e mencurisë, vlerës e antivlerës, bukurisë e groteskes, vdekjes e jetës, admirimit dhe respektit,  nën aureolën e njerëzores  e dashurisë. Bota dhe vargjet poetike të Homerit janë aq të cmueshme e të admirueshme për Homerin, si fitoret e Agamemnonit që  janë të  Agamemnonit, ashtu janë bota dhe vargjet poetike të cdo poeti për poetin. Poetët nuk presin  të cfaqen heronjtë e të urtët, apo të bëjnë sehirxhiun e ndihmësin në studion e piktorit,-jo-poetët janë “arkitektët” e ekzistencës njerëzore  nën efektin e frymës dhe muzës poetike. Poetët njohin lirinë e të shprehurit, jeta e njeriut është poezi, – poezia është Poeti!  Poezia është liria  e ndjenjës, moment, gjendje emocionale e shpirtërore që ndodh në jetë. Të krijosh  poezi është përpjeka për të arritur të njëjtën përgjigje emocionale në akord me lexuesin. Poezia është gjerdani i artë i fjalës, i ëndrrave, pasioneve, dëshirave, psikikes e shpirtërores. Poetët janë të kulturuar, pasionantë,ëndërronjës të shoqërisë me parametra qytetare dhe intelektuale. Poezia është ndjenja, mendimi i shprehur në pak fjalë dhe histori e tërë,  e dhimbshme, reale  dhe e bukur. “ Nën petkun e vdekjes” titullohet vëllimi poetik i Poetes e Pedagoges së Psikologjisë, Genta Kaloci, koleksion poetik me vargje që kanë në qendër simbolikën e lidhjes së fortë me lirinë e psikiken e shpirtit, imtësira psiko-analitike  e figura të goditura metaforike, imazhin e dhimbjes e dashurisë, përjetimit të përvojave jetësore e  fantazisë, pasionit e shpresës mes kontrasteve të jetës e artit, raportin mes natyrës e njerëzores, sikundër i ka ndjerë e jetuar. Që në hyrje të vëllimit do të lexoni dedikimin shpirtëror: “Këtë libër i’a dedikoj babait tim, Petrit. Më mungon!” Kam pasur fatin e mirësinë t’i njoh prindërit e poetes, kam biseduar me Atin e saj të Shtrenjtë, burrë fisnik e idealist, plot urtësi e mëncuri mendimi, me zemër të madhe. Poetja, që në titullin e kopërtinës  dhe dedikimin ndaj Atit të saj, lë të kuptosh se ajo mundohet të përshtatet me rrethanat e reja, gjen ngushëllim e qetësi duke krijuar  vargje në prani të reales. Mënyra e vetme për t’i shpëtuar së kaluarës së dhimbëshme  është duke biseduar me vende dhe njerës që nuk do të mund t’i shohë përsëri, duke na folur për të munguar e të vdekur, mban në cdo varg të shkruar me ta marrëdhëniet në kohë, për të mos i harruar të dashurit e saj që i mungojnë e ndahen nga jeta. Në rastin konkret heroi i poetes është Ati i saj,  shpirti psikik e idealist i tij, që e frymëzojnë Gentën edhe në mungesë të tij: “Vdekjes, vargje i thurra,paqe të vendosja,/ vdekjen, desha të korruptoja. /Vdekjes nanulla i këndova, por ty kurrë s’të shpëtova.”  Poetesha Genta është në kërkim të normalitetit  brenda shpirtit dhe ekzistencës njerëzore, brenda asaj normales, ajo e konsideron njeriun e natyrën thelbësore,  përpiqet  të merret me të kaluraën,  i  kushton vëmendje të vecantë, përpiqet të përshtatet me bërthamën e kuptimit të vdekjes e jetës, si  intimitet shpirtëror dhe human,  mes mendjes së njeriut e natyrës, kohës e hapësirës nga humbja dhe poetesha vazhdon të jetojë ëndërrojë e shkruajë: Të humba në tokë, në qiell të gjeta,/ ëngjëllin mbrojtës u shëndrrove, me shenja më flet,/ në çdo figurë të reve fjalët e tua lexoj,/ në çdo fëshfërimë të gjetheve ty të dëgjoj.” Pëermes matierialit gjuhësor të spikatur me “bisturinë e psikologes”, Genta shpreson të arrijë përkohëshmërinë gjuhësore poetike dhe  të paarritshmen –Lirinë e pafrikëshme  dhe fabulën e poezisë! Në saj të strukturës së vargut, poetesha është në kërkim të dickaje më shumë se kaq:Ballafaqimin me realitetin e përvojat e jetës; mungesën, dhimbjen e shpresës,  nën lëkurën poetikë na jep thelbin e jetuar të një jete,  ashtu si ai  historiani që tregon më shumë se poezia. Me talent e mëncuri, me shpirtin artistik dhe  thelbin filozofik të psikikes, poetesha ndërton urën e takimit me Atin e saj- mes tokës e qiellit, në kohë e hapësirë, dhe provon se asgjë nuk është statike, ajo demonstron ndryshmin me forcën e fjalës e vargut. Disa poezi konsistojnë në një strofë të vetme, por që vargjet e tyre mbartin simboliken e esencialen, poezi ta tilla si p.sh. ”Unë”, “Vdekja”,   “Njeriu dhe Hëna”,  “Mirësia”, “Vetmia”, “Dobësia”, etj, të cilat kanë dicka impresive, përceptimin e poezisë dhe ndjeshmërinë e autores (e një femre)  në zemër të këtyre poezive, vecanërisht në ato vargje të drejtpërdrejta-që fillojnë me fëmijërinë, qytetin e lindjes, peisazhin, dashurinë, eliksirin e dashurisë, aventurat e moshës,  jetën e vdekjen, bashkimin e ndarjen, të cilat janë karakteristike në këtë vëllim poetik.

“Me hirin tim buzë detit luaj/ jeta bëri të sajën,/në paralel u ndamë,- (poezia,”Hiri im”)- poetja përcjell metafizikën e plakjes, e cila është e pashmangëshme, nuk është mallkim, por është  jetësorja, psikikja, hyjnorja dhe vdekja  në lidhje të ngushtë e të drejtpërdrejtë  mes hyjnores e njerëzores. Genta në disa poezi ka përdorur vargun linear, por ka edhe poezi që përbëhen nga linja rrëfyese, që përsos poezinë tradicionale, vargjet  lëvizin e nguliten në hapësirën e memorjes;

Sytë mbi ty ngul/ e s’mundem veҫ se të të shoh/ mundohem të të prek,/ nëpër gishta më rrëshqet/ zhurma e dallgëve në breg godet/ një melodi ritmike në qetësinë tënde/ ku ndonjë ҫift sinfoninë e vet po kompozon,/ unë aty në një cep vështroj,/Flladi i verës më ledhaton si nëna fëmijën e saj,/ aromat e ditës të grumbulluara nën dritën e hënës,/ shijohen në kulmin e tyre,/ etjen ma ruajnë minutat e orët kalojnë,/ vetmia më shumë më pushton./”(poezia-“Nata). Poetesha Kaloci nuk ka frikë nga urat e padukëshme, ajo vetëm është e frikësuar për pjesën e traditës poetike, për  lexuesin e poezisë,  të mos dalë jashtë këtyre  “urave të padukëshme”. Fuqia poetike e lidhur fort me filozofiken, njerëzit e gjithcka që e rrethon shpërthejnë nga thellësia e psikikes, shpirtit artistik e filozofik,  për të shprehur dicka të re, të ndryshme; impresive, optimiste e shpresëdhënëse, sikundër bënin poetët e metafizikes. Genta përdor gjuhën poetike me fjalë dhe elementë substacionalë  të pastër e dimensionalë, mendimi filozofik është implozion jo rrëfyes, ekspresionizmi abstrakt është në shpërthim. Forca  sociale, intelektuale, qytetare e historike, dëshmojnë labirinthin e fjalës e vargut, zërin dhe autoritetin e tyre, në poezi të tilla; “ Modestia”, “Zgjuarsia”, “Inteligjenca”, “Vetëkënaqësia”, etj. Intuita, lidhjet psikike me artistiken nëpërmjet figurave të goditura letrare janë të besueshme në këto poezi, ato janë në stilin meditativ, poetja është e interesuar më tëpër të vargëzojë përvojën e një momenti e mendimi të castit, që përbëjnë estetika të reja;  “Inteligjenca e dija, ne zemër të butë,/ e humanizëm,/ është thjesht vetëvrasje,/-(poezia-“Inteligjenca”). Poetja kërkon të ndjehet e mendojë atë, c’ka  do të ndjejmë  edhe lexuesi kur të lexojë poezinë, dhe lexuesi të shohë atë që poetesha sheh.  Genta Kaloci në poezitë e saj demonstron magjishëm procesin e saj të mendimeve e ideve në fabulën poetike.

“Krenaria,/ heroizmi,/ sedra e sëmurë,/ shkallë të përcaktimit,/ të budallallëkut, idiotësisë, injorancës./U arsimova,/ udhëtova,/ jetova,/ eksperimentova,/ këtë njollë,/ vetes kurrë s’ia hoqa”/.(poezia-“Njollë Njerëzore”).

Me një timbër original, autoritar e shprehur artistkisht, pa sforco fizike, kujdes psikik, artistik e filozofik, me mjete modeste, duke prekur elementë  të kohës, plagë të shoqërisë e farsave sociale, elementë që shqetësojnë cdo poet e intelektual, se cfarë do të bëhet në këtë botë të bukur- duke i stigmatizuar ato- poetja Kaloci  transmeton te lexuesi  mesazhin pozitiv nëpërmjet kodit poetik,  mesazhin e mirësisë, mirëkuptimit, përkushtimit  e hedh dritë  për shoqërinë shqiptare. Në poezinë “Shqiponja mërgimtare”, poetesha  shpreh dhe shtjellon plagën e mërgimit. Të gjithë shqiptarët që mërgojnë ajo i lidh si një marrëveshje rreth ciklimit eternal të riaftësimit të së kaluarës me të tashmen –mërgimin e sotëm, gjallëria poetike rrjedh në brendësi të psikikes e shpirtit artistik-unfikimi i kohës me hapësirën, i së tashmes me të kaluarën.  “Ankthi më përpin, dhëmbjet përvëluese më përshkojnë,/ nën lëkurë i ndjej,/mrekullia fillon e merr formë./. Fluturimin nis,/ horizonte të përshkoj,/ me shpejtësinë e ëndrrave të fluturoj/”. Subjekti i fabulës poetike merr rol aktiv në funksion të kohës e  hapësirës, projekt i vetekzistencës, shëndrrohet në një strukturë medituese e vajtuese e dyzuar –të vetvetes e të tjerëve –marrëdhenies humane—botës njerëzore e materiale brenda reales e psikikes.  Ndjenja e dashurisë përfshin disa poezi të poeteshes Genta Kaloci. Gjetjet poetike janë të goditura si nga ana figurative e letrare, mesazhe që ripërsërisin atë që të gjithë kemi nevojë; dashurinë e jetën.

“Çdo frikë e imja,/ me ty nuk ekziston,/ çdo puthje nga ty,(tënden),/ akoma llahtaroj,/çdo prekje,/ sërish kërkoj të përjetoj,/ çdo përkëdhelje e ëndërroj./Disa momente nga jeta e dikujt tjetër,/ vodha/ të drejtën mbi trupin tënd,/ përvetësova/ në skutat e shpirtit tënd,/u dorëzova/ në epshet tona u lëshova.”

Është poezia  “ Të përshëndes”, një poezi që e kapërxen mishin dhe trupi i njeriut është thjesht anija që lundron në këtë emocion të fuqishëm. Dashuria në këtë poezi nuk është e përfaqësuar si një ndjenjë e bazuar në mënryë rigoroze në perceptimet e jashtme apo në cektësinë e bukurisë, por dicka më tepër; ajo është  ngritur mbi termin e dashurisë në kuptimin e pastër e shpirtëror. Duke përdorur imazhe specifike dhe tematika të përzjerë, struktura poetike e kësaj poezie, merr shumë kuptim e domethënie, se duket që poetja ka një nocion të fuqisë së dashurisë. Këto ide të formës e përmbajtjes si një temë e vetme-janë të gërshetuara nga poetja me gjuhën poetike në kohë e hapësirë.

Poezia  “Ekziston vallë dicka?”- Ndjesi e çuditshme,/ ajri dorën më përkëdhel,/ ajri vetëm më prek ajër,/ e çuditshme vetëm ajër…”

Kjo poezi kryen funksionin e saj, trajton marrëdhëniet mes natyrës (ajrit) së papeshë dhe e paprekëshmja e një emocioni të brishtë,  të pastër e të fuqishëm, pra-duke vendosur idenë e dashurisë në një numur kontekstesh të ndryshme. Ajo është njëherë në krahasim dhe kontrast, ndërmjetësuese mes natyrës, ajri,  hyjnores  dhe njerëzores.

 

“Sytë,/ sa herë mbyll,/ aty do më gjesh./ Flladin,/ sa herë në trup ndjen,/ përkëdheljet e mia do jenë./ Perëndimin,/ sa herë të shohësh i shoqëruar në vetmi,/ kodi i përshëndetjes sonë do të jetë./Rrezet e diellit,/ sa herë të të ngrohin,/ afshi nga puthjet e mia,/ nga një tjetër dimension,/ të papërfunduara.” ( poezia- ‘ELIKSIR, SA HERË!)

Përzierja e përdorimi i termave të tilla;- “syve, përkëdheljeve, flladit” me trupin-pra mes botës së mishit (trupi), natyrës dhe botës së shpirtit të pastër, psikikes së shpirtit artistik,  i japin formë poetike emocionit të brishtë e të pastër të eliksirit të dashurisë, që poetja e ka hulumtuar në mënyra të ndryshme në të gjithë poezinë dhe në vargje lirike.Biles, në të njëjtën kohë është  një proces për të unifikuar mendimin artistik me atë filozofik, që endet mes dy ideve shpirtërores e psikikes.

Vëllimi poetik “Nën petkun e vdekjes” i poetes   dhe psikologoes Genta Kaloci-kumton llojshmërinë e thellësinë e shpirtit poetik, i botës njerëzore e përvojave jetësore, i vetëdijes mitike e tragjike,  të kohës e me kohën, mes lirisë të pakufi të vdekjes, imazhit tronditës të saj  dhe vazhdimësisë së jetës-mes të fshehtave të saj dhe dashurisë për jetën-nën frymën poetike të psikikes shpirtërore, hyjnore e njerëzore.

Raimonda MOISIU

HARTFORD CT USA

Tetor 2013

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Genta Kaloci, nen petkun e vdekjes, persiatje rreth, Raimonda Moisiu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 404
  • 405
  • 406
  • 407
  • 408
  • …
  • 557
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Historia e shtypit arbëresh nga zanafilla deri në ditët e sotme”
  • Paradoksi i Samitit të Diasporës së Shqipërisë
  • ZËRI QË NUK SHUHET: NË KUJTIM TË LAHUTARIT TË MADH TË MALËSISË SË MADHE, JONUZ DELAJ
  • Po Itaka ime sa larg është?
  • Samiti dhe koha e diasporës si aktor e faktor jo vetëm si dekor…
  • Nga “city upon a hill” tek “America First”: reflektime mbi një kthesë që po trondit botën
  • KOL TROMARA – DREJTUES I FEDERATËS “VATRA”, VEPRIMTAR I DIASPORËS SHQIPTARE DHE FIGURË E RËNDËSISHME E LËVIZJES KOMBËTARE
  • Letërsia si dëshmitare e kohës dhe pafuqisë për ta ndryshuar atë…
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • «Dritë-shkronja» e Eugène Pittard
  • Propozimi i Presidentit amerikan Donald J. Trump për emërimin e Gjeneral Lejtnant (Ret.) Eric P. Wendt si Ambasador i SHBA-ve në Shqipëri
  • Manifestimi i AAWO “Motrat Qiriazi”, nderohet sakrifica dhe suksesi i gruas shqiptare
  • Leonardo da Vinci, gjeniu që e shndërroi artin në instrument për të depërtuar në sekretet e krijimit
  • Kënaqësi të takohem me Presidentin Bill Clinton dhe bashkëshorten e tij, ish-Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton
  • Zëri i ndërgjegjes sonë kombëtare…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT